28.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Kërkesat për azil në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm 10 % e shqiptarëve përfituan/ Ja kategoritë që favorizohen

Një numër rekord azilkërkuesish që pretendojnë se janë homoseksualë janë lejuar të qëndrojnë në Britani sipas rregullave të GJEDNJ.

Numri i azilkërkuesve të cilëve iu dha leja për të qëndruar në Britani bazuar në orientimin e tyre seksual u rrit në 2133 vitin e kaluar, nga 762 në 2022 dhe 677 një vit më parë.

Home Office pranoi kërkesat pasi ata që kërkonin azil vërtetuan se kthimi në atdheun e tyre do të ishte çnjerëzor për shkak të seksualitetit të tyre.

Numri i azilkërkuesve që u është dhënë leja për të qëndruar bazuar në seksualitetin e tyre është në rritje krahasuar me vitin 2019, kur u bënë 475 kërkesa të suksesshme.

Megjithatë, skeptikët besojnë se disa azilkërkues mund të luajnë me sistemin duke pretenduar se janë homoseksual si një mjet për t’u miratuar aplikimi i tyre.

Alp Mehmet, kryetari i Migrationwatch UK, tha se “ndërsa është e pamundur të jesh i sigurt për vërtetësinë e aplikantëve që kërkojnë azil bazuar në seksualitetin e tyre, ka shumë shembuj që ne jemi shumë të gatshëm për të dhënë përfitimin e dyshimit.

Rasti i nigerianit Saheed Azeez mund të jetë maja e ajsbergut”.

Nigerianit 33-vjeçar iu dha azil vitin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar pasi pretendoi se mund të vritej nga grupi militant Boko Haram, pasi ishte homoseksual, por më pas u zbulua se ai kishte tre fëmijë nga tre gra të ndryshme.

Vendet që panë numrin më të madh të aplikimeve të suksesshme vitin e kaluar ishin Pakistani, Bangladeshi dhe Nigeria.

Aplikantët nga Shqipëria ishin më të refuzuarit. Më pak se 10 për qind e aplikimeve të bëra nga shqiptarët ishin të suksesshme.

Deri në qershor 2023, 10,377 shqiptarë mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, duke përbërë 24 për qind të të gjithë mbërritjeve me varka të vogla.

Rreth 83 përqind e tyre aplikuan për azil, sipas shifrave të qeverisë. Për 8 vende, 100 për qind e pretendimeve ishin të suksesshme.

Këta ishin njerëz nga Afganistani, El Salvadori, Siria, Eritrea, Myanmari (Burma), Libia, Shën Vincenti e Grenadinet dhe Jemeni.

Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha se “është e rëndësishme që të pastrojmë numrin e mbetur të azilantëve dhe të ofrojmë mbrojtje për individët që ikin nga persekutimi”.

Grupi i trafikut të drogës/ Kokaina vinte edhe nga Brazili! Vizita e Dumanit 2 javë më parë te zyrtarët brazilianë: Do çmontojnë bandat shqiptare

Hetimet për grupin kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika Latine në Europë po vazhdojnë intensivisht pas goditjes të realizuar dy muaj më parë. Burime nga grupi hetimor i tregojnë për Report TV se droga importohej nga vende të ndryshme të Amerikës Latine, si Ekuador, Venezuelë, Kolumbi, Brazili dhe Republika Domenikane. Kokaina dyshohet të ketë hyrë në Shqipëri përmes Portit të Durrësit, një nga pikat kryesore të hyrjes së drogës në vend.

