27.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

Kosovë, fitorja e Listës Serbe rikonfirmon ndikimin e Beogradit

Në zgjedhjet lokale të mbajtura në Kosovë, Lista Serbe ka fituar në 10 komuna me shumicë serbe, sa janë gjithsej, duke e bërë këtë subjekt fituesin më të madh në vend të këtyre zgjedhjeve, për sa i përket numrit të komunave.
Përfaqësuesit e Listës Serbe thonë se ky fakt i ka krijuar këtij subjekti politik fuqi, të cilën nuk do ta keqpërdorin në raport me subjektet e tjera qoftë serbe, qoftë shqiptare, por do ta shfrytëzojnë për të avancuar jetesën e komunitetit serb. Por, njohësit serbë të zhvillimeve politike, vlerësojnë se ky rezultat i Listës Serbe është produkt i një fushate jodemokratike dhe nuk do të ishte arritur pa mbështetjen absolute të Beogradit zyrtar.
Igor Simiq deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe zëdhënës i këtij subjekti politik, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se dominimi i Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare karshi subjekteve të tjera serbe, fitorja në zgjedhjet lokale në 10 komunat me shumicë serbe, si dhe arritja e qëllimit që të ketë këshilltarë komunalë në 7 komuna të tjera, ku serbët nuk janë shumicë, janë tregues të fuqisë së këtij subjekti politik.
“Mund të them se me Listën Serbe, serbët kanë fituar një korpus politik unik, i cili do të luftojë për një jetesë më të mirë të serbëve në këto hapësira. Mund të them se kjo është fitore e popullit serb, por edhe fitore, me të cilën, në Kosovë po vazhdon politika e mençur dhe shtetërore e qeverisë së Serbisë dhe presidentit (Aleksandar) Vuçiq. Kjo që kemi treguar se jemi opsion i fuqishëm politik, nuk nënkupton se këtë do ta keqpërdorim dhe shfrytëzojmë kundër kujtdo qoftë, por vetëm në interes të serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë, në mënyrë që t’i përparojmë kushtet në të cilat jetojnë”, tha Simiq.
Për njohësin serb të zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, fitorja e Listës Serbe në të gjitha komunat me shumicë serbe, nuk paraqet befasi. Duke folur për Radon “Evropa e Lirë”, ai thekson se Lista Serbe ka qenë i vetmi subjekt i serbëve që ka pasur mbështetjen e plotë të Beogradit dhe që, sipas tij, ka bërë fushatë jodemokratike.
“Në fakt, është vlerësuar edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, nga OSBE-ja dhe nga të gjithë faktorët politik në Kosovë, se ka qenë një proces krejtësisht jodemokratik në fushatën parazgjedhore, në të cilën dominimin e kishte Lista Serbe. Numri më i madh i serbëve në Kosovë varet nga shteti serb në shumë kuptime dhe më duket që nuk ekziston asnjë familje, e cila nga ndonjë burim nuk është e lidhur ekonomikisht për Serbinë. Të mos flasim që kanë arritur që edhe në institucionet që janë të lidhura me Kosovën, por edhe në institucionet që janë të lidhura me Serbinë, të vendosin njerëzit e vet dhe ta kontrollojnë pushtetin absolut. Kështu që, kjo ka qenë e pritshme, ndonëse kjo nuk është demokratike dhe nuk është diçka, me të cilët do të mund të lavdëroheshin serbët”, theksi Nojkiq.
Por, a do të mund ta krijonte Lista Serbe fuqinë politike dhe ndikuese tek serbët pa mbështetjen e Beogradit?
Simiq thotë se, serbët e Kosovës i kanë sytë kah Serbia dhe qëndrimi i Beogradit se kush duhet t’i përfaqësojë interesat e Serbisë dhe popullit serb, është fakt që vlerësohet nga serbët e Kosovës.
“Mbështetja nga Beogradi nuk ka ardhur kot, por për shkak se është vlerësuar se Lista Serbe është ajo që i mbledh serbët në Kosovë dhe që mund t’i përfaqësojë, në mënyrën më të mirë në këtë hapësirë, interesat e serbëve, por edhe të Serbisë”, tha Simiq.
Por, Nojkiq thekson se me fitoren e Listës Serbe, Beogradi zyrtar ka siguruar dëgjueshmërinë e serbëve të Kosovës. Por, me këtë, sipas tij, nuk do të zgjidhen problemet lokale të serbëve të Kosovës. Se si do të zhvillohet situata më tej, siç thotë Nojkiq, varet nga ngjarjet që do të rrjedhin.
“Në qoftë se Vuçiqit do t’i duhet t’i ndjekë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe në qoftë se do t’i duhet t’i plotësojë të gjitha ato që i ka premtuar para zgjedhjeve, atëherë i nevojitet ajo fuqi politike, gjegjësisht, mbështetja e të gjithë faktorëve relevantë në të gjithë hapësirën. Kjo për arsyen që ta paraqesë atë si zgjidhje të vetme dhe si diçka që ka bërë absolutisht mirë për serbët në këto hapësira. Më qoftë se, megjithatë, do t’i kundërshtojë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, përsëri i nevojitet mbështetja politike, sepse në qoftë se në Kosovë do të shpërthejë ndonjë revoltë për shkak të çfarëdo zgjidhjeje, përgjegjësinë më të madhe do ta bartë Vuçiq”, tha Nojkiq.
Ai ka shtuar se Vuçiqi, me fitoren e Listës Serbe ka siguruar një qetësi politike për veten, pavarësisht se si do të rrjedhin gjërat në të ardhmen në vet Serbinë, por edhe në nivelin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

