27.5 C
Tirana
E enjte, 10 Korrik, 2025

Maskat terror në Shkodër dhe Mat, grabisin 5 mijë euro dhe një makinë

Maskat kanë ushtruar terror ditën e djeshme në Shkodër dhe Mat, duke grabitur nën kërcënimin e armëve 5 mijë euro dhe një makinë. Katër persona të maskuar sulmuan me armë mëngjesin e djeshëm rreth orës 7:00 banesën e familjes Selimi në fshatin Dobraç të Shkodrës, duke marrë një shumë prej rreth 5 mijë eurosh, ndërsa personat që ndodheshin në banesë kanë mbetur të terrorizuar nga grabitësit.
Familjarët bënë të ditur se, grabitësit hynë në oborr të maskuar dhe të armatosur. Fillimisht, ata nën kërcënimin e armëve shtrinë në tokë bashkëshorten e Anton Selimit. E goditën me qytë automatiku pas koke. Më pas u futën në shtëpi dhe terrorizuan gjithë familjen, duke kërkuar ku janë fshehur paratë. Njëra nga nuset u ka tregur sirtarin, të cilët ata e thyen me leva. Pasi morën 5 mijë euro u larguan me shpejtësi me një makinë tip “Alfa Romeo” ngjyrë gri, e cila qëndronte ndezur në rrugicë. Ata mundën të dilnin nga fshati Dobraç i Shkodrës mes makinave të tjera të prindërve që po çonin fëmijët në shkollë. Policia ende nuk ka një të dyshuar për ngjarjen, por disa persona u shoqëruan për t’u pyetur.
Në momentin që 3 grabitësit kanë hyrë në shtëpi, njëri nga ata ka qëndruar në automjet, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë i ndezur, E zonja e shtëpisë ka njoftuar njërin nga djemtë për ngjarjen, i cili është sulur menjëherë me automjetin e tij për të shkuar tek shtëpia dhe pak pa mbërritur, grabitësit janë futur në autokolonë me mjete të tjera të banorëve të zonës, të cilët po dërgonin fëmijët në shkollë. Ende nuk ka një të dyshuar rreth kësaj ngjarjeje. Kjo është grabitja e katërt me armë brenda këtij viti në zonën e Dobraçit të ri në Shkodër. Edhe në rastet e tjera, grabitjet kanë ndodhur rreth orës 7:00 të mëngjësit.
Po ditën e djeshme, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti ku po udhëtonte i vetëm një 42-vjeçar nga Mirdita, por me banim në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:55 në fshatin Bruç, në kufi me Mirditën. Maskat i kanë zënë pritë makinës dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të saj, duke e detyruar shoferin të ndalojë. Maskat kanë marrë makinën dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur për policinë.

400 euro për të kaluar kufirin, pranga 2 efektivëve të policisë

Dy punonjës të Policisë Kufitare në Gjirokastër dhe një tjetër person kanë përfunduar në pranga, pasi akuzohen për trafik qeniesh njerëzore, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv. Ata janë Timo Ciko, 50 vjeç, shef i Ruajtjes së Kufirit të Gjelbër, në Drejtorinë e Policisë Kufitare Gjirokastër; Bledar Duçka, 43 vjeç, trup shërbimi për Kufirin e Gjelbër, në Drejtorinë e Policisë Kufitare Gjirokastër dhe Shpëtim Brakaj, 41 vjeç, nga Fieri.
Kundrejt pagesave që varionin nga 300 deri në 400 euro për çdo person, të siguruar nga Brakaj, punonjësit e Policisë në vijën kufitare siguronin kushtet për të kaluar drejt vendit fqinj në mënyrë ilegale pa kryer procedurat ligjore.
Ata që kalonin përmes pagesave tek rrjeti i dyshuar i trafikuesve, e kishin të pamundur të udhëtonin në zonën Shengen për shkak të problemeve me afatet e shkelura kohore, apo mos përmbushjen e kushteve të kalimit të lirë.
Burime zyrtare sqarojnë se, SHÇBA kishte regjistruar një procedim penal prej disa muajsh, mbi bazën e informacioneve që kishte siguruar për kalimin e shqiptarëve dhe të huajve, përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë në mënyrë ilegale. Pas një hetimi me metoda speciale u bë e mundur të identifikohej dhe dokumentohej ky aktivitet kriminal.
Gjatë arrestimit në flagrancë, të ndaluarve u janë sekuestruar një sasi eurosh, lekë, dollarë, telefona celularë dhe 1 automjet. Hetimi po vijon për zbulimin e personave të tjerë të implikuar.

