33.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Shqipëria, ndër normat më të larta në Europë të orëve shtesë

Direktivat e Bashkimit Europian flasin për jo më pak se 11 orë pushimi nga puna, nga një ditë në tjetrën apo edhe brenda së njëjtës ditë, por në dy turne të ndryshme. Madje, kjo direktivë, në Shqipëri është edhe ligj, pasi pika 4 e nenit 78 të Kodit të Punës e saktëson më së miri këtë. Pavarësisht kësaj, Shqipëria rezulton një ndër vendet europiane që e zbaton më pak nga të gjitha vendet e tjera diçka të tillë. Vendi ynë renditet mes shteteve më problematike në këtë drejtim. Një studim i fundit tregon se 25% e punëmarrësve shqiptarë deklarojnë se një ligj i tillë nuk zbatohet. Norma, padiskutim që është më e lartë për punën autonome. Duke bërë krahasimin me vendet e tjera europiane apo edhe me ato të rajonit, vihet re qartë diferenca. Shqipëria rezulton ndër pesë vendet më problematike në këtë drejtim, paçka se rasti është krejt tjetër. Ndërkohë që në krye të listës qëndron Spanja bashkë me 4 shtete skandinave, Shqipëria është padiskutim një rast i izoluar. Të gjitha vendet e lartpërmendura janë ekonomi prodhuese dhe me përjashtim të Spanjës, janë të gjitha vende me një treg pune pranë kapacitetit të plotë. Rasti i Shqipërisë ndërkohë nuk përputhet në asnjë pikë me këto vende dhe një ndër arsyet e moszbatimit të Kodit të Punës për punonjësit dhe kohëzgjatjen e punës është në mungesën e sindikatave apo më mirë mungesa e punës reale të sindikatave. Një tjetër arsye është edhe informaliteti i lartë në tregun e punës.

Ofertë Milanit për të marrë Bonucci

Edhe pse është shënjestruar nga kritikat për gafën e bërë dje në ndeshjen që Milani luajti në Europa League (kuqezinjtë fituan 5-1 ndaj Austrisë së Vienës), mbrojtësi Leonardo Bonucci është në qendër të merkatos dhe skuadra që ka hedhur sytë nga lojtari kuqezi është Real Madrid. Duket se madrilenët besojnë te mbrojtësi 30-vjeçar dhe këtë lajm e ka konfirmuar sot e përditshmja spanjolle “Ok Diario”. Edhe në të shkuadrën, skuadra “merengues” ka tentuar të marrë mbrojtësin italian, por tashmë e ka marrë seriozisht këtë transferim edhe pse duket disi absurd.
Milani pagoi 42 milionë euro këtë verë te Juventusi për të marrë mbrojtësin, të cilit i garantoi një rrogë prej 8 milionë eurosh në sezon, plus 2 milionë bonus, por gjërat tashmë kanë ndryshuar. Por nëse kuqezinjtë nuk do të arrijnë të kualifikohen në Champions League sezonin tjetër, atëherë largimi “big” që ka paralajmëruar Fassone mund të jetë pikërisht mbrojtësi, që i kushton jo pak arkës së klubit. Pavarësisht se nuk po kalon një moment të mirë, Leonardo Bonucci është një lojtar me përvojë në arenën ndërkombëtare dhe te Reali mund të rikthehet protagonist.

