29.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025

Minitti jep alarmin në Parlamentin dhe Senatin italian për mafian në Shqipëri

Grupi mafioz “Ndrangheta” me bazë në rajonin e Kalabrisë në jug të Italisë, është më pak e njohur se sa mafia siçiliane “Cosa Nostra”. Por, “Ndrangheta” është më shumë më e pasur dhe ka më shumë pushtet. Interesat e saj shtrihen nga Kalabria në Kolumbi dhe deri në Australi.
Dokumentet e Parlamentit dhe Senatit italian që disponon faktor.al dëshmojnë për një bashkëpunim kriminal që ka alarmuar autoritetet italiane të antimafias dhe politikës, aq sa ministri i Brendshëm, Marco Minitti, ish-njeriu i Shërbimeve Sekrete Italiane, ka raportuar në Komisionin parlamentare Antimafia. Shqipëria përmendet 25 herë në raportin e korrikut të këtij viti.
Shkrirja e karteleve shqiptare të drogës me mafia italiane ishte e panjohur më parë, pasi Shqipëria sillte në Itali vetëm kanabisin, por kohët e fundit grupet shqiptare kanë arritur të çojnë në Itali kokainë dhe heroinë. Ata janë bërë furnitorët ose grosistët e mafias me qendër në jug të Itali, posaçërisht në Bari, Lecce, Potenza, Mattera. Shqiptarët furnizojmë me armë, drogë dhe eksplozivë, sepse kanë përvojë dhe lidhje me grupet serbe e malazeze, që mbahen kryesisht nga njerëz të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit.
Në skenarin e përgatitur nga Ministria e Brendshme italiane, dokument që e disponon faktor.al, thuhet se shqiptarët në të ardhmen e pritshme do të bëhet trafikantë të mëdhenj të drogës ndërkombëtare.

Minitti: Cosa Nostra në Shqipëri

Ministri i Brendshëm italian Marco Minitti ka informuar Parlamentin dhe Senatin italian në 11 korrik të këtij viti se organizata mafioze palermitane “Cosa Nostra” po zhvillon aktivitet dhe në Shqipëri. Informacioni i dërguar në Parlament nga ministri i Brëndshëm, Minitti është brenda Raportit 6-mujor të Hetimeve Antimafia.
Në faqen numër 65 të raportit, mëson faktor.al, në paragrafin për Shqipërinë përmendet: “Ende trafiku i drogës është sektori që ka lejuar, në këtë semestër, të kuptojë sinjalet e aktivitetit të COSA NOSTRA edhe në Shqipëri”.
Ky informacion ka ardhur pas operacionit “Rubens”, ku u kap një njeriu i Klanit Carofiglio të Palermos. Autoritetet italiane janë alarmuar, sepse shqiptarët nga furnitorë të kanabisit janë bërë edhe trafikantët më të mëdhenj të kokainës, me qark të mbyllur, pra nga vendi origjinës në Amerikën Latine në Itali.
Ministri Minitti referon për operacionin “Oqeani”, ku u arrestuan 18 persona, ku shqiptarët ishin 11 dhe italianët 7, në këtë mes italianët ishin pjesa logjistike e grupit që gjenin baza të fshehta dhe telefonë të papërgjueshëm. Grupi kishte dy shefa, një italian dhe një shqiptar, që ishin specializuar në kanabis dhe herionë. Shqipëria është Rruga Ballkanike e drogës për familjet mafioze italiane që tashmë janë infiltruar nga shqiptarë që po bëjnë karrierë brenda familjeve, transmeton faktor.al
Në faqen numër 207 të raportit mbi Hetimet Antimafia, ministri Minitti vë në dukje, se kanabisi prodhohet në pjesën jugore të Shqipërisë dhe transportohet në Itali me gomone dhe avionë, por janë parë edhe anije që në afërsi të brigjeve italiane shkëmbejnë drogë me motora me ujë, raporton faktor.al
Përvoja e grupeve shqiptare në trafikimin e lëndëve narkotike ka bërë që të kalojë në Italia, jo vetëm kanabis, por edhe kokaina e heroina, armët dhe njerëzit.