DASH: E ardhmja e Zimbabves duhet të vendoset nga populli

Presidenti prej një kohe të gjatë i Zimbabves, Robert Mugabe, nuk e respektoi afatin e caktuar për të hënën, për largimin nga posti. Tani ai përballet me një proces ligjor për shkarkimin e tij. Të dielën, ai deklaroi në televizion, se nuk kishte ndër mend të jepte dorëheqjen.
Miliona vetë e ndoqën fjalimin e zotit Mugabe në televizion dhe në radio, me shpresën për të festuar fundin e sundimit të tij autokratik 37-vjeçar.
Njerëzit u zhgënjyen, disa madje shpërthyen në lot, kur dëgjuan deklaratën e zotit Mugabe, se do të drejtojë Kongresin e Partisë së tij ZANU-PF muajin e ardhshëm.
Ai nuk e përmendi fare dorëheqjen dhe as e mori seriozisht çështjen e ndërhyrjes ushtarake për zgjidhjen e krizës politike.
Në Uashington, një zyrtar i Deparatmentit të Shtetit tha se, “ardhmja e Zimbabves duhet të përcaktohet dhe vendoset nga populli” dhe se Shtetet e Bashkuara mbështetin tranzicionin e vendit drejt demokracisë.
Zyrtari i tha “Zërit të Amerikës” se, “cilado qoftë marrëveshja afatshkurtër e qeverisë, e ardhmja duhet të sjellë zgjedhje të lira dhe të drejta, që populli i Zimbabves, të gëzojë lirinë e grumbullimit dhe të shprehë opinionet e veta pa patur frikë, si dhe t’i zgjedhë vetë udhëheqësit e vet”.
Një analist në kryeqytetin e Zimbavesë, Harare tha se refuzimi i zotit Mugabe për të dhënë dorëheqjen është lëvizja e tij e fundit.
“Ky është një refuzim për t’i dhënë legjitimitet pasardhësit të tij dhe një përpjekje për të krijuar një situatë në të cilën ai detyrohet të largohet dhe pastaj të heqë çdo pretendim se ajo që ka ndodhur nuk është një përpjekje për grusht shteti. Ai shpreson të marrë mbështetje rajonale dhe nga Bashkimi Afrikan, sepse Bashkimi Afrikan ka dispozita të qarta sipas të cilave ata nuk tolerojnë grushtshtete në asnjë vend afrikan”, thotë Derek Matyszak nga Instituti i Studimeve për Sigurinë.
Mugabe udhëhoqi përpjekjet e Zimbabvesë për pavarësi nga Britania, por që kur u bë udhëheqës i vendit më 1980, ai e bëri atë një nga vendet më të varfëra në botë. Udhëheqja e tij është përfshirë nga autoritarizmi dhe nga korrupsioni.
Lufta e tij e pamëshirshme për të mbajtur pushtetin përfundimisht çoi në konflikte brenda partisë së tij. Kriza e fundit politike në Zimbabve shpërtheu rreth dy javë më parë, pasi Mugabe shkarkoi zëvendësin e tij dhe ish-aleatin Mnangagwa në atë që shihet si një përpjekje për të mbështetur ambiciet politike të bashkëshortes së tij.
Disa anëtarë të partisë në pushtet thonë se fillimi i procedurës së shkarkimit nuk do të çojë në dorëheqjen e menjëhershme të zotit Mugabe dhe mund të kërkojë disa ditë për të përfunduar.

