23.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Qeveria, asnjë kompensim banorëve për përmbytjet

Qeveria nuk jep asnjë kompensim për banorët që pësuan dëme të mëdha nga përmbytjet e para pak ditëve. Deputetët e opozitës kërkuan dje në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë në Kuvend që të dëmshpërbleheshin nga qeveria të gjithë banorët që pësuan dëme nga përmbytjet, por mazhoranca nuk pranoi të diskutohej kjo temë e rëndësishme, duke braktisur edhe mbledhjen e Komisionit. Në këtë mbledhje ishte thirrur për të raportuar ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, por në vend të saj ishte zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i cili foli në tërësi për angazhimin e forcave të ushtrisë në zonat e përmbytura.
“U angazhuan 2917 forca, 544 mjete, pajisje dhe agregate. Angazhimi operacional i FA gjatë kësaj periudhe ka qenë fokusuar në evakuimin e popullsisë nga zonat e përmbytura, transferimi i personave të sëmurë, përforcimi emergjent i argjinaturave të digave dhe lumenjve, vendosje pritash, hapje dhe pastrim kanalesh, furnizim me ujë të pijshëm të spitaleve, largim ujërash etj”, tha Koçi.
Zëvendësministri i Mbrojtjes nuk dha asnjë shifër se sa ishin dëmet e shkaktuara nga përmbytjet për familjet dhe bizneset. Ai nuk tha asnjë fjalë se si do të dëmshpërblehen të prekurit nga përmbytjet, kur nuk u shpall gjendja e emergjencës. Deputetët e PD kërkuan të dinë se sa është dëmi i përllogaritur nga shteti për shkak të përmbytjeve. Petro Koçi u shpreh se, bilanci ende nuk është bërë, duke lënë kështu të qartë se qeveria ende nuk ka një ide të saktë se sa janë dëmet reale.
Deputetët e opozitës në komision, e cilësuan një fasadë mënyrën se si u përballua emergjenca dhe kërkuan që qeveria të publikojë shifrat e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet dhe të dëmshpërblehen të gjitha familjet e prekura si dhe bizneset që pësuan dëme.
Debati degjeneroi deri në veprime arbitrare, pasi kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj nuk pranoi t’i japë fjalën nënkryetarit të Komisionit, Flamur Noka, i cili mori mikrofonin për të folur. Noka tha se, qëndrimi i opozitës në këtë situatë ka qenë për të treguar solidaritet njerëzor, ndryshe nga ju që se keni bërë kurrë, hile shqiptarëve mos u bëni.
“Dëmshpërblim do të thotë gjendje emergjence, kur nuk shpallet gjendje emergjence, ju u keni futur gishtin qytetarëve dhe nuk i dëmshpërbleni. Qeveria e PD ka dhënë 30 milionë euro me vendime qeverie se janë shpallur gjendjet e emergjencës. Ajo që po shohim është e turpshme dhe e neveritshme. Fjalën nuk ma ndalon dot mua jo Salmonela, por askush se e kemi fituar dikur. Shqiptarët duhet të kuptojnë një gjë, e gjithë e ajo situatë që u duk sikur po tentohej të përballohej ishte një maskaradë fyese dhe ofenduese për ta. Të gjithë të përmbyturit duhet të kenë parasysh se sa kohë nuk është ngritur Shtabi i Emegjencës, nuk është shpallur gjendja e emergjencës nuk do të marrin asnjë dëmshpërblim, në kuadrin e qeverisë do të marrin vetëm mashtrim dhe gishtin mbrapa”, tha deputeti i PD, Flamur Noka.
Në tre ditë, vendi ynë kaloi orë të vështira si rezultat i ujit që vërshoi drejt shtëpive dhe bizneseve kryesisht në jug të vendit. Rreth tetë mijë banesa dhe qindra biznese u përmbytën, duke u shkaktuar dëme të mëdha. Qeveria ende nuk ka dhënë asnjë kompensim për dëmet e shkaktuara dhe nuk ka ndërmend të japë asnjë dëmshpërblim për banorët e prekur ashtu siç bëri edhe vitin e kaluar.

