Rritja e Përgjithshme e Çmimeve sipas standardit të EUROSTAT pësoi rritje të mëtejshme në muajin tetor, duke arritur në 3.2 për qind, teksa sipas metodologjisë vendase që përdor INSTAT inflacioni në muajin tetor ishte 1.9 për qind ose 1.3 pikë përqindje më pak se referenca e Eurostat.
Shqipëria u rendit e treta në rang europian për ritmet e lartë të rritjes së çmimeve në muajin tetor pas Lituanisë dhe Estonisë.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 7,8% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,1%, “Shërbimi arsimor” me 1,2%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,0%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,8%, etj.
Ndërsa, çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilje shtëpie dhe mirëmbajtje” u ulën përkatësisht me nga 0,7%, etj. Në muajin tetor 2017, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupeve “Veshje dhe këpucë” me 1,5% dhe “Ushqime dhe pije jo alkoolike” me 0,4%
Në fillim të këtij viti për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.
Gjithashtu, rritja e kostove të prodhimit kryesisht në industrinë nxjerrëse dhe atë përpunuese kanë ndikuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve të prodhimit në tremujorin e dytë të vitit.
INSTAT shprehet se, indeksi i çmimeve të prodhimit shënoi një rritje vjetore me 1,6% në krahasim dhe u ul me 0,9% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2017.
Rritjen më të lartë e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “industri nxjerrëse” me 8,2%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 12,0%.
Referuar të njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e prodhimit në aktivitetet e industrisë përpunuese kanë shënuar rritje me 1,2%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin e metalurgjisë me 5,3%, prodhimi i produkteve kimike me 5,1%, konfeksionimi i veshjeve me 0,6%.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2016, çmimet e prodhimit të produkteve vendase shënuan rritje me 1,9%.
Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 3,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Në tremujorin e dytë 2017 ndryshimi tremujor i indeksit është 0,9%. Çmimet e prodhimit në seksionin “industri nxjerrëse” shënuan ulje me 4,6%, krahasuar me tremujorin e parë 2017. Uljen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin “nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 6,5%.
Shqipëria, e treta në Europë për rritjen e çmimeve
FMN: Shqipëria, në katër vendet më të varfëra në Europë
Në Europë, Shqipëria lë pas vetëm Kosovën, Moldavinë dhe Ukrainën…
Shqipëria renditet e 105-a në botë nga 189 shtete, përsa i përket të ardhurave për frymë në vitin 2017, sipas shifrave të fundit që janë përditësuar në sistemin e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe janë përpunuar nga “Monitor”. Ndërsa Kosova ka një renditje më të përkeqësuar në vendin e 120.
Me 4520 dollarë për frymë në vit, Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë. Vendi ynë lë pas vetëm Kosovën (me 3581 USD, në vendin e 120), Ukrainën (135) dhe Moldavinë (137), ndërsa pak më sipër se ne është Bosnjë Hercegovina.
Maqedonia është në vendin e 96, me 5500 dollarë për frymë, Serbia në vendin e 94, me 5600 dollarë. Më mirë është Mali i Zi, në vend të 84 (7071 dollarë për frymë).
Parashikimet e FMN-së janë që deri në vitin 2022, të ardhurat për frymë të çdo shqiptari të arrijnë në 6206 dollarë, duke u përmirësuar lehtë në renditje, për të zbritur në vendin e 100.
Por, e kaluara tregon që Shqipëria nuk ka arritur të ecë më shpejt sesa vendet e tjera në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj, përkundrazi është përkeqësuar. Në vitin 2006, Shqipëria kishte të ardhura për frymë prej rreth 3000 dollarë, por renditej një pozicion më mirë, pra në vendin e 104.
