27.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Vrasja e 14-vjeçarit/ Gaba: Nuk japim buxhet për arsimin, kemi mjedis social tejet konfliktual

Në “Drejt” nga Luan Rama, analisti Gentian Gaba tha se kur flitet me nxehtësi për ngjarje të tilla, rreziku për gjeneralizimin e gjërave është imediat dhe gabojmë.

Ai shtoi se në arsim sa % e buxheti jepet për arsimit, pse kemi shkolla me dy turne dhe pse kemi pa mundësi për psikologë, apo të kenë një mjedis social më pak konfliktual.

Gaba: Kur flitet me nxehtësi për ngjarje të tilla, rreziku për gjeneralizimin e gjërave është imediat dhe gabojmë, por fotografinë e shoqërisë tonë e kemi përditë, sepse diskutojmë për policinë tonë që ka pamundësi për tu përballur me krimit.

Në arsim sa % e buxheti jepet për arsimit, pse kemi shkolla me dy turne dhe pse kemi pa mundësi për psikologë, apo të kenë një mjedis social më pak konfliktual. Politika është një nga modelet kryesore në këtë rast, sepse është jetike me të cilin ndërtojnë bashkëpunimin në shoqëri, dhe kur ky është thyer, sigurisht që ke pamundësi të bësh politika të mira.

Ngjarja e rëndë në Tiranë ku humbi jetën një 14-vjeçar, reagon Myzafer Elezi i PD Euroatlantike: Ngjarja, kambanë alarmi për sigurinë në shkolla. E papranueshme që qeveria nuk garanton sigurinë e mjaftueshme

Lidhur me ngjarjen e një dite më parë, ku një adoleshent humbi jetën, ndërsa shoku i tij ngeli i plagosur, ka reaguar Anëtari i Kryesisë së PD-Demokratët Euroatlantikë, Myzafer Elezi, i cili shprehet se “kjo ngjarje e tmerrshme është një alarm serioz për sigurinë e nxënësve dhe të mësuesve në shkolla që dëshmon në mënyrë të hidhur se siguria në ambientet shkollore është e cenueshme”.

“Pas tre mandateve të qeverisjes, është e papranueshme që Qeveria të vazhdojë të mos garantojë siguri të mjaftueshme në shkolla. Shkollat duhet të jenë ambiente të sigurta, ku fëmijët mund të zhvillohen dhe të mësojnë pa frikë, por realiteti është ndryshe. Policia e Shtetit ka dështuar të krijojë një mjedis të sigurt brenda dhe përreth shkollave, duke lënë nxënësit të ekspozuar ndaj dhunës dhe rreziqeve të ndryshme.” – vijon më tej ai.

Më poshtë postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë

Një nxënës 14-vjeçar humbi tragjikisht jetën dhe dy të tjerë u plagosën në një akt të dhunshëm në ambientet e një shkolle 9-vjeçare në Tiranë. Ky është një moment i vështirë dhe i dhimbshëm për të gjithë qytetarët e Tiranës, e në mënyrë të vecantë për familjen e tij, e cila po kalon një dhimbje të padurueshme. Nuk ka asnjë fjalë që mund të shprehë dhimbjen e humbjes së një fëmije.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, miqtë, dhe të gjithë ata që e ndjejnë këtë humbje të madhe. Askush nuk duhet të përjetojë një humbje kaq të thellë, e aq më pak një prind që humb fëmijën e tij në mënyrë kaq të pakuptimtë. Shërim të shpejtë për dy nxënësit e plagosur, të cilët ndodhen në spital duke marrë trajtim mjekësor për plagët e marra.

Kjo ngjarje e tmerrshme është një alarm serioz për sigurinë e nxënësve dhe të mësuesve në shkollat tona që dëshmon në mënyrë të hidhur se siguria në ambientet shkollore është e cenueshme. Kjo është një situatë që nuk mund të tolerohet. Ngjarja e sotme nuk është një incident i izoluar, por një pasqyrë e mungesës së kontrollit dhe sigurisë në shkollat tona, dhe një dështim i institucioneve të sigurisë dhe të qeverisë për të ofruar mbrojtje të mjaftueshme për nxënësit dhe mësuesit.

Pas tre mandateve të qeverisjes, është e papranueshme që Qeveria të vazhdojë të mos garantojë siguri të mjaftueshme në shkolla. Shkollat duhet të jenë ambiente të sigurta, ku fëmijët mund të zhvillohen dhe të mësojnë pa frikë, por realiteti është ndryshe. Policia e Shtetit ka dështuar të krijojë një mjedis të sigurt brenda dhe përreth shkollave, duke lënë nxënësit të ekspozuar ndaj dhunës dhe rreziqeve të ndryshme.

Për këtë arsye, Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë kërkon nga Qeveria që të veproj me urgjencë për të adresuar këtë krizë. Gjithashtu, kërkojmë që Policia e Shtetit të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për forcimin e sigurisë në shkollat e vendit, dhe veprime konkrete:

1. Kontrolle të rrepta për hyrjen e armëve dhe mjeteve të rrezikshme në shkolla.

Policia e Shtetit duhet të angazhohet në bashkëpunim me autoritetet shkollore për të realizuar kontrolle të rregullta të nxënësve për objekte të ndaluara, duke përfshirë thika dhe mjete të tjera të rrezikshme. Kjo mund të realizohet përmes sistemeve të inspektimit dhe kamerave të sigurisë në hyrje të shkollave.

