19.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

KLSH: Borxhi doganor rritet në 180 milionë euro

Një auditim në Drejtorinë e Përgjithshme në Doganave që ka përfshirë vitin 2016 ka dalë në përfundim se borxhi doganor është rritur me të paktën 13.4 për qind në raport me vitin paraardhës. Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se, ky borxh ka prekur vlerën 180 milionë euro dhe pjesa më e madhe e tij nuk është principali, por gjobat që zënë 61% të tij.
“Nga auditimi i borxhit doganor u konstatua se, detyrimet e pa mbledhura në fund të vitit 2016 janë në vlerën 24,787,915 mijë lekë, të cilat krahasuar me vitin paraardhës janë rritur në total për shumën 3,330,433 mijë lekë ose në masën 13.4%. Në totalin e borxhit detyrimet doganore rezultojnë në vlerën 6,750,592 mijë lekë, ose 27% e totalit të borxhit, gjobat janë në vlerën 15,135,112 mijë lekë ose 61% dhe kamatëvonesat në vlerën 2,902,211 mijë lekë ose 12% të totalit të borxhit”, thuhet në raport.
Vetëm gjatë vitit 2016, borxhi është rritur me mbi 4.4 miliardë lekë, duke i takuar të paktën 3463 raste subjektesh, ndërkohë që është pakësuar me pak më shumë se 1 miliard që i takon shlyerjes së 3557 raste subjektesh debitorë.
“Tendenca e borxhit doganor në vitin 2016 si raport i pakësimit kundrejt shtesës gjatë vitit është në masën 44.08% më shumë rritje borxhi doganor dhe borxh akcize”, vlerëson KLSH.
Lidhur me situatën KLSH ka rekomanduar që sektori i Rikuperimit me Forcë të Borxhit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në bashkëpunim me Degët Doganore, të bëjë një analizë të thelluar të rasteve të shtuara të mosarkëtimit të borxhit dhe rrugëve të zgjidhjes për rikuperimin e këtyre detyrimeve. Po kështu është sugjeruar që borxhi i lindur si rezultat i shkeljeve të legjislacionit të akcizës të analizohet sipas natyrës së lindjes së detyrimeve me qëllim parandalimin në të ardhmen.

Papunësia, një në katër i papunë

Papunësia te të rinjtë është një plagë e kahershme në vendin tonë, por jo vetëm. Kriza ekonomike botërore e dhjetë viteve më parë ka bërë që shumë shtete europiane të zhyten në një spirale të rrezikshme sa i përket papunësisë, dhe të rinjtë janë gjithmonë më të prekurit. Shifrat e fundit zyrtare në vendin tonë flasin për një normë papunësie të të rinjve në 26.4%.
Në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2015, kur preku rekordin prej 34.2%, norma e papunësisë te të rinjtë ka pësuar një rënie të ndjeshme. Por në këtë pjesë duhet të themi se shifra nuk është reale, pasi në pjesën dërrmuese bëhet fjalë vetëm për formalizim të vendeve të punës, si pasojë e reformës dhe jo punësim real. Gjithsesi, këto janë shifrat.
Me një papunësi te të rinjtë në 26.4%, në rast se Shqipëria do të ishte pjesë e familjes së përbashkët europiane, do të ishte vendi i 5-të me papunësinë më të lartë në këtë drejtim, pas Greqisë, Spanjës, Italisë dhe Qipros. Tre prej këtyre shteteve shkuan në prag falimenti dhe u shpëtuan vetëm nga kreditorët, ndërkohë që Italia shkoi shumë pranë kolapsit.
Kur bëjmë krahasimin nuk duhet të harrojmë as faktin se, të dhënat e Eurostat i referohen grupmoshës nga 15 deri në 25 vjeç, dhe jo 15 deri në 29 si Instituti jonë i Statistikave, Pra, nëpër Europë, të rinjtë e moshës nga 25 deri në 29 vjeç nuk hyjnë në këtë statistikë, dhe këta janë grupmosha që ka më shumë predispozicion për t`u punësuar, për shkak të arsimit dhe eksperiencës. Në kushte të barabarta situata do të ishte krejt tjetër, e ndoshta Shqipërinë do ta shihnim në krye të kësaj liste.

Banka Botërore, plakja në Ballkan shqetësuese për rritjen e ekonomisë

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria po plaket me ritme të shpejta, teksa popullsia parashikohet të vazhdojë të rënie. Banka Botërore në një analizë të fundit për rajonin raportoi se, trendi i plakjes së popullsisë po krijohet nga normat e ulëta të fertilitetit të shoqëruara me emigracion të lartë. Shkalla e fertilitetit rajonal ra nga 3.9 në 1.6 fëmijë për grua gjatë 1965-2015. Emigracioni parashikohet të vazhdojë të reduktojë popullsinë e rajonit, megjithëse jo aq shumë sa në të shkuarën. Bosnja dhe Hercegovina, e cila ka moshën mesatare më të lartë në mesin e gjashtë vendeve me 41.5 vjeç në vitin 2015 për të arritur në 53.9 në vitin 2065, e dyta më e lartë në botë. Nëse vendet e Ballkanit nuk marrin masa për të frenuar përkeqësimin e situatës, Banka Botërore thotë se, vendet do të përballen me ulje të produktivitetit, pasi plakja në rajon do të ulë pjesëmarrjen e fuqisë punëtore dhe do të frenojë rritjen mesatare vjetore të të ardhurave për frymë me 0.4 pikë përqindjeje gjatë 50 viteve të ardhshme. Banka Botërore analizon se plakja popullatës do të çojnë në një dyfishim të varësisë së të moshuarve ndaj moshës së punës nga viti 2015 deri në vitin 2050. Në tre dekadat e ardhshme përfitimi nga dividendit demografik do të jetë zhdukur në Ballkan dhe të ardhurat për frymë do të përkeqësohen. Në fillim të vitit 2017, popullsia në Shqipëri ishte 8 mijë persona më pak se parashikimet e INSTAT-it për këtë vit, sipas të dhënave zyrtare. Rënia në raport me pritshmëritë ka qenë më fatale për grupmoshën 0-15 vjeç, ku tkurrja ka qenë me 10 mijë të rinj më pak sesa pritej. Në të kundërt, të moshuarit po rriten me shpejtësi. Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011, kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 18.8% të krejt totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011.

Pacientët me talasemi thirrje qeverisë: Të rimbursohet medikamenti i ri

Shoqata e pacientëve të prekur nga talasemia i bën thirrje qeverisë që të përfshijë në listën e rimbursimit për vitin 2018 medikamentin e ri “Jadenu” që trajton këtë semundje. Sipas kryetarit të Shoqatës, medikamenti jep një efekt afatgjatë tek ata pacientë me mbingarkesë kronike të hekurit të shkaktuar nga transfuzioni i gjakut. Shoqata e pacientëve që vuajnë nga talasemia apelon Ministrinë e Shëndetësisë për rimbursimin e medikamentit të ri, që trajton këtë sëmundje. “Jadenu”, është një medikament që jep një efekt afatgjatë tek ata pacientë me mbingarkesë kronike të hekurit, të shkaktuar nga transfuzioni i gjakut. Kryetari i Shoqatës, Musa Zenelaj, thotë se “Jadenu” ka të njëjtin çmimi me medikamentin “Exjade” që është përdorur për vite me rradhë. Musa Zenelaj: Firma prodhuese ka nxjerrë medikamentin tjetër të kësaj natyre, por me fuqi shumë më të mirë dhe me veprime anësore në trup shumë të pakta. Ne kërkojmë që ky medikament të hyjë në rimbursim për vitin 2018. Zenelaj apelon qytetarët që të dhurojnë gjak për pacientët me talasemi, pasi nevojat janë ende shumë të mëdha. Musa Zenelaj: Nevojat për gjak janë për të qajt natë e ditë. Ka pacientë me hemoglobinë 6, 5, 4 që asnjëri nuk e beson sesi jetojnë. Talasemitë janë një grup sëmundjesh trashëgimtare të karakterizuara nga një defekt gjenetik i sintezës së hemoglobinës. Trajtimi për të cilin ka nevojë një i sëmurë talasemik është transfuzioni i rruazave të kuqe, përçuesit e oksigjenit në organizëm.

