Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, raportohet se i ka thënë shokut dhe bashkëkombasit të tij, Javier Mascherano që të largohet nga “Nou Camp”, për të rritur shanset e tij që të jetë pjesë e skuadrës së Argjentinës në Kupën e Botës Rusi 2018. Deri më tani, Barcelona ka shijuar një fillim fantastik të sezonit, me skuadrën e drejtuar nga Ernesto Valverde që deri tani kryeson klasifikimin në La Liga. Gjithsesi, një furtunë duket në horizont për skuadrën blaugrana, që do të duhet të bëjnë pa mbrojtësin e tyre, Samuel Umtiti për disa muaj, pasi futbollisti i përfaqësueses franceze u dëmtua gjatë barazimit 2-2 të Barcelonës në ndeshjen ndaj Celta Vigo fundjavën e kaluar. Ndërkohë, klubi katalanas po lufton për të mbajtur veteranin Mascherano, i cili është dëshpërimisht i kërkuar nga klube në MLS dhe në Kinë.
Raportohet se më parë, Messi ka bërë çmos që Mascherano të refuzonte çdo ofertë nga jashtë, të paktën deri në përfundim të sezonit. Por, sipas referimeve të medias spanjolle “Diario Gol”, tashmë argjentinasi po shtyn bashkëkombasin e tij drejt largimit. Sipas të gjitha gjasave Barcelona në këto momente do të mbështetej mbi 33-vjeçarin, në mungesë të Umtiti, me Vermaelen të paqëndrueshëm dhe Pique si mbrojtësin e vetëm titullar të garantuar. Por, gjithashtu Mascherano është i vetëdijshëm se me rikthimin e Umtiti nga dëmtimi, ai do të rikthehej në stolin e rezervave të Valverdes. Veteranit argjentinas i nevojiten minutat me qëllim që të sigurojë një vend në përfaqësuesen bardhekaltër për në Kupën e Botës, që luhet vitin tjetër, ndaj dhe Messi i ka sugjeruar shokut të tij të ngushtë të rrisë shanset e pjesëmarrjes në Rusi.
Messi “dëbon” Mascheranon
Higuain: Kalimi te Juve nuk ishte i lehtë
“Gonzalo është një nga sulmuesit më të mëdhenj të brezit të tij”. Portali francez “So Foot” i kushton hapësirë të mjaftueshme Higuain-it, i cili tregon me zemër të hapur adresimin e të gjitha çështjeve më të rëndësishme të karrierës së tij. Idetë, marrëdhëniet me lojtarët e Juventusit, fëmijërinë e tij në Francë dhe, natyrisht lamtumirën e lamtumirës ndaj Napolit. Një pikë kthese në karrierën e tij, që sigurisht nuk ishte padyshim:
“Nuk ishte një vendim i lehtë, por jam krenar dhe i lumtur, sepse që atëherë kam luajtur një finale të Ligës së Kampionëve. Kundërshtimet? Ju mund të dëgjoni një bilbil në dhjetë tifozë që duartrokasin. Eshtë më mirë që të përgatiteni mendërisht për kësi gjërash, përndryshe ju mund të bieni nga shumë lart. Bilbilat, megjithatë, janë një lloj lavdie e tifozit, që në thelb nuk kërkon t’ju duartrokasë për një qëllim. Sarri? Ai tha se isha dembel, sepse donte të shënoja si Messi dhe Ronaldo. Ai ishte pak i drejtë, sepse nuk mori parasysh faktin se unë shënoj mesatarisht 36 gola në sezon”, u shpreh Higuain.
