Në Shqipëri prokurorët e Krimeve të Rënda thanë sot se ata dyshojnë se shuma prej 860 mijë eurosh e cila u gjet në makinën e biznesmenit Orest Sota tre javë më pare, i përket ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Këto deklarime prokurorët i bënë gjatë seancës për rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Sota, duke shpjeguar se sipas tyre prejardhja e parave dyshohet të jetë nga aktivitete kriminale. Prokuroria po e heton zotin Tahiri pasi dyshon se ai ka patur lidhje me grupin e Habilajve, i përfshirë në trafikun e marijuanës drejt Italisë.
Dyshimet për një lidhje të parave dhe ish ministrit lindën pasi në makinën e biznesmenit u gjetën dy patenta lundrimi të zotit Tahiri. Por avokati mbrojtës i biznesmenit 25 vjecar, tha sot se është e vërtetuar sipas tij dhe nga përgjimet telefonike të kryera nga Prokuroria se patentat ishin harruar në makinë rreth një muaj më parë nga shoferi i zotit Tahiri.
Lidhur me sasinë e madhe të parave në cash, avokati Fatmir Braka, tha se janë dorëzuar provat që dëshmojnë se burimi i parave ishte i ligjshëm dhe se ato do të shërbenin si garanci për blerjen e një sasie hekuri në kompaninë Kurum nga i ati i Orest Sotës, një biznesmen i njohur i hekurit. Avokati kundërshtoi pretendimet e Prokurorisë se kompania Kurum nuk kishte dijeni për transaksionin, duke thënë se prokurorët kanë pyetur vetëm një financier të kompanisë, ndërkohë që ekzistojnë komunikimet telefonike të të atit të Sotës me drejtuesit më të lartë të Kurumit, kompani me të cilën edhe pas arrestimit të djalit, biznesmeni i hekurit ka kryer veprime me vlera mbi 700 mijë euro, deklaroi avokati
Zëri i Amerikës citon Prokurorinë: Eurot në makinën e Sotës janë të Tahirit
Krimi i veshur me pushtet po mban larg Shqipërisë investitorët e huaj
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas takimit që Kryeministri Edi Rama zhvilloi të dielën me ambasadorët shqiptarë.
Rama kërkoi investime nga diplomacia shqiptare, por Basha deklaroi se krimi dhe droga po mbajnë larg Shqipërisë investitorët e huaj.
Në një shënim në Facebook, Basha shkruan se ambasadorët e kanë të pamundur të sjellin investime të huaja në vend, pasi klima armiqësore dhe pushtimi që krimi i ka bërë qeverisë nuk e lejon këtë gjë. “Është mision i pamundur që ambasadorët të sjellin investitorë të huaj në Shqipëri!
Rama e di shumë mirë këtë, sepse është ai përgjegjësi për krijimin e një klime armiqësore për biznesin vendas dhe të huaj. Kryeministri i pashpresë dhe i korruptuar deri në rrënjë, e di se në Shqipëri mund të investojnë apo marrin tendera vetëm ata që pranojnë të dorëzojnë kapar 30-50% të fitimit tek ai, përmes sejmenëve të tij të kapur në përgjime.
Ambasadorët e kanë mision të pamundur sjelljen e investitorëve të huaj, sepse në 4 vitet e fundit raportet ndërkombëtare flasin vetëm për përkeqësimin e klimës së biznesit, për rritjen e taksave, për korrupsionin e përhapur në çdo nivel të qeverisjes. Sepse tenderat dhe koncesionet përfundojnë në xhepat e 10 klientëve të kryeministrit dhe investitorët e huaj gjymtohen nga kriminelët e lidhur me Ramën dhe Dakot e tij për t’u përzënë nga Shqipëria.
Gjatë qeverisjes tashmë të vdekur të Ramës, në Shqipëri nuk erdhi asnjë investim serioz i huaj. Po të mos ishin dy projektet e mëdha energjetike, gazsjellësi Trans Adriatik dhe Kaskada e Devollit, niveli i investimeve do të ishte në minimum historik, duke e kthyer vendin 15 vite prapa.
Ambasadorët e Shqipërisë e kanë mision të pamundur sjelljen e investitorëve të huaj, sepse për shkak të keqqeverisjes së Ramës vendi është në depresion ekonomik dhe social. Rreth 300 mijë shqiptarë të larguar në 4 vjet nga Shqipëria janë prova ulëritëse e këtij realiteti dëshpërues.
Investitorët e huaj do të vijnë në Shqipëri, kur vendi të ketë një qeveri që lufton krimin, hap vende pune dhe ju jep mundësi të gjithëve. Por kjo nuk do të ndodhë përsa kohë vendin ta drejtojë kryeministri i kapur nga krimi dhe i zhytur në krim, që ktheu Shqipërinë në hambar droge dhe buxhetin e shqiptarëve në lavatriçe për Pastrimin e Parave të Pista”, tha Basha në reagimin e tij.
