Shefi i Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, Marsel Dulaj u vë gjoba biznesve deri në 1 mijë euro dhe askush nuk ndërhyn, sepse ka mbrojtjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Denoncimi është bërë nga një tregtar nga Tirana, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Tregtari i shkruan Berishës se, Shefi i Krimit Ekonomik, Marsel Dulaj po zhvat bizneset, duke vënë gjoba të majme, pa të drejtë. Biznesmeni thotë se, shefi i Krimit Ekonomik është denoncuar disa herë, por askush nuk merr masa ndaj tij, sepse ka mbështetjen e ministrit Fatmir Xhafaj.
“Çunat e krimit bëjnë kërdinë ndaj bizneseve! Biznesmeni dixhital denoncon: -Famozin Marsel Dulaj, që i rrjep me gjoba dhe ryshfete! -Mbrojtjen e tij nga Xhafa i drogës! Lexoni mesazhin e tij”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Z.Berisha, të uroj gjithë të mirat. Jam një tregtar që kam një dyqan telefonash tek Posta, afër tregut çam. Kam një shqetësim nga ky Marsel Dulaj, shefi i Krimit Ekonomik. Këtë Marselin u bë e disata herë që e denoncojnë për zhvatje të tregtarëve. Ai është denoncuar edhe nga tregtarët e Medresesë dhe gjithandej, por ky prapë nuk paska zot që e ndalon. Po na vjen dyqan më dyqan këtu tek Posta kush shet telefon dhe na kërcënon ose nga 1000 euro ose do ju bllokoj telefonat e vjetër që shesim. Mban dhe nja dy të tjerë nga mbrapa vetes dhe i kërkon lekët pa kurrfarë problemi. Të lutem zoti Berisha bëj diçka se ne nuk po nxjerrim dot qeranë dhe shpenzimet, aq shumë ka rënë puna jo më të mbajmë dhe shefin e Krimit Ekonomik me lekë.
Ngreni këtë problem ju lutem se nuk guxojmë të hapim dyqanet, rrimë me frikë se na kërkon faturë për telefona të përdorur dhe na i bllokon po nuk i dhamë bakshishin që kërkon. 1000 euro e ka vendos taksën. Jemi në hall dhe s’dimë ku të gjejmë zgjidhje se ky ka mbrojtje direkt nga ish-ministri Tahiri dhe nga ministri i tanishëm Xhafaj. Dhe është i paprekshëm, bën si i do qefi dhe nuk e prek njeri. Ju e keni denoncuar dhe herë tjetër dhe ministri Xhafaj nuk ka marrë asnjë masë ndaj Marsel Dulaj se si duket ato që zhvat nga tregtarët ky shefi Marsel i ndan me shefat e vet. Dhe vazhdon i qetë punën ky, gjoba bizneseve përditë”, shkruan tregtari.
Po ashtu, ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar një akt korrupsioni të Bashkisë Dibër ndaj shoferëve të furgonëve me licencë për të favorizuar klientët e pushtetarëve. “Një akt korruptiv i Bashkisë Dibër. Shikoni si penalizohen shoferët e autobuzëve me licencë dhe favorizohen klientët e pushtetarëve! Lexoni mesazhin e shoferit dixhital dhe shihni video protestën e tyre!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha. Shoferët e furgonëve të transportit ndërqytetas në Dibër kanë bllokuar sot terminalin ku nisen autobuzët drejt Tiranës. Ato pretendojnë se janë të licencuar dhe se licencat e tyre janë të vlefshme deri në vitin 2021. Edhe pse paguajnë taksat, tatimet dhe sigurimin e mjeteve, Bashkia Dibër ka futur në linjë një tjetër shoqëri. Shoferët akuzojnë se kjo shoqëri është klienteliste dhe se është futur në linjë në vitin 2015-2016, ndërsa licenca daton në vitin 2012 dhe është lëshuar nga kryetari i Bashkisë, Ethem Fida. Në fakt Ethem Fida është komanduar kryetar Bashkie në vitin 2015, çka tregon se kjo licencë është e falsifikuar. Prej një viti kjo shoqëri ka caktuar orare që përplasen me oraret e furgonëve të tjerë. Kjo shoqëri që është licencuar nga Bashkia Dibër në mënyrë klienteliste ka lënë zbuluar dhe nuk u ofron shërbimin dibranëve.
