Vitin e ardhshëm do të ishte mirë që të mos prisnim një rritje të pagës. Shqipëria figuron në listën e 9 ekonomive të botës, që jo vetëm nuk do të njohin rritje reale të pagave, por do të pësojnë rënie. Në këtë përfundim arrin një projeksion i fundit i pagave për vitin e ardhshëm, por që është kryer nga Korn Ferry, një prej firmave më të mëdha në botë të kërkimit, që kuotohet në bursë dhe që ka një kapitalizim tregu prej miliarda dollarësh. Nga ky projeksion aspak optimist për shqiptarët për vitin e ardhshëm, rezulton se, në Shqipëri pagat do të rriten me 2.6%, ndërkohë që çmimet do të rriten me 2.8%. Duke qenë se çmimet e shportës do të rriten me një ritëm më të shpejtë se pagat, atëherë rezulton se, pagat reale të shqiptarëve në 2018-ën do të bien me 0.2%. Sa i përket vendeve të tjera europiane, ku do të ketë rënie të pagave, mund të evidentojmë vetëm Mbretërinë e Bashkuar, Bjellorusinë dhe Finlandën, por vlen të përmendet se këto tre shtete janë në probleme aspak të vogla. Në krahasim me rajonin ndërkohë, në analizë veç Shqipërisë merret vetëm Serbia, ku pagat reale pritet të rriten me 2.1%. Rajoni ndërkohë, ai i Europës Lindore projektohet të regjistrojë një rritje reale të pagave prej 1.4% gjatë vitit që po vjen. Raporti më i fundit i Bankës Botërore të të bërit biznes vendos një fokus të veçantë te tregu i punës, pasi mban titullin: reformim për të krijuar vende pune. Pjesë e raportit të Bankës Botërore është edhe një tabelë me të dhëna të ndryshme mbi tregun e punës në të 190 ekonomitë e botës që merren në vlerësim nga institucioni me bazë në Uashington. Këto të dhëna shërbejnë si një bazë e mirëfilltë krahasuese dhe tregojnë diferencën e theksuar mes ekonomive. Nga këto të dhëna, rezulton se, Shqipëria është një ndër 5 vendet me pagat më të ulëta në rajon. Si referencë merret puna e një shitësi ose shitëseje, rreth 19 vjeç dhe me një eksperiencë 1-vjeçare pune. Rezulton se, për vendin tonë, kjo pagë fiksohet në 182.3 dollarë, çka përkthehet në 24 mijë lekë të pagës minimale ligjore në vendin tonë. Kjo shifër e vendos Shqipërinë në listën e pesë vendeve me pagën minimale më të ulët në Europë, si dhe vendin e parafundit në rajon. Më keq se vendi ynë është Bjellorusia me 156.9 dollarë në muaj, Kosova me 150 dollarë në muaj, Ukraina me 133.8 dollarë në muaj, si dhe Moldavia me 110.5 dollarë në muaj. Në rajon, Shqipëria dhe Kosova janë vendet me pagat më të ulëta, ndërkohë që në Mal të Zi, paga minimale fiksohet në 218.9 dollarë në muaj, Maqedoni, 242.5 dollarë, Serbi 212 dollarë dhe Bosnje-Hercegovinë 232.5 dollarë në muaj. Përveçse kanë rrogat më të ulëta në rajon, punonjësit shqiptarë janë përballur me përkeqësimin e standardeve të jetesës gjatë viteve të fundit. Banka Botërore deklaroi se rrogat në Shqipëri kanë rënë për katër vite me radhë, duke rrudhur të ardhurat e punonjësve me një intensitet të paprecedentë as për ekonomitë e zhytura në krizë të thellë. “Pagat nominale vazhduan rënien, e cila ka filluar që në fund të vitit 2013, por ky trend duhet të lehtësohet në vitin 2017 nga përfundimi i ngrirjes së rrogave në sektorin publik”, thuhej në një raport të publikuar kohë më parë nga BB. Rënia e pagave nominale nënkupton se punëtorët në Shqipëri po përballen me një krizë të paprecedentë të ardhurash. Kjo pasi, përveç rënies së rrogave në vlerë nominale, niveli i tyre i mirëqenies është përkeqësuar edhe nga rritja e çmimeve.
