26.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

FMN paralajmëron Ramën për Bankën e Lindës e koncesionet

Fordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi Konsultimet me Shqipërinë për Nenin IV për vitin 2017. Në deklaratën me tone të forta kritike, të publikuar sot, Bordi vlerëson ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe është optimiste për të ardhmen, por shpreh shqetësimet lidhur me aftësinë e qeverisë për të vazhduar me konsolidimin fiskal dhe uljen e borxhit publik, teksa ka plane për investime të mëdha në formën e partneritetti publik-privat (PPP). FMN i ka kërkuar qeverisë të jetë më e qartë në planet e saj për të ulur borxhin, ndërsa ka tërhequr vëmendjen që të frenohet nga ulja e taksave dhe zbatimi i politikave preferenciale të taksave. FMN e vë theksin edhe në ngadalësimin e reformave të energjisë. Një tjetër element ku FMN tërheq vëmendjen është ai i procesit të konsolidimit të sistemit bankar, ku FMN ka kërkuar që “kandidatët për licenca të reja bankare duhet të kenë përvojë të përshtatshme bankare dhe të shmangin konfliktet e interesit”.
Në njoftimin zyrtar për shtyp, FMN konstaton “se ekonomia e Shqipërisë u rrit me 3.4 për qind në vitin 2016 dhe vazhdon të forcohet, duke përfituar nga rritja e kërkesës së brendshme, investimet e huaja direkte të drejtpërdrejta të lidhura me energjinë dhe një rimëkëmbje e partnerëve kryesorë tregtarë të BE. Rënia e hendekut të prodhimit dhe efekti i inflacionit të lartë të importuar kanë nxitur inflacionin në më pak se 2 për qind. Rritja e përgjithshme e kredisë mbetet e kufizuar, pasi bankat vazhdojnë të pastrojnë bilancet e tyre. Dobësitë e jashtme afatshkurtra janë të kufizuara, pasi deficiti i llogarisë korente financohet kryesisht nga huamarrja koncesionare dhe hyrjet e mëdha të IHD-ve, ndërsa rezervat valutore janë të mjaftueshme.
Dobësitë fiskale dhe financiare janë ulur gjatë katër viteve të fundit. Megjithatë, ka sfida, që nga niveli i lartë i borxheve publike dhe nevojave të financimit, kredive me probleme, dhe dobësive institucionale të përhapura që pengojnë investimet. Mandati i qartë i qeverisë së re pas fitores zgjedhore në qershor, perspektiva e favorshme ekonomike dhe perspektivat për hapjen e negociatave të pranimit në BE ofrojnë një mundësi për të rifilluar zbatimin e axhendës së reformave. Objektivat kryesore të politikës në këtë moment janë ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe financiar dhe thellimi i reformave strukturore dhe institucionale për të përshpejtuar ritmin e konvergjencës.
Perspektiva afatmesme mbetet e favorshme. Rritja e PBB-së parashikohet të përshpejtohet në rreth 4 për qind, e nxitur nga kërkesa e vazhdueshme e brendshme, reformat që përmirësojnë klimën e biznesit dhe një rimëkëmbje më e fortë e BE-së. Pritet që inflacioni të shkojë drejt objektivit prej 3 për qind, teksa hendeku i prodhimit ngushtohet. Deficiti i llogarisë korente pritet të ngushtohet, pasi projektet energjetike që kërkonin importe të mëdha po përfundojnë. Euro Zona vazhdon të rimëkëmbet dhe investimet e huaja jo në sektorin e energjisë, të nxisin diversifikimin e eksportit. Rreziqet për opinionin janë të balancuara. Në kahun nxitës, përshpejtimi i mbështetjes së donatorëve, si rrjedhojë e procesit të anëtarësimit në BE mund të çojë në investime më të larta dhe rimëkëmbje të kredisë”.

