Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka folur në studion e “Report Tv” mbi aktualitetin politik në vend dhe zhvillimet më të fundit. Duke e nisur me buxhetin e vitit 2018, deputetja tha se ky buxhet është propagandë e qeverisë dhe varfëron qytetarët. “Kjo është propaganda e ditës se sotme. Nuk rrit ndihmën ekonomike, varfëron qytetarët. Nga 9 koncesione bëhen 12. Këto koncesione janë të parregullt. Gjithë buxheti vihet në dorë të konçesioneve në 12 klientët e qeverisë. Në masën më pak se 5 dollarë në ditë, kur shumë familje jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Të gjithë deputetët e PD sollën fakte të zbërthimit të buxhetit, që është totalisht varfërim i qytetarëve”, tha ndër të tjera Çupi. Më tej, Dhurata Çupi foli dhe për planin e fundit të mazhorancës për shkarkimin e kreut të KQZ, Klement Zguri, në seancën plenare të 30 nëntorit. Çupi deklaroi se kjo çështje do të jetë një pikë e fortë debati mes pozitës dhe opozitës, duke shtuar se mazhoranca po shkel Kushtetutën me rastin në fjalë. “Mazhoranca është në përplasje të hapur me Kodin Zgjedhor, që votohet me shumicë të cilësuar. Kodi përcakton qartë kushtet kur shkarkohet kryetari i KQZ. Kur kryen detyrën e anëtarit njëkohësisht. Kur del në pension. Dhe më e rëndësishmja: Shkarkimi bëhet me vendim të KQZ. Këta duan ta shkarkojnë pa asnjë procedurë, në shkelje të hapur të Kushtetutës. PS konsideron skandal çdo tentativë të tyre për të shkarkuar drejtuesit e organeve të pavarura. Kujtojmë edhe shkarkimin e kryetarit të AMF, as një vit më parë, pa asnjë problematikë. Këta po uzurpojnë çdo organ të pavarur. Kryetari i KQZ është votuar me shumicë, dhe sot për arsyet e tyre po tentojnë të bëjnë zhurmë dhe të uzurpojnë këtë organ. Në fakt, skandal është skandali i kësaj mazhorance, që po iu dalin çdo ditë. Ka qenë vetë Biba që ka deklaruar se Kapllanaj nuk është në kushtet për t’i hequr mandatin”, shprehet ajo. Në lidhje me përgjimet e dala për Dakon për dhënie tenderash për blerje votash, ajo tha se rasti i Dakos është rasti më konkret vetë kryetari është investuar për deformim të votës. “PD ka vite që denoncon shkelje, e ka thënë në raport edhe OSBE-ODIHR që zgjedhjet u deformuan, kishte blerje dhe shitje të votës. Rasti më konkret duket se është ai i Bashkisë Durrës, ku vetë kryetari është investuar për deformim të votës. Sigurisht që ka fakte, Basha doli dje, Paloka sot. Tani të gjithë e kanë kuptuar se votat e shitën e blenë. Sot kemi 7 mijë prokurime, ku prokurimi është zero, imagjinoni çfarë bëhet me tenderat. Ky është koncepti i kësaj qeverie, që premton shumë dhe më pas deformon vullnetin e qytetarëve”, tha ajo. Gjithashtu deputetja e PD theksoi se, “Basha ka 4 vite që bën opozitë, ka fituar dekriminalizimin. Me opozitën dhe formën e protestës që bën Basha u arritën ndryshimet për Reformën në Drejtësi. Opozita ka shfaqjen e fakteve dhe të provave dhe PD po i ezauron të gjitha format dhe do t’i qëndrojnë parimit të deklarimit dhe protestimit të formave të abuzimit”.
Veliaj, 120 milionë lekë për një website që kushton 500 mijë lekë
Çdo tender i firmosur nga Erion Veliaj nis me shifra marramendëse për çdo zë qoftë edhe për një shërbim të vogël. I tillë tenderi i sapofirmosur për ndërtimin e websiti (faqe online). Me një kosto jo vetëm abuzive e tërësisht të pajustifikueshme, por mbi të gjitha skandaloze, pasi shërbimi për ndërtimin e një websiti mund të kushtojë thjeshtë dhe vetëm 500 mijë lekë të vjetra apo edhe pak më shumë.
