22.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Shpërthim në Rafinerinë e Ballshit, plagoset një punëtor

 

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Rafinerinë e Ballshit, ku si pasojë është plagosur një punonjës. Lajmi fillimisht u publikua nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazhit të marrë nga një qytetar nga Ballshi. “Qytetari dixhital denoncon: Një shpërthim në Rafinerinë e Besos së Partisë dhe Olsit në Ballsh. Plagosjen rëndë të një punëtori nga shpërthimi i përsëritur herë pas here dhe që një vit më parë i mori jetën një punëtori. Mungesën e kushteve të sigurisë në punë për punëtorët, por edhe banorët e zonës. Katastrofën mjedisore që shkakton uzina e mafies Sula-Rama si dhe shkarkimet e gazrave pa asnjë kontroll në ajër, gjithashtu dhe hedhjen e mbetjeve toksike në Gjanicë. Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje doktor. Jam një qytetar mallakastriot. Sot në orët e para të mëngjesit në Rafinerinë e Ballshit ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm me pasojë dëmtimin e një punonjësi dhe ndotje mjedisore që në çdo vend të zhvilluar do të rezultonte me pezullimin e menjëhershëm të punës në kushte mizerabel si dhe marrjen e masave për evakuim të paktën të banorëve që jetojnë disa dhjetëra metra afër si dhe një shkollë që ndodhet disa qindra metra larg. Ky është rast i përsëritur, pasi disa muaj më parë një punonjës humbi jetën nga një shpërthim i ngjashëm. Pa përmendur ajrin që thithim çdo ditë dhe shkarkimet që kryen çdo ditë në lumin Gjanica. Të paktën që mund të bëjnë administratorët është që herë pas here të bëjnë remont siç bëhej dikur për të shmangur rrjedhjet dhe të vendosin filtra që të minimizohet ndotja. E duam jetën tonë dhe të fëmijëve tanë ndaj denoncoj”, shkruan qytetari.
Pas 8 orësh lajmi u publikua edhe nga Policia e Shtetit. “Sot rreth orës 07:20, në Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, në repartin e “Koksit” ka rënë zjarr (digjen mbetjet toksike të naftës). Si pasojë e zjarrit është dëmtuar lehtë shtetasi L.Y, 53 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Mallakastër (punëtor i këtij reparti), i cili po merr mjekim në spital. Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit, i cili është vënë nën kontroll. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Shtyhet sërish gjyqi për Alket Hatinë

Seanca gjyqësore për Alket Hatinë është shtyrë sërisht. Shkak për këtë është bërë mosardhja e përgjigjes nga shteti italian. Alket Hatija po gjykohet në mungesë, pasi ndodhet në arrati. Gjyqi i të mërkurës (22 nëntor) u zhvillua pa praninë e medias. Më herët në seancën paraardhëse mbrojtja për Hatinë ka deklaruar se drejtësia italiane nuk njeh vendimet e gjykatave shqiptare, ndërsa Hatia e ka vuajtur dënimin për të cilin kërkohet nga pala italiane.
Alket Hatija u arrestua më 8 korrik të këtij viti me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane për shkak të një dënimi me 20 vjet burg, të lëshuar nga Gjykata e Apelit në Milano në vitin 2015 për veprën penale të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Më 11 korrik, Prokuroria kërkoi masën e “arrestit me burg” me qëllim ekstradimin e tij, por që u la i lire nga gjyqtari Petraq Çuri, duke i dhënë masën detyrim paraqitje, me argumentin se në dosjen e Hatijas mungonte një kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë. Prokuroria e çoi çështjen në Gjykatën e Apelit, duke paraqitur si provë edhe kërkesën e ministrit të Drejtësisë për aplikimin e masës shtrënguese “arrest me burg” për qëllime ekstradimi.
Alket Hatija u arrestua për herë të parë në vitin 2008 me kërkesë të autoriteteve italiane, pasi akuzohej se ishte pjesë e një organizate kriminale në drejtim të trafikimit të qindra kilogramë heroinë në Itali. Çështja u transferua në Shqipëri për gjykim, ku pas shqyrtimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Hatija u dënua me 10 vjet e 8 muaj burg, dënim të cilin e kreu të plotë në Shqipëri.