Vlerësimi i Bordit të Drejtorëve

Sipas Nenit IV të Marrëveshjes së FMN, FMN zhvillon diskutime dypalëshe me anëtarët, zakonisht çdo vit. Një ekip i stafit viziton vendin, mbledh informacione ekonomike dhe financiare dhe diskuton me zyrtarët për zhvillimet dhe politikat ekonomike të vendit. Pas kthimit, stafi përgatit një raport, i cili përbën bazën për diskutim nga Bordi Ekzekutiv. Në përfundim të diskutimit, Drejtori Menaxhues, si Kryetar i Bordit, përmbledh pikëpamjet e Drejtorëve Ekzekutivë dhe kjo përmbledhje i transmetohet autoriteteve të vendit.
Sipas vlerësimit të Bordit të Drejtorëve, “ekonomia në rritje dhe mandati i qartë zgjedhor i qeverisë së re ofrojnë një mundësi të mirë për të vazhduar përpjekjet e reformës për të nxitur potencialin e rritjes së Shqipërisë, për të rritur elasticitetin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe forcuar sistemin financiar, duke ruajtur disiplinën fiskale.
Drejtorët mbështetën nevojën për të reduktuar borxhin publik për të ndërtuar hapësirën fiskale dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit. Ata rekomanduan që autoritetet të konsiderojnë një rrugë konsolidimi më ambicioze dhe më të qartë. Ata gjithashtu theksuan se, forcimi i institucioneve fiskale mbetet çelësi për zbutjen e rreziqeve fiskale dhe rritjen e efikasitetit. Ata vunë në dukje se, menaxhimi i borxhit publik duhet të fokusohet në zgjatjen e maturitetit të borxhit publik dhe diversifikimin e bazës së investitorëve.
Drejtorët theksuan nevojën për të ardhura më të larta, duke u frenuar në uljen e normave tatimore ose dhënies së përjashtimeve të reja ose politikave preferenciale të taksave. Ata mbështetën përpjekjet e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë dhe përshëndetën planin për të futur një taksë mbi pronën të bazuar mbi vlerën.
Drejtorët ranë dakord se është kritike që të forcohet menaxhimi i investimeve publike, duke pasur parasysh planin për përshpejtimin e shpenzimeve të investimeve. Ata u kërkuan autoriteteve të sigurojnë zbatimin e duhur të kornizës për partneritetet publike-private në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ata gjithashtu theksuan nevojën për të minimizuar rikrijimin e borxheve, duke përfshirë përmirësimin e procesit të rimbursimit të TVSH-së.
Drejtorët vunë në dukje se pas përfitimeve të mëparshme mbresëlënëse, reforma në sektorin shtetëror të energjisë elektrike është e vonuar dhe duhet të rifillojë. Ata rekomanduan përmirësimin e efikasitetit operacional, përshpejtimin e ristrukturimit financiar dhe avancimin e reformave institucionale dhe të formatimit të tregut në këtë sektor.
Drejtorët ranë dakord që qëndrimi lehtësues i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë mbetet i përshtatshëm dhe çdo zbehje e lehtësimit monetar duhet të vijë, pasi të ketë tregues për një rritje të qëndrueshme të inflacionit. Drejtorët mbështetën strategjinë e de-euroizimit të autoriteteve dhe theksuan rëndësinë e përafrimit të ligjit të bankës qendrore me legjislacionin modern të bankave qendrore.
Drejtorët mbështetën përpjekjet e vazhdueshme të autoriteteve për të forcuar mbikëqyrjen financiare me fokus në bankat me rritje më të shpejtë dhe sistematikisht të rëndësishme. Ata theksuan nevojën për vigjilencë të vazhdueshme dhe përmirësim të mjeteve të përgatitjeve për të përballuar krizën, veçanërisht në dritën e rritjes së ndërlidhjes në këtë sektor. Për të zbutur rreziqet ndaj stabilitetit bankar, kandidatët për licenca të reja bankare duhet të kenë përvojë të përshtatshme bankare dhe të shmangin konfliktet e interesit. Ata vlerësuan përparimin në ristrukturimin e kredive me probleme të huamarrësve të mëdhenj, duke përfshirë rishikimin e rregullores së përmbarimit, zbatimin e ligjit të ri të falimentimit dhe lehtësimin e ristrukturimit të borxhit jashtë Gjykatës.
Drejtorët ranë dakord që trajtimi i pengesave strukturore ndaj konkurrencës mbetet çelësi për arritjen e rritjes më të shpejtë. Ata përshëndetën progresin e arritur në zbatimin e reformës strukturore dhe theksuan nevojën për të avancuar më tej reformat institucionale në fusha të tilla si gjyqësori, të drejtat pronësore dhe anti-korrupsioni. Drejtorët rekomanduan që të investohet më tej në trajnimin profesional për të inkurajuar pjesëmarrjen e punës, veçanërisht tek gratë dhe të rinjtë”, përfundon njoftimi për shtyp i FMN-së.

