23.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Policia dhunon futbollistët e Tiranës në Shkodër

Kupa e Shqipërisë ka regjistruar tension në një prej ndeshjeve të kthimit, pasi në Shkodër u duk se policia i tejkaloi kompetencat. Pas përfundimit të ndeshjes Vllaznia-Tirana, ka pasur një situatë të tensionuar mes futbollisteve të të dy ekipeve në dhomat e zhveshjes.
Lidhur me këtë, tranjeri i Tiranës Ze Maria është shprehur se, futbollistët bardheblu janë goditur nga forcat e rendit. “Kishte tension në rrugën drejt dhomave të zhveshjes. Pati përplasje mes forcave të policisë dhe disa lojtarëve tanë. Policia është këtu për të mbrojtur futbollistët dhe stafin, e jo të godasë nga njëra anë në tjetrën. Një prej agjentëve goditi një futbollist dhe kjo nuk mund të ndodhë”, tha Ze Maria.
Drejtuesit e klubit organizator, ndërkohë, mbrojtën tezën se gjithçka ishte “Fair Play”, si brenda, ashtu dhe jashtë fushës. Sipas dëshmitarëve në stadiumin “Loro Boriçi”, mediat u nxorën jashtë korridoreve në zonën e përzierë, ndërsa mes lojtarëve që vuajtën dhunën ishte edhe braziliani i Tiranës, Uellison.
Një tjetër denoncim ka mbërritur pas ndeshjes Vllaznia-Tirana të luajtur sot në stadiumin “Loro Boriçi”, ndeshje e vlefshme për Kupën e Shqipërisë që është shoqëruar gjatë gjithë lojës me tension. Janë lojtarët e Tiranës, ata të cilët nëpërmjet fotove denoncojnë dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit në korridoret e stadiumit. Nga një foto e siguruar nga newsport.al shihet futbollisti i bardhebluve, Wellison që është goditur nga policia që duket se i ka kaluar kompetencat, duke ushtruar dhunë ndaj futbollistëve.

Dy javë pas përmbytjeve, Fushë Kruja vijon të përballet me pasojat

Gati dy javë pas përmbytjeve, Fushë Kruja vijon ende të përballet me pasojat e përmbytjeve të gati dy javëve më parë. Shumë familje dhe qendra e vetme komunitare për të moshuarit në këtë qytet janë ende mes baltës, ndërsa njësia vendore thotë se, punonjësit e saj janë të angazhuar në përballimin e situatës. Ndërkohë, bizneset ende nuk i kanë larguar thasët e rërës që përdorin si barrikadë përballë vërshimit të ujit.
Shumë familje në Fushë Krujë ende nuk kanë arritur t’i lënë pas pasojat. “Është bërë e përvitshme, si modë”, thotë një banor. Famijet shprehen se uji u shkatërroi gjithçka që kishin. “Të gjitha orienditë kanë dalë jashtë përdorimit, edhe shtëpia është bërë e pabanueshme”, thotë një banore.
Ata kanë marrë ndihmë emergjente, por thonë se nuk u mjafton. “Na sollën një kuti me ndihma, thashë se mos sjellin ndonjë batanije. Nuk e di, jemi shumë keq”, thotë një banore tjetër.
Pasojat e përmbytjeve janë ende të dukshme në të gjithë qytetin. Qendra e vetme komunitare për të moshuarit në Fushë Krujë, mbizotërohet nga balta. Ata ankohen se Bashkia e qytetit nuk ka marrë asnjë masë për pastrimin e qendrës. “Është e gjitha me baltë. Do të shkoj tek Bashkia t’i them të vijnë ta pastrojnë. Është turp ta shikojë njeri”, thonë banorët.
Zyrtarë të njësisë vendore të kontaktuar për këtë shqetësim, theksuan se aktualisht janë përqendruar në ndihmë të familjeve, por ndërhyrja do të jetë e shpejtë. Edhe bizneset në zonat e rrezikuara ende nuk i kanë larguar thasët e rërës që përdorin për t’i bërë pritë ujit.

