31.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Tallja me taksapaguesit, hiqen palmat, 2.5 milionë euro për pisha

Bashkia e Tiranës planifikon që të zëvendësojë deri në fund të këtij viti palmat me pisha në segmentin e autostradës Tiranë-Durrës, nga mbikalimi i Kamzës tek ai i Kasharit. Vendimi është bërë i ditur në relacionin për disa ndryshime dhe rishpërndarjen e fondeve në buxhetin e Bashkisë së kryeqytetit për vitin 2017.
“Gjatë periudhës që sapo kaloi me thatësirë të pazakonte, bimësia dekorative (palmat e mbjella) nuk u përshtatën me kushtet klimatiko-tokësore të Tiranës, kësisoj nuk i mbijetuan zhvillimit të ciklit të tyre jetësor”, thuhet në relacion. Për këtë arsye propozohet që në vend të palmave të mbillen lloje dekorativësh të pishës së butë, që përshtaten me klimën dhe mjedisin.
Duke qenë se periudha më e mirë për mbjelljen e pishës së butë është muaji dhjetor, kërkohet përfshirja në buxhet e këtij investimi. Për ujitje propozohet sistemi ujitës artificial në formë shiu.
Bashkia ka bërë riplanifikim, duke reduktuar fondet për disa artikuj ku është vënë re zbatim i ulët i planit të investimeve, si psh ato të pastrimit.
Kosto e plotë e projektit “Furnizim dhe vendosje drurë dekorativë në zonën industriale Kamëz-Kashar” është 333.8 milionë lekë, ose gati 2.5 milionë euro, e shpërndarë në 66.7 milionë lekë në 2017-ën, 117 milionë lekë në 2018-ën dhe 150 milionë lekë në 2019-ën.
Në rishpërndarjen e fondeve të buxhetit, Bashkia ka miratuar edhe rishpërndarjen e fondit të investimeve brenda programit të menaxhimit të rrugëve dhe programit të kujdesit social për vitin 2017, si dhe detajimin e fondeve shtesë të transfertës specifike brenda programit të arsimit parauniversitar dhe edukimit për vitin 2017.

Palmat e palavdishme

Palmat në autostradë u mbollën rreth tre vjet më parë, si pjesë e një plani që përfshiu dhe rregullimin e sinjalistikës në zonën Mbikalimi i Kamzës dhe i Kasharit deri në Aeroportin e Rinasit. Kosto e mbjelljes së tyre u raportuan në atë kohë në rreth 1 milion euro. Dimrin e kaluar palmat nuk i rezistuan të ftohtit dhe u thanë në pjesën më të madhe të tyre. Ndonëse në pjesën më të madhe të vendit, palmat u rigjallëruan me ardhjen e pranverës, në zonën e autostradës ato mbetën të thara me pak përjashtime.

Teliti: Investitorët e huaj s’vijë prej taksave të larta, procedurave të shumta dhe problemi me pronat