S’ka konsum, vendi në krizën e varfërisë
Instituti i Statistikave raportoi se tregtia me pakicë ka regjistruar një ecuri pozitive në tremujorin e tretë të vitit, kur indeksi i volumit të shitjeve është rritur me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në raport me tremujorin paraardhës, ky tregues, i përshtatur sezonalisht, është rritur 2%.
Rritja vjetore është ngadalësuar ndjeshëm këtë vit, në krahasim me nivele prej 6 dhe 8% që u raportuan në dy tremujorët e fundit të vitit të kaluar.
Rritje për gjithë grupet me përjashtim të hidrokarbureve
INSTAT vlerën se në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka pësuar një rritje prej 3,4%, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.
“Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, është rritur 1,7%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016. Indeksi i volumit të shitjeve, për grupin “Produkte jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 4,5%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës, duke dhënë në këtë tremujor ndikimin kryesor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë.
Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 4%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016”.
Ndryshimi tremujor në indeksin e volumit të shitjeve i përshtatur sezonalisht
Po kështu i njëjti indeks vlerëson se në tremujorin e tretë 2017, indeksi i volumit të shitjeve i përshtatur sezonalisht, në grupin e tregtisë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve është rritur 3,2%, krahasuar me tremujorin e dytë 2017.
“Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht, është rritur 2,7%, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht në tregtinë me pakicë, për grupin “Produkte jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur 3,4%, kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht është rritur 0,6%, kundrejt tremujorit të dytë 2017”, thuhet në indeksin e INSTAT.
Transporti i paligjshëm, alarmi i Shoqatës: Po lulëzon monopoli
Në disa prej linjave ndërqytetase ka lulëzuar transporti i paligjshëm i udhëtarëve, ndërkohë që kjo situatë po favorizohet nga mungesa e kontrolleve rigoroze”. Problematika është ngritur nga kreu i Shoqatës së Transportit Kombëtar Interurban, Kujtim Mema, i cili kërkoi marrjen e masave nga ana institucioneve përkatëse. “Një nga problemet kryesore dhe që ne na shqetëson kohët e fundit, është transporti i paligjshëm, në lulëzim e sipër. Problematikë në këtë transport të paligjshëm janë linjat Tiranë-Vlorë, Tiranë-Durrës, Tiranë-Korçë, të cilat kanë një lulëzim të paparë të transportit të paligjshëm, duke filluar që nga veturat 4-vendeshe e deri tek Sharan e furgona me targa të bardha, me targa të verdha, që vazhdojnë të lulëzojnë. Ne kërkojmë nga organet, ministritë, të vazhdojnë në mënyrë intensive dhe rigoroze kontrollin e transportit të paligjshëm”, tha Mema. Ndërkaq, Mema tha se përgjatë vitit 2018 do të ketë një rinovim të flotës së autobusëve, në masën 20-30%. “Ne kemi bërë pikët tona. Është e kërkueshme për të rritur cilësinë e shërbimit dhe rinovimi i flotës. Ne deri më sot, siç premtuam që para 2 vitesh me fillimin e reformës, kemi rinovuar flotën tonë deri në 40-50% të flotës së transportit. Do të vazhdojmë dhe vitin tjetër të rinovojmë dhe 20-30% të tjera”, u shpreh Mema. Mema përshëndeti edhe vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për shfuqizimin e licencave abuzive të dhëna nga ish-ministri, Sokol Dervishaj, që çuan në mbivendosjen e disa linjave të transportit ndërqytetas.
Milan kundër Raiola për ikjen e portierit
Pas zërave të ditëve të fundit se portieri Gianluigi Donnarumma mund të largohet nga Milani, që kanë turbulluar jo pak ambientin kuqezi, ka ardhur sot reagimi zyrtar i klubit. Ka qenë menaxheri Mino Raiola, ai që ka thënë se mund të anullojë kontratën e portierit e Milanin, duke qenë se ndaj lojtarit ka “presion psikologjik”. Ja reagimi i klubit kuqezi: “Gigio është një vlerë e klubit tonë, si në aspektin sportiv ashtu dhe atë financiar. E gjithë kjo është zyrtarizuar në kontratën që palët kanë nënshkruar deri në vitin 2021, ndërkohë që dialogu mes nesh nuk ka munguar kurrë”.
