33.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

LSI, gati për protesta. Edhe PDIU, votë kundër kryeprokurorit të PS

Të gjitha partitë parlamentare dhe jo vetëm opozita po dalin publikisht kundër zgjedhjes së kryeprokurorit të paralajmëruar nga Rama për të ndjekur rrugën antikushtetuese për emërimin e tij. Dje, Lëvizja Socialiste për Integrim përmes Kryetares Monika Kryemadhi denoncoi ashpër përpjekjet e Ramës për të kapur institucionin e organit të akuzës, ndërsa të njëjtën qendrim shprehu edhe aleatja në qeveri PDIU. Kjo e fundit bën me dije se nuk do të marrë pjesë në asnjë komision apo votim, duke e cilësuar antikushtetuese mënyrën se si PS do të zgjedhë kryeprokurorin e ri. PDIU më herët ka bashkuar votat e saj me kryeministrin Rama, por këtë herë duket se bashkohet me opozitën. “Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet qysh në fillim ka dhënë mbështetje pa kushte për Reformën në Drejtësi, duke besuar dhe shpresuar, se do të ishte një fillim i ri për rivendosjen e shtetit ligjor në shërbim të qytetarëve. Pas kaq muajsh vërejmë zvarritje pa asnjë shkak të reformës dhe akoma më keq, sot po tentohen të zëvendësohen organet e rëndësishme që kemi miratuar me Kushtetutë, me arrogancë dhe vullnet të njëanshëm nëpërmjet miratimit me vota minimale me një kuorum qesharak prej 36 votash të postit të Prokurorit të Përgjithshëm. Theksojmë se Prokurori i Përkohshëm, i cili mund të zgjidhet sipas interpretimeve të mazhorancës edhe me 36 vota, nuk ka asnjë referencë në ndryshimin që kemi bërë bashkërisht në nenin themeltar të shtetit në Kushtetutë. Ndaj sot përtej arrogancës personale do duhet të jemi të gjithë bashkë për të gjetur një zgjidhje. Theksojmë se zgjidhja nuk janë marrëveshjet e pista të natës që e kanë çuar vendin në këtë klimë armiqësore e varfërie të skajshme, por ndryshimet ligjore, që i çelin rrugë një drejtësie të lirë dhe që nuk është peng i politikës. PDIU nuk do të marrë pjesë në asnjë komision apo votim ku shkelet Kushtetuta e vendit”, thuhet në deklaratën e PDIU.