Mungojnë linjat në oraret e pasdites, çka bën që pasagjerët të mbeten hoteleve të Tiranës ose të paguajnë bileta të kripura deri në 10 mijë lekë. Kjo shoqëri nuk ka ekzistuar, por ka mbledhur furgonë dhe në këmbim të 50 mijë lekëve në muaj u jep të drejtën e licencës. Në fakt furgonët e kësaj shoqërie janë jashtë të gjitha kushteve dhe kritereve të kërkuara nga Ministria e Transporteve, ndërsa furgonët e lënë pa punë janë vitprodhimi pas 2010. Mund të shihni foton e licencës dhe videon e protestës. Ju lutem denoncojeni si rast, sepse mediat nuk e japin protestën tonë”, shkruan shoferi.
Shefi i Krimit Ekonomik i vë gjoba bizneseve me mbrojtjen e Xhafajt
Nënkomisari i Policisë, drogë drejt Italisë që prej vitit 2014
Zyrtarët e policisë që trafikuan 2,5 ton kanabis nga Porti i Durrësit drejt Italisë në janar të këtij viti e kanë kryer këtë aktivitet kriminal që prej vitit 2014. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, nënkomisari i policisë, Festim Lelaj në vitin 2014 ka lejuar kalimin nga Porti i Vlorës të një sasi prej 350 kilogramësh kanabis. Lelaj në atë kohë punonte si punonjës i Policisë Kufitare në këtë port.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se, oficeri i policisë ka bashkëpunuar ngushtë me dy të arrestuarit e tjerë Aurel Laze dhe Skënder Siceqa, të cilët transportuan me kamion drogën drejt Italisë. Ky është vetëm një nga rastet që zyrtari i policisë ka ndihmuar grupin, ndërsa dyshohet se drejt Italisë kanë kaluar disa ngarkesa me kanabis.
Nënkomisari Festim Lelaj është njeri nga oficerët e Policisë Vlorë, bashkë me oficerin S.K, të cilët nxorën armët kundër ish-shefit të Antidrogës, Dritan Zagani dhe oficerit të Antidrogës Bledar Naçi, të Drejtorisë së Policisë Fier, sepse nuk donin të lejonin sekuestrimin e skafit që kishin bllokuar Zagani dhe Naçi. Skafi u sekuestrua forcërisht dhe më pas zyrtarët e lartë e liruan.
Efektivi i policisë u prangos të martën, ndërsa hetuesit arritën në përfundimin se nënkomisari i Policisë së Fierit kishte rolin e organizatorit edhe në grupin që trafikoi 2.5 tonë kanabis në janar të këtij viti nga Porti i Durresit në Ankona.
Ngarkesa me drogë do të dërgohej drejt Gjermanisë, ndërsa kamioni me lëndë narkotike ishte vulosur në Portin e Durrësit si mall tranzit, për t’u mos u kontrolluar më tutje në portin italian. Kanabisi ishte zhvendosur drejt Durrësit me dy kamione të rëndë, teksa vetëm njëri prej tyre kreu kontrollin në skaner në Portin e Durrësit. Sipas hetimeve, drejtuesi i kamionit Dhimo Koraj, ndërroi targat e rimorkios së pakontrolluar, duke i vendosur ato të mjetit të kaluar më herët në skaner. E gjithë skena ishte monitoruar nga kamerat e sigurisë, duke u përdorur nga prokurorët si prova materiale.
Ngarkimi i lëndës narkotike është bërë në Fier, në bashkëpunim me një kompani që transportonte paleta druri në vendet e Europës. Sipas Prokurorisë, në të njëjtën ditë u nisën dy kamionë, i pari që nuk kishte drogë ka hyrë i pari për t’u kontrolluar. Pasi është bërë vulosja e tij ka dalë në parkimin e portit, ku ndodhej edhe kamioni tjetër ku ishte droga. Shoferi i tij ka ndërruar rimokorkion, duke marrë atë që ishte me drogë.
