Komisioni i Ligjeve ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të përkohshëm pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës. Komisioni miratoi me 10 votat e shumicës projektvendimin që i hap rrugë zgjedhjes së prokurorit të ri, ndërsa opozita PD-LSI u largua nga mbledhja pas debateve të forta. Në bazë të projektvendimit të miratuar nga shumica, Komisioni i Ligjeve fton të gjithë prokurorët që të aplikojnë për pozicionin vakant, ndërsa parashikohet që brenda 30 ditëve të mbyllet procesi dhe të caktohet pasuesi i Llallës me shumicë të thjeshtë. Në Komisionin e Ligjeve për më shumë se tre orë kishte një debat të fortë mes dy palëve. Opozita e kundërshton zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, ndërsa kryetari Ulsi Manja i ka cilësuar si anti-amerikanë dhe anti-europianë, referuar deklaratave të dy ambasadave që kërkojnë zgjedhjen e kryeprokurorit të ri me shumicë të thjeshtë.
Deputeti i PD, Eduard Halimi: Jeni kundër Sekretarit të Përgjithshëm që dje tha se duhen 84 vota për emërimin e kryeprokurorit. Askush nuk e kishte menduar që pas 3 vitesh PS do të shpikte Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm për punët tuaja. Jemi përplasur dhe në Komisionin e Venecias për Prokurorin e Përgjithshëm. Komisioni i Venecias i tha qartë: Prokurori i Përgjithshëm nuk do të emërohet nga partitë politike.
Enkelejd Alibeaj: Interesi i medias dhe publikut e tregon se diçka e pazakontë po ndodh. Ju po filloni procedurën për të emëruar prokurorin. E pazakontë, pasi çështja nuk ka qenë në kalendarin punimeve dhe pa kaluar procedurat gjendet në tryezën e Komisionit të Ligjeve. Ku e gjen të drejtën Sekretari i Kuvendit të iniciojnë një procedurë parlamentare.
Nuk është tentativë apo aludim që një parti kërkon të kapë prokurorin e përgjithshëm, sot është fakt. Po tentoni të ‘rrëmbeni’ kreun e akuzës për ato kompetenca që ka, çdo kush e kupton nga buron frymëzimi. Ju mund të keni edhe probleme me Llallën, por më shumë me dosjet, duke iu shtyrë të merreni në nismë në shkelje të procedurave. Duhet t’i thërrasim arsyes dhe të pozicionohemi jo kundër një individi, por Kushtetutës.
Ftesa është edhe politike, se nëse do të hidhni këtë hap të gabuar, veçse do të potenconi konfliktin politik të këtij vendi, do të bëni një kapje të pastër të drejtësisë. Do të godisni besimin publik te Reforma në Drejtësi. Sot nuk ka një ngërç të pazgjidhshëm. Ju po e shpikni ngërçin. Për Prokurorin e Përgjithshëm nuk ka një dispozitë, fakti që mbetet që Kushtetuta e reformuar nuk ka përcaktuar një rregull që atij i ndërpritet mandati.
Deri këtu mund të ketë edhe dilema. Ka pasur edhe më parë dilema, Ina Rama u emërua në bazë të një mandati të pakufishëm, më pas u vendos që të ishte 5 vite mandati, e përcaktuam me procedurë. Po ashtu edhe drejtuesi i ILDKP, e ka pasur mandatin 5 vite, u ndryshua me ligj iu bë 7, dilema ishte e njëjta, 5 me të vjetrën apo 7 me të renë; ju thatë jo 5, por 7.
Kushtetua në nenin 148/ C parashikon saktë; Deklarimin e përfundimit të mandatit të Kryeprokurorit e bën KLP. Edhe ligji për Prokurorinë thotë të njëjtën gjë. Kemi mundësinë ta zgjidhim këtë problem në mënyrë fisnike dhe dinjitoze, në të kundërt është minim i klimës politike në vend. Tani zgjidhni ose do të jeni dinjitoz me veten ose do i hidhni minat këtij vendi.
Ulsi Manja: Në mungesë të zv/prokurorit të përgjithshëm po vendosim prokurorin e përkohshëm. Ne jemi sot këtu për të zgjidhur këtë situatë ligjore. Kushtetuta flet qartë; Në rastin konkret nuk ka parashikim me zgjatjen e mandatit të kryeprokurorit. Mandati mbaron sot. Kjo është arsyeja pse i lexova me shkrim argumentet, se Kushtetuta nuk t’i fal gabimet.
Nasip Naço: Grupi i LSI e ka ndjekur me vëmendje. Shumica është e interesuar për ta zgjedhur me shumicë të thjeshtë, pa konsensus me opozitën. Do të kërkoja që shumica të reflektojë. Zgjedhja me 37 deputetë në seancë. Keni frikë dhe panik, kërkoni të kapni prokurorin e përgjithshëm.