Italia: 826 shqiptarë tek mafia në pranga

Ministria e Brendshme italiane ka botuar një raport mbi gjendjen e krimininalitetit mafioz, ku në seksione të ndryshme kanë kaluar në radiografi të gjitha lidhjet e organizatave mafioze vendase, statistikat e të arrestuarve për aktivitete të llojit mafioz dhe operacionalitetit të tyre. Faktor.al disponon raportin me 310 faqe, ku në faqen 302 jepen statistika të të arrestuarave nga 6-mujori i dytë i 2012 deri në 6-mujorin e parë të 2016. Shqiptarët që janë arrestuar dhe marrë me aktivitete mafioze janë 828 persona.
“E kemi referuar shumë herë dinamizmin dhe ndërveprimin e organizatave italiane dhe shqiptare për sa i përket trafikimit të lëndëve narkotike”, thuhet në faqen 176 të një raporti tjetër që ministri i Brendshëm Marco Minitti i dërgon Parlamentin italian, në lidhje me hetimin e organizatave mafioze, raporton faktor.al.
“Hetimet e fundit kundër organizatës mafioze Sacra Corona Unita (Lecce) përdor shpesh rrugën ballkanike për aktivitete të paligjshme falë vllazërisë me grupe sllave. Grupet kriminale në Serbi, Bosnje, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri përdorin rrugën e kualidzuar të Detin Adriatik për trafiqe. Kjo u pa edhe në operacionin Iliria, ku dëshmoi një grup të integruar kriminal (8 vetë të arrestuar në 30 maj të 2016, 3 prej të cilëve italianë), të përbërë nga italianë dhe shqiptarë, kishte krijuar një kanal për trafikun e armëve dhe lëndëve narkotike”.
Në faqen 183 të një tjetër raport që dispon faktor.al, shkruhet se, “Në territorin kombëtar (italian) është e konsoliduar prezenca e grupeve kriminale shqiptare, fleksibiliteti i të cilave në veprim ka lejuar në njërën anë diversifikimin e aktiviteteve të paligjshme, në anën tjetër për të zgjeruar praninë e tyre në rajone të ndryshme italiane, duke filluar nga Puglia. Territori i Pulias, në fakt, ishte zona e celulave të para kriminale shqiptare dhe përfaqëson ende sot një vend të detyrueshëm të zbarkimit të aktiviteteve të paligjshme që vijnë nga Shqipëria dhe nga zonat ballkanike. Me kalimin e kohës, megjithatë, kjo formë e krimit ka arritur të zgjerohet edhe në pjesën tjetër të territorit kombëtar, duke u bërë bashkëbisedues të privilegjuar i shumë partneriteteve, falë edhe tendencës së fortë për të bërë aleanca Multietnike”.
Sipas karabinierëve italianë, raporton faktor.al, “Në nivelin e brendshëm të organizatës shqiptare, zgjidhja e situatave të konfliktit shpesh vjen me metoda dhe veprime veçanërisht të dhunshme…
Në këtë kontekst, shqiptarët janë në gjendje të menaxhojnë, me theks të veçantë heroinën, gjithë zinxhirin e trafikut: nga kontaktet me prodhuesit në kanalet e shpërndarjes, duke u bërë shpejt furnizuesit kryesorë të grupeve italiane, falë aftësisë për të përsosur substancën bazë në laboratorë në mënyrë specifike… aktivitetet e fundit të Policisë Gjyqësore kanë konfirmuar përdorimin e aeroplanëve të vegjël për të trafikuar drogë në Itali dhe jashtë saj”, raporton faktor.al.

Franko Roberti do të hetojë trafikun ndërkombëtar të drogës drejt Italisë

Lajme të këqija vijnë nga Italia për Edi Ramën, Saimir Tahirin dhe gjithë grupin e tyre që çdo ditë e më shumë po dalin të implikuar direkt apo indirekt, në një skemë gjigante të prodhimit dhe më pas të trafikimit ndërkombëtar të drogës. Burime të sigurta për SYRI.net kanë konfirmuar se ish-prokurori kombëtar i anti-mafias italiane, Franko Roberti, i cili dorëzoi detyrën pak kohë më parë pas mbarimit të mandatit është emërua si këshilltari kryesor i Ministrit të Brendshëm Italian, Marco Minniti. Mësohet gjithashtu se në pozicionin e ri, Roberti do të mbulojë pikërisht trafikun ndërkombëtar të drogë drejt Italisë dhe veçanërisht atë nga Shqipëria, i cili është bërë edhe më shqetësuesi për këtë vend gjatë viteve të fundit. Nën kujdesin personal të Franko Roberit është investiguar për 4 vite lidhja e organizatës së Habilajve me zyrtarë të lartë të policisë në Shqipëri dhe veçanërisht me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Pas nisjes së procedimit penal nga prokuroria e Katanias, duket se çështja Tahir po merr një dimension të ri. Tashmë për palën italiane është e qartë që bumi i drogës shqiptare drejt vendit të tyre, ka ndodhur si pasojë e implikimit të policisë, strukturave shtetërore dhe më një mbrojtje të fortë politike.
Ky emërim i ish prokurorit të njohur të antimafias italiane vjen rreth një muaj pas vizitës urgjente në Shqipëri, të ministrit të Brendshëm të Italisë Marco Miniti. Në datën 3 Nëntor të këtij viti ai zhvilloi një vizitë të shkurtër në Tiranë, ku mori pjesë në një takim të organizuar për rezultatet e operacionit të Guardia di Financës në Shqipëri, me objekt zbulimin e parcelave me kanabis. Ministri Minniti gjithashtu zhvilloi një takim me homologun e tij shqiptar, Fatmir Xhafaj, me të cilin nënshkroi një marrëveshje dhe më pas u nis drejt presidencës, ku u takua me Ilir Metën. Më pas ai morri pjesë në një aktivitetit, ku u fol për shifrat e luftës ndaj drogës në vitin 2017 dhe sipërfaqet e mbjella. Pikërisht këtu ai lëshoi një mesazh të fortë: Nuk duhet të ketë më në Shqipëri, njerëz të paprekshëm nga ligji, kushdo qofshin ata. Kjo deklaratë që shënjonte direkt kryeministrin shqiptar erdhi menjëherë pas mbrojtjes që Rama dhe PS i bënë Saimir Tahirt, duke bllokuar arrestimin e tij me forcën e kartonëve.
Pas gjithë këtyre aktiviteteve ministri Minniti zhvilloi një takim privat edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha në ambientet rezidencës Italiane në rrugën e Elbasanit. Por ajo që ra në sy nga vizita e Minnitit ishte injorimi që ai i bëri kryeministrit Rama. Në atë kohë u raportua në media, se kryeministri shqiptar kishte lëvizur të gjithë gurët për të realizuar një takim publik me ministrin e Brendshëm Italian, por ky i fundit ka refuzuar prerë.
Edhe pse në aktivitetin e zhvilluar për shifrat e mbjelljes së drogës (me të cilat mburret kohët e fundit, këtu e në Bruksel) u thanë fjalë të mira për vitin 2017 nga ministri Italian, Rama u zhduk atë ditë nga Tirana, duke fluturuar drejt Marokut, ku mori pjesë në një aktivitet sorosian të dorës së dytë, për Qeverisjen Globale. Qëllimi ishte të shmangte skandalin e refuzimit, që i kishte bërë ministri i Brendshëm italian. Nga dosja “Tahiri”, deri më tani në sipërfaqe ka dalë vetëm maja e ajsbergut. Pjesën nën ujë, atë që ka frikë Rama, e njeh mirë ish-prokurori i antimafies, FrankoRoberti, i cili tashmë do të jetë këshilltari kryesor i ministrit Minniti.