Këshilltari për ekonominë në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, i ftuar në “Fax News” ka deklaruar se qeveria po mbledh taksat nga qytetarët, por paratë e mbledhura nuk po përkthehen në të ardhura për qytetarët. Sipas tij vendi ynë ka një problem të madh për shkak të klimës së keqe të biznesit në vend. Teliti tha se pa projektin TAP dhe hidrocentralin e Devollit ekonomia nuk do të rritej, ndërsa do të jetë një problem i madh kur këto dy projekte të mbarojnë pasi ekonomia shqiptare do të humbasë ushqimin kryesor të rritjes së saj. Teliti foli edhe për diplomacinë ekonomike. Ai tha se aktorët e diplomacisë ekonomike janë marketues dhe ata thjesht marketojnë produktin për investitorët, ndërkohë që produkti që ofrojmë ne është skarco. Ai renditi tre faktorë kryesorë se pse vendi ynë nuk tërheq investitorë të huaj. Sipas Telitit taksat e larta, procedurat e shumta dhe problemi me pronat janë faktorët kryesorë se pse në vendin tonë nuk investohet. “Situata financiare e bizneseve nuk ka ndonjë përmirësim. Buxheti duhet të vijë në rritje sepse taksat janë rritur. Ndryshimi i skemës së taksimit të pronës, kemi një ndryshim të modelit të taksimit të pronës çka që do të thotë se do të paguhet dy herë më shumë për taksën e pronës dhe kjo do të godasë ato që kanë të ardhura më të ulëta. Nëse ne vazhdojmë të rrisim taksat vit pas viti duke mos u përkthyer në rritje ekonomike që do të sillte të ardhura shtesë, apo mos të kemi rritje të ardhurash dhe pagave, praktikisht kemi më shuma para në arkën e shtetit, por që nuk përkthehen tek qytetarët shqiptarë, çfarë do të ishte një shpërndarje më e drejtë e pasurisë. Po ta krahasosh papunësinë sot me atë të para 4 viteve jemi po aty. TAP-i dhe hidrocentrali i Devollit kanë qenë faktorët kryesorë për rritjen ekonomike. FMN dhe Banka Botërore thotë se rritja ekonomike nuk do të jetë 4.2, por do të ulet në 3.6. Nuk mund të bazohemi vetëm tek dy projekte, do të ishin në masën 2.5%, pra ato dy projekte kanë pasur peshën kryesore. Duhet të gjejmë burime të tjera për rritjen ekonomike, në momentin që këto dy projekte do të mbarojnë do të kemi problem me rritjen ekonomike sepse ushqimi kryesor, paratë që vijnë për këto projekte do të mungojnë. Diplomatët janë marketues, duhet të marketojnë një produkt, por ne duhet të jemi atraktivë në mënyrë që diplomatët ta marketojnë. Por ne kemi taksat e larta, procedura më tepër se të tjerët, kështu ne jemi të fundit në rajon. Të kesh një produkt të mirë dhe ta marketosh këtë duhet ta bëjë diplomacia, por ne kemi produkt skarco. Ne kemi tre faktorë kryesorë se pse nuk tërheqim investitorë dhe renditemi të fundit në rajon për klimën e biznesit: Procedurat e shumta, taksat e larta, problemi me pronën”, tha Teliti.

Banka Europiane: Shqipëria me nivel të lartë të përdorimit të euros, tregues mosbesimi

Një vrojtim i Bankës Qendrore Europiane tregon se, agjentët financiarë në rajonin e Ballkanit vazhdojnë të parapëlqejnë përdorimin e euros në vend të monedhës së tyre kombëtare kryesisht për arsye, të cilat lidhen veçanërisht me besimin. Në një studim të publikuar së fundmi “Roli Ndërkombëtar i Euros”, BQE referon se, preferenca për euron është veçanërisht e lartë në Shqipëri dhe Maqedoni.
Preferenca për euron në këto vende po udhëhiqet nga pritshmëritë jo optimiste për ardhmen dhe me kujtimet e hidhura të sa kaluarës.
“Krizat janë përcaktues të rëndësishëm të vendimeve të individëve për të kursyer apo për të paguar në para në euro”, thuhet në vrojtimin e BQE. Banka ka vërejtur se pas krizës së borxheve në Eurozonë të vitit 2009, ka nisur të bjerë besimi ndaj euros i koordinuar edhe me politikat kombëtare të vendeve. Por Shqipëria dhe Maqedonia vijuan të kenë nivelin më të lartë të përdorimit të euros në transaksionet e tyre cash në raport me vendet e tjera.
Sipas të dhënave të BQE, euro zuri 28% të cash në Shqipëri në vitin 2016, nivel më të lartë pati vetëm Maqedonia me 33%. Vendi që ka përdorur më së shumti euron në rajon ka qenë Serbia.
Në vitin 2007, serbët mbanin 44% të cash-it në euro, teksa në vitin 2016, kjo sasi është përgjysmuar me vetëm 22%. Rënia e përdorimit të euros ka qenë e ngurtë në Shqipëri, pasi gjatë 10 viteve përdorimi i saj ka rënë me vetëm 4%.
BQE referon se pas krizës financiare globale dhe krizës së borxhit të Eurozonës, besimi në euro ka rënë dhe frekuenca e mbajtjes së parave në euro është ulur.
Dërgesat mujore neto të kartëmonedhave euro për në destinacionet jashtë zonës së euros sugjerojnë se kërkesa e huaj për kartëmonedha euro ka rënë në 2016.
Por Banka Qendrore Europiane pohon se, përdorimi i euros në vendet jashtë Eurozonës ka rënë edhe për shkak se ajo ka vendosur të ndërpresë prodhimin dhe lëshimin e kartëmonedhës 500 euro.
BQE ka gjetur se kartëmonedhat cash të euros në vendet jashtë Eurozonës janë shumë më të mëdha se, treguesit zyrtar nga transfertat e bankave dhe flukset ndërkufitare.
Nëpërmjet një metode indirekte vlerësimi, e cila përfshin sasi të flukseve të kartëmonedhave, duke kombinuar informacionin mbi qarkullimin e brendshëm, qarkullimin e monedhave dhe supozimet mbi faktorët potencialë që krijojnë këto flukse, sugjeron që qarkullimi aktual i kartëmonedhave jashtë zonës së euros mund të jenë shumë më i lartë. Sipas kësaj metode, banorët jashtë zonës së euros zotërojnë 341 miliardë euro, shifër kjo gati dy herë më e lartë se ajo që tregojnë të dhënat zyrtare të dërgesave.

