27.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako, dërgohet në gjyq për korrupsion

Nga Edmond Hoxhaj

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të dielën, më 17 nëntor, se të premten ka paraqitur në gjykatë kërkesën për dërgimin në gjyq të ish-deputetit socialist Alqi Bllako për korrupsion pasiv, të kryer në dy raste. Në njoftimin e prokurorisë thuhet se Bllako ka përfituar në mënyrë të parregullt shuma monetare prej 119,715 euro dhe 7,520,000 lekësh për Vladimir Bezhanin, gjatë kohës që ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit. Hetimet lidhen me kontratën koncesionare të vitit 2017 për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese në Tiranë, të lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Më 2 gusht, SPAK njoftoi dërgimin në gjyq të 12 të pandehurve të tjerë lidhur me këtë aferë, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, vartës të tij dhe zyrtarë të Bashkisë Tiranë, të cilët akuzohen për favorizim të shoqërisë koncesionare në dëm të buxhetit të shtetit. Në njoftimin e SPAK theksohet se procedimi ndaj Bllakos është i ndarë nga hetimi fillestar për inceneratorin e Tiranës. Sipas prokurorisë, Bllako ka propozuar që Vladimir Bezhani të punësohej si këshilltar i jashtëm i Lefter Kokës dhe të ndihmonte në hartimin e dokumentacionit për propozimin e pakërkuar të shoqërisë propozuese “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Bllako akuzohet gjithashtu se ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej 119,715 eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij në Ersekë. Ndërkohë, SPAK bën me dije se hetimet për aferën e inceneratorëve, të regjistruara që në vitin 2020, po vijojnë për të evidentuar fakte të tjera penale dhe përfshirjen e zyrtarëve shtetërorë.

Skandali i inceneratorëve filloi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për shpalljen e një emergjence mjedisore, që justifikoi dhënien e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit. Më pas, të njëjtët kompani morën koncesione për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës. Dy ish-zyrtarë të lartë, përfshirë Bllakon dhe Kokën, janë shpallur fajtorë për shpërdorim detyre. Bllako është dënuar me 2 vite e 8 muaj burgim për çështjen e inceneratorit të Fierit, ndërsa në çështjen e Elbasanit Apeli ndryshoi vendimin duke e dënuar atë për shpërdorim detyre me të njëjtën masë dënimi./BIRN

“Në Shkodër, persekutimi nuk ishte si në Durrës, jetuam në lagjen ‘Ndocaj’, midis njerëzve të mirë dhe antikomunistë, jo si në Durrës, midis spiunëve të Sigurimit…”/ Historia e trishtë e ish-të përndjekurit politik

Nga Qatip Mara

Pjesa e parë

Memorie.al / Në diasporën shqiptare në New York, atdhetari përkushtuar me shpirt të lartë atdhedashurie, intelektuali talentuar Abdyl Ali Koprencka, është integruar denjësisht me jetën amerikane. Në këtë foto që shoqëron shkrimin, jam në zyrën e tij që drejton agjensinë “SKRAPARI  TRAVEL”, (Tickets – Insurance – Immigration Forms – Motor Vehicles – Translation – Welfare – Income – Tax – All Social Services). Performanca e tij cilësore dashamirëse, për emigrantët e familjet e tyre në New Jork, rrezaton kulturën e shpirtin e tij atdhedashës. Edhe pse ka lindur jashtë atdheut, në Romë, Shqipërinë e mbartë me shumë dashuri në zemrën e tij atdhedashëse.

Me shumë modesti, me thjeshtësi, komunikon duke të respektuar me sinqeritet e dashuri atdhetare. Puna e tij me sjelljen shembullore, e ka bërë shumë të njohur, të nderuar dhe shumë të kërkuar nga bashkatdhetarët emigrantë, që me hallet e shumta larg atdheut, gjejnë një “Shqipëri të vogël”, në zyrën e tij në: 61-01B Catalpa Avenue Ridgewood Queens Neë York.

Në zyrë qëndron pak kohë, sepse është çdo ditë në udhëtim, nëpër lagjet e New Yorkut dhe institucionet shtetërore, për të zgjidhur kërkesat e emigrantëve e familjeve të tyre. Ai është një dashamirës i veçantë, që komunikon me shumë ngrohtësi dhe me shumë korrektësi sqaron, zgjidhjet me ligjshmëri të kërkesave të shumta të emigrantëve. Edhe duke udhëtuar me makinën e tij, do ta shikosh duke biseduar. Dhjetëra telefonata nga familjet emigrante, i kërkojnë të takohen për problemet e ndryshme që kanë.

Isha në makinën e tij, me tre emigrantë shqiptarë, duke udhëtuar për në Manhattan. Me qetësinë që e karakterizon, me vëmendjen tek timoni, drejtimit të makinës, altoparlanti telefonit në makinë, i kërkonte biseda telefonike. Bashkëbiseduesit, i dëgjonte me shumë respekt dhe u planifikonte ditën e takimit. Është i palodhur për të ndihmuar emigrantët, duke shërbyer me korrektësi. Është integruar me jetën amerikane, me punë të disiplinuar, të përkushtuar. Vështirësitë i ka përballuar me vullnet të hekurt, me këmbëngulje ka realizuar standardet e jetës normale, duke e sfiduar konkurrencën amerikane, me aftësi intelektuale të talentuara.

Në 5 qershor 1991, kishte mbërritur me azil politik, në tokën e bekuar amerikane, duke u vendosur me banim në New York, ku prehet në përjetësi babai tij i dashur, mjeku Ali Xhelal Koprencka, me të cilin ishte ndarë në moshën e mitur, kur ishte vetëm 2 vjeç, nga arrestimi e burgosja e regjimit komunist. Djali u nda me gjallje, me babanë e tij të shtrenjtë. Ai nuk mundi ta takojë kurrë, por në murin e dhomës ku banonte, në Shkodër, shikonte foton që kishte dalë me babanë, në krahët e tij, kur ishte vetëm 2 vjeç.

