Derbi i Manchester-it mes United dhe City luajtur mbrëmë në “Old Trafford”, fituar nga “qytetarët” me rezultatin 2-1, ka degjeneruar në një sherr masiv mes lojtarëve dhe stafeve të dy ekipeve. Mediat britanike raportojnë se pas ndeshjes, në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes ka patur incidente, ku janë përfshirë rreth 20 persona. Të dëmtuar kanë dalë zv/trajneri i City, Mikel Arteta (është goditur mbi vetull) dhe trajneri i United, Jose Mourinho.
Duket se gjithçka ka nisur kur Jose Mourinho ka shkuar në dhomat e zhveshjes së skuadrës së City, për t’u kërkuar lojtarëve të ulin zërin pas festimeve, por aty ka nisur një debat me portierin Ederson. Dy portugezët janë kapur me fjalë mes tyre dhe mendohet se aty ka fluturar një shishe plastike, që ka goditur në kokë trajnerin e United. Në këto momente mendohet se është dëmtuar edhe Arteta, zv/trajneri i City.
Mediat britanike shprehen se në adresë të Mourinhos është hedhur ujë e qumësht gjatë kohës që ka qenë duke debatuar dhe më pas është larguar, duke u rikthyer qetësia. Mes protagonistëve të sherrit është edhe sulmuesi i “djajve të kuq” Romelu Lukaku, ndërkohë që për të qetësuar situatën kanë ndërhyrë si forcat e rendit ashtu dhe disa “steward” që ndodheshin aty pranë.
Skuadra e Guardiola-s ka barazuar rekordin e 14 fitoreve të Arsenal, pasi ka bërë vetëm një barazim ndaj Everton në gusht. “Futbolli është i pabesueshëm. Folëm për mënyrën se do të luanim ndaj United, por kurrë për goditjet standarde, dhe më pas shënojmë pikërisht në atë mënyrë dy golat. Futbolli është i paparashikueshëm. “Kjo fitore ka shumë rëndësi. Në dhjetor është e pamundur për të qenë kampionë, por jemi në një situatë të mirë”, tha Guardiola.
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka analizuar fitoren e marrë në “Old Trafford” në derbin kundër Manchester United të Jose Mourinho: “Kemi zhvilluar një ndeshje të hapur dhe kemi pasur 75% të zotërimit të topit. Dua të shikoj gjithmonë personalitetin e sotëm”.
Kam besuar gjithmonë se mund të luajmë në këtë mënyrë, që nga sezoni i kaluar. Futbolli është i bukur, sepse të gjithë mund të luajnë ashtu si duan. Jam i lumtur që shkoj në “Stamford Bridge” dhe “Old Trafford” dhe fitoj në këtë mënyrë”.
Spanjolli i është kundërpërgjigjur edhe akuzave të Mourinho-s: “Një ditë para ndeshjes ka folur për arbitrin. Ne jemi një skuadër e ndershme, nuk është e vërtetë se lojtarët e mi simulojnë. Në sezonin e kaluar ka ndodhur e njëjta gjë, kemi fituar këtu dhe e kemi bërë falë arbitrit…”.
Goditet Morinjo!
Dorëzohet Mourinho: Lufta për titull mbaroi
Manchester United ka pësuar një humbje 2-1 brenda në shtëpi ndaj Manchester City-t, duke i dhënë fund shpresave për titull. Skuadra e Pep Guardiola-s tani ka fituar 14 ndeshje radhazi – një rekord i ri në Premier League – dhe tani është 11 pikë përpara United të Mourinho-s në renditje. Dhe Jose Mourinho ishte zhgënjyer me rezultatin, duke pretenduar se numri i vendimeve të arbitrit kundër tij, sidomos vendimi për të mos akorduar penallti për Ander Herrera në pjesën e dytë. “Reagimi im i parë është se më vjen keq për arbitrin Michael Oliver, pasi ai ka pasur një ndeshje shumë të mirë, por fatkeqësisht ai bëri një gabim të rëndësishëm”, shprehet portugezi.
Rezultati u arrit për shkak të penalltisë të mos dhënë për Herrera-n.
“Do të ishte 2-2 me 20 minuta për t’u luajtur. “Michael ishte i pafat, pasi ishte një penallti e pastër”. Kur pyetet kur gara është mbyllur, ai shton: “Mbase, po. Manchester City është një skuadër shumë e mirë dhe ata po mbrohen nga fati”.