2. Përforcimi i patrullimeve dhe pranisë policore pranë shkollave.

Policia e Shtetit duhet të sigurojë një praninë të vazhdueshme dhe aktive të patrullave në zonat përreth shkollave, veçanërisht gjatë orëve të mësimit dhe në momentet kur nxënësit hyjnë dhe dalin nga shkolla. Ky veprim do të ofronte një nivel të lartë sigurie dhe do të parandalonte ngjarje të tilla të dhunshme.

3. Edukimi dhe trajnimi i policisë për menaxhimin e situatave të dhunshme në shkolla.

Policia e Shtetit duhet të trajnohet dhe të ketë protokolle të qarta për ndërhyrjen në situata të dhunshme brenda shkollave, për të parandaluar shfaqjen e incidenteve të tilla dhe për të garantuar një reagim të shpejtë dhe profesional.

4. Krijimi i një mekanizmi të përbashkët të bashkëpunimit mes institucioneve shkollore, policisë dhe komunitetit.

Të gjitha shkollat duhet të kenë marrëveshje të qarta dhe strategji të përbashkëta me Policinë e Shtetit, për të krijuar një mbikëqyrje të vazhdueshme dhe për të trajtuar në mënyrë të koordinuar çdo akt dhune apo rreziku që mund të ndodhë.

5. Ndërgjegjësimi i nxënësve dhe mësuesve për sigurinë dhe rregullat e sjelljes.

Është e rëndësishme që Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, të organizojë aktivitete dhe kurse edukative për nxënësit, mësuesit dhe prindërit për të rritur vetëdijen mbi sigurinë dhe pasojat e dhunës.

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë i bën thirrje Qeverisë dhe Policisë së Shtetit të reagojnë menjëherë për të shmangur tragjedi të tjera dhe për të siguruar që shkollat të jenë vende ku fëmijët dhe mësuesit ndihen të sigurt dhe të mbrojtur, si brenda shkollës ashtu edhe jashtë saj. Kjo është një detyrë e patjetërsueshme dhe një përgjegjësi që nuk mund të zbehet.

Ne kërkojmë një sistem shkollor ku edukimi të jetë prioriteti dhe jo frika nga dhuna.

Ju faleminderit!

Armatimet amerikane me rreze të gjatë veprimi! Analiza e VOA: A është vonë për ta shpëtuar Ukrainën?

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të autorizuar sulmet me rreze të gjatë veprimi mund ta ndihmojë Ukrainën të mbrojë territorin në rajonin e Kurskut të Rusisë, marrja e të cilit mund të shërbejë si një ndihmë në negociatat e mundshme për përfundimin e luftës. Por, analistët thonë se vendimi mund të jetë marrë tepër vonë për të ndryshuar rrjedhën e luftës.

Dy muaj përpara largimit nga detyra, Presidenti Joe Biden hoqi disa kufizime që nuk ia lejonin Kievit përdorimin e armëve të dërguara nga Shtetet e Bashkuara për sulme më në brendësi të territorit rus. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, autorizimi i dhënë të dielën është një ndryshim i madh i politikës amerikane.

Analistët ushtarakë thanë se ndikimi në fushën e betejës, ku Ukraina ka qenë në disavantazh për muaj të tërë, mund të varet nga kufizimet që do të vazhdojnë të jenë në fuqi. Por ndërsa ndryshimi mund të mbështesë operacionin në Kursk, nuk ka gjasa të shërbejë për një ndryshim të realitetit në tërësi.

“Vendimi vjen me vonesë dhe si vendimet e tjera në këtë drejtim, mund të jetë tepër vonë për të ndryshuar rrënjësisht rrjedhën e luftimeve”, tha Michael Kofman, studiues në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare në Uashington.

“Sulmet me rreze të gjatë ishin gjithmonë një pjesë e enigmës dhe pati pritshmëri të mbingarkuara për rolin e tyre në këtë luftë”.

Gjithashtu nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se sa do të zgjasë politika e re. Ndryshimi u kritikua nga Richard Grenell, një nga këshilltarët më të afërt për politikën e jashtme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili do ta marrë detyrën nga Presidenti Biden më 20 janar. Zoti Trump ka kritikuar prej kohësh shkallën e ndihmave amerikane për Kievin dhe është zotuar se do t’i japë fund luftës me shpejtësi, por pa shtjelluar se si do ta realizojë këtë. Një zëdhënës i Presidentit të zgjedhur Trump nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Ukraina e ka kërkuar këtë ndryshim për muaj të tërë, duke argumentuar se pamundësia për të goditur zonat brenda Rusisë, dhe në veçanti bazat ajrore ushtarake, ku gjenden avionët luftarakë të përfshirë në sulmet në Ukrainë, ishte një pengesë e madhe.

Forcat ruse janë hedhur në sulm për mbi një vit dhe kanë përparuar me ritmin e tyre më të shpejtë që nga viti 2022 në Ukrainën lindore dhe kanë ushtruar trysni në verilindje dhe juglindje.

Rusia thotë se Ukraina nuk mundet të lëshojë raketa drejt objektivave brenda Rusisë pa ndihmën e drejtpërdrejtë nga vendet e NATO-s, duke e quajtur këtë një përshkallëzim të madh. Të hënën, Kremlini tha se një vendim i tillë do të nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara ishin të përfshira drejtpërdrejt në konflikt.

Sulmet e para ukrainase mund të ndodhin në ditët në vijim dhe ka të ngjarë të kryhen duke përdorur raketat ATACMS, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 306 km, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

Një zyrtar i mbrojtjes nga një vend i Evropës Qendrore i tha agjencisë së lajmeve Reuters se sulmet do t’i jepnin Kievit një shans më të madh për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore, por nuk do ta ndryshonin me vendosmëri konfliktin në favor të Ukrainës.