Kryemadhi: Jo Kryeprokuror pa 3/5 e votave

Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, e ka kundërshtuar me tone të ashpra, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm nga Partia Socialiste në shkelje të plotë të Kushtetutës, duke e konsideruar këtë si një rrëmbim. Në këtë këndvështrim, Kryemadhi ka kërcënuar me mbajtjen e protestave bashkë me PD-në në rrugë e sheshe, por vetëm pasi t’i bindin njerëzit se i kanë ndjekur të gjithë hapat ligjorë për ta penguar “rrëmbimin” e Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama; madje, “rrugët e sheshet janë më të bukura, kur janë me protesta”, vërejti Kryemadhi. “Patjetër që do t’i bashkohemi, sepse nuk jemi në ndonjë situatë, ku Shqipëria po lulëzon. Pavarësisht se shqiptarët kanë filluar të kenë frikë si në kohën e komunizmit për të thënë të vërtetën, se çfarë mendojnë dhe kjo duket shumë qartë, pavarësisht se uzurpimi i mediave, i editorialeve mediatike nga qeveria për të mos bërë këtë e atë ka qenë shumë i madh, nuk ka nevojë për ta diskutuar këtë gjë, do të shkojmë dhe drejt asaj. Por ne nuk mund të shkojmë në protesta dhe t’i nxjerrim njerëzit në rrugë, nëse nuk i bindim njerëzit se nuk i kemi zhvilluar të gjitha etapat që kemi ndjekur të gjitha rrugët ligjore për t’u treguar, se problemi nuk është opozita. Ne mund të kemi probleme si opozitë, por kjo nuk do të thotë se t’i mund të më heqësh të drejtën e protestës, se as sheshet, as rrugët nuk janë të Edi Ramës, janë të shqiptarëve dhe janë më të bukura madje kur janë me protesta”, tha Kryemadhi. Ajo deklaroi se, Komisioni i Ligjeve që bëri seancën dëgjimore është totalisht i paligjshëm, nuk e dimë me ça targeti e bën takimin. “Komisioni i Ligjeve nuk është Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Dëgjesat me kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm i bën Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Komisioni i Ligjeve është një komision i cili shqyrton ligjet, i përgatit për në seancat plenare dhe deri këtu. Kompetencat e këtij komisioni janë të shkruara në Kushtetutë, në rregulloren e Parlamentit. Ndërsa zgjedhjen e prokurorit, dëgjesat me kandidatët për prokuror janë të shkruara në Kushtetutë, e cila është e votuar me 140 vota si asnjëherë tjetër. Një vit e gjysmë më parë, janë të shkruara të qarta që dëgjesat për prokuror i bën Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Pse nuk është ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë? Kjo është një pyetje tjetër dhe kush është fajtori për mosngritjen e KLP? KLP duhet të ishte ngritur që në muajin shkurt-mars, pra deri në periudhën e fund prillit. Dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të ishin ngritur. Nuk janë ngritur, kjo jo për faj të opozitës, as për faj të LSI, por për faj të një Shoqërie Civile, të cilën ne e kemi vendosur në Kushtetutë që duhet të kenë përfaqësuesin e tyre. E them këtë për shkak të asaj, besoj të gjithë e mbani mend protestën që bëri shoqëria civile para Parlamentit, kur kërkonte Reformë në Drejtësi dhe tashmë që gjithë klasa politike është gati për Reformën në Drejtësi, gjithë opinioni publik mezi po pret Reformën në Drejtësi, Shoqëria Civile, e cila ka qenë dhe një nga hartuesit kryesor të Reformës në Drejtësi bashkë me partnerët ndërkombëtarë”, tha Kryemadhi. Ajo paralajmëroi se, Rama qëllimisht po zvarrit ngritjen e KLP. “Kanë qenë ata, të cilët kanë shkruar, kanë përkthyer, kanë organizuar tryezat, kanë organizuar debatet, janë ata të cilët nuk japin kandidatin e fundit përsa i përket Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo është absurde, unë mendoj që këtu ka vetëm një qëllim, mosngritja e këtij Këshilli të Prokurorisë, dështimi i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Por nuk është thjesht problem zgjedhja e Prokurorit, sesa është krijimi i mundësisë së rrëmbimit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe largimin ose mos hartimin e asnjëhershëm, përsa i përket çështjes së SPAKU-t dhe të Byrosë së Hetimit. Këto janë dy elemente, të cilat ngrenë dyshimet jashtëzakonisht të mëdha për mosfunksionimin e Reformës në Drejtësi. Në qoftë se ne sot do të zgjedhim një Prokuror të përkohshëm, të cilën nuk e kemi në asnjë vend në Kushtetutë, as në nenet tranzitore, zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm. Por nëse ne zgjedhim një prokuror të përkohshëm sipas mënyrës që ka zgjedhur PS me Komisionin e Ligjeve, sa do të zgjas ky prokuror, sa mendoni ju që duhet të rri? Dy muaj, tre muaj? Përderisa Shoqëria Civile nuk është e aftë për të paraqitur kandidatin e saj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ky mund të rri dhe 10 vjet, se nuk do të ketë Shoqëria Civile kandidat tjetër”, tha Kryemadhi.

Mosngritja e KLP, një skenar i qëllimshëm

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi paralajmëroi dje se, mosngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, strukturës kyçe që emëron kryeprokurorin është një skenar i qëllimshëm dhe është zvarritur pikërisht nga Rama për të ardhur në këtë ditë, ku ai të mund të zgjedhë kreun e organit të akuzës me votat e tij. “Nuk do ngrihet KLP, nuk do ngrihet SPAK-u, as Byroja e Hetimit. Pra, ne do zgjedhim një prokuror të përkohshëm, i cili do të krijojë një perceptim për të kapur institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe për të thënë që, unë dosjen e Saimir Tahirit do ta mbyll, unë dosjet e shumë ministrave, të cilët kanë vite që flenë në zyrat e Prokurorisë që janë dhe ministra aktualë, por dhe ish-ministra që flenë në zyrat e Prokurorisë dhe nuk janë hapur. Ashtu siç e dimë shumë mirë që, rastet nga më të ndryshmet kanë bërë që prokurorët edhe pse kanë pasur dëshirën apo vullnetin për të hapur çështje janë shkatërruar provat në mënyrë të njëanshme, vetëm e vetëm për të mos arritur dhe për të mos pasur një luftë kundër korrupsionit. Megjithatë, kjo ngelet thjesht në një mendim tonin. Por për mua është shumë e qartë që, mos ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është një skenar i qëllimshëm për të vetmen arsye për të kapur si proces këtë institucion. Pra, për të rrëmbyer institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ne si LSI jemi shumë të gatshëm dhe të hapur për të rifilluar diskutimin. 19 votat tona janë të gatshme për të ndryshuar ligjin për prokurorin, pra përsa i përket KLP. Le ta përjashtojmë po themi ta largojmë Shoqërinë Civile se ka ngel vetëm kandidat i Shoqërisë Civile për të mos qenë pjesë e KLP”, u shpreh Kryemadhi.