Babai tij Ali Koprencka, është i biri i firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë, Xhelal Koprencka, përfaqësues i Skraparit dhe i Beratit, njëkohësisht anëtar i Këshillit Pleqësisë. Ishte njeriu besnik i kryeministrit shqiptar, Ismail Qemali, të cilin e caktoi me detyrë ushtarake, si oficerë i lartë me akademi ushtarake, pranë ministrit të Mbrojtjes, Mehmet Pashë Dërralla, për të mbrojtur kufijtë jug-lindorë. Detyrën e ngarkuar nga Qeveria e Vlorës, për ndalimin e andartëve grek në territoret e Korçës, Kolonjës dhe Skraparit, në vitet 1913-1914, e kishte kryer me sukses. Më 1918, mori pjesë në Kongresin e Durrësit., si delegat nga Skrapari. I ndjekur nga elementë antikombëtarë, Xhelal Koprëncka, u vra pabesisht në vitin 1919.

Në vazhdimësi të atdhetarizmit të firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë, djali tij, Sami Xhelal Koprencka, mori pjesë aktive me armë në dorë, në Luftën e Vlorës më 1920. Duke luftuar në vijën e parë të frontit të luftës, kundër ushtrisë pushtuese italiane, ishte plagosur. Ishte deputet në kohën e Fan Nolit dhe prefekt i Pogradecit, në vitet 1925, deri 1928. Kundërshtoi pushtimin italian në vitin 1939 dhe u internua në Ventottene të Italisë. Me vendosjen e regjimit komunist, kishte kritikuar regjimin në fuqi, duke shprehur revoltën me një memorandum kundër Partisë Komuniste, që ishte shërbëtore e Jugosllavisë.

E kishin dënuar me varje në litar, por me rishqyrtim, e dënuan me 15 vjet burg politik, në burgun e Burrelit. Kontributi i familjes Xhelal Dalip Koprencka, është krenari për krahinën e Skraparit dhe Shqipërisë, ku tre breza të familjes të firmëtarit të Pavarësisë, Xhelal Koprencka, kanë kontribuar për liri me standardet e demokracisë perëndimore, por janë burgosur e, persekutuar egërsisht, nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.

Duke biseduar me intelektualin e talentuar, atdhetarin me ideale kombëtare demokratike, Abdyl Ali Koprencka, mëson fakte të ngjarjeve që të drithërojnë, të revoltojnë që njeriu i ditur në atdheun tonë të shumëvuajtur, luftohet, burgoset, masakrohet, e pushkatohet nga shqiptarët, duke u shërbyer me verbëri të huajve. Diktatura komuniste, vazhdoi me ashpërsi të persekutonte familjen e Sami Xhelal Koprencka, e cila jetonte në Shkodër. Djalin e tij, që mbante emrin e firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë, Xhelal Sami Koprencka, e kishte burgosur disa herë dhe mizorisht, është pushkatuar në vitin 1979, së bashku me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon, në Linxë, rrëzë Dajtit

Djali vogël i firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë, është Ali Xhelal Koprencka, i cili kishte lindur në 14 janar 1913, në fshatin Koprenckë të Skraparit. Ai, pothuaj për pak ditë, ishte moshatarë me Shpalljen e Pavarësisë. Në moshën 6 vjeçare, mbeti jetim, sepse babai tij, Xhelal Koprencka, u vra pabesisht në momentet kur drejtonte njësitë e armatosura, për të mbrojtur Korçën nga andartët grekë. Pasi kishte mbaruar shkollën fillore në vendlindje, djaloshi Ali Xhelal Koprencka, kishte vazhduar studimet në Liceun e Korcës, të cilin e kishte përfunduar me rezultate të larta, duke fituar të drejtën e studimit për mjekësi, në universitetin e Bolonjës në Itali.

Në universitetin e Bolonjës, kishte shkëlqyer dhe në vitin 1939, ishte diplomuar; “Doktor në Medicine”. Kishte filluar punën në Romë dhe në vitin 1940, ishte martuar dhe me familjen e tij, banonte në një apartament në rrugën “Veneto”, në kryeqytetin italian. Në familjen e re, kishte ardhur edhe dita e gëzimit familjar, në 16 mars 1943, ishin lumturuar me belbëzimet e para të lindjes të fëmijës së parë, të djalit, Avdyl Ali Koprencka. Mjeku Ali Xhelal Koprencka, i kishte vendosur emrin Abdyl, në kujtim të xhaxhait të tij, Abdyl Dalip Koprencka, që ishte një veprimtarë aktiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, anëtarë i komitetit të fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë”

Në vitin 1905, bashkë me vëllezërit e tij, ishte përfshirë në luftën për Shpalljen e Pavarësisë. Ishte autori kryesor i hapjes dhe drejtimit të shkollave shqipe më 1908, në Çorovodë, Koprenckë dhe Gostënckë. Ishte marrë drejtpërdrejtë me ngritjen dhe funksionimin e klubit patriotik “Pellazg”. Ishte delegatë i Skraparit në kongresin arsimor në Elbasan, në 1909. Kishte kontribuar financiarisht, për ngritjen e Shkollës famëmadhe ‘Normales’, së Elbasanit. Ishte angazhuar në mbarëvajtjen e punëve të Qeverisë së Vlorës dhe kishte kryer detyra të ndryshme. Kishte vdekur në vitin 1920, në Zvicër, duke u kuruar në spital nga sëmundja.