Revolta e të rinjve, fërshëllima Ramës

Disa të rinj, të cilët fishkëllenin kanë irrituar shumë keq kryeministrin Edi Rama i pranishëm në Panairin e parë kombëtar të Sporteve të Aventurës organizuar sot paradite në Tiranë.
Veprimi ka sjellë reagimin e Kreut të qeverisë, i cili është detyruar të ndërpresë disa herë fjalimin e tij, teksa u ka sugjeruar të rinjve që të shkonin në pyll dhe të fërshëllenin në majë të pemëve.
Që në momentin, kur mori fjalën kryeministri fishkëllimat nuk ndaluan. Ata nuk ndaluan, as kur Rama përdori ironinë e tij, duke i quajtur të rinjtë bilbila dhe kjo e ka irrituar keq atë.
Kam një sugjerim për disa djem këtu, që fishkëllejnë nga kënaqësia. Këtu afër është pylli. Mund të shkoni të hipni nëpër pemë e të fishkëlleni, ndërkohë që të tjerët, shumica dërrmuese që kanë ardhur këtu për të dëgjuar të dëgjojnë.
Dakord bilbila!
Ja ku e keni pyllin. Ju dhjetë bilbila që jeni këtu dhe fishkëlleni nga kënaqësia.
Ironia e kryeministrit nuk i ka ndalur të rinjtë as kur ai iu drejtua një djali, duke i thënë “bilbil me syze”.
“Ti bilbil me syze që ke gjithë kohës me gishtat në fyt është shumë mirë t’i japësh fund këngës së gishtave në fyt. Ja ku e ke pyllin!”

Voller: Të paprekshimit të japin llogari, veçanërisht në luftën kundër drogës

Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Popullore Europiane, Patrick Voller, dha në Tiranë mesazhe të rëndësishme për luftën kundër të paprekshmëve të krimit dhe drogës, për drejtësinë pa ndërhyrje politike dhe për mbështetjen e Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Duke folur në aktivitetin për 27-vjetorin e Lëvizjës Studentore, zoti Voller tha se “sfidat për rininë e sotme 27 vjet pas 8 dhjetorit janë se 65% e të rinjve duan të largohen nga vendi”. Por Voller ftoi të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri dhe të ndryshojnë gjendjen. “Duhet të punojmë bashkarisht që korrupsioni dhe krimi i organizuar të luftohen me ndershmëri dhe transparencë dhe ata që cilësohen si të paprekshëm duhet të japin llogari dhe të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, veçanërisht në luftën kundër drogës. Këtu ka nevojë për shumë punë dhe falë Partisë Demokratike prej vitesh ka një orientim ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme këtu. Edhe drejtësia duhet të punojë me pavarësi të plotë, me transparencë dhe pakurrfarë influence politike dhe parimi i drejtësisë është parim i shtetit të së drejtës,” tha Sekretari për Marrëdhëniet me jashtë në PPE. Patrick Voller theksoi se, “ishte Partia Demokratike, e cila gjatë kohës në qeveri arriti që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s dhe këtu kam parasysh mikun tonë Sali Berisha, që ndërrmori shumë reforma dhe i zbatoi ato. Ndaj ne sot kërkojmë nga politikanët të mos e ngadalësojnë procesin e reformave. Edhe pse qeveria aktuale ka shumicën absolute, unë po them se procesi i integrimit në BE dhe reformave është i të gjithë vendit. Prandaj është e rëndësishme të dëgjohet opozita dhe të përfshihet ajo seriozisht në këtë proces dhe jo të përjashtohet”. Sekretari për Marrëdhëniet me jashtë në PPE, Patrick Voller tha se, mbështetja e PPE e mbështet partinë tonë anëtare, Partinë Demokratike të Shqipërisë nën udhëheqjen e Lulzim Bashës. Ne kemi nevojë në Shqipëri për një opozitë të fortë e të bashkuar në rrugën e përbashkët drejt Europës”.

Jeruzalemi dhe strategjia e Tump

Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-ja dhe reagimi që po shkakton në të gjithë botën na kujton statusin unik të këtij qyteti të shenjtë për të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët dhe në zemër të një prej konflikteve më të gjatë të historisë së planetit.
Jeruzalemi mban në vetëm disa qindra metra katrore, brenda mureve të Qytetit të Vjetër, vende të shenjta për miliarda njerëz.
Sheshi i Xhamive quhet Haram al-Charif (Shenjtorja Fisnike) nga myslimanët dhe Mali i Tempullit nga hebrenjtë.
Ky është vendi i tretë i shenjtë për Islamin.
Sipas traditës myslimane, kjo është shenjtorja më e largët ku profeti Muhamet ka vajtur. Kubeja emblematike e Shkëmbit, me kupolën e saj të artë, ndodhet në shkëmbin ku profeti u ngjit në qiell, i hipur mbi devenë e tij me krahë.
Ky vend shpesh herë merr edhe emrin e xhamisë Al Aqsa që ndodhet aty. Por, është gjithashtu edhe vendi më i shenjtë për hebrenjtë si vendi ku ndodhej tempulli i tyre. Më poshtë gjendet Muri i Lotëve, një mur mbajtës i vjetër dhe mbetja e fundit e Tempullit të Dytë hebre në vitin 70 pas Krishtit, i shkatërruar nga romakët. Ky është vendi më i shenjtë ku hebrenjtë luten.

Kryeqytet për izraelitët…
Hebrenjtë e konsiderojnë Jeruzalemin, ish-kryeqytet të mbretërisë së Izraelit të mbretit David (Shek. X para Krishtit), si kryeqytetin e tyre historik prej më shumë se 3 000 vite për arsye fetare dhe politike. Që prej shkatërrimit të Tempullit të Dytë, judaizmi ka kërkuar gjithnjë një rikthim në Jeruzalem.

Edhe për palestinezët
Palestinezët pretendojnë Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të cilin duan të krijojnë. Ata përbëjnë një të tretën e një popullsie prej rreth 882 000 personash (sipas statistikave izraelite), por që shumica ndodhen në Jeruzalemin Lindor.
Jeruzalemi Lindor, që ka qenë nën kontrollin e Jordanisë, u pushtua nga Izraeli gjatë Luftës Gjashtëditore në vitin 1967 dhe më pas u aneksua. Për Izraelin qyteti u “ribashkua”. Një ligj themeltar i vitit 1980 ka vendosur statusin e Jeruzalemit si kryeqyteti “i përjetshëm dhe i pandashëm” i Izraelit.

Një vend tensionesh të vazhdueshme
Për izraelitët dhe palestinezët, Jeruzalemi është një simbol kombëtar dhe fetar i fuqishëm. Për palestinezët që kërkojnë pavarësi, mbrojtja e Jeruzalemit dhe Al Aqsa shërben si thirrje për bashkim.
Sheshi është vazhdimisht burim tensionesh. Për arsye historike, ai mbetet nën mbrojtjen jordaneze, por të gjitha hyrjet kontrollohen nga forcat izraelite. Hebrenjtë janë të autorizuar që ta vizitojnë, por jo të luten. Megjithatë, disa përpiqen vazhdimisht ta shkelin këtë ndalim, duke shkaktuar incidente. Palestinezët druhen se, ajo që kritikojnë si cënime izraelite në këtë vend mund përfundojë me një marrje të plotë të kontrollit nga hebrenjtë.
Vizita e kreut izraelit, Ariel Sharon në shesh në vitin 2 000 do të shërbente për të filluar Intifadën e Dytë. Instalimi në vitin 2017 nga Izraeli i detektorëve të metaleve në hyrje të këtij vendi kishte shkaktuar dy javë dhunë.