Paralelizma ballkanikë
Jacques Rupnik
Rënia e Jugosllavisë 25 vite më parë, e bërë më pas sinonim i “ballkanizimit” dhe i konflikteve nacionaliste, është prej kohësh një burim frymëzimi për indipendentistët katalanas. Kurse në Ballkan kriza katalanase ngjall interpretime kundërshtuese dhe rindez orekset e nacionalistëve të pakënaqur me rregullim territorial pasjugosllav. Qysh në vitin 1991 Jordi Pujol, President i qeverisë katalanase nga 1980 në 2003, kishte parë tek rënia e Jugosllavisë dhe e Bashkimit Sovjetik fillimin e një epoke të re të kombeve. Nëse Kroacia, me 4 milionë e gjysmë banorët e saj, dhe Estonia me 1 milion e gjysmë banorët e saj mund të bëheshin të pavarura, atëherë pse nuk mund ta bënte një gjë të tillë Katalonja, e cila kishte 7 milionë banorë? Pujol, që fliste për “vetëvendosje” dhe jo për shkëputje të Katalonjës, është dashur ta braktisë skenën politike për evazion fiskal. Por tezat e tij janë huazuar nga Presidenti aktual Carles Puigdemont.
Në verën e 1991, Puigdemont shkoi në Slloveni për të ndjekur ngjarjet: zhvillimet e referendumit të dhjetorit 1990 dhe të shpalljes së pavarësisë në qershorin e 1991, reagimi i ushtrisë jugosllave dhe së fundi, në fillim të korrikut, ndërmjetësimi europian që parashikonte një moratorium 3-mujor mbi pavarësinë e Sllovenisë e të Kroacisë. Me 8 tetor, Sllovenia riafirmoi dhe vuri në zbatim pavarësinë e saj. Ja cili ka qenë modeli i indipendentistëve katalanas. Mund të shtohet se republikat e pasura të veriut qenë gjithnjë e më ngurruese të kontribuonin në bilancin e Jugosllavisë, i plaçkitur nga Presidenti Slobodan Millosheviç.
Ashtu si në Katalonjë, një revoltë fiskale mund të marrë tone indipendentiste. Ashtu si në Katalonjë, elitat e reja donin t’i shoqëronin binomit sovranitet – identitet një rishpërndarje radikale të pushtetit politik dhe ekonomik. Referimi i Sllovenisë mundëson që të nënvizohen diferencat thelbësore midis Spanjës së sotme dhe Jugosllavisë së atëhershme. Sllovenia është larg nga Beogradi dhe nuk kishte ndonjë pakicë serbe. Kurse është ndryshe rasti i Kroacisë dhe Bosnjes, apo edhe i Kosovës, ku shpallja e pavarësisë u pasua nga një shkëputje e komuniteteve serbe dhe nga një dekadë luftërash.
Ekziston një paralel mbi të cilin do të ishte e dobishme të përqendrohej: në vitin 1989 heqja e autonomisë së Kosovës dhe vendosja e kontrollit të drejtpërdrejtë nga ana e Beogradit i bindën liderët sllovenë dhe kroatë se kishte ardhur momenti që të dilej nga Jugosllavia. Në Konferencën e Rambujesë, në vitin 1999, serbët e refuzuan propozimin e një “autonomie substanciale” të Kosovës në brendësi të Serbisë. Qe preludi i dhunës dhe i radikalizimit të rivendikimeve shkëputëse kosovare, që më pas çuan drejtpërsëdrejti tek pavarësia. Rasti jugosllav në mason se heqja e autonomisë nënkupton t’i bësh një favor të madh kauzës indipendentiste.
Atëhere cilat janë diferencat midis Spanjës së sotme dhe Jugosllavisë së djeshme? Në tranzicionin drejt demokracisë të një shteti multietnik është thelbësore që zgjedhjet e para të zhvillohen në të gjithë vendin: kështu demokracia e rithemeluar mund të legjitimojë kuadrin territorial në të cilin ndodhet. Për pasojë, pas rënies së diktaturës frankiste ishte e domosdoshme që zgjedhjet e para të mbaheshin në kuadrin e shtetit spanjoll, që në një etapë të dytë, me Kushtetutën e vitit 1978 e të amendamenteve pasuese, i ka garantuar një autonomi të konsiderueshme rajoneve si Katalonja dhe Vendet Baske. Në Jugosllavi Millosheviçi, lideri i fundit i Partisë Komuniste Serbe, ju kundërvu këtij parimi. Zgjedhjet e para të lira u zhvilluan në nivelin e republikave të veçanta.
