Gareth Bale ka shënuar golin e fitores për Real Madrid në ndeshjen kundër Al Jazira, e vlefshme për Botërorin, e cila rezultoi më e vështirë sesa parashikohej. “Ylli” nga Uellsi shënoi gol në prekjen e parë të topit, duke vendosur një rekord origjinal dhe duke kompletuar përmbysjen e skuadrës së Zinedine Zidane. Gareth Bale pati nevojë vetëm për një minutë, 60 sekonda, që të shënonte, duke thyer rekordin e Lionel Messi, i cili “harxhoi” 62 sekonda për të shënuar kundër Atlante në vitin 2009.
Bale u aktivizua në vend të Karim Benzema, sapo nisi minuta e 81-të e ndeshjes dhe pikërisht kur kjo minutë mbaroi, ai tundi rrjetën. Benzema bëri 8 goditje drejt portës kundërshtare, dy prej të cilave u ndalën në shtyllë, por francezi nuk pati fatin e Bale që realizoi në prekjen e parë të topit. Real Madrid do të luajë me Gremio në finalen e botërorit për klube, që do të luhet të shtunën më 16 dhjetor në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Bale thyen rekordin e Leo Messit
Zidane “refuzon” Icardin
Zinedine Zidane nuk do t’i kërkojë Real Madridit të nënshkruajë me ndonjë sulmues në merkaton e janarit, përkundër magjisë së fundit të Karim Benzema, që shtrihet në tri ndeshje. Francezi ndërkombëtar tërhoqi një boshllëk, pasi Real Madridi erdhi nga disavantazhi për të mposhtur Al Jazira 2-1 në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve, të mërkurën. Benzema iu mungonte shanseve të dukshme. Golat nga anëtarët e tjerë të BBC, Gareth Bale dhe Cristiano Ronaldo, e kthyen lojën për kampionët spanjollë dhe europianë, duke rezervuar një vend në finalen e Botërorit të Klubeve, në të cilën “Los Blancos” do të përballen me Gremio. Ndërsa Real Madridi është i lidhur fort me një lëvizje drejt Mauro Icardi, trajneri Zinedine Zidane ka mohuar se do të kërkojë nga bordi i klubit për të ofruar një sulmues të ri, duke qenë se humbi Kylian Mbappe në fillim të sezonit.
“Unë nuk do të kërkoj asnjë përforcim, fare, tha Zidane pas fitores së të mërkurës. Karim është mirë, edhe pse nuk ka shënuar. Ju gjithmonë mund të jepni një mendim, mund të thoni se Karim duhet gjithmonë të shënojë. Unë ju përgjigjem se Benzema ka luajtur mirë, ka lëvizur mirë. Ai dhe Ronaldo. Jam pak i zhgënjyer, sepse ai donte të shënonte, por jam i kënaqur me ndeshjen e të gjithëve. Po, kemi vuajtur, por ndodh në futboll. Nganjëherë topi nuk dëshiron të hyjë në rrjetë dhe ne duhet të përballemi me kësi situatash herë pas here”. Ndërsa Benzema duroi një lojë të vështirë, Bale pati një ndikim të menjëhershëm në rikthimin e tij nga lëndimet, duke shënuar golin fitues.
Edhe Zidane, ndërkohë, ishte i lumtur me kontributin e Bale. Ai mendon se VAR duhet të përmirësohet, me teknologjinë e vendosur për t’u adoptuar nga La Liga nga sezoni i ardhshëm. “Unë jam i lumtur për Bale dhe ai është i lumtur. Ai bëri një ndryshim në këtë ndeshje. Ishte një rezultat i merituar. Topi nuk ka dashur të hyjë në rrjetë në pjesën e parë dhe nuk mund të shpjegojmë tani pse kemi shpërdoruar kaq shumë shanse. Ishte një lojë e vështirë për ne, tani duhet të mendojmë për finalen”, u shpreh Zidane.
Britania kritikon Facebook rreth ndërhyrjes ruse për Brexit
Ligjëvënësi britanik, Damian Collins, e ka akuzuar rrjetin social, Facebook për dështim të hetimeve nëse Rusia ka tentuar të ndikojë në votën e vitit të kaluar që Britania të largohet nga Bashkimi Evropian.