Drogë dhe armë nga Shqipëria në Itali, arrestohen dy shqiptarë në Romë

Dy shqiptarë janë arrestuar nga Policia e Romës, pasi janë kapur me armë, drogë e dokumenta false. Arrestimi është bërë në periferi të kryeqytetit italian, në rrugën “Baralli”, ku dy shqiptarët braktisën makinën dhe u larguan menjëherë, pasi panë policinë. Të ndaluar pas një ndjekje të shkurtër, kontrolli u zbuloi dokumentet false, 2.7 gramë hashash, 4.32 gramë marijuanë e 6 gramë kokainë.
Kontrolli në banesën e njërit prej tyre zbuloi një pistoletë Beretta kalibër 9, model 84 F, një pushkë gjahu Beretta kalibër 12, model S55B, si dhe municionin përkatës për të dyja. Armët rezultonin të vjedhura në dy episode të ndryshëm pak muaj më parë.
Të arrestuarit do të përballen me akuzat e zotërimit të drogës, mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mbajtjen e dokumentave false.

Shqiptari kapet me 1 kg kokainë në Itali
Karabinierët e Bagnolo Mellas në provincën e Breshias kanë arrestuar në flagrancë, duke shitur kokainë, një shqiptar 65-vjeçar, i papunë dhe me precedentë. Shqiptari ishte i njohur për kronikën dhe karabinierët e stacionit lokal për krimet e shfrytëzimit të prostitucionit, shitje kokaine, dëmtim personi dhe mbajtje armësh në vende publike, të gjitha të kryera në fillim të viteve 2000 që i sollën një dënim prej dhjetë vjetësh, vendosur përfundimisht më 2007.
Pasi lau borxhin me drejtësinë, ai u kthye në Bagnolo Mella dhe fillimisht u përpoq të jetonte në mënyrë të ndershme. Por duke qenë se ishte i vendosur mirë brenda botës së shpërndarjes së drogës, nuk iu desh shumë që të fitonte sërish besimin e furnizuesve të narkotikëve dhe rinisi të shiste sasi të mëdha kokaine.
Të shtunën në mbrëmje, karabinierët i shkuan në shtëpi, ku gjetën 1 kilogramë kokainë të pastër, 16500 euro dhe një pistoletë. Kokaina ishte e pandarë në doza dhe në rrugë do të shitej për mbi 100 mijë euro. Shqiptari u dërgua direkt në qeli, ku iu komunikua edhe masa e sigurisë arrest me burg.

1.8 milionë paund të pastruara në bankat britanike nga bandat shqiptare

Një gjykatë britanike dënoi tre persona, dy kinezë dhe një shqiptar për pastrim parash. Bëhet e ditur se grupi që kishte arritur të pastronte 1.8 milionë paund në bankat britanike për një periudhë brenda vetëm dy javësh është dënuar nga autoritetet vendase. Shtetasit kinezë, Fen Chen, 32 vjeç, mikja e tij Ying Lin, 27 vjeç si dhe dy bashkëpunëtorë morën dhurata bankare në dhjetëra degë midis 30 korrikut dhe 15 gushtit 2016.
Zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Krimit, arrestuan shtetasin Chen menjëherë, pasi i kishte pranuar një qese me 300 mijë paund nga shqiptari Fation Koka, 30 vjeç, shkëmbim i cili ishte kryer në parkingun pranë një supermarketi në parkun “Royal” më 15 gusht 2016. Zyrtarët hetimorë gjetën mesazhe me tekst në telefonat e Fen dhe të Fation Kokës, që tregonte se një tjetër dorëzim parash kishte ndodhur në të njëjtin parkim.
Zyrtarët e NCA gjetën mesazhe me tekst në telefonat e Fen dhe Koka që treguan një tjetër dorëzim të parave të gatshme ndodhi në të njëjtën park makinash më 31 korrik 2016. Hetuesit siguruan pamjet e kamerave të sigurisë së bankave që tregonin Chen, Lin dhe të tjerë, duke depozituar para në sasi të vogla për të shmangur dyshimet.
Në nëntor, në Kingston Crown Court, Chen u dënua për katër akuza në lidhje me pastrimin e parave, duke u burgosur për 6 vite e tre muaj. “Fen Chen ishte një pastrues ‘pjellor’ i parave, i aftë për të përpunuar miliona paund para të gatshme në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Fen ishte kapur me të kuqe, duke u dorëzuar në rreth 300,000 paund që i përkisnin një bande shqiptare të drogës”, tha hetuesi Kevin Gee.
Ndaj shqiptarit janë ngritur dy akuza të pastrimit të parave dhe është burgosur për 21 muaj dhe pas dënimit të tij, do të deportohet për në Shqipëri. Lin më parë pranoi një akuzë të vetme për pastrimin e parave dhe u deportua, pasi u dënua me 14 muaj burg.