Ekipi i Serisë C sfidon Interin
Një qytet i tërë po pret një datë, 12 dhjetorin. Pordenone po pret me padurim sfidën e 1/8-ve të Kupës së Italisë kundër Inter-it, që do të zhvillohet të martën e ardhshme në “San Siro”. Është e lehtë të imagjinohet se shumë tifozë të Pordenone-s, skuadër që luan në Serinë C, nuk do ta humbasin rastin për ta ndjekur ekipin e tyre në “La Scala”-n e futbollit. Klubi friulan ka ftuar të gjithë tifozët, nëpërmjet profilit zyrtar në Twitter, që të jenë në “San Siro”. Këto dy skuadra nuk janë ndeshur kurrë më parë, por kanë një gjë të përbashkët: asnjë nga këto dy formacione nuk ka qenë kurrë në Serinë B. Arsye krenari për zikaltrit, jo aq për Pordenone-n. Ndërkohë në rrjetet sociale ka filluar numërimi mbrapsht dhe Pordenone ëndërron arritjen e madhe.
Chelsi jep në huazim David Luiz
Raportimet pretendojnë se Chelesea do të lejojë David Luiz që të largohet në janar, më pëlqyeshëm në huazim. Braziliani nuk është aktivizuar në Premier League me “Blutë e Londrës” që nga fundi i muajit tetor. Marrëdhënia e tij me trajnerin Antonio Conte është futur gjithashtu në krizë, pasi italiani e la jashtë fitores 1-0 ndaj Manchester United, muajin e kaluar. Luiz është aktualisht i padisponueshëm për shkak të një dëmtimi në gju, por gjithashtu do të vuajë të rigjejë vendin në formacionin e Contes, edhe pasi të jetë rekuperuar plotësisht. Referuar “Gambling Times”, Chelsea është gati ta huazojë brazilianin në janar. Nga klubi i bluve preferohet që 30-vjeçari të largohet në formë huazimi deri në fund të sezonit, pasi drejtuesit shohin ende një të ardhme të mbrojtësit në “Stamford Bridge”.
Luiz gjithashtu dëshiron të përfundojë kontratën e tij që skadon në vitin 2019, por është i vetëdijshëm se i nevojitet të luajë me minutazh të rregullt, nëse synon që të jetë pjesë e kombëtares së Brazilit në Botërorin Rusi 2018. Real Madrid është përfolur për një tentativë të mundshme në fillim të vitit për ish-yllin e PSG, por do të duhet të përballet edhe me konkurencën e Barcelonës. Nga Spanja raportohet se të dy klubet synojnë përforcimin e reparteve mbrojtëse me eksperiencën e brazilianit, ndërkohë që garojnë në La Liga dhe Champions League. Luiz ka admirues në “Nou Camp” dhe shihet si një zgjidhje emergjente për merkaton e janarit, pas dëmtimit të Samuel Umtiti, që do të qëndrojë jashtë për të paktën dy muaj.
Porto kualifikohet me “goleadë”
Real Madrid e ka mbyllur fushatën e grupeve të Champions League me fitoren 3-2 kundër Borussia Dortmund në “Santiago Bernabeu”. Kampionët e Europës në fuqi e kishin siguruar më parë kalimin në 1/8 e finaleve të kësaj veprimtarie, ndërsa Dortmund do të vazhdojë më tej në Europa League. Real pati fillimin e ëndërruar pasi me golat e Mayoral dhe Cristiano Ronaldo udhëhiqte 2-0 që në minutën e 12-të.
Dortmund nuk u dorëzua dhe dy minuta para fundit të pjesës së parë Pierre-Emerick Aubameyang shënoi për skuadrën gjermane. I njëjtë autor sigloi barazimin, në minutën e katërt të pjesës së dytë. Fitorja e Real erdhi 10 minuta para fundit me golin e Lucas Vasquez. Ndërkohë, Tottenham, që e kishte siguruar më parë kreun e grupit, e mbylli këtë fazë grupesh me fitoren 3-0 ndaj APEOL Nicosia, me të shënuar në pjesën e parë nga Fernando Llorente dhe Heung-Min Son dhe në pjesën e dytë nga Georges-Kevin N’Koudou.
