26.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

Kapet me 118 kg drogë nga Shqipëria, arrestohet greku

Një shtetas grek është arrestuar për trafikimin e një sasie të konsiderueshme droge, të futur në Greqi nga Shqipëria. Sipas komunikatës së policisë greke, 60-vjeçarit i janë hedhur prangat pasditen e të hënës.
Ai nuk iu është ndaluar kontrollit të policisë, në një segment të rrugës së re nacionale Janinë-Athinë, pranë Amfilochias. Përkundrazi, ka rritur shpejtësinë, çka solli si pasojë daljen nga rruga dhe përplasjen e makinës. Brenda automjetit policia ka gjetur 108 paketa me kanabis, me peshë të përgjithshme 118,6 kilogramë.
Destinacioni i drogës ishte Athina, ku i ndaluari edhe banonte. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dy peshore precizioni dhe një thikë me sustë. Policia po heton nëse i arrestuari e kishte sjellë vetë drogën nga Shqipëria, apo e kishte marrë në afërsi të kufirit.

Kush e ka rradhën?

Një dosje e plotë me prova dhe fakte që dëshmojnë për lidhjet e Vangjush Dakos me grupet kriminale qëndron prej kohësh e hapur para prokurorëve, ndërsa paralajmëron përfundimin e afërt të tij pas hekurave të burgut. Prej kohësh, Dako ka qenë nën hetim nga Krimet e Rënda mbi lidhjet e tij me grupet kriminale teksa është kapur në flagrancë, duke bashkëpunuar me ta në ndarje tenderash e blerje votash gjithashtu. Prokurorët kanë tabulatet telefonike, ku Gjushi u premton grupeve kriminale tenderat në këmbim të blerjes së votave.
Kryetari i PD, Lulzim Basha ndërsa paralajmëroi dje arrestimin e afërt të Dakos renditi disa nga lidhjet e kryebashkiakut të afërt të Ramës me botën e krimit dhe korrupsionit gjithashtu. Përmes një deklarate për mediat, Basha deklaroi se dosja voluminoze me prova që rrëzojnë Dakon nis me lidhjet e tij me botën e krimit për blerjen e votave ashtu si edhe tenderat famozë përmes të cilëve janë vjedhur miliona euro nga paratë e taksave të qytetarëve.
Basha kërkoi ndërmarrjen e hapave të shpejtë nga ana e organit të akuzës, ndërsa zbardhi dhe një tjetër fakt edhe më të rëndë, presionet që po ushtron Rama ndaj drejtësisë dhe prokurëve të çështjes në mënyrë që Dako t’i shpëtojë burgut ashtu si Tahiri.
“Çdo ditë e më shumë po dalin fakte tronditëse të lidhjes së Edi Ramës dhe ushtarëve të tij me grupet kriminale që janë të përfshira në trafikun e drogës dhe blerjen e votave.
Shitblerja masive e votave u konfirmua nga Raporti i OSBE/ODIHR si problem kryesor i zgjedhjeve të 25 qershorit. Partia Demokratike e ka ngritur me forcë se në këto zgjedhje, Edi Rama ka angazhuar paratë e drogës dhe forcën e bandave kriminale në çdo qytet.
Sot po ju prezantoj një tjetër ngjarje skandaloze:
Vangjush Dako është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit, ku i kërkon të vjedhin dhe blejnë votat për zgjedhjet e 25 qershorit 2017.
Shërbimet Inteligjente, përfshirë edhe ato të vendeve partnere, e kanë kapur gafil Vangjush Dakon, duke bërë pazare në telefon. Në këmbim të blerjes së votave dhe dhunimit të qytetarëve, Dako u premton kriminelëve tendera.
Janë miliona euro që Vangjush Dako u ka premtuar kriminelëve, vetëm që ata të siguronin vota dhe pushtetin për Partinë Socialiste.
Por këto pazare të ndyra tashmë janë të dokumentuara dhe janë nën hetim prej disa kohësh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda”, theksoi Basha.
Basha denoncoi përpjekjet e Ramës për të nxjerrë Dakon si të papërlyer, ndërsa i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm që të mbështesë hetimet mbi dosjen Dako dhe të mos lejojë devijimin e tyre në drejtim të paditur. Basha zbardhi dhe një tjetër detaj në lidhje me hetuesit e dosjes Dako, largimin e prokurorit Anton Martini nga hetimi i çështjes me qëllim zvarritjen e çështjes.
“Këtë fakt e di Gjushi, por e di edhe mentori i tij, Edi Rama.
Për këtë arsye, ata ndërhyjnë fuqishëm për të larguar nga hetimi prokurorin që po e hetonte këtë aferë kriminale të interceptuar nga Shërbimet Inteligjente përfshirë ato të vendeve partnere.
Kjo është një nga çështjet ku mund të gjendet edhe arsyeja e dorëheqjes së papritur të Shefit të Shërbimit Inteligjent.
Projekti i Edi Ramës për drejtësinë e kapur dhe të nënshtruar nuk po realizohet.
Për këtë arsye, Edi Rama përdor mënyrat e tjera për të shpëtuar Gjushin dhe Gjushët e tjerë të partisë. Ai, me presionin kriminal, ka larguar prokurorin Anton Martini nga hetimi i çështjes, i cili është “graduar” drejtues në Prokurorinë e Shkodrës.
Prokurori që po heton vjedhjen spektakolare të votave në Durrës largohet me ngritje në Shkodër, me shpresën e vetme të Edi Ramës për të shpëtuar Gjushin nga prangat.
Sot i kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm që t’u thotë qytetarëve, nëse lëvizja e prokurorit Anton Martini është bërë apo jo nën presionin kriminal të Edi Ramës.
Gjithashtu kërkoj nga Prokurori i Përgjithshëm, që të japë të gjithë mbështetjen e nevojshme për hetimin e kësaj çështje skandaloze nga prokurorët e Krimeve të Rënda.
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, të cilët tashmë kanë fakte dhe prova për kriminalizimin e qeverisë shqiptare dhe për bashkëpunimin e saj me trafikantët për vjedhjen e zgjedhjeve”.
“Unë dhe Partia Demokratike do të vijojmë betejën të çmontojmë lidhjet kriminale të Edi Ramës me botën e krimit.
Të gjithë shqiptarët e panë me zë dhe figurë se si kryeministri mbrojti beniaminin e tij, Saimir Tahirin nga akuzat e Antimafias italiane për bashkëpunimin e tij me trafikantët ndërkombëtarë të drogës.
Tani, Edi Rama po mundohet të mbrojë Vangjush Dakon nga prangat. Ai po mbron Dakon, sepse po mbron veten e tij.
Saimir Tahiri, Vangjush Dako dhe të tjerë emra që do të zbulohen në ditët e ardhshme, janë marionetat e pushtetit të kryeministrit.
Edi Rama po ndjen t’i afrohen prangat për zullumet që ka bërë. Zullumqarët e tij po dalin dita-ditës që kanë ndyrë duart me kriminelë për vjedhjen e votave.
Partia Demokratike është e vendosur në përpjekjen e saj për largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie Antimafia. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria dhe shqiptarët do të shpëtojnë nga krimi i bërë njësh me pushtetin.
Partia Demokratike mbështet hetimet e prokurorëve me integritet. Ne do të japim të gjithë mbështetjen tonë që Vangjush Dako të japë llogari para ligjit për bashkëpunimin e tij me kriminelët.
Prokurorët i kanë të dokumentuara faktet që lidhin Vangjush Dakon me procesin mafioz të blerjes së votave. Prokurorët kanë tabulatet telefonike, ku Gjushi u premton grupeve kriminale tenderat në këmbim të blerjes së votave.
Ndaj drejtësia duhet të veprojë shpejt. “Peshqit e mëdhenj” kanë rënë në rrjetë”, tha Basha.

