39.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Prokuroria: Edhe 8 zyrtarë të lartë policie nën hetim

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nën hetim edhe 8 drejtorë dhe ish-drejtorë qarqesh të Policisë ose shefash komisariatesh por, për të ruajtuar sekretin hetimor nuk i bën publike emrat e tyre. Kështu, hetimi për prangosjen e ish-funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit për trafik të lëndëve narkotike pritet të shtrihet në rrethet, Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastës, Durrës, Lezhë dhe Shkodër. Konkretisht, nga përgjimet e kryera prej palës italiane në periudhën tetor 2013 e shtator 2017, rezulton se edhe në kupolën e Policisë së Shtetit pritet të ketë zhvillime të reja, përsa i përket prangosjeve.
Po ashtu rreth 35 oficerë policie të niveleve të ndryshme, përfshi këtu edhe ish-drejtorë, janë duke u verifikuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda në kuadër të hetimeve që kanë nisur për trafikun e drogës, pas përgjimeve të kryera nga Antimafia italiane.
Pas urdhër ndalimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të 3 ish-drejtuesve të lartë të Policisë vendore Vlorë, duket se hetimi për implikimin e zyrtarëve të tjerë të uniformave blu në trafikun e drogës vazhdon e rritet. Prokuroria i kishte prej kohësh nën përgjim Jeald Çelën, Sokol Boden dhe Gjergji Kohilën. Ish-drejtuesit e lartë të Qarkut Vlorë të shpallur në kërkim për dosjen “Habilaj”, ishin implikuar një vit më parë në sasinë rekord të drogës së sekuestruar në Vezhdanisht dhe Treblovë, ku u kapën 23 tonë kanabis.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, Jeald Çela, ish-drejtori i Qarkut Vlorë, së bashku me dy vartësit e tij Gjergj Kohila dhe Sokol Bode ishin personat që kishin garatuar paprekshmërinë e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj. Edhe pse ishin nën përgjim, ata përsëri e ushtruan detyrën e tyre, deri në prill të vitit 2017. Në atë kohë, pra në tetor të 2016-ës, hetimet përfshijnë disa prej drejtuesve dhe shefin e zyrës së Krimit Ekonomik në Policinë e Vlorës, Renaldo Avduli.
Edhe oficeri i policisë është shpallur në kërkim dhe gjithashtu dyshohet se u njoftua nga kolegë të tij para se të arrestohet.
Fillimi i përgjimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të nisura nga një raport i SHISH për zonat e kultivimit të lëndës narkotike dhe përfshirjen e policisë në trafik, zbuluan se oficeri i policisë mbante kontakte të ngushta me njërin prej drejtuesve të rrjetit, Taulant Haxhirajn. Ata komunikonin edhe për pazaret, për çmimin dhe mënyrën e vendin ku do të shisnin hashashin.
Më 12 dhjetor 2016, PD denoncoi publikisht kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri, që mbrojnë kokat e policisë për 21 tonelatat e kanabisit të bllokuar nga Prokuroria në Vlorë. Në një deklaratë për mediat, PD bëri të ditur se, Rama dhe Tahiri, jo vetëm i bënë rezistencë Prokurorisë për të mbrojtur deri në fund sasinë e madhe të drogës, por ia dolën të shpëtojnë kokat e këtij trafiku, duke nxjerrë në kërkim vetëm një agjent.
Në deklaratën e PD thuhej se, sipas të dhënave të sigurta ky rrjet i organizuar komandohej pikërisht nga drejtori i Policisë së Vlorës, Jaert Çela, përmes shefit të Postës së Selenicës, Enkeleid Greku, kunatit të këtij të fundit që administron skafet në Vlorë, Dhimitraq Janku dhe shefit të Krimit të Organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila. “Gjurmët e Ramës dhe Tahirit, dhe urdhrat e tyre janë kudo ku mbrohet droga e krimi. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë armiqtë e policisë, tradhtarët e burrave dhe grave në uniformë. Ata kanë krijuar paligjshmërinë më të madhe në vend, duke pesëfishuar parcelat me hashash që i menaxhojnë me kupolën e tyre të inkriminuar në polici. Kjo është e vërteta e drogës dhe e krimit që nuk fshihet dot nga sallat me regji qendrore. Rendi, policia, shteti do të jenë më mirë pa Edi Ramën”, thuhej në deklaratë.