Pence do të takohet me liderët palestinezë

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar palestinezët të mos bëjnë asnjë veprim për të anuluar bisedimet me zv/Presidentin amerikan Mike Pence. “Një zyrtar i lartë palestinez më herët kishte deklaruar se zoti Pence nuk do të ishte i mirëpritur, pasi Uashingtoni e njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit”, raporton BBC. Bëhet fjalë për Jibril Rajoub, një zyrtar i lartë në partinë “Fatah”, i cili tha se z. Pence “nuk ishte i mirëpritur” në territoret palestineze dhe se takimi nuk do të ndodhte.
SHBA ka deklaruar se do të ishte kundërproduktive anulimi i bisedimeve mes zv/Presidentit Pence dhe Presidentit të Palestinës, Mahmoud Abbas, të planifikuara gjatë këtij muaji.
“Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj, duke thënë se zoti Pence ende ka në plan të takohet me udhëheqësit e palestinezëve dhe mendon se çdo vendim për të dalë nga takimi do të ishte kundërproduktiv”, shkruan BBC. Gjatë vizitës së tij, të planifikuar për gjysmën e dytë të dhjetorit, Pence do të udhëtojë gjithashtu në Izrael dhe Egjipt.

Pse Trump ndryshoi politikën amerikane?
Në të vërtetë, njoftimi i Presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, përmbys qëndrimin e mbajtur nga vetë politika amerikane gjatë disa dekadave për statusin e këtij qyteti.
Teksa njoftonte këtë ndryshim rrënjësor në politikën e SHBA, Presidenti amerikan tha: “Unë e kam gjykuar këtë rrugë veprimi të jetë në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe instalimin e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve”.
Në të vërtetë, vetëm për paqe nuk mund të flitet në këto momente.
Në përleshjet e djeshme mes palestinezëve dhe ushtrisë izraelite, raportohet për të paktën 31 të plagosur, ndërsa përplasje edhe më të forta priten në vijim. Grupi islamik palestinez, Hamas, ka bërë thirrje për një intifadë të re, ose kryengritje.
Por vendimi i Presidentit Trump duket se ka të bëjë më shumë me një politikë të brendshme sesa të jashtme. BBC raporton se, pavarësisht paralajmërimeve për trazirat që do të përfshinin rajonin, vendimi përmbush një premtim të fushatës dhe kërkon të kënaqë bazën e krahut të djathtë të zotit Trump si dhe grupimet hebraike në SHBA.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se Izraeli ishte thellësisht mirënjohës ndaj z. Trump, i cili “e lidhi veten përgjithmonë me historinë e kryeqytetit”. Ndërkohë, partia palestineze Fatah po paraqet një ankesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke nxitur edhe Lidhjen Arabe për të mbajtur një qëndrim të fortë.
Zoti Trump tha se SHBA do të mbështesin një zgjidhje dy shtetesh, që parashikon krijimin e një shteti të pavarur palestinez brenda linjave të armëpushimit para vitit 1967 në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor, duke jetuar në paqe përbri Izraelit. “Nëse bien dakord të dyja palët”, shtoi Presidenti amerikan.
Por palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i çdo shteti të ardhshëm palestinez.

Reagimet ndërkombëtare
Vendimi i Presidentit Trump ka shkaktuar një zinxhir reaksionesh në arenën ndërkombëtare. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e paralajmëroi z. Trump se ai ishte “duke e hedhur rajonin në një unazë zjarri”. Shumë nga aleatët më të afërt të Uashingtonit kanë thënë se nuk pajtohen me njoftimin e SHBA. Si Këshilli i Sigurimit i OKB dhe Liga Arabe do të takohen në ditët në vijim për të vendosur përgjigjen e tyre.

Pse është kaq i rëndësishëm Jeruzalemi

Jeruzalemi ka një rëndësi të madhe për Izraelin dhe palestinezët. Ajo përmban vende të shenjta për tre besimet kryesore monoteiste: judaizmin, islamin dhe krishtërimin.
Sovraniteti izraelit mbi Jeruzalemin nuk është njohur ndërkombëtarisht dhe të gjitha vendet i mbajnë ambasadat e tyre në Tel Aviv.
Jerusalemi Lindor, që përfshin Qytetin e Vjetër, u aneksua nga Izraeli pas Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967, por më parë nuk është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Izraelit.
Kjo pjesë vijon të njihet ndërkombëtarisht si “territor i pushtuar”, i denoncuar si i tillë edhe nga OKB.
Në vitin 1980, Parlamenti izraelit deklaroi se “Jerusalemi, i plotë dhe i bashkuar, është kryeqyteti i Izraelit”, por ky ligj u shpall i pavlefshëm nga OKB-ja, e cila bëri thirrje për largimin e ambasadave të mbetura në qytet.
Deri më sot, asnjë vend nuk ka një ambasadë në Jeruzalem, edhe pse Bill Klinton, George W. Bush dhe Donald Trump kanë bërë thirrje për të lëvizur ambasadën e SHBA në Jerusalem. Dy presidentët e parë, u tërhoqën nga plani për të lëvizuar ambasadën nga Tel Avivi për në Jeruzalem.
OKB ka rikonfirmuar së fundmi edhe në 2009 se Jeruzalemi duhet të jetë kryeqyteti i të dyja shteteve, Izraelit dhe Palestinës, duke i rikthyer pjesën lindore Palestinës. Por Izraeli ngulmon se i gjithë qyteti është i tyre.
Sipas marrëveshjeve të paqes Izrael-Palestinë të vitit 1993, statusi përfundimtar i Jerusalemit duhet të diskutohet në fazat e fundit të bisedimeve të paqes.

Marina Popoviç dhe ëndrra hapësinore e mohuar

Thuhet se qielli është kufiri, por jeta e Marina Popoviçit, “Madam MiG”, siç e quanin në vitet e Perdes së Hekurt, është një jetë që me klishetë ka të bëjë pak. Për ta njohur, është më e dobishme një prej njëmijë anekdotave që e përmendin: është viti 1950, nuk ka mbushur ende të 20-at. Një mëngjes paraqitet në aerodromin Tushino të Moskës, me një deklaratë të firmosur nga Kliment Voroshilovi, Presidenti i Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik. Letra – e siguruar pak ditë më parë sipas indikacionit të Nikolai Kamaninit, thuajse hero kombëtar dhe përzgjedhës i ardhshëm i kozmonautëve, ata që përballë Shteteve të Bashkuara do ta arrijnë hapësirën të parët – urdhëron që vajza t’u nënshtrohet testeve të fluturimit në aviacionin ushtarak. Pas përfundimit të luftës, kur regjimentet e aviacionit të përbëra nga femrat qenë vetëm, indikacioni për shoqet është që të lindin asat e ardhshëm të qiellit, jo të jenë vetë pjesë e tyre. Por Marina Popoviç, e lindur Vasiliyeva me 20 korrik të 1931 në Leonenki të Rusisë, e mendon ndryshe… sot, pas 67 vitesh, është një legjendë e aviacionit, Heroinë e Punës Socialiste dhe Urdhër i Kurajës i dhënë në 2007 nga Vladimir Putin. Është gruaja e parë që ka kaluar murin e zërit, në vitin 1964. Gëzon 102 rekorde të vendosur në 40 lloje mjetesh të ndryshme në 5600 orë fluturim dhe një yll me emrin e saj në konstelacionin e Kancerit. Por kur i kërkon të prezantohet, thotë diçka krejtësisht tjetër.

-Zonja Popoviç, si do ta përkufizonit veten?
«Jam poete, ish-inxhiniere dhe ish-pilote e Klasit të 1-rë».

-Si ka filluar gjithçka? Si shkoi ai mëngjesi në Tushino?
«Pas 24 muajsh refuzime nga ana e akademisë, u paraqita në aeroport me letrën e Voroshilovit. Por kur arrita, më ngriu gjaku».

-Pse?
«Për provim, në pistë ndodheshin tri avionë Yak, mjete shumë të ndryshëm nga ato me të cilat kisha mësuar të fluturoja në Novosibirsk. 15 minuta përpara testit, me ndihmën e një kandidati tjetër, shkrova në një copë letër teknikat e pilotimit të këtij avioni të panjohur, shpejtësinë e ngritjes, parametrat e figurave akrobatike. Pastaj, kur erdhi Gjenerali Balashov, ai që do të na testonte, i kërkova një jastëk».

