15.5 C
Tirana
E enjte, 10 Korrik, 2025

Pse i është bërë atentat kandidatit të Ramës për Kryeprokruror?

Basir ÇOLLAKU

Ferdinand Elezi është një nga 7 kandidatët që aplikuan dhe dje u dëgjuan nga Komisioni i Ligjeve, në garën për PPP, Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm. Ishte kandidati i parë që aplikoi dhe deri ditën e fundit ishte thuajse i vetmi. Por më pas gjashtë prokurorë të tjerë iu shtuan garës. Elezi sipas asaj çfarë shkruhej mediatikisht kishte një lobim nga Durrësi, njerëz të pushtetit dhe paspushtetit. Sigurisht këtu nuk çalon asgjë, sepse lobingjet politike tek ne bëjnë punë më fort se ato profesionale. Ajo që prezantuan prokurorët ishte e ardhmja e asaj që mendojnë të bëjnë dhe telegrafisht e shkuara. A kanë konkurentët e PPP, e cila ngjan me idenë e Ramës Partneritet Publik Privat, mëkate të cilat mund të ndikojnë në punën e tyre?! Mbase. Si kushdo. Kandidati Elezi së paku katër pyetje duhet të mbushte me përgjigje. Cilat janë:
Në vitin 2006 në Tiranë, prokurori Ferdinand Elezi, me mjetin e Prokurorisë me targa TR 2647 K aksidenton Bariq Simakun, shëndeti i të cilit nuk mori për mirë. Eshtë një ngjarje për t’u përmedur në deklarim?!
Prokurori Elezi është goditur, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri në Durrës. Pyetja është a ka bërë padi në Prokurori lidhur me këtë ngjarje dhe çfarë arsye, motivi ka prodhuar këtë ngjarje, është kjo për shkak të detyrës?!
Për të shkuar më tej, Elezi si shef Komisariati në Sarandë në vitin 1997 kujt ia dorëzoi detyrën si shef komisariati pasardhësi?!?! Apo bandat e morën vetë të lirë detyrën në Komisariat?
Një tjetër pyetje për të bërë është dhe detyra e komanduar në Korçë. Elezi duke qenë Prokuror Apeli në Durrës është komanduar prokuror për katër muaj në Korçë. Sa i ligjshëm është sa i përket kohëzgjatjes dhe shkallës hierarkike ky komandim në këtë detyrë..?!

Shehu: Pse Bushati fsheh qendrimin e qeverisë shqiptare në OBI?

Çështja e Jerusalemit dhe rezoluta e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik u bë pjesë e diskutimeve në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti demokrat Tritan Shehu i kërkoi llogari ministrit të Jashtëm Bushati, duke e akuzuar se me qëndrimin e përcjellë përmes Ambasadorit në konferencën e OBI, të pakonsultuar as në Komisionin e Jashtëm dhe as me opozitën, e ka pozicionuar Shqipërinë kundër SHBA. “Këto ditë me keqardhje kam parë që në një aktivitet të rëndësishëm dhe në një pozicion shumë të rëndësishëm të Shqipërisë që është ndërmarrë në Konferencën Islamike nuk është konsultuar Komisioni i Jashtëm dhe opozita shqiptare dhe për gjykimin tim janë bërë hapa të gabura mjaft negative për vendin tonë dhe marrëdhëniet tona me SHBA. Ambasadori jonë atje në mbledhjen e ministrave të Jashtëm mban një fjalim ku kthehet përsëri tek ’67, kërkon kufijtë e ’67, vendos kushte që nuk i ka vendosur as BE. Merr pjesë dhe miraton një rezolutë thellësisht anti-amerikane, ku SHBA të mos jetë më intelekutor në zgjidhjen e çështjes së Lindjes së Mesme, një rezolutë e cila është shumë larg çdo rekomandimi dhe vetë politikës së BE, duke kaluar në ekstrem në qëndrimin antiamerikan. Pyes zotin/ministër si është e mundur një gjë e tillë, si ka mundësi një gjë e tillë? Pse nuk u ule në Komisionin e Jashtëm për një çështje kaq të rëndësishme, çfarë fshihet pas kësaj?”, shprehet Shehu.