Tjetër rritje skandaloze e taksës së pronës për bizneset

Çmimet e ndërtesave përcaktohet nga tregu i lirë dhe e njëjtë duket se do të jetë edhe logjika e taksimit të tyre. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave se, puna e kadastrës fiskale do të jetë përcaktimi i një takse sa më të drejtë në raport me zonën ku është banesa. Mbi vlerën që ka kjo e fundit do të merret një përqindje 0.05, të paktën për individët. Vendosjes së një çmimi sa më real i ka paraprirë pjesa e rivlerësimit të pasurive që u mbyll në maj të këtij viti.
Gjithsesi për çdo rast që nuk ka kaluar këtë proces, kadastra do të ketë vlerësimin e saj që sjell pasurinë në vlerën e tregut. Në çdo rast mes çmimit minimal dhe çmimit maksimal të një zone të caktuar duket se vlerësimi do të bëhet mbi maksimalin. Sipas ministrit nëse individi blen në një zonë ku çmimi minimum fiskal është 1000 euro/m2, dhe transaksionet janë 1300/m2 euro do të paguaj mbi vlerën e tregut 1300 euro/m2”.
Diskutimet kanë rezultuar edhe me një rritje të taksës që do të paguajë biznesi. Ministria e Financave kishte propozuar që fillimisht përqindja që do të aplikohet mbi çmimin e një ndërtese që përdoret për veprimtari ekonomike të ishte 0.15%, por që më pas propozimi erdhi për 0.2%. Këtë e ka miratuar edhe Komisioni, duke bërë që biznesi tashmë të taksohet me vlerën më të lartë sesa drafti i fillimit.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkoi që Financat të jenë më të qartë lidhur me metodologjinë që do të aplikojnë për taksën e pronës, e cila në vitin 2018 hyn në një cikël komplet të ri.
Kryetari i Komisionit, Erion Braçe solli në vëmendje deformimin e çmimeve që mund të sjellin në treg paratë e pista. Sipas tij mund të ketë raste kur individë të caktuar mund të blejnë me një çmim më të lartë sesa çmimi mesatar i tregut thjesht me synimin e pastrimit të parave dhe kjo mund të rezultojë në një çmim më të lartë, që automatikisht rrit taksën mbi ndërtesën. Po kështu, ai nënvizoi faktin që taksa e pronës, e cila do të paguhet çdo tre muaj në faturën e energjisë elektrike mund të japë ndikim tek arkëtimet e OSHEE, pasi vlera e faturës do të rezultojnë dukshëm më e lartë se mesatarja që paguan një familje.
Ministri i Financave nënvizoi edhe një herë faktin se për disa kategori specifike është menduar që të ketë tolerim, duke i përjashtuar. Nga përllogaritjet e bëra rezulton që të paktën 36 për qind e stokut të banesave përjashtohet. Nga këto të paktën 60 mijë familje janë në Tiranë.