Por vala e tenderave milionëshe në Bashkinë e Tiranës nuk kanë të ndalur. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, as nuk e ka problem që të ofrojnë më shumë se 120 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e një websiti, që me stil i është shtuar edhe një rrjet intraneti dhe 2 trajnime. Erion Veliaj, Bashkia e të cilit ka publikuar tashmë si autoritet kontraktor tenderin, ka lënë një afat 4-mujor për ndërtimin e tij, ndërsa mirëmbajtja do të jetë 4 vjet.
Pra, një kompani, të cilën do e ndjekim hap pas hapi për t’i zbuluar emrin, do të paguhet rreth 30 milionë lekë në muaj. Tenderi që do të mbyllet më 14 dhjetor përcakton që ofertimi do të bëhet për krijim websiti, intranet, trajnim dhe mirëmbajtje. Intraneti është një rrjet privat, që do aksesohet nga stafi i bashkisë. Pse Veliaj mendon që mbi 120 milionë lekë ia vlejnë të hidhen për një website?
“Nëpërmjet këtij projekti, Bashkia e Tiranës do të përmirësojë ofrimin e shërbimeve/informacioneve për qytetarin, për biznesin, grupet e interesuara, por dhe proceset e funksionimit brenda administratës. Në të njëjtën kohë, do të rritet transparenca për aktivitetin e Bashkisë dhe do të realizohet një komunikim dhe ndërveprim në kohë reale me komunitetin”, sqarojnë tenderkrijuesit. Ka qenë në stilin e qeverisjes së Ramës krijimi i websiteve, të cilët duhet thënë nuk na kanë ofruar një rezultat të prekshëm. Mjafton të përmendim “Jokorrupsionit”, “E-Albania”, “Shqipëria që duam” etj. Veliaj është i njohur për bujarinë e tij, teksa kohë më parë vetëm për ndërtimin e ashensorit për t’u ngjitur në Bashki ai hapi një tender prej 180 milionë lekësh.
Nëse analizon procedurat e prokurimit e të gjitha tenderave të zhvilluara nga Bashkia me firmën e Veliajt, vëren se shumica e tyre kanë probleme të theksuara ligjore. Një pjesë e tyre kanë fituese kompaninë që ka ofruar një çmim më të lartë nga të gjithë konkurrentët e tjerë në garë, për realizimin e një shërbimi apo vepre publike. Në disa tendera të tjerë, kompania fituese është dhe kompania e vetme pjesëmarrëse në garë. Kompani të tjera fituese, janë dhe ato me çmime të njëjta me fondin limit të vënë në dispozicion nga Bashkia. Të gjithë këta lloj fituesish janë në shkelje të ligjit.
Bashkia e Tiranës prej kohësh ka filluar të hyjë në institucionet ku tenderat fitohen me vlerën maksimale, duke përsosur makinacione dhe ngritur dyshime për abuzime dhe korrupsion.
Ndërkohë ende nuk dihet mbi kostot marramendëse që Veliaj do të shpenzojë nga paratë e qytetarëve në lidhje me festimet dhe aktivitetet që do organizojë mbi Natën e Bardhë, ku deri tani dihet vetëm se Veliaj do të sjellë në Tiranë një nga këngëtaret më të njohura botërore me kosto stratosferike, Emili Sande.
Në portalin Prokurime Transparente Open Procurement Albania (Open Data), gjenden të dhëna për të gjitha procedurat prokuruese të realizuara në periudhën korrik 2015 e në vijim nga bashkitë dhe institucionet në vartësi të tyre. Aktualisht përveç informacionit të mirëstrukturuar portali ka edhe një opsion tjetër, markimin me Red Flag për procedura që paraqesin situata me risk për keqpërdorim fondesh, raste pabarazie, nepotizëm etj. Një shënim me Red Flag është një fakt, ngjarje ose grup i rrethanave ose informacioneve të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve antikorrupsion.
Zhduket shtresa e mesme, thellohet niveli i varfërisë
Ndërsa qeveria flet për një rritje ekonomike, në fakt familjet shqiptare kanë gjithmonë e më pak lekë në duar për të përmbushur nevojat e tyre më elementare. Sipas Instat, gjatë 2016-ës, familjet shqiptare shpenzuan 3.5% më pak para se në 2015-ën, duke rritur dhe thelluar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.
Shqiptarët mendojnë ende për të “mbushur barkun”. Të paktën kështu duket nga Anketa e Buxhetit Familjar 2016, publikuar nga INSTAT dy javë më parë, sipas së cilës gjysma e parave që ka në dispozicion për një muaj një familje shqiptare shkon për ushqime dhe pije jo-alkoolike.