Përfaqësues të këtij rrjeti social patën thënë se, kanë gjetur vetëm tri reklama të dyshimta.
Udhëheqësi për Kulturë dhe Media në Parlametin e Britanisë së Madhe, Damian Collins, ka thënë se, Facebook ka kufizuar hetimet në vetëm një burim të reklamave, atë të Agjencië së Kërkimit në Internet, e cila është komentuar sipas agjencive të Inteligjencës amerikane, si vendi kryesor prej nga qeveria ruse ka ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA.
“Duket se Facebook nuk ka hetuar në llogaritë false dhe faqet që mund të jenë të lidhura me agjencitë e mbështetura nga rusët, të cilat kanë qenë aktive gjatë referendumit për BE-në, ashtu siç kam kërkuar unë”, ka thënë Collins.
Ai e ka përsëritur kërkesën e tij për të hetuar rreth çdo “reklame apo faqeje të paguar apo të hapur që ka lidhje me llogaritë ruse”, të cilat kanë qenë aktive para dhe gjatë 23 qershorit 2016, kur është mbajtur votimi nëse Britania duhet të largohej nga BE-ja.
Facebook ka kundërshtuar deklaratat e Collins, duke thënë se kërkesa e tij është shqyrtuar “shumë seriozisht”.
Në një letër drejtuar Komisionit Zgjedhor në Britani, Facebook ka thënë se kanë identifikuar 470 llogari të lidhura me Agjencinë e Kërkimit në Internet, dhe kanë thënë se agjencia ka shpenzuar vetëm 97 cent në tri reklama që janë parë nga audienca britanike gjatë fushtatës për Brexit.
Facebook ka shtuar se që të tri reklamat kanë pasur target, audiencën amerikane dhe shqetësimet e imigrimit, dhe jo procesin e Brexitit.
Çështja e imigrimit ka qenë pikë e rëndësishme edhe në votimet për Brexit, ashtu si për zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA.
Disa hetues kanë thënë se, Agjencia për Kërkime në Internet punëson qindra persona për të postuar përmbajtje të tilla siç është çështja e imigrimit në rrjetet sociale dhe duket të jetë strategji e Kremlinit për të nxitur mosmarrëveshje në Perëndim.
Disa nga reklamat ruse, për të cilat Facebook tha më herët gjatë këtij viti se, kanë arritur tek më shumë se 126 milionë përdorues, kanë pasur përmbajtje që lidhin imigrantët me krime dhe humbje të punës.
Rusia mohon të ketë ndërhyrë në procesin e Brexitit apo atë të zgjedhjeve në SHBA.
Derisa Facebook ka thënë se ka gjetur pak të dhëna rreth përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në votën për Brexit, i njëjti rrjet social ka thënë se kompanitë ruse kanë shpenzuar 100,000 dollarë në reklama me qëllim të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
“The New York Times” ka raportuar se shumë shpejt do të publikohet një raport nga Instituti Oxford për Internet, rreth asaj nëse kompanitë ruse kanë përdorur Twitterin apo YouTube për të ndikuar në votën për Brexit.
Autori i këtij studimi, Philip Howard ka thënë se, “aktiviteti rus gjatë procesit të Brexitit ka qenë minimal”.
“The Times” ka thënë po ashtu se, mediat si “Sputnik” dhe “RT”, kanë qenë shumë aktive gjatë kësaj periudhe në versionet e tyre në gjuhën angleze.
SHBA, debat në Kongres për prokurorin e posaçëm Mueller

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm i SHBA, Rod Rosenstein u tha ligjvënësve të mërkurën se ai nuk ka arsye për të shkarkuar prokurorin e posaçëm Robert Mueller, i cili po drejton hetimin për të gjetur nëse fushata e zotit Donald Trump ka bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Zoti Rosenstein dëshmoi para Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, një ditë pasi u bënë publike qindra mesazheve SMS të shkëmbyera midis dy zyrtarëve të FBI-së në ekipin e hetuesve të zotit Mueller. Në mesazhe ata shfaqnin pikëpamje kundër zotit Trump, duke bërë që disa ligjvënës të vënë në dyshim paanshmërinë e FBI-së, agjencia kryesore ligjzbatuese e vendit.
