Borussia Dortmund më në fund është rikthyer te fitorja duke mundur Mainz 2-0 falë golit të vetëm të takimit të shënuar nga greku Sokratis. Skuadra verdhezi e kishte harruar shijen e fitores, çka çoi në shkarkimin e trajnerit Bosz. Vendin e tij e zuri Stoger dhe austriaku e ka nisur me këmbë të mbarë.
Vetëm në fillim të ndeshjes dukej nervozizmi i vizitorëve dhe Mainz arriti të krijonte dy mundësi të mira shënimi, por pa sukses. Me kalimin e minutave miqtë përmirësojnë lojën e tyre dhe mundohen të zhbllokojnë rezultatin me Aubameyang dhe Toprak. Por ishte Sokratis ai që çliroi Dortmund pas një rrëmuje në zonë.
Rastet për të dyfishuar rezultatin ishin të shumta, por duhej pritur minuta e 89’ që Dortmund të vuloste fitoren e parë pas nëntë ndeshjesh. Tre pikë që e ngjisin BVB në zonën e Champions League ndërsa Mainz është në mes të luftës për të mos rënë nga kategoria.
Dortmund rikthehet te fitorja
“Icardi si Batistuta? Krahasim qesharak”
Gjatë një ndërhyrjeje telefonike në “DirecTV Sports”, Diego Armando Maradona, ka sulmuar haptazi trajnerin e Argjentinës, Jorge Sampaoli, për shkak të grumbullimit të kapitenit të Inter, Mauro Icardi. “Sot kemi një kombëtare të Argjentinës që kur shoh formacionin më kap frika. Mendoj se ka argjentinas më të aftë në qarkullim sesa ato që ka grumbulluar ky zotëri. Icardi? Duan të gjejnë Batistutën e ri te ai, por po gabohen rëndë. Nuk ka asnjë lidhje. Janë krahasime qesharake”, tha Maradona.
Më pas, Maradona vazhdoi: “Zanetti ka qenë përfaqësuesi i Icardit dhe nuk ka lënë njeri pa takuar për grumbullimin e tij. Një ditë kam folur edhe me Bauza. Më tha se kishte marrë tre telefonata në ditë nga Wanda Nara dhe habitej sesi bashkëshortja e lojtarit kishte numrin e tij të telefonit. Higuain? Njerëzit nuk po tregojnë respekt për të dhe kjo nuk është e drejtë. Është e vërtetë se ka humbur disa raste, por nuk mund të lësh jashtë një qendërsulmues që e njohin të gjithë për të marrë dikë që nuk e njeh askush”.
Pordenone tremb Interin
Ashtu si pritej Interi kaloi pengesën Pordenone dhe arriti çerekfinalen e Kupës së Italisë, ku do të përballet me njërën mes dyshes Milan dhe Verona. Ajo e “San Siro”-s ishte një ndeshje me më shumë dritë se sa hije për kryesuesen e Serie A, të cilës iu deshën goditjet e penalltive për të arritur kualifikimin, pas 120 minutave lojë në rezultatin 0-0.
Trajneri zikaltër Luciano Spaletti komentoi ndeshjen: “Rezervat nuk ishin në lartësinë e titullarëve? Pyetja është korrekte për mënyrën se si u zhvilluan gjërat sot, por nuk është kështu. Kush luajti më pak hasi më shumë vështirësi, sepse Pordenone ka kualitet të mirë në mesin e fushës. Ne nuk ia dolëm të merrnim në dorë frenat e lojës në pjesën e parë, u ndjemë të sfiduar dhe në vend që të luanim si skuadër krijuam konfuzion. Ndeshjet më pas komplikohen në nivelin psikologjik kur gjërat ecin në këtë mënyrë dhe kundërshtarët motivohen. Unë e di mirë, e kam përjetuar këtë lloj situate personalisht, e di se çfarë ndodh në raste të tilla”, tha Spaleti.
Ish-trajneri i Romës, në vigjilje të ndeshjes, kishte paralajmëruar lojtarët e tij: “Çfarë ndodhi? Ndodhi që trajneri nuk e kreu në mënyrën e duhur detyrën e tij. Ndeshjet fitohen duke luajtur dhe ne ishim nën nivelin tonë. Në pjesën e dytë bëmë më mirë, edhe në shtesë. Por ata ashtu si dhe pritej ‘parkuan autobusin’ përpara portës. Pordenone u mbrojt shumë mirë, dhe ndonjëherë u gjendëm në vështirësi, edhe ata goditën një shtyllë. Më mirë kështu, kisha humbur besimin tek shtyllat, dhe ato u rikthyen”.
Spaletti foli edhe për gjuajtjen e penalltive pas shtesës: “Eder kishte një problem muskulor, Cancelo preferoi të mos gjuante. Kur ka ndeshje të tilla, ku diferencat janë të mëdha, faktori karakter bën dallimin”, u shpreh drejtuesi i stolit zikaltër.
Askush nuk e priste këtë stërmundim të Interit: “Pordenone ndoshta e meritonte, por pastaj tek penalltitë gjithçka bëhet më e rëndë në ndeshje të tilla, ishte një kualifikim shumë i lodhshëm. Komplimente lojtarëve të mi sepse e merituan”.
Interit i janë dashur penalltitë për të mundur Pordenone-n, skuadër e Serisë C, dhe për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Ndeshja e luajtur në “San Siro” ka qenë e luftuar, me zikaltrit që kanë dominuar dhe kanë krijuar shumë raste, por goli nuk ka dashur të vijë. Shorti i penalltive i ka buzëqeshur zikaltërve, të cilët në çerekfinale do të presin fituesen e çiftit Milan-Verona, ndeshje që do të luhet nesër në mbrëmje.
Trajneri Spaletti kishte vendosur të lërë pushim pjesën më të madhe të titullarëve të skuadrës dhe diferenca ka qenë e dukshme në fushën e lojës. Milanezëve u ka munguar kthjelltësia para portës. Pordenone, gjithsesi, ka bërë një paraqitje të mirë dhe ka shkuar shumë afër golit në minutën 31-të, duke goditur shtyllën me Magnaghi-n.
James Rodriguez prish planet e Barcelonës
Referuar raportimeve nga Spanja, James Rodriguez i ka sugjeruar Real Madrid që të blejë Yerry Mina përpara se talenti të finalizojë një marrëveshje me Barcelonën. Yerry Mina është përfolur për një transferim të mundshëm te Barcelona, në përpjekjen e klubit katalanas për të zëvendësuar mbrojtësin drejt largimit, Javier Mascherano. Argjentinasi 33-vjeçar pritet të largohet nga “Camp Nou” në janar në kërkim të një ekipi ku të luajë rregullisht dhe Mina konsiderohet si zëvendësuesi i duhur.