Dy aksidente me vdekje gjatë 24 orëve

Numri i aksidenteve rrugore në vend vijon të mbetet në shifra të larta. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë bërë 5 aksidente në rang vendi, dy prej të cilave me pasojë vdekjen. Konkretisht, në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë, 31-vjeçari me iniciale K.Xh ka humbur drejtimin e motorit, duke dalë nga rruga. Ai ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Gjithashtu, në aksin rrugor Fushë Milot – Thumanë automjeti tip BMW që drejtohej nga 30-vjeçari nga Kosova, G.S., përplasi për vdekje këmbësoren 23 vjeç me iniciale D.D. Ndërkohë, aksidentet e tjera fatmirësisht janë pa pasoja fatale. Në autostradën Tiranë-Durrës, makina përplasi një motorçiklist, duke e plagosur lehtë; në rrugën “Kastriotët” një motor përplasi një vajzë 8-vjeçare dhe më pas u largua nga vendngjarja dhe në fshatin Gostimë, dy persona u plagosën nga përplasja e dy automjeteve.

Tahiri në Gjermani u takua me avokatin e Habilajve

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka shkuar në Gjermani për të takuar avokatin e Habilajve. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi të marrë nga një qytetar. “Saimir Trafiku takoi në Gjermani avokatin e Habilajve! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Një fakt shumë interesant dhuratë nga Noriega për popullin shqiptar. Të martën në mbrëmje udhëtova nga Rinasi drejt Milano Malpensa bashkë me bashkëshorten time. Sapo zbritëm nga avioni na mori një autobus dhe zbritëm në një hyrje të pajisur me skaner dhe metal detector. Ushtruan kontroll personal për çdo pasagjer njësoj sikur kontrollohemi në rastet para imbarkimit në avion. Duket se autoritetet italiane s’kanë më besim tek kontrollet shqiptare dhe tek “pastërtia” e policisë tonë, sepse shembullin për ne e ka dhënë ish-ministri i dashur Saje Qorri. E desha t’i bëj një pyetje edhe atij: Në Gjermani të kontrolluan në ndonjë dhomë të veçante apo i re nga Gjermania për të shkuar me taku avokatin e byrazerave?! Kot për muhabet po pyes… Flm Doktor, uroj ta bëni këtë denoncim, sepse vërtetë na kanë vënë një njollë shumë të keqe ne si popull edhe shtetit tonë!”, shkruan qytetari.
Ish-ministri Tahiri mashtroi për vizitën e tij në Gjermani duke deklaruar se kishrte shkuar atje për të vizituar babain e tij, i cili kishte shkuar për të bërë një ndërhyrje kirurgjikale. Por e vërteta është krejt ndryshe pasi gjatë datave 17-20 nëntor, kohë kur Tahiri ndodhej në Gjermani, rezulton se babai i tij Bashkim Tahiri, sipas sistemit TIMS nuk ndodhej në këtë shtet. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, Saimir Trafiku ka mashtruar drejtësinë dhe Parlamentin!
Berisha shkruante në një postim në Facebook se, bazuar në të dhënat e sistemit TIMS, Saimir Trafiku ka qenë në Gjermani nga data 17 deri më datën 20 nëntor dhe, po sipas sistemit TIMS, Bashkim Tahiri në këto data nuk ka qenë fare në Gjermani, por vetëm në Shqipëri.

Një tregtar cigaresh në Elbasan do të pastronte 863 mijë eurot e Tahirit

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka postuar në Facebook denoncimin e një qytetari i cili shprehet se lekët që u gjetën në makinën e Orest Sotës ishin te Saimir Tahirit me destinacion në qytetin e Elbasanit, tek një tregtar cigaresh, mik i ngushtë dhe i afërt me Tahirin dhe lekët do shkonin aty për pastrim.

