24.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

FOTO/ Dhjetë të arrestuar për trafikun e kokainës nga Brazili, momenti kur disa prej tyre paraqiten në gjykatë! Si kamuflohej droga me lëkura bagëtish

Ky është momenti kur disa prej të arrestuarve për trafikun e kokainës nga Brazili mbërrijnë në Gjykatën e Posaçme.

 

Nga operacioni u zbulua një laborator kokaine, ndërsa u arrestuan 10 persona, 3 prej të cilëve shtetas të huaj. Të 10 të arrestuarit dalin sot para Gjykatës së Posaçme për vleresimin e masave të sigurisë.

Personazhet e vënë në pranga, në fakt, janë emra të panjohur për sistemin tonë të drejtësisë, përjashtim bën njëri prej tyre i dënuam për dy vrasje në dy kohë të ndryshme. Por ata që konsiderohen si organizator dhe financues të grupit në fakt nuk rezultojnë të skeduar më parë në vendin tonë. Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ka qenë në dijeni të dy ngarkesave që do të vinin në emër të këtij grupi, çka do të thotë se njëri nga këta protagonistë ka qenë në përgjim.

Ngarkesa e muajit shtator, e cila sipas të dhënave jozyrtare ka kaluar nëpërmjet portit të Durrësit është magazinuar fillimisht në një objekt në Durrës dhe më pas është transportuar në banesën e një të riu në fshatin Qerekë të Niklës. Aty janë sjellë edhe “mjeshtrit” latinë, të cilët kishin për detyrë të ndanin lëndën narkotike nga pjesa tjetër e ngarkesës. Por SPAK, në operacionin e kryer të premten, ushtroi kontrolle të shumta në disa zona, banesa dhe vila duke u ndaluar edhe në rezidencën e “Kodrës së Diellit”. Aty pretendohet se është edhe banesa e njërit prej protagonistëve, ku agjentët operacionalë sekuestruan një sasi lëndë narkotike. Sasi tjetër u sekuestrua në Durrës, në një objekt afër portit, ndërsa ka dyshime për objekte të tjera që menaxhohen prej grupit kriminal.

Kamuflimi

Sipas të dhënave të Prokurorisë së Posaçme, bëhet me dije se janë 850 lëkura të kriposura të gjedhit në të cilat është e fshehur kokainë. Hetuesit shqiptarë në bashkëpunim me partnerët e huaj, e dinin shumë mirë se ishin ngarkuar në kontejnerë në vende të Amerikës Latine dhe do të vinin në rrugë detare në portin e Durrësit. Dyshohet se të dy ngarkesat kanë qenë 48 tonë, ku ende nuk dihet se sa është sasia e lëndës dhe sa pjesa tjetër e ngarkesës.

Sipas SPAK, njëra ngarkesë hyri në shtator dhe tjetra në nëntor, që janë vëzhguar nga SPAK dhe janë lënë të veprojnë të lira deri në itinerarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale grupit të drogës, me 10 arrestime në total. Për grupin hetimor, 4 nga 7 shqiptarët e arrestuar janë kryesorët e grupit, organizatorë dhe financues të rrjetit kriminal të trafikut të kokainës drejt Shqipërisë dhe më tej shitjen e saj në tregjet e vendeve europiane. Referuar të dhënave të pakta që ka bërë me dije Prokuroria, mësohet se rolin kryesor dyshohet ta ketë Geis Sejfullai, 42 vjeç. Vila në rezidencën e banimit “Kodra e Diellit 2” në Tiranë, që shërbente si bazë e grupit, dyshohet të jetë e tij, në pronësi apo e marrë me qira, SPAK ende po e heton këtë fakt pasi nuk dihet saktësisht. Aty, dhe në një tjetër ambient mbështetës të këtij grupi, pranë portit të Durrësit, u gjetën në total 6.1 kg kokainë. Sejfullai mësohet se është një person me profil të lartë publik, ndërkohë që prokurorët vijojnë të hetojnë lidhjet mes personazheve të këtij grupi për të shkuar tek furnitorët dhe bashkëpunëtorët.

Laboratori dhe personazhet

SPAK ka pasur informacion të saktë në lidhje me vendndodhjen e ndërtesës që shërbente për punimin e mallit. Sipas të dhënave, banesa e shndërruar në laborator ku 3 kimistë të huaj nga Kolumbia e Venezuela ndanin drogën nga lëkura, dyshohet të jetë në pronësi Endi Sejdini, vetëm 25 vjeç, e pozicionuar në pikë strategjike, pranë aeroportit të Rinasit, në fshatin Qerekë. Klajdi Birçe 30 vjeç dhe Artion Çaushllari, 37- vjeçar një personazh që ka ushtruar edhe funksione publike, po ashtu sipas SPAK janë në mesin e organizatorëve dhe financuesve.