Gjithsesi, James Rodriguez mësohet se po komploton për të bërë që transferimi i futbollistit të përfaqësueses kolumbiane drejt Barcelonës të dështojë, ndërkohë që synon që bashkëkombasi i tij të bëhet futbollist i Real Madrid. “Don Balon” pretendon se Rodriguez ka biseduar me presidentin e Real Madrid, Florentino Perez dhe i ka kërkuar atij që të konsiderojë blerjen e kolumbianit Mina që në merkaton e janarit, edhe pse raportohet gjithashtu se propozimi i Rodriguez ka rënë në vesh të shurdhët, me “Los Blancos” të painteresuar për blerjen e 23-vjeçarit.
Rama, puç kushtetues me zgjedhjen e Kryeprokurorit
Kryetari i Partisë Demokratike, Basha e ka përmbledhur qëndrimin e PD për zgjedhjen e Kryeprokurorit me tre fjalë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 3/5-at e votave, Veting
“Këto janë përcaktime të prera kushtetuese, që nuk mund t’i ndryshojë dhe nuk mund t’i shkelë askush. Sot nuk kemi krizë të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, por kemi krizë të dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe bllokimit të qëllimshëm të Reformës në Drejtësi. Prandaj Kuvendi dhe të gjithë institucionet e tjera duhet të merren me zgjidhjen e kësaj krize kushtetuese dhe jo me sajesa dhe arnime antikushtetuese, pazare politike, në kurriz të Kushtetutës”, tha Basha.
Cilat ishin dy qëllimet kryesore të Reformës në Drejtësi?
Qëllimi i parë, ishte pastrimi i drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të inkriminuar apo të paaftë përmes Vetingut, një frazë në anglisht që nuk ka shqiptar që nuk e di. Vetingu është procesi kushtetues i pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të inkriminuar apo të paaftë.
Qëllimi numër dy, pavarësia e drejtësisë nga politika. Pra, pavarësia nga partitë politike që do të thotë ndalimi i emërimeve politike i gjyqtarëve dhe prokurorëve politikë në sistemin e drejtësisë për të krijuar institucione të pavarura nga politika, të cilët administrojnë të gjithë sistemin e karrierës, promovimit, funksionimit, ndëshkimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Që këto dy parime, Vetingu dhe Pavarësia nga politika të ishin të paprekshme, të pandryshueshme, të patjetërsueshme nga asnjë politikan dhe nga asnjë forcë politike, u sanksionuan qëllimisht në Kushtetutë. Pra, Reforma në Drejtësi u blindua në Kushtetutë me një qëllim, për t’u mbrojtur nga çdo sulm dhe goditje politike, nga kushdo që mund t’i prishej mendja pas konsensusit dhe votës unanime të 22 korrikut me 140 vota të ndryshimeve kushtetuese. Kaq shumë u mishërua Reforma në Drejtësi në Kushtetutë, saqë është ndryshuar 1/3-ta e Kushtetutës në 22 korrik.
Të zbatosh Reformën në Drejtësi, do të thotë të zbatosh Kushtetutën. Reformë në Drejtësi jashtë Kushtetutës nuk ka e nuk mund të ketë.
Tani dua t’ju lexoj dhe t’ju komentoj shkurt nenet kryesore të Kushtetutës në lidhje me Prokurorin e Përgjithshëm dhe do t’ju lutem që këto t’ia përcillni dhe t’ia shpjegoni qytetarëve si media, për të shpërndarë mjegullën e mashtrimit dhe gënjeshtrës që mbizotëron debatin politik këto ditë.
Neni 148, A pika 1 e Kushtetutës.
“Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”.
Pra, ky nen përcakton shumicën, me të cilën Kuvendi duhet të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm që është tri të pestat dhe institucionin që i propozon kandidaturat për prokuror. Ky është Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Neni 148, A pika 2 sanksionon
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit”.
Pra, kjo pikë përcakton se është Këshilli i Lartë i Prokurorisë që administron proçedurën e përzgjedhjes së kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm dhe përcakton edhe parimet sesi KLP duhet t’i përzgjedhë këto kandidatura.
Neni 148 C, pika 2 sanksionon: Mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.
Ky nen përcakton diçka shumë të rëndësishme, përcakton institucionin që vendos se kur mbaron mandati i Prokurorit të Përgjithshëm dhe ky institucion është Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe neni përcakton se është ky Këshill me vendimin, që merr, që konstaton mbarimin e mandatit.
Neni 148 /Ç sanksionon
“Prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë, që emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit”.
Çfarë do të thotë kjo? Përcakton se çdo prokuror, përfshirë dhe Prokurorin e Përgjithshëm mund të emërohen vetëm, pasi të kenë kaluar Vetingun.
Neni 179, pika 6 sanksionon
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë krijohet brenda tetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji”.
Pra, ky nen sanksionon se KLP duhet të ishte krijuar 8 muaj pas 10 gushtit 2016, pra brenda 10 prillit 2017”. Përcaktimi i këtij afati në Kushtetutë është bërë me qëllim.
Së pari, Kushtetuta qëllimisht ka zgjedhur që mos t’i lërë askujt hapësirë të zvarrisë krijimin e KLP-së dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi. Prandaj është vendosur afati.
Së dyti, Kushtetuta qëllimisht nuk le hapësirë për periudhë tranzitore. Me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjitshëm, duke vendosur afatin e fundit të krijimit të KLP-së në prill 2017, pra i bie 8 muaj para se të mbarojë mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual.
Pra, Kushtetuta nuk le asnjë hapësirë për periudhë tranzitore dhe institucione të përkohshme. Çdo institucion i papërfshirë në Kushtetutë, i përkohshëm apo tranzitor, i krijuar me çfarëdo ligji, është antikushtetues dhe nuk ka asnjë vlerë, zero vlerë, zero.
Ligji për Prokurorinë i kaluar në mënyrë tinzare, pa opozitën, dhunon rëndë Kushtetutën dhe është bërë në mënyrë konspirative për të sabotuar krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe për rrjedhojë për të sabotuar krijimin e SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit dhe për të sajuar një Prokuror politik, pa Veting dhe të kapur nga 36 deputetë, pra gjysma e kuorumit të Kuvendit.
T’i përmbledhim dhe një herë argumentat.
KLP duhet të ishte lejuar tetë muaj më parë. Vetëm KLP mund të marrë vendime që kanë të bëjnë me mandatin e kryeprokurorit, Vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të administrojë procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm.
Kuvendi ka vetëm një rol në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, të votojë një nga tre kandidaturat që dërgon KLP. Dhe vetëm nëse njëri prej tyre merr të paktën 84 vota, zgjidhet kryeprokurori. Nëse Kuvendi nuk arrin këtë konsensus që deri në shtator ishte me dy të tretat, duke qenë se mazhoranca e kaluar i kishte tre të pestat, pra, nëse Kuvendi nuk arrin konsensusin mazhorancë opozitë, atëherë Kushtetuta ia heq të drejtën Kuvendit, dhe ia kalon Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas renditjes së tij.