Por duket se sasia e parave që kanë pasur mundësi të shpenzojnë shqiptarët për mirëqenien e familjes së tyre nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me deklaratën e qeverisë shqiptare, që foli për një rritje ekonomike me sufiçit përgjatë 2016-ës (rritja ekonomike u deklaruar 3.4%). Sipas anketës së buxhetit të familjeve shqiptare, ndonëse shpenzimet për këtë kategori zinin 45.2% të totalit që një familje kishte në dispozicion, sërish ata ishin 3.5% më pak se sa 2015-a.
Më konkretisht INSTAT, vlerëson se shpenzimet mesatare për konsum të një individi janë rreth 20 mijë lekë në muaj nga të cilat 9 mijë lekë shkojnë për konsum ushqimor.
Por çfarë ushqimesh blihen me 9 mijë lekë?
Vendin e parë e zënë shpenzimet për “Qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë”, të cilat duket se nuk mungojnë në asnjë tryezë të familjeve shqiptare, duke i marrë 18.1% të buxhetit.
Me 17.5% të buxhetit, në vend të dytë renditen shpenzimet për “Bukë dhe drithëra” si dhe “Mish e nënprodukte”, të ndjekura nga shpenzimet për perime që zënë 13.9% të shpnzimeve dhe frutat me 8% të shpenzimeve.
Shpenzimet për grupin “Pije alkoolike dhe duhan”, përbëjnë 3.4% të buxhetit, ndërsa “duhani” zë peshën kryesore me 62.6%.
Grupi “Restorante dhe hotele”, që përfaqëson konsumin jashtë shtëpisë, përbën 4.4% të buxhetit. Përqindjet e shpenzimeve për restorante përbëjnë pjesën më të madhe, rreth 89%, ndërsa shpenzimet për hotele vetëm 11%.
Diferencat
Por edhe vetë brenda këtij buxheti modest ka diferenca të theksuara midis qarqeve. Sipas INSTAT, në vitin 2016, një familje harxhoi një buxhet prej 73.143 lekë. Lista kryesohet nga Qarku i Tiranës, ku në 2016 një familje shpenzoi mesatarisht 85 mijë lekë në muaj, që ndiqet nga Durrësi me 78 mijë lekë dhe Shkodra me 75 mijë lekë në muaj. Qarku me buxhetin më të vogël familjar është ai i Gjirokastrës me 57 mijë lekë, i cili është qarku që pësoi uljen më drastike të të ardhurve familjare nga 74.993 që e kishte më 2015-ën, i ndjekur nga Elbasani me 58 mijë lekë në muaj.
Po sipas anketimit të Instat ka diferenca të mëdha edhe mes të pasurve dhe të varfërve, diferencë që ka ardhur duke u thelluar edhe më. 90% e familjeve harxhojnë një buxhet mujor prej 64 mijë lekësh në muaj, ndërsa 10% e familjeve shpenzojnë një buxhet mujor 159 mijë lekësh.
“Shpenzimet mesatare për konsum tregojnë se në vitin 2016, shpenzimet mujore të të “pasurve” u rriten me 14.6%, në krahasim me rritjen e shpenzimeve mesatare të pjesës tjetër që u rritën 0.6% në krahasim me 2015. Si rrjedhim, raporti për këtë tregues, paraqet një rritje të pabarazisë nga 2.2 në 2.5 krahasuar me 2015? – thuhet në anketën e INSTAT, trend i cili pasqyrohet edhe tek shpenzimet mesatare të konsumit për frymë që thelluan “pabarazinë nga 3.3 në 3.5, krahasuar me vitin 2015”.
Shërbimet e tjera
Me 10.2% të totalit të buxhetit, qiraja, faturat e energjisë së ujit dhe të dritave është grupi i dytë më i madh për të cilin shkojnë paratë e një familje shqiptare. Ngrohja vazhdon të gllabërojë një pjesë të madhe të parave të familjeve shqiptare. 50.3% të këtyre shpenzimeve shkojnë për pagesën e energjisë elektrike dhe 17.3% për përdorimin e lëndëve të tjera si gaz, naftë dhe dru zjarri.