Një diferencë tjetër substanciale është se, në Spanjë pushteti u është dhënë rajoneve, ndërsa Jugosllavia ishte një federatë republikash të pajisura me të “drejtën e vetëvendosjes, përfshi atë të shkëputjes”. Pas vitit 1989, ky federalizëm u konsiderua një trashëgimi e komunizmit dhe u rivu në diskutim. Një zgjidhje kompromisi do të kishte mundur të ishte transformimi i federatës komuniste në një konfederatë demokratike, por kundërshtimi i Serbisë së Millosheviçit favorizoi indipendentizmin në Slloveni e në Kroaci. Asgjë e ngjashme nuk ekziston në asetin demokratik të Spanjës, që mund t’i gjejë një zgjidhje kërkesës katalanase për sovranitet, duke negociuar një evolucion drejt ndonjë forme federalizmi. Por në Katalonjë, ashtu si në Ballkan, instrumentalizohen edhe trashëgimi historike më komplekse. Millosheviçi theksonte se po luftonte kundër fashistëve ustashë në Kroaci, një vend në të cilin Presidenti i tij ishte një ish-gjeneral i ushtrisë së Titos. Sot e djathta nacionaliste katalanase kërkon që të kapet pas antifrankizmit të majtë, për të cilën “Homazh Katalonjës” i George Orëell mbetet teksti referues. Pavarësisht tentativave të indipendentistëve katalanas për ta lidhur kauzën e tyre me atë të Katalonjës në vitin 1937, gjatë 40 viteve të fundit rajoni ka prosperuar në brendësi të një Spanje demokratike e të decentralizuar. Rajoy nuk është as Franko, as Millosheviçi.
Kriza spanjolle ka pasur reperkursione në Ballkan. Gjatë, këtë lojë pasqyrash Sllovenia dhe Kroacia, dy vende që janë pjesë e Bashkimit Europian dhe kanë nënshkruar apele për dialog në Bruksel, hezitojnë midis simpatisë dhe maturisë, duke marrë pozicione në një farë kuptimi të kundërta me vetë historitë e tyre. Siç vëren filozofi slloven Slavoj Žižek, “E majta e vjetër, që ishte në fakt ngurruese përballë pavarësisë së Sllovenisë, nënshkruan peticione për Katalonjën, ndërsa e djathta nacionaliste, që ka luftuar për pavarësinë, sot është në favor të unitetit”.
Shpallja e pavarësisë së Katalonjës ka shkaktuar reagime konfliktuale në copërat e ndryshme e mozaikut pasjugosllav. Serbia është përfshirë në shumë fronte. Në rajonin autonom të Vojvodinës janë parë flamuj katalanas dhe shkrime “Vojvodina = Katalonjë”. Milorad Dodik, lideri i Serbëve të Bosnjes, ka deklaruar se ka ardhur momenti të flitet për një “ndarje paqësore të Bosnjes”. Edhe ai do një referendum që të shërbejë si prelude për një aneksim të anës serbe nga Serbia, por që qeveria e Beogradit nuk bën asgjë për ta inkurajuar. Mbështetësit e aneksimoit nga Kroacia e rajonit të Mostarit në Bosnje ka marshuar me flamurin e republikës jetëshkurtër kroate të Bosnjes (1991 – 1994) përkrah me ato të Katalonjës, duke thirrur “Të radhës do të jemi ne!”. Por sidomos Beogradi ka ringritur çështjen e Kosovës.
Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç nuk e përjashton idenë e një shkëputjeje të veriut të Kosovës, ku edhe jeton një pjesë e madhe e pakicës serbe, ndërsa Presidenti Aleksandar Vuçiç denoncon hipokrizinë e Bashkimit Europian, që ka njohur Kosovën, por mbron integritetin e Spanjës. Paraleli nuk është shumë i bazuar: njohja e Kosovës erdhi pas një dekade aparteidi dhe një ripërkufizimi total të Jugosllavisë. Por kriza katalanase nuk do t’i bindë sigurisht vendet armiqësore ndaj njohjes së Kosovës (midis të cilave Spanjën) të ndryshojnë ide.
Spanja e sotme demokratike nuk është Jugosllavi, por duhet konstatuar se zgjimi i nacionalizmave dhe vullnetet shkëputëse forcojnë njëri-tjetrin dhe janë një fenomen transeuropian. Václav Havel, President i Republikës Çeke nga viti 1993 në 2003, fliste për “anë komunikuese” dhe mendonte se integrimi europian do të ishte ilaçi për to. Në të kudërt, Katalonja, Flandra dhe Skocia demonstrojnë se në brendësi të Europës demokratike e të pasur sot lulëzon një nacionalizëm gjuhësor dhe indipendentist që përkufizohet europeist. Bashkimi Europian nuk është vetëm zgjidhje, por edhe pjesë e problemit.
Përtej analogjive me Ballkanin, ka një gjë që kush e ka vëzhguar nga afër shpërthimin e Jugosllavisë e ka mësuar dhe mbi të cilën do të bënin mirë të reflektonin protagonistët e krizës katalanase: në momentin e referendumit për pavarësinë askush nuk mendonte se pak më vonë do të shpërthente një luftë dhe se euforia e një kombi të sapohyrë në histori do të transformohej në një zbritje në Ferr.
