30.5 C
Tirana
E diel, 6 Korrik, 2025

Brenda dy dekadash, 85% e popullsisë në qytet

 

Sipas një raporti më të fundit, Shqipëria pritet që të jetë ndër vendet me rritjen e popullsisë urbane më të madhe, pas Turqisë, deri në vitin 2050. Projeksioni i OKB tregon se popullsia urbane shqiptare do të arrijë 86.5%. Në të dhënat specifike për vendin tonë, vihet re rënie e numrit të popullsisë prej 6.6%. Ndërsa rritje do të shënojë PBB për frymë, sipas raportit në 2020 do të arrijnë 5997 dollarë, nga 3943 dollarë që ishte në 2015. Nga ana tjetër, rritja në të ardhura parashikohet të çojë në një kërkesë më të lartë për ushqim dhe lloje të caktuara të produkteve ushqimore, pasi modelet e konsumit ndryshojnë…
Projeksionet e OKB-së tregojnë se deri në vitin 2050, popullsia e përgjithshme e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore (ECA) do të rritet me 9.7 milionë njerëz.
Dinamika e ndryshimit të kësaj popullsie, megjithatë, ndryshon në të gjithë nënrajonet dhe përkatësisht në shtete të caktuara. Është parashikuar që Turqia do të përjetojë rritjen më të madhe absolute të popullsisë, prej 17 milionë (ose 21.8%). Megjithatë, në terma relativë, vendet në Azinë Qendrore, si Taxhikistani dhe Kirgistani, presin që popullatat e tyre të rriten me 68.5% (ose 5.8 milionë) dhe 38.3% (ose 2.3 milionë) respektivisht deri në vitin 2050. Në të njëjtën kohë, vendet europiane dhe vendet e Ballkanit Perëndimor parashikohen të ulen me 26.7 milionë dhe 2.6 milionë respektivisht.
Numri i njerëzve që banojnë në zonat urbane pritet të rritet në të gjithë rajonin. Deri në vitin 2050, më shumë se gjysma e popullsisë së të gjitha vendeve të ECA, përveç Tazakistanit (43.3%) dhe Kirgistanit (49.1%), do të jetojnë në zonat urbane. Këto vende, së bashku me Uzbekistanin, janë burimet më të mëdha të migracionit për motive punësimi në rajon, si dhe prurjet më të mëdha të remitancave, kryesisht nga Federata Ruse dhe Kazakistani. Në nivel rajonal, urbanizimi më i lartë është parashikuar për vendet e BE-së (84.8% e popullsisë së përgjithshme do të banojë në qytete) dhe vendet e EFTA-s (87.6%). Në nivel vendi, popullsia më e madhe urbane pritet në Turqi (82.6%) dhe në Shqipëri (86.5%).
Raporti tregon më tej se trendet demografike do të nxisin kërkesën për ushqim në rajonin e ECA (Europa Qendrore dhe Azia), e cila do të formësojë zhvillimin e sistemeve agro-kulturore dhe ushqimore në të gjithë rajonin.
Krahas rritjes së përgjithshme të popullsisë në rajonin e aziatik, thotë më tej raporti, pritet që të ardhurat e njerëzve të rriten. Turkmenistani, i cili është i pasur me rezerva të gazit natyror dhe të naftës, është ndër vendet që parashikohet të përjetojnë një rritje të konsiderueshme të PBB-së për frymë, nga 6,990 dollarë në vitin 2015 në 12,028 dollarë në vitin 2022, që është ndër më të lartat në rajon. Ky vlerësim bazohet në rritjen e pritshme graduale të çmimeve të mallrave të energjisë.