Postimi i Berishës

Qytetari dixhital informon:

parate e ne makinen e Orest Sotes jane

te Saimir Tahirit, i cili po i dergonte

per pastrim te nje tregtar, mik i ngushte dhe i afert i tij. sb

“Pershendetje Doktor.Ateher kam informacion, qe leket qe u gjeten ne makinen e Orest Sotes ishin te Sajmir Tahirit me destinacjon ne qytetin e elbasanit, tek nje tregtar cigaresh mik i ngushte dhe i afert me saimirin, dhe leket do shkonin aty per pastrim, dhe ky tregtari tregton edhe cigare pa pulle fiskale ashiqare dhe nuk e ndalon njeri ju lutem anonim”

Gjermani, arsyet e liberalëve

Ubaldo Villani

Pas pesë javësh traktativash të gjatë dhe intensive, liberalët gjermanë kanë lënë që të dështojë marrëveshja për qeverinë e re gjermane. Sipas Peter Tauber, Sekretar i Përgjithshëm i CDU-së, nuk kishte asnjë motiv tjetër përmbajtësor që e justifikon këtë vendim. Por, në realitet, arsyet e liberalëve janë dhe janë të shumta, edhe pse jo të gjitha të pranueshme.
Problemi i parë i liberalëve me një qeveri të formatit Xhamajkë (nga ngjyrat e partive që do të duhej ta formonin) përfaqëoshej nga vështirësia për të qenë protagonistë në një koalicion në të cilin Kancelarja dhe të Gjelbërit qenë deri shumë të mirëkuptuar midis tyre.
Rreziku që kishin Christian Lindner dhe të tijët ishte ai i të qenit edhe një herë akoma nga forca e Kancelares, pasi që qysh nga 2009 në 2013 dolën me brinjë të thyera. Nga ana tjetër, klasa drejtuese e liberalëve është objektivisht më pak kompetente dhe më pak e përgatitur si nga ajo e Unionit (CDU/CSU), e mësuar gjithmonë të mbulojë role kryesore përgjegjësie, ashtu edhe nga ajo e të Gjelbërve, e njohur për intransigjencën e saj lidhur me disa tema, por, ndërkohë, për saktësinë me të cilën studiojnë dhe përgatisin dosjet. Në këtë kontekst, liberalët do të kishin qenë hallka e dobët e të gjithë koalicionit.
Një problem i dytë ishte që t’ia shpjegonin bazës së tyre një aleancë me të Gjelbërit. Liberalë dhe të Gjelbër, të paktën në çështje të tilla të mëdha si mjedisi dhe reduktimi i taksave, përfaqësojnë dy botë të papajtueshme. Nga këtu edhe një pengesë e tretë: paqëndrueshmëria që një koalicion Xhamajkë do të kishte sjellë me vete. Divergjencave politike u duhen shtuar edhe antipati e moskuptime personale midis liderëve të ndryshëm liberalë e të gjelbër.
Në të kundërt, Angela Merkel dhe politikanët e afërt me të mund të gëzojnë një mirëkuptim – nganjëherë edhe të shkëlqyer – të caktuar me dy liderët e gjelbër Kathrin Göring Eckhardt dhe Cem Özdemir, por edhe me eksponentë të tjerë ambientalistë, midis të cilëve Winfried Kretschmann (Ministër – President i Landit Baden – Württemberg).
Një problem i katërt është i lidhur me ambiciet e liberalëve për të kthyer në protagonistë të politikës gjermanë pas katër vitesh ku bile kishin dalë edhe jashtë Bundestagut. Në këtë kuptim, Christian Lindner do ta luajë lojën e tij pa komplekse inferioriteti ndaj Kancelares dhe, ndoshta, të provojë që ta nxjerrë jashtë loje.
Nga këtu strategjia e traktativës së gjatë e hedhur në erë në momentin e fundit me objektiv vënien në vështirësi e Angela Merkel dhe ta detyrojë që të mbajë zgjedhje të parakohshme apo deri në dorëheqje si Presidente e CDU-së. Nga ana tjetër, nuk është aspak mister që Lindner është shumë më i afërt me Jans Spahn, një kundërshtar të madh të Kancelares, me të cilin mirëkuptohet shumë mirë.
Së fundi, Lindner e ka kuptuar se në këtë fazë historike me ndjenjën e institucioneve nuk fitohen zgjedhjet. Përkundrazi, populizmi të shpërblen elektoralisht. Aspirate e liderit të FDP-së është që ta bëjë partinë e vet një lëvizje liberale neo – populiste sipas modelit të Kurz në Austri apo të Geert Wilders në Holandë.
Domethënë të marrë frenat e pakënaqësisë, t’i flasë më shumë barkut sesa kokës së elektoratit dhe të provojë që t’i zhvasë vota të djathtës së Alternative für Deutschland, duke e sfiduar në terrenin e saj. Deri më tani, operacioni ka dalë pjesërisht me sukses. Liberalët i kanë marrë vota Unionit dhe janë kthyer në qendrorë në ekuilibrat politikë gjermanë, por tani fillon faza më e vështirë, pasi në rast zgjedhjesh të parakohshme përplasja liberalë – AfD do të jetë shumë më e ashpër dhe më konfliktuale nga sa ka qenë në shtator.