Një grup prokurorësh të posaçëm, përfshirë Altin Dumanin dhe Adnan Xholin, janë angazhuar në hetimet lidhur me këtë trafik, dhe në fillim të nëntorit ata realizuan një vizitë në Brazil për të verifikuar burimet e drogës. Sipas burimeve, kokaina ka kaluar në Shqipëri përmes porteve të kontenierëve, ndërsa hetuesit po analizojnë dokumentet dhe itineraret e anijeve që kanë sjellë drogen në vend.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar gjithashtu se ku është blerë droga, ku është ngarkuar dhe kalimi i mundshëm i saj nëpër portet dhe pikat e tjera të tranzitit përpara se të arrinte në Shqipëri. Hetimet kanë si qëllim zbardhjen e tërësishme të rrjetit ndërkombëtar që ka përdorur Shqipërinë si pikë përpunimi dhe shpërndarje të kokainës drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Për më shumë, autoritetet po ndjekin gjithashtu dyshimet se ky grup mund të ketë pasur lidhje të ngushta me struktura të fuqishme kriminale në rajon, të cilat janë të përfshira në trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave. Hetimi i thelluar është ende në zhvillim dhe priten zhvillime të tjera në këtë çështje.

Rusia kryen një nga ‘sulmet më të mëdha ajrore’, ministri i Jashtëm i Ukrainës: Përgjigje e Putinit ndaj atyre që e kanë telefonuar së fundmi

Rusia ka nisur një nga “sulmet më të mëdha ajrore” në Ukrainë gjatë natës, tha ministri i jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, i cili theksoi se në shënjestër kanë qenë qytetet paqësore, civilët dhe infrastruktura.

 

German Galushchenko, ministri i energjisë i Ukrainës, tha se infrastruktura e energjisë elektrike ishte goditur, duke çuar në ndërprerje parandaluese.

“Një tjetër sulm masiv në sistemin energjetik po ndodh”, tha ai në Telegram.

Sybiha e përshkroi bombardimin e dukshëm si përgjigjen e Vladimir Putinit ndaj atyre që “e kishin telefonuar dhe vizituar së fundmi”, shkruan Sky News.

Volodymyr Zelenskyy ka kritikuar një telefonatë mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit rus, duke thënë se ajo  hapi një “kuti të Pandorës” .

“Ne kemi nevojë për paqe përmes forcës, jo qetësimit,” tha Sybiha.

Mbetjet e rrezikshme u depozituan pranë qytetit, banorët e Durrësit ngrihen në protestë

Banorët e Durrësit kanë mbajtur një tjetër protestë kundër depozitimit të mbetjeve të rrezikshme që u kthyen pak ditë më parë nga Tajlanda dhe u depozituan në një zonë shumë pranë qytetit.

Banorët janë afruar pranë vendit ku ndodhen kontejnerët dhe kërkojnë largimin e tyre pasi pretendojnë se janë kërcënim për shëndetin e tyre dhe kafshëve që ushqehen afër zonës.

Ata kanë deklaruar se do e përshkallëzojnë qëndrimin e tyre me protesta para bashkisë dhe institucioneve vendore.

I akuzuar për korrupsion në Inceneratorin e Tiranës, SPAK dërgon për gjykim Alqi Bllakon: Ja përfitimet nga Zoto e Mërtiri

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se ka paraqitur më 15 nëntor, kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurit Alqi Bllako, i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, dy herë, në lidhje me inceneratorin e Tiranes. 

 

Sipas SPAK janë konstatuar akte korruptive të Alqi Bllakos, i cili në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt në dy raste; vlerën monetare prej 119.715 euro dhe vlerën monetare prej 7,520,000 lekë për Vladimir Bezhanin.

“I pandehuri Alqi Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri (pronarët de facto të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.), vlerën monetare prej 119,755 Euro, si pagesë për blerjen e pajisjes “Makineri për mbushjen, mbylljen, vulosjen apo etiketimin e shisheve, makineri për gazimin e pijeve”, për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako, me adresë: “Ropi Stillo Gostivishti”, Ersekë”, thuhet ne njoftimin e SPAK.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur më 15 nëntor, kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurit Alqi Bllako, i akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, dy herë, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

 

Nga aktet e administruara dhe gjatë hetimeve të kryera për kontratën koncensionare të vitit 2017 për ”Ndërtimin e landfillimit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. janë konstatuar akte korruptive të të pandehurit Alqi Bllako, i cili në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt në dy raste; a. vlerën monetare prej 119.715 euro dhe b. vlerën monetare prej 7,520,000 lekë për Vladimir Bezhanin.

