39.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Askush të mos dalë mbi ligjin

Shtetet e Bashkuara po lëshojnë mesazhe të qarta të braktisjes së qeverisë Rama e lidhur me krimin e organizuar, veçanërisht pas votimit të së mërkurës, kur PS refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e Saimir Tahirit.
“Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them, nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të Shoqërisë Civile, ju si të rinj, ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, tha Ambasadori Lu.

Rama ofendon Përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara në OSBE: Ku punon ky?

Kryeministri Edi Rama duket se është vënë në një pozitë të vështirë nga deklaratat e të ngarkuarit me punë të SHBA-së në OSBE, Harry Kamian, sipas të cilit krimi dhe korrupsioni pengojnë zhvillimin e Shqipërisë.
“Një ish-ministër i brendshëm, i cili tani është anëtar i Parlamentit, është implikuar në Itali për mbështetjen e trafikantëve të drogës”, tha i ngarkuari me punë i SHBA në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë.
I pyetur në studion e Oraneës në lidhje me deklaratat, Rama u përgjigj : “ku punon Harry Kamian, pyeteni atë për çka ka deklaruar”.
Në vijim Rama shtoi “nuk ka asnjë gënjeshtër, as konspiracion, nuk është as i pari dhe as i fundit që i thotë këto gjëra. Ky është një qëndrim i dikujt në OSBE dhe kaq”.

Ambasadorja e Holandës kritika për Reformën në Drejtësi

Ambasadorja e Holandës në Tiranë, Dewi van de Weerd, deklaroi mungesën e vullnetit për Reformën në Drejtësi.
“Ne kemi arritur shumë sa i përket legjislacionit, por jemi në fazën kur zbatimi i reformës ka nisur. Shoqëria Civile ka një rol të rëndësishëm në ngritjen e institucioneve të drejtësisë dhe një nga proçeset e vonuara është moszgjedhja e kandidatëve që vijnë nga Shoqëria Civile, arsyet mund të jenë të ndryshme, por për popullin shqiptar që beson në reformë duket si një mungesë vullneti për ta çuar procesin përpara.
Ku ka vullnet ka gjithmonë një zgjidhje dhe ne po flasim për një proces që po rihapet për herë të katërt sa i përket kandidatëve për KLP. Ne i duam këto organe për të shkuar më tej dhe për të thyer ngërçin aktual”, tha ambasadorja.