(Jacques Rupnik është një politolog francez. Ka qenë i Komisionit Ndërkombëtar të Pavarur për Kosovën)
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Këshilli Shqipëri-BE, Tabaku: Rama frikë nga përballja
Frika nga përballja ndaj akuzave të faktuara të opozitës mbi lidhjet e qeverisë me krimin e drogën kanë detyruar Ramën që të përjashtojë opozitën nga punimet e Këshillit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku deklaron se qeveria ka prishur traditën e 5 viteve të fundit, ku opozita ka qenë institucionalisht e pranishme në mbledhjen vjetore të Këshillit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE. Dhe përveç sqarimeve nga qeveria, opozita kërkon edhe që përfshirja e opozitës në përfaqësimin para BE-së të kthehet në një detyrim ligjor. “E kuptoj që ndoshta nuk doni që çështja e krimit, drogës dhe korrupsionit të bëhen tema diskutimi në tryezat e diskutimit ndërkombëtar, por zërin dhe fjalën e opozitës nuk e heq dot askush”, thekson Tabaku. Përveç sqarimeve nga qeveria, opozita kërkon edhe që përfshirja e opozitës në përfaqësimin para BE-së të kthehet në një detyrim ligjor. “Kërkojmë që ne si komision të angazhohemi që sa herë që ka mundësi për tryeza të tilla diskutimi, opozita të jetë e përfaqësuar pavarësisht se kush është në opozitë. Në këtë proces të gjitha palët janë njësoj” bën të ditur Tabaku. “Në procesin e integrimit nuk ka pronarë, nuk përfiton njeri politikisht. Procesin e integrimit PD e ka patur prioritet jo të saj e për merita politike, por duke vendosur në rend të parë përfitimin e qytetarëve. Për këtë arsye është vendosur gjithmonë opozita, në çdo vendim e udhëtim. Ajo që ndodhi javën e shkuar është që u përpoq që zëri i opozitës të shuhet, ishte i paprecedentë. Ndaj kemi përgatitur këtë deklaratë që në thelb ka kërkimin e shpjegimit nga kryeministri dhe ministri Bushati dhe angazhimin për përfaqësimin e opozitës”, ka thënë Jorida Tabaku, deputete e PD-së.
Kokëdhima: Rama në dëshpërim të thellë
Diplomacia ekonomike është cilësuar nga “Zgjidhja” e Koço Kokëdhimës si një zgjidhje e dëshpëruar e Kryeministrit Edi Rama. “Zgjidhja” e pyeti kryeministrin se si mund të shkojë në takime të rëndësishme tregtare ambasadori ynë për të mburrur avantazhet e vendit tonë kur investitori i huaj e pret me gazetën e ditës në dorë me një artikull të ri skandaloz për Shqipërinë e mafias që ka blerë gjithçka, qeverinë, drejtësinë, tokat dhe zgjedhjet? Sipas kësaj partie, sot ambasadorët tanë kanë më shumë interes të fshihen sesa të dalin si karagjozë para investitorëve të huaj sepse nuk dinë çfarë t’u thonë, aq e pamundur është bërë sot të mbrosh kauzën e investimeve të huaja në Shqipëri. “Një qeveri e korruptuar nuk mund të angazhohet në diplomaci ekonomike. Rilindja po kërkon zgjidhje të dëshpëruara. Një ndër to është edhe nisma e fundit me emrin pompoz të ‘diplomacisë ekonomike’, por me përmbajtje fare boshe. Qeveria e Ramës mblodhi gjatë tre ditëve të fundit ambasadorët tanë për t’i fajësuar për mungesën e investimeve të huaja në vend. Diplomatët tanë nuk mund të jenë përgjegjësit e dështimeve të njëpasnjëshme të qeverive Rama me investitorët e huaj. Maqedonia fqinje, me popullsi më të vogël se Shqipëria dhe pa porte detare ka të regjistruara me qindra kompani të huaja që kanë krijuar mbi 50 mijë vende pune. Ndërsa për vendin tonë nuk interesohet kush përveç atyre kompanive që vijnë për të kapur ndonjë tender të financuar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë”, thuhet në reagimin e “Zgjidhjes”. Në vijim thuhet se ndërkohë që Rama vendosi t’i taksojë fitimet e kompanive të mëdha me 15%, Maqedonia fqinje e ka taksën mbi fitimin në 0 gjatë tre viteve të para për investitorët e huaj! “Ndërkohë që Rama u hakërrehet bizneseve të mëdha për furtunë në lidhje me kuotizacionet e padeklaruara të punonjësve, Maqedonia jo vetëm që s’u kërkon gjë investitorëve të huaj, por u akordon dhe subvencione për çdo vend pune të krijuar. Ndërkohë që Shqipëria vazhdon përsiatjet me problemet e pronës, Maqedonia ka vënë në jetë për investitorët e huaj procedura të përshpejtuara për aksesin në pronë. E si mund të shndërrohen në këto kushte ambasadorët tanë në tregtarë të mirë të vendit të tyre? Një agjent tregtar është efikas kur beson te produkti që ai shet”, theksohet në deklaratë.