Një bombë e vërtetë e merkatos. Sergej Milinkoviç-Saviç ka bindur trajnerin e Manchester United, Jose Mourinho. Sipas “Sunday Express”, trajneri portugez është gati të bëjë gjithçka për të siguruar mesfushorin e Lazio-s. Ish-trajneri i Inter, në fakt, besohet se është gati të ofrojë 108 milionë euro për të marrë në “Old Trafford” lojtarin e Simone Inzaghi. Një shifër rekord për klubin anglez, që duket se do të sfidojë Juventus-in për futbollistin serb, i cili ka luajtur 18 ndeshje në këtë sezon, në të cilat ka shënuar 5 gola dhe 2 asiste.
Balotelli fiton derbin italian në Ligue 1 me një supergol
Mario Balotelli shënoi golin e fitores teksa Nice përmbysi rezultatin për të mposhtur Claudio Ranieri-n dhe Nantes-in e tij në Ligue 1.Yacine Bammou shënoi golin e avantazhit për të besuarit e trajnerit italian Ranieri. Ishte një start fantastik teksa skuadra e tij është në ndjekje të kualifikimit në Champions League. Gjithsesi, Alassane Plea barazoi për vizitorët pak përpara se të përfundonte pjesa e parë, me ish-lojtarin e Inter dhe Milan Balotelli që shënoi golin e fitores për të kompletuar kthesën. 27-vjeçari, magnet polemikash, ka shënuar golin e 13-të në 18 paraqitje të sezonit aktual për Nice. Shifra që tregojnë se ai po kalon një sezon mbresëlënës.
De Bruyne: Manchester City nuk mund të jetë i vetëkënaqur
Kevin De Bruyne festoi fitoren e madhe të Manchester City ndaj rivalëve të Manchester United, megjithëse këmbënguli se udhëheqësit e Premier League nuk mund të përballojnë vetëkënaqësinë. Skuadra e Pep Guardiolës meritoi nderimet e derbit dhe siguroi distancën prej 11 pikësh në majë të tabelës së klasifikimit me fitoren 2-1 në “Old Trafford”, të dielën. Manchester City shënoi nga një gol në secilën pjesë loje. Nicolas Otamendi rigjeti epërsinë pas golit të barazimit nga Marcus Rashford, ndërkohë që rezultatin e bardhë e kishte zhbllokuar David Silva. Kjo ishte një fitore rekord, e 14-ta në Premier League për “qytetarët”.
Duke folur pas suksesit, ylli belg i “qytetarëve”, De Bruyne, tha se ne nuk mund të vetëkënaqemi. “Shumë ekipe humbën pikë këtë fundjavë, kështu që është një sukses i madh për ne fitorja, sepse e vë më shumë presionin mbi pjesën tjetër. Ne duhet ta gëzojmë atë dhe pastaj të përqendrohemi përsëri për të mërkurën, kundër Swansea City. Ne jemi ende në krye, nuk mund të jemi të vetëkënaqur. Duhet të bëjmë atë që kemi bërë gjatë gjithë sezonit. Unë preferoj të jem 11 pikë përpara se sa 11 pikë prapa, kjo është e sigurt”, u shpreh De Bryne.
I pyetur nëse ai ishte i kënaqur me performancën e të tijve në derbi, De Bruyne shtoi: “Nëse largohesh me një rezultat 1-0, po, nëse barazonim 1-1, jo. Kjo është mënyra e duhur, kanë luajtur dy skuadra me shumë kualitet. Ishte një lojë e këndshme për të parë intensitet dhe duele”.
Manchester Cyti fiton derbin
Pep Guardiola ishte shumë i kënaqur me punën e ekipit të tij pas fitores në “Old Trafford”, e cila i lë të tijtë në një pozitë të privilegjuar në Premier League. “Santpedor” iu përgjigj edhe fjalëve të Mourinhos, i cili ia atribuoi rezultatin një penalltie që nuk u akordua për “Djajtë e Kuq”. “Sezoni i kaluar ishte i njëjtë. Ai tha se fituam, ngaqë nuk mori një penallti. Jo, ne fituam sepse ishim më të mirë, tha Guardiola, i cili e mori fitoren si një shenjë fizibiliteti të imponuar nga stili i tij.