Kandidatët duhet të kenë kaluar Vetingun, nuk ka kandidatë për Prokuror që s’ka kaluar Vetingun. Dhe mbi të gjitha, Kushtetuta nuk lejon asnjë hapësirë që të ketë institucione të përkohshme apo tranzitore në lidhje me Prokurorin e Përgjitshëm. Zero mundësi, zero hapësirë.
Këto janë faktet dhe në përfundim të këtyre fakteve dua të theksoj dhe diçka po kaq flagrante që ka të bëjë jo vetëm dhe thjesht me Prokurorin e Përgjithshëm, por me bllokimin antikushtetues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që sjell si pasojë bllokimin apo pengimin e krijimit të SPAK, siç është Prokuroria e Pavarur Speciale e luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe bllokon, po kështu, krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit si instrument i SPAK-ut për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ju kujtoj që Byroja e Hetimit dhe SPAKU është i vetmi ligj që Partia Demokratike votoi nga shtatë ligjet e zbatimit të Reformës në Drejtësi pas insistimit tonë dhe partnerëve për ta sjellë atë në parametrat e Kushtetutës të miratuar në 22 korrik.
Këto janë faktet për Prokurorin e Përgjithshëm. Gjithçka tjetër është propagandë, është gënjeshtër, iluzion, është antikushtetutës, është antireformë.
Basha-Ramës: Të tërhiqet menjëherë nga rruga antikushtetuese
-Zoti Basha, në kushtet kur mazhoranca ka thirrur sot kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, cili do të jetë hapi i rradhës që do të ndërmarrë Partia Demokratike? Do ta godasë këtë vendimarrje të Parlamëntit në Gjykatën Kushtetuese?
Dua të theksoj se, një mandat i siguruar në shkelje të Kushtetutës, është nul, është i pavlefshëm. Çdo person juridik me mandat të marrë në shkelje ligjore, është prapë nul. Pra, ky është fillimi i një rruge antikushtetueshmërie. Ne do të bëjmë atë që do të bënte çdo opozitë në kushte të tilla. Do të ndërmarrim çdo hap institucional dhe ligjor. Do të vetëdijësojmë partnerët dhe qytetarët shqiptarë për këtë puç kushtetues, do të denoncojmë, do të protestojmë. Ne nuk do të pranojmë kurrë një shkelje flagrante të Kushtetutës, me qëllimin e vetëm për të emëruar Edi Ramën, përveçse kryeministër me vota të vjedhura, edhe kryeprokuror në shkelje të Kushtetutës me një qëllim-mbylljen e dosjeve të krimit dhe korrupsionit dhe zhytjen e Shqipërisë edhe më thellë në rekordet e zeza të narkoshtetit. Këtë nuk do ta pranojmë kurrë! Përtej aksionit politik, që ne do ta shpalosim hap pas hapi, duke mirëkuptuar edhe kuriozitetin tuaj, është shumë e rëndësishme që ju të përcillni gravitetin, seriozitetin e gjendjes kritike, ku ndodhet vendi. Është dhunuar Kushtetuta. Vetë hapat që ka ndërmarrë Komisioni i Ligjeve deri më sot, janë në dhunim të hapur të Kushtetutës. Po krijohen institucione antikushtetuese nga Edi Rama. Kjo situatë, natyrisht, prek çdo qytetar, sepse një prokuror politik do të mbrojë dhe nuk do të luftojë politikanët e inkriminuar, krimin e organizuar dhe korrupsionin. Besoj se, në dritën e fakteve që kanë dalë deri më sot dhe janë lajmëruar nga mediat që do të dalin, është e qartë se çfarë katastrofe është për një shoqëri, për një komb, kur një drejtues i lartë i shtetit, është i kapur nga krimi, siç është rasti i Saimir Tahirit. Imagjinoni të kapet kryeprokurori nga krimi, nga narkoshteti, nga korrupsioni! Imagjinoni se çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë dhe shqiptarët! E vetmja mënyrë për ta parandaluar këtë është ndjekja e Kushtetutës. Pa paragjykuar askënd, zotëri apo zonjë, duhet të kalojë vettingun dhe të ndjekë procedurën kushtetuese të propozimit nga KLP dhe të miratimit maxhorancë-opozitë me 3/5-at. Nëse ky konsnesus, nuk gjendet, atëherë Kushtetuta e ka dhënë qartë zgjidhjen përmes renditjes që Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën.
-Keni një koment lidhur me deklaratat e Ambasadorit amerikan Donald Lu?
Nuk kam komentuar dhe nuk komentoj asnjëherë ambasadorët e huaj. Personalisht nuk mund ta imagjinoj që dikush nga trupi diplomatik, kushdoqoftë, t’i kërkojë Kuvendit të shkelë Kushtetutën apo t’i kërkojë Kuvendit që të mos bëhet vettingu i Prokurorit të Përgjithshëm, sepse kjo do të ishte jo vetëm pa sens, por do të ishte një thikë në shpinë të Reformës në Drejtësi, për të cilën kanë kontribuar në veçanti, të gjithë përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar.
-Zoti Basha, ju bëtë një interpretim të Kushtetutës dhe jam i sigurtë që edhe pala tjetër e ka bërë interpretimin e Kushtetutës, madje ka hedhur edhe hapat e mëtejshëm, duke bërë një seancë dëgjimore me kandidatët. Për të sqaruar pak më mirë qëndrimin e Partisë Demokratike. Ju thoni duhet ndjekur Kushtetuta, deputetët e PD-së në Komisionin e Ligjeve propozuan ndryshimin e Kushtetutës në nenet tranzitore, pasi KLP, siç thotë Kushtetuta, nuk është krijuar ende. Propozimin për dialog nga Kryeministri e keni refuzuar edhe publikisht. Ju para pak minutash pranuat që Adriatik Llallës i ka mbaruar mandati. KLP nuk është krijuar, propozim për ndryshim Kushtetute, vendi nuk ka një prokuror. Sipas qëndrimit të PD duhet të ketë një pasues të Llallës në këto momente? Duhet të qëndrojë Llalla në detyrë? Si do të gjendet një zgjidhje? A duhet të ketë një kryeprokuror të ri tani?