Panariti: Tokat për Balilin me vendim qeverie

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka reaguar me një status në Facebook ndaj akuzave sot në Kuvend të deputetit socialist, Erion Braçe.
Tashmë deputet i LSI-së, ish-ministri i Bujqësisë në mandatin e kaluar shkruan se, kontratat e qiradhënies janë të hapura ndaj çdo kontrolli dhe verifikimi dhe se ajo që është publikuar sot “është dhënë me vendim të Këshillit të Ministrave dhe është kaluar për ekzekutim nga Ministria e Arsimit te ajo e Buqësisë”.
“Nuk jam marrë, nuk merrem dhe nuk do të merrem kurrë me biografi, partishmëri dhe kritere klasore në zbatimin e ligjit. Kontratat e qiradhënies së tokave janë plotësisht në përputhje me ligjin, të hapura ndaj çdo kontrolli dhe verifikimi. Dua vetëm të kujtoj se kontrata e qiradhënies që u tund sot publikisht në Parlament me akuza, sajesa dhe shpifje, është dhënë me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe është kaluar për ekzekutim nga Ministria e Arsimit te Ministria e Bujqësisë. Sa për tradhëti, besoj se nuk ka tradhëti më të madhe se të pengosh me votë bllokuese, Prokurorinë në kërkesën e saj drejtuar Parlamentit, për të hetuar funksionarë të lartë të dyshuar për trafiqe”, shkruan Panariti.

LSI: Rama po kryen grusht shteti ndaj institucioneve

Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili e cilëson puç kushtetues procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Në një intervistë televizive, Vasili tha se autorët e këtij puçi do të cilësohen puçistë dhe do të akuzohen për tradhti kombëtare. Vasili tha se mazhoranca po kryen “grusht shteti” pa armë ndaj institucioneve dhe shtetit, të njëjtën rrugë, që siç tha ai, e ndoqi edhe Hitleri. “Jemi përpara një grushti shteti pa armë. Edhe Hitleri pa armë e rrëmbeu Parlamentin, shtetin, pastaj rrëmbeu armët”, tha Vasili. Sipas tij Kushtetuta nuk parashikon zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm. “Është puç kushtetues. Procedura e ndjekur nga Komisioni i Ligjeve, dëgjesat e zhvilluara janë të paligjshme. S’ka asnjë nen kushtetues që të parashikojë këtë gjë. Nëse do të vazhdojnë është dita e fundit kur në Shqipëri flitet për shtet ligjor. 60% e Kushtetutës ndryshoi në vitin 2016. Është një Kushtetutë e mbështetur nga SHBA dhe BE, të cilët e thanë haptazi konsiderojeni si Kushtetutën tonë dhe kjo Kushtetutë dhunohet ditën për diell. Reagimi do të jetë shumë i fortë. Ky prokuror do të refuzohet të njihet nga ne dhe të gjithë shqiptarët. Ata që do ta konsiderojnë këtë do të jenë puçistë, të cilët do të akuzohen për tradhti kombëtare. Çfarë do i mbrojë ligjit ky kryeprokuror, i cili ka ardhur në detyrë në shkelje me ligjin”, tha Vasili. Vasili vuri në pikëpyetje edhe ekspertizën e EURALIUS dhe OPDAT, pasi theksoi se shefi i këtij misioni në Tiranë u shkarkua për mungesë kompetence. “Rene Deville u shkarkua për inkompetencë. Isha ministër Drejtësie kur ai u shkarkua nga detyra”, tha Vasili, ndërsa duke komentuar deklaratat e ambasadorëve Lu e Vlahutin tha se “përgjegjëse për këtë çështje janë institucionet shqiptare”. Mbarimin e mandatit të Llallës, shtoi Vasili, e konstaton KLP dhe jo Kuvendi. Ai u shpreh në një mendje me kryetarin e PD, Lulzim Basha që Llalla të vijojë të qëndrojë në detyrë deri në krijimin e KLP-së.

