Nëse një investitor i huaj pyet për Shqipërinë pranë ambasadës së tij në vendin tonë, më shumë të ngjarë do të frikësohet nga ajo çka i thonë për funksionimin e shtetit ligjor dhe sistemit të drejtësisë. Gjatë një forumi ekonomik të zhvilluar sot në Tiranë, ambasadori austriak, Johann Sattler, iu tha hapur sipërmarrësve nga vendi i tij se dobësia e shtetit ligjor është një problem madhor për investitorët e huaj. Nëse bizneset e mëdha, sipas tij, e kanë disi më të lehtë, për shkak të rëndësisë dhe përmasave të tyre, problemet më serioze i vuajnë bizneset e vogla dhe të mesme. “Shqipëria ka një problem të veçantë me shtetin ligjor. Kjo zë një pjesë të madhe në punën time të përditshme. Përpiqem të bind politikanë se sistemi i drejtësisë duhet ndryshuar dhe ata janë tashmë të bindur për këtë. Për kompanitë më të mëdha gjërat janë disi më të lehta, sepse ato kanë kanalet e tyre të komunikimit, por për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme problemet në sistemin e drejtësisë krijojnë vështirësi serioze të të bërit biznes. Megjithatë, unë jam i bindur dhe them që po bëhet progres në këtë drejtim. Ka nisur një reformë e sistemit të drejtësisë dhe së shpejti do të bëhet vetting-u i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në përfundim të këtij procesi, besoj se do të ketë një sistem drejtësie më të mirë dhe një klimë më të favorshme për investime”, tha ambasadori austriak, Johann Sattler. Ndërkohë që kërkojnë nga ambasadorët angazhim në drejtim të diplomacisë ekonomike, anëtarët e qeverisë shqiptare nuk janë shumë korrektë me axhendën e tyre, edhe kur investitorë potencialë vijnë në Shqipëri, të sjellë nga dikush tjetër. Mungesa e ministrit Peleshi ishte e justifikuar me një vizitë në Bruksel, ndërsa organizatorët e forumit nuk kishin ndonjë shpjegim për mungesën e zëvendëskryeministres dhe ministrit të Financave.
Spaho në PE: Shqipëria e kapur nga droga, krimi i organizuar e blerja e votës
Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Parlamenti Europian: Perspektiva rajonale e procesit të integrimit europian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë fjalës së tij, Spaho ka theksuar “nevojën e luftës ndaj kanabizimit të vendit, krimit të organizuar e lidhjet e tij me mazhorancën aktuale në Shqipëri si dhe nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme pa votë të blerë e të trafikuar si parakushte për rrugëtim të sigurtë në Bashkimin Europian dhe ku Parlamenti Europian mund të bëjë shumë. Theksova gjithashtu nevojën që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave, pasi jo vetëm janë plotësuar kushtet, por një popull nuk mund të lihet si ishull i izoluar pa të drejtë për të lëvizur i lirë në BE”.
Bulqizë, 550 mijë euro dhe dy tendera fiktivë “asfiksuan” 60 nxënës
Para pak ditësh 60 nxënës të shkollës së mesme “Rifat Manjani” në Shupenzë të Bulqizës, rrezikuan jetën pasi sistemi jofuksional i kaldajës lëshoi të gjithë tymin nga lënda djegëse në klasat ku po zhvillohej mësim. 10 prej nxënësve ndodhen në gjendje më të rënduar shëndetësore, ndërsa një mësuese dhe një nxënës janë trasportuar për në Tiranë, për të marrë një shërbim më të ndërlikuar mjekësor. Nga kontrollet e derimëtanishme, grupet e inspektimit që po mbikëqyrin instalimin e sistemit të kaldajës, shprehen se kaldaja nuk ishte testuar asnjëherë më parë. Po të ishte testuar qoftë edhe një herë, do të ishte vënë re se tubat e vendosur keq dhe oxhaku i mbyllur, në vend që ta nxirrnin tymin jashtë, e shpërndanin nëpër klasa. Bashkia Bulqizë hapi tenderin për rikostruksionin e shkollave në Shupenzë (më saktësisht dy shkollave: një shkollë e mesme dhe një shkollë 9-vjeçare) në gusht të vitit 2016, me një fond limit prej rreth 535 mijë eurosh. Në garë morën pjesë 7 kompani, por gjashtë prej tyre u skualifikuan, sepse nuk dorëzuan dokumentacionin e plotë. Kompania fituese, Ndregjoni shpk, pavarësisht se kishte paraqitur ofertën e dytë më të lartë, u shpall fituese, për shkak të skualifikimit të gjithë ofertuesve të tjerë. Për supervizimin e punimeve u realizua një tender tjetër, i veçantë me vlerë rreth 13 mijë euro, por duket se asnjëra prej dy kompanive nuk ka vënë re se sistemi i ngrohjes ishte montuar gabimisht. Kompanitë kanë bërë punimet me ngut për ta “përfunduar” punën gjatë fushatës elektorale, kur dhe u bë inaugurimi i rikonstruktimit të dy shkollave, pa menduar se punimet jo cilësore, me ngut dhe të pa mbikëqyrura do të vinin në rrezik jetën e 60 nxënësve.