Sa më shpejt që të rritet ekonomia e një shteti të varfër, në krahasim me vendet e zhvilluara, në atë që njihet si proces i konvergjencës, aq më shumë zvogëlohet pabarazia në të ardhura. Por, në Shqipëri ky proces duket se ka ndalur. Të dhënat e Eurostat tregojnë se, Shqipëria ka mbetur në mesataren e 30% të BE-së, ndryshe nga fqinjët që e kanë përmirësuar këtë tregues. Madje në vitin 2016, Shqipëria ia kaloi dhe Bosnjë Hercegovina, të ardhurat e të cilës ishin sa 31% e mesatares së BE-së.
Për krahasim, të ardhurat e Maqedonisë në vitin 2016 ishin sa 38% e mesatares së BE-së, nga 34% në 2012-ën. Serbia ka të ardhura mesatare sa 36% e mesatares së BE-së, sipas Eurostat.
Banka Botërore, në raportin e saj të rregullt rajonal, publikuar së fundmi tha se me ritmet aktuale të rritjes, Shqipërisë do t’i duhen 60 vite për të arritur mesataren e të ardhurave të Bashkimit Europian.
Edhe sipas renditjes së fuqisë blerëse, Shqipëria është në vendin e 98 në botë, po sipas shifrave të FMN-së, sërish ndër më të fundit në Europë.
Shtetet më të pasura të botës
Shteti me të ardhurat për frymë më të lartat në botë në vitin 2017 ishte Luksemburgu me 90 mijë dollarë për frymë, i ndjekur nga Norvegjia me 74 mijë dollarë, Katari me 69 mijë dollarë dhe Zvicra me 58 mijë dollarë.
Në fund të tabelës renditen shtete si Afganistani, Gambia, Liberia, Nigeri, Sudani, që kanë të ardhura për frymë më pak se 500 dollarë në vit.
Policia e Vlorës nuk pranon të ekzekutojë urdhrin e Prokurorisë për arrestimin e ish-drejtorit
Skandal në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, e cila prej më shumë se 5 orësh nuk po ekzekuton një prej fletë-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me dosjen Tahiri-Habilaj.
Burime bëjnë të ditur për “SYRI.net” se fletë arrestet kanë mbërritur në Drejtorinë e Policisë në orët e paradites, ndërsa ai për ish-drejtorin e policisë së Vlorës, Jaeld Çela, nuk është ekzekutuar. Nuk dihen arsyet sepse policia lokale nuk ka zbatuar një urdhër të prokurorisë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një nga çështjet më të bujshme të muajve të fundit, atë të trafikut të drogës.
Burimet bëjnë të ditur se Çela është një nga personat që sipas prokurorisë do të hetohet për trafikun e lëndëve narkotike në lidhje me dosjen Habilaj, ku rezulton i përfshirë edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Demokracia në rrezik
Sebastiano Maffettone
E kam takuar Kevin Spacey në Ravello – ku po xhironte një film lidhur me Al Gore – pak më shumë se një muaj më parë. Në atë moment ishte ndoshta aktori më popullor në botë. Tani praktikisht është thuajse asgjësuar. Nuk ka më agjent dhe zyrë shtypi, përzënie nga Netflix (ndoshta personazhi i tij tek seriali House of Cards do të vdesë), deri në një film lidhur me Paul Getty që po interpretonte do të zhirohen skena të reja që i përkasin me një aktor tjetër në vend të tij.
Gjithçka në harkun e vetëm pak javëve. Si pasojë e faktit që vetë Kevin Spacey ka ngacmuar seksualisht të rinj të ndryshëm në raste të shumta të jetës. Gjithçka në brendësi të një fushate të mrekullueshme mediatike – e hapur në rastin e producentit amerikan Harvey Weinstein – kundër abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale. Herën e fundit që kam qenë në Barcelonë më është dukur një prej qyteteve më të qeta, më diellore dhe më të shijshme të planetit.
Kurse tani e dimë sesa është kaotike situata, me qytetin dhe Katalonjën në agjitacion të përhershëm, me kompanitë e mëdha që kanë selitë e tyre dhe me shtetin spanjoll pothuajse në uniform lufte në territory. Gjithçka brenda pak muajve. Si pasoja që një kërkese për pavarësi e menaxhuar në mënyrë katastrofike si nga katalanasit, ashtu edhe nga shteti qendror. Dy ndodhi këto që në pamje të parë duket se nuk kanë asnjë raport midis tyre.
