34.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

Përgjimet nxjerrin zbuluar nënkomisarin për dërgesa të tjera droge

Nënkomisari i Policisë së Fierit, i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për trafik droge, u zbulua nga përgjimet. Festim Lelaj nuk është përgjegjës vetëm për 2.5 tonët e drogës të kapur në janar 2017 në Ankona. Burimet bëjnë të ditur se arrestimi i nënkomisarit Festim Lelaj, erdhi pas informacioneve të ardhura nga Italia.
Përgjimet telefonike që i janë bërë, tregojnë se Lelaj ishte mjaft aktiv në trafikun e drogës dhe se ka trafikuar 350 kg hashash drejt vendeve të BE¬-së. Më konkretisht, droga kultivohej në disa zona të Vlorës dhe më pas mblidhej në Fier, ku edhe ngarkohej në kamionë që transportonin paleta druri drejt Gjermanisë. Sipas përgjimeve, rezulton se Lelaj ka trafikuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal edhe 350 kg drogë, kryesisht nga Vlora dhe Durrësi. Po kështu, burimet thonë se Lelaj ishte në rolin e organizatorit të grupit dhe se ka bashkëpunuar edhe me një ish-¬polic në kërkim, Renato Avduli, i cili gjykohet në një çështje tjetër, atë të Treblovës.
Sipas dosjes, Festim Lelaj kishte bashkëpunëtorët e tij edhe në Portin e Durrësit, dy ish-¬policë kufitarë, tashmë të arrestuar, dhe një doganier. Droga, pasi ngarkohej në kamionë në qytetin e Fierit, nisej drejt Durrësit. Aty më pas ajo i shpëtonte skanerit nga autoriteti portual. Fillimisht skanohej kamioni që nuk kishte drogë dhe më pas, ai ndërronte rimorkion dhe targat me atë që përmbante drogë. Kjo skemë është zbuluar nga prokurorët e Krimeve të Rënda në fazën e hetimeve.

Mbetet në burg nënkomisari dhe 6 të arrestuarit për 2.5 ton drogë

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg nënkomisarin e policisë dhe 6 të arrestuarit e tjerë për trafikun e 2.5 ton kanabis nga Porti i Durrësit drejt Italisë në janar të këtij viti. Para togave kanë dalë nënkomisari Fatmir Lelaj, dy punonjësit e policisë së Portit të Durrësit, Gëzim Dervishi dhe Agron Kapllanaj, dy doganierët Altin Aktundi dhe Mikail Hila si dhe dy pjesëtarët e tjerë të grupit Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa.
Sipas Prokurorisë, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë trafikuar drejt Italisë kamionin me lëndë narkotike nga porti kryesor i vendit. Gjykata i ka cilësuar të ligjshme ndalimet, duke caktuar si masë sigurie për ta arrestin me burg. Numri në total i personave të arrestuar si pjesë e grupit është 12 persona. Në kohë të ndryshme gjatë këtij viti janë arrestuar edhe Demo Progonati, Eruon Hoti, Malton Lleshi, Dhimo Koraj dhe Aurel Lazaj.
Sipas Prokurorisë, prej vitit 2014 grupi ka qenë aktiv dhe ka dëguar drejt Italisë disa ngarkesa me kanabis. Në kohën kur punonjësi i policisë Festim Lelaj punonte në Portin e Vlorës ka lejuar trafikun e 350 kg kanabis, po me kamion. Mjeti drejtohet nga të arrestuarit Skënder Siceqa dhe Aurel Lazaj. Në trafikun nga Porti i Durrësit droga u kalua në një kamion që transportonte paleta druri dhe destinacioni përfundimtar ishte Gjermania. Në parkimin e portit personat ndërruan rimorkion dhe targën që kishte lëndë narkotike me një tjetër rimorkio, e cila ishte zhdoganuar më parë.
Efektivi i policisë u prangos disa ditë më parë, ndërsa Prokuroria arriti në përfundimin se ai luante rolin e organizatorit në trafikun e 2.5 ton kanabis nga Porti i Durrësit. Ngarkesa me drogë drejtohej drejt Gjermanisë, ndërsa kamioni me drogë ishte vulosur në Portin e Durrësit nga doganieri Altin Katundi dhe agjenti doganor Mikael Hila. Lënda narkotike ishte shënjuar si mall tranzit për të mos u kontrolluar më tutje në portin italian. Droga ishte fshehur në një kamion që transportonte dru dhe ishte ngarkuar në Fier.

Përmbytjet, 55-vjeçari nga Novosela kërkon ndihmë me lot në sy

55-vjeçari Kujtim Kapaj, mes lotëve kërkon nga qeveria jo thjesht një vlerësim dëmi, siç dhe ka ndodhur në vitin 2015, por dhe një dëmshpërblim të drejtë, që siç shprehet ai nuk e ka marrë në vitet e shkuara. Tashmë i kthyer në shtëpinë e të atit, pasi banesa e tij është dëmtuar tërësisht, ai shprehet se i ka mbetur vetëm preshi në fushë, ndaj dhe mbështetjen ai e kërkon për rimëkëmbjen e aktivitetit që ka pasur më parë.
Janë lotët dhe dhimbja, e njeriu ka humbur gjithçka që ka ndërtuar me punën e një jete. Kujtim Kapaj, 55 vjeç është një nga banorët e Fshatit Fitore të Novoselës, të cilit vërshimi i Vjosës i dëmtoi thuajse plotësisht banesën që siç thotë e ndërtoi me punën e 18 viteve në emigrim. “Unë nuk gënjej. Siç e shikoni vetë, këtu ka vajtur afërsisht 1 metër ujë, e tregojnë dritaret”, thotë Kapaj.
Ai është një nga banorët e zonave të prekura që refuzuan ndihmat ushqimore, por përgjërohet me lot në sy për mbështetje të drejtë në fazën e rimëkëmbjes. “Dua të më rregullohet shtëpia, nuk dua as makarona, as oriz, as batanije, asgjë s’dua. Vetëm të rregulloj shtëpinë. Ka dy vjet që shtëpia është katastrofë, s’kam lekë”, thotë ai.
Drama që po kalon e ka detyruar të kthehet në shtëpinë e babait të moshuar! “Po nuk kemi, jemi pa punë. Rri te babai, është pensionist. Më ushqen babai”, thotë Kapaj.
Përmbytja e këtij fillim dhjetori i ka rikthyer kujtimet e trishta të vitit 2015, ndaj këtë herë kërkon dëmshpërblim të drejtë dhe zgjidhje përfundimtare. “Të bëhet argjinatura këtu. Ta bëjnë 1 metër aty lart dhe nuk vjen më uji këtej”, thotë ai.
Uji i dëmtoi shtëpinë dhe i shkatërroi të mbjellat. “I shikon ato? Nga këto do ha unë sivjet, brokulat, këto më ngelën mua tani. Shyqyr që na mbetën dhe preshët”, përfundon Kapaj.