Shqipëria ndër vendet e para të trafikimit të qenieve njerëzore

Organizata Ndërkombëtare e Punës ka llogaritur se tregu i trafikut njerëzor qarkullon rreth 3 miliardë dollarë në vit vetëm për shfrytëzimin seksual dhe shfrytëzimi i punës ilegale nxjerr përfitime deri në 32 miliardë dollarë në vit. Sipas të dhënave të Europol, viktimat e trafikut vijnë kryesisht nga Shqipëria, Rusia, Ukraina, Gana, Nigeria, Kina, Vietnami e Brazili.
Të dhënat evidentojnë një rritje eksponenciale të viktimave të trafikut të destinuara për prostitucionin, midis të rejave të ardhura nga zona e Afrikës Qendrore (Gana, Nigeria) është regjistruar një rritje e popullsisë femërore (respektivisht mbi 69% e mbi 85% në një periudhë të shkurtër) dhe një rritje e prostitutave nga këto kombësi.
Nuk janë vënë re ndryshime sinjifikative të rrugëve të përdorura për të arritur në Evropë nga ato tashmë të njohura, megjithëse ndryshimet në politikat e migracionit kushtëzojnë adaptime dhe zhvendosje fluksesh.
Rrugët tradicionale të hyrjes në territorin evropian më të përdorura mbeten ato afrikane, që kalojnë nga Briri i Afrikës e përmes Sudanit e Çadit arrijnë në Libi, për të kaluar më pas në brigjet e vendeve evropiane mesdhetare; rruga e Lindjes së Mesme dhe ajo ballkanike, shfrytëzuar nga ata që vijnë nga juglindja aziatike.
Sipas pohimeve të vetë migrantëve, çmimi i rrugës shkon nga 600 në 2000 dollarë. Ata që vijnë nga rruga e Lindjes së Mesme hyjnë në Itali, duke ndjekur itinerarë të ndryshëm, me një kosto udhëtimi që shkon nga 1500 në 6000 euro.

Shqiptari kapet me 1 kg kokainë në Itali

Policia italiane ka arrestuar një shtetas shqiptar 42 vjeç, me banim në Shqipëri, me akuzën e trafikut të lëndës narkotike. Në automjetin e tij është gjetur e fshehur rreth 1 kg kokainë. Patrulla e policisë pikasi në autostradën A2 midis Lagonegro Sud e Lauria Nord një automjet të dyshimtë Renault Megane Scenic. Gjatë kontrollit, shoferi që ishte i vetëm në makinë ka siguruar policët se punonte për një kompani dhe kjo ishte arsyeja e udhëtimit të tij. Por më pas, shpërthyen kontradiktat e njëpasnjëshme, duke dhënë versione të ndryshime mbi udhëtimin dhe destinacionin. Më pas nisën kontrollet e imtësishme në makinë, duke identifikuar një sasi kokaine.
Nëpërmjet një modifikimi artificial në vendin ku ndodhen bateritë, u zbulua një hapësirë ku vendosej droga. Paketa që mbante kokainë jo lehtësisht e dallueshme në shikim të parë, ishte mbështjellë në një material plastik me vakum si dhe me letër celofoni. Paketa ishte gjithashtu e mbushur me masë xhelatinoze, ndoshta pastë dhëmbësh një metodë e përdorur kjo për të kufizuar mundësinë e zbulimit nga qentë antidrogë.
Policia zbuloi 1 kg kokainë dhe analizat e para kanë zbuluar shkallën e pastërtisë prej 80%. Hetuesit besojnë se nga droga mund të merrte rreth 5 mijë doza nga shitjet me pakicë dhe një fitim prej rreth 60 mijë eurosh. Vlera me shumicë e lëndës narkotike është rreth 35 mijë euro. Burri u arrestua në flagrancë dhe u dërguar në burgun e Potencës.