I pandehuri Alqi Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit për trajtimin e mbetjeve në qytetin e Tiranës, përpara se të bëhej propozimi i pakërkuar në Ministrinë e Mjedisit.

Për shërbimin e Vladimir Bezhanit, si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, shtetasi Alqi Bllako i ka kërkuar/propozuar shtetasit Klodian Zoto, aksioner i shoqërisë propozuese “Integrated Technology Services” sh.p.k, dhe aksioner i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, dhënien e përfitimit të parregullt për shtetasin Vladimir Bezhani, duke e punësuar fiktivisht tek shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe siguruar një përfitim të parregullt në vlerën 7,520,000 lekë.

Gjatë kohës që Vladimir Bezhani ishte këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton, sipas orientimit të të pandehurit, Alqi Bllako duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor, që i shërbyen shoqërisë propozuese të shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k. për të hartuar dokumentacionin e nevojshëm për propozimin e pakërkuar.

Po ashtu, i pandehuri Alqi Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri (pronarët de facto të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.), vlerën monetare prej 119,755 Euro, si pagesë për blerjen e pajisjes “Makineri për mbushjen, mbylljen, vulosjen apo etiketimin e shisheve, makineri për gazimin e pijeve”, për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako, me adresë: “Ropi Stillo Gostivishti”, Ersekë.

Siç është mësuar edhe nga njoftimet e mëparshme, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 31 korrik 2024, ka paraqitur kërkesën për dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.255/1 të vitit 2020 (ndarë nga procedimi penal nr.255 të vitit 2020), në ngarkim të të pandehurve; Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj, Silena Tola, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248, 25 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme po kryen hetime të tjera në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për të gjithë subjektet e regjistruar në kuadër të këtij hetimi (individë dhe persona juridik), për të evidentuar çdo fakt penal tjetër, veprimet e personave përgjegjës të institucioneve shtetërore që kanë marrë pjesë si para dhe gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe gjatë zbatimit të kontratës koncesionare.

 

Shënime për gazetarët:

  1. Procedimit penal nr.255/2 i vitit 2020 në ngarkim të të pandehurit Alqi Bllako – i ndarë nga procedimi penal nr.255/2020.
  1. Kontrata konçesionare me numër protokolli 6597, datë 31.08.2017 “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë”, e lidhur mes autoritetit kontraktor; Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. kishte një kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria konçesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milionë e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH.

Problemet në mesfushë dhe Asani, Silvinjo: Ja çfarë e shqetëson lojtarin e Kombëtares

Jasir Asani ishte lojtari i vetëm që shqetësoi Kombëtaren në barazimin e djeshëm me Çekinë. Në minutën e 27-të kërkoi ndihmën e stafit mjekësor, ndërsa më pas dhe u zëvendësua nga Seferi sepse nuk mund të vazhdonte.

 

Pas sfidës, në konferencë për shtyp, Silvinjo ka folur për situatën e mesfushës ku nuk ka shumë alternativa si dhe për Asanin. Për këtë të fundit tha se situata mbetet për t’u vlerësuar.

Mesfusha- “Nuk mund të ankohem për lojtarët që mungojnë, e vërtetë që kemi humbur shumë. Jemi më ngushtë në zonën e mesfushës. Isha i shqetësuar për Laçin sepse ishte me karton të verdhë, por për fat nuk mori karton. Kemi pak mundësi për të ndryshuar në mesfushë, menduam Mujën pavarësisht se sulmues anësor, por mund të inkuadrohej. Po ashtu dhe Ajeti që ka bërë rolin e mesfushorit dhe mund të përdoret dhe në atë fazë. Në një pjesë të ndeshjes Laçi ishte i lodhur, Tuci po ashtu dhe kërkoi të zëvendësohej. Mendova Abrashin se ka zemër të madhe është zotëri në sjellje, i gatshëm gjithmonë të luajë qoftë 10, 20 apo 30 minuta”.