Gjithashtu ai ka ndërruar edhe targat. Në këtë mënyrë është bërë edhe shmangia e kontrolleve në Itali, pasi në këtë vend ngarkesat do të kalonin tranzit. Destinacioni përfundimtar i ngarkesës ishte Gjermania. Prokuroria sqaroi të martën se për këtë rast ishin ndaluar 8 persona. Arrestimet kanë filluar që në janar dhe kanë përfunduar këtë të mërkurë. Sipas hetuesve rolin e organizatorit e kishte nënkomisari i Policisë së Fierit, Festim Lelaj që garantonte edhe ruajtjen nga aksionet policore.
Pas arrestimeve të së mërkurës, shkon në 12 numri i personave të vënë në pranga për këtë rast ndërkombëtar të trafikut të lëndëve narkotike. Të arrestuarit e këtij grupi pritet të dalin para gjykatës, për t’u njohur me masën e sigurisë ditën e premte. Mësohet se Prokuroria do të kërkojë arrest me burg për akuzat e grupit të strukturuar kriminal dhe trafik droge.
Ndërkohë, në pikën kufitare të Portit të Durrësit janë vendosur masa të rrepta sigurie. Të gjithë kamionët që nisen për në Itali, autobus, autovetura dhe bagazhet e pasagjerëve kontrollohen rreptësisht nga agjencitë që operojnë në pikën kufitare. Këto masa ekstreme janë ndërmarrë pas urdhër arresteve dhe hetimeve që ka nisur Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me trafikimin e 2.5 ton kanabis stativa të bllokuara në Itali në fund të muajit mars të këtij viti.
R.POLISI
Pas përmbytjeve bagëtitë ngordhin për ushqim, banorët japin alarmin SOS
Situata pas përmbytjeve është mjaft e rëndë në rrethin e Fierit. Në fshatin Hoxharë po ngordhin bagëtitë. Ky fshat i Fierit, është një ndër më të prekurit nga vërshimi i lumit Vjosa fundjavën që lamë pas. Shumë banorë i bënë apel shtetit për të siguruar ushqim për bagëtitë, sepse do të ngordhin. Ditën e djeshme janë parë shumë qengja të ngordhur në mes të rrugës. Banorët thonë se, vetëm në një natë kanë ngordhur 25 kokë dele. “Mungesa e ushqimit, medikamenteve ka çuar në ngordhjen masive të bagëtive”, thonë banorët.
Sefedin Gogaj, banor i fshatit Hoxharë tregon se, nëse vazhdohet kështu nuk do të ngelet asnjë kokë bagëti. “Që nga dita e përmbytjes, 30 nëntor dhe në vazhdim nuk na ka ardhur asnjë bazë ushqimore. Problemi është se deri në mars këta bagëti nuk ia dalin, jo vetëm tek unë, por në të gjithë fshatin. Nuk ka ardhur asnjë njeri, as ndihma, as çadra, asgjë. Kanë ngordhur qengja, keca dhe janë të sëmurë, i ka zënë dizanteria. Kanë ardhur për t’i parë, por nuk kanë sjellë asnjë medikament. Me këto ritme do të ngrodhin të gjitha, nuk i zë marsi. Ne kërkojmë ndihmë, bazë ushqimore, çadër, misër e bar. Tokat bujqësore janë të përmbytura, kemi të mbjella tërshërë, elb e grurë. Tokat bëhen funksionale në prill”, shprehet Gogaj.
Vjosa përshkoi fshatra të tërë, përmbyti shtëpi dhe shëmbi ura. Është kufiri mes Povelçës dhe Darëzezës, aty ku uji ka rrethuar shumë shtëpi. Janë banorët e fundit që përballen me vërshimin e Vjosës, por të parët që kanë nevojë për ndihmë.
Historia përsëritet, por këtë herë izolimi nga uji do zgjasë më tepër. Sasia e vërshimit ishte më e madhe se ajo e dy viteve më parë. Hidrovorët janë në punë 24 orë, por uji tërhiqet ngadalë. I kanë ngritur shtëpitë në tokat e tyre. Por kjo është ultësirë bregdetare, ku kontrollin herë pas here e merr natyra. Fushat janë shndërruar në këneta.
Varkat apo gomonet si të vetmet mjete transporti i kanë marrë hua nga të afërm. Atyre u duhet çdo lloj ndihme për të kaluar ditë të vështira si këto. Përveç shtëpive të izoluara nga uji janë përmbytur dhe mbeten nën ujë stalla dhe stane të gjësë së gjallë. Banorët po i improvizojnë ato në anë të rrugës.
