21.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Opozita kundër taksës së pronës në komision

Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar rritjen e taksës së pronës, për të cilën kanë shprehur rezerva se nuk është konsultuar me pushtetin vendor. “Neni 4 duhet të ndryshojë totalisht sepse është neni që cenon autonominë financiare, cenon autonominë vendore, aq më tepër i gjithë ligji në tërësi, por neni 4 duke vendosur nivelet e pasurive, që ta dinë qytetarët nga neni 1 deri te i fundit është ligji që rrit taksat e pronës së qytetarëve dhe përcakton taksat e pronës të të gjithë qytetarëve për pasuritë e paluajtshme dhe tokat bujqësore. Sot qytetarët janë edhe më të varfër ata nuk mbajnë dot familjen, jo më të paguajnë taksë të dytë dhe të tretë për pasuritë apo për tokat bujqësore që ata kanë”, thotë Dhurata Çupi, deputete e PD. Ndërsa deputeti i LSI, Nasip Naço theksoi se janë hequr ato taksa që kanë të bëjnë edhe me shtresën e pasur, ku qeveria nuk mendon ndonjëherë për shtresën e varfër dhe sigurisht për këto arsye nuk ka për ta votuar. “Nuk e kam votuar nenin 4 sepse nuk parashikon rritje të pensioneve për të gjithë ata qytetarë që janë në një moshë që kanë nevojë për kujdesin e shtetit. Keni vetëm një indeksim dhe për këtë arsye nuk e kam votuar nenin 4. Sigurisht që ju po trumbetoni që do të jemi fuqi ekonomike në rajon, është buxheti më i mirë. E kemi parë edhe nen për nen që keni hequr ato taksa që kanë të bëjnë edhe me shtresën e pasur, nuk mendoni ndonjëherë për shtresën e varfër dhe sigurisht për këto arsye nuk kam për ta votuar”, thotë Nasip Naço, deputet i LSI.

Kombet e Bashkuara: Shqipëria me nivelin më penalizues për taksat

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që “vuan” për incentiva në taksa në funksion të rritjes së investimeve të huaja direkte. Një analizë e fundit e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Tregtisë dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, të titulluar “Vlerësimi i Politikave të Investimeve në Europën Juglindore “jep detaje. Në seksionin që ndalet vetëm tek “Taksimi” thuhet se në raport me vendet e tjera ne kemi sistem taksash më penalizues në nivel. Në këtë kontekst raporti i referohet vendimit të qeverisë për të rritur tatimfitimin në 15 për qind nga 10 për qind që ishte në vitin 2013 si dhe pjesës së taksimit më të lartë të dividentit.
Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Republika e Moldavisë, Serbia, Maqedonia, Kosova të gjitha kanë ose një situatë mesatare ose më favorizuese sesa Shqipëria.
Tek treguesit e tjerë ku merren parasysh kompleksiteti i sistemit Shqipëria ka regjistruar një situatë pozitive ashtu sikurse ka ndodhur me marrëveshjet e shmangies së tatimit të dyfishtë me vende të ndryshme. Ankesat dhe masat kundër evitimit cilësohen në një nivel të pranueshëm, por që ka vend për përmirësim. Vendet me situatën më pozitive janë Serbia dhe Maqedonia, të cilat kanë në total nga pesë tregues, katër prej tyre në nivelin më të mirë. Më keq paraqitet pjesa e Bosnjë-Hercegovinës.
Përtej problematikës me mungesën e incentivave në taksa Shqipëria do të vijojë të përfitojë nga marrëveshjet e të kaluarës të lidhura me projekte madhore si TAP apo kaskada e Devollit. Deri në vitin 2016, Investimet e Huaja Direkte rezultojnë me një vlerë 983 milionë euro, ndërsa objektivi është që ato të arrijnë 2.2 miliardë euro.
Në rajon udhëheq Serbia e cila në fund të vitit 2016 regjistroi një vlerë të IHD-ve prej 2.08 miliardë euro, ndërsa targeti i saj është për të paktën 2.5 miliardë euro deri në vitin 2020. Por ndërsa objektivat i vendosin vetë vendet, tendencat që janë shfaqur në tregje për përthithjen e investimeve tregojnë se, Shqipëria ka konkurrencë agresive për aq kohë sa interesi ka qenë në industrinë automotive, e cila nuk ka preferuar vendin tonë si dhe manifakturë. Në këtë kontekst, sektorët mbi të cilët mund të bazohet lufta e Shqipërisë është turizëm, infrastrukturë dhe energji.