Natyrisht që vendi duhet të ketë kryeprokuror në kuptimin e parimit të vazhdimësisë së institucioneve. Siç është konstatuar nga të gjithë ekspertët, sa kohë një kryeprokuror i ri nuk është zgjedhur apo emëruar, kryeprokurori në detyrë do të vazhdojë ta mbajë detyrën, përndryshe, ai vetë konsumon një vepër penale, nëse e lë detyrën dhe lë vendin pa kryeprokuror. Çfarë kërkojmë ne? Ne kërkojmë formimin sa më shpejtë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë! Kush e ka mbajtur peng formimin e KLP-së? E para, ju e dini fare mirë se ekziston një instrument, i cili është tërësisht nën kontrollin politik të Edi Ramës për të kanalizuar të ashtuquajturat kandidatura të shoqërisë civile. Është pikërisht dështimi i procesit të kandidaturave të shoqërisë civile, që ka mbajtur peng formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Përgjegjësia për formimin e KLP është tërësisht e Edi Ramës. E dyta, ne kemi të gjitha arsyet të besojmë se kjo është e qëllimshme. Arsyeja më kryesore është sesi ka mundësi që një vit e gjysmë përpara se të ndodhte kjo, në shtator 2016, Edi Rama, fshehtasi, në mënyrë tinzare ka parashikuar në një ligj diçka që bie në kundërshtim me Kushtetutën, Prokuror të Përkohshëm, mosformimin e KLP-së. Ne besojmë se ekzistojnë të gjitha rrethanat se dështimi i formimit të KLP-së ka qenë një projekt politik i Edi Ramës, që të jetë në gjendje të diktojë një prokuror të ashtuquajtur të Përkohshëm vetëm me votat e tij. Qëllimi është për të mbrojtur nga akuza Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, oficerët e lartë të policisë, në kërkim, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn dhe veten e tij. Zgjidhja mund të vijë vetëm përmes Kushtetutës. Dhe për një zgjidhje përmes Kushtetutës, Partia Demokratike, siç e theksuat edhe ju, siç e kanë bërë të qartë edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në komision, ka qenë dhe mbetet gjithmonë e gatshme. Ajo për të cilën unë nuk mund të jem kurrë dakord është për një pazar politik, me qëllim nxjerrjen e një emri nga kapelja e politikës, si lepurin nga kapelja, që do të thotë një ftesë drejtuar Partisë Demokratike për të shkelur Kushtetutën, një ftesë drejtuar mua për të shkelur Kushtetutën. Kjo ftesë do të ketë, siç ka patur deri më sot, një JO të prerë dhe një paralajmërim të fortë Edi Ramës për të ndalur menjëherë procesin antikushtetues që ka vënë në lëvizje dhe për t’iu rikthyer Kushtetutës. Reforma në Drejtësi është në Kushtetutë. Nuk ka Reformë në Drejtësi jashtë Kushtetutës.
-Zoti Basha, ka pasur disa ftesa nga ana e kryeministrit Rama për dialog dhe që është refuzuar. Duam të dimë, të paktën, ka pasur komunikim në nivel zyrtarësh të lartë mes mazhorancës dhe opozitës gjatë kësaj kohe që edhe kryeministri ka bërë ftesa publike për dialog, qoftë edhe personalisht mes jush dhe z. Rama. Dua t’ju kujtoj ju keni bërë një marrëveshje më parë me Edi Ramën. Përse hezitoni edhe një herë, qoftë për të gjetur edhe një zgjidhje për krijimin e KLP-së?
Së pari, komunikimi mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste është zhvilluar në mënyrë institucionale në Komisionin e Ligjeve dhe në asnjë çast ne nuk kemi përjashtuar rolin tonë për të zhbllokuar Reformën në Drejtësi përmes zbatimit të Kushtetutës. Gjithçka duhet të kalojë përmes Kushtetutës! Jashtë Kushtetutës nuk ka dhe nuk mund të ketë, as dialog, as pazar, as marrëveshje. Sepse marrëveshja jashtë Kushtetutës, është marrëveshje kundërkushtetuese. Dhe shkelja e Kushtetutës është vepra më e rëndë që një apo dy politikanë mund të kryejnë gjatë shërbimit të tyre publik. Thirrja ime Edi Ramës, është të tërhiqet menjëherë nga shkelja e Kushtetutës, që ka vënë në lëvizje, përmes angazhimit antikushtetues së Komisionit të Ligjeve dhe rikthimi dhe gërma e Kushtetutës dhe për këtë nuk ka nevojë as për shfaqje, as për ceremonira, as për Facebook, as për tryeza, ka nevojë për një vetëdijësim, sepse ajo që kemi votuar me 140 vota më 22 korrik 2016, Reforma në Drejtësi, është këtu, është në Kushtetutë. 1/3 e Kushtetutës ka ndryshuar për Reformën në Drejtësi dhe se nuk mund të ketë Reformë në Drejtësi jashtë Kushtetutës. Dhe se nuk mund të ketë Prokuror të Përgjithshëm pa veting. Nuk mund të ketë Prokuror të Përgjithshëm të emëruar nga një parti politike, apo nga një kryeministër.
-Mediat kanë informacion që po lobon Vangjush Dako për zgjedhjen e Prokurorit të ri, njeri i akuzuar nga ju për afera korruptive. Keni të dhëna për këtë?
Për këtë proçes antikushtetutes, që sapo ka nisur ashtu siç e cekët ju, për çdo kandidaturë, po përmenden edhe padronët apo sponsorizuesit, apo siç i quajtët ju, lobuesit. Unë nuk preferoj të hyj në këtë valle dhe nuk preferoj të paragjykoj asnjë prokuror, asnjë gjyqtar, sepse unë dhe Partia Demokratike e kemi proçedurën se kush është i denjë për t’u propozuar dhe kush jo. Është proçedura e vetingut. E vendos vetingu se kush mund të propozohet! Dhe e vendos vetingu se të propozuarit zgjidhen nga Kuvendi me 3/5-at apo në rast të mungesës së konsensusit emërohen sipas renditjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dhe konsensusi që Edi Rama kërkon, është këtu, është në Kushtetutë. Kemi rënë dakort, e kemi bërë paktin, ky është pakti. Pakti i 22 korrikut është pakti për Reformën në Drejtësi. Çfarë tjetër kërkon? Kërkon të shkelë Kushtetutën? Kërkon të shkelë Reformën në Drejtësi? Prandaj kërkon pakt, që unë të bëhem me të bashkë, për të shkelur Kushtetutën dhe Reformën në Drejtësi? Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë! Kurrë! Nëse ai e bën, i vetëm ai do të ketë përgjigjen e merituar nga opozita, dhe jam i bindur, edhe nga qytetarët.
-Zoti Basha, ju flisni për hapa institucionalë që opozita duhet të ndërmarrë ndërkohë që pasdite sot do të flitet për kandidatët dhe një nga këta hapa institucionalë, mesa kemi mësuar ne, është mungesa në Komisione i anëtarëve të Partisë Demokratike. Ky ligj për KLGJ-në dhe KLP-në, faktikisht, është një nga ligjet që opozita i ka ankimuar në Gjykatë Kushtetuese, hap tjetër institucional që, faktikisht, nuk funksionoi. Cilat mund të jenë hapat institucionalë në momentin që, siç thoni ju, mund të shkelet Kushtetuta, duke zgjedhur një Prokuror i Përkohshëm me shumicë të thjeshtë? Si mund të ketë një hap institucional në momentin që shkelet Kushtetuta, çfarë mund të ndërmarrë opozita institucionalisht për të bërë një opozitë?