Rusia i ka zhvendosur tashmë shumë nga mjetet ajrore përtej rrezes së armatimeve perëndimore në Ukrainë, tha zyrtari, megjithëse rrezja do të mbulonte territore përtej zonës së Kurskut, të marrë nga Ukraina.

Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis tha se ai “nuk po e hapte ende shampanjën” pasi nuk dihej se sa raketa kishin ukrainasit dhe nëse ato mjaftojnë për të ndikuar në fushëbetejë.

Vendimi për të autorizuar sulmet vetëm pas kërkesave disamujore ukrainase ndjek një model të përsëritur gjatë gjithë luftës, ndërsa administrata e Presidentit Biden u përpoq të balanconte mbështetjen e saj për Ukrainën, me shqetësimet për përshkallëzimin.

Më parë, Uashingtoni hezitoi për muaj të tërë përpara se të miratonte dërgimin në Ukrainë të raketave me rreze të gjatë, tankeve dhe avionëve.

Disa analistë ushtarakë thonë se vonesa të tilla i dhanë Moskës kohë për t’u rikuperuar nga dështimet fillestare dhe për të përforcuar mbrojtjen e territorit të pushtuar, duke kontribuar në dështimin e një kundërofensive të madhe ukrainase vitin e kaluar.

Ukraina nën trysni

Aftësia për të sulmuar territorin rus me raketa mund të ketë ndikimin e saj më të drejtpërdrejtë në Kursk, ku Ukraina synon të mbajë një arritje të rëndësishme që e siguroi gjatë kundërsulmit të parë madhor ndërkufitar në muajin gusht. Territori rus mund të jetë një element për negociatat që mund të ndodhin pasi Presidenti i zgjedhur Trump të marrë detyrën.

Kievi thotë se Rusia ka grumbulluar 50,000 forca në përpjekje për të rimarrë territorin në Kursk dhe se ka dislokuar edhe 11,000 koreano-veriorë, disa prej të cilëve thotë se marrin pjesë tashmë në luftime. Rusia nuk e ka konfirmuar, apo mohuar, dislokimin.

“Raketat ATACMS mund të vënë në rrezik objektiva me vlerë të lartë, ruse dhe koreano-veriore. Kjo do të ndihmonte forcat ukrainase të mbrojnë pjesën e spikatur të Kurskut, e cila është nën trysni”, tha zoti Kofman.

Rob Lee, studiues në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme me seli në Filadelfia, tha se do të ishte e vështirë për Ukrainën të mbajë pozicionin e saj në Kursk në periudhën afatgjatë, por se shanset e saj atje do të varen nga burimet.

“Ukraina ka angazhuar disa nga njësitë e saj më të mira atje, kështu që ato mund të jenë në gjendje të mbahen për ca kohë, nëse vazhdojnë të marrin municion të mjaftueshëm dhe rekrutë të rinj”, tha ai.

Analisti ushtarak nga Kievi, Serhii Kuzan tha se janë një sërë objektivash në Rusi, në një thellësi deri në 500 km nga Ukraina, që forcat ukrainase i konsiderojnë si përparësi, por se shumë prej të cilave do të ishin ende jashtë rrezes së raketave ATACMS.

Franca dhe Britania nuk kanë përcaktuar nëse do të ndiqnin shembullin amerikan, duke e lejuar Ukrainën të përdorë raketat me vetëdrejtim Storm Shadow/SCALP, të cilat kanë një rreze veprimi prej 250 km.

“Rusia mundet t’i rrëzojë raketat Storm Shadow dhe ATACMS, kështu që merr rëndësi edhe numri i raketave që mund të lëshohen”, shtoi zoti Lee.

Në rrugët e Kievit të hënën, ndjesia e përgjithshme ishte se vendimi do të ndihmonte, por se kishte ardhur shumë vonë.

“Kjo duhet të ishte përdorur si një masë parandaluese, ose si një reagim i menjëhershëm, në shkurt apo mars 2022. Tani nuk luan një rol të madh”, tha Olga Korovyachuk, 21 vjeçe./VOA

E bujshme nga Brazili, Nejmar ka arritur marrëveshjen me klubin ku debutoi si futbollist

Nejmar mund të rikthehet tek klubi i tij i parë, Santos.

 

Duke qenë se drejtuesit e Al Hilal nuk janë të kënaqur me të, do ti kërkojnë të ndërpresin kontratën, e cila zgjat deri në qershor të vitit 2025.

Sipas gazetarit Cesar Luis Merlo, 32-vjeçari ka një marrëveshje me klubin ku ai debutoi si futbollist. Santos aktualisht është në krye të kategorisë së dytë braziliane, por ka siguruar rikthimin në elitë në javët e shkuara.

Nëse ky transferim do të ndodhte, do të ishte diçka e madhe për klubin por edhe tifozët.

Ofrojnë lehtësim nga dhimbjet kronike, ja ushqimet që ju ndihmojnë të trajtoni shqetësimet në trup

Dhimbja kronike mund të ketë një ndikim dramatik në jetën e një personi, pasi i bën të vështira aktivitetet funksionale të jetës së përditshme, ndikon në mirëqenien dhe e bën të vështirë kryerjen e ushtrimeve, nga ecja e thjeshtë deri tek stërvitjet më të vështira.

 

Sipas ekspertëve mirëqenies, zgjedhjet dietike janë thelbësore për reduktimin e simptomave të dhimbshme dhe përmirësimin e funksionit të muskujve.

Ata sugjerojnë katër ushqimet që mund të ndihmojnë në lehtësimin e dhimbjeve dhe të mbështesin shëndetin afatgjatë të muskujve.