Neymar e gdhin në Londër, Emery e merr në mbrojtje

Trajneri i PSG-së, Unay Emery ka marrë në mbrojtje brazilianin Neymar, në lidhje me publikimin e lajmit se ky i fundit ka ndenjur gjithë natën zgjuar në Londër, nën shoqërinë e këngëtares Demi Lovato dhe një grupi tjetër miqsh.
Spanjolli vlerësoi përkushtimin e Neymar-it në stërvitje dhe performancën në fushë, ndërsa shtoi se për moshën e re që ka, i lejohet edhe të dalë me miqtë.
“Nuk e kritikoj Neymarin për faktin se ka ndenjur deri në orët e vona. Ai është një djalosh që përkushtohet shumë në stërvitje, ndërsa në fushë të gjithë e keni parë vetë se jep maksimumin. Është i ri dhe është normale që të ketë nevojë dhe dëshirë të dalë me miqtë. Për sa kohë që kjo nuk ndikon në rendimentin e tij, nuk kemi pse të shqetësohemi”, tha Emery.

Konfindustria: 6 mijë biznese të vogla drejt falimentit

Konfindustria vlerëson se të paktën 6 mijë biznese të vogla me qarkullim vjetor 2-5 milionë lekë, rrezikojnë mbylljen, nëse do të përfshihen në TVSH, sipas skemës së ekzekutivit në Paketën Fiskale 2018.
Përmes një njoftimi për shtyp, Konfindustria bën me dije se ka dërguar kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë, që të shtyhet me të paktën një vit skema e përfshirjes së biznesit të vogël në këtë skemë.
“Koha e mësipërme kërkohet me qëllim përgatitjen e paketës shoqëruese ligjore dhe biznesit, të domosdoshme për mënjanimin e pasojave negative të përfshirjes në skemën e TVSH sipas projektligjit në diskutim”.
Kërkesa e drejtuar Kuvendit, bën me dije Konfindustria, bën pjesë në grupin prej 14 kërkesash, që Konfindustria ka paraqitur për Paketën Fiskale 2018.

KESH, 31 milionë euro humbje në fund të shtatorit

Korporata Elektronenergjetike Shqiptare është përballur me një situatë krejt të kundërt në raport me një vit më parë, teksa të ardhurat kanë rënë dukshëm dhe nga fitimet ka kaluar në humbje. Gjendja e saj financiare është vështirësuar muaj pas muaji ndërkohë që në mungesë të prodhimit tashmë është ezauruar plotësisht edhe kredia e Bankës Botërore prej 22.4 milionë euro.
Të dhënat ekonomike tregojnë se KESH ka mundur të sigurojë të ardhura me pikatore nga aktiviteti i saj i gjenerimit që ka në themel operimin dhe menaxhimin e kaskadës së Drinit.
Nga janari në shtator 2017 KESH ka mundur të sigurojë nga aktiviteti i tij në prodhimin e energjisë 4.8 miliardë lekë, që i korrespondon 30 për qind të të ardhurave vjetore që kompania siguroi në vitin parardhës. Në kushtet e vështira KESH ka “shtrënguar rripin” tek shpenzimet financiare që për 9-mujor janë sa 53% e shpenzimeve vjetore të një viti më parë.
Humbja neto për kompaninë ka shënuar një tjetër rekord në 4.2 miliardë lekë (31 milionë euro) kur një vit më parë situata ishte krejt e kundërt dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare regjistronte fitim nga tregtimi në vend dhe nga eksportet. Konkretisht në fund të vitit 2016 fitimi i kompanisë ishte 1.1 miliard lekë.
Në kushtet e një viti të thatë KESH ka ulur dukshëm prodhimin. Sipas shifrave zyrtare nga janari në shtator prodhimi regjistroi nivelin 2.32 milionë Mwh, 36 për qind më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Zëri që ka munguar këtë vit në treguesit e KESH është ai i blerjes së energjisë nga prodhuesit me përparësi, të cilët kanë kaluar nën menaxhimin e OSHEE, dhe është kjo e fundit që lidh kontratat e blerjes.
KESH ndërkohë ka mbajtur aktive, edhe pse në nivel minimal blerjen nga tregu vendas për optimizim në një kuotë prej 33.5 mijë Mwh që është më e ulët sesa blerja për këtë qëllim e bërë gjatë vitit 2016 deri në muajin shtator.