Rosenstein, i cili është personi që emëroi zotin Mueller dhe që mbikëqyr punën e ekipit të tij, u përball me pyetje rreth zotit Mueller nga anëtari demokrat i komisionit, Jerrold Nadler. “Nëse ju urdhërojnë sot ta shkarkoni zotin Mueller çfarë do të bënit”, pyeti Nadler. “Do të ndiqja rregullin. Nëse do të kishte arsye bindëse, do të veproja, përndryshe nuk do të veproja”, u përgjigj Rosenstein, i cili shtoi se deri tani nuk ka gjetur ndonjë arsye bindëse.
Pikëpyetjet rreth integritetit të hetimit të zotit Mueller u ngritën pas shkarkimit gjatë verës të agjentit të FBI-së, Peter Strzok, pas zbulimit të mesazheve SMS që ai kishte shkëmbyer me avokaten e FBI-së, Lisa Page. Të dy bënin pjesë në ekipin e agjentëve dhe prokurorëve që hetojnë rreth përfshirjes së Rusisë në zgjedhje.
Mesazhet, të zbuluara së pari në media gjatë këtij muaj, iu dorëzuan komisioneve të kongresit dhe u komentuan gjerësisht nga disa media të martën mbrëma.
Presidenti Trump dhe ligjvënësit republikanë e përdorën këtë rast për të akuzuar FBI-në se është politikisht e njëanshme, duke thënë se përfundimet e arritura nga ekipi i zotit Mueller nuk mund të jenë të besueshme.
Ndër 375 mesazhet e publikuara të martën ishte edhe një shkëmbim i datës 4 mars 2016. Page përshkruante kandidatin Trump si një “njeri të neveritshëm”, ndërsa Strzok përgjigjej: “E megjithatë ai mund të fitojë (në zgjedhje)”. Kur Strzok e pyeste nëse ajo besonte se zoti Trump do të ishte një president më i keq sesa republikani Ted Cruz, Page përgjigjej: “Po, ashtu mendoj”.
Page dhe Strzok shkëmbenin komente nënçmuese edhe për demokratët, përfshirë kandidatin presidencial Bernie Sanders dhe ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Eric Holder.
Inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë po heton tekstet si pjesë e një hetimi të gjerë për mënyrën se si FBI-ja ka trajtuar çështjen e serverit personal të zonjës Clinton dhe lidhjet e dyshuara të fushatës Trump me Moskën.
Kosovë, arrihet marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit të ri
Qeveria e Kosovës tha se ka arritur marrëveshje me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re. Kjo u bë e ditur pas takimit të Komitetit Drejtues për Termocentralin “Kosova e Re”, gjatë të cilit u bë e ditur se marrëveshja komerciale pritet që të nënshkruhet ditët e ardhshme dhe se sipas marrëveshjes pritet të investohen mbi 1 miliard euro.
Në komunikatën e qeverisë thuhet se “pas finalizimit, projekti do të sigurojë pavarësinë energjetike për Kosovën dhe termocentrali i ri do të prodhojë 500 megavat orë energji elektrike.
Termocentrali i ri sipas qeverisë do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional nga viti 2023 dhe në ndërtimin e tij do të përdoret teknologjia e fundit që do të mundësojë në zvogëlimin e gazrave dhe ruajtjen e mjedisit.
Kosova llogaritet një nga vendet me rezervat më të mëdha të qymyrit linjit në botë të cilin e shfrytëzon për të prodhuar energji elektrike.
Deri në përfundimin e termocentralit të ri, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra e të mbajtura keq, që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.
Rusia refuzon kërkesën e Siemens për transferimin e turbinave në Krime
Një gjykatë ruse e ka refuzuar një kërkesë nga kompania gjermane Siemens, e cila pretendon se dërgimi i turbinave të saj në rajonin e Krimesë së okupuar nga Ukraina ishte e paligjshme.
Gjykata Arbitrare në Moskë e ka hedhur poshtë një ndryshim të marrëveshjes, rreth katër muaj pasi e njëjëta gjykatë e ka refuzuar një kërkesë nga Siemensi për të marrë turbinat e gazit dhe për të ndaluar instalimin e tyre deri në kohën e dëgjimit përfundimatar.