Banane

Bananet njihen për përmbajtjen e lartë të kaliumit, një mineral thelbësor që rregullon kontraktimet e muskujve dhe parandalon ngërçet. Përveç kësaj të fundit, nivelet e ulëta të kaliumit sjellin edhe dobësi të muskujve.

Fruti mund të jetë gjithashtu një aleat për njerëzit me një formë të artritit, falë vetive të tij anti-inflamatore.

Salmoni

Të pasura me acide yndyrore omega-3 , salmoni dhe peshq të tjerë yndyrorë me veti të forta anti-inflamatore mund të lehtësojnë dhimbjet e muskujve dhe inflamacionin e kyçeve, duke i bërë ato një zgjedhje të shkëlqyer për ata me dhimbje kronike.

Megjithatë, këta peshq duhet të përfshijnë edhe njerëz që vuajnë nga dhimbje koke kronike.

Spinaqi

Spinaqi, një perime me gjethe jeshile e pasur me magnez, ndihmon në lehtësimin e tensionit të muskujve duke kontribuar në funksionimin e duhur të sistemit nervor. Përveç kësaj, falë bollëkut të flavonoideve dhe polifenoleve, ai mund të bëhet një armë kundër inflamacionit kronik, i cili shpesh fshihet pas dhimbjeve të vazhdueshme të muskujve dhe trupit ose artralgjive pa një shkak specifik.

Bajame

Bajamet janë të pasura me lëndë ushqyese, duke përfshirë sasi të konsiderueshme të magnezit dhe vitaminës E, të cilat mbështesin shëndetin e muskujve dhe sistemit nervor, ndërsa ofrojnë përfitime anti-inflamatore. Një grusht bajame mund të ndihmojë në reduktimin e dhimbjes dhe nxitjen e rikuperimit më të shpejtë nga tendosja ose lëndimi.

Rëndësia e të ushqyerit në lehtësimin e dhimbjeve

Sipas ekspertëve mirëqenies, roli i të ushqyerit në shëndetin e muskujve dhe menaxhimin e dhimbjes shpesh nënvlerësohet. Ushqimet e duhura mund të mbështesin proceset e rimëkëmbjes së trupit, të zvogëlojnë inflamacionin dhe të përmirësojnë funksionin e muskujve.

Për ata që kanë të bëjnë me dhimbje kronike, shtimi i ushqimeve si bananet, salmoni dhe bajamet mund të bëjë një ndryshim. Nuk është vetëm çështja se çfarë shmangim të hamë, por edhe çfarë përfshijmë në mënyrë aktive në dietën tonë.

Zgjedhja e ushqimeve të pasura me lëndë ushqyese i ndihmon njerëzit të menaxhojnë më mirë shqetësimin dhe të jetojnë jetë aktive dhe të plotë.

Mangësitë në lëndë ushqyese, si magnezi ose acidet yndyrore omega-3, mund të përkeqësojnë dhimbjen dhe të ngadalësojnë shërimin. Zgjedhjet e ndërgjegjshme dietike ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit, zvogëlojnë lodhjen e muskujve dhe rrisin efikasitetin e përgjithshëm të energjisë.

Hidratimi i duhur, i kombinuar me një dietë të pasur me lëndë ushqyese, maksimizon përfitimet, pasi është thelbësor për përthithjen e lëndëve ushqyese dhe funksionimin e duhur të muskujve.

“Nuk ka tenxhere e tepsi”/ Denoncimi i kuzhinjeres së kopshtit në Delvinë: Mora enët e kuzhinës nga shtëpia

Emisioni “Fiks Fare” denoncoi gjendjen e kuzhinës së kopshtit shtetëror në Delvinë, i cili s’ka “tenxhere, tepsi, pjata e pirunj”.

Madje, edhe pjesët e tjera si soba, lavamani apo frigoriferi nuk ishin të përshtatshme për gatimin e vakteve për të paktën 40 fëmijë.

Grupi i Fiksit bisedoi me kuzhineren e kopshtit Dhurata Zejnati, e cila tregon gjendjen. Sipas saj, “s’ka enë kuzhinë, tenxhere, tepsi, tiganë, pjata e çdo gjë tjetër”. Sipas saj, në atë kopësht janë 40 fëmijë, por për t’u servirur tre vakte, mëngjesin, drekën dhe pasditen ajo e ka shumë të vështirë. Ajo thotë se kopshti ka qenë egzistues, ndërkohë që me drekë u hap me shpejtësi në muajin dhjetor 2022. Por, kuzhina s’kishte asnjë kusht dhe ajo është vetëm për të gatuar, pastruar dhe larë enët.

“Ja shikoni, s’ka asnjë gjë këtu. Unë kam marrë tenxheret e mia nga shtëpia, këtu ishte vetëm një. Më vinte keq për fëmijët ndaj i mora. Këtu s’është vënë dorë, as kuzhina dhe as respiratori. Është vetëm një sobë e vogël dhe një frigorifer i vogël. Të paktën ushqim ka, por e kam shumë të vështirë që t’u shërbej. Kam bërë disa ankesa në drejtori, te drejtoresha Alma Serjani, por deri më tani asnjë gjë.Kam shkuar te ish-kryetarja e Bashkisë Delvinë, ajo që e hapi kopshtin me drekë. Më mbanin me shpresa kot, jo do e bëjmë, por deri tani asnjë gjë. Kam shkuar dhe te kryetari aktual, por deri tani s’kanë marrë masa”, thotë Dhurata.

