Makina e një efektivi të policisë është djegur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në Vlorë. Makina ka qenë e parkuar në lagjen “Pavarësia” pranë palestrës së mundjes. Një telefonatë rreth orës 03:10 e ardhur në Sallën Operative ka lajmëruar për djegien e mjetit.
Makina e djegur mësohet se është në pronësinë e shtetasit Zini Zenelaj nga fshati Babicë. Ai ka qenë inspektor rendi në Komisariatin e Vlorës. Ndërkohë kujtojmë se Babica është fshati i Habiljave, ku u kap një kamion me plot 3.5 ton drogë pak ditë më parë.
Nuk dihet nëse djegia e makinës së tij, e cila dyshohet se është e qëllimshme ka lidhje me këtë ngjarje. Makina e tij ka qenë e parkuar në lagjien “Pavarësia” pranë palestrës së mundjes. Një telefonatë rreth orës 03:10 e ardhur në sallën operative ka lajmëruar për djegien e mjetit.
Ndërkohë, policia dhe zjarrfikëset kanë shkuar menjëherë pranë vendit të ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit, prej nga të cilat mjeti është dëmtuar pjesërisht në pjesën e përparme. Dyshohet që zjarrvënia të ketë qenë e qëllimshme, pasi në pjesën e përparme tek motori është konstatuar lëndë djegëse.
I vihet zjarri makinës së policit nga fshati i Habilajve
“Shullazi”, Gjykata: Ballafaqim mes biznesmenit e noteres për “Vollgën”
Biznesmeni Ylvi Beqja pritet të rikthehet përsëri si dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Emiljano Shullazit dhe katër bashkëpunëtorëve të tij. Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e mbrojtjes që biznesmeni të ketë dy ballafaqime, njërin me noteren e Aida Spahiu në zyrën e së cilës ai firmosi për ta kaluar në pronësi të Shullazit 30% të ish-hotel “Vollgës”.
Përballjen tjetër, Beqja do ta ketë me ish-badigardin e tij. Ballafaqimi i tretë do të jetë mes Besnik Musait edhe ky dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë në këtë proces dhe noteres Aida Spahiu. Në seancën e ditës së djeshme pati debate mes avokatëve dhe Prokurorisë për lejimin e leximit të deklarimeve të dhëna nga Jani Zaka në hetimin paraprak.
Mbrojtësit kundërshtojnë leximin e tyre, pasi sipas tyre, procesverbali i marrjes në pyetje të Zakës ka probleme. Avokatët thonë se në datën 26 maj 2016, kur ai pretendohet se është marrë në pyetje rezulton të ketë qenë jashtë vendit, sipas të dhënave të sistemit TIMS.
20-vjeçari gjendet i varur në burgun e Shën Kollit
Një 20-vjeçar është gjetur i varur në burgun e Shën Kollit. Florjan Kodra ishte dënuar për veprën penale ‘Vrasje e mbetur në tentativë’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’. 20-vjeçari nga Thethi u gjet mëngjesin e djeshëm i vdekur në dushet e burgut të Shënkollit, ndërsa paraprakisht dyshohet se i riu është vetëvarur me çarçaf. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit, ndërsa mbeten ende të paqarta arsyet që e shtynë të riun drejt këtij akti të rëndë. I riu ishte burgosur për shkak të një vrasje të mbetur në tentativë në vitin 2016. Ai ka qëlluar me dy plumba një vit më parë shtetasin Nazmi Topuzi, i cili dyshonte se i riu i ngacmonte bashkëshorten. Fillimisht janë përleshur e më pas, Kodra e ka qëlluar me armë.
Florjan Kodra ishte dënuar për veprën penale ‘Vrasje e mbetur në tentativë’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’. Gjykata kishte dënuar Florjan Kodrën me 6 vite e 8 muaj burg, ndërsa i kishin ngelur për të vuajtur dhe 4 vite e gjysmë. Po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes Kodra u arrestua në prill 2016, pasi u akuzua si autori i plagosjes së 49- vjeçarit Nazmi Topuzi.
Korrupsioni, 400 mijë lekë për një operacion perdeje në sy
400 mijë lekë të vjetra nën dorë mjaftojnë që në spitalin francez pranë QSUT-së të hysh në operacion pa radhë e pa asnjë dokument. Emisioni “STOP” në “Tv Klan” trajtoi rastin sesi në spitalin francez pranë QSUT-së, po të paguash para nën dorë, hyn në operacion pa radhë e pa asnjë dokument. Por, që kjo të realizohet, duhet përdorur edhe një truk i vogël.
Veç parave, që duhen për mjekë e infermierë, përfaqësuesit e bluzave të bardha, duhet të të klasifikojnë “rast urgjent”. Një i tillë ishte dhe qytetari, që shkoi të hiqte perden e syrit. Pasi bisedoi me infermierin Ylli Cora, e përmes tij edhe me mjeken Eneda Rustemi, qytetari ia doli të kryejë ndërhyrjen dhe “të shpëtojë” nga sikleti i syrit dhe 400 mijë lekëve (të vjetra).
Infermieri– Si je?
Qytetari – Mirë! Si të kam?
Infermieri– Mirë je? Erdhe?
Infermieri–Çfarë do bësh tani?
Qytetari – Me vënë lenten, me heq perden.
Infermieri– Këtë cipën?