Allegri: Na pret një nga tempujt e futbollit

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, komentoi shortin e 1/8 finale të Champions-it, që u hodh sot në mesditë në Nyon të Zvicrës dhe i vendosi të tijtë kundër anglezëve të Tottenham. Përmes një statusi në profilin e vet në “Twitter”, trajneri bardhezi la këtë mesazh lidhur me kundërshtarin dhe sfidën e radhës në kompeticionin më madhor të klubeve në Europë, ku “Zonja e Vjetër” ka qenë dy herë finaliste në tri edicionet e fundit: “Wembley” na pret, një nga tempujt e shenjtë të këtij sporti. “Spurs” janë të rinj dhe të talentuar, por nëse ne do të jemi Juve e vërtetë, atëherë do të kemi sukses”.
Pavel Nedved ka folur mbi shortin e 1/8 finale të Ligës së Kampioneve, që u hodh sot në Nyon të Zvicrës dhe që i vuri bardhezinjtë kundër Tottenhamit. “Një short normal, – thotë drejtuesi juventin për “Mediaset Premium”, sepse në garat europiane nuk jemi përballur me Tottenham. Na ndodh për herë të parë. Ne jemi ndeshur në verë në një miqësore me këtë kundërshtar anglez, ku kemi humbur. Kemi për të luajtur mbas dy muajsh dhe të shohim se si do të shkojë. Kriza e Dybala? Ai është një djalë 24-vjeçar, i cili mund të ketë ulje dhe ngritje gjatë sezonit. Paolo e di se mund t’i arrijë qëllimet maksimale. Allegri është i njëjtë me të gjithë, ai gjithmonë e ka bërë këtë te Juventusi dhe po e bën mirë. Edhe Higuain, kur nuk është mirë, shkon në stol, apo Mandzukic.
Ne duam të shfrytëzojmë lojtarët, kur ata janë në më të mirën e tyre. Trajneri vendos dhe e bën mirë këtë gjë. Tottenham? Eshtë një ekip shumë i fortë, me një trajner shumë të mirë, i cili di të përfitojë nga potenciali sulmues. Por ne duhet të mendojmë vetëm për veten dhe të përqendrohemi tek vetja jonë. Finalet e humbura në Champions? Unë do të nënshkruaja për të shkuar në finale çdo vit, por duket se kjo po bëhet gjithmonë e më shumë e vështirë. Juventusi ka arritur dy herë në tri vitet e fundit në finalen e Champions-it. Kjo nuk ndodh me të gjithë”, u shpreh Nedved.

Finalja e parakohshme

Emilio Butragueño, drejtor i marrëdhënieve institucionale te Real Madridi, ofroi përshtypjet e tij për shortin që u hodh sot në Nyon të Zvicrës, ku të tijtë mësuan kundërshtarin në 1/8 finale të këtij kompeticioni, i cili është PSG: “Ky ballafaqim mund të jetë, mund të kishte qenë finalja e Champions-it për potencialin e të dyja ekipeve. Sidoqoftë, ky është shorti, fati, gjithashtu, luan rolin e vet në kësi rastesh. Ne duhet ta kalojmë me sukses raundin e radhës në Champions, por besojmë se është pak herët kjo përplasje, sepse të dy jemi kandidatë për titullin. Rritja e PSG-së? Çdo verë ka afruar lojtarë të nivelit të madh dhe sa i fortë është e ka treguar në fazën e grupeve, ku u paraqit thuajse në mënyrë të përsosur.
PSG-ja ka potencial të madh në përbërje, me Neymar dhe Mbappé, që kanë fituar shumë. Do të luhen dy ndeshje finale. Për publikun do të jetë një duel emocionues. Mbappé dhe Neymar në “Bernabeu”? Ata janë dy lojtarë, që po kontribuojnë shumë te skuadra e tyre. Mbappé është shumë i ri, ndërsa Neymar është një lojtar shumë i shenjtëruar, ndaj do të jetë e rrezikshme ndaj tyre. Natyrisht, ne duhet të luajmë në nivelin tonë. Mos harroni se jemi ekipi që e ka fituar Ligën e Kampionëve dy herë rresht dhe e di se duhen përgatitur e përballur ky lloj kompeticioni. Shpresojmë të rikuperojmë në kohë lojtarët e dëmtuar”.
Unai Emery ka thënë fjalët e para pas shortit, kur ka mësuar se do të “përplasë brirët” me kampionët e Europës në fuqi. “Nuk mendoj se është shorti më i keq i mundshëm. Eshtë një mundësi e mirë, sepse tashmë e kemi një nivel për të luajtur kundër Real Madridit. Nëse doni të bëni diçka të rëndësishme në Champions, atëherë ju duhet të luani kundër Real Madridit. Për të mposhtur “Los Blancos”, ne do të duhet të luajmë me personalitetin dhe talentin tonë, sepse loja do të jetë qendra e botës së futbollit. E përsëris, skuadra ime është e gatshme ta luajë këtë raund. Ne do të punojmë që gjërat të jenë të përsosura kur të vijë dita e ndeshjeve”, u shpreh Emery.
Xabi Alonso ishte autorizuar për të tërhequr goglat e shortit të 1/8 finale të Champions-it, ku Real Madridi është “çiftëzuar” me PSG, Barcelona me Chelsea dhe Sevilla me Manchester United, sa u takon skuadrave spanjolle, që vijojnë ende garën në këtë kompeticion. “Dora ime vendosi Real Madridin përballë PSG-së. Dua të them se Realit i pëlqejnë sfidat e mëdha. Parashikoj një ballafaqim emocionues me PSG-në, sepse skuadra franceze ka një projekt të ri. Ambiciet e Real Madridit në Ligën e Kampionëve dihen; dëshiron ta fitojë titullin, sepse kjo është një garë e madhe. Favorit? Është duel i komplikuar, nuk mund të përmendësh të referuar në këtë përplasje. Natyrisht, unë do të bëj tifoz për Real Madridin. Chelsea-Barça? Për Barcelonën është një rival i komplikuar. Katalanasit duhet ta dinë shumë mirë se si Conte e ka formuar ekipin sezonin e kaluar, i cili është ruajtur edhe këtë vit. Sevilla-Manchester United? E shoh si një ndeshje shumë interesante, sepse për “Djajtë e Kuq” është një vit i rëndësishëm. Pasi e kaluan duke fituar “Europa League”, tani duan të bëjnë mirë edhe në Ligën e Kampionëve. Mos harroni se edhe Sevilla do të dëshirojë të bëjë mirë dhe për këtë nuk mund ta pengojë askush”, u shpreh Xabi Alonso.