Kështu do të mendojë secili prej jush, pasi ka lexuar rreshtat e para e këtij artikulli. Kurse teza ime është në fakt se nuk mund të jemi të sigurtë për këtë palidhshmëri reciproke. Ndoshta një lidhje ka dhe përbëhet nga ajo që në anglisht quhet mobocracy (mobokraci), që do të thotë fuqi turme. Tani, mob është fjala që në anglisht përdoret për mafien tonë, për krimin e organizuar, por edhe për të aluduar për një turmë për së largu kërcënuese. Në zhargonin e videolojërave në kompjuter, mob do të thotë ama edhe monstra të vogla, duke ju referuar armiqve të ndryshëm që kërkohet të eliminohen gjatë zhvillimit të një videoloje. Dhe është ku pushtim monstrash që sipas mendimit tim vë në raport me njëra-tjetrën dy ndodhi në dukje shumë të ndryshme si rasti i ngacmimeve seksuale dhe revolta katalanase.
Diskutimi im, të kihet parasysh, nuk ka të bëjë me përmbajtjen: ngacmimet seksuale janë të turpshme dhe, jo domosdoshmërisht në formën aktuale, popujt kanë ndonjë të drejtë të vetëvendosin. Problem është ai i kërkimit të një lidhjeje të ndryshme midis dy këtyre ngjarjeve, të llojit: si është e mundur që opinioni publik mund të ndryshojë, nganjëherë edhe në mënyrë marramendëse, në harkun e pak orëve?
Besoj se përgjigja është në mënyrën me të cilën rrjetet sociale – si Facebook, Instagram dhe Twitter – influencojnë sistematikisht njerëzit, duke i eksituar dhe duke u radikalizuar ndjenjat më të thella të tyre. Tashmë ndodh mjaft rregullisht në politikë. Kopertina e “The Economist” e javës së kaluar titullohej “Kërcënimi i rrjeteve sociale për demokracinë”. Dhe dimë për dyshimet e influencës së huaj, sidomos nga ana e Rusisë, ndaj fushatës së Trump.
Por problemi është më i përgjithshëm dhe ndihmon që të shpjegohen shumë ulje ngritje të ndryshimeve të opinionit, nga pranvera arabe tek Brexit. Por fakti nuk ka të bëjë vetëm me politikën e madhe, por edhe me reagimet e përditshme dhe perceptimet e realitetit. Ajo që rrjetet sociale bëjnë nga kjo pikëpamje është se vënë në kontakt midis tyre persona që kanë opinione të forta, por jo domosdoshmërisht të bazuar mbi provën e fakteve në tërësinë e tyre, dhe që duan t’i shikojnë këto opinione të konfirmuara, jo të vëna në provë.
Fyerja, ekzagjerimi, radikalizimi, ekstremizmi janë format retorike më të përdorura për këtë lloj operacioni. Rezultati konsiston në krijimin e diskontinuiteteve të papritura dhe ndryshimeve të forta të opinionit publik. Si ai i aktorit dhe i rajonit nga ku kemi filluar. Por edhe duke e pranuar qetësisht profilin etik e rivendikimeve specifike të lidhura me to, nuk ka sesi të mos mbetesh i dyzuar nga spostimet e mëdha të opinionit që influencojnë kaq dramatikisht mbi jetët e njerëzve në mënyrë mjaft të shpejtë.
Rreziku implicit në fenomen duket qartë. Opinioni publik, që është baza e demokracisë, ka nevojë edhe ai për kohë, për maturi dhe për reflektim që të jetë i arsyeshëm. Kur një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë kemi një problem të thellë për sferën publike dhe për demokracinë përfaqësuese, cilësia e së cilës varet pikërisht nga funksionimi i shëndoshë i sferës publike.