Qytetari – Si tjetrin. A e mban mend si bëra tjetrin?
Infermieri– Aaa, është tjetër punë ajo. Flasim ndryshe tani.
Infermieri– Këto i planifikojmë të paktën një javë më përpara. Tani, ne do vemi t’i themi doktoreshës, t’i themi është aty ajo, nesër është e enjte?
Qytetari – Po!
Infermieri– T’i them unë, mbase të bën ndonjë kështu…, urgjencë. Të shtosh ndonjë lek më tepër, pastaj të hapë kartelën, sikur ta bëjmë urgjente, se kështu është më mirë.
Qytetari–Dhe më mirë.
Infermieri– Hajde një herë nesër!
Doktoresha – Të vijë një herë nesër! N.q.s, kemi mundësi të bëjmë nesër, të bëjmë nesër, se ka një rregull të caktuar. Duhet të futesh më përpara në sistem, pastaj.
Doktoresha – Kanë ndryshuar rregullat nga viti tjetër. Çdo ditë bëhen dhe kemi një numër të caktuar në ditë. E para njëherë, duhet të bësh urgjencë nesër. Duhet të jesh te mjeku i Urgjencës. E dyta, mund të kalojë numrin e operacioneve dhe unë vetëm nesër, kam shtatë.
Doktoresha – Gjithsesi, ti nesër hajde në 8 e gjysëm të mëngjesit njëherë! Po të kemi mundësi, do të fusim. Do të rregullojmë në një…,mënyrë tonën të mundshme.
Infermieri– Ma ler mua, të flas me doktoreshën dhe të shohim, sesi do bëjmë!
Infermieri–Ajo tha: jau ka ndaluar shefi, të bëjnë më shumë se pesë operacione. Ti, përveç që nuk do vish ligjërisht, që duhet të regjistrohesh një javë përpara! Duhet të planifikosh, duhet konfirmimi i shefit, shefi i fut në sistem, e…tyryly tyryly tyryly. Kështu që, ty do të futë direkt në urgjencë pa asnjë dokument fare. Për këtë do ta flasim me doktoreshën.
Qytetari – Duhet të përgatitem?
Infermieri–Këtu treqind mijë bëjmë.
Qytetari – E di!
Infermieri– Dyqind e pesëdhjetë lente. Po ti nuk do marrësh, se do i them kësaj unë, ta merr lenten vetë ajo, të rrish ta blesh farmacive.
Infermieri– Treqind të bëjnë këto një herë, që dhe një kafe kësaj doktoreshës. Për këtë jashtë radhe që po të bën ajo, urgjencë pa dokumente, pa gjë prej gjëje, unë nuk di, ca të them. Po them një katërqind mijë lekëshe, nuk do vish nesër.
Qeveria bllokon llogarinë bankare të “RD”
Me një vendim absurd të nxitur dhe mbështetur në mënyrë abuzive nga qeveria, instrumentat përmbaruese të Ramës kanë bllokuar në mënyrë të kundraligjshme llogarinë e “RD” që prej datës 1 Nëntor. Kemi të bëjmë me një vendim të pastër politik dhe të paprecedentë.
Kurrë në këto 27 vite “RD”, por edhe asnjë media opozitare nuk i janë bllokuar llogaritë bankare, aq më shumë në mënyrë skandaloze dhe të kundraligjshme. Kjo nuk ka ndodhur as në vitin 1991, kur “RD” përballej me diktaturën dhe as në vitin e rebelimit famëkeq të vitit 1997.
Duke shpjeguar më qartë absurditetin e këtij vendimi me inspirim qeveritar mjafton të sqarojmë vetëm një moment të këtij absurdi. Bëhet fjalë për një vendim të vitit 2003 të Gjykatës në mbrojtje të një ish-ministri të PS të asaj kohe. Pra, janë kujtuar të bllokojnë llogarinë bankare të “RD” plot 14 vite pasi është dhënë vendimi, duke tejkaluar të gjitha afatet ligjore që përcakton ligji për Përmbarimin.
Qëllimi është i qartë. Përmes bllokimit të llogarisë bankare nga qeveria të bëhet i pamundur edhe funksionimi i gazetës dhe daljes së saj në treg. Gjatë këtyre ditëve kemi pasur vështirësi në marrëdhëniet dhe detyrimet me të tretët dhe kjo ka sjellë anomali në versionin e printuar të gazetës.
Përfaqësive diplomatike dhe lexuesve që na kanë telefonuar këto ditë për të mësuar të vërtetën e këtyre problemeve që është përballur “RD” u themi se kemi të bëjnë pikërisht me këtë bllokim pas të cilit nuk qëndrojnë bedelët përmbarues, që verbërisht zbatojnë urdhra, por inspirimi qeveritar i tellallit në krye të qeverisë që i konsideron mediat kazanë dhe nuk kursen kërcënimet dhe ofendimet ndaj gazetarëve që përçojnë të vërtetën e degradimit të shtetit shqiptar në një shtet mafioz, ku kreu i organizatës kriminale është në të njëjtën kohë edhe kreu i qeverisë.
Bllokimi i llogarisë së gazetës “RD” është një hakmarrje e pastër politike e atij që sot mund të konsiderohet si i Sëmuri i Ballkanit dhe që mendon se mund të shpëtojë këtë pushtet të kthyer në një juntë mafioze, duke mbyllur të gjitha mediat opozitare dhe kritike me të, disa përmes blerjes dhe atje ku nuk arrin që t’i blejë t’u mbyllë gojën përmes instrumentave të një pushteti mafioz, si ky i “RD” me përmbarues.