-Jastëk?
«Po. Me 160 centimetrat e mia nuk më arrinin këmbët tek pedaliera e avionit. Gjatë përgjigjes, Balashovi më pyeti nëse doja edhe një kukull, për të më hequr sikletin. Por nuk kisha pasur ndonjëherë dhe ia thashë. Kështu, me të sistemuar jastëkun, u ngrita. Bëra të gjitha manovrat e kërkuara, më shtyu edhe në një rrotullim e më pas u ula. Për të qenë të ndershëm, një kthim i rishikueshëm».

-Shkoi mirë?
«Balashovi më dha vlerësim maksimal. “Sidomos sepse këtë avion nuk e kishe provuar kurrë më parë”, ma tha, duke më lënë të shtangur. E pyeta se nga e dinte: “Do t’i kishe sistemuar pedalierën, është e rregullueshme”, m’u përgjigj, duke qeshur. Qysh nga ai çast isha kadete e aeronautikës sovjetike dhe vajza më e lumtur e botës».

-Pse kaq vendosmëri?
«Doja të hakmerresha dhe Marshallit Voroshilov, kur i kërkova letrën e prezantimit, ja thashë qartë».

-Hakmerreshit?
«Gjithçka kam jetuar vjen nga qielli. Si avionët nazistë që në 1941, kur isha 10 vjeç, sulmuan Velizhin, ku jetonim. Jam e siguritë se uleshin në pikiatë për të qenë më të saktë me bombat. Rrafshuan me tokën fshatra të tëra. Kështu që pushtuan të gjithë zonën, duke bërë bastisje në lëvizje dhe duke vrarë këdo që tentonte arratinë. Kujtoj kur një, vrau një grua që po nxirrte ujë nga pusi. Hapi zjarr dy herë, të dytën, kur ishte tashmë e shtrirë përdhe, për t’u siguruar se kishte vdekur. Pikërisht në atë moment të caktuar, vendosa se pikërisht nga qielli do të hakmerresha. E kuptova se, vetëm duke e dominuar nga lart, do të mund ta mbroja familjen time. Këtë ia thashë Voroshilovit; për mua ishte një makth i vërtetë».

-Si arriti që u rekrutuat?
«Pasi gjermanët dogjën një fshat përkrah tonit, familja ime vendosi të arratisej. U nisëm për Siberi, duke u vendosur fillimisht në varrezën Ojash, duke qenë se për të pastrehët nuk kishte vend tjetër, për të arritur dy muaj më pas në Pushkarivka. Nga aty në Novosibirsk».

-Ku vendosët të regjistroheshit në Institutin Aeronautik…
«Për hir të së vërtetës, në një shkollë saldatorësh, pasi një vit më parë, duke qenë se më zuri malarja, notat e mia nuk qenë mjaftueshëm të mira për aviacion. Kur emri im nuk u shfaq midis të të pranuarve në kurset e pilotimit, u bëra si e çmendur. Vetëm Igor Karpinskij, që në atë zonë ishte një aviator i njohur, arriti të më qetësojë, duke më premtuar se do të mësonte të fluturoja në aeroklubin e afërt. Ndodhi pikërisht kështu. E kujton ngritjen time të parë vetëm sikur të ishte dje».

-Hakmarrja juaj do të realizohej.
«Aspak; më vjen dallueshëm në kujtesë gëzimi që vetëm të fluturuarit, duke manovruar një mjet sikur të ishte ndonjë pjesë e imja, diti të ma japë. Në atë moment zemërimi që më kishte shtyrë prej vitesh, edhe pas lufte, u zhduk papritmas. U zëvendësua nga një ndjenjë e thellë përgjegjësie, thuajse solemne, ndaj njerëzve që mund dhe duhej të mbroja. Duke dhënë gjithmonë maksimumin e vetes. Duke i ngritur, ditë pas dite, pritshmëritë e mia. Për këtë, sapo jam bërë pilote, objektivi im qe menjëherë një tjetër: do të testoja avionët më të mirë që kishin ndërtuar inxhinierët tanë. Duhej të bëhesha kolaudatore. Ia arrita 8 vite më pas, duke kaluar në 24 muaj nga klasa e tretë në të parën. Më e larta».

-Çfarë kujtimesh keni nga karriera juaj e gjatë si kolaudatore?
«Më të shtrenjtit nuk janë të lidhur me mua, por me eprorin tim të drejtpërdrejtë, Kolonelin Vasilij Gavriloviç Ivanov. Ishte celebritet, mjaftonte të thoje “VG” dhe të gjithë e dinin se kujt i referoheshe. Dy histori do të mjaftonin për ta përshkruar: një ditë i diagnostikuan gurë në veshka, diçka për të cilën rrezikohet përjashtimi nga fluturimet. I kërkoi një motoçiklisti që ta sorollaste gjithë ditën nëpër gropa e gunga, deri sa t’i mbaronte benzina disa herë. Në darkë guri në veshka ishte zhdukur. Një herë tjetër i ndodhi një avari në motor në 1000 metra lartësi. Mund të ishte hedhur, por kështu askush nuk do të kuptonte motivet e defektit. Vendosi që të ulej mbi karel, për të shpëtuar kutinë e zezë. Preu dy shtylla elektrike dhe mrekullisht evitoi të ashtuqajturën “frustatë”, kërcimin që 9 herë në 10 e shkatërron avionin. Kur doli nga kabina, hoqi kaskën dhe na dhuroi një tufë tulipanë të ngecur nën kabinën e pilotimit».

-Një bast…
«Jo, një burrë që kishte rifituar jetën. Ata tulipanë mi solli mua: “Janë për ty, Marina, më tha, mund të bëhet ulje me motor jo operativ. Unë dhe këto lule i jemi prova”. Edhe një herë akoma, qe qielli ai që i ndryshoi perspektivat e mia».

-Puna juaj ishte ndër më të rrezikshmet. Patët frikë ndonjëherë?
«Një kolaudator nuk mund të ketë. Objektivi i tij është që ta çojë avionin në limit, t’i kuptojë sekretet dhe t’ua shpjegojë ato të tjerëve. Nuk e bën për vete, por për atë që do ta pilotojë më pas dhe për njerëzit sipër kokave, të të cilëve fluturon. Prioriteti nuk është siguria jote, por e tyrja».

-Patët frikë ndonjëherë për bashkëshortin, pasi jeni destinuar për hapësirën?
«Ishim të sigurtë se inxhinierët, sidomos pas disa incidenteve në fillim të programit, kishin gjithçka nën kontroll. Dhe kështu ishte. Pastaj, për çfarë do të kisha frikë? Një lëshim në hapësirë ishte më pak kompleks sesa kolaudimi i një avioni eksperimental. Gjë që nuk ja përtoj kurrë t’ia kujtoj Pavelit: këndonte më mirë sesa pilotonte. Kishte një zë të mrekullueshëm».

-Ia kishte zili burrit faktin që do të dilte në orbitë?
«Përkundrazi, isha krenare. E sigurtë që do ta pasoja: kryeprojektuesi i programit hapësinor Sergej Korolev dhe Kamanin nuk më kishin thirrur pse bashkëshortja e një kozmonauti apo kushedi se për çfarë motivi tjetër, mendoja. Isha kolaudatore e klasit të parë, pilotoja çdo ditë mjetet fluturuese më të mira të vendit. Dhe, për ta thënë të gjithë, nuk e di as do të kisha hequr dorë për të bërë disa ditë fluturim rreth Tokës».

-Çfarë menduat kur ju bë e njohur se kozmonautja e parë, me 16 qershor të 1963, do të ishte Valentina Tereshkova, parashutiste amatore e tekstiliste, dhe jo pilotja më e mirë sovjetike? Veç të tjerash, rezulton se ju nuk i kaluat shkëlqyeshëm testimet e para.
«Kalova përzgjedhjen e parë, por nuk u pranova midis 5 finalisteve të shpallura në shkurtin e 1962. Askush nuk ma shpjegoi kurrë pse-në. Thuhet se e ka vendosur Nikita Hrushovi personalisht: mendonte se ishte brilante të lëshohej në hapësirë një punëtore pa dituri të veçanta fluturimi. Do të demonstronte superioritetin teknologjik dhe social të Bashkimit Sovjetik».