Në Grupin G, Porto ka fituar 5-2 ndaj Monaco duke siguruar të drejtën për të luajtur në 1/8 e finaleve. Në një ndeshje ku të dyja skuadrat luajtën gjatë gjithë pjesës së dytë me dhjetë futbollistë, si pasojë e kartonëve të kuq të marrë nga Felipe dhe Ghezzal. Në ndeshjen tjetër të grupit, Besiktas u konfirmua si skuadra fituese duke triumfuar 2-1 në fushën e RB Leipzig, që gjithashtu e mbylli ndeshjen me dhjetë futbollistë.
Liverpool “keqtrajton” Spartakun
Liverpool-it i duhej fitorja për të siguruar vendin e parë të renditjes së Grupit E ndaj Spartakut të Moskës dhe skuadra e Jurgen Klopp ka keqtrajtuar rusët në Anflied me rezultatin 7-0. Ishte një mbrëmje festive në qytetin e Liverpulit teksa katërshja e sulmit të Kuq Salah, Mane, Coutinho dhe Firmino kanë dhuruar edhe një herë tjetër spektaklin e zakonshëm.
Ndeshja mund të quhej e mbyllur që në minutën e 20’ pas tre golave të Coutinho (2 herë) dhe Firmino, por Liverpool kishte të njëjtin avantazh edhe ndaj Sevilla-s herën e fundit dhe ndeshja përfundoi barazim. Pra, tifozët ishin të shqetësuar mbase edhe pas avantazhit të trefishtë, por këtë herë të besuarit e Klopp nuk e ulën ritmin, duke shënuar edhe tre gola të tjerë pas pushimit. Ndërkohë Sevilla-s i mjaftoi një pikë me Maribor për të kapur vendin e dytë në renditje.
Banorët përplasen me kryebashkiakun e Ramës: Gjeni zgjidhje mos na sillni patate
Dritan Leli, kryetar i Bashkisë së Vlorës priste ta falenderonin në Novoselë, kur u shkoi banorëve të përmbytur me makarona, sheqer dhe miell. Në vend të kësaj, u përball me irritimin e vlonjatëve që i kërkuan llogari për përmbytjet që përsëriten vit pas viti në Vlorë. Madje kryebashkiaku u gjend në një situatë të vështirë, kur u rrethua nga banorët e zonës që i bërtisnin në fytyrë, duke i kërkuar të mos i gënjente me makarona. Që në fillim të takimit, vlonjatët ia bënë të qartë Lelit se donin pastrimin e kanaleve kulluese, thellimin e lumit dhe marrjen e masave që përmbytjet të mos përsëriteshin. Në videon që kanë publikuar mediat duket se përgjigjet arrogante të Dritan Lelit, ndonjëherë edhe fyese e kanë acaruar situatën. Banorët akuzuan direkt Kryetarin e Bashkisë se ishin pikërisht njerëzit që e shoqëronin atë që kishin ndërtuar shtëpitë mbi kolektor dhe kishin bllokuar kanalet kulluese. Situata është tensionuar deri në pikën që, Dritan Leli e ka parë të arsyeshme ta mbyllë gojën dhe të mos i përgjigjet më banorëve, duke menduar se do të ishte më mirë që të ikte nga takimi. Në momentin që u largua, pranë tij u afruan dy policë, që i qëndruan pranë për çdo të papritur. Janë 130 pakot e para, të cilat kanë mbërritur në Njësinë Administrative Novoselë, por banorët kërkojnë një zgjidhje përfundimtare për t’i dhënë fund përmbytjeve të përvitshme. Ndihmat nuk japin asnjë zgjidhje për dëmet e mëdha materiale që ka shkaktuar vërshimi i ujit. “Duam zgjidhje për lumin, jo makarona dhe sheqer” ishte qëndrimi i banorëve. Ata kanë kërkuar zgjidhje të situatës dhe ngritjen e argjinaturës që do të pengojë vërshimin e lumit drejt banesave dhe biznese të tyre. Banorët kanë kërkuar nga Leli zgjidhje për lumin, i cili sipas të banorëve sërish vitin tjetër do të përmbysë këtë zonë. “Në 2015 sollët ndihma dhe me lumin nuk u bë asgjë, tani prapë në 2017 u përmbytëm. Nuk duam patate dhe makarona, duam zgjidhje për lumin”, janë shprehur banorët. Ndërkohë, kryebashkiaku Leli është larguar duke thënë se duhet të shkojë diku tjetër për shkak të një problemi me një rrugë, por ka premtuar se do të kthehet sërish për të folur me banorët. Novosela është një nga zonat e cila u prek më shumë nga përmbytjet e 30 nëntorit, ku shumë banorë kanë pësuar dëme të mëdha në banesa, por edhe në serat e stallat e tyre.