Vërtet mund të na bllokojnë, por nuk do të munden kurrë të na gjunjëzojnë dhe aq më pak të na pengojë të themi me forcë të vërtetat e një vendi që po përballet me një diktaturë krimi cilado qoftë kosto e saj. Bllokimi i llogarive të gazetës “RD” është një goditje ndaj një simboli të medias së lirë në Shqipëri që lindi bashkë me lirinë në këtë vend dhe po kërkon të përçojë një mesazh frike tek të gjithë opozitarët.
Regjimi po kërkon të tregojë forcë, ndërkohë që është shndërruar në një kufomë, po kërkon të tregojë dhëmbët, ndërkohë që është në panik. Të gjitha këto për të fshirë gjurmët e krimeve që kanë kryer dhe po kryejnë ndaj shqiptarëve si me kanabizimin e vendit ashtu edhe shndërrimin të Shqipërisë sot në delen e zezë të Europës, duke u konsideruar në raportet e Departamentit amerikan të Shtetit si qendra e krimit të organizuar rajonal.
“RD”
Skema e Ramës për kapjen e Prokurorisë
I vetmja betejë që Rama e ka për jetë a vdekje në ditët e ardhshme është ajo për kapjen e kreut të Prokurorisë. Ndërsa Prokuroria ka hapur dosjet e inkriminimit të qeverisë dhe lidhjeve të tyre me mafian, e vetmja valvul shpëtimi për Ramën është uzurpimi i kreut të Prokurorisë.
Rama e kupton se në rast të një Prokurorie të pavarur hetimet herët ose vonë do të arrijnë tek ai, ndaj për të djegur dosjet e korrupsionit dhe krimit në qeveri, atij i duhet kryeprokurori, i cili të zgjidhet me votat e veta dhe të funksionojë jo me ligjin e ri të Reformës në Drejtësi, por me ligjin e vjetër.
Dje në media u shpërnda një draft se si mund të zgjidhej Kryeprokurori në kushtet kur ende nuk është ngritur institucioni i KLP-së, që sipas përcaktineve të reja kushtetuese të Reformës në Drejtësi do të duhet të zgjidhte Prokurorin.
Sipas draftit të shpërndarë me porosi, votimi për kreun e Prokurorisë në rastet kur ai është i përkohshëm bëhet me një shumicë të thjeshtë, pra vetëm me votat e Ramës. Kjo bie ndesh me të gjitha përcatimet kushtetuese për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë sipas Reformës në Drejtësi. Kjo reformë e ka të përcaktuar qartë se zgjedhja bëhet fillimisht me 2/3 e votave të Parlamentit. Në rast se nuk arrihet kjo shumicë, atëherë zgjedhja bëhet me 3/5 e votave. Fryma kushtetuese nuk lejon dhe nuk shprehet në asnjë rresht të saj që një prokuror qoftë ai edhe i përkohshëm të mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Këtë e nënkupton vetëm Rama dhe duhet kuptuar edhe halli se përse e synon këtë zgjidhje antikushtetuese.
Pse Ramës i duhet një prokuror i përkohshëm
Në skenë dje ka dalë teza e një prokurori të përkohshëm, vetëm që në krye të institucionit të akuzës të mos qendrojë Llalla, i cili nuk është garant i mafias. Kërkohet largimi me çdo kusht i tij dhe zëvendësimi në një mënyrë krejtësisht antikushtetuese. Rama synon që ta bëjë fakt të kryer këtë artificë ligjore për të marrë kohë sado pak me zgjedhjen e njëanshsme të kreut të Prokurorisë. Ai do ta quajë një prokuror të përkohshëm. Farsa e kësaj zgjedhjeje në mënyrë mafioze shkon edhe më tej. Duke qenë i përkohshëm, Rama kërkon t’i japë atij pushtetet jo të një Kryeprokurori sipas ligjit të hartuar nga Reforma në Drejtësi, por sipas kompetencave që Kryeprokurori ka aktualisht.
Përse i intereson në këtë mënyrë? Ndryshimi është i thjeshtë. Një kryeprokuror me kompetencat e reja që i jep Reforma në Drejtësi nuk mund të bëjë zëvendësime të prokurorëve që fjala vjen hetojnë lidhjet e qeverisë me krimin dhe mafian. Këtë kompetencë sipas ligjit të ri e ka KLP, e cila ende nuk është krijuar. Ramës nuk i duhet ky kryeprokuror. Ramës i duhet një Kryeprokuror me kompetencat që ka aktualisht Llalla. Arsyeja është mjaft e thjeshtë për t’u kuptuar. Me një kryeprokuror të tillë të ashtuquajtur të përkohshëm, Rama mundet që brenda një periudhe disa javore të bëjë shkarkimin e të gjithë prokurorëve që janë duke hetuar dosjet e nxehta të lidhjeve të qeverisë me mafian. Dhe pasi t’i ketë zëvendësuar këta prokurorë përmes njeriut të tij që ai e synon në krye të akuzës, atëhere ai është i gatshëm që t’i hapë rrugë zgjidhjes së një prokurori sipas Reformës në Drejtësi, sepse ky kryeprokuror nuk do të ketë mudësi për të shkarkuar më të emëruarit politikë të Ramës si prokurorë në të gjithë Shqipërinë.
