“Është një dëshirë e madhe e popullit që të bëhet pjesë e BE dhe Shqipëria është kandidate nga viti 2014, tani ka ardhur momenti të presim vendimin e institucioneve dhe autoriteteve europiane për hapjen e negociatave, por nuk duhet të nxitohemi”
“Kushtetuta shqiptare përcakton kohëzgjatjen e një mandati. Mandati i prokurorit të përgjithshëm përfundon sipas Kushtetutës dhe autoritetet kompetente janë ato që duhet të vendosin”
Ambasadorja franceze në Tiranë, Christine Vasak i kërkon qeverisë shqiptare të ndjekë rrugën që dikton Kushtetuta e vendit në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, ndërsa deklaron se janë autoritetet përkatëse të përcaktuara me ligj që duhet të merren me zgjedhjen e kryeprokurorit. Ambasadorja komentoi edhe çështjen e mandatit të kryeprokurorit. Ajo theksoi se Kushtetuta shqiptare e përcakton qartë kohëzgjatjen, duke iu referuar këtu mandatit të përfunduar të Llallës. Por nga ana tjetër, ambasadorja franceze ka “ngrirë” edhe entuziazmin e beftë të qeverisë dhe pretendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nga Korça, diplomatja franceze theksoi se nuk duhet të nxitohemi, pasi më parë do të priten rezultatet e raporteve, ndërsa kryefjala e procesit do të jetë zbatimi i Reformës në Drejtësi. “Është një vlerësim që duhet të bëhet nga të gjitha shtetet anëtare të BE. Ne presim shumë raporte. ‘Mos shkoni më shpejt se muzika’, është një shprehje franceze. Është një dëshirë e madhe e popullit që të bëhet pjesë e BE dhe Shqipëria është kandidate nga viti 2014, tani ka ardhur momenti të presim vendimin e institucioneve dhe autoriteteve europiane për hapjen e negociatave, por nuk duhet të nxitohemi. Kjo analizë do të bëhet, duke u bazuar në sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, deklaroi Vasak. “Kushtetuta shqiptare përcakton kohëzgjatjen e një mandati. Mandati i prokurorit të përgjithshëm përfundon sipas Kushtetutës dhe autoritetet kompetente janë ato që duhet të vendosin”, tha Vasak.
Franca: Kryeprokuror sipas Kushtetutës
Kompromentimi i misioneve në emërimin e kryeprokurorit
Ditët e fundit, është folur shumë mbi opinionin ligjor të projektit EURALIUS në Tiranë në lidhje me procesin e zgjedhjes së pasardhësit të Prokurorit të Përgjithshëm, i hartuar pas një kërkese të bërë në mënyrë jo transparente nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, pa njoftuar fare anëtarët e tjerë të Komisionit ose të paktën anëtarët jo socialistë të Komisionit. Sikurse Exit.al ka shpjeguar më parë këtu dhe këtu, zgjedhja e një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash është shkelje e Kushtetutës dhe është vendosur nga një ligj, i cili është miratuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensusin e të gjitha palëve. Çështja e opinionit të dhënë nga EURALIUS, sidoqoftë, shkon më thellë se kaq. Gjatë ditëve të fundit, EURALIUS shpesh është barazuar apo njehsuar me Bashkimin Evropian, dhe në të vërtetë Ambasadorja Romana Vlahutin, e njohur gjërësisht si aleate politike e Kryeministrit Rama, mbështeti publikisht mendimin e EURALIUS-it. Sidoqoftë, EURALIUS (zyrtarisht i quajtur EURALIUS IV) është në fakt një projekt asistence teknike i financuar nga Bashkimi Evropian, por i zbatuar nga një konsorcium organizatash joqeveritare, kryesuar nga Fondacioni gjerman IRZ. Me fjalë të tjera, ekspertët e EURALIUS janë kontraktorë me pagesë të punësuar nga Delegacioni i BE-së në Tiranë. Kontrata e EURALIUS IV përfundon në fund të dhjetorit, dhe aktualisht është duke u zhvilluar procesi i përzgjedhjes së kompanisë që do të zbatojë projektin për tre vitet e ardhshme. Konsorciumi aktual me në krye IRZ ka aplikuar sërish për të fituar kontratën e re, ndërkohë që në garë është futur edhe një konsorcium tjetër, i kryesuar nga një organizatë franceze. Është e kuptueshme se, duke qenë se vendimi për kontratën do të merret apo ndikohet nga Ambasadorja Vlahutin, IRZ ka një motivim të fortë për të lëshuar mendime ligjore, të cilat janë të pëlqyeshme për Ambasadoren Vlahutin, me shpresën për të fituar kontratën për EURALIUS. Një vështrim i shpejt i listës së ekspertëve të punësuar nga EURALIUS IV tregon se, asnjë prej tyre nuk ka trajnim apo specializim në të drejtën kushtetuese. Për më tepër, shumica e “ekspertëve” të punësuar nuk janë juristë apo avokatë ndërkombëtare, por të punësuar lokalë nga sistemi shqiptar i drejtësisë. Kjo shpjegon edhe arsyetimin e dobët të opinionit ligjor, i cili në vetvete duket se bie haptazi ndesh me vetë misionin zyrtar të EURALIUS-it: Për të forcuar pavarësinë, transparencën, efikasitetin, besueshmërinë dhe besimin publik në drejtësinë shqiptare në përputhje me legjislacionin dhe praktikat më të mira të BE-së.
Kohë refleksioni qytetar…
Nga Martin DEDAJ
Partia Demokratike, në 27-vjetorin e saj gjendet në opozitë, pas atij procesi farsë nën diktaktin e tjetërsimit të votës së shqiptarëve, por padyshim që, ka qenë dhe mbetet forca e vetme politike e cila si gjatë viteve të qeverisjes ashtu edhe atyre në opozitë, ka qenë përcaktuese në zhvillimin dhe integrimin e vendit.