Presidenti Steinmeier u kujton partive thelbin e politikës

Ishin fjalë të qarta ato që erdhën nga Pallati Bellevue. Presidenti duket se nuk do të lejojë shpejt zgjedhje të reja. Me këtë mbetet e hapur si do të vejë puna më tej, mendon Christoph Strack.
Përvishjuni punës! Edhe njëherë! Presidenti federal Frank-Walter Steinmeier u ka kërkuar aktorëve të CDU, CSU, FDP, Të Gjelbërve dhe SPD që të zhvillojnë bisedime të tjera për formimin e qeverisë. Ashtu siç ia kërkonte posti, Steinmeieri foli i qetë dhe si përfaqësues i shtetit. Por kur e lexon dhe dëgjon edhe njëherë atë që tha, e kupton se ai dha një shuplakë.

Risi në historinë e Republikës Federale Gjermane
Ajo që tha ishte edhe në mbështetje të rendit shtetëror – kjo fjalë merr një kuptim të ri në këto orë. Sepse Steinmeieri flet në momente serioze: “Ndodhemi në një situatë, e cila nuk ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e RFGJ, pra që prej 70 vjetësh”. Dhe ai u kujton partive thelbin e veprimit politik: “Të gjitha partitë politike të zgjedhura në Bundestag kanë detyrim ndaj interesit të përgjithshëm, ato i shërbejnë vendit tonë”.
Që një President i Gjermanisë e shqipton në këtë moment një fjali kaq të qartë – pa asnjë lloj kufizimi – e kthen apelin në një shuplakë. Ndihmë në politikën shtetërore në orë, në të cilat kremtohet politika partiake. Steinmeieri nuk përdor konceptin politikë klienteliste – por paralajmërimin e tij për të mund ta lexosh nga rreshtat e tij. “Ai që konkurron në zgjedhje për përgjegjësi politike, ai nuk duhet t’i shmanget asaj, kur e ka në dorë”.

Si do të vejë puna më tej mbetet e hapur
Puna është se Presidenti Federal, të cilin e quajnë nganjëherë me shpoti zëvendësmbret, ka në dorë vetëm pak më shumë se fuqinë e fjalës, të fjalës së madhe. Detyra e tij më e rëndësishme sipas Kushtetutës është që të sqarojë në një situatë shumë të caktuar çështjen e zgjedhjeve të reja në federatë. Dhe pikërisht për këtë pikë Steinmeieri kontribuon për sqarim.
Se çfarë do të ndodhë po të mos bien dakord me njëra-tjetrën partitë, këtë Presidenti Federal e lë me të drejtë të hapur. Në fjalët e tij nuk ndihej as nënkuptimi më i lehtë për të ikur drejt zgjedhjeve të reja. Përgjegjësia nuk është në Pallatin Bellevue. Por edhe më tej tek partitë. Kjo nuk duhet të jetë vetëm detyra e tyre, por para së gjithash paralajmërim. Gjermania është model për shumë vende, ose edhe vend i ëndërruar. Partitë do të bënin mirë të kujtohen.