Darëzezë, ujërat e Vjosës ende në tokat bujqësore

Në Darëzëzë dhe Povelçë shumë ha tokë janë ende nën ujë. Për këtë shkak pa ushqim janë tufa të tëra me bagëti. Uji po tërhiqet mesatarisht 3 centimetra në ditë çka do të thotë se do të duhen edhe të paktën dy javë deri në largimin e plotë të tij. Nga ana tjetër, kjo situatë përbën rrezik për shëndetin e banorëve për shkak të ndotjes nga kafshët që kanë mbetur nën ujë pas përmbytjeve të Vjosës.
Fermerët po kërkojnë me tepër furnizime me bazë ushqimore dhe medikamente për kafshët. Ndihmat në këto zona po shpërndahen nga ushtria nën kujdesin e Bashkisë, por ato duken të pamjaftueshme për të ushyqer rregullisht tufat me bagëti.
Ndërkohë fermerë të zonës së Frakullës iu drejtuan Bashkisë së Fierit për të kërkuar verifikimin e dëmeve nga përmbytjet. Në Frakull vërshimi i Vjosës 2 javë me parë ka dëmtuar qindra ha me sera. Banorët pretendojnë se asnjë grup verifikimi nuk ka mbërritur në zonë për të bërë vlerësimin e dëmeve. Një përfaqësi e tyre u prit nga zyrtarë të Bashkisë ku u është premtuar verifikimi i dëmeve.

A do të ekstradohet Tahiri në Itali?

Prokuroria e Katanias ka nisur procedimin penal ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Bëhet e ditur se, procedimi penal nga Prokuroria e Katanias ka nisur më datën 27 tetor. Në datë 27 tetor 2017 Prokuroria e Katanias ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Fiks 10 ditë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte regjistruar procedimin nr. 431 në ngarkim të Tahirit në Tiranë më 17 tetor 2017 nisur nga artikujt në median italiane dhe shqiptare. Procedimi në Itali është bërë pas kërkesës së Prokurorisë. Ish-ministri Tahiri paraqiti një dokument të falsifikuar nga Prokuroria e Katanias, se ndaj tij nuk kishte procedim penal. Një javë më pas Prokuroria italiane regjistroi procedimin ndaj tij.

Pse Italia nisi hetimet më 27 tetor

Pala italiane ka regjistruar procedimin penal ndaj Tahirit vetëm 7 ditë pasi Komisioni i Mandateve në Parlament refuzoi të zbatojë urdhërin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët kërkonin arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. Më 20 tetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda argumentoi në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit kërkesën e heqjes së mandatit dhe arrestimin e deputetit të PS, Saimir Tahiri.
Prokurorët e çështjes deklaruan në mbledhjen e këtij Këshilli se, ka dyshime të arsyeshme se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka kryer veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. Prokurorët paraqitën si prova përgjimet e Prokurorisë së Katanias të bandës së Habilajve, ku emri i Saimir Tahirit dhe disa personave të tjerë.
Megjithë provat e paraqitura nga Prokuroria, në thyerje të të gjitha proceduarve ligjore, PS në Parlament vendosi të mos e dorëzojë Tahirin. Pikërisht, duke parë se qeveria dhe mazhoranca nuk kishin një vullnet politik për të hetuar trafikun e drogës së Habiljave me mbështetjen e ish-ministrit të Brendshëm ka hyrë në veprim Prokuroria italiane, e cila ka regjistruar procedim penal ndaj Tahirit.

Çdo të thotë një procedim penal në Itali?

Nisja e hetimeve nga pala italiane për rastin Tahiri nënkupton një investigim ligjor të plotë për lidhjet e Tahirit me bandën e Habiljave për trafikun e drogës dhe armëve, duke anashkaluar Shqipërinë. Kjo do të thotë që Tahiri do të duhet që të përgjigjet edhe në Itali për trafikun e drogës dhe të armëve meqenëse në Shqipëri Rama i ka dhënë imunitet nga Drejtëisa. Ajo që po diskutohet është nëse Tahiri do të ekstradohet drejt Italisë në rast se do të rezultojë fajtor? Burimet saktësojnë se prej disa javësh avokatët e Tahirit, edhe në Itali, po përpiqen të negociojnë përmes mënyrave ligjore që ish-ministri i Brendshëm të mos ekstradohet drejt Italisë, por vendi ku do të duhet të kryejë dënimin të jetë Shqipëria. Ndërsa janari pritet të jetë koha kur Tahiri nuk do të mundet dot t’i shpëtojë verdiktit të Drejtësisë, pikëpyetja është nëse qelia e tij do të jetë në Itali apo në Shqipëri?