Dy qarqet më të mëdha, Tirana e Vlora me papunësinë më të lartë

Tirana dhe Vlora patën normën më të lartë të papunësisë në vend në tremujorin e tretë të vitit. Kryeqyteti paraqitet me strukturën më të përkeqësuar të punësimit në vend si në drejtim të pjesëmarrjes në forcat e punës dhe në normën e papunësisë, teksa shihet se Korça dhe Dibra paraqiten më mirë se qarqet e tjera. Duke raportuar treguesit e punësimit për tremujorin e tretë 2017, INSTAT gjeti se Tirana dhe Durrësi kanë shkallën më të ulët të pjesëmarrjes në forcën e punës. Mosha aktive e punës llogaritet 15-64 vjeç, teksa në Tiranë vetëm 64.2 për qind e kësaj grupmoshe janë të aktivizuar në tregun e punës, që do të thotë se janë në punë ose janë në kërkim të punës, pjesa tjetër prej 36 për qind është dekurajuar, në pension të parakohshëm, me mungesë të aftësive fizike ose i angazhuar brenda familjes. Teksa mesatarja kombëtare e pjesëmarrjes në forcat e punës është 67% e moshës 15-64 vjeç, pjesëmarrje të dobët në tregun punës kanë Durrësi, Tirana dhe Lezha, të cilat janë më ulët se mesatarja kombëtare, ndërsa Elbasani, Fieri dhe Shkodra, janë mbi këtë mesatare. Teksa mesatarja kombëtare e papunësisë arriti në 13.6 për qind, në Tiranë norma e papunësisë nën popullsinë mbi 15 vjeç është 17 për qind niveli më i lartë pas Qarkut të Vlorës që ka nivelin e papunësisë në 24.6 për qind. Ndërsa papunësia më të ulët se mesatarja kanë qarqet e Dibrës dhe Korçës, me respektivisht 6.7 dhe 7.3 për qind. Në harkun kohor të një viti papunësia është ulur në Tiranë me 2.5 pikë përqindje dhe në Durrës me rreth 3 pikë përqindje. Ndërsa në Qarkun më të varfër të vendit atë të Kukësit, papunësia u rrit më tej rreth 5 pikë përqindje në harkun e një viti. Rritje të papunësisë pati edhe në qarqet e Lezhës, Shkodrës dhe Beratit.

Qeveria deformon statistikat e punësimit

Eksperti Selami Xhepa, i sheh me skepticizëm statistikat, duke i konsideruar ato sezonale dhe të paqëndrueshme.“Së pari, duhet thënë që këto janë dinamika shumë afatshkurtra, janë sezonale, bartin brenda sezonalitet, mbartin brenda edhe efekte të politikave të përkohshme, kështu që në planin e përgjithshëm duhet thënë që problemi i punësimit apo i papunësisë vazhdon që të mbetet një nga shqetësimet më serioze edhe për faktin se dhe vetë ai që quhet punësim, shpeshherë është një punësim problematik, pra që nuk garanton një mirëqenie për qytetarët edhe për ata që janë të punësuar. Megjithatë, duke parë dinamikat afatshkurtra, duket që tremujori i tretë ka patur një prirje më pozitive dhe kjo mund t’i atribuohet natyrisht edhe efektit sezonal, duke qenë se industria e turizmit është në bumin e vet dhe nga ana tjetër në dijen time, të paktën nga kontaktet që unë kam patur vetë me industrinë e turizmit, nga ana e qeverisë shpeshherë ka patur dhe detyrime që operatorët turistikë të siguronin më shumë të punësuar, duke i bërë si të thuash në mënyrë të sforcuar nga pikëpamja administrative”.