-Pak ditë pas uljes, me 22 qershor, Valentina Tereshkova u dekorua Heroinë, njëlloj si Yuri Gagarin dy vite më parë; ju kushtua një pullë dhe në vitin 1966 u pranua në Sovjetin Suprem. Si e morët?
«Vazhdova të punoja me qetësi. Rifillova të studioja për t’u bërë pedagoge universitare. Për sa qenë lajme të rezervuara, e dinim se fluturimi i Tereshkovës nuk kishte qenë i mahnitshëm. Jo për fajin e saj, të kuptohemi. Por gjatë tri ditëve në orbitë u ndje keq (në atë kohë nuk njiheshin efektet e një mungese të gjatë të peshës, shënimi im.) dhe gjatë uljes u plagos. Lajmi më i keq qe që Korolevi vendosi se asnjë femër tjetër nuk do të fluturonte më. Qe kjo që përhapi pakënaqësinë».

-Praktikisht kozmonautja e dytë, Svetlana Saviçkaja, u ngrit vetëm 19 vite më vonë. Duke u kthyer tek ju, është e vërtetë se ai që ju përjashtoi fakti që kishit një vajzë? Duket sikur bashkëshorti juaj dhe Yuri Gagarin nuk donin që një nënë të mund të rrezikonte jetën.
«Që Paveli të ketë gisht, nuk e di, nuk ma ka thënë ndonjë herë. As Kamanini nuk e pranoi kurrë. Besoj se ka qenë Yuri që ka kundërshtuar … (bën një pauzë. Sytë e saj papritmas përloten, shënimi im.) Pavel? Kushedi. Jo, më shumë se të gjithë besoj se qe Gagarin».

-Më shumë se të gjithë; pak vite më pas ju dhe bashkëshorti juaj u ndatë…
«Gjithsesi, kishim jetuar vite shumë të bukura. Thjesht jemi larguar. Le të themi se puna ime kërkonte një çikë më pak shkathtësi sesa e tij».

-Jeni një legjendë e aeronautikës. Keni ndonjë brengë?
«Aspak legjendë. Ka pasur dhe do të ketë pilotë më të mirë se unë. Ama jam krenare që jam bërë kolaudatore e klasit të parë. Është një thënie japoneze që e pëlqej: “Nëqoftëse në jetën tënde nuk ke hasur vështirësi, dil e bilji. Vetëm duke i përballuar mund të quhesh njeri”. I kam mbijetuar malarjes, zisë së bukës, luftës. Pak përpara se të filloja Akademinë rrezikova që mund të mos pilotoja më kurrë prej një ngrirjeje. Qëndrova 5 muaj në spital. E megjithatë, kam fluturar gjithë jetën. E dini se cili është sekreti?».

-Cili?
«Durimi. Që bashkë me impenjimin mund të të çojë kudo».

-Vërtet asgjë që do të donit ta bënit dhe nuk e keni bërë?
«Vajtja në Hënë, të shikoja edhe qiellin tim nga lart. Ama nuk e përjashtoj se nuk mund ta bëj. Kam durim».

Marina Lavrentievna Vasilievia Popoviç ka qenë Kolonele e Aviacionit sovjetik dhe një prej piloteve femra më të famshme të historisë. Mban 102 rekorde botërore fluturimi dhe ka pilotuar më shumë se 40 lloje mjetesh fluturuese. Ka shkruar 9 libra, midis të cilëve një përmbledhje me poezi dhe skenarin për dy filma të dalë në Bashkimin Sovjetik në harkun e viteve ’70 dhe ‘80.
Kjo është intervista e fundit e saj, pasi ka ndërruar jetë pak ditë më parë në moshën 87-vjeçare

(nga Wired)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

“Face ID”

Teknologjia e fundit e identifikimit të fytyrës të iPhone X si metodë sigurie për të hapur dhe mbyllur telefonin celular në vend të skanerit të shenjës së gishtit apo metodës së vjetër të kodit numerik, pretendohet se e bën telefonin më të sigurt. Siç sugjerojnë edhe radhët e gjata përpara dyqaneve në ditën e parë të shitjes së smartphone-it të ri dhe numrit rekord të shitjeve brenda ditës, duket qartë se konsumatorëve nuk i intereson aspak fakti që Apple do të ketë tashmë akses në një lum të dhënash biometrike të mundësuar ndaj teknologjia e identifikimit të fytyrës dhe nuk kanë ndërmend të ankohen për dhunimin e privatësisë së tyre nga ana e kompanisë.
Apple nuk është kompania e vetme që përdor teknologjinë e identifikimit të fytyrës në shkallë të lartë, pasi disa aeroporte janë duke instaluar kamera të teknologjisë së lartë që i detyrojnë pasagjerët të përdorin fytyrat e tyre si “boarding pass”, ndërsa të tjerë janë duke eksperimentuar me kombinimin e Inteligjencës Artificiale dhe kamerave në vend të pikave të kontrollit. Me sa duket këto teknologji do të fillojnë të shfaqen një nga një nëpër aeroportet e ndryshme të botës që konsiderohen si pikat kufitare të një shteti, ku udhëtarët hyjnë e dalin. Në debatin e përjetshëm ndërmjet sigurisë dhe lirisë personale, dëshira për siguri duket se po fiton dhe skanerët biometrikë të fytyrës do të kthehen shpejt në metodën e vetme të sigurisë aeroportuale.
Apple nuk e ka saktësuar procedurën e pronësisë së sistemit të saj të skanimit të fytyrës. Sistemi i identifikimit të fytyrës projekton mbi 30 mijë pika mbi fytyrë për të krijuar një “hartë” dhe përdor një çip bionik për të ndihmuar mekanizmin e zhvillimit të makinerisë në mënyrë që të identifikojë edhe ndryshimet në pamje, si vendosja e syzeve apo rritja e qimeve të mjekrës. Sipas Apple, “Face ID” është një mekanizëm tejmase i sigurt dhe mundësia që dikush tjetër të arrijë të ç’kyçë një iPhone X është një në një milion, krahasuar me mundësinë një në 50 mijë të mekanizmit “Touch ID”.
Apple këmbëngul gjithashtu se nuk i ruan dhe as i shpërndan me askënd informacionet biometrike dhe se janë të përkushtuar plotësisht për të ruajtur privatësinë e konsumatorëve, diçka që kreu i Apple, Tim Cook, e bëri të qartë në vitin 2016, kur FBI kërkoi ndihmën e kompanisë për të patur akses në celularin iPhone të autorëve të masakrës së San Bernandos. Duke pasur parasysh blerjen e fundit të Apple të “Emotient, Inc.”, një mekanizëm i inteligjencës artificiale që lexon shprehitë e fytyrës dhe emocionet, si dhe faktin që do të ketë akses në shumë të dhëna të identifikimit të fytyrës, është gjithashtu e mundur që “Face ID” të përdoret në shumë e shumë situata të tjera, jo vetëm për të identifikuar nëse personi që ka vënë syze është vërtetë pronari i iPhone-it apo jo.
Nga ana tjetër, të dhënat biometrike të mbledhura në aeroporte, ruhen pa dyshim diku për t’u përdorur sërisht më vonë. Në fund të fundit, kjo është arsyeja primare përse vendoset identifikimi i fytyrës në kufi. Këto sisteme nuk janë aq të avancuara si ato të Apple, madje kompania mund të implementojë shumë shpejt edhe teknologjinë e leximit të emocioneve përmes “Emotient”, por arrijnë të identifikojnë një person përmes një fotoje të shkrepur në moment dhe të dhënat biometrike të kapura në aeroport, për të vërtetuar identitetin e një personi. Kjo teknologji nga njëra anë është mjaft e dobishme për udhëtarët, pasi procesi kërkoi vetëm 15 sekonda kohë dhe redukton ndjeshëm pritjen në radhë në aeroport. Ndoshta një ditë nuk do të kemi nevojë për pasaportë dhe boarding pass dhe e vetmja gjë që do të na nevojitet për të hipur në avion do të jetë fytyra jonë.
Dubai, në veçanti, ka nisur një plan për implementin e sistemit inovativ të identifikimit të fytyrës që do të instalohet gjatë verës së vitit 2018. Bëhet fjalë për një akuarium virtual në formë tuneli i pajisur me 80 kamera që skanojnë fytyrën dhe aktivizohet teksa pasagjerët kalojnë. Ideja është që deri në fund të tunelit, pasagjerët duhet të kenë kaluar sigurinë kufitare, përndryshe oficerët e aeroportit do të njoftohen për ekzistencën e një rreziku potencial. Natyrisht ky është misioni thelbësor i sistemeve biometrike: siguria kufitare, jo lehtësimi i radhëve të gjata të kontrollit për pasagjerët.
Pas sulmeve të 11 shtatorit, kur u rritën ndjeshëm shqetësimet për sigurinë në aeroporte, teknologjia e identifikimit të fytyrës nuk ishte aq e avancuar për ta mundësuar këtë proces, por në tetor të vitit 2017, agjencia e doganave dhe mbrojtjes kufitare deklaroi se tetë aeroporte amerikane kanë implementuar sistemin biometrik, bashkë me disa aeroporte të tjera të Japonisë dhe Francës. Në programin e provës për sistemin amerikan, u bënë fotografi të udhëtarëve në terminal dhe u njësuan me regjistrat qeveritare për të konfirmuar identitetin dhe rritur sigurinë. Programi deklaron se, fotografitë e qytetarëve amerikanë do të fshihen automatikisht pas 14 ditësh, por ato të shtetasve të huaj do të ruhen përgjithmonë në sistem.
Shqetësimet e sigurisë për sistemin biometrik aeroportual janë më të mëdha se ato që lidhen me frikën se, Apple mund të përdorë sistemin e leximit të emocioneve për të dërguar reklamat më të përshtatshme për konsumatorin. Për shembull, nëse kapet fotografia e një individi në aeroport, asgjë nuk i pengon oficerët që ta kontrollojnë atë në regjistrat e FBI-së apo të policisë lokale. Kjo do të thotë se përveç kriminelëve kombëtare dhe ndërkombëtarë, apo terroristëve potencialë, të gjithë individët do t’i nënshtrohen një kontrolli të imtë policor sa herë që duan të hipin në avion.
Ndërkohë që teknologjia vazhdon të avancojë dhe të bëhet gjithnjë e më pak e kushtueshme – një ditë edhe makineritë e kafesë do të njohin fytyrën tonë – qeveritë dhe aeroportet e të gjithë botës do ta adoptojnë atë. Kjo do të thotë se, pavarësisht shqetësimeve mbi dhunimin e privatësisë, kapërcimi i kufirit një ditë do të kërkojë detyrimisht skanimin e fytyrës. Ende nuk dihet nëse kjo do ta shtojë vërtetë sigurinë kombëtare, por është e qartë se do të jetë një tjetër liri individuale që na shkel avancimi i teknologjisë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Lëvizja studentore e Dhjetorit ‘90-të, si e kam jetuar unë..!