R.POLISI

Përvjetori i PD, Basha për marrëveshjen e 18 Majit: Rama po paguan thyerjen e paktit me SHBA

“Rama po paguan për thyerjen e Marrëveshjes me SHBA për zgjedhje të lira, pa blerje votash dhe pa grupe kriminale”, kjo ëhstë deklarata e Bashës në përvjetorin e 27 të themelimit të PD. Basha ka shtuar se “tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt”.
“Nuk mund të ndodhë ndryshe. Ortakët e krimit në pushtet dhe pushtetit në krim kanë ngecur në kënetën e tyre. Rrallë ka ndodhur që denoncimet në kohë reale të opozitës të aferave kriminale dhe korruptive të vërtetohen një për një, deri në hollësi, emër për emër, nga shpërthimi i skandaleve dhe dalja në dritë e të vërtetës më vonë.
Dhe do të vazhdojë të na dalin fjalët. Pa asnjë firo, ashtu siç i kemi thënë e vijojmë t’i themi. Keni për ta parë.
Sot, në dritën e fakteve, shumica dërrmuese e shqiptarëve realistë thonë: Po, PD-së i dolën fjalët. Kjo qenka e vërteta.
Për këtë ju duhet të ndiheni të gjithë krenarë, sepse secili prej jush, dhe ne të gjithë bashkë e kemi nisur dhe luftuar bashkë këtë betejë!
Kjo do të thotë se Partia Demokratike ka kryer para vendit detyrën e saj si opozitë me integritet të lartë moral dhe politik.
Sigurisht që ne do të kishim dashur që kriminalizimi dhe kanabizimi të luftoheshin e të ndaleshin në kohë, pa u bërë kapicë siç u bënë; kemi luftuar dhe kemi dëshiruar përnjimend që këto droga, krimi dhe paratë e pista të mos prishnin një festë të popullit të lirë, siç janë zgjedhjet.
Për këtë arsye ne pranuam draftmarrëveshjen për zgjedhjet, që partneri ynë strategjik, SHBA, u propozoi shumicës dhe opozitës shqiptare.
Qëllimi dhe thelbi i marrëveshjes ishte të evitohej përplasja civile, destabilizimi i vendit dhe angazhimi i grupeve kriminale në shitblerjen e votës. Edi Rama u ul në bisedime, por bëri krejtësisht të kundërtën e asaj për të cilin u bë marrëveshja. Tani zullumi dhe pabesia po i ngecin në fyt.
Politika nuk është e pistë apo hileqare në vetvete, por është e tillë për ata që duan ta bëjnë pis e të paskrupullt atë, thoshte Vasllav Havel. Politika hakmerret një ditë ndaj tyre. Kjo është një ligjësi e hekurt.
Partia Demokratike nuk bleu vota dhe nuk angazhoi kriminelë. Forca jonë, besimi ynë, sot më shumë se kurrë janë alternativa, programi, gara dhe bashkimi”, tha Basha.

Ja të gjitha mashtrimet e Ramës nga 2013 e deri sot

“Është e pamoralshme të mbrosh gënjeshtrat, sepse ju pëlqeni narrativën e tregimit”
Ben Shapiro*)