Abuzimi, rriten me 15% çmimet e cigareve

Çmimet e cigareve u rritën masivisht këtë javë me rreth 15 për qind për paketë. Të gjitha pikat e shitjes me pakicë po i shesin paketat me 30-40 lekë më shtrenjtë, duke lajmëruar se një valë e re rritje do të vijojë edhe pas Vitit të Ri.
Distributorët e mëdhenj kanë argumentuar për tregtarët si arsye kryesore të rritjes së çmimeve procesin e formalizmit.
Brenda kësaj rritje po spekulohet me ndryshimin e akcizës, e pasi rritja e pritshme për vitin 2018 përfshin vetëm cigaret e luksit purot dhe cigarillot.
Distributorët e mëdhenj pohojnë se nuk i kanë ndryshuar çmimet dhe kjo rritje po vjen si spekulim nga pakica.
Sipas shpjegimeve që japin tregtarët e pakicës formalizimi duket se është shkaku kryesor. Qeveria shqiptare tre muajt e fundit ka ndërmarre fazën e dytë të aksionit antiinformalitet.
Aksioni është përqendruar në subjektet e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasi sipas analizës së riskut këto janë sektorët me evazorë në vend.
Tregtarët pohojnë se kostot e formalizimit po reflektohen në çmime, pasi përveç cigareve çmimet po rriten edhe për disa artikujt ushqimorë industrialë.
Këtë javë një paketë Marlboro u shit me 330 lekë nga 320 që ishte javën e kaluar. Gjithashtu një paketë Camel kushtoi 40 lekë më shtrenjtë.
Gjithashtu çmimet e paketave Eva dhe Merita janë rritur përkatësisht me 20 dhe 40 lekë. Paketat Philip Morris kushtuan 70 lekë më shtrenjtë dhe LM 30 lekë më shumë.
Edhe pse qeveria nuk e ka ndryshuar akcizën për cigaret e zakonshme, shihet se tregu nuk po i shmanget spekulimit. Është bërë traditë tashmë që në çdo fund të vitit, çmimet e cigareve të rriten edhe pse niveli i taksimit nuk ndryshon. Tregtia e duhanit vijon të karakterizohet nga një informalitet i lartë që nga kontrabanda në dogana dhe më tej në tregtinë e brendshme.

Faktori “Anfield”

LONDON, ENGLAND - SEPTEMBER 16: Sadio Mane of Liverpool and Eden Hazard of Chelsea during the Premier League match between Chelsea and Liverpool at Stamford Bridge on September 16, 2016 in London, England. (Photo by Catherine Ivill - AMA/Getty Images)

Liverpool do të presë Chelsea-in pas tri fitoreve radhazi të marra në Premier League. Skuadra e Jurgen Klopp është kthyer në garë për vendet e para të renditjes dhe një fitore sot do t’i ndihmonte ata të barazoheshin me pikë me kampionët në fuqi. Por kjo nuk do të jetë e lehtë, duke parë se, “Blutë” po kalojnë gjithashtu një moment të mirë, me katër fitore radhazi në kampionat.
Shifra dhe Fakte
– Kjo do të jetë përballja numër 167 mes këtyre dy ekipeve. Një sfidë klasike në kohëra moderne, me vendasit që janë në avantazh në takimet e luajtura në “Anfield”: 71 fitore, 42 barazime, 53 humbje.
– Në 33 takimet e fundit të luajtura në shtëpi, Liverpool ka marrë 20 fitore, 11 barazime dhe 2 humbje, por është interesant fakti se asnjë nga 9 ndeshjet e fundit mes këtyre dy ekipeve nuk është fituar nga ekipi pritës.
– Liverpool nuk fiton në “Anfield” kundër Chelsea që nga 2012-a (6 ndeshje) dhe tri përballjet e fundit të luajtura në fushën e “Të Kuqve” janë mbyllur me rezultatin 1-1.
– Nën drejtimin e Antonio Conte, Chelsea ka fituar të gjitha 16 ndeshjet e Premier League në të cilat Eden Hazard ka shënuar. Por lojtari më i mirë i londinezëve, deri tani, është Alvaro Morata, i cili ka realizuar tetë gola dhe ka dhënë katër asiste në 12 ndeshje të luajtura në kampionat.
– Liverpool ka marrë katër fitore në pesë ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 16 gola në këto pesë takime.
– Në gjashtë përballjet e fundit të luajtura mes këtyre dy skuadrave janë dhënë mesatarisht 4.67 kartonë të verdhë për ndeshje, por nuk ka patur asnjë karton të kuq që nga viti 2009-të (22 ndeshje).
Ylli i Chelsea, Eden Hazard, e ka quajtur Mohamed Salah top lojtar, si dhe ka thënë se tash sulmuesit të Liverpoolit nuk iu dhanë mundësitë që i meritonte sa ishte te Chelsea. Salah, i cili kaloi nga Roma te Liverpooli verës që lamë pas, ka shënuar nëntë gola dhe dhuruar dy asiste në 12 ndeshje në Premier Ligë deri më tani.
Gjatë sezoneve 2013-‘14 dhe 2014-‘15, egjiptiani 25-vjeçar nuk arriti të gjente vend tek skuadra e Jose Mourinhos. Para ndeshjes derbi të së shtunës mes Chelsea dhe Liverpool, Hazard e ka lartësuar Salahin. “Ai ende është miku im. Ende jemi në kontakt. Salah është top, top, top lojtar”, ka thënë Hazard.
“Atij nuk iu dhanë mundësitë në Chelsea, por ne e dimë për cilësitë që i posedon ai. Është sulmues fantastik dhe ka shënuar shumë gola këtë sezon”, shtoi belgu.

