20.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025

Bllokohet në Greqi drogë dhe armë nga Shqipëria

Policia greke ka sekuestruar dje një sasi droge dhe armësh të futura nga Shqipëria. Operacioni është kryer në zonën pyjore të Xrisorahit në Janinë, pas informacioneve paraprake. Policia helene bëri të ditur se, gjatë operacionit ka gjetur të fshehura 7 çanta me 123 pako që përmbanin 138 kg e 400 gram marijuanë, 1 armë zjarri automatik tip “Kallashnikov” me 2 krehëra me 20 fishekë dhe 528 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Policia greke bëri të ditur se droga dhe armët janë futur nga Shqipëria. Policia nuk ka arritur të zbulojë autorët, por bëri të ditur se po vijojnë hetimet për kapjen e tyre dhe për lidhjet e mundshme me trafikantë grekë.
Ndërkohë, po ditën e djeshme një sasi e madhe kanabisi ka dalë nga bregu i detit në Greqi. Policia greke bëri të ditur se, disa pako me lëndë narkotike janë gjetur pranë shkëmbinjve në bregdet në qytetin e Lefkadhës. Pakot e drogësu vunë re nga disa oficerë policie që po patrullonin dhe informuan kolegët e tyre të sigurisë. Nga ekzaminimi që iu bë katër pakove të dyshimta u zbulua se brenda tyre kishte kanabis. Pesha totale ishte 53 kilogramë.
Lënda narkotike u konfiskua dhe ka nisur një hetim për të zbuluar nëse pakot me drogë ishin fshehur qëllimisht tek shkëmbinjtë apo kishin rënë në det gjatë trafikimit me skafe nga brigjet shqiptare.
Para dy javësh u kap një skaf me 1.6 ton kanabis që ishte nisur nga Shqipëria. Sipas mediave greke, droga vinte nga Shqipëria dhe hedhin dyshime të forta se ishte e komanduar nga politika shqiptare. Sipas mediave grekë, karteli çonte marijuanë në Turqi dhe merrte heroinë, është zbuluar nga shërbimet amerikane. Në këtë operacion morën pjese shërbimet greke dhe italiane. Të gjitha këto shërbime arritën në përfundimin se, karteli funksiononte nën urdhrat apo tolerancën e ish-ministrit Saimir Tahiri, njëkohësisht edhe drejtuesve që ndodhen pranë Kryeministrit Edi Rama.
Në bordin e skafit u arrestuan dy shqiptarë dhe një italian. Mediat greke shkruanin se, roja bregdetare e lidh ngushtësisht ngarkesën prej 1.6 tonë kanabis me Habilajt. Operacioni u finalizua me arrestimin e një biznesmeni grek nga Mikonosi në një hotel në Athinë.
Në automjetin e biznesmenit, policia greke gjeti kuti me dokumente, të cilat synonte t’i merrte gjatë arratisjes. Pas arrestimit, ai ka mohuar lidhjet me drogën dhe ka thënë se ka bërë një marrëveshje private për të dhënë përkohësisht skafin tek personat e tretë. Gazetat greke shkruanin se droga do të shkarkohej në Turqi, nga ku, sipas një prej pistave, do të merrte heroinë për ta çuar atë në Shqipëri. I njëjti burim informacioni zbulon për median greke se i njëjti rrjet qëndron pas dy përpjekjeve të mëparshme për të transportuar sasi të mëdha hashashi nga Shqipëria në Itali në prill dhe shtator 2017. Rasti i parë i referohet muajit prill 2017. Rasti i dytë i referohet tentativës për transport të 2.3 tonë hashash nga Shqipëria në Itali në muajin shtator, ku ngarkesa u transportua me skafin e biznesmenit të arrestuar grek.
Pothuajse për çdo ditë policia greke bllokon sasira droge të futur nga Shqipëria. Janë plot 3.8 ton drogë e kapur nga fillimi i muajit tetor deri më sot në të gjithë Greqinë. Sasira të mëdha droge janë kapur pranë kufirit greko-shqiptar në raste të ndryshme, më i fundit ai i tre ditëve më parë në Igumenicë dhe ku ranë në pranga tre shqiptarë.
Volumi i madh i drogës së futur në Greqi gjatë kohëve të fundit, ku aktorë kryesorë janë shqiptarët, ka bërë që policia greke të angazhohet fuqishëm në këtë luftë kundër narkotikëve dhe detyroi zyrtarët e lartë të policisë helene të dalin në konferencë për të dhënë detaje në lidhje me situatën alarmante të drogës.

