29.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Raporti tronditës i KLSH: Në 3 vite u futën ilaçe pa analiza nga vende si Bangladeshi e Kina

Barna të importuara nga vende si India, Bangaldeshi, Kina, dhe që lejohen vetëm me autorizim ministri, janë hedhur në qarkullim pa iu kryer analizat fiziko-kimike.

Kontolli i Lartë i Shtetit në një auditim performance “Efektiviteti dhe siguria e barnave që qarkullojnë në Shqipëri” vlerëson se janë qindra mijëra pako barnash që janë hedhur në qarkullim në tre vite nga 2020-2023.

“Për periudhën 2020-2023, të gjitha barnat e importuara me autorizim ministri për barnat e paautorizuara janë vënë në qarkullim pa u kryer nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësorë (AKBPM) analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike.

 Nga përpunimi i të dhënave të vëna në dispozicion nga AKBPM-ja për barnat e paautorizuara, rezulton që për periudhën nën auditim (vitet 2020-2023) janë importuar 48 lloj barnash nga India, Kina, Koreja e Jugut, Bangladeshi dhe Singapori nëpërmjet 75 autorizimeve të ministrit të MSHMS, nga të cilat në total janë importuar 763,721 pako barna nga vendet e mësipërme dhe 600,000 doza vaksina COVID-19”, thuhet në auditim.

Ky institucion nënvizon se këto barna janë ilaçe antiretrovirale kundër HIV/AIDS, vaksinë polimeliti, vaksinë COVID-19, vaksinë kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së mire, ilaç kundër shtatzënisë së padëshiruar, vaksinë gripi sezonal (katërvalent), vaksinë hepatiti B, vaksinë kundër tërbimit, aniviral COVID-19, vaksinë rotavirus (ethe, kolle, diarre), vaksinë e indikuar për parandalimin e gastroenteritit, vaksinë për ethet e verdha, ilaç antiretrovirale HIV për fëmijë, vaksinat për fruthin.

Audisuesit vlerësojnë se pavarësisht se në vend lejohen importet e këtyre barnave me autorizim ministri, sipas nevojës që ka tregu, është detyra e institucioneve shqiptare që të bëjnë analizat dhe kontrollin e tyre.

“Procesi i vënies në qarkullim për barnat e paautorizuara të cilat lejohen të hynë në Shqipëri dhe vihen në qarkullim në bazë të autorizimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, kryhet pa kryer nga institucionet tona analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.

 Mos analizimi i mostrave për këtë kategori barnash, rrit 2-fish pasigurinë e cilësisë së barnave të vendosura në treg, në rastin e parë sepse mund të importohen nga vende jo të sigurta dhe së dyti sepse nuk është e detyrueshme kryerja e analizave, rrjedhimisht rrezikohet shëndeti i popullatës”, nënvizon auditimi./MONITOR

Trump është njëkohësisht një ndryshim shumë i madh por edhe ruajtje e plotë e linjave të vjetra

Nga Fitim Zekthi

Ajo që ka thënë presidenti Trump në fushatë dhe ajo që po shfaqet nga emërimet e anëtarëve të kabinetit të tij tregon se ka një vendosmëri të qartë për të bërë reforma shumë të forta. Reformat do të konsistojnë kryesisht në dobësimin e shtetit administrativ.

Shteti administrativ është një rreth shumë i gjerë institucionesh dhe njerëzish, është një makinë burokracie e ndërtuar gradualisht. Ai nisi që në vitin 1914 me presidentin Willson i cili e kishte filozofi të tijën ndërtimin e një administrate jo politike të përbërë nga ekspertë që do të ishin zemra e sistemit të qeverisës amerikane.

Me kalimin e kohës ky shtet burokratik administrativ filloi të rritej dhe të bëhet i fuqishëm. Ai u bë i fuqishëm sepse ekzekutivi po forcohej. Kriza e thellë e vitit 1928 çoi në krijimin e shumë agjencive qeveritare për të përballuar krizën, për të përkrahur investimet, për ndihmën sociale etj.

Pas luftës së dytë botërore shteti administrative u bë shumë më i fuqishëm sepse ushtria u rrit në mënyrë të pazakonshme, industria ushtarake u rrit fuqimisht, financat publike, shërbimet publike, roli i qeverisë u rritën të gjitha në një mënyrë që nuk ishte parë më herët.

Paralelisht me këtë rritje të qeverisë dhe shtetit administrativ po merrte kontroll të plotë edhe liberalizmi. Liberalizmi, socializmi liberal, idetë e forcimit të shekullarizimit, idetë e zhvendosjes së besimit fetar nga jeta publike etj u bënë filozofia sunduese. Amerika (edhe Europa por ky është debat tjetër) e ktheu liberalizmin (jo atë klasik por atë socialist) në “fenë” që udhëhiqte mënyrën se si bëhej ekonomia, si qeverisej vendi, si bëheshin ligjet dhe si merreshin vendimet në Gjykatën Supreme. Shteti administrativ ishte në funksion të gjithë kësaj filozofie. Kësisoj punonjës kudo në agjencitë qeveritare, njerëz të sistemit të shërbimeve publike, njerëz të sistemit të drejtësisë brendësuan liberalizmin socialist si filozofinë e re te tyren dhe vetë shteti administrative filloi të bëhet mburoja e kësaj filozofie. Universitetet, sidomos ato të Ivy League (universitetet e famshme të Bregut Lindor, pra të Nju Jorkut, Masacusetsit, Merilendit, Konektikatit, Pensilvanisë, Dilauerit, Rode Ajlendit etj u kthyen në zemra ku ngjizej, ushqehej dhe rritej liberalizmi socialist.