Përmbytjet ndotin ujin e pijshëm në Fier

Rreth 110 mijë banorë të Bashkisë së Fierit, prej të shtunës së kaluar kur Stacioni i Pompimit të Ujit në Kafaraj u përmbyt nga Vjosa, vazhdojnë të mos kenë ujë të pijshëm. Uji që rrjedh në rubineta ndalohet të përdoret për t’u pirë, por mund të shërbejë vetëm për përdorim komunal. “Vazhdon të jetë për përdorim komunal për vetë faktin, se duhet të dalin analizat mikrobike që ne të dalim e të themi që uji është higjenikisht i pastër”, thotë Anila Moçi.
Të hënën pritet që banorët e Fierit të mësojnë, se nesë uji me të cilin furnizohen mund të konsumohet, kohë gjatë së cilës shefja e sektorit të Epidemiologjisë pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik apelon banorët dhe administratorët e pallateve të pastrojnë dhe higjenizojnë depozitat. “Nga e hëna e javës tjetër ne dalim me parametrat mikrobiologjikë dhe fiziokimikë të ujit të pijshëm të Fierit. Të gjithë administratorët të ngrejnë zërin për pastrimin e bulierëve individual dhe të bodrumeve të pallateve, në të cilat kanë të vendosura pompat e ujit”, thotë ajo.
Rrjeti Ujësjellës i Fierit u ndot, pas vërshimit të Vjosës që përnmbyti zonën e Frakullës dhe Kafarajt ku ndodhen pompat kryesore.

Shpërthim tritoli në një dyqan në Fushë-Krujë

Një dyqan është hedhur në erë me tritol në Fushë–Krujë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Sipas burimeve të policisë, rreth orës 1:00 të mëngjesit një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse ka ndodhur në një dyqan në pronësi të 36-vjeçarit me inicialet E.Xh., banues në Fushë-Krujë. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, por nuk ka mundur të kapë autorin e kësaj ngjarje të rëndë. Ende nuk është përcaktuar se çfarë lënde plasëse u përdor për shpërthimin.

Plagoset me armë pronari i lokalit tek “Uji i Ftohtë”

Një 51-vjeçar është plagosur me armë në Vlorë. Policia bëri të ditur se një pronar lokali tek “Uji i Ftohtë” në Vlorë është plagosur në këmbë nga një klient. Ai u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Më datë 07.12.2017, Salla Operative Vlorë është njoftuar prej Spitalit Rajonal Vlorë se atje ka shkuar për të marrë ndihmë mjekësore një shtetas i plagosur me armë zjarri. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë pranë ambienteve të Spitalit dhe nga verifikimi ka rezultuar se shtetasi D.C., 51 vjeç, është plagosur (në këmbë), me armë zjarri gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta në lokalin e tij në lagjen “Uji i Ftohtë” prej shtetasit E.V., 46 vjeç, (klient në lokal). Policia ka bërë menjëherë shpalljen në kërkim të shtetasit E.V., dhe po punon për kapjen e ndalimin e tij si edhe për zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Në takimin me studentët e ekselencës, shkodranët nuk u lejuan të futen, frikë nga protesta

Kryeministri Edi Rama zhvilloi para pak minutash një takim me studentët e ekselencës së qytetit të Shkodrës në ambjentet e biblotekës universitare. Por, siç pretendohet në këtë takim kanë marrë pjesë studentë nga kryeqyteti ndërsa studentët e Shkodrës kanë mbetur jashtë.
Njëra nga këto studente, Elizabeta Haxhia, ka kontaktuar me Shkodra.News, duke shprehur ankesën e saj. Ajo thotë së bashkë me 30 studentë të tjerë nuk është lejuar të futet në sallë, ndërsa ato që kanë marrë pjesë në takim kanë qënë planifikuar edhe më herët.

“Dje kishim një mbledhje në ambjentet e rektoratit të universitetit të Shkodrës rreth takimit të sotëm të kryeministrit Rama me studentët e Shkodrës. Disa prej studentëve shfaqëm disa problematika. Problematika të cilat menduam t’ia shfaqnim kryeministrit Rama në takimin e sotëm, por nuk na lejuan të hynim në takim. E them me bindje të plotë që unë bashkë me 30 studenta të ekselencës u detyruam të qëndronim jashtë këtij takimi me pretekstin që nuk ka vende brenda sallës. Por, nga ana tjetër një zonjë nga Tirana doli me një listë emrash duke thirrur disa studentë të tjerë që nuk ishin në Universitetin e Shkodrës. Mos-hyrja në takim me kryeministrin na penalizon sepse donim të shfaqnim kërkesat dhe ankesat tona.” – thotë Haxhia për Shkodra.News.
Elizabeta Haxhia është një studente e ekselencës në vit të tretë për pedagogji muzikore në departamentin e arteve, por siç duket problemet e arsimit kanë bërë që mbledhja të zhvillohet me studentë të përzgjedhur.

Rama pritet me protesta nw Shkodwr: Mos hajde pwr turizwm

Ardhja e kabinetit qeveritar në Shkodër shoqërohet me “protestë” nga grupi i këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak Shkodër.
Në emër të tyre foli Bujar Hoti, kryetar i grupit të PD-së në Këshillin Bashkiak Shkodër. Ai tha se nga 22 projekte që ka aplikuar bashkia shkodër është miratuar vetëm 1 projekt. Kërkojmë që projektet të kenë vëmendjen e qeverisë.
Shkodra nuk ka nevojë për vizita turistike, por për investime.” – tha Hoti. Gjatë deklaratës për mediat u paraqitën një numër projektesh që nuk kanë gjetur financime nga qeveria sipas PD-së.