Siemens ka nisur një padi kundër firmës shtetërore ruse, Technopromexport gjatë korrikut të këtij viti, pasi kishte marrë vesh se katër turbinat e dërguara në Rusi kishin përfunduar në Krime.
Transferimi i këtyre pajisjeve në Krime ishte në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian të vëna pas ankesimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014.
Turbinat e prodhuara në Rusi në kuadër të një projekti të përbashkët që përfshinte kompaninë Siemens, ishin shitur për Technopromexport më 2015.
Kompania me bazë në Mynih ka thënë se, pajisjet ishin planifikuar të instaloheshin në një central elektrik në Taman, në jug të Rusisë, ndërsa kompania ruse ka shkelur kushtet e kontratës, duke i dërguar të njëjtat në Krime.
Autoritetet ruse dhe ato të kompanisë kanë insistuar se turbinat e gazit janë transferuar në Krime në mënyrë legale.
Në gusht të këtij viti, Bashkimi Evropian ka rritur sanksionet kundër kompanive dhe personave rusë, duke përfshirë kompaninë Technopromeksport, si përgjigje ndaj transferit të turbinave në Krime.
Ministria e Punëve të Brendshme e ka quajtur vendimin si hap “të pajustifikueshëm”.
Moskës i duhen turbinat për dy centrale elektrike të Krimesë, ashtu që të sigurojë një furnizim stabil të energjisë për banorët e asaj zone.
Gjykata e Hagës përfundon misionin me çështje të pambyllura
Ndërsa Gjykata e Hagës përfundon misionin e saj, duke sjellë para drejtësisë përgjegjësit kryesorë të krimeve të luftës në Ballkan, kryeprokurori Serge Brammertz thotë se, mbetet shumë punë për t’u bërë nga gjykatat kombëtare për të ndëshkuar autorët e tjerë të krimeve.
Në një konferencë të organizuar nga Komisioni i Helsinkit dhe Komisioni, Tom Lantos për të Drejtat e Njeriut, pjesëmarrësit diskutuan për nevojën e angazhimit të komunitetit ndërkombëtar për të çuar deri në fund drejtësinë dhe arritjen e ripajtimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Me 161 aktpadi, 90 dënime dhe 15 dhënie pafajësie, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi po i jep fund një misioni 24-vjeçar, duke sjellë para drejtësisë autorët kryesorë të krimeve. Por beteja për të vendosur drejtësinë për viktimat e luftës në vendet e ish-Jugosllavisë është ende larg, thotë kryeprokurori i Gjykatës së Hagës, Serge Brammertz.
“Dua të jem shumë realist për situatën. Të gjithë e dimë se mbetet ende shumë punë për t’u bërë, mijëra hetime janë ende në zhvillim e sipër. 3 mijë vetëm në Bosnje-Hercegovinë. Dhe nuk ka alternativë tjetër, veçse të ecet përpara. Unë nuk besoj se të afërmit e viktimave do ta pranojnë ndonjëherë se askush nuk është përgjegjës për vrasjet e tyre”.
Kryeprokurori Brammertz shprehu kritika për mungesën e vullnetit politik për t’u ballafaquar me krimet e luftës.
“Udhëheqësit politikë në Kroaci, Bosnje dhe Serbi nuk po i mbështesin hetimet. Ata u japin vëmendje më të madhe të dënuarve për krimet e luftës që i konsiderojnë si heronj dhe u kushtojnë shumë më pak vëmendje viktimave, dhe të mbijetuarve që meritojnë shumë më tepër vëmendje”.
Ligjvënësi demokrat Eliot Engel tërhoqi vëmendjen tek mungesa e vazhdueshme e gatishmërisë së Beogradit për t’u ballafaquar me krimet e kryera në Kosovë. Ai solli si shembull një raport të Qendrës për të Drejtën Humanitare në Serbi, ku jepen hollësi të një operacioni për fshehjen e civilëve të vrarë nga serbët në Kosovë.
