Realizoi dy gola në fitoren e thellë 7-1 të PSG ndaj Celtic në Champions, megjithatë u largua tepër i mërzitur nga “Parc des Princes”. “Yllit” brazialian Neymar, i transferuar në kryeqytetin francez nga Barcelona për shumë rekord 222 milionë euro, nuk i kanë pëlqyer aspak pyetjet e gazetarëve në përfundim të ndeshjes, në lidhje me interesimin e Realit të Madridit, megjithatë fillimisht i kujtuan se me të njëjtin rezultat 7-1 Brazili është mundur në Botëror nga Gjermania.
“A më kujton ky rezultat 7-1 humbjen e Brazilit me Gjermaninë? Nuk do të hiqni dorë kurrë së më kujtuari atë mbrëmje, apo jo?
Dhe, sigurisht, ajo që “mbushi kupën”, kishte të bënte me pyetjen nëse Reali do të ishte më i interesuar për të pas paraqitjes shumë të mirë ndaj Celtic-ut. Pikërisht, në këtë moment, Neymar nuk u përmbajt: “Dreqin, flisni gjithmonë shumë”. Këto ishin fjalët e tij të fundit, pasi u largua menjëherë “i xhindosur” nga ngacmimet e gazetarëve. Gëzimi për fitoren, kaloi në plan të dytë.
Neymar xhindoset me gazetarët!
Raporti i BERZH: Shqipëria po keqqeveriset
Shqipëria ka performuar nën mesataren e rajonit dhe vendeve të tjera në tranzicion në gjashtë komponentët që vlerësojnë reformat për zhvillim, sipas Raportit të Tranzicionit për 2017-2018 që publikoi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në një vlerësim nga 1 tek 10, ku nota më e lartë shpreh vlerësim të mirë, Shqipëria ka marrë dobët në mirëqeverisjen. BERZH ka vlerësuar me rreth 4 pikë shërbimet e qeverisë. Ky vlerësim ishte poshtë mesatares së vendeve të Europës Juglindore dhe mesatares së vendeve në Tranzicion.
Vendi ynë mori gjithashtu vlerësim të dobët edhe në politikat e konkurrencës së drejtë në tregje dhe fleksibilitetit të reformave, duke u vlerësuar më pak se mesatarja pesë pikë.
Shqipëria ka marrë vlerësim më pak se 5, për reformat në çështjet e integrimit në BE, në mbrojtjen e klimës dhe gjithëpërfshirjes.
Vendet ku investon Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë nevojë për një model të ri rritjeje për t’i ndihmuar ata të kalojnë në një epokë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në të ardhmen, thuhet në raportin më të fundit vjetor të BERZH.
Raporti i tranzicionit vë në dukje se rritja ekonomike në vendet me të ardhura të mesme ku bën pjesë edhe Shqipëria ka mbetur mbrapa asaj që vihet re në tregje të ngjashme. Kurthi i të ardhurave të mesme po i mban vendet mbrapa për të kaluar një nivel më lart.
BERZH rekomandon që modeli i ri duhet të fokusohet në tri fusha kyçe: Përmirësimi i produktivitetit të kompanive, investimet në infrastrukturë dhe respektimi i mjedisit.
Në parathënien e tij, për Raportin e tranzicionit, Shefi Ekonomist i BERZH, Sergei Guriev, nuk nënvlerëson sfidat me të cilat ballafaqohen ekonomitë në tranzicion në përpjekjen e tyre për të mbështetur rritjen. “Nuk ka asnjë plumb argjendi, asnjë zgjidhje madhështore”, thotë ai.
Por profesori Guriev sheh optimizëm në sfond. “Duke forcuar institucionet, duke mbështetur inovacionin, duke integruar kompanitë e tyre në ekonominë globale dhe duke investuar në infrastrukturë të qëndrueshme, vendet e rajonit të BERZH do të jenë në gjendje të përfundojnë kalimin e tyre në ekonomi të tregut të qëndrueshëm”, tha ai.
Raporti bën një sërë rekomandimesh politike dhe thotë se hartuesit e politikave duhet të përqendrohen në krijimin e një loje të njëtrajtshme që ndihmon bizneset e reja inovative të rriten.
Ai gjithashtu thotë se, autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje tregjeve fleksibël të punës dhe kapitalit, si dhe të hartojnë politika më të mira të konkurrencës për të lehtësuar rishpërndarjen e burimeve.