Tregu i sigurimeve në rritje, paguan 30 milionë euro

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri me dije se rritja në tregun e sigurimeve ka vijuar edhe gjatë 10 mujorit të këtij viti, duke regjistruar një vlerë prej mbi 13 miliardë lekësh ose 8.92 për qind më shumë e janar-tetor 2016. Numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti 1,042,340 me një rritje prej 15.32% krahasuar me periudhën janar–tetor 2016. Ashtu siç ka ndodhur tradicionalisht tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.46% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.23% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.31%.

Sigurimi i detyrueshëm motorik

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri me dije se primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar–tetor 2017 arritën rreth 8,124 milionë lekë, ose 8.59% më shumë se në periudhën janar–tetor 2016. “Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar–tetor 2017, pati një rritje prej 10.20% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 8.06% krahasuar me periudhën janar–tetor 2016. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar–tetor 2017 pati një ulje prej 6.28% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 7.48% krahasuar me periudhën janar–tetor 2016”, thuhet në njoftimin e AMF.

U paguan 30 milionë euro dëme

Gjatë këtij viti AMF ka pasur një fokus të veçantë tej pjesa e dëmeve që kompanitë duhet të paguajë si dhe tek detyrimet e tyre të prapambetura ndër vite ndaj palëve të treta. Në janar-tetor dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4 miliardë lekë apo rreth 30 milionë euro, ose 15.80% më shumë se në periudhën janar–tetor 2016.
Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,472 milionë lekë, apo 61.69% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Fshati braktis skemën e pensioneve, bie numri i kontribuuesve

Pensioniste duke mbajtur rradhen, per te terhequr shperblimin prej pese mije lekesh, te akorduar nga qeveria me rastin e festave te fundvitit.

Skema publike e pensioneve për fshatin është duke u përballur me një krizë të vërtete për shkak të rënies së numrit të shpejtë të kontribuuesve, të cilët duket se, nuk e kanë “mirëpritur” rritjen e pagesës me reformën e re të pensioneve.
Sipas statistikave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, shihet se numri i kontribuuese në zonat rurale ra më tej gjatë gjashtë mujorit të parë 2017 në raport me fundin e vitit 2016.
Gjatë janar-+qershor 2017 kanë derdhur kontribute 51,366 persona në raport me 53,168 persona në fund të vitit 2016, me një rënie mbi 3.3%.
Rënia mësohet të jetë drastike në raport me vitin 2015, ku kontribuuesit e fshatit në skemë gati u përgjysmuan. Në vitin e parë të reformës kontribuuesit nga zonat rurale ishin më shume se 80 mijë persona me një rënie 40.6%.
Teksa reforma e pensioneve synonte të rikthente parimin e drejtësisë për fshatin, ku pensionet të përfitoheshin në bazë të kontributeve, duket se në vend që të sistemohej është deformuar edhe më tej.
Ligji i ri i sigurimeve synonte barazimin e kontributeve të sigurimeve për pensionet rurale me zonat rurale deri në vitin 2018.
Ekspertet e ISSH-së, thonë se rënia e kontribuuesve në bujqësi më shumë se sa reformës, i dedikohet rënies së produktivitetit në këtë sektor. Sipas tyre kjo ndodh për disa arsye, së pari për shkak të produktivitetit të ulët të ekonomisë familjare agrare, urbanizimit dhe braktisjes së bujqësisë, si dhe rritjes së masës së kontributit që duhet të paguajnë fermerët.
Sipas tyre një arsye tjetër është fakti që një pjesë e mirë e fermerëve, kryesisht mosha e mesme dhe afër moshës së pensionit, për shkak të faljes së kamatëvonesave dhe interesave të kontributeve që u bënë në vitin 2014, blenë shumë vite sigurimi (deri në 21 vite sigurimi) dhe duke pasur edhe vite pune në ish-kooperativat bujqësore kanë plotësuar vitet e nevojshme për të përfituar një pension pleqërie.
Po zhvillimet e skemës së sigurimeve për zonat rurale janë deformuar më tej, teksa numri i përfituesve është 161% më i lartë se numri i kontribuuesve, për rrjedhojë edhe deficiti financiar në skemën e fshatit është në të njëjtin trend.
Para reformës, kontributet e drejtpërdrejta që paguheshin nga të vetëpunësuarit në bujqësi mbulonin vetëm 18.7% të shpenzimeve për pensionet rurale, por pas reformës, ky tregues është përkeqësuar. Për pasojë, skema e sigurimeve në fshat po sponsorizohet në një masë edhe më të madhe nga taksat e të gjithë shqiptarëve. Bujqësia dhe fshati, edhe pse punësojnë më shumë se 40% të shqiptarëve, janë gati në sektorin ekzistent për nga kontributi në taksa dhe tatime dhe në sigurime shoqërore.