 

BE: Jeni të fundit për të ardhurat për frymë

 

Shqipëria është e vetmja nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, që jo vetëm nuk ka pasur përmirësim në drejtim të procesit të konvergjencës (rritjes më të shpejtë ekonomike sesa Europa, me qëllim që të arrijë mesataren e të ardhurave të BE), por përkundrazi ka ardhur në përkeqësim.
Për vitin 2016, të ardhurat për frymë të shqiptareve ishin sa 29% e mesatares së BE, nga 30% që ishin në 2014-ën. Shtetet e tjera të rajonit kanë ecur të gjitha përpara. Bosnja, që dikur ishte më poshtë se ne, tashmë ka mbërritur në 32% të mesatares së BE. Edhe Serbia, pas rënies relative në 2015, ka rikuperuar treguesin në 37% të mesatares së BE. Nivelin më të lartë të PBB-së për frymë në rajon e ka Mali i Zi, sa 45 për qind e mesatares së BE-së.
Pas Mali të Zi, renditet Serbia dhe Maqedonia, ku të ardhurat për frymë janë sa 37 për qind e mesatares europiane. E parafundit renditet Bosnja, me tre pikë për qind më shumë se Shqipëria, ku të ardhurat për frymë në 2016-ën shënuan sa 32 për qind e mesatares së BE-së. Të gjithë vendet e rajonit e kanë përmirësuar treguesin e të ardhurave për frymë.
Mali i Zi është vendi që ka pasur përmirësimin më të lartë në rajon, nga 41 për qind në 2014-n, të ardhurat për frymë i janë afruar mesatares së BE-së me katër pikë përqindje krahasuar me dy vjet më parë.
Të dhënat janë publikuar nga Eurostat. Përpos të ardhurave për frymë, ka rënë edhe treguesi i Konsumit Aktual Individual.
Konsumin Aktual Individual është tregues i mirëqenies materiale të familjeve në Europë. Ky tregues në Shqipëri është më i ulët jo vetëm ndër vendet e BE-së, por edhe na rajon. Në 2015-ën ishte sa 28 për qind e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa në 2016-ën sa 27 për qind, duke pësuar rënie me një pikë përqindje.
Nivelin më të larte të këtij treguesi në rajon e ka Mali i Zi, ku Konsumi Aktual Individual është sa 56 për qind e mesatares se BE-se (dyfish më shume se Shqipëria). Më pas renditet Serbia, ku treguesi ACI është sa 47 për qind e mesatares europiane. Maqedonia dhe Bosnja kanë të njëjtin nivel të treguesit të Konsumit aktual Individual më 41 për qind. (shiko tabelën e publikuar nga Eurostat)
Vendet e rajonit e kanë përmirësuar treguesin e Konsumit Aktual Individual, dhe ritmin më të lartë të përmirësimit edhe për këtë tregues e ka Mali i Zi, me një rritje prej 3% krahasuar me një vit më parë. Treguesi për Serbinë dhe Bosnjen ka qenë konstant nga 2014-2016-ën. Ndërsa Maqedonia ka pasur një rritje të lehtë prej vetëm një për qind.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat, zyra e statistikave e Bashkimit Europian, për treguesin e Konsumit Aktual Individual bazohen në rishikimin e fuqisë blerëse, si dhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto, së bashku me popullsinë.
Me ketë ritëm është shumë e vështirë që Shqipëria të arrijë mesataren e BE në 35 vjet, më shpejt se gjithë Ballkani Perëndimor që do i duhen 60 vjet, ashtu siç parashikoi së fundmi Banka Botërore, teksa Shqipëria po mbetet dukshëm prapa të gjithëve.

Berisha: Mos reagoni ndaj fyerjeve të Ramës, i ngjan këlyshit që po t’i thuash kuç, leh më shumë