Pse republikanët humbën Alabamën, Roy Moore nuk është Donald Trump

Nuk është çudi që Alabama është një shtet demokrat, por në zgjedhjet e shumë-debatuara është vënë re një detaj i pamohueshëm: strategjia e Trump funksionin vetëm me Trump. Fushata e Roy Mooren u përball me akuza të shumta se kandidati për senator kishte ngacmuar seksualisht një 14-vjeçare dhe kishte pasur marrëdhënie me vajza adoleshente në të tridhjetat e tij. Ai i kundërshtoi me furi akuzat, por pranoi se njihte të paktën një prej akuzueseve, më pas mohoi katagorikisht se njihte ndonjë prej tyre. Fushata më pas u përqendrua në strategjinë e akuzimit të mediave, siç u bë në rastin e Donald Trumpit.
Në fakt, pasi u bënë publike edhe akuza të tjera, fushata e Moore u përpoq të kopjonte ish-fushatën e Presidentit Trump. Ata dëbuan të gjithë reporterët nëpër takime zgjerore, akuzuan mediat dhe folën për manipulimin e fakteve. Kjo funksionoi për Trump, por Ray Moore nuk i ngjason aspak presidentit. Moore nuk arriti të bindë votuesit se akuzat kundër tij ishin të sajuara. Në fakt, ekipi i tij u sorrollat për ditë me radhë përpara se të përgjigjej dhe në fund e ndryshuan disa herë versionin e tyre të ngjarjeve. Nëse Roy Moore nuk do të ishte përballur me këto akuza, ose do të ishte kundërpërgjigjur në mënyrën e duhur, me siguri do të kishte fituar.
Në SHBA, demokratët ngushtuan diferencën në përbërjen e Senatit, me fitoren e arritur mbrëmë në zgjedhjet speciale të Alabamës. Kandidati i tyre, Doug Jones, mundi me rezultat të ngushtë rivalin e fortë republikan Roy Moore, i cili ishte përfolur për sjellje të pahijshme me vajza adoleshente dekada më parë.
Kjo është fitorja e parë e një demokrati në një çerek shekulli në Alabama, një shtet tradicionalisht mjaft konservator. Ajo shënon një goditje ndaj Presidentit Donald Trump, i cili mbështeti hapur kandidatin republikan, megjithë akuzat ndaj zotit Moore. Rezultati i garës shënon gjithashtu një plagë të re për Partinë Republikane tashmë të përçarë.
Republikani Moore nuk u tregua i gatshëm për ta pranuar rezultatin. Fushata e tij tha se, meqenëse rezultati ishte mjaft i ngushtë, me 0,5 për qind diferencë, ose rreth 21 mijë vota, ata do të veprojnë sipas rregullave dhe do të kërkojnë rinumërimin e votave. Por Sekretari i Shtetit i Alabamës i tha rrjetit CNN se, nuk ka gjasa që rezultati të përmbyset edhe nëse do të ketë rinumërim.
Presidenti Trump bëri një koment në Twitter, duke uruar fituesin demokrat Doug Jones. “Republikanët, shkruante Presidenti Trump, do të kenë një rast tjetër për ta marrë këtë vend të Senatit brenda një periudhe të shkurtër kohe”.
Fitorja e zotit Jones, ish-prokuror i njohur për ndjekjen penale të dy anëtarëve të Ku-Klux-Klanit, përgjegjës për shpërthimet në kishat e Birmingamit në 1963, e ngushton epërsinë e republikanëve në Senat në 51 vende kundrejt 49.
Zoti Jones mbajti një fjalim të shkurtër përpara mbështesëve në Alabama. “Ne, tha ai, treguam jo vetëm në shtetin e Alabamës, por edhe në të gjithë vendin, rrugën sesi mund të qëndrojmë të bashkuar”.
Kjo fitore vë në rrezik propozimet republikane për taksat, buxhetin dhe kujdesin shëndetësor si dhe injekton energji të re në përpjekjet e Partisë Demokrate për të rifituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018.
Megjithatë, shumë republikanë në Uashington e shikojnë humbjen e kandidatit të tyre Moore si ndoshta një rezultat lehtësues për partinë në nivel kombëtar megjithë goditjen afatshkurtër. Sepse qëndrimet e shprehura nga kandidati Moore, një konservator i krishterë, kishin larguar mjaft votues nga radhët e grave, pakicave racore, homoseksualëve dhe myslimanëve, pa folur për faktin që ai ishte mjaft i përfolur për sjellje të pahijshme me vajza adoleshente, njëra prej tyre 14 vjeç, kur ai ishte në të 30-at.
Një numër republikanësh nuk pranuan ta mbështetnin atë, duke përfshirë edhe senatorin e vjetër të Alabamës, Richard Shelby. Por ditët e fundit, Presidenti Trump vendosi të verë në dispozicion të fushatës së zotit Moore emrin e tij dhe burimet e Partisë Republikane.
Nëse zoti Moore do të kishte fituar, Partia Republikane do të ishte rënduar nga prania në radhët e saj të një kolegu të përfshirë në skandal, ndërkohë që republikanët janë në vështirësi për shkak të popullaritetit historikisht të ulët të zotit Trump.
Udhëheqësit republikanë të Senatit kishin deklaruar se zoti Moore do të përballej me një hetim të menjëhershëm për çështje etike dhe fitorja e demokratit Jones i çliroi nga kjo barrë.