 

Basha paralajmëron një tjetër skandal të madh

Pas çështjes Tahiri dhe Dako, kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi dje një tjetër skandal të madh, i cili opozitës i është komunikuar nga burimet e partnerëve ndërkombëtarë. Përmes një deklarate për mediat, Basha hodhi poshtë pretendimet e ngritura enkas nga Rama me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit publik mbi gjoja lidhje të PD me kompani offshore. Ndërsa sqaroi se, lajmet e shpërndara nga zyra e Ramës mbi këtë çështje janë tërësisht mashtrime të pabazuara, Basha theksoi se çdo përpjekje e qeverisë nuk mund të tërheqë vëmendjen nga skandali më i fundit, ai i dekonspirimit të aksionit për shpëtimin e drejtorëve të policisë të lidhur me trafikun e drogës.
“Është një shashkë e bazuar në mashtrime, e cila nuk mund të largojë vëmendjen nga skandalet e jashtëzakonshme të kësaj qeverie, as nga një skandal i madh, i cili është vënë në vëmendjen e opozitës nga burimet e partnerëve dhe i cili po studiohet nga ekspertët tanë të sigurisë dhe të ligjeve.
Një gjë mund t’ju them me siguri se dekonspirimi i aksionit për arrestimin e kokave të policisë është bërë nga Fatmir Xhafa me porosi të Ramës për të mbrojtur këta njerëz dhe Saimir Tahirin.
Arsyeja e dekonspirimit është e qartë: Edi Rama nuk mund të lejojë arrestimin e njerëzve, të cilët do të luanin rol në inkriminimin e drejtpërdrejt të Saimir Tahirit, të Fatmir Xhafës dhe të vetë Edi Ramës.
Si mund të pranojë Fatmir Xhafa të arrestojë drejtorin e Policisë së Vlorës i cili për 4 vite ka mbrojtur vëllain e Fatmir Xhafës, i cili edhe pse në kërkim ndërkombëtar për trafikun e drogës, i dënuar për trafikun e heroinës, bridhte dhe bredh i lirë në Vlorë.
Si mundet Fatmir Xhafa të firmosë një urdhër arresti ndërkombëtar për këta tre koka të policisë, të korruptuar, të lidhur me krimin, kur ka 4 vite që refuzon të zbatojë urdhrin ndërkombëtar të ndalimit për vëllain e tij.
Këto fakte dhe fakte të tjera të sjella në vëmendjen e opozitës, të cilat pas një studimi të hollësishëm do t’i bëjmë shumë shpejt të njohura për publikun dhe median, faktojnë se Polica e Shtetit dhe Ministria e Brendshme kanë funksionuar si një organizatë kriminale, me një kupolë kriminale në krye”, u shpreh Basha.
Ndërsa theksoi se, vendi është në emergjencë kombëtare përsa i përket luftës ndaj krimit dhe drogës, Basha tha se e vetmja mënyrë që të mund të nisë lufta kundër këtyre dy fenomeneve është largimi i pashmangshëm i Ramës dhe qeverisë së tij nga drejtimi i vendit.
“Emergjenca kombëtare është lufta kundër krimit të organizuar dhe dekriminalizimi i qeverisë. Është çështje e sigurisë kombëtare që kjo të nisë me vetingun, jo thjeshtë të policisë, por të Ministrisë së Brendshme dhe të qeverisë. Që të ndodhë kjo, duhet një reformim tërësor i Ministrisë së Brendshme dhe i Policisë, të kryhet nga ekipe profesionale, me integritet, të pavarura dhe të mirëbesuara.
Natyrisht që kjo s’mund të ndodhë për sa kohë që proçesi diktohet dhe kontrollohet personalisht nga Edi Rama.
Ndaj hapi i parë është largimi i Edi Ramës nga kreu i qeverisë”, tha Basha.
Kreu i PD theksoi se me largimin e Ramës është thelbësor spastrimi i menjëhershëm i dy nyjeve kryesore të trafikut të drogës dhe fuqizimit të bandave kriminale, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Gjithashtu Basha foli për një domosdoshmëri të kalimit të çdo ministrie në procesin e vetingut.
Basha i bëri thirrje Prokurorisë që të çojë përpara hetimin e implikimit të policisë në trafikun e drogës, ndërsa deklaroi se arrestimi i Saimir Tahirit është thelbësor në luftën kundër trafikut të drogës.
“Hapi i dytë që do të ketë mbështetjen tonë të plotë dhe në rakordim me partnerët ndërkombëtarë, do të jetë një proçes i spastrimit të Ministrisë së Brendshëm dhe i Policisë dhe një veting i plotë i gjithë strukturës së lartë qeveritare për të pastruar këtë kancer që ka shtrirë tentakulat e veta në çdo ministri dhe deri në nivelet më të larta politike, natyrisht, duke përfshirë edhe kryeministrin shqiptar.
Gjendja është alarmante. Veprimi i parë për të cilin inkurajoj Prokurorinë është, të çojë deri në fund hetimin që përfshin kokat e policisë në trafikun e drogës dhe në mbështetjen totale që i ka dhënë bandave kriminale. Arrestimi një orë e më parë i Saimir Tahirit dhe i kokave të policisë të përfshira në këtë aferë kriminale është edhe parathënia e një aksioni dhe operacioni për pastrimin e politikës nga krimi.
Rreshtimi është i qartë: Edi Rama do të bëjë gjithçka për të ndaluar arrestimin e policëve të korruptuar, siç bëri gjithçka për të ndaluar arrestimin e Saimir Tahirit. Në këtë përpjekje, ai ka mbështetjen e Fatmir Xhafës, i cili ka bërë dhe po bën gjithçka për të ndaluar arrestimin dhe ekstradimin e Agron Xhafajt drejt Italisë.
Në këtë skandal është përfshirë drejtpërdrejt ideatori dhe zbatuesi i projektit të kanabizimit të Shqipërisë, përgjegjësi kryesor për ngritjen në detyrë, mbrojtjen, promovimin e Saimir Tahirit dhe kupolës së korruptuar të policisë dhe ky është Edi Rama”, tha Basha.