PD propozon moratorium marrjes së inerteve nga shtretërit e lumenjve

Partia Demokratike i kërkoi kryeministrit Rama të ndërmarrë një moratorium për ndalimin e marrjes së inerteve nga shtretërit e lumenjve. Kërkesën e artikuloi kreu i Grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, nga foltorja e Kuvendit, duke e parë si një nga shkaqet kryesore të përmbytjeve së bashku dhe me shpyllëzimin e vendit. Spaho gjithashtu tha se duhet edhe një plan për zhvendosjen graduale të të gjithë atyre banorëve që kanë ndërtuar në shtretërit e lumenjve. Deputeti demokrat gjithashtu adresoi akuza në drejtim të qeverisë për mënyrën sesi po trajton përmbytjet e fillim dhjetorit të këtij viti. “Shpreh revoltën për mënyrën si qeveria trajtoi dhe vazhdon të trajtojë problemet e përmbytjeve në jug të vendit, Durrës, Tiranë, Vlorë, Fier, madje dhe në disa zona të veriut, 3500 shtëpi u mbytën, 16 mijë hektarë tokë, 1500 banorë u evakuuan. Miliona euro pasuri personale dhe e bizneseve përfunduan në det në disa orë, në shiun e parë që ra. Është e vështirë përmbytja dhe kur je i përgatitur, por ama 125 mijë banorë të rrinë pa energji për disa ditë është përgjegjësi e madhe. Të rrinë pa furnizim me ujë dhe pa shpërndarë ndihma, kot mburreni. Është e turpshme të dëgjosh këtu i kemi dërguar ndihma NATO-s, çfarë shteti jemi ne? Shqetësimi duhet të jetë se pse çdo dy vite po na ndodh përmbytje? Në 2015 u ka premtuar Fierit dhe Vlorës, që nuk do të kenë më përmbytje se gjoja ka bërë 20 herë më shumë investime në vetëm dy vjet. Ku i ka? Sa filloi shiu dhe shyqyr që njoftuan ata grekët që merrni masa se do të fillojnë përmbytjet në Shqipëri se këtu do të ishte bërë kataklizmo. Ku shkuan investimet? Mund të më thoni një gjë, që është bërë në Fier apo Vlorë në Vjosë? Ajo që i kërkojmë kryeministrit është të vazhdojë me planin afatmesëm dhe afatgjatë nëse dëshiron që ata njerëz dhe pronat e tyre të mos përmbyten. 650 rezervuarë dhe diga me reformën territoriale ia ka kaluar pushtetit vendor. Gjysma e të cilave kërkojnë mirëmbajtje të përditshme, si do t’i mbajë pushteti vendor? A e di kryeministri se ata janë rrezik potencial i përhershëm që të shpërthejnë dhe të na çojnë në det të gjithë popullsinë që banon afër territorit të tyre, e pa kryeministri me rezervuarin e Kasharit dhe ata të dy që janë aty? Pse u përmbyt autostrada, çfarë deshën peshqit në autostradë, nga dolën? Nga rezervuari se hapën rezervuarët të derdhet uji. Faturat i paguajnë ata biznesmenë dhe qytetarët atje. Nëse duam të jemi seriozë duhet të shqetësohemi për ato 13 ura që u shembën. Investime thellësisht korruptive. Këtu duhet të ndalemi dhe këtu detyrë ka dhe Prokuroria. Zoti Kryeministër duhet të ndërmarrësh moratorium për ndalimin e marrjes së inerteve nga shtretërit e lumenjve, këto janë shkaqet që përmbyten njerëzit. Ki kurajon, por mos e bëj si moratoriumin e pyjeve, që merr moratoriumin dhe pyjet vijojnë dhe priten. Duhen pyllëzuar shtetërit e të gjithë atyre lumenjve që shpërthejnë, nuk ka mbetur pemë në këmbë. Të hartojmë dhe një plan për largimin gradual të të gjithë atyre familjeve, që kanë ndërtuar në shtretërit e lumenjve dhe përmbyten. Nga halli kanë përfunduar aty, duhet t’i çojmë diku tjetër. Duhet të caktojmë fonde të konsiderueshme që të zgjidhet njëherë e mirë problemi i përmbytjeve. Së fundi, mos bëni shaka me qytetarët duke thënë se do u dëmshpërblejmë, kështu ua bëtë dhe në 2015, por vetëm 5 milionë euro nga grantet e BE, asnjë lek nga buxheti. Mos luani me ligjin për sigurimin e detyrueshëm, nuk mund të sigurohen në mënyrë të detyrueshme për shkak të paaftësive të shtetit”, u shpreh Spaho.