Ish-oficeri i Antidrogës: Në Vlorë ka grupe kriminale të fuqishme që kanë lidhje politike

Ish-oficeri i Antidrogës, Bledar Naçi në një intervistë me skype për “Fax News” është shprehur në lidhje me urdhër-arrestet për 3 ish-zyrtarët e policisë si të dyshuar në trafikun e drogës, se nuk është e njëjta situatë me arrestimin që iu bë atij dhe dy kolegëve të tij Dritan Zagani dhe Antonio Nazeraj. Naçi tha për “Fax News” se këto urdhër-arreste janë lëshuar mbi bazën e provave, duke shtuar se krejt e kundërta kishte ndodhur në rastin e tij, ku ai tha se arrestimi erdhi, pasi ata po hetonin për trafikun e drogës dhe ishin bërë pengesë për ish-ministrin.
Ai tha se tre ish-zyrtarët e policisë, Jaeld Çela, ish-drejtor i Policisë së Vlorë, ish-drejtorin e Postës së Dhërmiut, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, shefi i Sektorit të Luftës kundër Krimit të Organizuar, janë lajmëruar se do të arrestohen dhe prandaj janë larguar. Për vendndodhjen e tyre Naçi tha se duhen pyetur ish-drejtuesit e policisë dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Për mendimin tim, këto urdhër-arreste janë shumë të sakta, por është e kundërta që ka ndodhur me ne, se ne jemi arrestuar pa asnjë fakt, ndaj meje dhe ndaj dy kolegëve të mi është vepruar pa prova dhe thjeshtë për të bërë bijë, ne jemi arrestuar me urdhër të ish-ministrit.
Në lidhje me këto persona është krejt e kundërta se këto persona para se të lëshohej urdhër-arresti këto persona janë larguar se janë lajmëruar. Këta kanë qenë punonjës në detyrë, të paktën dy prej tyre deri shpejt, por janë lajmëruar se do të arrestohen dhe janë larguar, është krejt e kundërta me ne dhe me dy kolegët e mi.
Nuk kam asnjë dijeni se ku mund të ndodhen, për këtë mund të pyesni ish-drejtuesit e Policisë dhe ish-ministrin se ai mund dijë, ai e di se ku ndodhen. Saimir Tahiri e katandisi deri këtu policinë, duke bërë pjesë të saj njerëz që kanë shpërndarë dhe që janë përdorues droge, madje që rrinë dhe me trafikantë.
Në Vlorë përveç Habilajve ka dhe grupe të tjera shumë të fuqishme që kanë lidhje politike, madje edhe më të fuqishme, unë dhe kolegët e mi jemi kërcënuar nga një njeri shumë i fuqishëm që kishte kontroll të drogës në Vlorë, të drogave të rënda, heroinës”, tha Naçi.

Avionët e drogës nisën fluturimet edhe në Kuçovë

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar disa foto në Facebook, ku shfaqet një avion që fluturon, mbi qytetin e Kuçovës. Ka qenë një qytetar që i ka nisur fotot ish-Kryeministrit dhe e ka informuar për fluturimin e avionit të drogës tek Teci. “Sot narko flota ka nisur fluturimet me kaçatorët e saj, herët në orën 06:00”, shkruan Berisha. “Avionët e drogës në Kuçovë. Një avion droge fluturon tek Teci”, shkruan qytetari.
Nuk është hera e parë që Berisha publikon foto të avionëve, që kanë rezultuar të përfshirë në transportin e drogës. Në 14 nëntor ish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e një qytetari që e informonte për një helikopter që kishte bërë 10 ulje në fshatin Gotull të Ishmit. Banori i dërgoi Berishës edhe videon ku dukej helikopteri që fluturon mbi fshatin Gotull.
Në muajin shtator të vitit të kaluar, një avion i vogël me drogë ngeci në Ishëm. Avioni ngeci për shkak të ngarkesës së madhe me drogë. Trafikantët kishin ngarkuar 3 tonë drogë, një ngarkesë shumë e madhe, të cilën nuk e përballonte avioni i vogël. Për këtë shkak, avioni nuk arriti të ngjitej në fluturim. Banorët e zonës bënë të ditur se, prej disa netësh kishin parë zjarre të ndezura afër pistës në Ishëm, ku trafikantët orientonin uljen e avionëve të drogës.
Më 30 tetor të këtij viti, katër avionë të rinj droge janë ulur dhe ngritur ditën në Lagunën e Patokut dhe në Gjirin e Lalzit. Edhe në këtë rast, denoncimi u bë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazheve dhe videove të dërguara nga qytetarët dixhitalë.
Dy vjet më parë dy pilotë italianë, që drejtonin dy avionë të vegjël, që ngarkoheshin me drogë në Shqipëri u rrëzuan në bregdetin shqiptar. Ata ishin Giorgio Riformato, avioni i të cilit ngeli në Divjakë dhe Guido Guidi në Ishëm.