Çollaku: Zëvendësimi i palmave me pisha, aferë korruptive prej 2.5 milionë euro

Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet kreut të këshilltarëve të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Kreshnik Çollaku, i cili theksoi se 2.5 milionë euro nga taksat e qytetarëve të Tiranës për të shkulur palma e për të ngulur pisha është abuzim që ndodh me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe të Tiranës, që vetëm para disa javësh u ngarkuan me një taksë të re për ujin, që do e paguajë çdo qytetar i Tiranës. “Siç e keni ndjekur sot gjatë ditës, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, këshilltarët e Partisë Demokratike kanë qenë pjesë e debateve konstruktive për çështjet e parashikuara në rendin e ditës. Kemi dhënë argumenta, kritikat dhe oponencën, por edhe mbështetjen në ato që na janë dukur racionale dhe në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Në mënyrë të papritur, jashtë çdo lloj procedure të mbledhjes, jashtë çdo lloj detyrimi të rregullores, nga grupi i mazhorancës është tentuar të imponohej dy vendime për t’u diskutuar në mbledhjen e Këshillit, për të cilat në dijeni janë vetëm krerët e grupit të mazhorancës. Asnjë komisioni nuk i ka trajtuar projektvendimet dhe nuk janë mbledhur. Asnjë këshilltar, jo vetëm të opozitës, por edhe një pjesë e mirë e mazhorancës nuk ishin në dijeni të këtyre projektvendimeve dhe për këtë shkak po tentohet me forcën e kartonave në mënyrë abuzive që ato të kalojnë në mënyrë të dhunshme, duke thyer çdo etikë, çdo kod, çdo respekt të mandatit të këshilltarëve, çdo procedurë të ndjekur deri më sot. Një nga këto projektvendime është aferë e pastër, një shërbim dhe favorizim që i bëhet një biznesi taksish në kryeqytet në kundërshtim dhe në dhunim me normat normale të konkurencës dhe respektit të bizneseve të tjera. Për më tepër në dhunim flagrant të institucionit të Këshillit Bashkiak, pa dijeninë e këshilltarëve, në mënyrë klandestine dhe ky proces po ndodh në mënyrë falso dhe fasadë në këto momente në Këshill. Në këtë situatë, ne kemi vendosur të mos jemi fasadë e kësaj historie të shëmtuar, abuzive dhe të këtij monopoli që duan të krijojnë për interesa oligarkësh të caktuar e interesash private që do t’i zbardhim në ditët në vijim. Gjithashtu pjesë e vendimeve të shëmtuara e të turpshme që ky Këshill Bashkiak i dominuar dhe në dhunën e kartonave socialistë, është edhe një aferë e pastër korrupsioni, një aferë e rëndë për xhepat e qytetarëve, është historia e palmave. Palmat e nglura në mënyrë të marrë nga kjo mazhorancë përgjatë autostradës me një kosto të jashtëzakonshme për xhepat e qytetarëve, sepse qytetarët e Tiranës duhet të dinë se kosto e një palme ka qenë mbi 5 mijë euro, dhe duke qenë se palmat u thanë dhe kjo marrëzi u diskretitua në mënyrë publike, duket se mekanizmi i korrupsionit dhe aferave kërkon një karburant tjetër. Dhe karburanti tjetër e kanë gjetur. Kanë vendosur të shkulin palmat e të ngulin pishat. Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se kostoja e një pishe që duan të mbjellin me këto vendime të turpshme që po marrin në atë sallë, është 5 milionë lekë të vjetra. Vetëm një pishë kushton 5 milionë lekë. Imagjinoni se sa vakte ushqimore për fëmijët, sa shkolla do të ishin ndërtuar apo rehabilituar në rast se këtyre oligarkëve dhe këtyre njerëzve totalisht pa asnjë lloj shenje përgjegjesie në interes të qytetarëve, nuk do t’i kishin rezistuar tundimit për të vjedhur e grabitur. Vendimi që po marrin është një absurditet i radhës. Harxhohen 2.5 milionë euro nga taksat e qytetarëve të Tiranës për të shkulur palma e për të ngulur pisha. Është e turpshme, komike dhe tragjike, duke menduar që ky abuzim ndodh me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe të Tiranës që vetëm para disa javësh u ngarkuan me një taksë të re për ujin, që do e paguajë çdo qytetar i Tiranës. Justifikimi për taksën e ujit ishte se nuk na dalin fondet që të bëjmë rehabilitim në rrjet, ndërkohë që harxhohen 2.5 milionë euro për të ngulur pisha të cilat me projektin e zgjerimit të autostradës, për një vit apo dy do të hiqen prap. Pra është një abuzim i turpshëm dhe i pamerituar për logjikën e qytetarisë në këtë kryeqytet, pavarësisht bindjeve politike. Këshilltarët e PD nuk mund të bëhen pjesë e kësaj fasade, nuk mund të bëhen pjesë e këtij krimi që po u bëhet qytetarëve të Tiranës, ndaj ne sot kemi refuzuar këtë teatër të shëmtuar, sepse në fund të fundit siç thuhet në fjalët e urta; turpin çdo njeri e ka për vete. Këta njerëz që abuzojnë me mandatin dhe besimin e qytetarëve të Tiranës dhe votuesit e tyre në mos paçin turp nga qytetarët e Shqipërisë, të kenë turp para atyre njerëzve që i kanë votuar dhe besuar dhe sot detyrohen të paguajnë tekat e tyre, korrupsionin e tyre me taksa të shtrenja, të cilat çdo familje e Tiranës do të fillojë t’i provojë në kurriz. Beteja jonë do të vazhdojë, do të denoncojmë, do të monitorojmë, por ne nuk mund të bëhemi as fasadë dhe as makiazh i kësaj historie të turpshme e mafioze, ku vetëm mëndje të mbrapshta mund të provojnë historira të tilla të abuzimit flagrant me fondet dhe me mundimin e qytetarëve”, tha Çollaku.