Sa herë që në pushtet vinte një president republikan si Ajzenhauer, Nikson, Reagan apo Bush ata qeverisnin brenda kësaj filozofie sado që mundoheshin (sidomos Reagan, i mrekullueshmi Reagan) ti jepnin një shtysë konservatore politikave apo qeverisjes.

Liberalizmi socialist kishte pushtuar gjithçka dhe kur shfaqej diçka ndryshe ajo ironizohej dhe bëhej ose sillej siç donte liberalizmi. Gjyqtarë të Gjykatës supreme të emëruar nga Ajzenhauer si Earl Warren, të emëruar nga Reagan si Antonin Kennedy, te meruar nga Bush si John Roberts etj silleshin si liberale. Antonin Kennedy me opinionet e tij ishte frymëzimi më i madh i liberalëve. Opinionet e tij në vendimet e Gjykatës Supreme në Amerikë i kanë çelur rrugën martesave homoseksuale. Shteti administrativ ishte në kontroll të shumëçkaje. Rendi liberal apo ultra liberal kishte një mbrojtës ekstrem. Qerveria ishte rritur në mënyrë gjigande. E gjithë kjo kishte ndodhur edhe nga idetë socialiste të Willsonit, Rusveltit, Kenedit apo Obamës por kishte ndodhur edhe nga fuqizimi i pushtetit të ekzekutivit. Në kushtetutën e SHBA-së presidenti ka pushtet të vogël. Në kushtetutën e SHBA-së pushtetin e kanë shtetet dhe kongresi.

Zhbërja e këtij themeli kushtetues dhe agjenda apo idetë socialiste çuan këtu. Presidenti Trump kërkon ta zhbëjë këtë shtet administrativ me sa duket nga emërimet në kabinet deri tani. Të paktën nga emërimi në departamentin e mbrojtjes dhe atë të drejtësisë ku një elitë gjeneralësh dhe ushtarakësh të lartë së bashku me një elitë prokurorësh dhe oficerësh të lartë janë pjesë e këtij shteti administrativ.

Në qoftë se kjo bëhet, d.m.th, në qoftë se SHBA kthehet tek parimet e një qeverie të vogël dhe konservatore, kjo është shumë e mirë. Çështja është se këtu duket sikur ka diçka gabim në koncept. Këtë e thonë edhe shumë profesorë të së drejtës dhe politikës në SHBA. Profesorë jo liberalë. Ky shtet administrativ që mbron rendin liberal apo ultraliberal majtist nuk është ngritur si diçka burokratike. Ai është ngritur nga fuqizimi i pushtetit të presidentit. Së dyti, ky shtet administrativ ka përdorur një boshllëk ose elita liberale, elita socialiste ndihmoi të krijohej një boshllëk.

Ky boshllëk është një element themelor tek fryma e kushtetutës së SHBA e cila në qendër të saj ka shmangien e tiranisë dhe garantimin e lirisë. Kjo shmangie tiranie dhe garantim lirie, sipas kushtetues dhe Etërve të SHBA-së, nuk do bëhej nga qeveria.

Tendencat apo impulset e këqija të njerëzve nuk do ndalohen nga qeveria. Po t’i jepej qeverisë ky pushtet atëherë ajo do bëhej tiranike. Ky pushtet iu dha një pushteti më të lartë, iu dha Zotit. Pra njerëzit do të mbroheshin nga impulset e këqija të njerëzve, pra të njëri-tjetrit nga frika prej Zotit. Kjo e bën SHBA dhe kushtetutën e saj gjënë më të bukur dhe më interesante në politikën botërore. Sot, ky pushtet i lartë nuk është aq i  fuqishëm në Amerikë. Sot e majta dhe liberalët (lëvizjet dhe idetë shekullarizuese) ia kanë dalë ta dobësojnë besimin në Zot në Amerikë.

Kështu që Trump ose republikanët do ta kenë të vështirë në mos të pamundur për të dobësuar shtetin administrativ. Gjithsesi një frymë ekziston për të bërë diçka. Disa mendimtarë konservatorë janë në rrathët pranë Trump dhe Vance. Idetë e Deneen, të Dreher, të Kimball janë aty me një lloj ndikimi të dukshëm. Duhet ironizuar, ringarkuar me besim në Zot shoqëria, duhet zvogëluar pushteti i presidentit që të dobësohet shteti administrativ.

Kjo duket se është filozofia e Trump këtë mandat.

Sa i takon linjave politike, do të qeverisë siç bëri herën e kaluar, do të qeverisë përgjithësisht duke ruajtur linjat tradicionale amerikane të mbështetjes për NATO-n, të moslejimit të Kinës që të konkurrojë në mënyrë të pandershme, të moslejimit të Rusise që të kthehet në kërcenim për Europen dhe NATO-n, te marrëdhënieve të afërta me BE-në, të rigjenerimit të marrëveshjeve abrahamike, te mos lejimit te Iranit qe te zotëroje bombe berthamore.