Çfarë thoshte Tahiri më 24 tetor

Saimir Tahiri më 24 tetor doli në një konferencë për shtyp dhe nxorri një dokument të cilin e sillte si provë se nuk po hetohej nga Prokuroria e Katanias. Tahiri u shpreh se i kishte nisur kërkesë italianëve për t’u informuar nëse ishte në hetim për akuzat si i përfshirë në trafik droge apo jo, dhe shtoi që përgjigjen e kishte marrë për 48 orë.
Por, sot Top Channel tregoi se si kishte kontaktuar 3 avokatë profesionistë italinë dhe i kishte pyetur për vërtetësinë e këtij dokumenti. Sipas të treve, dokumenti nuk mund të jetë origjinal pasi i mungojnë disa shenja identifikuese, si psh. stema e republikës apo barkodi.
1 muaj e gjysëm më parë kur tundte dokumentin para kamerave, Tahiri luante rolin e viktimës kur thoshte se si ka mundësi që Prokuroria e Katanias nuk ka asnjë detaj që të nisë procedimin penal ndaj tij, ndërsa Prokuroria jonë për 48 orë kërkoi arrestimin e tij. “Prokuroria e Katanias nuk ka gjetur asnjë detaj që të nisë një procedim penal ndaj meje, por si ka mundësi që prokuroria jonë, me letra, brenda 48 orëve kërkoi arrestimin tim?”
Ish-ministri i Brendshëm mohonte se ishte ai “Saimiri” që përmendej në përgjimet e Moisi Habilajt. “Aty flitet për një Saimir që ka kamiona. Unë nuk mund të isha edhe bosi edhe shoferi i bandës” është shprehur Saimir Tahiri më 24 tetor.

Arben SHAHINI

Falsifikimi i dokumentit nga Tahiri, krim i rëndë në Itali

 

Dy muaj më parë, ish-ministri Tahiri ka bërë publike një dokument për të cilin deklaroi se i kishte mbërritur nga Prokuroria e Katanias. Dokumenti, tha Tahiri, vërteton se ndaj tij nuk ka nisur asnjë procedim penal. Por, dyshimet tashmë janë se ai dokument i paraqitur nga deputeti është i falsifikuar.
Krahasimi i dy dokumentave atij që Saimir Tahiri paraqiti nga selia e Kuvendit të Shqipërisë për të provuar se nuk po hetohet në Itali, me dokumentin që ka arritur të sigurojë “Top Channel” hedh hije të forta dyshimi. Avokatë italianë kanë vëzhguar ndryshime esenciale, sepse sipas tyre dokumenti i paraqitur nga Tahiri nuk ka një barkod të skanueshëm, nuk ka logon e Prokurorisë së Katanias, nuk ka stemën e Republikës italiane që është në çdo dokument zyrtar të këtij shteti. Ai vërtet ka një firmë, por nuk ka emrin e personit të sekretarisë, që e ka lëshuar këtë dokument. Për të gjitha këto arsye dyshohet, se dokumenti i servirur nga Saimir Tahiri është i manipuluar.
Një ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” ndaj deputetit Tahiri dhe urdhëroi sekuestrimin e pasaportës së tij si dhe “çdo mjet tjetër identifikues të tij të vlefshëm për daljet jashtë shtetit”. Prokuroria paraqiti në Gjykatë përgjimet e trafikantëve të “grupit Habilaj”, të pa publikuara më parë, që implikojnë Tahirin në trafikun e drogës.