Kjo forcë politike me orientim perëndimor në themel të programit të saj ka lirinë, demokracinë, vlerat e individit dhe integrimin e vendit drejt strukturave euroatlantike, të cilat janë nëpërkëmbur gjatë këtyre viteve të qeverisjes së rilindjes dhe sojmenëve të saj, kryesuar nga Edvin Kristaq Rama, që po sillen si satrapë, duke bërë që Shqipëria të pllakoset nga një realitet i zymtë, social ekonomik dhe i pashoq, si kurrë ndonjëherë më parë. Dhe mbi të gjitha, Shqipëria është kthyer në vendin e shkatërrimit të institucionit të votës së lirë.
Shqipërinë e ka pllakosur një realitet ekstrem social e i diferencuar, ku një shtresë e vogël e shoqërisë natyrisht pjesa e lidhur me hierarkinë e lartë shtetërore jeton në luks (si dikur ato të bllokut), ndërsa pjesa më e madhe e shoqërisë jeton në varfëri dhe mjerim, ku varfëria kërcënohet me burg, pasi kryefamiljarët nuk kanë lekë të paguajnë dritat, dhe s’mund të dalin për të kërkuar punë, sepse sërish kërcënohen nga prangat.
Dhjetëra e qindra familje të ndara enden këtej e andej kufijve, në përpjekje për të sfiduar pragun e katastrofës ekonomike, që po u troket përditë tek pragu i votrës së tyre. Mbi 500-600 mijë shqiptarë janë larguar me shpresën e gjetjes së një jete më të mirë jashtë vendit, ikje e cila vijon ende me shifra friksuese?!. Vetëm në dy vitet e fundit afro 450 mijë shqiptarë aplikuan për llotarinë amerikane! Dhe afro 600 mijë të tjerë janë të pa punë. Shifra këto mjaft alarmante dhe rrënqethëse e plot të dhëna të tjera të raportuara, dhe të pranuara tashmë edhe nga INSTAT, që kontrollohet nga vetë Rama.
Në historinë e këtij vendi, asnjë pushtues dhe regjim nuk është sjellur më keq me popullin shqiptar sesa Edvin Kristaq Rama dhe shpura e tij e rilindjes dhe sorollopëve të tij, të cilët e kanë shpërfillur pothuajse plotësisht popullsinë e varfër shqiptare dhe hallet e tyre.
Çdo gjenerate i takon të lind dhe të jetojë në një periudhë të caktuar historike, që lidh të kaluarën me të ardhmen. Prirje e të gjithë brezave, është që të shohim nga e ardhmja, por të mbështetur fort në tabanin e gjenezës sonë të hershme, karakterin dhe fisnikërinë, dhe dheun e të parëve, vendlindjen tonë të dashur, të cilën çdo njeri e ka për zemër.
Padyshim që brezi i studentëve të Dhjetorit ’90-të, të prirë nga studenti liberator, tribuni i lirisë i pavdekshmi “Nderi i Kombit” Azem Hajdari, u përballën dhe triumfuan ndaj bishës më të egër komuniste të Europës dhe pas afro gjysëm shekulli diktaturë vranë frikën dhe hodhën themelet e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Partia Demokratike Shqiptare si forca e parë politike opozitare në Shqipëri, ka nderin se është ajo, që e anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës, NATO, dhe strukturat e tjera ndërkombëtare dhe e afroi drejt Bashkimit Evropian, duke bërë të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve, vendosjen e themeleve të shtetit demokratik dhe transformimin rrënjësor të Shqipërisë, dhe shumë e shumë arritje të tjera. Padyshim që brezi i studentëve të Dhjetorit 90-të dhe themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare kanë qenë, janë dhe do të mbeten në histori si brezi që i dha Shqipërisë Lirinë dhe Demokracinë.
Por kurrë ndonjëherë ky brez dhe jo vetëm, nuk e kishin menduar se pas 27 viteve pluralizëm, sërish do të kemi në pushtet segmente të zgjatura të diktaturës komuniste dhe hijes së zezë të ish- Sigurimit të Shtetit dhe se bash në Ditën Kombëtare të Rinisë më 8 Dhjetor 2017, ish-Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë Tepelenë, dhe ish-ministri i fundit komunist, që përgjaku zgjedhjet e para pluraliste të 31 Marsit 1991, (më 2 Prill të atij viti, duke vrarë katër protestues të pafajshëm eksponentë dhe veprimtarë të opozitës së atëhershme), përfaqëson shtetin dhe institucionet shtetërore në Departamentin e Shtetit Amerikan.
Është bash koha që ne të ngrihemi të gjithë së bashku ndaj kësaj klike neodiktatoriale, kleptokratike që po qeveris vendin përmes bandave dhe baronëve të drogës, me të cilët është në ortakëri të pandarë. Sepse kurrë më shumë sesa tani, Shqipëria ka nevojë për një lëvizje të re demokratike me përgjegjësi qytetare dhe kombëtare. Ashtu si në vitet ’90, të rinjtë duhet të jenë promotor të kësaj lëvizjeje, por të mbështetur nga të gjithë shqiptarët anë e kënd vendit.
