32.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Policia, organizatë kriminale Basha paralajmëron Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi Ramën dje se, dita kur ai do të përgjigjet para drejtësisë për lidhjet e tij me krimin e drogës është shumë pranë. Në një konferencë të posaçme për shtyp nga selia e PD, Basha reagoi ashpër dje për urdhërarrestet e Prokurorisë për arrestimin e tre ish-drejtorëve të policisë, të lidhur me Tahirin në kohën që ai drejtonte Ministrinë e Brendshme.
Basha i cilësoi urdhërarrestet e Prokurorisë si dëshmi e lidhjeve të Ramës me trafikun e drogës dhe faktin se si qeveria në gjithë këto vite ka funksionuar si organizatë e mirëfilltë kriminale.
“Ngjarjet e 24 orëve të fundit treguan qartë për të gjithë botën, se Policia ka funksionuar si një organizatë kriminale e strukturuar, me hierarki të përcaktuar, nga koka e saj Saimir Tahiri tek drejtorët e Policisë së rretheve dhe shefat e Antidrogës e të terrenit.
Edi Rama ka lejuar dhe bekuar me vetëdije të gjithë aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës dhe të kriminalizimit të plotë të policisë. Me autoritetin e Kryeministrit, ai ka ofruar mbështetjen e pushtetit për këtë aktivitet kriminal, duke e kthyer Shqipërinë në zonë të lirë për krimin.
Për tre vite me rradhë, Edi Rama ndërrmori një fushatë masive gënjeshtrash dhe manipulimi të opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar për të mbuluar të vërtetën e krimit dhe për t’i dhënë krimit gjithë qetësinë dhe hapësirën e nevojshme për të lulëzuar”, u shpreh Basha.
“E gjithë kjo organizatë shtetërore kriminale, bandat që ajo kontrollonte dhe paratë e drogës u përdorën nga Edi Rama për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe ruajtjen e pushtetit të tij.
Krimi i organizuar është sot një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare të Shqipërisë, si dhe rrezikon të sjellë destabilizimin e thellë politik, shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Lufta kundër krimit, duke filluar nga dekriminalizimi dhe pastrimi total i qeverisë, policisë dhe i gjithë strukturave të shtetit nga kriminelët dhe individët e kriminalizuar, është sot prioriteti kryesor kombëtar”, tha Basha.
Kreu i PD deklaroi se, “Hapi i parë është largimi i Edi Ramës nga drejtimi i vendit. Çdo ditë që kalon konfirmon se ai është pengesa kryesore për drejtësinë dhe luftën kundër krimit në Shqipëri. Qëllimi i tij i vetëm, sot është mbajtja e pushtetit me çdo kusht”.
Strategjia e tij për të mbajtur pushtetin ka tre elementë kryesorë:
Së pari, Basha deklaroi se “mbrojtja politike dhe shmangia nga drejtësia të gjithë bashkëpunëtorëve të tij të përfshirë direkt në aktivitete kriminale, nga Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini deri tek kokat e policisë.
Liria e Saimir Tahirit, dekonspirimi nga vetë Ministria e Brendshme i aksionit të djeshëm për arrestimin e kokave të policisë janë aktet dhe provat që konfirmojnë këtë fakt”.
“Fakti që ministër i Brendshëm është vëllai i Agron Xhafajt, një prej kokave kryesore të trafikut të drogës në vend, dëshmon se politikisht Edi Rama është në mbrojtje të krimit”, u shpreh kreu i PD.
“Elementi i dytë, theksoi Basha, është kapja e sistemit të drejtësisë, veçanërisht e organeve të hetimit dhe të Prokurorisë, me qëllimin për të garantuar se nën kontrollin e Ramës këto organe nuk do të nxjerrin para drejtësisë kokat e mëdha të krimit dhe do të mbyllin të gjitha hetimet që rrezikojnë Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Agron Xhafajn, Habilajt, grupin e heroinës së Elbasanit, e dhjetëra raste të tjera”.
Ndërsa elementi i tretë, citoi kreu i PD është manipulimi i opinionit publik vendas dhe të huaj me të njëjtën metodë që ai arriti të mbulojë dhe fshehë trafikun masiv të drogës dhe krimin në Shqipëri për katër vite.
Basha deklaroi se gjithë zhvillimet e fundit janë një paralajmërim i fortë për fundin e shpejtë të Ramës.
“Banalizo gjendjen e krimit, banalizo të vërtetën, sulmo median, sulmo opozitën, përdor mercenarë shqiptarë dhe të huaj për të shtrëmbëruar të vërtetën.
Por këmbanat po bien për Edi Ramën. Ai e di se po i vjen fundi dhe po bën gjithçka për të vendosur nën kontrollin e tij të plotë edhe sistemin e ri të drejtësisë. Me një prokurori dhe drejtësi të pavarur, Edi Rama e di se nuk shpëton dot dhe se dita kur do të japë llogari para drejtësisë është vetëm çështje kohe.

