26.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Basha: Nuk do të lejojmë me të gjitha format emërimin e Kryeprokurorit nga Rama

Kreu i PD-së Lulzim Basha në një deklaratë për mediat është shprehur se Policia e Shtetit është kthyer dhe ka funksionuar si një organizatë e strukturuar kriminale.
‘Rama e ktheu Shqipërinë në një zonë të lirë për krimin e kriminalizoi policinë me trafikun e drogës për të blerë pushtetin.

Krimi i organizuar rrezikon destabilizimin e Shqipërisë. Lufta e vërtetë kundër krimit nis me largimin e Edi Rames i cili është pengesë kryesore për drejtesinë dhe luftën kundër krimit’, tha Basha në deklaratën e tij. Basha theksoi se nuk do të lejohet me të gjitha format emërimi i Kryeprokurorit nga Rama.

Basha: “Kjo është skema e krimit të organizuar nga Saimit Tahiri te drejtuesit e Policisë në rrethe e deri te policët. Kjo ka ndodhur pasi Rama ka lejuar kriminalizimin e Policisë. Me autoritetin e kryeministrit ai për tre vite me radhë ndërmori një seri gënjeshtrash, me një qëllim për të fshehur krimin dhe për ti dhënë krimit kohën që të organizohej.

Këto para u përdorën nga Rama për blerjen e zgjedhjeve. Krimi i organizuar kërcënon sigurinë kombëtare të vendit. Spasrtimi nga krimi duhet të nis nga qeveria e në Polici, hapi i parë është largimi i Ramës nga qeveria. Liria e Saimir Tahirit, dekonspirimi i aksionit të djeshëm nga ana e Ministrisë së Brendshme është fakti kryesor që tregon se Edi Rama qëndron në krye të krimit. Hapi i dytë që synohet është kapja e Prokurorisë, në mënyrë që të zhduken të gjitha dosjet.

Hapi i tretë është manipulimi i opinionit publik duke përdorur mercenarë shqiptarë dhe të huaj. Me një Prokurori dhe Drejtësi të pavarur, Edi Rama e di që laku do të ngushtohet.

Qëndrimet tona kanë qenë dhe do të jenë të qarta, ky që ndërmori sulm ndaj Prokurorëve vetëm se po hetojnë lidhjet e tij me krimin nuk mund të emërojë kryeprokurorin e ri. Edhe vetë Saimir Tahiri është ai që do të votojë për kryeprokurorin e ri. Nuk do të lejojmë emërimin e kryeprokurorit të ri nga Edi Rama me të gjitha mjetet”.

 

Miu Braçe provokon deputetin Agron Shehaj në Komision, ndërhyn Garda

Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka degjeneruar në konflikte pasi drejtuesi i këtij Komisioni Erion Braçe ka provokuar deputetin e PD, Agron Shehaj. Pas një sherri që ka ndodhur mes kryetarit socialist, Erion Braçe dhe deputetit demokrat, Agron Shehaj ka ndërhyrë Garda por dhe deputetë të tjerë të komisionit për t’i ndarë. Mbledhja është ndërprerë.

Braçe me fjalor rrugaçi

Pas pyetjes së ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, deputeti Shehaj ka kërkuar të flasë më gjatë, por është ndërprerë nga kryetari i komisionit Erion Braçe, që me sa duket e ka cilësuar koment të deputetit jo pyetje.

Në mbledhje po diskutohej mbi buxhetin e organeve të Vettingut, kur deputeti Shehaj ka ndërhyrë duke thënë se këto organe nuk do të jenë të pavarura. Pas ndërprerjes së fjalës, nisi edhe debati i ashpër që gati shkoi me përplasje fizike mes dy deputetëve.

