25.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Dosja-Tahiri, çfarë po provon Prokuroria?

Paralajmërohen që të dalin prova të reja për lidhjet e Tahirit me drogën dhe Habilajt. Sot pritet që të publikohen detaja të reja nga dosja hetoimore e Drejtësisë italiane e zbardhur nga autoritet shqiptare. Ajo çfarë është bërë publike deri tani ka qenë vetëm një pjesë e vogël e një të vërtete dramatike të lidhjes të krimit të organizuar me qeverinë. Detaje dhe pjesë të reja nga kjo dosje që provojnë inkriminimin e ish-ministrit më të afërt të Ramës, Tahiri pritet të publikohen gjatë orëve të ditëve të ardhshme.
Sipas një deklarate të PD dje, Prokuroria po provon se 863 mijë eurot e kapura në makinën e Sotës janë të Tahirit dhe po ashtu po provohet se Tahiri ka bërë lëvizje të shpeshta me grupin kriminal të habilajve.
“Top Channel” paralajmëroi se sot do të nxjerrë dokumente të reja nga dosja e përgjimeve italiane për Tahirin dhe grupin e habiljave, duke kujtuar se dosja e parë ka qenë vetëm 416 faqe, ndërsa dojsa e vërtetë është 1800 faqe.
“Hulumtimet tona si gazetarë na kanë çuar sërish në Itali, në Katania, andej nga ka ardhur edhe dosja e plotë e çështjes Tahiri-Habilaj.
Kujtojmë që dosja Habilaj-Tahiri, që “Top Channel” publikoi i pari dhe ekskluzivisht, përmban 416 faqe. Kurse dosja e plotë që ka ardhur me letër-porosi nga Italia është 1800 faqe.
Pra, ajo që është bërë publike nga kjo dosje, është vetëm maja e ajsbergut e një historie që mund të trondisë ekuilibrat e politikës shqiptare. “Top Channel” do të publikojë vazhdimin e hulumtimit të vet për këtë çështje, i udhëhequr vetëm nga një shqetësim: ai i së vërtetës dhe interesit publik”, shprehet “Top Channel”.

Tahirit dhe Ramës po i ngushtohet laku

Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda dhanë një provë tjetër sot për përfshirjen e Saimir Tahirit në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Ndalimi i Saimir Tahirit për të dalë jashtë vendit është vendim i drejtë, që tregon se rrethi për Saimir Tahirin dhe shefin e tij, Edi Rama, po ngushtohet.
Çdo ditë që kalon provon:
Se Saimir Tahiri është pjesë e rëndësishme e dosjes së Prokurorisë Antimafia të Katanias.
Se Saimir Tahiri ka vendosur policinë në shërbim të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Se Saimir Tahiri ishte mbrojtja politike e Habilajve në Tiranë.
Se Saimir Tahiri ishte vetë i mbrojtur nga Edi Rama, që përfitoi nga kanabizimi i vendit miliona euro për blerjen e pushtetit të tij politik.
Siç tregojnë dokumentat e publikuara në media, dhe siç ka deklaruar opozita prej më shumë se 2 vjetësh, Shërbimi Informativ Shtetëror e ka vënë në dijeni Edi Ramën dhe Saimir Tahirin për përfshirjen e 127 drejtuesve të lartë të policisë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, të paktën që nga marsi i 2016-ës deri në prill të 2017-ës.
Edi Rama jo vetëm që e mohoi aktivitetin kriminal të mbjelljes së kanabisit nën mbrojtjen e policisë dhe Saimir Tahirit, por shpalli opozitën si pjesë e Frontit të së Keqes, që po hidhte baltë mbi vendin, mbi Edi Ramën dhe mbi Saimir Tahirin, ministrin e tij model të suksesit.
Tani, drejtësia po provon që Saimir Tahiri ka bërë lëvizje të shpeshta me grupin e tij kriminal të Habilajve, që trafikonin kanabisin nga Shqipëria në Itali.
Drejtësia po provon që edhe 863 mijë eurot e gjendura në makinën e Orest Sotës, i përkasin Saimir Tahirit.
Drejtësia është çështje kohe, nëse Prokuroria nuk do të merret nën kontroll nga Edi Rama!