Ikja masive, 18 mijë azilantë shqiptarë u rikthyen më 2016

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) ka bërë me dije se, Shqipëria është vendi që ka përfituar më tepër nga programi i saj i kthimit dhe riintegrimit në atdhe, për vitin 2016. Sipas të dhënave, 17’976 shqiptarë janë kthyer në vend, duke kryesuar listën që ndiqet nga irakenët, afganët, serbët, shqiptarët e Kosovës etj. Organizata Ndërkombëtare Migrimit (IOM) ka zbatuar një projekt që ka të bëjë me kthimin dhe riintegrimin e emigrantëve që nga viti 1979, cilësohet në një raport të fundit të publikuar. Pikat kryesore të mbështetjes nga IOM-i për emigrantët e kthyer përfshijnë një gamë të gjerë si: ofrimin e këshillimit të para-nisjes, blerjen e biletave të fluturimit, ndihma e udhëtimit dhe ku të jetë e mundur, ofrimi i ndihmës për riintegrim.
Mesatarisht, ndërmjet viteve 2005 dhe 2014, IOM ka ndihmuar 34,000 migrantë në vit. Në linjë me rritjen e vëllimit të migrimit në vitet e fundit, numri i kthimeve është rritur dukshëm.
Në vitin 2016, iu dha mbështetje 98,403 migrantëve që ktheheshin nga 110 vende pritëse ose tranzit në 161 vende ose territore të origjinës. Kjo përbën një rritje prej 41 për qind krahasuar me 2015 (ku ishin 69,540). Në krye të listës gjendet Shqipëria me thuajse 18 mijë të kthyer, ndjekur nga Iraku me 12.7 mijë të kthyer, Afganistani me 7.1 mijë, Serbia me 6.9 mijë, Kosova me 5.8 mijë, Etiopia me 5.6 mijë, Maqedonia me 4.9 mijë, Irani me 4.4 mijë, Ukrahina me 3.4 mijë dhe Rusia me 2 mijë.
Nga 98,403 përfituesit e programit të riintegrimit pas kthimit, në vitin 2016, përafërsisht 32 për qind ishin gra dhe 27 për qind ishin fëmijë. Mbi 3 për qind e këtyre të kthyerve ishin viktima të trafikimit ose emigrantë me nevoja shëndetësore. Përafërsisht 39,000 përfitues u ndihmuan me para, para nisjes ose pas mbërritjes në vendet e tyre të origjinës.
Sipas të dhënave të tabelës së ofruar nga raporti i IOM, në vitin 2016, shumica e përfituesve të këtij programi (83%) u kthye nga shtetet europiane si Zvicra, Gjermania, Greqia, Austria, Holandë dhe Belgjika. Këto kthime janë rritur nga 55,851 në vitin 2015 në 81.671 në vitin 2016. Tendencat e fundit gjithashtu tregojnë se kthimet, duke përfshirë edhe nga vendet e tranzitit, janë në rritje.
Në vitin 2016, kthimet nga Nigeria dhe Maroku në vende të tilla si Kameruni, Guinea, Guinea-Bissau dhe Senegali, për shembull, arritën në më shumë se 6 për qind të totalit global. Rajonet kryesore të origjinës së përfituesve të këtij programi në vitin 2016 ishin shtetet në Evropën Juglindore, ku kryeson Shqipëria, nga Evropa Lindore dhe Azia Qendrore (49% e totalit), Azia dhe Paqësori (16%), dhe Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut (16%).

 

Avokati i Popullit: 20% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri absolute

????