Nuk do të lejojmë një Kryeprokuror për Ramën

Partia Demokratike nuk do të lejojë kapjen e Prokurorisë së Përgjithshme nga Rama.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me çështjen e emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm, kreu i PD, Basha deklaroi se PD do të përdorë të gjitha format dhe mjetet që të mos lejojë Ramën në emërimin e një kryeprokurori antikushtetues dhe të kapur me qëllim mbylljen e dosjeve që çojnë atë pas hekurave.

– Por zoti Basha, mazhoranca ka vendosur që të zgjedhë një prokuror tjetër, pasi Adriatik Llallës i përfundon mandati në fillim të dhjetorit. Deri tani PD ka heshtur mbi këtë nismë të PS-së, sikundër po hesht dhe për kërkesën tjetër të PS-së për shkarkimin e kreut të KQZ.

Qëndrimet tona kanë qenë dhe janë të qarta: Prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Edi Rama. Ky që ndërrmori këtë sulm të ashpër ndaj prokurorëve vetëm, sepse kërkuan hetimin dhe arrestimin e Saimir Tahirit nuk mund të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm, as deputetët e Partisë Socialiste që e mbrojtën, duke i mbajtur imunitetin nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm. Nuk mund të emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm, miqtë e Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit. Një prokuror i Përgjithshëm i emëruar nga këta njerëz do të thotë fund i hetimeve në rastin “Tahiri”, fund i hetimeve në rastin e “Dakos”, do të thotë fund i hetimeve në kupolën kriminale dhe do të thotë fushë e lirë për krimin. Ndaj nuk mund të emërohet nga Edi Rama, Prokurori i Përgjithshëm dhe ne nuk do ta lejojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë këtë. Për më shumë, kjo bie në konflikt total me frymën e Kushtetutës dhe të Reformës në Drejtësi dhe për të kuptuar absurditetin mjafton t’ju kujtoj se edhe vetë Saimiri ka të drejtë të votojë. Pra, i bie që një Prokuror i Përgjithshëm të zgjidhet me votën e Saimir Tahirit dhe ky prokuror është ai që do të nxjerrë para drejtësisë, Saimir Tahirin.

– Si do ta pengoni?
Me të gjitha mjetet dhe format. Nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë emërimin nga Edi Rama të Prokurorit të Përgjithshëm.