Pa largimin e Ramës, stabiliteti në rrezik

Kreu i PD deklaroi se vetëm largimi i Ramës do të mund të çlirojë vendin dhe t’i hapë rrugën spastrimit të lidhjeve të krimit dhe bandave të drogës me qeverisjen e vendit.
“Ndaj opozita dhe Partia Demokratike, parashtrojnë si domosdoshmëri, largimin e Edi Ramës për të nisur pastrimin e vërtetë të kupolës së lartë qeveritare nga krimi dhe për t’i dhënë shqiptarëve një luftë kundër krimit të organizuar si domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare.
Largimi i Edi Ramës është imperativ politik. Ne e kemi kërkuar dhe do ta kërkojmë këtë me forcë. Ne kemi parashtruar dhe do të vazhdojmë të parashtrojmë këtë domosdoshmëri para shqiptarëve, para gjithë faktorit politik. Natyrisht, para faktorit politik opozitar, por edhe para socialistëve të ndershëm, të cilët kanë në gjirin e tyre ish-kryeministra, ish-presidentë dhe kapacitete të papërlyera dhe me integritet, të cilët mund të japin kontributin e tyre në një qeveri antimafia.
Një gjë është e sigurt, sa kohë Edi Rama është kryeministër, urdhër arrestet nuk do të ekzekutohen, policët e lidhur me krimin nuk do të arrestohen, Saimir Tahiri do të vazhdojë të bredhë në Shqipëri dhe në Gjermani e në Itali, në përpjekje për të mbuluar gjurmët e krimit të zbuluar nga Antimafia italiane dhe krimi i organizuar shqiptar. Në bashkëpunim me Edi Ramën, do të vazhdojë të jetë faktori kryesor i krizës ekonomike, i shkatërrimit të besimit tek e nesërmja, i largimit të shqiptarëve nga atdheu i tyre dhe i të keqes që ka mbërthyer vendin prej fyti.
Ndaj emergjenca absolute është pastrimi i qeverisë meqenëse është dhe dita e pastrimit sot, pastrimi i qeverisë nga krimi. Dhe kjo nis vetëm me largimin e Edi Ramës”, tha Basha.