Siç e cekët edhe vetë, detyra e opozitës është që të mos bëhet pjesë e një veprimi antikushtetutes si ai që po konsumon Komisioni i Ligjeve me urdhër të Edi Ramës. Natyrisht ka edhe hapa të tjerë, por siç ju thashë, duke mirëkuptuar kuriozitetin tuaj, për scoop-in se çfarë do të bëjë opozita institucionalisht dhe politikisht, dua edhe një herë t’u përcjell qytetarëve dhe publikut, gjendjen e rëndë dhe kritike ku gjendet vendi. Jemi në prag të një puçi kushtetutes. Me një qëllim që Edi Rama të emërojë, apo të zaptojë kryeprokurorin e vendit, kur është në kulmin e akuzave publike dhe ligjore nga organi i akuzës dhe nga organet e akuzës në vendet fqinje për përfshirjen e eksponentëve më të lartë të partisë dhe qeverisë së tij në veprimtari kriminale, në trafikun e drogës dhe të armëve dhe në afera të tmerrshme korruptive. Dhe nëse vendos ta konsumojë këtë shkelje kushtetuese, nuk janë vetëm hapat institucionalë që opozita ka për detyrë dhe do t’i hedhë, por mbi të gjitha janë hapat politikë që na lindin ne si opozitë si detyrë, por që i lindin si detyrë çdo qytetari, sepse kjo pastaj është çështje e çdo qytetari, jo vetëm i opozitës.
-Zoti Basha, SHBA dhe BE kanë të njëjtin qëndrim. Pro një prokurori të përkohshëm. Kërkojnë të shkelin Kushtetutën?
Ju i referoheni opinionit të EURALIUS-it dhe OPDAT-it…
I referohem Ambasadës amerikane dhe të BE-së, por EURALIUS-it dhe OPDAT-it.
Nëse i referoheni thirrjeve për zbatimin e Kushtetutës këto janë edhe thirrjet tona. Të zbatohet Kushtetuta! Nëse i referoheni opinionit të EURALIUS-it dhe OPDAT-it, nuk ka asnjë vlerë, sepse ata nuk kanë asnjë tagër të interpretojnë Kushtetutën e Shqipërisë dhe nuk ka asnjë diskutim për këtë çështje. Kërkesa që është bërë nga Ulsi Manja, në mënyrë private dhe të fshehtë, nuk është e qartë se mbi ç’bazë ligjore ka marrë përsipër EURALIUS dhe OPDAT të sjellin opinionin e tyre, por di t’ju them se deputetët demokratë e morën vesh këtë, kur u rrodh në media. Në këtë kuptim Ulsi Manja, mund të keqpërdorë firmën dhe vulën e Komisionit të Ligjeve, por nuk mundet në asnjë mënyrë ta legjitimojë këtë si një akt që hyn në sistemin Kushtetutes të Shqipërisë, që është pa asnjë vlerë ligjore. E vetmja vlerë ligjore në intepretimin e normave që zgjedhin Prokurorin e Përgjithshëm, qëndron këtu, në Kushtetutën e Shqipërisë. Të tjerat janë pa pikë vlere! Zero vlerë!
-Partia Demokratike kërkon që Adriatik Llalla të rrijë në detyrë, 2, 3, 6 muaj derisa të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë?
Partia Demokratike kërkon zbatimin e Kushtetutës që Prokurori i ri të emërohet vetëm sipas Kushtetutës, me 3/5-at e votave siç parashikon Kushtetuta, siç jua lexova, dhe vetëm pasi të ketë kaluar vetingun.
Zoti Basha, ju mendoni se SHBA dhe BE duan të mbyllin dosjen e krimit, mqse kanë një qëndrim për zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm.
E bëra fare të qartë dhe dua ta përsëris. Thirrjet për të zbatuar Kushtetutën nga kushdo që vjen, janë jo vetëm të mirëpritura, por unison me qëndrimin e opozitës. Sikundër nuk mund të ketë kurrsesi ndonjë institucion ndërkombëtar, i cili të kërkojë dhunimin e Kushtetutës, ku mishërohet, Reforma në Drejtësi, pas 2 vjet e gjysëm përpjekjesh të faktorit ndërkombëtar, të opozitës, të Komisionit të Venecias. Ja ku është Reforma në Drejtësi dhe nuk mund t’i shkojë kurrë në mendje asnjë përfaqësuesi ndërkombëtar, t’i kërkojë shqiptarëve, apo faktorëve politikë, apo opozitës, të shkelin mbi konsensusin e 22 korrikut. Kjo për mua është e paimagjinueshme.
-Por të majtët kërkojnë një Prokuror të Përkohshëm.
Ky është interpretimi juaj. Për mua është e paimagjinueshme që ne të na kërkohet shkelja e Kushtetutës. Dhe përgjigja nëse do të na kërkohej, do të ishte e thjeshtë dhe e qartë.
Chelsea fiton me lehtësi
Chelsea nuk e ka pasur të vështirë të mposhtte skuadrën e Huddersfield me lojtarët e Antonio Conte-s që triumfuan me rezultatin e pastër 3-1. Heroi i ndeshjes ishte braziliani Willian me dy asiste dhe një gol teksa edhe Pedro me Bakayoko gjetën rrjetën ndaj skuadrës që sapo është ngjitur në Premier League.
Blutë e kishin të domosdoshme fitoren dhe nuk e kishin të lehtë duke parë edhe mungesën e Alvaro Morata për shkak të një dëmtimi në shpinë. Conte kishte zgjedhur të luante me Hazard në sulm të ndihmuar nga Willian dhe Pedro, të cilët kanë shfrytëzuar më së miri hapësirat e krijuara nga magjistari belg për të ndëshkuar kundërshtarin.
Goli i parë erdhi nga këmbët e Hazard, i cili me thembër jep topin për Willian që ia shtron Bakayoko-s, i cili nuk gabon. Pak më pas Willian merr një kros në zonë nga Alonso dhe dyfishon rezultatin. Pedro shënon golin e tretë që në pjesën e parë duke vulosur fitoren. Huddersfield shënoi golin e nderit në sekondat e fundit Chelsea i afrohet United dhe pret rezultatet e ndeshjes së nesërme teksa Burnley ka mundur Stoke me rezultatin 1-0 në fund të takimit dhe tani ndodhet në vend të 4-t duke lënë pas Liverpool.