Prokuroria: Eurot në makinën e Sotës janë të Tahirit, nga aktiviteti kriminal

Prokurorët e Krimeve të Rënda, Gent Osmali dhe Elisabeta Ymeraj deklaruan në seancën gjyqësore ndaj Orest Sotës se paratë e gjetura në makinën e tij, 863 mijë euro janë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokurorët deklaruan se, ka dyshime se, ish-ministri Saimir Tahiri i ka përfituar ato përmes aktivitetit kriminal.
Prokurorët u shprehën për ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm që Sota të ketë konsumuar veprën penale të “pastrimit të parave” dhe të “fshehjes së të ardhurave”. Sipas tyre, shuma prej 863 mijë euro i përket ish-ministrit Saimir Tahiri, produkt i aktiviteteve të paligjshëm ku dyshohet të jetë përfshirë.
Përfaqësuesit e akuzës paraqitën një sërë përgjimesh ambientale dhe telefonike të Sotës, personit tjetër që ndodhej me të kur u ndalua nga policia, Leonard Almeta, shoferit të Tahirit, Genti Ceka, si edhe babait të 25-vjeçarit. Duke iu referuar një akt-ekspertimit të shumës së sekuestruar, prokurorët thanë se 5 kartmonedha prej 50 euro rezultuan të falsifikuara.
Avokatët mbrojtës të Sotës këmbëngulën se shuma e parave ishte një garanci për blerjen e një sasie hekuri në kompaninë “Kurum”. Sipas tyre, paratë ishin të babait të 25-vjeçarit, të siguruara nga biznesi ndër vite si edhe shitja e aksioneve të tij në një bankë të nivelit të dytë në vitin 2007 në shumën 1.2 milionë eurove. Por pretendimi i Sotës se sasia e madhe e parave ishte për të blerë hekur tek “Kurum” u hodh poshtë pak ditë më parë edhe nga menaxherja e kësaj kompanie, e cila deklaroi në Prokurori se “Kurum” kryen transaksione me shifra deri në 150 mijë euro. Shuma e parave që kishte Sota në makinë ishte disa herë më e madhe.
Sekuestrimi i regjistrave të shitblerjes ishte veprimi i parë që kreu Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të verifikimit të pasurisë së Orest Sotës dhe familjes së tij. Njësia e Inteligjencës Financiare po gjurmon origjinën e 863 mijë eurove që iu kapën të riut, sëbashku me tre patentat e Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij.
Orest Sota u arrestua nga Policia e Elbasanit më datën 1 nëntor dhe pas ndalimit iu gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundruese në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri. Policia mbajti të fshehtë lajmin dhe u detyrua ta publikojë pas denoncimit të kryetarit të PD, Basha. Në njoftimin e saj, Policia fillimisht nuk e deklaroi shumën e eurove të bllokuara dhe gjetjen e dy patentave të drejtimit të mjeteve lundruese në emër të Tahirit në makinën e Sotës. Policia deklaroi se; “Më datë 01.11.2017 është arrestuar nga Policia e Elbasanit shtetasi O.S., sepse nuk i ka ndaluar postbllokut të policisë. Gjatë kontrollit në makinë u gjetën një shumë eurosh”.