Temperaturat e ulëta po çojnë në ngordhjen e bagëtive të imëta. Tufa të tëra janë në qiell të hapur. Bilanci i dëmeve nga vërshimi i lumit Vjosa flet për 350 shtëpi të përmbytura dhe 5000 ha tokë bujqësore. Nuk dihet sa jane dëmet në fushat e mbjellë me grurë, elb dhe foragjere. Ndihma ka edhe nga përtej kufijve.
Sulmi ndaj policisë në Elbasan, drejt mbylljes hetimet për të akuzuarit
Shfryhet dosja e ngjarjes së 18 shtatorit në Elbasan, ku makina e nëndrejtorit të policisë së këtij qarku u godit nga një mjet i blinduar. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur moskompetencë për hetimin ndaj katër personave, të cilët u arrestuan si autorë të dyshuar.
Pas gati tre muajsh hetime, për Enea Bekteshin, i cili pranoi se ishte ai në drejtimin e mjetit, Kelmend Xhaferrin, Valmir Dedjan dhe Ledio Zabelin nuk u gjetën prova për akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë, ndaj punonjësit të policisë. Ata do të hetohen nga Prokuroria e Elbasanit, për akuzat e kundërshtimit të forcave të policisë dhe largim nga vendi i aksidentit. Pavarësisht se fillimisht u dyshua se sulmi ndaj policisë ishte i organizuar, nuk u gjet asnjë provë deri tani.
Në 18 shtator, në hyrje të tregut agro-ushqimor, ku ishte vendosur një postbllok policie, një mjet i blinduar hyri me forcë brenda, duke mos iu bindur urdhrit të policisë. Por reagimi i punonjësve të policisë ishte mjaft i dobët, pasi nuk bënë arrestimin në flagrancë të personave që ndodheshin në “Audin” e blinduar.
Në 18 shtator makina e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit u godit nga një mjet i blinduar, të cilit policia i bëri shenjë të ndalonte. Pas daljes së videos, pati një reagim të fortë në opinionin publik, por duket se kjo dosje po shkon drejt mbylljes. Mediat shkruajtën se autorë të sulmit ndaj policisë ishte Suel Çela, djali i një biznesmeni të njohur që ka lidhje të ngushta me kryeministrin Rama. Çela, pas sulmit ndaj policisë është larguar jashtë shtetit nga Aeroporti i Rinasit me ndihmën e policisë.
Biznesmeni Petrit Çela është mik i afërt i kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe kryeministrit Rama. Banda e drejtuar nga djali i tij dhe dhëndri i kreut të Bashkisë detyruan qytetarët që të votojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit.
Megjithëse kanë kaluar tre muaj nga ngjarja e rëndë e Elbasanit, ku një makinë e blinduar goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë, autorët vijojnë të jenë të lirë. Kryeministri Rama në vend që të dënonte sulmin ndaj zyrtarit të lartë të policisë, deklaroi në Parlament se, do të merren masa ndaj policëve që morën pjesë në operacion për bllokimin e makinës së blinduar që goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit.
Pas ngjarjes së rëndë, Rama dërgoi avokatin e tij në Elbasan për të marrë në mbrojtje biznesmenin Petrit Çela, të atin e të akuzuarit Suel Çela. Avokati i Ramës, Eno Bushi, kallëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 6 efektivë policie, ndër ta dhe nëndrejtorin e Policisë, Gjergj Oshafi, makina e të cilit u godit nga makina e blinduar e biznesmenit Çela. Avokati i Ramës u pyet edhe për Suel Çelën, por ai deklaroi se ndaj tij nuk ka asnjë urdhër arresti. Marrja në mbrojtje e bandës së Elbasanit nga avokati i Ramës dëshmon, se kjo bandë që bën ligjin atje ka mbështetjen e kryeministrit.
Aksi Shkodër-Theth i izoluar nga bora
Aksi Shkodër-Theth vazhdon të jetë i izoluar nga bora. Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar po vazhdojnë ndërhyrjen në terren për hapjen e aksit rrugor që lidh Shkodrën me Thethin. Për shkak të dëborës së konsiderueshme dhe terrenit të thyer malor, ndërhyrja paraqet vështirësi, por është duke u punuar në të dy krahët e rrugës.