Si mashtroi Tahiri me dëshminë e pafajësisë

Dokumenti që nxori ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri para mediave më 24 tetor për të treguar se nuk po hetohet nga Prokuroria e Katanias është fals. Krahasimi i dy dokumentave atij që Tahiri paraqiti nga selia e Kuvendit të Shqipërisë për të provuar se nuk po hetohet në Itali, me dokumentin që ka arritur të sigurojë “Top Channel” hedh hije të forta dyshimi. Avokatë italianë kanë vëzhguar ndryshime esenciale, sepse sipas tyre dokumenti i paraqitur nga Tahiri nuk ka një barkod të skanueshëm, nuk ka logon e Prokurorisë së Katanias, nuk ka stemën e Republikës italiane që është në çdo dokument zyrtar të këtij shteti. Ai vërtet ka një firmë, por nuk ka emrin e personit të sekretarisë që e ka lëshuar këtë dokument. Për të gjitha këto arsye dyshohet se dokumenti i servirur nga Saimir Tahiri është i manipuluar.
Emri i Saimir Tahirit për herë të parë doli nga dosja e Habilajve e Prokurorisë së Katanias. Për të vërtetuar që përdorimi i emrit të tij ishte rastësor dhe i papërfshirë në hetime, ish-ministri i Brendshëm doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se brenda 48 orëve kishte mundur të merrte nga Prokuroria e Katanias këtë vërtetim që dëshmonte se ai nuk është person nën hetim nga italianët.
“Brenda 48 orëve me një kërkesë fare të thjeshtë, unë sigurova këtë dokument nga Prokuroria e Katanias. Ky dokument mban datën 23 dhe thotë se, përsa i përket shtetasit Saimir Bashkim Tahiri, i lindur më 30 tetor 1979, nuk rezulton sot dhe më herët deri në këtë datë, që të ketë pasur ndonjëherë procedim penal nga Prokuroria e Katanias”, deklaronte Tahiri më 24 tetor.
“Top Channel” për shkak të çështjes tejet të ndjeshme dhe personit që përmendej në dosje, i kërkoi Prokurorisë së Katanias sqarime të mëtejshme për rastin në fjalë.
Përgjigjja nga zyra e Prokurorit të Katanias ishte se, prokurori nuk e sheh të arsyeshme të përgjigjet. Në këtë moment, kërkuam të dinim sesi mund të merrej një vërtetim i tillë.
Për këtë ne pyetëm një studio avokatie në Katania. Avokatja Carmen Gulizia na shpjegoi se, një vërtetim të tillë mund ta kërkojë çdo shtetas, italian ose jo, fizikisht ose me ndërmjetësinë e një avokati italian.
Atëhere ne autorizuam avokaten Carmen Gulizia, që të kërkonte një vërtetim të tillë për ne. Pasi kërkesa u dorëzua, pritëm 48 orë. Përgjigjja nuk erdhi. Përgjigjen avokatja jonë e mori pranë kancelarisë së Prokurorisë vetëm pas 7 ditësh.
U interesuam nëse vonesa kishte të bënte me ne. Por avokatja italiane na shpjegoi se, një dokument i tillë nuk mund të merret për 48 orë. Edhe nëse do të ishim paraqitur vetë fiziksht pranë Prokurorisë së Katanias, afati nuk ndryshon.
Në bashkëpunim edhe me kolegët e MeridioNews iu drejtuam atëherë dy studiove të tjera në Katania, përfshirë kreun e Dhomës Penale të Katanias, të cilët na siguruan dokumenta të tjerë, kësaj here të shtetasve italianë, të cilëve u kemi mbuluar emrat për efekt privatësie. Ajo që vumë re fillimisht është që afati i marrjes së dokumentave është për të gjithë mbi një javë pas depozitimit të kërkesës.