Djali i mjekut Ali Xhelal Koprencka

Abdyli Koprencka, (i riu), lindi në stinën e bukur të pranverës natyrore, por vazhdonte me ashpërsi dimri Luftës së Dytë Botërore. Në familjen Ali Xhelal Koprencka, që banonte në Romë, në vitin e parë të jetës së , Abdyl Ali Koprencka, ishte krijuar pasiguria e jetës, nga bombardimet anglo-amerikane ku sirenat e alarmit të herë pas hershme, e detyronin të strehohej në rifugot e posaçme. Duke e ndjerë të pasigurt qëndrimin e familjes në Romë, mjeku Ali Koprencka, e largoi familjen përkohësisht në Tiranë.

Edhe vitin e parë të ditëlindjes së djalit, familja Ali Xhelal Koprencka, e kishte festuar në banesën e rrugës “Fortuzi”, Tiranë. Mjeku Ali Xhelal Koprencka, punonte si mjek në Spitalin Civil të Tiranës. Ishte shumë altruist. Shpesh merrte iniciativë dhe shkonte në komandën gjermane, për të nxjerrë nga duart e tyre, shqiptar të arrestuar. Ishte nacionalist me bindje demokratike, për një Shqipëri etnike me pavarësi e liri, me standardet euro-atlantike. Ishte antikomunist, kritikonte dhe demaskonte Partinë Komuniste Shqiptare, si shërbëtore sllave, e cila ishte krijuar nga dy emisarët jugosllav; Miladin Popoviç e, Dushan Mugosha.

Ai kishte përkrahur Marrveshjen e Mukjes, e cila bashkonte të gjithë popullin shqiptar. Ai kishte dënuar prishjen e marrëveshjes së Mukjes, duke demaskuar maskat e PKSH-së, si shërbëtore vasale e Jugosllavisë. Në nëntor 1944, me uzurpimin e pushtetit nga komunistët, vazhdoi lufta e egër kundër nacionalistëve demokratë, që ëndërronin një Shqipëri demokratike perëndimore. Mjeku Ali Xhelal Koprencka, u konsiderua si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe arrestohet e, dërgohet në burgun e Burrelit.

Duke i kërkuar informacion për babanë, djali tij, Abdyl Ali Koprencka, tregon:“Babai im Ali Xhelal Koprencka, pas kaloi nji muaj në burgun e Burrelit, arriti të dalë. Nuhati rrezikun e “mortjes së kuqe” dhe vendosi të largohet nga Shqipëria. Me ndihmën e mjekut italian, Doktor Lozit, merr një raport mjekësor, që duhet të operonte gjurin në Itali, mbasi në Shqipëri, ishte e pamundur. Me ndihmën e shokëve, arriti të nxjerrë pasaportën. Në ato kohëra, çalonte vazhdimisht dhe për t’u theksuar ishte se mbante një bastun, që deri shumë kohë mbrapa, ishte ruajtur në shtëpinë e hallës time, Zengjine, në Tiranë.

Në qershorin e vitit 1945, hipi në avion, për në Romë. Ishte avioni i fundit që shërbente si urë lidhëse, në ato kohëra, midis Shqipërisë dhe botës Perëndimore. Në momentin final, po kërkohej nga spiunët e Sigurimit të Shtetit. Duke ngjitur shkallët e avionit, pati kurajën të flakte bastunin. Aeroplani filloi të ecte në pistën e aeroportit të vogël të Laprakës dhe agjentët e Sigurimit të Shtetit, kërkuan ta ndalonin. Avioni, ishte i shoqërisë Italiane dhe nuk ju bind urdhrave të autoriteteve të qeverisë shqiptare. Aeroplani fluturoi dhe im atë nuk u kthye më në vendin e tij, të cilin e dëshiroi gjithë jetën.

U kthye në Romë ku, apartamentin e gjeti të pa prekur. Nëna ime thoshte; aty lashë tërë pajën, ikëm për një kohë të shkurtër, për t’u kthyer përsëri. Duke më mbajtur në krahë, ditën që u larguam nga Roma, ime amë psherëtinte dhe fliste me vete: “A thua do ti shoh përsëri këto magazina”?! Im atë filloi nji jetë të re. I revoltuar nga situata në Shqipëri filloi të shkruaj nëpër gazetat italiane dhe të tregoj se çfarë po ndodhë në Shqipëri. Shumë studentëve u përshkroi realitetin shqiptar, të asaj periudhe obskurantiste.

Rasti Sabiha Kasimatit, e cila nuk e dëgjoi dhe u kthye në Shqipëri. U pushkatua pa gjyq dhe u hodh në një gropë bashkë me shumë intelektuale të tjerë, diku në urën e Beshirit Tiranë, në vitin 1951. Së bashku me të, edhe xhaxhai i gruas time, Zyhdi Herri. Mbas vitit nëntëdhjetë, këta intelektuale u rivarrosën dhe u dekoruan. Ekzekutimi dhe hedhja në një gropë të përbashkët, u bë pa gjyq, vetëm me firmat e kriminelëve dhe antishqiptarëve.

Im atë, Ali Koprencka, shpesh mori iniciativë për të shkuar në portin e Barit të Italisë, duke u bërë thirrje studentëve shqiptar, që mos të ktheheshin në atdhe. Shqipëria ra nën influencën sllave dhe kriminelët në fuqi, po vendosnin urinë dhe terrorin e kuq, të pa parë në historinë e Shqipërisë. I huaji na trajtoi më mirë, na dha kufijtë që na takojnë dhe i mbrojti ata kufij, si të ishin të tyre. Ndërsa ne shqiptarët, i shitëm kufijtë dhe popullin shqiptar, jashtë kufijve natyral shekullor.