Çështja Tahiri dhe bomba e dytë që pritet të plasë në dosjen ‘Xibraka’

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri prej gati dy muaj është vënë në ballë të ciklonit, duke u akuzuar drejtpërdrejt si një ish-ministër i Brendshëm që është implikuar në trafikun e drogës, dhe më konkretisht në grupin kriminal të Habilajve, që janë kushërinjtë e tij.
Gjykata e Krimeve të Rënda arriti sot të konfirmojë vendimin për caktimin e masës së sigurim bllokim të pasaportës për shtetasin Tahiri, ndërkohë që ish-ministri i Brendshëm u largua nga ambjentet e gjykatës vetëm, duke pëshpëritur fjalët “Faleminderit…Faleminderit”.
Dalja e emrit të Tahirit në dosjen kriminale Habilaj, tashmë është mësuar dhe se dy prokuroritë si ajo shqiptare dhe ajo italiane, pra e Katanias, kanë nisur hetime ndaj Tahirit si i dyshuar në trafikun e drogës, pasi nëpërmjet postit dhe benefiteve që ai gëzonte në Ministrinë e Brendshme ka favorizuar trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali.
Por “Kombinews” mëson se kjo është vetëm maja e ajsbergut në këtë çështje, pasi dy bomba të tjera pritet të plasin sërisht, ku emri i ish-ministrit Saimir Tahiri dhe gruas së tij është prezent.
Mesazhet telefonike të gjetura në telefonin e biznesmenit të arrestuar Orest Sotës me gruan e Tahirit, për çështjen e tenderave pritet të hedhin dritë mbi një skandal tjetër.
Bashkëshortja e Tahirit, në këto mesazhe del e kompromentuar, pasi bisedon me Orest Sotën lidhur me fitimin e tenderave të Ministrisë së Brendshme, gjatë kohës kur në krye të këtij dikasteri ka qenë ministër Tahiri.
Ndërkohë bomba e dytë dhe më e rëndë që duket se po përgatitet të plasë gjatë vitit 2018, lidhet me çështjen “Xibraka”. Përgjimet e kryera nga Prokuroria e Hanoverit në Gjermani për anëtarët e grupit Xibraka, duket se kanë interceptuar dhe biseda ku anëtarët e këtij grupi flasin për Saimir Tahirin, dhe disa biznesmenë të tjerë shumë të njohur në vend dhe djemtë e disa ish-ministrave të Partisë Socialiste. Njëherësh në këto përgjime del dhe emri i një biznesmeni që administron një klub futbolli në Shqipëri etj.

Të fortët e PS shitën ndihmat e përmbytjeve në fshatin Ferras

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një video në rrjetin social Facebook, ku shihet se si grabiten ndihmat e banorëve të përmbytur. “Shikoni se si plaçkisin ndihmat e Ferrasit të përmbytur bandat e PS”, shkruan Berisha dhe më poshtë publikon mesazhin e qytetarit dixhital.
“Përshendetje dr. Të fortët e Levanit të PS shitën ndihmat e fshatit Ferras. Ju lutem bëjeni publike!”, shkruan qytetari në statusin e tij.
Ndërkohë banorët ankohen se ende nuk janë bërë vlerësimet për dëmshpërblimet nga përmbytjet. Fermerë të zonës së Frakullës iu drejtuan Bashkisë së Fierit për të kërkuar verifikimin e dëmeve nga përmbytjet. Në Frakull vërshimi i Vjosës 2 javë më parë ka dëmtuar qindra ha me sera. Banorët pretendojnë se asnjë grup verifikimi nuk ka mbërritur në zonë për të bërë vlerësimin e dëmeve. Një përfaqësi e tyre u prit nga zyrtarë të Bashkisë ku u është premtuar verifikimi i dëmeve. Fermerët po kërkojnë më tepër furnizime me bazë ushqimore dhe medikamente për kafshët. Ndihmat në këto zona po shpërndahen nga ushtria nën kujdesin e Bashkisë, por ato duken të pamjaftueshme për të ushqyer rregullisht tufat me bagëti.
Në Darëzëzë dhe Povelçë shumë ha tokë janë ende nën ujë. Për këtë shkak pa ushqim janë tufa të tëra me bagëti. Uji po tërhiqet mesatarisht 3 centimetra në ditë çka do të thotë se do të duhen edhe të paktën dy javë deri në largimin e plotë të tij. Nga ana tjetër, kjo situatë përbën rrezik për shëndetin e banorëve për shkak të ndotjes nga kafshët që kanë mbetur nën ujë pas përmbytjeve të Vjosës.