Droga dhe krimi i Shqipërisë, dhurata e Ramës për Bashkimin Europian!

Sali BERISHA

Te dashur miq, me letren qe u dergon kryeministrave te 28 vendeve te BE, ne te cilen ai shpall se droga e Shqiperise eshte tashme problem i Bashkimit Europian, Edi Rama pranon se droga, eksportimi i saj dhe i krimit te organizuar nga Shqiperia ne keto vende eshte dhurata e tij per BE, eshte mirenjohja e tij per miliarda e miliarda euro dhene nga takspaguesit e vendeve anetare te BE per shqiptaret.

Sigurisht, Edi Rama, kur shkruajti ne kete leter se droga e Shqiperise eshte çeshtje e Bashkimit Europian, nuk kishte parasysh ne gje te tille. Me kete deklarate ne letren e tij ai kerkonte t’i bente ata bashkefajtor dhe bashkepergjegjes per lumin e droges dhe krimit te organizuar qe eksportohet nga Shqiperia ne vendet e tyre. Kjo eshte nje vete-akuze edhe me te rende se e para, qe Noriega bene me shkrim para 28 lidereve te vendeve anetare te BE.

Ne formulimin e saj ai bazohet ne llogjiken e pacipe te banditit: po vertet une te vjedh, te vras por edhe ti ke faj se nuk ruhesh, nuk me kap dot.

Ministrat dhe deputetet e Rames, bazuar ne kete arsyetim banditesk, e kane akuzuar ne menyre te perseritur ne parlament per pergjegjesi direkte Italine, Greqine dhe vendet e tjera, ne te cilat eksportohet droga dhe krimi nga Shqiperia, per tregun qe ato i ofrojne kesaj droge dhe krimit te lidhur me te..

Mirepo Noriega dhe keshilltaret e tij kanabist, harrojne se eksporti i krimit drejt vendeve te tjera perben kercenim madhor per rendin dhe sigurine e ketyre vendeve. Rreth 40 vite me pare, narko-diktatori i Panamase qe ndertoi narko-shtetin e pare ne bote, Manuel Noriega u thoshte SHBA se per narkoshtetin e tij dhe megatrafikun e kokaines nga Panamaja drejt SHBA ka pergjegjesi edhe qeveria amerikane.

Ne te vertet, per te shlyer pergjegjesine dhe per sigurine e vendit te tij, Presidenti G. H Bush dergoi marinsat dhe permbysi diktatorin e Panamase, Manuel Noriegen dhe narko-shtetin e tij! Natyrisht, BE dhe vendet anetare por as dhe SHBA nuk do ndrehyne ushtarakisht per te permbysur Noriegen e Shqiperise dhe narko-shtetin e tij. Por sigurisht qe asnjeri prej 28 kryeministrave te vendeve te BE apo dhe vendeve te rajonit nuk eshte i gatshem te ndaje pergjegjesi me Edi Ramen per shnderrimin e Shqiperise ne Kanabistan dhe qender operacionale rajonale te krimit te organizuar.

Ata disponojne te gjitha te dhenat e autoriteteve italiane, sipas te cilave ne vitin e Edi Rames, vitin 2016, ne Shqiperi, si rezultat i politikes nxitese dhe mbeshtetjes nga policia, u mbollen 219 mije hektar me kanabis apo 8 milion rrenje. Disponojne gjithashtu dosjet e pergjimeve, te cilat deshmojne se ne Shqiperi peshku i madh eshte vete Edi Rama, se Olsi me grupin trafikanteve qe solli nga Bostoni eshte kryesor ne trafikun e kokaines ne rajon.