Orest Sota lihet në burg

Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg biznesmenin Orest Sota, të cilit iu gjetën në makinë 863 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilat siç deklaruan dje prokurorët i përkasin ish-ministrit.
Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme, Orest Sota ka kërkuar lehtësimin e masës së sigurisë, ndërsa më herët edhe Prokuroria ka kërkuar masën ‘arrest me burg’. Dyshja e prokurorëve Gent Osmali dhe Elisabeta Ymeraj kanë deklaruar se paratë e gjetura në makinën e tij, 863 mijë euro janë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në seancë janë paraqitur edhe disa përgjime ambientale të të akuzuarit me shoferin e tij Leonard Almeta, të cilin Sota e pyet se si ka mundësi që dy patentat e ish-ministrit ndodhen në makinën e tij. Shoferi i përgjigjet Sotës se patentat i ka lënë aty shoferi i ish-ministrit, Gentian Caka.
Nga përgjimet dalin emrat e tre personave që kanë udhëtuar me makinën ku iu gjetën 863 mijë eurot Orest Sotës. Në makinë ka qenë prezent shoferi Almeta si dhe Genti Caka, poseduesi i patentave që i harroi në makinë. Në bisedën e përgjuar Caka i thotë Almetës se ishte gabimi im që i harrova patentat në makinë.

R.POLISI

Si mashtroi Tahiri për vizitën në Gjermani

Dalin në dritë fakte të reja për mashtrimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për vizitën e tij në Gjermani. Fillimisht në media u tha se, Tahiri u largua drejt Gjermanisë për të vizituar babain e tij, i cili kishte shkuar për të bërë një ndërhyrje kirurgjikale. Por e vërteta është krejt ndryshe. Ish-kryeministri Berisha, duke iu referuar oficerit dixhital, thekson se gjatë datave 17-20 nëntor, kohë kur Tahiri ndodhej në Gjermani, rezulton se babai i tij Bashkim Tahiri, sipas sistemit TIMS nuk ndodhej në këtë shtet. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, Saimir Trafiku ka mashtruar drejtësinë dhe Parlamentin!
“Oficeri dixhital denoncon mashtrimin kriminal të Saimir Trafikut për motivin e largimit të tij në Gjermani në kundërshtim dhe thyerje flagrante të Kushtetutës dhe vendimit të Parlamentit. Sipas tij, bazuar në të dhënat e sistemit TIMS, Saimir Trafiku ka qenë në Gjermani nga data 17 deri më datën 20 nëntor dhe, po sipas sistemit TIMS, Bashkim Tahiri në këto data nuk ka qenë fare në Gjermani, por vetëm në Shqipëri. Edhe njëherë bëj thirrje t’i hiqet menjëherë mandati këtij trafikanti gangster. Lexoni mesazhin e oficerit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Doktor. Sipas sistemit TIMS, Saimir Tahiri ka qenë në Gjermani nga data 17 deri 20 nëntor. Por në këtë kohë babai i tij, Bashkimi ka qenë në Shqipëri e jo në Gjermani siç deklaron ai”, shkruan oficeri i policisë.
Një investigim i “Top Channel” për motivet e udhëtimit të Saimir Tahirit në Gjermani rrëzon versionin se, ish-ministri udhëtoi për të qenë pranë babait. Ky motiv u dha nga burime pranë ish- ministrit. Por nga të dhënat që siguroi “Top Channel” kjo alibi nuk qëndron. Koha dhe vendi kur udhëtoi Bashkim Tahiri, nuk korrespondojnë me udhëtimin e të birit. “Disa burime sugjeruan të premten se, vizita mund të kishte karakter familjar dhe zoti Tahiri ndodhej në Gjermani pranë një të afërmi të tij të operuar. Por, të paktën sipas të dhënave të biletës që disponon “Top Channel”, ky i afërm i deputetit Tahiri kishte rezervuar një udhëtim vajtje-ardhje drejt Mynihut në fund tetorit-fillim nëntorit. Burimet për “Top Channel” konfirmojnë se në këtë udhëtim të premten e datës 17 nëntor drejt Gjermanisë, deputeti Tahiri jo vetëm ka pasur për destinacion Hamburgun dhe jo Mynihun, ku u operua familjari i tij, por ka qenë i shoqëruar nga një ish-vartës në Ministrinë e Brendshme”, raportoi “Top Channel”.
Shoqërimi i Tahirit nga një ish-vartës në Ministrinë e Brendshme e bën akoma më të dyshimtë udhëtimin drejt Gjermanisë dhe ngre pikëpyetje për qëllimin e vizitës. Që pas arrestimit të Orest Sotës me 863 mijë euro dhe dy patentat e Tahirit, ish-ministri ka heshtur, duke shtuar dyshimet për akuzat e rënda që i bëhen për përfshirje në trafikun e drogës me bandën e Habilajve.
Parlamenti votoi që Tahiri të mos dalë nga Shqipëria. Në dokumentin e miratuar në 25 tetor, shpjegohet se Kuvendi ka dhënë autorizim Prokurorisë për kontrollin e banesës, por edhe për mos lejimin e daljes jashtë shtetit. “Kuvendi miraton dhënien e autorizimit për kontrollin personal dhe të banesës për deputetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri. Dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore, ndalimin dhe detyrimin për të qëndruar në një vend të caktuar, si masë shtrënguese të heqjes së lirisë në kuptim të shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të nenit 232, të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në vendim.