Në Qarkun e Fierit tokat bujqësore vijojnë të përmbytura
Edhe pse është tërhequr uji nga zonat e përmbytura, problematikat vazhdojnë akoma, më shqetësues mbetet fati i bagëtive, pasi ka mungesë ushqimi dhe strehimi për to është mjaft problem.
Thuajse të gjitha stallat në Hoxharë, Povelsh, Feras janë të mbuluara nga uji. Veterinerët bëjnë apel që të gjendet sa më shpejt një zgjidhje për strehimin e tyre, pasi një pjesë mjaft e madhe e bagëtive janë ftohur dhe si pasojë pritet të përhapet edhe ndonjë sëmundje, çka mund të shkaktojë problem shumë të mëdha. “Bagëtia nuk ka ça ha, ata 5 dengje që kemi ca u mbytën ca janë lart nuk janë mbytur akoma, do t’i nxjerrim nga e keqja. Jo, jo nuk na kanë sjellë asgjë”, shprehet një prej banorëve, ndërkohë që një tjetër banor shton se: “Shumë bagëti kanë ngordhur, edhe qengja kanë ngordhur. Ushqimi mungon”. Fermerët nuk e dinë akoma se çfarë do të ndodh për fatin e bagëtive të tyre, pasi ka edhe mungesë të medikamenteve. Kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Bujqësisë, por akoma nuk kanë marrë asnjë përgjigje.“Të tëra bagëtitë mi ka zënë barku. Bagëtitë janë ftohur, vetë dje morëm 25 mijë lekë ilaçe”, thonë disa banorë të tjerë. Ndërkohë në zonën e Darzezës toka bujqësore vazhdon të jetë e përmbytur, për pasojë edhe të mbjellat kanë shkuar dëm, pasi gjithçka tashmë është e shkatërruar. Banorët thonë se dëmet janë kolosale.
OKB: Përmbytjet në Shqipëri katastrofë për emergjencë civile
Organizata Botërore e Shëndetësisë i cilëson përmbytjet në Shqipëri si katastrofa natyrore për të cilat qeveria duhet të kishte shpallur gjendjen e emergjencës dhe të paguante dëmet e shkaktuara. Ndër fatkeqësitë natyrore, përmbytjet dhe rrëshkitja e tokës i krijuan dëmet më të mëdha ekonomike Shqipërisë gjatë periudhës 1990-2014 sipas përllogaritjeve të bëra nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Rrezikut nga fatkeqësitë (UNISDR).
Gjatë 24 viteve, 38.2 për qind e dëmit ekonomik është krijuar nga përmbytjet dhe 33.5 për qind, nga rrëshkitja e tokës dhe 7 për qind janë dëme të krijuara nga përmbytjet e shpejta. Pjesa e mbetur e dëmeve prej rreth 20 për qind ndahet ndërmjet dëmeve që kanë sjellë tërmetet, shtrëngatat, zjarret, stuhitë e borës etj.