“Vrasja e gati 1 mijë civilëve të pafajshëm është një krim i madh kundër njerëzimit, por autorët jo vetëm nuk janë ndëshkuar, ata as nuk janë ndjekur. Beogradi duhet të kishte vepruar kohë më parë, për të parë në sy faktet dhe për të sjellë përpara drejtësisë fajtorët, përfshi zyrtarë të lartë në qeverinë e vet që janë pas këtyre krimeve serioze”.
Ligjvënësi Engel tha se, derisa Beogradi të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve, BE-ja nuk duhet të vazhdojë procesin e pranimit të Serbisë dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta mendojnë mirë përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe me Serbinë.
Ilir Bytyqi, vëllai i tre shtetasve amerikanë me origjinë nga Kosova që u vranë nga forcat serbe gjatë luftës përsëriti thirrjen ndaj presidentit Vuçiç për të sjellë para drejtësisë vrasësit.
“Pres që Presidenti Vuçiç të mbajë premtimin për të sjellë drejtësi për familjen time dhe të gjitha viktimat në Kosovë, Srebrenicë, Kroaci. Premtimi është premtim. Nuk ka vend për lojëra. Ai është president, është udhëheqës. Kur nuk mban premtimet nuk mund ta drejtosh vendin drejt së ardhmes. Nuk mund të ketë të ardhme pa u përballur me të shkuarën, president!”
Ndërsa Gjykata e Hagës përfundon procesin e ndjekjeve penale, misioni i saj për ripajtimin e vendeve të Ballkanit mbetet i pa përfunduar.
“Ka padyshim nevojë për përgjegjshmëri për shumë krime të kryera në Kosovë dhe mbetet për t’u parë çfarë iniciativash do të ndërmerren në Beograd për këtë çështje. Nëse nuk ka përgjegjshmëri, nëse përgjegjësit e krimeve të kryera nuk identifikohen dhe dënohen, nuk mendoj se do të ketë pajtim”, tha zoti Brammertz.
Mes Kosovës dhe Serbisë, tha kryeprokurori i Hagës, ka një klimë politike të vështirë dhe do të jetë e nevojshme, që herët apo vonë të gjendet një zgjidhje.
Kosovë: Prokurori tërheq kërkesën për ekstradimin e shtetasit turk
Për shkak të mungesës së provave materiale, një prokuror i Kosovës tërhoqi kërkesën për ekstradimin e Ugur Toksoy, shtetas turk, i kërkuar nga autoritetet turke me dyshimin se ishte anëtar i organizatës FETO, që në Ankara konsiderohet terroriste.
Gjykata ka pranuar deklaratën e prokurorit dhe së shpejti do të marrë vendim.
Në fillim të seancës, Prokurori Special, Ali Rexha tha se kërkesa e Qeverisë turke fillimisht nuk ishte e plotë dhe se nuk kishte prova materiale.
Ai më herët i ka kërkuar Ambasadës turke në Prishtinë, që të siguronte prova të vlefshme materiale për ekstradimin e Toksoyt, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Nëse paraqiten fakte të reja, prokurori mund të fillojë rastin përsëri.
Toksoy u arrestua më 28 tetor dhe ishte mbajtur disa ditë në paraburgim para se të lirohej me dorëzani.
Ugur Toksoy që 10 vjet jeton me familjen e tij në Kosovë dhe ka punuar si koordinator në Fondacionin për arsim “Atmosfera”, në degën e Prizrenit, i cili ofron shërbime arsimore dhe kulturore për të rinjtë.
Në tre vjetët e fundit, ai nuk e ka vizituar Turqinë. Avokati i Toksoyt thotë se, nuk ka dëshmi se klienti i tij është i lidhur me lëvizjen e udhëheqësit fetar turk Fetullah Gulen, të cilin autoritetet turke e akuzojnë se qëndron prapa grushtshtetit të dështuar të vitit 2016.
Fondacioni “Atmosfera” ka thënë për Radion “Evropa e Lirë” se nuk ka të bëjë me Lëvizjen Gulen, duke shtuar se kanë organizuar promovimin e librave të tij. Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kosovës thotë se ky është një rast i motivuar politikisht.
Në Londër do të përkujtohen viktimat e kullës Grenfell

Të mbijetuarit e zjarrit që la të vdekur 71 persona para gjashtë muajve në Kullën Grenfell në perëndim të Londrës, do t’iu bashkohen zjarrfikësve dhe familjes mbretërore gjatë një ceremonie përkujtimore në një katedrale në Londër.