Përveç kësaj, qeveritë mund të ndihmojnë firmat dhe industritë të përmirësojnë performancën e tyre, duke mbështetur integrimin e tyre në zinxhirët e vlerave globale, thotë raporti.
BERZH inkurajon investimet në infrastrukturë
Duke theksuar rëndësinë e rrjeteve efektive të infrastrukturës, raporti thotë se shumica e ekonomive në rajonin e BERZH-it kanë nevojë për shpenzime të mëdha për të ruajtur, për të përmirësuar dhe për të zgjeruar infrastrukturën e tyre për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të ndihmuar nivelet e të ardhurave të konvergojnë me ato të ekonomive të përparuara. Nevojat e përgjithshme të infrastrukturës në 1.9 trilionë euro për pesë vitet e ardhshme.
BERZH merr si shembull Turqinë, ku përmirësimi i rrjetit rrugor të vendit pati ndikim të madh pozitiv në tregtinë e brendshme midis provincave. “Kjo dëshmi nga Turqia ofron një pasqyrë të re mbi përfitimet e konsiderueshme që përmirësimet në integrimin e tregut mund të kenë për punësim dhe zhvillim në rajonet më të izoluara”, thuhet në raport.
Raporti i tranzicionit sheh gjithashtu një lidhje të fortë midis mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes ekonomike.
Të fundit edhe për dijen, e 78-ta në botë ndër 131 shtete
Shqipëria nuk është aspak në pozita të favorshme në drejtim të dijes. “Indeksi Global i Dijes” e rendit vendin tonë të 78-tin në botë, ndër 131 vende. Ky indeks përpilohet nga programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD), UNESCO dhe një fondacion privat. Ky është edicioni i parë i publikimit. Indeksi i përgjithshëm përpilohet mbi bazën e 6 kritereve kyçe, të cilat më pas zbërthehen në rreth 150 nënindikatorë të tjerë. Gjashtë fushat kryesore janë: arsimi parauniversitar, arsimi i lartë, kërkimi dhe zhvillimi, trajnimi dhe arsimi teknik, informacioni dhe teknologjia e telekomunikimit si dhe ekonomia.
Në indeks përfshihet dhe një indikator i 7-të, ambienti i përgjithshëm, që e rendit vendin tonë të 61-tin në botë. Performancën më të mirë, ndër indikatorët kyç, Shqipëria e regjistron në atë të arsimit parauniversitar, ku renditet e 62-ta në botë, dhe performancën më të dobët në drejtim të kërkimit dhe zhvillimit, ku renditet vetëm e 119-ta në botë. Vetëm në atë të trajnimit dhe të arsimit parauniversitar, Shqipëria është mbi mesataren globale.
Në indeksin e përgjithshëm të dijes, Shqipëria grumbullon vetëm 43 pikë, nga 47 që është mesatarja globale. Në indikatorin që i referohet ekonomisë ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 87-të në botë. Në krahasim me Europën, Shqipëria është vendi i fundit në absolut, me pikët më të ulëta dhe renditjen më të dobët.
Krimet e Rënda sekuestrojnë resortin e Balilit
Gjykata e Krimeve të Rënda miraton kërkesën për sekuestrim të pasurisë së familjes së Klement Balilit ish-kreut të Transporteve në Sarandë të dyshuar si trafikant droge. Gjykata e Krimeve të Rënda miraton sekuestron për resortin turistik “Sanata Quaranta” dhe disa prona të kësaj familjeje. “ReportTv” ka mësuar se, sekuestro preventive për mostjetërsimin e këtyre pronave është bërë me miratim të Gjykatës dhe ndër pronat janë troje, dyqane, shtëpi private, disa apartamente në qytetin e Sarandës dhe resorti “Santa Quaranta’’. Klement Balili është person në kërkim për llogari të drejtësisë greke dhe asaj shqiptare dhe i dyshuar si personi që drejtonte një grup kriminal të trafikut të drogës në Ballkan drejt Europës. Vetë ai e mohoi këtë akuzë në të vetmen dalje publike pak ditë pas urdhër arrestit grek dhe nga ajo ditë është zhdukur, duke ju fshehur policisë.