Një thënie e artë për kohën thotë se: “Koha fitohet në katër mënyra: -Të arrish të bësh diçka, të bësh atë që duhet, dhe atë që duhet bërë ta bësh në kohën dhe vendin e duhur dhe ashtu siç duhet”. Prandaj më shumë se kurrë, tani është koha kur të gjithë shqiptarët nga të gjitha anët e Shqipërinë duhet të ngrihen si një uragan mbarëpopullor dhe në lartësinë e përgjegjësive qytetare e kombëtare për të larguar këtë qeveri varfërie dhe rrënuese për shqiptarët, dhe mbi të gjitha vrasëse të votës së lirë dhe shpresës së tyre. Së bashku duhet të ngrihemi për t’i dalë zot vendit dhe të ardhmes tonë të përbashkët, për një ekonomi të fortë dhe të ardhme të sigurt, në vendin tonë të bukur që po braktiset çdo ditë.
Brezi i studentëve të Dhjetorit të viteve ’90-të, themeluesit e Partisë Demokratike, anëtarët, simpatizantët dhe militantët e saj, së bashku me gjeneratat e tyre dhe qindra e mijëra mbështetës janë sërish këtu të gatshëm dhe në lartësinë e përgjegjësive qytetare dhe kombëtare për t’ju bashkuar një lëvizje mbarë popullore dhe kombëtare, ashtu si në vitet ’90-të dhe presin një lidership dhe forcë politike t’i frymëzojë dhe t’i udhëheqë në këtë kauzë. Nga ana e saj, Partia Demokratike dhe opozita shqiptare kanë përgjegjësinë kombëtare dhe politike që t’i prijnë këtij uragani mbarë popullor, për të rikthyer vlerat e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, dhe mbi të gjitha rikthimin të votës së lirë, nga e cila burojnë vlerat e lirisë, demokracisë, identitetit dhe sovranitetit kombëtar.
Më shumë sesa festë ky 27-vjetor i krijimit të Partisë Demokratike, duhet të shërbejë si prologu i bashkimit të gjithë demokratëve me frymën e ndryshimit të këtij realiteti të hidhur që po përjetojmë, në këto vite të keqqeverisjes së vendit nga mazhoranca rilindase e mafies, drogës, korrupsioni dhe krimit.
Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha, duhet të tregojë përpara anëtarëve, mbështetësve, simpatizantëve, militantëve të Partisë Demokratike dhe jo vetëm, dhe mbi të gjitha përballë shqiptarëve se është lideri, që din të përballojë dhe të udhëheqë sfida dhe të triumfojë mbi to.
Misioni i ri i PD
Lulzim BASHA
“Pikërisht sot kur shpresa duket e vrarë si asnjëherë tjetër ne deklarojmë me përgjegjësi bindjen tonë se fundi i të keqes është më afër se kurrë dhe se një e ardhme e re po troket për qytetarët tanë. Le të jetë kjo ditë e 27-vjetorit tonë, dita e një vendimi të madh në zemrën e çdo demokrati dhe demokrate për t’u bashkuar, për të guxuar për të punuar si asnjëherë tjetër për këtë ditë të re”
“Respekt dhe mirënjohje të veçantë do të ketë përherë për ata, që ju prinë demokratëve në momentet e para, për Aleksandër Meksin, Arben Imamin, Neritan Cekën, Eduard Selamin, Genc Rulin, Preç Zogajn, Besnik Mustafajn, Tritan Shehun, Genc Pollon e të tjerë që nuk mundem t’i përmend dot të gjithë
Kam nderin dhe kënaqësinë t’ju uroj të gjithëve mirëseardhjen në këtë takim tradicional të ditëlindjes së Partisë Demokratike. Njëherësh të uroj me gjithë zemër, një për një, themeluesit, anëtarët dhe mbështetësit e saj, brenda dhe jashtë vendit: Gëzuar 27-vjetorin e Partisë Demokratike të Shqipërisë! Gëzuar ditën e lindjes së pluralizmit politik!
Ky është një përvjetor i trefishtë i tre ngjarjeve të mëdha historike, të cilat ndanë në dysh kohën e Shqipërisë: në njërën anë diktatura komuniste gjysëmshekullore, që përfundoi në koshin e historisë si kujtimi më i keq i brezave, në anën tjetër demokracia perëndimore që filloi epokën e saj të re.
Këto tre ngjarje janë Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990, fitorja e pluralizmit politik si arritja më e madhe e saj, themelimi po atë mbrëmje, në 11 dhjetor 1990, i Partisë Demokratike nga një grup studentësh dhe intelektualësh me Azem Hajdarin në ballë.
Të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën, këto tre ngjarje qëndrojnë dhe lartësohen çdo vit si përmendorja më e bukur dhe më madhështore e demokracisë së re shqiptare.
Ne mblidhemi çdo dhjetor për të kujtuar gjenezën e kësaj historie të madhe, për të nderuar protagonistët e saj -studentë, intelektualë, njerëz të thjeshtë – për t’u frymëzuar nga shembulli i tyre, për të reflektuar për rrugën që kemi bërë, për t’u rinisur me energji të reja.
Rëndësia e një Lëvizje apo një Partie përcaktohet nga produkti që sjell për vendin dhe njerëzit. Lëvizja e Dhjetorit dhe Partia Demokratike që lindi prej saj kanë prodhuar Shqipërinë e lirë, Shqipërinë Perëndimore. Demokratët, nga i pari tek i fundit, kanë të drejtë të krenohen për këtë. Krenarë për historinë. Të përgjegjshëm për të sotmen dhe të nesërmen.
Nderim dhe mirënjohje për themeluesit e PD që sot nuk janë më
Ky dhjetor i 27-të vjetorit tonë është dhe nuk është si gjithë të tjerët. Është si të tjerët, sepse na mbledh për të evokuar sërish, plot respekt, themelimin dhe themeluesit e PD-së, epizmin dhe idealizmin e spikatur të asaj kohe, sfidat dhe arritjet e mëdha të forcës sonë politike ndër vite.