Sa i përket shpezimeve të tjera, 4.8% e buxhetit të një familje shkon për “Veshje dhe këpucë”, 5% e buxhetit harxhohet për “Mobilim, pajisje shtëpiake”, shpenzimet për arsimim zënë 4,4% të buxhetit, ndërsa grupi “Komunikim” ku përfshihet telefon, internet i kushton çdo muaj 3.3% të buxhetit një familje, ndërkohë që shpenzimet për “Shëndetin” renditen nga fundi me 3.4% e totalit të buxhetit mujor. Interesant është fakti peshën më të madhe e zë blerja e medikamenteve me rreth 75.4% dhe vetëm pjesa e mbetur shkon për kujdes shëndetësor.
Citizens Channel
Inflacion politik
Pa pritur ditën, në mesnatën e së enjtes së kaluar, Parlamenti miratoi me votat e shumicës projektbuxhetin për vitin 2018.
Aty qeveria ka projektuar të kryhen 3.7 miliardë euro shpenzime publike. Copa më e madhe e tortës buxhetore, rreth 1 miliard euro, do të shkojë për mbrojtjen sociale. Një tjetër copë e madhe, rreth 365 milionë euro, do të përdoret për shëndetësinë, ndërsa për arsimin, 307 milionë euro të tjera.
Nga kjo renditje duket qartë sipas shumës që gati gjysma e parave, mbështesin politika me teh social. Por ka shumë hapësirë për të vlerësuar nëse këto fonde e përmirësojnë statusin social-ekonomik të qytetarit apo thjesht e konservojnë atë, pa lënë të bjerë më poshtë.
Ministri i Financave tha se është një buxhet për qytetarin. Dhe nëse i referohemi strukturës së sipërpërmendur duket se ka një qasje të tillë. Por ai i shteron ky buxhet përgjigjet e pyetjeve se sa do të rritet punësimi dhe sa do të rriten të ardhurat individuale për çdo qytetar? Në fund të fundit, gjithçka duhet të konvergojë dhe të përfundojë këtu.
Rreth këtyre çështjeve në Parlament pati më shumë inflacion fjalësh dhe politikë, por pak ide racionale.
Mungesë referencash brenda vetë shumicës qeverisëse
Pasi fituan zgjedhjet, socialistët udhëhoqën një proces paradoksal me dëgjesa publike. Kabineti qeveritar punoi për të ndërtuar një sistem udhëzues, që do të mbështeste hartimin e politikave ekonomike dhe buxhetore të reja, sipas prioriteteve të dëgjuara nga goja e vetë qytetarit. Në asnjë rast, megjithatë, mazhoranca nuk tha nëse ky buxhet lidhet me ato që kërkuan qytetarët. Se po të vërejmë paketën fiskale ajo kulmon me shkurtim dhe heqje të taksave për hotelet elitare dhe e parashikon që bizneset e vogla të futen në skemën e TVSH-së dhe rritjen e taksës së banesës. Nuk e besojmë që qytetarët kanë kërkuar pikërisht këtë gjë.
Në buxhet munguan garancitë
Në projektbuxhet, 340 milionë euro do të kanalizohen për çështje ekonomike. Ndoshta duke menduar se do të përdorë paketën 1 miliard euro që financohet përkohësisht nga partneriteti me privatin, qeveria mendon se do t’i adresohet të gjitha çështjeve që lidhen me përparimin ekonomik. Ky model është atakuar në pikat më nevralgjike të tij nga aktorët me zëra më të fuqishëm si Banka Botërore dhe FMN, të cilët hedhin dyshime të forta për leverdishmërinë e projektit dhe masën e përftimit të publikut, për shkallën e transparencës, kërcënimet që i jep borxhit dhe për pamundësinë e kontrollit të plotë. Por nuk pati asnjë reflektim se qeveria mund t’u adresohet këtyre problemeve.
Në Parlament munguan alternativat
Projektbuxheti u hartua mbi praktikën e “faktit të kryer” dhe votës së garantuar. Në publik pati shumë pak hapësirë dhe informacion për të diskutuar rreth çështjeve delikate siç janë taksat, apo prioritetin e investimeve.
Nga qarqe ekonomike jashtë politikës pati propozime interesante se mos ndoshta “paketa 1 miliard euro e koncesione do të ishte më mirë të përdorej për infrastrukturën në bujqësi dhe rrugët në fshat, pasi japin efekt më të madh dhe të drejtpërdrejtë tek popullata dhe ekonomia, apo ideja për t’i orientuar incentivat jo nga përjashtimet fiskale, por nga shpenzimet. Por këto propozime nuk arritën të depërtojnë brenda mazhorancës dhe nuk mundën të bëheshin pjesë e zërit parlamentar.
