Drejtoresha e një kopshti në Korçë ka dhunuar barbarisht edukatoren. Ngjargja ka ndodhur në sy të fëmijëve. Drejtoresha Laureta Asllani i ka shkulur flokët edukatores Zana Brahimllari. Kjo e fundit më pas i ka bërë kallëzim në polici. Shkaqet e sherrit në sy të fëmijëve nuk dihen ende.
Suzana Brahimllari, edukatorja që u dhunua nga drejtoresha e kopshtit ka përfunduar në spital për shkak të gjendjes shëndetësore të shkaktuar nga dhuna. Pasi shefi i Urgjencës nuk i ka lejuar gazetarët të bisedojnë me edukatoren brenda ambienteve të spitalit, vetë edukatorja ka dalë jashtë.
Mësuesja ka denoncuar në polici drejtoreshën Laureta Asllani, duke pohuar se u dhunua pas një pretendimi të saj. “Jam dhunuar nga drejtoresha e kopshtit, pasi ajo pretendon se një prej prindërve është ankuar për sjelljen time. Ka ardhur duke më bërtitur dhe ndërsa unë e kam mohuar më ka dhunuar”, mësohet se ka thënë edukatorja në polici.
Ndërkohë që mësuesja merrte mjekimin në spital, një tjetër skandal ka pasuar këtë ngjarje. Shefi i Urgjencës së Spitalit të Korçës ka fyer rëndë, dhe më pas i ka nxjerrë jashtë forcërisht gazetarët të cilët kishin shkuar të takonin edukatoren e dhunuar nga drejtoresha e kopshtit.
Ndonëse gazetarët i kanë thënë se kanë autorizim nga drejtori i Spitalit, mjeku ka kundërshtuar.
“Kam urdhër nga Kryeministria, dhe nuk pyes për drejtorin e spitalit që ju autorizoi të hyni dhe për askënd tjetër. Edhe pse keni ardhur me kërkesë të vetë pacientes nuk më intereson fare. Jua thyej telefonat po zhdukuni jashtë”, është shprehur Dhimitër Samara. Pas kësaj, ai ka shtyrë me dhunë gazetarët e disa mediave, duke përdorur edhe fjalë fyese ndaj tyre.
Drejtoresha në Korçë rreh edukatoren në sy të fëmijëve
Prokuroria zbardh 7 udhëtimet e Tahirit jashtë shtetit me Sotën
Zbardhja e vendimit të plotë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila i ndalon që nga dita e djeshme lëvizjen e lirë jashtë shtetit deputetit Saimir Tahiri ka nxjerrë në dritë edhe lidhjen e tij me familjen e Orest Sotës. Konkretisht në dosjen dorëzuar gjykatës, prokuroria ka sqaruar edhe lidhjen e Tahir-Sota, por edhe shoferit të ish-ministrit të Brendshëm, i cili rezulton se ka lëvizur me automjete të familjes së biznesmenit Sota.
Provat që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur dje në Gjykatën për Saimir Tahirin, tregojnë edhe lidhjet që ish-ministrit i Brendshëm ka me Orest Sotën. Këtij të fundit, më 1 nëntor iu gjetën në makinë një sasi prej 863.100 euro, për të cilat organi i akuzës ka dyshime se lidhen me aktivitete të paligjshme të Tahirit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, të paraqitura në Gjykatën e Krimeve të Rënda, “të dhënat e marra nga sistemi Tims japin njoftime për njohjen midis shtetasit në hetim Saimir Tahiri e ish-shoferit të tij, Gentian Çeka, me shtetasin Orest Sota dhe familjarët e këtij të fundit, për shkak të disa udhëtimeve jashtë shtetit, me automjete të njëjta”.
Udhëtime që Prokuroria i ka specifikuar:
Me datë 24.02.2017, ora 08:05 shtetasi Orest Sota ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Murriqan, me automjetin me targë MB 279 AA, e cila rezulton në inventarin e mjeteve të Ministrisë së Brendshme. Me këtë mjet ka disa hyrje-dalje shtetasi Gentian Çeka, shoferi i shtetasit Saimir Tahiri.
Me datë 07.07.2017, ora 22:14 shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Murriqan, me automjetin me targë AA 973 RX, që rezulton e regjistruar në emrin e shtetasit Ardit Sota, vëllait të Orest Sotës. Është kthyer me datë 09.07.2017, ora 15:39, nga e njëjta pikë kalimi dhe me automjetin me targë AA 101 DJ, që rezulton e regjistruar në emrin e shoqërisë “IKONA” me pronar Lefter Sota, babai i Orestit.
Me datë 02.08.2016, ora 22:14, shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Porti Durrës, me automjetin AA 516 NU (i regjistruar në emrin e shtetasit Endri Hasa nga Elbasani dhe s’ka lidhje me familjen Sota) dhe nga linja “Bari-Rigel-Duni”. Është kthyer me datë 07.08.2016, ora 13:19, nga e njëjta pikë dhe e njëjta linjë, por nuk ka të regjistruar mjetin me të cilin është kthyer. Më datë 02.08.2016, ora 22:14, shtetasi Orest Sota ka dalë nga Porti i Durrësit, me linjën “Bari-Rigel-Duni” (nuk ka të dhëna për mjetin apo mënyrën e lëvizjes së tij). Është kthyer me datë 07.08.2016, ora 13:22, nga e njëjta pikë dhe e njëjta linjë. Me automjetin AA 101 DJ kanë hyrje-dalje shtetasit Orest Sota dhe Gentian Çeka.
Në mënyrë të përmbledhur rezulton se, Shtetasi Saimir Tahiri ka tre dalje dhe dy hyrje me automjetin me targë AA 973 RX që është në pronësi të familjes Sota. Shtetasi Saimir Tahiri ka një dalje me automjetin me targë AA 101 DJ që është në pronësi të shoqërisë “Ikona” me pronar Lefter Sota. Shtetasi Gentian Çeka ka dy dalje dhe një hyrje me makinën me targë AA 718 OS që është në pronësi të Orest Sotës. Shtetasi Gentian Çeka ka dy dalje dhe një hyrje me makinën me targë AA 101 DJ që është në pronësi të shoqërisë “Ikona” me pronar Lefter Sota. Shtetasi Gentian Çeka ka një hyrje me makinën me targë AA 973 RX që është në pronësi të Ardit Sotës.