Si Tahiri i bënte shëtitje zv/ministres së Brendshme me audin që u kishte shitur Habilajve

Zbulohen të tjera detaje nga lidhja e ish-zëvendësministres së Brendshme Elona Gjebrea me çështjen “Hajbilaj. Deputetja e Partisë Socialiste pritet te pyetet nga Prokuroria për një episod të ndodhur në 8 gusht të vitit 2014 kur ajo ka udhëtuar bashkë me shefin e saj të asaj kohe, ministrin Saimir Tahiri me makinën Audi A8 me targe AA 003 GB që ai ua kishte shitur Habilajve, por figuronte ende në emër të tij.
Sipas një kronike të transmetuar nga Tv Klan që citon burime në prokurorinë e Krimeve të Rënda, Gjebrea ka udhëtuar në atë kohë nga porti Sarandës për në Greqi bashkë me Saimir Tahirin. 6 ditë më pas (14 gusht 2014) po nga Saranda niset me makinën Audi A8 drejt Greqisë Artan Habilaj.
Sipas dosjes që gjendet në Prokurori, më 16 gusht Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea, kthehen në Shqipëri nga Greqia, po nëpërmjet Sarandës, me Audin me targe AA 003 GB. Po në të njëjtën ditë me traget kthehet nga Greqia edhe Artan Habilaj. Sipas të njëjtave burime Gjebrea është pyetur për këtë episod dhe nëse e njihte Artan Habilajn apo nëse ishte takuar me të.
Ne kërkesën për arrestimin e Saimir Tahirit, prokuroria shkruante se Tahiri kishte udhëtuar 4 herë me makinën e tij pasi ua kishte shitur Habilajve, por ish-ministri deklaroi se kjo kishte ndodhur vetëm një here kur kishte shkuar me pushime me familjen. Burime të lapsi.al thanë se Gjebrea është pyetur nga prokurorët për këtë çështje, por ajo publikisht e ka mohuar këtë fakt. LAPSI.al

Islami: Letra e Kamian, qendrim i Uashingtonit

Ish-deputeti demokrat, Katriot Islami ka thënë se qëndrimi i mbajtur nga diplomati amerikan në OSBE është një qëndrim i Uashingtonit dhe jo një qëndrim personal.
“Ai ka lexuar një qëndrim të SHBA, i cili është përpunuar. Në rastin konkret mesazhi i tij ka disa piketa shumë të forta, së pari, në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve ku janë evidentuar blerja e votës dhe kërcënimi i votuesve. Momenti i dytë është lidhja e kësaj qeverie me korrupsionin dhe krimin. Sfidat kryesore kanë të bëjnë me çështje që peshojnë rëndë me situatën në Shqipëri, krimin dhe korrupsionin. Mesa duket SHBA e ndjekin çështjen Tahiri nga shumë afër dhe mesa duket kanë bindjen se Tahiri është i implikuar”, ka thënë Islami për Syri.net.