“Për Il Messagero”
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Ratko Mladiq, dënohet për gjenocid “Kasapi i Ballkanit”
“Kasapi i Ballkanit”, Ratko Mladiq u dënua në Tribunalin e Hagës me burg të përjetshëm. Gjykatësit konstatuan se ish-komandanti i forcave serbe është përgjegjës për veprat më të rënda gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë.
Ratko Mladiq, është fajtor për gjenocid në Srebrenicë dhe për krime të tjera që janë bërë në Bosnje-Hercegovinë. Trupi gjykues në Tribunalin e Hagës, në procesin e fundit që po zhvillohet atje, ishte i bindur me argumentet e Prokurorisë dhe vendosi që ish-komantandi i forcave serbe në Bosnje – Hercegovinë të mbetet në burg të përjetshëm. Udhëheqësi i trupit gjykues, Alfons Ori, konstatoi se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve të atjeshëm. Qëllimi i të akuzuarit ishte ndarja e burrave nga femrat dhe ekzekutimi i tyre, deportimi i popullatës tjetër dhe spastrimi nga myslimanët. Mladiqi ka dhënë urdhëra konkrete në lidhje me krimet dhe gjenocidin në Srebrenicë.
Mlladiqi bën kryq, por gjendja e tij përkeqësohet
Ratko Mladiq u fut në sallë në gjendje të mirë shëndetësore. Së pari bëri kryq, ngriti gishtin e madh dhe u ul. Gjatë fjalës së gjykatësit Ori, i cili lexonte argumentimin e vendimit, Mladiqi tundte kokën në shenjë mohimi dhe me buzëqeshje përcolli fjalinë e tij, se “pas një vendimi të nënshkruar nga Karaxhiqi dhe Mladiqi, ka qenë shumë i qartë qëllimi që territori i Srebrenicës të spastrohet nga boshnjakët dhe ajo të shndërrohet në territor serb”.
Por ndërkohë gjatë leximit të vendimit, u përkeqësua gjendja e tij shëndetësore dhe seanca u ndërpre për më shumë se gjysmë ore. Mbrojtja kërkonte ndërprerjen e procesit. Mbrojtja kërkoi që vendimi të shqiptohet pa leximin e argumentimit. Por Gjykata vendosi të vazhdojë leximin, ndërsa Mladiq u largua nga salla, për të ndjekur procesin përmes videos.
Gjykata ka konstatuar se forcat serbe kanë garantuar edhe objektiva civile në Sarajevë, ku banorët kanë jetuar në një gjendje të pandërprerë rreziku. “Çdo herë kur kanë dalur nga shtëpia kanë rrezikuar jetën nga mundësia e goditjes së snajperistëve”. I akuzuari ka udhëhequr personalisht me garanatimin e Sarajevës dhe ka urdhëruar ndërprerjen e furnizimit të qytetit. Ai ka drejtuar edhe fushatën e goditjeve me snajper të popullatës civile në Sarajevë.
Keqtrajtime, deportime, krime, dhunime
Në burgje ka pasur keqtrajtime të rënda fizike dhe psikike. Të zënit robë janë detyruar të dhunojnë njëri-tjetrin. Shumë myslimane janë dhunuar, ndër to edhe fëmijë që kanë pasur vetëm 12 vjet. Në shumë rajonet të Bosnje-Hercegovinës (Banjalukë, Bijeljinë, Foçë, Ilixhe, Novi Grad, Pale, Prijedor, Rogaticë, Sanski Most, Sokolac, Vlasenicë), ka pasur deportime masive të myslimanëve. Gjakata ka konstatuar se në B-H janë bërë krime kundër njerëzisë dhe shfarosje masive të mylsimanëve. Pala kundërshtare ka treguar pak, apo aspak, sjellje njerëzore dhe humane.