Ministri italian për dosjen Habilaj: Shkëmbimi i informacionit është i shkëlqyer
Ministri italian Andrea Orlando, vizita e të cilit përkoi me të njëjtën ditë, kur Gjykata zbardhi një vendim mase sigurimi, përmes të cilit i ndalonte daljen jashtë ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, nuk pranoi të bënte komente për këtë çështje. “Nuk komentoj veprimet e Magjistraturës italiane, aq më pak mund ta bëj me vendimet e Magjistraturës shqiptare. Funksioni ynë është që shkëmbimi mes Magjistraturave të bëhet në mënyrën sa më të mirë dhe jo të gjykojmë në vend të gjyqtarëve apo hetojmë në vend të prokurorëve, nuk duhet të bëjmë detyrën e tyre”, u shpreh Orlando.
Ministri italian ka komentuar dhe një nga dosjet më të bujshme, siç është ajo e trafikantëve “Habilaj” për të cilët vijojnë ende hetimet në shtetin fqinj. Ndonëse i përfshirë në të është edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ministri italian deklaroi se, hetimet për këtë dosje vijojnë në shtetin italian dhe problemet e vetme që ekzistojnë janë të natyrës teknike.
Pyetjes se a keni pasur bashkëpunimin e duhur me autoritetet shqiptare për dosjen Habilaj, ministri italian Orlando u përgjigj se, shkëmbimi i informacionit është i shkëlqyer dhe niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve është në nivele shumë të mira. “Problemet e vetme që ekzistojnë janë mënyrat e vlerësimit të disa proceseve të zhvilluara në mungesë të disa të akuzuarve. Me ballafaqimin e çështjeve që kanë më shumë karakter teknik, problemet mund të zgjidhen”, tha ai. Ai nuk pranoi të komentonte vendimin e gjykatës shqiptare për t’i ndaluar ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri lëvizjen jashtë Shqipërisë.
Në Ministrinë e Drejtësisë, zyrtari italian dhe homologia e tij shqiptare, Etilda Gjonaj, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi mes dy ministrive përkatëse. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, i pyetur në lidhje me një datë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Orlando u përgjigj: “Nuk na takon ne të caktojmë datë, por ekzistojnë të gjitha parakushtet për çeljen e këtij procesi”. Memorandumi i nënshkruar nga Orlando dhe Gjonaj parashikon rritjen e bashkëpunimit mes dy ministrive në fushën e legjislacionit, në gjyqësor e fusha të tjera nën juridiksionin e tyre.
Paralajmërimi i Berishës: Rama do marrë përgjigjen nëse guxon të kapë Kryeprokurorin
Ky dhjetor është muaj reagimi
– Do ta nisim këtë intervistë me një kthim në kohë. Para 4 vitesh kemi zhvilluar një intervistë me ju. 12 dhjetori është dita e themelimit, por ka disa kohë që po festohet në 11 dhjetor …
E vërteta historike është kjo, që në 11 dhjetor është kthyer përfaqësia e studentëve në një takim me Ramiz Alinë. I priste e gjithë Tirana dhe Arben Imami ka folur dhe thënë se do të themelohet partia e re. Jemi futur në një korridor, kati i 2-të, Gramoz Pashko, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, etj. Kemi diskutuar për emrin e partisë dhe në fund vendosëm ta quajmë PDSH. Kemi dalë nga ajo mbledhje pas mesnate dhe lajmi është përhapur kudo. Të nesërmen, datë 12 jemi mbledhur në shtëpinë e Gramoz Pashkos ku kemi diskutuar për programin. Më pas jemi mbledhur tek dhoma 15 në Qytetin “Studenti”, që mund të quhet edhe si selia e parë e PD.
– Duket se nën drejtimin e Lulzim Bashës, përveç datës, logos, Republika e re, mungesa e shumë emrave, duket se ka një tendencë për të ndryshuar identitetin…
Ka një tendencë për një marketing të ri. PD si të gjitha partitë simotra është kjo forcë politike, që është gjallë dhe ka mbijetuar.
– Dje mungonin shumë emra të spikatur të PD-së, Imami, Topalli, Bode, Ruli, Mustafaj, Bregu e përfaqësues të trupit diplomatik. Si u ndjetë …
Të gjithë ata që munguan, shkëlqyen me mungesën e tyre. E vërteta është se pas fjalimit nuk kam qëndruar gjatë, sepse kishte një pjesëmarrje masive. Gradualisht u tërhoqa nga pritja, pashë disa përfaqësues të trupit diplomatik. Sipas dëshirës, ka diplomatë që janë të pasionuar pas Ramës, PS. E kanë të thekur pasionin, pasi janë të majtë. Në një pritje, vjen ai që do.
– Si u ndjetë ju me mungesat e djeshme…
Shkëlqyen me mungesën e tyre. PD është një parti e ndërtuar mbi vlera e jo demagogji. Unë shoh me kënaqësi një përpjekje serioze, më shumë se të njëanshme për të kapërcyer problematikat e krijuara pas zgjedhjeve.
– Në tryezën e PD-së janë dy platforma. Ajo e Patozit dhe Edith Harxhit. Në të dyja rastet nga Basha ka heshtje…
Unë di një gjë tjetër. Ka pasur një proces brenda partish, analiza brenda saj, dhe mbledhje propozimesh për ndryshime. Tani është koha, për t’i marrë të gjitha, si zotit Patozit, Harxhit e si propozimet që kanë ardhur nga strukturat e partisë. Është koha tani në të cilën do të duhet të vihen pikat mbi ‘i’, zgjidhje të problematikës së krijuar, statusi dhe rregullat. Unë jam këtu për të folur për një parim shumë të rëndësishëm: Nuk mund të bëhet një status me qëllim largimin e kryetarit të partisë. Statuti bëhet për të fituar partia. Në këtë kontekst, nëse përcaktojmë këto parime, që nuk kanë qëllim në vete largimin e kryetarit, sepse në çdo 4 vite grupe të caktuara do të bëjnë këtë gjë. Nëse përcaktojmë qartë rregullat e partisë që nuk lejojnë shkeljet e statutit dhe sanksionojnë pasojat e shkeljes së statutit, çdo njeri do ta gjejë veten në PD.