Erl KODRA

Edi Rama është një gënjeshtar i madh. Për të argumentuar këtë pohim, mjafton të marrim me rradhë të gjitha gënjeshtrat e tij që prej vitit 2013 dhe deri sot. Dhe nuk janë pak gënjeshtra. Sikur Edi Rama të ishte një piktor i zakonshëm, kjo nuk do të kishte pikë rëndësie. Edhe sikur Edi të ishte diçka tjetër, ta zëmë biznesmen, përsëri gënjeshtrat e tij as që do të llogariteshin. Fundja, me gënjeshtarë të tillë është e mbushur çdo shoqëri, aq më tepër kjo e jona. Maksimumi do të dëmtoheshin ata njerëz që do të ishin afër tij, përfshirë edhe familjarët.
Por duke qenë se ai është Kryeministër, gënjeshtrat e tij janë me kosto të lartë për vendin. Sepse ai gënjen jo pak, por njëherësh 2.8 milionë shqiptarë në Shqipëri dhe shumë të tjerë jashtë saj. Ju lutem bëjeni një llogari të thjeshtë për kostot e gënjeshtrave të tij:
300.000 vende pune, ndalimi i importit të plehrave, shëndetësi falas, rritje ekonomike, pagash dhe pensionesh, luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar etj., etj. Të gjitha këto gënjeshtra i shumëzoni për 2.8 milionë shqiptarë. Një det me gënjeshtra. Besoj se nuk ka argumentim më të mirë se sa ky. Çdo përpjekje për të hedhur poshtë këtë pohim është i kotë, sepse tashmë, shumica e shqiptarëve e kanë kuptuar çfarë gënjeshtari dhe demagogu është Edi Rama. Vetëm një pakicë e vogël akoma e ndjekin, e mbështesin, ose e besojnë. Por le t’i marrim me rradhë se kush janë ata.
Grupi i parë i mbështetësve të Edi Ramës është në Partinë Socialiste, e konvertuar në Rilindje. Njerëz pa vlera intelektuale dhe profesionale, aq më tepër me vlera morale. Fundja, unë nuk e di se ku mund të gjendet morali tek Taulant Balla, Sadri Abazi, Gramoz Ruçi, Arben Ahmetaj, Fidel Ylli, Ilir Beqja, Saimir Tahiri, Erion Veliaj, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Shukri Xhelili, e shumë të tjerë rilindas. Kaq rëndë është Partia Socialiste për çështje morali, sepse dreqi e mori, morali njerëzor është i lidhur ngusht me integritetin profesional, sa është katandisur që financat e vendit t’ia besojë Arben Ahmetajt. Ose drejtoritë e rëndësishme t’ia besojë figurave të rëndësishme me integritet të lartë si Elisa Spiropali! Për të mos përmendur personazhe të tjerë, të famshëm për tolerancë dhe luajalitet ndaj shefit të madh dhe të gjatë Edi Rama.
Grupi i dytë, që për nga rëndësia vlen më shumë se i pari, janë oligarkët, pa të cilët Edi Rama nuk bën dot. Ky është grupi ku fjala “moral” nuk ka fare kuptim. Këta nuk janë tipa mediatik, por praktik. Asnjëherë në televizion dhe media, megjithse ata i komandojnë të gjitha; politikën e parave, politikën e qeverisë, politikën e ekonomisë, politikën e konçesioneve me Partneritet Publik Privat, politikën e Krimit të Organizuar, zgjedhjet, krizat politike, zgjidhjet politike, krizat rajonale politike, politikën e drogës, politikën e ndërtimit të grataçelave, politikën e pastrimit të parave. Ka një listë me emra, listë e cila do të publikohet së shpejti. Edi Rama është në krye përsëri. Dhe ai vazhdon të gënjejë për vete dhe për llogari të grupit të dytë.
Grupi i tretë që e mbështet pa kushte Edi Ramën janë “Grupi i Mediave të Blera”, ku bëjnë pjesë emrat të rëndësishëm të Shtypit të Lirë. Edhe këtu nuk ka nevojë të flitet për moral, sepse këta njerëz janë të çliruar nga komplekse të tilla idiote si morali njerëzor dhe parimet e profesionit. Këtu asgjë nuk ka vlerë, dhe pallavra të tilla si koherenca dhe integriteti profesional janë varrosur përgjithmonë si një atavizëm biologjik. Emrat më të spikatur janë Mero Baze, Arjan Vasjari, Lorenc Vangjeli, Much Nano, Henri Çili, Karlo Bollino, etj. Ka edhe të tjerë, paksa më të kamufluar, të maskuar pas programeve televizive, ku ftohet edhe mendimi kundër Edi Ramës, por zakonisht në këtë rast ka një kujdes të posaçëm që mendimi kundër tij të sfumohet në një mijë mënyra perfide. Lista mund të jetë më e gjatë, por në fund të këtij teksti do të kuptohet pse unë po kursej shumë emra dhe personazhe mediatik.
Grupi i katërt i mbështetësve të Edi Ramës janë grupe të veçanta të shoqërisë tonë, që fare mirë mund t’i quajmë Grupe Speciale. Këtu bëjnë pjesë trafikantë droge, ish-trafikantë qeniesh njerëzore, vrasës, persona me preçedentë të theksuar kriminal, burgaxhi dhe ish-burgaxhi, policë të korruptuar dhe ish-policë të korruptuar, ish-sigurimsa dhe ish-komunistë të konvertuar në tregtarë dhe biznesmen, që shpesh përpiqen jo pa sukses të afrohen me grupin e dytë të mbështetësve të Edi Ramës. Ky është grupi më agresiv, tip Elvis Roshi dhe Saimir Tahiri, që nuk i dridhet syri dhe dora para asgjëje, vetëm që Edi Rama të jetë mirë, i qetë dhe të mos i rrezikohet pushteti.
Grupi i pestë dhe i fundit, është grupi më i madh, por edhe më i mjeri, në kuptimin e parë të kësaj fjale. Ata nuk duan t’ia dinë a kanë bukë ose rroba veshur, a kanë shtëpi ose krevat për të fjetur, nuk duan t’ia dinë për përmbytjet dhe mjerimin, por vetëm që Partia Socialiste, ish-Partia e Punës së Shqipërisë dhe Edi Rama si pasuesi më i denjë i Enver Hoxhës të jetë në krye të Shqipërisë. Ata janë të gatshëm të flijohen me gjithçka kanë për idealet “e majta”. Për këta duhet patur respekt të veçantë, janë njerëz me parime dhe të sakrificës. Respekte o njerëz të mjerë dhe të gënjyerit e përjetshëm!
Në të vertetë, të mbrosh sot Edi Ramën është mision i pamundur për njerëzit me dy pare mend dhe dinjitet. Shumica e shqiptarëve e ka kuptuar tashmë këtë të vërtetë të thjeshtë, paçka se jo të gjithë e shprehin. Dhe kjo ndodh sa për faj të mediave, por edhe për një arsye shumë madhore:
Don Lu është mbështetësi më i madh i Edi Ramës. E dyta është Romana Vlahutin. Të tre këta personazhe që po i “kajnë nanën” shqiptarëve janë të lidhur ngushtësisht me një personazh tjetër, që po luan fort edhe në politikat globale. Në të vërtetë, shqiptarët kështu siç janë të shkëputur dhe të hapërdarë, duket sikur nuk kanë shumë peshë, por faktori shqiptar ka fuqi të jashtëzakonshme rajonale, pse jo edhe europiane. Sa ç’janë të koklavitura punët, po aq janë edhe të thjeshta. Problemi është se njerëz të paskrupuj po luajnë ndyrë me interesat tona, duke i paraqitur interesat banale të tyre, si interesa të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Së pari, nga Edi Rama.
Edi Rama është një tregimtar i zoti, një manipulator ekselent, një gënjeshtar brilant, një demagog par excellence. Fjalimet e tij të marrin në qafë, gjestet, fabulat, mimika, veshja, atletet ADIDAS dhe benevrekët, shija fine dhe kravatat, sportiviteti i tij. Por, ashtu siç thotë Ben Shapiro*) se “është e pamoralshme të mbrosh gënjeshtrat, sepse ju pëlqeni narrativën e tregimit”, për të gjithë socialistët e vërtetë, nesë ka të tillë akoma me ndonjë fije morali dhe vlere në Partinë Socialiste, është koha të mos e mbrojnë më atë që nuk mbrohet dot. Faktet janë se Edi Rama është një përbindësh. Ne duhet ta shporrim atë, me çdo mjet dhe rrugë ligjore.