I akuzuari ka qenë në kontakt të përhershëm me Serbinë dhe krerët e ushtrisë serbe, me qëllim koordinimin dhe furnizimin e forcave serbe në B-H. Mladiqi kishte kufizuar edhe furnizimin e popullatës civile myslimane. Ai kishte organizuar edhe një qendër propagande kundër kroatëve dhe myslimanëve dhe ka gënjyer bashkësinë ndërkombëtare. Veprat e tij kanë mundësuar kryerjen e krimeve në përmasat që kemi parë.
Qëllimi i të akuzuarit ka qenë largimi i përhershëm i myslimanëve dhe kroatëve nga territoret, për të cilat është pretenduar që atje të mbeten vetëm serbët. Mladiq ka qenë pjesë e grupit kriminal ku kanë qenë edhe Plavshiq, Krajishnik, Karaxhiq dhe të tjerë. Mladiq ishte përgjegjës edhe për marrjen peng të pjesëtarëve të forcave ndërkombëtare (Unprofor), të cilët janë dërguar në vendet strategjike, për të penguar bombardimet e forcave ndërkombëtare.
Vendimi
Pas trajtimit të të gjitha argumenteve, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe dokumentet, Ratko Mladiq, nuk shpallet fajtor për gjenocid në gjashtë komuna të Bosnje-Hercegovinës, që ishte pika e parë e aktakuzës. Por Mladiqi u shpall fajtor për 10 pikat tjera të aktakzës: për gjenocid në Srebrenicë, krime, deportime, dhunime, vrasje, krim kundër njerëzisë, terror dhe shkelje të parimeve të luftës, sulme ndaj civilëve, marrje të pengjeve… Këto janë krimet më të rënda që njeh njerëzia. Ndaj Gjykata në Shkallë të Parë vendosi: Rako Mladiq denohet me burgim të përjetshëm.
Rritet numri i të huajve të pastrehë në BE
Dimri vjen dhe me të edhe të ftohtët. Ai që nuk ka çati mbi kokë, atë e presin kohë të vështira. Gjithnjë e më shumë nga këta njerëz vijnë në Gjermani nga shtetet e tjera të BE. “Në vitin 2011 kemi pasur rreth 11 për qind persona të pastrehë nga shtetet e BE. Ndërkohë ky numër ka arritur në 25 për qind”, thotë Petra Fuhrmann, e cila kujdeset për të pastrehët për Qendrën Sociale të Diakonisë në Essen. Me punën e saj, Fuhrmann ndihet e lënë vetëm nga politika. “Në fakt ne nuk jemi përgjegjës për të pastrehët nga shtete të tjera të BE. Kështu është përcaktuar në Kodin Social. Por në fakt mungon një pikë kontakti e rregullt për migrantët”.
“Ne sigurojmë ushqim përmes kuzhinës së supës, nganjëherë edhe strehimi për natën ose mundësinë për të bërë dush”. Shumica e njerëzve janë të drojtur, prandaj është e vështirë që t’i bësh që të shprehen për hallet që kanë.
Rrethi vicioz i varfërisë
Shumica e migrantëve të pastrehë nga BE në Gjermani vijnë nga Rumania, Bullgaria dhe Polonia. Shumë njerëz vijnë me përfytyrime të gabuara në Gjermani, pa arsim dhe pa njohuri të gjuhës. Në Berlin, ata jetojnë në çadra që i kanë sjellë me vete, në automjete ose 30 vetë në një dhomë. Ditën përpiqen të fitojnë para si punëtorë me mëditje. Atje edhe i shfrytëzojnë, duke u dhënë paga të ulëta, shpesh pa sigurime sociale. Si shtetas nga BE në Gjermani ata vërtet kanë të drejtë që të kërkojnë punë në Gjermani, por nuk kanë të drejtë të marrin shërbime sociale.