Ata i dorezuan dosjen “Tahiri” si prove per qendrimin e Rames, por ky i fundit, me qendrimin e tij faktoi se ai vet eshte kryepeshkaqeni i Shqiperise. Ata me mediat e tyre me te medha publike dhe private kane denoncuar cdo dite dhe çdo jave lidhjet e Rames, ministrave te tij me drogen dhe krimin, dhe çdo dite flasin per ndertimin nga ana e tij te narko-shtetit ne Shqiperi.

Keshtuqe perpjekja e Rames per te bere bashkepergjegjes kryeministrat e vendeve anetare te BE per shnderrimin e Shqiperise ne Kanabistan eshte thjeshte nje perpjekje banditeske, tragjikomike dhe e stilit te vjeter hoxhist. Kjo deklarate vetem sa i bene kryeministrat e vendeve anetare te BE dhe qeverite e tyre te jene me te vendosur ne qendrimet ndaj Shqiperise dhe te konsiderojne masa shtrenguese konkrete ndaj vendit tone per kercenimin qe paraqet eksporti i droges dhe krimit nga Shqiperia per rendin dhe sigurine e tyre.
Keto nisma tashme kane filluar dhe ato do te vazhdojne.

Duke perfunduar, iu bej thirrje te gjithe atyre shqiptareve, qe te ardhmen e tyre e besojne jashte krimit dhe droges, te marrim pergjegjesite tona dhe te ngrihemi ne nje revolucion popullor per te permbysur Noriegen dhe narko-shtetin e tij. sb

Skandali me emërimet politike në spitale, do të drejtohen nga ish-deputetë e funksionarë të PS

“Nuk mund të ketë më emërime partiake. Nesër ju duhet të jepni dorëheqjen një e nga një. Ekipet e reja drejtuese do të zgjidhen me konkurs publik”. Kështu do të shprehej Kryeministri i vendit Edi Rama më 31 korrik të këtij viti, fill pasi mori mandatin e dytë për të qeverisur.
Dhe ja ku jemi sot pas afro 4 muajsh me drejtorët e rinj të spitaleve rajonale në Tiranë dhe në rrethe. Ministria e Shëndetësisë ka publikuar listën e fituese të konkurseve.
Por kush janë emrat e rinj të drejtorëve të spitaleve rajonale. A jane zgjedhur ata vertet me konkurs siç pretendoi Edi Rama. Opinion.al ju sjell biografinë e secilit prej tyre.
Në krye të spitalit të Beratit është emëruar Eduard Bejko, ish-deputet i PS-së. Profili i tij është e lehtë të zbulohet me një klik në faqen zyrtare PS.al, përpos faktit që gjithë Berati e njeh si socialist.
Drejtori i spitalit rajonal të Durrësit rikonfirmohet Alban Ramohitaj. Ai është kryetar i këshillit bashkiak Durrës, i zgjedhur i PS. Po kështu një nga njerëzit më të zellshëm të fushatave të socialisteve. Profili i tij është po ashtu në faqen PS. al

Drejtori i spitalit rajonal të Dibrës emërohet Spartak Koltraka që ka mbajtur më parë postin e drejtorit të Llixhave. Edhe ky nga PS-ja, madje i akuzuar për blerje votash në Dibër gjatë zgjedhjeve lokale.
Drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës, Vilson Masmalaj ka qenë kandidat për deputet në listën e PS në zgjedhjet e këtij viti.Më poshtë profili i tij në faqen e PS.