Ideologjia e kuqe, një teori plotësisht utopiste dhe e pa realizuar praktikisht, solli shkatërrimin total. Lufta e klasave, e mirënjohur me teorinë; përça e sundo, e ktheu Shqipërinë në një kasaphanë të vërtetë. Vëllai kundër vëllait. baba kundër djalit, burri kundër gruas. Familja u prish. Embrioni Shqiptar shkatërrohet totalisht. Njeriu u kthye në kafshë dhe kafsha në njeri. Mbi të gjitha u shkatërrua dhe u tradhtua historia. Pra u eliminua identiteti origjinal dhe gjithçka shqiptare. Kjo plotëson interesat dhe popujve të ardhur në Ballkan.

Mbas vitit 1947, babai im shkoi në Turqi, u vendos në Instambul, ku themeloi gazetën “BESA”. Më 16 dhjetor 1956, erdhi në SHBA-ës. U vendos fillimisht në Detroit. Filloi punën në uzinat automobilistike. Filloi të na ndihmoi ne të gjithëve, pa përjashtim. I dërgonte të gjithëve, motra, vëllezër, nipa e mbesa, pa dallim. Më vonë spostohet në New York, ku dhe diplomohet nga Universiteti i New Yorkut (NYU) për Medicinë. I jepet mundësia, për të ushtruar profesionin e mjekut, në SHBA-ës.

Gjatë gjithë periudhës qëndrimit në SHBA-ës, punoi për atdheun dhe familjen. Në testamentet dhe amendamentet e tij, shkruante: “Të më fali atdheu dhe familja, që nuk mund t’i ndihmoj më”! Ishte anëtari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Foli disa herë në “Zërin e Amerikës”. Shkroi disa memorandume në Kombet e Bashkuara, për të drejtat e njeriut, për popullin shqiptar të Kosovës, nga armiqtë tanë të përbetuar sllav.

Ishte pionieri i parë që ngriti opinionin botëror, për çështjen e Kosovës dhe organizoi fizikisht dhe materialisht, shumë mitingje si ne New York, Washington dhe gjetkë. Me punën e tij të pa lodhur, u hodhën bazat e një Kosove të lirë dhe të pavarur. Vdekja nuk e la të shihte veprën e tij të realizuar. Fatkeqësisht, vepra ndërmjet shqiptarëve dhe shqiptarizmit, humbet. Ne nuk dimë të ruajmë njerëzit dhe historinë tonë. Prandaj edhe punët tona, i kemi “kaq mirë”.

Jetoi dhe punoi në Nassau County, në New York. Atje kishte rezidencën dhe punonte në një spital afër shtëpisë. Vizitonte shqiptarët me një çmim të ulët dhe kush i vinte për vizitë, ditë të shtune, nuk i merrte asnjë pagesë. Ishte shumë popullor dhe i papërtueshëm, ngrihesh shpesh herë në mesnatë dhe ishte në gatishmëri të plotë, për t’u shërbyer shqiptarëve, kudo që ishin. Këto të dhëna, i kam nga shqiptarët që kam takuar ne New York, mbasi mbërrita këtu, më 5 qershor, 1991. Po t’i hedhësh një sy testamentit tij, mallëngjehesh dhe atje kupton atdhedashurinë dhe dashurinë për familjen e tij.

Në testament, la shuma të konsiderueshme për ‘Ballin Kombëtar’, krijoi fonde dhe la financa për organizatat shoqatat; “Kosova”, “Çamëria”, organizata Amerikano-Shqiptare, për Teqjen Bektashiane., Kishën ortodokse të Xhamajkës. Kjo e fundit u ngritë dhe u themelua me ndihmën e tij personale. E ëma Z. Artur Liolin, më tha konkretisht, se; “pa ndihmën e babait tuaj, kjo kishë, nuk do ishte ngritur. La fonde të posaçme për xhaminë shqiptare të Brooklinit. Ju la shumë pare miqve dhe dashamirësve të tij, që nuk po ju përmend emrat. Më e rëndësishme është, se i la të gjithë farefisit, motrave, vëllezërve, kunatës, nipave dhe mbesave të tij”.

Lajmi i ekzekutimit të nipit tij, Xheladin Koprencka i ri, më 29 maj 1979, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, e tronditi shumë dhe krijoi deluzion të jashtëzakonshëm larg në mërgim, ku shpresat për t’u kthyer në atdhe, po shuheshin dita ditës. Kishte pritur me gëzim zgjedhjen e Papa Pavli VI-ët, duke u shprehur se; “Dita e lirisë, nuk është e largët, ky Papë, do ndryshojë botën”. Pas vrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu, ishte shprehur: “Tani nuk është e largët dita, që do shkojmë në Shqipëri”! Lotët i shkuan çurkë. Sa herë që përmendeshe Shqipëria, derdhte lot. Në shtëpinë e tij, në dhomën e pritjes pranë pianos, në krahun e djathtë, ndodhesh një pikturë e bërë në Romë, në vitin 1947.

Kjo ishte nxjerrë nga një fotografi e imja, në studion “Kallfa”, në Tiranë, kur unë isha dy vjeç. Njerëzit që e vizitonin, i çonte para kësaj pikture dhe ju thoshte se; kjo asht fytyra e tim biri. Pastaj si zakonisht, lotët i rridhnin nëpër faqet e pa thara, nga vazhdimësia e këtij prodhimi të vazhdueshëm, nostalgjik për atdheun për familjen. I këshillonte dashamirësit dhe shokët, për mbajtjen e shëndetit. Shkruante receta të posaçme për regjimin e ushqimit dhe regjimin ditor. Menunë, për të mbajtur një shëndet të plotë dhe jetë të gjatë, e shpërndante si pamflet, nëpër shqiptarët. Një nga këto, më ra në dorë edhe mua. Iku me shpresë se do kthehesh shpejt. Propoganda e Anglisë, nëpërmjet Radio-Londrës, i dha shpresë se do kthehet shumë shpejt.