Ndërsa 37-vjeçari Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmanaj 51 vjeç nga Shkodra dhe Baki Huqi 57 nga Durrësi, i dënuar për dy vrasje në ’97 dhe 2013-ën, kishin role dytësore në shërbim të aktivitetit kriminal. Ngarkesat me drogë që vinin fshehur në lëkurat e bagëtive, sipas burimeve nga SPAK, nuk janë nisur vetëm nga vende të Amerikës Latine, si Kolumbia, Venezuela apo Ekuadori, me të cilat bandat shqiptare kanë një marrëdhënie të gjatë trafiku, por edhe nga Republika Domenikane dhe Brazili. Jo më kot kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurori tjetër, Adnan Xholi që po hetojnë grupin, qëndruan 1 javë në Brazil së fundmi, ku deklaruan se do të çmontonin rrjetet e trafikut të drogës. Tranzit dyshohet të jenë përdorur portet italiane për të mbërritur në brigjet shqiptare, megjithatë itinerari i plotë është ende duke u hetuar.

Bashkëpunimi me agjencitë e huaja

Prokuroria e Posaçme po punon me agjenci partnere të zbatimit të ligjit, për subjekte të tjera që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet dhe kryesisht shqiptarë që kanë luajtur rol domethënës për të siguruar kokainën në Amerikën Latine apo kanë koordinuar veprimet atje. Burime nga SPAK thonë se Aldi Zonja, i arrestuar, gjatë kohës së pandemisë pati një qëndrim të gjatë në Amerikën Latine, ku shkoi për vizitë turistike dhe qëndroi i izoluar edhe nga bllokimi i fluturimeve.

Megjithatë, Zonja mësohet se nuk ka rol kryesor në këtë grup kriminal. Po ashtu, ai nuk ka qenë as më herët i skeduar në ndonjë aktivitet të dyshimtë, por prokurorët po hetojnë në tërësi grupin që tashmë konsiderohet kriminal. Të 10 personat e arrestuar do të dalin për masë në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, ditën e sotme, ku është njoftuar ora 09:30.

Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 6.1 kg kokainë, 89 kg përzierës të ngurtë, 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës dhe mbi 51 mijë euro. Plot 22 celularë janë në duart e SPAK që përmes hetuesve të BKH-së pritet të zbulojë më shumë mbi komunikimet e këtij rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM, ndërsa 3 automjete u sekuestruan bashkë me dokumente të tjera të rëndësishme. Prokurorët ende nuk kanë dalë në konkluzione në lidhje me të gjithë aktivitetin, pasi këqyrja e sendeve personale vijon ende.

SHQIPTARËT E ARRESTUAR
1- Geis Sejfullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
5- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
TË HUAJT E ARRESTUAR
1- Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
2- Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
3- Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian

Paraqitet në SPAK ish-kreu i komunës së Shëngjinit

Salvador Kaçaj, ish-kreu i Komunës së Shëngjinit, është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ende nuk dihen arsyet e thirrjes së Kaçajt në SPAK, por mendohet se dëshmia e tij lidhet me një kallëzim të bërë nga përfaqësuesi i opozitës në Shëngjin në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar, ku Salvador Kaçaj denoncoi një atentat ndaj tij në policinë vendore të Lezhës, ku theksonte se dy persona i zunë rrugën me automjet, ndërsa njëri prej tyre ishte i armatosur me pistoletë.

Gjithsesi pritet që pas dëshmisë Kaccaj të japë dhe një deklaratë për mediat.

Me borxhe deri në fyt e llogari të bllokuara, “Albcontrol” rriti pagat me 30%

Prej më shumë se dy vitesh, agjencia shtetërore e fluturimeve, “Albcontrol” është një krizë të thellë financiare, pasi mbi 80 milionë euro që gjenden në llogaritë e saj pranë shoqërisë ajrore europiane, “Eurocontrol”, janë nën sekuestro, pas një vendimi që ka marrë Gjykata e Arbitrazhit të Bankës Botërore (ICSID), në çështjen “Beketi kundër Shqipërisë”. Për të zbutur sadopak këtë situatë emergjente, Qeveria shqiptare i ka dhënë “Albcontrol” mbi 8 miliardë lekë të reja (rreth 80 milionë euro) hua për të kryer shërbimet emergjente, si edhe për të kryer pagesat e stafit, raporton “Bold News”. Këto hua kanë nisur të jepen duke nisur nga mesi i vitit 2022 e deri në fund të vitit 2023. Por, pavarësisht kësaj krize që e çoi “Albcontrol” në prag të falimentimit, drejtuesit e kompanisë shtetërore menduan në qershor të vitit 2023 që të rrisnin pagat e tyre dhe të stafit me 30 përqind.

Në 9 qershor 2023, Drejtori i Përgjithshëm i asaj kohe, Laureta Omeri, i ka dërguar Këshillit Mbikëqyrës të “Albcontrol” një relacion me “propozim për shkallatoren e re të pagave”, ku kërkohej rikthimi i nivelit të pagave të periudhës para-pandemisë Covid 19. Ndërkohë, për Kontrollin e Lartë të Shtetit, kjo rritje e pagave duket e paarsyetuar. Në një audit përputhshmërie të kryer së fundmi mbi shoqërinë publike të fluturimeve, KLSH konstaton se: “Nisur nga pozicion jo i mirë financiar i shoqërisë Albcontrol SHA, ku llogaritë e të ardhurave të shoqërisë vijojnë të mbeten të bllokuara, si dhe janë nënshkruar 5 kontrata huamarrje nga subjektet e tjera, kërkesa për rritje të pagave në nivelin 30% duket e pa arsyetuar, duke marrë në konsideratë edhe nivelin e pagave në rang vendi dhe të pagës mesatare”.