 

Deputeti i Ramës: Arratisja e 3 ish-drejtorëve të policisë është normale

Deputeti i PS, Ulsi Manja ka komentuar 3 urdhër arrestet e Prokurorisë për 3 ish-zyrtarët e policisë Jaerd Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, të cilët dyshohen si të implikuar në prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Manja tha se është normale që 3 ish-zyrtarët të arratisen, pasi sipas tij ka 27 vite që nuk është zbatuar ligji. “Është një situatë normale në gjykimin tim, pasi ka 27 vite që nuk është zbatuar ligji, dhe opinioni publik nuk ka qenë mësuar me këto lajme. Ky është një procedim i filluar që në 2016 dhe uroj të mos jetë thjesht me materialet e përkthyera të ardhur nga Katania, por të ketë prova nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Një oficer policie, duhet të dorëzohet para drejtësisë lidhur me ato akuza që ngarkohet”, tha ai në emisionin ‘Të Paekspozuarit’.

 

Maskat grabisin pasagjerët dhe i vënë flakën furgonit

Një furgon me pasagjerë është grabitur mesditën e djeshme nga persona të armatosur dhe me maska. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Dukagjinit, ndërsa mësohet se policia nuk ka shkuar në vendin e ngjarjes për shkak të largësisë. Bëhet e ditur se personat e maskuar i kanë zënë pritë furgonit nën kërcënimin e armëve ata kanë marrë paratë dhe sendet me vlerë pasagjerëve. Nga raportimet e para thuhet e nuk ka persona të lënduar. Policia e Shkodrës bëri të ditur se pas grabitjes së furgonit, i është vënë flaka.
Një ditë më parë një person i armatosur dhe me maskë ka marrë xhiron e një supermarketi në rrugën “Shtraus” në qytetin e Lezhës, pasi ka kërcënuar me armë punonjësit. Pasi ka marrë paratë e xhiros ditore, rreth 300 mijë lekë, ai është larguar me shpejtësi. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, dhe ka nisur hetimet për ngjarjen. Policia ende nuk ka arritur të identifikojë autorin e grabitjes. Një tjetër grabitje me dhunë ka ndodhur pasditen e të mërkurës në Tiranë, ku një person ka hyrë në një lokal dhe i ka marrë xhiron ditore një kamerieri.

Hidhet në erë me tritol dyqani në Fushë-Krujë

Një sasi eksplozivi është vendosur në një dyqan ushqimor në Nikël të Krujës gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Dyqani është në pronësi të shtetasit me iniciale G.M., 57 vjeç. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Burrë e grua i kanë shpëtuar mrekullisht atentatit me tritol. Ata po flinin në dyqanin e tyre ushqimor në zonën e Niklës në Fushë-Krujë. Ata i kanë thënë policisë se kishin shtëpinë në rikonstruksion dhe kishin kaluar disa netë në dyqan.
Bëhet fjalë për shtetasin Gëzim Meta dhe bashkëshorten e tij, të dy 57 vjeç. Autorët duket se kishin dijeni se çifti po kalonte natën në dyqan. Kjo është hera e dytë që i vendoset tritoli dyqanit të Metës në harkun kohor të dy viteve. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen, ndërsa ka marrë në pyetje edhe pronarin e dyqanit për konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur.
Në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 23.11.2017, rreth orës 01:05 në fshatin Zezë, Njësia Administrative Nikël i është vendosur një sasi e vogël lënde eksplozive dyqanit ushqimor të shtetasit G. M. 57 vjeç. “Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Minjtë po ikin!