Në momentin që Fiksi po xhironte kuzhinën, vjen drejtoresha e kopshtit Alma Serjani, e cila i drejtohet Fiksit të mos xhirojë dhe se do interesohet nëse do japë informacion. Fiksi e pyet disa herë se përse është lënë në këtë gjendje kuzhina, teksa Dhurata e ka të pamundur të gatuajë në këto kushte për fëmijët. Ajo thotë se janë bërë disa kërkesa në Bashki dhe “na kanë thënë që vitin tjetër do e bëjnë kuzhinën”. Fiksi i thotë se situata nuk pret, pasi fëmijët duhet të ushqehen përditë, teksa ajo thotë se këtë problem e ka çuar te bashkia dhe i kërkon grupit të Fiks Fare të mos xhirojë.

FIksi shkon në Bashkinë e Delvinës, ku bisedon me Ersi Hamitin, shefin e Kabinetit në Bashkinë e Delvinës. Zyrtari i bashkisë thotë se e di gjendjen dhe se e kanë parashikuar për të ndërhyrë në kuzhinë. Fiksi i bën me dije se një kuzhiniere s’mund të ushqejë 40 fëmijë në ato kushte, teksa ai shton se “aty i kemi fëmijët të gjithë dhe kanë ndërhyrë edhe si prindër për të rregulluar kuzhinën”.

Fiksi e pyet se kur do të ndërhyhet, teksa shefi thotë se si drejtoresha dhe kuzhinierja kanë kërkuar që të ndërhyhet, por për shkak të të ardhurave të vogla të bashkisë, investimi është shtyrë. Në fund, Shefi i Kabinetit thotë se bashkia ka kontaktuar disa donatorë dhe punimet do të fillojnë javën tjetër dhe do të përfundojnë për 2 muaj. Ndërkohë, megjithëse kaluan disa javë nga filmimet e Fiksit, në atë kopsht s’ka filluar asnjë punë!

Ballafaqimi mes Fiksit, Kuzhinieres dhe Drejtoreshës

Gazetari – S’keni tenxhere, s’keni tigan. Një sobë e vogël për 45 fëmijë!
Drejtoresha – Shiko, ato … soba, soba kur ka ardhur, ka ardhur e re. Jemi munduar të gjitha bashkë siç jemi.
Gazetari – Çfarë ka, i keni sjellë të gjitha bashkë?!
Drejtoresha – Jo, jo, jo.
Gazetari – Disa ti, disa Dhurata, disa edukatoret e tjera.
Drejtoresha – Jo, jo. Ka sjellë dhe bashkia.
Gazetari – Çfarë ka sjellë bashkia?
Drejtoresha – Ka sjellë tenxhere, ka sjellë të gjitha.
Kuzhinierja – Hajde tregoja, hajde!
Gazetari – Çfarë ka sjellë?
Kuzhinierja – Hajde tregoja Alma.
Drejtoresha – Bashkia i ka sjellë të gjitha.
Kuzhinierja -Tregoji çfarë ka sjellë bashkia, hajde.
Gazetari – Ti shohim bashkë 2 minuta dhe pastaj ty të lëmë të qetë?! ti shohim bashkë?
Drejtoresha – Një minutë të lutem, mund të bëj një telefon.
Kuzhinierja – Kemi 2 vjet kështu moj Alma që po sorollatemi.
Gazetari – Sa po bëni?
Kuzhinierja – 2 vjet plot, në 2 dhjetor unë mbush 2 vjet këtu! Unë s’mundem më.
Drejtoresha – Tani fjalën na e ka dhënë kryetari dhe unë s’mund të flas.
Kuzhinierja – Fjalën ma dha dhe mua kryetari po gjë!
Gazetari – Enë ka, pjata, lugë?
Kuzhinierja – Jo mo jo, janë të pakta të gjitha, të gjitha mungojnë.
Gazetari – S’ka as enë?
Kuzhinierja – As enë, hajde shikoji, hajdeni futuni.
Drejtoresha – Dëgjo, të lutem, të lutem.
Kuzhinierja – Hë?
Drejtoresha – Pa marrë aprovimin nga kryetari, madje është një institucion. Të lutem Dhurata, mos …
Kuzhinierja – Po vuaj unë.
Gazetari – Çfarë ka sjellë bashkia dhe çfarë ka sjellë (kuzhinierja).
Drejtoresha – Të lutem, të lutem.
Gazetari – Po.
Drejtoresha – Të lutem Dhurata të bëj një telefon.
Gazetari – Do na japësh një intervistë.
Drejtoresha – Të lutem, besoj se e morët atë që donit.
Gazetari – Jo ne e morëm, po çfarë do bëhet? Ne këtë duam, çfarë do bëhet?
Drejtoresha – Jemi në pritje. Nuk flas, edhe kaq ka bërë gabimin më të madh.
Gazetari – Pse gabimin më të madh?
Drejtoresha – Që jeni futur në institucion.
Gazetari – Është një institucion, ti e ke parë gjendjen, ti e di problematikën.
Drejtoresha – Unë e di problematikën.
Gazetari – Ti je dhe drejtoreshë.
Drejtoresha – Po kam bërë kërkesën pranë bashkisë, më është dhënë fjala në 2025-ën, jemi të parët për çfarëdolloj problemi që të kemi.
Gazetari – Në 2025-ën?!
Drejtoresha – Po pra që të hapet projekt-buxheti. Sepse s’është hapur buxheti.
Gazetari – Tani ju kanë thënë që s’ka fonde bashkia, që të paktën të sjellë 2 tenxhere, të sjellë 1 sobë, të sjellë …
Drejtoresha – Jo, jo bashkia na ka ndihmuar dhe nuk mund ta mohojmë.
Kuzhinierja – Të flasë dhe kur s’ka korrent, kur nuk ka korrent duhet të gatuaj unë patjetër. Unë kam sjellë një sobën time me gos, ajo është me probleme.
Gazetari – Po gaz ka? Kopshti ka gaz?
Drejtoresha – Gazin, e kemi bombulën e gazit për raste emergjente.
Kuzhinierja – E kujt ia është bombula e gazit, është e imja.
Drejtoresha – Në raste emergjente.
Kuzhinierja – Është e imja, e imja bombula e gazit, është e pacertifikuar.
Gazetari – E ke sjellë vetë?
Kuzhinierja – Po ja të ta nxjerr unë këtej. Është e pa certifikuar.
Drejtoresha – Të lutem nuk ka më, të lutem se jam në proces. Të lutem, të lutem.
Gazetari – Po ta sjellësh fëmijën në një kopsht shtetëror …
Kuzhinierja – Ja (tregon bombulën e gazit).
Gazetari – Dhe me këto kushte, besoj se as ti nuk je!
Drejtoresha – Të thashë, kopshti është për herë të parë që është hapur pas 30 vitesh.
Kuzhinierja – Ja gazi, ky është i imi. Të vë kusi unë këtu dhe të gatuaj.
Gazetari – Me këtë gatuan?
Kuzhinierja – Me këtë!
Gazetari – Për 45 fëmijë?
Kuzhinierja – Po, po me këtë. Të vë një kusi të madhe unë dhe të gatuaj me këtë. Kjo është kot për mendimin tim.
Gazetari – Në qoftë se s’ka drita, pse ikin dhe dritat?!
Kuzhinierja – Po ikin dritat.
Drejtoresha – Me raste. Të lutem, të lutem deri tani fola më miqësore.
Gazetari – Dhe ne miqësore kemi ardhur për të rregulluar sadopak këtë gjendjen.
Drejtoresha – Të lutem hiqe mikrofonin.
Gazetari – Tani ku duhet të shkoj që këtë zërin tuaj që të dëgjohet?!
Drejtoresha – Zëri im dhe zëri i kolegeve të mia të gjitha te bashkia.
Gazetari – Me këtë gjendje që është, a mund ti vijë (kuzhinierja) 45 fëmijëve?
Drejtoresha – Deri tani, po deri tani (tenton të largojë mikrofonin).
Gazetari – Mos e kap mikrofonin! Mos e prek.
Drejtoresha – Të lutem, deri tani …
Gazetari – I keni ardhur në ndihmë?