Mesazhet për tendera të Sotës me bashkëshorten e Tahirit

Në kërkesën që i paraqitën Gjykatës për bllokimin e pasaportës dhe kartës së identitetit të Saimir Tahirit, prokurorët e Krimeve të Rënda shfrytëzuan prova të reja që u gjetën në rastin e Orest Sotës. Prokurorët gjetën në celularin e Orest Sotës mesazhet e shkëmbyera me bashkëshorten e Saimir Tahirit, për disa tendera të Ministrisë së Brendshme, raporton “Report Tv”. Dihet që Orest Sota është fitues i tenderit të rikonstruksionit të Komisariatit të Policisë në Kamëz dhe dyshimet janë se biznesmeni shërbente edhe si sekser i ish-ministrit të Brendshëm.
Pas vendimi të Gjykatës sot, Tahiri duhet të paraqitet çdo javë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Hera e fundit që Tahiri udhëtoi jashtë vendit ishte në Gjermani. Udhëtimi ishte i papritur edhe për vetë avokatin e tij që në momentet e para i tha avokatëve se nuk kishte asnjë dijeni ku ishte klienti i tij. Arsyet e këtij udhëtimi mbeten të panjohura edhe sot.

Totti: Shakhtari nuk duhet të nënvlerësohet

FRANCESCO TOTTI Bergamo 20-08-2017, Stadio Atleti Azzurri, Football Calcio 2017/2018 Serie A, Atalanta - Roma, Foto Gino Mancini /Insidefoto

Francesco Totti, menaxher te Roma, komentoi nga Lyon-i shortin e 1/8 finale të Ligës së Kampioneve, i cili i vendosi të tijtë kundër skuadrës së Eusebio Di Francesco, Shakhtar Donetsk të Ukrainës: “Për çfarë mund të ndodhte, mendoj se shorti shkoi mjaft mirë për ne. Por, Shakhtari nuk duhet nënvlerësuar. Eshtë skuadër e fortë fizikisht dhe teknikisht dhe posaçërisht në shtëpi është me të vërtetë e rrezikshme. Sa më shumë që të vazhdoni në këtë kompeticion, aq më e vështirë bëhet. Si trajner, Eusebio Di Francesco më befasoi dhe mendoj se do të përmirësohet përsëri. Edhe Roma mund të vazhdojë të rritet. Tani do të bisedojmë me Monçin dhe trajnerin dhe do të përpiqemi ta bëjmë skuadrën edhe më konkurruese. Kampionati është ende objektivi ynë kryesor. Ne nuk duhet ta fshehim: në Ligën e Kampionëve do të përballemi me ekipet më konkurruese në Romë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të japim gjithçka për të shkuar sa më shumë që të jetë e mundur përpara. Po përshtatem me këtë rol të ri, më pëlqen dhe do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht aftësitë që kemi”.

Ronaldo është shpirti i Real Madridit

Michel Salgado lëvizi në rezidencën e tij në Dubai. Ai, që ishte pjesë e Real Madridit, e pa të qartë që nga fillimi dhe u vendos në Emirates, duke kërkuar vendin e vet në futboll. Ai ka folur për Benzema dhe Cristiano Ronaldo, lojtarë të cilët janë shënjuar nga mungesa e golave në këto javë të La Liga-s. “Ju nuk mund ta kritikoni Ronaldon. Cristiano është shpirti i Real Madridit. Kur është në fushë, e shihni sa frikësues është për rivalët e tjerë. Kjo është e mirë. Cristiano është shembulli i përsosur i asaj që është Real Madridi. Ky ekip punon dhe merr frymë si Ronaldo.
Kur të vijë momenti i së vërtetës, ai shfaqet. Është si Marcelo, i cili gjithmonë shfaqet në momentet kyçe. Ronaldo është një lojtar themelor. A është ai më i miri në botë? Pa asnjë dyshim, tani. Është një vlerësim personal. Ajo që ne jetojmë nuk është parë kurrë. Pele, Maradona…, si Cristiano dhe Messi, kurrë. Cristiano dhe Messi janë të ndryshëm, por të dy janë “kafshë” futbolli. Ata do të kujtohen përgjithmonë. Ajo çfarë duhet të bëni është të kënaqeni me ta dhe t’i falenderoni. Shpresojmë se në të ardhmen të kemi dy, ose tre lojtarë të tjerë si ata. Ajo që i japin futbollit është mbresëlënëse”, u shpreh Salgado.
Los Blancos do të debutojnë në këtë kompeticion të mërkurën në sfidën gjysmëfinale ndaj vendasve të Al Jaziras, por objektivi i Realit nuk është të mposhtë vetëm skuadrën nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por të fitojë trofeun. Diçka të tillë e la të kuptohet në një konferencë për shtyp trajneri Zinedine Zidane.