Plan veprimi për të mos lejuar kapjen e Prokurorisë

Partia Demokratike nuk do të lejojë kapjen e Prokurorisë së Përgjithshme teksa do të përdorë çdo mjet për të garantuar një proces kushtetues në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. I pyetur nga mediat në lidhje me paralajmërimin e mazhorancës për të shkarkuar kryeprokurorin, Basha tha në mënyrë të prerë se Rama nuk do të mund të emërojë dot kurrë kreun e ri të organit të akuzës. Nga ana tjetër, Basha reagoi edhep për paralajmërimin e Ramës për shkarkimin e kreut të KQZ, Klement Zgurin, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi kushtetuese për shkarkimin e tij. Basha lajmëroi një plan veprimi mbi hapat që do të ndiqen nga opozita në lidhje me parandalimin e kapjes së Prokurorisë nga Rama.

-Zoti Basha, ditën e enjte mazhoranca ka paralajmëruar shkarkimin e kryetarit të KQZ-së. A përbën ky një akt një vendim nga ana e opozitës për të mos marrë pjesë në Reformën Zgjedhore? A e cënon Reformën Zgjedhore, shkarkimi i kryetarit të KQZ-së?
Nuk ka asnjë mundësi kushtetuese që kryetari i KQZ-së të shkarkohet nga kjo mazhorancë. Çdo hap i tillë do të përbënte një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe do të marrë përgjigjen e merituar.

-Zoti Basha, si largohet Edi Rama? A do ta shfrytëzojë Partia Demokratike të drejtën për të kërkuar në Kushtetuese zgjatjen e mandatit të Llallës deri në krijimin e KLP-së?
Qëndrimi ynë për Prokurorin e Përgjithshëm është i qartë: Prokurorin nuk mund ta emërojë Edi Rama, Prokurorin nuk mund ta emërojë Saimir Tahiri. Prokurorin nuk mund ta emërojë as Vangjush Dako, as Qazim Sejdini, as Agron Xhafaj, as miqtë e tyre në Parlament.

-Dhe për këtë ju mund të ndihmoni duke bërë një padi në Kushtetuese apo kërkesë?
Ne kemi një plan të plotë veprimi për të parandaluar në mënyrë ligjore dhe për t’iu përgjigjur çdo veprimi antiligjor antikushtetues të mazhorancës. Një gjë është e sigurt nuk do të pranojmë që Kryeprokurorin ta emërojnë subjektet e hetimit, që kryeprokurori të emërohet nga Edi Rama nga Saimir Tahiri dhe miqtë e tyre.

