Ministri i jashtëm turk, Melvin Cavusolgu po mban një takim me homologët e tij nga Rusia dhe Irani në Antalia, për të përgatitur terrenin për takimin e nivelit të lartë të së mërkurës në Rusi ku do të diskutohet për Sirinë.
Megjithëse Ankaraja mbështet palët kundërshtare të atyre që përkrahin Teherani dhe Moska në luftën civile të Sirisë, ata kanë bashkëpunuar gjithnjë e më shumë për të zgjidhur konfliktin.
Forcat e armatosura të treja vendeve janë dislokuar për krijimin e “zonës së de-shkallëzimit” në enklavën siriane të Idlibit, një nga bazat e fundit të kryengritësve që po luftojnë regjimin e Damaskut.
Pavarësisht nga bashkëpunimi në rritje, programet konkurruese të vendeve po dalin gjithnjë e më në pah, tani që mposhtja e Shtetit Islamik dhe forcave kryengritëse në luftën civile siriane është e afërt. Takimi i së dielës në Antalia, po përpiqet t’i zbusë këto mosmarrëveshje para takimit të së mërkurës.
Turqia, Rusia dhe Irani diskutojnë për Sirinë
Me hapa të vegjël kundër ndryshimit të klimës
Konferenca Botërore për Klimën në Bon të habit. Ecet vërtet përpara, por shumë ngadalë. Qymyri po bëhet një ndër problemet gjithnjë e më të mëdha – kryesisht për Gjermaninë të vëtëshpallur si model, mendon Jens Thurau.
Ç’solli kjo Konferencë Klime tani në Bon? Një sukses, ashtu si duan të na e shesin atë të deleguarit e shteteve? Një injorim i rëndësisë së ndryshimit të klimës, sikurse mendojnë grupet e mbrojtjes së mjedisit? E vërteta është si gjithmonë diku në mes.
Të deleguarit, kanë të drejtë: qysh në fillim ishte e qartë, se në Bon do të flitet vetëm për detaje mjaft komplekse dhe teknike të Marrëveshjes së Parisit për Klimën të vitit 2015. Si p.sh. si do të mund t’i krahasojnë 190 vendet e OKB-së objektivat e tyre për klimën të përcaktuar në Paris. Kjo nuk tingëllon interesante. E të gjitha këto çështje duhet të vendosen përfundimisht pas një viti në Konferencën e ardhshme për Klimën në Poloni. E pra dalëngadalë po avancon karvani i klimës. Gjithmonë duke u sjellë rreth çështjes delikate të të gjitha konferencave të OKB-së – unanimitetit në fund. Duhet shumë optimizëm dhe durim, për ta gjetur këtë. Nga ana tjetër, mund të kishte dalë edhe më keq, me një situatë të tillë të zbehtë të vendimmarrjes.
Energjia e qymyrit një mega-problem
Grupet ekologjiste kanë vendosur gishtin në njërën plagë në Bon: asnjëherë tjetër nuk është folur kaq shumë për energjinë e qymyrit në një konferencë për klimën sa në Bon. Kjo energji ende vazhdon të përdoret në Kinë, në Indi, në SHBA, e pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të avancuar me energjitë e rigjenerueshme edhe në Gjermani, që si vendi organizator i konferencës sivjet u përball edhe me pyetje të pakëndshme, se përse ky vend nuk ia del t’i realizojë objektivat për klimën.
A nuk janë gjermanët, që e paraqesin veten si paraprijës për mbrojtjen e klimës? Jo realiste ishin pritjet nga fjalimi i kancelares në Konferencën e Klimës, pasi ishte e qartë: Angela Merkel nuk mund të përmendë një datë për nxjerrjen nga përdorimi të energjisë së qymyrit, sepse ajo ende nuk e di, nëse dhe me kë do të mund të vazhdojë të qeverisë në Berlin. 23 shtete kanë deklaruar në Bon, se shpejt duan të heqin dorë nga energjia e qymyrit – Gjermania nuk bën pjesë në këtë grup. Kjo ka të bëjë me faktin, se një qeveri e komanduar nuk mund të marrë një vendim të tillë me efekt afatgjatë. E pra mund të thuash është gjetur koha e papërshtatshme.
Pas euforisë së Parisit
Bëhet e qartë: pas euforisë së Parisit para dy vjetësh, politika ndërkombëtare për klimën sërish ka arritur në nivelin e mundimeve për detajet. Premtimet e vitit 2015 tani duhet të zbatohen, por kjo është e vështirë. Në aspektin gjeopolitik kohët gjithsesi nuk janë të përshtatshme për marrëveshje multilaterale: despotë dhe nacionalistë në Europën Lindore, në Turqi dhe SHBA nuk kanë receptorë për mbrojtjen e klimës.