Këtu nuk ka asnjë ndryshim. Ardhja e Marco Rubio-s në postin e sekretarit të Shtetit është garanci se nuk ka asnjë ndryshim bazik madje do të jetë në linjat e hershme të Bushit, të Obames, të Bidenit dhe vetë Trumpit të mandatit të parë. Në lidhje me Shqipërinë duhet thënë se SHBA nuk ka një politike te posaçme për një vend dhe aq me tepër për një vend si ne. Ajo ka politika te gjera si ajo për NATO-n, për rajonin, për Rusine apo per Kinen. Këto politika në Shqipëri janë përkthyer dhe do të përkthehen në përkrahje për anëtarësim ne BE, ne lufte ndaj korrupsionit, në përkrahje për reformën ne drejtësi, etj. Ata që mendojnë ndryshe do të zhgënjehen keq.

Gjithë grupi i njerëzve të fushatës dhe kabinetit, gjithë fryma e konservatorëve të gjerë të kampit republikan që nga Ingraham, Weigel, Trueman, Ahmari, O Reilly, Henninger, etj, etj, është në këtë linjë pak a shumë. Vlerat e tyre janë besimi në Zot, të drejtat natyrore, gjërat e përhershme (vlerat morale të zbritura nga tekstet e shenjta) qeverisja e vogël, liria etj. Ata e dine qe Trump ka shume shumë kufizime por ata e shohin atë si mundësinë dhe mjetin për të bërë diçka. Trump është në thelb jo ideologjik ndërsa ata po. Ndoshta kjo kontradikte ka çuar në këtë zgjidhje qe po kërkon Trump. Sfida është e
madhe, edhe rreziqet e kësaj rruge jo aq konceptuale shumë të mëdha.

Në mjaft vende, edhe tek ne, forcat politike që duket se janë fuqimisht me Trump as që kanë ndonjë lidhje me këto vlera, as që duan t’ia dinë për besimin në Zot, as që kanë lidhje me frikën ndaj Zotit, as kanë lidhje me të drejtat natyrore, shtetin e vogël apo kufizimin e pushtetit etj. Janë me Trump për arsye jo politike. Kjo gjithësi është një gjë tjetër dhe padyshim pa ndonjë vlerë në pamjen e madhe./Liberale.al/

Sulmi i Rusisë/ 1000 ditë luftë në Ukrainë dhe pasojat e saj! Më shumë se 10 milionë të dëbuar

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka pasoja mbarëbotërore. Me më shumë se 10 milionë të dëbuar, lufta në Ukrainë, sipas të dhënave të UNHCR-së, ai ka shkaktuar krizën më të madhe të dëbimeve në mbarë botën.

 

Përpara 1000 ditësh Rusianisi sulmin e zgjeruar ndaj Ukrainës. Pas avancimeve të shpejta të ushtrisë ruse mbrojtësit ukrainas ia dolën, që ta sprapsin sulmuesin kryesisht në kufirin verior. Edhe në jug Ukraina e zhvendosi ushtrinë ruse pas Dnjipros, lumi më i madh i vendit. Në verën 2024 ushtria ukrainase ndërmori me sukses kundërsulmet në territorin rus në Oblast Kursk. Ushtria zyrtare ukrainase u mbështet gjatë këtij kundërsulmi pjesërisht nga grupet partizane paraushtarake.

Pjesë të tjera të mëdha të Ukrainës – kryesisht në rajonin Lugansk, Donjeck, Zaporishja dhe Kerson – vazhdojnë të mbeten nën kontrollin rus. Gadishullin e Krimesë Moska e pushtoi në mars 2014 duke e aneksuar. Në përgjithësi fronti për rreth dy vjet nuk ka lëvizur. E ndërkohë kjo po duket si një luftë cfilitëse.

Miliona janë në arrati
Me më shumë se 10 milionë të dëbuar, lufta në Ukrainë, sipas të dhënave të UNHCR-së, ka shkaktuar krizën më të madhe të dëbimeve në mbarë botën.

6,7 milionë refugjatë ukrainas kanë gjetur strehim në vendet europiane: vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024 këtyre iu shtuan edhe 400.000 të tjerë. Brenda Ukrainës një pjesë e madhe prej rreth 4 milionë vetë vazhdojnë të jenë në arrati duke u larguar nga pjesa lindore e vendit të tyre. “Një numër i madh fëmijësh po vazhdojnë të ndjekin mësimet online duke mbetur kësisoj të shkëputur nga intekativiteti social dhe përvojat në klasë”, tha javën e kaluar në Gjenevë Kelly T. Clements, zëvendëse e Komisares së Lartë të UNHCR-së.

Gjendja humanitare në përgjithësi që nga fillimi i luftës në Ukrainë është përkeqsuar në mënyrë dramatike, sipas të dhënave të Zyrës së OKB-së për Çështjet Humanitare (UNOCHA).

Sipas të dhënave të OKB-së rreth 40 përqind e popullsisë është e varur nga ndihma humanitare. Për të mbuluar nevojat themelore të këtyre njerëzve, UNOCHA-së dhe UNHCR-së i nevojiten ndihma në vlerën rreth 4 miliardë euro.

Ekonomia ruse e luftës po tregon qëndrueshmëri
Bashkimi Europian dhe të tjerë aleatë perëndimorë që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës përpara 1000 ditësh i kanë vendosur sanksione ekonomike Rusisë, megjithatë pasojat nuk e kanë dhënë efektin e parashikuar. Pas një dobësimi të përkohshëm në vitin 2022 produkti bruto në vend i Federatës Ruse përmes riorientimit nga ekonomia e luftës dhe falë mbështetjes nga Pekini e mori veten shpejt. E njëjta gjë vlen edhe për kursin e këmbimit të rublës.