Lidhjet e Balilit me Tahirin dhe Habilajt
Habilajt ishin kumbarët e lidhjes së Klement Balilit me ish-ministrin Tahiri. Grupi i Habilajve ka pasur lidhje me rrjetin e Klement Balilit, një tjetër organizatë e famshme për trafikun e drogës nëpërmjet rrugëve detare e tokësore, në shumë vende të BE-së. Mediat italiane shkruanin në maj të vitit 2016, pak ditë pas arrestimit të 15 personave, kapjes së 700 kg drogë në Greqi dhe zhdukjes së Balilit, që po kërkohej nga grekët dhe DEA si kreu i bandës.
“Corriere Della Sera” raportonte se rrjeti i Balilit shtrihej deri në Itali. Vetë Balili, thuhet në shkrim, është parë shpeshherë në Milano. Por aktiviteti i tij dyshohet se shkonte edhe në Siçili, një zonë ku tregun e kanabisit shqiptar e zotëronin Habilajt, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në shkrimet e mediave fqinje citohen edhe deklaratat e opozitës, që kishte denoncuar më parë si Habilajt ashtu edhe Balilin, këtë të fundit, si një familje të pozicionuar fort në politikën dhe ekonominë shqiptare. “Balili ka lidhje me zyrtarë shtetërorë (përfshirë drejtues të policisë) dhe raporte direkte me “kushërinjtë” e ministrit të Brendshëm, të njohur si vëllezërit Habilaj, me të cilët bashkëpunon në trafikun e narkotikëve. Përmes tyre, Klement Balili ka arritur të krijojë kontak direkt me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri”, një deklaratë kjo e Arben Ristanit, që citohet nga shtypi italian në dosjen për Balilin.
Elbasani po helmohet, banorët japin alarmin
Elbasani ka më se një muaj që ka shpallur emergjencën mjedisore për shkak të ndotjes, por banorët thonë se gjendja nuk ka ndryshuar aspak. Ata kërkojnë ndihmë se po mbyten nga ajri i ndotur i industrisë së rëndë.
Nisma ka ardhur pas ankesave të shumta të banorëve të zonave të Bradasheshit dhe Vidhasit, të cilët janë më të prekurit nga mbetjet toksike, jo vetëm nga tymrat e që çlirohen nga fabrikat e inustrisë së rëndë, por prej disa muajsh është hapur edhe një rafineri e përpunimit të naftës. Banorët thonë për “Citizens Channel” se kjo e fundit mund të dëmtojë jo vetëm shëndetin e tyre, por edhe tokën bujqësore.
Emergjenca mjedisore
Emergjenca mjedisore u shpall në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik nga Këshilli Bashkiak pas propozimit të kryebashkiakut Qazim Sejdini në mbledhjen e 19 tetorit 2017. Këshilltarët përcollën në mbledhje shqetësimin e qytetarëve të kësaj zone, sipas të cilëve disa prej kompanive operuese në këtë zonë, nuk përdorin filtrat pluhur thithëse, duke bërë që situata të jetë shqetësuese.
Kryetari Sejdini mbështeti shqetësimin e ngritur, duke shtuar se ky është një shqetësim i ngritur disa herë edhe nga Bashkia. “Nga kontrollet që Bashkia e Elbasanit ka bërë në këtë zonë rezulton se, njëra nga kompanitë nuk i përdor filtrat, ndërkohë që edhe kompani të tjera më të vogla shkaktojnë ndotje”, tha Sejdini.
Madje, ai propozoi shpalljen e emergjencës mjedisore, vendim i cili u mbështet nga të gjithë këshilltarët. Këshilli Bashkiak ngriti një grup pune, i përbërë nga specialistë të mjedisit, i cili do të ndjekë nga afër situatën në këtë zonë dhe problematikat do t’i përcillen Ministrisë së Mjedisit. Sejdini tha se do të mbështesë nismën për të shpëtuar banorët e kësaj zone nga ndotja.
Në Bradashesh dhe Vidhas
Vendimi u prit me pozitivitet nga banorët e Bradasheshit dhe Vidhasit, por sot që ka kaluar më shumë se një muaj nga kjo iniciativë, ata thonë se nuk kanë parë asnjë specialist në zonën e ish-Metalurgjikut.
“Gjithë fabrikat po na helmojnë. Rafineria e naftës që është bërë tani, Kurumi, plus edhe dy ferro kromet e rinj që janë për momentin”, tregon Kujtimi banor i fshatit Bradashesh.
“Po i shohin të gjithë që vetëm nëpër spitale po shkojnë përditë, por kjo ndotje ndikon edhe tek kafshët, edhe ato po helmohen”, vijon më tej ai për “Citizens Channel”.