Megjithatë debati do të vijojë për çdo nen të projektbuxhetit në komisionet parlamentare. Koha e mbetur është e shkurtër dhe sjellja politike nuk lë vend shumë për shpresa, por ia vlen që debati të riorientohet drejt thelbit të çështjes: A do të mirëpërdoret dhe do të japë përfitim në dobi të tij çdo lek i paguar nga taksat e qytetarit? Debati që dëgjuam deri tani ka prodhuar vetëm inflacion politik.
“Monitor”
Masakra e Maliqit dhe procesi kundër SHBA
Në mbledhjen nr.59, datë 19.11.1946, Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi refuzimin e kërkesave për faljen e jetës së bërë nga të dënuarit e procesit të parë të “Maliqit” dhe familjarët e tyre, duke urdhëruar ekzekutimin me varje në litar të Abdyl Sharrës, Kujtim Beqiri dhe me pushkatim të Vasil Manos, Zorika Manos dhe Eugenio Scaturos.
Këneta e Maliqit nisi të thahej më 5 maj 1946. Punimet e saj duhej të mbaronin më 28 nëntor 1946, kurse në fakt, në fazën kryesore mbaruan në vitin 1951. Drejtues të punimeve ishin Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri. Proceset ndaj teknikëve për gjoja “sabotime” ishin kombinacione dhe legjendime të përpiluara nga teknikët jugosllavë të Maliqit dhe regjimi komunist për të përligjur largimin e misionit amerikan në Tiranë. Dosjet hetimore-gjyqësore të këtyre proceseve janë tërësisht të manipuluara nga regjimi, sepse janë marrë dhe zhvilluar në kushtet më të rënda të torturës psikike dhe fizike. Procesi i parë i Maliqit dhe proceset e tjera vijuese, synonin të implikonin qeverinë amerikane dhe diplomatin e saj Fultz. Sipas informacioneve të siguruara, Fultzi, vetëm nga zhvillimi i gjyqit e kuptoi kush i kishte drejtuar punimet në Maliq.
Nga maji 1945 e deri nëntor 1946, ngjarjet janë zhvilluar kështu:
-8 maj 1945 misioni diplomatik amerikan mbërrin në Tiranë
-10 nëntor 1945 qeveria amerikane njohu qeverinë komuniste me kusht deri në plotësimin e kushteve, e deri në këtë kohë nuk do kishte nivel të lartë diplomatik. Dy ditë më vonë, Hoxha deklaroi se ishin djegur arkivat e nuk i njihte traktatet me SHBA-në (si injorant i politikës nuk e dinte që traktatet hartohen në disa ekzemplarë)
-13 gusht 1946, Enver Hoxha i deklaroi shefit të misionit diplomatik amerikan se, qeveria e tij do njohë disa traktate me karakter dypalësh, vetëm pas njohjes së Shqipërisë nga SHBA.
-20 shtator 1946, sekretari i shtetit, udhëzoi mosnjohjen e qeverisë komuniste të Hoxhës.
-28 shtator 1946 nisin arrestimet në Maliq.
-8 deri më 18 nëntor 1946 zhvillohet procesi i parë kundër “sabotatorëve”.
-15 nëntor 1946 misioni amerikan largohet nga Shqipëria.
-19 nëntor 1946 ekzekutimi në Maliq i grupit të parë.
E ashtuquajtura “organizatë tekniko-sabotatore” përbëhej nga Abdyl Sharra, 35 vjeç, kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit, i akuzuar si “iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”; Kujtim Beqiri, 30 vjeç, bir i një familjeje patriotike, medalje e artë në inxhinieri civile në Universitetin e Vjenës, drejtor në punimet e Maliqit; Vasil Mano, inxhinier në kënetë, i akuzuar bashkë me të shoqen Zyrikën, (e cila u pushkatua shtatzënë), për lidhje dhe kontakte të herëpashershme me agjentët e UNRRA-s; Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, gjeometra në kënetën e Maliqit; Eugenio Scaturro, italian, llogaritar në Maliq; Mihal Stratobërdha, Anastas Risto dhe Jani Vasili.