Ky dhjetor është si të tjerët, kur përkujtojmë plot mall, nderim e mirënjohje ata që nuk i kemi më mes nesh: Është Azem Hajdari, prijësi i Lëvizjes Studentore dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike të porsathemeluar. Janë themeluesit e Partisë Demokratike, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori, Arben Broci dhe Ali Spahia;
Është Sokol Olldashi, është Ferdinand Pone, janë emra të tjerë demokratësh të shquar dhe demokratësh të thjeshtë, që nuk rrojnë më. Partia Demokratike i ka e do t’i ketë ata gjithmonë në librin e saj të ndritur të kujtesës dhe të shembujve frymëzues.
Ky dhjetor është si të tjerët, sepse ne sot si përherë nderojmë studentët dhe pedagogët e Dhjetorit kudo që ata janë, në Shqipëri apo kudo në botë. Partia Demokratike është bija e guximit dhe shpirtit tuaj të lirë.
Respekt dhe mirënjohje të veçantë do të ketë përherë për ata, që ju prinë demokratëve në momentet e para, për Aleksandër Meksin, Arben Imamin, Neritan Cekën, Eduard Selamin, Genc Rulin, Preç Zogajn, Besnik Mustafajn, Tritan Shehun, Genc Pollon e të tjerë që nuk mundem t’i përmend dot të gjithë.
Nderimi dhe mirënjohja më e madhe e çdo demokrati do të jetë përherë për liderin e saj historik Sali Berishën, pa të cilin Partia Demokratike nuk do kishte shpirtin dhe forcën që ka patur përherë.
Demokratët, rrugës evropiane të Shqipërisë
Por nga ana tjetër, ky dhjetor nuk është si gjithë të tjerët, sepse vjen në vitin e krimit të madh zgjedhor të 25 qershorit, pasojat e të cilit janë një dënim i madh për qytetarët shqiptarë në radhë të parë, për demokracinë tonë. Pastaj edhe për PD dhe opozitën.
Ky ishte një regres i jashtëzakonshëm, një kthim prapa që kërkon nga ne reflektime, vendime dhe veprime të matura por të vendosura.
Dhe ne e kemi vullnetin, i kemi mundësitë ta bëjmë këtë. Po e bëjmë këtë çdo ditë. Historia na ndihmon.
Gjatë 27 viteve të jetës së saj, PD ka përjetuar ulje dhe ngritje, ka qenë në pushtet dhe në opozitë, ka marrë goditje dhe plagë, ka fituar respekt dhe nderim brenda e jashtë vendit, ka shkruar historinë e integrimit euroatlantik të Shqipërisë, por është përballur ndërkaq me skenarë që kanë synuar deri eliminimin e saj nga skena politike; ka njohur diversitetin jetëdhënës të mendimit të lirë e të përgjegjshëm, por edhe përplasje dhe konflikte të brendshme, të pashmangshme herë-herë për vetë natyrën e politikës; ka njohur ndarje dhe bashkime, ka njohur humbje dhe fitore, tronditje dhe lavdi.
Por PD gjithmonë është kthyer përherë tek vlerat e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor.
Nga çdo vështirësi, nga çdo rrëzim, ajo është ngritur më e fortë.
Sepse forca jonë buron nga idealet dhe idetë ku ne besojmë dhe për të cilat luftojmë.
Partia Demokratike është ajo që ka mbajtur me vendosmëri, që nga dita e parë e lindjes e deri sot, busullën perëndimore, euroatlantike dhe europiane të Shqipërisë.
Ne jemi të lumtur që sot, edhe forcat e tjera politike në vend deklarohen në këtë kurs historik për fatin e vendit tonë, por si pararendës dhe si protagonistë, ne demokratët jemi këtu për të qenë garantët dhe për të mos rreshtur së shërbyeri, brez pas brezi, idealin dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.
Euroatlantizmi i shkrirë natyrshëm me vizionin dhe ndjenjat tona kombëtare është pasaporta, është identiteti ynë politik!
Shpërbërja e strukturës kriminale ka filluar
Pavarësisht sfidave, PD ka ditur, ka mundur dhe ia ka dalë të mbetet e madhe, ia ka dalë të ngrihet nga hiri, ia ka dalë të qëndrojë forca kryesore e qendrës së djathtë, ia ka dalë të riniset në fillime të reja, në nisje të reja, ia ka dalë të afirmohet si alternativa e vetme e pushtetit të së majtës socialiste, ia ka dalë të qeverisë me sukses, të sjellë zhvillim dhe integrim real, si asnjë forcë tjetër në vend.
E gjithë kjo, sepse PD ka ditur të reflektojë kur koha dhe rezultatet kanë kërkuar reflektim;
sepse ka vendosur gjithmonë të parin interesin e vendit dhe ka qëndruar me vendosmëri në beteja ballore, të drejta e demokratike;
sepse ka ditur të ndërtojë vazhdimisht vizionin e ri të së ardhmes; sepse ka patur vetëdijen e forcës së bashkimit dhe ka ditur të bashkohet.
Reflektimi, Vizioni, Bashkimi dhe Beteja na kanë mbajtur dhe na kanë vënë në krye. Kjo është historia. Reflektimi, Vizioni, Bashkimi dhe Beteja do të na çojnë në fitore. Kjo është e sotmja, kjo është e nesërmja jonë e sigurt dhe e afërt! Dua që ky lajm të ushtojë fort në zemrën tuaj, të çdo demokrati, dhe të çdo qytetari shqiptar.
Viti që po mbaron ka qenë një nga vitet tona të vështira, kur Shqipëria rrezikonte të robërohej nga krimi. Por ne u ngritëm, ne zgjodhëm që të përballemi me të. Dhe ju të gjithë e dini se kjo nuk ishte përballje e lehtë. Në fillim nuk na besuan, shumë e mbyllën gojën, të tjerë nuk guxuan të na bashkohen. Rrezikuam dhe sakrifikuam politikisht, morëm kosto si parti dhe si individë, por ne prapë qëndruam!