“Huffington Post”: Lidhjet e Ramës me trafikun e drogës

 

“Huffington Post”

Është një vend për të cilin nuk flasim, por komuniteti i të cilit vazhdon të rritet në Francë. Në vitin 2016, Shqipëria u bë vendi i parë i origjinës së azilkërkuesve në Francë me 7432 kërkesa të regjistruara nga Zyra Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Personave pa Shtetësi. Kjo është më shumë se për vendet në luftë apo në vendet me konflikte të nxehta të tilla si Siria dhe Afganistani, Sudani apo Iraku. Një shifër që është dyfishuar në një vit, por që ministri i Brendshëm, Gerard Collomb – i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë – shpreson ta shohë një rënie.
Me rastin e kësaj vizite, Franca dhe Shqipëria u zotuan të forcojnë luftën kundër emigracionit të parregullt. Një marrëveshje u nënshkrua në Tiranë nga ministri i Brendshëm dhe homologu i tij shqiptar Fatmir Xhafaj, për të “luftuar në mënyrë më efikase kundër të gjitha formave të krimit të organizuar”, me dërgimin e oficerëve të policisë dhe shkëmbimin e informacionit.
Katër agjentë së shpejti do të vendosen në Francë, Metz dhe Lyon, të cilat përqendrojnë një pjesë të madhe të aplikimit për azil në Shqipëri, si dhe Drejtoria e Xhandarmërisë Kombëtare dhe Drejtoria e Policisë Gjyqësore. Këta punonjës policie do të sjellin në kolegët e tyre francezë “ekspertizën teknike” dhe “mbështetjen operacionale” nëpërmjet një “pajtimi të informacionit” në këto kanale të dyshuara për organizimin e emigracionit të parregullt.

Rritja e numrit të azilkërkuesve shqiptarë

Vizita e Gérard Collomb në Shqipëri vjen tre muaj pas prezantimit në Francë të një plani veprimi nga ministri i Jashtëm shqiptar, i cili do të “përforcojë, në kufijtë e Shqipërisë, kontrollet e nisjeve në Francë dhe vendeve të tjera të BE-së, dhe lufta kundër emigrimit të të miturve të pashoqëruar, si dhe kundër mashtrimit dokumentar”. Detajet e këtij plani – që nuk përcaktojnë objektiva sasiorë – nuk janë komunikuar. Por vizita në terren e Gérard Collomb duhet të bëjë të mundur hartimin e një bilanci.
Franca, dhe më gjerësisht Bashkimi Europian, shihen si El Dorado në Shqipëri, një vend prej 3 milion banorësh, ku dukuria e emigrimit është rritur ndjeshëm që nga viti 2010. Sipas shifrave zyrtare, 17,095 shqiptarë kanë bërë një kërkesë për azil brenda zonës Shengen në nëntë muajt e parë të vitit. Gjermania është gjithashtu e njohur, me 4750 kërkesa, por Berlini e ka frenuar këtë fenomen.
Ndryshe ndodh në Francë, ku trendi pritet të rritet sipas asaj që ministri i Brendshëm raportoi në fund të tetorit mbi një rritje “absolutisht eksponenciale”, duke deklaruar se “në gjysmën e parë, ne jemi në 4200” kërkesa nga shtetasit shqiptarë.

Bastet e Francës mbi kthimet e azilkërkuesve

Për të shpjeguar këtë fenomen, zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, evokon një “legjislacion më fleksibël” në Francë, koha për të shqyrtuar aplikimet “nga gjashtë në nëntë muaj” ndryshe nga sa ndodh në Gjermani: “Kjo i motivon njerëzit, me shpresën e qëndrimit, të gjejnë një punë”. Të rinjtë – përfshirë të miturit – përbëjnë pjesën më të madhe të këtij emigracioni, të shtyrë nga prindërit e tyre ose pa dijeninë e tyre.
Për të përballuar këtë emigracion masiv, Franca ka katërfishuar këtë vit numrin e azilkërkuesve të kthyer në Shqipëri, një procedurë ende e kritikuar nga OJQ-të, të cilat dënojnë dëbimet. Në mes të 1 janarit dhe 22 nëntor 2017, 1329 qytetarë shqiptarë pranuan pagesat e propozuara prej 300 euro për t’u kthyer në shtëpi dhe se “ne do të tejkalojmë kthimin e mbi 1.500 azilkërkuesve shqiptarë në vitin 2017”, i tha ai “AFP”, Didier Leschi, drejtori Gjeneral i Zyrës Franceze për Imigracionin dhe Integrimin (Ofii). Kjo e dhënë përfaqëson një katërfishim të shifrave në krahasim me vitin 2016, vit në të cilin ishin regjistruar vetëm 362 kthime të asistuara.
Por, përderisa këto masa mund të kufizojnë imigracionin shqiptar në tokën franceze, ato nuk adresojnë shkaqet e emigrimit masiv. “Varfëria, papunësia, korrupsioni dhe favorizimit të miqve shtyjnë të rinjtë shqiptarë për të gjetur një të ardhme më të mirë diku tjetër”, thotë përfaqësuesi i Parlamentit shqiptar, Vangjel Dule.
Vështirësitë që shpjegojnë gjithashtu se pse fillimi i procesit të pranimit të Shqipërisë në BE është i bllokuar.