Shkon në gjyq vrasësi i gjyqtares Fildez Hafizi

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq Fadil Kasemin, i cili vrau ish-gruan e tij, gjyqtaren Fildez Hafizi. Mbi 53-vjeçarin rëndojnë tre akuza ajo e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, “armëmbajtje pa leje” dhe “rrëmbim personi’. Sipas Prokurorisë, Kasemi është autori i krimin dhe e ka kryer atë me vetëdije të plotë.
Gjatë hetimit, duke u bazuar edhe në prova filmike, pasi vrasja është xhiruar nga një kamera sigurie u rindërtua dinamika e ngjarjes. Fadil Kasemi i është afruar qetësisht makinës së ish-gruas së tij, e cila sapo ishte futur brenda. Ai nxjerr pistoletën, duke e qëlluar 2 herë në kokë, gjë e cila ka sjellë dhe vdekjen e menjëhershme të 39-vjeçares.
Më pas, ai është larguar nga aty dhe nën kërcënimin e armës ka kërcënuar një shofer furgoni, duke i kërkuar që ta nxjerrë jashtë qytetit të Tiranës. Por policia ka mundur ta kapë në afërsi të Komisariatit Nr. 1 të Policisë. Vrasja e gjyqtares Hafizi ishte një krim i paralajmëruar, pasi verën e vitit 2015, ish-bashkëshorti i saj tentoi ta vrasë në plazhin e Golemit në sy të fëmijëve. Por në këtë rast, ajo mundi të shpëtojë, pasi disa persona ndërhynë dhe i morën armën Fadil Kasemit.