Dhoma Amerikane kritika qeverisë për rritjen e taksave

Bizneset shprehën mendimet e tyre për ndryshimin në taksën e pronës, ndryshimin në taksën e infrastrukturës mbi ndërtimet, tatimit mbi të ardhurat personale dhe shtrirjen e skemës se TVSh-së për bizneset qe kanë xhiro më të lartë se dy milionë lekë, nga 5 milionë lekë që është aktualisht.
Për sa i përket taksës së banesave, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, propozoi që për shtëpitë e para të jetë zero. Sipas Jakës, do stimulohen individët për të blerë një shtëpi. Ai shtoi se shtëpitë e dyta dhe të treta të paguajnë më shumë.
Jaka tha se taksa e infrastrukturës, prej 8 për qind mbi çmimin e shitjes për ndërtimet civile ndikon për investimet.
Kreu i Dhomës së Tregtisë u shpreh kundër uljes së pragut të TVSH-së në 2 milionë lekë, pasi kjo sipas tij do të nxisë informalitetin.
Për sa i përket heqjes së TVSH-së për ushqimet e shportës bazë, një propozim i deputetëve të LSI, Jaka u përgjigj se produktet ushqimore janë në 70 për qind importe dhe ulja e TVSh nuk do të sjellë përfitim në ekonomi.
Dhoma Amerikane ka ripërsëritur komentet e saj për paketën fiskale. Anëtarët e Dhomës i kanë kërkuar qeverisë që të mbajë premtimin që bëri përpara zgjedhjeve, që tatimi mbi pagat e larta mbi 130 mijë lekë në muaj të ulet nga 23% në 18%. Në paketën fiskale aktuale mungon një nismë e tillë.
“Ulni taksën mbi TAP që të ketë rritje të pagës dhe të deklarimit të tyre”, thanë përfaqësuesit e Dhomës Amerikane.
Në këtë paketë fiskale vumë re se, shumë prej ligjeve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Dhoma Amerikane ka kërkuar që elementë të rëndësishëm duhet të përcaktohet me ligj.
Aktualisht në rastin e TVSh-së, kufiri përcaktohet me VKM. Dhoma ka kërkuar që kufiri të mos ndryshojë nga viti në vit.
Në opinionin e anëtarëve të Dhomës, ligji duhet të përcaktojë qartë detyrimin tatimor, duke përcaktuar qartë dhe pa ekuivoke si bazën e tatueshme ashtu edhe normën tatimore. Aktet nënligjore do të duhet më tej të specifikojnë detaje apo japin sqarime, por jo të vendosin elementë tepër llogaritjes së detyrimit tatimor.

Plaku ndal Skënderbeun

Kamza ndal sërish Skënderbeun, këtë herë në Korçë dhe konfirmon se barazimi i fazës së parë nuk ishte një rastësi. Skuadra e drejtuar nga Ndreu arriti të marrë një barazim 1-1, ashtu si në fazën e parë, ndërsa këtë herë edhe Sebino Plaku shijoi hakmarrjen personale ndaj korçarëve.
Skënderbeu kaloi i pari në avantazh, me anë të mbrojtësit kroat, Radas, në minutën e 66’, ndërsa kapiteni Plaku barazoi për Kamzën, vetëm në minutën e 89’. 5 minutat shtesë nuk mjaftuan për të shijuar një tjetër gol, ndërsa skuadra e Ndreut konfirmoi edhe një herë se mund të përballet me këdo në Superligë.
Vllaznia humb sërish në Durrës dhe zhytet në krizë, teksa mbetet në vendin e parafundit, me një pikë më tepër se Lushnja. Skuadra e Gjokës nuk arriti të shfrytëzojë freskinë fizike ndaj durrsakëve, të cilët luajtën edhe në mesjavë, ndërsa ashtu si në ‘Loro Boriçi’, edhe sot vendimtar ishte një gol i Arbër Çyrbja-s, në minutën e 15’.
Më herët, Flamurtari arriti të mposhtë Lushnjën, me një gol të shënuar vetëm në minutën e 90’, falë mesfushorit Liçaj. Ky i fundit erdhi nga stoli dhe me një goditje të bukur, zhbllokoi një sfidë që po shkonte drejt barazimit. Java e 11 e Superligës do të mbyllet nesër me sfidat Luftëtari-Laçi dhe Kukësi-Partizani, ndërsa deri tani renditja kryesohet nga Skënderbeu, me 27 pikë, i ndjekur nga Flamurtari me 20 dhe Kukësi me 19.