Macron në mbrojtje të klimës

Sërish një takim i nivelit të lartë për klimën? Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e di si mund të prodhosh kryetituj të mirë gazetash. Pak javë më parë, në Bonn Konferenca e Klimës e OKB-së punoi mbi detajet e mundimshme të Marrëveshjes së Parisit për Klimën të vitit 2015, me vendime të vështira për t’u kuptuar, efekti i të cilave do të duket vetëm pas disa vitesh.
Macroni përdor në vend të kësaj përvjetorin e dytë të Marrëveshjes së Klimës të Parisit, të lëvduar kaq shumë, për ta vënë veten në krye të lëvizjes së klimës. Me një takim vetjak njëditor të nivelit të lartë me pjesëmarrës të njohur: kryeministrja britanike ishte e pranishme, shumë e gëzuar për mundësinë për të mos folur një herë për Brexitin. Princi Albert i Monakos. Bill Gates nga SHBA. Dhe nga Gjermania shkoi ministrja e Ambjentit. Barbara Hendricks, por jo kancelarja.

Takim i nivelit të lartë pa Angela Merkelin
Kjo në një kohë kur, Angela Merkeli konsiderohej më parë si ruajtësja e Gralit të Shenjtë për mbrojtjen ndërkombëtare të klimës. 20 vjet më parë, ajo ndihmoi kur qe ministre e Ambjentit, për të pagëzuar marrëveshjen e parë për klimën, protokollin e Kiotos. Dhe që kur qeveris e ka prezantuar vazhdimisht Gjermaninë si paraprijëse në takimet e mëdha të klimës.
Tani rolin e këtij paraprijësi e luan Macroni. Që pak javë më parë, ai deklaroi në Bonn së bashku me kryetarë të tjerë shtetesh braktisjen e energjisë së fituar nga qymyri. Këtë Franca e ka më të lehtë se Gjermania, sepse Franca një pjesë të madhe të energjisë e fiton nga centralet atomike. Dhe tani takimi që tërheq vëmendjen dhe që merret para së gjithash me çështje të financimit.

Në Evropë po lëvizin disa gjëra
Që më parë shprehja e Macronit “Make our planet great again” si përgjigje ndaj “Make America great again” të Trumpit tërhoqi disi vëmendjen. Deklarata të tilla të vendosura zor se priten nga Merkeli, ky nuk është stili i saj.
Në Evropë po lëvizin disa gjëra. Të paktën përsa i përket mbrojtjes së klimës. Tema të tjera do të pasojnë…

Franca: Irani synon zgjerim të ndikimit në Lindjen e Mesme

epa06382580 French Foreign Minister Jean-Yves Le Drian during EU Foreign Ministers meeting in Brussels, Belgium, 11 December 2017. The Foreign Minister met following a meeting with Israeli Prime Minister Benjamin Netanyahu. EPA-EFE/OLIVIER HOSLET

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, e ka akuzuar Iranin se po përpiqet të krijojë, “akse” të ndikimi politik dhe ushtarak prej Teheranit, nëpërmjet Irakut, Sirisë dhe Libanit, e deri në Detin Mesdhe.
Duke folur mbrëmë në rrjetin televiziv, France 2, ai theksoi se para se t’i zhvillonte ambicjet për zgjerim të pranisë së vet ushtarake në rajon, Irani, e po ashtu edhe Rusia, do të duhej të punonin me Kombet e Bashkuara për përpjekjet për arritjen e paqes në Sirinë e përfshirë nga lufta.
“I them jo pranisë iraniane dhe dëshirës për krijimin e akseve nga Mesdheu e deri në Teheran”, tha ministri Le Drian dhe ka shtuar se, “atje është Siria, që ka nevojë për ekzistencë”, e lirë nga fuqitë e jashtme dhe ndikimi.