Drejtoresha – Fola, po i kemi ardhur në ndihmë!

Një tragjedi që mund të përsëritet …

Nga Lutfi Dervishi

Ngjarja tragjike e ndodhur në shkollën Fan Noli në Tiranë, ku një 14-vjeçar humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur pas një sulmi brutal, ka tronditur shumëkënd. Por është një tragjedi e paralajmëruar. Ky akt dhune, kryer nga tre bashkëmoshatarë të viktimës, nxjerr në dritë një realitet të hidhur: pasojat e rënda të konflikteve të nisura dhe të nxitura në rrjetet sociale dhe dhunën si model suksesi.

Sipas raportimeve fillestare, motivi kryesor i krimit duket të ketë qenë një sherr në rrjetet sociale që më vonë përshkallëzoi në dhunë fizike. Brenda 90 sekondave, një “sherr” virtual u shndërrua në tragjedi. Ngjarja është një këmbanë alarmi për të gjithë: familjen, shkollën, institucionet shtetërore dhe vetë shoqërinë.

Duhet pranuar se modeli i suksesit që promovohet prej vitesh është modeli i dhunës: dhunë verbale, dhunë virutale, dhunë fizike. Dhuna që gjenerohet në rrjete sociale, promovohet në median tradiconale dhe finalizohet me “top modelë” në Kuvend dhe institucione

Rastet e dhunës ku përfshihen të mitur nuk janë të reja. Kanë ndodhur dhe do të ndodhin. Por mungesa e mbikëqyrjes dhe ndikimi i mediave sociale e ka bërë situatën edhe më shqetësuese. Mediat sociale, që janë krijuar për të bërë bashkë njerëzit dhe për të ndarë informacion, po shndërrohen gjithnjë e më shpesh në platforma për ngacmime, bulizim, kërcënim dhe përshkallëzim konfliktesh.

Për nxënësit, të cilët janë ende në proces të formimit emocional dhe social, konflikte të tilla marrin përmasa dramatike. Një status, një foto, një koment i pamenduar ose një postim provokues mund të nxisë zemërime që kalojnë nga ekrani në rrugë.

Ngjarja ku humbi jetën 14 vjeçari ngre pyetje që sot janë retorike: A jemi të ndërgjegjshëm për komunikimin dhe mjedisin e dhunshëm në të cilin po jetojmë? A është bërë mjaftueshëm për të mësuar të rinjtë mbi menaxhimin e konflikteve? A janë prindërit dhe mësuesit të vetëdijshëm për ndikimin që mediat sociale kanë në jetën e nxënësve?

Detyra e shkollës sot nuk mund të kufizohet vetëm në dhënien e dijeve akademike. Sot më shumë se kurrë duhet folur për rrezikun e konfliktit dhe nevojën e komunikimit. Në të njëjtën kohë, prindërit duhet të jenë më të interesuar jo vetëm për jetën reale, por edhe jetën virtuale të fëmijëve të tyre.