Në njërin prej dokumentave nuk ka firmë, por është një skan-kod shtesë në të djathtë lart. Avokatët na sqaruan se, nëse dokumenti merret në mënyrë elektronike me e-mail, i vihet ky skankod shtesë. Nëse merret fizikisht, me postë apo pranë sekretarisë, ka firmë.
Përveç kësaj, dokumentat janë identikë me dokumentin tonë. Por, të krahasosh dokumentin tonë me dokumentin e paraqitur nga ish-ministri Tahiri, me sy të lirë këto 2 dokumenta janë shumë të ndryshëm, edhe në përmbajtje, por sidomos në formë. Pse?
“Dokument të tillë nuk kam parë kurrë. Jo vetëm që nuk kam parë, por nuk janë të tillë dhe mund ta shohim. Është e dukshme! mungojnë një sërë gjërash. Së pari, nuk është logo e Republikës së Italisë, që duhet të jetë në çdo akt zyrtar italian. Nuk është barkodi, që është një kod që shërben për të identifikuar aktin dhe cili e ka lëshuar këtë akt. Ka një numër protokolli dhe mbi të gjitha, këtu thuhet: Nuk rezultojnë regjistrime. Duket sikur dikush e ka parë këtë dhe e ka shkruar në mënyrë pak të shpejtë, sepse ligji italian nuk thotë nëse ka apo jo regjistrime, por thotë: Nuk rezultojnë regjistrime të mundshme për t’u njoftuar. Por e përsëris, ka një dallueshmëri objektive. Mjafton që të shikoni, ky është origjinali ky është dokumenti që më keni treguar. Janë të papërputhshëm! Jo të ndryshëm, të papërputhshëm. Ky është një dokument fals. Domethënë, nuk mund ta them që është fals, është një krim i rëndë “falsifikimi i akteve publike”. Është një nga krimet më të rënda të parashikuara në Kodin tonë Penal”, thotë avokati, Gofrredo D’Antona.
“Absolutisht më duket një dokument jo origjinal, duke marrë parasysh që dokumenti i Prokurorisë, pra ai zyrtari ka një bar kod, ka kokën me logon, ka një kod të skanueshëm. Ky është modeli që lëshohet nga Prokuroria e Katanias. Nuk më rezulton që të ekzistojnë të tjera. Kjo vulë nuk mund të them ç’është, por nuk mund të përjashtoj që të jetë e vërtetë. Por ama nuk tregon se cili është burimi që e ka vendosur. Ka një firmë me stilolaps, por jo emrin e punonjësit të Kancelerisë që e ka lëshuar. Mirëpo, nuk është e thënë që edhe nëse ekziston një procedim penal në ngarkim, ai të shkruhet dhe të jetë pjesë e dokumentit të lëshuar, sepse në shumicën e rasteve në çertifikatë shkruhet: nuk rezultojnë regjistrime të mundshme për t’u njoftuar. Çka do të thotë që, një subjekt mund të jetë i hetuar për krime të rënda, por pa iu komunikuar kjo, sepse duke qenë një sekret hetimor është e natyrshme që nuk do të tregohet në një dokument që i lëshohet subjektit, që është objekt i atij hetimi”, thotë Enrico Trantino, Kryetar i Dhomës Penale te Katanias.
Pra në bazë të këtij investigimi dhe intervistave, duket që kemi të bëjmë me 2 vërtetime të ndryshme; ai i siguruar nga ne, nëpërmjet avokates Carmen Gulizia dhe ai i zotit Tahiri me mangësitë e formës dhe të përmbajtjes që ka.
“Top Channel” siguron që vërtetimi i marrë nga ne ka dalë nga Prokuroria e Katanias, zyrtar dhe sipas afateve që parashikon procedura. A mund të thotë zoti Tahiri të njëjtën gjë për dokumentin e tij? Dhe më kryesorja, siç thotë edhe kryetari i Dhomës Penale të Katanias, edhe po të ishte një dokument origjinal, nuk vërteton në mënyrë të prerë, nëse ndaj Saimir Tahirit ka apo jo ndjekje penale nga Prokuroria e Katanias.