– Basha jo vetëm hesht për propozimet, por nuk i konsideron këto propozime. Disa njerëz mund të krijojnë edhe një parti të re. A është kjo përçarje …
Në fjalën e tij dje, Basha iu referua të gjithëve. Jam i bindur që çdo njeri mund të krijojë partinë e tij dhe me lënë kontributin e tij tek një parti është zgjedhje. E parë në persektivë do të preferoja mirëkuptimin. Kjo, pasi Basha ka marrë përgjegjësitë e veta edhe publikisht. Nëse PD ka një dhe vetëm një përgjegjës e ky është Basha, kjo nuk e zgjidh problemin. Ai ka përgjegjësi kryesore, në mënyrë të padiskutueshme. Secili duhet të shikojë copën e përgjegjësisë së tij. Po kalojnë shumë muaj. I natyrshëm zemërimi fillestar, por gradualisht vjen koha. Çdo njeri me gjakftohtësi kërkon të dijë cila është rrugëdalja. Instikti i bashkëpunëtorëve të mi, do t’i çojë në një zgjidhje brenda PD.
– Ka luksin që kryetari i një partie që ka humbur 200 mijë vota, kryetari i ri nuk po arrin dot të jetë unifikuesi. Duket se ai është larguesi i tyre.
Mesa shikoj unë, ka përpjekje për bashkimin e tyre.
– Nëse do të kishte një kërkesë për largimin e kryetarit të PD-së, ju me kë do ishit?
Nëse do ta kërkonte baza, unë jam me bazën. Tani do të tregoj diçka. Njëri prej bashkëpunëtorëve të afërt, thotë se nuk e donte Berishën, donin të shpëtonin prej tij, por problemi ishte se ai sa dilte në bazë, baza ndizej flakë prej tij. Unë gjithmonë kam qenë me bazën.
– E do baza Bashën…
Ishte një proces votimi. Të marrim edhe anën që nuk ishte një proces i rregullt. Patëm një kandidat rival, që bëri një fushatë të qytetëruar dhe reale, të civilizuar reale dhe politike. Ky kandidat e uroi fituesin. Pashë edhe problemet që kishte ai, ajo që ndodhi në Korçë, apo edhe të tjera probleme. Por nuk mund të mohohet se nuk pati një pjesëmarrje të gjerë. Votat u ndanë mes dy kandidatëve. Nuk gjykoj se është i frytshëm sulmimi i një procesi nga jashtë, pa marrë pjesë.
– Zëra nga PD thonë se Basha po e ndan PD-në për interesat e tij…
Kritikët e Bashës, dhe kanë të drejtë, ia kam thënë edhe Bashës që janë hequr nga lista në kundërshtim me statutin. Në këtë kontekst, këta duhet të ia adresonin forumeve të partisë. Ata nuk iu adresuan. Të gjithë kemi ndonjë gabim, e Basha më shumë, duhet të bëjnë analiza objektive, reale. Marrëdhëniet e mia janë të ngrira në 22 korrik 2013. Aty janë ngrirë. Në këtë kontekst është koha për të marrë përgjegjësitë për forumet që kemi, që forumet të funksionojnë si duhet. Statuti të funksionojë si duhet.
– Ju keni thënë se, Basha kishte këshilltarë mizerabël në fushatë…
Unë i qëndroj asaj plotësisht. Pse? Së pari, ajo ishte një këshillë shumë e gabuar. Nuk është vetëm ajo. Ku bazohet fushata? Ajo bazohet tek të pavendosurit. Këta janë 25% të elektoratit e përcaktojnë fatin e zgjedhjeve. Ai që merr ata, merr zgjedhjet. Çfarë na ndodhi ne. Ne ishim 32% javën e parë. Basha nisi një fushatë ndër më të shkëlqyerat në Fier. E tregoi polli italian, që është edhe më i sakti. Brenda 1 jave ne u rritëm 37%, ne morëm 2 e Rama 1 nga të pavendosurit. Nëse do të vazhdonim në këtë mënyrë, ose dilnim 1-2 pikë para Ramës, ose pas tij. Rama e kuptoi këtë dhe këshilltarët e Bashës nuk e kuptuan. Rama ktheu 180 gradë, duke thënë se do të bënte koalicion. Ai bëri fushatë me timonin. Grupi i Ramës që testonte të pavendosurit, e panë që u bënte më përshtypje timoni. Faktikisht ai e përmbysi situatën. Nëpërmjet deklaratës se do të bëjmë koalicion, elektorati i PD-së tha se ne nuk marrim pjesë në votime. Këta ishin këshilltarët, por ky grup këshilltarësh bënë një dështim spektakolar. Ata i thonin se mesazhi ecte, por pollet nuk ecnin.
– 4 vite më parë ju kam pyetur nëse Bashës do të i jepnit formulën e suksesit. Ju thatë ja jap, por varet sa e implementon.
Basha në këto 4 vite synoi një rrugë origjinale opozitarizmi, jo rrugën e Berishës.
– Çfarë frytesh po jep …
Frytet në kushtet shumë të vështira nuk u dhanë. Nëse BE thotë se 20% e zgjedhësve shet votën, këtu demokracia ka marrë fund. 20% përcakton çdo rezultat. Nëse 20% e shqiptarëve thonë se kanë shitur votën …
– 200 mijë vota më pak …
Nuk po them se nuk ka përgjegjësi, por 20% është si shpata e Demokleut. U larguan zgjedhësit tanë që u tmerruan nga koalicioni me PS-në. Klima zgjedhore e drejta e votës, do të thotë se demokracia është ekzekutuar.
– Marrëveshja e 18 majit, duket se jo vetëm që nuk ka vdekur, por edhe flitet për një qeveri me bazë të gjerë
Nëse një lider mazhorance sillet ndaj një kryetari opozite në këtë mënyrë është një këpucaman i tmerrshëm. Demokraci pa opozitë nuk ka. Edhe unë mund të ja bëja, hajde artisti im, por këto nuk bëhen kurrë nga politikanë të qytetëruar, por nga politikanë primitivë. Mendon se duke u thënë shqiptarëve se me këtë kam marrëveshje, kujton se mund të kalojë skandalet e mëdha.