Ngjarja e sotme është vetëm një nga shumë raste që tregojnë se si dështimi për të adresuar ndikimin e mediave sociale dhe mungesa e edukimit për të menaxhuar emocionet dhe konfliktet mund të sjellin pasoja fatale.

Eshtë urgjente nevoja e rritjes së ndërgjegjësimit për ngacmimin virtual.

Shumë lajme janë bërë dhe shumë garanci janë dhënë për “përfocimin e sigurisë publike në shkolla”. Ngjarja e sotme tregon se çdo propagandë nuk të çon gjatë. Fjalët bosh për “paketa sigurie” në shkollë, për memorandume dhe strategji sot tingëllojnë si tallje.

Tragjedia në Tiranë nuk është vetëm një ngjarje e izoluar, por një simptomë e një problemi më të madh shoqëror. Që shkollat të mos shndërrohen në skena tragjedish, por të jenë hapësira për edukimin e brezit të ri, debati duhet të nisë sot.

Mosveprimi sot mund të kushtojë jetë të tjera nesër. Diskutimi për ndikimin e mediave sociale nuk është më zgjedhje, por një domosdoshmëri.

BIRN: Qeveria “devijoi” nga rekomandimet e ekspertëve për tkurrjen e Zonave të Mbrojtura

Qeveria shqiptare nuk i mori parasysh sugjerimet e ekspertëve mjedisorë të kontraktuar prej saj për të kryer një studim për Zonat e Mbrojtura, duke marrë vendime për zvogëlimin e këtyre zonave, kryesisht të atyre me statusin ‘Parqe Kombëtare’.

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, AOS, njoftoi të hënën se në seancën gjyqësore në Gjykatën Administrative të Apelit, ku 11 organizata kanë kërkuar shfuqizimin e dy vendimeve të qeverisë për zvogëlimin e sipërfaqeve të Zonave të Mbrojtura, doli në pah fakti se ‘qeveria i ka shpërfillur rekomandimet e ekspertëve’.

“Vendimet e qeverisë kanë shpërfillur rekomandimet e ekspertëve të tyre dhe se reduktimi është kryer për t’i hapur rrugë HEC-eve, zonave urbane e turistike, ndërtimit të infrastrukturës përfshirë autostradat, linjat e tensionit të lartë, përdorim intensiv të burimeve natyrore etj,” deklaroi AOS pas seancës.

Gent Kromidha, njëri prej ekspertëve që dëshmoi në seancë, i pyetur nga BIRN, dha një version më të zbutur për kontradiktën mes studimit të ekspertëve dhe vendimmarrjes së qeverisë.

“Përgjithësisht rekomandimet tona janë marrë parasysh, por rast pas rasti ka edhe devijime apo ndryshime nga propozimet e dhëna në studim,” tha Kromidha.

Eksperti nuk dha një përcaktim se sa thelbësore ishin këto devijime. “Për shembull në Divjakë nuk besoj se janë thelbësore, por për të tjerat nuk di të them, pasi duhen konfrontuar propozimet tona me ato që janë miratuar nga qeveria,” shtoi ai.

Sipas Kromidhës, studimi i kryer në vitin 2019 dhe procesi i shpalljes/ndryshimit të zonave të mbrojtura në vitet 2020 dhe 2022 ishin dy procese të ndara. Gjithsesi, ai pranon se “studimi ka shërbyer si bazë për procesin e ndryshimit të ndërmarrë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”.

Ekspertët e organizatave mjedisore i kanë sfiduar këto ndryshime në gjykatë, ku kërkojnë shfuqizim të pjesshëm të vendimeve për ndryshimin e zonave të mbrojtura. Sipas tyre, ndryshimet kanë qenë thelbësore dhe shumë të ndryshme nga ajo që është sugjeruar nëpërmjet studimit të kryer.

“Ne kërkojmë shfuqizimin e këtyre vendimeve pasi janë hequr sipërfaqe më të mëdha se sugjerimet e studimit, siç është rasti i parkut Lurë-Mali i Dejës, ku është hequr 2800 hektarë nga 857 hektarë që ishte sugjeruar,” i tha BIRN përfaqësuesi i AOS, Kristi Bashmili.

Po ashtu, AOS, këmbëngul se studimi i eskpertëve i sugjeronte qeverisë që çdo reduktim i territorit të një zone të mbrojtur të paraprihej nga studime të detajuara 2-5 vjeçare për evidentimin e vlerave të zonës së propozuar për heqje nga rrjeti.

“Qeveria nuk i kreu kurrë studimet e rekomanduara nga ekspertët e saj përpara vendimmarrjes së KKT-së në dhjetor 2020 dhe vendimet e Këshillit të Ministrave në janar 2022,” thuhet në reagimin e organizatës.
Kromidha e quan keqinterpretim këtë qëndrim të AOS, duke sqaruar se rekomandimi për studime të mëtejshme lidhej me zona të mbrojtura ekzistuese, të cilat sipas tij, e kanë humbur funksionin dhe duhet të hiqen tërësisht nga sistemi kombëtar i zonave të mbrojtura dhe organizatat mbrojtëse duhet të sillnin studime në favor të ruajtjes së tyre.

”Nuk ia vlen të merremi kaq gjatë me çfarë kemi hequr në terma të sipërfaqes…,” thotë ai duke iu referuar dëshmisë së dhënë në gjykatë, “por duhet të shqetësohemi për efektivitetin dhe rezultatet konkrete nga menaxhimini i ZM-ve për ruajtjen e habitateve dhe llojeve”.

“Nuk kemi nevojë për parqe të mëdha në letër, por për ruajtje dhe menaxhim efektiv te zonave me vlera të larta natyrore,” shtoi Kromidha.