Balili ka video përgjimet e Ramës dhe tre ministrave të tij në Santa Quaranta

Ish-Kryeministri Berisha ka risjellë dje në vëmendje video përgjimet që disponon Eksobari i Ballkanit, Klement Balili mbi vizitat e Ramës dhe ministrave të tij në resortin në Sarandë. Edi Rama është filmuar në skena erotike në ambientet e Santa Quarantës! Akuzat janë ngritur në mars të këtij viti në media që pas shkarkimit të Saimir Tahirit nga ministër i Brendshëm, akuza që më pas janë mbështetur dhe nga ish-Kryeministri Sali Berisha. Në media u ngritën akuza se në serverin e kamerave të sigurisë të Santa Quarantës nuk do të dalë askush prej ministrave të shkarkuar, por do të dalë pikërisht kreu i qeverisë Edi Rama. Asaj kohe, me anë të një postimi ish-Kryeministri Sali Berisha, e lidhi nxjerrjen e këtij lajmi nga vet Tahiri me qëllim presionin ndaj Ramës. “Të dashur miq, sonte (të dielën) në darkë Saje qorri, nëpërmjet një gazetari me afinitet të madh me policinë, denoncoi, pa kaluar 24 orë nga shkarkimi, Edvin Kristaq Ramën si personin që është filmuar në skena erotike në Santa Quaranta dhe për rrjedhojë është peng i Balilit. Qytetarë, ky denoncim klamoroz i Saje qorrit ndonëse pas shkarkimit të tij, dëshmon se Ediskobari është peng i Eskobarit të Ballkanit dhe kjo përbën dëshminë më të rëndë të gjendjes katastrofale ku është katandisur Shqipëria! Vetëm revolucioni demokratik që vazhdon fitimtar prej 22 ditësh do të shpëtojë Shqipërinë”, thotë Berisha. Skandali i hyrje-daljeve të krerëve të qeverisë në hotelin e Klement Balilit me të dashurat e tyre u denoncua fillimisht nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, menjëherë pas shkarkimit të tij nga detyra. Por në rast se është e vërtetë, atëherë kjo tregon jo vetëm anën morale të qeverisë, por edhe diçka tjetër, faktin që Edi Rama i mban kontaktet të drejtpërdrejta me krerët e drogës. Po ashtu dhe trafikantët në krye të dikastereve janë vendosur me urdhër të tij direkt dhe kjo dëshmon dhe pafuqinë e organeve shtetërore për të goditur këtë fenomen. Nga ana e tij, ish-Kryeministri ka bërë publik dhe një tjetër fakt në lidhje me ministrat e shkarkuar nga Rama në mars përfshirë dhe Tahirin. Shkarkimi ka ardhur pikërisht për t’u mbyllur gojën, pasi në rast se ata bëjnë publike dosjet e korrupsionit që kanë në dorë rreth tij, atëherë denoncimet e Manjanit do të ishin “thjesht një kafe” përpara skandalit që do të plaste.

Sekuestrimi i kompleksit Balili

Policia e Sarandës ka sekuestruar një kompleks luksoz dhe disa apartamente në Sarandë në pronësi të Klement Balilit, në kërkim për trafik ndërkombëtar droge. Vendimi për sekuestrimin e pasurisë së ish-drejtorit të Transportit në Sarandë u dha nga Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë më 19 nëntor 2017. Kërkesa e Prokurorisë vjen pas një viti e gjysëm pas bërjes publike të çështjes së Klement Balilit, i cili është në kërkim nga policia greke dhe ajo shqiptare, pasi dyshohet si kreu i një organizate kriminale që merrej me trafikim ndërkombëtar lëndësh narkotike. Çështja Balili nisi më 9 maj 2016, kur Policia greke arrestoi 15 persona, anëtarë të një rrjeti të madh të trafikimit të drogës nga Shqipëria në Greqi e prej andej në vende të tjera europiane. Sipas policisë greke, rrjeti drejtohej dhe financohej nga Klement Balili, që ajo e quan “baron të Ballkanit”. Klement Balili në atë kohë mbante postin e drejtorit të Transportit në Sarandë që prej vitit 2013. Ai u shkarkua nga posti më 12 maj, kur ende në Shqipëri nuk kishte ardhur urdhëri i arrestit nga Greqia. Kjo i dha mundësi Klement Balilit të arratiset dhe më 17 maj kur autoritetet greke shpallin në kërkim ndërkombëtar Klement Balilin, policia nuk arriti ta gjente. Pavarësisht urdhërave të arrestit nga dy shtete, Klement Balili i hodhi poshtë akuzat ndaj tij, në një intervistë për gazetën greke “Ethnos”, më 30 tetor 2016. Ai u shpreh se akuzat ndaj tij janë politike dhe bëhen me qëllim për të dëmtuar kryeministrin Edi Rama. Balili hodhi poshtë faktin që ai bën jetë luksoze, pavarësisht faktit se ka në pronësi një hotel super luksoz dhe një kompleks të madh banimi. Policia shqiptare ndërmori në Jug të vendit aksionin e parë dhe të vetëm për kërkmin e Balilit, aksion i cili dështoi. E gjithë çështja Balili ka dëshmuar dështimin total të gjithë strukturave ligjzbatuese në të gjitha nivelet e pushtetit. Aktiviteti i biznesit dhe pasuritë e pajustifikuara të zotit Balili duhet të kishte ngjallur dyshime dhe duhet të ishin bërë objekt i ndërhyrjes së dhjetëra institucioneve shtetërore, në nivelin lokal dhe qëndror. Por asnjë institucion nuk ka vepruar, duke dështuar në përmbushjen e misionit të tyre dhe mbrojtjes së interesit publik.