– A ka vdekur marrëveshja e 18 majit…
– Po.
– A mund të ketë një qeveri me bazë të gjerë për integrimin e vendit …
– Asgjë nuk zgjidh. Për integrimin e vendit janë të gjithë pro. Marrëveshja për integrimin e vendit u firmos që në vitin 2012, kur qeveria me reformat e saj eci para. Çfarë e pengoi integrimin e vendit? Opozita që denonconte skandalet, kanabisin etj… Jo nuk e frenoi. E vërteta është se për 4 vite opozita bëri një transparencë dhe të bjerë sirenave të alarmit. A u dëgjua opozita siç duhet? Jo sepse kishte edhe kundërsirenat.
– Dua të kthehem prap tek qeverisja me bazë të gjerë. Kush i siguron zgjedhësit se nuk do të ketë një marrëveshje pas zgjedhjeve?
Kam bindjen se Basha e mban fjalën. Kam bindjen se nuk mund të futet PD në një qeveri të lidhur me krimin, në një qeveri që mbron ish-ministrin e vet, që të mos dorëzohet para drejtësisë, të mos i heqë mandatin. Një koalicion me Ramën është vetëvrasës dhe një koalicion me krimin.
– Po një koalicion me LSI-në..
Opozita duhet të bashkojë çdo grimcë opozite në këtë vend, duhet të mbledhë çdo zë kundër kësaj qeverie. Opozita duhet të bashkërendojë edhe me mediat, që janë nën një presion nga ky narkoshtet.
– Përmendet lidhjet e qeverisë me krimin, ka dosje që opozita i ka bërë publike. Basha thotë se ka dosje të tjera. Ku janë këta dosje … Ku është opozita
Është e vërtetë që PS-ja dosjeve me emër e mbiemër t’i kundërvihet me shpifje. Kjo është banale. Në dokumente ndërkombëtare shumë të rëndësishme figuron se dëmi i sjellë nga CEZ është 600 milionë euro. Këto para janë ndarë mes Ramës, CEZ e ministrave të tij. Afera e inceratorëve. I njëjti person që merr djegësin në Elbasan e merr për 22 mln euro dhe ja shet një kompanie italiane për 13 mln euro. Fut në xhep 9 mln euro e gjithçka jashtë çdo procedure, duke firmosur brenda 1 dite 9 dokumente që nuk mund të bëhet kurrë diçka e tillë. Të lëvizin 9 ministri në një ditë, këtë e bën vetëm kryeministri. Djegësi i Fierit i dhënë Klodian Zotos, këshilltarit të Arben Ahmetajt, për 29 mln euro dhe dhënë një firme italiane për 15 mln euro, e duke futur në xhep 14 mln euro. Famozja Nushi merr qindra milionë euro për t’i ndarë me klanin Nushi e Rama.
-PS ka artikuluar dy akuza konkrete. E para, për pagesat e lotimit nga PD në qeverinë amerikane. Keni dijeni dhe cili është opinioni juaj për këtë lobing?
Nuk kam dijeni për këtë lobim, nuk kam dijeni për financat e PD-së. Sot KQZ-ja e ka marrë në shqyrtim këtë çështje.
– Balla është shprehur se po prishen provat …
Ata mundohen të mbulojnë mullarët me gjilpëra në kashtë. E kapën këtë punë në parajsat fiskale. E dini ju kush është në këto parajsat fiskale? Banka e madamë Ramës. Kokë e këmbë. BE po përdor një standard të ri për parajsat fiskale. Banka e madamë Ramës është e regjistruar në parajsa.
– Nëse nuk janë regjistruar dokumentet e lobimit…
Ka periudha për deklarimin e parave, kush ka përgjegjësi le t’i mbajë. Vetëm një ministër i qeverisë u akuzua për 20 mln euro para për fushatën elektorale.
– Balla flet për një ryshfet për çështjen Rapiskan… flet për një kompani të lidhur me Sali Berishën që ka blerë shërbimin për 4 dollarë?
Unë ju ftoj të klikoni dhe gjeni shkrimin në Bloomberg. Në asnjë fjalë e rresht nuk citohet Sali Berisha, emri i të afërmve të tyre, kompani të lidhura me Sali Berishën. Të gjitha këto janë shpifje të ulëta të Edi Ramës. E vërteta është kjo: E nisur strikt ndaj interesave të sigurisë kombëtare, pikat e kalimit të kufirit, porteve dhe aeroporteve. Aeroportin e ka një firmë edhe pse e ka me një marrëveshje të pafavorshme. Aty ka një cedim shumë të madh, që prej grabitjes. Së dyti, doja të siguroja portet. Për këtë hapa një tender. Kush e fitoi? Vilma Nushi, pa asnjë eksperiencë, muratori që nuk kishte as 2 mijë euro në llogari, ortaku i Olsi Ramës, apo njëshi i botës? E fitoi njëshi i botës. Rapiskani është njëshi i botës për skanerat. Cili do të shkojë e të marrë dokumentet. Rama e kundërshtoi këtë. Aktin e parë që ai bëri, Rama e anuloi me një urdhër-ekzekutiv një vendim të Parlamentit, duke ia çuar të gjitha në favor të kompanisë. Mori Sheri Bler, me një kosto prej 600 mijë eurosh dhe ajo i tha mos e zgjat, sepse do të duhet të paguash 600 mln dollarë, sepse aty janë të gjitha në rregull. Por nuk të lë vëllai Olsi. Çfarë bëri, ai anuloi urdhrin dhe futi buxhetin e shtetit. Rama u fut dhe tha se paratë do t’i jap unë nga buxheti. Pika 5 e kontratës së re thotë që brenda 1 muaji duhet të krijohet një kompani në Shqipëri, por kontrata thotë se përgjegjësinë e ka kompania Rapiskan në Kaliforni. Kjo është kontratë e rregullt dhe jo si kontrata e Ramës që i jep Pegasusit të Olsi Ramës lojërat e fatit.
– Kalojmë tek kryeprokurori i përkohshëm. Në orën 18:00 është mbyllur orari i kandidaturave. Si ju duket e gjithë kjo procedurë …
Thjeshtë është shndërrimi i Edi Ramës në kryeprokuror, reforma përfundoi me bërjen e Edi Ramës kryeprokuror i Shqipërisë.