 

Veliaj, 2.5 milionë euro pisha për zbukurim

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar projektvendimin për zëvendësimin e palmave me pisha të buta përgjatë autostradës Tiranë-Durrës. Vendimi kaloi me 31 vota pro të mazhorancës, ndërsa këshilltarët e PD u larguan nga mbledhja para se të niste votimi i rendit të ditës. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku tha se, palmat e thara do të zëvendësohen me mbjelljen e pishave të buta, pasi ky aks është i rëndësishëm dhe nuk mund të lihet në baltë. Por anëtarët e LSI u shprehën se, ky projekt që kushton 2,5 milionë euro duhet të shkonte për punë më të rëndësishme në kryeqytet. “Këto palma u thanë se janë blerë në Dubai dhe nuk janë palma mesdhetare. Pse duhet të përdoret buxheti i Bashkisë për këto pisha, kur mund të përdoret për punë më të rëndësishme”, u shpreh Mirela Bogdani. Në përgjigje të këtij shqetësimi, u përgjigj nënkryetari, Arbjan Mazniku sipas të cilit “Është një zonë që i përket Tiranës dhe është e rëndësishme. Pisha ka më pak nevojë për kujdes dhe ne gjykojmë që hyrja e qytetit nuk duhet të lihet në baltë”. Nga ana e tyre këshilltarët e LSI kundërshtuan projektin, ndërsa theksuan se lista e problemeve që kanë qytetarët e Tiranës është shumë e gjatë dhe me këto para mund të zgjidhen probleme të tjera në vend të dekorimeve të qytetit. “Duhet parë nëse ja vlen investimi për të mbjellë pisha të buta. 2.5 milionë euro për pisha mendojmë se janë shumë dhe duhet të investohen për gjëra më të rëndësishme që ka nevojë qyteti”.
Bashkia e Tiranës planifikon që të zëvendësojë deri në fund të këtij viti palmat me pisha në segmentin e autostradës Tiranë-Durrës, nga mbikalimi i Kamzës tek ai i Kasharit. Vendimi është bërë i ditur në relacionin për disa ndryshime dhe rishpërndarjen e fondeve në buxhetin e Bashkisë së kryeqytetit për vitin 2017.“Gjatë periudhës që sapo kaloi me thatësirë të pazakontë, bimësia dekorative (palmat e mbjella) nuk u përshtatën me kushtet klimatiko-tokësore të Tiranës, kësisoj nuk i mbijetuan zhvillimit të ciklit të tyre jetësor”, thuhet në relacion. Për këtë arsye, propozohet që në vend të palmave të mbillen lloje dekorativësh të pishës së butë, që përshtaten me klimën dhe mjedisin. Duke qenë se periudha më e mirë për mbjelljen e pishës së butë është muaji dhjetor, kërkohet përfshirja në buxhet e këtij investimi. Për ujitje propozohet sistemi ujitës artificial në formë shiu. Bashkia ka bërë riplanifikim, duke reduktuar fondet për disa artikuj ku është vënë re zbatim i ulët i planit të investimeve, si psh ato të pastrimit. Kosto e plotë e projektit “Furnizim dhe vendosje drurë dekorativë në zonën industriale Kamëz-Kashar” është 333.8 milionë lekë, ose gati 2.5 milionë euro, e shpërndarë në 66.7 milionë lekë në 2017-ën, 117 milionë lekë në 2018-ën dhe 150 milionë lekë në 2019-ën. Në rishpërndarjen e fondeve të buxhetit, Bashkia ka miratuar edhe rishpërndarjen e fondit të investimeve brenda programit të menaxhimit të rrugëve dhe programit të kujdesit social për vitin 2017, si dhe detajimin e fondeve shtesë të transfertës specifike brenda programit të arsimit parauniversitar dhe edukimit për vitin 2017. Palmat në autostradë u mbollën rreth tre vjet më parë, si pjesë e një plani që përfshiu dhe rregullimin e sinjalistikës në zonën Mbikalimi i Kamzës dhe i Kasharit deri në Aeroportin e Rinasit. Kosto e mbjelljes së tyre u raportua në atë kohë në rreth 1 milion euro. Dimrin e kaluar palmat nuk i rezistuan të ftohtit dhe u thanë në pjesën më të madhe të tyre. Ndonëse në pjesën më të madhe të vendit, palmat u rigjallëruan me ardhjen e pranverës, në zonën e autostradës ato mbetën të thara me pak përjashtime. Ato u shkulën dhe dje Bashkia sapo akordoi një dyfishim të fondit të akorduar më parë për zëvendësimin e palmave me pisha.