Exit.al

Del Piero: Calciopoli, burimi i të gjitha këqijave në futbollin italian!

BERLIN, GERMANY - JUNE 06: Former Juventus player Alessandro Del Piero salutes the fans prior to the UEFA Champions League Final between Juventus and FC Barcelona at Olympiastadion on June 6, 2015 in Berlin, Germany. (Photo by Shaun Botterill/Getty Images)

Origjina e të gjitha të këqijave të futbollit të sotëm italian është Calciopoli. Për një emër të madh si Alessandro Del Piero, rënia e Kombëtares Italiane në minimumin historik, duhet lidhur me atë që ndodhi në 2006-ën. Skandali i Calciopolit, vetëm pak muaj pas triumfit të “të kaltërve” në finalen e Kupës së Botës në Berlin, shënoi rrokullisjen e futbollit në Itali, që kulmoi me eliminimin në play off-in e Botërorit nga Suedia.
“Calciopoli erdhi si një bombë atomike. Që nga ai moment kampionët më të mëdhenj të futbollit u larguan në kampionate të tjera të mëdha në Europë. Nuk është e rastësishme që të tjerët u rritën në mënyrë eksponenciale. Me Italinë ndodhi e kundërta, ne u fundosëm”, u shpreh Del Piero.
Diferenca, sipas Del Pieros ndihet në përplasjet ndërkombëtare. “Premier League shpërtheu falë aftësisë drejtuesve të futbollit anglez në shitjen e markës së tyre, duke siguruar kontrata të majme për të drejtat televizive. Reali dhe Barcelona ndoqën politikat e tyre, ndërsa Gjermania përfundoi një rrugëtim të nisur që kur fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës së vitit 2006. Edhe në Francë mbërritën investitorë të fuqishëm të huaj. Italia, përkundrazi, u fundos!”, tha ai.
Italia është në kërkim të një emri të njohur për stolin pas shkarkimit të Gian Piero Venturës, i cili nuk arriti ta kualifikonte dot përfaqësuen e kaltër në Botërorin, Rusi 2018. Reputacioni i Italisë pas eliminimit nga Suedia në Play-off ka rënë aq poshtë saqë asnjë trajner me emër të madh nuk dëshiron të ulet në stolin e kombëtares 4-herë kampione bote. I fundit që ka refuzuar stolin e Italisë është Claudio Ranieri trajneri që bëri mrekullinë, duke shpallur Leicester City, kampione të Anglisë dhe që aktualisht është në drejtimin e skuadrës franceze të Nantes. I pyetur nga gazetarët për një kalim të mundshëm në Coverciano për të marrë drejtimin e Italisë, Rainieri deklaroi: “Mendoj se do të marrin një tjetër trajner. Unë ndihem mirë këtu dhe mendoj vetëm për eksperiencën te Nantes”.

Dështoi me Italinë, gati stoli i Premier League

Gian Piero Ventura, që 10 ditë më parë hyri në histori si trajneri që nuk arriti të kualifikojë kombëtaren italiane në Botërorin e “Rusi 2018”, mund të gjejë shumë shpejt një ekip të ri. Hipoteza e rikthimit të tij vjen nga Britania e Madhe, pasi 70-vjeçari mund të ulet në stolin e Watford, ekipi surprizë i këtij sezoni. Trajneri aktual i këtij ekipi, Marco Silva, po bën një punë të shkëlqyer, duke tërhequr vëmendjen e Everton, që e ka “prenotuar” për ta marrë në janar të këtij viti. Sidomos pas humbjes së turpshme 1-5 dje ndaj Atalantës në Europa League.
Nëse Silva lë Watford për Everton, atëherë mund të ndodhë edhe rikthimi i trajnerit Ventura në stol, këtë herë në Premier League. Mund të duket e çuditshme, por pronarët e skuadrës së Watford, familja italiane Pozzo, po mendon të marrë një trajner me përvojë në rast se tekniku aktual largohet. Hipoteza Ventura duket se ka befasuar të gjithë, sidomos pas dështimit të tij me kombëtaren “azzurre”, që nuk arriti të kualifikohet në Botëror. Gjithsesi, për momentin Watford mban fort trajnerin Silva, që e ka ngjitur ekipin në vendin e tetë, pranë një vendi në Europë sezonin tjetër.