*)Ben Shapiro, është një komentator politik konservator amerikan, kolumnist, shkrimtar dhe avokat

3 faktet në Kushtetutë që rrëzojnë Ramën për Kryeprokurorin

Eduart HALIMI

Kryeministri konfirmoi lajmin se do të zgjedhe një Prokuror të Përkohshëm të Përgjithshëm (ose PPP se edhe në drejtësi me PPP po ecën) dhe jo një Prokuror të Përgjithshëm kushtetutes sipas Reformës në Drejtësi të miratuar nga 140 deputetët.
Kushtetuta nuk e njeh këtë PPP e Ramës dhe as ai nuk tha se përsa kohë do jetë i përkohshëm ky prokurori PPP. Nuk ka nevojë për ndonjë zgjuarsi të madhe për të kuptuar se i duhet pak kohë për të pezulluar prokurorët që kanë “dosjet e nxehta”, për t’i transferuar e për të caktuar për dosjet “prokurorët e duhur”. Prokurori kushtetues nuk e ka këtë kompetencë, por PPP i Ramës po. (nenet 109 dhe 160/2 i ligjeve që i miratoi vetë në mënyrë të njëanshme)
Po ku qëndron problemi këtu??!!!
Ja disa fakte të thjeshta nga leximi i Kushtetutës.
1- Rama tha se do e bëjë ai me deputetët e tij procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për PPP që do i kalojnë për votim Parlamentit. Kushtetuta thotë se prokurorin nuk e zgjedh politika, por prokurorët.
(Neni 148/a i Kushtetutes, pika 2 )
2- Rama tha se do e zgjedhë një PPP pa kaluar vetingun. Vetingun do e bëjmë më vonë, (varet nga mënyra si sillet) Kushtetuta thotë se Prokurori i Përgjithshëm duhet t’i nënshtrohet vetingut ex officio (në nenin 179/b)
3- Rama tha do e zgjedhë PPP me 36 vota. Kushtetuta thotë se Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 84 vota mes kandidatëve që sjellin prokurorët dhe jo deputetët e Edi Ramës. (nenin 148/a dhe 179 pika 13)
Ja pra 3 fakte Kushtetuese të thjeshta se si Rama po e deformon Reformën në Drejtësi, nga një Prokuror të Përgjithshëm të pavarur nga politika që do hetojë politikën, në një prokuror PPP që do e përzgjedhë, do e caktojë dhe do e ketë nën kontroll Kryeministri.
E ku qëndron problemi këtu???!!!