“Ndoshta edhe dy vjet – i premtoi nënës time, se; – kuqot e Tiranës, nuk do rrinë më gjatë. Do largohem për dy vjet. Nuk do ju lë”. Por jeta është e pa drejtë dhe shpesh Satani, momentalisht fiton dhe Shqipëria e lindur ndër shekuj, hyri për dyzet e tetë vjet, në zonën e errësirës plotë. Me gjithë përpjekjet e mëdha që u bënë, por spontane, për t’u bashkuar me familjen i dështuan dhe nga mërzitja, arriti të pinte deri në tre paketa cigare në ditë, të cilat ja shkatërruan mushkëritë.

Nderoi jetë nga një sëmundje e rëndë, më 16 korrik 1983, në spitalin ku punonte, në moshën shtatëdhjetëvjeçar. Një nga dëshirat e fundit ishte, që në ceremoninë e varrimit, të merrnin pjesë prifti katolik, ortodoks, hoxha dhe Babai Rexhepi, i Teqesë së Detroitit. Rreth varrit tij, i donte fetë dhe shqiptarizmin e bashkuar. Ai prehet në varrezat Frankliff Cemetery, në Hartsdale New York, me shumë shqiptarë të tjerë pranë, që dëshiruan dhe luftuan për një Shqipëri demokratike të lirë, me standarde perëndimore. Me një Shqipëri jashtë influencës sllave, të pavarur, të pastruar nga kriminelët e kuq dhe pinjollëve të tyre antishqiptar.

Pranë tij, ndodhen udhëheqësit i ‘Ballit Kombëtar’, Mit’hat Frashëri, Profesor Luan Gashi, Profesor Zef Pali, Telat Karagjozi, Lufto Toto, Ruzhdi Daca, nga Bahçallëku i Shkodrës, Hasan Çapani dhe te tjerë shqiptarë dhe patriotë të çështjes kombëtare. “Im atë, atdheun e desh më tepër se vetveten”, kështu është shkruar në të vetmin epitaf mbi varrin e tij, vendosur ne Hartsdale, White Plains, New York”. Duke e dëgjuar me emocione bisedën e intelektualit, atdhetarit të përkushtuar Abdyl Ali Koprencka, i kërkova të më tregonte për sfidat që kishte përballuar nga lufta e klasave, pas largimit të babait të tij të dashur.

Në 45 vjet të diktaturës komuniste, kalvari vuajtjeve e persekutimeve, ishte i vazhdueshëm. Kur ende nuk kishte mbushur katër vjeç, ishte konfiskuar shtëpia në rrugën “Fortuzi”. Me nënën e tij, strehohet tek tezja e tij, Rasika, por shpejtë i largojnë nga Tirana dhe ishin vendosur me banim në Durrës. Kishte nisur mësimet në klasën e parë fillore, por me trishtim dëgjonte sharjet, ofendimet me shprehjet përbuzëse të falangave komuniste: “Tregtarë, bejlerë, na keni pirë gjakun”. Kur shkonte rrugës për në shkollë, apo kthehej nga shkolla, nxënësin Abdyl Koprencka, e gjuanin me gurë duke i thërritur; “fashist”.

Kjo urrejtje e verbër klasore primitive komuniste, e shoqëroi nga klasa e parë fillore, deri në semestrin e parë të klasës së gjashtë. Me dhimbjen e jetimit, me baba gjallë, por që nuk e shihte me sy, duronte përbuzjet e luftës së mallkuar të klasave. Në vitin 1955, kur kishte mbushur moshën 12 vjeç, ishin shpërngulur nga Durrësi. Kishin shkuar me banim në Shkodër, të cilën ish-nxënësi shkodran, Abdyl Koprencka, e cilëson: “Një botë tjetër”.

Me respekt e mirënjohje për Shkodrën e shkodranët më tregoi: “Erdhëm në Shkodër, fukarallëku nuk u hoq, por persekutimi momentalisht nuk ishte si në Durrës. Vuajtëm nëpër hotele, sa gjetëm një gjysëm karakatinë, në lagjen ‘Ndocaj’. Jetonim midis njerëzve të mirë dhe antikomunistë. Jo si në Durrës, midis spiunëve të Sigurimit të Shtetit, ardhur nga jugu, me krenarinë e një horri”! Memorie.al

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

Vetëm fitorja i bën punë në Shqipëri, Ukraina e sfilitur për sfidën vendimtare të Ligës së Kombeve

Ukraina nuk e ka aspak të lehtë këtë nëntor në Ligën e Kombeve. Sfidën e parë e mbylli dje në barazim me Gjeorgjinë(1-1), ndërsa mbetet e fundit në grup.

 

Tashmë e radhës do të jetë në Shqipëri kundër Kombëtares kuqezi. Kështu do i duhet të udhëtojë nga Batumi në Tiranë.

Një udhëtim sfilitës, ndërsa luan dy transferta për katër ditë. Kaq mjafton për të treguar se ukrainasit me shumë gjasa nuk do të jenë në formën më të mirë, ndërsa vetëm fitorja i bën punë.

Shqipëria në anën tjetër ka avantazhin se të dyja sfidat i luan në shtëpi, e para ishte ajo e përfunduar 0-0 ndaj Çekisë.