Zjarri kishte nisur në natën e 14 qershorit dhe shumë shpejt ishte përhapur në ndërtesën 24 katëshe.
Kjo ndërtesë gjendet në një lagje të varfër të Londrës, ndonëse rrethohet nga disa zona të pasura siç janë Kensington dhe Chelsea.
Kjo fatkeqësi kishte shokuar Britaninë, duke vënë në pah dallimet në kushtet e jetesës, varësisht nga gjendja financiare.
Kryeministrja, Theresa May, politikani opozitar, Jeremy Corbyn dhe Princi Charles së bashku me djemtë e tij Princin William dhe atë Harry, pritet të jenë pjesë e ngjarjes.
Qindra persona të larguar nga ndërtesa, por edhe ata që kanë jetuar afër ndërtesës janë duke jetuar në hotele edhe gjashtë muaj pas incidentit, pasi institucionet përgjegjëse nuk kanë qenë të gatshëm që t’iu gjejnë strehim afatgjatë.
Policia është duke kryer hetime rreth shkaqeve që kanë shkaktuar zjarrin, ndërsa ka thënë se akuzat mund të drejtohen kundër individëve apo organizatave.
Kandidatët, ekspertë skedinash dhe lidhje me krimin
Në një kohë që kandidatët për kryeprokuror të përkohshëm shpalosën platformat në Kryesinë e Kuvendit. ILDKPI ka kaluar në sitë pasuritë e tyre. 7 prokurorët Arta Marku, Ferdinand Elezi, Besnik Muçi, Arqilea Koço, Artur Selmani, Ermira Tafani dhe Granit Shahu, janë paraqitur para Komisionit të Ligjeve për të bindur anëtarët se përse ata duhet të jenë në krye të organit të akuzës.
Sosneës sjell të plotë pasuritë e deklaruara ndër vite nga të 7 kandidatët.
1.ARTA MARKU– banon në 55 metra katror apartament
Ajo që përflitet më shumë si kandidatja potenciale për t’i zënë vendin Adriatik Llallës është Prokurorja e Shkodrës, Arta Marku.
Sipas deklarimit të pasurisë të bërë që në vitin 2004, Marku zotëronte një shtëpi prej 55 m2 katrorë sëbashku me prindërit, por dhe një depozitë bankare në emër të njërit prej familjarëve.
Rroga e saj kapte shifrën e 900 mijë lekëve në vit.
Në vitet në vazhdim e pikërisht në 2007, Arta Marku sëbashku me bashkëshortin e saj në atë kohë oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Shkodrës marrin në pronësi një apartament prej 103 metrash katrorë në kryeqytet.
Vlera e apartamentit ishte 5 milionë lekë. Krahas banesës Marku kishte dhe një rritje të të ardhurave nga 900 mijë lekë në 1003,506 një milion e tremijë e pesëqind lekë.
Për marrjen e apartamentit Marku ka deklaruar marrjen e një kredie prej 6,7 milionë lekësh me afat 15-vjeçar.
Disa vite më pas në 2015 Marku arrin të bëjë dhe privatizimin e baneses prej 55 metrash katrorë në Tiranë.
Një vit më pas sipas deklarimit të pasurisë pranë ILDKPI, Marku vijon të paguajë kredinë bankare, ndërsa ka marrë dhe një tjetër kredi për blerje pajisjesh shtëpiake si kondicioner, frigorifer dhe shtrydhëse frutash.
2.FERDINAND ELEZI – 3 apartamente dhe çdo vit një makinë të re
Çfarë pasurie disponon dhe të veçantat
-Apartament prej 124 metra katror në Tiranë (blerë në vitin 2001 në vlerën e 4 milionë lekëve )
-Garazhd 27 metra katror (blerë në vitin 2001 në vlerën e 5500 dollarëve )
-Apartament 185 metra katror në Durrës 2006
-Apartment i dytë në Durrës blerë në vitin 2007
Vlen për t’u përmendur fakti se çdo vit prokurori dhe bashkëshortja e tij shisnin makinën e një viti më parë dhe blinin një makinë të re më të mirë.