 

Si mashtroi Rama për dëmshpërblimet e përmbytjeve

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari nga Fushë-Krurja, i cili shkruan se Rama mashtroi se gjoja i ka dëmshpërblyer të përmbyturit vitin e kaluar. “Qytetari dixhital i përplas Ramës në fytyrë gënjeshtrën që lëshoi dje në Parlament! Lexoni mesazhin e tij!”, shkruan Berisha.
“Ju uroj shëndet. Duhet të bëni publike problemin e shpërblimit për familjet e përmbytura në zonën e Fushë- Krujës e rrethinat për rreth, mbasi dje kryeministri mashtroi në Parlament. Nga përmbytjet e vitit tjetër shumë familje u përjashtuan nga lista e dëmshpërblimit dhe ishte e habitshme sesi u përjashtuan se komshiu merrte e ky jo. Shpërblim morën familje me banim në pallate në katet e dyta e treta ose familje në rrethina ku s’kishte përmbytje ose familje me banim jashtë shtetit. Sivjet përmbytja ishte më e madhe komisioni i vjetshëm që kryesohej nga z. Kamber, polica e z. Xhemali Xhixha që ishte dhe vjet po trokasin në çdo derë, duke verifikuar dëmet, por dëmshpërblimin e kanë vendosur mbi një kusht e përfiton partiaku ose ai që pranon ta ndajë dëmshpërblimin me komisionin pra 50% kryefamiljari i përmbytur dhe 50% grupi i komisionit që fut emrin në listë dhe përcakton vlerën e dëmshpërblimit. Për ta vërtetuar këtë mund të shikohet lista e ankesave të familjeve që s’u dëmshpërblyen vjet dhe që po shmangen këtë vit sekserët lëvizin në çdo lagje me listë në dorë kurse përgjigja nga z. Xhemali e z. Kamber është e di kryetari z. Artur Bushi”, shkruan qytetari.

Eksploziv banesës së policit në Fushë-Krujë

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në oborrin e një banese 3-katëshe në Fushë-Krujë, në pronësi të një punonjësi të policisë. Sipas Policisë së Fushë-Krujës, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm rreth orës 05:00 në banesën e punonjësit të policisë që shërben në Komisariatin e Kamzës, Fatmir Isufi. Fatmirësisht për pasojë të shpërthimit nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale.
Kamerat e sigurisë së objektit kanë regjistruar një person të veshur me një xhup me kapuç. Nga këqyrja e kryer nga ekspertët e policisë është vënë re se në kamerat e sigurisë shihet tek sa personi afrohet dhe nga jashtë murit rrethues hedh materialin shpërthyes. Në vendngjarje po ashtu hetuesit kanë gjetur edhe një dorezë, e cila dyshohet se i përket autorit. Pronari i objektit, efektivi i policisë nga deklarimet paraprake ka pohuar se nuk ka pasur asnjë konflikt me ndonjë person.
Në njoftimin e policisë thuhet se, në Fushë-Krujë gjatë natës në oborrin e pronës private 3-katëshe (banesë dhe biznes) të shtetasit F.I. ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse. Për pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e llojit të lëndës plasëse, shkaqet e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Para tre ditësh, një dyqan u hedh në erë me tritol në Fushë-Krujë. Policia bëri të ditur se, shpërthimi me lëndë plasëse ka ndodhur në një dyqan në pronësi të 36-vjeçarit me inicialet E.Xh., banues në Fushë-Krujë. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale. Policia ende nuk ka mundur të kapë autorin e kësaj ngjarje të rëndë.