Proceset gjyqësore të të pandehurve filluan më 8 nëntor 1946 dhe përfunduan pas 10 ditësh. Gjatë asaj periudhe, lajmi kryesor në vend ishte gjyqi ndaj të bujshmit “grupi i sabotatorëve të kënetës së Maliqit”. Procesi, që transmetohej publikisht me altoparlant, u zhvillua në kinema “Nacional”, me skenar të parapërgatitur në detajet më të vogla. Pas shpalljes së vendimit, ku u goditën disa nga figurat e shquara atdhetare e intelektuale të Shqipërisë, grupi i dënuar me vdekje u ekzekutua në Maliq, më 19 nëntor 1946. Menjëherë vijuan arrestimet në masë të rreth 80 ish-nxënësve të shkollës teknike të “Harry Fulzit” dhe u arrit në shkëputjen e marrëdhënieve me SHBA-në e Britaninë e Madhe, për t’u bërë pjesë aktive e kampit të Lindjes komuniste.
“Icardi do të jetë sulmuesi i Realit”
Më shumë se mungesa e Bale dhe Benzema në apelin e golave në këtë kampionat, te Real Madridi po shkaktojnë “përmbytje” thashethemet rreth mundësisë së nënshkrimit me sulmues të tjerë. Emri më i fundit që ka dalë në dritë është ai i argjentinasit të Interit, Mauro Icardi. “Unë mund t’ju them sot se Mauro Icardi do të jetë sulmuesi i Real Madridit vitin e ardhshëm, në vend të Benzema”, tha për “Calciomercato.it” ish-lojtari i Milanit, Daniele Massaro. Icardi shënoi një dopietë të dielën e kaluar, duke i dhënë Interit një fitore 2-0 kundër Atalantas, çka e lejoi ekipin zikaltër të arrinte vendin e dytë në ligën italiane, dy pikë prapa liderit, Napoli. Një demonstrim i ri i efektivitetit sulmues të argjentinasit, i cili ka trembëdhjetë gola në trembëdhjetë ndeshje të këtij sezoni në Seria A, i paraprirë vetëm nga Ciro Immobile (Lazio), me 15 gola.
Jam gati ta zëvendësoj “legjendën”
Talenti i katërkëndëshit të Milanit, Gigi Donnarumam ka folur me superlativë për një tjetër Gigi, kapitenin e Juventusit dhe kombëtares italiane, Buffonin. Portieri i Milanit ka theksuar se Buffon është një portier i madh, të cilin e ka pasur idhull që kur ishte fëmijë, ndërsa pranoi se nuk ka frikë të jetë pasardhësi i tij te kombëtarja.
“Buffon është një portier dhe njeri i madh. E kam pasur idhull që kur isha fëmijë dhe jam munduar ta studioj si brenda, ashtu edhe jashtë fushës. Që të jesh një portier i madh, duhet të jesh edhe një njeri i madh, ndaj ndihem me fat që kam luajtur dhe jam stërvitur me Buffon, nga i cili jam munduar të ‘vjedh’ sa më shumë. Më vjen keq që një kampion si ai po i largohet kombëtares, por mund të them se jam gati ta zëvendësoj denjësisht. Unë punoj vazhdimisht, sepse e di që ka gjithmonë vend për përmirësim, por besoj se jam gati të marr përgjegjësitë e mia edhe në kombëtare”, tha Donnarumma për uefa.com.
Dybala tremb Juven
Pas një “greve urie”, që zgjati një kohë të gjatë, Paulo Dybala është kthyer në një “grusht” në kampionat. Fjala është për golin e padobishëm ndaj Sampdorias, i cili nuk ishte i mjaftueshëm për të shmangur humbjen e Juventusit, tani katër pikë larg nga udhëheqësit e Seria A, Napoli. Kampioni argjentinas ka dhënë një intervistë të gjatë për “France Football”, ku foli kryesisht në lidhje me të ardhmen e tij, që nuk mund të jetë domosdoshmërisht përjetë bardhë e zi: “Unë nuk e di nëse do të qëndroj te Juventusi përjetë. Nuk mund të bëj të tilla premtime. Nuk them as që do të jetë viti im i fundit në Torino”.