Frikëson Donnarumma

11 korrikun e kaluar, më në fund erdhi rinovimi zyrtar i Gianluigi Donnarumma. Të gjithë tifozët e Milanit mundën të marrin frymë, duke lënë mënjanë psherëtimat për fatin e trashëgimtarit të Buffon, pas një “telenovele” që kishte udhëhequr agjenti i portierit, Mino Raiola. Afrimi i të vëllait Antonio, që luante me grekët e Asteras, si dhe një rikalkulim i pagës, që tashmë i ka kaluar 5.5 milionë euro, plus bonuset, ishin një “trullosje” e madhe për një lojtar vetëm 18 vjeç. Megjithatë, gjithçka mund të jetë vetëm një paraqitje e thjeshtë. “Corriere della Sera” profilizon një skenar që do të ishte i pabesueshëm, nëse konfirmohet. Qëllimi i Raiolës është për të anuluar kontratën e nënshkruar në korrik. Arsyeja? Një “dhunë morale” e pësuar nga Donnarumma në kohën e nënshkrimit, sipas justifikimit: “Pata presione psikologjike, unë nënshkrova, por nuk isha i qetë”. Kontrata ishte depozituar në “Lega” pa asnjë klauzolë përfundimi, me arsyen e thjeshtë se as agjenti, as portieri nuk do ta kishin nënshkruar atë.
Fillimisht duhej të kishte dy klauzola (një për 40 milionë euro në rast të dështimit për të arritur Ligën e Kampionëve, një tjetër për 70 milionë euro), por në fund, asnjëra nga këto nuk është realizuar. Raiola, prandaj, do të apelojë ndaj “dhunës morale”, e cila përbën një defekt pëlqimi, sipas nenit 1435 të Kodit Civil dhe mund të përcaktojë gjithashtu anulimin e një marrëveshjeje të nënshkruar. Në bazë të një tensioni të manifestuar me mungesën e agjentit në kohën e nënshkrimit dhe braktisjes së bisedimeve në shenjë proteste nga avokati Rigo (konsulent i Raiola) mund të rihapet kjo çështje tejet e nxehtë e verës. Qëllimi i Donnarumma do të jetë transferimi me parametra zero (duke qenë se kontrata e re është anuluar dhe e mëparshmja do të përfundojë në qershorin e ardhshëm) në ndonjë klub europian të madh, që i ofron atij një angazhim edhe më të lartë. Një histori e destinuar për të bërë shumë zhurmë dhe kjo me siguri nuk do të mbetet pa u vënë re.
Fatet e Milanit do të ndërthuren me atë të Paris Saint-Germain në fund të sezonit. Kuqezinjtë do të bëjnë të paktën një shitje “të rëndë” për të rregulluar bilancet dhe i sakrifikuari duket se do të jetë Gianluigi Donnarumma. Portieri i ri italian, që ka menaxher të famshmin Mino Raiola kërkohet nga kampionët e Francës, që duan të stabilizojnë çështjen e portës me një lojtar me të ardhme dhe Donnarumma do të ishte goditja ideale. Ky operacion pritet të sjellë në arkën e Milanit të paktën 60 milionë euro dhe të qetësojë sadopak drejtuesit dhe tifozët për të ardhmen financiare të klubit.

MLS sulmon Lewandowski-n: Nuk ka vend për pensionistë!

“Bashkëshorti im do ta mbyllë karrierën te Los Angelos në MLS”. Në këtë mënyrë ka folur Anna Stachurska, bashkëshortja e sulmuesit polak të Bayern Munich, Robert Lewandowski, në mikrofonat e faqes on-line “Business Insider”. Megjithatë, këto fjalë nuk i kanë pëlqyer Fernando Clavijo, drejtorit teknik të FC Dallas, që në “Goal.com” ka lëshuar një deklaratë plot “helm”. Sipas tij, klubet në SHBA kanë vendosur të investojnë te të rinjtë dhe jo te pensionistët…
“MLS nuk është një kampionat për të bërë pushime, tha Clavijo. Këtu futbollistët duan të tregojnë vlerën e tyre dhe të garojnë në nivelet më të larta. Disa futbollistë si Lewandowski kanë pasur një karrierë fantastike, por nëse dëshiron të vijë në Amerikë për pensionin, atëherë të zgjedhë një kampionat tjerët. Disa skuadra edhe mund të pranojë një futbollist në hapin e fundit të karrierës, por pjesa më e madhe ka vendosur që të bazohet tek të rinjtë. Në harkun e pak viteve kampionati i futbollit në SHBA mund të bëhet një nga pesë kampionatet më të forta të planetit, por më parë duhet të heqim dorë nga pensionistët”.