Gundogan: Manchester City nuk ka fituar ende asgjë
Ilkay Gundogan theksoi se Manchester City nuk ka fituar ende asgjë në këtë sezon, pavarësisht nga një paraqitje mahnitëse e të besuarve të Pep Guardiolës, që gjenden 11 pikë avancë në krye të Premier League. Skuadra rekord e 14 fitoreve në Premier League e mbylli me një fitore 2-1 përplasjen direkte me rivalët e Manchester United në “Old Trafford”, të dielën e kaluar. Ndërsa Jose Mourinho tha se gara e titullit është “ndoshta e gjatë”, pas humbjes së derbit, Gundogan dhe Manchester City nuk do t’i heqin sytë nga trofeu në 22 ndeshjet e kampionatit, që mbeten. “Ne ende nuk kemi fituar ndonjë gjë”, tha Gundogan përpara udhëtimit të së mërkurës në Swansea City.
“Nuk jemi ende në gjysmë të rrugës së gjatë të sezonit. Ka shumë lojëra për t’u luajtur dhe shumë më tepër pikë për t’u fituar. Ne jemi duke shijuar momentin, ndoshta më shumë se 19 skuadrat e tjera në ligë. Kuptohet, ndihemi më së miri tani. E dimë se deri më sot kemi luajtur një sezon shumë të mirë, në të gjitha garat, jo vetëm në kampionat, kështu që ndihemi të sigurt për javët, muajt dhe ndeshjet e ardhshme. Ka shumë detyra që na presin, sidomos në dhjetor, për shkak të të gjitha ndeshjeve. Natyrisht, është situatë e njëjtë ngjeshjesh të ndeshjeve për çdo ekip, por është e vështirë dhe sfiduese. Kësisoji, ne do të fokusohemi në ndeshjen e ardhshme”. Manchester City po garon për nderime të shumta, pasi shorti i 1/8 finale të Champions-it e vendosi kundër Baselit, ndërsa çerekfinalen e “EFL Cup”, më 19 dhjetor, do ta luajë kundër Leicester City.
OSBE: Hetim rasteve të blerjes së votave
OSBE kërkon ndjeken penale të rasteve të denoncuara për blerjen e votave në zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të ndjekin me prioritet këtë çështje. Gjithashtu të gjitha shqetësimet e ngritura mbi zgjedhjet e 25 qershorit, blerjes së votave dhe intimidimit të votuesve në raportin e OSBE/ODIHR kërkohet që të reflektohen sa më parë në Reformën Zgjedhore. Deklaratat janë bërë dje nga kreu i misionit të OSBE në Tiranë, Bernd Borchard. “Jemi të gatshëm të ndihmojmë Komisionin dhe të nxisim fort të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ta bëjnë këtë qëllim kryesor të punës së Komisionit”, deklaroi ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i cili nënvizoi se çështjet në lidhje me perceptimet për blerjen e votës, financimin e fushatës, ndjekjen penale të rasteve të shkeljeve në zgjedhje të denoncuara në Polici dhe Prokurori, si dhe administrimi profesional i zgjedhjeve, duhet të jenë çështje prioritare, dhe jo vetëm në punën e Komisionit të Posaçëm. Deklaratat Borchard i bëri dje gjatë konferencës ndërkombëtare të nivelit të lartë “Teknologjitë e reja të votimit: standardet, praktikat më të mira dhe sfidat e përdorimit të teknologjisë në zgjedhje”. “Komisioni i posaçëm sapo ka filluar punë. Për ne në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri të ofruarit e mbështetjes për Reformat Zgjedhore është një traditë e gjatë dhe një nga shtyllat kryesore të punës sonë është ndjekja e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Jemi të gatshëm të ndihmojmë Komisionin dhe i nxisim fort të zbatojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ta bëjnë këtë qëllim kryesor të punës së Komisionit. Kjo nxitje nuk i drejtohet vetëm Komisionit të Posaçëm. Raporti i fundit për zgjedhjet e qershorit theksoi nevojën për veprime solide për të trajtuar çështjen e blerjes së votës dhe abuzimit me burimet shtetërore, edhe me ndjekje penale. Në këtë aspekt, teknologjitë e reja të votimit nuk mund të ndihmojnë shumë. Ne mirëpresim faktin që Prokuroria ka hapur çështje për abuzimin me burimet shtetërore dhe ne i bëjmë thirrje Prokurorisë të ndjekë edhe rastet e ditura të blerjes së votës”, tha ambasadori i OSBE.
Ai theksoi rëndësinë e besimit të publikut te zgjedhjet si bazë për teknologjitë e reja të votimit, nevojën për t’i testuar ato përpara se të vihen në përdorim përmes projekteve pilote dhe nevojën për informim të mjaftueshëm publik, edukimin e zgjedhësve dhe trajnim të stafit të zgjedhjeve. “Besoj se kjo është koha e duhur për të diskutuar aplikimin potencial të teknologjive të reja në zgjedhje, sepse ka ende mjaft kohë deri në zgjedhjet e ardhshme, por vendimet duhet të merren shpejt. Gjithashtu, dua të nënvizoj se është e domosdoshme të vijojmë të kemi në fokus rekomandimet e tjera të ODIHR-it për zgjedhjet e fundit dhe ato të mëparshmet. Çështjet në lidhje me perceptimet për blerjen e votës, financimin e fushatës, ndjekjen penale të rasteve të shkeljeve në zgjedhje të denoncuara në Polici dhe Prokurori, si dhe administrimi profesional i zgjedhjeve, duhet të jenë çështje prioritare, dhe jo vetëm në punën e Komisionit të Posaçëm. Autoritetet shqiptare duhet që të shqyrtojnë me kujdes opsionet për çdo zbatim të ardhshëm të teknologjive të reja të votimit. Për këtë arsye, rekomandimet dhe konkluzionet e kësaj konference do t’i paraqiten Kuvendit të Shqipërisë”, tha Borchard. Konferenca u organizua nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe mbështetet financiarisht nga ambasada e Suedisë. Përfundimet dhe rekomandimet e dala nga konferenca do t’i paraqiten Kuvendit të Shqipërisë, për t’u marrë në konsideratë gjatë diskutimeve për Reformën Zgjedhore.
Rëndësia e numërimit elektronik dhe aplikimi i teknologjisë në votim
Me prioritet ambasadori i OSBE citoi edhe aplikimin e teknologjisë së re në procesin e votimit, konkretisht numërimin elektronik, një kërkesë e hershme kjo e opozitës për Reformën e ardhshme Zgjedhore. “Disa shtete pjesëmarrëse të OSBE-së po përdorin teknologjitë e reja, ndërsa disa të tjera e kanë ndaluar përdorimin e tyre dhe i janë kthyer metodave zgjedhore të bazuara te letra. Madje, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë arriti deri aty sa t’i ndalonte teknologjitë e reja të votimit si jotransparente. Prandaj, duhet të diskutojmë gjerë e gjatë për të mirat dhe të këqijat e teknologjive të reja të votimit. Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së që filluan të përdorin teknologjitë e reja të votimit e bënë këtë për shkak të potencialit të tyre: rritjes së pjesëmarrjes së votuesve, përfshirjes së qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, kostos më të ulët të administratës zgjedhore në planin afatgjatë, përmirësimin e saktësisë së numërimit. Megjithatë, përfitimet janë vetëm të mundshme dhe sigurisht që përdorimi i teknologjive të reja të votimit për zgjedhjet është kompleks dhe i shtrenjtë. Për të mos përmendur se proceset demokratike janë të fundit që ne do të dëshironim të shihnim nën sulme kibernetike. Ka rreziqe në përdorimin e teknologjive të reja të votimit dhe të gjitha duhet të merren parasysh. Teknologjitë e reja të votimit nuk mund të krijojnë besim dhe nuk mund të zëvendësojnë besimin te sistemi zgjedhor. Por unë ju rekomandoj të shqyrtoni numërimin elektronik, i cili nuk do të kërkonte shpenzime financiare të pamata, do të ishte offline, pra nuk do të sulmohej lehtë nga piratët e kibernetikës, si dhe mund të kontribuonte në depolitizimin e një pjese të administratës zgjedhore”, tha Borchard.