– Ambasadori Lu është pro këtij prokurori…
Ambasadori Lu është plotësisht në konflikt interesi. Edi Rama të bëhet që nesër kryeprokuror. Kushtetuta është marrë peng. Druaj se do të merret peng Kushtetuta. Nëse merret peng ajo, ti shuan opozitën me Kushtetutë. Çfarë kërkon opozita? Të zbatohet Kushtetuta që zgjedh kryeprokurorin me 84 vota. Nëse nxjerr ligje për të rrëzuar Kushtetutën atëherë merr fund shteti ligjor. Nuk ka ligj që rrëzon Kushtetutën. Opozita po kërkon që të vijë një njeri i vettuar. Ky ambasador, bashkë me ambasadoren tjetër, a nuk u ka thënë shqiptarëve të paktën nga 1500 herë, vettingu, vettingu… dhe tani e shkelmon. Nëse Edi Rama e shkelmon e dhunon opozitën në këtë mënyrë, atëherë unë besoj se opozita ka mundësitë për t’i dhënë përgjigjen e merituar. Unë e gjykoj këtë në aktin më të rëndë të 27 viteve.
– Zoti Lu është shprehur sot për zgjidhjen…
Donald Lu është në konflikt interesi. Zoti Lu kërkon largimin e Adriatik Llallës. Ky i fundit e ka akuzuar Ambasadorin Lu për korrupsion të rëndë. Ai duhej t’i përgjigjej Llallës. Nëse ambasadori kërkon të përfshihet në jetën publike, politike, atëherë ai duhet të vuajë pasojat. Unë kam pritur që ambasadori Donald Lu t’i përgjigjej kryeprokurorit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë, ka pasur, por nuk ka ndodhur që kryeprokurori i shtetit të akuzojë një ambasador me terma konkretë. Nëse ambasadori nuk i dha përgjigje, atëherë ka diçka aty. Ai është në ‘full conlfikt of intere’. Ai ka folur për emra të përveçëm për kryeprokurorin. Ai ka dalë jashtë funksionit të tij. Ai është shprehur dhe ka ofruar emra. Nuk ka asnjë komision parlamentar që ka kërkuar interpretim të ligjit. Ka kërkuar Edi Rama dhe në funksion të tij i jepet këshilla. Jepet shembulli më negativ.
– Zoti Lu ka thënë se në muajin janar do kapen peshq…
Lajmet bombë, për fat të keq janë faktuar. Presidenti i SHBA ka një meritë të madhe, është nocioni ‘fake neës’. Ky është leksioni më i mirë, për gazetarë, politikanë etj. Për çfarë peshqsh flet ai? Kur vjen fjala për Saimir Tahirin ai u kujton shqiptarëve
burgjet e diktakturës. Doli ambasadori amerikan në OSBE që tha se Tahiri është i përfshirë.
– Reforma në Drejtësi …
U tha që në shkurtin e vitit 2016, Reforma në Drejtësi do të ishte aktive. Por tani pas 16 muajsh asgjë nuk ka ndodhur. Sot jemi në situatën ku po kërkohet të zgjidhet një kryeprokuror. Opozita nuk e ka vonuar. E ka vonuar Shoqëria Civile e Edi Ramës. E ka vonuar bordi i Shoqërisë Civile i kontrolluar nga Edi Rama. Ky prokuror i ri, do të bllokojë dosjen e ‘Xibrakës’. Rama është peng.
– Mazhoranca sjell rastin e Kroacisë ku u arrestua ish-kryeministri. A mendoni se do të shkojë në këtë nivel…
Do të ishte gjë shumë e madhe të shkonte në çdo nivel. Por Edi Ramës sapo i përmendëm kryeministrin e Rumanisë, ai u tërbua sepse ishte kryeministër në detyrë. Do të shkojë reforma, por jo sa të jetë Rama kryeprokuror. Ne jemi në kushtet e narkoshtetit.
– Sot Tahirit i është dhënë një urdhër nga gjykata që të mos dalë jashtë shtetit. Ju duket si një hap drejt çuarjes deri në fund të çështjes Tahiri?
Çështja Tahiri është ndërkombëtare, thellësisht ndërkombëtare. Deklarata që dha ambasadori i SHBA në OSBE, Vjenë ishte qëndrimi i qeverisë së SHBA. Kjo çështje është ndërkombëtare. Ambasadori i SHBA e tha tullë, që kjo është një çështje krimi e jo burgjesh komuniste. Janë vizitat e njëpasnjëshme të ministrave italianë. Brukseli është shprehur se çështja Tahiri është kryesorja. Kur ja thonë opozitës, këtë ja thonë edhe Ramës. Çështja Tahiri është e komplikuar. Ai ka dosjet për ta. Nuk kishte shpjegim ndryshe kthimi në mbrojtje të tij. Ai ju tha se do të dëmtonte çdo njeri që nuk e mbronte.
– Nëse prokurori i ri nuk do ta çojë deri në fund çështjen Tahiri a mendoni se është një çështje e mjaftueshme për të rrëzuar qeverinë?
Çështja Tahiri e ka rrëzuar qeverinë Rama. E bënte Tahiri trafikun me bekimin e Edi Ramës. Janë dhjetëra raporte të SHISH që kryeministri i hodhi në kosh. Çështja Tahiri e ka rrëzuar Ramën dhe kjo qeveri nuk mund të rrijë më shumë se 1 javë.
-Por në Bruksel po fryn një erë e mirë, ka ardhur me deklarata…
A ju kujtohet fluturimi i Ramës nga Berlini në Tiranë ku erdhi e tha se e kemi marrë, ndërsa Merkel i kishte thënë se janë 5 kushte. 2018 është vit vendimtar.
– 2018 po, por Edi Rama është kryeministër dhe është kapital për të…
Kjo është kapital për Shqipërinë dhe jo për Edi Ramën. Edi Rama ka marrë një paralajmërim nga Brukseli. Ky dhjetor është muaj reagimi. Çdo shqiptar duhet të reagojë ndaj kësaj qeverie.
-Nëse opozitës do t’i kërkohej një qeveri me bazë të gjerë nga ndërkombëtarët…
Unë nuk jam në kupolën drejtuese, por si deputet unë them se nuk mund të bëhet një qeveri me narkoshtetin.