Ja pse Messi e nisi nga stoli

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, foli para mediave pas ndeshjes në Torino, kundër Juventusit. Ai dha shpjegime edhe për zëvendësimin e Messit. Me versionin e tij, ai nënkuptoi se kjo ndodhi për arsye thjesht teknike. Në lidhje me përmbledhjen e ndeshjes, trajneri i katalanasve nënvizoi: “Ne kemi një ndjenjë të mirë. Kishim ardhur me synimin për të fituar, por edhe barazimi e përmbush misionin tonë. Kemi luajtur me personalitet, sepse Juventusi ushtroi shumë presion. Ka pasur shumë momente në ndeshje, kur kemi dominuar”.
Duke sqaruar lënien në stol të Messit, Valverde ka shpjeguar: “Ai ka një akumulim të lojërave dhe mund të pushojë pak kohë, duke hyrë në gjysmën e dytë të ndeshjes. Ky ishte vendimi. Këto janë gjëra të karakterit të brendshëm, që trajnerët i trajtojnë. Ter Stegen vendimtar? Ai është në një moment të shkëlqyer”. Në fund, edhe një mesazh për kolegun e La Liga-s, Berizzo, që u diagnostikua së fundi me kancer: “Ai është një trajner, me të cilin kam shumë lidhje. Kam biseduar shumë me të, i dërgoj mbështetjen time të plotë dhe, gjithashtu, të gjithë Barcelonës. Eshtë një lajm i keq, por ne e dimë që të gjithë do ta mbështesim”.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, vlerësoi ekipin e tij për përballimin e “lojtarëve të jashtëzakonshëm” me një barazim 0-0, në Ligën e Kampionëve, kundër Barcelonës. Barazimi pa gola në Torino e la Juven të dytin në Grupin D, tri pikë mbas gjigantëve të La Liga-s, Barça. Por, duke dalë nga një humbje shokuese 3-2 në fushën e Sampdorias, në Seria A, Allegri ishte i kënaqur me mënyrën se ekipi i tij u mbrojt të mërkurën. “Djemtë bënë me të vërtetë mirë. Kur luani lojëra si kjo, gjithkush duhet të mbrojë. Kemi punuar mirë, kur nuk ishim në zotërim të topit dhe ia bëmë të vështirë Barcelonës që të kalojë përmes mbrojtjes sonë, tha ai.
“Kjo do të thotë se kemi bërë mirë dhe duhet të nisemi nga këtu. Sot më interesonte më tepër performanca sesa rezultati, sepse në Genoa kemi pranuar gola që Juve nuk mund t’i pranojë. Sonte, përballë disa lojtarëve të jashtëzakonshëm, ne kemi mbajtur një nivel shumë të lartë të fokusit dhe ata nuk na kanë lënduar. Kur Juventusi mbrohet kështu, është shumë e vështirë për t’i shënuar”, tha Alegri. Juve mbetet e mirëvendosur për të arritur raundin tjetër të Champions-it, teksa do të përballet me një udhëtim në fushën e Olympiacos, në ndeshjen e fundit në grup, më 5 dhjetor. Të besuarit e Allegrit janë një pikë përpara Sporting Lisbona, e vendosur në vendin e tretë në grup”.