Kjo shpjegohet ndër të tjera me faktin, se bllokada ndaj importeve të energjisë me bazë fosile si gazi natyror, nafta dhe qymyri nga Rusia, nuk dha efektin e parashikuar për të pakësuar dukshëm të ardhurat e Moskës nga eksporti. Koncernet shtetërore gjetën tregje të tjera për shitjen e lëndëve të para si në Kinë dhe Indi. Po ashtu ka disa të dhëna, që pasuritë nëntokësore ruse pavarësisht embargos përfundojnë në vendet e BE-së – përmes rrugëve të tërthota nga vende të treta. Rritja e çmimit të gazit natyror nga Rusia, ka bërë që humbjet prej sanksioneve të mos jenë as të ndjeshme sa kishin shpresuar shtetet sanksionuese.

Miliarda për ushtrinë ukrainase
BE-ja dhe NATO mbështesin Ukrainën jo vetëm përmes sanksioneve ndaj Rusisë agresore, por Kievi merr edhe ndihma financiare dhe humanitare. Kontributin më të madh e ka dhënë SHBA-ja.Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022 dhe fundi i gushtit 2024 SHBA kanë vënë në dispozicion gati 85 miliardë euro, sipas vlerësimeve të Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore. Ndihmat e BE-së si dhe të vendeve anëtare brenda kësaj periudhe kohore kanë qenë mbi 100 miliardë euro. Po ashtu Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja janë ndër vendet më të mëdha donatore.

Presidenti i ri i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, në fushatën elektorale ka deklaruar, se do të pakësojë dukshëm ndihmat për Ukrainën. Ukraina mund ta ketë një shans për të luftuar kundër Rusisë vetëm nëse vendet e tjera donatore do t’i shtojnë ndihmat e tyre./DW

“Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar”- Gazetari rumun i ashpër: Edhe UEFA ka faj

Narcis Drejan, gazetari i njohur rumun, është treguar shumë i ashpër në një shkrim të publikuar së fundmi, ku analizon skandalin në ndeshjen Rumani-Kosovë. Ai nuk pajtohet assesi me veprimet e rumunëve dhe natyrisht nuk ka fjalë pozitive as për UEFA-n.

 

“Është shumë e lehtë të shkosh përpara me paramendim, t’u hidhesh në qafë kosovarëve. Kur UEFA dhe FIFA miratuan që Kombëtarja e Kosovës nuk mund të luante kundër vendeve si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Rusia, ishte qartësisht një problem.

Dhe meqë ra fjala, le të kuptojmë pak historinë, nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar fjalë për fjalë nga serbët, po ashtu 25 vjet me parë. Nuk po flasim për vitet 1940, e vërteta është se ne jemi ende të traumatizuar sot për shkak të Revolucionit të 89-ës, ku rumunët qëlluan rumunët.

Një bandë banditësh, shumë me precedentë penalë, e kuptojnë se është mirë në stadium prekësh një vend që kaloi tmerret e luftës. Nëse të nesërmen do t’i gjenit prindërit tuaj të varur në pragun tuaj dhe do të zbulonit se ata ishin serbë gjakatarë, a do të bërtisnit ndonjëherë, “Serbi, Serbi!”? Apo i keni harruar ndeshjet Serbi-Rumani kur na quanin “ciganët”? Por ne harrojmë shpejt se gjithmonë e zëmë kohën tonë me gjithçka tjetër”- shkruajti ai në publikimin e quajtur “UEFA, turp absolut”.

EMRAT/ SPAK hetim Entit Kombëtar të Banesave, masë arresti për 8 persona, ja për çfarë akuzohen

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka nisur një hetim ndaj Entit Kombëtar të Banesave.

Raportohet se janë caktuar 8 masa sigurie, 5 prej të cilave “arrest me burg” dhe 3 detyrim paraqitje.

Zyrtarët e Entit Kombëtar të Banesave akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm.

Arrest me burg:

Gëzim Sylaj

Vasil Karasaliu

Viola Mema

Behare Luzi

Enxhi Çelaj.

Detyrim paraqitje:

Gazmend Panxha

Shyqyri Dema

Sokol Sylaj

Dhuna, produkt i një boshllëku të madh edukativ

Nga Ergys Mërtiri

Vrasja e një 14 vjeçari sot në Tiranë, pak javë pas vrasjes së një tjetër adoleshenti në Shkodër është produkt i një zvetënimi kulturor që reflekton banalitetin tonë shoqëror të shfaqur masivisht tek kultura e të fortit.

Kjo kulturë është produkt i një boshllëku të madh edukativ, të një populli që është mësuar të besojë tek forca, dhuna dhe paraja dhe jo tek vlera të tjera që e pasurojnë dhe zbukurojnë vërtetë njeriun. Ajo vjen nga rruga dhe përhapet kudo, deri në politikë dhe media.

Sjellja e rrugës dhe kodet e gangsterëve adaptohen masivisht ndërsa modelet e te fortëve përfshirë mentalitetin e tyre bëhen dominuese dhe superiore. Mund ta ndeshësh këtë kudo nëpër rrjete sociale perfshi edhe tek gazetarë e intelektuale që pozojnë me gjuhën, fodullëkun e impostimin e gangove, çfarë tregon mentalitetin që i ushqen.