Oerd Bylykbashi: Kjo është Kushtetutë që bazohet në ligj dhe jo në memo. Po ndërtoni një Kushtetutë me defekte dhe boshllëqe të rënda, sa duket si kamionçinë. Ju kërkoni që të mbyllni dosjet e nxehta që keni. Prokurori i ri i përkohshëm mund të lëvizë prokurorët apo shkarkojë, ka kompetenca të plota. Kërkoni që prokurori të mbrojë ata që ju i mbroni me imunitet.
Eduard Halimi: Ju kërkoni të zgjidhni Kryeprokuror për 30 ditë, pra për festat e vitit të ri. Dua të sqaroj se ne nuk e kemi kompetencën për të kërkuar zgjatjen e mandatit të Kryeprokurorit…Ne zgjedhim Kushtetutën. Ju ligjin. Këtu mbaron!
Debatet në Komisionin e Ligjeve: Kryeprokuror sipas Kushtetutës!
Raporti i BB: 35% e stafeve në spitale nuk kanë lidhje me mjekësinë
Mënyra se si administrohet sektori i shëndetësisë dhe shpenzimet që kryhen për të janë shpesh tregues i prosperitetit të një vendi. Shqipëria, përveçse ka shpenzimet më të ulëta në raport me PBB në rajon për shëndetin, ka stafe të spitaleve joefektive.
Banka Botërore, në një raport të fundit për “Rritjen ekonomike dhe prosperitetin në Ballkan”, ka gjetur se në spitalet shqiptare, 35% e stafit janë personel jo mjekësor.
Në vend të mjekëve dhe infermierëve që duhet të ofrojnë shërbimet direkte për të sëmurët, Shqipëria ka mbushur personelin e shëndetësisë me administratë që nuk ka lidhje me sektorin.
Në këtë mënyrë, Shqipëria zë vendin e parë në rajon me administratën e spitaleve që nuk kanë formim mjekësor.
Banka Botërore këshillon që vendet e Ballkanit dhe veçanërisht Shqipëria duhet të ekonomizojë më mirë shpenzimet për shtresat në nevojë të popullsisë.
Synimi më i mirë do të ishte që të uleshin shpenzimet bruto për të rritur financimet për segmentet e shoqërisë që kanë më shumë nevojë. Në vendet ku shpenzimet shtetërore janë të mëdha, reduktimet do të lehtësonin presionin ndaj llogarive fiskale dhe do të zvogëlonin borxhin.
Normat e jetëgjatësisë, vdekshmëria foshnjore dhe amtare në Ballkanin Perëndimor janë më të mira se sa në vende të tjera me të ardhura të ngjashme për banorë.
Por sëmundjet jo të transmetueshme janë një rrezik në rritje për shëndetin, duke e kompromentuar cilësinë e jetës dhe produktivitetin në këto vende.
Faktorë të tillë si pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit që janë sëmundje jongjitëse kanë norma të larta rritjeje në vendet e Ballkanit.
Bosnja dhe Hercegovina ka normat më të larta të pirjes së duhanit në botë, ku 9 në 10 të rritur tymosin cigare. Pothuajse të gjitha vdekjet e parakohshme në Ballkan i atribuohen sëmundjeve të mëdha jo të transmetueshme.
Të dhënat e Eurostat, Shqipëria, vend i dështuar në mbledhjen e taksave
Me gjithë përparimin në raport me veten, Shqipëria u rendit e dyta pas Rumanisë për nivelin më të ulët në Europë të mbledhjes së taksave në raport me PBB në vitin 2016 sipas Institutit Europian të Statistikave (EUROSTAT). Gjatë vitit të kaluar, vendi ynë mblodhi 27.1% të PBB-së taksa, teksa mesatarja e BE për këtë vit ishte 40 për qind, por Shqipëria kishte rezultatet më të dobëta se Rajoni.
Të ardhurat në raport me PBB (ku përfshihen taksat dhe kontributet shoqërore neto si përqindje e PBB-së), arritën në BE në 40.0% vitin e kaluar me një rritje krahasuar me 2015 (39.7%).
Në zonën e euros, të ardhurat nga taksat përbënin 41.3% të PBB-së në 2016, pak më shumë se raporti 41.2% në vitin 2015.
Raportet më të larta të grumbullimit të taksave në raport me PBB-në i patën vende të tilla si Franca (47.6%), Danimarka (47.3%) Belgjika (46.8%) dhe Suedia (44.6%), pasuar nga Finlanda (44.3%), Austria dhe Italia (si 42.9%) ashtu edhe Greqia (42.1%).