Situata e Jasir Asanit– “Nuk e dimë akoma, mbetet për t’u vlerësuar. E takova pak pas ndeshjes, ka problematikë te muskuli i thembrës që është pak i fortë momentalisht, por do duhet ta vlerësojmë”.

U bë pjesë e debatit për emigrantët e ardhur nga Italia në Shqipëri/ BBC: Elon Musk u qortua pasi i doli në krah Georgia Melonit

Miliarderi Elon Musk u akuzua për ndërhyrje në punët e brendshme të Italisë.

 

Deklarata e gjigandit të teknologjisë se “këta gjyqtarë duhet të largohen”, e përhapur në të gjitha faqet e para të Italisë, erdhi në mes të tensionit në rritje midis koalicionit qeverisës të Italisë dhe gjyqësorit pasi një panel gjyqtarësh të Romës vuri në dyshim ligjshmërinë e një nisme qeveritare për të ndaluar azilkërkuesit në Shqipëri.

Musk nxiti një deklaratë shumë të pazakontë nga presidenti italian Sergio Mattarella, i cili i tha atij të mos përzihej në çështjet italiane.

“Italia është një vend i madh demokratik dhe… di të kujdeset për veten”, tha Mattarella. “Çdokush, veçanërisht nëse, siç u njoftua, ai do të marrë një rol të rëndësishëm qeveritar në një vend mik dhe aleat, duhet të respektojë sovranitetin e tij dhe nuk mund të marrë përsipër të nxjerrë udhëzime.”

Musk, i cili zotëron Tesla dhe X, është zgjedhur së fundmi nga Donald Trump për të drejtuar Departamentin e ri të planifikuar të Efikasitetit të Qeverisë.

Ai gjithashtu ka zhvilluar lidhje të ngushta me Giorgia Melonin që kur ajo u zgjodh mbi dy vjet më parë me premtimin për të goditur emigracionin ilegal.

Dy qendra përpunimi në Shqipëri, të ndërtuara dhe të menaxhuara nga qeveria italiane për të ndihmuar në menaxhimin e fluksit të emigrantëve në Mesdhe drejt Italisë, u bënë shpejt simboli i qëndrimit të saj të ashpër ndaj migracionit.

Por vonesat në projekt, pengesat ligjore dhe shqetësimet për të drejtat e njeriut, si dhe dyshimet për kosto-efektivitetin, kanë minuar suksesin e tij deri më tani.

Javën e kaluar një gjykatë në Romë urdhëroi transferimin e shtatë azilkërkuesve egjiptianë dhe nga Bangladeshi nga njëra prej dy qendrave në Itali.

Gjykata kishte vendosur tashmë muajin e kaluar kundër ndalimit të emigrantëve të tjerë nga të njëjtat vende në Shqipëri, një vendim që kryeministri italian e kishte etiketuar si “paragjykues”.

Dy qendrat janë aktualisht bosh dhe autoritetet italiane po zvogëlojnë numrin e stafit në terren.

Që atëherë, debati në Itali është bërë gjithnjë e më i ndezur, me Meloni dhe anëtarë të tjerë të qeverisë së saj që sulmojnë rregullisht gjyqësorin e vendit.

Debati ligjor sillet rreth një vendimi të tetorit nga Gjykata e Drejtësisë e BE-së, duke deklaruar se asnjë vend i origjinës nuk mund të konsiderohet i sigurt nëse ndonjë pjesë e tij është e rrezikshme.

Gjykata e Romës i ka ndaluar këto veprime në pritje të sqarimeve të mëtejshme nga Gyjatës Evropiane të Drejtësisë.

Projekti ka tërhequr vëmendjen e disa liderëve, duke përfshirë kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, të cilët vetë po kërkojnë të frenojnë migrimin e paligjshëm.