Kryemadhi: Rama po fsheh kryepolicët e drogës

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama se po fsheh të kërkuarit nga drejtësia. Gjatë një konference, kryetarja e LSI-së tha se, Rama dhe bashkëpunëtori i tij siç e quan ajo, Saimir Tahirin, pengojnë arrestimin e vëllezërve Habilaj. Kjo bëhet sipas saj, për shkak se ata mund të flasin. “Urdhërarrestet për 3 ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit janë faktet më të fundit alarmante për të treguar që rendi nuk ekziston më në Shqipëri. Përfshirja në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike të kupolës së Policisë së Shtetit vërteton edhe njëherë akuzat tona dhe të një pjese të medias, se Narkoshteti nuk ka ndaluar aktivitetin e tij. Përkundrazi me fshehjen që po u bën 3 të akuzuarve të drejtësisë po vërteton përpara shqiptarëve se vijon të jetë pjesë e banditizmit të Habiljave apo të bandave të tjera që kanë në pronësi drogën në Shqipëri. Ky veprim i sotëm është në vazhdim të mbrojtjes së bandave të drogës dhe tregon edhe njëherë, se sot e kësaj dite nuk janë ndaluar nga policia 2 vëllezërit Habilaj, të cilët janë në kërkim. Askush më mirë se sa Edi Rama nuk e di se ku fshihen të kërkuarit e Drejtësisë. Ai së bashku me mikun e tij dhe bashkëpunëtorin e tij Saimir Tahiri, janë në dijeni të çdo lëvizje të tyre dhe janë në dispozicion të fshehjes së tyre. Kjo për faktin e thjesht se kanë frikë, se nëse dikush nga ata flet, flet për çorbën që zien në kazanin e krimit, e cila do të nxjerrë në krye të saj emrin e Edi Ramës, njeriu që mban përgjegjësinë kryesore për kanabizimin dhe banditizmin e qeverisjes në Shqipëri. Njeriu që sot ka frikë më shumë se 3 policët e akuzuar për trafik, por edhe më shumë se sa vetë Haki Çako apo drejtues të tjerë të policisë që janë njësoj të implikuar në trafikimin dhe bashkëpunimin me bandat kriminale, me të njëjtat banda që garantuan fitoren me votat e blera, me paratë e krimit, të njëjtat banda që i japin sot garancinë Edi Ramës se do të vijojë të drejtojë Shqipërinë”, tha ajo. Në fund të fjalës së saj Kryemadhi tha se, fronti opozitar është i vendosur për ta larguar nga pushteti Edi Ramën, ndërsa përshëndeti deklaratën e ambasadorit të SHBA-së në OSBE, i cili foli në mënyrë të drejtpërdrejtë për kriminalizimin e vendit. “Ndaj sot më shumë se kurrë, fronti ynë opozitar kundër krimit të organizuar dhe mafies që mban peng pushtetin e blerë me votat e drogës duhet të bashkojmë forcat dhe të shporrim njëherë e mirë nga pushteti këtë lloj politikani që është përlyer në pazare dhe trafiqe me banditë. Sot, Edi Rama dhe oborri i tij heshtin për skandalin e radhës, hesht ish-ministri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por ta kenë të qartë se heshtja e tyre nuk do t’i shpëtojë dot as nga fajësia dhe përgjegjësia që kanë për katastrofën ku po çojnë Shqipërinë. Sot dua të përshëndes deklaratën e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE për gjuhën e tij të drejtpërdrejtë në këtë situatë, për të cilën ndodhet Shqipëria. LSI ka të njëjtin qëndrim të palëkundur se, korrupsioni dhe kriminaliteti ngelen pengesat më të mëdha për zhvillimin e Shqipërisë. Kjo deklaratë, e cila flet me emra të përveçëm dhe vendos gishtin mbi plagë është e kundërta e gjuhës së rrumbullakosur që kemi dëgjuar rëndom për këtë situatë kritike, ku krimi dhe droga janë ulur këmbëkryq në qeverisjen e Rilindjes”.

Pse hesht Rama për faturën 2 miliardë euro që ka në tavolinë?

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, me anë të një statusi në “Facebook” i bën thirrje kryeministrit Rama të flasë për skandalin e 2 miliardë eurove të zhdukura. Sipas Vasilit, frika e Ramës qendron në faktin se ky skandal mund ta rrëzojë nga pushteti për 24 orë, dhe kjo e bën të heshtë për atë që Avokatura e Shtetit ia ka vënë në tavolinë. “Kryeministër boll u trembe, fol për 2 miliardë eurot, kursejua shqiptarëve një ’97 të dytë! – shkruan Vasili në Fb. – Skandali i 2 miliardë eurove është më i rëndi, që mund të imagjinohet. Kryeministri e ka prej kohësh në tavolinë. Kryeministri nuk flet nga frika e madhe për pushtetin e tij, sepse e di mirë që ky skandal i 2 miliardë eurove e rrëzon për 24 orë. Ai është përgjegjës direkt për disa nga këto gjyqe, pasi i ka frymëzuar e mbështetur personalisht veprimet antiligjore dhe për dëmin kolosal financiar që ka ardhur prej këtyre veprimeve. Skandalin nuk e ka zbuluar opozita, por Avokatura e Shtetit, e cila e ngriti me shumë të drejtë dhe përgjegjshmëri këtë aferë gjigante.
Humbja e 2 miliardë eurove është një tragjedi me dimensione politiko-shoqërore të ngjashme me tragjedinë e vitit ‘97. Kryeministri lodhet kot duke u fshehur. Të gjithë e dinë që kur të ndodhë kjo tragjedi, kryeministri do të ikë duke i lënë pas zjarrin Shqipërisë, njëlloj si ata që në ’97, pasi i vunë zjarrin ikën nga vendi.
Shqipëria dhe shqiptarët lënguan për vite të tëra pasojat e ‘97. Ndaj kryeministri nuk ka asnjë të drejtë që të heshtë më, sepse Shqipëria nuk është pronë e tij. Kryeministër kurseja Shqipërisë një ‘97 të dytë”.