Ish-Kryeministri Berisha replikoi ashpër dje me Ramën në Parlament në lidhje me situatën e përmbytjeve, si dhe me çështjen Tahiri. Në lidhje me përmbytjet Berisha tha se dispononte një dokument të NATO-s në të cilin shihet qartë se qeveria shqiptare nuk ka kërkuar ndihmë për përmbytjet. Nga ana tjetër ai u ndal tek dosja Habilaj dhe lidhjet e qeverisë me trafikun e drogës duke përmendur lidhjet direkte të kryeministrit Rama përmes vëllait të tij Olsi Rama me trafikun e drogës.
“Së pari, dua të theksoj këtu, se në mënyrë absolute nuk fyej njeri, përveçse them ato që qëndrojnë. Nëse zotëria (Rama) del këtu dhe thotë se si ka kërkuar ndihmë askujt, dhe unë, deputeti i qytetarëve shqiptarë, disponoj dokumentin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, s’mund të mos u them shqiptarëve që ky që quhet kryeministër po ju mashtron dhe po ju gënjen. Dhe nëse ky është ofendim, unë do ta bëj këtë 1000 herë. Mbrapa del e thotë se e kishte se ska kërkuar ushqime. Dokumenti ka kapitullin e ushqimeve. Përsëri unë nuk kam fjalë tjetër në këtë gjuhën time përveçse gënjen dhe vetëm gënjen. Ti i bazon gjërat dhe qëndrimet në mashtrime. Por unë kam ndjekur çdo orë, për të mos thënë çdo minutë përmbytjet dhe çdo përmbytje të ndodhur. Edhe një herë të them këtu dhe u them edhe shqiptarëve, përmbytja e fundit nuk ishte e digave. Turp të shpikim gjëra që nuk ekzistojnë. Përmbytja e fundit ishte sepse, në një rast unik ndofta, liqeni merrte nga të katër anët 9 deri në 10 mijë metër kub ujë në sekondë, por jo nga Drini. Pse jo nga Drini? Sepse për fat të mirë liqenet i kishim jo në këto nivele të ulta që janë sot, por i kishim disa apo shumë metra nën nivelet. Dhe u bë hapja vetëm ditët e fundit të javës. Gjithçka është e regjistruar. Shkodra është një qytet që kërcënohet nga përmbytja, dhe në këtë kontekst qeveria mori tre grupe.
Për hir të së vërtetës ka drejtuar punën zotëria që sot është President. Kemi marrë tre grupe; nga Holanda, Britania e Madhe, Italia. Edhe një herë të them, bëj çtë duash, por ata kanë lënë raportin dhe raportet janë në ministri me tre rekomandime. Rekomandimi i parë ishte By Pass-i i Shkodrës, që nuk ishte projekt i imi. Rruga ishte projekt i imi, u bë e detyrueshme nga përmbytja që autostrada të ngrihej në digë. Ndërhyrja e dytë që ata rekomanduan ishte hapja e Vilunit. Ndërhyrja e tretë ishte heqja e atyre si punë ishujsh që janë aty në Bunë, pasi bashkë me urën e sipërme të Drinit pengojnë rrjedhjen e ujërave. Por ti, në një akt të parë i preve financimin By Pass-it, i cili duhet të përfundonte në 2017, për të cilin ne kishim investuar 50 e ca për qind të shumës të financimit.
Impakti më i rëndësishëm është të mbrosh Shkodrën nga përmbytja.
5.40 A erdhi kërkesa nga Prokuroria për Saimir Tahirin për ta arrestuar? A dole the fillimish se në ato përgjime ishte hataja. Po kur të nesërmen Saimir Tahiri të tregoi kartonin e kuq ty, të sfidoi nga Blendi Fevziu e të tha se do bëj Edmond Dantesin dhe se të gjithë ata që e lëshuan do bien aty ku e meritojnë, të solli Gazin (Demin) në mesnatë dhe të tha mos gabo, se tërmeti prej tij është i tmerrshëm. Të numëroi Xibrakën dhe të gjitha çështjet e tjera me radhë. Atëherë ndryshoi gjithçka. U bë e paqenë dosja. “Ska asnjë bazë”, “Ata janë prokurorë të Saliut” etj. Pastaj pas një jave na dolën 850 mijë euro dhe dy patentat e Saimir Trafikut. Tani më thonë që në makinë mund të ketë qenë vetë Saimiri. Nuk lëshove një fjalë për të, “pse avokati tij jam unë”, tha. Çoi Spartak Brahon tek Qato në një takim prej një orë në hotel turizëm dhe u rakordua gjithçka. Tani më thuaj pak, këto lidhjet me krimin i ke nga unë apo nga vetja jote? Më thuaj pak, po kur partnerët ndërkombëtarë na kanë thënë se çështja Tahiri do jetë kusht kryesor për integrimin, kur na e thonë ne ju garantoj se atij ja thonë tre herë më shumë.
Pse e mban Tahirin ai? Mban veten e tij more zotërinj. Habilajt janë Habilaj, por Xibraka është një dosje e tmerrshme. Unë ju kam sjellë këtu udhëtimin e vëlla Olsit, pesë herë me makinën e transportit të kokainës, këtu të fotografuara i kam TIMS. Sigurisht që do të më akuzojmë. Çfarë mbetet pa kapur këto katër vite. Më në fund u bëre dhe me klubin e sportit. Pse nuk e dinin njerëzit që Gazi ishte thjesht një dordolec që Olsi e mbante. Ja tani na doli që klubin “Partizani” e mori Edi me Olsin, u bëtë dhe me klub. U bëtë dhe me bankë.
Po si ka mundësi që çdo bankë po shitet vetëm ABI Bank po fluturon në qiell. Mund t’a çoje ti gruan atje? S’mund ta çoje ti gruan në bordin e një banke. Nuk mund ta çoje se është gruaja jote, gruaja e kryeministrit, në kundërshtim me çdo ligj, në konflikt të hapur interesi. Nëse ti e çon gruan, anëtare të bordit të bankës, atëherë ti tregon se është banka jote, dhe çfarë banke, bankë e regjistruar në offshore. Në offshore një bankë që ka miliarda. Dhe kjo nuk qenka mëkat. Ndërsa një kompani me 150 mijë euro, që duhet bërë transparenca plotësisht e PD, ky qenka supermëkati. Ti përpiqesh ta mbulosh bankën me artifice. Ti je aq shumë i zhytur sa asgjë nuk të mbron dot.
Nuk të akuzojmë ne ty, ti akuzon veten me çdo veprim që bën. Së fundi ke marrë 60 raporte nga SHISH për trafiqet e policëve dhe të Saimirit me radhë. I ke injoruar të gjitha. E more kryetrafikantin dhe e çove në Shtëpinë e Bardhë tek Barack Obama. A skuqesh ndopak ti për këtë? Po pse duhet të shkonte Tahiri, kur e gjithë Shqipëria e dinte që është trafikant? Kur opozita e kishte denoncuar 120 herë këtu në Parlament. A mendon ti që bëhet një retrospektivë këtu apo s’bëhet?
Ti del këtu dhe shan me fjalë që si përdor njeri. Fyen me fjalë që si përdor kurrë. Unë do ju them miqtë e mi që asnjëherë mos të reagoni. Pse? Kam një këshillë të hershme. Në shtëpi kishim dy qenë.
Njëri ishte një qen i madh dhe e mbanim të lidhur me rrethore. Ujk nuk kishte që t’i afrohej. Sapo i thosha unë ‘skape’, ai vërsulej sa këtu e deri te Shalsi me tre hapa dhe kacafytej sa unë nuk arrija dot t’i ndaja.
Ndërsa tjetri ishte një klysh që vetëm lehte gjithë ditën. Më bezdiste shumë, sa unë i thoja, kuç mos leh.
Dilte gjyshja në ballkon e më thoshte: Çfarë ke më thoshte?
Më çmendi ky këlyshi, i thoja. Po çmend veten ti, më thonte. Nuk i thuhet këlyshit që leh mos leh, se ai leh më shumë!”, u shpreh ai.