Bardhyl Ukcamaj (New York, SHBA)

Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990-të është i vetmi aksion politik i shqiptarëve në historinë e tyre të njohur, që realizoi ndryshime sistemesh politike (shembjen e regjimit bunker në Europë) në mënyrë paqësore. Eshtë aksioni politik më pro – europian, që nga Rilindja Kombëtare. Kjo Lëvizje legjitimoi të drejtën e pluralizmit politik në Shqipëri, ndryshoi rregullat e lojës politike dhe delegjitimoi sistemin komunist.
Në të gjitha aspektet saj, Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990-të, ishte një revolucion për shoqërinë; ishte paqësore e liberale në një shtet të dhunës dhe urrejtjes; ishte elitare në një mbretëri të mediokritetit; ishte patriotike e pro – europiane brenda kufijve të një shteti antiperëndimor. Në gjurmët e Rilindjes Kombëtare, kjo lëvizje përcaktoi aksiomën e shqiptarëve të shekullit të ri: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Ne, ish-studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe të universiteteve të tjera, arritëm një sukses historik për popullin shqiptar, por edhe për qytetërimin europian. Rrëzuam një prej diktaturave më të egra dhe shembëm një nga regjimet më barbare të kontinentit. Jam i lumtur, si njëri nga mijëra luftëtarët e lirisë së Dhjetorit 90-të, për çfarë i afruam atdheut kur më së shumti i duhej. Dhe e bëmë me një pjekuri, përgjegjësie dinjitet të lartë qytetar! LSSH është një lëvizje që triumfoi në mënyrë shembullore e jo një revolucion i dështuar.
Në këtë shkrim të shkurtër, për herë të parë, pas më shumë se dy dekadash, unë do të ndalem në disa ngjarje, sipas meje, të rëndësishme. Disa shënime, si dëshmitar okular dhe pjesëmarrës aktiv në këtë Lëvizje, që nga minutat e para. Sigurisht, që unë shkruaj për çfarë kam jetuar personalisht, çfarë kam parë dhe çfarë kam bërë, si i kam kuptuar unë LSSH. Ky shkrim i shkurtër është një pasqyrim modest e jo pasqyrë e plotë e atyre ngjarjeve, të cilat ishin aq intensive, masive e dinamike. Por, aq sa më lejon kujtesa, do të përpiqem të përshkruaj besnikërisht të vërtetën për kontributin tim të vogël në atë revolucion të madh, pa më të voglin merak shpërblimi a “ndëshkimi”, si një qytetar plotësisht i lirë. I nis këto shënime edhe në respekt të botuesit (Grupimi Dhjetor 90-të), të cilin e kam bashkë-themeluar e bashkë-drejtuar, në vitin e parë të veprimtarisë së Tij (1998), në një kohë të rrezikshme e të mbrapshtë.
Me një vendosmëri dhe kthjelltësi të paimagjinueshme, ne, ish-banorët e Qytetit “Studenti” e ndezëm zjarrin e lirisë në qytezën tonë të zhytur në terr me 8 dhjetor 1990-të. Nata e Bardhë e 8 dhjetorit dhe ditë-netët në vazhdim, zbardhën faqen e historisë së shqiptarëve dhe shënuan fundin e epokës së kuqe në kontinentin e Europës. Thirrjet “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishin dhe mbetën platforma e thjeshtë e kuptim plotë e Lëvizjes sonë.
E kam jetuar plotësisht atë natë, pa mbyllur sytë. Atë revoltë që nisi me thirrrjet kundër komunizmit nëpër godinat e mbetura në errësirë (ku dallonte Inxhinieria e Minierave) dhe turrjes drejt Drejtorisë së QS. Kemi qenë disa dhjetëra, kur na është bashkuar Azem Hajdari para godinës së Juridikut. Kam pasur fatin të jem pjesë e demonstratës në dalje të qytezës, e përleshjes me policinë dhe heroizmit të studentëve, ku spikati Alma Bendo, dhe ritakimit në qendër të qytezës. Aty kanë nisur fjalimet e zjarrta kundër diktaturës, e kemi lexuar Kartën e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.
Në mesnatë, të rimbledhur në shesh, u propozua (prej meje, Arbenit, Albanit e ndonjë tjetri), që të shpërndaheshim nëpër godina dhe të lajmëronim të gjithë studentët, e sidomos vajzat, që në asnjë rrethanë nuk duhet të kishte mësim të nesërmen. Të gjithë kemi rënë dakord se shkuarja në mësim do të ishte fundi i lëvizjes sonë dhe dita e hakmarrjes së diktaturës ndaj nesh.
Herët në mëngjes (ora 7.00) vendosëm të rimblidheshim në shesh, të bindnim edhe ndonjë student, që mund t’u drejtohej auditorëve, t’i bashkohej demonstrimeve.Unë kam marrë përsipër Fililogjikun dhe Artet së bashku me Alban Tershanën, të tjerë studentë u shpërndanë nëpër godina të tjera. Mësimi duhej bojkotuar dhe demonstrimet të vazhdonin! Atë natë, në atë shesh, së bashku me Azemin e shumë të tjerë, krijuam bërthamën e parë të organizuar të Lëvizjes Studentore.
Mëngjesin e 9 Dhjetorit jam rikthyer në qendër të qytezës, shumë herët në mëngjes (sot Sheshi Demokracia), ku kam gjetur vetëm një student të ulur në bordurë betoni. Ky ishte Pal Serreqi. Pak muaj më vonë së bashku me Palin u zgjodhëm për të drejtuar degën e Univesiteteve të PD-së, në një votim ku morën pjesë rreth 400 studentë, aktivistë të LSSH. Pas pak kohe, një nga një kanë ardhur student të tjerë, duke u bashkuar në Sheshin e Lirisë e demonstruar kundër diktaturës, deri sa Ramiz Alia u detyrua të pranonte pluralizmin politik.
Lëvizja Studentore ishte një lëvizje paqësore, por që nuk bëri kompromis me sistemin e diktaturës. Roli i Ramiz Alisë në këto protesta është roli i një udhëheqësi komunist, që i frikësuar nga LSSH dhe mundësia e një revolucioni gjithëpopullor, duke përcjellë pamjet e Causheskut të vrarë, e ditur e njohur më mirë se kushdo tjetër shkallën e paimagjinueshme të varfërimit të plotë financiar, dhe aspak nga dëshira e tij për një Shqipëri pluraliste, vendosi të dekretojë fundin e sistemit njëpartiak, pa shkrepur armët.
R. Alia pati inteligjencën e mjaftueshme për të kuptuar se ishte e pamundur të shtypej kjo lëvizje dhe të ndalohej më pas kryengritja popullore. Kjo nuk mund të thuhet për shumicn e anëtarëve të kupolës së kuqe, pjesë e politbyrosë, apo strukturave kombëtare e lokale te partisë shtet. Shumë prej nesh, përfshi edhe mua, mund të ishim burgosur (në rastin më fatlum) ose vrarë nga diktatura. Në Shqipëri do të ishte derdhur shumë gjak, por komunizmi nuk mund të mbijetonte në asnjë rrethanë, këtë arriti ta kuptonte, e mirë që e kuptoi Ramiz Alia. Ne, studentët, i nisëm protestat e vendosëm dhe e respektuam vendimin e mesnatës së 8 Dhjetorit, për të mos i ndërprerë ato, pa arritur realizimin e kërkesave tona.