Krenaria e të identifikuarit me modelet idiote nga kultura e të fortit është mekanizmi që na bën një shoqëri të paaftë për tu zhvilluar, një shoqëri që përdhos dhe perqesh vlerat njerëzore si përunjesia, thjeshtësia, mirësjellja, edukata, urtësia e dituria, duke e gjetur përmbushjen tek dhuna, gangsterizmi e rrugaçëria.

Në këtë mjedis, është e kuptueshme që kjo shoqëri do prodhojë adoleshentë që, më shumë se libra, mbajnë me vete thika. Për rrjedhoje, një popull që zë vendet e fundit në konkurset ndërkombëtare të dijeve arsimore, do spikasë në parazitizem, banalitet, dhunë e kriminalitet.

Kongresi i Manastirit identiteti i Shtetit Komb të shqiptarëve

Nga Azgan Haklaj

Kongresi i Manastirit njësoi Alfabetin e Gjuhës Shqipe.
Ai mbylli një epokë të tërë në historinë e kulturës shqiptare, çertifikoi me sukses perpjekjet titanike të mëndjeve të iluminuara të Kombit Shqiptar gjatë shekujve për shkrimin e lëvrimin e Gjuhës Shqipe.
Gjuha Shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të Gadishullit Ballkanik ashtu siç është vetë populli shqiptar një nga popujt më të vjetër të Ballkanit.
Ashtu si dy gjuhët e tjera indoevropiane, rumanishtja dhe lituanishtja, Gjuha Shqipe ka filluar të shkruhet vonë.
Meshari i Gjon Buzukut i vitit 1555 njihet si Libri i parë shqip deri sot.
Ka shumë dëshmi e fakte që tregojnë se shqipja duhet të jetë shkruar përpara Gjon Buzukut.
Mund të theksojmë “Formulën e pagëzimit” (1462) të Pal Engjëllit, “Fjalorthi” i Arnold Hardit, ” Perikopeja e Ungjillit”,por mund të ketë dhe dokumente të tjera të shkurtëra të shkruara shqip.
Ideja për Kongresin e Manastirit u inicua nga Klubi Shqiptar “Bashkimi” i cili ishte me aktivi midis klubeve shqiptare.
Pas Revolucionit Xhonturk 1908 dhe shpalljes së Kushtetutës, patriotët shqiptarë e vlerësuan si imperative çështjen e alfabetit që do të shërbente si promotor i zhvillimit të lëvijzjes kombëtare në Shqipëri dhe në të gjitha trojet ku banonin shqiptarët.
Shqiptarët i kishin kundërshtuar fort reformat e Tanzimatit në vitet 1832-1849 ku do të veçojmë kryengritjen e Beratit që shpërtheu në vitin 1834, e Shkodrës 1835 e udhëhequr nga
Hamza Kazazi, të Malsisë së Gjakovës e udhëhequr nga Binak Alija dhe Sokol Rama në vitin1845, e Jugut e udhëhequr nga Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Hodo Aliu e Rrapo Hekali në vitin 1847, të shqiptarëve të Maqedonisë 1843- 1844 e udhëhequr nga Dervish Cara.
Në këto beteja të ashpra shqiptarët luftuan fort dhe ishin të vëndosur për çlirim kombëtar.
Tani atyre u kanoseshin dhe dy projektet shoviniste, Naçertania e Ilia Garashaninit për Serbinë e madhe dhe Megalidheja e Koletisit, kryeministrit grek në vitin 1844.
Perandoria Otomane në riorganizimin administrativ që bëri në vitet 1864-1868, pas përfundimit te fazës së dytë të Tanzimatit, për ti sunduar më kollaj shqiptarët i ndau në katër vilajete, atë të
Kosovës, Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe vilajetet në sanxhaqe, kaza, nahie.
Ne vitin 1830 në Manastir ishin vrarë mizorisht 1000 shqiptarë dhe burgosur më shumë se 500, të prerë në besë nga të derguarit e Portës së Lartë të cilët i kishin thirrur gjoja për marrveshje.
Xhonturqit shtuan edhe më shumë dhunën dhe represionin, ekspeditat ndëshkimore ndaj shqiptarëve edhe pse në Parlamentin Turk ishin zgjedhur disa shqiptarë.
Prandaj ishte e domosdoshme riorganizimi i shqiptarëve ku një rol të madh po luanin klubet shqiptare dhe rilindasit për vetëdijen kombëtare.
Një rol të jashtëzakonshëm luante Klubi “Bashkimi” i Manastirit i cili u propozoi klubeve brënda dhe jashtë Shqipërisë thirrjen e Kongresit të Manastirit me dt 14-22 Nëntor 1908, në të cilin do të ftoheshin të gjithë shqiptarët gegë e toskë si dhe ngado e kushdo ishte i interesuar për këtë çështje për të marrë pjesë në këtë eveniment madhështor të kohës.
Në këtë kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri shqiptare brenda dhe jashtë Atdheut.
Çdo klub ose shoqëri kishte të drejtë të dergonte në kongres 32 delegatë që kishin 52 vota, sepse disa prej tyre kishin 2 vota.
Në kongres morën pjesë dhe 18 delegatë pa të drejtë vote.
Kongresi i Manastirit u shndërrua në Kuvend mbarëshqiptar ku morën pjesë 50 delegatë nga qytetet e vilajeteve të Shkodrës-Kosovës-Manastirit-Janinës si dhe nga shoqëritë shqiptare të Sofjes, Bukureshtit, Konstancës, Amerikës, Egjiptit, Italisë dhe përfaqësonin të gjitha besimet fetare.
Pjesë e 32 delegatëve me të drejtë vote ishin shkrimtarë e publicistë të njohur, studiues të Gjuhës Shqipe, laikë e klerikë, veprimtarë të shquar të lëvizjes kombëtare:
Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Sotir Peçi, Mithat Frashëri, Shahin Kolonja, Dhimitër Buda, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Bajram Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor Cilka, Nikoll Kaçorri, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Rrok Berisha, Thoma Avrami, Hilë Mosi, Akil Eftimiu, Adham Shkaba, Mati Logoreci, Aziz Beu, Shefqet Frashëri, Simon Shuteriqi, Leonidha Naço, Zejnel Glina, Sami Pojani, Refik Toptani, Mihal Grameno, Hafiz Ibrahim Efendiu, Emin Haxhiu, Rauf Beu, Selahedin Beu.