Meta rikthen në Kuvend ligjin e ri për tarifat e gjykatave

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin e tarifave gjyqësore. Ligji i ri për tarifat gjyqësore parashikon një reformim të skemës së tarifave të shërbimit gjyqësor. Ndër të tjera, ligji parashikon që për gjykimin e kërkesave civile, administrative dhe penale të vendosen dy tarifa fikse prej 2.500 (dymijë e pesëqind) lekësh dhe prej 5.000 (pesëmijë) lekësh për çështje të caktuara, raporton portali SCAN. Por edhe pse vendosen tarifa fikse, ligji parashikon që duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, ato do të pësojnë rritje progresive me 500 lekë çdo vit.
Nga shuma e përgjithshme e arkëtuar për tarifat gjyqësore, 10% do t’i kalojnë buxhetit gjyqësor, ndërsa pjesa tjetër shkon në arkën e shtetit.

SHBA flet troç: Tahiri i implikuar në trafikun e drogës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një deklaratë të fortë kundrejt qeverisë Rama teksa kanë cituar përfshirjen e drejtpërdrejtë të ish-ministrit Saimir Tahiri në trafikun e drogës si dhe hetimet e hapura nga drejtësia italiane. Ambasadori i SHBA në këshillin e përhershëm të OSBE, Harry Kamian, i ka shkruar një përgjigje kreut të prezencës së Misionit të OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, ku ngre shqetësimin serioz mbi situatën në Shqipëri në lidhje me krimin dhe trafikun e drogës. Ndërsa përmend rastin Tahiri dhe pranon implikimin e tij me trafikun e drogës referuar dosjes së Habilajve, zyrtari i lartë amerikan kërkon mbështetjen dhe monitorimin nga ana e Misionit të OSBE në Tiranë të ngjarjes në fjalë. Sipas ambasadorit amerikan në Vjenë, Harry Kamian, referuar këtyre çështjeve dhe problemeve të tjera, koordinimi midis aktorëve ndërkombëtarë do të vazhdojë të jetë një nga çelësat e suksesit”. Ambasadori Kamian në emër të SHBA ka falënderuar ambasadorin e OSBE në Tiranë, për punën e madhe dhe për qasjen bashkëpunuese të misionit për të ndihmuar Shqipërinë të ecë përpara në rrugën e saj demokratike dhe euroatlantike. Deri tani asnjë ambasador nuk ka folur në lidhje me dosjen hetimore për ish-ministrin Tahiri dhe pothuajse të gjithë kanë deklaruar e për këtë çështje po heton drejtësia shqiptare. Është hera e parë që një ambasador shprehet kaq qartë për procesin hetimor të ish-ministrit. Teksa vlerëson raportin e OSBE-së për zgjedhjet në Shqipëri, ambasadori amerikan pranë zyrave qendrore të OSBE-së në kryeqytetin austriak, thekson se SHBA-të mbështesin takimin e parë të Komisionit Ad Hoc për Reformën Zgjedhore në Shqipëri.