“Relaks” para Skënderbeut

Të enjten në “Elbasan Arena”, Skënderbeu luan një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit. Përballë është Dynamo Kiev, skuadra më e fortë grupit B në Europa League. Një ndeshje ku nuk mungojnë elementët që favorizojnë korçarët. Duke nisur nga fakti që ukrainasit janë të kualifikuar në fazën tjetër dhe nuk kanë ndërmend të lodhin yjet e skuadrës.
Për këtë arsye, klubi njoftoi se ka ndryshuar axhendën e udhëtimit në Shqipëri, me skuadrën që do të zbarkojë në Tiranë vetëm gjatë pasdites së të mërkurës. Drejtuesit e Dynamos së Kievit vendosën të mos zbresin në fushë për stërvitjen zyrtare përpara ndeshjes, por ekipi do të zhvillojë një seancë të lehtë në kryeqytetin ukrainas përpara udhëtimit.
Arsyet janë të ndryshme: nga distanca e madhe, prej më tepër se 1,300 kilometra që natyrshëm shkakton lodhje te futbollistët, për të vijuar me faktin se, pasi hipotekuan kualifikimin në Europa League, tashmë në Kiev po i përqendrojnë forcat në kampionat, aty ku Dinamo po lufton për titullin me Shakhtar Donetsk.
Të mërkurën në Tiranë do të zhvillohet vetëm konferenca për shtyp e trajnerit Khatskevich, ndërsa ukrainasit do të largohen nga vendi ynë ditën pas ndeshjes, pra të premten. Kjo bën që Dynamo e Kievit të qëndrojë tre ditë në Shqipëri, ku nuk do të kryejë asnjë seancë stërvitore. Të gjitha indicie që kundërshtarët po mendojnë më tepër të rikuperojnë forcat.
Nga kjo situatë mund të përfitojë Skënderbeu. Korçarët që kërkojnë fitoren e parë në këtë edicion të Europa League, të vetëdijshëm se suksesi do t’i mbante në garë për vendin e dytë dhe kualifikimin eventual në fazën me eliminim direkt.

Guvernatori në varësi të Ramës rrezikon kolaps financiar e politik

Pas notave entuziaste të qeverisë Rama që lajmëroi fluksin e madh të investimeve që priten në kuadër të të famshmit “Projekti 1 miliard dollar” erdhën dhe reagimet e forta të opozitës.
Basha foli qartë kundër projektit, duke e cilësuar atë një përpjekje të qartë riciklimi parash dhe duke ftuar të gjithë institucionet amerikane të hetimit si DEA dhe FBI-ja, të hetonin buxhetin e shtetit të konceptuar si mbështetje ndaj riciklimit.
LSI, gjithashtu, u shpreh se abuzimi me PPP-të për të fshehur borxhin publik dhe për të mundësuar pastrimin e shumave të mëdha të parave të pista.
Për të ulur tensionin, Kryeministri shfrytëzoi takimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave, dhe duke ironizuar akuzat e opozitës iu drejtua të pranishmëve se ishin “nën kontrollin e krimit”, për të humbur pastaj ndjenjën e masës me një deklaratë krejt të pakujdesshme, që pati si qëllim të konfirmonte se në Shqipëri nuk ekziston asnjë mundësi për pastrimin e parave të pista.
Të nesërmen qe radha e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për të kryer shërbimin e tij të radhës në mbështetje të politikave të qeverisë, i cili i ftoi bankat të financojnë projektet PPP që qeveria po i ofron tregut shqiptar, duke e justifikuar këtë kërkesë euforike me gjendjen e shëndetshme financiare të sistemit bankar shqiptar, dhe duke bërë me dije se Banka Qendrore do të bënte çdo gjë për të mbështetur operacionet e financimit të projekteve PPP.