“Milani dhe çdo lojtar i tij është përqendruar për momentin te fusha dhe jo te merkato, pasi për të ka ende kohë. Sot, nuk është koha të flasim për gjëra që nuk kanë lidhje me fushën. Donnarumma gëzon respektin e të gjithëve, kolegëve, trajnerit dhe drejtuesve të klubit”, thuhet në deklaratën e Milanit, që kërkon t’i vërë kapak thashethemeve të ditëve të fundit për largimin e portierit 19-vjeçar.
“Dybala-s i ka humbur entuziazmi”
Pronari i Palermos, Maurizio Zamparini, pretendon se sulmuesi i Juventus, Paulo Dybala, akoma se ka kuptuar që paraja nuk të blen lumturinë dhe se ka humbur entuziazmin. Dybala e nisi mirë sezonin, duke shënuar 10 gola në gjashtë ndeshjet e para të Serisë A, por sulmuesi ka shënuar vetëm dy gola në 10 ndeshjet e fundit, duke mos gjetur rrjetën në asnjë prej ndeshjeve të Juve-s në Champions League.
“Ai po kalon një momente të vështirë, por nuk është për t’u shqetësuar”, shprehet Zamparini, i cili ka sjellë 24-vjeçarin në Evropë, tha për “Corriere dello Sport”. “Është një periudhë që e kalojnë të gjithë, sidomos ata që një moment fitojnë 400,000 euro dhe në tjetrin 10 mln euro. Është për të qeshur. “Ai akoma nuk e ka kuptuar që paraja nuk të blen lumturinë, dhe kjo do të ketë prishur balancat e tij, por ai është një djalë i zgjuar dhe do të dalë nga kjo situatë. “Nuk kam asnjë këshillë për Marotta-n apo Allegri-n, të cilët po bëjnë një punë të mirë. Ata thjeshtë duhet të presin me durim derisa t’i rikthehet entuziazmi”, tha ai.
Befason Matthaus
Ish-lojtari i Interit, Lothar Matthaus beson se Juventus nuk është më ai ekipi që kontrollonte Serinë A në vitet e kaluara. Bardhezinjtë do të ndeshen me Tottenham në 1/8 e Champions League, dhe gjatë një diskutimi legjenda e futbollit gjerman dha opinionin e tij për kampionët në fuqi të Serisë A. “Juventus nuk është i njëjti ekip që ka kontrolluar Seria A për vite me radhë”, shprehet Matthaus për “The Sun”.
“Mbase skuadra të tjera janë përmirësuar. Por mendoj se është më shumë nga që Juve ka humbur diçka, sidomos në prapavijë”. Ata duhet të bënin disa ndryshime, pasi humbën Dani Alves dhe Leonardo Bonucci.
“Bonucci ishte një lider në mbrojtje. Pa të, fuqia e vërtetë, bërthama e skuadrës së Juve-s ka ikur dhe Gigi Buffon nuk është më aq i ri sa për të bërë diferencën. “Nuk janë më aq të fortë në prapavijë si sezonin e kaluar, diçka e mirë për Kane dhe Pochettino-n”.
Sipas raportimeve, Chelsea po udhëheq bisedimet për të blerë mbrojtësin e Juventus, Alex Sandro në këtë merakto janari. Chelsea u përfol për mundësinë e transferimit të Alex Sandro që në merkaton e verës, me trajnerin Antonio Conte, që synonte të përforconte mbrojtjen. Trajneri i “Bluve të Londrës” kërkonte mbrojtësin e përfaqësueses së Brazilit për të konkuruar me Marcos Alonso, por Juventus u tërhoq nga marrëveshja, duke kërkuar një shumë të lartë për futbollistin. Klubi nga Seria A kërkoi plot £ 80milionë për mbrojtësin e majtë, duke detyruar klubin nga “Stamford Bridge”, që të zbehte interesimin.