Ajo çfarë e inkriminon Kryeministrin

Erl KODRA

Burokracia është një koncept në sociologji dhe shkencat politike, që i referohet mënyrës së ekzekutimit administrativ dhe zbatimit të rregullave ligjore, që shënon edhe mënyrën e organizimit të shoqërisë. Ky organizim karakterizohet nga procedurat e standardizuara, ndarja formale e përgjegjësisë, hierarkia dhe marrëdhëniet sociale jopersonale. Shembuj të burokracive të përditshme përfshijnë qeveritë, forcat e armatosura, korporatat, spitalet , gjykatat dhe shkollat. Mendimi i përgjithshëm kritik për burokracitë, tenton të përqendrohet në pengesat dhe ndikimin negativ të saj mbi efikasitetin e administratës dhe dëmin që shkakton burokracia për të drejtat individuale. Megjithatë, të gjithë ata që punojnë në një organizatë shtetërore, parimisht ata e bëjnë atë punë për hir të të tjerëve dhe jo për nevojat e tyre personale. Ndarja e punës dhe rregullimi i qartë i përgjegjësive burokratike mbështet funksionimin efikas të çdo institucioni shtetëror dhe social.
Ky është përkufizimi standard për burokracinë, që në kuptimin e parë të saj do të thotë “fuqia e zyrës” ose “fuqia e rregullit”, ose e thënë në mënyrë më prozaike “fuqia e rregullave ligjore”.
Sipas Max Weber, këto janë shtatë parimet e një organizate qeveritare:
1. Puna zyrtare zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme.
2. Puna zyrtare bëhet në pajtim të plotë me rregullat e mëposhtme:
detyrimi i secilit zyrtar për të bërë lloje të caktuara pune, kufizohet në kuptimin e kritereve jopersonale
zyrtarit i jepet autoriteti i nevojshëm për të kryer funksionet e tij të caktuara
mjetet shtrënguese në dispozicion të tij janë të përcaktuara në mënyrë strikte dhe kushtet e përdorimit të tyre janë të përcaktuara në mënyrë qartë
3. Përgjegjësia dhe autoriteti i çdo zyrtari janë pjesë e një hierarkie vertikale autoriteti, me të drejtën e mbikëqyrjes dhe apelimit
4. Zyrtarët kanë burimet e nevojshme për kryerjen e funksioneve të tyre të caktuara, por janë përgjegjës për përdorimin e këtyre burimeve
5. Puna zyrtare dhe të ardhurat nga kjo punë janë të ndara në mënyrë strikte nga puna private dhe të ardhurat nga biznesi privat
6. Zyrat nuk mund të mbahen nga zotëruesit e tyre (të jenë të trashëgueshme, të shiten, etj)
7. Puna zyrtare bëhet në bazë të dokumenteve të shkruara.
Ky lloj teksti në vetvete ngjan “disi burokratik”, por jo në rastin kur tenton të shenjosh funksionimin e shtetit si një organizatë shtetërore, që shoqëria shqiptare ka ngritur në mënyrë demokratike për të qeverisur këtë vend. Për të arritur qeverisjen optimale dhe për të siguruar rendin dhe sigurinë publike, shtetasit shqiptarë kanë rënë dakort, duke votuar drejtpërsëdrejti, ose kanë deleguar pushtetin e tyre, dhe si rezultat është miratuar Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si dhe një Korpus Ligjor i jashtëzakonshëm ligjesh dhe rregullash zyrtare, të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë. Pikë së pari këto ligje dhe rregulla janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga zyrtarët qeveritarë, të zgjedhur prej shtetasve shqiptarë, por edhe nga administrata publike, Agjensitë e Zbatimit të Ligjit, Gjykatat, Prokuroria dhe Policia.
Puna e organizatave qeveritare ka të bëjë e gjitha me Ligjet dhe Rregullat, punë këto, që sipas përcaktimit të Max Weber “bëhet në bazë të dokumenteve të shkruara”, pra në bazë të “fuqisë zyrtare”, ose ndryshe të një burokracie, që unë do ta quaja “burokracia pozitive”. Për këto arsye, kjo burokraci vepron vetëm me dokumenta të shkruara, me numër protokolli dokumentues, me firmë titullari dhe nëpunësi, me datë, vulë dhe sigël të institucionit. Gjithçka është e parashikuar në ligj të shënohet, të protokollohet dhe të arkivohet, të përcillet dhe përsëri të shënohet, të protokollohet dhe të arkivohet. Shteti nuk është gjë tjetër, përveçse një bashkësi ligjesh dhe rregullash, të cilat duhen respektuar rreptësisht, pikë së pari, nga organizata qeveritare, ose ndryshe nga qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministri i saj, që është mandatuar si Administratori i Parë Publik i këtij vendi.
Por le të futemi në një terren konkret të qëllimit të këtij teksti, lidhur me përgjegjësinë ligjore të qeverisë shqiptare dhe personalisht të Kryeministrit Edi Rama në raport me zbatimin e ligjit në zyrat e shtetit dhe me përgjegjësitë e tij si Kryeministër i Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama gjatë ushtrimit të detyrës së lartë shtetërore nuk ka reshtur së propaganduari slloganin e famshëm “Unë po bëj shtet”. Personalizimi i fortë i këtij sllogani nga Edi Rama duket se ka qenë që në krye të herës një përpjekje e tij për ta paraqitur veten e tij si një lloj qenie sipërore me cilësi të rralla që ka qëllimin e mirë, që më në fund çdo shtetas shqiptar të zbatojë ligjet e këtij vendi dhe ai, si një Zot, tashmë po vendos drejtësinë për të gjithë.
Në të vertetë, kjo qasje e tij ka qenë vetëm një farsë, një demagogji e pastër për të fshehur shkeljen e rëndë të ligjeve të Republikës nga vet ai, shkelje të cilat e ngarkojnë atë me përgjegjësi penale.
Sepse nga njëra anë kemi burgosjen masive të borxhlinjve të energjisë elektrike, burgosje kjo në shkelje të rëndë të Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, e cila parasheh se “askush nuk mund të burgoset për mospërmbushjen e një detyrimi kontraktor”. (Shih Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, Protokollet Shtesë). Nga ana tjetër, kemi një mal me shkelje ligjore, proceduriale, administrative, dokumentare nga po kjo qeveri dhe po ky Kryeministër, kemi me miliona euro dëme të shkaktuara nga zyrtarët e këtij shteti, ministra, drejtorë drejtorie, institucione shtetërore, të dokumentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Për të provuar këto fakte, mjafton të lexohen Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe kallzimet penale të njëpasnjëshme, të bëra në Prokurorinë e Përgjithshme për institucionet qeverisëse të Kryeministrit Edi Rama.
Por më kryesorja, ajo çfarë e inkriminon rëndë Kryeministrin Edi Rama është kanabizimi i krejt territorit të vendit. Është e pamundur të mendohet se kjo gjëmë kriminale me përmasa kombëtare ka ndodhur pa dijeninë, lejen dhe bashkëpunimin e zyrtarëve të këtij vendi, pa dijeninë e Drejtorëve të Policisë së Shtetit, pa dijeninë e gjithë hierarkisë zyrtare shtetërore që tek polici më i thjeshtë e deri tek Kryeministri i vendit. Përmasat masive të këtij krimi kombëtar janë konsumuar masivisht, nga mijëra e mijëra njerëz në nevojë që kanë punuar në plantacionet e drogës. Në të vërtetë, edhe në këtë rast në burgjet shqiptare gjenden të akuzuar vetëm kjo kategori, por jo organizuesit dhe protektorët real të këtij krimi shtetëror.
Shteti funksionon nëpërmjet burokracisë, asaj që unë e quajta “burokraci pozitive”. Zyrtari i Shtetit e ka për detyrë të dokumentojë aktivitetin e tij ligjor, të shkruaj dokumente rutinë, të mbajë protokolle, të bëjë raporte zyrtare tek eprorët në linjë vertikale deri tek Kryeministër. Nëse organizatat qeveritare dhe Agjensitë e Zbatimit të Ligjit nuk e kanë bërë këtë punë, domethënë nuk i kanë mbajtur shënimet e duhura, nuk i kanë protokolluar ato, atëherë këtu është kryer një krim mafioz.
Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) ka bërë Raporte periodike Zyrtare për Kryeministrin dhe Presidentin e vendit. Po ashtu, çdo punonjës i këtij Shërbimi ka mbajtur shënime zyrtare që i ka raportuar rregullisht tek eprorët e tij. Këto shënime kanë lënë gjurmë në sistem, dhe kjo me sa duket më shumë ka ndodhur falë sistemit të ngritur në këtë Agjensi nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Këto raporte zyrtare janë prova kryesore e akuzës që duhet të ngrihet ndaj Kryeministrit Edi Rama; se ai jo vetëm që ka qenë në dijeni të plotë të faktit, por e ka lejuar që krimi masiv të ndodhë, në të gjithë territorin e vendit, për arsye, të cilat vetëm ai i di, por me siguri këto arsye nuk kanë qenë në të mirë të Shqipërisë.