SHBA-ja: qeveria izolon
Por sidoqoftë, sa i përket SHBA-së: tashmë kanë kaluar kohët, kur të gjitha shtetet shihnin nga SHBA-ja, nga ulje ngjitjet e saj lidhur me politikën e klimës. Herë bllokadë nën republikanët, herë përparim si me Barack Obama-n. Prej kohësh bazat janë hedhur. Vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion ekonomik, si dhe shtetet e industrializuara bashkëpunojnë, japin para për përshtatjen me ndryshimin e klimës, formulojnë objektiva. Qytetet dhe rajonet, madje edhe ato në SHBA bënë të qartë në Bon, se nuk do të lejojnë të ndalen prej mohuesit të klimës Donald Trump.
…e më pas vazhdon
Por të gjitha këto janë të pamjaftueshme. Sepse koha nuk pret më, e kjo është e drejtë. Por një tjetër skenë për ta zgjidhur problemin e njerëzimit, ndryshimin e klimës, nuk ka. E prandaj karvani i klimës vazhdon.
Dështon krijimi i qeverisë në Gjermani
Askush nuk e kishte menduar: Krijimi i qeverisë së ardhshme në Gjermani dështoi. Tani zhvillimet e tjera nuk dihen – flitet si për qeveri pakice ashtu edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja. Indes Pohl nga Berlini.
Pas Brexit, Donald Trump tani edhe kjo – Angela Merkel – të paktën aktualisht – nuk ia doli të krijojë një qeveri të re. Në një Gjermani të fortë, kaq të suksesshme në zemër të Europës, në motorin e BE-së, ende nuk dihet më shumë se 8 javë pas zgjedhjeve të Bundestagut, se si do të zhvillohen gjërat. Pak para mesnate, kreu i Partisë Liberale, FDP, Christian Lindner bëri të ditur dështimin e bisedimeve.
Sipas motos, më mirë asnjë koalicion, se sa një koalicion i gabuar. Kësaj i paraprinë negociata të vështira në një konstelacion të mundshëm qeveritar, i cili që nga fillimi kishte si synim aleancën e interesave dhe jo martesën nga dashuria. Një konstelacion që deri në fund u fiksua nëpër detaje, dhe nuk qe në gjendje që nga dallimet mes partive të krijonte një vlerë të shtuar të përbashkët.
AfD në Parlament
Për herë të parë u fut në Parlament një parti konservatore e djathtë, duke i trazuar ndjeshëm mundësitë e koalicioneve. Në një Parlament tanimë të përfaqësuar nga shtatë parti nuk ka zgjidhje të thjeshta. Refuzimi i hershëm i SPD-së për koalicionin e madh me konservatorët, bëri që kancelarja Merkel, tanimë prej 12 vitesh në pushtet, të hynte në bisedime të mundshme koalicioni, ku që në fillim nuk kishte ndonjë pozicion të pushtetshëm. Megjithëse, ajo përfaqëson partinë më të fortë. Por një parti të dobësuar nga rezultati i dobët i zgjedhjeve. Kështu roli që i mbeti Angela Merkelit ishte vetëm ai i ndërmjetësueses – e me këtë, ajo dështoi.
Me sa duket ishte FDP-ja, ajo që e pengoi Merkelin të gjente një narrativ të ri, një ide për një aleancë qeveritare, që nuk ishte e sprovuar më parë. Por që me guxim e me ide të reja, kjo aleancë mund të formësonte në mënyrë aktive realitetet e reja politike.
Në fokus politika e refugjatëve
Në qendër të konfliktit qëndroi politika ndaj refugjatëve. Politika liberale e Merkelit solli forcimin e AfD-së. E në fund, kjo solli edhe dështimin e qeverisë së re. Por kjo nuk është ndonjë provë se ishte veprim i gabuar të ndihmoje njerëzit në nevojë. Por një provë për atë, se nuk u arrit që mbështetja për të tjerët të mos bëhej kërcënim për vetjaken. Dështimi i krijimit të qeverisë tregon se edhe Gjermania ndodhet tani para kthesës. Dhe se suksesi ekonomik nuk ua heq njerëzve frikën para një të ardhmeje, ku refugjatët kthehen në një fushë projeksioni për pasiguritë e botës së globalizuar.
Zgjimi i së hënës nuk është vetëm për Gjermaninë një shok, por për të gjithë Europën. Sepse para nesh qëndrojnë jo vetëm javë, por muaj pasigurie.