ShkodraNews

27 vjet nga Dhjetori ’90 sërish në udhëkryq

Partia Demokratike përkujtoi dhe nderoi 27-vjetorin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, guximin e të rinjve shqiptarë, që nisën lëvizjen për rrëzimin e diktaturës komuniste. Nën organizimin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në të njëjtën sallë ku 27 vite më parë mori jetë lëvizja studentore, të rinjtë demokratë, ish-protagonistë të atyre ditëve, drejtues dhe anëtarë të lëvizjes Dhjetor ’90, folën për rëndësinë e kësaj ngjarje në historinë politike të shqiptarëve.
Nën moton “Të ndërtojmë të ardhmen, duke mos harruar të shkuarën”, kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, shprehu mirënjohjen për të rinjtë e Dhjetorit ‘90, duke ftuar të rinjtë e PD-së t’i përqafojnë si model.
“Jemi mbledhur sot në Qytetin “Studenti”, këtu ku nisi gjithçka, pikërisht në tempullin e lirisë për të kujtuar guximin e jashtëzakonshëm të atyre të Dhjetorit ’90, të cilëve ne duhet t’i përulemi përjetë me mirënjohje, pasi prej tyre jetojmë sot në një sistem demokratik. Na takon ne të rinjve demokratë dhe Partisë Demokratike, që në ballë të aksionit politik, duke pasur rininë, duke pasur qytetarët e lirë të këtij vendi, duke pasur ish-të përdjekurit dhe pronarët, t’i rikthejmë shpresën e humbur këtij vendi, shpresën e humbur të rinisë shqiptare”, tha Këlliçi.
Në këtë përkujtim morën pjesë shumë prej protagonistëve si Preç Zogaj, Besnik Mustafaj etj., ndërsa Arben Sulo, ish-student i Dhjetorit, foli për simbolikën dhe rëndësinë e 8 Dhjetorit 1990. “Nuk jemi shenjtorë, të gjithë jemi egoistë apo ambiciozë, por në shpirtin demokrat nuk na e vret dot askush, sepse duhet të jemi krenarë për ç’ka jemi dhe nga vijmë. Fjala komunist është një fyerje për socialistët, por fjala demokratë është një fjalë që jep vlera dhe ata vetë mundohen ta përdorin dhe të na marrin simbolin e dy gishtave”, tha profesor Sulo.
Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha e vlerësoi si privilegj kremtimin e Ditës së Rinisë, që është dita e revolucionit demokratik paqësor, më e rëndësishmja në historinë e lirisë. Ai tha se, kjo ditë është ditë frymëzimi, pasi të rinjtë u përballën me diktaturën më mizore dhe shndërruan Qytetin “Studenti” në kështjellën e Lirisë.

Përmbysje narkoshtetit

“Mesazhi i madh i 8 Dhjetorit është guximi. Fitojnë ata që guxojnë! Përveç viteve të diktaturës, nuk kemi qenë në gjendjen që jemi sot. Por po ndërtohet narkoshteti, përderisa ministri i Brendshëm merret me trafiqe, ai është narkoshteti. Kur kryeministri nuk e dënon ministrin, ai është vetë i implikuar. Edi Rama është i implikuar, përderisa është Olsi Rama, Saimir Tahiri, janë të implikuar. Kush është zgjidhja?! Zgjidhja është guximi i rinisë, guximi dhe trimëria juaj. Ju keni 1001 arsye të ngriheni fuqishëm dhe ju garantoj ju se jeni dhjetëra herë më shumë se kjo sallë, por vetëm kjo sallë do mjaftonte për ta hedhur në Lanë këtë qeveri. Nuk kishin më shumë ata natën e parë, ditën e parë të përballjes së tyre me diktaturën, por e gjunjëzuan. A meritoni ju që të shiheni kudo si të rinjtë e Kanabistanit?! A meritoni ju që droga që prodhohet në Amerikën Latine t’i shndërrojë shqiptarët në përdoruesit e saj kryesorë në botë?! A meritoni ju që ligjin të mos e bëjë drejtësia, por ta bëjë kanabisi?! Nuk meritojnë të paguajnë studimet 4 herë më shumë se të rinjtë e Europës. Në vendet e Europës, tarifat e studentëve kanë përmbysur qeveritë e Europës dhe e kanë merituar. Historia e Shqipërisë duhet të jetë përmbysja e narkoshtetit, e përmbysjes së Edi Ramës dhe klikës së tij”, tha Berisha.
Kreu i Fondacionit Konrad Adenauer, Walter Gloss tha se Dhjetori ‘90 solli hapjen e vendit drejt demokracisë, që shumë pak e besonin. “Rruga drejt një demokracie, Shqipëria ka nevojë për dialog politik dhe axhendë të përbashket. Duhen politikanë vizionarë. Për këtë na duhet një opozitë e fortë dhe PD e bashkuar. Ne do ta mbështesim PD-në si një alternativë qeverisëse për të fituar zgjedhjet”, tha Gloss.
Patrick Voller, Sekretari i Çështjeve të Jashtme në EPP, shprehu mbështetjen e së djathtës europiane për Partinë Demokratike. “Ishte PD që gjatë kohës në qeveri futi Shqipërinë në NATO nga kryeministri i atëhershëmn Sali Berisha. Kërkojmë nga politikanët që të dëgjohet opozita dhe të përfshihet plotësisht, jo të përjashtohet”, tha Voller.
8 Dhjetori u nderua me pjesëmarrjen e krerëve të së djathtës europiane dhe botërore.
“Më vjen shumë keq për gjendjen në të cilën ndodhet rinia shqiptare. Krimi, korrupsioni, trafiku i drogës po vjedh shpresën, ëndrrat dhe të ardhmen e të rinjve. Në këtë ditë të rëndësishme dua t’ju them se, Europa është me ju, unë jam me ju dhe ne jemi përkrah jush për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për një Shqipëri europiane, demokratike dhe të zhvilluar”, tha Andrianos Giannou, President i të Rinjve të Partive Popullore Europiane.
Kryetari i Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë, Bashir Wardini uroi që demokratët të vijnë sa më shpejt në qeverisje për të ndryshuar Shqipërinë. “8 Dhjetori 1990 është një ditë shumë e rëndësishme për historinë tuaj dita në të cilën rinia marshoi në protesta për të rrëzuar sistemin tiranik të korruptuar komunist në Shqipëri dhe për të sjellë demokracinë në vendin tuaj”, tha Wardini.
Kryetari i DEMYC, komunitetit të të rinjve demokratë konservatorë të Europës, Javier Hurtado Mira shprehu shqetësimin e rrënimit të lirisë dhe institucioneve gjatë qeverisjes së socialisteve. “Unë jam tejmase i shqetësuar për gjendjen e Shqipërisë nën udhëheqjen e qeverisë socialiste, lidhjet e saj me trafikimin e drogës, lidhjet e saj me krimin dhe blerjen e votës së qytetarëve në zgjedhje. Si brez i ri, ne jemi të dedikuar dhe kemi dëshirë që një ditë Shqipëria, të jetë pjesë e familjes së madhe europiane”, tha Mira.
Presidenti i Studentëve të Partive Popullore Europiane, Virgilo Falco, tha se të rinjtë europianë do të jenë pranë atyre shqiptarë për të kaluar këto ditë të vështira. “Kam ndjerë keqardhje, pasi Belindi më ka informuar se shumë të rinj të talentuar e kanë të pamundur të ndjekin studimet për shkak të varfërisë dhe papunësisë së madhe në Shqipëri, si pasojë e krimit dhe korrupsionit që kontrollon vendin. Por jam i bindur që studentët sot, si ata të viteve ‘90 do të arrijnë të marrin në dorë fatin e vendit të tyre”, tha Falco.