“Lubelli është Historian Institucionesh Politike”

Përgatiti
ARMIN TIRANA

TVSH përforcon sistemin e pengut të biznesit

Artur ROSHI

TVSH përforcon sistemin e pengut të biznesit qeveria thotë se vitin që vjen do të aplikojë skemën e TVSH edhe tek biznesi i vogël pa përjashtim. Motivimi i kësaj iniciative është formalizimi i ekonomisë, pra t’i paguaj shtetit në masën që i takon në proporcion me atë që fiton. Në pamje të parë është një parim që nuk mund ta kundërshtosh, parimi i pagesës së taksës së individit për çështjet publike. Mirëpo ky “parim” ka një marrëdhënie biunivoke me parimin e të drejtës për të bërë biznes, prandaj dhe bëhet i dyfishtë, sepse nuk qëndron njëri pa tjetrin. Kështu që ky “parim i dyfishtë” që të jetë funksional duhet ta njohin për parim të dy palët, shteti dhe qytetarët si subjekte të kontratës shoqërore si themel i organizimit të shoqërisë. Gjykimi që bën qeveria është i njëanshëm, sepse i referohet interesit të shtetit dhe jo interesit të biznesit, e aq më tepër kur shteti e trajton interesin e tij në dëm të qytetarit si qëllim në vetvete. Në vendet e zhvilluara në marrëdhënien midis individit që bën biznes dhe shtetit është interesi i qytetarit që prevalon. Pra, shteti duhet për qytetarin dhe qytetari për shtetin. Nisur nga ky kontekst le t’i referohemi argumentimit pse dëmtohet biznesi i vogël nga skema e TVSH. Ajo që duhet të dallojmë është gabariti (zona nga kufiri i poshtëm në kufirin e sipërm), i lejuar për funksionalitetin e biznesit. Një biznes është funksional deri në momentin, kur ruan interesin e biznesmenit, pra deri kur motivi i tij, fitimi është në kufirin e përputhshmërisë të investimit, të punës së harxhuar dhe të nevojave familiare. Ky është kufiri i poshtëm i ekzistencës funksionale të biznesit. Sa është ky i shprehur në shifra? A përputhet me kufirin e xhiros 5.000.000 lekë në vit që qeveria ka vendosur për kufirin e biznesit të vogël? Besoj që jo, sepse ndryshe nuk do të kishte kundërshti kaq të fortë nga biznesi. Si mund të mendosh se me një xhiro ditore afërsisht 13.800 lekë që i përgjigjet xhiros vjetore 5.000.000 lekë mund të përballosh shpenzimet konstante, faturë dritash, faturë uji, sigurime shoqërore, paga punonjësish, taksën e ndërtesës ose qiranë e objektit, shpenzime plotësuese sipas llojit të biznesit, pagesën e sigurisë së dyqanit, pagesën e ekonomistit për deklarimet, dhe në fund të fitosh. Fitimi është diku te 10% e xhiros ditore, pra 1.380 lekë në ditë, pra kemi të bëjmë me një biznesmen pa biznes. Kjo gjë e vë biznesin para dilemës, të jetojë duke gënjyer apo të mos jetojë, duke mos gënjyer. Të duam të vërtetën duhet të pranojmë që ky kufi nuk duhet të jetë më poshtë se 11.000.000 lekë xhiro vjetore. Mbi këtë pikë kufi fillon zona e qëndrueshmërisë së biznesit që mbaron në pikën e kufirit të sipërm të tij. Ky kufi duhet të afrohet rreth xhiros vjetore 14.000.000 lekë që të kemi një biznes solid e të qëndrueshëm. Mbi kufirin e sipërm të biznesit futemi në zonën e fitimit të vërtetë dhe për rrjedhojë në zonën që duhet të jetë kompromisi i palëve, shtetit dhe individit. Këtu duhet të fillojë aplikimi i skemës së TVSH, e thënë më qartë biznesi i vogël duhet të jetë deri në kufijtë e xhiros vjetore të paktën 14.000.000 lekë. Sot, kemi një gjendje lëngatë të ekonomisë në tërësi për shkak të politikave fiskale që ndjek qeveria dhe të agresivitetit të saj ndaj biznesit në katër vitet që shkuan. Fuqia blerëse ka rënë, besimi për të patur sukses në biznes ka rënë, e cila duket tek numri i hapjes së bizneseve të reja që është i papërfillshëm, fitimi i tyre ka rënë ndjeshëm, etj. Me këtë gjendje futja e TVSH do të jetë goditja përfundimtare ndaj biznesit. Ajo do ndikojë në rritjen e çmimit për çdo produkt, e cila do të sjellë rënien e fuqisë blerëse për rrjedhojë bie xhiro mujore dhe biznesi shkon drejt falimentimit. Nga ana tjetër, qytetarit i humbet shërbimin afër banimit apo vendit të punës dhe duhet të humbasi më shumë kohë dhe litra naftë, t’u drejtohet pikave të mëdhaja p.sh.supermarketeve, të cilat do të krijojnë monopole që më vonë do të diktojnë çmime artificiale. Përveç rritjes së çmimit do të rritet pagesa për diferencën e TVSH nga biznesi, do të rritet kuota e pagave për pagesën e një ekonomisti, do të rritet shqetësimi i biznesit për shkak të nivelit të ulët të kapacitetit të menaxhimit, i cili do të rrisë frikën e tij për të ekzistuar, uljen e optimizmit për punë dhe si rrjedhojë falimentin. Qeveria këtu harron qëllimin e vet, që duhet të ketë, rritjen e mirëqenies së qytetarit dhe rritjen e ekonomisë si përcaktuese e saj, dhe përkushtohet në pagesën e një takse publike, e cila rëndon qytetarin dhe nuk ndikon në rritjen e ekonomisë. Një ekonomi që zhvillohet në kushte të caktuara, jep një sasi produkti të caktuar që ka një vlerë të caktuar dhe këtu mbaron çdo gjë, hidhe fajin ku të duash, pse nuk ke një vlerë më të madhe të saj. Janë kushtet që qeveria krijon në tërësi për zhvillimin e saj, nuk është hallka e fundit para konsumatorit që nuk paguan një taksë për punët publike. Qeveria duhet të interesohet për stabilitetin e atij që paguan taksën nëse kërkon ta marri taksën. Përfundimisht, të gjithë e dimë që biznesi e fsheh xhiron, por kjo nuk është për faj të tij, sepse ai do të mbijetojë me qëllimin e vetëm për të fituar. Kjo është për faj të qeverisë që vendos pragun e funksionalitetit të biznesit të vogël në kufijtë e xhiros vjetore 5.000.000 lekë pa patur logjikë bilanci, por logjikë pengu, sepse që të ekzistojë biznesi kërkon lejen informale të qeverisë. Në këtë mënyrë me aplikimin e skemës së TVSH, qeveria ka forcuar sistemin e pengut për biznesin e vogël.