Rekord për “Guinness”

Fitorja e PSG-së ndaj Celtic Glasgow ishte për rekord, si individualisht, për tre protagonistët e saj: Mbappe, Neymar dhe Cavani, edhe kolektivisht. Me fitoren në Paris kundër skocezëve, PSG-ja ka shënuar 24 gola në pesë ndeshjet e fazës në grupe. Në mungesë edhe të një ndeshjeje të këtij raundi në Champions, më mirë ka qenë vetëm Borussia Dortmund, sezonin e kaluar, që realizoi më shumë gola në historinë e fazës në grupe. Rekordi më i mirë deri në këtë sezon, në Ligën e Kampionëve, në fazën e grupeve, ishte 25 pikë në 10 ndeshje (2013-2014). Goleada e PSG-së kishte pikë referimi tre yjet e saj të mëdha, të cilët ishin autorë të katër golave. Neymar u kthye në takimin e tij me gol në Ligën e Kampionëve dhe tashmë ka pesë ndeshje radhazi që e bën këtë.
Sulmuesi brazilian i PSG-së ka sfiduar në këtë mënyrë Cristiano Ronaldon. Të dy janë një gol larg nga të bërit lojtari i parë që të shënon gol në gjashtë ndeshje të fazës së grupeve të Champions-it. Neymar është në rrugën e tij për sezonin më të mirë në Ligën e Kampionëve. Që nga momenti kur braziliani erdhi në Europë, sezoni 2013-2014, nuk kishte nënshkruar një fillim rezultativ aq të ndritshëm. Sezonin e parë nuk arriti të shënonte në pesë ndeshjet e para, një vit më vonë ishte sezoni i tij i golave në Ligën e Kampionëve, me 10 pikë pas pesë ndeshjesh. Cavani, një nga golashënuesit e spikatur të parizienëve, shënoi golin e tij të 150-të me fanellën e PSG-së.
Uruguajani është tashmë vetëm gjashtë gola larg nga Ibrahimoviç, me 156 gola, golashënuesi më i mirë në historinë e klubit gjigant të Ligue 1. Është hera e katërt që përbërësit e “tridentit” të formuar nga Mbappé, Neymar dhe Cavani shënojnë në të njëjtën ndeshje. Kjo ka ndodhur dy herë në Ligue 1 dhe dy herë në Ligën e Kampionëve. Të gjitha ndeshjet kanë përfunduar me “dajak” (PSG – Bordeaux 6 -2; Celtic – PSG 0-5; Anderlecht – PSG 0-4; Metz – PSG 1-5).
PSG ka pasur një natë tjetër të jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve, pas fitores prej 7:1 ndaj Celticut.
Me këtë fitore PSG ka hyrë në histori të kësaj gare, duke u bërë skuadra që ka shënuar më shumë gola në fazën e grupeve 24, kur ka edhe një ndeshje për të zhvilluar.
Në vendin e dytë renditet Dortmundi i sezonit të kaluar me 21 gola, i ndjekur nga Manchester United (1998/99), Barcelona (2011/12), Real Madrid (2013/14) dhe Barcelona (2016/17) me nga 20 gola.

Ceferin: Italia jashtë Botërorit një tragjedi

Presidenti i UEFA-s, Alexsander Ceferin, në një intervistë të gjatë dhënë për italianen “Repubblica”, foli për mospjesëmarrjen e Italisë në Botërorin rus, duke e konsideruar një tragjedi për një popull që është kaq shumë i apasionuar pas futbollit.
“Mund të ndodhë që edhe një kombëtare e madhe të mos marrë pjesë në Botëror. Eliminimi i Italisë ishte tragjedi për një popull që ka kaq shumë pasion për këtë lojë. Halanda madje nuk ishte as në Europian. Është një mundësi për të ndryshuar gjërat që nuk shkojnë. Sot Italia nuk mund të organizojë evente kaq madhore për shkak të infrastrukturës jo të përshtatshme”, u shpreh Ceferin.
Për çështjen “Neymar”, për të cilin PSG shpenzoi shumën rekord 222 milionë euro, Ceferin tha se po vijojnë hetimet dhe se një vendim do të merret para se të nisë sezoni i ardhshëm. Kjo do të thotë se në janar PSG mund të jetë aktiv në merkato. Në lidhje me çështjen e Milanit, që mund të penalizohet për shkak të mosrespektimit të rregullave të “Fair play-t financiar”, pas kalimit të pronësisë te kinezët, Ceferin tha se është i shqetësuar. Ndër temat e shumta që preku numri 1 i qeverisë së futbollit europian ishte edhe përdorimi i mundshëm i “VAR”-it në Botëror. Sipas sllovenit, është ende herët për ta hedhur këtë hap, pasi më parë duhen edukuar arbitrat dhe publiku.