Gjatë një vizite zyrtare shtatorin e kaluar, Starmer vlerësoi “përparimin e jashtëzakonshëm” të Melonit në trajtimin e mbërritjeve të parregullta nga deti, ndërsa Meloni tha se homologu i saj tregoi “interes të madh” për marrëveshjen e vendit të saj me Shqipërinë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka bërë thirrje për eksplorimin e “qendërve të kthimit” jashtë BE-së. Në një letër drejtuar liderëve evropianë për migracionin e parregullt, ajo përmendi marrëveshjen midis Italisë dhe Shqipërisë si një model të mundshëm.

Megjithatë, disa vëzhgues kanë ngritur shqetësime lidhur me ndikimin aktual të këtyre qendrave, nëse ato do të fillojnë ndonjëherë të funksionojnë me kapacitet të plotë.

“Përveç vonesave në zbatimin e operacionit, unë e shoh projektin si një shpërqendrim nga çështjet më të ngutshme që duhet të jenë në axhendë, si shpërndarja më e mirë e fondeve dhe krijimi i një sistemi funksional të azilit në përgjithësi,” tha Alberto- Horst Neidhardt, një analist i lartë i politikave në Qendrën e Politikave Evropiane në Bruksel.

“Pavarësisht nëse funksionon apo jo, kjo është vetëm një pikë në oqean.”

Partneri i koalicionit të Melonit, Matteo Salvini, u bëri jehonë fjalëve të tij duke thënë se gjyqtarët që shtrembëruan ligjet e Italisë duhet të japin dorëheqjen dhe të shkojnë në politikë me “komunistët e rithemeluar”.

Sipas raporteve italiane, Meloni dhe Musk që atëherë kanë folur për polemika. Musk thuhet se ka shprehur respektin e tij për kryeministren e Italisë, një raport i konfirmuar nga Andrea Stroppa, një i besuar i ngushtë i Musk në Itali./BBC

Ndërron jetë në moshën 45-vjeçare anëtari i Gjykatës së Lartë, Darjel Sina

Ka ndërruar jetë në moshën 45-vjeçare, anëtari i Gjykatës së Lartë, Darjel Sina, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë.

 

Në lidhje me ndarjen e parakohshme nga jeta të ish gjyqtarit ka reaguar edhe Gjykata e Lartë teksa i shpreh ngushëllimet familjes së tij.

“Me trishtim të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të anëtarit të Gjykatës së Lartë, z. Darjel Sina.

Sina i’u bashkua trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë në prill të vitit 2022, dhe vinte në këtë detyrë pas një eksperience të gjatë dhe kontributi të rëndësishëm në fushën e së drejtës.

Ndarja e tij nga jeta krijon një boshllëk të madh për të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.

Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen dhe të dashurit e tij. Jemi pranë jush me zemër dhe mendje.

U prehtë në paqe! Me respekt, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë.

Kush eshte Darjel Sina?

Darjel Sina ka përfunduar studimet e postdoktoraturës në Universitetin e Zyrihut në Zvicër, me bursën Federale Zvicerane të Ekselencës në fushën e së Drejtës Kushtetuese dhe Bankare. Z. Sina ka përfunduar studimet e tij në doktoraturë, master i arteve dhe bachelor në Universitetin Kombëtar të Athinës/Fakulteti Juridik. Ai mban titullin akademik Profesor i Asociuar që nga maji i vitit 2014. Eksperienca e fundit e punës së gjyqtarit Sina ka qenë Komisioner Publik pranë Institucionit të Komisionerit Publik dhe më përpara Shef i Departamentit të Drejtësisë në Universitetin e Nju-Jorkut, në Tiranë.

Në nëntor të vitit 2021, Z. Sina është përzgjedhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të përfaqësuar shtetin shqiptar në programin International Visitor Leadership Program me tematikë Rule of Law and the U.S. Judicial System, i organizuar nga Graduate School USA.

Sina ka punuar si studiues në Universitetin e Zyrihut dhe përpara kësaj eksperience ka punuar Dekan pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin Luarasi, në Universitetin Evropian të Tiranës si Profesor dhe përpara kësaj eksperience ka qënë i punësuar si asistent Profesor në Universitetin Kombëtar të Athinës, nën drejtimin e Profesor Andreas Dimitropoulos. Pas diplomimit ka punuar për shumë vite asistent avokat në Athinë, Greqi.