Në anën tjetër të shkallës, renditen Rumania (26.0%) dhe Shqipëria me 27.1 për qind, Bullgaria (29.0%), Lituania (30.2%), Letonia (31.6%) dhe Sllovakia (32.4%) regjistruan raportet më të ulta.
Rritja më e madhe e të ardhurave në raport me PBB-në ishte në Greqi, rënia më e madhe në Rumani krahasuar me vitin 2015. Rritja më e madhe ishte në Greqi (nga 39.8% në 2015 në 42.1% në 2016), në Holandë (nga 37.8% në 39.3%) dhe Luksemburg (nga 38.4% në 39.6%).
Në të kundërt, rëniet janë regjistruar në nëntë shtete anëtare, veçanërisht në Rumani (nga 28.0% në vitin 2015 në 26.0% në 2016), Austri (nga 43.8% në 42.9%) dhe Belgjikë (nga 47.6% në 46.8%).
Në vitin 2016, pjesa e taksave mbi prodhimin dhe importet ishte më e lartë në Suedi (ku përbënin 22.6% të PBB-së), Kroaci (19.6%) dhe Hungari (18.3%), ndërsa ato ishin më të ulëta në Irlandë (8.7%), (10.8%) dhe Gjermani (10.9%).
Për taksat që kanë të bëjnë me të ardhurat nga pasuria, pjesa më e madhe arkëtimeve është regjistruar në Danimarkë (30.0% e PBB), Suedi (18.8%), Finlandë (16.5%) dhe Belgjikë (16.3%).
Në të kundërt, Bullgaria (5.4%), Lituania (5.7%), Rumania (6.5%) dhe Kroacia (6.6%) regjistruan tatimet më të ulta mbi të ardhurat dhe pasurinë si përqindje e PBB-së.
Kontributet sociale neto përbënin një pjesë të konsiderueshme të PBB-së, në Francë (18.8%), Gjermani (16.7%) dhe Belgjikë (16.1%), ndërkohë që rezultatet më të ulëta janë vërejtur në Danimarkë (1.0% të PBB-së) dhe Suedi (3.3%).
Në vitin 2016, taksat mbi prodhimin dhe importet përbënin pjesën më të madhe të të ardhurave tatimore në BE (13.6% të PBB-së), pasuar nga kontributet shoqërore neto (13.3%) dhe tatimet mbi të ardhurat dhe pasuritë (13.0%).
Fillojnë efektet sezonale, euro në rënie në tregun vendas
Monedha vendase është çmuar në tregun e këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro është këmbyer me 133.54 lekë, duke shënuar ditën e dytë me rënie.
Duket se efektet sezonale kanë filluar që të ndikojnë në nivelin e këmbimit të monedhës së përbashkët me lekun. Me afrimin e festave të fundvitit pritet që euro të këmbehet në nivele më të ulëta përkundrejt monedhës vendase. Fundi i vitit përkon me kthimin e emigrantëve në vend, të cilët ndikojnë në rritjen e ofertës në valutë. Sipas ekspertëve, nënçmimi i euros ndaj lekut ka ardhur kryesisht prej ofertës së lartë të valutës në tregun vendas. Euro u forcua lehtë përpara festave të nëntorit, duke qenë se 28-29 nëntori përkoi afër me pushimet e fundjavës, individët zgjodhën që të pushonin jashtë, fakt që u pohua edhe nga agjencitë e udhëtimeve.
Duke qenë se destinacionet kryesore ishin drejt vendeve të BE-së dhe rajonit, kërkesa për valutë nga individët u reflektua me rritjen e lehtë të monedhës së përbashkët. Megjithatë euro vijoi të mbetet në nivele të ulëta të këmbimit, pa mundur të kapë nivelin e 133.8 lekëve të datës 10 tetor. Euro ra nën nivelin e 134 lekëve në datën 1 qershor, shënoi nivelin më të ulët të nëntë viteve pas zgjedhjeve në datë 27 qershor. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, niveli mesatar i këmbimit euro/lek ka qenë 133 lekë për një euro.
Krahasuar me të njëjtin vit më parë, euro po këmbehet rreth 2.5 lekë më pak. Referuar grafikut më poshtë, në të njëjtën periudhë një vit më parë euro kishte hyrë në trajektoren rënëse, duke zbritur poshtë 136 lekëve. Edhe pse në vend, monedha europiane ka qenë e dobët për shkak të ofertës së lartë, në tregjet ndërkombëtare, ajo pati pozita dominuese përkundrejt dollarit. Sipas të dhënave të “Financial Times” euro kapi nivelin më të lartë të 52 javëve (1vit) këtë shtator duke u këmbyer me 1.2 dollarë. Prej atëherë euro ka ruajtur një stabilitet këmbimi me dollarin në nivelin e 1.17 dollarëve për një euro.
