24.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

Si plasi peshku pas përmbytjes nga hapja e portave të rezervuarve

Kur ka kaluar një javë nga përmbytja e autostradës Tiranë-Durrës, bizneset janë ende duke bërë bilancet e dëmeve të ujit që për pak minuta shkaktoi miliona euro dëme. Por, shqetësimi më i madh i tyre është që kjo situatë, që ndodh për të dytin vit radhazi (pas përmbytjeve të 8 nëntorit 2016) të mos përsëritet më.
Se çfarë ka ndodhur ende mbetet e paqartë. Ajo që dihet tashmë është se përroi i Limuthit, pranë City Park nuk ka arritur të përballojë prurjet e shumta dhe uji ka vërshuar në autostradë dhe në bizneset aty pranë. Nuk kanë ndihmuar situatën as ndërtimet që janë bërë në vite nga vetë bizneset, që kanë bllokuar kolektorët dhe kanalet e shkarkimit të ujërave. Burime zyrtare nga Prefektura Tiranë kanë pohuar se nga dita e hënë do të ngrihet një grup pune për të studiuar shkaqet dhe marrë masa për të kryer ndërhyrje të posaçme.
Ndërsa vitin e kaluar është pranuar tashmë se ishte hapja e rezervuarëve në kodrat rreth autostradës që shkaktoi përmbytjen, këtë vit burimet zyrtare thanë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Por, disa foto që kanë mbërritur në redaksinë e Monitor, tregojnë se peshku ka vërshuar në rrugë pas përmbytjeve, duke “tradhtuar” deklaratat se nuk ka pasur hapje të rezervuarëve.
Fotot, që tregojnë peshq liqeni të ngordhur në asfalt, janë bërë ditën e nesërme të përmbytjes nga punonjësit e City Park në oborrin dhe në parkingun e Qendrës Tregtare, thotë Eraldo Boni, administrator i City Park. Sipas tj, kjo tregon që janë hapur rezervuarët, pasi “peshku nuk erdhi nga qielli”.
Punonjësit pohojnë se përmbytja ka ardhur nga hapja e rezervuareve. Pamjet satelitore tregojnë se në zonën përreth ka tre liqene kryesore: Mazrekut, Gjokaj dhe Kashar, ku Mazreku ndodhet pranë City Park dhe Kasahri pranë Mercedes Benz (edhe ky i përmbytur, por jo me dëme të mëdha, për shkak se makinat u zhvendosën para se të shpërthente uji).
Gjithsesi, do të duhet një hetim i saktë nga ana e autoriteteve përkatëse për të parë se çfarë ka ndodhur, si dhe për të hartuara plane për ndërhyrje afatgjata dhe për të marrë masa që kjo të mos përsëritet më.

Basha thirrje të rinjve: Mos u largoni, ktheni sytë nga dhjetori ‘90, guxoni dhe luftoni!

Kryetari i PD, Lulzim Basha u ka bërë thirrje të rinjve të guxojnë, të ngrihen dhe të luftojnë për ta ndryshuar Shqipërinë. Nga aktiviteti i organizuar për 27-vjetorin e Lëvizjes Studentore në Qytetin Studenti tek shtatorja e Azem Hajdarit, Basha kujtoi 8 dhjetorin e 1990-ës dhe tha se ishte dita kur kurajoja triumfoi mbi frikën.
“8 dhjetori 1990, dita kur kurajoja triumfoi mbi frikën, kur dëshira për liri triumfoi mbi dhunën robëruese të diktaturës. Nga kuraja e studentëve të dhjetorit dhe liderit të tyre Azem Hajdari, shqiptarët rigjetën lirinë e humbur, lirinë e mendimit, të fjalës, lirinë politike, të besimit, lirinë e lëvizjes. Liria politike është në themel të dinjitetit njerëzor. Në një shoqëri ku qytetarët nuk kanë ndikim mbi mënyrën si qeverisen, nuk mund të ketë dinjitet njerëzor 8 dhjetori, dita e parë europiane në Shqipëri. Ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur.
Shqipëria ka bërë shumë përpara që prej Dhjetorit ‘90. Por edhe shumë gjëra shkuan keq, shumë gjëra u vonuan, shumë të tjera qenë më të vështirë seç i menduam. 27 vjet pas rënies së komunizmit liritë politikë të shqiptarëve janë sërish të kufizuara. Shqiptarët ende nuk votojnë të lirë, se dinjiteti i tyre është i nëpërkëmbur… Në vend që në Shqipëri të flitet për politika moderne, biznese të reja, flitet për pastrim të Parlamentit nga kriminelët.
Në vend që të mendojmë si të përmirësojmë sistemin bankar për të rritur ekonominë, diskutojmë si ta shpëtojmë sistemin bankar dhe ekonominë nga paratë e pista të krimit. Në vend që të mendojmë për më të pamundurën dhe t’u gjendemi në krah, mendojmë si të ndalojmë një grup oligarkësh që të mos plaçkitin vendin. Zgjidhni përpjekjen përballjen, guxoni, ngrihuni luftoni ta ndryshojmë Shqipërinë. PD bija tjetër së bashku me lëvizjen e dhjetorit do jetë përherë me ju, me rininë në ballë të përpjekjes. Ndryshimi do të vijë dhe do të vijë shpejt”, deklaroi Basha.