Shehaj: Zoti kryetar unë personalisht nuk kam shumë eksperiencë në politikë dhe në komisione. Por, këtë sjellje që shoh nga ana juaj në këtë komision…
Braçe: Faleminderit shumë, mua nuk më vlerësoni dot sjelljen. Faleminderit, nuk ka fjalë për…Nuk jemi mbledhur këtu për mua. Më vjen keq.
Tabaku: Ka të drejtën e fjalës.
Braçe: Partia juaj, thoni ça të doni se s’më intereson fare.
Tabaku: E kam për procedurë.
Braçe: Zonja Tabaku, edukatë morale nuk duroj dot unë.
Tabaku: E kam për procedurë.
Braçe: Më vjen keq! Të vijë ministri tjetër.
Tabaku: Në qoftë se do ta vazhdosh mbledhjen vetëm…vazhdoje.
Braçe: Si ta keni, pa asnjë problem fare.
Tabaku: Zoti kryetar kur kërkojnë fjalën anëtarët e komisionit mund të kenë pyetje edhe më të gjata.
Braçe: Jo, pyetje jo. Pyetje të gjatë nuk janë komente.
Tabaku: Ashtu siç i kanë pyetjet, nëse s’marrin përgjigje…
Braçe: Zotëria e tha vetë “Ky ishte opinioni im për çfarë tha ministrja”. Më vjen keq. Pse do ta bësh opinionin pyetje. S’ka pikë kuptimi. Ndryshe si bie radha asnjërit në këtë komision.
Shehaj (pa mikrofon, në këmbë): Zoti kryetar jeni të pangopur. Nuk të mjaftuan 27 vjet.
Braçe: Më duhen 38 mln dollarë.
Shehaj: Të duhen 38 mln dollarë ë…I pangopur.
(Shehaj në këmbë dhe i afrohet Braçes”
Braçe: Hajde, hajde (me shenjë që të largohet).

Për pas hyn gardisti, largon Shehaj. Vijojnë replikat në distancë. Shehaj afrohet sërish dhe pas 2 sekondash, Braçe çohet më këmbë dhe i afrohet deputetit të PD-së, duke i thënë disa herë të ikë. Madje dëgjohet edhe një fjalor banal.

Braçe: Ik tani, ik tani! Ik se s’më ha k***. Ik se e mora vesh.
Tabaku: Zoti Braçe…
Braçe: Po ik tani. (Shehajn e tërheq gardisti. Braçen e tërheq deputeti i PS-së Anastas Angjeli).

Në kërkim nga Prokuroria edhe një gazetar, prej ditësh ka humbur Artan Hoxha

Plot 40 persona janë nën hetim sa i përket aktivitetit kriminal të Moisi Habilajt në fushën e narkotikëve. Mbrëmjen e sotme, Prokuroria ka bërë të ditur se të paktën 3 ish-zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit janë nën akuzë për përfshirje në trafikun e Habilajve dhe ndaj tyre janë lëshuar urdhër-arrestet.
Por burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur për Lajme.al se në mesin e të hetuarve është edhe një gazetar. Po sipas këtyre informacioneve, mësohet se gazetari përmes deklaratave televizive është përpjekur të sabotojë hetimet duke lëshuar deklarata të papërgjegjshme.
“Deklaratat e thëna në studiot televizive kanë pasur për qëllim shpërqëndrimin e hetimeve nga ana e gazetarit” – thonë burime nga Prokuroria.
Thëniet dhe kundërthëniet e gazetarit dyshohen se kanë qenë të porositura nga ish-zyrtarët e policisë që kërkohen me qëllim zhvendosjen e vëmendjes ndaj zonës së trafikut ku ata vepronin. Mësohet se gazetari në fjalë është në mesin e 40 personave nën hetim ndërsa burimet nuk e thonë emrin e tij.