(DETAJET) Çfarë zbuluan përgjimet për laboratorin e kokainës në Qerekë! Ngarkesa e parë me lëkurë bagëtish mbërriti në shtator…

Detaje të reja dalin lidhur me laboratorin e kokainës që u zbulua nga policia dhe SPAK në fshatin Qerekë, ndërsa në pranga u vunë 10 persona, mes tyre edhe 3 shtetas të huaj, kolumbianë dhe venezuelianë.

 

Gazetarja e News 24, Klodiana Lala bën me dije se shtëpia-laborator është mbajtur nën vëzhgim nga hetuesit për disa muaj.

Ngarkesa e parë me lëkurë bagëtish mbërriti në vendin tonë në muajin shtator.

Por për shkak se nga përgjimet rezultonte se ngarkesa e dytë pritej të mbërrinte në nëntor, SPAK ka pritur derisa kjo ka ndodhur për të kapur në flagrancë grupin kriminal, raporton Klidiana Lala.

Policia ka ndërhyrë vetëm në momentin kur ekspertët kimistë 1 nga Venezuela dhe dy nga Kolumbia kanë nisur punën në laborator për veçimin e kokainës.

Ndërsa hetimet vijojnë, SPAK ka në ‘duar’ informacione të shumta lidhur me veprimtarinë e grupit, pasi personat ishin në vëzhgim prej muajsh.

Kokaina ishte e shkrirë në lëkurët e bagëtive dhe përmes proceseve kimike realizohej ndarja, ndërsa operacioni u finalizua në momentin e mbërritjes së ngarkesës së dytë të lëkurëve dhe që do të niste përpunimi, bashkë me sasinë e parë që kishte mbërritur në shtator.

Lëkurët e bagëtive vinin në Shqipëri nga vendet e Amerikës Latine. Rreth dy javë më parë një grup i prokurorëve të SPAK udhëtoi drejt Brazilit.

Në përbërje të grupit ishin edhe Altin Dumani, kreu i SPAK, dhe Adnan Xholi, drejtuesi i seksionit kundër krimit të organizuar, që sot po drejtojnë hetimet lidhur me laboratorin e kokainës të zbuluar në Qerekë.

Lidhur me vizitën e anëtarëve të SPAK në Brazil u tha se një nga pikat kryesore të diskutimit ka qenë lufta kundër bandave shqiptare, të cilat kanë krijuar rrjete të gjerë të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në drejtim të Europës.

Nuk dihet nëse kjo vizitë në Brazil dhe finalizimi i operacionit për laboratorin e kokainë kanë lidhje, por nuk përjashtohet mundësia që prokurorët shqiptarë të kenë marrë informacione të vlefshme për linjat e trafikut nga kolegët e tyre brazilianë.

Kapiteni çek i gëzohet pikës së fituar kundër Shqipërisë, Suçek: Sjelljen e papërshtatshme të tifozëve ta zgjidhë…

Tomas Suçek ka folur pas ndeshjes që Çekia barazoi 0-0 kundër Shqipërisë. Kapiteni çek u shfaq i kënaqur me pikën e marrë në stadiumin “Arena Kombëtare”.

 

Suçek pati një koment dhe për tifozët kuqezi, që nuk i kursyen vërshëllimat në himnin çek.

“Morëm një pikë jashtë, në një fushë të vështirë, mbajtëm portën e paprekur, kështu që janë disa gjëra pozitive. Që nga humbja në Gjeorgji, për të cilën akoma flasim, kemi pasur katër performanca me kualitet, kemi fituar dy dhe barazuar dy, që është e rëndësishme. Duhet ta shfrytëzojmë këtë moment të martën.

Nëse do të kalonim në avantazh, do t’u duhej të hapeshin. Por mbrojtën të bashkuar dhe kjo dërgoi në barazim. Kanë shumë kualitet dhe është e vështirë t’i shtysh ato për 90 minuta.

Nuk kishin ndonjë rast për t’u përmendur, mendoj se ishim shumë më shumë të rrezikshëm. Doja të gjeja rrjetën, por nuk e arrita topin si duhet. Gjëja më e rëndësishme është se akoma kryesojmë grupin.

Ne u fokusuam në veten tonë. Sa për sjelljen e papërshtatshme nga tifozët, le ta zgjidhë federata e tyre”, u shpreh kapiteni Suçek.

“Zhvillimi pozitiv mori fund”/ DW: Ngërçi ekonomik godet tregun e punës në Gjermani

Shumë pak vende të reja pune shtesë në Gjermani. Sipas shifrave zyrtare tregu gjerman i punës ka ngecur, me tendencë rënieje të vendeve të punës.

 

Tre vjet me radhë numri i të punësuarve në Gjermani shënoi rritje të vazhdueshme. Por me fundin e verës mori fund edhe ky zhvillim pozitiv. Duket se pasojat e vështirësive ekonomike këtë vit po reflektohen edhe në tregun e punës në Gjermani, i cili për vite pavarësisht lëkundjeve ekonomike ishte mjaft i konsoliduar. Zyra Federale e Statistikave në Gjermani bën të ditur, se në tremujorin e tretë të këtij vit në Gjermani gati nuk ka pasur një rritje të vendeve të reja të punës në Gjermani, i referohet agjencia e lajmeve, DPA kësaj zyre federale.

Sektori me më shumë punësime

Nga korriku deri në shtator ka pasur 46.1 milionë vetë të punësuar në Gjermani, sipas Zyrës Federale të Statistikave. Kjo do të thotë vetëm 23.000 vende pune më shumë se pranvera, që në gjuhën statistikore nënkupton stanjacion. Po të marrësh parasysh edhe efektet sezonale, numri i të punësuarve ka rënë me 0,1% ose 45.000 vetë. Këtë gjendje Gjermania nuk e ka pasur që nga viti 2021.