“Jam shumë i lumtur për njerëzit, të cilët thonë se në Angli nuk mund të luash si Barça. Por, unë them të kundërtën: Në Angli mund të fitoni në këtë mënyrë dhe ne po e bëjmë këtë. Ajo që na ndodhi në minutën e fundit të pjesës së parë do të na bëjë më të fortë. Futbolli ka gjëra të paparashikueshme. Në dhjetor është e pamundur të jesh kampion. Relaksimi nuk do të ndodhë, nuk ka ndodhur kurrë në ekipet e mia. Tani le të mendojmë për Swansea dhe lojërat e mëpastajme”, tha Guardiola.
Manchester City ka fituar 2-1 në “Old Trafford”, derbin kundër United, duke u “arratisur” në krye të Premier League me 11 pikë më shumë se “kushërinjtë”, kur janë luajtur 16 javët e para. Dy minuta para fundit të pjesës së parë, City kaloi në avantazh kur gjatë një rrëmuje në zonën e United topi u përplas te Lukaku dhe më pas shkoi te David Silva, që tundi rrjetën me kthesë.
Përgjigja e “djajve” erdhi me Marcus Rashford, që mposhti portierin Ederson me një diagonale të saktë, në aksionin e fundit të 45 minutave të para. Në minutën e dhjetë të pjesës së dytë, City shënoi golin e dytë në të njëjtën mënyrë, sërish gjatë një rrëmuje në zonën e United, Nicolas Otamendi e pa veten të vetëm përballë De Gea, duke lëshuar një goditje të papritshme.
Ky ishte goli i katërt për argjentinasin Otamendi në këtë sezon, më shumë se çdo mbrojtës tjetër në Premier League. Pasi ka fituar 15 dhe barazuar 1 nga 16 ndeshjet e luajtura, Manchester City ka 46 pikë, 11 pikë më shumë se Manchester United dhe 14 pikë më shumë se Chelsea, kampion në fuqi, që u mposht 1-0 nga West Ham, ditën e shtunë.
Buxheti i Bashkisë Kamëz, votë unanime i këshilltarëve të PS, LSI dhe PD, 65% shkon për investime
Është votuar një prej buxheteve më të mëdha ndër vite. Parashikohen dhjetëra e dhjetëra projekte në infrastrukturë deri në rrugë me 16 metra gjerësi..Baza e financimit të ardhurat vendore të bashkisë
Është miratuar sot buxheti i bashkisë Kamëz për vitin 2018. Me votën unanime të këshilltarëve tashmë i është dhënë drita jeshile e zbatimit një prej buxheteve më të mëdha të planifikuar edhe pse trendi ka ardhur në rritje vit pas viti. Në buxhetin e vitit të ardhshëm pritet të financohen me dhjetëra e dhjetëra, mes tyre dhe superprojekte në infrastrukturë rrugore si dhe do të ndërhyhet në KUZ, ndërhyrje në kolektorë, ujësjellës etj. Në fjalën e tij para këshilltarëve, kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu bëri një prezantim konkret të buxhetit, fokusin që do të ketë ai, si dhe garantoi që me zbatimin e tij Kamza dhe Paskuqani do të jenë me një infrastrukturë shumë më të mirë dhe të standardeve bashkëkohore.
Zoti Mziu pranoi që ky buxhet është shqyrtuar me grupet e interesit si dhe me komunitetin për të qenë dhe ata të përfshirë duke qenë se është në interes të tyre. Objektivi prioritar i këtij buxheti do të jetë përmirësimi i infrastrukturës në të gjithë territorin e Bashkisë Kamëz dhe Njësisë Paskuqan, rritja e numrit të të punësuarve, zhvillimi ekonomik si dhe rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Sipas kryetarit të bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu ky është buxheti më i madh i përgatitur deri më tani, ku një pjesë të konsiderueshme e zënë të ardhurat vendore dhe kjo ka ardhur falë një pune të mirë të bërë në terren, luftës ndaj informalitetit si dhe shtim të numrit të biznesit kjo fal lehtësirave që ju krijon bashkia si dhe komunikimit të mirë me biznesin. Zoti Mziu sërish shfaqi pakënaqësinë me transfertën e pakushtëzuar nga qeveria që sipas tij, ajo nuk është ajo çfarë i takon Kamzës, pasi është me 10-15%.