“Të rrojë Partia dhe xhaxhi Enver”, kartolina e Edit dhe vëlla Olsit

Kartolina që Edi dhe vëlla Olsi i dërgonin dajos Spiro për Vitin e Ri 1983.

8 Dhjetori ‘90/ Basha: Kur të rinjtë bëhen bashkë ndryshojnë botën!

Kryetari i PD, Lulzim Basha në urimin e tij për 8 Dhjetorin shprehet se, kur të gjithë bëhen bashkë, s’ka regjim që i ndal. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se, sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për atë forcë, atë idealizëm, atë kurajë kundër të keqes.

“8 dhjetori 1990 është një ditë e madhe jo vetëm sepse atë ditë u rrëzua diktatura, por edhe sepse ajo tregoi forcën e njerëzve të bashkuar për liri dhe dinjitet njerëzor. Kur të rinjtë bëhen bashkë, ata ndryshojnë botën. Kur ne të gjithë bëhemi bashkë, nuk ka regjim që na ndal. Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për atë forcë, atë idealizëm, atë kurajë kundër të keqes. Partia Demokratike, e cila lindi bashkë me lirinë politike në dhjetor 1990, do të jetë përherë në ballë të përpjekjeve për liri e demokraci.  Gëzuar 8 dhjetorin!”, shkruan Basha.

8 Dhjetori ‘90/ Berisha thirrje të rinjve: Ngrihuni dhe hidheni në Lanë këtë qeveri

Lideri historik i PD, Sali Berisha ka kujtuar 8 dhjetorin e vitit 1990. Në një aktivitet të zhvilluar në Qytetin Studenti, ish-kryeministri Berisha u shpreh sot se, kjo është një ditë frymëzimi. Në një fjalim plot emocione ish-kryeministri Berisha tha se ishte guximi i atyre studentëve që solli demokracinë në vend.

“Zoti kryetari i Forumit, Belind Këlliçi, i nderuar zoti Basha, miq të ftuar të huaj në këtë sallë, të dashur ish-studentë dhe studente, intelektualë që iu bashkuat asaj kohe me këtë lëvizje, anëtarë të FRPD-së, është nder, privilegj i madh të kremtojmë sot sëbashku ditën e Rinisë shqiptare, që është edhe dita e revolucionit paqësor. Revolucionit më të rëndësishëm, ajo që quhet Lëvizje studentore e dhjetorit. Miqtë e mi, historia është një e shkuar dhe natyrisht të merresh shumë me këtë edhe nuk duhet. Por sa herë kujton këtë ditë frymëzohesh dhe vetëm frymëzohesh. Si sot 27 vite më parë, bashkëmoshatarët tuaj u ngritën mbi frikën, dhunën, terrorin dhe u përballën në këtë qytet të bekuar në rrugën e Tiranës me diktaturën më staliniste që kishte njohur Europa. Më së pari çliruan qytetin e tyre, duke e shndërruar në kështjellën e lirisë shqiptare. Ata në atë kohë dhe ju sot që jeni këtu jeni të vetëdijshëm për forcën e jashtëzakonshme dhe shpirtërore që ju keni.

Në vitin 1900 ne nuk mund të krahasohemi as me Korenë e Veriut të sotme, që besoj e ndiqni. Pak ditë më parë ndoshta keni parë në lajme dhe youtube se si 3-4 ushtarë të Koresë së Veriut ekzekutuan shokun e tyre sepse po arratisej drejt rrugëve të lirisë. Por çfarë ndodhte në vitet ’90 tek ne? Rinia, që ishin regjistruar në regjistrat e gjendjes civile, tentuan që të largoheshin. Më kujtohet kur trupat e bërë shoshë që të vendoseshin afër shkollave, për të tmerruar. Apo shqetësonin qytetet e tjera. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri në vitin ’50, por edhe në ’90.

Cilat ishin përmasat e guximit të atyre vajzave dhe djemve, të udhëhequr nga Azem Hajdari, që u ngritën natën e 8 dhjetorit.