Kush janë anëtarët e KED të zgjedhur me short
Është hedhur dje shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në Kryesinë e Kuvendit.
Përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës kanë shprehur qëndrime të kundërta në lidhje me këtë procedurë që është pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi.
Deputeti demokrat Eduard Halimi i ka quajtur veprimet e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi si anti-Kushtetuese, pasi po përdor dispozita tranzitore, sepse ende nuk janë krijuar institucionet e reja që parashikon Reforma në Drejtësi. “Ndryshimi i rregullave në mes të lojës është e papranueshme. Debati është që partia politike të mos ketë ndikim në zgjedhjen e KED. Sot PS apo nesër një parti tjetër të mos ketë ndikim që në zgjedhje kryeinspektorin që do të kontrollojë sistemin gjyqësor. Propozimi jonë ishte dhe ngelet deri në krijimin e KLGJ dhe KLP është e pamundur të zgjidhet një KED tjetër. Ne kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet në këshillin e legjislacionit”, tha Halimi.
Ndërkohë krejt ndryshe e sheh situatën deputeti socialist Ulsi Manja, i cili tha se, “Për opozitën kanë pasur rëndësi emrat, për ne ka pasur rëndësi zbatimi i Kushtetutës dhe procesit. Në asnjë nen të Kushtetutës nuk përcaktohet një afat kohor për zbatimin e dispozitave. Debati politik duhet t’ia lërë vendin debatit kushtetues. Nëse nuk duam të humbasim kohë në krijimin e KLP, KEGJ etj, hajdeni të zbatojmë Kushtetutën dhe t’i japim frymëmarrje drejtësisë në këtë vend”.
Shorti i KED-së, debate mes opozitës dhe mazhorancës
Ky vendim është kundërshtuar nga opozita, ku deputeti Eduard Halimi kërkon anulimin e procedurës. Ndërsa deputeti i PS-së, Ulsi Manja tha se është detyrim kushtetues dhe ligjor të hidhet shorti. “Ndryshimi i rregullave në mes të lojës është e papranueshme. Debati është që partia politike të mos ketë ndikim në zgjedhjen e KED. Sot PS apo nesër një parti tjetër të mos ketë ndikim që në zgjedhje kryeinspektorin që do kontrollojë sistemin gjyqësor.
Propozimi jonë ishte dhe ngelet deri në krijimin e KLGJ dhe KLP është e pamundur të zgjidhet një KED tjetër. Ne kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet në këshillin e legjislacionit”, tha Halimi.
Kreu i Komsionit të Ligjeve, Manja u shpreh se po zbaton Kushtetutën. “Kuvendi sot në respektim të Kushtetutës ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të hedhë shortin për KED. Unë do të sugjeroja që debati politik, në fund të ditës duhet t’ia lerë vendin debatit kushtetues dhe ligjor. Unë kërkoj mirëkuptimin e opozitës që nëse duan që mos humbim asnjë minutë në krijimin e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, hajdeni të zbatojmë ligjin dhe Kushtetutën dhe t’i japim shqiptarëve atë drejtësi që duan”, tha Manja.
Deputetja Hysi ka cituar një shkresë të Presidentit Meta: “E para ne kemi një shkresë të presidentit ku thuhet se të realizohet procesi në frymën e Kushtetutës dhe kryetari nuk ka bërë asgjë më shumë se sa ka aprovuar këtë shkresë të Presidentit. Do doja ta ruanim retorikën politikën dhe ne kemi për ta vazhduar këtë procedurë”, tha Hysi.
Nga Gjykata Kushtetuese zgjidhen 2 anëtarë të përhershëm dhe 1 zëvendësues
1-Besnik Imeraj
2-Altina Xhoxhaj
3-Vitore Tusha (zëvendësues)
Nga Gjykata e Lartë
1-Artan Broci
2-Shkëlzen Selimi (zëvendësues)
Nga Prokuroria e Përgjithshme
1-Rovena Gashi
Nga Prokurorët e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit
1-Gentjan Trenova
2-Fatjona Memçaj
Nga gjyqtarët e Gjykatave të Apelit
1-Endon Dhimitri
2-Fatos Qato
Nga gjyqtarët e Gjykatave Administrative
1-Ahmet Jangulli
Për anëtarin zëvendësues të Prokurorisë së Përgjithshme nuk u hodh shorti, pasi nuk pati kandidatë. Drejtuesja e shortit, Vasilika Hysi tha se nuk do të ketë anëtarë zëvendësues për këtë institucion.