Prej 16 prillit 2022, ai ka qenë gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë.

Policia në gjunjë para fisit Rraja/ Pak orë pas arrestimit, lirohet vëllai i ish-deputetit të PS

Policia dhe prokuroria vijojnë të përkulen para fisit Rraja. Rrahman Rraja dhe vëllezërit e tij vijojnë të bëjnë ligjin në Nikël dhe askush nuk guxon të merret me ta. Shteti është shumë i dobët përballë një fisi, i cili po terrorizon gjithë zonën.

Ashtu siç ndodhi një vit më parë, ku askush nuk u dënua për dhunën barbare ndaj dy qytetarëve të thjeshtë pas sherrit për guroren, e njëjta gjë ka ndodhur dhe për sherrin e një muaji më parë, ku Flamur dhe Arjel Rraja (babë e bir) dhunuan barbarisht Kujtim Cacën dhe djalin e tij e tij, pas një konflikti për pronën. Flamur dhe Arjel Rraja janë vëllai dhe nipi i ish-deputetit, Rrahman Rraja.

Ata u shpallën në kërkim dhe dje paradite u bë me dije se ishte ndaluar vëllai i ish-deputetit. Por qëndrimi i tij në komisarit ka zgjatur fare pak. Duke fshehur emrat, policia bën me dije se Flamur Rraja do të hetohet në gjendje të lirë, teksa ja ka kaluar topin prokurorisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë kapën shtetasin në kërkim F. Rr., 55 vjeç, banues në Fushë Krujë, i cili pas konkludimit me prokurorin u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi më datë 24.10.2024, në afërsi të Rinasit, në bashkëpunim me shtetasin A. Rr., dyshohet se, për motive pronësie janë konfliktuar fizikisht me shtetasit A. C., dhe K. C”, tha policia.

Duhet theksuar se policia e mbajti të fshehtë edhe sherrin në fjalë.

Po ashtu, edhe një vit më parë fisi Rraja ishte protagonist. Pamjet brenda një lokali në Thumanë, të filmuara nga vetë anëtarë të fisit Rraja, treguan dhunën e tyre barbare ndaj 2 kushërinjve të fisit Maja.

Dhuna barbare ndodhi më 6 korrik 2023, pasi kushërinjtë Maja kishin denoncuar në polici se gurorja e Rrajave po u prishte shtëpitë në Borizanë. Vëllezërit dhe djali i deputetit u shfaqën si në një skenë filmash duke goditur me shkopa bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda 2 persona. Bilbil e Jashar Maja përfunduan në spital vetëm se deshën të mbrojnë shtëpitë e tyre.

Madje, Flamur Rraja u pa dhe me armë në dorë, por fisi Rraja, për shkak të lidhjeve të forta me pushtetin i rregulluan gjërat.

Për mjekësinë ligjore, në 2 ekspertiza njëra pas tjetrës nga 2 mjekë të ndryshëm, dhuna u konsiderua e lehtë. Pas akt-ekspertimit të parë të mjekut Elton Serani, Prokuroria kërkoi një tjetër akt-ekspertim, i cili në datën 18 shtator ka rikonfirmuar të njëjtin rezultat, dëmtime të lehta të cilat kanë sjellë për pasojë humbjen e përkohshme të aftësisë për punë në masën 9 ditë.

Në akuzë nuk reflektohej armëmbajtja pa leje, pasi pamjet që Rrajat filmuan si dëshmi force ndaj banorëve të tjerë të zonës që të mos ankoheshin për guroren, vëllai ish-deputetit, Xhelal Rraja, shfaqet edhe me armë në dorë. Një tjetër skandal është se Arjel Rraja, një vit më parë është arrestuar për drogë, por duket se ka dalë i lirë. 