Bashkë do ta ndryshojmë Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehu mirënjohje për të rinjtë shqiptarë që 27 vite më parë nisën rrugën e lirisë. “8 Dhjetori 1990, dita kur kurajo triumfoi mbi frikën, kur dëshira për liri triumfoi mbi dhunën robëruese të diktaturës. Nga kurajo e studentëve të dhjetorit dhe liderit të tyre Azem Hajdari, shqiptarët rigjetën lirinë e humbur: lirinë e mendimit, të fjalës, lirinë politike, të besimit, lirinë e lëvizjes. Liria politike në themel të dinjitetit njerëzor. Në një shoqëri ku qytetarët nuk kanë ndikim mbi mënyrën si qeverisen, nuk mund të ketë dinjitet njerëzor. 8 Dhjetori është dita e parë europiane në Shqipëri. Ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur”, tha Basha.
Lideri demokrat tha se, “Shqipëria ka bërë shumë përpara që prej Dhjetorit ‘90. “Por edhe shumë gjëra shkuan keq, shumë gjëra u vonuan, shumë të tjera qenë më të vështira seç i menduam. 27 vjet pas rënies së komunizmit, liritë politikë të shqiptarëve janë sërish të kufizuara. Shqiptarët ende nuk votojnë të lirë, se dinjiteti i tyre është i nëpërkëmbur”, tha Basha.
Ai tha se, “vendi ka nevojë sërish për forcën e të rinjve, por edhe për kurajon e dhjetoristëve dhe të gjithë shqiptarëve”. “Në vend që në Shqipëri të flitet për politika moderne, biznese të reja, flitet për pastrim të Parlamentit nga kriminelët, për banda trafikantësh, për pastrim parash. Në ‘90-ën regjimi përdori dhunën e ideologjisë, në 2017 po përdoret krimi ordiner për të dhunuar liritë e shqiptarëve, duke i detyruar të braktisin vendin. Sot, Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë gjatë këtyre tre dekadave për forcën, idealizmin, kurajën e dhjetoristëve”, tha Basha.
Kreu i demokratëve tha se bashkë do të përballemi me këtë të keqe dhe së bashku do të ndryshojmë Shqipërinë.
“Shqipëria gjendet përsëri në një udhëkryq mes politikës së kriminalizuar dhe vlerave të lirisë. Edhe një herë, kjo sfidë është sfida e rinisë. Sytë e çdo shqiptari janë nga ju. Mos kini asnjë dyshim në forcën tuaj dhe në aftësinë tiaj! Nuk ka regjim, nuk ka qeveri që mund t’u bëjë ballë 1 qind, 1 mijë, 10 mijë të rinjve të vendosur e të bërë bashkë për liri, për drejtësi, për mundësi. Të rinjve që duan të ikin u bëj thirrje të qëndrojnë, të mos ikin! Të përballemi, të luftojmë dhe të fitojmë mbi të keqen! Bashkë do të ndryshojmë Shqipërinë”, tha Basha.
Kreu i FRPD-së, së bashku me kryetarin Basha, z. Berisha, z. Gloss dhe z. Voller shpërndanë 27 karta anëtarësimi për të rinjtë në simbol të 27 viteve të Lëvizjes së Dhjetorit.
Të pranishmit zhvilluan homazhe pranë shtatores së Azem Hajdarit në Qytetin “Studenti”, atje ku 27 vite më parë nisi rrugëtimi i lirisë së shqiptarëve. Kreu demokrat Basha shprehu besimin se e mira do të triumfojë dhe e keqja do të mposhtet.

Mesazhet e drejtuesve të forumeve të djathta botërore

1. Andrianos Giannou
President i të Rinjve të Partive Popullore Europiane
Jam shumë i gëzuar dhe i nderuar që ju drejtohem në këtë ditë të veçantë dhe të rëndësishme për ju, duke përkujtuar kurajon, forcën dhe qëndresën e të rinjve shqiptarë ndaj regjimit më të egër që Europa ka hasur ndonjëherë.
Falë rezistencës, rinia shqiptare qëndron krah për krah me rininë europiane, dhe jemi shumë të lumtur për miqësinë tonë. Po ashtu jemi të përkushtuar për të qenë pranë jush në përballjen e sfidave në vijim. Më vjen shumë keq për gjendjen në të cilën ndodhet rinia shqiptare. Krimi, korrupsioni, trafiku i drogës po vjedh shpresën, ëndrrat dhe të ardhmen e të rinjve. Në këtë ditë të rëndësishme dua t’ju them se, Europa është me ju, unë jam me ju dhe ne jemi përkrah jush për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për një Shqipëri europiane, demokratike dhe të zhvilluar. Miq të dashur, ju nuk jeni më vetëm si në vitet ’90, jemi sëbashku dhe do të luftojmë sëbashku.

2. Bashir Wardini
Kryetar i Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë
Unë jam Bashir Wardini, kryetari i Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë, koalicioni më i madh botëror i qendrës së djathtë. Në këtë pozicion kam zëvendësuar kryetarin e mëparshëm Gerti Bogdani. 8 Dhjetori 1990 është një ditë shumë e rëndësishme për historinë tuaj, dita në të cilën rinia marshoi në protesta për të rrëzuar sistemin tiranik të korruptuar komunist në Shqipëri dhe për të sjellë demokracinë në vendin tuaj. Në këtë ditë përkujtoni rininë që ishte para jush, sepse rinia është gjithmonë ajo që sjell ndryshime në një vend. Gjithashtu, si rini ju ftoj të punoni që në zgjedhjet e ardhshme të sillni në pushtet Partinë Demokratike. Urime të përzemërta nga Bejruti dhe Faliminderit!