Skandali me tenderin 280 milionë lekë të Postës
Posta Shqiptare hapi pak kohë më parë procedurën “Shërbimi i ruajtjes së objekteve dhe personelit me roje të kategorisë 1.3.A” që ishte e ndarë në të paktën me 12 lote dhe me një fond limit mbi 28 milionë lekë. Por duket se, kjo procedurë është kthyer në një mollë sherri që rrezikon të “kthejë” përmbys procedurën në tërësi, pasi në harkun e 10 ditëve janë bërë të paktën 30 ankimime nga ana e shoqërive të ndryshme që ofrojnë sigurinë fizike dhe shoqërimin e vlerave monetare.
Komisioni i Prokurimit Publik ka regjistruar të gjitha kërkesat e bëra nga kompanitë, ku secila ka pasur pretendime për njërin apo tjetrin lot, duke mos rënë dakord me vendimin e marrë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave të Postës Shqiptare.
Në raste të tilla, sipas ligjit të prokurimit publik nga ana e Komisionit mund të lejohet vazhdimi i lidhjes së kontratave dhe paralelisht të vijohet me shqyrtimin e ankimimeve ose mund të pezullohet procedura deri në dhënien e një vendimi.
Përgjithësisht procedurat e shërbimit me roje private janë kthyer në një “mollë sherri”, i cili ndodh prej të paktën dy vitesh dhe pavarësisht rekomandimeve të nxjerra nga Agjencia e Prokurimit apo Komisioni, ato vijojnë të mbeten problematike.
Situata nuk duket e favorshme për Postën Shqiptare në kushtet, kur është aktiv edhe tenderi tjetër me objekt “Shoqërimi dhe ruajtja e vlerave monetare me roje të kategorisë 1.3.B”, që u lë afat kompanive të dorëzojnë ofertat deri më 4 dhjetor. Fondi limit për këtë procedurë është mbi 70 milionë lekë. Edhe në këtë rast, prokurimi bëhet për 12 lote, duke përfshirë të gjitha qarqet në vend nga Shkodra në Korçë.
Raporti: Ekonomia shqiptare me rrezikshmëri të lartë
Agjencitë e vlerësimit të riskut të kreditit janë pjesa më e specializuar e tregut për mënyrën sesi paraqesin një vend para investitorëve, kur këta të fundit duan të japin para borxh. E ndërsa një vend për interesin e tij mund të bëjë vlerësime herë pas here, por në hark kohor më të gjatë se tremujor, agjencitë e specializuara që kanë nën menaxhim portofol biznesesh të rëndësishme bëjnë një analizë të pavarur çdo tre muaj.
Euler Hermes, një kompani e sigurimit të kredisë që ofron një gamë të gjerë të bonove, garancive dhe shërbimeve të mbledhjes së arkëtimeve bussines-to-bussines, që ka një operim të gjerë në tregun global mbështetur nga Allianz ka bërë vlerësimin e saj për riskun e vendeve në tremujorin e tretë të vitit. Ky risk i vlerësuar e klasifikon Shqipërinë tek vendet me faktorë problematikë që në hartën e publikuar u përgjigjet ngjyra e Kuqe. Ndër vendet e rajonit me këtë ngjyrë është vetëm Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina. Po kështu këto dy shtete mbeten të vetmet në Europë me këtë nivel klasifikimi.
Në terma afatmesëm, vlerësimi është me shkronjën D që i përgjigjet një vlerësimi dukshëm të ulët dhe që përcjell pasiguri të mëdha tek investitorët. Në afatshkurtër, risku i bendit kategorizohet me numrin 4 që do të thotë “RISK i lartë”.
Metodologjia e tyre sikurse shpjegohet në faqen zyrtare bazohet në mbledhjen e informacionit mbi renditjen makroekonomike. Pra analiza e strukturës së ekonomisë, pjesa buxhetore, politika monetare, borxhi publik si dhe gjasat për një destabilizim politik.