Arsimi si poligon

Sokol GJONI

Të pohosh që gjendja në arsimin shqiptar është shumë e keqe, madje në shkallë alarmante, nuk ke thënë asgjë përtej një klisheje të mërzitshme dhe një kakofonie cingëritëse për dikasterin e arsimit, i cili përpiqet ta sfumojë përmes pompozitetit të shfaqjeve burleske të ministres. Të panoramosh realitetin e paperspektivë në të cilin kridhet arsimi shqiptar, është as më shumë dhe as më pak një buzëqeshje stërmunduese për ministren dhe stafin e saj të zhytur në miopinë e politikave zhvillimore mbi arsimin. Nëse përpiqesh të kuptosh zymtësinë e këtij realiteti, mjafton një vështrim i shpejtë në aktet nënligjore që nxjerr dikasteri përkatës dhe aty lehtësisht mund të qartësohesh në filozofinë që ndiqet, duke orientuar sistemin arsimor drejt politizimit të tejskajshëm.
Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kjo për faktin se nëse të gjithë pajtohemi se shteti është i kapur nga bandat politike, si mund të besojmë se jashtë kësaj kapjeje ka mbetur dhe arsimi!? Përkundrazi, arsimi është sistemi më i politizuar në Shqipëri dhe më i kapuri nga darat e klientelës politike. Mjafton një vështrim i beftë për të krijuar qasjen e duhur të politizimit të tejskajshëm të këtij dikasteri, si dhe të zhvillimeve regresive që i ofron “gjeneratës tjetër”. Kaotizmi dhe butaforizmi janë kolonat që mbajnë këtë ngrehinë, e cila yshtet në korsinë e shterpësisë së vizionit për një standard integrues të arsimit shqiptar. Nga skaji verior, e deri më jug të vendit, përfshirë dhe qendrat e urbanizuara, sot, sistemi arsimor në tërësinë e tij, përveçse i dështuar, në aspekte të veçanta ka prodhuar dhe reminishencat e totalitarizmit. Drejtorë shkollash, të cilët përtej meritës dhe kriterit profesional që mungon dukshëm në cv-të e tyre, dhe shpeshherë rastësorë në arsim, janë emërime qartësisht politike, dhe madje me flagrancë proceduriale, duke shkallmuar përpjekjen serioze të implementuar në Ligjin 69/2012 për nxjerrjen e arsimit nga kthetrat e politikës. E gjitha kjo nuk është e pamenduar dhe e paqëllimtë nga ana e përfaqësuesve të kësaj ministrie, e cila duhej të ishte flamurmbajtëse e reformave integruese në këtë sektor, ndoshta më i rëndësishmi për sensin e aspiratave tona.
Kjo për shumë arsye që dihen, meqë arsimi dhe punonjësit e tij janë një mundësi e mirë për t’u targetuar nga politika dhe për t’u stampuar si mall elektoral…!!!
Arsimi është parë nga qeverisja aktuale si “lëkura e dashtë”, ku me çdo mjet apo përmes çdo mekanizmi duhet mbërthyer në darat e saj. Dhe më mirë se përmes dhunimit të dinjitetit profesional dhe civil të mësuesve, të shantazhimit dhe të ushtrimit të ndikimit politik nëpër institucionet arsimore, të mosmbajtjes së premtimeve që iu jepen mësuesve nëpër fushata, të mohimit të të drejtave të tyre, të mosinvestimeve nëpër objekte mësimore, të akteve nënligjore shpeshherë deri dhe në absurd, nuk ka se si të ndërtonte piketat e një strategjie për të mbajtur të uzupuar politikisht këtë armatë të madhe punonjësish, të cilëve ministrja u dërgon “përqafime” në prag festash të fundvitit, por asnjëherë gjatë këtyre 5 viteve nuk u dha atë që u takon me ligj, shpërblimin vjetor.
Të vjen keq kur sot, dëshpërimisht konstaton se shkollat janë poligon ku ushtron ndikimin e saj politika dhe ku punësohen militantë partiakë. Kujtojmë vetëm veprimet e ministres apo dhe të zyrtarëve të partisë nëpër qarqe me drekat dhe darkat shtruar mësuesve të “dalluar” të arsimit si dhe me premtimet e pareshtura për ngritje pagash!? E dhimbshme, vërtet. Çfarë regresi është bërë në këtë sektor. Të mendosh që mësuesit, sot thirren për të mbushur sallat e kryeministrit, të minstres apo të çdo tekanjozi apo karagjozi tjetër që e lidh veten e tij me pushtetin, është padyshim e dhimbshme, e trishtë, por dhe e pafalshme.
Nuk ka kategori shoqërore ndër ne, që aq me përbuzje ka përjetuar tranzicionin.
Mësuesit vërtet janë dërrmuar nga kjo gjendje. Ata më nuk e kanë hall gjendjen e rëndë sociale, por e kanë hall gjendjen e tyre shpirtërore, sepse tashmë ata nuk janë personat që gëzojnë respektin e duhur, sepse politikat e ndjekura nga dikasteri e kanë bjerrur shpirtërisht qenien mësues.
Ata e kanë të qartë, se po synohet me çdo formë që të bëhen instrumente në duar të politikës dhe si të tillë nuk duhet të durojnë këtë gjendje.
Ata, paradoksalisht, tashmë punojnë në të zezë, sepse nuk kanë as kontrata pune prej 6 muajsh, ndërsa presin dhe ndoshta do të duhet të protestohet fuqishëm që të nënshkruhet sërish kontrata kolektive e radhës!