Në përgjithësi më shumë punësime ka pasur në sektorin e shërbimeve, raporton Zyra Federale, kurse në industri janë regjistruar 73.000 vende pune më pak. Edhe në sektorin e ndërtimit ka rënë punësimi brenda një viti me 30.000 vetë. Ndërkohë që trendi i rënies së vetëpunësimit ka vazhduar në Gjermani. Numri i tyre, përfshirë edhe familjarët që ndihmojnë, ra me 0,6% në 3.8 milionë vetë./DW

EMRAT/ Zbulohen kush janë organizatorët e grupit kriminal, laboratori i kokainës ishte vendosur në një ndërtesë në pronësi të…

Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me laboratorin e drogës, që u zbulua të premten në fshatin Qerekë në Fushë Krujë, ku në pranga u vunë 10 persona, tre prej të cilëve të huaj.

 

Sipas News24 pronar i ndërtesës ku ishte ngritur laboratori i drogës është shtetasi Endi Sejdini, 25 vjeç. Në një nga katet e ndërtesës së tij ishte vendosur edhe laboratori i kokainës, atje ku ndodhte i gjithë procesi i përpunimit.

Sejdini është një nga 10 personat e arrestuar, ndërsa bëhet e ditur se ai kishte një mobileri në zonë dhe nuk rezulton person me rekorde kriminale.

Po ashtu nga hetimet e deritanishme dyshohet se drejtues të grupit kriminal janë Geis Fejsullai 42 vjeç, Aldi Zonja, Artion Çaushllari dhe Kladi Birçe, 40 vjeç.

OPERACIONI

Operacioni i drejtuar nga SPAK u shtri edhe në zonën e njohur si Kodra e Diellit2, ku u zbulua një tjetër bazë, ndërsa u arrestuan 10 persona, 3 prej të cilëve, shtetas të huaj, që dukej se kishin rolin e “kimistëve” për ndarjen e kokainës nga lëkurët e bagëtive.

SPAK mbajti nën vëzhgim laboratorin prej disa muajsh, ndërsa u ndërhy në muajin nëntor, pasi në Shqipëri mbërriti ngarkesa e dytë e lëkurëve të bagëtive, ku ishte e tretur kokaina.

Kjo e fundit ndahej nga lëkurët përmes proceseve kimike, ndërsa për këtë kujdeseshin shtetasit Hiwlen Ledezma Narvaez 41 vjeç, shtetas kolumbian, Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano 42 vjeç, shtetas venezuelian.

Të arrestuarit

  1. Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
  2. Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
  3. Artion Caushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
  4. Endi Sejdini 25 vjeç, banues në Krujë
  5. Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
  6. Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
  7. Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës

Shtetas të huaj:

  1. Hiwlen Ledezma Narvaez 41 vjeç, shtetas kolumbian
  2. Joze Ramon Zacarias Vasquez 35 vjeç, shtetas venezuelian
  3. Samuel Alfonso Moreno Serrano 42 vjeç, shtetas venezuelian

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme njofton se në kuadër të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023  ka zbardhur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të lëndës narkotike të llojit “kokainë” nga vendet e Amerikës Latine, e kontaminuar dhe më pas e përpunuar dhe trafikuar në Shqipëri dhe në  tregun evropian.

 Ky hetim deri tani ka çuar në arrestimin e shtatë shtetasve shqiptarë dhe tre shtetasve nga Amerika Latine si dhe në zbulimin dhe sekuestrimin e një laboratori të sofistikuar për përpunimin e kokainës, i vendosur në fshatin Qerekë, Fushë Krujë. Po ashtu, janë identifikuar ambiente ndihmëse në Tiranë dhe Durrës. Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale.

Ky hetim intensiv, i zhvilluar për më shumë se një vit, është udhëhequr tërësisht nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesit e BKH-së, të cilët kanë përdorur një gamë të gjerë të teknikave  të posaçme të hetimit. Bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë kyç për avancimin e këtij operacioni të rëndësishëm kundër trafikut  ndërkombëtar të drogës.

Të arrestuarit janë:

Shtetas shqiptar:

  1. G.S., 42 vjeç, banues në Tiranë
  2. K.B., 40 vjeç, banues në Tiranë
  3. A.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë
  4. E.S., 25 vjeç, banues në Krujë
  5. A.Z., 37 vjeç, banues në Tiranë
  6. I.A.,  51 vjeç, banues në Shkodër
  7. B.H.,  57 vjeç, banues në Durrës

Shtetas të huaj:

  1. H.L.N., 41 vjeç, shtetas kolumbian
  2. J.R.V., 35 vjeç, shtetas venezuelian
  3. S.A.S., 42 vjeç, shtetas venezuelian

 Provat e sekuestruara përfshijnë:

  • Material të papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024;
  • 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë;
  • 36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro);
  • 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës;
  • Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie;
  • 22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM;
  • 3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.

 Tipologjia e grupit kriminal

Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.

Ky rrjet shfaqte një bashkëpunim efikas mes ekspertëve të huaj me përvojë dhe elementëve lokalë të mirë-organizuar, duke krijuar një mekanizëm funksional dhe shumëdimensional të aktivitetit kriminal.

Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës.

Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal.

Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara.

Shuma e madhe e parave e vënë në dispozicion të financimit të këtij aktiviteti, pajisjet teknologjike dhe mjetet e përpunimit të drogës tregojnë për nivelin e lartë të organizimit dhe burimeve financiare të këtij grupi kriminal.

Në analizën e brendshme të deritanishme të këtij hetimi, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, e konsideron atë si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri:

Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete.”

Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti:

Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar.”