Në nëntor 2023, Gjykata Administrative e Apelit pranoi të legjitimojë 11 organizata të shoqërisë civile, të njohura për aktivitetin e tyre pro mjedisit, për të kundërshtuar vendimet që çuan në zvogëlimin e sipërfaqeve dhe uljen e statusit të disa prej Zonave të Mbrojtura.

Këto organizata kundërshtojnë VKM-në nr.59 të datës 26.01.2022, “Për Miratimin e Ndryshimit të Statusit dhe Sipërfaqes së Ekosistemeve Natyrore të Parkut Kombëtar (Kategoria II) të Zonave të Mbrojtura Mjedisore dhe të VKM-në nr.60 të datës 26.1.2022, “Për Shpalljen e Ekosistemeve Natyrore, Rezervave Natyrore të Parkut të Menaxhuar/Natyral (Kategoria IV)”.

Shqetësimi i tyre lidhet kryesisht me zvogëlimin e sipërfaqeve të parqeve kombëtare të Butrintit, Divjakës, Dajtit, Qaftshtamës, Zall Gjoçaj, Shebenikut, si edhe rrezikimin e parqeve natyrore të Korab Koritnik, Bredhi i Kardhiqit, Karaburun, Kune-Vain Tale, Patok-Fushëkuqe, Ishim, dhe Liqeni i Shkodrës.

Sipas aktivistëve mjedisorëve, heqja e statusit të zonës së mbrojtur apo zvogëlimi i sipërfaqes së tyre mund t’i hapte terren investimeve të mundshme apo abuzimeve të natyrave të tjera në këto zona./BIRN

Xama: Bonusi nuk është rritje pensionesh. Karotë për joshje në zgjedhje

Gazetarja Ola Xama duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha që bonusi për pensionistët nuk mund të konsiderohet rritje pensionesh.

Sipas Xamës, bonusi i dytë që do të jepet në pranverë mund të jetë “karota” për joshjen e pensionistëve nga qeveria.

“Bonusi në asnjë moment s’është rritje, është një politikë buxhetore për të mbështetur shtresat sociale, apo shtresa të tjera vunerabël. Kryeministri Rama e trajtoi te fjala e tij termin bonus si rritje pensionesh, por në asnjë rast s’duhet barazuar. Bonus është një politikë që qeveria e sheh të arsyeshme ta bëjë, vetëm kur e sheh të arsyeshme, kur ka rritje pensionisti e ka të qëndrueshme për gjithë pjesën tjetër të vitit. Nëse ky 100 euro do ishte një rritje për gjithë vitin do merrte 8 euro për muajin janar. Pse dy bonuese kaq afër? Ai tha në pranverë. Pyetja që mbetet pa përgjigje është sa është përcaktuar kjo në buxhetin 2025 nga Kuvendi. Nëse do dimë sa do jetë rritja reale e ekonomisë, mund ta kemi përgjigjen sa do shpërndajmë për pensionistët. Ishte një shpjegim abstrakt nga kryeministri, i pambështetur në asnjë bazë ligjore. Ne e dimë që në muajin prill ose maj, janë zgjedhjet elektorale, dhe kjo është karota që kërkohen të joshen një kategori e madhe që janë pensionistët, që përbëjnë gjysmën e numrit të votuesve. Aktualisht kemi një suficit korrent 600-700 milionë euro, që vjen si rezultat i mos shpenzimit të shpenzimeve kapitale. S’është treguar shumë efiçente administrata publike”.

Karabina: Arsimi profesional nuk është prioritet i qeverisë, është kthyer në propagandë

Ish ministrja e arsimit Mirela Karabina në MCN Informacion ka komentuar lidhur me mungesën e profesionistëve në Shqipëri duke u shprehur se arsimi profesional nuk është në prioritete e qeverisë.

Ajo tha se arsimi është kthyer në propagandë të qeverisë dhe se investimi në arsim është aq i ulët sa të jep asnjë garanci që të jep garanci që të kemi një arsim cilësor.

Sipas saj ne sot kemi nevojë për profesionistë por kjo gjë do të vijë kur ta planifikosh, dhe të kesh një infrastrukturë të mirë, të kesh tregun e punës

Arsimi profesional është pjesë e arsimit në tërësi dhe për aq kohë sa arsimi s’ka qenë prioritet i qeverisë, sigurisht që do vuajë pasojat e politikave jo të mira për të orientuar nxënësit drejt profesioneve në sektorë të ndryshëm të jetës.

Ne sot kemi një qeveri që ka 12 vite dhe për këto vite nëse do kishte ndërmarrë një reformë serioze ne do kishim rezultate në arsimin profesional.

Ndërsa tani arsimi është kthyer në propagandë dhe çdo vit përmendet arsimi profesional, bursa dhe asgjë nuk ndodh, pra kemi dhe një retorikë boshë. Investimi në arsim është aq i ulët sa s’të jep asnjë garanci që të kemi një arsim cilësor.

Sa i përket mjekësisë apo juridikut janë degë të kërkuara nga tregu jo vendas. Arsimi profesional nuk bëhet me fushata dhe interesa politike. Kjo qeveri e ka nisur propagandën me arsimin profesional dhe kur ata erdhën në pushtete shkëputën arsimin profesional nga ministria e arsimit dhe kjo vetëm se nuk ka interes.

Ne sot kemi nevojë për profesionistë por kjo gjë do të vijë kur ta planifikosh, dhe të kesh një infrastrukturë të mirë, të kesh tregun e punës që kushdo që e ndjek këtë të ketë të garantuar dhe vendin e punës, por këtu është në amulli dhe vendi i punës.