Në spitalin e Traumës në Tiranë emërohet drejtor, Arben Zenelaj kirurg vaskular. Deri tani ka mbajtur detyrën e n/drejtorit, gjithashtu me lidhje me të majtën.
Perlat Kapisyzi drejtori legjendar i spitalit të Pneumologjisë “Shefqet Ndroqi” në Sauk, bashkëshorti i dekanes së Mjekësisë Mira Rakacolli, është riemëruar në këtë detyrë. (Kjo e fundit doli përkrah Ramës. Shih videon më poshtë).
Në Fier emërohet Nevila Shuke, ish-drejtore e Shëndetit Publik, gjithashtu pjesë e strukturave të PS-së.
Në spitalin më të madh në vend, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” rikonfirmohet Enkelejd Joti. Ai njihet si ish-drejtori i Top Channel. Joti u emërua në detyrë nga Kryeministri në Maj të këtij viti dhe sërish konkursi e nxjerr atë fitues duke lënë pas emra të njohur të mjekësisë shqiptare, si Rudin Domi, Edmond Stojku, etj.
Në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” (materniteti i vjetër) emërohet Eliona Demaliaj. Ajo ka punuar deri tani në klinikë private dhe mjekët tregojnë se ajo njihet për lidhjet me të majtën në pushtet.
R.Dedaj-Opinion.al

Media belge, “La Libre”: Banda Habilaj-Tahiri qarkulluan 300 milionë euro nga droga

Çështja “Habilaj” ku akuzohet se është i përfshirë dhe ish-ministri Saimir Tahiri ka marrë një vëmendje të veçantë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mediet e huaja. “La Libre” i ka kushtuar një shkrim kësaj çështjeje duke përmendur emrin e kryeministrit Edi Rama si dhe të ish-ministrit Tahiri.
Me një titull “Shqipëria e rrënuar nga trafikimi i drogës”, media belge ka raportuar se kjo është një çështje, e cila i ka bërë perëndimorët të ngrenë zërin ndaj këtij fenomeni, i cili nuk po merr dot zgjidhje.
“Shqipëria me kryeministër Edi Ramën ka qenë përherë një ‘student i mirë evropian’ në Ballkan, por pavarësisht kësaj që nga viti 2014 prodhimi i drogës dhe trafikimi i lëndëve narkotike ka shpërthyer gjerësisht duke i bërë perëndimorët që të ngrenë zërin.
Të hënën e 16 tetorit në mëngjes, policia e Catanias, filloi një operacion kundër një bande shqiptare, e cila kontrollonte një trafik të gjerë të armëve dhe të drogës, i cili në katër vitet e fundit ka qarkulluar 300 milionë euro. Policia ka arrestuar 7 persona, përfshirë këtu dhe drejtuesin e bandës, Moisi Habilaj, i cili është kushëriri i ministrit të Brendshëm të Shqipërisë nga 2013 deri në mars të 2017, Saimir Tahiri. Sipas përgjimeve nga policia e Italisë, të dy këta persona kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm. ‘Policia në Shqipëri është e korruptuar, dhe nëse ju vini në Shqipëri, shpesh shefi i policisë ndihmon në ngarkimin e mallrave’, shpjegon Moisi Habilaj në një bisedë telefonike me një siçilian. Në një tjetër ai shprehet se do të sjellë 30.000 euro për Saimirin. Që atëherë, laku është duke u shtrënguar çdo ditë e më shumë rreth qeverisë shqiptare, të dyshuar, në rastin më të mirë, për mbylljen e syve rreth trafikut, në rastin më të keq, për ta kontrolluar atë.”, shkruan “La Libre”.

Zbardhen përgjimet, Orest Sota: Ba, më kapën!