Dhe sot, pak muaj pas zgjedhjeve, përpjekjet tona po japin rezultat dhe shqiptarët po e kuptojnë drejtësinë dhe vetëmohimin e betejës që ne bëmë dhe po na japin vlerësimin dhe mbështetjen që meritojmë.
Ky është fillimi i shpërbërjes së strukturës kriminale, të shpërbërjes së gënjeshtrës së madhe mbi të cilin qëndron narko-qeveria në pushtet.
Kjo qeveri solli disa rekorde të zeza për vendin, por katër prej tyre nuk i ka parë historia e asnjë vendi në Europë dhe në botë: Promovimi me vetëdije i individëve me rekorde kriminale në Parlament dhe në funksione të larta publike, kanabizimi masiv i territorit kombëtar nga bandat në ortakëri me qeverinë, angazhimi i bandave si struktura elektorale të Partisë Socialiste me detyrën për të blerë vota me paratë e drogës e korrupsionit dhe për të dhunuar zgjedhësit, blerja masive e votës në zgjedhjet e 25 qershorit.
Këto rekorde pohojnë pa asnjë ekuivok ilegjitimitetin e të ashtuquajtures fitore të narko-pushtetit në zgjedhjet e 25 qershorit, për rrjedhim, ilegjitimitetin e Parlamentit dhe të qeverisë. Këto janë faktet. Shpërbërja e gënjeshtres dhe e së keqes që ka nisur nuk mund të kthehet më prapa. Shpërbërja vetëm do të përshpejtohet në javët dhe muajt në vijim.
Pabesia ndaj marrëveshjes së majit, Ramës po i ngec në fyt
Nuk mund të ndodhë ndryshe. Ortakët e krimit në pushtet dhe pushtetit në krim kanë ngecur në kënetën e tyre. Rrallë ka ndodhur që denoncimet në kohë reale të opozitës të aferave kriminale dhe korruptive të vërtetohen një për një, deri në hollësi, emër për emër, nga shpërthimi i skandaleve dhe dalja në dritë e të vërtetës më vonë.
Dhe do të vazhdojë të na dalin fjalët. Pa asnjë firo, ashtu siç i kemi thënë e vijojmë t’i themi. Keni për ta parë.
Sot, në dritën e fakteve, shumica dërrmuese e shqiptarëve realistë thonë: Po, PD-së i dolën fjalët. Kjo qenka e vërteta.
Për këtë ju duhet të ndiheni të gjithë krenarë, sepse secili prej jush, dhe ne të gjithë bashkë e kemi nisur dhe luftuar bashkë këtë betejë!
Kjo do të thotë se Partia Demokratike ka kryer para vendit detyrën e saj si opozitë me integritet të lartë moral dhe politik.
Sigurisht që ne do të kishim dashur që kriminalizimi dhe kanabizimi të luftoheshin e të ndaleshin në kohë, pa u bërë kapicë siç u bënë; kemi luftuar dhe kemi dëshiruar përnjimend që këto droga, krimi dhe paratë e pista të mos prishnin një festë të popullit të lirë, siç janë zgjedhjet.
Për këtë arsye ne pranuam draftmarrëveshjen për zgjedhjet, që partneri ynë strategjik, SHBA, u propozoi shumicës dhe opozitës shqiptare.
Qëllimi dhe thelbi i marrëveshjes ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës. Edi Rama u ul në bisedime, por bëri krejtësisht të kundërtën e asaj për të cilin u bë marrëveshja. Tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt.
Politika nuk është e pistë apo hileqare në vetvete, por është e tillë për ata që duan ta bëjnë pis e të paskrupullt atë, thoshte Vasllav Havel. Politika hakmerret një ditë ndaj tyre. Kjo është një ligjësi e hekurt.
Partia Demokratike nuk bleu vota dhe nuk angazhoi kriminelë. Forca jonë, besimi ynë, sot më shumë se kurrë janë alternativa, programi, gara dhe bashkimi.
Ftesë gjithë demokratëve për t’u bashkuar
Ne do të fitojmë, duke qëndruar fort në truallin e vlerave që janë provuar si fitimtare në jetën e kombeve të lira dhe në historinë tonë gjithashtu. Ndaj sot dua të ftoj çdo demokrate dhe demokrat, krenarë për vlerat që na bashkojnë, i vetëdijshëm për përgjegjësitë që më takojnë, që të punojmë të gjithë bashkë për Partinë Demokratike, bijën dhe luftëtaren e paepur të Lirisë dhe Demokracisë.
Në themel të këtij projekti le të vendosim parimet e demokracisë, transparencës, vendim-marrjes gjithëpërfshirëse, llogaridhënies si parimet që do të udhëheqin partinë tonë. Le të mbështetemi tek frymëzimi dhe idealizmi që e solli atë në jetë, si parti e njerëzve, parti e intelektualëve, e të përndjekurve, e të rinjve dhe e idealistëve që besojnë tek liria, demokracia, dinjiteti njerëzor. E të gjithë atyre që e duan Shqipërinë vërtet si Europa.
Sot, Shqipëria ka më shumë nevojë se kurrë që ne demokratët të fortë, kurajozë dhe të pakompromis me të keqen të plotësojmë misionin dhe destinin tonë hyjnor dhe historik. Ora më e errët është ajo para agimit. Kështu ishte 27 vite më parë. Kështu është edhe sot. Pikërisht sot, kur shpresa duket e vrarë si asnjëherë tjetër, ne deklarojmë me përgjegjësi bindjen tonë se fundi i të keqes është më afër se kurrë dhe se një ardhme e re po troket për qytetarët tanë.