Basha në Londër me ftesë të Kryeministres Theresa May

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Londër me ftesë të Partisë Konservatore britanike të Kryeministres Theresa May. Ai do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Konservatorët britanikë mbi Sfidat në Ballkanin Perëndimor, si dhe do të zhvillojë takime me parlamentarë, drejtues dhe zyrtarë të lartë të qeverisë britanike.
Forcimi i marrëdhënieve mes partive të djathta dhe shpalosja e një vizioni të përbashkët për të ardhmen e rajonit janë disa nga objektivat e konferencës, e cila sjell bashkë në Londër drejtues të lartë politikë nga Ballkani.
Vizita e zotit Basha dhe drejtuesve të tjerë politikë nga Ballkani Perëndimor në Londër vjen disa muaj para se qeveria britanike të mirëpresë takimin vjetor të Procesit të Berlinit, i cili këtë vit do të zhvillohet në Londër.

Rama u zhvati pensionistëve nga 230 mijë lekë secilit në 2017

TE MOSHUARIT NE RRADHE PER PENSIONET - Pensioniste, duke mbajtur rradhe per te terhequr parate e tyre ne sportelet e nje nga pikave te shperndarjes se pensioneve. Prej disa ditesh Posta Shqiptare eshte duke aplikuar nje nje procedure te re te sherbimit te pageses se pensioneve.

Partia Demokratike i konsideron si karamele shpërblimet e qeverisë për pensionistët dhe familjet në nevojë. Dorian Teliti, pohon se si pasojë e rritjes së çmimeve, gjatë këtij viti familjet shqiptare kanë shpenzuar më shumë për shportën ushqimore dhe për këtë arsye ata duhet të ishin kompensuar. “Pavarësisht se është bërë një rritje e pensioneve me indeksimin e tyre vit pas viti, 630 mijë pensionistë kanë humbur mesatarisht 230 mijë lekë në vitin 2017, vetëm si efekt vjetor, krahasuar me katër vite më parë. Pra, nga njëra anë me politikat e saj të gabuara qeveria ka bërë që atyre t’u humbin 230 mijë lekë dhe nga ana tjetër u jep atyre karamele deri-diku elektorale për shpërblim fundviti në masën 30 mijë lekë. Nëse qeveria do të ndërmerrte një shpërblim fundviti në masën 230 mijë lekë, atëherë mund të themi që pensionistët shqiptarë do të ishin njësoj siç kanë qenë në periudhat paraardhëse. E njëjta gjë edhe për ndihmën ekonomike, ato 80 mijë familje, pavarësisht se do t’u jepet kjo karamelja 20 mijë lekëshe në fund të vitit 2017, e cila po të përkthehet është vetëm 1600 lekë në muaj. Mund t’i thoni një familje me ndihmë ekonomike që mirëqenia e saj është rritur tashmë se kanë marrë 1600 lekë më tepër. Jo, kanë humbur shumë më tepër si pasojë e rritjes së çmimeve”, thekson Teliti. Për demokratët, shpërblimi i punonjësve të policisë që u angazhuan në situatën e përmbytjeve nuk është bonus fundviti, por pagesë për orët shtesë të punës. “Këto nuk janë shpërblime, janë pagesa për orët jashtë orarit. Janë diçka që u takon atyre me ligj për ta marrë dhe qeveria është e detyruar tja japi çdo punonjësi, i cili punon jashtë orarit, më tepër se 40-orëshit në javë, i cili është caktuar në Kodin e Punës”, shprehet Teliti. Sipas PD, qeveria po ndjek një politikë të gabuar me pagat dhe pensionet, po ashtu edhe me shpërblimet për administratën, punonjësit e të cilës, në kohën e qeverisë “Berisha”, janë shpërblyer të gjithë çdo fundvit, ndërsa rritja e rrogave ka qenë e përvitshme. Shqipëria është ndër vendet me pensionin më të ulët në rajon. Pensioni mesatar në vendin tonë, në fund të vitit të kaluar, arriti në 86 euro. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në qytet arriti në 14,873 lekë më 2016, ndërsa në fshat ishte 8,556 lekë. Pensioni mesatar në rang vendi ishte 11,714 lekë ose 86 euro më 2016. Sipas një studimi që Bashkimi Europian ka bërë për reformat e pensioneve në Ballkan pas viteve 2011 ka referuar se pensioni mesatar në rajon (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni, Bosnje) ishte 240 euro në fillim të 2012, shifër kjo 2.5 herë më e lartë se e Shqipërisë pa marrë në konsideratë indeksimet e mëvonshme që mund të kenë thelluar edhe më tej këtë diferencë. Reforma e pensioneve që qeveria ndërmori në vitin 2014 ka dështuar të vërë nën kontroll financat e skemës së sigurimeve. Tri vite nga zbatimi i saj, reforma e pensioneve po goditet nga emigracioni i të rinjve dhe rënia e produktivitetit në sektorin bujqësor. Nga ana tjetër, numri në rritje i pensionistëve po ushtron presion mbi shpenzimet. Në 6 vjet, numri i pensionistëve u rrit me mbi 698 mijë persona, teksa raporti i varësisë kontribues-përfitues ka mbetur në vend 1 me 1.17 dhe deficiti i skemës në rritje. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se, vetëm në dy vitet e fundit, deficiti i skemës është zgjeruar me 10 miliardë lekë ose gati 85 milionë dollarë.