Tregues për këtë është dhe fakti po të bësh krahasimet me vitet e tjera kur prej 2 vitesh Kamza ka edhe Paskuqanin pjesë të saj. Zoti Mziu shtoi se edhe pse Bashkia Kamëz ka paraqitur 137 projekte në qeveri, asnjë financim nuk ka marrë!. Prioritet i bashkisë Kamëz në buxhetin e vitit 2018 janë; zhvillimi i harmonizuar i një ekonomie konkurruese në tregun rajonal, me biznese kryesisht të tregtisë, që zgjerohen e inkurajohen për të pasur diversitet e cilësi, zhvillimi i ekuilibruar i territorit në përputhje me parametrat bashkëkohore mjedisore dhe urbane si dhje një jetë sociale cilësore, dinamike dhe gjithëpërfshirëse ku shanset individuale për progres dhe mirëqenie mbështeten e zgjerohen në mënyrë të barabartë. Buxhetit i Bashkisë për vitin 2018 është 2,232,787 mijë lekë. Në mbyllje të fjalës së tij z.Mziu garantoi që edhe projektet e vitit 2017 që janë në zbatim e sipër do të mbyllen dhe ndër to përmendi Qendrën e Qytetit të Kamzës, Pedonalen e qytetit, Qendrën e Babrrusë etj.
Arabët pretendojnë njohjen e Palestinës si shtet
Pas vendimit të Presidentit të SHBA, Trump, për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, Liga Arabe ndërmerr kundërgoditje diplomatike. Diskutohen edhe sanksione kundër SHBA.
Ministrat e Ligës Arabe në një mbledhje urgjente në Kairo u bënë thirrje SHBA që ta tërheqin vendimin për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Veprimi i Presidentit Donald Trump është “një shkelje e rrezikshme e së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të ministrave të publikuar të dielën.
Me vendimin e tij, Trumpi legalizon pushtimin e Jeruzalemit Lindor nga Izraeli, kritikoi Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Abul Gheit. Me këtë ai iu referua pushtimit dhe aneksimit të mëvonshëm të Izraelit Lindor nga Izraeli në luftën gjashtëditëshe më 1967.
Përpjekja e Trumpit ngre edhe “çështje të rolit (të SHBA) dhe detyrimeve të tyre për forcimin e stabilitetit dhe të paqes në rajon” – dhe kjo jo vetëm në Lindjen e Afërme, por në të gjithë botën, plotësoi Gheit. Si reagim tani të gjitha shtetet e botës duhet të njohin si shtet Palestinën me kryeqytetin e saj Jeruzalemin Lindor, kërkoi sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe.
Të njëjtën kërkesë e shtroi edhe ministri i Jashtëm palestinez, Riad al Malki. Njëkohësisht, ai i bëri thirrje Ligës Arabe që të paraqesë një projektrezolutë në Kombet e Bashkuara, e cila të dënojë vendimin e SHBA. Në Ligën Arabe bëjnë pjesë 21 shtete nga Lindja e Afërt dhe Afrika e Veriut së bashku me rajonet e autonomisë palestineze.
Sanksionet kundër SHBA?
Libani foli për sanksione të shteteve arabe kundër SHBA, për ta penguar zhvendosjen e planifikuar të ambasadas amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem. “Masa parandaluese duhen marrë kundër këtij vendimi”, kërkoi ministri i Jashtëm, Gebran Bassil. Fillimisht këto do të jenë masa diplomatike. “Pastaj sanksione politike, ekonomike e financiare”.
Javën që kaloi, Trumpi njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Izraeli pretendon se i gjithë Jeruzalemi i pandarë i përket atij. Palestinezët duan që ta shpallin Jeruzalemin Lindor të aneksuar nga Izraeli si kryqytet të një shteti të ardhshëm palestinez.
Hamasët radikalë islamikë u bënë thirrje sërish palestinezëve që të hidhen në kryengritje (Intifada) kundër Izraelit, pas vendimit të Trumpit. Në Jordanin Perëndimor, në Jeruzalemin Lindor dhe në Rripin e Gazës pati sërish trazira.
“Fushatë denigruese e tmerrshme kundër nesh”
Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu i kritikoi reagimet evropiane për vendimin e Trumpit për zhvendosjen e ambasadës së SHBA në Jeruzalem. “(Nga Evropa) dëgjoj shumë zëra, të cilat e dënojnë deklaratën historike të Presidentit Trump. Por nuk kam dëgjuar ndonjë dënim të goditjes me raketa kundër Izraelit…dhe të fushatës së tmerrshme denigruese kundër nesh”, deklaroi Netanjaju. Dje, për këtë temë u mblodhën në Bruksel ministrat e Jashtëm të BE.