“Deri më tani janë hapur 10 km të rrugës dhe mbeten për t’u hapur edhe rreth 10 km të tjera, për të cilat do të ndërhyhet gjatë gjithë ditës së sotme. Me këtë ritem pritet që ditën e nesërme rruga të jetë plotësisht e hapur informon përmes një njoftimi për shtyp zyra e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjyqtari Miri në spitalin e burgjeve, kërkon lirinë
Shkëlqim Miri, gjyqtari i pezulluar i Apelit Tiranë, që po hetohet në masën “arrest në burg” për akuzën e “korrupsionit”, kërkon të dalë nga qelia. Pak ditë pasi Apeli për Krimet e Rënda la në fuqi këtë masë sigurie, Miri i është drejtuar me një kërkesë tjetër Shkallës së Parë. Në kërkesën e shqyrtuar të enjten, gjyqtari i shprehte kolegëve të Krimeve të Rënda nevojën për t’i zbutur masën e sigurisë për arsye shëndetësore.
Pretendimet u paraqitën nga avokati i tij mbrojtës, për shkak se i dyshuari Miri prej disa ditësh qëndron në spitalin e burgjeve. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, avokati ka argumentuar se problemi shëndetësor i klientit të tij të diagnostikuar me tumor, kërkon ndihmë mjekësore të specializuar dhe se mbajtja në qeli mund t’i rrezikojë jetën.
Në lidhje me këtë pretendim, Gjykata ka caktuar dy ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ata do të ekzaminojnë gjyqtarin Miri në ambientin e paraburgimit, për të dalë në një përfundim nëse qëndrimi në qeli është shkak që i rëndon gjendjen shëndetësore, apo paraqet rrezik për jetën.
Shkëlqim Miri u arrestua në 10 nëntor 2017. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda ai ka marrë një rryshfet prej 30 mijë euro në këmbim të një vendimi të favorshëm ndaj Gentian Dodës, i dënuar nga Gjykata e Matit, për një ngjarje të ndodhur në vitin 1997 në Burrel.
Gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e gjyqtarit, për llogari të hetimit, policia gjeti dhe sekuestroi gati 30 milionë lekë të reja. Deri në këtë fazë të hetimit, ai ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën.
Sekuestrohen 42 kg drogë në Itali, arrestohen 2 shqiptarë
Pese persona janë arrestuar, dy prej të cilëve shqiptarë, dhe 42 kg marijuanë janë sekuestruar përgjatë një operacioni antidrogë të policisë italiane të Pordenones në rajonin e Friuli Venezia Giulia. Operacioni është ekzekutuar gjatë mbrëmjes së djeshme në parkun e një qendre tregtare në komunën Fiume Veneto në provincën e Pordenones, ndërsa po kryhej shkëmbimi i drogës mes tre italianëve dhe dy shtetasve shqiptarë. Të 5 personat u arrestuan në flagrancë me akuzën e trafikut të drogës të tipit marijuanë.
Gjatë operacionit u sekuestruan 42 kg marijuanë e konfeksionuar në pako të vogla si dhe tre automjete, njëri prej të cilëve i tipit “Audi R6” me targa sllovene në zotërim të dy shqiptarëve të arrestuar. Ndërsa tre shtetasit italianë, rezidentë në rajonin e Puglias udhëtonin me një makinë të tipit “Renegade” e marrë enkas me qera për transportin e drogës.
Sipas autoriteteve italiane, tre pugliezët po i dorëzonin sasinë prej 42 kg marijuanë shqiptarëve. që do ta trafikonin më pas në Verilindje të Italisë, në zonat ku ata kishin lidhjet me korrierët trafikantë. Gjithashtu gjatë operacionit, pesë të arrestuarve iu sekuestruan dhe disa telefona celularë e rreth 1000 euro cash.