 

Deklaratat e Ballës, PD: Fabrikim mjeran i Edi Ramës

Partia Demokratike përgënjeshtron si plotësisht të pavërtetë deklaratën e Taulant Ballës se Lulzim Basha firmosi dhënien e Kampit të Punëtorëve Sarandë në pronësi të Klement Balilit. Ky është një fabrikim mjeran i Edi Ramës, që po bën gjithçka për të larguar vëmendjen nga nisja e hetimeve për Saimir Tahirin nga Prokuroria e Katanias, Itali. Edi Rama fabrikon lajme të rreme për kreun e opozitës, sepse e di që nuk ka kryeprokuror të përkohshëm dhe të përhershëm që ta shpëtojë atë dhe Saimir Tahirin nga hetimi i Antimafias italiane. Faktin se deklarata e Ballës është e rreme e vuri në dukje edhe Kryetari i Grupit parlamentar, Edmond Spaho. Ai tha në Kuvend se, “Edi Rama nuk mund ta fshehë se Balili u emërua drejtor i rëndësishëm në Sarandë nga qeveria e tij, se u fuqizua si pjesë e krimit të organizuar gjatë qeverisë së tij, se u njoh si Eskobar i Ballkanit gjatë qeverisjes së tij dhe se vazhdon të jetë i lirë, pavarësisht se ndaj Balilit ka urdhër arresti ndërkombëtar”!

Spaho: Pse nuk e arrestoni Balilin?