Dolën në shesh, u përleshën në diktaturën. I goditi pabesisht ai që i priti, të nesërmen nuk u shpërndarë nëpër shtëpitë e tyre, por u mblodhën sërish në atë shesh për të pushtuar Bulevardin e Tiranës. Sot kanë kaluar 27 vite dhe përsëri kjo datë e bekuar në historinë e lirisë shqiptare ka një mesazh të madh; guximi. Fitojnë ata që guxojnë. Asnjë nuk besonte përveç studenteve në fitoren e tyre. Nuk besonin se do të gjunjëzonin diktaturën. Ku jemi sot pas 27 vitesh? Jam i bindur se ju e doni vendin dhe në idealet tuaja keni një Shqipëri më të bukur se ajo që mund të ekzistojë. Ju dëshironi që fuqitë tuaja t’ja kushtoni këtij vendi.

Por sot ku jemi? Përveç viteve të zeza të diktaturës, kurrë s’kemi qenë në këtë gjendje. Çdo ditë lexoni mediat, çdo ditë kronika negative për Shqipërinë; Kanabistan, narkotshteti. Po ndërtohet narkoshteti. Se ministri i Brendshëm bën narkoshtetin, kryeministri është vëllai i Kazajt. A është i implikuar Rama? Patjetër që po. Vetëm kjo sallë do të mjaftonte për të hedhur në Lanë këtë qeveri. Nuk ishin më shumë ata”, tha Berisha.

27 vjet nga Lëvizja e Dhjetorit, PD e përkujton në Qytetin Studenti

Partia Demokratike përkujton sot, 27-Vjetorin e Lëvizjes Studentore. FRPD e ka organizuar aktivitetin në Qytetin Studenti, atje ku dhe nisi beteja e shqiptarëve për demokraci.

Në të marrin pjesë Kryetari i PD, Lulzim Basha, ish-Kryetari i PD, Sali Berisha, ish-studentë të Lëvizjes së Dhjetorit dhe drejtues te Fondacionit Konrad Adenauer. Në orën 12.30 do të bëhen nderime tek shtatorja e Azem Hajdarit në Qytetin Studenti.

“8 dhjetori ishte dita kur Shqipëria u ritakua me Europën, kur shqiptarët u rikthyen tek vlerat europiane. Prandaj 8 dhjetori mund të quhet pa frikë dita e parë europiane në Shqipëri pas një gjysëm shekulli endje nëpër humbëtirat e Lindjes”, shkruan Bashan ë një postim në Facebook.