Të parët që e ndjejnë tërmetin janë minjtë. Në rastin konkret minjtë janë pikërisht këta tre ish-drejtuesit e lartë të policisë, të cilët për t’iu fshehur urdhër arrestit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë zhdukur. Një akt burracakësh dhe që është diskretitimi më i madh i një pushteti të shndërruar në organizatë të krimit të organizuar.
Përse do të duhet të largohen këto tre ish-drejtues policie sa kohë ish-ministri i tyre thotë se nuk ka prova për të arrestuar? Përse i fshihen drejtësisë këta kur kanë edhe mbështetjen e shumicës parlamentare, e cila nuk lejon hetimet e plota të Prokurorisë për dosjen Antimafia italiane dhe i jep imunitet Tahirit?
Këta po ikin se po ndiejnë që perandorisë së krimit dhe drogës që kishin në këto katër vjet i ka ardhur fundi. Ndërkombëtarët që deri tani dukej sikur ishin të heshtur në fakt nuk paskan qenë kaq të heshtur sa dukeshin. Ata kanë vepruar përgjatë këtyre muajve dhe viteve për të mbushur një dosje të plotë të pushtetit të kapur në krim dhe për të çuar para drejtësisë të paprekshmit. Pikërisht kur po vjen ora që të paprekshmit të përgjigjen, minjtë po ikin.
Nëse do të kishin qoftë edhe një fije të vetme besimi se do ja hidhnin edhe kësaj here, këta minj ish-drejtorë të lartë në polici do të shkonin vetë në dyert e komisariateve, por ata e kuptojnë se i kanë rënë garantet krimit të tyre, trafikut të drogës dhe armëve.

Si u larguan?

As Jaeld Çela, as Sokol Bode dhe as Gjergji Kohila nuk kanë imunitet si Saimir Tahiri, që të shpëtojnë nga arrestimi. Të tre u zhdukën pa lënë gjurmë për ish-vartësit e tyre. Largimi nuk ka qenë i vështirë për ish-shefat e policisë, që janë shpallur në kërkim për dosjen Habilaj, për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Prokuroria i nxorri urdhër-arrestet që në orët e para të mëngjesit ditën e mërkurë, por lëvizja e policisë u bë gjatë pasdites. Më vonë gjatë mbrëmjes, lajmi për kërkimin e tyre u publikua në media. Rreth orës 18:30 mediat publikuan lajmin për lëshimin e fletë-arresteve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për tre ish-drejorët e Policisë së Shtetit. Në këtë kohë, policia ka nisur të veprojë për arrestimin e tyre, pasi ata ishin larguar.
Pas arratisjes së 3 ish-drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, Ministria e Brendshme nxori një njoftim për mediat. Sipas njoftimit të Xhafajt, një urdhër-ndalimi dhe një vendim gjykate për burg janë dorëzuar në SHÇBA nga prokurorët e Krimeve të Rënda në orën 10:30 minuta të ditës së mërkurë. Prokurorët kishin edhe tre vendime të Gjykatës së Krimeve të Rënda për kontrollin e banesave të ish-zyrtarëve të policisë.
Ministria e Brendshme pranoi se urdhëri i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e tre ish-drejtuesve të policisë ka mbërritur në ministri në zyrën e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në orën 10:30 të datës 22 nëntor. Në datë 22 nëntor 2017, rreth orës 10:30 minuta, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka marrë nga Prokuroria për Krimet e Rënda dy urdhra-ndalimi dhe një vendim të Gjykatës për Krimet e Rënda, për masë sigurie në mungesë “Arrest në burg”. Gjithashtu janë marrë për ekzekutim edhe tre vendime të Gjykatës për Krimet e Rënda për ushtrim kontroll banese, mbi bazën e një procedimi të nisur në vitin 2016 nga Prokuroria për Krimet e Rënda, Tiranë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Por megjithëse urdhër-arrestet e Prokurorisë kanë mbërritur në Ministrinë e Brendshme në orën 10:30 policia është vënë në veprim pas 8 orësh rreth orës 18:30, pasi është bindur se tre të kërkuarit kanë arritur të largohen nga vendi.
Eshtë mëse e qartë se mosveprimi i policisë për të ekzekutuar urdhër-arrestet e Prokurorisë për 3 ish-drejtorët e policisë të përfshirë në trafikun e tonelatave të drogës. Rama urdhëroi arratisjen e zyrtarëve të lartë të policisë për t’u mbyllur gojën. Jo vetëm kupola e policisë, por e gjithë qeveria me Ramën në krye janë të inkriminuar në kanabizimin e vendit dhe trafikun e tonelatave të drogës.