Institucioni i Avokatit i Popullit ka publikuar së fundmi një raport në lidhje me varfërinë. Në raportin vjetor të publikuar nga institucioni i Avokatit të Popullit theksohet se rreth 20% e fëmijëve jetojnë në varfëri ekstreme, ndërkohë që kreu i institucionit të Avokatit të Popullit Erinda Ballanca, ka kërkuar reformimin e shërbimeve sociale për të qenë më pranë të miturve që jetojnë në kushte ekstreme. “Fëmijët përbëjnë rreth 30% të popullatës. 20% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në kushte jo të mira, në varfëri absolute. 21.4% në zonat rurale. 49.6% e familjeve jetojnë me më shumë se 4 fëmijë. Pjesa dërrmuese e fëmijëve të pyetur gjatë këtij sondazhi janë shprehur se e dëshirojnë të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. Fëmijët që kanë entuziazmin më të madh për ta shijuar jetën nuk e shohin veten e tyre për të jetuar në këtë vend”, theksoi ajo. Duke iu referuar raporteve të monitorimit që ka kryer ky institucion në qendrat rezidenciale dhe ditore, znj. Ballanca e vë theksin në nevojën për përmirësimin e kushteve të jetesës të tyre në institucionet e përkujdesjes sociale. Avokati i Popullit çmon se vetëm duke u treguar më njerëzorë, më të kujdesshëm ndaj qytetarëve, ne do të arrijmë si shoqëri të realizojmë misionin tonë në qytetërimin perëndimor ku bëjmë pjesë. Varfëria është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet sot shoqëria jonë. Shumica e shqiptarëve jetojnë sot në varfëri dhe institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se përpjekjet për ta çrrënjosur këtë vulë të shëmtuar të kohës ku jetojmë, duhet të jenë preokupimi i të gjithëve, në shoqëri, institucione qeverisëse, edukim, drejtësi e kudo. Nuk ka të drejtë më themelore njerëzore sesa ajo e çdo individi për të mos iu nënshtruar skamjes, mjerimit, urisë dhe pamjaftueshmërisë.