Biznemeni 25-vjeçar u procedua penalisht pas episodit të 1 nëntorit në Balldren të Elbasanit, për shkak të gjetjes nga policia në mjetin e tij të një shume prej 863 mijë euro dhe të dy patentave lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në komunikimet e përgjuara, Sota ka folur për patentat me shoferin e tij, Leonard Almeta, i cili ndodhej me të në mjet në momentin e ndalimit.
Në përgjimin ambiental të kryer pas shoqërimit të Sotës në Policinë e Elbasanit, ai pyetet nga bashkëshoqëruesi i tij Leonard Almeta, se pse ishin patentat e Tahirit në automjet. Përgjigja e Orestit është: “Dola një ditë me të … kot pa lidhje … i la aty në kroskot … pa lidhje”.
Në një përgjim të datës 3 nëntor 2017 të numrit në përdorim të shoferit të ish-ministrit Tahiri, Genti Ceka ai shprehet se, “Patentat i kam pasur unë. Kam pasur makinën e tij dhe i lashë aty. Patentat i kam marrë unë para 2 muajsh në Durrës dhe i lashë aty. Është gabimi im, jo i tyre”.
Mes materialeve të vëna nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në dispozicion të Gjykatës ditën e djeshme, ishte edhe biseda që Orest Sota ka zhvilluar me babain e tij në momentin që është ndaluar nga policia. Në një bisedë të zhvilluar në “What’s up”, biznesmeni Lefter Sota i kërkon të birit të shkojë tek Metalurgjiku, por vetëm disa minuta më pas, ai e njofton se është ndaluar nga policia.
PËRGJIMET
E diel 29 tetor
Orest Sota: Ba, si je, ku je?
E mërkurë, 1 nëntor
Biznesmeni Sota: Po vjen?
Orest Sota: Po. Ku je ti në zyrë?
Biznesmeni Sota: Po. 069xxxxxxx Jusuf. Shko në Metalurgji.
Orest Sota: Ok.
Biznesmeni Sota: Ba …
Orest Sota: Më ka kap policia.
Sakaq ai ka zhvilluar një bisedë edhe me një person tjetër të quajtur Korai.
Biznesmeni Sota: Korai mirëmëngjes! Më tel, apo ike me pushime? Dua të flasim pak.
E enjte, 21 shtator
Biznesmeni Sota: Korai të desha pak.
Bashkëbiseduesi i dërgon një dokument.
Biznesmeni Sota: Ok.
E martë 24 tetor
Biznesmeni Sota: Jam tek çokollata.
E mërkurë
Bashkëbiseduesi i dërgon numrin e Jusuf 069 xxxxxx.

Një i penduar i “nivelit të lartë” për dosjen Tahiri-Habilaj në Itali

Sipas burimeve konfidenciale pranë Drejtorisë Rajonale Antimafia të Katanias, hetimi për çështjen Rosa dei Venti të trafikut të drogës midis Shqipërisë dhe Siçilisë po shkon me shpejtësi përpara, falë një të penduari të ri “shqiptar, të nivelit të lartë”.
Nga shtatë shqiptarë dhe italianë të arrestuar në muajin tetor, tashmë tre prej tyre kanë pranuar të bëhen bashkëpunëtorë të drejtësisë. Akoma më e rëndësishme, nga tre shqiptarë të arrestuar, dy prej tyre janë penduar dhe po bashkëpunojnë me drejtësinë italiane.
Hetimi, në fakt, ka filluar më vitin 2013, por u bë publik vetëm në muajin tetor me arrestimin në Katania të tre shqiptarëve dhe katër italianëve, dhe me lëshimin e urdhër arresteve për katër persona të tjerë. Një urdhër arrest u zbatua në Vlorë pak ditë më pas nga policia shqiptare. Sipas burimeve të shtypit shqiptar, i arrestuari në Shqipëri ka kërkuar me këmbëngulje të ekstradohet në Itali.
Hetimi në Itali tashmë vazhdon në mënyrë aktive falë një grupi të madh prokurorësh dhe gjyqtarësh të koordinuar nga Prokurori Bonomo, me ndihmën e njësisë GICO të Guardia di Finanza dhe njësisë ROS të karabinerisë italiane. Në ditët e ardhshme priten zhvillime të reja, ndër të tjera nga zbatimi i kërkesave që Prokuroria e Katanias ka dërguar për autoritetet në Shqipëri.
Nga zbulimet e operacionit Rosa dei Venti, në Itali ka nisur një hetim tjetër, nga një ekip tjetër prokurorësh, i cili solli në arrestimin e 31 personave, të gjithë italianë, ndër të cilët edhe të kreut të familjes mafiose të Sanatapaolës, Italo Tomaselli.
Sipas burime të Prokurorisë Antimafia të Katanias, ngarkesat me drogë nga Shqipëria, të sjella nga trafikantët shqiptarë furnizonin disa familje të ndryshme mafioze në Siçili, të gjitha në konkurrencë me njëra-tjetrën për kontrollin e trafikimit. Kjo gjë çoi në lindjen e konflikteve të ashpra mes familjeve kryesore mafioze të Katanias. Rreziku që situata të degjeneronte në një luftë të vërtetë mafioze me shumë viktima e shtyu Prokurorinë e Katanias të përshpejtonte arrestimet, të kryera me shumë stil dhe me qëllim parandalues.
Nga zbulimet e operacionit “Rosa dei Venti” në Itali, ka nisur një hetim tjetër, nga një ekip tjetër prokurorësh, i cili solli në arrestimin e 31 personave, të gjithë italianë, ndër të cilët edhe të kreut të familjes mafiose të Sanatapaolës, Italo Tomaselli.
Sipas burime të Prokurorisë Antimafia të Katanias, ngarkesat me drogë nga Shqipëria, të sjella nga trafikantët shqiptarë furnizonin disa familje të ndryshme mafioze në Siçili, të gjitha në konkurrencë me njëra-tjetrën për kontrollin e trafikimit. Kjo gjë çoi në lindjen e konflikteve të ashpra mes familjeve kryesore mafioze të Katanias. Rreziku që situata të degjeneronte në një luftë të vërtetë mafioze me shumë viktima e shtyu Prokurorinë e Katanias të përshpejtonte arrestimet, të kryera me shumë stil dhe me qëllim parandalues.