Llogaritë e bllokuara

Shoqëria shqiptare e fluturimeve, “Albcontrol” është pjesë e kompanisë europiane, “Eurocontrol”. “Albcontrol” ka llogari bankare pranë kompanisë ndërkombëtare, në të cilën kryen pagesat e shoqërive të fluturimit për ulje-ngritjet nga aeroporti i Rinasit, si edhe për tranzitimin në hapësirën ajrore shqiptare. Prej vitit 2022, llogaritë bankare të “Albcontrol” pranë “Eurocontrol” janë të bllokuara, në zbatim të një vendimit të Arbitrazhit Ndërkombëtare, ku biznesmeni italian, Francesko Beketi duhet të paguhet nga shteti shqiptare në shumën e 110 milionë eurove. Në Prill të vitit 2021, Gjykata e Arbitrazhit ICSID vendosi përfundimisht se shtetit shqiptar duhet të paguante atë shumë Beketit, pasi arriti në konkluzionin se qeveria e Edi Ramës e përndoqi ligjërisht dhe politikisht sipërmarrësin, për shkak të linjës editorial që ndiqte televizioni i tij, “Agon Channel”.

Francesko Beketi dhe Edi Rama

Qeveria e Ramës nuk pranoi të paguante detyrimin financiar prej 110 milionë euro. Në këto kushte, përfaqësuesit e Beketit identifikuar shuma monetare të “Albcontrol” pranë “Eurocontrol”, me seli në Bruksel dhe kërkuan nga Gjykata e Apelit e kryeqytetit belg që të bllokonte llogaritë e shoqërisë shqiptare, derisa shteti shqiptar të shlyente pagesën. Shuma e bllokuar deri më tani ka arritur në shifrën e mbi 90 milionë euro.

Mal me borxhe

Bllokimi i llogarive bankare e vendosi “Albcontrol” në një situatë të vështirë financiare, në pamundësi për të kryer shërbimet dhe për të paguar stafin. Qeveria shqiptare nxiti disa kompani publike që t’i jepnin hua “Albcontrolit”. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “Albcontrol” rezulton se ka nënshkruar 5 kontrata huaje, për një vlerë totale prej afërsisht 80 milionë euro. Në mars të vitit 2022, “Albcontrol” nënshkruar kontrate huaje me Autoritetin Portual të Durrësit për një vlerë prej 5 milionë euro.

Selia e “Albcontrol”

Në gusht të atij viti, shoqëria e fluturimeve merr një hua në shumën 936 milionë lekë të reja ose rreth 9 milionë euro nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor. Në fund të vitit 2022, “Albcontrol” merr një hua në vlerën 2 miliardë lekë të reja (ose 20 milionë euro) nga Autoriteti i Aviacionit Civil dhe po kaq merr në nëntor të vitit 2023 edhe nga Korporata Shqiptare e Investimeve. Në dhjetor të vitit 2023, qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Financave, i jep “Albcontrolit” një hua në vlerën e 3 miliardë lekëve të reja (rreth 30 milionë euro). Në këto kushte të vështira financiare, gjithësesi drejtuesit e “Albcontrol” vendosën të rrisnin me 30 përqind pagat e stafit.

Pse Rama&Berisha&Meta po blejnë kohë, edhe pse nuk shpëtojnë dot?!

Nga Neritan Vladi

Kur pacienti, (Shoqëria) vuan nga një sëmundje e rëndë, (Korrupsioni 34 vjeçar), doktori, (SPAK&GJKKO), jep recetën me ilaçin më të fortë, (Drejtësi), që pacientit ti shpëtohet jeta dhe të bëjë një jetë të shëndetshme.

Faza fillestare e efektit të ilaçit të fortë sjell shumë dhimbje tek pacienti, por në fund e shëron atë.
Drejtësia e munguar për shumë vite në Shqiperinë tonë të dashur, krijoi shumë probleme me pasoja të rënda në shoqëri.

Nga padrejtësia e drejtësisë, burojnë të gjitha problemet:

Varfëria extreme, kriminalizim i shoqërisë, arsim me nivel të dobët, largim të rinisë, ikje të elitave etj, etj.

Kjo periudhë në dukje traumatike që po kalohet tani, është efekti i ilaçit të fortë, i cili po vepron mbi nivelet e larta politike që e kanë mbajtur peng shoqërinë për 34 vite. Është periudhë e dhimbshme por e domosdoshme, që të shërohemi.

Kaq e dhimbshme është sa të korruptuarit politikanë të këtyre viteve, edhe nëse deri pak kohë më parë mund të mendonin të largoheshin nga politika aktive, (Kuptohet duke katapultuar të deleguarit e tyre që të vazhdonin ta vidhnin popullin po për llogari të tyre), tanimë nga frika e SPAK, kërkojnë si mburojë petkun politik, vetëm që ta vonojnë ndëshkimin e tyre, se për ta ndaluar nuk e ndalojne dot më. Dhe e gjitha, edhe kjo shtyrje dhe blerje kohe bëhet sërish në dëm të shoqërisë, duke menduar si gjithmonë vetëm për veten e tyre dhe asgjë tjetër.