Një tregues i dytë i marrë në vlerësim është mjedisi strukturor, ku operon biznesi që mat perceptimin e biznesit mbi mbrojtjen ligjore si dhe luftën ndaj korrupsionit.
Së treti, bëhet një ndarje më vete për riskun politik që merr parasysh përqendrimin e pushtetit, efektivitetin e politikëbërjes si dhe pavarësinë e institucioneve që duhet të funksionojnë si të tilla.
Raporti i BB: Shqipëria e 125-ta në botë për taksat e larta
Shqipëria është e 125-ta në botë ndër 190 ekonomi të ndryshme për pagesën e taksave, thuhet në raportin e publikuar ditën e martë nga Banka Botërore dhe nga rrjeti prestigjioz Pwc në raportin me titull “Pagesa e Taksave 2018”.
Në krahasim me një vit më parë ndërkohë, Shqipëria ka bërë hapa prapa, si në renditje, ashtu edhe në pikëzim. Në raportin e kaluar, vendi ynë renditej në pozicionin e 97-të në botë, ndër 189 ekonomi të ndryshme të botës, në indeksimin e parë dhe në të 125-in në një tjetër indeksim, por në të dyja rastet, me një pikëzim më të lartë se ky vit.
Përkeqësimi i Shqipërisë në këtë renditje vjen kryesisht si pasojë e rritjes së barrës së taksave për biznesin, nga 36.5% vjet, në 37.3% këtë vit. Në këtë drejtim, Shqipëria është bindshëm larg mesatares rajonale, që fiksohet në 33.4%.
Raporti, që është një ndër dy kryesorët që Banka Botërore publikon çdo vit, së bashku me “Doing Business”, veç renditjes, ofron një panoramë thuajse të plotë të taksave në një ekonomi të caktuar. Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet si një ndër vendet me burokracitë më të komplikuara në drejtim të taksave, dhe për këtë mjafton të shohim se sa orë i duhen biznesit për të kryer procedurat.
Në të gjithë rajonin ndërkohë, pra të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, Shqipëria është vetëm e parafundit, me plot 35 taksa për të paguar, si dhe vendi i dytë pas Bosnje Hercegovinës me 5 taksa mbi fitimin. Në krahasim me rajonin, Shqipëria është jo vetëm ndër vendi me taksat më të larta, pas Serbisë, por edhe vendi me procedurat dhe numrin më të madh të taksave.
Investimet e huaja direkte, OKB: Shqipëria keq me taksat
Shqipëria është i vetmi vend në rajon që “vuan” për incentivën e taksa në funksion të rritjes së investimeve të huaja direkte. Një analizë e fundit e Konferences se Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Tregtisë dhe Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, të titulluar “Vlerësimi i Politikave të Investimeve në Europën Juglindore” jep detaje. Në seksionin që ndalet vetëm tek “Taksimi” thuhet se në raport me vendet e tjera ne kemi sistem taksash më penalizues në nivel. Në këtë kontekst raporti i referohet vendimit të qeverisë për të rritur tatimfitimin në 15 për qind nga 10 për qind që ishte në vitin 2013 si dhe pjesës së taksimit më të lartë të dividentit.
Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Republika e Moldavisë, Serbia, Maqedonia, Kosova të gjitha kanë ose një situatë mesatare ose më favorizuese sesa Shqipëria.
Tek treguesit e tjerë ku merren parasysh kompleksiteti i sistemit, Shqipëria ka regjistruar një situatë pozitive ashtu sikurse ka ndodhur me marrëveshjet e shmangies së tatimit të dyfishtë me vende të ndryshme. Ankesat dhe masat kundër evitimit cilësohen në një nivel të pranueshëm, por që ka vend për përmirësim. Vendet me situatën më pozitive janë Serbia dhe Maqedonia, të cilat kanë në total nga pesë tregues, katër prej tyre në nivelin më të mirë. Më keq paraqitet pjesa e Bosnjë-Hercegovinës.
Përtej problematikës me mungesën e incentivave në taksa, Shqipëria do të vijojë të përfitojë nga marrëveshjet e të kaluarës të lidhura me projekte madhore si TAP apo kaskada e Devollit. Deri në vitin 2016, Investimet e Huaja Direkte rezultojnë me një vlerë 983 milionë euro, ndërsa objektivi është që ato të arrijnë 2.2 miliardë euro.