Kujtimit i cili shet frutat e kopshtit të tij buzë rrugës së Metalurgjisë futet tek kategoria që shpresat po i shuhen dita-ditës për zgjidhje ndaj nuk është entuziast për vendimin e Këshillit Bashkiak.
“Me një valixhe lekë besojmë se mbyllet ky muhabet. Vijnë të masin ndotjen, por shifrat devijojnë rrugës”, përfundon ai.
“Tymra kemi sa të duash, por skemi ku të ankohemi. Kujt t’i themi? Ramës apo Sejdinit? Nuk ka ardhur njeri që të masi ndotjen, ndërsa kalamajt dhe ne sëmuremi, por nuk e dimë nëse e kemi prej ndotjes. Megjithatë, tymi i Metalurgjisë këtej vjen”, rrëfen Xhemilja 75-vjeçarje.
Arben Stafa mjeku në Qendrën Shëndetësore Bradashesh, thotë se “rastet që vijnë në qendrën shëndetësore me simptoma të ndryshme si azëm, probleme frymëmarrje, njolla në lëkurë etj., janë të shumta”.
“Thuajse çdo javë kemi raste të tilla nga banorët e kësaj zonë, e cila duhet thënë se është shumë e ndotur dhe kjo ndikon në shëndetin jo vetëm të fëmijëve, por edhe të të rriturve”, thotë ai për “Citizens Channel”.
Ndërsa banorët e fshatit Vidhas duket se janë ata që kanë një konflikt të dukshëm interesi, kur bëhet fjalë për këto kompani e më konkretisht me rafinerinë.
Banorët e kësaj zonë të varfër që jeton vetëm me pak bujqësi e blegtori, janë punësuar pranë kësaj kompanie, si për t’u ‘mbyllur gojën’ e për të bërë kësisoj një pakt midis ndotjes dhe bukës së fëmijëve.
Këtu banorët nuk pranojnë të flasin nga frika sepse dikush është roje, dikush tjetër shef turni, përgjegjës e kështu me radhë.
Megjithatë heshtjen e këtyre të fundit e thyejnë ata që janë emigrantë. Gentjan Lleshanaku tregon se zona më e ndotur është zona e Bradasheshit. “Është zona më e ndotur në botë, flitet për Tiranën gjoja për makinat, por ne që hamë helmet e të gjithëve të fabrikave këtu”, tregon ai.
Matësit e ndotjes, larg zonës së ish-Metalurgjikut
Por për matjen e ndotjes, Bashkia Elbasan ka vendosur edhe disa aparate në zona të ndryshme, që monitorojnë 24 orë cilësinë e ajrit në qytet dhe të dhënat janë online për çdo qytetar, apo subjekt që ka interes t’i njohë ato.
Sipas Bashkisë së Elbasanit, aparaturat matëse janë vendosur në 5 pika të ndryshme të qytetit, ku është menduar se ajri është më i rënduar. Por sipas specialistëve, këto aparatura janë të lëvizshme dhe do të ndryshohen nëse lind nevoja. Ky fakt u përmend edhe në mbledhjen e 19 tetorit të Këshillit Bashkiak të Elbasanit.
Konkretisht, kryebashkiaku Sejdini tha se, “Bashkia e Elbasanit gjithashtu ka instaluar aparate matëse të ndotjes në disa pika në qytet, një prej të cilave edhe në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik, të cilat do të japin një pasqyrë të saktë të gjendjes së mjedisit. Monitorimi 24 orë i gjendjes së mjedisit do të çojë më pas në përcaktimin e shkaqeve dhe marrjen e masave”.
Duke u nisur nga ky fakt i përmendur nga vetë kryebashkiaku, ne kontrolluam këtë aplikacion për të parë sesi paraqitet gjendja e ndotjes.
Nga verifikimi i kryer në faqen dedikuar nga Bashkia Elbasan për sensorët e ndotjes së ajrit rezulton se ndryshe nga sa deklarohet se janë vendosur aparatura matëse në pesë pika të ndryshme, janë publikuar vetëm 4 të tilla. Pra, të dhënat e një aparature matëse nuk janë publikuar online, ndërsa katër të tjerat janë vendosur brenda Unazës së Elbasanit dhe asnjë prej tyre nuk është në zonën e ish-Metalurgjikut, në të cilën është shpallur emergjencë mjedisore.