Deputeti Braçe denoncoi në Kuvend lidhjen e kontratave për toka bujqësore mes Ministrisë së Bujqësisë dhe shoqërisë së Klemend Balilit gjatë kohës që ai ishte i shpallur në kërkim. “Kontratat nuk janë zgjidhur”, tha Braçe, ndërsa ministri Peleshi tha se kontratat do të rishikohen. Akuzat i referohen kohës kur në krye të këtij dikasteri ishte një ministër i LSI-së. Por në foltore ka reaguar kreu i Grupit parlamentar të PD, Spaho, i cili tha se Balili së pari duhet të arrestohet për drogën. “Një kontratë e nënshkruar në datën 20 maj 2016 midis Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë së ‘Balilit’. Kjo kontratë është lidhur kur partnerët tanë në vendin fqinjë, por edhe agjencitë ligjzbatuese në Tiranë shpallën në kërkim Klement Balilin, kjo është një tradhti që i bëhet Policisë së Shtetit. Kjo është një kontratë e dhënë pikërisht për këta njerëz, nga partia e tyre në kohën kur këta njerëz ishin shpallur në kërkim nga drejtësia. Është shpërndarë tokë vetëm me qëllime partiake dhe elektorale”, tha ai. “Sot dëgjuam gjënë më qesharake që Klement Balilin po na e mbron opozita. Opozita është fajtorja që ai është baroni i drogës së rajonit. Tani na thonë se do ta arrestojnë për një kontratë toke bujqësore. Jo, Klement Balilin ta arrestoni se është baroni i drogës së rajonit dhe të mos e mbani të fshehur dhe të arrestoni edhe Saimir Tahirin që është bashkëpunëtor”, tha Spaho. Po dje, deputeti Edmond Spaho ka replikuar edhe me socialistin Taulant Balla, pas akuzave të këtij të fundit në Parlament. Sipas Ballës, ishte Lulzim Basha ministër i Brendshëm më 2010-ën që firmosi privatizimin e atij që sot njihet si hoteli i Klement Balilit, “Santa Quaranta”, por Spaho replikon me të duke i thënë se të gjitha akuzat janë false dhe synojnë të tërheqin vëmendjen nga një çështje e rëndësishme siç ëshë ajo e Saimir Tahirit. “Kjo nuk do mund të ngjasë sepse kjo dosje dhe të tjera që do të dalin në ditët dhe javët e ardhshme nuk varen më nga ju. Ora e drejtësisë ka ardhur dhe Rama me gjithë shpurën e tij do të dalë para drejtësisë”, tha ai. Gjithashtu Spaho deklaroi se Klement Balilaj është emëruar nga qeveria e Ramës drejtor për ta shpërblyer si trafikant i drogës dhe manipulator i zgjedhjeve. “Ato që deklaroi Taulant Balla për kryetarin e opozitës për lidhje gjoja me klanin e Balilajve dhe ‘Santa Querantën’ janë tërësisht shpifje me synimin për të mbuluar zhvillimet negative në kampin e mazhorancës dhe hetimin e dosjes së Saimir Tahirit nga Prokuroria italiane. Çfarëdo të sajoni, ju nuk do të mundeni dot të fshihni të vërtetën ndaj opinionit publik. Balilaj është i juaji. Opozita dhe kryetari Basha nuk kanë asnjë lidhje as me Balilajn as me ‘Santa Quarantan’ dhe as me trafikantët e tjerë të drogës, të cilët i keni në qeveri, Kuvend, polici dhe administratë. Balilajn e emëruat ju drejtor për ta shpërblyer si trafikant i drogës dhe manipulator i zgjedhjeve. Ne e kemi denoncuar që në vitin 2014 si trafikant droge. Edi Rama e mori në mbrojtje dhe u tall me opozitën kur ne e denonconim. Prej 8 muajsh janë publikuar përgjimet e shërbimeve të huaja se si ai e drejtonte trafikun e drogës dhe në vend që ta arrestoni, e keni fshehur. Ju nuk mund ta arrestoni dot atë sepse po arrestuat Balilajn, do të dalë Rama, Tahiri dhe Gjiknuri. Për të gjithë qytetarët shqiptarë sot është e qartë se si është e vërteta dhe kush është i lidhur me të. Balilaj është produkt i Rilindjes. Ju e morët, e graduat dhe e bëtë baron të drogës në rajon. Por halli juaj është gjetkë. Ju kërkoni të tërhiqni vëmendjen nga hetimet e dosjes së Saimir Tahirit. Për Saimir Tahirin është hapur hetimi në Katanja nga Prokuroria italiane dhe sot hetohet për bashkëpunëtor në krimin e organizuar në dy vende njëkohësisht. Prandaj ju dëshironi të kapni Prokurorin e Përgjithshëm që të shkatërroni, provat, mbyllni hetimet dhe nxirrni të pafajshëm Saimir Tahirin që të shpëtojë edhe Rama. Kjo nuk do të mund të ngjasë sepse kjo dosje dhe të tjera që do të dalin në ditët dhe javët e ardhshme nuk varen më nga ju. Ora e drejtësisë ka ardhur dhe Rama me gjithë shpurën e tij do të dalë para drejtësisë”, tha Spaho.