Dokumenti që Rama fshehu për drogën
Në një mbrëmje me shi, disa ditë më parë dikush ka futur nën derën e redaksisë së Exit.al një zarf, i cili përmban fotokopjen e pjesshme të një dokumenti që duket shumë i rëndësishëm për të sqaruar atë që ka ndodhur kohët e fundit në rrethet e larta të vendit.
Shpesh ndodh që nëpër redaksi të vijnë emaile anonime që denoncojnë krime apo komplote politike të paimagjinueshme, apo propozojnë artikuj të çuditshëm, apo të telefojnë persona të panjohur që propozojnë histori apo bashkëpunime të mundshme. Edhe politikanëve u ndodh ndonjë gjë e ngjashme, provë e kasaj është tashmë qytetari dixhital i Sali Berishës.
Ne të Exit.al në vend të qytetarit dixhital na kontaktoi një “qytetar fotokopjues”, formë më e vjetër se ajo dixhitale.
Por edhe nëse analiza e burimeve është detyrë e gazetarit, ajo që na çuditi ishte përmbajtja e këtyre fotokopjeve.
Bëhet fjalë për 21 faqe të njëpasnjëshme të fotokopjuara nga një dokument me 34 faqe, mungojnë dy faqet e para dhe 11 faqet e fundit. Fletët e fotokopjuara nuk kanë as kokë, as datë, as vulë.
Faqet përmbajnë një listë me të dhënat e 61 shkresave informuese zyrtare, përfshi datën, numrin e protokollit dhe lëndën përkatëse të çdo shkrese, e cila në të gjitha rastet është përshirje e punonjësve të policisë në kultivimin e kanabisit ose tregtimin e drogës.
Të gjitha shkresat në pjesën e listës që na është dhënë janë dërguar mes marsit 2016 dhe marsit 2017, (11 fletët e munguara në fund duhet të jenë të periudhës pas marsit 2017).
Edhe pse nuk ka asnjë të dhënë mbi institucionin dërgues, lista jep emrin e institucionit apo institucioneve që ajo i është dërguar, që sipas rastit është njëri, dy apo të tre institucionet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme-të referuara në listë me inicialet e tyre, përkatësisht PKR, DPSH dhe SHBÇA.
Çdo shkresë përmban një apo disa emra dhe të dhënat përkatëse personale të punonjësve të policisë, të cilët hartuesit e saj i akuzojnë për përfshirje në kultivimin dhe trafikun e drogës, si dhe njësinë policore dhe postin që ata kanë në momentin e dërgimit të shkresës.
Një pjesë e emrave të punonjësve të policisë janë përmendur më shumë se një herë për episode të ndryshme të kultivimit apo trafikimit të narkotikëve. Mes tyre janë edhe emra të njohur të kronikave të kohëve të fundit, përfshi ato tre policëve në kërkim, Sokol Bode, Joel Celaj dhe Gjergj Kohila, të cilët përmenden disa herë, duke filluar nga prill 2016, sikurse emra të tjerë të përfshirë në hetimet ndaj Policisë së Vlorës.
Nga bisedat me punonjës të çështjeve të sigurisë dhe të policisë kuptohet se me shumë gjasa, lista është një listë përmbledhëse e sinjalizimeve (informimeve zyrtare) të dërguara nga shërbimi i inteligjencës, SHISH, vetëm gjatë periudhës mars 2016-mars 2017 mbi personelin e policisë të dyshuar (kujtojmë se bëhet fjalë për dyshime dhe jo domosdoshmërisht prova) për bashkëpunim me trafikun e narkotikëve, kryesisht kanabisit.
Bëhet fjalë për 127 emra, disa prej të cilëve të sinjalizuar më shumë se sa një herë në hetime të ndryshme, të cilët i janë referuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda (PKR) ose Drejtorisë së Policisë së Shtetit (DPSH) ose Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave të Ministrisë së Brendshme (SHÇBA).
Sipas ekspertëve të sigurisë, një kopje e çdo informacioni apo referencë e shërbimeve të inteligjencës, përveçse në zyrat e referuara më lartë, i dërgohet pa përjashtim Këshillit të Ministrave, pra Kryeministrit.
Kjo do të thotë se të paktën që nga prilli i vitit 2016, Kryeministri Edi Rama ka marrë një sërë informacionesh nga SHISH, të cilat tregojnë përfshirjen e thellë të punonjësve të policisë dhe të Ministrisë së Brendshme në sistemin e prodhimit dhe trafikimit të drogës.
Por qeveria e tij nuk ka marrë asnjë masë veprimi gjatë kësaj periudhe mbi këto çështje dhe, akoma më pak, e ka bërë një gjë të tillë Ministria e Brendshme. Përkundrazi si ministri i Brendshëm si Kryeministri u angazhuan në maksimum për të mohuar çdo gjë, madje ndonjëherë edhe për të dekonspiruar aksionet e Prokurorisë.