3. Javier Hurtado Mira
Kryetar i DEMYC, komunitetit të të rinjve demokratë konservatorë të Europës
Sot ndodhem në zyrat e DEMYC në Bruksel dhe megjithëse ndihem pranë jush, më vjen keq që nuk jam sot fizikisht në Tiranë me ju, por dua t’ju shpreh mbështetjen tonë në DEMYC. Unë jam tejmase i shqetësuar për gjendjen e Shqipërisë nën udhëheqjen e qeverisë socialiste, lidhjet e saj me trafikimin e drogës, lidhjet e saj me krimin dhe blerjen e votës së qytetarëve në zgjedhje. Si brez i ri, ne jemi të dedikuar dhe kemi dëshirë që një ditë Shqipëria, të jetë pjesë e familjes së madhe europiane. Por, mënyra se si po drejtohet shteti nga socialistët, nuk është në rrugën e drejtë për demokracinë, nuk është rruga për lirinë e vërtetë për vendin tuaj. Ju vuani ende nga e shkuara komuniste dhe ne nuk duam që në Europë të shkohet në këtë mënyrë, pa institucione demokratike. Prandaj ne sot po ju dërgojmë këtë mesazh që ju të keni fat në betejat e përditshme.
Shpresojmë të jeni të suksesshëm dhe shprehim mbështetjen tonë.

4. Virgilio Falco
President i Studentëve të Partive Popullore Europiane
I dashur Belind, Unë jam shumë i lumtur sot, që ju drejtohem në këtë ditë historike të kryengritjes studentore, e cila solli ndryshimin e madh dhe historik për Shqipërinë. Jam veçanërisht i lumtur për këtë ditë dhe për atë që simbolizon. Duke qenë se jam Presidenti i Studentëve Demokratë të Partive Popullore Europiane, kam takuar shumë studentë shqiptarë, të shkëlqyer në mësime, me një dashuri të madhe për vendin e tyre dhe dëshirë për të kontribuar dhe ndryshuar atë. Dhe kujtesa e faktit që studentet ishin të parët, që u ngritën kundër regjimit komunist, sfiduan frikën dhe terrorin, e ndihmon këdo të kuptojë dëshirën e madhe të studentëve që studiojnë sot në universitetet më të mira të botës për të kontribuar për vendin e tyre. Kam ndjerë keqardhje, pasi Belindi më ka informuar se shumë të rinj të talentuar e kanë të pamundur të ndjekin studimet për shkak të varfërisë dhe papunësisë së madhe në Shqipëri, si pasojë e krimit dhe korrupsionit që kontrollon vendin. Por jam i bindur që studentët sot, si ata të viteve ‘90 do të arrijnë të marrin në dorë fatin e vendit të tyre.

Pa votë të lirë 27 vjet nga Dhjetori ’90

Lulzim BASHA

Më lejoni të ndaj në fillim të fjalës sime, dy emocione të jashtëzakonshme që më përshkrojnë sot. I pari, i kujtesës së domethënies së 8 Dhjetorit, cili më transporton me shpejtësi nga ky moment, tek ditët kur isha më i ri, ose më i riu prej jush në këtë sallë. Dhe ky emocion merr sot formën e mirënjohjes më të thellë dhe përkuljes më të madhe me krenari të thellë kombëtare ndaj dhjetoristëve, me në krye Azem Hajdarin e pavdekshëm. Me respektin më të jashtëzakonshëm ndaj intelektualëve, përfaqësuesve të studentëve të Dhjetorit, shumë prej të cilëve i shoh sot në këtë sallë, krah për krah rinisë demokrate dhe për të cilët, kanë në zemrën time, mirënjohjen më të thellë si shqiptar, si demokrat dhe si kryetar i partisë që lindi për shkak të sakrificës dhe përpjekjes së tyre. Emocioni i dytë që më përshkon sa herë që jam në mesin tuaj, është emocioni që dini të falni vetëm ju, rinia demokrate, Forumi Rinor i PD, për të cilin ju falenderoj nga zemra.
Jemi mbledhur sot këtu për 8 Dhjetorin që është një ndër ditët më të bukura të historisë tonë. Është një ditë e madhe për atë që solli, por mbetet një ditë e madhe për mesazhin dhe domethënien që vazhdon të ketë çdo dhjetor, e do të vazhdojë të ketë në përjetësi. 8 Dhjetori 1990 ishte dita kur triumfoi kurajo mbi frikën, kur triumfoi dëshira për liri mbi dhunën robëruese të diktaturës. Nga kurajo e studentëve të dhjetorit dhe liderit të tyre të pavdekshëm Azem Hajdari, shqiptarët rigjetën lirinë e humbur: lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes, lirinë politike, lirinë e besimit në Zot, lirinë e lëvizjes.

Dita e triumfit të përpjekjeve për dinjitet njerëzor

Por 8 Dhjetori ishte po kështu dita e triumfit të përpjekjeve për dinjitet njerëzor. Lëvizja e Dhjetorit nisi së pari, si refuzim i studentëve për t’u trajtuar si turmë e nënshtruar, të cilën mund ta shtypnin, mund ta shpërfillnin, mund ta fyenin dhe turpëronin, ta linin në varfëri, pa dritë dhe pa ngrohtësi. Studentët kërkuan dinjitet, kërkuan respekt për vlerat njerëzore. Kjo kërkesë për dinjitet njerëzor çoi natyrshëm në kërkesën për liri politike për pluralizëm, sepse liria politike është në themel të dinjitetit njerëzor. Nuk mund të ketë dinjitet njerëzor pa liri politike. Në një shoqëri, ku nuk ka liri politike, ku njerëzit nuk kanë asnjë ndikim mbi mënyrën si qeverisen dhe se nga kush qeverisen, nuk mund të ketë as dinjitet njerëzor, nuk mund të ketë as vlera njerëzore.
Kjo kërkesë për dinjitet njerëzor çoi natyrshëm në kërkesën për liri politike për pluralizëm, sepse liria politike është në themel të dinjitetit njerëzor. Nuk mund të ketë dinjitet njerëzor pa liri politike. Në një shoqëri ku nuk ka liri politike, ku njerëzit nuk kanë asnjë ndikim mbi mënyrën si qeverisen dhe se nga kush qeverisen, nuk mund të ketë as dinjitet njerëzor, nuk mund të ketë as vlera njerëzore. Por studentët e dhjetorit u ngritën edhe kundër sundimit të injorancës dhe sundimit errësirës. Injorancës së klasës qeverisëse dhe injorancës, ku ishte braktisur shoqëria shqiptare. Në thirrjet e e studentëve, urrejtja ndaj diktatorit Enver Hoxha u përzie përherë me talljen ndaj lolove qesharake të byrosë politike dhe injorantëve, që kishin dalë në krye të vendit, sepse atje, ku nuk ka liri dhe ku nuk ka konkurencë, në krye dalin përherë injorantët.
Ata u ngritën edhe kundër errësirës së mendjes. Që në orët e para, që ditët e para, ata brohoritën fjalët e ndaluara të Fishtës, të Koliqit, të Frostit, të Xhon Lenonit. Injoranca është mjeti kryesor i diktaturave dhe Lëvizja Studentore shembi edhe murin e injorancës dhe izolimit mendor, që kishte ngritur diktatura. 8 Dhjetori ishte dita kur Shqipëria u ritakua me Europën, kur shqiptarët u rikthyen tek vlerat europiane. Prandaj 8 Dhjetori mund dhe duhet të quhet pa frikë Dita e parë europiane në Shqipëri, pas një gjysëm shekulli endje nëpër humbëtirat e Lindjes. 8 Dhjetori ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur, drejt ëndrrave më të bukura tonat, drejt fitimit të kohës së humbur. Në atë fillim rrugëtimi, ne besonim si askush tjetër në botë, tek liria dhe tek e ardhmja jonë.
Është e padiskutueshme që Shqipëria është transformuar rrënjësisht, që atë ditë. Në shumë drejtime, përparimi është i paimagjinueshëm, i pakrahasueshëm, sepse liria bëri punën e saj dhe shpirti i paepur i shqiptarëve dhe në veçanti i rinisë, bëri pjesën tjetër. Në kthimin e tyre tek liria, shumë shqiptarë e në veçanti shumë të rinj zbuluan botën dhe, shkëlqyen në shumë vende të botës, duke provuar vlerat e mrekullueshme të individit tonë, të shqiptarit, të punës të tij, të imagjinatës dhe shpirtit të tij. Por nga ana tjetër, jo gjithçka shkoi siç e kishim menduar. Disa gjëra shkuan keq, shumë gjëra u vonuan dhe ishin më të vështira sa ç’i menduam 27 vite më parë atëherë.