Importet e energjisë në dhjetor, OSHEE hap procedurën e re

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hapur procedurën e re për të siguruar energji për muajin dhjetor, i cili tradicionalisht është muaji me konsumin më të lartë në vit. Deri në nëntor OSHEE u ndihmua edhe nga KESH për pjesën e importeve, të cilat u blenë në tre muaj rresht përmes kredisë së Bankës Botërore prej 22.4 milionë euro.
Për dhjetorin konsumi në vend varion pak më shumë se 600 mijë MWh. Aktualisht burime pranë OSHEE thanë se nga KESH do të merret një sasi mes 140 ose 150 mijë MWh. Kjo sasi mbetet e ulët pasi Korporata vijon të ketë pasojat e vitit të thatë që çoi Kaskadën e Drinit në një situatë të vështirë.
Sakaq OSHEE rezervoi në procedurën e shtatorit një sasi prej 130 mijë megavat për muajin e fundit të vitit, që në vlerë është rreth 7 milionë euro.
Pjesa për të cilën OSHEE ka dalë në treg këto ditë është gjysma tjetër e sasisë që mbetet e pasiguruar, që është rreth 316 mijë MWh. Aktualisht kompania e shpërndarjes është në negociata me tregtarët për të siguruar sasinë e nevojshme dhe për të arritur një çmim sa më të pranueshëm. Gjithsesi pavarësisht negociatave referuar çmimeve në bursë për energjinë e dhjetorit si dhe koston e kapaciteteve duket se vlera e këtij importi pritet të jetë rreth 31 milionë euro.
Gjithsesi një vlerë më e saktë pritet që të jepet pas mbylljes së procedurave të cilat janë parashikuar ditën e sotme.
Profili i blerjes është përcaktuar në fashën orare 07:00-23:00 ndërkohë që pjesa e natës do të plotësohet me prodhimin e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