Nishani: Qeveria ka dhunuar të drejtën e pronës

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka reaguar në Ditën Botërore të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut, duke u shprehur se Shqipëria ka bërë hapa mbrapa në respektimin e tyre. Sipas Nishanit e drejta e pronës është e dhunuar dhe kjo e drejtë është zëvendësuar me një mekanizëm shtetëror që shkel parimet juridike, duke dhunuar nenin 6/1 të Konventës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës të Këshillit të Evropës. Nishani ka kompomentuar autoritetet e larta të drejtësisë dhe seriozitetin e individëve të përfshirë në opinionin e Venecias. “Ky skandal i përmasave të mëdha nuk do mund të harrohet lehtë. Por ai bën me turp autoritetet më të larta të drejtësisë shqiptare dhe kompromenton seriozitetin e individëve të përfshirë në opinionin e Venecias”, tha Nishani.

 

Asnjë nen e rresht ligjor nuk përcakton zgjedhjen e “Prokurorit të Përkohshëm”

Asnjë nen e rresht ligjor nuk përcakton zgjedhjen e “Prokurorit të Përkohshëm”

Ylli Manjani

Ajo që pritej ndodhi! Ligjërisht Shqipëria është pa Prokuror të Përgjithshëm. Prokurorit aktual i ka mbaruar mandati që e gëzonte sipas Kushtetutës! Ligjet e reja nuk përcaktojnë asgjë se si zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm në kushtet kur: vettingu ska përfunduar dhe, KLP që të konstatojë largimin e këtij që është dhe të propozojë të riun, nuk ka. Nenet tranzitore si të Kushtetutës ashtu dhe të ligjit mbi Prokurorinë tashmë kanë skaduar. Këto nene përcaktonin vetëm rastin se si zëvendësohet “përkohësisht” Prokurori i Përgjithshëm, nëse nuk do kalonte vetting. Nuk ka asnjë përcaktim tjetër ligjor për “prokurorin e përkohshëm”! Cilido që shpik interpretime të ndryshme nga sa përcaktojnë ligjet, është faqezi ose i pafytyrë! E përsëris: asnjë nen, paragraf apo rrjesht ligjor nuk përcakton mundësinë e zgjedhjes së “Prokurorit të Përkohshëm” në kushtet kur: Prokurorit aktual i mbaron mandati rregullisht dhe KLP nuk ekziston!!! Asnjë! As neni 109.2 i ligjit të Prokurorisë, tek i cili kapet fort Rilindja! Është fije bari tashmë ai nen. Është këputur tashmë. Çdo gjë tjetër është shpikje! Përfshi këtu edhe zgjedhjen me shumicë të thjeshtë! Kjo është poshtërsi kushtetuese! Mesa duket ligj hartuesit kanë pritur largimin e parakohshëm të Adriatik Llallës. Ky ka qenë në fakt “halli” i hartuesve të ligjit! Të heqin drejtuesit aktualë! Por nuk patën asnjë minimum kurajo ta pranonin burrërisht. Bënë shpikje e racionalizime të tilla ligjore, sepse ishin të sigurtë që me vetting do t’i hiqnin shpejt! Ndaj nuk e parashikuan dot mbarimin normal të mandatit nga ana e tij! Skishin se si, sepse ishin të verbuar nga mllefi ndaj personave! Kjo është njëra prej provave të forta që kompromenton Reformën. Shkrimi i ligjeve për largim personash dhe për të përmirësuar shërbimin!!! Sa keq! I kisha ngritur këto çështje të gjitha, por nuk dëgjonin! I ngrita me guxim ndonëse ishte risku që etiketoheshe si “anti-reformë”! Ja ku e kanë reformën! Futën shtetin në kolaps të jashtzakonshëm kushtetues! Tani zgjidhja duhet të kërkohet tek ligji dhe jo tek formulat politike. Ose Kuvendi duhet të nxitojë të krijojë KLP (kuptohet pas vetting); ose duhet ndryshuar ligji me dakortësinë e të gjithëve, që të zgjidhet kjo situatë! Ndërkohë Prokurori që është nuk mund të braktisë detyrën deri sa t’i vijë zëvendësuesi! Parimi i vazhdueshmërisë së institucioneve është në themel të Konstitucionalizmit! Nuk lihet institucioni pa drejtim, se Kuvendi është qorrollepsur në drejtim të paditur! Zgjidhje të tjera janë kinezeria të revolucionit kulturor! Ne kemi nevojë të kthehemi tek Republika Kushtetuese. E kësaj Kushtetute që është në fuqi!