Në rajon udhëheq Serbia, e cila në fund të vitit 2016 regjistroi një vlerë të IHD-ve prej 2.08 miliardë euro, ndërsa targeti i saj është për të paktën 2.5 miliardë euro deri në vitin 2020. Por ndërsa objektivat i vendosin vetë vendet, tendencat që janë shfaqur në tregje për përthithjen e investimeve tregojnë se Shqipëria ka konkurrencë agresive për aq kohë sa interesi ka qenë në industrinë automotive, e cila nuk ka preferuar vendin tonë si dhe manifakturë. Në këtë kontekst sektorët mbi të cilët mund të bazohet lufta e Shqipërisë është turizëm, infrastrukturë dhe energji.
45.2% e të ardhurave të shqiptarëve për ushqim
Shqipëria ka çmime më të lira se vendet e Bashkimit Europian veçanërisht për ushqimet, pijet, hotelet dhe restorantet, por kjo nuk do të thotë se shqiptarët mund të përfitojnë nga to.
Sipas anketës së INSTAT për shpenzimet për familje, rezulton se pjesa më e madhe e buxhetit shkon për ushqim dhe pije jo-alkoolike. Me 45,2%, Shqipëria është shumë larg çdo vendi tjetër të BE, e cila ka një mesatare prej 12.2%. Ky shpenzim në familjet shqiptare është shumë më i lartë edhe se për vende të tjera të rajonit, si Serbia, ku këto shpenzime zënë vetëm 26,8% të totalit.
Duke e krahasuar buxhetin e një banese shqiptare dhe të tjerave në Europë, rezulton se ka diferenca të theksuara në mënyrën se si shpenzohen paratë.
Kështu, në vendet e unionit, ajo që rëndon më shumë janë shpenzimet për banesën, qiraja, uji dhe dritat. Ky shpenzim zë ¼ e buxhetit të një familjeje europiane dhe në mënyrë të ngjashme edhe të një familjeje në Serbi. Ndërsa shqiptarët janë të favorizuar nga fakti se 93% e familjeve janë pronarë të banesës ku jetojnë. Në Serbi, kjo shifër është vetëm 81%, ndërsa në Gjermani zbret deri në 52%.
Një tjetër fushë ku familjet në vend kursejnë është edhe transporti, për të cilin shpenzohet vetëm gjysma e asaj që do të shpenzonin në BE.
E megjithë kursimin në qira dhe transport, përsëri nuk garantohen të ardhura mjaftueshme për dëfrim. Vihet re se për grupin “Argëtim dhe Kulturë”, një familje shqiptare shpenzon vetëm 1/3 e asaj të një familjeje europiane. Kjo shprehet në vlera përqindjeje ndaj totalit të shpenzimeve, pasi nëse llogarisim se buxheti familjar në Europë është më i madh, atëherë diferencat janë edhe më të theksuara.
Në mënyrë të ngjashme shpenzohet më pak edhe për restorante dhe hotele, megjithëse duhet thënë se në këtë fushë tejkalojmë Serbinë.
Në veshje, shëndet dhe komunikim, shqiptarët shpenzojnë një pjesë të ngjashme me atë çka harxhojnë vendet e tjera të marra në analizë. E vetmja kategori e mbetur, arsimi, tregon se edukimi, librat dhe pjesa tjetër e bazës materiale rëndon më shumë në xhepat e familjeve shqiptare se të atyre gjetkë.
Angelo Haruni/SCAN
Europa me teknologji, shqiptarët me llaç
Që shqiptarët janë të dhënë pas ndërtimeve, kjo është e dukshme në çdo cep të vendit. Nga zonat urbane tek bregdeti, një sipërfaqe e madhe toke është betonizuar pas viteve ’90, nisur dhe nga nevojat e mëdha për strehim pas tranzicionit ekonomik. Pas një faze maturimi, ndërtimi ka rifilluar me ritme të vrullshme muajt e fundit, kryesisht në kryeqytet dhe bregdet.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se ndërtimi, sidomos ai i banesave zënë pjesën e luanit të investimeve të brendshme, që është më e larta në rajon dhe Europë. Sipas INSTAT treguesi i formimit bruto të kapitalit fiks[1] (investimet e brendshme materiale dhe jo materiale) përbëhet në 75% nga ndërtimi, 17% nga pajisjet dhe 8% nga të tjera (transport, bujqësi e kërkime minerare). Brenda ndërtimit, gati 60% shkon për banesa. Të dhënat e fundit i përkasin vitit 2015, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh në krahasim me 10 vjet më parë, kur ndërtimi zinte 80% të invesimeve të brendshme në ekonomi.