Vasili: Evropa të flasë me zë dhe figurë për drogën dhe krimin
Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, pjesë e delegacionit shqiptar në tryezën e nivelit të lartë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Parlamentin Evropian thotë se, Evropa duhet të flasë me zë dhe figurë për zgjedhjet e blera, për trafikun e drogës dhe për krimin e organizuar. “Evropa duhet të flasë më në fund në mënyrë direkte për zgjedhjet e blera, për trafikun e drogës dhe për krimin e organizuar. Duhen vënë detyra të qarta, që të mund të monitorohen ashtu siç u veprua për liberalizimin e vizave. Shqiptarët besojnë tek integrimi europian, por jo sa më parë. Inkurajimi i Evropës për ne pozitiv, por jo bashkëjetesë me problemet e rënda të qeverisë që po e bëjnë integrimin një ëndërr të parealizueshme. Të gjithë duam një integrim europian sa më të shpejtë, por duam edhe një integrim me përmbajtje dhe të merituar. Nëse Europa nuk do të jetë e prerë në zgjidhjen e problemeve që kanë tronditur shoqërinë shqiptare do të mbetemi tek dera e Evropës, pa hyrë kurrë në të”. Po dje, Vasili ka reaguar edhe në lidhje me letrën që Rama u ka dërguar partnerëve ndrëkombëtarë, duke ironizuar atë. “Kryeministri, që gënjeu banalisht se fitoi mbi kanabisin, tani po u kërkoka ndihmë me letër europianëve. Kryeministri i Shqipërisë është shndërruar në shembullin më të shëmtuar të mashtruesit publik.
Nuk la vulgaritet e banalitet pa nxjerrë nga goja kundër çdo partie, individi, media të të gjitha llojeve shqiptare e ndërkombëtare, që flisnin për drogën dhe efektin shkatërrimtar të saj për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Nuk la gënjeshtër, manipulim faktesh, ngjarjesh e raportesh për të mohuar, mbuluar dhe përdorur për pushtetin e tij dhe për të blerë vota, këtë tragjedi politike e sociale. Sot po ky kryeministër u dërgon letër shteteve europiane për ndihmë për drogën, që po ky që medemek e kishte “eliminuar” 99%”.
Ja ç’thoshte ky kryeministër jo më larg se 2 javë më parë dhe kuptoni më mirë çdo të thotë gënjeshtar që as skuqet as zverdhet.
Ja ç’thoshte kryeministri:
“Ne e fituam betejën me kanabisin. Viti 2017 e nxorri vendin nga harta e zezë
Vetëm qorrat që nuk duan të shohin, shurdhët të dëgjojnë, apo kazanët që nuk duan të mësojnë”, shprehet Vasili në reagimin e tij.
Crawford: Politikat e qeverisë po përzënë investitorët e huaj dhe nuk po afrojnë biznese të reja
“Ata fituan votën mbi këto premtime. Taksa individuale dhe taksa e dividentit. Pronarët e bizneseve mund të marrin fitime në shumë mënyra jo vetëm nga paga. Por nëse nuk shikojnë ndonjë zbritje mund të shkojnë në Kosovë, nuk është shumë vështirë të hapin një degë të kompanisë atje”
Teksa kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga ambasadorët e Shqipërisë në botë të marrin një rol të ri për të ridemiensionuar diplomacinë ekonomike dhe nevojën që ka vendi për të thithur investime të huaja, për kreun e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, vëmendja duhet të përqendrohet fillimisht tek investitorët që veprojnë në Shqipëri. Ai tha se duhen mbajtur mirë bizneset që aktualisht po investojnë në Shqipëri, pasi në një mënyrë apo tjetër ata janë reklamë pozitive ose negative për të tjerët që shfaqin interes.
“Unë u thashë që mandatin që kanë marrë të tërheqin investitorë nga jashtë është pak ndryshe nga pritja që kemi ne amerikanët për Amabsadorin Lu. Nuk pres nga Lu të tërheq shqiptarët të investojnë në Amerikë. Por pres, që ai të zbatojë vullnetin e Uashingtonit. Dhe nëse futet në biznes këtu, të mbrojë amerikanët që janë këtu. Por do ta filloja, duke parë bizneset që janë duke investuar aktualisht këtu nga vende të huaja. U thashë mbani mirë ata, sepse janë ose reklamë e mirë ose e keqe për të tjerët. Së dyti, të shikojmë rastet e suksesit që kemi pasur. Mund të përmend shumë kompani që kanë pasur investim risku nga amerikanët në fusha të ndryshme. U thashë që nëse unë do të isha ju, nuk do të shkoja të trokas në çdo derë, do të shkoja vetëm tek fondet”, tha Crawford për “Ora News”.