Pika më e afërt me këtë zonë është ajo e rrethrrotullimit pranë lumit të Zaranikës. Të dhënat e saj tregojnë, se janë nën maksimumin e lejuar, krahasuar në normat europiane. Disa të dhëna që janë mbi normat europiane janë regjistruar nga aparatura e vendosur pranë Universitetit të Elbasanit, siç është dioksidi i karbonit.
Debati në Këshill
Por, ky konstatim ka sjellë dyshime edhe te Këshilli Bashkiak, i cili më 20 nëntor u mblodh sërish për të diskutuar mbi vendimin që u mor një muaj më parë.
Ekspertët e Bashkisë pretenduan sërish se cilësia e ajrit në Elbasan po monitorohet nga 5 aparaturat e cilësisë së ajrit që janë të vendosura në disa pika të qytetit, pavarësisht se online dalin vetëm të dhënat e katër prej tyre. Inxhinierët prezantuan në Këshill Bashkiak nismën dhe rezultatet e para.
“Jemi jashtë pritshmërive. Treguesit këtë kohë, tregojnë që Elbasani është brenda parametrave”, tha inxhinieri Vladimir Kareci. Por, këshilltarët e opozitës dhanë sugjerimet e tyre për zonat ku është e nevojshme të vendosen aparaturat.
“Aparatet të zhvendoseshin për të matur edhe njëherë situatën, duke nisur nga Unaza e Elbasanit dhe deri te Kombinati Metalurgjik dhe Fabrika e Çimentos”, kërkoi Blendi Himçi, këshilltar i PD. Një premtim i tillë është marrë nga grupi i punës, por nga ana tjetër mësohet se, zona e ish-Kombinatit Metalurgjik është në monitorim edhe nga Ministria e Mjedisit, por rezultatet nuk janë bërë publike.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse këto aparate matëse do të zhvendosen në zonën e shpallur si emergjencë mjedisore, apo do të vazhdojnë të masin ndotjen në qytetin e Elbasanit, duke dhënë kështu rezultate pozitive për kompanitë, të cilat vijojnë të pashqetësuara aktivitetin e tyre.
Autor: E.GJ / “Citizens Channel”
Strakosha në listën e objektivave të Juves
Beppe Marotta vendosi ta fuste në listën e dëshirave të tij që në momentin kur ai ndali Dybalan nga pika e bardhë dhe që prej asaj dite, Thomas Strakosha ka fituar gjithmonë e më shumë terren në strategjinë e Juventusit për të ardhmen. Portieri i Kombëtares Shqiptare edhe pse pak javë më parë rinovoi deri në vitin 2022 me Lazion, do të jetë një nga emrat më të përfolur në Itali gjatë merkatos verore. Numri 1 i Lazios është renditur në listën me 50 emrat e planifikuar nga drejtori i Juventusit, Beppe Marotta, të paktën sipas asaj që bën të ditur e përditshmja torineze “Tuttosport”. Gjithsesi, merkatoja e ardhshme vështirë se mund ta largojë 22-vjeçarin nga kryeqyteti dhe këtë e tregon edhe përqindja e vendosur në krah të emrit të tij, pasi sipas gazetës, Strakosha ka vetëm 10% mundësi transferimi, duke ditur se Lazio e ka blinduar me një kontratë afatgjatë dhe e konsideron pjesë të projektit dhe mund të vendosë ta shesë vetëm për një shifër stratosferike. Në këtë rast, Juventusi mund vetëm të presë për të studiuar situatën, por e ardhmja mund të dhurojë surpriza për një nga portierët më të talentuar kuqezi.
Ozil te Barça? Do 19 milionë euro në sezon!
Mesut Ozil ia ka bërë të qarta kërkesat e tij ekonomike presidentit të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, nëse ky i fundit dëshiron shërbimet e tij. Mesfushori i Arsenalit, që është në skadencë kontrate më skuadrën e Wenger, kërkon plot 370 mijë euro në javë, një shumë ekuivalente me 19 milionë euro në vit. Një shpenzim të tillë Barcelona mund t’ia lejojë vetes vetëm nëse në janar largon Arda Turan, paga e të cilit rëndon jo pak arkat e “blaugranave”. Përveç pagës “faraonike”, Ozil kërkon edhe bonuse të tjera. Wenger, që tashmë e ka të qartë se nuk do ta ketë lojtarin në shërbim të tij sezonin e ardhshëm, është i predispozuar që ai të arrijë marrëveshjen me Barçën, vetëm që të mos i bashkohet Jose Mourinhos te Manchester United. Madje ekzistojnë të gjithë mundësitë që kalimi në “Camp Nou” të ndodhë që në janar, me lojtarin që do të federohej menjëherë në Champions, pasi Arsenali këtë sezon merr pjesë në Europa League.