Raporti i BB: Shqiptarët, kampionë të dembelizmit në Europë

Edhe pse mund të rrinë me orë të gjata në punë, të punojnë fundjavave, të përpiqen shumë për të arritur objektivat që iu janë vënë, sërish punonjësit shqiptarë nuk arrijnë që sigurojnë nga puna e tyre të ardhurat e pritshme nga punëdhënësit. Dhe në një rreth vicioz, këta të fundit nuk u japin punonjësve shpërblimin që ata presin dhe as priren të kryejnë investime për të rritur produktivitetin e punonjësve. Ambienti jo i favorshëm për të bërë biznes nuk e ndihmon këtë situatë.
Në treguesin e produktivitetit të dukshëm të punës, të matur përmes Vlerës Bruto të Shtuar (VBSH) për punonjës (prodhimit për punonjës), Shqipëria renditet e fundit në rajon.
Për vendin tonë, ky tregues është pak më shumë se 10 mijë dollarë në vitin 2015 (e matur me dollar konstantë 2010), nga gati 15 mijë dollarë që është mesatarja e gjithë Ballkanit Perëndimor, sipas një grafiku të publikuar nga Banka Botërore në raportin e fundit “Ballkani Perëndimor: Rigjallërimi i motorit të rritjes dhe prosperitetit” .
Produktivitetin më të lartë e ka Kosova, me gati 18 mijë dollarë, e ndjekur nga Mali i Zi, Bosnja, Serbia, Maqedonia dhe vetëm në fund vjen Shqipëria. Një sfidë për rajonin, thotë raporti, është që produktiviteti mesatar i punës është më pak se gjysma e niveleve të 7 vendeve të tjera të vogla në tranzicion, që janë tashmë në BE (Bullgaria, Kroacia, Estonia, Letonia, Lituania, Republika Sllovake dhe Sllovenia). Për këto vende, sipas grafikut, VBSH është mbi 30 mijë dollarë.
Të dhëna të tjera të Eurostat, të konstatuara nga “Monitor”, tregojnë se në vendet e Bashkimit Europian, shifrat e prodhimit për punonjës janë shumë më të larta, duke arritur në mbi 100 mijë dollarë për sektorë të veçantë (si energjia, gazi, teknologjia e informacionit) dhe me një mesatare të Bashkimit Europian prej rreth 70 mijë dollarë.
Banka Botërore në raporton e saj jep sugjerime se si mund të rritet produktiviteti i punës në vendet e Ballkanit. Teknologjia e partnerëve të huaj dhe ekspertiza mund të ndihmojnë në rritjen e këtyre shifrave. Përveç niveleve më të larta të aftësive në forcën e punës, produktiviteti mund të rritet edhe nga reformat që e bëjnë më të lehtë për punëtorët të lëvizin midis firmave, sektorëve, rajoneve gjeografike ku veprimtaria ekonomike është më efikase dhe e dobishme. Reformimi i tregjeve të punës, të cilat kanë probleme të tilla si informaliteti i përhapur dhe lëvizja e kufizuar e punës, do të ndihmojnë në përmirësimin e produktivitetit.
Përmirësimi i qeverisjes dhe transparencës në institucionet publike, veçanërisht gjykatat, do të bëjnë investitorët më të gatshëm të rrezikojnë, duke investuar fondet e tyre në rajon. Një klimë miqësore e biznesit për ndërmarrjet private, e shoqëruar nga një integrim më i thellë me BE dhe tregjet globale, do të ndikojë në tkurrjen e papunësisë dhe do të rrisë të ardhurat.
Produktiviteti, thotë Banka Botërore, përcaktohet nga cilësia e faktorëve të prodhimit dhe efikasitetit të përdorimit të tyre. Mund të mendojmë për produktivitetin-prodhimi për punëtor-si një kombinim të tre elementëve: cilësia e kapitalit njerëzor (aftësitë dhe shëndeti i punëtorëve), cilësia e kapitalit fizik (mjetet dhe pajisjet e prodhimit), dhe efikasiteti në shfrytëzimin e dy formave të kapitalit. Efikasiteti ose produktiviteti total i faktorëve reflekton se sa mirë shfrytëzohet kapitali fizik dhe njerëzor, përmes proceseve të tilla si zgjedhja e teknologjisë, inovacionit të produktit, shkëmbimit të njohurive midis firmave dhe sektorëve dhe lëvizjes së punëtorëve. Nëse eficenca është e ngadaltë, rikthimi i kapitalit është i ulët gjithashtu, duke ulur stimujt për të investuar në pajisje të reja, infrastrukturë dhe shkollim.
Kthimet e ulëta nga ana tjetër ngadalësojnë akumulimin e kapitalit. Në të kundërt, efikasiteti më i lartë mund të rrisë produktivitetin, duke përmirësuar kthimet e investimeve ekzistuese dhe duke motivuar investitorët për të investuar në faktorët e rritjes së prodhimit. Cilësia e ulët e kapitalit njerëzor është një faktor që kontribuon në këtë, vëren Banka: Rezultatet e PISA janë 20 për qind më të ulëta se ato në OECD.

Tahiri ishte në makinën e Sotës?

Një sërë pyetjesh publike ka ngritur ish-Kryeministri Berisha për informacione të reja që vijnë nga dosja e drogës Rama-Tahiri-Habilaj. Por për asnjërën prej tyre nuk ka marrë përgjigje dje në Parlament, ndonëse Rama ishte vetëm pas krahëve të tij. Në vend të përgjigjesh për lidhjet e bandës së drogës me Tahirin, Berisha ka marrë si përgjigje prerjen e fjalës nga Ruçi.
Sipas informacioeve të pakonfirmuara në makinën me 863 mijë eurot ka qenë vetë Tahiri, ndërsa lidhjet e tij me Sotën janë të provuara edhe nga videot e festave familjare mes tyre.
“E keni shndërruar këtë Parlament.., për respekt të zonjave këtu unë nuk po e them, por merreni me mend vetë këtë fjalë. Dilni e filloni me hipokrizira vetëm për të mbuluar Tahirin. Të nderuar qytetarë, a tha ky njeri se ska patur dijeni? A u publikuan raporte sipas të cilave SHIK e kishte informuar për 127 oficerë madhorë të policisë që merreshin me mbjelljen dhe trafikun e drogës? A tha Tahiri se nuk e njihte Orest Sotën? Pa shkoni merrni pak videon e ditëlindjes së tij në lokalin e kunatit se si hedh vallen Oresti, si krushk i parë aty”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri ka denoncuar një tjetër fakt që tregon lidhjet e Ramës me bandën e drogës së Habilajve të Tahirit. Spartak Braho ka shkuar me urgjencë tek kreu i Policisë së Elbasanit të nesërmen e kapjes së makinës me 863 mijë euro? Përse duhej që Rama të niste menjëherë korrierin e tij drejt Elbasanit?
“Pa na thuaj pak për ça e çove Spartak Brahon të nesërmen e kapjes së parave, tek drejtori Policisë, Qato. A e dini se thonë që në makinë me Sotën ka qenë vetë Saimir Tahiri? A e morët vesh se ka çuar Agaçion për t’i nxjerrë në Katania dokumentin e falsifikuar. Po ore po, po Balili të ka në grusht ty. Videon e orgjive të tua në Santa Quaranta ja ka dërguar të gjithëve”, tha Berisha.