Skema për të kontrolluar pa ligj të gjitha të dhënat e shqiptarëve

Endri HASA

Me një vendim të qeverisë pak kohë më parë, Edi Rama ka vendosur nën kontroll të gjitha të dhënat e shqiptarëve dhe mund të veprojë pa lënë gjurmë në çdo sistem elektronik të vendit, përfshirë sistemet sekrete apo ato të sigurisë.
Këtë e ka bërë duke vendosur të gjitha sistemet elektronike, që financohen nga buxheti i shtetit nën administrimin Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Më parë, kjo Agjenci vepronte si koordinuese dhe mbikëqyrëse e veprimeve në sistemet elektronike ndërmjet institucioneve qeveritare, ndërsa me vendimin e Këshillit të Ministrave, AKSHI do të jetë njësoj si BiG Brother!
Merr nën kontroll të gjithë infrastrukturën dhe stafin teknik në të gjithë vendin!
Kontrollon çdo të dhënë, por nuk kontrollohet nga askush!
Big Brother i Edi Ramës mund të ndërhyjë pa i dhënë llogari askujt në Regjistrin Elektronik të Pronave, të Tatimeve, në Dogana, në Gjendjen Civile, në regjistrin e Gjykatave, në sistemet sekrete të sigurisë dhe në ato Mbrojtjes.
Big Brother i Edi Ramës mund të ndërhyjë kudo ku ka sisteme elektronike, duke shkelur të drejtat e njeriut, duke ndryshuar të dhënat tona pa u kontrolluar nga askush!
Sipas vendimit të Edi Ramës, Agjencia Big Brother ka marrë nën kontroll edhe pajisjet, sistemet, stafin që përpunon sekretet shteterore në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e kudo tjetër.
Me ligj, duhet që DSIK-ja, përgjegjëse edhe për vettingun, të ketë kontroll mbi njerezit dhe sistemet me informacione sensitive përfshirë ato të AKSHI-t.
Pse i duhet Big Brother-i, një agjenci civile, të marrë kontrollin e sistemeve të Ministrisë së Mbrojtjes të një vendi anëtar të NATO-s?
Të gjithë e mbajmë mend skandalin e kopjimit dhe fshirjes së të dhënave nga serveri i Tatimeve 4 vjet më parë. Veprimi u zbulua, sepse la gjurmë. Por tani BiG Brother është vetë edhe tek serveri i Tatimeve, edhe tek sistemi i gjurmëve.
Edi Rama zgjodhi ta realizonte Big Brother nëpërmjet një Vendimi të Këshillit të Ministrave dhe jo me ligj në Parlament, sepse BiG Brother është shkelje flagrante e ligjit për bazat e të dhënave shtetërore, i miratuar sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Me vendim është më e thjeshtë sesa me ligj, që shërbimet të përqendrohen në një dorë dhe më pas të jepen me konçesion.
Marrja nën kontroll e të dhënave nga Big Brother, i hap rrugë Edi Ramës të nisë konçesionin multimilioner të sistemeve elektronike, përfshirë atë të menaxhimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, pas të cilit ka denoncime se është Olsi Rama.
Refuzimi i këtij konçesioni i kushtoi Shkëlqim Canit postin e ministrit të Financave dy vjet më parë.
Nuk është çudi që, pas monopolizimit të sistemeve elektronike për llogari të pushtetit dhe pasurimit të kryeministrit e familjes së tij, BIG Brother të vendosë kontrollin edhe mbi internetin, dritaren e fundit të lirisë së fjalës!