Test zjarri për futbollin spanjoll

Real Madridi, Barcelona dhe Sevilla do të duhet të tregojnë versionin e tyre më të mirë për të qenë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Me Atletico Madrid të eliminuar tashmë, tre përfaqësuesit spanjollë në konkurrencën e lartë kontinentale për klubet janë “çiftëzuar” në shortin e 1/8 finale me rivalë të vështirë: PSG për Real Madrid, Chelsea për Barcelonën dhe Manchester United për Sevilla. Për herë të parë në katër vitet e fundit, hegjemonia e ekipeve të La Liga-s në Ligën e Kampionëve duket të jetë në diskutim. Në atë periudhë, Real Madridi ka shtuar tre tituj dhe një Barcelona. Përveç kësaj, Atlético Madrid ka qenë finalist dy herë.
Sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, të bardhët kanë shtatë gjysmëfinale të njëpasnjëshme dhe Barça ka luajtur shtatë të tilla në dhjetë vitet e fundit. Do të ishte e nevojshme të ktheheshim dymbëdhjetë vite në kohë për të gjetur vendet e Champions-it pa praninë e ekipeve spanjolle. Në sezonin 2004-2005, Barcelona ra në raundin e dytë kundër Chelsea dhe Real Madridi bëri të njëjtën gjë kundër Juventusit. Në pesë sezonet e fundit kanë qenë gjithmonë të paktën tri skuadra spanjolle në çerekfinale, një shifër që duket më e vështirë për t’u arritur këtë kohë.
Ja bilanci i ekipeve spanjolle në tetëshe të Champions-it
Champions 2016-2017: Real Madrid, Barcelona, Atlético Madrid dhe Sevilla në tetëshe. Ata janë kualifikuar: Real Madridi kundër Napolit, Barça kundër PSG-së dhe Atlético Madrid kundër Leverkusen, minus Sevilla, që dështoi kundër Leicester.
Champions 2015-2016: Real Madrid, Barcelona dhe Atlético Madrid në tetëshe. Ata janë kualifikuar: Real Madrid kundër Romës, Barcelona kundër Arsenalit dhe Atlético Madrid kundër PSV.
Champions 2014-2015: Real Madrid, Barcelona dhe Atlético Madrid në tetëshe. Ata janë kualifikuar: Real Madrid kundër Schalke 04, Barcelona kundër Manchester City dhe Atlético Madrid kundër Leverkusen.
Champions 2013-2014: Barcelona, Atlético Madrid dhe Real Madrid në tetëshe. Ata janë kualifikuar: Barça ndaj Manchester City, Atlético Madrid ndaj Milanit dhe Real Madrid kundër Schalke 04.
Champions 2012-2013: Valencia, Real Madrid, Malaga dhe Barcelona në tetëshe. Kjo ndodhi kështu: Real Madrid kundër Manchester United, Malaga ndaj Porto dhe Barcelona ndaj Milanit. Valencia ra para PSG-së.
Champions 2011-2012: Barcelona dhe Real Madridi në tetëshe. Të dy u kualifikuan ndaj Leverkusen dhe CSKA Moskës, respektivisht.
Champions 2010-2011: Valencia, Barcelona dhe Real Madrid në tetëshe. Ata u kualifikuan kundër Lyon-it dhe Arsenalit, respektivisht. Valencia u eliminua nga Schalke 04.
Champions 2009-2010: Real Madrid, Barcelona dhe Sevilla në tetëshe. Eliminohet Real Madrid kundër Lyon dhe Sevilla kundër CSKA, kalon vetëm Barça kundër Stuttgart.
Champions 2008-2009: Barcelona, Atlético Madrid, Real Madrid dhe Villareal në tetëshe. Eliminohet Atlético Madrid kundër Porto dhe Real Madrid kundër Liverpool. Kualifikohet Barça kundër Lyon dhe Villarreal kundër Panathinaikos.
Champions 2007-2008: Real Madrid, Sevilla dhe Barcelona në tetëshe. Eliminohet Real Madrid kundër Romës dhe Sevilla kundër Fenerbahce. Kualifikohet vetëm Barça kundër Celtic.
Champions 2006-2007: Real Madrid, Valencia dhe Barcelona në tetëshe. Eliminohet Real Madrid kundër Bayern Munich dhe Barcelona kundër Liverpool. Kalon vetëm Valencia kundër Interit.
Champions 2005-2006: Real Madrid, Villarreal dhe Barcelona në tetëshe. Eliminohet Real Madrid kundër Arsenalit. Kalon Barça kundër Chelsea dhe Villarreal kundër Rangers.
Champions 2004-2005: Real Madrid dhe Barcelona në tetëshe. U eliminuan të dyja skuadrat: Real Madrid kundër Juves dhe Barça kundër Chelsea.

Al Khelaifi: Me Real Madridin, dy ndeshje të shkëlqyera

Për PSG-në nuk ishte lajm i mirë shorti i së hënës në Nyon, që u hodh nga UEFA për 1/8 finale të Champions. Parizienët e dinë se sa e vështirë është të përballen me kampionët e Europës në fuqi, ndaj sfida është maksimale. Por, në të njëjtën kohë, ata e kuptojnë se është momenti për të treguar se investimet e mëdha ia kanë vlejtur, se janë kandidatë serioz për të fituar Champions-in e tyre të parë. Nga Parisi mbërrijnë reagimet e para ndaj shortit dhe përballjes me Real Madridin. Presidenti Nasser al Khelaifi pret një duel të gjallë: “Ne kemi respekt të madh për Real Madridin. Do të jenë dy ndeshje, që do të na dhurojnë momente të gjalla dhe magjike, si në Madrid, ashtu edhe në Paris. Ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm të masim veten kundër çdo kundërshtari dhe do të jemi gati për t’u përballur me Real Madridin”, tha Al Khelaifi.

Real Madridi nis sulmin për Salah!

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, po lëviz për të marrë “yllin” e Liverpool, Mohamed Salah, sipas asaj që bën të ditur shtypi spanjoll. Salah ka shkëlqyer gjatë gjashtë muajve në “Anfield Road”, duke e dyfishuar çmimin e tij, që ishte 50 milionë euro. Me 18 gola dhe 4 asiste në 22 ndeshje zyrtare, egjiptiani ka qenë zbulimi i sezonit në Premier League. 25-vjeçari ka shënuar më shumë se Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema, të dy së bashku.
Sipas gazetës “Don Balon”, Perez dëshiron t’i jap një sulmues tjetër trajnerit Zinedine Zidane dhe në vend të tij do të sakrifikojë Lucas Vazquez. Pikërisht, Vazquez i është ofruar Liverpool për t’u ulur disi çmimin e Salah, që ka shkuar deri në 100 milionë euro. Vazquez, 26 vjeç, ka luajtur 13 ndeshje në La Liga, ku në 8 prej tyre e ka nisur nga stoli. Ai ka një kontratë me Real deri në vitin 2021, por do ta priste me kënaqësi kalimin nën urdhërat e Klopp. Kështu, pas Barcelonës që nuk ka hequr dorë nga Coutinho, Salah është “ylli” i radhës në Liverpool, që mund të transferohet në La Liga.
Të hënën, Salah u shpall futbollisti më i mirë afrikan i sezonit nga “BBC”. Kalimi i tij te Real Madrid është përmendur kohë më parë edhe nga trajneri i kombëtares së Egjiptit, Hector Cuper, i cili në një deklaratë për “ON Sport TV” tha: “Personalisht e di nga burime shumë të sigurta se Real Madrid është i interesuar për Salah, por vetëm kaq mund të them. Ai është një futbollist i shkëlqyer. Nuk dua të nxitohem, por e ardhmja e tij nuk do të jetë te Liverpool. Sipas këndvështrimit tim, Salah do të shkojë te një skuadër më e madhe”.

Wenger mbron Morinjon

Lufta midis lojtarëve të Manchester United dhe Manchester City në derbin e fundjavës së kaluar do të ketë shumë njerëz që do të flasin rreth saj. Arsene Wenger nuk është admiruesi më i madh i José Mourinhos, por trajneri i Arsenalit ka ardhur në mbrojtje të portugezit, pasi doli në dritë ajo që ndodhi. “Gjërat mund të dalin jashtë kontrollit, tashmë ka ndodhur. Nuk jam i sigurt se çfarë ka ndodhur, por e di se është e vështirë të pranosh të shikosh festimet nga ana tjetër, është një përvojë fyese, prandaj e admiroj një sport si “sumo” në Japoni, sepse kushdo që fiton nuk tregon gëzimin e tij nga respekti për kundërshtarin. Eshtë diçka që ne mund ta kopjojmë, edhe pse nuk është pjesë e kulturës sonë”, u shpreh Wenger.
Wenger e kupton trajnerin portugez, ndoshta sepse ai tashmë e di se si të ndihet ashtu, siç ndodhi në vitin 2004, kur në një ndeshje mes United dhe Arsenalit, lojtarët e të dyja ekipeve u përleshën dhe Cesc Fàbregas i hodhi një copë “pizza” Sir Alex Fergusonit në të ashtuquajturën “Battlle of the Buffet”.
Derbi i Manchesterit përfundoi si “përleshje” në tunelin dhe dhomat e zhveshjeve të “Old Trafford”. Pjesëtarët e stafit teknik të “qytetarëve”, euforikë pas triumfit, e dërguan këtë mesazh tek Ibrahimoviç: “Ibra, ju flisni shumë, por lëvizni pak”. Këta anëtarë shkuan shpejt në dhomën e zhveshjes së Manchester City, ndërkohë që lojtarët dhe pjesëtarët e tjerë të stafit po vallëzonin dhe këndonin në tunelin e stadiumit. Manchester United e kuptoi se ky ishte një provokim dhe që nga ai moment, një përleshje nisi mes të dyja skuadrave, me goditje mes të dyja palëve, sipas burimeve të klubit të “Djajve të Kuq”. Rreth 20 vetë morën pjesë në përleshje dhe u hodhën në erë shishe plastike të pijeve tipike energjike. Lojtarët e Guardiolës festuan në dhomën e tyre të zhveshjes triumfin, që i vendos ata me një avantazh prej 11 pikësh, goxha larg nga Manchester United.
Në atë moment, Mourinho, duke kaluar i vetëm nëpër tunelin e stadiumit, një domosdoshmëri për të shkuar te të tijtë, iu afrua dhomës së zhveshjes së mysafirëve, duke kërkuar prej tyre më shumë respekt dhe takt në fitore. Megjithatë, fjalët e tij nuk rrinin mirë me Edersonin, portierin brazilian të Manchester City, i cili e kuptoi portugezin në gjuhën e tij reagoi. Filluan fyerjet e ndërsjella, zhurma dhe trazirat, një rrëmujë e madhe, disa minuta pas përfundimit të ndeshjes dhe humbjes lokale të “Djajve të Kuq”. Momenti më konfliktual ndodhi kur Lukaku, ndër të tjera, hodhi një shishe që, në veçanti, goditi një mjek të Manchester City, duke rezultuar në plagë.
Përveç kësaj, Mikel Arteta, ish-lojtar dhe një nga ndihmësit e Pep, gjithashtu, përfundoi disa lëndime në ballë nga goditje me një shishe plastikoje. Arteta ishte në dhomën e zhveshjes, por, i alarmuar nga zërat për rrahje, u sulmua kur doli të kuptonte se çfarë po ndodhte. Këtë të hënë, “Mirror” publikoi disa fotografi të spanjollit, që dilte nga dhomat e zhveshjes me dorën në ballin e tij. Së fundi, policia duhej të shkonte në afërsi të dhomave të zhveshjes, derisa të dyja skuadrat u larguan nga “Old Trafford”. Federata angleze është duke hetuar përleshjen dhe, pas asaj që ka ndodhur, ka kërkuar një shpjegim nga të dyja klubet. Manchester United dhe Manchester City kanë kohë deri të mërkurën që t’i përgjigjen federatës.

Mish me salmonelë, dhe gjalp me vaj palme

Një studim i fundit i shoqatës Albanian Food Industry nxorri në pah se, produktet që konsumojmë çdo ditë në tryezat tona, në një pjesë të mirë të rasteve dështojnë në testet e sigurisë. Të pakta janë ato ushqime, të cilat nuk kanë shfaqur probleme dhe përmbushin standardet e kërkuara dhe kjo më shumë lidhet me frutat dhe lëngjet e tyre.
“Nga gjetjet rezulton se, kategoria fruta-perime është 100% pa probleme dhe me parametra brenda normave europiane. Ky është një tregues pozitiv përsa i përket kësaj grup kategorie që tregon se, fermerët apo kompanitë që merren me kultivimin e fruta perimeve janë të kujdesshëm në përdorimin e substancave gjatë mbjelljes, rritjes dhe kultivimit të tyre.
Përsa i përket kategorisë së lëngjeve të frutave, 100% e tyre rezultuan me nivelin e metaleve në përbërjen e tyre, brenda normave. Kjo tregon që prodhuesit janë të ndërgjegjshëm përsa i përket lëndëve të para, kushteve higjeno-sanitare në stabilimente, përbërësve dhe paketimit të kësaj kategorie”, thuhet në studim.

Mishi me ngjyrues

I njëjti studim mori në analizë produktet e kategorisë së mishit, ku të paktën 15% e produkteve të analizuara rezultuan me ngarkesë të lartë mikrobiale. “Kjo tregon që kushtet higjeno-sanitare në të cilin ruhet, transportohet apo përpunohet mishi nuk janë sipas parametrave të lejuar nga normat kombëtare dhe ndërkombëtare. 20% e tyre rezultoi me prezencë të mundshme të ngjyruesit E 120. Ky element shërben për ta bërë mishin të duket sa më i freskët”, thuhet në studim.
Por pavarësisht elementëve të mësipërm, duket se njëri nga kampionët e marrë për testim ka rezultuar pozitiv edhe ndaj salmonelës.

Vaj ulliri? Shitet si i tillë, por nuk është në të vërtetë

“Përsa i përket vajrave të analizuar, parametrat e tyre rezultuan brenda normave për 80% të tyre. Për një nga vajrat e ullirit të testuar, rezultoi se parametrat e tij nuk përputhen me ato të vajit të ullirit, ekzaminimi spektrofotometrik dhe metilet e jashtme të acideve yndyrore rezultuan jashtë normave. Përqindja e ulët e acidit oleik tregon, se ky nuk është vaj ulliri. Kjo tregon që subjekti në kundërshtim me ligjin tregton një produkt që etiketa nuk përputhet me përmbajtjen”, thuhet në studim.

Qumështi me aflatoksinë dhe gjalpi me vaj palme

Në analizë janë marrë qumështi dhe nënproduktet e tij, ku nga 8 produkte dhe nënprodukte të dy prej tyre (25%) rezultuan me aflatoksinë, (një nga produktet e qumështit të testuar dhe një nga produktet e kosit). “Alflatoksina M1 gjendet tek produktet e bulmetit dhe është një nga toksinat më të rrezikshme që ekzistojnë [10]. Ajo mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë dhe kancer që rezulton nga aktivizimi i P450 në epoksid, i cili prek 28 ADN [9]. Ndërsa qumështi i fshatit i tregtuar në bidon 1.5 kg rezultoi me ngarkesë të lartë mikrobiale. Kjo tregon që procesi i mjeljes, transportit paketimit, dhe/ose ruajtjes nuk i respekton parametrat kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Një nga produktet e gjalpit me sasi të acidit oleic më të lartë se normat e lejuara, ndërsa një nga produktet e djathit me sasi të acidit palmitic më të lartë se normat e lejuara. Kjo tregon që subjekti në kundërshtim me nenin 36 të ligjit të ushqimit nuk tregon përbërësin ‘vaj palme’ në etiketë. Produktet e tjera nuk paraqesin probleme”, nënvizon studimi.
I njëjti publikim nënvizon rolin që kanë institucionet që kontrollojnë zinxhirin ushqimor, i cili shfaq problematika që lidhen nga mbivendosja e kompetencave tek mangësitë ligjore si dhe njohuritë e cunguara të stafeve që vijnë si efekt i paqëndrueshmërisë së tyre në detyrë nga lëvizjet e shpeshta.
Në fund studimi rekomandon edhe disa masa që mund të merren për të përmirësuar sigurinë ushqimore.