“Topi i Artë” është një objektiv për të ardhmen, ndërsa Dybala shton: “Unë do të doja të luaja në të njëjtin nivel me Neymar, në të ardhmen. Për momentin, ai është më afër për ta fituar këtë trofe, duke qenë më afër Messit dhe Ronaldos. Si standard, unë duhet të punoj për t’u përmirësuar dhe të fitoj trofe”. Argjentinasi i Juventusit ka fjalë plot admirim për Leo Messin: “Unë e kam admiruar gjithmonë Ronaldinhon, por Leo është si Maradona për ata të brezit tonë. Për mua është një nder që luaj me të në ekipin kombëtar. Ai na kualifikoi në Kupën e Botës 2018 me atë tregolësh kundër Ekuadorit. Leo është një lider i lindur”.
“La Joya” kthehet mbrapa në kohë, në humbjen e finales fatkeqe të Champions-it nga Juventusi kundër Real Madridit, në Cardiff: “Ne gabuam plotësisht për herë të dytë. U ndjeva i pafuqishëm. Buffon është një legjendë, ai është i respektuar nga të gjithë. Ai është pothuajse 40 vjeç, por duket si 20”.
Gigi Buffon ka konfirmuar këtë të hënë se në fund të sezonit do të tërhiqet nga futbolli i luajtur, edhe pse këtë e bën duke lançuar një sfidë që deri më sot i ka mbetur veçse ëndërr: të fitojë Championsin.
“Me shumë mundësi do t’i jap fund pas këtij sezoni, – ka shpjeguar kapiteni i Juventusit. – Jam i qetë, nuk kam aspak frikë nga largimi prej futbollit. Thjesht jam kurioz për jetën në vijim, por nuk kam frikë t’i them lamtumirë futbollit”.
Megjithatë, një përpjekje të fundit do ta bëjë sërish, për atë që është edhe objektivi më ambicioz i bardhezinjve.
“Dua të fitoj Championsin. Edhe pse e di se këtë trofe do ta fitojë ajo skuadër që do të jetë më në formë në muajin mars. Shpresoj dhe uroj që të jetë Juventusi”, thotë legjenda e portës së “Zonjës së vjetër”.
E ardhmja? Të paktën për momentin Buffon nuk mendon as për karrierën si trajner dhe as për ndonjë post drejtuesi. Di vetëm sesi duhet të përballojë 90 minutat e fundit me fanellën e Juventusit…
“Ndeshja e fundit do të jetë njësoj si ajo e para, me një entuziazëm të madh dhe me krenari”, rrëfen Buffon.
Portieri i bardhezinjve ndihet krenar pikërisht për momentet e shkëlqyera të përjetuara gjatë karrierës së tij.
“Vitet e fundit kanë qenë shumë të suksesshëm, megjithatë nuk mundem t’i harroj vitet e Botërorit, apo mbërritjen te Juventusi pasi lash mes vuajtjesh Parmën”, thotë Gianluigi Buffon.
Numërimi mbrapsht për të sapo ka nisur, por më parë duhet të mendojë vetëm ndjekjen e ëndrrës së tij: kupa me “veshët e mëdhenj”.
Reagimi i Lippit: Ju rrëfej përplasjet me Tavecchion
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Marcelo Lippit, në lidhje me deklaratat e Tavecchios, se Ventura ishte përzgjedhur prej tij. Nga Kina e largët, ku ish tekniku që shpalli Italinë kampione bote në 2006-ën, po punon si menaxher i skuadrave kombëtare të atij shteti, mohoi të ketë qenë ai që zgjodhi Venturën në stolin italian.
“Prej dy ditësh po flitet për mua dhe po më ngarkojnë disa përgjegjësi jo të miat. Dje ishte Malago, ndërsa sot Tavecchio, që gënjyen kur thanë se Venturën e kisha zgjedhur unë. Në procedurën e përzgjedhjes së teknikut të ri, unë realizova takime me Montellën, Venturën dhe Gasperinin. Më pas, shkova në zyrën e Tavecchios dhe i shpjegova përparësitë e të 3-ve, sipas pikëpamjes time, ndërsa i theksova se vendimi final i takonte atij. Në përfundim të fjalës time, Tavecchio më tha se do zgjedhë Venturën, sepse ka me shumë eksperiencë dhe i duket më i përshtatshëm”, tregoi Lippi.
Ish-tekniku i Italisë kampione bote, tregoi edhe një përplasje tjetër që pati me ish-presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, Carlos Tavecchion.