Le ta ilustrojmë me fakte këtë situatë.

Nëse Sali Berisha nuk do ishte i hetuar nga drejtësia dhe i shpallur Non Grata për korrupsion nga SHBA, a do ta kishte marrë peng Partinë Demokratike?! Unë besoj që jo. Por nga frika e drejtësisë bëri gjithë atë luftë duke përçarë dhe shkatëruar PD-në dhe hodhi petkun e kryetarit të partisë për të blerë kohë, në përpëlitje për ti shpëtuar drejtësisë. E gjitha, në kurriz të demokratëve.

Nëse Ilir Meta nuk do kishte frikën e drejtësisë mund të mos kthehej tek LSI, por të kishte mashat e tij aty dhe të vazhdonte që LSI të punonte për të dhe si përherë, në kurriz të shqiptarëve.

Që të dy u morën në hetim nga SPAK kur nuk ishin kryetar partie, por u bënë kryetar pasi ndien frikën e drejtësisë. Pra pasi kishte filluar hetimi për ta.
Dhe tani thonë po goditen krerët e opozitës nga amerikanët dhe europianët dhe “leva” e tyre SPAK!.

Në fakt opozitën po e godasin ata duke tentuar ta marrin me vete bashkë me fatin tyre penal.

Përsëri në dëm të shqiptarëve, vetëm për interesin tuaj personal. E njëjta gjë vlen edhe për Edi Ramën. PS-së dhe pushtetit ai si individ, ja ka marrë të gjitha, por nuk i lëshon vetëm e vetëm, se i duhen si mburojë politike dhe fuqi kundrejt SPAK, ku hallet sapo i kanë filluar.

Të tre jetojnë në jerm, sepse vetëm kohë po blejnë. Nuk është larg dita e çlirimit nga mbeturinat politike 34 vjeçare. Do paguajnë dhe do vjellin, thjesht atë që kanë gatuar vetë!

Më i frikësuari nga të tre duket ai që reagon me gjasme ndaj ilaçit, (SPAK), si me kujdes, por që në fakt e di që e pret i njëjti fat si dy të parët. Është Edi Rama i cili duke parë dhe ndihmuar fshehtas kolegët e “opozitës”, po bën çdo gjë që të mos lëshojë karriken e pushtetit.

Po bën çdo gjë që të blejë kohë, duke caktuar të ngjashmin Berisha si “opozitë të vetme” dhe “kundërshtarë”. Por as ky nuk e ndalon dot atë që po vjen!

Mirë bëjnë që mbajnë njëri-tjetrin se hallin e kanë të përbashkët, por halli i tyre nuk është halli i shqiptarëve. As i demokratëve dhe socialistëve të ndershëm.

Kjo klasë politike e vjetër e ka mbyllur ciklin.
Sipas meje me turp, por gjithsesi drejtësia dhe historia do ti gjykojë përfundimisht.
Të vetmen gjë që kanë në dorë të bëjnë tashmë, (Nëse duan qoftë dhe një herë të vetme, të bëjnë një gjest të mirë për shqiptarët), është vetëm:
Të hapin krahun për rininë, për politikanët e papërlyer në korrupsion dhe të japin llogari para drejtësisë për mëkatet e bëra.

Për tu kthyer aty ku e nisëm.
Ilaçi (SPAK), po vepron dhe dhimbjet e forta që shkakton në momentet e para janë shenja të qarta që pacienti, (Shqipëria), do shpëtojë nga sëmundja ( korrupsioni) e rëndë shumëvjeçare.
Shqiptarët meritojnë shumë më mirë se kaq dhe shpejt do ta kenë!

Shqiptarët po punojnë më shumë dhe po paguhen “më pak”

Rritja e treguesit të kostos së punës për njësi u ngadalësua përsëri në tremujorin e dytë të vitit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i kostos së punës për njësi është rritur me 2.2%, nga 7.8% që kishte qenë rritja në tremujorin e mëparshëm.

Rritja e kostos së punës për njësi pati shënuar rritjen më të fortë në tremujorin e dytë 2023, me afërsisht 15%. Që nga ai moment, rritja ka ardhur duke u ngadalësuar.

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, ngadalësimi i normave të rritjes lidhet me rritjen më të ngadaltë të pagës reale, kundrejt rritjes më të shpejtë të produktivitetit të punës.

Sipas Bankës së Shqipërisë, paga mesatare në sektorin privat ka vijuar të rritet në tremujorin e dytë, por me ritme më të ulëta se më parë. Rritja e pagave zbriti në 6.9%, nga 12.7% një tremujor më parë. Ky ngadalësim pasqyron një efekt të fortë statistikor bazë nga një vit më parë, kur rritja e pagës së sektorit privat ishte 15%. Por, ky efekt erdhi kryesisht nga rritja e pagës minimale në ekonomi.

Ndikimi nga rritja e pagës minimale është shuar në tremujorin e dytë të vitit aktual. Ngadalësimi i normave të rritjes nominale të pagave është pasqyruar edhe në rritjen reale të tyre. E rregulluar për efektin e inflacionit, rritja e pagës mesatare u ngadalësua në 4.8% në tremujorin e dytë 2024, nga 10% në tremujorin paraardhës.