Kapen me kokainë në Itali, në pranga dy shqiptarë

Policia italiane ka arrestuar dy shqiptarë ditën e djeshme në La Serra e Ivreas, pasi u kapën me drogë. Dy të rinjtë shfrytëzonin dhomën e tyre të hotelit, në të cilën ishin futur pa u regjistruar. Pas dyshimeve të ngritura gjatë hetimeve, autoritetet fqinje në kontrollin e ushtruar në dhomën e tyre të hotelit konfiskuan një sasi të papërcaktuar kokaine. Dy shqiptarët, njëri 30 dhe tjetri 21 vjeç, pas arrestimit, bënë që policia të kapë mat edhe pronarin e hotelit në Itali, sipas të cilëve ishte biznes i paligjshëm. Ai tashmë është në procedim penal për dhënien në të zezë të banesës me qira.
Po ashtu një 21-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë, pasi iu gjet në makinë një sasi kokaine. Mediat italiane raportojnë se i riu shqiptar, identiteti i të cilit nuk dihet, u kap në Perugia, ndërsa droga ishte fshehur në 12 topa plastik të vegjël të izoluar mirë.
Ndërkohë, bashkë me të në makinë ishte dhe një tjetër person, i cili arriti të arratisej. ‘Libero’ shkruan se ngjarja në fjalë u regjistrua mbrëmjen e 12 dhjetorit, rreth orës 23:00, ndërkohë që lajmi është publikuar ditën e djeshme. Pavarësisht se dy personat tentuan të arratisen me këmbë, vetëm njëri prej tyre ia arriti t’i shpëtonte policisë.
Një ditë më parë policia italiane ka arrestuar një shtetas shqiptar 42 vjeç, pasi në automjetin e tij është gjetur e fshehur rreth 1 kg kokainë. Patrulla e policisë pikasi në autostradën A2 midis Lagonegro Sud e Lauria Nord një automjet të dyshimtë Renault Megane Scenic. Gjatë kontrollit, shoferi që ishte i vetëm në makinë ka siguruar policët se punonte për një kompani dhe kjo ishte arsyeja e udhëtimit të tij. Por më pas, shpërthyen kontradiktat e njëpasnjëshme, duke dhënë versione të ndryshime mbi udhëtimin dhe destinacionin. Më pas nisën kontrollet e imtësishme në makinë, duke identifikuar një sasi kokaine.
Nëpërmjet një modifikimi artificial në vendin ku ndodhen bateritë, u zbulua një hapësirë ku vendosej droga. Paketa që mbante kokainë jo lehtësisht e dallueshme në shikim të parë, ishte mbështjellë në një material plastik me vakum si dhe me letër celofoni. Paketa ishte gjithashtu e mbushur me masë xhelatinoze, ndoshta pastë dhëmbësh një metodë e përdorur kjo për të kufizuar mundësinë e zbulimit nga qentë antidrogë.
Policia zbuloi 1 kg kokainë dhe analizat e para kanë zbuluar shkallën e pastërtisë prej 80%. Hetuesit besojnë se nga droga mund të merrte rreth 5 mijë doza nga shitjet me pakicë dhe një fitim prej rreth 60 mijë eurosh. Vlera me shumicë e lëndës narkotike është rreth 35 mijë euro. Burri u arrestua në flagrancë dhe u dërguar në burgun e Potencës.

 

Tritol makinës te Uji i Ftohtë në Vlorë

Një sasi eksplozivi ishte vendosur në makinën e një qytetari në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, por fatmirësisht nuk shpërtheu. Policia bëri të ditur se makina është “Mercedes Benz” E Class me targa “AA 230 OX”. Ishte pronari i mjetit me inicialet E.S, i cili njoftoi menjëherë policinë rreth orës 18:55, pasi pa një objekt në qese të zezë.
Sipas policisë, ngjarja është njoftuar rreth orës 18:55 tek zona e ‘Ujit të Ftohtë’. Ka qenë vetë pronari i mjetit, ai që ka alarmuar policinë, pasi ka parë një objekt të mbështjellë me qese të zezë dy metra para mjetit. Pas hetimeve të policisë, u vërtetua se mjetit tip ‘Benz’ i ishte vendosur një sasi eksplovizi, ndërsa priten forcat xheniere nga Tirana, që të bëjnë çaktivizimin e lëndës plasëse. Ndërkohë, policia ka ndërmarrë disa masa, duke vendosur edhe perimetrin e sigurisë, ndërsa banorëve të zonës nuk u lejohet të afrohen.
“Më datë 15.12.2017, rreth orës 18:55, Salla Operative Vlorë është njoftuar nga një telefonatë prej shtetasit E.S., 30 vjeç, pasi dyshon se rreth 2 m larg, përpara mjetit të tij tip “Benz”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, dallon një qese plastmasi të zezë dhe dyshon se ka lëndë eksplozive. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilët kanë konstatuar se, në rrugë rreth 2 m përpara mjetit tip “Benz” gjendet një objekt i mbështjellë me qese të zezë. Policia ka rrethuar zonën për të mbajtur larg perimetrit të rrezikut banorët përreth. Janë njoftuar e janë duke ardhur edhe Forcat Xheniere për të vlerësuar situatën dhe përcaktuar çfarë objekti është”, thuhet në njoftimin e policisë.