Sot Shqipëria sërish mbetet kombi më i izoluar në Europë

Sikur në ditët e Dhjetorit 1990, dikush t’u kishte thënë studentëve, të cilët luftuan dhe sollën lirinë politike, se 27 vite më vonë, të rinjtë e Shqipërisë do të kërkonin mundësitë dhe dinjitetin e tyre nëpër botë dhe jo në atdhe, me siguri do t’i merrnin për të çmendur. Nëse atëhere dikush do t’u thoshte studentëve se edhe pas 27 vitesh, ne do të vazhdonim të ishim një ndër vendet më të izoluara nga Europa, do të mendonin që dhe do të ishte tallje. Por fatkeqësisht, kjo është gjendja ku jemi katandisur sot. 27 vjet pas rënies së komunizmit, liritë politike të shqiptarëve janë sërish të kufizuara, se shqiptarët ende nuk votojnë të lirë, se dinjiteti i tyre është i nëpërkëmbur, mundësitë e tyre për përparim njerëzor dhe shoqëror janë më të vogla se në çdo vend tjetër në Europë, nga e cila vazhdojmë të mbetemi një nga kombet më të izoluara.
Ndërsa bota perëndimore ka arritur një mirëqenie dhe përparim të paimgjinueshëm edhe për ata vetë para 2-3 dekadash dhe nuk ndalet në ecjen e saj përpara, Shqipëria është sot e mbytur nga problemet që përjetohen vetëm në vendet më të prapambetura të Azisë dhe Afrikës. Është e paimagjinueshme që sot në Shqipëri, në vend që të flitet për biznese të reja nga rinia, për përparime teknologjike, për arsim dhe dije, flitet për një bandë trafikantësh injorantë dhe mizorë. Në vend që të diskutojmë dhe punojmë për zgjidhjet dhe politikat më efektive, luftojmë si të pastrojmë Parlamentin dhe qeverinë nga kriminelë ordinerë që kanë trafikuar, përdhunuar dhe vrarë.
Në vend që të mendojmë si të përmirësojmë sistemin bankar për të nxitur ekonominë me kredi të favorshme për të rinjtë që duan të hapin biznese, diskutojmë si ta shpëtojmë sistemin bankar dhe ekonominë nga paratë e pista të krimit. Në vend që të investojmë dhe prodhojmë, kemi përfunduar në një ekonomi që vetëm importojmë dhe shet. Në vend që të mendojmë për më të pamundurit mes nesh, e t’u gjendemi në krah atyre, grave, nënave kryefamiljare, të rinjve dhe të rejave, ne diskutojmë si të ndalojmë një grusht politikanësh të korruptuar dhe oligarkësh grabitqarë që të mos plaçkisin vendin.

Koha për të reflektuar mbi idealet e dhjetoristëve

Para Dhjetorit të 1990, një grusht njerëzish mizorë përdorën ideologjinë për të nënshtruar, dhunuar dhe plaçkitur një popull të tërë për privilegjet e tyre, sot dhuna nuk ushtrohet në emër të ideologjisë, por të krimit të bërit njësh me politikën dhe të politikës të bërë njësh me krimin.
Ndërsa propaganda vazhdon si dikur, për të gënjyer, për të manipuluar dhe për të mbajtur njerëzit në padije ndaj të vërtetës, për t’i sunduar me të njëjtët mekanizma. Njësoj si në vitet e para të tranzicionit, sërish qëllimi kryesor i shqiptarëve është të ikin. Por ndërsa ikja e atëhershme ishte motivuar nga dëshira për të prekur dhe gëzuar sa më parë lirinë dhe mirëqenien perëndimore, ikja e sotme është nga dëshpërimi, nga fjalët dëshpëruese se, ky vend mund të mos bëhet kurrë. Ndaj sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, bashkë me respektin e thellë dhe mirënjohjen më të madhe ndaj sakrificës së Dhjetoristëve, në praninë e kësaj salle ekzaltuese, luftëtarsësh të lirisë, të betejave që kemi bërë dhe do të bëjmë së bashku, unë dua që t’ju ftoj të gjithë të kthejmë sytë sërish nga Dhjetori 1990 dhe të reflektojmë.
Studentët dhe pedagogët e Dhjetorit ’90, sot shikojnë mbrapa me krenari. Për shumë prej tyre energjia, dashuria, pasioni, energjia, shpresat dhe ëndrrat që u ndezën ato ditë, janë edhe sot energjia më frymëzuese në jetën e tyre. Solidariteti që ata kërkuan dhe gjetën tek njëri-tjetri ishte mrekullia që solli çlirimin nga frika. Bashkimi me njëri-tjetrin për këtë shpresë të madhe ishte çelësi magjik që mposhti frikën dhe ngriti kurajon. Kështu ata gjetën me këtë kurajon u ngritën, luftuan dhe fituan kështu ndryshuan Shqipërinë dhe jetët e miliona shqiptarëve. Nëse të njëjtën gjë do të bëjë dhe brezi i sotëm, Shqipëria do të ecë përpara. Sepse nuk është vonë. Sot, Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë më parë, gjatë këtyre tre dekadave për atë forcë, për atë idealizëm, për atë kurajë të Dhjetoristëve.