27 vite më parë, nisi me bojkotin e mësimit

Ashtu sikurse 27 vite më parë, rrugët dhe sheshet e Shqipërisë janë mbushur me qytetarë të revoltuar që kërkojnë rrëzimin e këtij pushteti. 26 vite më parë, Tirana ishte e rrethuar. Një mori spiunësh të Sigurimit të Shtetit, policë, ushtarë dhe tetarë ishin bashkuar për të mbrojtur me dhunë diktaturën. Një grusht studentësh, në krye të të cilëve qëndronte Azem Hajdari kishin vendosur të përballeshin me makinën e dhunës të një regjimi, që po ndjente se i kishte ardhur fundi.
Në 8 Dhjetor 1990, studentët vendosën të bojkotonin mësimin dhe të protestojnë kundër regjimit, fillimisht për ndërprerjen e energjisë elektrike, kushtet e vështira ekonomike që po kalonte Shqipëria në ato momente, kushtet tepër të vështira që kishin studentët në konvikte e në shkolla. Ata organizuan një protestë, në të cilën ndodhi edhe një incident: policia e ushtria përdorën dhunën për të shpërndarë studentët dhe disa protestues morën plagë nga dhuna që përdorën forcat e pushtetit komunist. Kjo do të sillte dhe irritimin e mëtejshëm të studentëve dhe kërkesat e tyre u zgjeruan. Përveç kërkesave për plotësimin e kushteve të jetesës, ata kërkuan lejimin e pluralizmit, si dhe dënimin e dhunuesve të studentëve.
Ndërsa në Tiranë luhej ndeshja Partizani-Dinamo, kryeqyteti ishte rrethuar i tëri. Studentët qëndronin tek Liceu Artistik. Policia ndryshon itinerarin e lëvizjes së qytetarëve të Tiranës. Frika u kishte hyrë deri në palcë. Një bashkim i banorëve të Tiranës me studentët do të sillte revoltën e madhe, shumë më shpejt nga sa mund të mendohej. Në rrugën e “Elbasanit” për të parën herë shfaqen policë me skafanda dhe mburoja. Të gjithë të armatosur. Nuk lejonin kalimin përtej rrugës së “Elbasanit”, pasi tek Liceu Artistik ishin studentët. Atëherë lëvizja e mijëra e mijëra tifozëve u spostua për nga Piramida. Në rrugë dëgjoheshin thirrjet e studentëve. Ata nuk tërhiqeshin. Ata këndonin “Eja, mblidhuni këtu, këtu”. Megjithatë bashkimi i banorëve të Tiranës me studentët nuk ndodhi në atë moment, por në darkë. Studentët goditen dhe dhunohen në mënyrë çnjerëzore nga policia e Ramiz Alisë. Tirana zgjidhet dhe vendos të identifikohet me studentët. Në darkë me mijëra të rinj, ngjisnin kodrat e Qytetit “Studenti” nga të gjitha anët. Sigurimi i Shtetit dhe policia ishin shpërndarë në rrugët kryesore për të penguar bashkimin e madh. Por, ishte e pamundur. Për në Qytetin “Studenti” kishte me dhjetëra rrugë që të çonin atje. Askush nuk mund ta ndalte më Tiranën të ishte pjesë e Lëvizjes Studentore. Askush nuk mund t’i ndalte më studentët, që pas atij bashkimi të 9 Dhjetorit mori fuqinë për të rrëzuar diktaturën.
Ngjarjet rrodhën shumë shpejt dhe pas shumë protestave, ku zëri kryesor që dëgjohej ishte “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”, një përfaqësi studentësh e kryesuar nga Azem Hajdari, iu drejtua më 11 Dhjetor 1990, Pallatit të Brigadave, ku priteshin në takim nga Sekretari i Parë i Partisë së Punës të Shqipërisë, Ramiz Alia, njëkohësisht edhe President i vendit. Ky është dhe momenti më kyç i Lëvizjes Studentore. Në atë mbledhje, Ramiz Alia, duke parë që studentëve u ishin bashkëngjitur tashmë edhe qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria dhe pushteti nuk kishte më fuqinë t’i bënte ballë Lëvizjes për Demokraci, pranoi pa kushte pluralizmin politik në Republikën e Shqipërisë.
Lëvizja Studentore shqiptare lindi si rezultat i një serie protestash studentore e demonstratash, që u përshkallëzuan në një konflikt të hapur me sistemin totalitar e partinë-shtet. Ndërmjet arritjeve të shënuara të kësaj lëvizjeje janë mbajtja e zgjedhjeve të para demokratike në Shqipëri, formulimi i qartë i kërkesave politike që sollën pluralizmin në Shqipëri, galvanizimi i masave të popullit në mbështetje të forcave politike opozitare që lindën më pas, organizimi i grevës së urisë, që çoi në rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës dhe kontributi i jashtëzakonshëm në shmangien e luftës civile, në një moment shumë kritik të tranzicionit të Shqipërisë prej sistemit totalitar.
Sot, pas 21 vitesh, ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik dhe për këtë një meritë të padiskutueshme ka Lëvizja Studentore e 8 Dhjetorit të vitit 1990, e kryesuar nga lideri i demokracisë, “Nderi i Kombit”, Azem Hajdari, si dhe mijëra studentët e intelektualët që me uraganin studentor përmbysën regjimin më gjakatar që kishte njohur Europa.
8 Dhjetori i vitit 1990, kjo datë historike, do të mbetet në memorien e shqiptarëve si prelud i ndryshimit të sistemit shoqëror në Shqipëri, nga komunizmi njëpartiak në demokraci pluraliste.

Shqipëria ishte i vetmi shtet totalitar policor në Europë

Dhjetori i vitit ‘90 vendosi në axhendën e shqiptarëve ballafaqimin. Dhjetoristët dhe gjithë populli shqiptar, në këtë ditë historike, nderojnë kujtimin e liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari, i cili u vra më 12 shtator 1998 nga socialkomunistët që u rikthyen në pushtet nëpërmjet rebelimit mafiozo-komunist të ‘97. Rrugën për fitoren e demokracisë e të pluralizmit shqiptar, rinia studentore e nisi 21 vjet më parë nga ai vend që sot quhet Sheshi “Demokracia”, në krye të së cilës ishte tribuni Azem Hajdari. Studentët e udhëhequr nga Azemi mbushën rrugët e Tiranës, sheshet dhe shpirtrat e shqiptarëve me dritën e lirisë. Në dhjetor të vitit 1990, Shqipëria ishte i vetmi shtet totalitar policor në Europë. Në atë kohë të acartë, kur bisha komuniste ishte në përpëlitjet e fundit, barra e përplasjes me regjimin më gjakatar që kishte njohur njerëzimi ra mbi studentët e universiteteve të Tiranës dhe të qendrave të tjera të arsimit të lartë në Korçë, Shkodër, Elbasan e në Gjirokastër. Në periudhën ndërmjet dhjetorit 1990 dhe prillit 1991, studentët shqiptarë demonstruan ndjenjë të lartë përgjegjësie politike dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në proceset e tranzicionit, prej sistemit totalitar në një sistem demokratik. Këto ngjarje kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimet e mëvonshme politike, ekonomike e shoqërore në shtetin shqiptar. Studentët që morën pjesë në veprimtaritë e Lëvizjes Studentore, kanë qenë kontribues shumë aktivë në të gjitha nivelet e politikës shqiptare.