– Si ju duket Ilir Meta si president…
Presidentit me ndryshimet kushtetuese i kanë reduktuar në shkallën më ekstreme kompetencat. Në tërësi në Shqipëri, funksioni i Presidentit ka qenë ceremonial, por ka pasur një pushtet në drejtësi. Ilir Meta po përballet me një qeveri që kërkon ta minojë në çdo rast. Po marr rastin e shefit të SHISH. Edi Rama në minimumin e etikës nuk mund ta vinte atë përballë faktit të emrit të ri, pa marrë miratimin paraprak. Ai nuk është ministër. Drejtorin e këtij shërbimi, Presidenti nuk mund të firmosë me sy mbyllur.
– A mendoni se do të ketë një lëvizje të Metës para zgjedhjeve lokale.
Që Veliaj po konturohet si rival i Edi Ramës kjo është evidente. Që Meta i ka pasion këto shortkat edhe i kap. Por a lejon posti i Presidentit të merret me këto? Nuk e lejon. A do ta shkelë ai kodin e presidentit, mbetet për t’u parë. Ekziston një lloj flirti mes tyre, ekziston, nuk mund të them se nuk ekziston. Ne ta shohim se çfarë do të ndodhë.
– Festat në Shqipëri do ti kaloni..
Festat i kalojmë gjithmonë në Shqipëri. Shkëmbejmë disa dhurata modeste, u them fëmijëve që të shkojnë ku të duan, por në asnjë vend të botës nuk i kemi kaluar, vetëm në Shqipëri.
– Si do të jetë 2018…
Nga skandali në skandal do të shkojë. Shqiptarët duhet të mblidhen. Saimir Tahiri ishte një rast i mjaftueshëm për ta rrëzuar qeverinë. Para 1 jave u takua me Gjushin, para 4 ditësh u takua me don Lalën. Shpresoj që në 2018 shqiptarët të ngrihen kundër kësaj diktature mbi qytetarët.
PD nuk do të njohë kryeprokurorin e ri të zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës
Opozita nuk do të njohë kryeprokurorin e ri të zgjedhur në rrugë antikushtetuese vetëm me votat e mazhorancës. I ftuar në “Fax News”, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se PD nuk pranon ftesën e Ramës për dialog qoftë e bërë edhe nga ambasadori amerikan, Donald Lu në lidhje me zgjedhjen e prokurorit.
Ai tha se me këtë që po bën mazhoranca po shkërmoqet Kushtetuta, pasi sipas saj prokurori duhet të jetë jo politik dhe i pakorruptuar, ndërkohë që thirrja e Ramës është për të zgjedhur një prokuror politik dhe kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës. “Në fakt një gjë duhet të kuptojnë shqiptarët, dialogu është i mirë si qasje, por nuk duhet lejuar asnjëherë që konsensusi politik t’i mbivendoset rregullave. Çështja e prokurorit është rregulluar më parë me anë të një marrëveshjeje. Është pakt mes shqiptarësh, të majtë, të djathtë. Kushtetuta është marrëveshja e madhe. Prandaj një lloj thirrje e tillë e mazhorancës është cinike dhe qesharake. Prokurori i Përgjithshëm është simbol i sistemit të drejtësisë. Është ai që inicion procesin e ndëshkueshmërisë. Ne kemi vuajtur për drejtësi dhe kjo është arsyeja e madhe që u votua reforma në drejtësi. Dy elementë të rëndësishëm parashikonte Kushtetuta për prokurorin: I pakorruptuar dhe jo i kapur nga politika. Do të arrihej përmes reformës në drejtësi. Pra, jo politik dhe jo i korruptuar, ndërsa thirrja e Ramës është hajde të zgjedhim një prokuror politik, ose edhe më keq një prokuror të PS-së. Rama e përdori 3 vjet vetingun, ndërsa sot ka provën përpara për të treguar se sa e ka dashur. Sot Rama është ai që vetingun nuk e do për prokurorin e Përgjithshëm, por e do politik. Ka një arsye, është rasti i Tahirit se është shumë e rëndë që të kesh ministrin më të suksesshëm si të akuzuar për trafik droge. Ka dhe hallin e tre policëve që sot janë zhdukur”, tha ai. Në lidhje me deklaratën e Donald Lu për dialog, Alibeaj tha se opozita e refuzon këtë ftesë, ndërsa bëri të ditur se opozita nuk do ta njohë zgjedhjen e kryeprokurorit të ri vetëm me votat e mazhorancës. “Nuk bëhet kështu se nuk duhet të ngelet në vullnetin e Ramës apo Bashës çështja e zgjedhjes së prokurorit sepse nuk e thotë kështu Kushtetuta. Kushtetuta thotë se prokurori apo gjithë prokurorët duhet të emërohen dhe zgjidhen jo nga politika, pra politika, pushteti kryesisht nuk duhet të përfshihet në sistemin e drejtësisë. Rama thotë hajde ta zgjedhim bashkë, që do të thotë të mbyllen dosjet korruptive të mazhorancës. Prandaj opozita refuzon ftesën e Ramës, qoftë dhe të ambasadorit. Ne nuk e njohim si proces dhe nuk njohim asnjë produkt të këtij procesi sepse ky proces është i PS-së dhe vetëm tesera e PS-së mund t’i mungojë në xhep. Kjo nuk është gjë tjetër që Prokuroria është dhënë me koncesion sepse prokurorin do ta emërojë Saimir Tahiri me shokë”, tha Alibeaj.
Nga makina tek zyra, shpenzimet luksoze të kreut të AMF, Ervin Koçi
Shpenzimet e luksit janë shndërruar në pasionin e parapëlqyer të pushtetarëve. Makina luksoze, mobilje luksoze zyrash, bileta avioni etj., janë shpenzimet më të shpeshta të pushtetarëve. Një rast i tillë është edhe ai i ish-deputetit socialist Ervin Koçi, i cili sot drejton Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Pasi bleu një “Benz” luksoz me vlerë 92 milionë lekë, drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Ervin Koçi ka vendosur të përdorë një shumë të konsiderueshme parash nga buxheti i shtetit për arredimin e zyrës së tij.