Le të jetë kjo ditë e 27-vjetorit tonë, dita e një vendimi të madh në zemrën e çdo demokrati dhe demokrate për t’u bashkuar, për të guxuar për të punuar si asnjëherë tjetër për këtë ditë të re.
Gëzuar ditëlindjen e 27 të Partisë Demokratike dhe pluralizmit politik!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Breshëri plumbash në Bulqizë, 29-vjeçari i shpëton atentatit
Një 29-vjeçar nga fshati Peladhi në Bulqizë i ka shpëtuar një atentati ndaj tij mbrëmjen e djeshme. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automjetin tip “Land Rover” me targa AA 489 RA, me të cilin ai udhëtonte. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 në rrugën që lidh fshatin Godvi me fshatin Peladhi. Fatmirësisht Fadil Ternova i ka shpëtuar plumbave dhe ka mundur t’u largohet atentatorëve.
29-vjeçari udhëtonte i vetëm në makinë. Të paktën 2 plumba kanë prekur automjetin e tij, ndërsa në vendngjarje policia gjeti disa gëzhoja. Forca të shumta policore të mbështetura dhe nga forcat e policisë së Dibrës kanë ngritur pika të shumta kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia sqaron se ngjarja po hetohet intensivisht, pasi Tërnova është person me rekorde të theksuara kriminale dhe penale. I mbiquajtur si “i forti i Bulqizës”, Fadil Tërnova rezulton i arrestuar dhe i dënuar për disa vepra penale, përfshirë tentativë vrasjeje.
Ai ka qenë i dënuar me 10 vjet burg për një ngjarje të ndodhur në 2009-ën, ku plagosi rëndë një person. 3 vjet më pas ai u arrestua pasi u kap me armë dhe një krëhër me 8 fishekë. Për këtë vepër ai bëri vetëm 8 muaj burg.
Në nëntor të 2012–ës, Tërnova u shpall në kërkim dhe u arrestua në 2015-ën nga Forcat RENEA.
Burime për ABC News thonë se, Tërbova u lirua nga Gjykata në 2016-ën. Ai mësohet se po e shlyente dënimin e tij në shërbim prove.
Asnjë i dyshuar për vrasjen e vëllait të ish-deputetit socialist
Ndonëse kanë kaluar tre ditë nga vrasja e vëllait të ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, ende nuk ka asnjë të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë. Të gjithë personat e shoqëruar janë liruar dhe nga ta nuk është administruar asnjë informacion me vlerë. Në pyetje janë marrë edhe familjarët e viktimës dhe vëllezërit e tij, të cilët janë shprehur se nuk kanë asnjë dyshim se kush mund të fshihet pas vrasjes së Aleksandrit. Po sipas familjarëve, ai nuk kishte shprehur asnjë shqetësim kohët e fundit.
Identifikimi i autorëve duket i pamundur nga policia për shkak të atyre pak provave që lanë pas. Përveç gëzhojave të kallashnikovit që u gjetën në vendngjarje hetuesit nuk kanë administruar asnjë provë tjetër të vlefshme.
Në zonën periferike të qytetit ku mendohet se kanë lëvizur autorët ndodhet vetëm një kamer sigurie e një biznesi. Kjo ishte shpresa e vetme e hetuesve, por nga këqyrja e saj automjeti i autorëve nuk kaloi në këtë rrugë.
Burime nga policia nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të kenë qenë vrasës me pagesë, ndërsa në sitë po kalohen të gjitha konfliktet e familjes Ndoka në vite. Ndërkohë, burime të Prokurorisë bëjnë të ditur se po hetohen dy pista kryesore, ajo e konflikteve personale apo anëtarëve të tjerë të familjes Ndoka dhe ajo e vrasjes për shkak të detyrës.
Aleksandër Ndoka u ekzekutua me breshëri plumbash pranë shtëpisë së tij në lagjen “Nënë Tereza” në Lezhë. Policia ka bërë me dije se, pas hetimeve të para dhe dëshmive të mbledhura nga banorët e lagjes, krimi ka ndodhur në mbrëmjen e së premtes, rreth orës 22:30, ndërkohë që familjarët e kanë gjetur trupin e pajetë vetëm në orët e para të mëngjesit. Përmes një deklarate për mediat, policia tha se rreth orës 04:00 Aleksandër Ndoka është gjetur i vrarë me armë zjarri në mjetin tij tip “Mitsubishi” me targa AA 382 SE. Mirëpo, pas hetimeve, u mësua se 48-vjeçari është vrarë me breshëri automatiku që në mbrëmje.
Prej vitit 2013, 48-vjeçari ka mbajtur detyra në administratën lokale në Lezhë, jurist në Hipotekë dhe Këshillin e Qarkut si dhe nga 2015 anëtar i Këshillit Bashkiak. Ndërsa muaj më parë, ai ishte emëruar edhe kryeinspektor i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për Veriun.
Një konflikt ku u përfshi djali i viktimës në zgjedhjet e 25 Qershorit është bërë gjithashtu pjesë e hetimit. Ai u arrestua vetëm 3 javë më parë, ndërsa është lejuar të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait, i shoqëruar nga forca të policisë.
Hetuesit thonë se autorët e këtij atentati kanë patur informacion të saktë mbi lëvizjet që kryente objektivi i tyre ose e kanë ndjekur atë. Rruga në afërsi të banesës është parë si vendi më i përshtatshëm, për shkak se është ngushtë dhe viktima nuk ka patur mundësi largimi.