Asnjë drejtësi për viktimat e përdhunimeve në Kosovë

Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International, thotë se afro dy dekada pasi mijëra gra dhe vajza në Kosovë u përdhunuan në mënyrë sistematike gjatë konfliktit të armatosur 1998-‘99, të mbijetuarat janë gati të marrin njohjen dhe kompensimin e shumëpritur për përdhunimin dhe torturën që kanë përjetuar. Megjithatë, vetëm një grusht autorësh janë dënuar për këto krime, dhe të mbijetuarat ende po luftojnë për drejtësi.
Në një raport të kësaj organizate që publikohet të mërkurën me titullin “Plagët që djegin shpirtrat tanë: Kompensimi për të mbijetuarit e përdhunimeve të kohës së luftës, por ende pa drejtësi”, shpalosen pasojat shkatërruese fizike dhe psikologjike të dhunës seksuale të pësuar nga të mbijetuarat, të cilat deri më tani janë margjinalizuar nga shoqëria dhe nuk kanë marrë mbështetje nga qeveria.
“Të mbijetuarat e dhunës së tmerrshme seksuale janë zhgënjyer prej vitesh nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë e njëpasnjëshme. Autorët kanë ikur nga ndjekja penale, ndërsa të mbijetuarat janë margjinalizuar, harruar dhe u është mohuar qasja në drejtësi. Kjo po fillon të ndryshojë, por ka ende një rrugë të gjatë përpara”, citohet të ketë thënë zëvendës drejtoresha e Amnesty International për Evropën, Gauri van Gulik.
Përdhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale ishin të përhapura gjatë luftës në Kosovë, pasi policia serbe, paraushtarakët dhe ushtria jugosllave zhvilluan një fushatë përndjekjeje dhe dhune kundër shqiptarëve të Kosovës. Gratë dhe vajzat shqiptare iu nënshtruan përdhunimit dhe formave të tjera të dhunës seksuale që përbëjnë torturë. Pas armëpushimit, thekson Amnesty Inernational, gra dhe vajza nga komunitetet serbe dhe rome u përdhunuan, në sulme hakmarrëse nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Katër nga udhëheqësit ushtarakë dhe politikë serbë të ish-Jugosllavisë u dënuan për dhunë seksuale si një krim kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Vetëm një autor nga Kosova, është dënuar në një gjykatë serbe dhe asnjë në Kosovë, ku pas luftës Kombet e Bashkuara dhe nga dhjetori 2008 edhe policia dhe prokurorët e Bashkimit Evropian, ishin përgjegjës për hetimin e këtyre krimeve. Sidoqoftë, hetuesit ndërkombëtarë shpesh kanë dështuar të ndjekin të dyshuarit ose të mbledhin dëshmi me zell.
Amnesty Internatioanl thotë se, kjo lë një sfidë masive për prokurorët e krimeve të luftës në Kosovë, që tani po marrin përsipër përgjegjësitë nga organet ndërkombëtare. Në mungesë të fondeve, burimeve dhe mbështetjes politike, ata do të luftojnë me një ngarkesë të rasteve prej rreth 1 mijë krimeve të pazgjidhura të luftës, duke përfshirë edhe rastet e dhunës seksuale.
Organizata thekson se, shumë të mbijetuara i njihnin ata që kryen krimet me emër. Një e mbijetuar u ka ofruar hetuesve të Kombeve të Bashkuara edhe një letërnjoftim, i cili i kishte rënë nga xhepi i një ushtari, ndërkohë që po e përdhunonte, por ky rast kurrë nuk ka arritur në Gjykata.
“Nuk kemi shpresë në drejtësi”, tha një grua për Amnesty International. “Unë isha 30 vjeç kur ndodhi, dhe tani jam gati 50 vjeç. Ndoshta do të jem e vdekur në kohën kur ta zgjidhin rastin”.
Pa asnjë mundësi reale për drejtësi për shumicën, dëmshpërblimet janë gjithnjë e më të rëndësishme. Siç i tha një grua Amnesty International: “përdhunimi është një plagë që do të djegë shpirtin tuaj ditë pas dite. Do t’ju bëjë të turpëroheni para familjes suaj, në komunitetin tuaj. Ju do ta mbani atë me vete gjithë jetën”.
Një tjetër e mbijetuar i tha Amnesty International se “për 18 vjet ne kemi jetuar me plagë të fshehura që nuk mund të shërohen, por një pension do të na ndihmojë të mbijetojmë. Do të na ndihmojë me mjekimin dhe rritjen e fëmijëve dhe së paku do të na ndihmojë të kalojmë jetën me pak respekt”.
Pas ndryshimeve ligjore në vitin 2014, një proces tashmë është vënë në funksion për të mbijetuarat që të aplikojnë për mbështetje. Prej janarit 2018 ato do të kenë të drejtën të marrin një pagë mujore prej 230 eurosh si kompensim për pasojat fizike, psikologjike, ekonomike dhe shoqërore të dhunës seksuale gjatë konfliktit në jetën e tyre.
“Kompensimi që do t’u ofrohet së shpejti të mbijetuarave të dhunës seksuale është financiarisht dhe simbolikisht i rëndësishëm, por për shumë, do të jetë shumë pak dhe tepër vonë”, tha Gauri van Gulik.
“Ata që janë përgjegjës për krimet kundër tyre duhet të sillen para drejtësisë dhe autoritetet duhet të ofrojnë kujdes adekuat shëndetësor dhe psiko-social që të mbijetuarave u duhet aq shumë për të kapërcyer traumën dhe për të rindërtuar jetën e tyre”, tha ajo.
Në një bisedë me “Zërin e Amerikës”, raportuesja e Amnesty International, Sian Jones, tërhoqi vëmendjen tek “çlirimi i viktimave nga stigma nën të cilën jetojnë ato”, duke u bërë thirrje autoriteteve që të punojnë për të siguruar një mjedis ku viktimat nuk do të druhen të kërkojnë të drejtat e tyre.