Zyra e Kombeve të Bashkuara llogarit që gjatë periudhës 1990-2014 në Shqipëri janë shkatërruar plotësisht 118 shtëpi, dhe janë dëmtuar rëndë rreth 2000 të tjera dhe janë zhvendosur nga vendbanimet më shumë se 3600 njerëz. Sipas OKB-së dëmi ekonomik ka qenë 21 milionë euro, por sipas autoriteteve shqiptare humbjet nga fatkeqësitë natyrore janë shumë herë më të larta me 36 milionë euro në një vit kalendarik.
Por Zyra e Kombeve të Bashkuara llogarit humbjet nga fatkeqësitë natyrore në bazë të disa klasifikimeve. Një fatkeqësi që të konsiderohet e tillë duhet të kenë humbur jetën të paktën 10 persona, mbi 100 persona të tjerë duhet të jenë të rrezikuar seriozisht dhe kur qeveria kombëtare duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të bëhet thirrje për ndihmë ndërkombëtare.
Shqipëria që nga viti 2010 ka pësuar të paktën 4 përmbytje të mëdha, por qeveria përmbytjen e fundit nuk e përllogariti si katastrofë natyrore. Për pasojë ndihmat nga jashtë dhe detyrimet e brendshme për kompensim janë vetëm në bazë vullnetare.
Drejtoria e Emergjencave Civile në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare llogarit një kosto prej 35 milionë eurosh në vit që i krijohet vendit nga fatkeqësitë natyrore të tilla si përmbytjet, tërmetet, zjarret etj. Që nga 2009, ku përmbytjet kanë vijuar me intensitet të lartë, dëmi në total në vlera neto i krijuar deri në fund të 2015-ës llogaritet rreth 200 milionë euro.
Vetëm nga reshjet e 6 janarit 2015 që krijuan përmbytje në disa zona në Shqipërinë e Mesme dhe në Jug të vendit, dëmi u llogarit në rreth 15 milionë euro nga të cilat rreth 9 milionë euro u krijuan nga shembja e rrugëve dhe urave.
Asnjë hartë me zonat e rrezikuara nga përmbytjet
Përmbytjet në vendin tonë janë kthyer në një rutinë të përvitshme, por pavarësisht kësaj asnjëherë nuk është marrë iniciativa në krijimin e një harte të zonave më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore. Krijimi i një harte me fshatrat që rrezikojnë më shumë nga përmbytjet do të ndihmonte në planifikimin dhe menaxhimin më të mirë të emergjencave në aspektin shëndetësor dhe social të tyre.
Në këtë mënyrë ndoshta do të planifikohej edhe në buxhetin e shtetit një fond më i lartë se 1.3 milionë euro për emergjencat civile. Ndërkohë që, sipas përllogaritjes nga institucionet ndërkombëtare dhe Drejtoria e Emergjencave Civile fatura financiare që duhet të paguajë shteti çdo vit si rezultat i fatkeqësive natyrore është në vlerën e 35 milionë euro sa i përket dëmeve ekonomike. Sa i përket faturës shëndetësore dhe sociale që shteti duhet të paguajë në rast të emergjencave civile nuk ka të dhëna zyrtare.
Derbi, i Juventusit
“Jemi të gjithë shumë të lumtur, sepse po punojmë fuqishëm në fazën mbrojtëse dhe rezultatet janë të dukshme. Edhe dje ishte e rëndësishme të mos pësonim gol dhe të arrinim objektivin e parë të sezonit, kalimin e grupit”. Është Juan Guadrado që rikthehet të flasë për ndeshjen e Champions League kundër Olympiacos. “Trajneri insiston shumë që unë të futem drejt portës, duke krijuar superioritet numerik kur topi ndodhet në zonën kundërshtare. Dua të falënderoj Alex Sandro që shpeshherë ma shërben topin pikërisht aty. Shpresoj që një ditë të mund t’i kthej favorin, ndonëse asistet e mi janë gjithmonë për Mandzukic dhe Higuain. Të luash këto ndeshje të karrikon maksimalisht, të vjen spontane që të japësh 100% dhe të shënosh. Gjëja më e rëndësishme është të zbresësh në fushë me dëshirën për të bërë maksimumin”, deklaroi kolumbiani i Juves.