Përgjatë 12 viteve deklarim pasurie rezulton që prokurori dhe bashkëshortja të kenë marrë 4 kredi bankare gjithashtu rritje e fitimeve të bashkëshortes nga 1.5 milion lekë në vit deri në 4.1 milionë lekë në vit.
Viti 2016
Ka përfituar një shtëpi me kredi nga Këshilli i Ministrave për strehimin e zyrtarëve të lartë në shumën prej 4 milionë lekësh dhe për të cilat që nga viti 2004 ka shlyer rreth 2.2 milionë lekë, ndërsa detyrimi i mbetur është në vlerën e 1.8 milionë lekëve.
Gjatë vitit 2016 ka patur detyrime për të paguar dhe në doganë në vlerën e 367.000 lekë. Të ardhura vjetore si drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës në vlerën e 1.3 milionë lekëve. Ka kursyer rreth 5 milionë lekë të vjetra për 2016 që i ka depozituar tek llogaria e tij bankare.
Me datën 07.06.2016 ka blerë një automjet për bashkëshorten në vlerën e 15700 euro (13 000 euo makina + 367000 lekë taksa doganore) një automjet nga të ardhurat cash të disponuara në familje. Makinë të cilën e ka shitur dy muaj më vonë në 18.08.2016 në vlerën e 15 000 eurove, duke deklaruar një humbje prej 100 000 lekësh nga shitja. Gruaja e Ferdiand Elezit (Blerta Peku) deklaron se gjatë vitit 2016 në llogaritë e saj bankare si Notere, tek 4 banka të nivelit të dytë janë arkëtuar shuma të ndryshme monetare lekë, euro dhe dollarë, të cilat nuk i përkasin, por kanë qenë shuma monetare të derdhura nga ana e blerësve të pasurive të paluajtshme për llogari të shitësve të pasurive, të cilat derdhen në llogarinë e noterit, që ka kryer kontratën e shitblerjes së pasurisë së paluajtshme. Këto para pas kalimit të pronës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme tek blerësi kanë kaluar në llogari të shitësve. Procedura është bërë sipas akteve nënligjore në sistemin bankar.
Elezi ka disa rekorde kriminale dhe është katapultuar për të kandiduar për Kryeprokuror nga Tahiri dhe Dako që janë nën hetime.
3.BESNIK MUÇI
Kandidati tjetër, ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besnik Muçi në vitin 2003 deklaronte një pagë vjetore prej 772 mijë lekësh si prokuror i Tiranës. 4 vite më pas, ai deklaroi në ILDKPI dhe pronat e tij. Ato janë një shtëpi banimi prej 57 metrash katrorë, 400 metra tokë truall në Pogradec marrë nga shteti dhe 200 metra të tjerë tokë bujqësore përfituar nga Ligji 7501 po në Pogradec.
Në vitin 2009, Muçi do të deklaronte dhe shtesën e nisur prej 25 metrash në pallatin ku ai jeton. Sipas deklarimit, kjo procedurë vijon të jetë në proces legalizimi.
Nga ana tjetër Besnik Muçi në vitin 2013 nuk ka fshehur “pasionin e tij” për të vijuar blerje të tjera si pronar tokash. Pas tokës truall e asaj bujqësore në Pogradec, ai bleu një tjetër tokë bujqësore kësaj here në Tiranë e pikërisht në zonën e Shkozës. Vlera e saj shkon në 111 600 lekë.
Por, Muçi nuk është mjaftuar me kaq dhe në vitin 2015 i është rikthyer Pogradecit, ku ka blerë një tjetër tokë arë prej 2 mijë metrash katrorë.
Të ardhurat e këtij kandidati nga puna si Prokuror i Krimeve të Rënda shkojnë në 1 milion e 440 mijë lekë në vit, ndërsa ai ka dhe një detyrim prej 21 mijë eurosh pranë shoqërisë Arlis Shpk me përfaqësues A.Lilo. Ky i fundit ishte pronari i mjetit me të cilin udhëtonte Orest Sota. Pretendimi i Lilos ishte se, automjeti i ishte shitur Sotës, por nuk i ishin ndryshuar targat.