PD denoncoi para dy vjetësh drejtuesit e policisë që bashkëpunonin me Habilajt

Partia Demokratike më 5 tetor të vitit 2015 publikoi emrin e Sokol Bodes, shef i Policisë Kufitare në Dhërmi si i përfshirë në trafikun e drogës. Në atë kohë PD publikoi 2 foto që provonin se trafikanti i drogës Moisi Habilaj kishte “kapur” policinë.
Në atë kohë Habilajt, kushërinjtë e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ishin njerëz të lirë dhe për ta kishte akuza vetëm nga ish-shefi i Antidrogës, Dritan Zagani dhe zyrtarë të Partisë Demokratike. Në atë deklaratën e PD të 2 viteve më parë thuhej se,“kushërinjtë e Saimir Tahirit, Habilajt të hetuar për trafik droge dhe që policia i njeh mirë për aktivitetin e tyre në Vlorë e më gjerë, po vazhdojnë të forcojnë lidhjet me pikat kyçe të kalimit të narkotikëve”.
Në deklaratën e PD thuhej se, polici Bode nuk mund të hetojë kushëririn trafikant të ministrit të Brendshëm.
“Nuk mund të prekë Habilajt që ndajnë makinën me Saimir Tahirin. Eshtë provuar publikisht tanimë, dhe e ka pohuar vetë me gojë Tahiri, se makina e tij që shërben si mbrojtje, si garanci e imunitet, është në dispozicion të Habilajve kur ata kanë punë me drogën, e më pas në dispozicion të Saimirit, kur ai shkon me pushime. Kjo aferë kriminale, ky skandal i padëgjuar më parë, tashmë është ndërkombëtarizuar. Mediat italiane kanë pasqyruar akuzat tronditëse që rëndojnë ndaj “narkoministrit” të Brendshëm shqiptar. Prokurorët italianë të Antimafias janë vënë në alarm për volumin e madh të drogës që po kalon nga Shqipëria drejt vendi fqinj”, thuhej në deklaratën e PD.
Pas dy vitesh, në dritën e hetimeve të publikuara nga Prokuroria e Katanias dhe lëvizjeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda u vërtetuan tërësisht deklaratat e PD.

4 drejtuesit e policisë akuzohen për 21 tonelatat e drogës në Vlorë

Katër drejtuesit e Policisë së Shtetit që u është lëshuar fletë-arresti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzohen edhe për 21 tonelatat e drogës të sekuestruara në dhjetor të vitit 2016 në Vlorë. Më 12 dhjetor 2016, PD denoncoi publikisht kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri, që mbrojnë kokat e policisë për 21 tonelatat e kanabisit të bllokuar nga Prokuroria në Vlorë. Në një deklaratë për mediat, PD bëri të ditur se, Rama dhe Tahiri jo vetëm i bënë rezistencë Prokurorisë për të mbrojtur deri në fund sasinë e madhe të drogës, por ia dolën të shpëtojnë kokat e këtij trafiku, duke nxjerrë në kërkim vetëm një agjent.
PD bëri të ditur atëherë ndër të tjera se, çdo javë ka një ngjarje që dëshmon inkriminimin e tij e të ministrit të Brendshëm dhe lidhjet që kanë me trafikun e me bandat. “Aksioni i kapjes së 21 tonë kanabis në Vlorë është një prej këtyre rasteve. Rama e Tahiri jo vetëm i bënë rezistencë Prokurorisë për të mbrojtur deri në fund sasinë e madhe të drogës, por ia dolën të shpëtojnë kokat e këtij trafiku, duke nxjerrë në kërkim vetëm një agjent”, thuhej në deklaratën e PD.
Më tej, në deklaratën e PD thuhej se, sipas të dhënave të sigurta ky rrjet i organizuar komadohej pikërisht nga drejtori i Policisë së Vlorës, Jaert Çela, përmes shefit të postës së Selenicës, Enkeleid Greku, kunatit të këtij të fundit që administron skafet në Vlorë, Dhimitraq Janku dhe shefit të krimit të organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila. “Gjurmët e Ramës dhe Tahirit, dhe urdhrat e tyre janë kudo ku mbrohet droga e krimi. U fsheh vrasja e 3 ditëve më parë në Shëngjergj. Një ekzekutim mafioz për hesapet e drogës, i 8-ti në muajt e fundit. Po kur ekzekutimet ndodhin për parcelat me kanabis, ato nuk raportohen ose paraqiten si vetëvrasje. Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë armiqtë e policisë, tradhtarët e burrave dhe grave në uniformë. Ata kanë krijuar paligjshmërinë më të madhe në vend, duke pesëfishuar parcelat me hashash që i menaxhojnë me kupolën e tyre të inkriminuar në polici. Kjo është e vërteta e drogës dhe e krimit që nuk fshihet dot nga sallat me regji qendrore. Rendi, policia, shteti do të jenë më mirë pa Edi Ramën”, thuhej në deklaratën e PD.
Operacioni i sekuestrimit të drogës u organizua nga Prokuroria për Krime të Rënda pas raportit të SHISH, pasi Drejtoria e Policisë së Vlorës hezitoi për shkak se në kultivimin e kanabisit ishin përfshirë zyrtarë të lartë policie. Burimet nga grupi hetimor sqarojnë se, operacioni që u zhvillua në Vlorë mbrëmjen e 4 tetorit, u zhvillua pas përgjimeve të SHISH dhe u organizua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilët nuk lajmëruan Policinë e Vlorës, por u nisën drejt vendngjarjes me forcat e FNSH-së nga Tirana.