Rinia do të marrë në dorë fatet e vendit

Sepse sot gjendemi në një udhëkryq: nëse do të humbasim të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve të marrë peng nga një grusht politikanësh të inkriminuar, apo do t’u rikthehet vlerave të lirisë, të dinjitetit njerëzor dhe të Evropës. Përsëri edhe një herë, po kësaj radhe më shumë se kurrë më parë, kjo sfidë është sfida e rinisë. Sytë e çdo shqiptari janë nga ju, janë nga rinia shqiptare.
Dhe unë e di se, ju rinia shqiptare, rinia demokrate, rinia e çiltër dhe e panjollosur, do ta merrni në dorë këtë mision. Kini besim, kini besim, besim total të palëkundur në forcën tuaj dhe në aftësinë tuaj. Sot ju bëj thirrje, mos zgjidhni largimin, zgjidhni përpjekjen, përballjen.
Bëjeni zërin tuaj të buçasë, guxoni, ngrihuni, luftoni ta ndryshojmë Shqipërinë.
Partia Demokratike, bija tjetër së bashku me lirinë politike e Dhjetorit 1990, do të jetë përherë me ju. Me rininë në ballë të përpjekjes, ndryshimi do të vijë, dhe do të vijë shpejt!
Mirënjohje përjetë studentëve liberatorë! Zoti e bekoftë Rininë shqiptare! Zoti e bekoftë Shqipërinë!;

Vetëm kjo sallë do të mjaftonte për të hedhur në Lanë këtë qeveri!

Sali BERISHA

Është nder, privilegj i madh të kremtojmë sot (dje) së bashku Ditën e Rinisë shqiptare, që është dhe dita e revolucionit demokratik paqësor, më madhështor, më të rëndësishëm në historinë e lirisë së shqiptarëve, ajo që quhet Lëvizje Studentore e Dhjetorit.
Miqtë e mi, historia është një e shkuar dhe natyrisht të merresh shumë me të edhe nuk duhet, por sa herë kujton këtë ditë, frymëzohesh, frymëzohesh dhe vetëm frymëzohesh. 8 dhjetori është ditë frymëzimi. Si sot 27 vjet më parë bashkëmoshatarët tuaj, u ngritën mbi frikën, dhunën, terrorin dhe u përballën në këtë qytet të bekuar, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me diktaturën më staliniste, më barbare, më çnjerëzore që Europa kishte njohur në historinë e saj. U ngritën me një kurajo të jashtëzakonshme dhe së pari çliruan qytetin e tyre, e shndërruan këtë qytet në kështjellën e lirisë së shqiptarëve, hapën dyert e lirisë për shqiptarët.
Dua t’u adresohem ju, audiencës së rinisë së sotme, fantazia dhe imagjinata juaj nuk ka fund, por përsëri ajo nuk rrok dot guximin e jashtëzakonshëm të atyre ditëve të bashkëmoshatarëve tuaj. Kjo sepse, ata në atë kohë dhe ju që jeni këtu, nuk jeni të vetëdijshëm për forcën e jashtëzakonshme shpirtërore që ju keni. Në vitin 1990 ne nuk mund të krahasoheshim as me Korenë e Veriut të sotme. Pak ditë më parë ndofta keni parë në lajme, në YouTube apo dhe portale, se si 3-4 ushtarë të Koresë së Veriut ekzekutuan shokun, bashkëmoshatarin e tyre sepse po arratisej, po ecte drejt hapësirës së lirisë. Po çfarë ndodhte në Shqipërinë e viteve ‘90?
Në Shqipërinë e viteve ‘90 ishin ekzekutuar me regjistër të Ministrisë së Brendshme 96 të rinj, djem dhe vajza, të cilët pasi e hoqi diktatura nenin e tradhtisë së lartë për arratinë, u nisën të gjenin botën e lirë, të gjenin lirinë.
Jo vetëm kaq, por akoma më makabër. Trupat e disa prej tyre zvarriteshin ditën për diell, në Sarandë, Gjirokastër, Korçë, në Shkodër vetëm për të mbjellë terror kudo. Në memorien time më të hershme më kujtohet kur, trupa të bërë shokë të atyre që quheshin diversantë, na vendoseshin afër shkollës për të na tmerruar, apo i shëtisnin nëpër qytete të tjera. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri vetëm në vitet ’50, por dhe në Shqipërinë e viteve ’90, vetëm e vetëm për të ulur poshtë kokën e shqiptarëve, për t’i tmerruar dhe terrorizuar ata.
U ndala në këto shembuj për të treguar se cilat ishin përmasat e guximit të atyre të rinjve, të atyre vajzave dhe djemve të udhëhequr nga Azem Hajdari që u ngritën natën e 8 dhjetorit, dolën në shesh dhe u përleshën me diktaturën. I goditi pabesisht ai që i priti. Të nesërmen nuk u strukën, nuk u shpërndanë në shtëpitë e tyre, por të nesërmen, këta vajza dhe djem u mblodhën përsëri në atë shesh dhe u nisën për të pushtuar bulevardin e Tiranës me një akt epik heroizmi.
Sot kanë kaluar 27 vjet dhe përsëri kjo datë e bekuar në historinë e lirisë së shqiptarëve ka një mesazh të madh. Mesazhi i madh i saj është guximi. Guximi. Fitojnë ata që guxojnë!
Asnjë nuk besonte përveç studentëve në fitoren e tyre, nuk besonin se do të gjunjëzonin diktaturën. Por ata besonin, ata ishin trima, ata u rrahën në mënyrë barbare në rrugë dhe u mblodhën fill mbrapa për t’i dhënë goditjen tjetër diktaturës.
Ku jemi sot pas 27 vitesh?! Cilido ngado ju, se unë jam i bindur që ju e doni vendin, se në idealet tuaja keni një Shqipëri, më të bukurën që mund të ekzistojë, unë e di se ju dëshironi shumë që energjitë tuaja t’ia kushtoni këtij vendi siç ishte ëndrra e studentëve të dhjetorit ‘90, ta bëni atë si gjithë Evropa!
Po sot ku jemi? Veç viteve të zeza të diktaturës, kurrë nuk kemi qenë në këtë gjendje. Ju lexoni çdo ditë mediat e botës, vetëm kronikë negative për Shqipërinë; “Kanabistan”, “Droga e Shqipërisë në zemër të Europës”, “Narkoshtet” etj. Dhe po ndërtohet narkoshteti, se kur ministri i Brendshëm bën trafiqe atëherë ai është narkoshteti. Kur kryeministri nuk e dënon ministrin e Brendshëm, atëherë ai është vetë i implikuar. Nuk është Karzai po është i vëllai i Karzait.
Ngremë pyetjen a është i implikuar Edi Rama? Po, është i implikuar përderisa është i implikuar Olsi Rama, Saimir Tahiri e të gjithë me radhë. Kush është zgjidhja? Zgjidhja është vetëm guximi juaj, trimëria juaj. Ju keni 1001 arsye të ngriheni fuqishëm dhe unë ju garantoj ju se ju jeni dhjetëra herë më shumë se kjo sallë, por dhe vetëm kjo sallë do të mjaftonte për ta hedhur në Lanë këtë qeveri.
Nuk ishin më shumë ata natën e parë, ditën e parë të përballjes së tyre me diktaturën, por e gjunjëzuan.
A meritoni ju t’i shndërrojë shqiptarët ai në përdoruesit më të madh të drogës? Që droga të bëjë drejtësinë? A meritoni ju që shqiptarët duan të ikin?
A meritoni ju që të shiheni kudo si përfaqësues të Kanabistanit? A meritoni ju që droga që prodhohet në Amerikën Latine t’i shndërrojë shqiptarët në përdoruesit e saj më të mëdhenj në botë? A meritoni ju që ligjin të mos e bëjë drejtësia, por ta bëjë kanabisi? A meritoni ju që sot, mirë në vitin ‘90 që të ardhurat për frymë ishin 204$, po sot të gjithë, mjekë, inxhinierë, të largohen nga Shqipëria, nga ky vend i pasigurtë?
A meritoni ju të paguani për studimet tuaja universitare katër herë më shumë se sa paguajnë në Austri, se në Gjermani, se në çdo vend të BE? Prindërit tuaj janë më të varfërit. Atyre iu dridhet dora dhe buza për të siguruar paratë për ju. Pse? Se një njeriu i teket “unë do bëj shtet” duke trefishuar – katërfishuar tarifat për ju.
Sepse ky njeri i kapur nga klientela, barazon çmimet e publikut me privatin vetëm për të mbajtur të gjallë universitete, të cilat kurrë nuk duhen mbajtur me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Universitete të klientelës.
Në historinë e Europës, studentët kanë përmbysur qeverira demokratike dhe e kanë merituar. Historia e Shqipërisë duhet të jetë historia e përmbysjes së narkoshtetit, historia e përmbysjes së Edi Ramës, klikës së tij.
Edhe një herë një përshëndetje të përzemërt të gjithë studentëve të ‘90-ës, por më të përzemërt studentëve të sotëm, të rinjve të sotëm kudo që janë.!