“Tpz.al” mëson se institucioni i AMF-së, ka zhvilluar një tender të fundit, më datë 11 dhjetor 2017, me objekt “blerje orendi dhe arredim zyre e sallë mbledhjesh” me një fond limit prej 5.383.330 lekë. Bashkë me TVSH-në, kjo vlerë e kripur shkon rreth 61 milionë lekë të vjetra.
Komoditeti i drejtuesit Ervin Koçi, i cili më herët ka qenë deputet i Partisë Socialiste në Qarkun Fier, tejkalon çdo imagjinatë me shpenzimet, pasi me aq para mund të blesh një apartament të ri.
Zyra e tij do të vishet me parket me dru lisi ose ahu të stazhonuar në mënyrë natyrale ose artificiale. Ky lloj parketi është nga më të kushtueshmit, me një vlerë mbi 100 euro/m2, po t’i referohesh çmimit të tregut. Bordurat vertikale ose plintuesat sipas llojit të shtrimit të dyshemesë do të jenë me qeramikë, një material që përdoret shumë rrallë pasi edhe ky është shumë i shtrenjtë.
Në dokumente thuhet se kërkohet tavolinë dhe karrige me materiale lëkure në ngjyrë të zezë, për titullarin e institucionit, Ervin Koçi. Materiali që do të përdoret është copë mikrofibër në ngjyrë perle. Do të ketë tavolinë mesi tek poltronat, rimeso druri ngjyrë lajthie.
Por ky drejtues institucioni, i cili preferon luksin e tepërt në një vend me ekonomi të brishtë, ka nxjerrë në pah edhe shpirtin e tij prej artisti. Ai ka kërkuar dy piktura abstrakte, ndërsa do t’i blejë vetëm nga një piktor i njohur që ka vlera të mëdha artistike.
Lista e preferencat e mënyrës së arredimit të zyrës, është shumë e gjatë. Të gjitha këto janë llogaritur të blihen me 61 milionë lekë fonde publike, që Ervin Koçi i ka vënë në dispozicion të kompanive private.
Më herët, “Tpz.al” denoncoi sesi ish-deputeti socialist, aktualisht drejtor ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, u pajis me një makinë super të shtrenjtë, “Mercedes Benz” të vitit 2017, pavarësisht se makina që ai dispononte ishte gjithashtu shumë e re, e vitit 2013. Vlera e “Benz”-it ngjyrë të zezë dhe me xhama të errësuar, i tejkalonte 92 milionë lekë të vjetra.
Dikur ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka thënë se “politikanët dhe zyrtarët po vjedhin paratë e qytetarëve për të blerë Mercedeza të zinj luksozë dhe vila anës detit”. Por a është drejtori i AMF-së, Ervin Koçi, një zyrtar që mund t’i referohet ambasadori Donald Lu?!
TPZ.al
Qeveria do të mbyllë spitalet në rrethe, s’flet më për shëndetësi falas
Deputeti Tritan Shehu denoncoi dje strategjinë e re të shëndetësisë si një projekt që do të largojë shërbimet nga qytetarët. Ai tha se spitalet në rrethe do të mbyllen, duke detyruar qytetarët të udhëtojnë larg për shërbime shëndetësore.
“Ajo që lexohet qartë është se në Shqipëri do të ngelin vetëm 11 spitale në rrethe, të tjerat do të kthehen në “qendra shëndetësore e urgjence”. Spitale të rëndësishme si i Përmetit, Tepelenës, Lushnjës, Pogradecit, Sarandës etj, nuk do të funksionojnë më si të tillë!- tha deputeti Tritan Shehu.
Ai theksoi se e ashtuquajtura “zgjidhje e qeverisë do të jetë mbyllja e spitaleve, ulja drastike e shtretërve, koncentrimi asfiksues i shërbimit që mbetet në pak qendra, duke e larguar atë nga qytetarët”!
Deputeti Shehu vuri në dukje se, Ministrja e Shëndetësisë nuk foli asnjëherë për shëndetësinë falas, një premtim me të cilin Rama mashtroi shqiptarët për të ardhur në pushtet. Deputeti i PD akuzoi qeverinë se kjo strategji do të shkatërrojë sistemin shëndetësor vetëm për të mbajtur konçesionet korruptive. Tritan Shehu paralajmëroi qytetarët që të përgatiten për ditë më të vështira.
Asnjë pazar nuk mund të zhbëjë Kushtetutën
Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur rezerva dje në lidhje me deklaratat e ambasadorit Lu mbi uljen e palëve në emërimin e kryeprokurorit të ri. Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Petrit Vasili deklaron se asnjë pazar nuk mund të bëhet në kurriz të Kushtetutës. “Reforma në drejtësi ecën përpara vetëm duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin tashmë të reformuar. Kjo na duhet! Kompromisi politik, që zhbën Kushtetutën dhe ligjin, s’mund të jetë pazari i radhës, qoftë ky i bërë në shqip apo anglisht. Ky nuk na duhet!”, shkruan Petrit Vasili duke iu përgjigjur deklaratave të bëra nga ambasadori Donald Lu.
Pas 35 vitesh arrijmë BE, po BE ku ka shkuar deri atëherë?
Banka Botërore konstatonte në raportin e fundit “Ballkani Perëndimor: Rigjallërimi i motorit të rritjes dhe prosperitetit”, se Ballkanit Perëndimor do t’i duhen 60 vjet për të kapur mesataren e Bashkimit Europian. Por, për Shqipërinë ka një lajm të mirë, nuk do të duhet të presim kaq shumë. Ekaterina Vostroknutova, krye ekonomiste në Bankën Botërore për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore tha gjatë prezantimit të raportit në Tiranë, se 60 vjet është mesatarja e gjithë Ballkanit, ndërsa Shqipërisë do t’i duhen 35 vjet të arrijë mesataren e BE-së, nëse do të vazhdojë me ritmet aktuale të rritjes ekonomike.
Nëse vendi do të rritet mbi 5%, atëhere do të duhen 25 vjet, tha ajo. Ballkanin e ngadalëson Serbia, që për një dekadë ka pasur rritje zero.
Vostroknutova pohoi se, rritja deri tani në Shqipëri ka qenë e orientuar nga konsumi. Por, në të ardhmen duhet të jenë investimet ato që duhet të nxisin investimet, rekomandoi ajo.