Sipas ekspertëve të kriminalistikës, Aleksandër Ndoka ka qenë duke kthyer makinën për të hyrë në banesë dhe është qëlluar teksa po ecte mbrapsht. 14 plumba u qëlluan ndaj tij dhe 9 prej tyre e kanë prekur në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Masakra në Butrint, si u legalizuan në mënyrë të paligjshme mbi 140 objekte
Plot 45 objekte janë ndërtuar në zonë historike dhe arkeologjike në Parkun e Butrintit dhe këto ndërtime madje janë legalizuar nga zyrtarët e ALUIZN-t në kundërshtim me ligjet. Është dashur auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit për të zbuluar skandalin e abuzimeve të drejtuesve lokalë të ALUIZNI-t në Sarandë.
KLSH kallëzoi në Prokurori ish-drejtorin, 2 ish-përgjegjës sektori dhe 2 specialistë të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Sarandë. Ata akuzohen se kanë kryer legalizime në zona të ndaluara me ligj, në zonën arkeologjike të Butrintit dhe në zona të mbrojtura mjedisore, afër rrugës kryesore, afër bregdetit, lumenjve, kanaleve kryesore, pa dokumentacion. Në këtë mënyrë, ata kanë shmangur pagesat e detyrimeve financiare, si dhe nuk kanë arkëtuar të ardhura të taksës për infrastrukturën, në vlerën 48.9 milionë lekë.
Në njoftimin për media KLSH ka renditur dhjetëra raste, të cilat konstatohen me shkelje dhe për të cilat ky institucion i ka kërkuar Drejtorisë së ALUIZNI-t Sarandë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t në Tiranë, fillimin e procedurave administrative për masa disiplinore për 11 punonjës aktualë të ALUIZNI-t Sarandë.
“Duke i konsideruar veprimet e kryera nga ish-drejtuesit dhe specialistët e Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Sarandë, të cilët, në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të Ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” i ndryshuar dhe akteve të tjera nënligjore dalë në zbatim të tij, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH i ka dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Sarandë, me shkresën nr. 513/9, datë 10.10.2017 Raportin Përfundimtar të Auditimit si indicie, pasi janë kryer shkelje të disiplinës financiare në vlerë 48.852 milionë lekë dhe janë cënuar interesat publike. Për pasojë, KLSH gjykon se duhet të kryhen hetime të mëtejshme, duke i dërguar Prokurorisë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse”, thuhet në njoftimin e KLSH-së.
Gjithashtu, zyrtarët kanë legalizuar edhe 97 objekte të ndërtuara në zonën e mbrojtjes mjedisore “A” Parku Kombëtar i Butrintit. Për shkeljet e kryera, KLSH ka kallëzuar ish-drejtorin, dy ish-përgjegjës sektori dhe dy specialistë të Drejtorisë Rajonale të legalizimit të banesave informale në Sarandë.
Ndërkohë, edhe në plazhin e Borshit, janë legalizuar tre ndërtime pa leje, ndërkohë që në vijën bregdetare të Borshit nuk lejohen legalizimet e objekteve deri në hartimin e planit të integruar sektorial për vijën bregdetare. Gjithashtu, ata kanë shmangur pagesat e detyrimeve financiare si dhe nuk kanë arkëtuar të ardhurat e taksës për infrastrukturën, në vlerën 48.9 milionë lekë.
Rrahën gjyqtarët, arrestohen tre futbollistë të Këlcyrës
Tre lojtarë të ekipit të futbollit të Këlcyrës kanë rënë në pranga, pasi akuzohen se kanë dhunuar gjyqtarët e ndeshjes. Ditën e djeshme në ndeshjen e Kategorisë së Dytë mes Përmetit dhe Këlcyrës është goditur brutalisht gjyqtari Alvi Paço. Mjaftoi një penallti e dhënë për Përmetin dhe lojtarët e Këlcyrës nuk u përmbajtën, duke sulmuar arbitrin kryesor.
Tre lojtarë të ekipit të futbollit të Këlcyrës kanë rënë në pranga, pasi akuzohen se kanë dhunuar gjyqtarët e ndeshjes. Burime zyrtare nga Policia e Qarkut të Gjirokastrës bënë me dije se, pas hekurave përfunduan shtetasit me inicialet E.K,30 vjeç, A.H, 21 vjeç si dhe M.Xh, 21 vjeç, banues në Përmet.
Të njëjtat burime pohojnë se, tre lojëtarët akuzohen se në pjesën e dytë të ndeshjes Përmeti-Këlcyra, kanë goditur me shkelma dhe grushta gjyqtarët e kësaj ndeshje, gjyqtarët e takimit, shtetasin Alvi Paçon dhe A.K.
Përmbytjet në Durrës, banorët ende presin ndihmë për dëmet
Komisioni i Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile në Qarkun e Durrësit thotë se ka bërë bilancin e përmbytjeve shtëpi më shtëpi, por në terren situata paraqitet ndryshe. Banorët thonë se askush nuk ka ardhur për t’i parë nga afër dhe se kurrë më parë nuk janë dëmshpërblyer.
Në plazh, uji është tërhequr nga banesat. Por, pasojat që la pas përmbytja janë të mëdha. Banorët thonë se nuk po ndihmohen. Në një situatë të ngjashme ndodhen edhe dhjetëra familje në Katund të Ri. Uji u ka dëmtuar gjithçka. Orenditë shtëpiake kanë dalë jashtë funksioni. Të mbjellat në tokat bujqësore dhe sera janë dëmtuar.
Gjatë prezantimit të bilancit në Prefekturë u tha se janë përmbytur 2251 banesa dhe objekte të ndryshme, 2425 ha tokë bujqësore si dhe u shëmbën gjashtë ura. Por përtej statistikave të prezantuara, bilanci i dëmeve në terren mbetet akoma më i madh. Shpresa për t’u dëmshpërblyer aty ku komisionet e verifikimit nuk kanë mbërrritur është shuar.