Habit avokati Haxhia i Tahirit: E morëm privatisht dokumentin për Tahirin në Prokurorinë italiane

Avokati i Tahirit, Maks Haxhia ka surprizuar opinionin duke deklaruar se, dokumenti i paraqitur nga ish-ministri i Brendshëm ku provohet se ndaj tij nuk ka një proçedim penal në Itali është marrë në mënyrë private. Haxhia ka shkuar më tej duke thënë se, dokumenti është marrë nga Sekretaria e Prokurorisë dhe jo sikurse duhej marrë përmes aplikimit. Po sipas Haxhisë, dokumenti i paraqitur nga Tahiri publikisht se ai ishte i pastër në Itali nuk ka vlerë ligjore. Avokati është munduar të mbrojë në këtë mënyrë klientin e tij, i cili ndodhet para një tjetër skandali në Itali që përbën një krim të rëndë.
“Nuk ka vlerë juridike. Letra që kemi marrë ne nuk është për të vërtetuar dhe paraqitur procedurialisht në formën e kërkuar. Nëse do të vinte rasti për ta bërë këtë, do t’i drejtoheshim titullarit të institucionit të Prokurorisë së Katanias”, tha ai.
Avokati Haxhia tregoi në “Top Story” ndryshimin, sipas tij, të letrës së bërë publike nga Saimir Tahiri më 24 tetor dhe letrës së publikuar nga “Top Channel” në edicionin qendror të kësaj të mërkure.
“Ka dy mënyra sesi tërhiqet një letër. Letra juaj (Top Channel) është marrë nga titullari i institucionit, kurse letra jonë është marrë nga Sekretaria e institucionit. Kur merret nga titullari është ndryshe, kurse ky i yni ishte një dokument i marrë në Sekretarinë e Prokurorisë së Katanias”, u shpreh Haxhia. Avokati tha se çdokush mund të marrë një vërtetim në lidhje me një çështje të tillë.