Edhe rritja e kostove të tjera prodhuese ka vazhduar të ngadalësohet gjatë tremujorit të dytë të vitit. Rritja e indeksit të çmimeve të prodhimit (IÇP) ishte 1.7% nga 2.8% në tremujorin e parë.

Presionet rënëse u përcaktuan kryesisht nga ngadalësimi i çmimeve të prodhimit për tregun vendas (2.3% nga 3.5%), ndërkohë që çmimet e prodhimit për eksport u ngadalësuan në mënyrë të moderuar (0.2% nga 0.5%).

Së fundi, indeksi i kushtimit në ndërtim (IKN) shënoi një rritje vjetore prej 2.5% në tremujorin e dytë ose 0.9 pikë përqindjeje më poshtë se sa në tremujorin paraardhës.

Rritja më e ngadaltë e kostove të prodhimit, duke filluar nga kostot e punës, duket se po lehtëson presionet inflacioniste në ekonomi.

Në dy muajt e fundit, inflacioni ka qëndruar në nivelin 1.9%, më i ulëti në tre vitet e fundit. Por, inflacioni i brendshëm vazhdon të ketë kontributin dërrmues në normën e përgjithshme të inflacionit në Shqipëri.

Sipas Bankës së Shqipërisë, nga 2% që ishte inflacioni mesatar për tremujorin e dytë të këtij viti, 1.7 pikë përqindje (mbi 85% e inflacionit total) ishte kontributi i inflacionit të brendshëm.

Megjithëse ekonomia e brendshme ngelet shtysa kryesore e presioneve inflacioniste në ekonomi, duket se në tremujorët e fundit këto presione janë ngadalësuar disi.

Banka e Shqipërisë vendosi këtë muaj të ulë normën bazë të interesit për herë të dytë këtë vit, duke çuar atë në nivelin 2.75%./Monitor

Lufta në Lindjen e Mesme/ Dhjetëra të vrarë dhe të plagosur nga sulmet izraelite në Gaza

Dhjetëra palestinezë u vranë dhe u plagosën si pasojë e një sulmi izraelit në një pallat që strehon të paktën gjashtë familje në qytetin Beit Lahiya të Gazës veriore të dielën, thanë mjekët dhe banorët.

Emergjenca Civile Palestineze tha se në pallatin që u bombardua jetonin 70 persona.

Ndërkaq zyra e mediave të qeverisë së Gazës tha se numri i të vrarëve është 72.

Ushtria izraelite, e cila ka luftuar grupin militant palestinez Hamas në Gaza që nga tetori i vitit 2023, konfirmoi sulmin e kryer gjatë natës në “objektivat terroriste” në Beit Lahiya.

Pas sulmit ajror gjatë natës, të paktën 30 trupa të pajetë nxorën nga rrënojat e ndërtesës pesëkatëshe të shkatërruar, ndërsa dhjetëra banorë janë ende të bllokuar nën rrënoja, tha për AFP zëdhënësi i mbrojtjes civile Mahmoud Basal.

Më herët, ndërsa numri i të vdekurve ishte ende në 26, agjencia e mbrojtjes civile kishte njoftuar se të paktën 59 persona kanë mbetur të bllokuar në rrënoja.

“Shanset për të shpëtuar të plagosurit e tjerë po zvogëlohen për shkak të gjuajtjeve dhe granatimeve të vazhdueshme të artilerisë,” shpjegoi Mahmoud Basal.

Forcat izraelite nisën një operacion tokësor të gjerë në Rripin e Gazës më 6 tetor, duke e cilësuar sulmin si një përpjekej për të parandaluar rigrupimin e militantëve të grupit islamik palestines Hamas. Operacioni nisi në Jabalia dhe më pas u zgjerua neë Beit Lahia.

“Aktivitetet terroriste vazhdojnë në zonën e Beot Lahia”, tha ushtria në një deklaratë të transmetuar nga AFP.

Në deklaratën e tij Hamasi foli për një “masakër” në kontekstin e “luftës gjenocidale (…) kundër civilëve të paarmatosur”.

“Ne vlerësojmë se administrata amerikane është plotësisht përgjegjëse për vazhdimin” e luftës, tha zëdhënësi presidencial i Autoritetit Palestinez Nabil Abu Rubeina nga Ramallah, duke iu referuar sulmeve në Beit Lahia.

Siç tha ai, Shtetet e Bashkuara lejojnë Izraelin “të shmangë çdo përgjegjësi dhe të shkelë rezolutat e ligjit ndërkombëtar” për shkak të mbështetjes së tij politike.

Ministria e Punëve të Jashtme e Autoritetit Palestinez, nga ana e saj, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë “veprim të menjëhershëm” për t’i dhënë fund “mizorive” të kryera kryesisht në Rripin verior të Gazës.

26 persona të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë nga bombardimet në jug, në Rafah dhe Khan Younis, si dhe në qendër, në Nuseirat dhe Al Buraiz, shtoi Basal.

“Një sulm izraelit me dron” në Khan Younis “shënjestroi një grup njerëzish të paarmatosur që po garantonin sigurinë e shpërndarjes së ndihmës duke shkaktuar gjashtë vdekje,” tha mbrojtja civile.