Poloni: Misioni i (pa)mundur i Moravieckit

I orientuar te ekonomia, i mësuar me botën dhe jo patjetër i afërt me popullin: Mateusz Moraviecki, kryeministri i ri i Polonisë konsiderohet si program kontrasti me paraardhësen e tij.
Mateusz Moraviecki konsiderohet si talenti më i madh politik i partisë PiS në pushtet në Poloni – dhe njëkohësisht si e panjohura më e madhe. 49-vjeçari që bëri betimin të hënën si kryeministër i ri, ishte që student në vendin e duhur. Ai u angazhua në ilegalitet në kohën e komunizmit dhe mori për këtë përsipër mundime, arrest dhe goditje. Kjo e bën atë sot të besueshëm për mbështetësit e vijës së fortë ideologjike në kampin nacional-konservator. Në pikëpamje ideologjike, Moraviecki dhe shefi i PiS Jaroslav Kaczynski janë pranë njëri-tjetrit. Madje edhe kur ishte kryetar i kryesisë së një banke, kryeministri i ri u dërgonte sms të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, për t’u kujtuar një betejë historike kundër rusëve ose datëlindjen e heroit kombëtar Marshall Pilsudski.
Ai është i ri dhe konsiderohet modern, por politika e historisë, për të si edhe për Kaczynskin bën pjesë në shtyllat mbajtëse të shtetit kombëtar polak. Të dy kritikojnë që Polonia nuk e ka rivlerësuar mjaftueshëm të kaluarën e saj komuniste, dhe që pas vitit 1989 atë e drejtoi kryesisht “establishmenti”. Por pikërisht kjo mund të bëhet tani interesante: sepse si ish-bankier Moraviecki konsiderohet për shumë vetë përfaqësues i establishmentit.

Ndërrim i çuditshëm rolesh
Ndryshe nga zgjedhësit tipikë të PiS, ai flet gjuhë të huaja dhe i ka disa miliona në llogarinë e tij bankare, gjë që shtypi polak e përmend herë pas here. Kryeministri i ri mund të negociojë në anglisht, në gjermanisht dhe në rusisht, ka studiuar histori dhe shkenca ekonomike, ka qëndruar për studime dhe praktika në SHBA dhe në Gjermani. Për shumë vjet ai ishte anëtar i Këshillit ekonomik të Polonisë dhe hyri në PiS vetëm në vitin 2016.
Moraviecki është një njeri me përvojë botërore, por nuk është i afërt me popullin – ndryshe nga paraardhësja e tij Beata Szydlo, e cila konsiderohet si “nëna e fshatit”. Si do të reagojnë zgjedhësit tradicionalë fshatarë ndaj kryeministrit me kostume fine të prera pas trupit, kjo është kryesisht e paqartë. Ndoshta, ndërrimi në krye fillimisht do të kushtojë disa vota. Prandaj ndoshta për këtë arsye u hoq dorë nga “reforma e madhe e qeverisë”, e cila qe lajmëruar. Moraviecki dhe Szydlo ndërruan vetëm rolet – tani kryeministri është ai dhe ajo është zëvendësja e tij. Po pse qe i nevojshëm gjithë ky teatër – pyesin shumë vetë – kur partia në sondazhe ka gjithsesi 47 për qind të votave të zgjedhësve?