Pikërisht këtu qendron problemi

Tashmë prej shumë vitesh bankat shqiptare janë në kontrollin e Bankës Qendrore, e cila nuk autorizon financime që nuk janë të mbështetura si në garancitë e duhura financiare apo të pronave të paluajtshme, ashtu edhe në një plan biznesi që jep mjaftueshëm garanci për pagimin e borxhit nga ana e huamarrësit.
Përveç kësaj duhet të ketë një raport të besueshëm mes bilancit të tre viteve të fundit të huamarrësit dhe shumës së investuar dhe të ripaguar tek bankat. Në fund, ka një sërë normativash të mbikëqyrjes që lidhin nivelin maksimal të kredisë së dhënë ndaj një kreditori të vetëm me parametrat e pasurisë së bankës, apo ligje të tjera që kufizojnë aksesin nga ana e subjekteve tashmë të përfshirë në kredi të tjera.
Pra, në kushte normale asnjë bankë shqiptare nuk mund të financojë, dhe asnjë institucion i mbikëqyrjes bankare nuk mund të miratojë një projekt të përmasave të rrugës së “Arbrit”, i fituar nga një zhvillues me një fuqi financiare të ulët në krahasim me investimin, dhe që nuk mbështetet në flukse parash të sigurta dhe të mjaftueshme për të paguar bankën.
Kjo do të thotë se, ky lloj investimi mund të përfundohet vetëm nga institucione financiare ndërkombëtare, të cilat nuk janë banka normale dhe që, përgjithësisht, përdorin fonde të kapitalit të tyre, pra që nuk duhet të kthehen mbrapsht me kërkesë të depozituesit. Ky lloj institucioni financiar, përveç se ka përmasa më të mëdha se sa ato të bankave shqiptare, nuk është subjekt i rregullave të zakonshme të mbikëqyrjes bankare, dhe për më tepër mund të përballojë në mënyrë të ligjshme rrezikun e projekteve të përmasave të tilla.
Ndryshon logjika në rastin e PPP-ve për ndërtimin e shkollave në Bashkinë e Tiranës, ku fluksi i të ardhurave për të paguar mbrapsht investimin është i siguruar nga një kontratë me Bashkinë, e cila do të paguajë një qira të madhe për një periudhë kohore të gjatë, në mënyrë që t’i garantojë kompanisë, dhe si përfundim bankave, shlyerjen e financimit të dhënë.
Edhe rekomandimet më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar këmbëngulin se PPP-të duhen mbështetur në konceptin e transferimit të rrezikut, pra që një PPP mund të bëhet vetëm nëse ekziston transferimi i vërtet i rrezikut nga enti publik tek kompania koncesionare.
Por, nëse ekziston një rrezik për kompaninë, atëherë asnjë bankë shqiptare nuk mund të financojnë projektin, ndërsa nëse nuk ekziston një rrezik për kompaninë (sepse shteti garanton në kontratë flukse të nevojshme për shlyerjen e borxhit) sipas ligjit në fuqi (dhe sipas rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar) nuk mund të trajtohet si PPP.
Duke i premtuar bankave mbështetje financiare për këto projete të tipit PPP, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk i shërbeu qendrueshmërisë financiare të vendit (që është edhe misioni i tij kushtetues), por i shërbeu qendrueshmërisë politike të qeverisë. Madje, ai i ka shërbyer vetëm qendrueshmërisë afatshkurtër të qeverisë, sepse kjo mbështetje nuk do t’i shërbejë dot qeverisë në periudhën afatmesme, kur kostoja e lartë buxhtore e shkaktuar nga teprimi i futjes në borxh do të sjellë më në fund probleme si për qendrueshmërinë financiare dhe atë politike të vendit.