Krimi zgjedhor, 1500 euro për 7 vota, çerek ore para mbylljes së votimit

Sistemi zgjedhor aktual nuk garanton besim. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, duke folur në konferencën për aplikimin e teknologjisë së zgjedhjeve, tha se nuk bëhet fjalë për të përmirësuar një sistem, por për të zëvendësuar një sistem të dështuar.
Edhe dje, Bylykbashi solli përpara të pranishmëve denoncime dhe shifra marramendëse të blerjes së votave dhe se si funksionon krimi zgjedhor deri në minutat e fundit para se të mbyllej procesi i votimit.
Duke evidentuar problematikat në proceset zgjedhore të kaluara, Bylykbashi tha se teknologjia është e kushtueshme, por fare mirë do të ulë në mënyrë drastike një numër kostosh që i kemi sot në proces.
“Problemet në administrimin e zgjedhjeve të tjera nuk kanë ikur dhe për fat të keq janë shtuar dhe rënduar probleme të tjera. Shitblerja e votës është prioriteti numër një i OSBE-ODIHR, prioriteti numër dy është presioni mbi zgjedhësit jo vetëm në administratë, por tashmë dhe tek privati dhe abuzimi me fondet shtetërore. Jemi para një game shumë të madhe. Nëse në 2009 i futëm kartat e identitetit si një zgjidhje dhe garanci për zgjedhësit. Menduam se do të zgjidhet problemi. Për fat të keq në tre palët zgjedhjet e fundit karta e identitetit ka filluar të kthehet në një problem shumë të madh për të drejtën e votës. Karta e identitetit po përdoret për të prenotuar në avancë edhe 3 ose 4 muaj më parë votën e një zgjedhësi dhe kjo bëhet që të mos shkojë dikush tjetër ta ‘pronotojë’ dhe kjo bëhet përkundrejt pagesës. Ka dhe më keq se kaq, zgjedhësve u merret karta kundrejt pagesës dhe u kthehet ditën e hënë pas zgjedhjeve, duke u mohuar të drejtën për të votuar”, tha Bylykbashi.
Ai theksoi se, “që kjo të jetë efektive, kjo ndodh përmes përdorimit në shkallë të gjerë të rrjeteve kriminale, të atyre që kur trokasin në derë për të marrë kartën janë të sigurt ata qytetarë, që nëse nuk e bëjnë atë që kërkohet të hënën apo të martën do të ritrokasin në derë këta persona për t’i pyetur: Pse shkuat të votoni? Sot votohet në emër të emigrantëve. Nuk votojnë emigrantët. Ky është një sistem pasiv në listat e zgjedhësve”. Bylykbashi tha se, kjo ndodh përmes përdorimit të kartave të falsifikuara apo mbushjes me të njëjtën dorë me firma të ndryshme, në emër të personave të tjerë votojnë persona që nuk kanë lidhje me ta. Ndaj dhe deputeti demokrat theksoi se, këto e bëjnë të domosdoshme që të vendosen filtrat e identifikimit të zgjedhësve në qendrat e votimit në mënyrë që këto të mos përsëriten.
“Administrimi i zgjedhjeve vazhdon të rëndohet nga fakti se, korrupsioni zgjedhor nuk lë pa prekur komisionerët. Nëse një familje në Manzë të Durrësit i janë ofruar 1500 euro për 7 vota çerek ore para se të mbyllet qendra e votimit dhe ky është fakt i pranuar jo më larg se para dy javësh, sigurisht që nuk është e vështirë të korruptohen komisionerët. Votat e partive numërohen për tjetër parti, jo vetëm për partitë e vogla. 2013 provoi sesi një subjekti të madh si PD në pushtet iu morën 1400 vota në Qarkun e Lezhës, u numëruan për një tjetër subjekt dhe u lëviz një mandat. Sigurisht u gjet ai rast më pas, po për partitë e tjera, ato të vogla që nuk kanë shans të kenë komisionerë dhe as numërues? Shqipëria nuk është pa përvojë në këtë histori përveçse kemi nisur diskutimet në 2007, kemi dhe eksperiencën e dështuar në 2013”, bëri të ditur Bylykbashi.
Ai bëri të ditur se, dy projektet pilote dështuan se patën vetëm katër muaj kohë. “Mund të kishte qenë mësim për KQZ dhe Parlamentin se çfarë duhej bërë ndryshe. Sot jemi në kushtet e tjera. Unë personalisht, duke qenë jurist dhe jo ekspert IT besoj më shumë tek letra. Përpara se të flasim cila teknologji është më e përshtatshne na duhet një arkitekturë shumë solide e sistemit, të kemi një grup personash të pavarur që të jenë atje për të çertifikuar që gjithë ajo që do të bëjnë ekspertët e IT nuk është diçka e manipuluar apo ka probleme dhe më pas zgjedhim teknologjinë. Sigurisht që kushton shumë, por besoj se përmes teknologjisë në votim do të ulim në mënyrë drastike një numër kostosh që i kemi sot në proces.
Në periudhën para dhe pas zgjedhore, në ato tre muaj rrotull zgjedhjeve fisku shqiptar humbet më shumë se 30 milionë euro nga humbja e detyrimeve për shkak të stanjacionit që krijohet dhe pasigurisë që krijohet lidhur me rrotacionet e mundshme. Sa më shpejt mbyllim procesin zgjedhor aq më shumë ulen këto lloj kostesh, që nuk i llogarisim asnjëherë. Jam i sigurt që teknologjia në votim nuk zgjidh gjithçka. Ndoshta do të krijohen dhe probleme të tjera, por le ta fashojmë kokën kur të thyhet.
Sot kemi një problem shumë të madh, kush beson tek ky sistem me 40 mijë komisionerë politik dhe shpesh herë jo vetëm të patrajnuar, por edhe të korruptuar? Nuk ka besim. Shqipëria i ka të dhënat biometrike, mundësitë për ta bërë janë. Ne na duhet eksperienca dhe ekspertiza më e mirë për të na thënë sesi duhet implementuar teknologjia në votim në Shqipëri dhe jo se nuk mund të bëhet. Për këtë të jeni të sigurt, ne e marrim vendimin vetë shumë thjesht”, tha Bylykbashi.