Europa Lige, short i lehtë për Milanin dhe Arsenalin

Shmangen përplasjet e mëdha në fazën e 1/16-ve të Europa League-s. Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës u rezervoi kundërsharë të lehtë emrave të mëdhenj të futbollit europian. Kështu Milani do të përballet me skuadrën bullgare Ludogorets, Arsenali me Ostersund, ndërsa Atletico Madrid me Kopenhagen. Lazio luan me Stetauan e Bukureshtit, kurse dy sfidat më të forta janë Napoli – Leipzig dhe Borussia Dortmund – Atalanta. Provë e vështirë për bergamaskët, ku luan Etrit Berisha, gjithsesi verdhezinjtë nuk është se po kalojnë një formë të mirë në Europë. Këto janë 16 çiftet e fazës së 1/16-ve, me ndeshjet e para që do të zhvillohen më 15 shkurt, ndërsa takimin e kthimit një javë më pas, më 22 shkurt.
Borussia Dortmund – Atalanta
Nice – Lokomotiva e Moskës
Kopenhagen – Atletico Madrid
Spartaku i Moskës – Athelic Bilbao
AEK Athinë – Dinamo e Kievit
Celtic – Zenit
Napoli – Leipzig
Crvena Zvezda – CSKA Moskë
Lyon – Villarreal
Real Sociedad – Salzburg
Partizani i Beogradit – Viktoria Plzen
Steaua e Bukureshtit – Lazio
Ludogorets – Milan
Astana – Sporting i Lisbonës
Ostersund – Arsenal
Olympique Marseille – Braga

Neymar largohet nga PSG, shkon me urgjencë në Brazil

Arsye familjare urgjente. Ky ka qenë shkaku që ka shtyrë Neymar që të largohet me nxitim nga Parisi për të shkuar në Brazil. “O Ney” ka marrë një leje të veçantë nga ana e Paris Saint-Germain dhe të mërkurën e ardhshme nuk do të luajë në Kupën e Ligës kundër Strasbourg.
Kjo do të jetë ndeshja e dytë radhazi që ish-loktari i Barcelona-s nuk do të luajë, duke parë se ka munguar (për shkak kartonësh) edhe kundër Lille. Kthimi i tij është i parashikuar në ditët në vazhdim.
Në këtë kampionat, braziliani ka luajtur 12 ndeshje, në të cilat ka shënuar 9 gola (çdo 120 minuta) dhe ka dhënë 7 assite. Ai ka qenë vendimtar edhe në Champions League, me 6 gola dhe katër asiste. Te PSG shpresojnë shumë tek ai për të triumfuar në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube.

Valverde: Të lumtur, që po kthehemi në shtëpi me fitore

Ernesto Valverde, trajneri i Barcelonës, festoi fitoren e ekipit të tij ndaj Villarreal. Ai nënvizoi se me rëndësi ishte marrja e tri pikëve, sepse në një transfertë të tillë është gjithmonë e vështirë. Në veçanti, Valverde përshëndeti faktin se Barcelona u kthye për të fituar pas dy barazimesh, sidomos pas fitores së Real Madridit, Atleticos dhe Valencias. “Kjo ishte një lojë e rëndësishme, ku synimi parësor mbetej marrja e tri pikëve. Kjo është gjithmonë e vështirë këtu, ndaj jemi të lumtur që kemi marrë atë që kemi dashur dhe po kthehemi në shtëpi me fitore”. Valverde, gjithashtu, komentoi performancën e Vermaelen: “Ai është një lojtar i madh, ne nuk kemi asnjë dyshim për këtë. I është dashur të luajë në një moment vendimtar për ne dhe është përgjigjur me seriozitet të madh”.