4.ARTUR SELMANI– 3 lloto të fituara
Artur Selmani i Prokurorisë së Përgjithshme në vitin 2004 do të deklaronte një pagë vjetore prej 1. 4 milionë lekësh. Ndonëse për këtë prokuror nuk ka shumë të dhëna veç një kredie të marrë me një afat 25-vjeçar, ajo që të bie në sy është se Selmani ka fituar një lloto sportive në vitin 2007. Sipas deklarimit të depozituar në ILDKPI, Selmani ka fituar jo pak, por plot 4 mijë dollarë në një kompani bastesh. Por nuk përfundon me kaq. Në vitin 2008, Selmanit i ka ecur sërish fati dhe fiton një tjetër skedinë prej 2 mijë dollarësh. Sërish në vitin 2009 skedina fituese në lloto i sjell atij 4 mijë dollarë të tjera. Pra, në një hark kohor prej 3 vitesh prokurori thotë se, ka fituar shumën 10 mijë dollarë në baste sportive. Mesa duket edhe nga deklarimet, Selmani është një ekspert i vërtetë i futbollit.
5. GRANIT SHAHU
Për Granit Shahun të dhënat e deklaruara në vitin 2013 flasin për një rrogë prej 900 mijë lekësh në vit, ndërsa ka shlyer një kredi në vlerën 26 mijë dollarë të marrë që në vitin 2003 për blerjen apartamenti. Gjithashtu prokurori i Shkodrës ka deklaruar dhe blerjen e një automjeti tip “Range Rover” në vlerën e 2 milionë lekëve dhe më pas shitjen e tij. Për vitin 2016 deklaron se ka në shtëpi në gjendje cash 1.7 milionë lekë.
6.ARQILEA KOÇA – pronar i 5 apartamente në Dajt, bleu toka në Lukovë dhe Voskopojë
Arqile Koça i Prokurorisë së Përgjithshme ka një pagë vjetore prej 1.5 milionë lekësh. Sipas të dhënave të deklaruara në ILDKPI Koça ka marrë një kredi për banesë në vitin 2000 në shumën e 5 milionë lekëve. Gjithashtu nga deklaratat e prokurorit, në vitin 2006, ai ka dhënë një sipërfaqe toke prej 830 metrash për ndërtimin e një pallati shumëkatësh. Nga ky investim, prokurori përfiton 26 për qind të ndërtimit. Gjithashtu, Koça ka bërë dhe shitjen e një apartamenti në Komunën Dajt për shumën e 60 mijë eurove në vitin 2010. Nga ana tjetër, Koça ka blerë 3670 metra katrorë tokë në fshatin Voskopojë dhe një apartament prej 160 metrash në fshatin Lukovë. Çmimi i apartamentit është 20 mijë euro.
7.ERMIRA TAFANI –dhurata të shumta për Vitin e Ri
Prokurorja e Elbasanit, Ermira Tafani ka deklaruar në ILDKPI disa dhurata të bëra nga të afërm të saj për ditëlindjen e bashkëshortit, por edhe për Vitin e Ri. Në vitin 2007, Tafani ka deklaruar një pagë vjetore prej 1,035,500 lekë. Por, ajo që të bie në sy në deklaratën e pasurisë së saj janë dhuratat e shumta për të dhe bashkëshortin. Prokurorija e Elbasanit ka në pronësi dhe një biznes privat, i cili së fundmi është dhënë me qira. Llogari bankare 9993 USD, Llogari në shumën e 1.8 milionë lekëve, i ka dhënë hua motrës 20 mijë USD me banim në Amerikë për riparim banese, i janë kthyer deri në vitin 2016 7000 USD. Disponon cash 1 milion lekë dhe 2 000 USD.
Nga ana tjetër bashkëshorti i prokurores disponon dhe ai një shumë cash, të cilën e mban në shtëpi në vlerën e 8000 eurove dhe 50 000 lekëve. Vlera e cash-it sipas deklarimeve për vitin 2016 është pakësuar me 2000 euro dhe 200 000 lekë të shpenzuara për pushime dhe mobilim. Gjithashtu përfiton dhe qira në vlerën 840 mijë lekëve në vit nga dhënia e ambjenteve të një farmacie në Elbasan.
“sosnews.al”