Korrupsioni, narko-shteti dhe diskriminimi

Shqipëria ka hedhur sytë drejt BE-së për më shumë se një dekadë. Në vitin 2006, vendi nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizm- Asociimit me BE-në, hapi i parë drejt një aplikimi për marrjen e kandidaturës për t’u anëtarësuar në BE.
Deri në qershor të vitit 2014, Shqipëria zyrtarisht u bë kandidate pas tre përpjekjeve të pasuksesshme. Edhe këtu, asgjë nuk fitohet. Kryeministri socialist Edi Rama flet për “fillimin e një sfide të madhe”.
Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 konfirmuan fitoren e partisë së Edi Rama, e cila fitoi një shumicë të madhe në Parlament. Por problemi i narkotikëve ka dobësuar kohët e fundit pozicionin e saj.
Në nëntor, një i njeri i afërt i Edi Ramës, i cili deri në pranverën e vitit 2017 mbajti postin e ministrit të Brendshëm, u implikua në trafikimin ndërkombëtar të kanabisit. Opozita e kapi menjëherë çështjen dhe e denoncoi si “një trafikant droge të qeverisë që duhet të bjerë dhe t’i japë rrugë një qeverie antimafias”. Partia Socialiste e ka shndërruar Shqipërinë në “Kolumbinë e Evropës”.
Vendi prej vitesh ka qenë eksportuesi më i madh i kanabisit në BE, përfshirë Italinë, sipas raporteve të njëpasnjëshme nga Europol. Kjo tregti do të përfaqësonte një të tretën e vlerës së Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë ose më shumë, sipas burimeve diplomatike perëndimore. Në raportin e fundit të progresit, Brukseli beson se autoritetet “dështuan në identifikimin e grupeve kriminale”.
Në nëntor, qeveria shqiptare paraqiti një plan “kundër krimit të organizuar dhe në veçanti, kundër lidhjeve midis krimit dhe zyrtarëve të lartë ose udhëheqësve të shtetit”. Por kryeministri gjithashtu beson se është trafiku “një problem evropian” dhe ka kërkuar ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare.
Përveç trafikimit të narkotikëve, raporti i Këshillit Evropian thekson diskriminimin kundër pakicave që jetojnë në Shqipëri dhe korrupsionin në fushën e drejtësisë. Ndonëse është bërë progres në këto fusha. Në vitin 2015, një raport i Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) theksoi përparimin që nga viti 2009, duke përfshirë krijimin e një plani veprimi për përfshirjen e romëve (paketa e dytë më e madhe në vend) dhe një plan kundër diskriminimit kundër njerëzve LGBT. Raporti i vitit 2017 i Amnesty International gjithashtu thekson përparimin në luftën kundër korrupsionit gjyqësor, falë një reforme gjyqësore të miratuar në korrik nga Parlamenti.
Të gjitha nuk janë fituar ende. Në frontin ekonomik, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfëra në kontinentin evropian me një GDP prej rreth 4000 euro në vit për frymë (për krahasim, ajo e Francës ishte 31.800 euro në vitin 2016). Por formalizimi i saj si kandidat për Bashkimin Evropian i ka dhënë disa përparësi: për periudhën 2014-2020, Shqipëria do të përfitojë nga gati 650 milionë euro për të mbështetur reformat e saj, si dhe për të zhvilluar bujqësinë e saj, luftën kundër papunësisë dhe shfaqjen e politikave sociale. Një investim që duket se ka pasur efekte, me një rritje prej 2.5% në vitin 2015.
Federica Mogherini, shefja e diplomacisë evropiane, vlerësohet gjithashtu në nëntor 2018 që do të sigurojë “një mundësi unike për të bërë përparim të vërtetë në rrugën drejt integrimit në BE” të vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Hapi i ardhshëm do të zhvillohet në shkurt të vitit 2018, kur Komisioni Evropian do të shqyrtojë ecurinë e fundit të vendeve të Ballkanit.

Alarmi nga azilantët shqiptarë, ministri francez zbarkon në Kryeministri

Rritja e frikshme e numrit të azilkërkuesve shqiptarë drejt Francës ka alarmuar autoritetet franceze. Kjo ka bërë që ministri i Brendshëm francez ka zbarkuar dje në Tiranë për të biseduar për alarmin e shqiptarëve që kërkojnë azil në vendin e tij. Radio Franceze “International”, një media që dëgjohet lirshëm edhe në Shqipëri, njoftoi sot se, Gerard Collomb ka udhëtuar drejt Tiranës për të gjetur rrugët e ndalimit të azilantëve. Radioja publike theksoi se, Shqipëria ka kaluar edhe numrin e atyre që kërkojnë azil për t’i ikur konfiktit të armatosur në Siri. Edhe e përditjshmja e qendrës së djathtë “Le Figaro” i ka kushtuar një shkrim udhëtimit të Gerard Collomb në Tiranë, duke u nisur nga fakti se azilkërkuesit nga Shqipëria zënë 20% të vendeve në qendrat e pritjes në Francë, shkruan gazeta. Për të katëtin vit me radhë, Shqipëria vijon të kryesojë listën e azilkërkuesve drejt BE. Largimi masiv i shqiptarëve nga vendi vjen si pasojë e mungesës së mundësive për të mbajtur familjen e për të jetuar një jetë të paktën me kushte minimale.