Drita e shpresës për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë

26 vjet më parë, Shqipëria ishte zhytur në mjerimin dhe izolimin më të tmerrshëm të historisë. Ajo që kishte pllakosur vendin ishte zija e urisë. Dyqanet e boshatisura si pasojë e mungesës së prodhimit të brendshëm kishin detyruar sistemin që të aplikonte prej vitesh tollonat, ku një familje nuk mund të merrte më shumë se një pako 200 gramshe gjalpë në javë apo një gjysmë kilogram djathë. Radhët për ushqime sa vinin dhe shtoheshin, ndërsa durimi kishte kaluar të gjitha kufijtë. Paralelisht me këtë situatë mjaft të rënduar politike, duke parë edhe erën e ndryshimeve që po frynte në shumë vende të Europës Lindore, diktatura vendosi të reagonte me ashpërsi. Ishte e vetmja mënyrë për të siguruar mbijetesën e sistemit. Burgjet ishin të tejmbushur me të burgosur politikë dhe numri i tyre sa vinte dhe shtohej.
Diktatura po tregonte dhëmbët edhe në kufi, ku raportoheshin me dhjetëra raste të vrasjeve në të. Synohej të krijohej një situatë frike për të mbajtur nën presion popullin, përndryshe çdo tërheqje apo tolerim do të kuptohej si një dobësi. Në shkollat e mesme dhe të larta u dha alternativa që çdo ditë të zhvilloheshin biseda me nxënësit, ku të flitej se Shqipëria ishte një rast i veçantë dhe nuk mund të kishte ngjashmëri as me Gjermaninë Lindore dhe as me Rumaninë, ku ishte ekzekutuar diktatori Çaushesku.
Ndërkaq në Tiranë, Shkodër, Kavajë dhe qytete të tjera të vendit sa vinte dhe shtohej revolta e brendshme. Sinjali ishte dhënë me ambasadat, ku mijëra të rinj shpërthyen muret e izolimit m’u në zemër të diktaturës, duke e sfiduar hapur sistemin e saj të dhunës. Mitingu famëkeq i atyre ditëve, ku ata mijëra të rinj u konsideruan huliganë, vandalë dhe armiq të popullit, nuk solli asnjë efekt, përveçse rriti dozat e zemërimit popullor. Për çdo natë në Tiranën e atyre ditëve pëshpëritej për një reagim, i cili mund të niste në Sheshin “Skënderbej”, ku ishte edhe epiqendra e asaj kohe e rinisë. Ndërkaq, sinjali erdhi pak metra më tutje qendrës së Tiranës. Atje ku disa dhjetëra studentë të drejtuar nga Azem Hajdari, vendosën të përballen me aparatin e diktaturës. Ajo lëvizje u bë drita e shpresës për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë.

Misioni i dhjetorit ‘90 është i realizuar

Shqipëria sot, është në mënyrë të pakthyeshme, ajo që donin studentët dhe shumica e shqiptarëve në dhjetor të ‘90. Mesazhi dhe misioni i Lëvizjes Studentore është i realizuar. Shqipëria sot, është shumë më tepër se ajo që mendonim dhe shpresonim në atë kohë të ishte. Dhe vërtet këtu është një meritë, së pari, e vetë PD-së, që përgjithësisht në gjithë jetën e saj historike e mbajti këtë flamur të mesazhit të Lëvizjes Studentore të ‘90. Është meritë e gjithë shqiptarëve që demokracinë e bënë shumë shpejt mentalitet të qenies së tyre dhe të shtetit të tyre. Ëndrra e studentëve dhe e shumicës së shqiptarëve për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike është bërë realitet me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe me pranimin e kërkesës për të qenë vend kandidat për në BE.