Gjithsesi, sipas pretendimeve të tabloidit britanik, “The Sun”, transferimi i Alex Sandro, tashmë është sërish i mundshëm, dhe një marrëveshje që në merkaton e janarit ka gjasa që të realizohet. Raportohet gjithashtu se braziliani po insiston, duke u imponuar te Juventus, në mënyrë që të rrisë shanset e tij të transferimit. Ai thuhet se ka bërë të qartë se dëshiron të largohet nga ekipi gjigant i Serisë A, dhe se ka zgjedhur Chelsean si destinacionin e preferuar. Por, në garë për mbrojtësin e majtë të Juventus është edhe Manchester United, që synon 26-vjeçarin pas dështimit në blerjen e Danny Rose nga Tottenham. Sipas “The Sun”, Sandro është një objektiv prioritar për Jose Mourinho, që në janar, por vetë mbrojtësi brazilian është i vendosur të transferohet në “Stamford Bridge”.
Ndërkohë, Kapiteni legjendar i Romës, Francesco Totti, parashikon se skuadra e tij mund të fitojë titullin kampion këtë sezon në Serinë A. “Romës nuk i mungojnë golat e mi, pasi ka në sulm lojtarë të aftë që e bëjnë shumë mirë këtë gjë. Unë besoj se është më e lehtë për Romën që të fitojë kampion, ndërsa Juventusi të fitojë Champions League, ky është parashikimi im”, u shpreh Totti.
Francesco Totti u largua nga futbolli në fund të sezonit të kaluar dhe ka marrë dje nga e përditshmja italiane “Gazzetta Dello Sport” çmimin e karrierës. Ai e ka vlerësuar ecurinë e skuadrës në kampionat, duke thënë se me trajnerin di Francesco, ekipi mund të ecë shumë përpara. “Duhet të jemi të kujdesshëm, për të fituar ndeshjet me ekipet e “vogla”, pasi pikët e fituara aty të japin kampionatin”, tha Totti.
E ardhmja e dyshes Robben-Ribery vendoset në pranverë
Merkatoja e janarit pritet të jetë aktive për Bayern Munich që është në kërkim të një alternative në sulm për Robert Lewandowskin. Sandro Wagner sulmuesi i Hoffenheim-it qëndron në pole-position për t’u transferuar te kampionët e Gjermanisë gjatë këtij dimri, megjithatë nuk mungojnë alterntivat e tjera. I intervistuar për merkaton e Bayernit, shefi ekzekutiv i bavarezëve Karl Heinz Rummenigge u ndal edhe te dyshja Robben-Ribery, pasi të dy futbollistët janë në skandencë kontrate me klubin bavarez, pasi marrëveshjet aktuale u përfundojnë në verën e vitit 2018. Gjithsesi ekziston ende mundësia, që holandezi dhe francezi të rinovojnë kontratat e tyre me Bayernin.
I pyetur mbi këtë çështje, Rummenigge theksoi: “Janë dy futbollistë, të cilët meritojnë shumë. E dimë çfarë ata kanë dhënë për këtë klub dhe i vlerësojmë jashtëzakonisht. Megjithatë nuk kemi vendosur ende sesi do të veprojmë. Do të flasim me të dy dhe do të marrim një vendim për të ardhmen e tyre në pranverë”, theksoi shefi ekzekutiv i Bayernit, i cili konfirmoi edhe rikthimin në skuadër në verën e ardhshme të sulmuesit Serge Gnabry, i cili për momentin po luan si i huazuar tek Hoffenheim.
Conte: “Ishte performanca e tij më e mirë”
Pas humbjes 1-0 në transfertën e West Ham, Chelsea është rikthyer të fitojë në kampionat. 3-1 ka përfunduar sfida me Huddersfield Town në javën e 17-të të Premier League-s. I kënaqur trajneri Antonio Conte me performancën e të tijve, por në veçanti me Tiémoué Bakayoko, autori i golit të parë të Bluve.