LSI: Nuk ka kryeprokuror pa shumicë votash

Kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili shprehet se Kryeministri Rama do që të vjedhë kryeprokurorin dhe shteti ligjor është në rrezik. Në një postim në Facebook, Vasili thekson se për të zgjedhur kryeprokuroin duhen 84 vota, që Kryeministri Rama nuk i ka dhe nëse Rama e zgjedh vetë kryeprokurorin, ky kryeministër shndërrohet përfundimisht në bandit politik dhe mazhoranca e tij në një shumicë kriminale antiligj dhe antishtet. “Kryeministri do që të vjedhë kryeprokurorin, shteti ligjor në rrezik. Ky kryeministri flet dhe thotë: s’e paska qartësisht të drejtën ta zgjedhë prokurorin e përkohshëm. Kush ia dha këtë të drejtë narkotrafikantëve? Ky nuk ka asnjë të drejtë as Kushtetuese as Ligjore. Kuvendi i Shqipërisë, shërbimi i tij juridik shpjegon qartë dhe me shkrim se duhen 84 vota. Ku i ka kryeministri 84 vota? Apo shpjegimet që nuk i pëlqejnë nuk i mban mend, i mohon, i refuzon? Ka konsensus të plotë me opozitën dhe që nga sot le të kthehemi në Kuvendin e Shqipërisë dhe të rregullojmë ligjet e bëra copë-copë nga ai dhe suflerët e tij, që nuk flasin shqip. Ndryshe, në se e zgjedh vetë kryeprokurorin, ky kryeministër shndërrohet përfundimisht në bandit politik dhe mazhoranca e tij në një shumicë kriminale antiligj dhe antishtet. Ndaj këtij banditizmi ka vetëm një përgjigje: përmbysje pa asnjë hezitim me çdo mjet e mënyrë. Shteti ligjor në rrezik, kjo është emergjencë kombëtare!”, thotë Vasili.

Barometri: Shqiptarët duan anëtarësimin në BE për të ikur nga vendi i tyre

Shqiptarët, në Shqipëri dhe Kosovë, janë populli më pro Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, por kjo jo sepse i kuptojnë të drejtat dhe detyrimet që i vijnë nga ky anëtarësim, por sepse e shohin si një mënyrë të lehtë për të braktisur vendin. Bazuar në sondazhin e “Balkan Opinion Barometer”, pyetjes se “çfarë do të thotë për ty personalisht anëtarësimi në BE?”, qytetarët e Shqipërisë i janë përgjigjur në masën 55%, liri për të punuar dhe studiuar në vendet e BE-së. Kjo përqindje është e njëjtë me atë të vitit 2016-të, por shumë herë më e lartë se, përgjigjja në vitin 2015-të, kur vetëm 36% e qytetarëve e shihnin anëtarësimin në BE, si një mundësi për t’u larguar nga vendi. Kosova ka përqindjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor të njerëzve që e duan të largohen për punë dhe studime në BE pas anëtarësimit. 58% e kosovarëve e shohin largimin si mundësi pas hyrjes në BE.
Kjo gatishmëri e shqiptarëve për ta parë BE-në si mundësi për të braktisur vendin është në kontradiktë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që kanë pothuajse një nivel ekonomik me Shqipërinë dhe Kosovën. 41% e maqedonasve janë shprehur se e shikojnë anëtarësimin si mundësi për të punuar dhe studiuar në BE, 23% e boshnjakëve, 23% e serbëve dhe 19% e malazezëve janë shprehur po njësoj. Perspektiva ekonomike zë 50% të përgjigjeve të shqiptarëve për ndikimin që do të ketë anëtarësimi në BE, e ndjekur nga liria për të udhëtuar me 24%, paqja dhe stabiliteti me 20%, mbrojtja sociale me 15% dhe barazia gjinore me 3%. Për 7% të shqiptarëve anëtarësimi në BE nuk do të thotë asgjë.