4 drejtuesit e lartë të policisë të shpallur në kërkim janë larguar

Prokuroria për Krime të Rënda ka lëshuar 4 urdhër-arreste për ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet si të përfshirë në trafikun e drogës bashkë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Burimet bënë të ditur se urdhër-arrestet janë lëshuar për tre ish-drejtorët e Policisë së Shtetit, atë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, për ish-drejtorin e Postës së Dhërmiut, Sokol Bode, për shefin e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, Gjergji Kohila dhe ish-shefn e Krimit të Organizuar në Vlorë, ish-drejtor i Policisë në Shkodër, Kukës dhe Lezhë, Alban Çela. Urdhërarrestet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda i janë përcjellë policisë për ekzekutim.
Bëhet e ditur se tre drejtuesit e policisë që u është lëshuar fletë-arresti janë larguar jashtë shtetit. Burimet thonë se ka dyshime që ish-drejtori i Postës së Dhërmiut, Sokol Bode është larguar drejt SHBA, sidoqoftë kjo mbetet për t’u konfirmuar.
Jaeld Çela është mjaft i njohur, pasi në 6 raporte të SHISH është përfolur për lidhje me trafikantët e drogës, dhe rezulton të ketë telefonata të drejtpërdrejta me trafikantët. Jaeld Çeka ka qenë nëndrejtor në Policinë e Durrësit për dy vite gjatë mandatit të parë qeverisës të qeverisë Rama dhe më pas është emëruar në postin e drejtorit në Policinë e Vlorës. Si drejtor në Vlorë, ka qëndruar nga shtatori i vitit 2014 deri në prill të vitit 2017. Pas ardhjes së Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, Jaeld Çela u shkarku nga detyra dhe në Policinë e Vlorës u emërua Gentjan Shehaj.
Ish-ministri Tahiri u vu nën hetim pas bërjes publike të përgjimeve nga pala italiane për dosjen ‘Habilaj’. Por Kuvendi nuk e dha autorizimin për arrestimin e tij. Aktualisht, Prokuroria ka kryer kontroll banese dhe e ka marrë në pyetje Tahirin për hetimet që janë duke u kryer. Për “dosja Habilaj” janë rreth 40 persona për të cilët po hetohet në Shqipëri.

Jaeld Çela

Një prej të zyrtarëve për të cilën është lëshuar urdhër-arrest nga Prokuroria është ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Çela ka drejtuar Policinë e Vlorës nga shtatori 2014 deri në prill të 2017, ndërsa më parë ka drejtuar Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Çela ka patur lidhje me trafikantët e Vlorës.
Jaeld Çela u emërua në krye të Policisë Vlorë, në shtator të tre viteve më parë, kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Deri atë kohë, Çela ishte në krye të Policisë së Durrësit. Më pas, me ardhjen e Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, Çela u zëvendësua në këtë detyrë. Postin e kreut të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë e mori Gentjan Shehaj, i cili edhe e mban aktualisht.