Prokuroria thërret kreun e SHÇKB

Prokuroria për Krimet e Rënda thirri dje në mëngjes drejtorin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit, Eduart Merkaj. Bëhet e ditur se kreu i SHÇKB është thirrur nga prokurorët për mosekzekutimin e urdhër-arresteve për tre ish-zyrtarë të Policisë së Vlorës. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se, ka qenë grupi hetimor që e ka thirrur kreun e SHÇKB dhe i ka kërkuar sqarime mbi arsyet se përse nuk janë ekzekutuar arrestimet. Mësohet se kreu i SHÇKB ka thënë se, po hetohen disa oficerë, pasi ka dyshime se kanë dekonspiruar operacionin për arrestimin e Jaeld Çelës, Sokol Bodes dhe Gjergj Kohilës.
Që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, Prokuroria e Krimeve të Rënda nxori 3 urdhër-arrestet. Duke qenë se bëhej fjalë për zyrtarë të Policisë, urdhër-arrestet u dërguan në Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave.
Drejtuesit e këtij institucioni duket se nuk e kishin ndërmend që t’i ekzekutonin shpejt e shpejt. Duke i njohur të 3 personat që duhej të ishin arrestuar, ata nuk kanë lëvizur deri në mbrëmje. Gjatë kësaj kohe, duket se ka pasur rrjedhje të mjaftueshme informacioneve dhe njoftimin e 3 zyrtarëve të lartë. Ata patën kohë që të arratiseshin, të largoheshin për të humbur gjurmët dhe për të mos u gjetur. Ministria e Brendshme konfirmoi se ndaj tyre rëndojnë akuzat e kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nga kontrolli në banesa dhe ambiente janë sekuestruar prova materiale, të konstatuara si me vlerë për hetimet e mëtejshme dhe i janë dërguar zyrtarisht Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tiranë.

Tjetër ish-drejtor policie shpallet në kërkim

Një emër tjetër në zinxhirin drejtues të policisë, gjatë kohës kur ministër ishte Saimir Tahiri është shpallur në kërkim nga policia pas lëshimit të urdhër-arrestit nga Prokuroria. Bëhet fjalë për Enkelejd Grekun, ish-drejtor i Postës së Selenicës.
Emri i Enkelejd Grekut u denoncua nga Partia Demokratike një vit më parë. PD deklaroi atëherë se rrjeti komandohej nga drejtori i Policisë së Vlorës, Jaerd Çelaj, përmes shefit të Postës së Selenicës, Enkelejd Greku, kunatit të këtij të fundit që administron skafet në Vlorë, Dhimitraq Janku dhe shefit të krimit të organizuar në Vlorë, Gjergji Kohila.

R.POLISI

Oficerët e drogës po fshihen në Shqipëri?