“Le Figaro”: Azili nga Shqipëria? Shkak varfëria dhe korrupsioni

Media franceze godasin fuqimisht qeverinë e Edi Ramës për shqetësimin që ka krijuar Shqipëria me numrin më të madh të azilkërkuesve. Rreth 20 për qind e të gjithë azilkërkuesve vijnë nga vendi kandidat i BE për shkak të “varfërisë, papunësisë, korrupsionit dhe klientelizimit…”. Vendi drejtohet nga një qeveri e narko-trafikantëve që e ka kthyer vendin në një Kolumbi të Europës. Ministri i Brendshëm i Francës ndodhet në Tiranë për t’i paraqitur Kryeministrit Rama shqetësimin e madh që ka Franca me Shqipërinë, sepse 20 për qind e azilkërkuesve në Francë janë shqiptarë. Ky lajm zë vend në të gjithë mediat dhe portalet franceze. Gazeta e madhe “Le Figaro” shkruan se, Shqipëria është vendi kampion për sa i përket numrit të azilkërkuesve. Në të shkruhet se, “shqiptarët e rrallë që kalojnë filtrin për të fituar statusin e azilit në Francë janë ata që kanë dhënë prova se “janë viktima të persekutimit”…”. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria, sipas “Figaro”, ka arritur në 2017 mbi 7000 vetë, një rritje me 135 për qind krahasuar me 2016. Qëllimi i vizitës së ministrit të Brendshëm është “për të rregulluar njëherë e përgjithmonë me Tiranën zyrtare çështjen e migrimit, të këtij vendi me 2,9 milionë banorë, që s’është më i madh se Bretanja dhe nga i cili kanë emigruar 1/3 e popullsisë për t’u vendosur në Europë. Ministri francez do të kryejë një vizitë maratonë dyditore në kryeqytetin e këtij vendi të tmerrshëm, të minuar nga opinionet për korrupsion….”

PS loboi 175 mijë dollarë në SHBA, mashtrohet KQZ

Partia Socialiste ka paguar deri më tani 140 mijë dollarë kompaninë e lobimit Ballard Partners me bazë në Florida, për të mbrojtur interesat e saj, pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vigjilje të fushatës zgjedhore të 25 qershorit të shkuar, Partia Socialiste çmoi të lobonte pranë Shtëpisë së Bardhë të udhëhequr nga Presidenti Trump.
Faktor.al disponon faturat dhe kontratën e firmosur me autorizim të kryeministrit Edi Rama nga z. Endri Fuga, aktualisht drejtor Komunikimi pranë Kryeministrisë, që parashikon çdo muaj një pagesë prej 20 mijë dollarësh me Kompaninë Ballard dhe ka datë skandence 31 mars 2018 dhe një faturë totale plot 240 mijë dollarë.
Kompania Ballards Partners e themeluar gati një vit më parë nga z. Brian Ballard, pretendon në kontratën e botuar nga faktor.al që Partia Socialiste duhet të paguajë plus edhe kostot e arsyeshme që lidhen me përfaqësimin, tarifat e nevojshme të regjistrimit; dhe shpenzimet e udhëtimit si hotel, bileta ajrore, shërbim makinash me qera dhe ushqim. Deri më tani, PS ka paguar 7 këste me 5 mijë dollarë secila, për një total 35 mijë dollarë. Pagesat e deklaruara nga PS në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk figurojnë të njëjta me deklaratën e pagesave të bërë nga kompani Ballard Partners, siç duket në dokumentin që paraqet faktor.al. Datat e shuma e paguar të paraqitura nga PS në KQZ nuk janë të njëjtat me ato të deklaruara nga kompania Ballard Partners. Këtu lindin dyshime për mashtrim me deklarimet të palëve të përfshirë në këtë aferë.
Megjithatë për të merituar këto para, Brian Ballard ka bërë disa shërbime për z.Edi Rama, siç janë telefonatat e datës 24 maj 2017 me përfaqësuesin në kongres z. Matt Gaetz dhe z. Matt Moewer, këshilltarin e Lartë në Shtëpinë e Bardhë. Ka kryer shkëmbime tekst dhe e-mail me kongresmenin Gaetz për një deklaratë suporti të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Konsulenti i Ballard ka rezervuar takime me Shtëpinë e Bardhë dhe me shefin e kabinetit të senatorit Marc Rubio për të folur mirë për Edi Ramën dhe Erdogan, siç thuhet në dokumentat që disponon Faktor.al.
Gjithashtu Faktor.al mëson nga Departamenti amerikan i Drejtësisë se, Ballard Partners është një kompani që përfaqëson 36 subjekte, përfshirë dhe qeverinë turke të presidentit Erdogan. Kontratën prej 1.5 milionë dollarë me qeverinë e presidentin Erdogan, për llogari të Ballard Partners, e ndjek ish-kongresmeni republikan, Robert Wexler. Qëllim i kontratës së presidentit Erdogan është në kuadër të strategjisë kundër lëvizjes së ashtëquajtur Gulen.
Ndërkohë, sipas gazetës amerikane “The Miami New Times”, Ballard Partners gjithashtu nënshkroi një kontratë këtë vit me bankën shtetërore turke Halkbank, e cila është akuzuar për shpërdorime të paligjshme të parave, duke i depozituar në Iran dhe pastrimit të parave në fillim të këtij viti. Ballard Partners në më pak se një vit punë si kompani lobimi ka fituar rreth 5.2 milionë dollarë. Organizata amerikane e të Drejtave të Njeriut “Public Citizen” raporton se, kompania Ballard Partners, ka shfrytëzuar më së miri lidhjet me administratën e Presidentit Trump për të dhënë idenë se ka akses në Shtëpinë e Bardhë.