“Topçinjtë” janë të fokusuar për t’i rrëmbyer Schalkes 23-vjeçarin Goretzka, i cili do të ishte në qendër të projektit të drejtuesve të Arsenalit. Të njëjtin lojtar e kërkon edhe Barça, që mund t’i hapë rrugë skuadrës së Wenger nëse siguron kartonin e Ozil.
S‘ka të paprekshëm
Trajneri i Kombëtares, Christian Panucci në konferencën e djeshme për shtyp, ka folur mbi emra të veçantë, qoftë për rolin e tyre në fushë, apo për të ardhmen e secilit “Hysaj majtas? E di që luan majtas, besoj edhe tek Aliji, Memolla e Lenjani. Nëse nuk është asnjëri prej tyre, luan edhe Veseli. Hysaj nuk preket? Në ekipin kombëtar s’e ka askush vendin të sigurt. Nëse nuk luan mirë, sigurisht. Ai stërvitet shumë mirë. Ramadani? Eshtë një lojtar i mirë, më pëlqen, luan në Danimarkë, ku luhet fizikisht. Kam folur me Bushin, por është mirë të mos flasim me emra. Ftesa e Alijit për miqësoren ndaj Turqisë? Të gjithë trajnerëve u duket e çuditshme se si ai është pa ekip. Edhe nëse në mars nuk do të ketë ekip, ai do të vijë sërish. E grumbullova për t’i dhënë një mundësi”, u shpreh Panucci.
Trajneri i kombëtares ka folur edhe për grumbullimin e lojtarëve të dëmtuar në Antalia, të cilët ikën më pas në klubet e tyre, sepse ishin të pamundur për miqësoren ndaj Turqisë: “Pati lojtarë të dëmtuar, të thirrur në grumbullimin e Antalias? Ka disa rregulla, çdo lojtar, nëse është i dëmtuar, duhet të paraqitet me një letër nga klubi i vet në kombëtare. Më pas është doktori i kombëtares, ai që e viziton dhe pastaj kthehet në shtëpi. Basha erdhi dhe nuk kishte asnjë rekomandim. E pamë që ishte i dëmtuar, u siguruam se nuk luante të dielën në Seria B dhe e lamë të shkonte në shptëi. Te Bari nuk dinte askush asgjë. Latifi erdhi me një letër, që thoshte se duhet të qëndronte tre javë pushim, ndërsa ai thoshte se jam mirë. Kemi të bëjmë me ekipin kombëtar, ndaj duhet rekomandim mjeku dhe jo me një letër. Strakosha ndihej mirë, pas katër ditësh ndjeu dhimbje, e vizituam dhe u kthye te Lazio. Ai luajti më pas, është problem i klubit të tij, jo i yni. Nuk mund të bësh si të duash në kombëtare. Kush është i dëmtuar, të vijë në grumbullim, do të vizitohet dhe më pas mund të shkojë te klubi, nëse është vërtet i pamundur”, tha ai.
Në grumbullimin e Antalias, për miqësoren me Turqinë, ra në sy mungesa e kapitenit Ansi Agolli. Vetë futbollisti tha se ka biseduar me trajnerin Panucci, ndërsa ky i fundit, në konferencën e sotme për shtyp, ka hedhur më tepër dritë mbi këtë çështje. “Agolli? Kam folur me të, e kam telefonuar. I kam thënë se në kohën e eliminatoreve të Europianit të ardhshëm do të jetë 37 vjeç e gjysmë, ndaj do të shoh disa opsione në rolin e tij. Në këtë vit përgatitjesh është e drejtë që të shoh të gjitha alternativat. Nëse do të jetë në formë të mirë, nuk do ta marr parasysh moshën, do të grumbullohet dhe mund të luajë. Por, deri në qershor, do t’i shoh edhe alternativat e tjera. Ka shumë shqiptarë që luajnë jashtë, por ideja është që të krijojmë një skuadër cilësore. Më intrigon kjo. E kemi bazën e kombëtares, por ka edhe shumë lojtarë të rinj, që do t’i shikoj. Nuk e përcaktoj unë kush grumbullohet, metaforikisht, por dëshira e tyre. Le t’i referohem Qakës. Kisha një muaj e gjysmë që e shikoja. Talenti i tij e solli këtu, jo unë. Si ai ka edhe shumë të tjerë, ndaj do t’i shohim. Si do t’i përzgjedh lojtarët? Unë do të doja që lojtarët të luajnë sa më shumë me klubet respektive. Do thirren ata që i përshtaten modelit tim të lojës. Kur të grumbulloj 8 mbrojtës, fjala vjen, normalisht që do të luajnë ata që kanë më shumë minuta në këmbë. Sadiku kishte 27% të ndeshjeve të luajtura dhe e dinte që do të punonte me ekipin kombëtar për 9 ditë”, u shpreh Panucci.