 

A e kërcënojnë rrjetet sociale demokracinë?

Në vitin 1962, politologu britanik, Bernard Crick, publikoi “Në Mbrojtje të Politikës”. Ai argumentoi se arti i negociatave politike, larg edhe nga të qenët i neveritshëm, i lejon njerëzit me besime të ndryshme të jetojnë së bashku në një shoqëri paqësore dhe të begatë, shkruan “The Economist”.
Në një demokraci liberale, askush nuk merr atë që dëshiron, por gjithkush ka lirinë për të jetuar jetën që zgjedh. Megjithatë, pa informacionin e duhur, shoqëritë e ndryshme i zgjidhin problemet dhe mospajtimet, duke përdorur masat shtrënguese dhe forcën.
Crick do të ishte tronditur nga falsiteti dhe partishmëria e shfaqur në seancat dëgjimore të Komitetit të Senatit në Uashington, javën e kaluar. Jo shumë kohë më parë, mediat sociale dhanë premtimin se do të publikonin vetëm një informacion të saktë nëpërmjet një gjuhe komunikimi të lehtë, duke qenë se kjo gjë ndihmon njerëzit që të qëndrojnë larg korrupsionit, fanatizmit dhe gënjeshtrave.
Megjithatë, Facebook njoftoi se para dhe pas zgjedhjeve amerikane të vitit të kaluar, midis janarit 2015 dhe gushtit të këtij viti, 146 milionë përdorues mund të jenë përballur me keqinformimin rus në platformën e saj. YouTube pranoi se u publikuan rreth 1,108 video të lidhura me rusët dhe Twitter pranoi se u hapën rreth 36,746 llogari.
Ndryshe nga ajo që mendohej se mediat sociale do të sillnin me vete edhe një epokë të re për qytetërimin, ato nuk bënë gjë tjetër veçse kanë përhapur helmin e tyre.
Problemet e shkaktuara nga Rusia janë vetëm fillimi. Nga Afrika e Jugut në Spanjë, politika po bëhet gjithnjë e më e shëmtuar. Një ndër arsyet se përse po ndodh kjo gjë është se, duke përhapur të pavërteta dhe zemërim, duke korruptuar gjykimin e votuesve dhe duke përkeqësuar partishmërinë, media sociale i prish kushtet për krijimin e negociatave të duhura politike, me të cilën Crick mendoi se do të nxiste lirinë.
Përdorimi i rrjeteve sociale nuk shkakton më shumë ndarje se sa e përforcon atë. Kriza financiare e 2007-’08 nxiti zemërimin popullor ndaj një elite të pasur, e cila i kishte lënë të tjerët prapa. Luftërat e ndryshimeve kulturore i kanë ndarë votuesit nga identiteti më shumë sesa nga klasa.
Por mediat sociale nuk janë të vetme në fuqinë e tyre për të polarizuar dhe për këtë mjafton që të shikojnë televizionet kabllorë apo emisionet e ndryshme në radio.
Por, ndërsa “Fox News” është i njohur, platformat e mediave sociale janë të reja dhe ende nuk janë kuptuar mirë. Dhe, për shkak të mënyrës se si punojnë, ato kanë ndikim të jashtëzakonshëm.
Rrjetet sociale gjenerojnë para nga hedhja e fotove, postimeve personale, lajmeve dhe reklamave të ndryshme. Duke qenë se ato mund të masin mënyrën tuaj të reagimit, e dinë mirë sesi të futen edhe nën lëkurën tuaj.
Rrjetet sociale mbledhin të dhëna për ju në mënyrë që të kenë algoritme për të përcaktuar ato gjëra, të cilat do të tërheqin vëmendjen tuaj, në një “ekonomi të vëmendjes” që i mban të gozhduar përdoruesit, duke klikuar në postime të ndryshme, duke i shpërndarë këto postime dhe duke e përsëritur këtë gjë në vazhdimësi.
Kushdo që merret me prodhimin e reklamave dhe me analizimin e tyre mund të kuptojë dhe të arrijë në përfundimin, se cilat janë ato që i rezistojnë më shumë kohës.
Rezultati është bindës: një studim zbuloi se përdoruesit në shtetet e pasura i shohin telefonat e tyre celularë rreth 2.600 herë në ditë.
Do të ishte e mrekullueshme, nëse një sistem i tillë do të ndikonte në rritjen e dijes dhe në nxjerrjen e fakteve të vërteta në sipërfaqe.
Por, çfarëdo që të thotë Keats, e vërteta nuk është bukuria aq sa është puna e vështirë, veçanërisht kur nuk pajtohemi me të. Gjithkush që është përdorues i Facebook-ut e di se si sistemi, në vend që të japë informacione të sakta, tenton të përforcojë paragjykimet e njerëzve.