Ministria e Jashtme izraelite denoncoi si “të njëanshëm” dhe “anti-izraelit” një raport të fundit të komitetit special të OKB-së, sipas të cilit metodat e luftës të përdorura nga Izraeli në Rripin e Gazës “përputhen me karakteristikat e një gjenocidi”.

Fati i Shqipërisë vendoset në duelin me Ukrainën, ja çfarë parashikon superkompjuteri i OPTA për ndeshjen

Shqipëria përballet këtë të martë me Ukrainën në ndeshjen e fundit në grupin B1 të Ligës së Kombeve. Një ndeshje e cila do të përcaktojë fatin e dy skuadrave në këtë turne, me kuqezinjtë që kanë çdo opsion të hapur për çdo vend të mundshëm në grup në varësi të rezultatit të kësaj sfide, por edhe të tjetrës mes Çekisë dhe Gjeorgjisë.

Një parashikim për duelin në fjalë e ka bërë si zakonisht edhe kompania e njohur e të dhënave statistikore sportive, OPTA, e cila me algoritmet e saj, sheh kuqezinjtë lehtësisht favoritë për të siguruar tre pikët.

Në 10 mijë simulimet që janë bërë nga superkompjuteri, në 37,5% të rasteve është Shqipëria që e mbyll ndeshjen me një fitore, që do të garantonte minimalisht vendin e dytë në grup.

Opsioni i dytë më i mundshëm sipas OPTA është një fitore e Ukrainës, e cila rezulton në 36,2% të rasteve. Ndërsa barazimi, që në fakt u intereson pak të dy skuadrave, është përfundimi i 26,4% të simulimeve kompjuterike.

Ul kolesterolin dhe presionin e gjakut, zbuloni frutin e panjohur të vjeshtës që bën mrekulli për shëndetin

Hurma është një frut vjeshte që edhe pse jo veçanërisht i njohur, ka vlera të mëdha ushqyese!

Ky është një frut shumë i shijshëm, me shumë lëndë ushqyese dhe veti të dobishme, që ia vlen ta përfshini në dietën tuaj këtë vjeshtë.

Cila është vlera e tij ushqyese dhe çfarë i ofron shëndetit tonë?

Hurma:

Ka efekt diuretik, pasi ka një përmbajtje të lartë uji dhe është e pasur me kalcium dhe kalium.

Përmirëson funksionimin e sistemit gastrointestinal, pasi është i pasur me fibra. Kështu, ndihmon në reduktimin e simptomave të kapsllëkut dhe përmirëson shëndetin e mikrobiomës së zorrëve.

Ka një efekt të fortë antioksidues, pasi është i pasur me polifenole dhe karotenoidë.

Substancat e tij antioksidante luftojnë radikalet e lira dhe parandalojnë shfaqjen e shumë sëmundjeve, si kanceri dhe diabeti.

Zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare duke ndihmuar në uljen e kolesterolit LDL (“të keq”) dhe triglicerideve.

Ndihmon në rregullimin e presionit të gjakut, pasi është një burim shumë i mirë i kaliumit.
Forcon sistemin imunitar falë përmbajtjes së lartë të vitaminës C dhe shfaq një efekt anti-inflamator.

Përmirëson funksionimin e sistemit nervor për shkak të vitaminave të kompleksit B që përmban.

Është një burim shumë i mirë i vitaminës A (beta-karoten, zeaksantinë), e cila kontribuon në funksionimin e mirë të syve, si dhe magnez, fosfor dhe mangan.

Një hurmë mesatare peshon rreth 170 gram, ka shije të ëmbël dhe pak kalori. Konkretisht, 100 gramë hurmë përmban 70 kalori, 19 gramë karbohidrate dhe është shumë e ulët në yndyrë.

Si mund ta konsumojmë?

Ka shumë mënyra për të përfshirë hurmën në planin tonë të dietës.

Provojeni:

Si frut i freskët ose i thatë.
Në pelte frutash.
Në lëng ose smoothie me qumësht, fruta, gjalpë kikiriku.
Në kos me tërshërë, mjaltë, arra.
Mbi bukë me gjalpë kikiriku ose tahini.
Në receta për biskota të bëra vetë.
Në një sallatë jeshile me djathë, arra, fruta të thata dhe uthull balsamike.

Cili është problemi më i madh i shqiptarëve?!

Nga Lutfi Dervishi

Në Shqipërinë tonë të vogël, më e madhe se dashuria për atdheun, është talenti që kemi për të bërë paqe me çdo problem.

Jemi populli që jo vetëm dimë të mbijetojmë, por dimë edhe të mos bezdisim veten duke kërkuar zgjidhje. Refreni ynë? “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë”.

Trafiku

Çdo mëngjes, në kryeqytet, në hyrje dhe dalje të tij, zhvillohet një shfaqje artistike: makina që ndalojnë, lëvizin 5 cm, ndonjëherë 10 cm dhe prap ndalojnë. Zgjidhje për trafikun? As që bëhet llaf. E kemi pranuar me filozofi stoike: “Do kemi trafik, dhe një ditë do të ketë aq makina në rrugë sa as makina s’do mund të leviz më!” Një vizion gjenial për të krijuar muzeun e parë të trafikut të përhershëm.