“Exit.al”

Kosovë, ndryshime pushteti në disa komuna

Në Kosovë në 19 komuna, përfshirë gjashtë qendrat e mëdha, u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash. Pjesëmarrja në këtë raund ishte rreth 40%. Zgjedhje të qeta dhe pa ndonjë parregullsi të madhe u zhvilluan këtë të dielë në 19 komuna të Kosovës, përfshirë edhe gjashtë qendrat e mëdha: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Ferizaj, Gjilani dhe Mitrovica. Në disa nga këto qendra ndodhën edhe ndryshime të pushtetit lokal. Nga zgjedhjet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryeqyteti Prishtina vazhdon të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosja dhe kandidati i saj, Shpend Ahmeti. Por fitorja ende nuk është përfundimtare, sepse Ahmeti ka fituar vetëm rreth 300 vota më shumë se kandidati i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi. Ndërkohë që kanë mbetur për t’u numëruar edhe rreth 1500 vota me kusht.

VV fiton edhe në Prizren?
Lëvizja Vetëvendosja fitoi edhe Prizrenin me kandidatin e saj, Mytaher Haskuka – të paktën shikuar nga rezultatet e deritanishme. Edhe në këtë komunë duhet pritur numërimi i votave me kusht, sepse dallimi mes kandidatit të VV dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës, është shumë i vogël. PDK ka qenë deri tani në pushtet në Prizren.
Lëvizja Vetëvendosja ka fituar edhe komunën e Kamenicës. Pushteti ka ndryshuar edhe në Ferizaj, i cili do të udhëhiqet nga PDK dhe kandidati i saj Agim Aliu. Kjo komunë deri tash udhëhiqej nga LDK, e cila ka fituar edhe në Gjilan, Podujevë, Vushtri dhe Istog. LDK vazhdon të jetë në garë kokë më kokë me PDK në komunën e Dragashit.
Komuna e Mitrovicës së Jugut do të vazhdojë të udhëhiqet nga Agim Bahtiri, që ishte kryetar edhe në mandatin e kaluar. Numrin e komunave të fituara e shtoi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj. Kjo parti ka fituar në Gjakovë (Ardeian Gjini), Suharekë (Bali Muharremaj), Rahovec (Smajl Latifi), Klinë (Zenun Elezaj) dhe Obiliq (Xhafer Gashi). Ndërkohë që Nisma për Kosovën, ka mbetur në pushtet në Malishevë.

Lista Srpska fitoi më së shumti komuna
Lista Srpska ka tituar sipas të gjitha gjasave në Partesh, ndaj ky do të jetë subjeti politik që ka fituar më së shumti komuna në Kosovë – 10 komuna të banuara me shumicë serbe. Zyrtarë të KQZ thonë se, akoma nuk janë numëruar votat me kusht dhe ato me postë, gjë që mund të përmbysë rezultatin në disa komuna.
Ky ishte raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash, pasi që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 22 tetor, asnjëri nga kandidatët nuk e mori numrin e mjaftueshëm mbi 50 për qind të votave. Pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjeve ka qenë rreth 38%. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve që monitoruan zgjedhjet për kryetar komunash ishte rreth 12.000. Monitoruesit ishin përfaqësues nga subjektet politike, nga ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat joqeveritare, si dhe monitorues nga Bashkimi Evropian. Vëzhguesit thanë se edhe në raundin e së dielës janë përsëritur parregullsitë e njëjta sikurse në zgjedhjet e fundit – ka pasur votime familjare dhe përpjekje për votime të dyfishtë.