Nishani: Mazhoranca po injoron Kushtetutën

Ish-Presidenti Bujar Nishani në një prononcim për mediat ka folur në lidhje me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ish-kreu i Shtetit thotë se, Partia Socialiste po shkel Kushtetutën përmes akteve të njëanshme politike, të cilat janë të pavlefshme. “Nëse mazhoranca ka vendosur të injorojë Kushtetutën, shkelë Kushtetutën përmes akteve të njëanshme politike, natyrisht që ato janë të pavlefshme. Nuk besoj se do të ketë ndonjë individ që do sakrifikoj veten në raport me ligjin për të marrë në një moment të caktuar barrën e një synimi politik të një mazhorance, një partie kushdo qoftë ai”, thekson Bujar Nishani.

Prokurimet publike, turpi i kësaj qeverie!

Jorida TABAKU

A e dini se nga 33.618 procedura prokurimi 9613 procedura ose 28,5% të procedurave janë procedura me negocim pa shpallje? Kush mban përgjegjësi për këtë që 1 në 3 tendera janë pa garë, e ato që janë me garë i janë me garë totalisht fiktive? Unë sot e pashë se kush ishte përfshirë në këtë proces, e pashë se çdo vendim merrej nga individë që nuk kanë asnjë meritë tjetër përveç lidhjeve politikë e asnjë ditë pune tjetër në asnjë institucion përveç atyre në Komisionin e Prokurimit Publik.
Sot Komisioni i Ekonomisë pati një dëgjesë me kandidatët për Komisionerë dhe Kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik. Ligji i Prokurimit Publik ndryshoi për t’u përshtatur me BE dhe një nga kërkesat kryesore ishte rritja e pavarësisë së Komisionit të Prokurimit Publik, duke i dhënë rol Parlamentit në përzgjedhjen e kandidatëve. I gjithë procesi që u zhvillua përveçse është një farsë, por tregoi dhe fytyrën e vërtetë të Komiisonit të Prokurimeve Publike:
– Nga 10 kandidatë që konkuruan, 5 ishin kryetar/zëvendës kryetar dhe anëtarë aktualë të Komisioni të Prokurimit Publik, duke e bërë totalisht të pavlefshme kërkesën për pavarësi të këtij institucioni.
– Cilësia e kandidatëve linte për të dëshiruar, kur kryetar/zëvendës kryetar dhe anëtarë aktualë të komisionit nuk njihnin ligjin, procedurat, rregulloren nuk mbanin përgjegjësi për vendimet, nuk i kujtoheshin asgjë nga vendimmarrja e tyre në detyrë.
– Vendimet e Komisioni të Prokurimit Publik janë të gjitha të njëjta me ato të enteve prokuruese. Siç pohoi një nga kandidatët në 99 për qind të rasteve nuk ndryshohet vendimi pavarësisht ankimimit.
– Në disa vendime, të cilat u cituan nga opozita brenda të njëjtit vendim kishte dy qëndrime të ndryshme për të njëjtën çështje.
– Vendimet ishin qartësisht klienteliste dhe zv/kryetarit në detyrë nuk i kujtohej se pse kishin ndërruar vendimin psh për Koncesionin e Rrugës së “Kombit” ku u përzgjodh garuesi i dytë me ofertë më të pavaforshme ekonomike.
I gjithë procesi sot ishte një farsë, pak a shumë i njëjtë me procesin e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm (PPP), ose si çdo proces tjetër që zhvillon kjo qeveri.
Lufta ndaj korrupsionit është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie. Për të luftuar korrupsionin duhet vullnet politik që fatkeqësisht mungon. Këto na largojnë nga BE, vendimet, veprimet e vullneti i kësaj qeverie!

Korrupsion, vjedhje dhe paaftësi në Komisionin e Prokurimeve

Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu, ka denoncuar në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave korrupsionin dhe paaftësinë e anëtarëve të Komisionit të Prokurimeve Publike. Duke paraqitur fakte, Kadiu ka theksuar se anëtarët aktualë të këtij komisioni kanë treguar me punën e tyre se janë të përfshirë në afera korruptive.
Më pas, Kadiu ka publikuar qëndrimin e saj edhe nëpërmjet një statusi në “Facebook” në një kohë kur Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka marrë për shqyrtim emërimin e anëtarëve të rinj të këtij komisioni, por në garë marrin pjesë po anëtarët ekzistues. Ajo ka kërkuar shqyrtimin e punës së bërë nga këta anëtarë dhe hapjen e rrugës për shqyrtimin e kandidaturave të reja. “Sot Komisioni i Ekonomisë dhe Financave mori në shqyrtim kandidatët për kryetarë dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik.
Sigurisht që një pjesë e kandidatëve janë aktualisht pjesë e Komisionit. Por, nëse jemi në momentin e shqyrtimit të kandidaturave të anëtarëve ekzistues, duhet t’i referohemi punës së tyre në këtë entitet. Referuar një Vendimi të këtij Komisioni nr. 634 shikohet, në rastin më të mirë, paaftësia e tyre për të kontrolluar prokurimet publike të vendit.
Brenda të njëjtit vendim, dhe këtu i referohem ankimit të bërë të dy operatorëve ekonomikë, të cilët kundërshtuan vendimin “Për Furnizimin e shërbimit të Lavanderisë së Spitalit Rajonal Durrës”, një prokurim ky me një fond prej 166 milionë lekësh.
Korrupsioni dhe paaftësia e këtij institucioni duhet patjetër të marrë fund. Minimalisht i ftova të gjithë anëtarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të skualifikojnë anëtarët aktualë të KPP-së, duke i faktuar me fakte konkrete paaftësinë e tyre apo korrupsionin dhe duke i hapur rrugën kandidaturave të reja, të cilat mund ta ushtrojnë funksionin e tyre me më shumë përgjegjësi”.