Përmbytja dhe çfarë ndodhi me By Pass-in e Shkodrës

Në mënyrë akrobatike, për t’i ikur debatit për përmbytjen e fundit në vend, Rama është hedhur tek përmbytjet e 6 viteve më parë në Shkodër. Kjo ka sjellë replika mes Ramës dhe ish-Kryeministrit Berisha për atë që ka ndodhur me By Pass-in e Shkodrës.
“Përsëri jam tek çështja që ngriti këtu, në mënyrën më absurde dhe idioteske. Jo për të bërë Kasandrën, por kjo që pamë me Vjosën është lule nga ç’mund të shohim nga përmbytjet në këtë vend. Sado që ishte përmbytje e egër, por vendi ka zona të tjera, njëra prej tyre është Vjosa, e përmbytjeve më të mëdha në rajon. Për atë By Pass-in që e ke kapur për shkak të xhepit tënd, po ju them ju dhe qytetarëve të Shkodrës. Shkodra përjetoi gjatë mandateve të qeverisë tonë tre përmbytje. Njëra prej tyre po shkonte thuajse drejt apokaliptikes, sepse në njërën prej tyre, në pothuaj gjysmën e qytetit ujërat arritën deri në 2 metra lartësi. Dhe dije o injorant, që nuk u hapën digat, se digat e shpëtuan Shkodrën nga apokalipsi. Sepse Shkodra u përmbyt nga liqeni, sepse liqeni mblidhte nga alpet e Malit të Zi të Shqipërisë, jo të Drinit, 9000 metër kub në sekondë. Kurse Liqeni i Fierzës ishte nën kuotë, ato e mbrojtën deri në fund të asaj jave. Se po të mos ishte liqeni dhe po të hapeshin portat, e cila është e detyrueshme, hapja e portave është detyrë sine qua non e autoriteteve, Shkodra do të njihte një gjëmë të madhe. Por falë mobilizimit të shkëlqyer të atij kryetari bashkie (Lorenc Luka), Shkodra nuk pati asnjë viktimë. Vijmë te diga. Janë marrë në Shqipëri tre grupe, më të shquarat në Europë për ujërat. Sollën në Shqipëri kryeinxhinierin e ujërave të Holandës. Qeveria britanike nëpërmjet një kompanie solli këtu ish-presidentin e digave të Britanisë së Madhe. Italia mike solli gjithashtu autoritetin kryesor të digave për këto probleme. Ti je një njëri që sdi as çështë diga, as çështë uji, as çështë qeverisja, di vetëm të vjedhësh dhe të gënjesh nga mëngjesi deri në darkë. Ka konkluzione nga ata, dhe në këto konkluzione dy ishin jetike. E para, ndërtimi i asaj që t’i quan digë, By Pass-i pra, dhe që i ke ndërprerë dhe financimin. Ndërtimi i saj ishte kushti i kushteve për të mbrojtur Shkodrën nga mbytja që mund t’i sjelli liqeni. Shko merr të dhënat. Liqeni fryhej çdo ditë me disa centrimetra. By Pass-i, sipas tre grupeve kryesore ishte e vetmja mënyrë për të mbrojtur në shkallën më të lartë përmbytjen nga liqeni. Dhe për shkak të lartësisë që By Pass-i fiton edhe në hyrje të Shkodrës për t’u përmbytur nga fryrja e Bunës. Çfarë bëre? Erdhe dhe ndërpreve financimin në aktin më të parë. By Pass-i Shkodrës, i cili shkon nga 40-60 milionë euro me gjitha sistemin e pompave dhe sistemin tjetër, s’është aspak një vepër e preferueshme. By Pass-i Shkodrës, në projektin e parë nuk ishte digë, por ishte thjesht një autostradë që anashkalonte Shkodrën dhe e lidhte me Hanin e Hotit nga hyrja e Shkodrës. By Pass-i u shndërrua në digë, sepse ky ishte sugjerimi i tre grupeve të fuqishme për të mbrojtur Shkodrën. T’a dinë shkodranët se përveç mbajtjes së argjinaturave ekzistuese, ne kishim thellimin e Bunës. Jo, thanë ata, thellimin e Vilunit. Sugjerimi tretë ishte heqja e pengesave që janë në fillim te Buna. Këto tre masa, merr raportin po ti s’di të lexosh. Çështja e përmbytjeve është një çështje shumë e rëndësishme, është jetike. Mos luaj me Shkodrën, sepse Shkodra është nën rrezik më shumë se çdo qytet tjetër në Ballkan për përmbytjet”, tha Berisha.