 

“Llaxore”, nga “ç’pyll ke dalë”, Rama shthur gojën pas akuzave për drogën të Berishës, përplasje me Nokën

Seanca në parlament është tensionuar pas gjuhës ordinere të përdororur nga Rama ndaj ish-Kryeministrit Berisha. Rama ka përdorur fjalët llaxore dhe kjo ka bërë që deputeti Noka të reagojë dhe të shkojë drejt podiumit ku po fliste Rama. Noka I ka kërkuar Parlamentit që të përjashtojë Ramën nga senaca për fjalët që ka nxjerrë nga goja, por në vend që Ruçi të përjashtojë Nokën ka nxjerrë jashtë deputetin Noka që ka protestuar ndaj Ramës.

Berisha-Ramës: Videot e orgjive në Santa Quaranta në shumë duar nga Balili

Ish-Kryeministri ka akuzuar direkt Ramën për lidhjet me trafikun e drogës dhe se është ai që qëndron pas Tahirit. Berisha i ka kujtuar Ramës videot e orgjive në kompleksin “Santa Quaranta” të Balilit duke deklaruar se ato video janë shpërndarë nga Balili. Berisha e ka akuzuar po ashtu Ramën se është ai dhe sekretari i tij që qëndrojnë pas falsifikimit të dokumentit të Tahirit nga Prokuroria e Tiranës.