Ikja
Kemi nisur të flasim për largimin masiv të nga vendi. “Kanë ikur, po ikin dhe do të ikin,” thonë politikanet, me një buzëqeshje që sfidon edhe nënqeshjen e Mona Lizës. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Është vetëm historia që përsëritet. Dikur emigronim për bukën e gojes, tani për të shkuar në një vend ku sundon ligji.

Korrupsioni
Korrupsioni është si rakia: e prodhojmë me bollëk dhe e ndajmë me të gjithë. “Gjithmonë ka pasur korrupsion,” thonë ekspertët, ministrat dhe analistët. Ashtu si oksigjeni, është i domosdoshëm për jetën, edhe korrupsioni është vaji që lubrifikon sistemin. Lufta kundër tij do ishte si të tentosh të ndalosh frymëmarrjen.

Punët Publike
Punët publike këtu janë si serialet turke: askush nuk e di kur do të mbarojnë. Por nuk ka vend për t’u shqetësuar! Refreni që dëgjojmë jo vetëm që na qetëson, por na vë edhe në gjumë: “Ska kohë për pushim.” Sigurisht, kjo nuk do të thotë që rruga do të perfundojë, është sinjal që do të zvarritet në mandatet e ardhshme. Të mos harrojmë, zvarritja është pjesë e trashëgimisë tonë kulturore.

Pensionistët
Me çmimet që fluturojnë në qiellin plot ré dhe pensionet që zvarriten, pensionistët po praktikojnë një jetë me më pak kalori. Ndërkohë, qeveria që e kap lepurin me qerre e gjen tak – fak fajtorin: bizneset që nuk duan të paguajnë më shumë taksa., Afermendsh, problemi s’mund të jetë sistemi. Faji është gjithmonë i tjetrit.

Konkluzioni
Në vend që të luftojmë për zgjidhje, kemi gjetur një mënyrë më të lehtë: paqe me problemin. Vendi është kthyer në një tokë pjellore që kultivon artin e pranimit fatalist. Dhe siç themi sa herë ndihemi keq: “E bën Zoti mirë…”
Dhe meqë punët e mëdha ja kemi lënë Zotit, derisa Ai të kujtohet për ne, ne, ngushëllohemi me trafikun, korrupsionin dhe ikjen. Pasi, ashtu si e ka thënë filozofi modern shqiptar: “problemi ynë më i madh është se ne nuk kemi problem asnje problem.”

ANALIZË/ Pse qeveritë mbeten më të këqijat në zgjidhjen e problemeve?

Politikanët kudo duken të dënuar të përsërisin gabimet e tyre. A ka ndonjë rrugë tjetër për ti dhënë zgjidhje problemeve që hasin shoqëritë

* Nga Tim Harford

Bota demokratike është mbërthyer në një rreth vicioz vetëshkatërrues, vetë-përforcues: gabimet e rënda të politikave çojnë në lojëra të dëshpëruara si nga politikanët ashtu edhe nga votuesit, duke çuar në gabime akoma më të trashanike. Mendoj se është e sigurt të thuhet se ka vend për përmirësim.

Por a mund të ketë një rrugë më e mirë?

Nganjëherë ia vlen të kërkosh një këndvështrim shumë të ndryshëm, dhe unë e kam gjetur një të tillë në një leksion “të shkurtuar dhe të jashtëzakonshëm” të dhënë në vitin 1971 për Shoqatën Psikologjike Amerikane, i pabotuar për shumë vite, dhe megjithatë edhe sot ia vlen t’i kushtohet vëmendje serioze. Ai leksion titullohej “Metodat për shoqërinë eksperimentale” dhe u dha nga një akademik, Donald T Campbell. Është pjesërisht një manifest që argumenton përdorimin e provave rigoroze të rastësishme në vlerësimin e politikave publike. Por është shumë më tepër se një manifest.
“Shoqëria eksperimentale, – nis argumentin e tij Campbell, – “do të jetë një shoqëri që do të provojë me forcë zgjidhjet e propozuara për problemet e përsëritura, të cilat do të bëjnë vlerësime të vështira dhe shumëdimensionale të rezultateve dhe që do të vazhdojë të provojë alternativa të tjera kur vlerësimi të ketë treguar se një reformë duhet të ketë ka qenë joefektive ose e dëmshme. Sot nuk kemi një shoqëri të tillë”.

Mbetet shumë për të eksploruar në këtë rrugëtim.

Së pari, ka disa probleme “të përsëritura” që duket se nuk zhduken kurrë, dhe megjithatë duhet të përpiqemi energjikisht për të gjetur një zgjidhje. Campbell bën thirrje për një qëndrim dinamik, të mundshëm, por pranon se disa probleme janë kokëforta.
Së dyti, ideja e “vlerësimeve kokëfortë dhe shumëdimensionale”. Kjo frazë tregon se kemi nevojë për prova serioze të suksesit, jo vetëm për fjalë të mira apo mburrje boshe. Gjithashtu vlerësimi mund të jetë i ashpër por duhet parë si i nevojshëm jo si mbyllje karriere për “udhëtarët e dështuar”. Suksesi mund të vijë në shumë forma.