Të gjithë patriotët e mbledhur në Manastir ishin të vetëdijshëm se kishin marrë përsipër të zgjidhnin një nga detyrat më të mëdha për Kombin Shqiptar.
Seancën e hapjes së punimeve të kongresit e drejtuan si kryetar të saj Rexhep Hoxha ( Efendiu) dhe Fehim Bej Zavalani, kryetar i Klubit “Bashkimi”.
Kryetar nderi u zgjodh Hivzi Pasha.
Të pranishëm në kongres kishte dhe elementë të kombësive të tjera, grekë, bullgarë e vllehë.
Mbledhjet e ditës së parë u zhvilluan të hapura ku morën pjesë 400 vetë.
Kongresi zgjodhi kryesinë që do të udhëhiqte punimet:
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri( Lumo Skëndoja), nënkryetar Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriaqi, sekretar Hilë Mosi, Thoma Avrami dhe Nyzhet Bej Vrioni.
Gjatë punimeve të kongresit pati fjalime mjaft interesante, por është për tu veçuar ai i Ndre Mjedës.
Të gjithë fjalimet theksonin njësimin e Alfabetit dhe përdorimin e një alfabeti të përbashkët nga të gjithë shqiptarët.
Me gjithë ndryshimet e mëdha në pikëpamjet e delegatëve të kongresit, ata ditën ti kalojnë vështirësitë dhe ranë në koncensus se alfabeti duhet të ketë bazë alfabetin latin.
Të gjithë diskutantët u dakorduan se mbi bazën e këtij alfabeti ishin krijuar të tre alfabetet e përdorura të kohës, ai i Stambollit, i shoqërisë “Bashkimi”dhe ai i shoqërisë “Agimi” të Shkodrës.
Shumica e botimeve shqipe në vende të ndryshme të Botës shtypeshin në alfabetin latin.
Pati ndonje orvatje por dështoj shpejt përpjeka për imponimin e variantit grek apo arab.
Hilë Mosi delegat i shoqërisë “Gegni” ka propozuar një alfabet të ri që shkrihen tre alfabetet e përdorura Stambollit, “Bashkimit”, “Agimit”.
I njëmendje është shprehur dhe Luigj Gurakuqi që të mos i thyhet zemra askujt.
Pas shumë diskutimesh e debatesh të dobishme ështe arritur në përfundimin se zgjidhja e çështjes së alfabetit duhet ti ngarkohet një komisioni të zgjedhur nga Kongresi.
Punimet e ditës së tretë iu kushtuan zgjedhjes së komisionit.
Folën Nikoll Kaçorri e Gjergj Fishta.
Fishta propozoi alfabet të përbashkët.
Ai nënvizoi humbjen e shqiptarëve në fushën e qytetrimit për shkak të mungesës së një alfabeti të përbashkët.
Fishta ka vënë theksin se Shqipëria është e rrethuar nga armiq të cilët po përpiqen të shqyejnë nga një copë si hienat nga territoret e saj dhe ka bërë thirrje për të qënë të gatshëm për të rrëmbyer armët e mbrojtur Atdheun dhe të mos lëmë që armiqtë të marrin asnjë pëllëmbë tokë shqiptare.
Kaq patetik e impresionues ka qenë fjalimi i Fishtës e ka prekur zemrat e të pranishmëve sa katolikë e myslimanë nuk i kanë mbajtur lotët.
Kjo skenë është zhvilluar në praninë e 300-400 vetëve.
Në këtë seancë është zgjedhur komisioni prej 11 vetash, me votim të fshehtë, fuqiplotë për të zgjedhur alfabetin.
Komisioni përbëhej nga Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Sotir Peçi, Mithat Frashëri, Shahin Bej Kolonja, Dhimitër Buda, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Bajram Topulli, Nyzhet Virioni, Glikor Cikla.
Gjergj Fishta mori numrin me të madh të votave prandaj u zgjodh kryetar.
Sipas relacionit të Gjergj Qiriazit anëtarët e komisionit u besatuan se do ta mbanin fshehtësinë mbi ato që do të bisedonin deri sa të zgjidhet alfabeti.
Pas shume diskutimesh e dabatesh komisioni vendosi që të mos merrej në bazë asnjëri prej tre alfabeteve të lartpërmendura por të krijohet një Alfabet i ri mbi bazën e alfabetit latin duke u dhanë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje me kërkesat e Gjuhës Shqipe.
Mirpo lidhur me shkronjat e nevojshme për ata tinguj të shqipes qe i mungonin latinishtes, komisioni nuk arriti në ujdi.
Sugurisht që palët u ndanë në dysh, ata të Stambollit dhe “Agimit”kerkonin mos të kishte shkronja dyshe, ndërsa “Bashkimi” ka ngulur këmbë në të kundërtën.
Duke parë se ishte e pamundur për të realizuar ujdinë, anëtarët e komisionit vendosën të kthehen prapa duke pranuar alfabetin e “Stambollit” e bashkë me të një abece latine që të mesohen e përdoren bashkarisht mes shqiptarëve.
Po të shikohen me kujdes dy alfabetet e vendosura në Kongresin e Manastirit shihen qartë përpjekjet e bëra me kujdes për ti afruar ato sa më shumë mes tyre.
Këtu nuk është fjala për tri ndryshimet e bëra në alfabetin e Stambollit por edhe për përdorimin e disa shkronjave të përbashkëta në dy alfabetet.
Në vendimin e komisionit thuhet se të dy alfabetet do të përdoren bashkarisht mes shqiptarëve.
Mësimi në shkolla do të jetë i detyrueshëm e i shtrëngueshëm për të dyja.
Duke shpallur vendimin e komisionit kryetari i Kongresit Mithat Frashëri tha se komisioni i zgjedhur nga të gjithë delegatët e Shqipërisë e përfundoi detyrën e tij duke shpresuar për bashkim.
Numri i alfabeteve që do të përdoreshin u pakësua në dy që do ngjanin mes tyre, sepse kishin si bazë alfabetin latin.
Kongresi i Manastirit ripohoi edhe njëherë vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur individualitetin e tyre kombëtar.
Pas këtyre fjalëve Luigj Gurakuqi solli dërrasën e zezë mbi të cilën ishin shkruar gërmat e alfabetit.
Vendimi u miratua nga mbledhja me duartrokitje dhe brohoritjet:
“Rroftë Alfabeti”