Rezultatet zyrtare në fund të javës
Rezultatet përfundimtare do të publikohen në fund të javës. Në zgjedhjet e balotazhit për kryetar komunash, më së shumti kandidatë ka pasur LDK (12), pastaj PDK (9), Lëvizja Vetëvendosje (6), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (5), Aleanca Kosova e Re (1), Nisma (1) dhe Alternativa (1).
Në raundin e parë të zgjedhjeve të 22 tetorit, 19 komuna përfunduan procesin e zgjedhjes së kryetarit, ndërsa, për asamblistët komunal procesi përfundoi në të 38 komunat e Kosovës. Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, në raundin e parë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar në 4 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në një dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 2 komuna. Ndërkohë që lista Serbe kishte fituar që në raundin e parë në 9 komuna të Kosovës. Partitë e para në raundin e parë nuk kanë fituar asnjë komunë.
Në komunat e banuara me shumicë serbe janë regjistruar, sipas raportit të vëzhguesve evropianë, “presione tek votuesit që të votohet vetëm për një subjekt politik”, në këtë rast për listën “Srpska”, e cila e ka mbështetjen e qeverisë në Beograd.

SHBA denoncon lëvizjet e fundit ruse ndaj mediave amerikane

Former Utah Gov. Jon Huntsman testifies during a hearing of the Senate Foreign Relations Committee on his nomination to become the US ambassador to Russia, on Capitol Hill, Tuesday, Sept. 19, 2017 in Washington. (AP Photo/Alex Brandon)

Ambasadori amerikan në Rusi denoncoi të dielën lëvizjen e Moskës për të detyruar nëntë media amerikane me fonde qeveritare që të regjistrohen si “agjentë të huaj”, si të ekzagjeruar në krahasim me atë që bëri qeveria amerikane kur i kërkoi rrjetit televiziv RT të financuar nga Kremlini për t’u regjistruar si i tillë në Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori Jon Huntsman tha se reagimi rus nuk është aspak “reciprok” dhe lëvizja e Moskës drejt masave për agjencitë e lajmeve, nëse zbatohet do ta bënte “praktikisht të pamundur që ato të funksionojnë” në Rusi.
Ai tha se, Ligji për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA) në bazë të të cilit është regjistruar RT, ka si synim nxitjen e transparencës, por nuk kufizon operacionet e rrjetit televiziv në Shtetet e Bashkuara.
Dhoma e Ulët e Parlamentit rus miratoi të mërkurën amendamente për zgjerimin e efektit të një ligji të vitit 2012 që vë në shënjestër organizatat qeveritare, përfshirë median e huaj. Shpallja si agjentë të huaj do t’u kërkonte mediave të huaja që rregullisht të bënin publike objektivat e tyre, detaje të plota të financave, burimet e fondeve dhe personelin.
Ministria ruse e Drejtësisë tha të enjten se kishte njoftuar “Zërin e Amerikës”, Radion “Evropa e Lirë”/Radion Liria dhe shtatë media të veçanta rajonale që veprojnë në Rusi, që mund të prekeshin nga ky ndryshim.
“Nuk është aspak e ngjashme me atë që po bëjmë ne me FARA-n. Është përtej saj. Dhe ne mendojmë se parimet e medias së lirë në çdo shoqëri dhe demokraci të lirë, janë absolutisht kritike për ne. Liria e shprehjes është pjesë e saj. Prandaj për mua ka rëndësi kjo çështje”, tha Ambasadori Huntsman.
Ministria ruse e Drejtësisë tha se, kërkesat e reja pritet të kthehen në ligj “në të ardhmen e afërt”.
Drejtoresha e “Zërit të Amerikës”, Amanda Bennett tha këtë javë se, “Zëri i Amerikës” është, sipas ligjit, një organizatë lajmesh e pavarur, e paanshme dhe e bazuar në fakte”.
Presidenti i Radios “Evropa e Lirë” dhe Radio Liria, Tom Kent, tha se ndryshe nga Sputnik dhe media të tjera ruse që veprojnë në SHBA, mediat amerikane që veprojnë në Rusi nuk kanë qasje në televizionin kabllor dhe në frekuencat e radios.