Sokol Bode

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër-arresti edhe për ish-drejtorin e Postës në Dhërmi, Sokol Bode. Prej kohësh, Bode ka qenë i njohur për opinionin publik, pasi iu publikuan fotot ku ai shfaqet me vëllezërit Habilaj, njëri prej të cilëve, Moisi Habilaj u arrestua para një muaji në Itali për trafik droge.
Sokol Bode u transferua nga drejtor i Postës në Dhërmi në prill të këtij viti në Shkodër, ku iu dha posti si shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve. Në 7 prill të këtij viti, ai ka marrë masë disiplinore nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe ka qenë në hetim edhe nga SHÇBA, pasi në njësinë administrative ‘Guri i Zi’ në Shkodër u zbulua një serë ku u gjetën 87 kubikë kanabis. Përveç këtij për këtë rast kanë qenë në hetim edhe 4 punonjës të tjerë policie.

Gjergj Kohila

Zyrtari i tretë i Policisë që iu lëshua urdhër-arresti nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është Gjergj Kohila. Kohila ka qenë shef i Krimit të Organizuar në Vlorë.

Alban Çela

Po ashtu bëhet e ditur se, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër-arresti edhe për Alban Çelën. Alban Çela është kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ka qenë shef i Krimit të Organizuar në Vlorë, drejtor i Policisë në Shkodër, Kukës dhe Lezhë.

Si Jael Çela ish-drejtuesi i policisë në Vlorë refuzoi urdhër arrestet e prokurorisë për drogën

Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi sot disa urdhër-arreste, mes të cilëve edhe një për ish Drejtorin e Qarkut Vlorë, Jael Çela. Çela ka drejtuar policinë e Vlorës nga shtatori 2014 deri në prill të 2017, ndërsa më parë ka drejtuar drejtorinë e policisë së Durrësit. Pas ardhjes së Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, Jaeld Cela u shkarkua nga detyra dhe në Policinë e Vlorës u emërua Gentjan Shehaj.
Por emri i Çelës është i denoncuar të paktën në 6 raporte të Shërbimit Informativ Shtetëror për lidhjet e tij me trafikun e drogës. Madje, burime për Tpz.al thonë se emri i Çelës është permëndur edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të nëntorit 2016, të mbledhur nga presidenti Bujar Nishani. Ka qënë Shefi i Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika, që në raportet e dorëzuara në këtë mbledhje ka folur për disa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, mes tyre edhe Jael Çelën.
Tpz.al mëson gjithashtu të dhënat e një prej raporteve të SHISH. Bëhet fjalë për një operacion policor të zhvilluar në fillim të tetorit 2016, ku u sekuestruan 7 ton kanabis sativa e paketuar për eksport jashtë Shqipërisë.
Operacioni asokokhe nisi pas indicieve të Shërbimit Informativ Shtetëror, ku agjentët kishin identifikuar disa parcela me kanabis në zonën e Lumit të Vlorës. Pasi kanë zbuluar parcelat dhe përgjuar trafikantët, SHISH i është drejtuar prokurorisë, ndërsa kjo e fundit bëri gati fletëarrestet ndaj personave që dyshohen si organizatorë të trafikut të drogës.
Por veprimi i prokurorisë nuk është pritur mirë nga Policia e Vlorës dhe drejtuesi i saj, Jael Çela, ku në raport thuhet se kishin hezituar të zbatonin fletarrestet. E gjendur në këtë situatë, prokuroria njoftoi Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të marrë përsipër operacionin në Vlorë, pasi po pengoheshin nga Policia e këtij qyteti.
Në raport thuhet, se edhe gjatë momentint të mbërritjes së FNSH, drejtori i Policisë së Vlorës, Jael Çela ka bërë bllokadë duke thënë se në Lumin e Vlorës, nuk ka kanabis pasi është e krehur si zonë.
Por insistimi i prokurorëve ka bërë që specialet e FNSH-së të hynin në zonën e Lumit të Vlorës, ku kanë sekuestruar plot 7 ton kanabis të presuar. Pak ditë përpara këtij operacioni policor, emri i drejtorit Jael Çela, dilte në përgjimet e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Apeli le në burg financierin e “Habilajve”