Nuk rinovon me Zenitin, Napoli kërkon të rikthejë Criscito-n

Mimmo Criscito dëshiron rikthimin në Serinë A. Mbrojtësi 31-vjeçar nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën me Zenitin e Shën Petërburgut, me aktualen që i përfundon në 2018-ën. Për shërbimet e futbollistit janë të interesuara disa skuadra italiane, ndër të cilat spikat Napoli. Ekipit të Sarrit i duhet patjetër një mbrojtës i majtë, pozicion që ka mbetur zbuluar pas dëmtimit të rëndë të Ghoulam. Presidenti De Laurentiis synon të marrë një mbrojtës pa shumë shpenzime, por me eksperiencën e duhur për të dhënë kontribut përgjatë sezonit në të gjitha kompeticionet. Ideja e drejtuesve napolitanë është ta bindin Zenitin që ta lërë të lirë Crisciton që në janar, për t’i bërë një dhuratë të çmuar trajnerit Sarri, i cili në krahun e majtë ka vetëm një alternativë, portugezin Mario Rui.

Askush nuk do të festojë në Shqipëri, të gjithë duan të ikin

28 dhe 29 Nëntori janë festa kombëtare, por një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve preferojnë që t’i kalojnë jashtë vendit ato, me një kërkesë që vjen çdo vit në rritje, siç raportojnë për “Monitor” agjencitë e udhëtimit.
Rajoni konsiderohet si destinacioni më i preferuar për shqiptarët për festat e nëntorit. Prenotimet më të shumta kanë qenë për Malin e Zi, për të cilin operatorët turistikë pohojnë se, “janë mbyllur që një javë më parë”. Ndërsa Maqedonia, Greqia, Turqia, por edhe Italia konsiderohen të tjera destinacione të preferuara dhe të kërkuara këtë vit.
Pjesa më e madhe e prenotimeve u bënë rreth një muaj më parë, gjë që ndikoi për të përfituar çmime më të lira. Operatorët turistikë tregojnë për “Monitor” se, prenotime ka pasur në nivele shumë të kënaqshme, edhe pse, ndryshe nga viti i shkuar që ishin 4 ditë pushim, këtë vit janë veçse dy të tilla. Ata shtojnë se oferta të tilla tërheqëse nuk u ofruan nga vendi ynë, ndaj rajoni duket më konkurrues, sidomos me paketat e çmimeve të favorshme.
Nga Matias Travel and Tours tregojnë se, tre kanë qenë udhëtimet, të cilat që në momentin të listuar në faqe apo shpërndarë në rrjete sociale kanë marrë vëmendje dhe kërkesa të larta: riviera Mal i Zi 24 – 26 Nëntor; turi 5-ditor Selanik-Stamboll 24-29 nëntor, si dhe Strugë-Ohër, pikërisht në dy ditët e festave 28-29 Nëntor.
Në udhëtimet 2-ditore në rajon kostot varionin nga 40-80 euro personi, turet me autobusë (për në Greqi ose Turqi) arrijnë deri në 150-250 euro personi. Ndërsa udhëtimet e prenotuara me linja avioni (jo tranzite), kryesisht për në Itali, Romë, Milano janë prenotuar më herët me rreth 170-220 euro.
Nga agjencia Kalemi Travel tregojnë se, më të preferuarat të prenotuara kanë qenë udhëtimet me guidë për Festat e Nëntorit. Edhe sipas tyre, rajon i kryeson në preferencat e shqiptarëve, në udhëtime që janë kryesisht me kosto të ulët, theksojnë ata. Sipas tyre, janë prenotuar shumë grupe për: Budva-Ulqin-Kotor, 25, 28 Nëntor, 2 ditë 45€; Dubrovnik 24, 27 nëntor, 3 ditë, €79; Sarajeve – Mostar – Medjugorje 24, 27 nëntor, 3 ditë, €99; Beograd 24, 27 nëntor, 3 ditë, €109 (me mëngjes + darkë).
Ndonëse janë vetëm pak ditë pushim nuk mungojnë as destinacionet e largëta. Nga agjencia Bora Travel na tregojnë për prenotimet më “luksoze” që shqiptarët kanë bërë për festat. Sipas tyre, Parisi, 4 ditë për 399 euro me avion, për datat 25-29 nëntor ka qenë një zgjedhje e kërkuar, më pas të tjera të prenotuara janë: Vjenë, Pragë, Budapest, 25 Nëntor, 6 Ditë, €449; Pragë (me avion), 25 nëntor, 4 ditë, €469; Dubai, 25 Nëntor, 5 ditë, €595. Megjithatë, sipas tyre, udhëtime të tilla me kosto më të larta preferohen më tepër për festat e fundvitit, mbase sepse kanë qenë më të pakët ata, të cilët mund t’i bënin “bisht” ditës së hënë, 27 Nëntor që është ditë pune.