Ky dokument, të cilin nuk mund ta publikojmë të gjithin për të shmangur ndërlikime të panevojshme nisur nga fakti se informacionet nuk janë prova nëse nuk verifikohen, është preshi në duart e Kryeministrit në lidhje me rastin e Tahirit: Kryeministri Edi Rama e ka ditur shumë mirë, të paktën prej shumë muajsh, sepse ishte i informuar nga SHISH, përfshirjen e gjerë të organeve të policisë në prodhimin e kanabisit, dhe për gjatë gjithë kohës u la atyre rrugë të lirë, pa dashur të ndërhyjë asnjëherë.
Ndërsa tani ai deklaron publikisht se përgjegjësia e Tahirit, nëse do të faktohet në gjykatë, është vetëm përgjegjësi personale e vetëm Tahirit.
Rama i kërkoi dy misioneve reagimin për kryeprokurorin
Një dokument i zbardhur dje në media demaskon turpshëm Ramën dhe përpjekjet e tij për zgjedhjen antikushtetuese të kreut të ri të organit të akuzës përmes një procedure antikushtetuese.
Dokumenti dëshmon se si Rama vë në lëvizje dy misionet OPDAT dhe EURALIUS për të reaguar në favor të synimit të tij në lidhje me procedurën antikushrtetuese në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.
Zhvillimet dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve, mazhoranca i parapriu me një opinion të dy misionet e këshillimit EURALIUS dhe OPDAT, se si duhet të zgjidhet Kryeprokurori i ri. Se kush e kishte kërkuar këtë opinion deri më sot ishte enigmë. Por dokumenti i siguruar nga mediat, dëshmon se këto dy misione u vunë në lëvizje nga Ulsi Manja, kreu i Komisionit parlamentar të Ligjeve. Më 21 nëntor, për herë të parë u bë publike në media një dokument përmes të cilit dy misionet e këshillimit, EURALIUS dhe OPDAT, shprehnin mendimin e tyre se si duhet të veprohet me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Republikës.
Deri më sot, ky dokument ishte i rrethuar nga misteri se kush i vuri në lëvizje këto dy misione këshillimi, pasi përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës në Komisionin parlamentar të Ligjeve distancoheshin nga të qenurit porositës të këtij dokumenti. Mediat publikuan dje këtë dokument, i cili zbulon se kush i ka kërkuar EURALIUS dhe OPDAT interpretimin e kësaj çështje. Dokumenti ka mbërritur në zyrën e Ulsi Manjës më 13 nëntor 2017. Nga përmbajtja e tij del qartë se është pikërisht Ulsi Manja, ai që e ka kërkuar këtë opinion nga EURALIUS dhe OPDAT.
“Pas kërkesës së Komisionit parlamentar të Çështjeve Ligjore, për të pasur qëndrimin e EURALIUS dhe OPDAT në zgjedhjen e prokurorit, i cili do të mbajë rolin e Prokurorit të Përgjithshëm gjatë periudhës tranzitore, ju lutem gjeni bashkëlidhur opinionin e përbashkët EURALIUS të OPDAT, i cili paraqet qëndrimin e këtyre misioneve”, thuhet në faqen e parë shoqëruese të këtij opinioni që mban firmat e dy shefave të misionit.
Përfaqësues të opozitës në Komisionin parlamentar të Ligjeve, thanë se ata nuk kishin dijeni për këtë opinion deri në momenti kur doli në media. Pra, është qartësisht e dukshme se mazhoranca ka nisur investimin e saj në çështjen e Kryeprokurorit të Republikës shumë kohë më parë nga data 7 dhjetor 2017, datë kur mbaron mandati i kryeprokurorit Adriatik Llalla. Dhe këtë mazhoranca ia ka besuar Ulsi Manjës kreut të Komisionit të Ligjeve, i cili kontaktuar nga gazetarët për këtë opinion ka mohuar në mënyrë konstante të kishte dijeni apo edhe ta kishte kërkuar.