Një falënderim i veçantë shkon për partnerët tanë vendas dhe të huaj, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm  Durrës dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit për profesionalizmin e treguar gjatë fazës së arrestimit në flagrancë, sekuestrimin e provave materiale dhe produkteve të aktivitetit kriminal.  

Berisha, dëshmi e një politike të dështuar prej së cilës duhet marrë mësim

Nga Rigels Seliman

Sali Berisha ka kaluar një rrugë të gjatë dhe të mundimshme, por që përfundoi në një “kafaz” të ngushtë, ku, edhe pse mund të flasë lirisht, nuk ka më asnjë ndikim të vërtetë mbi jetën politike të Shqipërisë. Ajo që fillimisht duket ironike është fakti se ai nuk e ka kuptuar ende se ora e tij ka kaluar. Po, pikërisht, kur çdo orë e kaluar do të duhej të ishte një hap më afër të kuptuarit të limitit, Berisha vazhdon të sillet sikur është ende ai politikani që udhëhoqi një komb drejt “lirisë” – me grushta dhe tallava.

Dhe pikërisht kjo është ironia më e madhe: ai që dikur të fliste për “ndryshime të mëdha” dhe “shpresa të reja”, tani është një njeri i mbyllur në një kafaz të ngurtë ideologjik, duke menduar se mund të udhëheqë një popull që, për më shumë se një dekadë, ka mësuar të mos besojë më tek ai. Po, po, Berisha është si një kanarinë e mbyllur në kafaz, që ndoshta vazhdon të këndojë, por askush e dëgjon më? Kush e pyet për këngën e tij të vjetër? Askush, sepse askush nuk ka nevojë për këngë të vjetra kur e ardhmja kërkon përparim.

Në një moment që qytetarët e kanë braktisur në masë sikundër e tregon pjesmarrja e ulët që i shkojnë në protesta, Berisha është një ilustrim klasik i asaj që ndodh kur politikanët, të lodhur nga një jetë e tërë pushteti, besojnë se mund të rikthehen thjesht me disa fjalë bosh. Ndonëse mund të quhet ende një “lider”, faktet janë të tjera: ai është një udhëheqës pa kompas, që humbet çdo ditë më shumë kontaktin me realitetin. E si mund të mbahet mend një njeri që ka shpërndarë dhimbje dhe frikë për breza të tërë? Berisha është “dëshmi e fortë” se si një politikë e dështuar mund të kthehet në një mësim të hidhur për të gjithë.

Përfundimisht, gjithçka që mbetet është një fantazëm e së kaluarës. Sali Berisha, me gjithë zhurmën dhe lavdinë që dikur e shoqëronte, është thjesht një kujtim i humbur, një politikan që nuk ka kuptuar se ora e tij ka mbaruar. Tani ai është në “kafaz”, i harruar dhe pa asnjë mundësi për të ringjallur asgjë, përveç një realiteti që vetëm e shkatërroi Shqipërinë. Një politikan që mbahet mend jo për triumfe, por për vuajtjet dhe humbjet që ka shkaktuar, është një ironi e natyrshme e historisë.

Po shkëlqen në Itali, shoku i skuadrës thur elozhe për Shpendin: Ka të gjithë kualitetet e një sulmuesi

Kristian Shpendi po shkëlqen në Itali këtë sezon. Sulmuesi i Kombëtares U-21 kryeson renditjen e golashënuesve dhe një pjesë e mirë nga skuadrat e Seria A kanë shprehur interes.

 

Për të nuk kanë munguar fjalët e mira dhe së fundmi është shoku i tij i skuadrës që thur elozhe. Mesfushori i Çezenës, Xhakomo Kalo, deklaroi:

“Ai është shumë i fortë. Ka fizik të fortë, aftësi për të shkuar te goli dhe ka shpejtësi, të gjitha kualitetet e mundshme për një sulmues. Ai kapërceu nga Seria C pa e ndjerë ndryshimin, shpresoj të shkojë sa më lart të jetë e mundur”, tha për Xhakomo Kalo për “Tuttomercatoweb”.

Planet e Elon Musk për të fluturuar kudo në botë për një orë: Është e mundur!

SpaceX i udhëhequr nga Elon Musk, po ecën me planin për të revolucionarizuar udhëtimin global, duke synuar të transportojë pasagjerë midis qyteteve kryesore brenda më pak se një ore duke përdorur raketën Starship.

 

Ky mjet hapësinor 120 metra i lartë, i ndërtuar nga çelik inox, është i aftë të arrijë shpejtësi deri në 27 mijë km/h, shumë më shpejt se avionët komercialë më të shpejtë, që arrijnë rreth 1 mijë km/h.

Një përdorues i Twitter-it, @ajtourville, spekuloi se nën administratën e ish-presidentit, Donald Trump, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) mund të kishte miratuar planet ambicioze të SpaceX për udhëtimin “Tokë më Tokë” brenda disa viteve. Musk konfirmoi realizueshmërinë e kësaj ideje, duke iu përgjigjur “tani është e mundur.”

Miliarderi, i cili pritet të bashkëdrejtojë Departamentin e Efiçencës Qeveritare (DOGE) me Vivek Ramaswamy, theksoi se projekti fitoi vrull pas rizgjedhjes së Trump.

Fillimisht i konceptuar rreth një dekadë më parë, plani parashikon që Starship të akomodojë deri në 1000 pasagjerë, të ngjitet në orbitë dhe të udhëtojë paralelisht me sipërfaqen e Tokës për të arritur destinacionin.

Sipas Daily Mail, pasagjerët do të përjetojnë forca G të larta gjatë nisjes dhe uljes, si dhe kushte të gravitetit të ulët gjatë fluturimit, duke kërkuar që rripat e sigurimit të mbeten të lidhur gjatë gjithë kohës.