Rama, ofertë për destabilizim
Kapja e institucionit të Prokurorisë nga kreu i organizatës kriminale sot në qeveri është një ofertë për destabilizim. Kjo do të nënkuptonte kapjen e Prokurorisë nga mafia dhe instalimin e një junte mafioze në sistemin e drejtësisë. Pra, do të kemi shtrirjen e mafias nga qeveria tek drejtësia. Ndaj Rama edhe dje në mbledhjen e Grupit parlamentar i bënte thirrje Tahirit që të qëndrojë i qetë për skandalin e kapjes së makinës me 863 mijë euro dhe dy patentave të tij për drejtim anijesh, pasi ai po kërkon të zbatojë skemën e kapjes së Prokurorisë dhe pas kësaj e ka të lehtë të shpëtojë Tahirin, Habiljat, Dakon, Lalën dhe të gjithë mafiozët e tjerë që sot drejtojnë vendin.
Tre dosjet e nxehta që përvëlojnë Ramën
Lidhjet e njerëzve të Ramës me trafikun e drogës janë të frikshme, por tre prej këtyre dosjeve nëse dalin në ditë dhe çohen deri në fund fundosin Ramën përfundimisht. Saimir Tahiri po ndihmohet me mish e me shpirt nga Rama që t’i shpëtojë drejtësisë. Ashtu si edhe Vangjush Dako apo edhe Qazim Sejdini. Që të tre këta personazhe, të mbajtur shumë pranë nga Rama janë nyje lidhëse të forta të bandave të krimit e trafikut me Ramën. Të gjitha aktivitetet e tyre kriminale janë zhvilluar për llogari të Ramës dhe me dijeninë e plotë të tij.
Saimir Tahiri, dosja Habilaj dhe hetimi i drejtësisë italiane
Emri i ish-ministrit të Brendshëm, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, ka dalë nga përgjimet ambientale të Policisë italiane, e cila ka vënë në pranga rrjetin e bandës së “Habilajve” nga Vlora. Moisi Habilaj është kushëriri i Saimir Tahirit, i cili ka përdorur makinën e ministrit të Brendshëm të asaj kohe për të kaluar në Itali, makina “Audi Q8”, AA 003 GB, e bërë e famshme pas akuzave të opozitës. Prokuroria e Katanias ka vënë në pranga rrjetin e drogës, që transportonte në Itali sasi të mëdha hashashi dhe aktualisht është duke hetuar lidhjet që çojnë në implikimin direkt të Saimir Tahirit me trafikun e Drogës. Aktualisht, Rama është duke u përpjekur me të gjitha forcat për të manipuluar çështjen Tahiri. Por nga ana tjetër, një tjetër ngjarje e afërt nxiti zhvillime në faktimin e lidhjeve të Tahirit me trafikun e drogës. Gjetja e dy patentave të Saimir Tahirit në momentin e arrestimit të Sotës është elementi lidhës që prokurorët duan ta shfrytëzojnë në bashkimin e dy procedimeve. Arrestimi i biznesmenit Orest Sota, të cilën iu gjetën 863.100 euro në makinë sëbashku me dy patenta drejtimi mjetesh lundruese të ish-ministrit Saimir Tahiri pritet të prodhojnë një zhvillim të ri. Çështja në ngarkim të Orest Sotës, djali i biznesmenit Lefter Sota që u kap afër kompanisë së çelikut “Kurum” në Elbasan, me këtë shumë eurosh do t’i bashkohet të njëjtit procedim penal me nr.134 ku po hetohet edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Qazim Sejdini, vrasje, trafik masiv droge dhe korrupsion i shfrenuar
Hetim për trafik droge dhe lidhje me vrasje janë pjesë e dosjes së Qazim Sejdinit në Prokurori. Ngjarja e 18 shtatorit në Elbasan, ku u godit makina e policisë nga një “Audi” i blinduar ka detyruar Prokurorinë të hapë edhe dosje të vjetra mbi bandat e qytetit. Një prej emrave më të lakuar është ai i Suel Çelës, djalit të biznesmenit Petrit Çela, që administron Tregun Agroushqimor të qytetit. Emri i tij ka qenë i njohur për Policinë e Elbasanit, pasi është i përfshirë në disa ngjarje kriminale, por që forcat e policisë ishin të pafuqishme për ta arrestuar për shkak të mbështetjes publike, që ka nga kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe vetë kryeministri Rama. Suel Çela me bandën e tij i kanë siguruar votat Sejdinit për t’u zgjedhur kryetar Bashkie nëpërmjet presionit dhe kërcënimeve me armë të votuesve. Nga ana tjetër, Qazim Sejdini ka edhe një agjensi doganore që po hetohet për trafik droge.