Përplasen dy mjete në Elbasan, aksidentohet një kalimtare

Një aksident ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin Elbasan-Peqin, e për pasojë ka mbetur e plagosur një kalimtare. Ngjarja ndodhi në fshatin Broshkë. Burime zyrtare bënë me dije se në aksident janë përfshirë dy mjete, mjeti tip “Citroen” me targa AA 805 CC drejtuar nga shtetasi R.R., 69 vjeç, banues në Kavajë dhe një “Opel” me targa AA 815 HO drejtuar nga shtetasi Z.K., 48 vjeç. Si pasojë e devijimit të mjetit, ‘Opeli’ ka përplasur një këmbësore, shtetasen M.Xh., 39 vjeçe.
“Më datë 15.12.2017 në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Broshkë mjeti tip “Citroen” veturë me targa AA 805 CC drejtuar nga shtetasi R.R., 69 vjeç banues në Kavajë është përplasur me mjetin tip “Opel” me targa AA 815 HO drejtuar nga shtetasi Z.K., 48 vjeç banues në fshatin Shezë Peqin. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale të mjeteve.
Mjeti “Opel” ka aksidentuar këmbësoren shtetasen M.Xh., 39 vjeçe banuese në fshatin Broshkë, e cila është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Kirurgjik Elbasan dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ndodhet në vendngjarje, po kryen veprimet hetimore dhe proçeduriale dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Përleshje me thika në mes të Tiranës, një i plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qendër të Tiranës. Dy të rinj janë përleshur me njëri-tjetrin dhe kanë përdorur edhe thikat. Njëri prej tyre ka mbetur i plagosur. Bëhet fjalë për një 23-vjeçar, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në Bulevardin ‘Gjergj Fishta’, ose siç njihet unaza. Autori i dyshuar i plagosjes është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia e Tiranës ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e një të riu, të ndodhur pasditen e djeshme në Bulevardin “Gjergj Fishta”.
Policia njofton se: Rreth orës 14:30, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në Bulevardin “Gjergj Fishta”, po konfliktohen dy shtetas. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se:
Në Bulevardin “Gjergj Fishta”, ka ndodhur një konflikt ndërmjet dy shtetasve, ku për pasojë është dëmtuar me mjet prerës shtetasi M.M., 23 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga ana e policisë është identifikuar autori dhe po punohet për kapjen e tij. Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, njofton Policia.