Letra e plotë e ambasadorit Harry Kamian

Shtetet e Bashkuara përshëndesin ngrohtësisht ambasadorin Borchardt në Këshillin e Përhershëm. Tani në vitin e saj të njëzetë, prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka dhënë një ndihmë të konsiderueshme në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe reformimit të gjyqësorit.
Ambasador, ne përshëndesim veçanërisht qasjen bashkëpunuese që ka marrë misioni juaj kundrejt qeverisë shqiptare, Shoqërisë Civile dhe sektorit privat, dhe e vlerësojmë shumë raportin e detajuar që sapo keni dhënë. Në kohën time relativisht të shkurtër këtu, unë vlerësova veçanërisht nivelin e projekteve konkrete, si dhe mënyrën në të cilën po angazhoheni me Shoqërinë Civile. Pra, faleminderit shumë për këtë raport të hollësishëm.
Ambasador, vëmë re punën e rëndësishme të stafit tuaj, me mbështetjen e vëzhguesve të zgjedhjeve të ODIHR-it, për të ndihmuar Shqipërinë me zgjedhjet parlamentare në qershor. Në raportin e tij fillestar, ODIHR-i konstatoi se kandidatët kishin një fushatë të lirë dhe liritë themelore u respektuan. Këto rezultate vërtet shënojnë një përparim të rëndësishëm. Megjithatë, ODIHR raportoi gjithashtu se, Shqipëria nuk arriti të adresojë shumë nga rekomandimet e ODIHR dhe Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës nga viti 2013 dhe 2015, duke përfshirë nevojën për depolitizimin e aspekteve kyçe të administratës zgjedhore. Përveç kësaj, ODIHR raportoi se besimi i publikut në procesin zgjedhor mbetet i ulët. Rrjedhimisht, Shtetet e Bashkuara përshëndetën mbledhjen e parë të Komitetit Ad Hoc të Reformës Zgjedhore të Shqipërisë më 10 nëntor. Zoti ambasador, unë e mirëpres përkushtimin tuaj që ju paraqitni në deklaratën tuaj për të punuar ngushtë me ODIHR. Ne inkurajojmë komitetin që të ndërmarrë hapa realë, në koordinim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, për të zbatuar rekomandimet e ODIHR dhe të Komisionit të Venecias.
OSBE po mbështet gjithashtu përpjekjet e Shqipërisë për të zhvilluar Sistemin e Kontrollit të Pasagjerëve (API). Përdorimi i të dhënave të AIP në kontrollin e udhëtarëve është një element kyç i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara KSKB 2178, i cili kërkon të përmirësojë përpjekjet globale për të penguar udhëtarët terroristë. Në mbështetje të këtij qëllimi, OSBE-ja sponsorizoi një seminar kombëtar dhe ndihmoi Shqipërinë në zhvillimin e një guide. Ky punim konstruktiv plotëson edhe ndihmën dypalëshe të SHBA-ve, e fokusuar në zgjerimin e përdorimit, analizës dhe ndarjes së të dhënave të udhëtarëve në portat e hyrjes. Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për të integruar përdorimin e të dhënave të regjistrit të pasagjerëve (PNR) në kontrollin e udhëtarëve. Kur të vihet në përdorim API, ne besojmë se PNR-ja mund të ndihmojë zyrtarët e sigurisë të luftojnë kundër “udhëtimeve të rrezikshme” dhe/ose të identifikojnë udhëtarët me rrezik të lartë. Ne ju inkurajojmë ju dhe misionin tuaj për të vazhduar punën me qeverinë shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë në këtë fushë. Përmirësimi i shqyrtimit të kufijve do të forcojë sigurinë në Shqipëri dhe në rajon, veçanërisht pasi OSBE ndihmon qeverinë pritëse të zhvillojë legjislacionin përkatës për të mbështetur këtë nismë.
Ambasador, ju vutë në dukje në deklaratën tuaj se ju dhe misioni juaj vazhdoni t’i jepni përparësi punës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, dhe ne i mbështesim këto përpjekje. Ne gjithashtu e vlerësojmë përpjekjen tuaj për të bashkuar liderët fetarë dhe lokalë për të sfiduar radikalizimin në nivel komuniteti gjatë konferencës “Bashkë kundër ekstremizmit të dhunshëm”. Misioni juaj ka qenë gjithashtu frytdhënës në hartimin e Planit Kombëtar të Luftës së Shqipërisë kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit për periudhën 2017 deri në vitin 2020. Ne duam gatishmërinë tuaj për të trajtuar disa nga sfidat më urgjente dhe të nivelit të lartë të Shqipërisë dhe rajonit. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të krijojnë një koordinim edhe më të ngushtë me zyrën tuaj në ndjekjen e qëllimeve të përbashkëta për të ndërtuar kapacitetin e Shqipërisë në këto fusha të rëndësishme.
Ambasadori, si ju, edhe ne e pranojmë se mbetet shumë punë për t’u bërë. Korrupsioni dhe kriminaliteti në të vërtetë mbeten pengesa për prosperitetin në Shqipëri. Prokuroria e Tiranës po heton aktualisht më shumë se 3,000 raste të punësimit dhe shkarkimit gjatë periudhës së fushatës zgjedhore 2017, një shqetësim që është ngritur edhe nga ODIHR. Në një rast të tillë, një ish-ministër i Brendshëm, i cili tani është anëtar i Parlamentit, është implikuar në Itali për mbështetjen e trafikantëve të drogës. Zoti ambasador, duke iu drejtuar këtyre dhe problemeve të tjera, koordinimi midis aktorëve ndërkombëtarë do të vazhdojë të jetë një nga çelësat e suksesit.
Si përfundim, Shtetet e Bashkuara edhe një herë ju falënderojnë për punën e madhe dhe për qasjen bashkëpunuese të misionit tuaj për të ndihmuar Shqipërinë të ecë përpara në rrugën e saj demokratike dhe euroatlantike. Urime përsëri për praninë e OSBE-së në Shqipëri për vitin e tij të njëzetë të ndihmës dhe ne presim me padurim të dëgjojmë për më shumë suksese në vitin e ardhshëm.