Albaleaks: E gjithë policia ka qenë në shërbim të drogës

Vincent W.J. van Gerven Oei

Gjatë ditëve të fundit, Exit.al ka publikuar një dokument të redaktuar (pjesa e parë këtu dhe pjesa e dytë këtu), i cili përmblidhte të dhënat e 59 raporteve që i janë nisur Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Shërbimit të Ankesave në Ministrinë e Brendshme për përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit për periudhën 3 mars 2016 deri më 9 mars 2017.
Duke qenë se mungojnë si fillimi ashtu edhe fundi i dokumentit, të cilin ne e kemi quajtur Albaleaks, lloji i saktë i origjinës së tij mbetet i paqartë, pavarësisht se disa burime për Exit.al kanë konfirmuar se dokumenti është hartuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), që do të thotë se, sipas rregullave në fuqi, një kopje e tij duhet t’i jetë dërguar Kryeministrit Rama.
Origjina dhe përmbajtja e dokumentit ngre dyshime serioze mbi mbrojtjen e fortë dhe këmbëngulëse të Kryeministrit Rama ndaj Policisë së Shtetit dhe ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili aktualisht është nën hetim për korrupsion dhe përfshirje në organizatë kriminale.
Dokumenti rendit 128 emra drejtorësh, shefash policie, inspektorë dhe oficerë policie të dyshuar për përfshirje në krime të lidhura më drogën. Ajo çfarë vihet re është se këta policë (janë të gjithë meshkuj) janë punonjës të drejtorive rajonale të policisë në të gjithë vendin-Berat, Delvinë, Dibër, Durrës, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë-dhe komisariate të ndryshme nën varësinë e tyre. Një pjesë e mirë e tyre është e përqendruar në njësitë e policisë që merren me krimin e organizuar, njësitë anti-drogë, ose në njësitë e kontrollit të kufirit.
Nuk bëhet fjalë për policë të thjeshtë: përveç dhjetëra inspektorëve dhe shefave të policisë, drejtorët e Drejtorive Vendore të Beratit, Dibrës, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës janë raportuar më shumë se një herë.
Më 2 nëntor 2015, Kryetari i PD-së Lulzim Basha sulmoi Kryeministrin Rama dhe Ministrin e atëhershëm të Brendshëm Saimir Tahiri për mbrojtjen ndaj drejtorëve të policisë së Korçës dhe Gjirokastrës të përfshirë në trafik. Drejtori i Policisë së Korçës është përmendur në raportin e datës 15 nëntor 2016 me titull “Fenomeni i Kultivimit të Kanabisit në Vend”, ndërsa Drejtori i Policisë së Gjirokastrës është përmendur në tre raporte të muajit prill dhe maj 2016 nën titullin “Punonjës të policisë të dyshuar për përfshirje në kultivimin e narkotikëve”.
Jael Çela, drejtori i Policisë së Vlorës, aktualisht nën hetim për përfshirje në grupin kriminal të Habilajve, së bashku me Gjergj Kohilën, shefi i sektorit të krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë Vlorë, dhe Sokol Boden ish-shef i policisë kufitare Dhërmi, përmenden në disa raporte.
Në 17 prill 2017, pas zbulimi të një laboratori të drogës, drejtori i policisë së Beratit Fatmir Lleshaj u akuzua zyrtarisht për “shkelje administrative” dhe se do të përballej me “masë disiplinore”. Ai përmendet në raportet e datës 2 nëntor dhe 12 dhjetor 2016, në të dyja rastet për ruajtje dhe trafikim të kanabisit.
Prirja e Policisë së Shtetit për t’u dhënë “masa disiplinore” oficerëve të policisë të ekspozuar në ndihmën, lehtësimin apo përfshirjen direkte në tregtinë e drogës, apo lëvizja e tyre në poste të tjera duket se ka qenë një praktikë e zakonshme.
Pasi Sokol Bode u hoq nga shef i policisë kufitare të Dhërmiut, ai u bë shef i sektorit të krimit të organizuar në komisariatin e Pukës dhe vazhdoi të punojë me krimin e organizuar në këtë vend të ri pune.
Nga 11 policët e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë të cilët kanë “lëvizur” në nëntor 2016 në pozicione të reja pune pas zbulimit të magazinave të drogës në Rrëshen, 3 janë përmendur në një ose më shumë se një raport, dhe mund ta vazhdonin pa asnjë problem “punën” e tyre nga pozicionet e reja të punës.
Policë të tjerë duket se kanë mundur të marshojnë drejt niveleve më të larta në strukturën e policisë pa asnjë pengesë. Haki Hasanbega është përmendur në fillim të dokumentit në disa raporte në lidhje me përfshirjen në kultivimin dhe trafikimin e drogës.
Në atë kohë ai ishte shef i Komisariatit të Tepelenës, i cili është në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Nga gushti i vititit 2016, Hasanbega ra në sy aq shumë sa për të ka është hartuar një raport i tërë që shpjegon aktivitetin e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij në kultivimin e drogës.
Por atëhere ai ngjiti shkallët në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe kur në shkurt 2017 Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi një urdhër arresti ndaj tij për përfshirje në trafik të drogës dhe anëtarësim në organizatë kriminale, ai ishte i graduar shef i Policisë së Qarkullimit Rrugor të gjithë qarkut.
Ndonjëherë diferenca mes “shqetësimeve” të zyrtarëve të qeverisë shqiptare dhe realitetit në terren bëhet skizofrenik. Një shembull është drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, i cili në një intervistë të muajit prill 2016 deklaroi se “aktiviteti i kultivimit dhe trafikimit të drogësë është i organizuar dhe masiv.”
Një muaj më pas, sidoqoftë, i njejti drejtor është përmendur në një raport mbi “Punonjës të policisë të dyshuar për përfshirje në kultivimin e narkotikëve”, ndërsa një tjetër raport e përmend atë si të dyshuar për bashkëpunëtor me baronin e drogës Alket Hatija, i cili së fundmi u ekstradua në Itali për të shlyer dënimin e gjykatave italiane me 20 vite burg për trafikim ndërkombëtar të drogës.
Duket se emrat dhe datat e përmendura në dokumentat Albaleaks, të botuara nga ne, janë vërtetuar nga faktet e raportuara gjatë vitit të fundit dhe nga hetimet e nisura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Kjo konfirmon besimin tonë se këto dokumenta janë të vërteta dhe tregojnë një pjesë të shtrirjes së vërtet të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit dhe Policisë Kufitare në kultivimin, trafikimin dhe përpunimin e drogës gjatë periudhës kur Saimir Tahiri ka shërbyer si Ministër i Brendshëm.
Dokumentat tregojnë bindshëm se si ShISh (ose një shërbim tjetër shtetëror) ka lajmëruar vazhdimisht Policinë e Shtetit dhe qeverinë Rama për këto fakte, dhe se si realiteti i paraqitur nga Kryeministri Rama ishte në fakt një gënjeshtër gjigande.
Kryeministri Rama duhet ta ketë ditur përfshirjen masive të policisë në tregtinë e drogës dhe zgjodhi të mos bëjë asgjë. Kjo gjë i solli shumë fitime.