Investimet e huaja thellojnë pikiatën

Investimet e huaja direkte që kanë hyrë në ekonomi në 9 muajt e parë të vitit kanë shfaqur tendencë rënëse, duke paralajmëruar mbarimin e projekteve të mëdha, si ai i gazjsllësit TAP dhe HEC-ve, që po ndërtohen mbi lumin Devoll. Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin investimet e huaja arritën në 677 milionë euro, me një rënie prej 4.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ritmet e rënies janë ngadalësuar, pasi tremujori i tretë ka shfaqur një rigjallërim të investimeve. Për periudhën korrik-shtator u investuan 299 milionë euro, njësoj sa në tremujorin e tretë të një viti më parë, por me rritje të ndjeshme në krahasim me dy tremujorët e parë (179 mln euro në të parin dhe 199 milionë euro në të dytin).
Investimet e huaja ishin kryesisht të përqendruara në sektorin e energjetikës (59%) hidrokarbureve (12%) dhe ndërmjetësimit financiar (12%).
Në periudhën 2015-2016, investimet e huaja shënuan rritje të djeshme, të ndiktuara nga punimet për ndërtimin e projektit TAP dhe HEC-in e Devollit. Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikim në afatin e mesëm. FMN uli së fundmi me 0.4 pikë përqindjeje pritshmërinë për rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit të ardhshëm, pikërisht për këtë arsye.
Banka Botërore, FMN dhe Komisioni Europian kanë tërhequr vazhdimisht nevojën e diversifikimit të investimeve të huaja dhe burimeve të rritjes së Shqipërisë. Sipas tyre, përfundimi i projekteve të mëdha dhe një rënie e çmimeve të lëndëve të para mund të përbëjë rrezik për rritjen, nëse nuk tërhiqen investime të qëndrueshme në aktivitete me vlerë të shtuar më të lartë do ta integronte ekonominë më mirë në zinxhirët e furnizimit global, për të rritur produktivitetin dhe për të krijuar më shumë vende pune dhe më të mira në të gjithë ekonominë.
Shqipëria është i vetmi vend në rajon që “vuan” për incentivën e taksa në funksion të rritjes së investimeve të huaja direkte. Një analizë e fundit e Konferences se Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Tregtisë dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, të titulluar “Vlerësimi i Politikave të Investimeve në Europën Juglindore” jep detaje. Në seksionin që ndalet vetëm tek “Taksimi” thuhet se në raport me vendet e tjera ne kemi sistem taksash më penalizues në nivel. Në këtë kontekst raporti i referohet vendimit të qeverisë për të rritur tatimfitimin në 15 për qind nga 10 për qind që ishte në vitin 2013 si dhe pjesës së taksimit më të lartë të dividentit.
Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Republika e Moldavisë, Serbia, Maqedonia, Kosova të gjitha kanë ose një situatë mesatare ose më favorizuese sesa Shqipëria.

Rritet borxhi i jashtëm, qeveria e pranon

Qeveria ka pranuar se rritja e shpejtë e borxhit të jashtëm publik gjatë katër viteve të fundit ka rritur rrezikun e kursit të këmbimit për financat e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se borxhi i jashtëm është rritur nga 25.7 për qind e Prodhimit Kombëtar që ishte në vitin 2011, në 34.2 për qind e PBB në fund të vitit të kaluar.
Sipas qeverisë, rritja me gati 9 pikë përqindje ndaj PBB e borxhit të jashtëm i ekspozon financat e shtetit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, pasi nëse leku zhvlerësohet kjo sjell rritjen e borxhit dhe pagesave për shërbimin e tij. Në Strategjinë Afatmesme të Borxhit Publik, qeveria pranon se pagesat për borxhin në valutë vlerësohen në rritje progresive gjatë periudhës afatmesme 2018-2020.
“Duke qenë se të ardhurat e vendit tonë janë në monedhë vendase dhe bilanci tregtar është negativ aftësia për të siguruar valutë për pagesën e borxhit mbetet e limituar” thuhet në dokument. Sipas dokumentit, nëse qeveria do të sigurojë valutë duke marr tjetër borxh nga jashtë kjo mund të kishte rreziqe të tjera.