Referencë:

Institucion Nacional
Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe Manastir.

Ilir Meta kërkon lirinë, Presidenti i PL-së i pranishëm në Apelin e GJKKO, nis seanca

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është i pranishëm në Apelin e GJKKO, ku ai do të njihet me rivlerësimin e masës së sigurisë. 

 

Në seancën e sotme janë të pranishëm prokurorët, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, ndërsa nuk është kreu i SPAK, Altin Dumani.

Ilir Meta, iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Apelit duke ankimuar masen e “arrestit me burg” dhe kërkon lirinë, ndërsa ish bashkeshortja e tij, Monika Kryemadhi ka ankimuar masen e ‘detyrimit te paraqitjes’.

Ish-kryetarja e LSI-së, aktualisht deputete e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Po për këtë dosje po hetohet bashkëshorti i saj, Ilir Meta.

Aktualisht Ilir Meta ndodhet në qeli, pasi ndaj tij SPAK ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg.

Situata e rendit në vend, reagon Basha: Pasqyra e degradimit të sigurisë. Vendi ka një kryeministër që ka ardhur në pushtet me mbështetjen e krimit

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar pas dy atentateve mafioze në Tiranë dhe vrasjes tragjike të një 14-vjeçari pranë shkollës “Fan Noli”. Në një postim në rrjetet sociale, Basha thekson se ngjarjet tregojnë përshkallëzimin e dhunës dhe degradimin e rendit në vend.

Sipas tij, shkollat janë kthyer në vende të rrezikshme për nxënësit, për shkak të trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa zona të tëra të Shqipërisë janë jashtë kontrollit të shtetit dhe të dominuara nga bandat kriminale.

Basha shprehet se vendi qeveriset nga një kryeministër që ka ardhur në pushtet me mbështetjen e krimit të organizuar dhe e ka vendosur pushtetin në shërbim të krimit të organizuar.

Ai më tej shkruan se motoja e Edi Ramës ‘Kokat hëngshin’ nuk është ligji që duhet të mbizotërojë në Shqipëri.

Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:

Dy atentate mafioze në pak ditë që tronditën Tiranën dhe vrasja tragjike e 14-vjeçarit te “Fan Noli”, janë një alarm për dhunën që ka mbërthyer vendin. Shkollat janë kthyer në vende ku trafikantët shesin lëndë narkotike, duke i bërë ato të rrezikshme për nxënësit dhe një shqetësim të përditshëm për çdo prind, ndërsa zona të tëra të Shqipërisë janë jashtë kontrollit të shtetit, sepse bandat diktojnë me ligjin e dhunës dhe me leje politike.

Kjo është pasqyra e degradimit të rendit dhe sigurisë, teksa vendi qeveriset nga një kryeministër që ka ardhur në pushtet me mbështetjen e krimit të organizuar dhe e ka vendosur pushtetin në shërbim të krimit të organizuar. Parlamenti i Çyrbeve, nuk mund të jetë parlamenti i shqiptarëve.

Motoja e Edi Ramës “Kokat hëngshin” nuk është ligji që duhet të mbizotëroj në Shqipëri.
Forca e ligjit nuk duhet të tolerojë askënd!