Dako, nga kërdia me tenderat tek Lulzim Berisha
Me një pasuri marramendëse prej miliona eurosh, të ngritura nga kërdia me tendera, lidhjet me trafikun e drogës dhe bandat më të rrezikshme kriminale të Durrësit gjithashtu, Dako është sot një nga personat që rrezikon seriozisht burgun. Pak javë më parë, për arsyet e sipërpërmendura atij jo më kot iu refuzua viza për të vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I cilësuar si Sheiku i Durrësit për shkak të megakorrupsionit me tenderat e Bashkisë e me një pasuri që kap miliona euro, Vangjush Dako ka një tjetër anë të errët në përdorimin e pushtetit. Lidhjet e tij me krimin. Opinioni publik u shokua kur Lulzim Berisha, një nga kriminelët më famëkeq për drejtësinë shqiptare u lirua me ndihmën e posaçme të Vangjush Dakos dhe presioneve të ushtruara prej tij. Lirimi me kusht i ish-kreut të së ashtuquajturës “Banda e Durrësit” është përcjellë me akuza për korrupsion në radhët e gjyqësorit në Shqipëri, si nga faktorët vendas ashtu edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që liria e parakohshme e Lulzim Berishës, nuk ka ardhur vetëm si pasojë e vendimeve të debatueshme të gjykatave, por edhe nga një ofertë për punë nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
Arben SHAHINI
Një letër si vetakuzë fatale e Noriegës për veten e tij!
Droga dhe krimi i Shqipërisë, dhurata e Noriegës për Bashkimin Europian!
Sali BERISHA
Të dashur miq, me letrën që u dërgon kryeministrave të 28 vendeve të BE, në të cilën ai shpall se droga e Shqipërisë është tashmë problem i Bashkimit Europian, Edi Rama pranon se droga, eksportimi i saj dhe i krimit të organizuar nga Shqipëria në këto vende është dhurata e tij për BE, është mirënjohja e tij për miliarda e miliarda euro dhënë nga takspaguesit e vendeve anëtare të BE për shqiptarët.
Sigurisht, Edi Rama, kur shkruajti në këtë letër se droga e Shqipërisë është çështje e Bashkimit Europian, nuk kishte parasysh një gjë të tillë. Me këtë deklaratë në letrën e tij ai kërkonte t’i bënte ata bashkëfajtor dhe bashkëpërgjegjës për lumin e drogës dhe krimit të organizuar që eksportohet nga Shqipëria në vendet e tyre. Kjo është një vetë-akuzë edhe më e rëndë se e para, që Noriega bën me shkrim para 28 liderëve të vendeve anëtare të BE.
Në formulimin e saj ai bazohet në logjikën e pacipë të banditit: po vërtet unë të vjedh, të vras por edhe ti ke faj se nuk ruhesh, nuk më kap dot.
Ministrat dhe deputetët e Ramës, bazuar në këtë arsyetim banditesk, e kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur në Parlament për përgjegjësi direkte Italinë, Greqinë dhe vendet e tjera, në të cilat eksportohet droga dhe krimi nga Shqipëria, për tregun që ato i ofrojnë kësaj droge dhe krimit të lidhur me të.
Mirëpo Noriega dhe këshilltarët e tij kanabist, harrojnë se eksporti i krimit drejt vendeve të tjera përbën kërcënim madhor për rendin dhe sigurinë e këtyre vendeve. Rreth 40 vite më parë, narko-diktatori i Panamasë që ndërtoi narko-shtetin e parë në botë, Manuel Noriega u thoshte SHBA se për narkoshtetin e tij dhe megatrafikun e kokainës nga Panamaja drejt SHBA ka përgjegjësi edhe qeveria amerikane.
Në të vërtetë, për të shlyer përgjegjësinë dhe për sigurinë e vendit të tij, Presidenti G. H Bush dërgoi marinsat dhe përmbysi diktatorin e Panamasë, Manuel Noriegën dhe narko-shtetin e tij! Natyrisht, BE dhe vendet anëtare, por as dhe SHBA nuk do ndërhyjnë ushtarakisht për të përmbysur Noriegën e Shqipërisë dhe narko-shtetin e tij. Por sigurisht që asnjëri prej 28 kryeministrave të vendeve të BE apo dhe vendeve të rajonit nuk është i gatshëm të ndajë përgjegjësi me Edi Ramën për shndërrimin e Shqipërisë në Kanabistan dhe qendër operacionale rajonale të krimit të organizuar.
Ata disponojnë të gjitha të dhënat e autoriteteve italiane, sipas të cilave në vitin e Edi Ramës, vitin 2016, në Shqipëri, si rezultat i politikës nxitëse dhe mbështetjes nga policia, u mbollën 219 mijë hektarë me kanabis apo 8 milionë rrënjë. Disponojnë gjithashtu dosjet e përgjimeve, të cilat dëshmojnë se në Shqipëri peshku i madh është vetë Edi Rama, se Olsi me grupin trafikantëve që solli nga Bostoni është kryesor në trafikun e kokainës në rajon.
Ata i dorëzuan dosjen “Tahiri” si provë për qendrimin e Ramës, por ky i fundit, me qendrimin e tij faktoi se ai vet është kryepeshkaqeni i Shqipërisë. Ata me mediat e tyre më të mëdha publike dhe private kanë denoncuar çdo ditë dhe çdo javë lidhjet e Ramës, ministrave të tij me drogën dhe krimin, dhe çdo ditë flasin për ndërtimin nga ana e tij të narko-shtetit në Shqipëri.