5 mijë 722 shqiptarë në burgjet e Europës për drogë dhe vrasje
Janë 5 mijë e 722 shqiptarë në burgjet e vendeve të Bashkimit Europian. Një ekip ndërkombëtar gazetarësh ka mbledhur të dhëna nga 25 vende për të zbuluar këto statistika për çdo vend të BE-së, përveç Kroacisë, Maltës dhe Qipros. Në burgjet e BE, marokenët janë në vend të parë me 11.706 persona, në vend të dytë janë rumunët me 11.511 persona, ndërsa në vend të tretë shqiptarët me 5.722 vetë, që në raport me popullsinë janë në vend të parë, raporton faktor.al. Të dënuarit shqiptarë janë kryesisht për vepra të rënda penale, si trafik droge, vrasje, por edhe prostitucion dhe vjedhje.
Faktor.al ka mësuar nga autoritetet italiane se, shqiptarët që vuajnë dënimin në burgjet italiane renditen të tretët në numër mes të burgosurve me origjinë të huaj. Me të dhëna të përditësuara deri më 21 korrik 2017 në burgjet italiane gjenden rreth 2.429 persona nga 18 mijë të huaj të burgosur.
Të burgosurit shqiptarë përbëjnë rreth 13.4% të numrit të përgjithshëm të të burgosurve me origjinë të huaj, duke u renditur kështu të tretët në nunër pas të burgosurve me origjinë marokene e atyre rumune.
Ndërsa në një raport të siguruar nga faktor.al del se shqiptarët në burgjet angleze janë 572 vetë, ose 5.7% e totalit. Sipas të dhënavë të statistikave të popullatës në burgjet angleze të datës 21 prill 2017, të burgosurit shqiptarë renditet të katërtit në numër pas të burgosurve nga Polonia, Irlanda, Rumania.
Ndërkohë në burgjet shqiptare sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve deri në muajin tetor 2017 gjenden 3 mijë e 79 persona.
Kostot
Një raport për mbipopullimin në burgje dhe paraburgime, i realizuar nga prezenca e OSBE-¬së në Shqipëri dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardh kostot reale ditore të kategorive të ndryshme të personave që u privohet liria. Referuar përfundimeve të këtij raporti, personat e izoluar në qelitë e burgjeve apo të paraburgimit i kushtojnë shtetit një shifër nga 369 deri në 1380 euro për person në muaj, me një mesatare prej 13 euro dita. Në Itali, kostoja e një të burgosuri shkon në 131 euro dita. Bullgaria e Ukraina kanë kosto edhe më të ulëta për të burgosur, të cilat arrinin deri 3 euro për të burgosur në ditë, për një total prej rreth 1 mijë eurosh në vit. Në Kroaci, një i burgosur i kushton shtetit rreth 15 mijë euro në vit.
Popullsia totale e burgjeve për BE më 1 shtator 2014 ishte 620,540, sipas shifrave të Këshillit të Evropës. Rreth 113,000 nga kjo shifër ishin të huaj, gjithsej 18 për qind. Shumica e tyre vijnë nga vende të BE.
Procedura për kapjen politike të Kryeprokurorit hedh në erë Drejtësinë

Shumica në Komisionin e Ligjeve ka miratuar vetëm me votat e saj një projektvendim, të cilin e lexoi deputeti Bledi Çuçi, për të nisur procedurat për zgjedhjen e një Prokurori të Përkohshëm të Përgjithshëm, duke qenë se sot i ka përfunduar mandati Adriatik Lallës.
Pas rreth 3 orësh mbledhje dhe debate të shumta, deputetët e PD-së dhe LSI-së u larguan nga mbledhja, duke akuzuar shumicën se po zgjedh një Prokuror të Përkohshëm për të kapur këtë institucion dhe për të rregulluar disa dosje korrupsioni të eksponentëve të saj politik.
Sipas Manjës, në rastin konkret kemi ngërçin ligjor të mos pasjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prandaj sipas ligjit dhe procedurave ligjore, i lind e drejta Kuvendit të caktojë një Kryeprokuror të përkohshëm brenda 30-ditëve.
Deputeti Socialist, Çuçi tha se ky nuk është as emërim, por një zgjedhje e përkohshme sa të plotësohen të gjitha kushtet për të emëruar më pas Prokurorin e Përgjithshëm, duke garantuar proçesin ligjor”, tha Çuçi.