Shqipëria dhe Kosova fitojnë nga 9 pozicione
Plot 9 pozicione. Kaq vlen suksesi i Kombëtares Shqiptare në Turqi. Skuadra e Christian Panuccit është ngjitur ndjeshëm në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, duke u renditur në vendin e 62-të. Ky është një nga kapërcimet më të mëdha të Kombëtares Shqiptare gjatë viteve të fundit në këtë klasifikim, çka reflekton edhe momentin pozitiv të kuqezinjve që, pavarësisht humbjeve ndaj Spanjës dhe Italisë, kanë arritur të fitojnë ndjeshëm terren pas suksesit të Antalyas ndaj një skuadre me emra të mëdhenj si ajo e Mircea Lucescut.
9 pozicione fiton edhe Përfaqësuesja e Kosovës, pas fitores spektakolare ndaj Letonisë me rezultatin 4-3. Skuadra e drejtuar nga Muharrem Saiti ngjitet në vendin e 174-t të klasifikimit të përgjithshëm botëror, duke bërë një hap të madh, edhe pse rruga mbetet e gjatë. Përsa i përket kreut, 5 vendet e para nuk ndryshojnë, me Gjermaninë që vazhdon të komandojë, e ndjekur nga Brazili, Portugalia, Argjentina dhe Belgjika, ndërsa Spanja fiton dy pozicione dhe ngjitet në vendin e 6-të. Edhe pse jashtë botërorit, Italia ka fituar një pozicion dhe është ngjitur në vendin e 14-të, ndërsa Anglia zbret në vendin e 15-të.
Peruja rrezikon Botërorin, ka shpresë për Italinë
Kombëtarja peruane rrezikon pjesëmarrjen në Botërorin ‘Rusi 2018’. Lajmi është bërë i ditur nga një media vendase, e cila evidenton se për shkak të një projektligji të propozuar, rrezikohet seriozisht pjesëmarrja e kombëtares në Botëror. Ky lajm ka ndezur edhe një herë shpresat për kombëtaren italiane, e cila mund të jetë e përzgjedhura për të zëvendësuar Perunë, në eventin sportiv më të rëndësishëm të botës.
Deputetja peruane, Paloma Noceda ka dorëzuar për miratim një projektligj që e vendos Federatën Peruane të Futbollit, nën varësinë e Institutit Peruan të Sportit, që ka funksione ministrore në këtë shtet. Pikërisht ky fakt, është i papranueshëm nga FIFA, që kërkon pavarësinë e federatave të futbollit, nga institucionet shtetërore me funksion ministror. Projektligji pritet të kalojë për votim së shpejti dhe nëse miratohet, atëherë hapet rruga për pjesëmarrjen e Italisë në Botëror.
Rekordi i Ibrahimoviç
Zlatan Ibrahimoviç e ka futur emrin e tij në historinë e Ligës së Kampionëve, por fatkeqësisht për të, nuk ka ende shumë kohë për ta ngritur kupën me veshët e mëdhenj. Ajo që suedezi arriti në ndeshjen kundër Baselit është një rekord i veçantë… Përkundër humbjes kundër ekipit zviceran, në fakt, Ibrahimoviç u bë lojtari i parë në historinë e këtij kompeticioni, që përfaqëson shtatë klube të ndryshme: Manchester, PSG, Milan, Barcelona, Inter, Juventus dhe Ajax. Sulmuesi suedez, siç e dimë, ende nuk ka arritur të fitojë Ligën e Kampionëve. Ai do të provojë këtë vit nën drejtimin e José Mourinhos, pasi fitoi “Europa League”, sezonin e kaluar. Manchester United është aktualisht në vendin e parë të Grupit A, me 12 pikë.