Sipas Crawford, Shqipëria duhet të bëhet konkuruese me rajonin. Pengesë sheh tatimin mbi pagat e larta dhe taksën mbi dividentin.
“Edhe këtë, por edhe taksën mbi dividentin, është 15% në Shqipëri. Taksa mbi dividentin është pengesë për ata biznesmenë të riinvestojnë në një biznes që është më fitimprurës. Ai fitim që është në biznesin aktual ngelet në bankë, kemi parë se janë rritur shumë depozitat në bankë tani dhe nuk është mobilizuar në treg. Ne duam që sa më shumë para të qarkullojnë në tregun shqiptar. Ishte premtuar që mund të ulet deri në 6%, menduan të mos e zbresin deri tani. Nëse një investitor i huaj merr dividentin me një taksë më të vogël, ai mund të investojë prapë në vendin e tij. Nëse kjo taksë bie në supe të shqiptarëve që janë këtu nuk ka shumë sens. Shpresoj të merren në konsideratë, për mua një taksë e lartë mbi dividentin është pengesë për shqiptarët që të investojnë në Shqipëri”.
Teksa ishte pjesë e diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë ku u miratua paketa fiskale, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë thotë se mazhoranca duhet të mbajë premtimet për të cilat mori votat.
“Ata fituan votën mbi këto premtime. Taksa individuale dhe taksa e dividentit. Pronarët e bizneseve mund të marrin fitime në shumë mënyra jo vetëm nga paga. Por nëse nuk shikojnë ndonjë zbritje mund të shkojnë në Kosovë, nuk është shumë vështirë të hapin një degë të kompanisë atje, të lëvizë të gjithë punëtorët me pagë më të lartë atje ku ka rrogë më të ulët dhe të punojnë prapë në Shqipëri, por të kryejnë aktivitetin në Kosovë, ku është një sistem më i ulët. Ne si të huaj investojmë në rajon, jo vetëm në Shqipëri, në përgjithësi në rajonin shqipëfolës. Ne në Tiranë jemi konkurent direkt me Prishtinën dhe Shkupin. Nëse një person vjen nga jashtë thotë ok do të kap tregun shqiptar dhe nëse sistemi është më i mirë në Shkup, Prishtinë apo Podgoricë, ata do të shkojnë atje. Do të kenë aktivitet këtu, por prapëseprakë shumicën e aktivitetit do ta kenë atje ku favorizojnë më shumë taksat. Tani jemi duke shikuar nga ata që janë duke investuar nga jashtë, janë holandezët të parët tani në Shqipëri. Përfshin edhe SHELL në fushën e naftës, por ka dhe një sistem në Holandë, një identitet ku mund të investojë një shqiptar, një anglez, një amerikan dhe është një taksë zero për ata. Janë tatuar vetëm nga vendi i aksionerëve. Ka edhe investime nga Holanda, ku mund të jenë dhe shqiptarë që investojnë nga Holanda. Është fakt që kur ka taksa të ulëta, burokraci të vogla tërhiqen investimet dhe e shikojmë përditë këtë ku Holanda është e para tani me investime në Shqipëri.
Crawford renditi dhe rezervat lidhur me paketën fiskale. “Bashkëpunojmë shumë me qeverinë. Do të thoja fillo me ata që janë këtu. Mbani mirë ata që janë këtu, sepse kanë ardhur jo për shkak të tatimeve, por kanë probleme burokracie etj. Pastaj zgjero fushën. Ndër problemet kemi përmedur dhe rikthimin e TVSH. Kemi parë dhe aspektet teknike, amortizimin e investimit. Një kompani që fillon nga zero duhet 5 vjet për të marrë këmbët e tyre. Duan më shumë kohë të amortizojnë shpenzimet e tyre, tani është 3 vjet. Gjithmonë jemi pro që duhet të zvogëlojmë informalitetin. Por nuk duhet vetëm shkopin, por dhe tortën. Nëse kemi shumë shkop mund të bëhet komunizëm. Të gjithë do të jenë brenda rregullit”.
Newsweek: Si gënjen Rama për drogën
Revista prestigjioze amerikane Newsweek i kushtoi Shqipërisë një artikull të gjatë mbi problemin e drogës. Artikulli nis me përshkrimin e Edi Ramës si një politikan që i pëlqen veshja ekstravagante dhe që erdhi në pushtet në 2013-ën me qëllim shkatërrimin e krimit të organizuar, dhe pikërisht këtë bëri me luftën në Lazarat. Por kjo fitore e hershme ndaj trafikut të drogës, ku u kapën 71 ton kanabis, sipas Newsweek, rezultoi thjeshtë një fushatë marketingu politik.