Puna që bëjnë nuk arrin të llogaritet në shërbime që u siguron pagesën e të papunit dhe kur kanë jetuar më pak se pesë vjet në Gjermani, nuk kanë të drejtë të marrin ndihmën sociale Hartz IV. Meqenëse nuk janë refugjatë, ata nuk kanë të drejtë as subvencione publike. Megjithatë, ky grup që po rritet, është relativisht i vogël në krahasim me grupin e migrantëve të BE nga shtetet e Evropës Lindore dhe Juglindore. Megjithatë imigrantët e integruar nuk perceptohen thuajse fare – njerëzit që jetojnë në rrugë po.
Tendencë në rritje
Numri i saktë i imigrantëve nga shtetet e Evropës Lindore dhe nga Ballkani, që jetojnë në kushte të vështira, është i paqartë. “Nuk ka sondazhe për këtë. Vitin e kaluar tek ne erdhën 1,5 milionë vetë nga shtetet e BE. Ne llogarisim që 15 për qind e tyre dështojnë dhe jetojnë në kushte jetësore të pasigurta. Pra të tillë do të ishin 200.000 deri 300.000 vetë”, thotë Ulrich Hermannes, drejtor ekzekutiv i Hoffnungsorte Hamburg, një njësi që kujdeset për migrantët e pastrehë nga BE.
Shoqata federale e Punës “Ndihma për të Pastrehët”, BAG, flet për rreth 12 për qind qytetarë të pastrehë të BE, ose rreth 50.000 vetë. Kjo shoqatë kërkon një takim të nivelit të lartë për strehimin dhe një plan kombëtar nacional për të kapërcyer gjendjen e vështirë në strehim.
Bisedë telefonike mes presidentëve Trump dhe Putin
Shtëpia e Bardhë njofton se Presidenti Donald Trump ka folur në telefon me Presidentin rus Vladimir Putin. Shtëpia e Bardhë tha se gjatë telefonatës u fol për Sirinë, Iranin, Korenë e Veriut dhe Ukrainën. Presidentët Trump dhe Putin folën jozyrtarisht disa herë javën e kaluar kur morën pjesë në një takim të nivelit të lartë në Vietnam. Ata ranë dakord mbi një numër parimesh për të ardhmen e Sirisë. Biseda e sotme vjen një ditë pas një takimi të Presidentit Putin me Presidentin sirian Bashar Assad. Zoti Putin e priti Assadin në një vendpushim të Detit të Zi në prag të një samiti që zhvillohet këtë javë me pjesëmarrjen e Rusisë, Turqisë dhe Iranit.
Gjermani, skenare të formimit të një qeverie
Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Zgjedhësi foli, por qeveria nuk krijohet dot. Tani janë shumë gjëra të mundura. Dhe disa varen nga shkathtësia e Presidentit Federal.
Papritur të gjithë prozhektorët janë drejtuar nga ai. Frank-Walter Steinmeier, sipas protokollit numri 1 në shtetin gjerman, duhet të shpëtojë atë që njëherë dështoi: një koalicion qeveritar. Dhe ai është i detyruar madje ta bëjë këtë, Kushtetuta gjermane i jep atij me nenin 63 kompetenca të rëndësishme për krijimin e një qeverie. Në vend që të përfaqësojë, Steinmeieri tani duhet të veprojë politikisht. Një punë, që i përshtatet ish-diplomatit të parë të Gjermanisë. Si ministër i Jashtëm, “kryetari flokëargjendtë i fisit” ishte mjeshtër i fjalës së artë.
Ora e Presidentit-diplomat
Si ministër i Jashtëm, stili i tij pajtues konsiderohej anë e fortë e tij. Por këtë herë atij i duhet edhe të kërkojë. “Më mirë të mos qeverisësh, se sa të qeverisësh në mënyrë të gabuar”, pati thënë Christian Lindner pas dështimit të negociatave. Presidenti Federal mendon ndryshe. Ai që konkurron për përgjegjësi politike, nuk duhet të tërhiqet “kur e ka atë në duar”. Reagimi i Steinmeier-it për dështimin ishte i qartë: fjala e fundit për koalicionin Xhamajka nuk është thënë ende. Sepse tani po flet ai – dhe flet me të gjithë pjesëmarrësit.