Lëvizja Studentore u kthye në një lëvizje mbarëkombëtare

Dhjetori i vitit 1990 ka hyrë në historinë e demokracisë në Shqipëri, si dhjetori i bardhë, dhjetori i lirisë, dhjetori i demokracisë. Djemtë dhe vajzat studentë, të rinjtë, të moshuarit, punëtorët, fshatarësia, të gjithë dolën në shesh. Sheshi “Skënderbej” në Tiranë dhe të gjithë sheshet e Shqipërisë u mbushën plot e përplot me demokratë. Nga goja e tyre dolën si zjarr i një vullkani dy fjalë: Liri-Demokraci. Artikulimi i këtyre fjalëve kishte peshë të madhe, aq të madhe sa ngriti peshë zemrën e një kombi, i cili kaq shumë kishte vuajtur, për lirinë, demokracinë dhe qytetërimin europian. Por jo vetëm kaq. Zëri i shqiptarëve për liri dhe demokraci, zgjoi jo vetëm Europën, por edhe vëmendjen e demokracisë perëndimore, në veçanti politikën e madhe amerikane. Pas Lëvizjes Studentore, që u kthye menjëherë në një lëvizje mbarëkombëtare për demokraci dhe rrëzimit të miteve të diktaturës komuniste, prezenca e SHBA-së në Shqipëri nuk vonoi. Përkundrazi, ajo erdhi me gjithë fuqinë e saj. Muaji dhjetor i vitit 1990 ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe analet e demokracisë shqiptare, si muaj i lindjes së demokracisë dhe Lëvizja Studentore si lëvizja e parë për demokraci në Shqipëri.

Azemi: “Përpara vizionit të studentëve, diktatura ishte vetëm një leckë e dalë boje”

– Si personazh kryesor i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, çfarë është për ju 8 Dhjetori 1990?

8 Dhjetori ’90, jo vetëm për mua, por për të gjithë ne shqiptarët është një nga ditët më të shënuara. Mori fund kapitulli i frikës. Njerëzit janë të vendosur në rrugën e lirisë, këtë rrugë, për fat po e udhëhiqnin studentët. Përpara vizionit të tyre të lirisë, diktatura e PPSH-së ishte vetëm një leckë e dalë boje, siç thotë poeti Migjeni.
8 Dhjetori shënon hapin më progresiv politik të popullit tonë, në gjysmën e dytë të shekullit 20-të, i cili i hap rrugë pluralizmit politik, gjunjëzon mekanizmin e komunizmit si doktrinë dhe si praktikë në Shqipëri.

– Historia e solli që nga një qytetar i thjeshtë, nga një student “rebel”, të ktheheshit në një lider lëvizjeje të fuqishme antikomuniste. Si është përjetuar ky transformim në botën shpirtërore të Azem Hajdarit?

Kjo ka një kuintinitet shpirtëror tek unë. Tash katër breza, ky ideal gatuhet në linjën e gjakut tim. Isha një student i zakonshëm që ushqehesha me lata. Aspiratat e mia të lirisë ishin të pranishme kudo. Dalja ime në krye të Lëvizjes Studentore nuk ishte rastësi. Unë doja që t’i falja jetën Shqipërisë dhe atdheu im ma pranoi. Fati e solli që unë të jem përsëri gjallë dhe alternativa e lirisë të ketë fituar.
Për mua, ky ka qenë një kalim njerëzor në shërbim të njeriut dhe lirisë së tij. Ky ka qenë thjesht një kontribut i imi minimal në shërbim të atdheut.

– Si e shihni pas 5 vjetësh (më 1995) realizimin e idealeve të Dhjetorit?

Shqipëria është ashtu siç deshëm ne në Dhjetor, e integruar në Europë. PD-ja është në Unionin Demokratik Europian. Shqipëria është faktor stabiliteti në rajon. Shqipëria është e angazhuar në strukturat e NATO-s; ajo është ndarë përgjithmonë nga orientalizmi që gjendet vetëm tek opozita shqiptare.

– Jeni kryetar i Komisionit Nismëtar të PD-së, si e shihni sot (më 1995) këtë parti?

PD është kthyer në një parti e fuqishme të modelit perëndimor, që drejtoi një reformë të madhe, e cila do të mbetet në histori. Ajo, sot, është forca më dinjitoze, progresive që ka të drejtën morale për të kërkuar edhe njëherë drejtimin e shoqërisë shqiptare.

– Çfarë mesazhi do t’u dërgonit sot (më 8 Dhjetor 1995) bashkëluftëtarëve të t’u të Dhjetorit ’90?

Të luftojnë përsëri dhe me të njëjtin guxim për fitoren e ardhshme të PD-së.

(Intervistë e liderit të Dhjetorit, dhënë gazetës “RD” më 8 Dhjetor 1995)

Dhjetor ’90, nga zgjedhja e Azemit tek revolta e madhe

Protesta shtatëorëshe e studentëve që paralajmëroi shembjen e diktaturës

8 Dhjetor, Ora 10:00
Kryeministri Çarçani shkon pa njoftuar për vizitë tek studentët në Qytetin “Studenti”. Kalimi i tij nga godina 27-28 krijoi ilaritet të madh, pasi baltës nuk i rezistuan as çizmet që Çarçanit ia dërgoi me shpejtësi policia. Në godinën 10-11, ai priti një grup studentësh. Gjysma e sallës ishte mbushur me sampistë. Studentja A.B. iu drejtua Çarçanit me fjalë dhe tone të ashpra. Ajo tha se, “unë nuk mund të lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj…”

Ora 20:30
Kabina elektrike në Qytetin “Studenti” merr flakë. Gjithçka fillon nga e para. Fillojnë parrullat kundër diktaturës, të thirrurat dhe të sharat ndaj qeverisë komuniste dhe thirrjet për të lëvizur të organizuar. Për herë të parë u këndua nga të gjithë kënga: “Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri/ O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje, ja liri”! Pastaj u hodhën parullat: “Poshtë komunizmi” dhe “Komunistët në litar”.