Shpërthen Ibrahimoviç
Ibrahimoviç, tashmë te Manchester United, u largua përgjithmonë nga Barcelona në vitin 2011, sapo Messi kishte nisur të zhvillohej në pushtuesin e botës. Sulmuesi suedez ka rrëfyer edhe më parë marrëdhënien e tij me trajnerin e asaj kohe Guardiola. Tashmë, duke folur pas humbjes së United 2-1 në derbin ndaj Manchester City të drejtuar pikërisht nga Guardiola, Ibrahimoviç zbuloi saktësisht se si ishte jeta në aventurën e tij të shkurtër në “Camp Nou”. “Unë isha te Barça për një arsye. Kisha shënuar shumë gola në gjashtë muajt e parë dhe fituam dy Superkupa. Gjashtë muajt e parë ishin perfekt. Pas asaj, ne ndryshuam sistemin dhe taktikat, çka nuk ishte në favorin tim, ndaj dhe drejtuesit e klubit më thanë që të komunikoja me Guardiolan”, tregon Ibra.
“Kështu që i thashë Guardiolas se ai po sakrifikonte futbollistët e tjerë për Messin. Ai më tha se më kuptonte mua. Pas asaj ai më la në stolin e rezervave për ndeshjen tjetër, atë pas asaj dhe tjetrën pas asaj. Dhe mendova me vete: ‘ai e zgjidhi shumë mirë problemin!’. Më pas nuk më foli më kurrë dhe as që më shikonte. Nëse unë futesha në një ambient, ai dilte jashtë. Nëse unë shkoja ta takoja, ai largohej diku tjetër. Kuptova që kishte diçka përtej futbollit. Por problemi ishte i tiji, ishte ai që nuk kishte zgjidhur problemin me mua”, vijoi rrëfimin e tij sulmuesi i Manchester United.
“Kujtoj në ditën e parë, kur ai më tha se futbollistët e Barcelonës nuk shkonin në stërvitje me Ferrari apo me Porsche. Ai më kishte paragjykuar që atëherë, por nëse nuk e njeh një person, atëherë nuk mund ta gjykosh atë. Unë pata eksperiencën time me atë. Nuk e di për të tjerët. Por lexova të njëjtën gjë që kishte ndodhur edhe me Mario Mandzukiç dhe Samuel Eto’o. Ai nuk ishte trajneri më i keq me të cilin kisha punuar, por ishte padyshim më i papjekuri, sepse një burrë i zgjidh porblemet e tij”, deklaroi Ibrahimoviç për “Sky Sport Italia”.
Pse Trump ka të drejtë për Jeruzalemin
Alan Dershowitz
Vendimi i Presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit është një përgjigje e përsosur ndaj vendimit të verbër të marrë nga Presidenti Barack Obama për të ndryshuar politikën amerikane, kur arkitektoi rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që dekretonte si “territore të pushtuara” vendet më të shenjta të hebraizmit në Jeruzalem, duke i barazuar me një “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”. Ka qenë Presidenti Obama, ai që ka ndryshuar statuskuonë dhe e ka bërë paqen më të vështirë, duke u dhuruar palestinezëve një avantazh të madh negociues dhe duke u hequr atyre stimulin për të pranuar një kompromis paqeje.
Prej shumë kohësh, politika e jashtme amerikane i vendoste veton çdo rezolute unilaterale të Këshillit të Sigurimit që quante “të pushtuara paligjshmërisht” vendet më të shenjta të hebraizmit. Vendimi i Obamës për ta ndryshuar këtë politikë nuk u përgjigjej interesave amerikane apo të paqes. U mor vetëm për të konsumuar një hakmarrje personale kundër Kryeministrit izraelian Benjamin Netanyahu dhe prej një farë irritimi nga ana e Presidentit amerikan në largim. Në mënyrë jo të mirë, kishte edhe qëllimin që t’i lidhte duart Presidentit të sapozgjedhur Trump. Tani Trump bën gjënë e duhur kur u thotë Kombeve të Bashkuara se, Shtetet e Bashkuara e refuzojnë atë rezolutë të anshme të Këshillit të Sigurimit.
Kështu, nëse ka pasur një ndryshim të statuskuosë, përgjegjësia e këtij ndryshimi i duhet atribuar atij që i takon: Presidentit Obama, prej vendimit të tij të turpshëm për të pritur ditët e fundit e presidencës së tij për larë hesapet me Netanyahun. Presidenti Trump meriton duartrokitje pse ka rivendosur ekuilibrin në negociatat me Izraelin dhe palestinezët. Ka qenë Presidenti Obama, ai që e ka bërë paqen më të vështirë. Ka qenë Presidenti Trump, ai që e ka bërë sërish të mundshme.
Rezoluta e turpshme e Këshillit të Sigurimit deklaronte se, “çdo modifikim ndaj linjave të 4 qershorit 1967, edhe për sa i përket Jeruzalemit” nuk ka “asnjë vlefshmëri ligjore dhe përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”. Veç të tjerash, kjo nënkupton se vendimi i Izraelit për të ndërtuar një shesh lutjesh përpara Murit Perëndimor, vendit më të shenjtë të hebraizmit, përbën një “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”. Rezoluta nuk kufizohej vetëm tek vendbanimet në Cisjordani, siç do të kërkonte të theksonte administrata Obama në mënyrë të gënjeshtërt. Rezoluta zbatohej m’u në zemrën e Izraelit.