Frika e performancës së Dybala

Paulo Dybala është tani i panjohur, të gjithë e kanë vënë re. Në sezonin e parë te Juventusi, ish-lojtari i Palermos e befasoi Italinë me paraqitje dhe gola prej kampioni dhe jo duke vuajtur nga presioni i ekipit të madh. Vitin e kaluar erdhi lëndimi dhe pastaj rikthimi i madh në pjesën e dytë të sezonit. Sot, viti i tretë me bardhezinjtë, ka ardhur periudha më e komplikuar për argjentinasin. Ndoshta Dybala ka humbur pakujdesinë dhe pamëshirshmërinë e shëndoshë të djalit që arriti te Juventusi. Sot argjentinasi është njeriu që duhet të sjellë suksese, gola, fitore. Siç dëshmohet nga “Tuttosport”, do të kishim një bllokim karakteri në bazë të krizës së tij. Dhe jepen jo vetëm disa fakte ekstra futbollistike.
Le të kthehemi për një moment prapa, në fillim të sezonit: midis gushtit dhe shtatorit, Paulo Dybala ishte thjesht shkatërrues, duke tërhequr ekipin drejt titullit në Seria A me gola dhe shumë performanca bindëse. Edhe krahasimi me Messin ndoshta ka ngjallur krizën e argjentinasit. Pas shënimit të një shpërthimi, problemet mbërritën më pas. Arsyeja e parë është sigurisht për shkak të një force mendore, që nuk është ende e fortë, e cila nuk është zhvilluar nga Paulo. Ankthi i performancës, sidomos pas dy penalltive të gabuara kundër Lazios dhe Atalantas, e ka futur argjentinasin në një tunel dhe tani është e vështirë të dilet prej tij.
Arsyeja e dytë është prania e hijeve të rënda të Leo Messit. Si fizike, ashtu edhe abstrakte. Në Argjentinë, Dybala ka kuptuar se ai mund të jetë vetëm zëvendës i “La Pulga”, siç konfirmohet nga Sampaoli, duke iu dhënë një rol si aktor mbështetës, një situatë që lojtari e urren, pasi ai ka nevojë për shumë besim. Por, është gjithashtu një prani abstrakte, siç u përmend. Pas një serie të performancave të mira (ndodhi vitin e kaluar), Dybala krahasohet me Messin dhe sigurisht nuk është një peshë e lehtë për një lojtar 24-vjeçar, i cili fizikisht duhet të ketë momentet e tij të rënies. Për të gjitha këto u shtua edhe thirrja e Pavel Nedved, i cili dëshironte të nxiste publikisht djaloshin, por duke rritur edhe më shumë vëmendjen ndaj tij. Me pak fjalë, ekziston vetëm një mënyrë për t’ia dalë kësaj situate: punë më shumë, siç rekomandohet nga zëvendëspresidenti i Juventusit dhe rizbulimi i golave në kampionat, çka, si gjithmonë, i zhbllokon sulmuesit më shumë se çdo gjë tjetër.