Messi arrin rekordin e Gerd Muller

Leo Messi, ylli i Barcelonës dhe lojtari më i mirë në histori, shënoi një gol për historinë të dielën. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” realizoi golin e dytë të skuadrës katalanase në fitoren 2-0 ndaj Villarreal, në fushën e këtij të fundit. Argjentinasi, me këtë gol, jo vetëm që rrit llogarinë personale si golashënuesi më i mirë i La Liga (2017-2018), por erdhi në figurën mitike të 300 fitoreve me Barcelonën në Spanjë. Ai ka rreth 300 fitore në 397 ndeshje me Barcelonën, në kampionatin spanjoll. Megjithatë, kjo shifër magjike nuk ishte e vetmja që Leo Messi arriti të dielën ndaj Villarreal. Ai mbërriti sulmuesin legjendar gjerman, Gerd Müller. Messi kapi shifrën e 525 golave me fanellën Blaugrana, pas Müller, që kishte shënuar kaq shumë gola me një klub në mesin e pesë ligave më të mëdha europiane (Angli, Gjermani, Itali, Francë dhe Spanjë). Gerd Müller e regjistroi këtë sukses me Bayern Munich, ndërsa tani Leo Messi i ka arritur këto 525 gola me Barcelonën.

Tre përplasje gjigantësh

Dje u hodh shorti i UEFA Champions League me tre përplasje gjigantësh. Ish-lojtari i përfaqësueses spanjolle Xabi Alonso ka ndihmuar në hedhjen e shortit që ka rezultuar fatal për gjashtë skuadra. Juventus do të ndeshet me Tottenham, Real Madrid me PSG dhe Chelsea me Barcelona-n!
Juventus – Tottenham
FC Basel – Manchester City
FC Porto – Liverpool FC
Sevilla FC – Manchester United
Real Madrid CF – Paris Saint-Germain
Shakhtar Donetsk – AS Roma
Chelsea FC – FC Barcelona
Besiktas – Bayern Munich

Dybala: Doja të braktisja gjithçka

Paulo Dybala nuk po kalon një moment të lehtë, veçanërisht në Champions League ku nuk shënon që nga prilli i kaluar. Sulmuesi argjentinas i Juventus ka dhënë një intervistë për “Vanity Fair” ku ka thënë se: “Zoti na bën një dhuratë, më pas ajo dhuratë duhet ruajtur. Kam parë shumë fenomenë në ekipet e moshave, të rinj për të cilët thuhej: ‘Sikur të kishte kokën në vendin e duhur, mund të ishte Maradona ose Messi’. Unë kam punuar për të shmangur pikërisht këtë”.
TOPI I ARTË – “Kur mblidheshim rreth zjarrit, në fëmijëri, gjatë verës, kam shprehur dëshirën që të fitoja Topin e Artë. Do të ishte një mesazh shumë i rëndësishëm për shumë fëmijë, për të gjithë ata që kanë lindur në një vend të vogël, që mund të shpresojnë të rrëfejnë një histori si kjo e imja. Kombëtarja? Më kanë kërkuar të luaj për Italinë dhe unë jam ndjerë i vlerësuar. Isha 19 vjeç dhe nuk ka qenë e lehtë të thoja ‘jo, faleminderit, por jam argjentinas dhe do të kishte qenë një mashtrim”.
“JOYA” DHE DHIMBJE – “Babai im, Adolfo, ka vdekur për shkak të një tumori, kur unë isha 15 vjeç. Ka qenë një dhimbje shumë e madhe, nuk arrija të luaja dhe skuadra më ka dërguar në shtëpi për pak kohë. Gjashtë muaj ishin shumë pak dhe kisha dëshirë të hiqja dorë nga gjithçka. Ndoshta një ditë do të takohem me të, ndoshta jo, por për babanë mendoj gjithmonë dhe atij ia dedikoj të gjithë golat e mi. Ne futbollistët jemi shumë të lumtur kur kemi një top mes këmbëve. Ajo që ndodh në prapaskenë, shpesh nuk është shumë e bukur. Si është një futbollist kur arrin në nivelin që kam arritur unë? Shpesh, një njeri i vetmuar”.