1 milion shqiptarë në varfëri ekstreme

Në kushte tejet të rënda pamundësie e vetmja shpresë e tyre për të siguruar të paktën bukën e përditshme mbeten borxhet me lista në dyqanet ushqimore
E ndërsa 1 milion shqiptarë rezultojnë të jetojnë në varfëri ekstreme, qeveria vijon të rrisë tenderat dhe konçesionet, duke thelluar gropën e ekonomisë së çdo familjeje shqiptare.
Ky është realiteti sot, i konfirmuar me shifra ekzakte nga Banka Botërore. Shifra, të cilat sjellin një imazh dëshpërues të Shqipërisë, e cila nga ana shtetërore përkufizohet me fuqinë e krimit dhe drogës dhe nga ana tjetër nga pikëpamja e popullit përkufizohet me luftën për mbijetesë.
Varfëria, skamja dhe papunësia po përball familjet shqiptare me vështirësi të shumta ekonomike, ku pjesa më e madhe e tyre ka degraduar në luftë për mbijetesë. Në kushte tejet të rënda pamundësie e vetmja shpresë e tyre për të siguruar të paktën bukën e përditshme mbeten borxhet me lista në dyqanet ushqimore. Ndërsa varfëria e moderuar, një matje e nivelit të jetesës me 5.5 dollarë në ditë është mjaft e përhapur në vendin tonë. Institucioni Financiar Ndërkombëtar përllogarit se 32.8% e popullsisë ose rreth 1 milion persona i financojnë nevojat e tyre të jetesës me rreth 5 dollarë në ditë. Varfëria në Shqipëri është një fenomen në rritje.
Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka publikuar dje shifra të frikshme që flasin për luftën për mbijetesë që po përjetojnë sot shqiptarët e gjunjëzuar rëndë nga varfëria. Vokshi ka reaguar në lidhje me korrupsionin masiv me konçesionet në shëndetësi, ndërsa ka sjellë në vëmendje realitetin e zymtë shqiptar përballë luksit të shfrenuar qeveritar.
“PS mund të manipulojë e të blejë zgjedhjet, por skandalet me abuzimin e parave të shëndetit të shqiptarëve nuk i mbulon dot! Dështimi i koncesioneve (PPP) në shëndetësi, është fytyra e vërtetë e keqqeverisjes se Ramës. 1 mln shqiptarë janë sot në varfëri ekstreme në Shqipëri – thotë Banka Botërore; 100 mijë fëmijë nuk hanë dot tre vakte e nuk blejnë dot librat e shkollës – ngre alarmin Shoqëria Civile; 56% e shqiptarëve duan të largohen nga Shqipëria – thotë Gallup; Shqipëria në vendin e parë për vdekshmëri foshnjore në rajon – thotë Save thë Children; 40% e familjarëve nuk paguajnë dot faturat e dritave, ujit; 43% nuk mbajnë dot shtëpinë e tyre dhe 30% e familjeve nuk blejnë dot ushqime dhe veshje – thekson Barometri i Ballkanit, Këshilli Bashkëpunimit Rajonal (RÇ)” është shprehur Vokshi.
Deputetja demokrate ka bërë të ditur se bazuar në informacionet zyrtare, në 2015 dhe 2016 vetëm 27% e popullsisë e kanë kryer analizën e check up. “Kjo situatë bën kontrast me gatishmërinë e kryeministrit për t’i shërbyer pasurimit me mbi 400 mln euro të 4 miqve, klientëve, sponsorve të tij. 120 mln euro janë vetëm për mikeshën e tij për check up-in që nxjerr burrat shtatzanë! CHECH UP i dyshes Rama-Nushi prej 120 milione euro ka dështuar, pavarësisht detyrimit të punonjësve të administratës shtetërore për ta kryer atë!
CHECK UP i dyshes Rama – Nushi ka dështuar, edhe pse ndihma ekonomike u kushtëzua me të!!
CHECK UP-i Rama – Nushi ka dështuar edhe pse mjekët e Qendrave Shëndetësore urdhërohen çnjerëzisht të mos i japin ilaçet të sëmurëve kronikë!!! Pavarësisht këtij dështimi spektakolar… 4 mln euro kanë kaluar në llogarinë bankare të mikeshës së ngushtë e sponsores së Kryeministrit pa kryer asnjë shërbim!!! Dosja korruptive e check up është prej një viti në Prokurori!!! Drejtësia duhet të flasë”, shprehet Vokshi.

S’kanë të ndalur lajmet e këqija për Milanin

Revista amerikane “Forbes” raporton se, Milan është në telashe të mëdha financiare dhe se pronari i saj i ri, Yonghong Li, mund ta shesë gjigantin italian shumë shpejt për një çmim më të lirë se që e kishte blerë. “Kuq e Zinjtë” vazhdojnë të insistojnë se gjendja financiare e klubit është e mirë dhe se do ta rifinancojnë kredinë nga partneriteti i investitorëve “Elliot Management”, por pas “New York Times” dhe “Marca”, “Forbes” është bërë tani mediumi më i fundit ndërkombëtar që raporton se Milan është në telashe serioze.
Gazetari i “Forbes”, Mike Ozanian, e ka publikuar një përmbledhje të hetimeve të ndryshme rreth kalimit të pronësisë së Milanit nga Silvio Berlusconi te biznesmeni kinez, si dhe ka parashikuar një të ardhme të pashpresë për Milanin.“Mos u habisni nëse AC Milan e ndryshon pronarin shumë shpejt për një çmim më të lirë”, ka thënë ai.
“Mua më duket se AC Milan, e cila më shumë mundësi nuk do t’ia dalë të kualifikohet për Ligë të Kampionëve sezonin e ardhshëm, do të shitet përsëri, dhe atë për më pak sesa Li pagoi. Edhe një gjë me rëndësi: Ku ishin autoritetet e futbollit kur Li nënshkroi blerjen e skuadrës”?