Tre ish-drejtorët Policisë që iu lëshua urdhër-arresti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda fshihen në Shqipëri. Urdhër-arresti ndaj ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-Shefit të Krimit të Organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila dhe ish-Shefit të Kufirit në Dhërmi, Sokol Bode është lëshuar ditën e mërkurë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas mbërritjes së dosjes së dytë nga Prokuroria e Katanias me përgjimet e bandës së Habilajve. Në fakt, hetimet ndaj tre ish-zyrtarëve të lartë të Policisë së Vlorës kishin nisur nga Prokuroria që para një viti dhe u thelluan pas arrestimit të Florian Habilajt në Itali.
Tre oficerët e lartë të policisë të implikuar në trafikun e drogës janë larguar nga Shqipëria disa javë më parë, por edhe rezultojnë, sipas burimeve hetimore të kenë hyrë në Shqipëri pa u regjistruar në sistemin TIMS. Gazetarët në emisionin “Opinion” kanë bërë publik edhe destinacionet e tyre. Një prej të kërkuarve është larguar në drejtim të Italisë, një tjetër në drejtim të Greqisë dhe një tjetër drejt Malit të Zi. Dekonspirimi i dosjes hetimore duket se ka ndodhur javë më parë, që ditën kur u kërkua arrestimi i Tahirit. Më pas ata janë rikthyer në Shqipëri pa u regjistruar në sistemin TIMS. Burimet saktësojnë se të tre oficerët kanë qenë nën vëzhgim deri në momentin kur ka dalë urdhëri për arrestim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda
Pak ditë pasi Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit Tahiri, tre ish-drejtorët Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode janë larguar jashtë shtetit, duke u regjistruar në sistemin TIMS. Bëhet e ditur se ata kanë qëndruar vetëm disa ditë jashtë dhe janë kthyer sërish, por jo në dogana, por në kufirin e gjelbër. Kjo manovër është përdorur nga ata për të përgatitur arratisjen, nëse Prokuroria do të kërkonte arrestimin e tyre. Tashmë që u lëshuan fletë-arrestet ata po qëndrojnë të fshehur për t’u arratisur jashtë shtetit dhe më pas të deklarojnë se kanë qenë jashtë shtetit para se Prokuroria të lëshontë urdhër-arrestet. Dhe për këtë qëllim nuk janë regjistruar në sistemin TIMS kur janë kthyer nga jashtë.

Pse nuk u lëshuan më herët fletë-arrestet

Gazetarja Klodiana Lala tha se fletë-arrestet ndaj 3 ish-zyrtarëve të lartë të policisë, u lëshuan këto ditët e fundit, pasi tashmë prokurorët e Krimeve të Rënda kanë në duart e tyre dosjen e plotë të Katanias me përgjimet e Habilajve. Në emisionin “Të Paekspozuarit” në “News24”, gazetarja tha se ata akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike.
“Prokuroria e Krimeve të Rënda, vendosi t’i drejtohet Gjykatës për masë sigurie, në momentin që mori në dorë dosjen e dytë që erdhi nga Katania. Këta zyrtarë dalin të implikuar në këtë dosje. Së dyti, ka pasur një hetim në maj-prill të 2016-ës, dhe ka nisur një hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda”, u shpreh Lala.
Gazetarja e kronikës deklaroi gjithashtu, se edhe SHISH ka raportuar për këta 3 ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. “Gjithashtu ka pasur edhe më herët raporte nga Shërbimi Informativ, mbi një informacion që ka ardhur dhe është nisur një hetim në Vlorë, për kultivim të lëndëve narkotikeve. Bëhej fjalë për sasinë e 26 tonëve në ato kohë, ku u përgjua oficeri Renato Avdulaj, si i dyshuar për lidhje me një grup kriminal. Në kuadër të këtyre hetimeve, ka prova konkrete që sipas Prokurorisë janë përfshirë me Habilajt”, shtoi më tej gazetarja.

Ish-drejtorët kishin të fshehura në shtëpi mbi 5 milionë euro

Tre ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, të shpallur në kërkim për lidhje me organizatat kriminale të trafikut të drogës, kishin në shtëpi mbi 5 milionë euro të fshehura. Gazetari Basir Çollaku deklaroi mbrëmë në studion e emisionit ‘Opinion’, se ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode të shpallur në kërkim nga policia, kishin të fshehura mbi 5 milionë euro në shtëpi.

Loja me peshq e me sorra mbaroi!