Berisha: Shpërbleni të përmbyturit, jo njëri-tjetrin

Qëndrimi i qeverisë ndaj të përmbyturve, cinizëm dhe injorim total ndaj tyre dhe pasojave të rënda me të cilat ata përballen!
Zotërinj, ndodhi një katastrofë në zonën e Vjosës dhe zona të tjera. Nuk ka gjë më çnjerëzore, më të shpërfytyruar para këtyre njerëzve se sa rrahja e gjoksit, krenaria absurde e këtyre qeveritarëve, të cilët rrijnë dhe i bëjnë elozhe njëri-tjetrit, harrojnë se u është mbytur gjëja, u është mbytiur e gjithë shtëpia, janë të sëmurë, janë pa bukë, janë pa asnjë ndihmë, ndërsa këta rrinë dhe lavdërojnë njëri-tjetrin. Njëri thotë se, Olta ka ndenjur 48 orë pa gjumë, a thua se ky ishte monitorimi i gjumit të saj, tjetra thotë se jam krenar me këtë e krenar me atë, krenar me përmbytjet, me vuajtjet e njerëzve, me përmbytjet e njerëzve.
Si ka mundësi ky moral të sillet këtu në Parlament? Të paktën mbajeni në kabinetin qeveritar, mos e sillni këtu në Parlament, sepse qëndrimi juaj ndaj të përmbyturve është cinizëm total, është injorim total, i pasojave të rënda me të cilat përballen. Shumë mirë që i shpërbyet ushtarakët dhe ju përgëzoj për këtë, por para së gjithash duhet të shpërblehen, ata të cilët s’kanë kotheren, sepse ja u mori Vjosa, sepse ju i vodhët fondet. Thoni që keni investuar 10 milionë euro në pritat e Vjosës, por në fakt keni vjedhur 10 milionë euro në pritat e Vjosës. Shkoni shihni pritat e ndërtuara disa vite më parë, nuk kanë lëvizur vendit. Kurse pritat tuaja i mori lumi sikur të ishin prej kartoni.
Ndaj këtu, lavdërime dhe rrahje gjoksi për lavdira mbi mjerimin, vuajtjen, dhimbjen e qytetarëve të përmbytur nga babëzia dhe abuzimi i atij kryeministri dhe këtyre ministrave këtu nuk duhet të ketë më. Kjo ishte kërkesa ime.