Kjo përkeqëson politikën e përbuzjes që mori kontrollin në Shtetet e Bashkuara të paktën në vitet 1990. Duke qenë se çdo palë dëgjon herë pas here se pala tjetër nuk është e mirë për asgjë, përveç gënjeshtrës, mungesës së besimit dhe shpifjeve, sistemi ka edhe më pak hapësirë për krijimin e një empatie. Për shkak se, njerëzit kanë ngecur në një vorbull të gjerave të pavlera, të skandaleve dhe zemëratës në nivele të larta, ata largohen nga gjërat që kanë rëndësi për shoqërinë në të cilën jetojnë.
Kjo tenton të prishë kompromiset dhe hollësitë e demokracisë liberale dhe të nxisë politikanët të ushqejnë konspiracionin dhe nativizmin. Këtu mund t’u referohemi hetimeve në krizën zgjedhore të Rusisë nga Kongresi dhe Prokurori Special, Robert Mueller, i cili sapo ka nxjerrë paditë e para. Pasi Rusia sulmoi Amerikën, amerikanët përfunduan duke sulmuar njëri-tjetrin.
Meqenëse hartuesit e Kushtetutës donin të frenonin tiranët dhe turmat, mediat sociale përkeqësuan bllokadën e Uashingtonit. Në Hungari dhe Poloni, pa kufizime të tilla, ato ndihmojnë në mbështetjen e një demokracie joliberale dhe ku më i forti është ai që ka çfarëdo lloj të drejte. Në Myanmar, ku Facebook është burimi kryesor i informacioneve për shumë njerëz, ajo ka thelluar urrejtjen ndaj myslimanëve të Rohingyas, viktimave të spastrimit etnik.

Media sociale, përgjegjësia sociale

Çfarë duhet bërë? Njerëzit do të përshtaten, ashtu siç kanë bërë gjithmonë. Sipas një sondazhi të fundit të kryer në Amerikë u arrit në përfundimin se vetëm 37% e amerikanëve besojnë në informacionet e marra nga rrjetet sociale, sa gjysma e atyre që u besojnë gazetave dhe revistave të printuara. Megjithatë, në kohën që duhet për t’u përshtatur, dëmi që mund të shkaktojnë qeveritë së bashku me politikat e tyre të këqija mund të jetë shumë i madh.
Shoqëria ka krijuar mekanizma, të tilla si shpifja dhe ligjet e pronësisë, për të sunduar në median e vjetër. Disa po u bëjnë thirrje kompanive të mediave sociale, si botuesit se duhet të jenë të përgjegjshëm për atë që publikohet në platformat e tyre, të jenë më transparentë dhe të trajtohen si monopole që duhen thyer. Dhe absolutisht që të gjitha këto ide duhen vlerësuar, por zbatimi dhe vënia në praktikë e tyre nuk është e lehtë.
Për më tepër, politika nuk është si llojet e tjera të fjalimeve, sepse është e rrezikshme të pyesësh një grup firmash të mëdha për të parë atë që është e shëndetshme për shoqërinë.
Kongresi kërkon transparencë rreth atyre që paguajnë për publikimin e reklamave politike, por ndikim dashakeqës vjen edhe përmes njerëzve, të cilët në mënyrë të shkujdesur shpërndajnë postime të lajmeve dhe informacioneve që edhe ata vetë nuk i besojnë. Thyerja e gjigantëve të rrjeteve sociale mund të ketë kuptim në terma antitrust, por kjo nuk do të ndihmonte me fjalimin politik, në të vërtetë, rritja e numrit të platformave, mund ta bënte industrinë më të vështirë për ta menaxhuar.
Por ka edhe mekanizma të tjerë për ta përmirësuar situatën. Kompanitë e mediave sociale duhet të mbrojnë fillimisht platformat e tyre, për ta pasur sa më të qartë, nëse një postim vjen nga një mik apo një burim i besueshëm. Ato gjithashtu mund të shoqërojnë shpërndarjen e postimeve të ndryshme së bashku me njoftimin për kujdesin që duhet të tregohet ndaj keqinformimeve dhe dëmit që shkaktohet prej tyre. Platformat e ndryshme të internetit shpeshherë përdoren edhe për të përforcuar mesazhet politike. Mbi të gjitha, ato mund të përdorin dhe të përshtasin algoritmet që kanë, për të vendosur lajmet që marrin më shumë klikime diku poshtë në faqe. Meqë këto ndryshime janë masa kundër një modeli biznesi të hartuar për të monopolizuar vëmendjen, ato duhet të caktohen me ligj apo me një rregullator.
Rrjetet sociale po keqpërdoren. Por, së bashku me dëshirën që s’duhet të mungojë, shoqëria mund t’i shfrytëzojë ato dhe ta ringjallë atë ëndërr të hershme për të cilën ato u krijuan, për t’i dhënë informacionin e duhur dhe të vërtetë njerëzve. Në të kundërt, çmimi që do të paguhet për një demokraci të lirë mund të jetë më i lartë.