Maqedoni: Arrestohen nëntë shtetase serbe dhe një e Malit të Zi
Policia e Maqedonisë ka njoftuar se i ka arrestuar nëntë shtetase të Serbisë dhe një të Malit të Zi, gjatë kontrollit të objekteve hoteliere në Tetovë dhe Gostivar.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë tha dje se, shtetaset e Serbisë dhe Malit të Zi janë arrestuar “për shkak të keqpërdorimit të qëndrimit turistik dhe për shkak se nuk e kishin të rregulluar qëndrimin në Maqedoni”.
Gjatë kontrollit nëpër kafene, restorante dhe klube në Tetovë dhe Gostivar, natën ndërmjet të shtunës dhe të dielës, janë arrestuar edhe 16 banorë të Maqedonisë për shkak të posedimit të drogës dhe mungesës së dokumenteve personale, ka raportuar programi në gjuhën maqedone i Radios “Evropa e Lirë”.
Policia dhe inspeksioni së bashku i kanë kontrolluar 31 objekte në këto dy qytete të Maqedonisë.
Për shkak të mosrespektimit të ligjeve janë mbyllur 19 lokale, në kohëzgjatje prej 15 e deri në 30 ditë.
Pakistan, aksidenti i rëndë me dhjetëra të vrarë
Zyrtarët thonë se nga ndeshja direkte e një minibusi me një kamion të ngarkuar me thëngjill, në pjesën jugore të Pakistanit, janë vrarë së paku 20 vetë dhe disa të tjerë janë plagosur.
Policia tha se ky aksident i rëndë ka ndodhur sot në një rrugë në rajonin Sindh të provincës, Khairpur.
Në mesin e udhëtarëve në minibus kishte edhe gra dhe fëmijë.
Zyrtarë të policisë thanë se, numri i të vrarëve mund të rritet, pasi disa të lënduar ishin në gjendje kritike shëndetësore.
Autoritetet konsiderojnë se hetimet fillestare sugjerojnë se aksidenti ishte shkaktuar nga shpejtësia dhe dukshmëria e kufizuar për shkak të mjegullës.
Aksidentet e trafikut në Pakistan janë të shpeshta, për shkak të kushteve të dobëta rrugore, mirëmbajtjen joadekuate të makinave dhe mosrespektimin e standardeve të sigurisë dhe rregullave të trafikut nga shoferët. Rrjedhimisht, sipas statistikave të qeverisë, për çdo vit nga aksidentet e trafikut vdesin më se 5 mijë vetë.
Skandal, Ministria e Drejtësisë dhe Agaçi manipulojnë dosjen e përgjimeve të Antimafias italiane
Ministrja e Drejtësisë deklaroi sot se kishte dorëzuar zyrtarisht në Prokurori dosjen e Antimafias italiane të përkthyer për Habilajt dhe Tahirin. Se çfarë ka në dosje kjo mbetet për t’u parë, por qytetari dixhital thotë se kemi të bëjmë me një përkthim të manipuluar nga Rama dhe Agaçi.
Denoncimi i Berishës
Punonjesi dixhital denoncon; manipulimin e perkthimit nga Rama me Don Agaçion te dosjes Tahiri – Habilaj!
I bej thirrje prokurorise se pergjithshme te hetoje kete denoncim dhe te verifikoje saktesine e perkthimit. sb
“Pershendetje Doktorr,jam punonjes ne ministrine e drejtesise dua te ju informoj se ne perkithimet e dosjes ster voluminoze Habilaj Tahiri te ardhur nga Italia me regjistrimet e bisedave te bandes ka futur duart thelle edhe kryeministri Rama.Gjithçka esht bere nden mbikqyrjen e rrepte te zyres se tije dhe konkretisht te sekretarit te pergjithshen Engjell Agaçi te cilit i dergohej cdo fashikull para se te pranohej si perfundimisht i perkthyer.Ketu peshperitet gjersisht se dosja esht redaktuar pra manipuluar ne favor te Sajmir Tahirit.Ju lutem anonim sepse gjthe keto dite ketu ne ministri esht terror i vertata mr respekt per ju.”
Skandal, Dako nën hetim, i kapur në flagrancë me krimin në përgjime: Blini votat, do ju jap tendera
Kryetari i PD, Basha ka denoncuar një skandal të rëndë politik dhe kriminal të Kryetarit të Bashkisë, Durrës, Vangjush Dako. Dako ka rënë në përgjimet e partnerëve të Shqipërisë duke bashkëpunuar me krimin për blerjen e votave të 25 qershorit. “Blini dhe vidhni votat. Në këmbim do të merrni tenderat”, këto janë një pjesë të përgjimeve që Basha ka zbardhur sot nga dosja e hetimeve për Dakon. Por, skandali thellohet edhe më tej për shkak se Prokurori i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është transferuar me urdhër direkt të Ramës nga Durrësi në Shkodër me qëllim që të mbyllë hetimet. Basha i ka bërë thirrje vendeve mike që të bashkëpunojnë për të nxjerrë para drejtësisë lidhjet e qeverisë me krimin.