Montela largon zërat për largim

Në shtëpinë e Milanit ka optimizëm dhe Montella kërkon të sigurojë matematikisht kualifikimin në Europa League, duke mposhtur Austrinë e Vienës dhe të rikthehet të fitojë në kampionat. Tekniku i kuqezinjve ka thënë se është mësuar me faktin që e ardhmja e tij në stolin e Milanin është thuajse gjithmonë në diskutim.
“Jemi të zhgënjyer, sepse po luajmë mirë, por nuk po marrim rezultate. Të gjithë futbollistët janë gati të japin maksimumin dhe të nxjerrin jashtë mllefin e akumuluar këto javë. Duam të mposhtim Austrian dhe të sigurojmë matematikisht kualifikimin në Europë, ndërsa më pas do të përqendrohemi te kampionati, ku kemi shumë për të rikuperuar. Jam mësuar tashmë me dyshimet mbi të ardhmen time dhe nuk më bëjnë më përshtypje. Unë jam maksimalisht i përqendruar te puna me ekipin, që të arrijmë sa më shpejt rezultatet e munguara”, tha Montella.
Trajneri i Milanit zbuloi edhe disa detaje mbi formacionin, ndërsa theksoi se Suso nuk do të përdoret, për të mos u rrezikuar për ndeshjen e fundjavës në kampionat. Montella nuk ngurroi të shprehë vlerësime edhe për Fabio Borinin, që ishte një nga afrimet më pesimiste të kuqezinjve, por po rezulton më efikasi në këto muaj të parë.
“Ka mundësi të luajmë me 2 pyka në takimin e nesërm, sepse nuk dua të rrezikoj Suson, që ka një lodhje muskulore. Gjithsesi, sido që të luajmë, jam i bindur se do të marrim 3 pikët dhe me lojë bindëse. Borini është një djalosh që punon shumë dhe nuk dorëzohet asnjëherë. Pikërisht për këtë arsye është përshtatur mjaft mirë me të gjitha detyrat që i kam dhënë në fushë dhe po na ndihmon të aplikojmë skema të ndryshme në lojë e sipër”, u shpreh trajneri Montella.

Nushi fitoi konçesionin 100 milionë euro por do të investojë vetëm 9.9 milionë

Për vitin e ardhshëm qeveria do të paguajë 30 milionë euro për katër koncesionet e shëndetësisë, atë të dializës, check up-it, sterilizimit dhe kontratën e laboratorëve
Kompania që ka fituar për 10 vjet koncesionin e laboratorëve me vlerë 100 milionë euro, do të investojë në total vetëm 9.9 milionë euro. Diferenca rreth 90 milionë euro për 10 vitet e ardhshme do të jenë kostot operacionale dhe fitimi i kompanisë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se koncesioni do të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm. “Kompania do të investojë 7 milionë euro për aparaturat dhe infrastrukturën, si dhe 2.9 milionë euro të tjera në vitin e 7 të koncesionit”, u shpreh Manastirliu.
Koncesioni 10-vjeçar i laboratorëve iu dha një konsorciumi të përbërë nga tre kompani; shqiptarja “Labopharma”, holandezja “AB Laboratory Solutions” si dhe francezja “Exalab”. Por dy kompanitë e para, të cilat kanë 75 për qind të aksioneve të koncesionit, zotërohen nga i njëjti pronar, biznesmeni shqiptar Janis Karathano. “Ky koncesion do të përmirësojë ndjeshëm shërbimin e laboratorëve në vend”, tha Manastirliu.
Për vitin e ardhshëm, qeveria do të paguajë 30 milionë euro për katër koncesionet e shëndetësisë, atë të dializës, check up-it, sterilizimit dhe kontratën e laboratorëve. Kjo shifër është 10 milionë euro më e lartë se sa i gjithë buxheti i investimeve publike në shëndetësi.