“Fitoret e vogla ndaj trafikantëve të kanabisit janë zbehur nga ardhja e drogërave shumë më të rënda, si kokaina dhe heroina. Shqipëria, jo vetëm që është vendi me konsumin më të madh të kokainës në botë për popullsi, por edhe një eksportuese e rëndësishme në Europë. Kultivimi i kanabisit është shumë më pak fitimprurës për organizatat e mëdha kriminale, kur drogërat e forta e kanë vlerën në treg rreth 1000% më të lartë se kanabisi. Ky vend i vogël në periferi të Bashkimit Europian është duke i shkaktuar një shqetësim të madh diplomatëve, kryesisht pasi vlera dhe vëllimi i drogërave po i krijon krimit të organizuar shqiptar një prezencë brutale brenda BE-së”.
Për të provuar këtë, autorët e shkrimit, Vincent Triest dhe Will Nicole sjellin të dhënat e publikuara nga Departamenti i Shtetit Amerikan, Europoli, Agjencia për Vlerësimin e Krizave të Krimit të Organizuar dhe autoritetet italiane.
“219,000 hektarë tokë janë përdorur për të prodhuar kanabis në 2016-me rreth 754,000 bimë të identifikuara”.
Për t’i thjeshtëzuar këto të dhëna, gazetarët Triest dhe Nicole vendosin hektarët e tokës të prodhuara për kanabis mbi të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë për tokat bujqësore në Shqipëri, që janë rreth 566,000 hektarë.
“Me një llogari të thjeshtë matematikore del që 38.6% e tokave bujqësore të Shqipërisë përdoren për të kultivuar kanabis”.
Këto statistika nuk tregojnë rezultatet që Edi Rama premtoi.
Newsweek citon Lulzim Bashën, i cili problemin e drogës e sheh si distancues të Shqipërisë nga Europa.
“Ka shumë drogëra që janë kultivuar, që tani qëndrojnë në tunele, depo dhe magazina”, tha Basha.
“Nga ky vend që drogat trafikohen në Itali dhe vende të tjera evropiane.
Ky është një problem jashtëzakonisht i rëndësishëm për partnerët tanë evropianë, që vetëm largon Shqipërinë nga Europa, kur kemi ndërmarrë shumë iniciativa të tjera për të përmirësuar lidhjet dhe për të harmonizuar legjislacionin”, shprehet kryetari i Partisë Demokratike.
Sipas Newsweek, grupet kriminale po krijojnë tregje të reja në Holandë, për të trafikuar jo vetëm kanabis, por edhe drogëra më të rënda. Sipas Lulzim Bashës, miliardat e eurove të përfituara nga kanabisi dhe lidhjet me politikën shqiptare, organizatat e fuqishme kriminale po i përdorin për të fituar tregun për trafikun e këtyre drogërave të forta.
“Me miliardat e eurove të bëra përmes kultivimit të kanabisit, krimi i organizuar shqiptar ka përdorur të njëjtën rrugë, të njëjtën infrastrukturë dhe të njëjtat lidhje me politikën shqiptare, në mënyrë që të fitojë tregun për trafikimin e kokainës dhe heroinës brenda Evropës. Kriminelët shqiptarë tani kontrollojnë shpërndarjen e këtyre drogave, dhe kjo reflekton jashtëzakonisht keq në identitetin tonë kombëtar”. Sipas Newsweek, tre raporte brenda BE-së pajtohen me këto fakte.
Këtyre ngjarjeve për të cilat Basha ‘frikësohej’, tashmë po ndodhin.
Newsweek citon deklaratën e fundit të ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri, Donald Lu, që kërkonte kapjen e ‘peshqve të mëdhenj’. Sikurse përkthen Lapsi.al, krerët e mëdhenj të krimit në Shqipëri praktikisht duken imunë ndaj ndjekjes penale. Gazetarët Vincent Triest dhe Will Nicole shkruajnë se tensionet u rritën javët e fundit, kur ish-ministri i Brendshëm i Edi Ramës, Saimir Tahiri, përfshihej në biseda të përgjuara telefonike nga autoritetet italiane.
Gjatë bisedës, kushëri i Tahirit, një trafikant i dënuar i drogës, duket se sugjeron që 30 mijë euro duhen ruajtur për “Saimirin”. Për t’i shmangur këto dyshime, Tahiri u përpoq të shfaqi pafajësinë e tij gjatë emisionit të Sokol Ballës.
“Disa ditë më vonë, zbulimi i 863 mijë eurove cash, që thuhet se i përkasin Tahirit, nuk përmirësojnë besimin e shikuesit. Në kohën e këtij shkrimi, Tahiri është në Gjermani, me paqartësi rreth imunitetit të tij nga ndjekja penale, duke e lejuar atë të largohet nga vendi”, shkruhet në artikullin e Newsweek, që përkthen Lapsi.al.