“Monitor”

Lidhjet e Dakos me një nga bandat më të rrezikshme kriminale

Kryetari i Bashkise se Durresit, Vangjush Dako, duke folur, gjate prezantimit te "Kampionatit Europian te Peshengritjes per te Rinj", i cili do te zhvillohet nga 14-21 shtator, ne qytetin e Durresit.

I cilësuar si Sheiku i Durrësit për shkak të megakorrupsionit me tenderat e Bashkisë e me një pasuri që kap miliona euro, Vangjush Dako ka një tjetër anë të errët në përdorimin e pushtetit. Lidhjet e tij me krimin. Opinioni publik u shokua kur Lulzim Berisha, një nga kriminelët më famëkeq për drejtësinë shqiptare u lirua me ndihmën e posaçme të Vangjush Dakos dhe presioneve të ushtruara prej tij. Lirimi me kusht i ish-kreut të së ashtuquajturës “Banda e Durrësit” është përcjellë me akuza për korrupsion në radhët e gjyqësorit në Shqipëri, si nga faktorët vendas ashtu edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që liria e parakohshme e Lulzim Berishës, nuk ka ardhur vetëm si pasojë e vendimeve të debatueshme të gjykatave, por edhe nga një ofertë për punë nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Mediat austriake: Tahiri i përlyer në trafik droge

Gazeta e njohur austriake “Kurier”, në një shkrim të sajin thekson se rasti i ish-ministrit Saimir Tahiri mund të jetë vendimtar për integrimin e Shqipërisë. “Kur një sipërmarrës shqiptar u ndalua nga policia për shkak se po i jepte makinës me shpejtësi, dhe në fuoristradën e tij u gjetën 800 mijë euro kesh dhe dy patenta anijesh të ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, gjërat për ish-zyrtarin e qeverisë shqiptare u errësuan shumë. Sidomos për shkak se emri i tij kishte dalë një muaj më parë në lidhje me arrestimin e një bosi shqiptar të drogës në Itali: Si ministër i Brendshëm i qeverisë socialiste, Saimir Tahiri është përlyer disa herë, dëgjohet në bisedat telefonike të përgjuara të shefit të fuqishëm të drogës.

Spaho në Parlamentin Europian: Krimi po mban peng Shqipërinë

Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, ka deklaruar në Parlamentin Europian se sot në Shqipëri krimi dhe lidhjet e tij të forta me pushtetin po mbajnë peng Shqipërinë dhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Spaho ka vënë theksin në luftën ndaj krimit dhe lidhjeve të tij me qeverinë, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën e organizuar nga Parlamenti Europian: Perspektiva rajonale e procesit të integrimit europian për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Ne konferencën e organizuar nga Parlamenti Europian: Perspektiva rajonale e procesit të integrimit europian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Atje theksova nevojën e luftës ndaj krimit të organizuar e lidhjet e tij me mazhoracën aktuale në Shqipëri si dhe nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme pa votë të blerë e të trafikuar si parakushte për rrugëtim të sigurtë në Bashkimin Europian dhe ku Parlamenti Europian mund të bëjë shumë. Theksova gjithashtu nevojën që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave, pasi jo vetëm janë plotësuar kushtet, por një popull nuk mund të lihet si ishull i izoluar pa të drejtë për të lëvizur i lirë në BE.

 