50 raportet e SHISH për 127 policët e biznesit të drogës
Shërbimi Informativ Shtetëror ka raportuar 50 raste për 127 drejtues dhe punonjës policie të përfshirë në mbjelljen dhe trafikimin e kanabisit nga prilli i vitit të kaluar deri në mars të vitit 2017. Nga raportet e SHISH dalin fakte tronditëse që implikojnë jo vetëm drejtorët e qarqeve dhe shefat e komisariateve në Vlorë, Gjirokastër, Berat, Dibër, Krujë, Kurbin, Pogradec, Maliq etj., por edhe vartësit e tyre në çdo hallkë të policisë.
Edhe shoferët personalë të drejtorëve përmenden në raport, siç është rasti i Bulqizës dhe i Kurbinit. Edhe një shef qarkullimi nuk i ka rezistuar dot efektit të kanabizimit siç është rasti i Vlorës. Nuk kanë munguar informacionet kur edhe vetë agjentët e Antidrogës, kanë bashkëpunuar me trafikantët si në rastet e Lezhës, Sarandës dhe Korçës.
Deri tani, emrat e 127 policëve nuk kanë dalë në media, por nga leximi i vëmendshëm i Raportit të SHISH, del se shqetësimi më i madh ishte Vlora, Tepelena, Berati dhe Kruja. Janë në këto tre qytete ku përmenden me dhjetëra herë policët e dyshuar për bashkëpunim me kultivuesit dhe trafikantët e kanabisit. Emrat e policëve përmenden disa herë në raporte të ndryshme të SHISH, fakt që dëshmon se qeveria nuk pati asnjë reflektim për sinjalizimet e Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa Prokuroria nisi të veprojë pas reagimeve të shërbimeve të huaja.
Raportet e SHISH janë një dëshmi e fortë e implikimit të strukturave të Policisë së Shtetit në kanabizimin e Shqipërisë. Raportet e SHISH përmbajnë emra konkretë, elementë dhe detaje për përfshirjen e krerëve të policisë dhe policëve në këtë trafik droge, por çuditërisht qeveria nuk ka reaguar me institucionet e saj për të ndërhyrë ndaj tyre.
Kryeministri Rama sistematikisht është përpjekur ta fshehë kanabizimin e Shqipërisë, duke theksuar se, sipërfaqet e mbjella me drogë në Shqipëri janë më të ulëta se vitet e shkuara. Rama nxiti propagandën dhe makinën e tij mediatike për të thënë se ishte mbjellë më pak drogë dhe se qeveria e kishte luftuar më fort.
Në fakt, në asnjë rast kryeministri nuk përmendi përfshirjen e vartësve të tij dhe të Saimir Tahirit, në kultivimin dhe trafikimin e drogës. Disa prej tyre janë eprorë të lartë në disa qarqe, të cilët nuk merrnin vetëm një “taksë” për të mbrojtur dhe mos shkatërruar parcela me kanabis, por ishin vetë në shumë raste, sipas raporteve, kultivues apo sponsorizues për mbjelljen e drogës.
Në raportin e SHISH janë përmendur 127 emra zyrtarësh policie dhe policësh, por nga këta, vetëm 5 prej tyre janë nën hetim, ndërsa pjesa tjetër ose janë larguar pa bujë nga policia ose u është ndryshuar detyra, duke vijuar të paguhen me para publike.
Para disa ditësh, Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi tre fletë arreste për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefin e Krimit të Organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila dhe ish-Shefin e Postës Kufitare të Dhërmiut, Sokol Bode, por ata u njoftuan nga elementë të inkriminuar në polici, duke i shpëtuar prangosjes. Prokuroria është e bindur se mosprangosja e tre ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Qarkut Vlorë, ishte dekonsperuar nga kolegët e tyre.
Oficerët e Policisë Gjyqësore, kishin arritur të binin në gjurmët e ish-funksionarëve të policisë dy ditë para se të lëshoheshin 3 urdhërat e ndalimit, por ata u njoftuan nga vetë strukturat policore, pasi të tre të kërkuarit ishin lokalizuar më herët dhe pritej vetëm arrestimi i tyre. Edhe pse në sistemin TIMS, Jaeld Çela ishte larguar më 22 tetor 2017 nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit me një kompani fluturimi drejt shtetit turk, ai kishte hyrë në mënyrë të jashtëligjshme në vendin tonë. Burime konfidenciale nga grupi hetimor pohojnë se, Çela kishte mundur të largohej përsëri jashtë territorit shqiptar mbëmjen e 20 nëntorit, duke i shpëtuar prangosjes.
Të njëjtën mënyrë kamuflimi kishin ndjekur edhe dy drejtuesit e tjerë të Policisë Vlorë. Sokol Bode ishte larguar me automjet nëpërmjet pikës kufitare të Muriqanit më datë 29 gusht të këtij viti. Ndërkohë, Gjergj Kohila ishte regjistruar në sistemin TIMS më 11 nëntor dhe kishte dalë nga pika kufitare e Kakavijës. Emrat e tre personave nën hetim, ishin regjistuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth një vit më parë, ku ish-drejtori i Qarkut Vlorë, Jaeld Çela, së bashku me dy vartësit e tij, kishin siguruar kushtet për paprekshmërinë e grupit kriminal të Habilajve. Në tetor të 2016-ës në zonën e Treblovës dhe Veshdanisht u sekuestruan rreth 23 tonë kanabis dhe u prangosën 6 persona.
Harta e informacioneve për policët e implikuar në biznesin e drogës
Vlora, përmendet në 25 raste
Kruja, në 24 raste
Korçë, Pogradec, Maliq, 19 raste
Berati, 19 raste
Dibër, 17 raste
Kurbini, 15 raste
Tepelenë, Memaliaj 12 raste
Gjirokastër, 12 raste
Delvinë, 6 raste