Ora 21:00
Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për t’u mbledhur të gjithë. Brenda 10-15 minutave u mblodhën rreth 200-300 studentë, të cilët filluan marshimin drejt drejtorisë. Kur u arrit tek godina 17, u pa se i gjithë trupi pedagogjik i universitetit kishte ardhur i shoqëruar me autoblinda të policisë në përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plot vetura qeveritare, studentët morën rrugën për në Sheshin që sot quhet “Demokracia”.

Ora 21:00
Në përpjekje për të pasur sa më shumë solidaritet, demonstruesit shkuan drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e tyre. Ndërkohë, dritat kishin ardhur, por askujt nuk i binte ndërmend për to. Pas godinës 15, studentët shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua që dikush të zgjidhej për drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri, si i vetmi prind u zgjodh pa asnjë diskutim Azem Hajdari. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga rruga e “Elbasanit”, me synimin për takim me R.Alinë ose demonstrim në Sheshin “Skënderbej”.

Ora 22.00
Në hyrje të lagjes, afër çerdhes, policia kishte vënë postbllok. Aty foli Pirro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës zbukuruese, të tjerët fishkëllyen. Dikush e pyeti Pirron se sekretari i cilës parti ishte.

Ora 24.00
Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili filloi të qeraste studentët me cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u acarua së tepërmi më shumë se një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për takim me R.Alinë. Delegacionit iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do të ishin të arrestuar.

Ora 01.10, 9 dhjetor
Nisi dita e re. Delegacioni u kthye nga Alia me premtimin se policia nuk do të përdorte forcën me studentët dhe të nesërmen ose do të priste 300 studentë në Qytetin “Studenti”, ose 3000 në Pallatin e Sportit “Partizani”. Ata komunikuan kompromisin, i cili nuk u pranua dhe u vërshëllye nga studentët demonstrues, numri i të cilëve ishte 2000-2500 vetë. Studentët kërkuan të ecin drejt sheshit. 5-6 vajza që ishin dolën përpara demonstruesve. Acarimi arriti kulmin.

Ora 01.20
Hekuran Isai, improvizoi një humbje të pistoletës të një oficeri dhe dha tre herë urdhër: “Bjeruni, bjeruni, pastroni sheshin!”. Njëri nga studentët e kapi nga dy duart Hekuran Isain dhe u kujtoi premtimin e Alisë se s’do të përdorej dhuna. Isai nuk reagoi, atëherë studenti e shtyu dhe e hodhi ministrin e Brendshëm të PPSH në grumbullin e ferrave anash rrugës.

Ora 01.35
Pas demonstrimit të përleshjes, të plagosur, të irrituar, të baltosur dhe me urrejtje të madhe kundër komunistëve, duke thirrur parulla të ashpra, studentët u kthyen në Sheshin “Demokracia”. U debatua pak, nëse do të vazhdohej natën apo të nesërmen, u la për në orën 7.30 të mëngjesit.

Ora 8.00
Vetëm në atë orë u mblodhën grupet e para. Në godina ishte nxjerrë një njoftim dore për bojkotim mësimi. Megjithëse e dielë, ishte mësim, pasi zëvendësohej një ditë pas festave të nëntorit. Disa studentë i kishin prerë rrugën atyre që shkonin në fakultete dhe u bënin thirrje për solidaritet. Më të pabindurit ishin FSHN dhe Juridiku.

Ora 9.00
Në Qytetin “Studenti” shkon A.H. Djemtë e Inxhinierisë, që i rrinin pranë dhe në një farë mënyre ishin organizatorët e ditës. Ndërkohë, sheshi i mbushur plot mori itinerarin Kinostudio-Filologjik-ambasada amerikane-Sheshi “Skënderbej”. Të gjithë protestonin ndaj R.Alisë që s’mbajti premtimin dhe të gjithë besonin se ishin arrestuar studentë mbrëmjen e parë. Tashmë ishin 5-6 mijë demonstrues. Afër ambasadës amerikane policia i ndau në dysh. Grupi i parë vazhdoi deri afër Liceut. Aty, policia e frymëzuar nga Lenini dhe Stalini që vigjëlonin në muze anash, bllokoi rrugën dhe filloi të merrte masa që studentët të mbeten të izoluar nga qytetarët e Tiranës.