“Ai bëri një ndeshje të mirë këtë mbrëmje dhe jam shumë i kënaqur për të, jemi duke folur për një lojtar 23 vjeç. Bakayoko përshtatet me idenë tonë të futbollit, dhe ndoshta këtë mbrëmje kam parë performancën e tij më të mirë”, u shpreh italiani.
Në detaje, ish-lojtari i Monaco-s duket se iu përgjigj pritshmërive të ish-trajnerit të Juventus-it, që shquhet për kërkesa të larta dhe një metodë pune shumë strikte. “Kam filluar të dalloj dhe të kërkoj atë që më duhet: për të gjetur pasimet e duhura mes linjave, ndryshimet në anësore, dhe gjithashtu të jem solid dhe i përqendruar gjatë gjithë ndeshjes”, u shpreh ndërkombëtari francez i cili mbërriti te Chelsea nga Monaco në verën e 2017-ës për 45 milionë euro plus bonuse.
Buffon: Është më i miri i Juves, por po nuk dëgjoi këshillat
Gianluigi Buffon, numri një i Juventus, ka folur për momentin delikat që po kalon shoku i tij i ekipit Paulo Dybala. Kohët e fundit me argjentinasin ka folur edhe Pavel Nedved. “Pavel është një kampion që ka fituar Topin e Artë dhe ka të drejtën të japë këshilla edhe për pozicionin që mbulon”, ka thënë Buffon.
“E njoh mirë Pavel dhe mund të them se i ka dhënë një këshillë gjakftohtë, si drejtues i klubit, i cili ka arritur të fitojë shumë falë përkushtimit dhe karakterit. Kështu, Paulo, që është numri një i Juventus për talentin që ka, sa më shumë t’i dëgjojë këshillat e këtyre ish-lojtarëve që sot përfaqësojnë klubin, aq më sukses do të ketë në karrierën e tij”, ka përfunduar portieri italian.
Buffon nuk heq dorë
Megjithëse mbush 40 vjeç më 28 janar, Gigi Buffon duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet në këtë moment. Kapiteni i Juventusit dhe kombëtares italiane ende ndihet në formë të madhe, teksa shpjegon për “Journal of Sport Awards” në Milano se ka për qëllim, tani për tani, që ta vazhdojë aventurën e tij me bardhezinjtë dhe axurrët. I nxitur nga prezantuesi televiziv dhe tifozi i madh i Juventusit, Massimo Giletti, i pranishëm bashkë me të në skenë, Buffon ka thënë: “Unë jetoj nga dita në ditë me Europianin 2020. A nuk e përjashton atë? Deri sa ju të më shihni në fushë, sa kohë që unë të ndjehem i dobishëm, do të doja të përgjigjem. Ashtu si edhe pas eliminimit kundër Suedisë, kam marrë shumë dashuri”.
Kapiteni italian dukshëm dëshiron për ta lënë pas eliminimin e hidhur nga “Rusia 2018” dhe do ta përfundojë në një mënyrë të ndryshme aventurën e tij në Kombëtare: “Kush do të hidhet nga kulla mes Tavecchio dhe Ventura? Asnjëri prej të dyve, tha ai. Ne fitojmë dhe humbasim së bashku. Ndonjëherë ne ngatërrojmë gabimet me kufijtë. Lotët pas disfatës kundër Suedisë llogariten për zhgënjimin e një njeriu, i cili ka dështuar t’u japë italianëve atë moment gëzimi, që meritojnë të kenë me pjesëmarrje në Kupën e Botës. Njeriu ka të drejtë për t’u ngacmuar dhe për të qarë. A e dini pse unë ende luaj në moshën 40-vjeçare, ndërsa Casillas dhe Julio Cesar jo? Sepse unë jam një mik i presidentit Agnelli”. Duke u kthyer te sezoni me Juventusin, Buffon shton: “Për fat të mirë konkurrojmë në fronte të shumta, ndaj nuk duhet të zgjedhim. Juve duhet të bëjë maksimumin. Atëherë, çfarë vjen, vjen… Vitin e kaluar shkoi mirë, përjashto finalen e fundit në Cardiff”, përfundoi Bufon.