Shtëpia e Bardhë: Palestinezët i shmangen dialogut për Lindjen e Mesme
Shtëpia e Bardhë e ka akuzuar Autoritetin Palestinez për “ikje” nga dialogu, pas refuzimit të takimit me nënpresidentin amerikan, Mike Pence, gjatë një vizite që do ta ketë në Lindjen e Mesme.
Ky vendim ka ardhur si shenjë proteste ndaj vendimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Zëvendësshefi i stafit të Pence, Jarrod Agen, ka thënë përmes një deklarate se është, “fatkeqësi që Autoriteti Palestinez është duke u larguar nga mundësia për të diskutuar të ardhmen në rajon”.
Pence është planifikuar ta vizitojë Lindjen e Mesme para festës së Krishtlindjes.
Kjo deklaratë ka ardhur në mesin e rritjes së pakënaqësive në Lindjen e Mesme lidhur me vendimin e Presidentit Trump.
Ndihmësi i udhëheqësit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, Majdi al-Khalid, ka thënë se, “nuk do të ketë takim”, sepse Shtetet e Bashkuara, “i kanë kaluar të gjitha vijat e kuqe me vendimin për Jerusalemin”.
Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe e kanë miratuar një rezolutë gjatë një takimi emergjent, e cila e dënon vendimin e Trumpit dhe se Uashingtoni nuk mund të konsiderohet si ndërmjetësues i paqes në mes të Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.
Mirëpo, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë gjatë një vizite në Paris se palestinezët duhet ta pranojnë faktin se Jeruzalemi është kryeqytet i Izraelit.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, David Satterfield, u ka bërë thirrje liderëve të Lindjes së Mesme që të ulin tensionet në rajon.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili vazhdimisht ka paralajmëruar për pasojat e vendimit të Trumpit, e ka cilësuar Izraelin, “shtet terrorist”, që “vret fëmijë”.
Në Libi, forcat policore janë përplasur me disa protestues afër ambasadës amerikane në Bejrut.
Ky vend strehon mijëra refugjatë palestinezë.
Autoritetet kanë tentuar që me gaz me topa uji të largojnë protestuesit, pasi ata kishin nisur zjarr në rrugën afër kompleksit diplomatik.
Mijëra persona të tjerë kanë protestuar jashtë ambasadës amerikane në kryeqytetin indonezian, Xhakarta.
Indonezia është shteti më i populluar me myslimanë.
Policia në Suedi ka arrestuar tre persona, të cilët kanë dështuar të kryejnë një zjarrëvënie në qytetin Gothenburg.
Në të njëjtën kohë, policia izraelite ka thënë se një person i sigurimit është therur me thikë nga një azilant palestinez në Jeruzalem.
Putin viziton papritur Sirinë, urdhëron tërheqjen e trupave ruse
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë një vizitë të papritur në Siri, duke urdhëruar tërheqjen e ushtrisë ruse nga ky vend i Lindjes së Mesme, kanë raportuar agjencitë ruse të lajmeve.
“Urdhëroj ministrin e Brendshëm dhe udhëheqësin e stafit të përgjithshëm që të fillojë tërheqjen e grupit të forcave ruse drejt vendeve të tyre të përhershme të punës”, është cituar të ketë thënë Putin sipas agjencisë shtetërore ruse RIA.
Putin është takuar me Presidentin sirian, Bashar al-Assad në bazën Hmeimim.
Rusia i ka dhënë mbështetje të madhe qeverisë së Assadit në luftën që janë vrarë mijëra persona, ndërsa miliona të tjerë janë shpërngulur nga vendi.
Rusia pati filluar një fushatë me sulme ajrore në shtator të vitit 2015 dhe që nga ajo kohë ka përfshirë ushtrinë e saj edhe në forca tokësore, duke e mbrojtur Assadin nga rebelët.
Farsa, makinat e vjetra ndotin ambientin. Po inceneratorët?
Qeveria është vënë në shërbim të koncesionarëve të makinave duke paralajmërur masa të ashpra ligjore ndaj importuesve të makinave. Ministri Klosi ka paralajmëruar se nuk do të lejohet të importohen makina të prodhuara përpara vitit 2005. Preteksti i qeverisë është se makinat më të vjetra se viti 2005 ndotin ambienetin. Kjo është gjysma e së vërtetës që thotë qeveria. Po përse qeveria nuk i interesohet me të njëjtin standard si në rastin e minave edhe me inceneratorët e plehrave? Këta janë shumë herë më të rrezikshëm dhe vdekjeprurës për shkak se shkaktojnë shumë sëmundje vdekjeprurëse dhe megjithatë qeveria në ortakëri me këta koncesione ka vendosur t’i helmojë shqiptarët me plehra, por jo me makina.