Miliona euro harxhime për zëvendësministrat
Kabineti qeveritar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga përfaqësuesit e Shoqërisë Civile dhe opozita, po vlerësohet i mbipopulluar. Sidomos, bëhet fjalë për numrin e madh të zëvendësministrave. Aktualisht, janë të punësuar 67 zëvendësministra, duke lënë prapa, për kah numri i madh, edhe disa vende të Bashkimit Evropian, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare. Kabineti qeveritar deri më tani përbëhet nga Ramush Haradinaj kryeministër, pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe 67 zëvendësministra. Halil Matoshi, këshilltar për media në kabinetin e kryeministrit të Kosovës, thotë se nuk ka ndonjë llogari sa është kostoja financiare e këtyre zëvendësministrave, por sipas tij, koalicioni i gjerë qeverisës ka sjellë një situatë të tillë. “Secila ministri e arsyeton apo justifikon këtë numër, duke përshkruar punët ose veprimet të cilat do t’i bëjnë këta zëvendësministra. Dhe ju e dini se kemi të bëjmë me një koalicion të madh, me 22 subjekte dhe grupe politike, prandaj është gjendja kjo që është”, tha Matoshi për Radion “Evropa e Lirë”. Nga Shoqëria Civile, vlerësohet se kostoja financiare për mbulimin e shpenzimeve për shkak të numrit të madh të zëvendësministrave është e lartë. Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thotë se këto pozita qeveritare i kushtojnë buxhetit deri në tre milionë euro në vit. Ai vlerëson se një numër, sipas tij, kaq i madh i zëvendësministrave dhe pozitave politike, nuk është caktuar për të kryer punë të domosdoshme në qeveri, por për të përmbushur egot e partive politike për pozita të larta qeveritare. “Në rast se janë mbi 60 zëvendësministra, me nga 1000 euro pagë minimum, dhe secili prej tyre ka të drejtë të ketë dy asistentë, përafërsisht të dytë me pagë rreth 1000 euro. Pra, që në start vetëm pagat fillestare në muaj janë 120 mijë euro. Mos të flasim për shërbime të tjera, siç janë shpenzimet e telefonit, mëditjet për udhëtime jashtë shtetit, derivatet e naftës e të tjera. Atëherë mund të them se vetëm zëvendësministrat dhe stafi ndihmës i tyre, mund të kalojë shifrën prej tre milionë euro për një vit”, thotë Demhasaj. Bazuar në këto llogaritje, del se shpenzimet për zëvendësministrat, gjatë një mandati prej katër vjetëve, do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 12 milionë euro. Edhe ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, aktualisht deputet në Kuvend nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se punësimi i rreth 70 zëvendësministrave, me nga tre veta staf, buxhetit do t’i kushtojë rreth 3.5 milionë euro. Rritja e numrit të ministrive dhe posteve të zëvendësministrave, përveç kostos financiare krijon edhe vështirësi në koordinim, thotë Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës. “Unë mendoj se, qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në reduktimin e numrit të zëvendësministrave, por edhe në reduktimin e numrit të ministrive brenda kabinetit qeveritar, dhe të fokusohet në punë efektive, në mënyrë që të arrihen objektivat që i ka vendosur përpara si qeveri”, shprehet Spahija. Ndryshe, nga Shoqëria Civile është vlerësuar se Kosova në vazhdimësi kishte qeveri me më shumë ministri sesa që i nevojiten ekzekutivit të një vendi të vogël.
Arbitri: “U tërhoqa pas akuzës së Morinjos!”
Mark Clattenburg ka rrëfyer se u tërhoq nga arbitrimi në Premier League, pasi u akuzua nga Jose Mourinho. Ish-arbitri deklaroi se momenti kur kuptoi se dëshironte të tërhiqej nga Anglia, ishte kur Wayne Rooney theu rekordin e golave të Sir Bobby Charlton, sezonin e kaluar kundër Stoke. Mourinho u tërbua për shkak të një vendimi të padhënë në favor të Manchester United dhe kritikoi Clattenburg në dhomat e zhveshjes, çka e çoi arbitrin në greminë. Ai deklaroi për një emision televiziv: “Po arbitroja ndeshjen kur Wayne Rooney theu rekordin e Bobby Charlton, dhe Mourinho erdhi në dhomën e zhveshjes dhe ishte i pakënaqur me një penallti të padhënë për prekje të topit me dorë”.
“Unë kisha përshkruar të gjithë atë fushë në Stoke, që ka qenë gjithmonë stadiumi më i ftohtë, gjithmonë i lagësht dhe i tmerrshëm e për më tepër të arbitrosh Manchester United nuk ishte asnjëherë e lehtë. Kur dola nga fusha u ndjeva i lehtësuar me mendimin se kisha bërë një performancë të mirë, ndërkohë që ai erdhi në dhomën e zhveshjes dhe më kritikoi për gjykimin, për një prekje të topit me dorë që unë nuk e kisha dhënë, por që në të vërtetë kishte goditur gjoksin e futbollistit. E dija që kisha të drejtë, por ai mbolli një farë dyshimi në mendjen time”, vioji rrëfimin ish-arbitri i Premier League.