Alcantara i mungon për disa muaj Bayernit

Lajme aspak të mira në shtëpinë e Bayern Munich. Thiago Alcantara është dëmtuar në sfidën me Anderlecht, dhe sipas gazetës “Bild” bëhet fjalë për diçka serioze. Nga ana tjetër lajmin e përforcon edhe Drejtori Sportiv i bavarezëve, Salihamidzic, i cili deklaroi se lojtari do të qëndrojë jashtë fushës së lojës për një kohë të gjatë, pasi ka këputje të muskulit. Mesfushori do t’u nënshtrohet vizitave më të detajuara mjekësore, për të përcaktuar kohën e saktë të rikuperimit.

Ish-zv/ministrja në Prokurori, udhëtoi me vëllezërit Habilaj në “Audin” e Tahirit

Dosja Habilaj zgjeron edhe më tej numrin e qeveritarëve të implikuar përveç Saimir Tahirit. Ndonëse ish-zv/ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea mohoi lajmin e publikuar ekskluzivisht nga Lapsi.al se, ajo është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen ‘Habilaj’, burime të disa mediave nga organi i akuzës rikonfirmojnë edhe njëherë se deputetja e PS-së është thirrur për të dhënë deklarime mbi këtë dosje.
Dyshimet e organit të akuzës janë se zv/ministrja ka udhëtuar në makinën e Habilajve, të cilën ia kishte shitur Saimir Tahiri. Ky i fundit është kthyer nga Greqia bashkë me zv/ministren Gjebrea, me makinën ‘Audi’ të cilën ia kishin çuar Habilajt.
Deputetja socialiste Elona Gjebrea është marrë në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda, ndërsa është mësuar se, ajo ka qenë e pranishme në rrethana të dyshimta me Saimir Tahirin dhe vëllezërit Habilaj. Pavarësisht se Gjebrea në një deklaratë për “Neës 24” mohoi se ishte pyetur nga Prokuroria, Exit.al ka mësuar nga burime të sigurta se zonja Gjebrea ka bërë një deklaratë për prokurorët e Krimeve të Rënda.
Burime nga Italia, të afërta me Prokurorinë e Katanias, u shprehën për Exit.al se gjatë kohës që shërbente si zëvendëse e Saimir Tahirit, Gjebrea dyshohet të ketë qenë të paktën një herë në shoqërinë e vëllezërve Habilaj. Ndërkohë, prokurorët italianë kanë konfirmuar nga pala shqiptare, se Gjebrea ka shoqëruar të paktën një herë Saimir Tahirin në një prej udhëtimeve të tij private në Greqi, udhëtim që dyshohet se është bërë në mbështetje të aktivitetit kriminal të Habilajve.
Megjithatë, nuk ka ende asnjë informacion nga Prokuroria shqiptare mbi pozitën e Gjebreas në hetimet e tyre. Prokuroria e Krimeve të Rënda refuzoi t’i përgjigjej një kërkesë të Exit.al për të sqaruar pozicionin e zonjës Gjebrea apo për të konfirmuar faktin nëse ajo është pyetur prej tyre.