Për të tretin vit rradhazi ulet numri i studentëve

Numri i studentëve që ndjekin arsimin e lartë në universitetet publike për të tretin vit radhazi është futur në cikël rënës.
Sipas të dhënave të INSTAT në vitin shkollor 2017 ndoqën studimet e larta në universitet publike 115, 093 studentë me një rënie 5 për qind në raport me një vit më parë. Ky është viti i tretë me rënie në nivelin e lartë të studimeve në universitetin shtetëror, pas kulmit në të cilin shënoi numri i tyre gjatë vitit 2013-2014.
Ekspertët e tregut pohojnë se, rënia po vjen për disa arsye që lidhen me zgjerimin e tregut privat të universiteteve private, rritjen e tarifave për studimet master në sektorin publik dhe faktorët e tjerë demografikë që lidhen me emigracionin e lartë ndër të rinj dhe plakjen e popullsisë.
Gjatë vitit 2015, tarifat e studimeve master në sektorin publik të arsimit të lartë u rriten me mbi 20 për qind. Bashkë me disa tarifa shërbimesh që studentet paguajnë në universitetet e shtetit tani pagesat master kanë shumë pak diferencë me privatin. Teksa numri i studentëve në shtet ra, në ato private në vitin 2016 erdhi me rritje me një shtesë prej rreth 1 mijë studentësh, teksa numri i tyre për vitin 2017 ende nuk është zyrtarizuar.
Por faktori demografik duket se do të jetë vendimtar për popullimin e universiteteve në vijim. Gjithnjë e më shumë të rinjtë shqiptarë të demotivuar se sistemi studimeve të larta është larg tregut të punës po orientohen të studiojnë jashtë vendit apo edhe të emigrojnë.
Përgjatë këtyre 3 viteve shpenzimet për të studiuar jashtë janë rritur më 94%. Sipas Kombeve të Bashkuara përgjatë vitit 2015 zëri i shpenzimeve të Shqipërisë për edukim kapi shifrat e 10.6 milionë dollarë, ndërsa në vitin 2013 ky zë ishte rreth 5.5 milionë dollarë.
Projeksionet për të ardhmen janë për një rënie të mëtejshme, për shkak të uljes drastike të nxënësve të regjistruar në arsimin fillor.
Sipas statistikave të INSTAT, në vitin shkollor 1996-1997 kishte 560 mijë nxënës të regjistruar në arsimin 9-vjeçar. Sot, pas 20 vitesh, numri i tyre ka rënë me rreth 217 mijë, apo gati 40% më pak.
Rënia e numrit të nxënësve ka ardhur në proporcion të drejtë me tkurrjen e peshës së grup moshave të reja. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1989, popullsia në moshën 0-14 vjeç ishte rreth 1 milion persona, ndërsa në vitin 2017 ka zbritur në vetëm rreth 522 mijë persona, pothuajse përgjysmim. Pesha e popullsisë 0-14 vjeç ka zbritur në 18% të totalit, nga 32% që ishte në vitin 1989.
Në të kundërt, teksa vendi ka përjetuar pas viteve ’90 rënien e lindshmërisë dhe emigracionin masiv, ku janë larguar më së shumti moshat e reja, është rritur pesha e të moshuarve. Popullsia mbi 65 vjeç zinte 13% të totalit në vitin 2017, nga vetëm 7.4% në vitin 2001, po sipas INSTAT.
Ky ndryshim i strukturës së popullsisë pritet të ketë efekte të rënda në një të ardhme të shpejtë, si në strukturën e forcës së punës, kërkesë ofertën për punë (me ndikim në profilet e universiteteve) ashtu dhe në skemën e pensioneve dhe kostos për kujdesin e të moshuarve.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017 popullsia në grupmoshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më energjike e tregut të punës, ra me 162 mijë persona në krahasim me vitin 2001, ose me 11.6%. Rënien më të fortë shihet ta ketë grupmosha 15-19 vjeç, me më shumë se 24%. Më tej, rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 35-45 vjeç, kur në vitin 2017 numërohen 330 mijë persona më pak se në vitin 2001.
Më pas, struktura e popullsisë në moshë pune shënon rritje të fortë për moshën 45-64 vjeç, duke u shtuar me 208 mijë persona ose 38% në krahasim me vitin 2001.