Më 9 Dhjetor mijëra studentë iu drejtuan Sheshit “Skënderbej”. Para Liceut Artistik u sulmuam egërsisht nga policia dhe forcat speciale. Thirrjet “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ndezën shpirtin e revolucionit në zemrat e qindra mijë kryeqytetasve, e miliona shqiptarëve. Isha në të njëjtin kuadrat, së bashku me disa studentë të Filologjikut si, Arta Sakja, Erenestina Halili, Arben Çejku, Mark Marku e disa të tjerë, kur kaluam pranë selisë së ambasadës italiane (sot ambasada amerikane), u kam kërkuar shokëve të ngushtonim hapësirat mes nesh, kur pamë kordonat e policisë. Reagimi i forcave policore dhe atyre speciale ka qenë i ashpër ndaj nesh, i dekumentuar për opinion publik nga media televizive.
Ne një intervisë të gjatë në “TV Klan”, në Dhjetor të vitit 2011, Sali Berisha deklaron se pasi kontaktoi demonstruesit para Liceut së bashku me B. Mustafaj, u takua me Ramiz Alinë (me kërkese të këtij të fundit), dhe mori përsipër të kontaktonte drejtuesit e Lëvizjes Studentore. Në takimin e tij të parë me një grup studentësh aktivistë të Lëvizjes, pikërisht më datën 9 Dhjetor; Azem Hajdari, Tefalin Malshyti, Shenasi Rama, Bardhyl Ukcamaj, Akli Fundo e disa të tjerë, (thotë Berisha), kërkohej krijimi i një organizate të pavarur “të studentëve dhe intelektualëve të rinj’, por kishin edhe shumë kërkesa të tjera…!
Ky deklarim i Berishës është i rëndësishëm dhe i saktë. Sali Berisha ishte intelektuali i parë që guxoi të kontaktonte me ne (studentët) më 9 dhjetor edhe Ramiz Alinë e më pas sërish studentët, po atë ditë, duke u bërë më pas drejtues i Lëvizjes Demokratike së bashku me një grup pedagogësh e intelektualësh të tjerë, si Gramoz Pashko, Arben Imami, Zef Brozi, Arben Demeti, Eduart Selami, Edi Rama (me refleksionet në AA), Preç Zogaj, Rexhep Uka (Istituti i Kamzës), Aleksandër Meksi, Neritan Ceka, Genc Ruli etj., etj.
Një moment i rëndësishëm i LSSH, për të cilin nuk është shkruar shumë, është zbritja e studentëve në Sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e datës 9 Dhjetor, drejtuar nga Shenasi Rama. Pasi u kam bërë thirrje studentëve, duke u shpërndarë në grupe të vogla, kemi arritur të sfidojmë diktaturën, duke u mbledhur në Sheshin “Skënderbej”, aty ku u ndaluam të zbrisnim me demonstratën e mëngjesit.
Takimi më i rëndësishëm i aktivistëve të LS me Skënder Gjinushin, aso kohe ministër i Arsimit dhe Lisjen Bashkurtin është zhvilluar më datën 10 Dhjetor në darkë, që ka zgjatur deri pas mesnate, në zyrën e drejtorit të Qytetit “Studenti”. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Sali Berisha së bashku me Besnik Mustafajn dhe dy gazetarë të “Zërit të Rinisë”. Dr. Berisha kishte tashmë kontakte dhe ndikim, si asnjë intelektual tjetër, te disa prej aktivistëve të rëndësishëm të lëvizjes.
Si përfaqësues të LS në këtë takim kanë marrë pjesë: Azem Hajdari, Shenasi Rama, Tefalin Malshyti, Bardhyl Ukcamaj, Mimoza Zhamo, Arben Lika. Unë kam shkuar në takim së bashku me Mark Markun nga godina 15-të, që ishte Selia e Lëvizjes Studentore. Marku së bashku me disa aktivistë të tjerë të LSSH janë larguar (për arsye hapësire) dhe janë drejtuar drejt godinës 15-të, ne kemi vazhduar takimin në formatin e mësipërm, deri pas mesnate. Nuk më kujtohet nëse Akli Fundo ishte apo jo deri në fund të takimit.
Ky takim është për mua thelbi i historisë së organizuar të Lëvizjes Studentore shqiptare, i negociatave të përfaqësuesve të saj, që shënuan edhe fundin e sistemit diktatorial njëpartiak.
Ky ishte një takim vendimtar për fatet e LSSH dhe demokracisë në Shqipëri, ishte takimi që ndau epokat. Të nesërmen Ramiz Alia ka mbledhur menjëhere byronë politike dhe ka deklaruar të drejtën e pluralizmit politik (ose më saktë, të drejtën e krijimit të organizatave të pavarura politike) në takimin me përfaqësuesit e studentëve dhe pedagogëve, të zgjedhur sipas fakulteteve (të miksuar edhe me anëtarë të organizatës së rinisë së Universitetit).
Dua të theksoj se atë ditë, para nisjes së përfaqësise së studentëve dhe pedagogëve nga të gjitha fakultetet në takimin me R. Alinë, është vendosur që Ndue Lugja e Bardhyl Ukcamaj së bashku me rreth 10-15 aktivistë të tjerë, të kujdeseshin për organizimet në qytezë deri sa të përfundonte takimi. Në takimin me Ramizin është komunikuar dekretimi i pluralizmit politik, pjesa tjetër e bisedës ishte më pak e rëndësishme dhe është e njohur nga publiku.
Natën e 11 dhjetorit duke u gdhirë 12 dhjetori e kemi kaluar në selinë e Lëvizjes Studentore, që ishte godina 15-të, studentë, intelektualë e qytetarë të tjerë, duke diskutuar rreth organizimit të partisë së parë opozitare në Shqipëri, që u mendua të emërtohej Partia Demokratike e Shqipërisë, në një entuziazëm të papërsëritshëm dhe që ndodh shumë rrallë në jetën njerëzore. Gjatë ditës së 12 dhjetorit u bë edhe formimi strukturor i Komisionit Nismëtar.
Mëngjesin e 12 dhjetorit 1990, kam pasur fatin të jem i deleguari i parë i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike, në Univesitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, së bashku me një aktivist tjetër të Lëvizjes Studentore, z. Mujo Buçpapaj. E thekoj se Lëvizja Studentore shqiptare e dhjetorit 1990, ishte një lëvizje që kulmoi në Tiranë, por që u shtri menjëherë edhe në Universitet e tjera të vendit.