Kryemadhi: Rama nuk do të mund t’i shpëtojë dot drejtësisë

Herët a vonë Rama do të përballet me drejtësinë, pavarësisht përpjekjeve të tij për të kapur Prokurorinë e Përgjithshme e për të zhdukur dosjet që implikojnë atë dhe njerëzit e tij me trafikun e drogës. Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, ka reaguar menjëherë dje, pasi PS-ja avancoi me procesin e zgjedhjes së njëanshme të Prokurorit të Përgjithshëm, duke përzgjedhur 3 ndër 7 kandidatët që garuan. Kryemadhi, një ditë pasi akuzoi Shoqërinë Civile si bllokuesen e qëllimshme të procesit të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm e të Reformës në Drejtësi në tërësi, duke mos ofruar kandidatin e saj për kryeprokuror, ka dalë sot në përfundimin se si shpërblim, Shoqërisë Civile tani do t’i dhurohen miliona euro nga “kryetrafikanti” për këtë akt. “Dje, zbulon Kryemadhi në rrjetet sociale, kryetrafikanti që drejton qeverinë bleu me një ligj të posaçëm Shoqërinë Civile. Miliona euro do t’i dhurohen Shoqërisë Civile që ajo, sipas planit të hartuar nga Edi Rama, të ofrojë ndihmë juridike për nenin famëkeq 15 të Ligjit për “Ndihmën Juridike të ofruar nga shteti”. Ky nen që nuk u propozua nga ekspertët, por u përfshi dhe u miratua dhunshëm nga Edi Rama, me qëllim blerjen si shpërblim ndaj Shoqërisë Civile, për kryerjen me “sukses” të misionit të bllokimit të Reformës në Drejtësi. Neni i sponsorizuar nga Edi Rama synon qartas bllokimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe për rrjedhojë të SPAKUT dhe të Byrosë së Hetimit. Me këtë akt kryetrafikanti i qeverisë, jo vetëm vjedh në mënyrë të turpshme paratë e shqiptarëve, por i shton pushtetit të tij edhe për pak ditë agoninë. Edi Rama dhe mentorët e tij të inkriminuar duhet ta kenë të qartë se asnjë manovër e ulët në bashkëpunim me segmente të Shoqërisë Civile nuk mund ta zgjasë asnjë orë më shumë fundin e parashkruar të një qeverie që erdhi në pushtet dhe ende mbahet në këmbë nga paratë e trafikut të drogës. Çdo përpjekje agonike është thjesht një akt i pavlerë për t’i shpëtuar drejtësisë dhe përballjes me të vërtetën e hidhur të inkriminimit në çdo segment të qeverisë Rama.

Tabaku: Rritje ekonomike ka njohur vetëm ekonomia e drogës

Pas bërjes publike të statistikave zyrtare nga Banka e Shqipërisë për investimet e huaja, ka ardhur edhe reagimi i deputetes demokrate, Jorida Tabaku. Kjo e fundit në një prononcim për mediat tha se, ‘rritje ekonomike ka njohur vetëm ekonomia e drogës, pasi Shqipëria është vend i burimit të kanabisit’. “Gjithçka ka deklaruar Partia Demokratike për uljen e investimeve të huaja tani është zyrtare. Banka e Shqipërisë raporton se investimet e huaja janë 4.2% më të ulëta se një vit më parë apo rreth 20 % më të ulëta se dy vjet më parë. Fatkeqësisht, qeveria e Edi Ramës ka thithur zero investime të huaja. Në katër vjet qeveria Rama ka përfituar vetëm nga investimet e huaja të sjella në Shqipëri gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, mes të cilëve Gazsjellësi TransAdriatik-TAP dhe Hidrocentrali i Devollit. Njësoj si FMN, Banka Botërore dhe Komisioni Europian, Banka e Shqipërisë raporton se, Shqipëria rrezikon thatësirën e investimeve, kur të përfundojnë dy projektet e mëdha, Gazsjellësi TransAdriatik dhe Hidrocentrali i Devollit i kompanisë Statcraft”, tha Tabaku. Ajo deklaroi se të dhënat tregojnë se, për dy vite rresht, 2015- 2016, TAP-i dhe Devolli përbënë rreth 60% të investimeve të huaja direkte, apo mbi 600 milionë euro. Nga ana tjetër, Tabaku vuri në dukje se, Shqipëria mund dhe duhej të kishte qenë vendi kryesor mikpritës i biznesit për shkak të taksave të ulëta, lehtësive ligjore, luftës kundër korrupsionit dhe sigurise juridike. “Por jo! Shqipëria është burim kryesor i drogës, sepse ky ishte dhe vazhdon të jetë prioriteti i kryeministrit! Pak ditë më parë, Europoli konfirmoi se Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit. Ky ishte investimi më i madh i Edi Ramës për të mbajtur pushtetin! Kanabizimi, kriminalizimi dhe korrupsioni i qeverisë janë arsyet madhore përse në Shqipëri nuk vijnë investime të huaja serioze! Mungesa e investimeve të huaja është reflektimi më i mirë i dështimit të qeverisë Rama, gjatë të cilës ka njohur rritje vetëm ekonomia e drogës. Kjo është periudha, kur përveç thatësirës në investime të huaja, Banka e Shqipërisë raporton se niveli i kredive për biznesin vendas është 2.5% më i ulët se një vit më parë. Por absurdi është se ndërtimi i rezidencave private zë gjysmën e rritjes ekonomike. Ne kemi arsye të besojmë se në ekonomi po investohet paraja e drogës, se me lejen e qeverisë po pastrohen paratë e kanabisit. Në vend që të ishte vendi mikëpritës i investimeve të huaja, Shqipëria e Edi Ramës u bë burim i pastrimit të parave nga tepsia e madhe e parave të drogës, pjesën më të madhe të së cilës e zotëron Edi Rama. Këto para duhen larë e pastruar për të financuar blerje të reja politikanësh e votuesish. Ka ardhur koha të ndalojmë një qeveri që varfëron vendin çdo ditë, që pasuron veten çdo ditë dhe që, me marrjen në kontroll të drejtësisë, do të vendosë diktaturën e krimit të organizuar”, u shpreh ndër të tjera Tabaku.