Të dhënat e INSTAT: Rritet mosha mesatare, 20% e popullsisë mbi 65 vjeç! Si po plaket Shqipëria

Përveç pakësimit struktura e popullsisë është plakur dhe moshat e vjetra dominojnë. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë arriti 42.5 vite duke u rritur me 7 vite nga vitit 2011, ku ky tregues ishte 35.5 vjet.

Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar dhe të brendshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censin e 2023. Piramida e popullsisë bazuar në Censin e 2023, vjen e ngushtuar shumë poshtë për shkak të rënies së lindjeve dhe po zgjerohet ne mes dhe lart nga rritja e popullsisë në moshë të vjetër.

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se një në pesë individë (19,7%) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3%) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5% në Censin e 2001.

Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.

Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8%) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9%).

Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0%) dhe raportin më të lartë të të moshuarve (46,1%). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011.

Duke analizuar grup-moshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet një zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970. Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”.

Pas viteve ’90, norma të ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë.

Mungon infrastruktura për të moshuarit
Brezi i sotshëm i pensionisteve jetoi rininë me mungesë kulture dhe njohurish për të siguruar mbrojtje financiare për pleqërinë.

Një shoqëri e bazuar në një traditë të brezave ku fëmijët kujdesen për prindërit në pleqëri po venitet nga nivelet e larta të emigracionit që kanë shkëputur lidhjet fizike ndërmjet prindërve dhe fëmijëve.

Edhe pse në tranzicion solidariteti mes brezave ende funksionon në aspektin financiar, pasi emigrantët shqiptare vazhdojnë të çojnë të ardhura pranë familjeve të tyre. Në vitin 2023 këto prurje ishin më shumë se 930 milionë euro, më shumë se gjyma e faturës së përgjithshme për pagesën e pensioneve nga qeveria shqiptare,

Për shumë të moshuar jeta do të lehtësohej po të funksiononin azilet, të cilat sot mungojnë në raport me nevojat që ka vendi për këto shërbime. Njësia e Kombeve të Bashkuara, për çështjet e punësimit (ILO) evidentoi pak vite më parë se popullsia e Shqipërisë po plaket me shpejtësi dhe 91 mijë persona mbi 65 vjeç kanë nevojë për përkujdesje sociale afatgjatë, ndërkohë që vetëm 1.6% e tyre përfitojnë mbrojtje.

Azilet publike mungojnë, ndërsa iniciativat për hapjen e shtëpive të kujdesit për të moshuarit gjithashtu mungojnë. Mirela një grua shqiptare që shërben në një shtëpi të moshuarish në Milano prej 20 vitesh ka dëshirë të sjellë këtë përvojë në Shqipëri, por tha se e ka vështirë për të gjetur staf që të ketë aftësitë për t’u kujdesuar për të moshuarit. Disa biznese nisen të investonin në qendra të posaçme për të moshuarit, por kërkesa e shpejtë për shtëpi i zhvendosi projektet e tyre.

Numri i pensionistëve do të rritet me shpejtësi në vitet në vijim për shkak të bumit të lindjeve në vitet 1950-1960. Në vitin 2021, një në 7 persona ishte mbi 65 vjeç. Vlerësohet se një në 3.8 persona do të jetë 65 vjeç e lart deri në vitin 2050. Të dhënat demografike tregojnë se, popullsia shqiptare po plaket me shpejtësi.

Ndërmjet viteve 1990 dhe 2022 dukë zënë rreth 16% të totalit të popullsisë më 2021 nga 5.5% më 1990. Në të ardhmen, popullsia mbi moshën 65 vjeç e lart do të rritet në 623 mijë persona dhe pjesa e saj në totalin e popullsisë do të rritet në 26.4% deri në vitin 2050.