Është e patolerueshme që Shqipëria të vazhdojë të mbushet me makina që janë afër fundit të jetës së tyre. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, thotë në një intervistë të posaçme për “Monitor” se, rinovimi i strukturës së mjeteve duhet të shkojë paralel me nxitjen e masave për importimin e mjeteve Euro 4, Euro 5 dhe 6 dhe për të përmirësuar cilësinë e karburantit që tregtohet në Shqipëri, rritjen e ndërgjegjësimit publik, nxitjen e iniciativave ekonomike të transportit publik dhe atij ekologjik, nxitjen e investimeve private në transportin publik.
Ministri Klosi shton se brenda 6-mujorit të parë 2018 do të hyjnë në fuqi rregullat e reja, sipas të cilave lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë vetëm mjetet motorike, që plotësojnë standardet Euro 5 të shkarkimeve në ajër; dhe mjetet ekzistuese, shkarkimet e të cilave iu përkasin standardeve Euro 1 (viti i prodhimit 1993-1994) dhe Euro 2 (viti i prodhimit 1997), duhet të marrin masat për arritjen e standardit Euro 3.
Këto propozime ishin parashikuar që të hynin në fuqi që në 1 janar 2017, por për shkak se nuk kaloi në kohën e duhur, tashmë duhet të rishikohen datat.
Si do të nxitet përdorimi i mjeteve që nuk ndotin mjedisin?
Si fillim, doja ta vija theksin se jo vetëm makinat, por çdo nismë që shkon në përmirësim të situatës së ndotjes mjedisore, do të nxitet fort nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Prej marrjes së detyrës nisëm punën për analizën e situatës dhe gjetjes së zgjidhjeve të pranueshme që shkojnë në drejtim të synimit madhor, mjedisit të shëndetshëm. Për të gjitha sipërmarrjet, bizneset, kompanitë që punojnë në Shqipëri është kërkuar dhe do të vijojë të kërkohet zbatimi i lejeve mjedisore, standardeve mjedisore. Koha kur mjedisi trajtohej si malli pa zot, pasuria e të gjithëve dhe përgjegjësia e askujt ka marrë fund.
Politikat, ndryshimet e legjislacionit dhe kontrolli do të jenë rigoroz. Ndaj dua që edhe në këtë hapësirë komunikimi me qytetarët, të bëj apelin të merren masa për respektim të standardeve mjedisore. Në këtë kuadër, edhe nxitja e përdorimit të makinave që ndotin sa më pak mjedisin si dhe rinovimi i strukturës së mjeteve në vend, do të jenë pjesë e diskutimeve në masat fiskale lehtësuese.
Rinovimi i strukturës së mjeteve duhet të shkojë paralel me nxitjen e masave për importimin e mjeteve Euro 4, Euro 5 dhe 6 dhe për të përmirësuar cilësinë e karburantit që tregtohet në Shqipëri, rritjen e ndërgjegjësimit publik, nxitjen e iniciativave ekonomike të transportit publik dhe atij ekologjik, nxitjen e investimeve private në transportin publik.
Cilat mund të jenë afatet e reja?
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të ndërmarrë së shpejti iniciativën dhe do të koordinojë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë si dhe me Ministrinë e Financës dhe të Ekonomisë që, brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, të hyjnë në fuqi rregullat e reja dhe standardet e propozuara nga kjo iniciativë ligjore, me qëllim fillimin e një epoke të re. Mjedisi është shëndet, është mirëqenie, është zhvillim, është nxitje për rritjen ekonomike, është kusht parësor për zhvillimin e turizmit.
Për të gjitha këto arsye madhore, operacioni “Pastrojmë Shqipërinë që duam, 24 nëntor – 24 maj”, do të mundësojë Shqipërinë e pastër në prag të sezonit turistik. Shqipëria e pastër nuk do të vijë vetëm nga aksioni në terren, por nga zgjidhja e problematikës në burim, zgjidhja e problematikës së ndotjes, dhënies fund njëherë e përgjithmonë kulturës së pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë së trajtimit të mjedisit.