Jo shenjë besimi
Përtej këtyre shifrave të jashtëzakonshme në sondazhe, Polonisë i duhet të zgjedhë për momentin disa probleme. Në politikën e jashtme kërcënon izolimi: për shkak të shkeljes së sundimit të ligjit, Poloninë e kërcënon neni 7 i Marrëveshjes së Lisbonës (i cili parashikon si dënim maksimal heqjen e së drejtës së votës në BE), si dhe shkurtime në paratë që merr nga BE. Që tani në Varshavë ia japin drejtimin Moravieckit, tregon se edhe atje e kanë kuptuar sa serioze është gjendja, edhe nëse për të nuk flet askush hapur.
Vetëm nëse Moraviecki ia del mbanë, vetëm atëherë mund ta reformojë PiS shtetin edhe më tej sipas shijes së saj dhe ta qetësojë popullin me dhurata bujare. Për këtë asaj i duhen paratë e Evropës më shumë se kurrë, njësoj si investorë të rinj. Deri tani është e qartë që në buxhet mungojnë tetë miliardë euro. Që Moraviecki nuk ka mundësi që në krye që të këmbejë ministra dhe që paraardhësja e tij i qëndron në krah si një mbikqyrëse, kjo nuk mund të shihet as si shenjë force, as si shenjë besimi. Talenti i madh i Varshavës është mësuar ndryshe.

Rusia kritikon SHBA-të lidhur me akuzat për luftë të re

Rusia i ka kritikuar ashpër Shtetet e Bashkuara për shkak të komenteve të këshilltarit për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, H.R. McMaster, i cili e ka akuzuar Moskën se po shfrytëzon metoda të shumëfishta të “shkatërrimit dhe dezinformacionit dhe propagandës” për t’i destabilizuar vendet e tjera.
Dmitry Peskov, zëdhënës i Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në komentet e sotme, tha po ashtu, se deklaratat e zotit McMaster ishin “ekstremisht dhe absolutisht të gabueshme” dhe se Rusia “nuk vepron për shkatërrim të sofistikuar në Shtetet e Bashkuara”.
Zyrtari i lartë amerikan, H.R. McMaster, tha dje se Rusia dhe Kina po e “shkatërronin rendin dhe stabilitetin ndërkombëtar” dhe “i injorojnë të drejtat për sovranitet dhe sundim të ligjit të fqinjëve të tyre”.
Ai mëtutje ka theksuar se Rusia e ka filluar “luftën e gjeneratës së re”, që shfrytëzon “shkatërrim dhe dezinformim dhe propagandë, me përdorim të mjeteve kibernetike, duke operuar nëpër fusha të shumëfishta, që kanë për qëllim ndarjen e komuniteteve tona brenda vendit tonë dhe për të shkaktuar konflikt kundër njëri-tjetrit dhe për përpjekje për të krijuar kriza të besimit”.
Ai ka aluduar në vlerësimin e zyrtarëve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara se Rusia ka kryer fushatë të orkestruar të ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016.
Putin dhe zyrtarët e tjerë rusë i kanë hedhur poshtë akuzat për përzierje në zgjedhje, megjithqë zyrtarët amerikanë thonë se ekziston dëshmi e mjaftueshme.

Deklarata e ambasadorit Lu: SHBA ka probleme me hakerimin e zgjedhjeve

Gjatë fjalës së tij sot në një konferencë të organizuar nga OSBE për çështjen e futjes së teknologjisë në zgjedhjet në Shqipëri, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, lëshoi një “bombë” që u kap nga pakkush, edhe për arsyen se në pamje të parë nuk ka të bëjë me vendin tonë direkt.
Duke folur për votimin elektronik, Lu ndau me pjesëmarrësit edhe përvojën në SHBA. Por mes të tjerave ai bëri edhe një deklaratë “të çuditshme” për zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, të cilat u fituan nga Donald Trump.
“Votuesit kishin dyshime për teknologjitë e reja, sidomos të moshuarit nuk ishin rehat me idenë e të votuarit me pajisjet. Tani në SHBA ka probleme të tjera, hakerimi i zgjedhjeve. Gjatë zgjedhjeve të fundit në SHBA kemi parë hakerim. Por kjo mund të jetë vulnerable”, deklaroi ambasadori Lu.

Basha: Kushtetua nuk lejon Prokuror të Përkohshëm, ligji u miratua në konspiracion

“Ligji për Prokurorinë është bërë në mënyrë konspirative dhe pa opozitën. Ai është antikushtetues dhe synon kapjen politike të Prokurorisë”. Kryetari i PD, Basha lexoi të gjitha pikat e Kushtetutës sipas të cilave në asnjë rresht të saj nuk lejohet zgjedhje e një Kryeprokurori në mënyrë të përkohshme. Në një bashkëbisedim me gazetarët Basha citoi Kushtetutën sipas të gjitha pikave të saj Kryeprokurori duhet të zgjidhet me 2/3 e votave ose me 3/5 dhe në asnjë pikë të saj nuk flitet për një zgjedhje me shumicë të thjeshtë, sikurse pretendon Rama i bazuar në ligjin e hartuar pa praninë e opozitës dhe që bie në kundërshtim me Kushtetutën.