Mos vallë Rama e ka motiv dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria?!

Nga Spartak Ngjela

Shqiptarët po vijojnë të largohen drejt Perëndimit për emigracion ekonomik. Ata janë të trembur nga niveli i ulet i jetesës që u imponohet në Shqipëri.

I.

Dhe shqiptarët sot, pikërisht me këtë motiv, janë larguar e po largohen nga Shqipëria. Sigurisht që ata ndihen të fyer që po largohen nga atdheu i dashur, por këtë e kanë nevojë për jetën, sepse gjendja ekonomike në Shqipëri nuk i përkrah për një jetë me mirëqenie ekonomike.

Dhe kjo, sigurisht që është morale, sepse jeta në thelb është kërkesë për siguri ekonomike. Por, pikërisht për këtë, çfarë po ndodh në një vend si Shqipëria ku paga minimale është 40 mijë lek?

Dhe tani dihet se, është kjo pagë kaq ulët që po e rrit shumë kërkesën për largim e shqiptarëve nga Shqipëria. Varfëria e imponuar po i detyron shqiptarët sot të largohen nga Shqipëria. Dhe kjo nuk është vepër vetëm e paaftësisë së kësaj qeverie, sepse kjo gjendje ekonomike është sot një proces 30 vjeçar që po vijon.

Zotërinj, varfëria ekstreme është gjëmë për një shoqëri!

II.

Prandaj sot është një e vërtetë absolute që varfëria është arsyeja psikologjike që shqiptarët po ikën nga Shqipëria për të gjetur mirëqenien ekonomike, por duhet ta theksojmë se këta të emigruar larg Shqipërisë, në fakt, kanë  humbur lirinë shpirtërore.

Por, a mund të ketë lumturi pa lirinë shpirtërore!

Askund nuk është më mirë se në atdheun tënd.

Por është psikoza e varfërisë që përmendëm, e cila i shtyn individët ta kërkojnë fatin në dhe të huaj, sepse varfëria e imponuar në Shqipëri për ta është e padurueshme.

Dhe sigurisht që kjo varfëri është e imponuar.

Prandaj dhe shqiptari ka emigruar në Perëndim masivisht.

Dhe atje kuptohet se ai e ka humbur jetën aktive, miqësinë shqiptare të krijuar që nga lindja; ka humbur fisin dhe psikologjinë shqiptare; dhe nuk e përdor dot gjuhën shqipe.

Dhe shqiptarët e emigruar e ndiejnë së brendshmi këtë, se kanë një ngërç nëpër biseda, por vonë e kuptojnë që, të gjithë këtë vakum shpirtëror ua ka sjellë mungesa e komunikimit në gjuhën shqipe, pasi janë larguar nga atdheu i tyre.

Dhe këtë e vuajnë.

Por, sikurse e thashë, është varfëria ekstreme në Shqipëri që po i shtyn shqiptarët për të kërkuar punë në Perëndim. Dhe ky është shkaku.

Po varfëria e rëndë ngase vjen në Shqipëri?

Kjo varfëri është vepër e paaftësisë së të gjitha qeverive që kanë kaluar në këta 30 vitet e fundit në Shqipëri.

III.

Po psikologjia e largimit të shqiptarëve nga Shqipëria, a do të vijojë?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje na duhet të theksojmë se largimi i shqiptarëve nga Shqipëria, nuk është një motiv i përgjithshëm si dobësi e mendjes njerëzore. Jo, kjo nuk është dobësi, por është nevojë ekstreme për mbajtjen e familjes larg një varfërie të drobitur.

Sepse kjo është një varfëri që  të heq mundësitë e jetës familjare, që ajo të vijojë në një normalitet ekonomik.

Prandaj…

Në këtë raste na duhet ta theksojmë që çështjen e largimit aktual të shqiptarëve nga Shqipëria e kemi për faktin se në Shqipëri rrogat janë ende të ulëta. Dhe kjo është arsyeja ekonomike, e cila është edhe një arsye morale.

IV.

Shqiptarët e dinë që në Perëndim paguhet shumë më mirë se ne Shqipëri, ja, ky është fakti i vërtetë që i detyron ata të largohen nga Shqipëria.

Po arsyeja ekonomike, a mund të rregullohet në funksion të rrogave të cilat sot në Shqipëri janë 40 mijë lek në muaj? Jo, me këto rroga nuk mund të mendohet jeta familjare.

Por, a mund të vendoset me ligj që minimumi  pagës në Shqipëri të jetë 100 mijë lek?

Ja, kjo është pyetja kryesore që duhet të ngrihet përpara qeverisë shqiptare sot.

A është në gjendje aftësie kjo qeveri që t’i çojë rrogat me ligj në minimumin prej 100 mijë lek, domethënë në 1000 euro në muaj?

Të gjitha mundësitë janë, por qeveria Rama nuk po kuptohet se përse nuk e ngre minimumin me ligj deri në 1000 euro në muaj, për pagën minimale të  shqiptarëve.

E pra, pse nuk i ngre pagat deri në këtë limit?

Mund të ketë edhe arsye të tjera, por ne kemi të drejtë të dyshojmë dhe të pyesim: mos ndoshta kryeministri i Shqipërisë Rama sot e ka si motiv dëbimin e shqiptarëve nga Shqipëria?!

Ja, kjo është pyetja thelbësore përballë krizës që po kalon sot Shqipëria.