Nuk ka ekzistuar kurrë: Një qeveri minoriteti
Do të kishte qenë një premierë. Një aleance të përbërë nga unionistët dhe FDP-ja do t’i mungonin 29 vota. Unionistët dhe të Gjelbrit do të kishin një deficit prej 42 deputetësh. Kjo e kthen qeverisjen në një mision të pashpresë. Mbetet rreziku i përhershëm i lojërave taktike të partive. Këtë SPD-ja me 20 përqindshin e saj mund ta frenojë në njëfarë mënyre – të paktën vende-vende. Me këtë, ajo nuk do ta hante fjalën, se një koalicion të madh me unionistët ajo nuk dëshiron më. Aleanca e unionistëve me socialdemokratët më shumë se u ndëshkua me 14 për qind të votave më pak që mori në zgjedhje.
Varianti tjetër do të ishte më spektakolar: një puç te partitë unioniste kundër kancelares së vazhdueshme. Vrasje politike mbretërish – të dështuara dhe me sukses-ka pasur edhe në demokracinë partiake të mbarë gjermane. Në vitin 1989, Helmut Kohli i shpëtoi në kongresin e partisë në Bremen për pak një rrëzimi. Pak para rrëzimit të Murit, ai qe në gjendje që ta entuziazmonte partinë e rebeluar me lajmin nga Hungaria, që atje qenë hapur kufijtë për refugjatët nga RDGJ. Hyrja e tij në librat e historisë dihet që nisi vetëm më pas. Në vitin 1995, socialdemokratët treguan në kongresin e Manheimit të partisë së tyre se si pa paralajmërim dhe pa zhurmë qenë në gjendje që të ndahen nga kryetari i partisë, Rudolf Scharping. Por si te CDU në 1989, ashtu edhe te SPD më 1995 prisnin të gatshëm pasardhësit: Lothar Spät dhe Oskar Lafontaine. Kurse pas Merkelit nuk është askush që pret të jetë pasardhës.
Zgjedhje të reja
Edhe në këtë çështje është Presidenti Federal që i mban frerët në duar. Që të zgjidhet Merkeli kancelare ka nevojë një shumicë absolute. Vetëm nëse këtë shumicë ajo nuk e siguron në raundin e tretë, Presidenti Federal mund ta shpërbëjë Bundestagun dhe të shpallë zgjedhje të reja brenda 60 ditësh. Sipas sondazheve, dy të tretat e gjermanëve duan zgjedhje të reja, po të dështojnë përfundimisht negociatat mes partive.
Sipas gjendjes së punëve, për një fushatë të re elektorale mund të gëzohet vetëm AfD. Vetë dështimi i deritashëm i negociatave e ndihmon. Liberalët shihen që prej së dielës si ngatërrestarë kokëfortë.
Tillerson mbron punën e Departamentit të Shtetit
Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson hodhi poshtë kritikat se vendimi i tij për të “riorganizuar” Departamentin e Shtetit, të përbërë nga 70 mijë anëtarë, ka shkaktuar demoralizim të personelit që nga fillimi i administratës së Presidentit Trump.
Gjatë një takimi të hënën me ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, Tillerson u tha gazetarëve se: “Ky departament po e bën punën jashtëzakonisht mirë dhe unë nuk jam dakord me ata që e karakterizojnë këtë ndryshe. Nuk është e vërtetë”.
Por, gjatë konferencës së shtypit me gazetarët të premten, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert u përball me shumë pyetje rreth kritikave të shumta mbi menaxhimin e Departamentit nga Sekretari Tillerson.
“Për këtë arsye, unë ju them të keni durim. Ne kemi shumë punë për të bërë. Ju lutem mos u dorëzoni. Mos humbni shpresë tek kjo ndërtesë. Mos hiqni dorë nga ajo që po bën Amerika. Mos humbni shpresë mbi rëndësinë e kësaj pune dhe karriere”.