Që nga viti 1990, vendi ka shënuar ritmet më të shpejta të rritjes në raport me vetveten dhe standardet e jetesës janë trefishuar, tha ajo, duke komentuar gjetjet e raportit. Por sërish, deri tani, Shqipëria ka pasur ecuri më të dobët se rajoni në procesin e konvergjencës (konvergjenca nënkupton që Shqipëria të rritet me ritme më të shpejta sesa mesatarja e BE-së, në mënyrë që gradualisht të arrihen të ardhurat për frymë të mesatares së BE-së).
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, të ardhurat e Shqipërisë në vitin 2016 ishin sa 30% e mesatares së BE-së, njësoj sa në vitin 2012 dhe më të ulëtat në rajon. Të ardhurat e Maqedonisë në vitin 2016 ishin sa 38% e mesatares së BE-së, nga 34% në 2012-ën.
Përmirësime me 3 pikë përqindje bëri edhe Bosnja dhe Mali i Zi, duke arritur në përkatësisht 31% dhe 42%. Vetëm Serbia ka shënuar ulje me një pikë përqindje, në 36%.
Banka Botërore, në raportin e fundit thekson se, procesi i koncergjencës mund të arrihet përmes reformave gjithëpërfshirëse. Sfidat themelore janë të modifikohet roli i qeverisë në ekonomi, të nxitet potenciali i ndërmarrjes private, të përdoret më mirë puna dhe kapitali njerëzor, dhe të bëhet integrim më i thellë në BE dhe ekonominë globale, të gjitha këto, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.
Në tërësi, qëllimi është që të ribalancohet rritja nga konsumi tek investimet, nga kërkesa private tek ajo ndërkombëtare dhe nga publiku te privati. Banka thekson se, konvergjenca drejt të ardhurave më të larta ngadalësohet nga reformat e papërfunduara strukturore.
Çmimet e frutave rriten me 20%
Ritmi i rritjes së çmimeve të frutave shënoi rekord në muajin nëntor. Sipas INSTAT, çmimi i frutave në muajin e kaluar shënoi rritje me 20.8% në raport me nëntorin e vitit të kaluar, ritmi më i lartë i rritjes gjatë një viti.
Ekspertët e tregut pohojnë se, shkak për këtë rritje të fortë të çmimeve është bërë mungesa e prodhimit në treg në disa artikuj. Pranvera e acartë dhe vera shumë e thatë kanë dëmtuar agrumet dhe disa lloje të rrushit, duke i bërë kështu më të shtrenjta disa fruta të stinës së vjeshtës. Tregtarët pohojnë se, këtë vit kanë munguar tërësisht disa lloje të rrushit të “tavolinës” dhe ka shumë pak prodhim të agrumeve, pasi një pjesë e tyre janë tharë nga ngricat e dimrit të kaluar dhe vera e thatë që sapo lamë pas.
Frutat ruajtën të njëjtat vlera importi si edhe vitet e kaluara, me rreth 5 miliardë lekë gjatë periudhës janar-tetor 2017.
Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se, vendi vijon të jetë importues neto i prodhimeve bujqësore.
Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE-së, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4 herë më shumë se sa eksporton.
Kjo ecuri tregon se, vendi ndodhet ende në inercinë e trashëgimisë së para viteve ‘90, pa mundur të modernizojë dhe të përshtatë sektorin me nevojat e reja të ekonomisë së tregut.
Përkundrazi, masat e marra në vitet 1990 me “masakrën” në copëzimin e tokës për frymë, financimet me pikatore dhe politikat fragmentare të zhvillimit e kanë çorientuar zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit. Bujqësia vijon të dominojë ekonominë shqiptare për nga numri i të punësuarve me (39.7% të totalit) dhe me kontributin në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Euro nis rënien e fundvitit
Euro ka hyrë në trajektoren rënëse. Monedha e përbashkët ka vijuar të nënçmohet përkundrejt monedhës vendase, duke u këmbyer me 133.38 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke arritur kështu në nivelet e ulëta të fillimit të nëntorit. Leku është forcuar përkundrejt të gjitha valutave në vend.
Sipas ekspertëve të kursit të këmbimit, këtë vit, efektet sezonale kanë filluar që të ndihen më herët. Fundi i vitit njihet për zhvlerësimin e valutës. Në ndryshim nga vitet e tjera, aktivitetet kanë filluar që të organizohen më shpejt, kjo ka nxitur dhe fluksin e emigrantëve dhe të turistëve gjithashtu.
Nënçmimi i euros është stimuluar edhe prej turistëve, thonë ekspertët për “Monitor”, të cilët pohojnë se është rritur qarkullimi i parasë.
Qarkullimi i parasë është nxitur kryesisht prej uljeve që janë bërë në sektorin e tregtisë me pakicë, të cilët për të tërhequr blerësit kanë rritur ofertat përpara festave.
Një tjetër argument që japin ekspertët është edhe fakti se tani, tregtarët me pakicë, për t’i paraprirë kërkesave dhe fluksit të shtuar të punës gjatë festave, porositë i kryejnë përpara dhjetorit. Blerjet nga bizneset në fillim të dhjetorit ruanin balancën me rritjen e qarkullimit të parasë në vend dhe zhvlerësimi i monedhës së përbashkët nga efektet sezonale fillonin pak më vonë.
Sipas parashikimit të ekspertëve, euro do të vijojë në nivele të ulëta të këmbimit me lekun, duke qenë se përpara kemi datat finale që bizneset duhet të mbyllin detyrimet e TVSH-së apo dhe pagesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
Duke marrë në konsideratë periudhat e mëparshme, euro mund të vijojë rënien deri më 25 dhjetor. Pas festave fillon efekti i kundërt, ku euro, me largimin e emigrantëve, por edhe me rënien e konsumit dhe të qarkullimit të parasë, fillon dhe vlerësohet në treg.
Janë nënçmuar përkundrejt monedhës vendase të gjitha valutat (shiko tab. e Bankës së Shqipërisë). Në tregjet ndërkombëtare, euro e ka nisur javën e fortë përkundrejt monedhave të tjera, ndërsa paundi britanik, po reflekton pasiguritë që shkaktojnë zhvillimet e procesit të daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian.