Një tjetër ide e forcon marrëveshjen e mundshme Juventus-Emre Can dhe këtë herë vjen nga Stambolli. Në brigjet e Bosforit pretendojnë se, mesfushori gjerman me origjinë turke i ka thënë “po” Juventusit në verë, duke lënë të kuptohet se do të largohet nga Liverpool si një transferim i lirë. Marrëveshja është e nxehtë, por jo e mbyllur ende plotësisht: Kampionët e Italisë, përmes Beppe Marotta dhe Fabio Guild (personat përgjegjës për merkaton bardhezi e ndjekin mesfushorin prej një viti e gjysmë) janë në “pole position”, por jo ende të sigurtë për blerjen e bujshme. Praktika e provuar me Witsel sezonin e kaluar për udhëheqësit e bardhezinjve është bërë mësim: deri sa të kryhet nënshkrimi, për të cilën duhet të prisni për vitin e ri, nuk mund të flitet me siguri për asgjë.
Sigurisht, dhe kjo është ajo që përcjell optimizëm, Emre Can dhe shoqëruesit e tij janë të intriguar nga projekti i Juventusit dhe tashmë, në janar, ndoshta do të përpilojnë modulet kontraktuale me “Zonjën e Vjetër”. Deri në muajin e ardhshëm ekziston një rrezik minimal, por tani, Juventusi është në një pozitë të fortë. Ditët e fundit, një ndërmjetës ndërkombëtar, i dërguar në emër të Manchester City dhe klubeve të tjera angleze, bëri një studim me agjentët e 23-vjeçarit. Studim që, siç është filtruar nga sallonet e merkatos së Premier League, ka zbuluar tërthorazi pozitat mbizotëruese të kampionëve italianë në rastin e Emre Can.
Emre Can tek Juventusi? Nga Stambolli flasin për marrëveshje
Real dhe Arsenal nisin garën për Draxler
Real Madrid do të lëvizë në merkaton e janarit për të marrë sulmuesin e Paris Saint Germain, Julian Draxler. Arsenal ishte i gatshëm të merrte futbollistin gjerman gjatë verës, por dështoi në arritjen e marrëveshjes, sepse u kujtua vetëm në ditët e fundit të verës. Sipas “Bild”, Real ka nisur të interesohet për Draxler dhe do të ishte gati për huazimin e tij në janar 2018.
Draxler ka qenë gjithmonë i preferuar nga Wenger, por ai zgjodhi të shkojë në Paris, kur u largua nga Bundesliga. Shanset e Arsenal janë shtuar nga fakti që Draxler ka përfunduar në stolin e PSG, pas blerjeve të Neymar dhe Mbappe, por tani do të përballet me konkurrencën e Real Madrid.
Zidane: Sezon pozitiv, të fitojmë Botërorin e klubeve
Pas sukseseve në Champions League ndaj Borussias së Dortmundit dhe në kampionat me shifrat e thella 5-0 kundër Sevillas, për Realin e Madridit ka ardhur momenti të mendojë për Botërorin e klubeve. Los Blancos do të debutojnë në këtë kompeticion të mërkurën në sfidën gjysmëfinale ndaj vendasve të Al Jaziras, por objektivi i Realit nuk është të mposhtë vetëm skuadrën nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por të fitojë trofeun. Diçka të tillë e la të kuptohet në një konferencë për shtyp trajneri Zinedine Zidane. “Në çdo rast që zbresim në fushë e bëjmë me objektivin për të fituar trofeun. Duam të kthehemi në shtëpi me suksesin në xhep. Nuk do të jetë e thjeshtë, pasi fakti që jemi Reali i Madridit nuk na garanton fitoren. Jam i kënaqur me sezonin që kemi zhvilluar deri tani edhe pse ka shumë gjëra, të cilat duhet t’i përmirësojmë”, theksoi francezi i stolit të Realit të Madridit.
Barcelona gjen zëvendësuesin e Mascherano
Barcelona ka marrë në konsideratë blerjen e Yerry Mina nga Palmeiras në muajin janar, pasi Javier Mascherano kërkoi të largohej nga klubi në muajin e ardhshëm. Barcelona ka opsionin e parë për të marrë 23-vjeçarin, i cili do të kushtojë 10 milionë euro deri në verën e ardhshme, atëherë kur Palmeiras do të jetë i lirë që të rrisë çmimin. Gjithsesi, trajneri Ernesto Valverde ka kërkuar një qendërmbrojtës për merkaton e janarit, jo vetëm për të zëvendësuar Mascherano, por edhe Samuel Umtiti, i cili nuk do të luajë deri në fund të shkurtit 2017, si pasojë e një tërheqje muskulore.
Xhaxhai i Mina, Jair Mina, i cili është njëkohësisht edhe menaxheri i tij, deklaroi: “Isha në Sao Paolo gjatë javës së kaluar dhe fola me drejtuesit e Palmeiras, pasi kisha pasur një kontakt edhe me Barcelonën. Kjo është e vërteta, duke parë të gjitha rrethanat kemi vendosur të presim dhe në janar të shohim se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Yerry. Aktualisht, ai është me pushime dhe është i përqendruar te Palmeiras, sepse ka një kontratë me këtë skuadër, por në momentin që Barcelona do të trokasë në dyert e klubit, ne do të jemi gati për transferimin”.
Gabriel Jesus mohon rinovimin
Gabriel Jesus deklaroi se nuk di asgjë në lidhje me zërat që flasim për një kontratë të re me Manchester City. Sulmuesi nga Brazili, i cili ka lënë një përshtypje shumë të mirë, që pas mbërritjes në “Etihad Stadium” në janar 2017, është shumë pranë një marrëveshje të re me ekipin e Pep Guardiola, sipas asaj që shkruan shtypi britanik. 20-vjeçari, i cili ka shënuar 20 gola në 35 ndeshje me fanellën e City, ka edhe katër vite kontratë të mbetur nga marrëveshja aktuale.
“Nëse nuk luaj mirë, atëherë trajneri ka të drejtë të më zëvendësojë. Guardiola po bën një punë shumë të mirë, duke përdorur shumë lojtarë dhe secili pre tyre po e ndihmon ekipin e City të përmirësohet”, tha Gabriel Jesus.
I pyetur në lidhje me rinovimin e mundshëm, Jesus tha se, nuk nuk di asgjë. “Askush nuk më ka folur për këtë temë. Drejtuesit e City nuk më kanë thënë asgjë dhe as menaxheri im. Nuk ka ndodhur asgjë e re dhe përqendrimi im është maksimal për të dhënë më të mirën në fushën e lojës për Manchester City”, tha ai. Jesus ka luajtur shumë mirë në krah të Sergio Aguero, por gjithashtu i jep trajnerit Guardiola një alternativë të rëndësishme, kur një prej qendërsulmuesve do të pushojë.
Si u zbeh propaganda e Shtetit Islamik
Ndërsa Shteti Islamik ndodhet në prag të humbjes së territoreve të tij në brendësi të Sirisë dhe Irakut, gjithashtu po dështojnë përpjekjet e grupit për të fituar luftën e informacionit. Analistët thonë se, propaganda e ISIS-it ka rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Ndërsa propagandistët e saj nuk mund të pretendojnë më për fitore ushtarake, ata e kalojnë vëmendjen tek sulmet frymëzuese jashtë vendit. Zërit i Amerikës foli me një ekspert të terrorizmit, i cili ka ndjekur ndryshimet në luftën e Shtetit Islamik në media.
“Një video e fundit realizuar nga krahu mediatik i Shtetit Islamik duket se është filmuar në Raka. Ata po përpiqen ta portretizojnë ushtrinë e Shtetit Islamik si një makinë ende profesionale, të aftë dhe të mirëmbajtur. Por thjesht, janë tre vetë në një kamion në një qytet të braktisur. Është shumë larg asaj që realizonin dikur”, thotë Charlie Winter me Qendrën për Studime të Radikalizimit.
Charlie Winter ka studiuar propagandën e Shtetit Islamik që në fillimet e grupit.
“Shteti Islamik është shumë më pak produktiv nga sa ç’ka qenë. Duket sikur dikush ka shtypur butonin e heshtjes tek propagandistët. Por në tetor, ishte periudha kur vërtet u shua propaganda dhe mendoj se kjo ishte si pasojë e shkatërrimeve të një qendre apo disa qendrave të medias përreth Rakës dhe Majadinit në Siri”.
Territori që mbahet nga Shteti Islamik është zvogëluar në një fraksion të zonës që ata kontrollonin vetëm një vit më parë. Pra ka shumë më pak material që mund ta shfrytëzojë për media.
Forcat e koalicionit që luftojnë ISIS-in kanë mësuar gjithashtu rëndësinë e propagandës së grupit. Media e tyre është vënë në shënjestër si në terren ashtu edhe online. Zoti Winter thotë se militantët po rikalibrojnë pritshmëritë e pasuesve të tyre në fitore – nga ëndrrat e një kalifati islamik, në thjesht mbijetesë.
“Edhe nëse nuk ka territor, ende ka ideologjinë, ka ende përkrahësit, ende ka besimtarët e vërtetë që vrasin veten në emër të grupit”.
Në vitet e mëparshme, propaganda e ISIS-it kishte për qëllim joshjen e besimtarëve të huaj për të jetuar në utopinë e supozuar islame.
“Ata nuk po bëjnë më thirrje që njerëzit të shkojnë në Irak dhe Siri. Në vend të kësaj, ata po dyfishojnë përpjekjet për të frymëzuar njerëz që të kryejnë operacione në vendet e tyre”.
Kjo është ajo ku propaganda e Shtetit Islamik po përpiqet të kërkojë sukses. Megjithëse ka pak prova për lidhje të drejtpërdrejta, grupi trumpeton se ai ka aftësinë për të frymëzuar sulmet terroriste kudo në botë, siç janë seria e sulmeve me automjete në Londër dhe qytete të tjera evropiane si dhe në Nju Jork në tetor.
Kjo sjell një përgjegjësi të madhe në median globale të ISIS-it që zoti Winter thotë se po mbështet në mënyrë efektive Shtetin Islamik edhe kur grupi po mposhtet në fushën e betejës.
“Si përgjigjet media globale ndaj këtyre operacioneve. Gjithnjë e më shumë ata do të bëhen pjesa jetësore e Shtetit Islamik. Ata do të jenë mjeti që e mban lart grupin, si ideologji, si lëvizje dhe si organizatë”.
Në videon e fundit t publikuar nga Shteti Islamik thuhet se gadishulli Sinai në Egjipt do të bëhet pjesë e territorit të tij. Luftëtarët e Shtetit Islamik sulmuan një xhami në rajon javën e kaluar duke vrarë më shumë se 300 njerëz.
Zaev: Hetim ndërkombëtar për incidentin në Kumanovë
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha në Prishtinë se, Shkupi është i hapur për një hetim ndërkombëtar të incidentit të Kumanovës të majit të vitit 2015, në të cilin qenë vrarë tetë pjesëtarë të policisë maqedonase dhe 14 pjesëtarë të një grupi të armatosur në të cilin ishin përfshirë edhe qytetarë të Kosovës.
Kryeministri Zaev, i cili po qëndron për një vizitë në Prishtinë, të parën të një kryeministri maqedonas në Kosovë, tha se kjo është një çështje e ndjeshme dhe se qytetarët duhet të dinë të vërtetën për këtë incident.
“Jemi pajtuar që të ketë qoftë një hetim ndërkombëtar ose të dërgohen ekspertë, të cilët do t’i përballin të gjitha elementet dhe provat dhe e gjithë kjo me qëllim që t’iu jepet qytetarëve përgjigjja e vërtetë. Kjo është edhe në interes të bashkëpunimit tonë dhe nuk duhet që kjo çështje të mbetet si pengesë në marrëdhëniet tona. E dini se është çështje shumë e ndjeshme, sepse aty u vranë edhe disa policë. Pra, do të ketë një hetim ndërkombëtar, gjithmonë me qëllim që të arrihet e vërteta”, tha kryeministri Zaev.
Hetim ndërkombëtar për këtë çështje kishte kërkuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas dënimit muajin e kaluar të pjesëtarëve të grupit të armatosur në çështjen e njohur si rasti i Kumanovës.
Të dy kryeministrat thanë pas takimit në Prishtinë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në NATO dhe Bashkim Evropian ndërsa u zotuan për mbështetje të ndërsjellë në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Këto komente u bënë në Prishtinë, ku kryeministri Zaev po qëndron për një vizitë, të parën të një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se, të dyja vendet i lidh e ardhmja euro-atlantike.
“Kjo vizitë është e rëndësishme, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë jemi fqinjë dhe jeta na lidh, fati dhe perspektiva euro-atlantike na lidh pra na bashkon dhe në këtë vizitë të sotme kemi mundur që marrëdhëniet tona të përparojnë, ato janë të mira, por të përparojnë dhe sot kemi marrë shumë obligime që besoj do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen edhe në takime të përbashkëta të dy qeverive në interes të qytetarëve të vendeve tona”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të mira dhe së është pajtuar me kryeministrin Haradinaj për rritjen edhe më tej të bashkëpunimit.
“Ne jemi dy shtete që ndajmë aspiratat e njëjta për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian dhe i premtuam njëri-tjetrin që do të mbështesim shtetet tona, sepse e ardhmja e gjithë Ballkanit Perëndimor është në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha kryeministri Zaev.
Ai nënvizoi sërish ndërkaq vullnetin e tij për të gjetur një zgjidhje me Greqinë rreth emrit të Maqedonisë. Ai tha se zyrtarët maqedonas dhe ata grekë po punojnë në “rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të rifilluar bisedimet thelbësore rreth emrit”, një çështje që po zgjat prej gati dy dekadash, duke penguar edhe proceset integruese të Maqedonisë.
Trump kërkon reformimin e sistemit të migrimit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sulmi me bombë nga një imigrant nga Bangladeshi në sistemin e metrosë në Nju Jork tregon “nevojën urgjente” për Kongresin që të reformojë sistemin e migrimit në SHBA.
Tre njerëz janë plagosur pasi bomba e sulmuesit ka shpërthyer pjesërisht.
I dyshuari Akayed Ullah, 27 vjeç, është hospitalizuar me djegie të rënda.
Policia e Nju Jorkut tha se Ullah nuk ka pasur histori të mëparshme kriminale, por “duket se është radikalizuar nga grupi ekstremist Shteti Islamik”, pasi ka shkuar në SHBA në vitin 2011.
“Amerika duhet të rregullojë sistemin e saj të migrimit që lejon shumë njerëz të rrezikshëm dhe joadekuatë të hynë në vendin tonë”, tha Trump.
Ai tha se Ullah ka hyrë në SHBA përmes një procesi ligjor që lejon familjarët e shtetasve amerikanë të marrin leje të përhershme qëndrimi në SHBA.
Trump tha se ky sistem “bie në konflikt me sigurinë kombëtare” dhe duhet të ndërpritet.
Një i ndaluar për shpërthimin në Nju Jork
Policia e Nju Jorkut thotë se një i dyshuar është ndaluar pas një shpërthimi pranë Terminalit të Autobusëve, që kryebashkiaku Bill de Blasio e quajti përpjekje për “sulm terrorist”.
Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut, James O’Neill, e identifikoi të dyshuarin si Akayed Ullah, 27 vjeç dhe tha se personi kishte të lidhur në trup një “pajisje eksplozive të improvizuar të teknologjisë së ulët”.
Ullah pësoi djegie dhe plagë në trup pas shpërthimit “të qëllimshëm” të pajisjes, u tha O’Neill gazetarëve, duke folur në prani të kryebashkiakut de Blasio dhe guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo.
Departamenti i zjarrfiksëve i New Yorkut konfirmoi tre të lënduar të tjerë, me plagë pa rrezik për jetën.
Linjat e metrosë pritet të kthehen në normalitet për orën me trafik të dendur të mbrëmjes. Pas ngjarjes, trenat u evakuan dhe anashkaluan stacionin e Rrugës 42 të Manhatanit, që është në zemër të Sheshit Times Square, një destinacion popullor për turistët.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders tha në Twitter se Presidenti Donald Trump ishte informuar për ngjarjen.
Faza e fundit e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel
Puna përgatitore për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë në Bruksel, është duke vazhduar, thonë zyrtarët e institucioneve të larta të vendit. Sipas tyre, faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të përfundonte me njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve.
Bekim Çollaku, shef i kabinetit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, thotë se presidenti i vendit është duke punuar në të gjitha rrafshet për ndërtimin e një Ekipi të Unitetit apo një grupi gjithëpërfshirës, i cili do ta përfaqësojë Kosovën në fazën, siç e ka quajtur ai, përfundimtare të dialogut në Bruksel. Sipas tij, me grupin e unitetit nënkuptohen përfaqësuesit e partive politike parlamentare.
“Nëse partitë politike parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të arrijnë të gjejnë një konsensus të tillë, që të merren vesh aty dhe të nxjerrin një rezolutë të përbashkët për këtë çështje, aq më mirë. Mirëpo, nëse jo, atëherë pse jo edhe presidenti, si përfaqësuesi më i lartë institucional dhe si përfaqësues i unitetit të popullit dhe i partive politike, mund të krijojë ekipin politik për qëllimin e njëjtë. Kështu që, në cilëndo formë që të bëhet, suksesi është i garantuar. Ajo çfarë është më e rëndësishme, është që të ketë konsensus të gjerë politik për këtë çështje, ndërsa mënyra se si do të ndërtohet kjo, mendoj se është e një rëndësie dytësore”, thotë Çollaku.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se, Kuvendi i Kosovës tashmë e ka të miratuar një rezolutë, me të cilët i autorizon krerët institucionalë të Kosovës për dialog me Serbinë.
Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se, Qeveria e Kosovës është e angazhuar për arritjen e një konsensusi ndërmjet partive politike për krijimin e një grupi gjithëpërfshirës për përfaqësim të vendit në dialogun me Serbinë.
“Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me krerët institucionalë të Kuvendit dhe me presidentin, janë duke ndërtuar një ekip, një strategji të unifikuar, që të rinisë, përkatësisht, që dialogu me Serbinë të hyjë në fazën përfundimtare, duke e afatizuar në kohë dhe që rezultati përfundimtar i tij të jetë njohja e ndërsjellë e të dy shteteve”, thotë Matoshi.
Por, përfaqësuesit e partive politike parlamentare në vend, tashmë kanë shprehur mendime të ndryshme lidhur me mundësinë e krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës apo të unitetit për dialogun me Serbinë.
Përderisa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë kundër dialogut pa kushte me Serbinë, si dhe kundër asaj që përfaqësimin e Kosovës në dialog ta udhëheqë Presidenti Thaçi, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e ka mohuar në parim mundësinë e krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës. Megjithatë, sipas tyre, për nivelin e përfaqësimit politik në dialog, fjalën e fundit duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, si dhe ka shprehur mendimin që dialogun duhet ta udhëheqë Qeveria dhe jo nga presidenti.
Por, Çollaku konsideron se kjo qasje e partive opozitare është e gabuar, duke thënë se, Kushtetuta e Kosovës i përcakton qartë rolet e institucioneve të larta.
“Në këtë rast, dialogu është një çështje e politikës së jashtme dhe Kushtetuta e përcakton qartë që me politikë të jashtme udhëheqë presidenti i vendit. Mirëpo, do të ishte tepër e mirëseardhur në qoftë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të kishte ndërgjegje dhe vetëdije të lartë politike, që të arrijë një konsensus të tillë, të gjerë, për një çështje kaq të rëndësishme, siç është dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kështu që, ne e mirëpresim një konsensus të tillë, nëse ai buron nga Kuvendi. Mirëpo, nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, atëherë sigurisht që Presidenti i Republikës së Kosovë nuk do ta lë peng një proces të tillë për shkak të divergjencave brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Ndërkaq, Matoshi thotë se më e rëndësishme është arritja e një konsensusi ndërmjet partive politike parlamentare për dialogun me Serbinë sesa çështja se kush do t’i prijë ekipit në dialog.
“Nuk është shumë e rëndësishme se kush do t’i udhëheqë bisedimet. E rëndësishme është që të ketë një gjithëpërfshirje dhe ne mendojmë se në Ekipin e Unitetit duhet të përfshihet edhe opozita parlamentare”.
Rreth dy muaj më parë, në një debat të organizuar ndërmjet shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ishte kërkuar që legjislativi të ketë rol shumë më aktiv në procesin e dialogut, si dhe për marrëveshjet e arritura me Serbinë.
Përfaqësimi politik në dialog, deri më tash, ishte në nivelin e kryeministrave, por në dy takimet e fundit, gjatë këtij viti, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, kanë përfaqësuar Kosovën dhe Serbinë nga pozitat e presidentëve.