“Udhëtova për në shtëpi, duke menduar se kisha bërë një gabim të madh, bashkëshortja ime e dinte se sjellja ime kishte ndryshuar dhe i thashë vetes: ‘a dua vërtetë të jem akoma pjesë e kësaj? A dua vërtetë të arbitroj më?’. Kështu që nisa të kërkoj brenda vetes. Nuk po e shijoja më aq shumë sa dikur ndaj dhe duhet të dilja jashtë. Kur m’u ofrua mundësia në Arabinë Saudite ishte një vendim i lehtë”, deklaroi Cluttenburg.
Eshtë rrugë e gjatë
Mesfushori i Manchester United, Juan Mata, thotë se ka një rrugë të gjatë për të përshkuar në garën e titullit, pavarësisht formës së pabesueshme të Manchester City këtë sezon. Skuadra e Guardiolës ka fituar 14 dhe ka barazuar 1 nga 15 ndeshjet e Premier League, në këtë sezon, duke krijuar një distancë prej tetë pikësh nga ndjekësi më i afërt në klasifikim, Manchester United. Rivalët e të njëjtit qytet do të takohen në derbin e Manchesterit, në “Old Trafford”, të dielën, dhe Mata sheh një mundësi të madhe për ta ngushtuar hendekun me liderët e Premier League. “Ata janë duke bërë mirë dhe duke fituar shumë lojëra, tha Mata për Manchester City. Janë duke shënuar shumë gola, por mendoj se dhe ne nuk po bëjmë pak. Do të përpiqemi të tregojmë të dielën se mund të luajmë futboll të mirë dhe mund të fitojmë tri pikë.
“Është një lojë shumë e veçantë, të gjithë e dimë këtë, veçanërisht për shkak të pozitës që kemi të dyja palët në klasifikim. Ne luajmë kundër Manchester City në “Old Trafford” dhe është një nga ato ndeshje, që secili dëshiron ta luajë, një nga ato lojëra me të vërtetë të veçanta, që ka Premier League”, tha Mata.
Ndonëse ecuria e “qytetarëve” në këtë sezon, me 43 pikë të grumbulluara nga 45 e mundshme, ka bërë që njerëzit të thonë se ata nuk mund të kapen, Mata mendon se rivalët e Manchester United do të fillojnë të ngushtojnë distancën prej tetë pikësh. “Mbaj mend disa sezone më parë (në 2011-2012), kur Manchester United ishte përpara Manchester City me tetë pikë dhe më pas “qytetarët” fituan falë diferencës së golave. Është një ligë e çmendur dhe është shumë herët të mendojmë se çështë e titullit ka përfunduar”, tha Mata.
Mata ka folur edhe për Ibrahimoviç. “Zlatan Ibrahimoviç nuk është kurrë banal, brenda dhe jashtë fushës. Anekdotat mbi suedezin janë të shumta dhe tani është shtuar edhe një tjetër”, ka rrëfyer nga Juan Mata. Spanjolli, në një intervistë të dhënë për “Four Four Two”, ka treguar çfarë i ka thënë Zlatan në ditën e tij të parë tek United: “Sapo kishte ardhur dhe po sistemonte gjërat e tij. Nuk e kishim takuar, sepse ne ishim duke zhvilluar fazën parapërgatitore dhe ai ishte vetëm me përgjegjësin e uniformave”.
“Ai është një lojtar që fiton respektin e të tjerëve vetëm nga mënyra si ecën. Pa djaloshin e ri dhe i tha: “Shpresoj ta dish se ka ardhur Zoti. Djaloshi dridhej, nuk dinte ç’të bënte. Ibra shpërtheu në të qeshura. Gjithmonë e bën këtë”, u shpreh Mata.
Ndërkohë, Pep Guardiola bëhet trajneri i parë spanjoll, që rrumbullakos 100 ndeshje në Ligën e Kampionëve. Ai në stolin e Manchester City iu bashkua Jose Mourinhos, Carlo Ançelotit, Arsene Wenger e Sir Alex Ferguson, si trajnerët që e arritën numrin me tri shifra në garën më të rëndësishme për klubet europiane. Trajneri katalanas ka fituar 61 ndeshje, ka barazuar 23 dhe ka humbur 15 në 99 ndeshjet e deritashme, të luajtura mes drejtimit të Barcelonës, Bayern Munich dhe Manchester City. Me ekipin e Blaugranëve, ai e ngriti titullin kampion europe dy herë, në vitin 2009 dhe 2011. Tani, ai ka siguruar vendin e parë në grup, me 15 pikë të grumbulluara në pesë ndeshjet e luajtura, me një bilanc prej 13 golash në favor dhe 3 kundër. Në ndeshjen e tyre kundër ukrainasve, “qytetarët” do të luajnë për të kompletuar një fazë të përsosur grupi, vetëm me fitore.