Maskat terror në Durrës, lidhin këmbë e duar çiftin dhe u marrin pensionin

Një çift të moshuarish janë lidhur këmbë e duar dhe u është grabitur pensioni nga maskat ditën e djeshme në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëëm në fshatin Shkallnur të Durrësit. Burimet bëjnë të ditur se, kanë qenë tre persona të maskuar, të cilët kanë hyrë në banesën e një çifti të moshuarish dhe i kanë vjedhur një sasi parash prej 1 milion lekë të vjetra. Nga të njëjtat burime mësohet, se autorët kanë lidhur dhe dhunuar çiftin e të moshuarve, M.E. 77 vjeç dhe bashkëshorten e tij Sh.E. 69 vjeç. Pasi morën paratë, personat e maskuar u larguan në drejtim të paditur.
Në spital me dëmtime më të rënda është dërguar kryefamiljari, 77-vjeçari, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikur për jetën.
Burime policore të qytetit bregdetar sqarojnë se ka dyshime që autorët të kenë qenë edhe të armatosur. Policia bëri të ditur dje pasdite nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, rreth orës 03:00 në Shkallnur 3 persona me kapuç kanë vjedhur me dhunë banesën e shtetasit M.E. 77 vjeç. Autorët kanë lidhur shtetasit M.E. dhe SH.E. 69 vjeçe (bashkëshortë) dhe kanë marrë një sasi parash rreth 100 000 lekë. Shtetasi M.E. ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ka nisur punën për të identifikuar dhe arrestuar autorët e grabitjes.
Grabitet nën kërcënimin e armëve marketi në Pogradec
Një grabitje nën kërcënimin e armëve ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Pogradecit në një minimarket. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur në lagjen nr.2, dyshohet se 4 persona vodhën kasafortën e një minimarketi. Nuk bëhet me dije se sa ishte sasia e parave të grabitura, ndërkohë që policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në njoftimin e policisë thuhet se, më datë 20.11.2017, gjatë orëve të para të mëngjesit, jemi njoftuar se në lagjen nr. 2 në Pogradec, është vjedhur kasaforta e një minimarketi brenda së cilës ndodheshin një sasi lekësh.
Nga të dhënat e para dyshohet se kanë qenë katër persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë marrë kasafortën, janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin, kapjen e autorëve si edhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.