Sidoqoftë, Exit.al ka mësuar me siguri se zonjës Gjebrea, e cila gëzon imunitet ndaj arrestimit dhe kontrollit, i është marrë një deklarim nga prokurorët, në lidhje me rrethanat e gjendjes së saj në prani të personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Nuk dihet se çfarë sqarimesh ka dhënë Gjebrea. Elona Gjebrea shërbeu si zëvendëse e Saimir Tahirit në periudhën 2013-2017. Ajo ka qenë zyrtarisht e ngarkuar me luftën kundër trafikimit dhe ka shërbyer si koordinatore kombëtare për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.
Emërimi në nëntor 2013 i saj si zëvendës/ministre e Punëve të Brendshme ishte i papritur, duke qenë se ajo më parë kishte qenë e përfshirë vetëm në aktivitete me natyrë akademike në fushën e biologjisë dhe demografisë. Edhe pse gjatë punës së saj si zëvendës/ministrie ajo pati një profil të ulët politik, në zgjedhjet e vitit 2017 Elona Gjebrea kryesoi listën e kandidaturave për deputetë të Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës, që konsiderohet moralisht si pozicioni më i rëndësishëm në listat për kandidatë të një partie.
Ky promovim i Gjebreas u lidh që atë kohë me mbështetjen ndaj saj të Saimir Tahirit, i cili shërbente si kryetar i PS-së së Tiranës dhe drejtues i fushatës zgjedhore të socialistëve në Qarkun e Tiranës. Natyrisht një faktor i rëndësishëm në ngritjen në karrierën politike të zonjës Gjebrea mendohet se mund të ketë luajtur mbështetja e jashtëzakonshme që asaj i ka dhënë ambasadori amerikan Donald Lu, i cili e konsideron atë si një nga heroinat që e frymëzon ambasadorin në jetë. Në një aktivitet të vitit 2016, Ambasadori Lu u shpreh:
“Një tjetër heroinë e imja është zëvendës/ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea. Ajo ka luftuar çdo vit për të rritur punën e qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo ka siguruar më shumë para për programet e organizatave joqeveritare, për pagat e punonjësve, për edukimin e policeve dhe policëve, si dhe për aktivitetet tek të rinjtë. Përpjekjet e saj po sjellin ndryshim çdo ditë”. /Exit

Hazard: S’është momenti për t’u larguar, i lumtur te Chelsea!

Eden Hazard ndihet i lumtur te Chelsea. “Ylli” belg i “Bluve” të Londrës, kërkohet me insistim nga Reali i Madridit, klub për të cilin lojtari nuk e fsheh aspak admirimin, edhe për faktin se drejtohet nga idhulli i tij Zinedine Zidane. Megjithatë, 26-vjeçari nuk e mendon largimin nga “Stamford Bridge”, duke theksuar se “kam edhe 2 vite kontratë”. Hazard tha se, “sa herë vjen periudha e merkatos, gjithmonë fliten të njëjtat gjëra”, por kur do të vijë momenti për t’u larguar, do ta bëjë diçka të tillë. Hazard luan në “Stamford Bridge” prej më shumë se 6 sezonesh, duke qenë një nga pikat më të forta të “Bluve” të Londrës.