Lu: SHBA kërkon luftë ndaj krimit të organizuar

Ambasadori i SHBA, Donald Lu u shpreh se Amerika mbështet popullin shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe në forcimin e institucioneve demokratike. Deklaratat ambasadori i bëri gjatë një pritje në Presidencë në 100-vjetorin e themelimit të strehëzës së parë vorfnore. Ndërsa Presidenti Meta u shpreh se forcimi i shtetit ligjor dhe mbështetja e familjeve biologjike do të reduktojnë rastet e braktisjes së fëmijëve. Në 100-vjetorin e krijimit të strehëz së parë vorfnore, që akomodoi 50 fëmijët e parë në Shqipëri, Presidenti i vendit Ilir Meta dhe ambasadori i SHBA, Donald Lu përcollën mesazhe të qarta se, shteti ligjor duhet të mbrojë së pari këtë kategori të veçantë. Duke iu drejtuar të pranishmëve, ambasadori i SHBA Donald Lu tha se, Amerika mbështet popullin shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe në forcimin e institucioneve demokratike. Lu: “100 vjet më parë amerikanët erdhën këtu për ndihmuar në ngritjen e strehës vorfnore. Sot SHBA vazhdojnë të mbështesin shpresat e popullit shqiptar nëpëmjet fuqizimit të FA Shqiptare, luftës kundër krimit të organizuar, të zhvillimit të institucioneve demokratike përfshirë edhe ato që janë bërë më të forta nga Reforma në Drejtësi. Së fundmi, më lejoni të falenderoj Presidentin për organizimin e aktivitetit të sotëm dhe Institutit Kombëtar për Integrimin e Jetimëve shqiptarë për përgatitjen e kësaj ekspozite të bukur fotografike. Siç mund ta dini streha vorfnore është komshi me Ambasadën. Dhe ne i urojmë komshinjve tonë të dashur edhe 100”.