Kështuqë përpjekja e Ramës për të bërë bashkëpërgjegjës kryeministrat e vendeve anëtare të BE për shndërrimin e Shqipërisë në Kanabistan është thjeshtë një përpjekje banditeske, tragjikomike dhe e stilit të vjetër hoxhist. Kjo deklaratë vetëm sa i bënë kryeministrat e vendeve anëtare të BE dhe qeveritë e tyre të jenë më të vendosur në qendrimet ndaj Shqipërisë dhe të konsiderojnë masa shtrënguese konkrete ndaj vendit tonë për kërcënimin që paraqet eksporti i drogës dhe krimit nga Shqipëria për rendin dhe sigurinë e tyre.
Këto nisma tashmë kanë filluar dhe ato do të vazhdojnë.
Duke përfunduar, iu bëj thirrje të gjithë atyre shqiptarëve, që të ardhmen e tyre e besojnë jashtë krimit dhe drogës, të marrim përgjegjësitë tona dhe të ngrihemi në një revolucion popullor për të përmbysur Noriegën dhe narko-shtetin e tij. sb
Skema e pastrimit të parave me koncesionin e Rrugës së “Arbrit”
Operacioni i ndërlikuar i partneritetit publik privat të projektit të Rrugës së “Arbrit” po nxjerr në dritë ngadalë metodat tipike të qeverisë Rama.
Pas një fushate të gjatë reklamuese dhe propagandistike, kompania e paracaktuar dorëzoi një “propozim të pakërkuar” për ndërtimin e rrugës, e cila ishte e projektuar dhe e diskutuar në të shkuarën me një grup kinezësh. Qeveria shpalli mbi këtë propozim garën dhe i dha kompanisë pikë bonus.
Pastaj u zhvillua një garë elektronike falso, ku u përfshinë dy konkurentë të tjerë, të cilët përgatitën dhe dorëzuan dokumentat teknike të ofertës së tyre, por çuditërisht “harruan” të paraqesin ofertën financiare, dhe kështu kompania e paracaktuar u shpall fituese e garës.
Tani do të fillojë një pazar i gjatë për të përcaktuar kontratën e PPP-së që do të rregullojë marrëdhënien ndërmjet investitorit dhe qeverisë, dhe në kontratë do të shkruhen të gjitha kushtet financiare dhe hiletë e kësaj pune.
Sipas informacioneve të rrjedhura në media deri më tani, propozimi parashikon investimin prej 250 milionë euro, nga të cilat 60 milionë do të financohen nga qeveria, ndërsa vetë kompania do të financojë pjesën e mbetur prej 190 milionë euro.
Kompania do të marrë edhe gjysmat e të ardhurave të grumbulluara nga taksa e kalimit në rrugë, e cila është caktuar 4 euro për çdo kalim. Nga fitimi prej kësaj takse, kompania do të mbulojë edhe shpenzimet e mirëmbajtjes së rrugës, kostoja vjetore e së cilës është vlerësuar sa tre për qind e vlerës totale të investimit.
Cilido qoftë burimi i fondeve që kompania ka treguar në dokumentat e tenderit, ato nuk mund të jenë nga të ardhurat e saj, të cilat janë krejtësisht të pamjaftueshme për një investim të tillë-bilancet e tre viteve të fundit tregojnë se të ardhurat totale të kompanisë janë 5-6 milionë euro në vit. Nisur nga bilanci i kompanisë, asaj do të duheshin të ardhurat e 40 vjetëve për të paguar kapitalin e nevojshëm për projektin.
Nëse konsiderojmë të ardhurat nga taksa e kalimit të rrugës, për të marrë mbrapsht 190 milionë euro, me taksën 4 euro për çdo makinë, duhet në total pothuajse 50 milionë kalime në rrugë, pa marrë parasysh shpenzimet e mirëmbajtjes dhe as faktin se vetëm gjysma e të ardhurave të taksës së kalimit parashikohet t’i kalojë kompanisë.
Në hipotezën më të mirë, duke i bërë llogaritë mbi kulmin e trafikut të tanishëm, në atë rrugë mund të kalojnë rreth dy mijë makina në ditë, çfarë do të thotë se investitori mund të marrë mbrapsht investimin e tij për jo më pak se 70 vjet (madje pa zbritur shpenzimet e mirëmbajtjes nga totali i të ardhurave).
Siç shihet, nëse informacionet e botuara në shtyp janë të vërteta dhe nëse kontrata do të reflektojë sadopak këto kushte, nuk ka asnjë mundësi të vërtetë për të marrë mbrapsht investimin, të paktën investimin privat në madhësinë e shpallur nga qeveria.
Do të ishte ndryshe nëse projekti do të financohej vetëm me fonde të buxhetit, duke i dhënë prioritet prioritetit politik mbi atë ekonomik, çfarë është e drejta e një shteti normal. Pra, qeveria mund të investojë në infrastrukturën e zonave të thella edhe nëse kthimi ekonomik është afatgjatë, sepse logjika politike për të mundësuar zhvillimin e zonave të caktuara nuk matet domosdoshmërisht me përfitimet e menjëhershme financiare.
Në të kundërt, vendimi i cilitdo enti privat për të investuar në të njëjtin projekt bazohet pothuajse krejtësisht në përfitimin ekonomik brenda një kohë të arsyeshme në termat e biznesit.
Në këto kushte mund të mendohet se interesi i të ashtuquajturve investitorë në këtë projekt duhet të jetë një tjetër. I vetmi shpjegim i mundshëm, duke patur parasysh gjendjen e vendit, është pastrimi apo riciklimi i parave të përftuara nga aktivitete të tjera, ndoshta jo të ligjshme, dhe jo të taksuara sipas ligjit.