Edhe 12 milionë euro të tjera shtesë për KESH

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të marrë të paktën 12 milionë euro shtesë për projektin e sigurisë së digave. Ky i fundit ka nisur zbatimin nga viti 2008 dhe ka përqendruar punën në disa komponentë, që së fundmi i janë shtuar edhe portat e shkarkimit në hidrocentralin e Fierzës dhe Komanit. Në një raport të fundit mbi projektin, Banka Botërore bën me dije se nevoja për fondin shtesë vjen për të përfunduar me sukses atë që është nisur, por edhe për të mos cenuar sigurinë e banorëve që jetojnë poshtë kaskadës së Drinit.
Në fakt, konstatimi për nevojën e ndërhyrjes në portat e shkarkimit është bërë qysh në fazat fillestare të projektit, por vetëm tani është vendosur se nevoja është emergjente për ndërhyrje. Në këto kushte, Banka Botërore i ka komunikuar këtë situatë Ministrisë për Financat dhe Ekonominë, e cila ka rënë dakord për të kërkuar shtesën e financimit.
Deri më tani, totali për projektin e sigurisë së digave ka kapërcyer vlerën 70 milionë euro dhe afati që pritej të përfundonte projekti i një dekade ishte mesi i vitit të ardhshëm. Me kushtet e reja, kur pritet një shtesë financimi prej 12 milionë eurosh dhe kur kjo do të bashkohet edhe me një pjesë fondesh ekzistuese të projektit, me shumë mundësi do të kërkohet një afat i ri zbatimi përtej qershorit 2018.
Në fund të shkurtit të këtij viti pritet që të bëhet edhe rikomisionimi i plotë për punët e kryera në kaskadën e Drinit nën projektin e sigurisë së digave.
Në të njëjtin raport, Banka Botërore vlerëson se KESH duhet të reflektojë në studimin e fizibilitetit për menaxhimin e përmbytjeve të gjitha rekomandimet që janë bërë nga paneli i ekspertëve të bankës në takimin e mbajtur në shtator në Tiranë.

Më shumë telefonata më pak mesazhe

Shqiptarët kanë shpenzuar 1.7 miliardë minuta në telefon gjatë tre muajve, korrik-shtator. Kjo shifër është më e lartë se në tremujorin e dytë të këtij viti, por 3.9% më e ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. Statistikat e publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë disa tendenca interesante në treg gjatë tremujorit të tretë, ku bie në sy një ulje e numrit të mesazheve të dërguara. “Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në T3 2017 ishte rreth 336 milionë që përbën një rënie me 9.2% krahasuar me T2 2017 dhe një rënie me 17.5% me T3 2016”, thuhet në raport.
Në mesataren e përllogaritur nga AKEP rezulton që, konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T3 2017 ishte: 172 minuta dalëse, 34 SMS dhe 1.91 GB Internet. “Krahasuar me T2 2017, konsumi mesatar i thirrjeve pati rritje me 2.2%, konsumi mesatar i SMS-ve dhe konsumi mesatar i internetit pati rënie respektivisht me 7.5% dhe me 1.9%”, nënvizon AKEP.
Pavarësisht rënies në bazë tremujore duket se, interneti mbetet vendi ku shqiptarët kalojë një pjesë të mirë të kohës. “Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celulare gjatë T3 2017 ishte rreth 12.4 milion GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 1.91 GB Internet në muaj në T3 2017, që përbën një rritje të ndjeshme me 153% ose 2.5 herë më shumë krahasuar me konsumin mesatar mujor prej 0.76 GB gjatë vitit 2015”, thuhet në raport.
Në përmbledhjen e tij, Autoriteti pohon se ka pasur një rritje të numrit të pajtimtarëve që kanë një kartë SIM, i cili në fund të shtatorit regjistroi shifrën 5.613.000 që përbën një rritje me 4.9% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një rritje me 3.6% në krahasim me T3 2016.
“Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T3 2017 arriti në rreth 3.4 milionë që përbën një rënie me rreth 1.6% me T2 2017 dhe rënie me 15.6% në krahasim me T3 2016; Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T3 2017 ishte rreth 2.1 milionë që përbën një rritje me 18.4% me tremujoin e mëparshëm, dhe një rritje me 17.8% në krahasim me Tremujorin e tretë 2016”, vlerëson AKEP.
Një tjetër tendencë që është shfaqur në treg ka të bëjë me rritjen e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtarë. Sasia e këtyre thirrjeve u rrit me 0.4% në krahasim me T2 2017 dhe me 9.7% në krahasim me një vit më parë në T3 2016.
“Sasia e thirrjeve on-net u rrit me 0.2% në krahasim me T2 2017, por pati një rënie me 11.3% në krahasim me T3 2016. Proporcioni i thirrjeve on-net/off-net në T3 2017 ishte 55%/45% krahasuar me 60%/40% në T3 2016”, thuhet në raport.