Dhe së treti, Campbell e merr të mirëqenë se shumë reforma thjesht nuk do të funksionojnë dhe ne nuk duhet të hezitojmë t’i hedhim poshtë që të provojmë përsëri derisa të gjendet rruga e duhur. Mbajeni mend, nuk kemi të bëjmë me gjëra të lehta, por kemi të bëjmë me “probleme të përsëritura”. Nëse do të ishin të lehta për t’u zgjidhur, do të ishin zgjidhur tashmë, kështu që ne duhet të jemi të shkathët, jo dogmatikë.

Campbell ishte një mendimtar jashtëzakonisht me ndikim në vlerësimin e politikave. Emri i tij jeton në “Campbell Collaboration”, institut që mbledh prova për politikat sociale. – “Sa më shumë të përdoret çdo tregues social sasior për vendimmarrje sociale, aq më shumë do t’i nënshtrohet presioneve të korrupsionit dhe aq më shumë me vend do të jetë nisma për të shtrembëruar dhe korruptuar proceset shoqërore që synohet të matë,” thotë Campbell.
Kur metrikat e ndjeshme bëhen objektiva të aksioneve të larta, ato shpërbëhen nga presioni.

Për një lloj personi të caktuar, ka diçka shumë tërheqëse në idenë e teknokratëve që kryejnë prova të rastësishme për të zbuluar mënyrën më të mirë për të drejtuar shkollat, burgjet ose zgjidhjen e problemeve të trafikut. Campbell ishte padyshim ai lloj personi, siç jam unë. Por Campbell e kuptoi se utopia e tij, “shoqëria eksperimentale”, duhej të mishëronte diçka më themelore se kaq. Ai renditi disa nga vlerat që kishte në mendje. Një shoqëri eksperimentale duhej të ishte aktive, gjithmonë në kërkim të përmirësimeve dhe zgjidhjeve praktike. Gjithsecili duhet të ishte i sinqertë, i gatshëm të kritikonte veten dhe të përballej me fakte.

Është e habitshme se sa të ndryshme janë virtytet nga zakonet e frikshme dhe të polarizuara të ditëve të sotme. Populistët janë të prirur me temperament të hedhin poshtë ekspertizën, dhe Donald Trump, në veçanti, është i pakrahasueshëm në aftësinë e tij për të mohuar edhe të vërtetat më të drejtpërdrejta për mbarë botën.

Por as demokratët në SHBA dhe as qeveria laburiste në MB nuk janë modele të dinamizmit mendjehapur. Qendra e majtë vuan nga një arrogancë e brishtë, e bindur për epërsinë e saj, por edhe me frikë nga përballja me realitetin e ri. Kjo u shfaq hapur në ngurrimin e partisë Demokratike për të sfiduar Joe Biden, i zbehur deri në momentin e fundit të mundshëm si dhe refuzimin e tyre për të drejtuar një proces parësor dhe për të testuar në kohë pasardhësit e mundshëm.

Është gjithashtu e qartë në ofertat e politikave të brishta të Laburistëve: asnjë përpjekje serioze për të gjetur një marrëdhënie më të ngushtë me BE-në dhe një premtim për të mos rritur asnjë nga taksat parësore pavarësisht nevojës së dëshpëruar për të ardhura. Nëse ata mendonin se status quo-ja ishte kaq e tmerrshme, pse duhet të bënin një performancë të tillë për ta ruajtur atë?

Dikush mund të simpatizojë. Ne duket se po jetojmë në një epokë që nuk e shpërblen përulësinë, të ndershme ose gatishmëri për të ndryshuar kurs. Por nuk do ta dimë me siguri derisa një politikan serioz ta provojë.

Është e natyrshme të mbrojmë një qasje eksperimentale ndaj politikave që bazohen tek efektivitetiti: eksperimentet e mira të politikave prodhojnë rezultate, duke na treguar se çfarë funksionon dhe çfarë jo dhe duke na lejuar të marrim rezultate më të mira me më pak përpjekje. Fëmijët mësojnë më shumë, kriminelët fillojnë dhe ndjekin rrugën e drejtë, ilaçet e reja shërojnë sëmundje të vjetra. Rezultatet kanë rëndësi, por nuk janë arsyeja e vetme për të synuar një shoqëri eksperimentale. Një shoqëri e tillë vlerëson kuriozitetin, ndjenjën fëmijërore se bota është plot me mistere për t’u zgjidhur. Një shoqëri e tillë vlerëson përulësinë, pranimin se askush nuk i ka të gjitha zgjidhjet dhe as të vërtetën dhe se të tjerët mund të dinë më shumë se ne. Ajo vlerëson veprimin praktik, përpjekjen për të kryer gjërat që duhet dhe për të zgjidhur problemet siç duhet.

Në vendet e kapluara nga zemërimi dhe të ngrira nga polarizimi (demokracitë e deformuara ku futet Shqipëria, red.), nuk ka shumë vend për zgjidhje, as vend për eksperiment. Megjithatë, disi rrethi vicioz duhet të thyhet. “Ne nuk e kemi një shoqëri të tillë sot,” thotë Campbell. “Gjithmonë do të ketë edhe një të nesërme.”

Info: Financial Times