Një krahasim me vendet e rajonit

Shqipëria, në raport me vendet e tjera të rajonit ka rendimentin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave, me 28% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Performancën më të mirë e ka Serbia, që pret të mbledhë të ardhura të barabarta me 41.85% të asaj që ekonomia e vendit prodhon në një vit. Më pas renditen Mali i Zi, me 40.5% të PBB-së, i ndjekur nga Maqedonia me 32.7%.
Niveli i të ardhurave kushtëzon edhe realizimin e shpenzimeve, që shteti i çdo vendi kryen për shpenzimet korente (paga për punonjës e të tjera administrative) për mbulimin e skemës së pensioneve pagesën e borxheve dhe sidomos për investime kapitale (infrastrukturë, spitale, shkolla etj).
Ndonëse Serbia kryeson për mbledhjen e të ardhurave, nuk është aq eficiente në shpenzime dhe investime. Sipas tabelave të konsoliduara të buxhetit të qeverisë së përgjithshme, publikuar nga Ministria serbe e Financave, të ardhurat ishin 43.8% e PBB-së dhe shpenzimet 45%. Teksa ka luksin për shpenzime të larta, 40% e PBB shkojnë si pagesa korente.
Pagesat për personelin janë 10% e PBB-së, ndërsa në Shqipëri janë vetëm 4% e PBB-së. Paga mesatare në sektorin shtetëror në Serbi, sipas Institutit përkatës të Statistikave serbe, është rreth 620 euro, ndërsa në Shqipëri 440 euro, sipas INSTAT.
Por, kur vjen puna tek investimet kapitale, Serbia planifikon të shpenzojë vetëm 3.3% të PBB-së, ndërsa për Shqipërinë ky tregues pritet të arrijë në 5.2% në 2018-ën, niveli më i lartë që nga 2009-ta.
Mali i Zi është shteti që shpenzon më shumë për investimet kapitale, teksa ky tregues parashikohet në 7.5% të PBB-së në buxhetin 2017, sipas strategjisë fiskale 2017-2019, publikuar nga Ministria përkatëse e Financave.
Sipas kësaj strategjie, Mali i Zi po i kushton vëmendje të veçantë krijimit të kuadrit për nxitjen e inovacionit dhe shkëmbimit të njohurive, si dhe për të forcuar lidhjet midis institucioneve shkencore dhe kërkimore dhe sektorit real. Për këtë qëllim, Mali i Zi planifikon të themelojë Parkun e parë Shkencor dhe Teknologjik, i cili do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në eliminimin e barrierave midis shkencës, kërkimit, inovacionit dhe biznesit. Një plan për themelimin e Parkut Shkencor dhe Teknologjik (STP) përfshin një rrjet të Podgoricës STP dhe qendrave impulsive në Nikshiq (Tehnopolis), Bar dhe Pljevlja, si dhe qendrat impulsive që mund të krijohen në qytete të tjera.
Mali i Zi thekson në strategji se, në orientimin e politikave e shpenzimeve publike i kushton vëmendje të veçantë turizmit. Objektivi primar i politikës së zhvillimit të turizmit është që Mali i Zi të bëhet destinacioni i turizmit të lartë gjatë gjithë vitit. Për këtë qëllim kërkohet forcimi i mëtejshëm i konkurrencës, përmirësimi i infrastrukturës së turizmit, kapaciteteve akomoduese, përmirësimi i lidhjeve dhe aksesi në destinacion, tejkalimi i sezonalitetit, zvogëlimi i disbalancës rajonale dhe shkurtimi i periudhës së kthimit të investimeve në industrinë e turizmit përmes taksave dhe lehtësimeve të tjera dhe nxitjeve për investitorët.
Për të rritur konkurrencën e sektorit të turizmit, duke qenë një gjenerator i rëndësishëm i të ardhurave buxhetore, PBB-së dhe rritjes së punësimit, po ndërmerren aktivitete për të përmirësuar ofertën turistike në veri të Malit të Zi, nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës së nevojshme në shpatet e skive. Me qëllim përmirësimin e ofertës turistike në zonat rurale, në veçanti në veri të vendit, do të miratohet Strategjia e Zhvillimit të Turizmit Rural. Për më tepër, për të diversifikuar masat e ofertës turistike, për të përmirësuar segmentin detar, janë të rëndësishme ndërtimi i vendpushimeve turistike, marinave dhe infrastrukturës mbështetëse, thuhet në strategji.
Shpenzimet kapitale të Maqedonisë janë mesatarisht 3.7% e PBB-së, ku prioritet i jepet infrastrukturës, edukimit (investimit në shkolla) dhe përmirësimit të kushteve për të bërë biznes, me synim nxitjen e potencialit për t’u rritur të sektorit privat dhe krijimit të vendeve të punës, sipas “Programit Ekonomik të Reformave të Maqedonisë, 2017”, publikuar nga Ministria e Financave e Maqedonisë.