Ylli MANJANI

Një vit e gjysëm pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, shteti (sistemi i drejtësisë) është në kolaps! Gjykatat e Larta janë jashtë funksionit, gjykatat e zakonshme krejt jashtë kontrollit, Prokuroria e decentralizuar tashmë të kujton sistemin e hozrashotit rus; Inspektimi nuk ekziston fare; numri i çështjeve të pagjykuara është i madh dhe vetëm rritet.
Njerëzit nuk dinë ku të përplasin kokën!
Askush nuk e di nga ta kapë! Kushtetuta, veçanërisht nenet tranzitore të saj, hynë e dolën nga fuqia pa u zbatuar thuajse fare. Ligjet e vjetra dhe ato të rejat janë pjesërisht në fuqi dhe përplasen me njëra-tjetrën. Kaos spektakolar! Përgjegjësi nuk mban askush. Reformë e shkuar reformës!
Për pak ditë, nëse mandati i Prokurorit të Përgjithshëm nuk mbaron parakohe, edhe Prokuroria mbetet pa drejtim. Ky është një prej boshllëqeve më të dukshme që prodhon reforma e miratuar në letër, por e pazbatuar. Mos krijimi ende i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) bllokon të gjithë skemën e emërimit të prokurorit të ri. Prokurorit aktual i mbaron mandati më 3 dhjetor.
Ndërkohë, nuk ka një zëvendës Prokuror të Përgjithshëm, sepse procesin e zgjedhjes së tij e ndaluan të gjithë (ambasadorët më së shumti) para disa muajsh.
EURALIUS dhe OPDAT, nxituan të bëjnë një interpretim të tyrin, në injorim të Kushtetutës dhe jo krejtësisht në përputhje me ligjin e ri për Prokurorinë. Se përse e bënë këtë e dinë ata, por qartësisht kjo logjikë e tyre shkon për shtat me logjikën e qeverisë që kërkon të zgjedhë fët e fët një prokuror të sajin, qoftë dhe të përkohshëm. Në fakt tani ka “halle” qeveria më vonë do kenë marrë një drejtim…
Sidoqoftë, leximi i kujdesshëm i nenit 109.2 të Ligjit për Prokurorinë, (nen tranzitor ky) kuptohet qartë se me datë 3 dhjetor Prokuroria Shqiptare mbetet pa drejtues! Në këtë pikë jam dakord me mendimin e Artan Hoxhës. Pra, nëse Adriatik Llalla nuk ikën para datës 3, Prokuroria mbetet pa drejtues.
Ky është interpretimi gjuhësor, logjik dhe kronologjik i nenit 109.2 i parë edhe në harmoni me Kushtetutën dhe me të gjithë nenet e ligjit në fjalë.
Boshllëk e shkuar boshllëkut!
“Republika e Ekspertëve” nuk ka asnjë fjalë për këtë fakt të rëndë! Ska se si të ketë! Kjo Republikë punon me ditë pune, të paguara mirë madje. Nuk i kërcet shumë se çndodh me shtetin. E rëndësishme për ta është të sigurohet financimi për projektin e radhës…
Ndërkohë “Republika e Diplomatëve” po eksploron për punën e radhës, në karrierat Personale… Loja me peshq e me sorra mbaroi!
Politika përpiqet ta zgjidhë boshllëkun, por në mënyrën e saj. Qeveria thotë caktojmë një të përkohshëm me shumicë të thjeshtë. Opozita, ndonëse jo shumë e qartë në deklarim publik, do të kërkojë garancitë e një procesi Kushtetutës.
Në këto kushte zgjidhjet që kërkohen janë jashtë logjikës së ligjeve të shkruara. Jashtë kësaj kornize me shumë gjasë do të fitojë “i forti”.
Pra peshku i madh që nuk kapet, sepse qeveris!
I forti mund të zgjedhë një prokuror që do, nën përkufizimin “i përkohshëm”. Por mund të bëjë edhe kompromis me këtë që është, megjithë sherret e brendshme që mund të këtë qeveria nëse zgjidhet ky opsion… Teorikisht të dyja janë të mundshme. Kapelja ligjore i vihet cilësdo zgjidhje, përsa kohë që Kushtetuta dhe ligji kanë dalë nga loja.
E përsëris ky arsyetim vlen pas datës 3 dhjetor.
Ndërkohë insistoj: cilado qoftë zgjidhja që eksplorohet apo do përdoret, Prokurori i Përgjithshëm (i përkohshëm ose jo) duhet të zgjidhet apo të caktohet, vetëm me të paktën 3/5 e votave të Kuvendit. Kjo shumicë do të kërkohet për plotësim vendi vakant në çdo kohë që mund të ndodhë!
Kjo kërkesë do ta mbyllte disi kontestin politik dhe do ta afronte zgjidhjen e përdorur me Kushtetutën dhe me Ligjin.
Zgjidhjet e tjera janë vetëm për “peshqit e mëdhenj”….