A është e mundur të përdoret një operacion i tillë për të pastruar paratë e pista?
Operacioni nuk është i thjeshtë, por për hir të një diskutimi informues, le të hamendësojmë në mënyrë analitike si mund të organizohet një operacon i tillë, dhe me cilat kushte mund të vihet në veprim.
Kushti i parë është që investimi të kushtojë njësoj ose më pak se sa fondi që do të kontribuojë qeveria, që janë parashikuar në 60 milionë euro: prandaj le të hamendësojmë, për qëllimin e shpjegimit të skemës, se këstet e paguara nga qeveria mjaftojnë për ndërtimin e rrugës.
Por kompania është zotuar se do të financojë 190 milionë euro, dhe duhet t’i vërtetojë shtetit se e ka kryer të gjithë këtë investim, përndryshe rrezikon të humbasë koncesionin.
Pra, kompania do të marrë 190 milionë euro fatura nga nënkontraktorët e saj-të cilët supozohet se nuk do të paguhen, por do të shënojnë në bilancin e tyre kredi të mëdha ndaj ndërtuesit kryesor (zhvilluesit të projektit). Nënkontraktorët do të bëjnë sikur kanë kryer punime, por nuk do të kenë kosto reale në përputhje me faturat që kanë lëshuar, dhe kështu do të përfundojnë në letër me të ardhura shumë të larta, mbi të cilat do të duhet të paguajnë taksa.
Dhe kështu, pak duke paguar taksat për shërbime, pak duke depozituar para kesh si shtim kapitali, pak duke iu drejtuar kredive nga bankat do të mund të pastrojnë një sasi të madhe parash kesh. (Qëllimi i pastrimit të parave është fshehja e burimit të tyre duke i futur në sistemin e ligjshëm financiar dhe kjo mund të realizohet vetëm duke bërë shumë pagesa të vogla që nuk bien në sy.)
Në rastin më të skajshëm, mund t’i kthejnë një pjesë të kredive të tyre drejt kompanisë koncesionare në pronësi në këtë kompani, duke u bërë ortakë të vetë koncesionit, kuota të cilat do t’u ndahet ortakëve si shpërndarje e të ardhurave, duke luajtur me vlerën e vetë kuotave.
Normalisht, janë të mundura variacione të shumta të kësaj teme, në veçanti ato që përfshijnë shitjen e kuotave të pjesëmarrjes në kompanitë e nënkontraktuar, në mos vetë shoqërinë koncesionare, tek kompani të huaja me seli në parajsa fiskale ose të paktën në vende ku është e mundur të kryhen veprime mbi kapitalin (duke ndryshuar vlerën e kuotave) pa paguar taksa.
Për të realizuar një skemë kaq të madhe pastrimi parash është i domosdoshëm edhe një kusht tjetër: mirëkuptimi i autoriteteve fiskale dhe atyre të ngarkuara me parandalimin e pastrimit të parave, sepse fluksi i parave kesh që hyjnë në sistem lë gjurmë të dukshme dhe duhet që të mos ngrejë alarme.
Përveç kësaj do të ishte e nevojshme që në fund të operacionit të falimentonin apo të lukuidoheshin një pjesë e madhe e kompanive të përfshira në veprime për të fshirë kështu provat më të dukshme. Kjo gjë mund të lehtësohej nëse përdoreshin kompani të regjistruara jashtë Tirane, ku aftësitë teknike të administratës së zbatimit të ligjit dhe asaj fiskale janë më të ulta dhe ku lidhjet miqësore apo familjare janë më të forta.
Kushti i tretë është koha: për të realizuar një skemë të tillë, është e nevojshme që autoritetet politike, të vetmet që mund të garantojnë vënien në veprim të planit përmes bashkëpunimit të heshtur të instuticioneve tatimore dhe kontrolluese, të jenë në pushtet për të gjithë kohën e mjaftueshme për të realizuar veprën, sistemuar kreditë, dhe në fund mbylljen e kompanive të përdorura si instrumente në operacion.
Duke e përmbledhur, pastrimi i parave, të paktën në brendësi të sistemit administrativ dhe fiskal të një vendi të vetëm, është i mundur vetëm falë vrimave të lëna (pak a shumë në mënyrë të qëllimtë) nga administrata fiskale dhe nga kuadri ligjor, dhe operacione të zgjatura dhe të ndërlikuara që kërkojnë qendrueshmërinë e bashkëpunëtorëve në brendësi të administratës, të cilën vështirë se mund ta garantojë politika shqiptare, përveçse përmes ndonjë pakti okult dhe jetëgjatë mes të gjithë protagonistëve të politikës.
E përkthyer në terma të thjeshtë, dhe për t’i dhënë përgjigje pyetjes fillestare, projekti i Rrugës së “Arbrit” mund të përdoret për të pastruar shuma të mëdha parash vetëm nëse protagonistët (përfituesit e pastrimit të parave) mendojnë se mund të kontrollojnë sistemin administrativ për një kohë të gjatë (të themi 10 vjet), në të kundërt mund të ndeshen me hetime që mund të jenë fatale për ta.
Për këtë arsye, në kushte e lajmëruara deri më tani nga shtypi, rruga, me kapital privat, nuk do të bëhet, të paktën në mungesë të një pakti të tërthortë me të gjitha palët politike shqiptare përballë ligjeve të institucioeneve financiare të huaja, të cilat janë pranuar edhe nga institucionet shqiptare.