Ora 9.30:12.30
Në Qytetin “Studenti” shkuan dhe ikën të deleguarit e Alisë. Nuk u arrit asnjë kompromis. Studentët tashmë kishin avancuar në kërkesat politike, thirrjet dhe organizim.

Ora 13.10
Pas një vese të hollë shiu, doli dielli. Policia mori urdhër për veprim, katër herë dështuan. Herën e pestë, pas një sprapseje ata u vërsulën fuqishëm mbi studentët. Ishte një masakër e vërtetë. Rreth 20 të arrestuar, 60 të plagosur dhe qindra të tjerë të vrarë në shpirt e në zemër. Për t’i shpëtuar shkopinjve të gomës, u strehuan tek familjarët e lagjes. Gjithçka vazhdoi e tillë në ankthe e pritje, derisa në orën 14.00 shkoi tek studentët Prof. Dr. Sali Berisha, dhe u premtoi atyre se do të bënte të pamundurën se do të lironte studentët e arrestuar. Por atë pasdite do të zgjidhej një komision përgjegjës, i cili kishte mandat për përfaqësimin e mendimeve të studentëve. Policë e ushtarakë u larguan nga Qyteti “Studenti” dhe brenda ditës, dhjetra kujdestarë e punonjës u zëvendësuan me efektiva të 326 ose të Sigurimit të Shtetit.

10 dhjetor ora 9.00:10.00
Studentët u grumbulluan në Sheshin “Demokracia”. U deklarua bojkotimi i mësimit dhe në mënyrë të përgjithshme u përvijuan kërkesat e peticionit që iu dërguan R.Alisë.
72 autoblinda ushtarake të mbushura me studentë të Shkollës së Bashkuar, që mbante emrin e E.Hoxha, me urdhër të Kiço Mustaqit ishin nisur për në rrethinat e Qytetit “Studenti” në pritje për ndërhyrje. Në mesin e rrugës, disa prejt tyre kishin filluar të bërtisnin pro studentëve, shkak që e detyroi atë kolonë të kthehej pas. “Dezertorët” u përjashtuan 10 ditë më pas. Në Qytetin “Studenti” arritën banorët e rinj. Ata ishin studentët e familjeve tiranase dhe punëtorë. Tashmë, sheshi ishte i mbushur për të mos u zbrazur më. Ndërkohë në mikrofonë dhjetra liderë të ardhshëm shprehnin solidaritetin me studentët dhe i jepnin opsione të zgjidhjes. Pasdite filloi një shi i tmerrshëm, megjithatë studentët nuk u larguan. Të detyruar nga kushtet, komisioni i studentëve (deri atë natë u bënë dy komisione) i ftoi studentët në mencën e studentëve 7-1 dhe u dha variantet e takimit me Presidentin Alia. Të gjithë kërkuan dhe ranë dakord për takim me R. Alinë ose në Qytetin “Studenti”, ose me 3000 studentë në Pallatin e Sportit “Partizani”.

11 dhjetor ora 9:00
Filloi mitingu i ditës. Pjesëmarrje e jashtëzakonshme, sepse tashmë Qyteti “Studenti” ishte çliruar nga komunizmi. U komunikua se R.Alia priste një përfaqësi prej 30 vetësh në takim, në mbrëmje. Çdo fakultet do të zgjidhte përfaqësuesin e vet.

Ora 10:00-16:00
Vazhdoi zgjedhja e delegatëve nëpër fakultete.

11 dhjetor ora 18:00
Arriti autobusi dhe në mënyrë madhështore u bë nisja e studentëve dhe pedagogëve për takim me Presidentin komunist Alia.

Ora 20:00
Nëpërmjet RTV u komunikua deklarimi i pluralizmit politik dhe shkarkimet në Byronë Politike të KQPPSH.

Ora 21:00
Delegacioni u kthye me një pritje entuziaste e madhështore. Delegacioni i cilësoi bisedimet të suksesshme dhe u tha se do të formohej opozita e parë. Pati disa propozime për emrin e partisë së re dhe u la për të nesërmen në mitingun e madh të pasdites.

12 dhjetor, ora 9:00
U mbajt mitingu i parë i punëtorëve në Qytetin “Studenti”, ndërkohë që prej darkës së parë në godinën 15 vazhdonte hartimi i dokumentave prezantuese të PD. U mblodhën 365 nënshkrime të domosdoshme për themelimin e një partie, nga të cilët 194 ishin studentë.

Ora 16:00
Në një miting historik madhështor u shpall themelimi i PDSH, si forca e parë opozitare antikomuniste e demokratike dhe u komunikua programi minimal i PDSH.