Shqipëria në prag të revoltës antimafia

Shqipëria po shkon drejt revoltave të mëdha “Antimafia”. Kapja e kreut të Prokurorisë në mënyrë antikushtetuese nga Rama me qëllim për të mbyllur dosjet e skandaleve të lidhjeve të qeverisë me krimin si dhe për ta përdorur politikisht Prokurorinë rrezikojnë të çojnë vendin në një përplasje të fortë.
Nga ora në orë priten vendime të rëndësishme të opozitës, ndërsa qëndrimet janë të qarta dhe të prera për të mos lejuar në asnjë mënyrë shkeljen e Kushtetutës që në rastin e një Prokurori politik do të çonte vendin drejt diktaturës.
Kryetari i Partisë Dmeokratike, Lulzim Basha paralajmëroi dje fundin e Reformës në Drejtësi dhe nisjen e diktaturës së vendit nëse sipas të gjitha gjasave në seancën e pritur të 18 dhjetorit, Rama do të miratojë me vetëm votat e tij Kryeprokurorin e Përgjithshëm dhe defacto kapjen e institucionit të organit të akuzës.
Deklaratat Basha i bëri gjatë qendrimit në Londër, ku ndodhej me ftesë të kryeministres britanike Theresa May.
Gjatë qëndrimit në Londër, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkëbisedoi me komunitetin shqiptar të Londrës. Aktualiteti në Shqipëri ishte në vëmendjen kryesore dhe pyetjet e tyre ishin për çështjen e kryeprokurorit, krimit të organizuar, fuqizimit të Partisë Demokratike.
Lidhur me çështjen e kryeprokurorit, Lulzim Basha e krahasoi vendimin e Edi Ramës për ta marrë nën kontroll drejtësinë me pushtetin absolut të mbretit, duke qenë vetë kryeministër, vetë gjyqtar, vetë xhelat.
Basha tha se, shqiptarët e kanë vuajtur këtë nën diktaturë dhe se opozita nuk do të pranojë kurrë që Edi Rama ta kthejë Shqipërinë në të njëjtën gjendje, ku një njeri i vetëm kontrollon me dorë të hekurt Parlamentin, qeverinë dhe drejtësinë.
“Ky është fundi i Reformës në Drejtësi dhe ky është hapi vendimtar i rrëshkitjes së vendit në diktaturë. Nëse në datë 18 dhjetor Edi Rama zgjedh me votat e tij kryeprokurorin, ky është fundi i shtetit ligjor, fundi i demokracisë dhe opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar”, tha Basha.
Kreu i opozitës tha se e vetmja rrugë për një drejtësi të reformuar kalon përmes zbatimit të Kushtetutës siç u miratua në 22 korrik 2016.
I pyetur për situatën e kriminalitetit, lidhjet e qeverisë me krimin dhe alternativën e Partisë Demokratike, Basha tha se, duke mbrojtur dhe promovuar kriminelët, Edi Rama e ka futur Shqipërinë në listën e zezë.
Lulzim Basha tha se, Partia Demokratike e ka treguar me prova, si në rastin e heqjes së vizave, se ka vullnet për ta luftuar krimin.
“Krimin do ta shtypim dhe Shqipërinë do ta bëjmë anëtare të Bashkimit Europian dhe shqiptarët nuk do të shkojnë më si refugjatë, por do të shkojnë të punojnë siç punojnë polakët, bullgarët, rumunët, me kokën lart me pasaportë shqiptare dhe të kenë të njëjtat të drejta si çdo qytetar europian. Ky është qëllimi im. Ky është objektivi që i kam vënë vetes”, tha kryetari Basha.
Me demokratët e Londrës kreu i opozitës diskutoi për demokratizimin e mëtejshëm të PD-së, në mënyrë që të tërheqë pranë vetes intelektualët dhe këdo që beson tek vlerat.
“Një prej këtyre vlerave është demokracia, tha Basha. Në Degën e PD-së Londër zbatohet parimi një anëtar një votë. Këtë formë duhet ta kemi në të gjithë PD-në”.
Basha përfshiu këtu edhe zgjedhjen e deputetëve demokratë. “Pavarësisht rrethanave të zgjedhjeve të këtij viti, e kam thënë që deputetët e ardhshëm të Partisë Demokratike do të vijnë sipas parimit një anëtar një votë”, tha Basha.
Kreu i opozitës u shpreh se, “do të bëjë përpjekje që ky parim të bëhet realitet që në zgjedhjet bashkiake, për ta testuar në 2-3 qytete të mëdha dhe për ta shtrirë pastaj në të gjithë vendin”.
Lulzim Basha tha se, Partia Demokratike është e vetmja forcë që mund të sjellë një ndryshim pozitiv për vendin dhe qytetarët, prandaj edhe beteja kryesore e saj është ajo për zgjedhje të lira e të ndershme.
Gjatë qendrimit në Londër, kryetari Basha u takua me parlamentarë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë britanike dhe Foreign Office.
Lulzim Basha ndodhet në Londër me ftesë të Partisë Konservatore Britanike të Kryeministres Theresa May. Ai mori pjesë në konferencën mbi “Sfidat në Ballkanin Perëndimor”.
Konferenca e ardhshme e rrjetit të partive të qendrës së djathtë të Ballkanit Perëndimor dhe konservatorëve britanikë do të mbahet në Tiranë në mars 2018.