Formimi bruto i kapitalit fiks është pjesë e shpenzimeve të prodhimit të brendshëm bruto dhe tregon se sa nga vlera e shtuar në ekonomi investohet sesa konsumohet. Shqipëria i bën pjesën më të madhe të parave llaç e tulla, një investim që mund të ndikojë në afatin e shkurtër në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë (Shqipëria vijon të mbetet një ndër shtetet me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe Europë).
Europa i përdor paratë krejt ndryshe në krahasim me Shqipërinë. Sipas të dhënave të Eurostat, që i përkasin vitit 2016, investimet e brendshme shkojnë 48% për ndërtim. Pjesa tjetër përdoret në investime në teknologji e shpikje, që rrisin produktivitetin, përkatësisht 31% në pajisje dhe 17% në pronësi intelektuale (shiko grafikun).
Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor” nga institutet statistikore të rajonit, edhe në Maqedoni, ndërtimi merr rreth 63% të investimeve, ndërsa pajisjet e makineritë rreth 30%, sa dyfishi i Shqipërisë. Maqedonia është një hap përpara Shqipërisë si për teknologjinë e informacionit ashtu dhe për industrinë, teksa është një prodhues i pjesëve të makinave, si psh katalizatorë nga Johnson Doel, një kompani që kishte të ardhura prej 1.2 miliardë eurosh në 2016-ën, tre herë më shumë se sipërmarrja më e madhe në Shqipëri.
Në Mal të Zi dhe Serbi, ndërtimi zë rreth gjysmën e investimeve të brendshme, ndërsa pajisjet e makineritë zënë përkatësisht 37% n Mal të Zi dhe 48% në Serbi.
Kanalizimi i fondeve të lira kryesisht në banesa ka bërë që vendi ynë të ketë peshën më të lartë të ndërtimit në prodhimin e brendshëm bruto në Europë. Me gati 11% të PBB-së, ndërtimi qëndron gati 3 pikë përqindje më lart nga ndjekësi më i afërt, që është Maqedonia. Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja kanë qenë më të frenuar në zhvillimin e këtij sektori, që zë mesatarisht 4-6% të PBB-së. Në vendet e Bashkimit Europian, ndërtimi, i maturuar prej vitesh, zë rreth 5.3% të PBB-së.
Rritet taksa e pronës për biznesin
Çmimet e ndërtesave përcaktohet nga tregu i lirë dhe e njëjtë duket se do të jetë edhe logjika e taksimit të tyre. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave se puna e kadastrës fiskale do të jetë përcaktimi i një takse sa më të drejtë në raport me zonën ku është banesa. Mbi vlerën që ka kjo e fundit do të merret një përqindje 0.05, të paktën për individët. Vendosjes së një çmimi sa më real i ka paraprirë pjesa e rivlerësimit të pasurive që u mbyll në maj të këtij viti. Gjithsesi për çdo rast që nuk ka kaluar këtë proces, kadastra do të ketë vlerësimin e saj që sjell pasurinë në vlerën e tregut. Në çdo rast mes çmimit minimal dhe çmimit maksimal të një zone të caktuar duket se vlerësimi do të bëhet mbi maksimalin. Sipas ministrit nëse individi blen në një zonë ku çmimi minimum fiskal është 1000 euro/m2, dhe transaksionet janë 1300/m2 euro do të paguaj mbi vlerën e tregut 1300 euro/m2″.Diskutimet kanë rezultuar edhe me një rritje të taksës që do të paguajë biznesi. Ministria e Financave kishte propozuar që fillimisht përqindja që do të aplikohet mbi çmimin e një ndërtese që përdoret për veprimtari ekonomike të ishte 0.15%, por që më pas propozimi erdhi për 0.2%. Këtë e ka miratuar edhe Komisioni duke bërë që biznesi tashmë të taksohet me vlerën më të lartë sesa drafti i fillimit. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkoi që Financat të jenë më të qartë lidhur me metodologjinë që do të aplikojnë për taksën e pronës, e cila në vitin 2018 hyn në një cikël komplet të ri. Ministri i Financave nënvizoi edhe një herë faktin se për disa kategori specifike është menduar që të ketë tolerim, duke i përjashtuar. Nga përllogaritjet e bëra rezulton që të paktën 36 për qind e stokut të banesave përjashtohet. Nga këto të paktën 60 mijë familje janë në Tiranë./Monitor