Uria, FAO: 10% e shqiptarëve nuk hanë vaktet e plota, më keq se rajoni
Të paktën 290 mijë shqiptarë kategorizohen në grupin e atyre me vakte të reduktuara për shkak se nuk kanë arritur të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm. Raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës (FAO), për urinë, i vitit 2017 vlerëson se në Shqipëri prevalenca e pasigurisë së lartë ushqimore prek 10% të popullsisë totale. Kjo matje bëhet në kuadër të raportimeve që bëjnë shtetet anëtare, por edhe si pjesë e programit të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund urisë deri në vitin 2030, përmes objektivit 2 (t’i jepet fund urisë, të arrihet siguri ushqimore dhe përmirësim i ushqyerjes si dhe promovimi i agrikulturës së qëndrueshme).
Treguesi i FAO-s i referohet shifrave të raportuara nga të gjitha vendet në harkun kohor 2014-2016 dhe shifra prej 10% raportuar nga Shqipëria është më e larta në Europë. Në raport me mesataren e Europës Jugore që këtë tregues e ka sa 1.6% e popullsisë diferenca duket të jetë e lartë. Të njëjtin tregues, Bosnja e ka 1.4% të popullsisë, Mali i Zi 1.8%, kurse Serbia 4.1%. Kurse Europa e zhvilluar as që i diskuton më tregues të tillë.
Por çfarë nënkupton prevalenca ekstreme e pasigurisë ushqimore. Referuar shpjegimit që bëjnë Kombet e Bashkuara kemi ndarjen e treguesit në dy kategori. Pasiguri e lehtë dhe pasiguri ekstreme. E lehta ka të bëjë me faktin se individët arrijnë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm, por cilësia dhe vlerat ushqyese që mbart ai janë poshtë standardeve. Kurse pasiguria e lartë ushqimore do të thotë marrje të ushqimit në nivele më të ulëta sesa kërkohet për të jetuar sipas një standardi të konsideruar normal. Pra individi në këtë rast nuk arrin të konsumojë aq ushqim sa do dhe vlerat ushqimore nuk janë çështje diskutimi.
Nga ana tjetër, prevalenca e kequshqyerjes në vend është sa 4.9% e popullsisë totale. Ky tregues jep të dhënat sesa individë nuk arrijnë që të kenë një dietë të balancuar, që u garanton atyre një jetesë të shëndetshme. Edhe kjo shihet në kontekstin e pamundësisë. Pra individët nuk kanë mundësi për të siguruar dietë më të shëndetshme dhe nuk është zgjedhje e tyre.
Monitor
Prokuroria bashkon dosjen penale të Tahirit me dosjen e Sotës
Prokuroria ka vendosur të bashkojë dy dosjet hetimore të Tahirit dhe të Sotës në një dosje të vetme. Prokuroria beson se mes këtyre dy dosjeve ka lidhje me njëra-tjetrën.
Prokuroria ka hedhur dyshime se personit O.S të cilit iu gjetën 860 mijë euro dhe tre patentat me emrin e Saimir Tahirit dyshohet se ishte duke e ndihmuar ish-ministrin për të fshehur të ardhurat nga aktiviteti kriminal.
Prokuroria, sqaron se në sasinë e para të sekuestruara janë gjetur dhe 4 kartëmonedha 50 eurosh false
“Dyshimi vjen pasi në makinë u gjetën dhe 4 patentat të ish-ministrit Tahiri dhe bashkëshortes”
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë arrest me burg për shtetasin O.S
Ndërkohë Avokati, i Fatmir Braka kërkoi një masë më të butë sigurie për O.S. Ai kërkoi vendosjen e një garancie pasurore në këmbim të lirimit.
Avokati Braka deklaroi se sasia e parave të gjetura janë të biznesmenit Lefter Sota dhe se i duheshin për kurimin e bashkëshortes.
Përgjimet, “gabimi im që harrova patentat”, dalin emrat e tre personave në makinën me 863 mijë euro
Nga përgjimet dalin emrat e tre personave që kanë udhëtuar me makinën ku u gjetën 863 mijë eurot Orest Sotës. Në makinë ka qenë prezent shoferi Almeta si dhe Genti Caka poseduesi i patentave që i harroi në makinë. Në bisedën e përgjuar Caka i thotë Almetës se ishte gabimi im që i harrova patentat në makinë. Prokurorët kërkojnë arrest me burg për Sotën, ndërsa ky i fundit ka kërkuar masë lehtësuese.