Sipas Ministrisë së Shëndetësie në shkallë vendi funksionojnë rreth 39 qendra për të moshuar nga 259 qendra shërbimesh që janë në Shqipëri. 14 qendra ose 36% e tyre ofrojnë shërbime për të moshuar në qarkun e Tiranës, ndërsa 25 të tjerat ofrojnë shërbime përkatësisht në Korçë (6 qendra), Shkodër (5 qendra), Berat (3 qendra), Durrës, Vlorë dhe Elbasan (nga 2 qendra) dhe Lezhë, Dibër, Gjirokastër, Fier e Kukës (nga 1 qendër). Këto qendra nuk janë të mjaftueshme as 2% te të moshuarve në nevojë.

Mungon furnitura dhe logjistika për të moshuarit

Duke qenë se të moshuarit një grup i popullsisë që konsumon pak dhe nuk ka fuqi blerëse në treg ka shumë mungesa në produktet të dedikuara për këtë moshë, duke nisur që nga veshjet, furnitura e përshtatshme që i ndihmon ato në lëvizje etj.

Mirëpo në njësitë e shitjes me pakicë në vend shpesh mundësitë e zgjedhjeve për mosha të vjetra janë të kufizuara për faktin se bizneset e veshjeve, si çdo biznes tjetër ofrojnë produkt nisur nga aftësia blerëse, pohojnë tregtarët e pakicës.

Në vendin tonë aftësia blerëse është e përqendruar në grup-moshën 20-45 vjeç, pasi kjo ka të ardhurat më të larta dhe për rrjedhojë dhe shpenzimi është më i lartë. Sakaq tregu shqiptar i veshjeve nuk ofron shumë mundësi dhe cilësi për moshat mbi 80 vjeç, siç mund të gjenden në tregun europian.

Nevojat për kujdes intensiv për të moshuarit po rriten në Shqipëri, por nga ana tjetër, logjistika që mbështet me furnizime këtë kategori konsumatorësh pothuajse mungon. Në cens 2023, INSTAT numëroi se në Shqipëri jetojnë mbi 87,000 persona mbi 80 vjeç.

Një familje që trajton me shërbim në shtëpi një person në këtë moshë e ka shumë të vështirë të sigurojë pajisje që lehtësojnë rutinën e tij.

Në Shqipëri mungojnë njësitë e shitjes me pakicë për të moshuarit, të cilat në vendet e Europës Perëndimore janë mjaft të përhapura. Farmacitë kanë nisur të fusin furnizime të posaçme, por tregu ofron shumë pak në raport me nevojat që paraqiten.

Kompanitë që ofrojnë pajisje për shtëpi nuk kanë thuajse asnjë produkt të përshtatshëm për moshat e thyera, si krevate të lëvizshme dhe pajisje të tjera që lehtësojnë përditshmërinë e të moshuarve.

Pajisje që mund të manovrohen lehtë me prekjen e një butoni, si hapja e dyerve, dritareve apo krevate dhe dollapë, të nevojshme për moshat e vjetra. Pajisje mjekësore si karriget me rrota, sistemet e shpërndarjes së oksigjenit, pajisjet ndihmëse të lëvizjes etj.

Tualete të përshtatur për të moshuarit, mobilie si ashensor, banjot në këmbë do të kenë shumë shpejt një kërkesë në rritje edhe në vendin tonë.

64 mijë te moshuar jetojnë vetëm

Të dhënat e censit 2023 referuan se në të gjithë vendin, rreth 64 mijë persona mbi 60 vjeç jetonin vetëm. Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5% e tyre ishin 60 vjeç e lart (64,375 persona).

Nga 103 mijë persona të cilët jetonin vetëm, 62,5% e tyre ishin 60 vjeç e lart (64,375 persona). Gati gjysma e familjeve në vend kanë 2 ose më pak persona. Kjo tregon një zhvendosje të madhe nga struktura tradicionale e familjeve shqiptare me shumë anëtarë ku dominojnë moshat e reja.

Madhësia mesatare e njësive familjare është 3,2 anëtarë në Cens 2023, krahasuar me 3,9 anëtarë për Censin e 2011.

Të dhënat e cens treguan se nga 755,950 njësi familjarë që u numëruan nga cens 49% e tyre janë mbi 60 vjeç./Monitor