Më pas nuk mund të mos fliste edhe për supersfidën e ardhshme të Seria A, atë kundër Inter, që po kryeson klasifikimin. “Që kur shkoi Spalletti po ecin shumë mirë. Duket që u ka dhënë diçka më shumë në raport me kampionatin e kaluar. Janë të fortë dhe duhet të jemi të gjithë shumë të kujdesshëm, por ne jemi një skuadër e madhe dhe duhet të qëndrojmë të qetë e të tentojmë të arrijmë rezultat pozitiv përpara tifozëve tanë, që është gjëja më e rëndësishme. Jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje të madhe. Jam besimtar dhe mbështetem shumë në Zot. Falënderoj gjithmonë Zotin që më dha këtë talent dhe në çdo ndeshje tentoj të jap më të mirën. Është falë Zotit që jam ky që jam”, rrëfeu Guadrado.
Një sfidë totale, edhe për Kupën e Botës! Nga njëra anë Mauro Icardi dhe nga ana tjetër Gonzalo Higuain. Do të jenë që të dy përballë, të shtunën e ardhshme në “Allianz Stadium”, për të garuar për vendin e parë në kampionat, në një sfidë të gjithën argjentinase. Kapiteni i Inter krenohet me një mesatare të frikshme: 16 gola në 15 javët e para do të thotë se ka shënuar dy gola më shumë sesa ecuria që ka pasur “El Pipita” në vitin e fundit me Napolin, ku arriti shifrën e 36 golave në fund të Serie A. Kësisoj është e logjikshme të mendojmë se në shënjestrën afatgjatë të Maurito është edhe rekordi i Higuain, që gjatë këtij sezoni me Juventus, po udhëton më ngadalë, me shtatë gola më pak të shënuar se bashkatdhetari.
Një sfidë në “Allianz Stadium” të Torinos, që për Icardi (që ka shënuar 7 gola në 9 ndeshje kundër bardhezinjve) dhe për Higuain ka edhe një nënkuptim për Botërorin 2018. Këta dy qendërsulmues janë në garë të drejtpërdrejtë për një vend në kombëtaren çeleste, që do të luajë në Rusi, verën e ardhshme. Më saktësisht, në këtë moment Icardi është në avantazh ndaj Higuain, duke fituar besimin e Sampaolit, por lojërat janë ende të hapura deri në fund, ashtu si gara mes Inter dhe Juventus në historinë e Serie A.
Kundërshtarët e mundshëm të Realit
Real Madridi përballet me shortin e 1/8 finale të Champions-it si skuadër e renditur e dyta në grup. Kjo situatë e komplikon shumë vazhdimësinë e tij në Europë. Kjo do të thotë se ekipi i Zinedine Zidane mund të përplaset me Manchester City i Guardiolës, PSG e Neymar, Manchester United e Mourinhos dhe Liverpool e Coutinhos. Secila nga këto katër skuadra paraqitet si rivale me vështirësi maksimale, sidomos duke pasur parasysh se Real Madridi do të duhet ta luajë ndeshjen e dytë (të kthimit) larg “Bernabeut”. Megjithatë, ka edhe dy rivalë në “pjatë” apriori, që nuk do të kishin vështirësinë e katër të përmendurve më lart. Njëra do të ishte Roma e De Rossit, një ekip i kualifikuar në një nga grupet teorikisht “të vdekjes”, pasi iu imponua Chelsea dhe Atlético Madrid, ndërsa “eksperti i ëmbël” është kampioni turk, Besiktas, i cili u kualifikua për herë të parë në grupin e vet, duke mundur Porto, Leipzig dhe Monako. Është e qartë se tifozët e Real Madridit do të kryqëzojnë gishtat e tyre për fat, që t’i shoqërojë ata në shortin e së hënës, duke ëndërruar, pse jo, Besiktas e Pepe, që do të thotë kthim i portugezit në klubin e bardhë.