Debatet në komision

Koncesionet e dhëna në shëndetësi duhet të kenë një monitorim më të thellë në bazë të 10 treguesve. Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe i kërkoi ministres së Shëndetësisë më shumë kujdes dhe për përfituesit e koncesioneve. “Po prapë për koncesionet më ka lindur një shqetësim tani, këto muaj. Natyrisht duhet monitorim për përfituesit e këtyre kontratave. Në qoftë se brenda një kontrate koncesioni, ai që e ka marrë atë kontratë fillon e tregton aksionet e kompanisë së tij, duke e shoqëruar bashkë me kontratën, natyrisht duhet monitorim strikt me qëllim që ajo kontratë të mos humbi në cilësinë e shërbimit dhe kjo duhet të jetë detyrim”, tha Braçe.
Opozita ndërkohë ngriti si shqetësim mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve të spitaleve në vend si dhe gjendjen e qendrave shëndetësore. “Qeveria e angazhuar, ka bërë konkurse, janë harxhuar para publike për këto konkurse dhe janë ftuar edhe specialistët të marrin pjesë dhe në fund janë emëruar si zakonisht. Në Shkodër është emëruar një kandidat i Partisë Socialiste”, tha deputeti Agron Shehaj. “A është ambulancë për një kryeqytet? Mund të hysh i shëndoshë dhe mund të dalësh i sëmurë. Nuk e di se çfarë bëjnë ata të shkretët nga Gramshi apo Skrapari”, tha deputeti Dashamir Shehu.

Afera me koncesionin e laboratorëve

Vilma Nushi, duket se është pas koncesionit të fundit të laboratorëve me një vlerë 100 milionë dollarë për dhjetë vjetët e ardhshëm. Në fakt është një skemë abuzive, që me kushtet e vendosura mund ta bënte kushdo. Koncesionari, në këtë rast “Labopharma” në pronësi të një shtetasi grek me emrin Jani Karathano, duket se është thjeshtë një kompani e stisur e kompanisë mëmë së Vilma Nushit. Një kompani, e cila deklaron humbje deri në 137 mijë euro në vit, pra praktikisht e falimentuar se ka për gjë të fitojë një tender me shifra të tilla astronomike. Një ndër “lehtësirat” që i bëhen firmës që fiton tenderin është se veç financimit, vendosjes vetë të çmimit të analizave, të gjithë pacientët që vizitohen apo mjekohen në institucionet shtetërore, do të jenë të detyruar t’i bëjnë analizat vetëm tek koncesionari i paracaktuar nga qeveria. Një veprim tjetër mafioz ky që rrezikon të falimentojë të gjithë sektorin privat të këtij shërbimi.

Kush është kompania

Koncesioni i laboratorëve është fituar nga kompania ‘Labopharma’. Kjo kompani sipas ekstraktit të saj në QKB është krijuar në vitin 2007 dhe pronari i saj me 100% të aksioneve është shtetasi Janis Karathano. I njëjti shtetas, Janis Karathano, është pronar me 100% të aksioneve edhe i kompanisë ‘Pegasus’ shpk. Në dokumentin e siguruar tregohet se në të kaluarën kjo kompani (Pegasus shpk) ka pasur një drejtuese të rëndësishme të quajtur, Nazife Bello, e cila është e ëma e drejtoreshës së Farmaceutikës në ministri, zonjës Shpresa Bello, raporton Hashtag. Al Kompania ‘Pegasus’ shpk, rezulton e lidhur dhe me koncesionin e rëndësishëm të ‘Check-Up’-it, të fituar nga biznesmenia Vilma Nushi. Sipas një raporti auditimi të ‘Deloitte&Touche’ për koncesionin e ‘Check-Up’-it, është zbuluar se kompania ‘Pegasus’ shpk i ka dhuruar zonjës Nushi pajisjet laboratorike për ‘Check-Up’-in, ndërsa Nushi në këmbim ka detyrimin që të blejë tek firma ‘Pegasus’ të gjithë reagentët që i duhen. Granti i deklaruar mes dy kompanive është rreth 320 mijë dollarë. Një tjetër përfitim i rëndësishëm i firmës ‘Pegasus’ është koncesioni 2-vjeçar 2016-2018, për transfuzionin e gjakut, një biznes, i cili kap shifrën e 1.3 milionë dollarëve. Kompania ‘Labopharma’ që ka fituar koncesionin e laboratorëve ka si aktivitet tregtinë e produkteve farmaceutike, pajisjeve të laboratorëve etj. Në vitin 2015, qarkullimi i saj vjetor është rreth 137 mijë euro, ndërsa humbja është rreth 160 mijë euro po për atë vit. Shoqëria ka qenë e pezulluar deri në gusht 2015 dhe më pas është bërë sërish aktive. Periudhën më të mirë e ka pasur në vitin 2009, kur deklaroi rreth 730 mijë euro xhiro dhe fitime prej 240 mijë euro, por më pas aktiviteti i saj ka ardhur në rënie.