Përpara 4 qershorit 1967 hebrenjve u ishte ndaluar që të luteshin në Murin Perëndimor. U pengohej edhe që të frekuentonin kampusin e Universitetit të Jeruzalmit në Malin Scopus, i themeluar në 1925 dhe i mbështetur nga Albert Ajnshtajni. Hebrenjtë nuk mund të kuroheshin në Spitalin Hadassah, gjithmonë në Malin Scopus, që kishte kuruar si hebrenj, ashtu edhe arabë, qysh nga viti 1918. Hebrenjtë nuk mund të jetonin në lagjen hebraike të Jeruzalemit, ku paraardhësit e tyre kishin ndërtuar shtëpi e sinagoga prej mijëra vjetësh. Këto ndalime në stilin judenrein u dekretuan nga Jordania, e cila i kishte kapur nëpërmjet forcës ushtarake ato zona hebraike gjatë luftës për pavarësi të Izraelit në 1948, dhe kishte pushtuar ilegalisht të gjithë Cisjordaninë që Kombet e Bashkuara ia kishin destinuar një shteti arab. Kur qeveria jordaneze pushtoi vendet historike hebraike, u shkatërruan të gjithë shenjat e hebraizmit si sinagoga, shkolla dhe varreza, me pllakat shekullore hebraike të përdorura për të veshur urinoret.
Midis 1948 e 1967, Kombet e Bashkuara nuk miratuan një rezulotë të vetme që të dënonte pushtimin jordanez dhe shkatërrimin kulturor. Kur Izraeli i mori këto zona, gjatë një lufte mbrojtëse që Jordania e kishte nisur duke bombarduar shtëpitë civile të Jeruzalemit Perëndimor dhe kur Izraeli i hapi ato zona si vende, në të cilat hebrenjtë mund të luteshin studionin, të kuroheshin dhe të banonin, Shtetet e Bashkuara morën pozicionin zyrtar se nuk i njihnin rivendikimet legjitime të Izraelit mbi Jeruzalemin hebraik. Pohuan se statusi i Jeruzalemit, përfshi zonat e sapoçliruara, do t’u bashkangjiteshin negociatave finale dhe se ndërkohë të rrinte në fuqi statuskuoja. Ky është motivi zyrtar për të cilin Shtetet e Bashkuara refuzonin të njihnin çdo pjesë të Jeruzalemit, përfshi Jeruzalemin Perëndimor, si pjesë të Izraelit. Ky është motivi për të cilin Shtetet e Bashkuara refuzonin që një qytetar amerikan i lindur në çdo pjesë të Jeruzalemit të tregonte në pashaportën e tij “Jeruzalem, Izrael” si vendlindje.
Por deri edhe kjo statuskuo ka ndryshuar me vendimin e pajustifikuar të Presidentit Obama për të mos i vënë veton rezolutës së Këshillit të Sigurimit dhjetorin e kaluar. Me një të rënë të lapsit, Kombet e Bashkuara kanë vendosur se zonat hebraike të Jeruzalemit të çliruara nga pushtimi jordanez në 1967 nuk janë pjesë e Izraelit. Bile do të ishin territore të pashtuara në mënyrë të paligjshme nga Izraeli dhe çdo ndërtim në këto zona – përfshi vendet e lutjeve në Murin Perëndimor, rrugët hyrëse në Malin Scopus dhe sinagogat e rindërtuara në lagjen historike hebraike – “përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”. Nëse kjo është vërtet një statuskuo, atëhere pse vallë duhet ta ulin prapanicën për të negociuar? Por edhe sikur ta bënin, mund t’i përdorin këto zona hebraike për të zhvatur lëshime të paarsyeshme nga Izraeli, për të cilin këto janë “paligjshmërisht të pushtuara”, janë të shenjta dhe jo të negociueshme.
Refuzimi i Presidentit Obama për t’i vënë veton kësaj rezolute qe një stratagjemë e qëllimshme për t’u lidhur duart pasardhësve të tij dhe pasoja që ta bënte më të vështirë shtytjen e palestinezëve që ta pranonin ofertën e Izraelit për të negociuar pa parakushte. Asnjë president i ardhshëm nuk mund ta anullojë vendimin e marrë, nga momenti që një veto jo e përdorur nuk mund të vendoset në mënyrë retroaktive. Dhe një rezolutë, pasi miratohet, nuk mund të anullohet përveçse me një mazhorancë kundër dhe pa veton e asnjërit prej anëtarëve të përhershëm, midis të cilëve janë Rusia e Kina që sigurisht do t’i vendosnin veton çdo tentative për ta anulluar atë rezolutë.
Vendimi i Presidentit Trump për ta njohur zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit shërben për të rivendosur ekuilibrin e duhur. Ai demonstron se, Shtetet e Bashkuara nuk i pranojnë efektet prej judenrein të rezolutës së anshme mbi zonat historike hebraike të Jeruzalemit, që u qenë ndaluar hebrenjve. Refuzimi i mëparshëm i Shteteve të Bashkuara për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit bazohej në mënyrë eksplicite mbi idenë se nuk duhej të bëhej asgjë për ta modifikuar statuskuonë e qytetit, i shenjtë për tri besimet fetare. Por rezoluta e Këshillit të Sigurimit ka bërë pikërisht këtë: ka ndryshuar statuskuonë, duke deklaruar praninë faktike të Izraelit mbi vendet e shenjta hebraike si një “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”, që “Kombet e Bashkuara nuk do ta njohin”. Nga momenti që praktikisht të gjithë, në komunitetin ndërkombëtar pranojnë se çdo paqe e arsyeshme do të duhet të pranojë rivendikimet legjitime të Izraelit mbi këto zona dhe zona të tjera të Jeruzalemit, është krejtësisht e paarsyeshme që t’i lejohet rezolutës së Kombeve të Bashkuara të transformojë në “kriminel” çdo hebre apo izraelian që shkel në këto zona historikisht hebraike, të marra hebrenjve me forcë në 1948 dhe të çliruara në 1967. (Për kulm të ironisë, vetë Presidenti Obama është lutur në sheshin e Murit Perëndimor, që më pas e ka quajtur “paligjshmërisht të pushtuar”).
Pasi Kombet e Bashkuara, me nxitjen e Obamës, kanë transformuar në një krim ndërkombëtar të vazhdueshëm çdo prani izraelite në zonat e kontestuara të Jeruzalemit, përfshi zonat origjina hebraike të cilave është jashtë diskutimit, Presidenti Trump kishte të gjitha arsyet për të zgjidhur duart, duke zhbërë dëmin e shkaktuar nga paraardhësi i tij.
Disa kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të duhej ta njihnin Jeruzalemin, pasi kjo do të nxiste dhunën e terroristëve arabë. Por asnjë vendim nuk duhet të influencohet nga kërcënimi i dhunës. Terroristët nuk duhet të kenë pushtetin e vetos ndaj politikës amerikane. Sikur Shtetet e Bashkuara t’i cedonin shantazhit të dhunës, do të nxisnin të tjerë që të kërcënonin me dhumë në kundërpërgjigje të çdo plani paqeje.
Kështu, Donald Trump ka bërë gjënë e duhur, duke anulluar gjënë e gabuar që Presidenti Obama kishte bërë në fundin e presidencës së tij.
“Autori është një avokat, jurist, akademik dhe komentator politik i shquar amerikan. Këtë artikull e ka shkruar për Jerusalem Post”
Përgatiti
ARMIN TIRANA