Theksi vihet tek zemërimi i shoqërisë për mënyrën si njerëzit e thjeshtë që punojnë në këtë industri miliarda dollarëshe përbëjnë shumicën dërrmuese të të dënuarve për trafik dhe kultivim droge, ndërsa të pasurit dhe të fuqishmit nuk vuajnë pasoja të tilla.
Sipas Newsweek, të rrezikosh 5 vite burg për një ‘rrogë’ 400 euro në muaj, sa ç’paguhen punonjësit e thjeshtë në industrinë shqiptare të kanabisit, është e vetmja mundësi për të jetuar, pasi punë tjetër nuk ka. Këtë dëshpërim e fakton “dëshira e shqiptarëve për të emigruar, që është tejkaluar globalisht vetëm nga Haiti dhe Sierra Leone”.
Pjesa më e madhe e njerëzve që punojnë në industrinë e kanabisit nuk kanë asnjë dëshirë për të shkelur ligjin, pasi kjo bie qartë në kundërshtim me vlerat e tyre morale, por recesioni dhe varfëria nuk i lë zgjidhje tjetër. Kështu shprehet deputetja, Rudina Hajdari, shkencëtare politike e arsimuar në SHBA dhe anëtare e Komitetit të Punëve të Jashtme të Qeverisë shqiptare.
Një pjesë e Komunitetit Europian ka shpehur shqetësime serioze për integritetin e klasës politike shqiptare. Shtetet e Bashkuara kanë bërë akuza të drejtpërdrejta për lidhjet me kriminalitetin. Newsweek shkruan se vetë shqiptarët akuzojnë vazhdimisht politikanët e vendit për korrupsion dhe abuzim të pushtetit.
“Zoti Rama nuk mund të quhet udhëheqës, kur në mandatin e tij si Kryeministër droga është kthyer nga një problem për vendin, në një pandemi kombëtare, e cila do të ndikojë përgjithmonë në qëndrimin ndërkombëtar të vendit të tij dhe në rrugën drejt pranimit në BE. Asnjë udhëheqës nuk do të ndikonte negativisht në jetën e elektoratit të tij. Nëse nuk fillohet të ndërrmeren menjëherë veprime, trashëgimia politike e zotit Rama do të jetë ajo e një njeriu që nuk mund të zbatojë politika dhe zgjidhjet e vështira me të cilat përcaktohet një udhëheqës i vërtetë”, mbyll artikullin Newsweek.
Buffon: Unë menaxher? Nuk dua të bëj kukullën
Pas disfatës kundër Sampdorias, ndeshja e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës do të jetë edhe më e rëndësishme për Juventusin. Me rastin e ndeshjes së madhe, faqja e klubit bardhezi donte të bënte një intervistë të dyfishtë me simbolet e dy skuadrave. Po flasim për Gigi Buffon dhe Andres Iniesta. Ishte, sidomos, kapiteni i Juventusit, për të na dhënë frazat më interesante. Sidomos për të ardhmen, pasi ky do të jetë sezoni i fundit për portierin. Këto janë fjalët e tij të para:
“Nëse e shoh veten si një menaxher në të ardhmen, nuk e pëlqej figurën e kukullës apo injorantit…” Pastaj, Buffon u kthye mbrapa në kohë e në vend: “Deri në moshën 12 vjeç kam luajtur si mesfushor. Pastaj erdhi tronditja e parë e Kupës së Botës, në vitin 1990. Simpatizoja shumë portierin e Kamerunit, Thomas N’kono, dhe doja të vihesha në gjurmët e tij”. Në fund, Buffon e sheh momentin e “lamtumirës”, që do të vijë së shpejti: “Si mund të imagjinoj lojën time të fundit? Si e para, me entuziazëm të madh, me krenari të madhe”.
Real Madrid në emergjencë sulmi
Për shkak të problemeve me shënimin e golit, që po kalon Real Madridi, nuk është përjashtuar fakti që në muajin janar, Florentino Perez të mund të nënshkruajë një shënues të spikatur. Faqja e internetit “Tribalfootball” thekson se udhëheqësit e “Los Blancos” do të përpiqen në merkaton e dimrit për të marrë shërbimet e Alenxis Sánchez, i cili nuk do të rinovojë me Arsenalin. Duke qenë se i përfundon kontrata verën e ardhshme, klubi i tij aktual do të donte ta shiste në janar, me qëllim që të mos e humbasë me parametra zero.
Flitet për një shifër, që do të ishte rreth 30 milionë euro, për të cilën Arsenal e jep miratimin e tij për transferimin. Trupa teknike e Real Madridit e miraton këtë “inkorporim”. Mos harroni se deri më tani, Cristiano Ronaldo dhe Benzema kanë shënuar vetëm nga një gol secili në La Liga, ndërsa Alexis është një nga goleadorët më të spikatur në Europë. Nuk është hera e parë që Florentino Perez përpiqet ta rekrutojë kilianin, por tani ka edhe miratimin e lojtarit, që është i ngazëllyer për mundësinë e vendosjes nën komandën e trajnerit Zidane.