“Vollga”, Shullazi kërcënon prokuroren në sallën e gjyqit

Kapobanda Emiljano Shullazi kërcënoi prokuroren e çështjes në seancën e djeshme gjyqësore. Seanca është zhvilluar mes debatesh të forta mes Emiljano Shullazit dhe katër anëtarëve të tjerë të akuzuar si pjesë të një grupi të kriminal dhe prokurores së çështjes.
Ka qenë vetë i pandehuri kryesor, Emiljano Shullazi që ka akuzuar Prokurorinë për sajim të provave në adresë të tij. Duke iu drejtuar prokurores Elisabeta Ymeraj, Shullazi i ka thënë asaj se kishte prova dhe filmime ku prokurorët mësojnë dëshmitarët se si duhet të flasin në lidhje me biznesmenin Ylvi Beqaj. Madje kërcënimi i Shullazit shkoi deri aty, sa tha se, do të nxirrte edhe emra prokurorësh konkretë si dhe dëshmitarë. Prokurorja i ftoi që gjithë ç’kanë t’i paraqesin në proces.
Deklarata e tij erdhi pas tre përballjeve që u bënë në Gjykatë mes dëshmitarëve dhe biznesmenit Ylvi Beqaj, që njëkohësisht është bashkëpandehuri në këtë proces, por ka fituar edhe statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Para Gjykatës biznesmeni Beqja konfirmoi se nënshkrimi i kontratës ku ai i dhuronte një pjesë të ish-hotel “Vollgës” ishte bërë në kushte presioni.
Fillimisht Beqaj është përballur me noteren Aida Spahiu, ku është nënshkruar edhe kontrata e dhurimit të një pjese të ish hotel “Vollgës” mes Shullazit dhe Ylvi Beqajt. Ndryshe nga sa pretendon Beqaj, edhe në këtë seancë noterja u shpreh se kontrata është firmosur me mirëkuptim nga të dyja palët dhe në zyrën e saj nuk kishte patur asnjë kërcënim. Noterja mohoi edhe pretendimin e biznesmenit për një takim mes tyre në Rinas.
Ndërsa Ylvi Beqaj nga ana e tij u shpreh se, “noterja gënjen” dhe se ai është kërcënuar nga Shullazi. “Me bindjen më të fortë them që, kjo zonjë nuk thotë të vërtetën”, këmbënguli Beqja. Të njëjtin qëndrim noterja mbajti edhe në ballafaqimin me dëshmitarin Besnik Musai, dëshmitar i mbrojtur në proces, ish-shofer i Ylvi Beqjes.
Në dëshminë në gjykim, Musai ka pretenduar se ka parë Shullazin t’i vërë pistoletën në bark Ylvi Beqjes, pak para se ai të nënshkruante dhurimin e një pjese të “Vollgës”. Në përballjen mes Ylvi Beqjes dhe ish-bodigardit të tij, ky i fundit theksoi se, biznesmeni nuk i kishte shprehur asnjë shqetësim për kërcënim apo shantazhim.
I vetmi që ka mbrojtur pretendimet e Beqajt ishte kunati i tij Besnik Musai, i cili tha se kishte parë Shullazin që kishte kërcënuar Beqajn dhe se kontrata ishte firmosur në zyrën e noteres me qepena të mbyllur.
Pas këtyre ballafaqimeve dëshmitë mbeten si më parë, me kontradikta të theksuara mbi faktet e pretenduara të kërcënimit. Ndërkohë në fund të seancës, i pandehuri Emiljano Shullazi replikoi me prokuroren e çështjes, duke deklaruar se do të sillte në gjyq fakte të reja që dëshmojnë pafajësinë e tij. Në fund të seancës, avokatët e të pandehurve kërkuan ndryshim të masave të sigurisë për të akuzuarit, kërkesë kjo që u rrëzua nga Gjykata. Trupi gjykues nuk pranoi kërkesat për ndryshim mase, duke lënë në fuqi masat e sigurisë arrest me burg.
I akuzuari Emiljano Shullazi është bërë pronar i 20 për qind të hotel “Vollgës” përmes një kontrate dhurimi të firmosur nga Ylvi Beqja. Prokuroria dyshon se, kompania “Saudit Brother”, administrator i së cilës ishte Beqja, është detyruar nëpërmjet kërcënimeve dhe presionit t’i japë 20 për qind të pronës Shullazit për të përfunduar gjithë problemet e pronësisë. Kësisoj, pasi ato u zgjidhën, rezultoi se në dhjetor 2014, Beqja në cilësinë e administratorit të “Saudi Brothers” i ka dhuruar Emiljano Shullazit “në shenjë mirënjohjeje” 749 metra katrorë truall brenda sipërfaqes ku ndodhet ish-hotel “Vollga”.

 

Përgjimet, trafikantët: Saimiri do vijë prapë se i pëlqeu kostumi te “Hugo boss”