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në burg Nezar Seitin, i njohur si financieri i grupit kriminal të Habilajve. Për Seitin janë dy masa sigurie “arrest me burg”, e para është për qëllim ekstradimi, drejt Italisë dhe e dyta për hetimin e përbashkët të Seitit me vëllezërit, Moisi dhe Florian Habilaj.
Më herët, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë 20 ditë burg për Nezar Seitin, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë. Nazer Seiti kërkohet nga Prokuroria e Katanias në Itali, pasi e akuzon për trafik të lëndëve narkotike. Sipas prokurorëve në përgjimet e palës italiane del se Nezar Seitaj komunikonte vazhdimisht me Moisi Habilajn dhe diskutonte me të për pazaret e drogës. Në katër operacione antidrogë mes viteve 2012 dhe 2014 del edhe emri i tij.
Sipas organit të akuzës, kjo del në materialet shtesë të dërguara nga pala italiane për Seitajn. Por vetë i pandehuri dhe avokatët e tij kanë kërkuar që hetimet ndaj tij të zhvillohen në Itali dhe jo nga pala shqiptare, ku edhe u arrestua. Gjatë marrjes në pyetje ai ka thënë se me Habilajt ka lidhje krushqie, pasi bashkëshortja e tij i ka kushërinj dhe se nuk ka lidhje me aktivitetin e tyre kriminal.
40-vjeçari u prangos rreth një muaj më parë në qytetin e Vlorës, pasi nga përgjimet e hetuesve Italianë, ai kishte rolin e blerësit të mjeteve të shpejta lundruese. Në arrestimin e Seitit, morën pjesë edhe oficerët e Gjykatës së Katanias, pasi kishte dyshime se trafikanti mund t’i shpëtonte prangosjes, përmes dekonspirimit të operacionit.
Për të njëjtën dosje, qëndrojnë pas hekurave në Itali edhe kreu i grupit kriminal, Moisi Habilaj. 12 janë të arrestuarit deri tani në dy anët e Adriatikut me akuzën për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ende nuk ka një vendim të Gjykatës shqiptare nëse Nezar Seiti do të ekstradohet apo jo. Ndërsa ky i fundit ka kërkuar edhe këtë të mërkurë dërgimin e tij dosjes në Itali, duke iu bashkuar pjesës tjetër të grupit të Habilajve.

Maskat terror në Lezhë dhe Tiranë

Një grabitje me armë ka ndodhur ditën e djeshme në Lezhë. Një person i armatosur dhe me maskë ka marrë xhiron e një supermarketi në rrugën “Shtraus” në këtë qytet, pasi ka kërcënuar me armë punonjësit. Pasi ka marrë paratë e xhiros ditore, rreth 300 mijë lekë, ai është larguar me shpejtësi. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, dhe ka nisur hetimet për ngjarjen.
Policia ende nuk ka arritur të identifikojë autorin e grabitjes. Autori i grabitjes është një person rreth të 20-ve, dhe dyshohet se kishte dijeni për xhiron ditore të supermarketit.
Një tjetër grabitje me dhunë ka ndodhur pasditen e djeshme në Tiranë ku një person ka hyrë në një lokal dhe i ka marrë xhiron ditore një kamerieri. Bëhet e ditur se, personi ende i paidentifikuar, ka ushtruar dhunë mbi kameririn dhe grabitur xhiron ditore të një lokali në Sheshin “Wilson”. I riu i veshur me një xhup të zi dhe një kapelë në kokë, sapo ka hyrë në lokal, ka goditur kamerierin dhe i ka marrë lekët e xhiros ditore, por ende nuk dihet shuma e parave që janë grabitur. Policia bëri të ditur në një njoftim për shtyp se, te Sheshi “Willson”, brenda një lokalit 1 person, me xhup të zi i ka marrë me dhunë xhiron ditore, kamarierit N.S, vjeç 27 dhe është larguar. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.