Së bashku me Mujon dhe disa aktivistë të këtij Universiteti, kemi zhvilluar një takim të hapur në Univesitetin “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Shkodrës, qytetit më të persekutuar dhe më antikomunist të Europës së Kuqe, pas dekadash terrori enverist mbi këtë qytet. Ky takim është mbajtur në një nga auditoret, pa lejen e Rektorit të Universitetit, i organizuar nga Flamur Buçpapaj e pedagogu Agustin Shqalsi, rrethuar nga forca policore, por edhe nga qindra qytetarë.
Qyteti i ishte i rrethuar me tanke, ishte një situatë tepër e rrezikshme. Vendosmëria e studentëve të Univesitetit të Shkodrës dhe entuziazmi i tyre, nën hijen e tankeve, dëshmonte se fryma jonë e Lëvizjes kishte ndezur gjithë Shqipërinë. Të nesërmen ka shpërthyer demonstrata e fuqishme e 13 dhjetorit dhe më 2 prill, në këtë qytet do të flijohej për liri-demokraci, njëri nga aktivistët e zjarrtë të LSSH, Arben Broci.
Arritja me historike e Lëvizjes Studentore shqiptare është vendosja e pluralizmit politik në Shqipëri. Por lëvizja ka edhe kulme të tjera shumë të rëndësishme si: greva e urisë së 20 shkurtit për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti, që bëri delegjitimitetin e sistemit dhe rënien përfundimtare të simbolikës komuniste; demonstrimet e studentëve të Universitetit në Kamëz, Shkodër e rrethe të tjera; refleksionet në Akademinë e Arteve etj.
Lëvizja Studentore shqiptare i riktheu dinjitetin e nëpërkëmbur shoqërisë sonë të sfilitur në epokën e sistemit komunist, e të izolimit. Ne e dimë se si liria kolektive nuk mund të fitohet e garantohet me revolucion, por me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit ‘90-të u fitua e drejta e individëve për të luftuar e punuar për liritë e tyre e të shoqërisë në të cilën jetojnë.
Nderimi i ngjarjve dhe figurave të rëndësishme të kujtesës sonë historike është i dobishëm në shumë aspekte. “Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekëson kujtimin e tyne, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhajvet të vet”, shkruante rreth një shekull më parë Luigj Gurakuqi.
Një obelisk i Lëvizjes Studentore shqiptare në Parkun “Rinia”, ose para ish-piramidës së diktatorit, ku ne dhe fëmijët tanë, shqiptarët e sotshëm e të nesërm të ndiheshin të përfaqësuar, do duhej të ishte ngitur me kohë. Një obelisk, që t’i nderojë të gjithë ata që luftuan (e janë vrarë ose mund të ishin vrarë) për një Shqipëri si Europa. E theksoj, një obelisk, që t’i bashkojë të gjithë qytetarët që e duan lirinë.
Një obelisk i Lëvizjes Studentore shqiptare, që të nderonte, Azem Hajdarin, Arben Brocin, Abdyl Matoshin, Fred Gëmin, Dritan Çelën, Gjin Kolbucajn, etj., që nuk jetojnë më fizikisht midis nesh. Të nderoheshin edhe Mimoza Ferraj (Alma Bendo), Shenasi Rama, Mimoza Zhamo, Arben Lika, Pal Serreqi, Akli Fundo, Tefalin Malshyti, Arben Sula, Myftar Gjana, Adrian Petrollari, Edmond Bushati, Ndue Lugja, Arian Manahasa, Mesila Doda, Alfred Cako, Spiro Curra, Blendi Gonxhe, Mujo Buçpapaj, Nesti Kiri, Arta Sakja, Arben Çejku, Aida Sakja, Ajet Ramcaj, Ilir Dizadari, Alban Bala, Arjanit Nika, Abdyl Demirazi, Niko Kaçiroti, Shpëtim Shkurti, Tan Asllani, Dritan Shtylla, Agim Hasa, Renato Ndrecka, Arber Ahmetaj, Ridvan Peshkëpia, Ilirjan Cane, Arben Ahmetaj, Ilenja Mëhilli, Kastriot Gjoka, Eda Hyka, Ardi Stefa, Erenestina Gjergji Halili, Myslim Murrizi, Shpëtim Balia, Bislim Ahmetaj, Gjok Vuksani, Gjergj Ukcamaj, Arsen Caushi, Mark Marku, Xheni Tanini Hali, Mirel Sharxhiu, Albert Kushti, Theollori Dhimitri, Gjin Progni, Ilirian Peco, Afrim Krasniqi, Zef Luca, Lulzim Gjekmarkaj, Kole Kunora, Pandeli Majko, Sokol Allarai, Astrit Patosi, Edi Paloka, Argita Berisha, Ilir Meta, Besa Ukcamaj, Flamur Buçpapaj, Ilir Seci, Emin Barçi, Alban Tershana, Arben Gabraj, Shkëlqim Jahaj, Shpend Jeshnica, Vullnet Spahiu, Agim Imeri, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Skënder Minxhozi, Gazmend Oketa, Ermal Mulosmani, Gjelosh Kasa, Arben Çokaj, Lush Martini, Dritan Koçiu, Agron Tufa, Alban Pepa, Artan Dibra, Arben Muça, Arben Qirjako, Altin Qoshja, Valbona Duro Pelushi, Lek Tusha, Aleksandër Biberaj, Edvin Shvarc, Admir Lakra, Kreshnik Spahiu, Kastriot Haxhiaj, Astrit Memia, Agron Gjekmarkaj, Enkelejda Shkreli, Nazmi Peka, Ylber Hasani, Kreshnik Çollaku, Dritan Osmani, Lulëzim Shenaj, Kujtim Allaraj, Helidon Samarxhi, Lin Kurti, Agron Sula, Osman Stafa, Adem Krasniqi, Gjovalin Shytani, Mhill Geci, Shkëlzen Margjeka, Ndre Legisi, Flamur Noka, Agim Perllaku, Ramiz Gjini, Mimoza Preci, Nora Prozhmi, Ismet Pali, Tonin Prenga, Tonin Logu, etj., etj., etj, (u kërkoj ndjesë të gjithë të tjerëve që nuk u kam shkruar emrat, për arësye hapësire).
Shoqëria shqiptare e ka arkivuar në histori të shkuarën komuniste (së paku si sistem). Sot jetojmë në një shoqëri të hapur dhe LSSH mbetet pjesë e historisë.
Në Muzeun Historik Kombëtar, krahas pavionit të të persekutuarve politikë duhet të ngrihet edhe një pavion i Lëvizjes Studentore. Në tekstet e historisë më shumë duhet të shkruhet e t’u mësohet fëmijëve në shkolla. Dritësimi dhe nderimi i kësaj ngjarje historike është i dobishëm, jo për të djeshmen, por për të sotmen e të nesërmen e shoqërisë sonë.
Në ditët e sotme elita shqiptare ka detyrimin t’i afrojë një shërbesë të re shoqërisë: Ushqimin e përditshëm të demokracisë në hapësirat ballkanike, ku jetojnë shqiptarët; fuqizimin ekonomik dhe shëndoshjen e identitetit kombëtar.
Shtesë: Eshtë e nevojshme (jo vetëm për mua) të saktësoj një aspekt të rëndësishëm, që nuk e kam shënuar dhe mendoj se do të duhet të shkruhet e të theksohet: Një shtysë të rëndësishme i kanë dhënë Lëvizjes Studentore shqiptare, studentët jo konviktorë që erdhën menjëherë në mesin tonë nga Tirana dhe u bënë aktivistë të rëndësishëm, mes tyre pa asnjë mëdyshje Mesila Doda, Ilenja Mëhilli, Arian Manahasa, Ridvan Peshkëpia, Blendi Fevziu, Ben Blushi, Blendi Gonxhe, Edvin Shvarc e shumë e shumë aktivistë të tjerë, për të cilët do të shkruaj më gjatë në plotësim të këtij shënimi….(Nga libri “Dhjetor ‘90-të, mbaj mend…”)