Zëdhënësja Nauert tha se, riorganizimi është një punë e vazhdueshme dhe një gjë që mund t’i bëjë njerëzit të ndjehen më mirë është se idetë për reforma po vijnë nga zyrtarë karriere me përvojë shumëvjeçare. “Idetë nuk po vijnë nga një i emëruar politik i ri, si unë”. Ajo gjithashtu theksoi se, në përgjithësi numri i anëtarëve të personelit nën administratën e Presidentit Trump nuk dallon aq shumë nga numri nën Presidentin Obama.
Komentet pasojnë kritikat nga ligjvënësit më të lartë amerikanë ndaj Sekretarit Tillerson. Senatori republikan John McCain dhe senatorja demokrate, Jeanne Shaheen i kanë shkruajtur Sekretarit Tillerson, duke i thënë atij se vendimet e fundit të drejtuesve në Departamentin e Shtetit kërcënojnë të “minojnë mirëqenien afatgjatë dhe efektshmërinë e diplomacisë amerikane”. Dy senatorët i kërkuan Sekretarit Tillerson që t’i japë fund pezullimit të punësimeve të reja.
Në një seancë të fundit të Senatit për konfirmimin e kandidatëve për poste në Departamentin e Shtetit, kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Corker, i cili zakonisht është një aleat i Sekretarit Tillerson, tha se: “Departamenti i Shtetit, siç e dini, nuk funksionon aq mirë. Nuk ka personel të mjaftueshëm”.
Anëtari demokrat i këtij komisioni, senatori Ben Cardin, shkoi edhe më tej. “Në qoftë se ky lloj i eliminimit të udhëheqjes së nivelit të lartë do të ndodhte në Departamentin e Mbrojtjes, unë mund t’ju garantoj se Kongresi do të ishte i alarmuar”.
Sekretari Tillerson është kritikuar për mbështetjen e shkurtimeve të mëdha të propozuara nga Presidenti Donald Trump. Kongresi i reduktoi në tetë për qind shkurtimet në personelin e përgjithshëm në mbarë botën. Por shumë ish-ambasadorë dhe analistë thonë se një numër postesh për ambasador kanë mbetur bosh, si dhe disa pozita të rëndësishme të Ndihmës Sekretarëve në Departamentin e Shtetit në Uashington.
Javën e kaluar, ambasadorja Barbara Stephenson, kryetare e Shoqatës së Shërbimit Diplomatik Amerikan, shkroi në një artikull të botuar në një gazetë se administrata Trump po i shkakton dëme afatgjata diplomacisë së Shteteve të Bashkuara, duke mos vlerësuar diplomatët e karrierës në stafin e këtij institucioni. “Talentit që po i tregohet dera tani nuk përfaqëson vetëm njerëzit më të përgatitur, por edhe një grup njerëzish që nuk mund të zëvendësohet me njerëz të tjerë brenda natës”.
Rusia aprovon ligjin për regjistrimin e mediave si “agjentë të jashtëm”

Këshilli i Federatës ruse, ka aprovuar ligjin që detyron mediat që marrin financim nga jashtë, të regjistrohen si “agjentë të jashtëm”.
Ligji është aprovuar me votë unanime, pa asnjë abstenim, ndërsa tani do të dërgohet për nënshkrim të presidenti rus, Vladimir Putin.
Shefja e Këshillit të Federatës ruse, Valentina Matviyeko tha se masa është adoptuar, pasi ligjvënësit kishin konsideruar se kthimi i ligjit në dhomën e ulët për rishikim ishte thyerje e tij.
Menjëherë pas leximit dhe aprovimit të ligjit, ministria e Drejtësisë ka dërguar disa paralajmërime për shërbimet e Radios “Evropa e Lirë”.
Letrat paralajmëruese nuk specifikonin se me çfarë ndalesa mund të përballet, por ligjvënësit thonë se media mund t’i nënshtrohet raportimeve të detajuara financiare nën ligjin për “agjentë të jashtëm”.