“Unë kisha një parakontratë me Tavecchion, që të punoja si menaxher i ekipit kombëtar, ndërsa 1 vit më herët, vetë Tavecchio kishte përfshirë një rregullore ku thuhej se nuk mund të punonte në role drejtuese pranë kombëtares, asnjë person që kishte lidhje familjare me menaxherët e futbollit. Djali im është i njohur prej kohësh si menaxher futbollistësh e trajnerësh dhe Tavecchio e dinte mirë këtë fakt, ashtu si edhe rregulloren e miratuar vetë, ndaj nuk kishte pse të sillej ashtu me mua”, u shpreh Marcelo Lippi.
Tavecchio në telashe pa fund
Nuk ndalet cikloni i akuzave ndaj Carlo Tavecchios, pas eliminimit të Italisë në play off-in e Botërorit nga Suedia, edhe pse 74-vjeçari ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit. Tavecchio tashmë duhet të përballet me akuzën e rëndë të abuzimit seksual. Një drejtuese sportive ka deklaruar se është dhunuar moralisht dhe psikologjikisht nga ish-numri 1 i futbollit italian dhe se ka urdhëruar përfaqësuesin e saj ligjor që të bëjë denoncim në Prokurorinë e Romës.
Ngjarja e pakëndshme presupozohet se ka ndodhur në zyrën e Tavecchios, ku zyrtarja në fjalë ishte e pranishme për çështje pune. Me perdet e dritareve dhe dyer të mbyllura, 74-vjeçari ishte afruar fizikisht më shumë se ç’duhet, madje duke kryer veprime të turpshme. Ngacmimi seksual ka vijuar edhe në situata të tjera, madje “e dhunuara” ka siguruar se zotëron edhe video për të provuar akuzat e saj. Nëse gjithçka është e vërtetë, eliminimi i Italisë do të jetë telashi më i vogël për Carlo Tavecchion.
Disa orë pasi dha dorëheqjen si president i FIGC-së, Carlos Tavecchio u rikthye të flasë sërish. Edhe këtë herë, ish-presidenti i Federatës Italiane të Futbollit u shpreh se po paguan paaftësinë e Venturës, por ndryshe nga herët e tjera, u shpreh se këtë të fundit e kishte zgjedhur Marcelo Lippi.
“Është e vërtetë, që po paguaj gabimet e Venturës dhe atë shtyllë që na mohoi golin në Solna. Çfarë duhet të kisha bërë? Të shkarkoja Venturën në përfundim të pjesës së parë në Milano? Gjithmonë kam thënë që e kam zgjedhur unë trajnerin, por sot jo. Dua t’u tregoj se ashtu siç e tha edhe Malago, Venturën e zgjodhi Marcelo Lippi”, tha i mërzitur Tavecchio.
15 minuta gjyq, Tavecchio jep dorëheqjen nga FIGC
Gjyqi në Federatën Italiane të Futbollit, që u shoqërua me dorëheqjen e Carlo Tavecchios zgjati vetëm 15 minuta. Anëtarët e Ekzekutivit të FIGC ishin mbledhur për të shprehur votëbesimin, por presidenti, i cili ishte i akuzuari i madh për eliminimin e Italisë nga Botërori 2018 nuk arriti të përballonte krizën dhe presionet e Komitetit Olimpik dhe qeverisë italiane.
Mbledhja nisi në orën 12:20 dhe përfundoi në 12:35 minuta. Mbyllja më e hidhur e epokës Tavecchio në krye të Federatës Italiane të futbollit, që kulmoi me zhgënjimin më të madh në 60 vitet e fundit, mungesën e “të kaltërve” në Kupën e Botës “Rusi 2018”.
“Abiciozët dhe grabitqarët politikë nuk na lejojnë të diskutojmë rreth arsyeve të këtij rezultati. Duke vlerësuar se disa prej jush kanë ndryshuar sjelljen, vendosa të jap dorëheqjen”, ishin disa nga deklaratat e dhëna nga presidenti gjatë mbledhjes.
Përveç largimit të tij, Tavecchio kërkoi edhe largimin e të gjithë organit vendimmarrës të federatës. Megjithatë, dorëheqja e presidentit bën që efektivisht të largohen edhe të gjithë drejtuesit e tjerë.
Sipas statutit, institucioni duhet të zhvillojë zgjedhje të reja në harkun e 90 ditëve. Deri në atë periudhë, Tavecchio do të kujdeset për mbarëvajtjen e federatës, duke u kujdesur për organizimin e Europianit 2019 për përfaqësueset e 21-vjeçarëve që do të zhvillohet në Itali apo përcaktimin e qyteteve që do të presin ndeshjet e Europianit 2020.