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi në fjalën e tij u shpreh se, “PS po shpik prokurorin e përkohshëm. Ne se kishim menduar këtë, kur nisëm të bënim Reformën në Drejtësi. Ka një çështje për të cilën unë, ju anëtarët e Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe pika e prokurorit ka qenë dhe pika mbi të cilën jemi përplasur edhe në Venezia. Jemi përplasur dy herë në Komisionin e Venezias për këtë. Ne 140 deputetët miratuam në korrik të 2016. Kryeprokurori nuk do emërohet në Kuvend nga partitë politike, por nga vetë prokurorët. Këtë votuam me 140 vota dhe duhen 84 vota për ta zgjedhur ”, tha Halimi, ish-ministër i Drejtësisë, deputet i PD. “Çdo përpjekje për ta emëruar kryeprokurorin me 83 vota e poshtë është dështim i drejtësisë. Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj u shpall dhe relator i çështjes nga PD”.
Deputeti i PS, Bledi Çuçi u shpreh se, PS nuk ka tentativë për të shpikur procedura për ta kapur Kryeprokurorin e Përgjithshëm. “Duhet të keni parasysh që Prokurori i Përgjithshëm nuk merret më me krimet e rënda, për këtë është Gjykata e Krimeve të Rënda, prandaj aludime të PD nuk qendrojnë”, tha Çuçi.
Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Albiaj, në fjalën e tij tha se, “Është fakt se ju po nisni procedurën për të kapur kreun e organit të akuzës dhe kjo kuptohet nga buron, pavarësisht se çfarë roli ka Kryeprokurori. Frymëzimi juaj për këtë janë dosjet që ka në dorë Prokuroria dhe jo hallet apo mospëlqimet që mund të keni me vetë Adriatik Llallën. Mes jush e nesh është e lehtë të ngrejmë armët e të luftojmë në një betejë dhe pa arsye për të mbrojtur një individ apo kundër këtij individi, qoftë ky Adriatik Llalla. Kam një ftesë për t’i thirrur arsyes e për t’i qenë besnik Kushtetutës, të iniciuar prej jush dhe votuar prej nesh”, tha Alibeaj.
“Ftesa është dhe politike, pasi nëse hidhni këtë hap të gabuar politik, do të potencioni konfliktin politik të vendit, do ta acaroni klimën politike të këtij vendi, kur nuk ka arsye për ta bërë këtë gjë. Ky hap sot do ishte kapja e sistemit të drejtësisë”, tha Alibeaj.
Vasili: Të huajt nuk mund të sillen si pushtues
“Të huajt cilido qofshin nuk mund të sillen si pushtues”, kështu shkruan pak më parë kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Duke iu referuar thirrjeve të Lu dhe Vlahutin bërë njëzëri që për kryeprokurorin e ri të ndiqen propozimet e EURALIUS dhe OPDAT, Vasili thotë se çdo devijim nga Kushtetuta rrënon Reformën në Drejtësi.
Reagimi i Vasilit
Kanabizohet Reforma në Drejtësi. Thirrjet për konsensus të natës së fundit janë shumë të vonuara dhe shërbejnë vetëm si alibi e kapjes së drejtësisë.
Zbatimi i Reformës në Drejtësi ka hyrë në rrugën shumë të rrezikshme të antikushtetutshmërisë dhe antiligjit, që demonton shtetin e së drejtës dhe instalon një pushtet të kriminalizuar të antiligjit.
Reforma në Drejtësi është e qartë, e zeza mbi të bardhë, në Kushtetutën e miratuar me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë dhe duhet zbatuar pa lëvizur asnjë presje.
Çdo devijim nga Kushtetuta rrënon Reformën në Drejtësi e kthen atë në një antireformë dhe provon qartë kapjen nga kryeministri dhe qeveria. Të huajt cilido qofshin nuk mund të sillen si pushtues dhe të bekojnë kapjen e drejtësisë nga kanabisi i kryeministrit.
Ka vetëm një Kushtetutë, dhe as Kuvendi dhe asnjë mision i huaj nuk kanë as më të voglën mundësi ta tjetërsojnë dhe interpretojnë, pasi Kushtetuta nuk jua jep këtë të drejtë.
Shqipëria është republike kushtetuese dhe jo republikë e kanabisit.
Po, kryeministri, qeveria dhe kushdo tjetër…..që kërkon të shkelet Kushtetuta është si ata.