Zbardhen të tjera përgjime që rëndojnë pozitën e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Bisedat e përgjuara janë pjesë e dosjes së dytë prej afro 2 mijë faqesh të mbërritura nga Guardia di Finanza në kuadër të hetimit që Prokuroria ka çelur ndaj ish-ministrit.
Nga dokumenti rezulton se Tahiri, përmendet në tre përgjime, nga Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij në trafik, të cilët flasin hapur për dhuratat që ish-ministri ka pranuar prej tyre.
Këtyre provave të reja, iu referohet Gjykata për Krime të Rënda, e cila vendosi të caktojë edhe masën shtrënguese për ish-ministrin e Brendshëm. Gjykatësja Liljana Baku vendosi t’i bllokojë pasaportën të dyshuarit Tahiri, duke i kufizuar lëvizjen jashtë vendit, pas dyshimeve se mund të arratisej, nisur nga fakti që ai udhëtoi jashtë vendit, pak javë më parë.
Referuar dosjes konkretisht emri i ish-ministrit të Brendshëm përmendet në përgjimet e datës 10.10.2014 si dhe në dy përgjime të datës 13.01.2014.
Në orën 22:34 minuta, të datës 13 janar 2014, brenda automjetit tip “Mercedes Compressor” me targë IHP 26 90 në përdorim nga shtetasi Moisi Habilaj, është përgjuar biseda mes Enea Sulajt dhe një burri shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Makina thuhet në dosje, ishte në lëvizje.
Enea i shpjegon bashkëfolësit se bashkë me Moisi Habilajt, shkuan në një dyqan në Katania, menaxherin e të cilit ja kishte prezantuar Antonio Riela dhe më poshtë flitet sa Tahirit i kishte pëlqyer kostumi.
Enea Sulaj: Kur shkova atje më thoshte pronari, sepse kishte folur me Saimirin, që i kishte kështu…kostumin. Më tha zgjedhjet, por unë e kuptova sikur po thoshte leksionet.
Ndërsa ata me zgjedhje quajnë votimet. Dhe ai më tha, po zgjedhjet mirë? Dhe unë i thashë …po çfarë të tha që shkojmë në shkollë. Çfarë i the? Dhe ai më thoshte, po jo, jo, flet meqenëse ka folur me Saimirin dhe po pyet për zgjedhjet. Dhe unë i thashë, kam një lëmsh. I kanë vjedhur të gjithë votat.
Kështu fillova të flisja për politikë me atë…dhe Moisiu me thoshte, lërë këtë muhabet, sepse sikur të vijë ai, sepse e ka mbajtur numrin (aludon për faktin se Saimiri e ka ruajtur numrin e pronarit të dyqanit). Sikur të vijë për të blerë, sepse i kishte pëlqyer (kostumi).
Më tej, Enea i rrëfen bashkëbiseduesit për dhuratën që Moisi Habilaj, i kishte bërë bashkëshortes së Tahirit.
Enea: E more vesh çfarë i ka blerë bashkëshortes së atij? Një gjerdan që kushton 15 mijë euro.
Burri: Po çfarë po thu?
Enea: Tani për tani që u nis…përveç parave….
Burri: Kostumit dhe….
Enes: Jo, jo
Burri: Nuk jep asgjë për bashkëshorten
Enea: Përveç Sokolit që i mori paratë për punën, Saimiri nuk donte para.. Është e qartë…(fjalë të pakuptueshme) dhe i dha gjerdanin me diamante.
Përgjime mjedisore brenda automjetit tip BMW 320 me targë BZ 140 JR, në përdorim nga shtetasi Maridian Sulaj. Biseda është përgjuar në orën 06:46, datë 10.10.2014, ndërsa automjeti ishte në lëvizje.

Denoncimi, si po i pastron paratë babai i Tahirit

Babai i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Bashkim Tahiri, pastron para dhe bën evazion fiskal. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Sipas denoncimit, Bashkim Tahiri ka blerë një tokë tepër të shtrenjtë në zonën e Liqenit Artificial, por në letra rezulton se ajo është blerë për rreth 30 mijë euro. Sipas denoncuesit, vlera e kësaj toke është rreth 400 mijë euro dhe ai pretendon se qytetarët pranë asaj zone e dinë se prona është shitur në mënyrë fiktive me atë çmim. Për më tepër, shitësit e tokës janë dy policë, domosdoshmërisht një herë vartës së Saimir Tahirit.
“Qytetari dixhital denoncon Bashkim Tahirin, të atin e Saimir Trafikut për larje parash dhe evazion fiskal! Lexoni mesazhet e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Kjo është një pasuri e blerë nga Bashkim Tahiri për rreth 30 mijë euro siç e shikoni edhe në kartelën e pasurisë. Pra 2600 m2 i bie ta ketë blerë për 11.5 euro.‪ Pra 2600 m2 i bie ta ketë blerë për 11.5 euro m2. Kjo është një pasuri e blerë nga Bashkim Tahiri shtrihet në faqen e shpatit të Liqenit Artificial dhe është për rreth 30 mijë euro siç e shikoni edhe në kartelën e pasurisë dy policëve në Sauk.
Prona për të cilën po flasim është ullishte në kodrat e Saukut, e cila shikon nga diga e Liqenit Artificial dhe shikon të gjithë Tiranën dhe çmimi i tregut aty është minimalisht 200 euro m2.
Shitësit të cilët janë në kartelën e pasurisë Jeton dhe Sazani janë dy policë nga Sauku.
I gjithë Sauku e di se prona është shitur rreth 400 mijë euro, por kanë bërë shitje fiktive për rreth 30 mijë euro për të larë paratë dhe evazion fiskal.
Nëse hetohen këta policët nga Prokuroria mund të gjenden transaksione parash që kanë bërë këta dhe blerje pronash, të cilat nuk mund t’i justifikojnë dhe që me pas mund të çojnë te babai i Tahirit për të treguar realisht se sa e kanë shitur pronën, e cila është nga pikat më të bukura të Tiranës”, shkruan qytetari.