Dhe nëse qeveria do të zgjedhë ta çojë përpara me çdo kosto, do t’i zbulojë investitorët dhe funksionarët shtetërore të ngarkuar me kontrollin fiskal dhe të pastrimit të parave para një rreziku të sigurt. Ose ndoshta qeveria do thjesht të thotë se “vetingu”, në kuptimin e qëllimeve të deklaruara, ka dështuar.
exit.al
Lista me emërimet skandaloze, nepotizëm në të gjitha spitalet
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar dje listën me drejtorët e rinj të spitaleve në kryeqytet dhe në rrethe si fitues të konkursit. Deputeti i PD, Bardh Spahia reagon duke thënë se konkurset e Ramës janë vetëm një mashtrim, pasi drejtuesit e shpallur si fitues të konkursit janë emra të njohur për lidhjet e tyre me PS.
“Vazhdon farsa e madhe e Edvin Rames me shëndetësinë dhe shëndetin e shqiptarëve! Në fund të gushtit 2017, Rama në një show të paprecedent kërkoi dorëheqjet e drejtorëve të spitaleve universitare dhe rajonale. Sipas tij faji për keqmenaxhimin e gjithçkaje në shëndetësi ishte vetëm i tyre. “Nuk mund të ketë më emërime partiake. Nesër ju duhet të jepni dorëheqjen një e nga një. Ekipet e reja do të zgjidhen me konkurs publik” pati pafytyrësinë të deklaronte Kryeministri. E sot pas një procesi aspak transparent u duk sa seriozisht i kishte këto deklarata”, thotë Spahia në reagimin e tij.
Ja ekipi i zgjedhur ” jopartiak” që do të drejtojë spitalet e vendit
1. Eduard Bejko, ish-deputet i PS do drejtojë Spitalin e Beratit.
2. Kryetari i Këshillit Bashkiak Durrës, Alban Ramohitaj do drejtojë Spitalin e Durrësit.
3. Eksponenti i PS në Dibër i akuzuar për blerje votash Spartak Koltraka do drejtojë spitalin atje.
4. Kandidati i PS në listën e Shkodrës Vilson Masmalaj emërohet drejtor i Spitalit Shkodër.
5. Drejtori i Spitalit të Traumës Arben Zenelaj njihet për lidhjet e fuqishme me të majtën, dhëndër i ish-zv/ministrit të Mbrojtjes në diktaturë, Jace Lulaj.
6. Drejtoresha e re e maternitetit, Eliona Demaliaj e njohur për lidhjet me të majtët në pushtet.
Qershia mbi tortë Enkel Joti, ish-drejtori i “Top Channel” i lidhur ngushtësisht me Ramën.
7. Perlat Kapisyzi këshilltar i Partisë Socialiste Minibashkia 2 viti 2004- 2008 bashkëshorti i zv/ministre MIRA RAKACOLLI.
8. Alban Ramohitaj nip i Halim Ramohitaj zv/ministër i Mbrojtjes në diktaturë në vitet ‘70.
9. Ismet Nika tropojan, anëtar i Kryesisë të PS Kukës.
Ky është konkursi Rama një megamashtrin.
Si Rama po mbron Dakon
Deputeti i PD-së, Edi Paloka u shpreh dje nga selia blu se politika dhe krimi janë bërë një në qytetin e Durrësit. Duke lëshuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, Paloka theksoi se kryebashkiaku Vangjush Dako ndihet i paprekshëm ndonëse është regjistruar gjatë zgjedhjeve duke u premtuar tendera kriminelëve të rrezikshëm.
Me heshtjen e tij, Edi Rama mbron Vangjush Dakon si Saimir Tahirin, po i jep mbrojtje politike krimit.
Në Durrës politika dhe krimi janë bërë një. Këtë model Edi Rama e ka ngritur kudo njësoj – në Durrës, Elbasan, Tiranë.
Formula është “përdor krimin dhe paratë për të marrë zgjedhjet. Më pas, me pushtetin e fituar pasurohu për vetë pasuro dhe krimin”.
Modeli dhe formula provohen nga përgjimi që disponon Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku Vangjush Dako është regjistruar gjatë zgjedhjeve, duke u premtuar tendera kriminelëve më të rrezikshëm të Durrësit në këmbim të blerjes së votave.
Por Edi Rama dhe Vangjush Dako nuk u japin asnjë shpjegim shqiptarëve. Qëllimi i tyre është të heshtin derisa të kapin plotësisht Prokurorinë.
Marrja nën kontroll e Prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë e bën Vangjush Dakon të ndjehet i paprekshëm. Edi Rama po e trajton Kryetarin e Bashkisë së Durrësit njësoj si Saimir Tahirin. Po i jep mbrojtje politike nga drejtësia, sepse gjithçka dhe të gjithë lidhen me Edi Ramën.
Me Edi Ramën lidhet krimi nëpërmjet Saimir Tahirit, Qazim Sejdinit, Vangjush Dakos, Agron Xhafajt. Drejtësia do të jetë e pafuqishme ndaj tyre derisa në krye të qeverisë të jetë Edi Rama. Vetëm me largimin e Edi Ramës do të ketë garanci për luftën kundër krimit të organizuar.