Mediat greke: Linda Rama bleu Bankën NBG për pastrim parash

Banka e Linda Ramës ka blerë aksionet e Bankës Kombëtare të Greqisë në Shqipëri. Megjithëse është tentuar të mbahet i fshehtë në Shqipëri, lajmi i blerjes nga “ABI Bank” të degës së NBG në Shqipëri ka bërë bujë në mediat greke. Kjo edhe për faktin se në bordin e saj është bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, Linda Rama.
Portali grek me orientim ekonomik Mikrometoxos.gr. i ka kushtuar një artikull të gjatë blerjes së bankës greke nga ana e Albanian American Investement Bank (ABI), duke theksuar faktin se, “mediat shqiptare e akuzojnë ABI-in si një bankë që pastron paratë e zeza”.
“Blerja e (degës së) Bankës Kombëtare të Greqisë e rrit më tej peshën e ABI Bank në sistemin financiar shqiptar, duke e bërë tashmë atë një nga bankat më të mëdha në treg. Ekspansioni i papritur i ABI Bank në tregun vendas nuk ka kaluar pa u vënë re, jo vetëm brenda vendit, por gjithashtu edhe organizmat ndërkombëtare që mbikëqyrin ekonominë shqiptare”, shkruan ndër të tjera portali grek.
Banka Kombëtare Greke (NBG) shiti pjesën më të madhe të aseteve në Ballkan, duke përfshirë operacionet e saj rumune, për të përfunduar një plan ristrukturimi për të cilin është rënë dakord me autoritetet evropiane. Pas disa muajsh që Banka Kombëtare e Greqisë kishte dalë në shitje mësohet se është mbyllur transaksioni dhe banka është blerë nga Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank).
Të kontaktuar nga “Monitor”, drejtuesit e ABI Bank nuk bënë asnjë koment. Transaksioni duhet të marrë miratimin nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Konkurrencës. Burime zyrtare nga BSH thanë se nuk ka mbërritur kërkesë pranë këtij institucioni. Në garë për të blerë NBG ishin edhe Banka e Parë e Investimeve (FiBank) dhe Eurosig. Që në fillim ABI Bank mësohet se ishte e preferuar dhe lobimi ka qenë i madh për ta shpallur atë fituese, ndërsa Banka e Shqipërisë favorizonte Fibank, ndërsa Eurosig ishte jashtë loje, për shkak të mungesës së përvojës së sistemit bankar. Procesi zgjati disa muaj për shkak të çmimit të ulët të ofruar, shkruan “Monitor”.
Pas shitjes së NBG dhe përthithjes së Bankës Veneto nga Intesa San Paolo, sistemi bankar do të ketë 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të këtij viti, teksa procesi i konsolidimit të sistemit pritet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. NBG e Greqisë, që pas krizës së borxheve greke nxorri në shitje filialet e saj të rajonit, si pjesë e planit për t’u ristrukturuar në linjë me rekomandimet e Bankës Qendrore Europiane. Në shitje është edhe Tirana Bank, pjesë e grupit bankar të Pireut. Asetet e NBG Albania në fund të tremujorit të tretë të këtij viti ishin 40 miliardë lekë, ose 2.8% e totalit të sistemit bankar. Banka kishte gati 4% të stokut të huave dhe 2.6% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 9-mujorin, ajo kishte deklaruar një humbje prej rreth 133 milionë lekësh.
ABI Bank nga ana tjetër, e cila nisi si një bankë relativisht e vogël sot është shndërruar në një nga më të mëdhatë në vend. Me gruan e Ramës në drejtimin e saj kjo bankë është sot një nga lavatriçet e Ramës në pastrimin e parave të drogës. Ky ishte dhe qëllimi i krijimit dhe sot fuqimizimit të saj.

Abi Bank e Linda e Ramës për pastrimin e parave të Rilindjes

Sistemi bankar në Shqipëri numëron 16 banka, por vetëm njëra prej tyre vjen nga kompani offshore. Ajo është Banka Amerikane e Investimeve, në bordin drejtues të së cilës pak muaj më parë u emërua bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama. Banka Amerikane e Investimeve përbën një risi të çuditshme në sistemin financiar shqiptar, e cila ka habitur jo pak ekspertët. Pronësia e saj është e pagjurmueshme, pasi kalon përmes parajsave fiskale. Të gjitha bankat e licencuara në Shqipëri zotërohen nga grupe të mirënjohura financiare kryesisht nga Europa Perëndimore. Pronësia e tyre është transparente dhe aksionerët që i zotërojnë janë të njohur publikisht. Por në rastin e ABI Bank, çuditërisht kjo traditë u thye, duke ngritur dyshime të forta edhe ligjore për licencimin e bankës në dhjetor të vitit 2015. Linda Rama, është emëruar në Këshillin Drejtues të ABI Bank (Banka Amerikane e Investimeve). Sipas dokumenteve znj.Rama është emëruar në këtë detyrë që prej fillimit të vitit të shkuar dhe mandati i saj do të zgjasë deri më 7 janar të vitit 2020. Por edhe pse zyrtarisht rezulton në detyrë që prej janarit të vitit 2016, zyrtarizimi i znj.Rama është bërë në shtator, sipas dokumentave të publikuara nga vetë banka. “Arsyet e hapjes së çështjes: Depozitim i Rezolutës Nr.64, datë 07.01.2016, ku është vendosur emërimi i z.Richard Lukaj dhe zj.Lindita Rama si anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues”, thuhet në Regjistrin e Binzeseve, referuar emërimit të Linda Ramës në Këshillin Drejtues të “ABI Bank”. “ABI Bank” zotëron 2.7% të tregut bankar dhe nëse do të blejë edhe “NBG” atëherë portofoli i saj në tregun shqiptar do të arrinte në 5.6%.
ABI Bank vazhdoi të mbajë një pozicion rekord në treguesit më të rëndësishëm të sistemit bankar në gjysmën e parë të vitit 2016.
Kjo bankë rezultoi të ishte institucioni me përfitueshmërinë më të lartë në treg si rezultat i përmirësimeve në cilësinë e portofolit të kredisë dhe uljes së shpenzimeve administrative. Përfitueshmëria e lartë ka çuar në një mjaftueshmëri kapitali rekord për bankën dhe më të lartën në sektorin bankar në Shqipëri me 23%. Niveli i lartë i depozitave dhe i kapitalit ndikuan në rritjen në masën 19% të aktiveve të bankës me një vlerë totale 229 milionë euro. Banka Amerikane e Investimeve zotërohet 100 për qind nga një fond financiar i quajtur Tranzit sh.p.k. Por ky i fundit, zotërohet nga 3 aksionerë, një shtetas shqiptar me emrin Andi Ballta dhe dy fonde të tjera, NCH Balkan Fund dhe New Century Holding. Të dy këto fonde, të cilat zotërojnë 70 për qind të Bankës Amerikane të Investimeve janë të regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Cayman. NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, pra në ishujt Cayman është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit sh.p.k, New Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711. Askush nuk e di se kush qëndron pas NCH Balkan Fund dhe New Century Holdings, për shkak të sekretit që ofrojnë parajsat fiskale. Ky fakt ngre dyshime të forta. Kush qëndron pas Abi Bank dhe pse BSH pranoi të licencojë një bankë nga parajsat fiskale.