31.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Shqiptari kapet në Itali me 700 mijë euro drogë në makinë

Një sekuestrim i madh droge është bërë dje nga Policia italiane. Agjentët e Policisë Rrugore kanë gjetur në autostradë 71 kg marihuanë të pastër brenda një makine “Ford Kuga” që drejtohej nga një shqiptar. Së bashku me të ishte një vajzë nga Monza.
Zbulimi u bë nga një oficer policie i Coa i kordinuar nga Raffela Russo, që shpjegoi: “Ne bëjmë shumë kontrolle për shoferët lidhur me abuzimin me drogë apo alkool dhe këtë mëngjes, një nga këta që u ndaluan ishte në makinën e dyshuar, “Ford Kuga”. Mbi sediljet e përmbysura kishin ngarkuan marihuanën. Ata kishin hyrë në Cerignola dhe po shkonin direkt për në Milano.
Vajza me iniciale L.C. nga Monza, 21 vjeçe, s’ngjallte dyshime, por jo burri me inicialet A.S, një 37-vjeçar shqiptar me banim në Milanese.
Makina kishte xhama të errët dhe lënda narkotike ishte mbuluar me copë. Rezultoi se makina ishte e marrë me qera. Të dy u arrestuan në territorin e Francavilla al Mare në dalje të Pescara Sud dhe Pescara Ovest. Sipas një vlerësimi paraprak, droga e konfiskuar vlente 500-700 mijë euro. Automjeti u konfiskua dhe supozohet se droga mund të kishte arritur me gomone, nisur nga fakti që pakot ishin lagur me ujë deti.
Të dy të arrestuarit u dërguan në burgun e Chieti. Vajza i tha policëve se ishte e huaj dhe se nuk kishte dijeni se në makinë kishte drogë. Kurse shqiptari 37-vjeçar në fakt, nuk foli.
Ndërkohë, policia greke ka goditur një rast të trafikut të drogës në Janinë dhe ka arrestuar një shqiptar. Mësohet se trafikanti është një 22-vjeçar, i cili po transportonte me makinë 142.5 kilogramë kanabis sativa. Autoritetet greke kishin marrë informacion për këtë rast trafiku. Gjatë kontrollit në makinën e shqiptarit u gjetën 6 qese me kanabis. U sekuestruan gjithashtu edhe 100 Euro dhe dy celularë që i përkisnin 20-vjeçarit. I riu akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Konçesionet e partisë helmojnë 60 nxënës në shkollën e Shupenzës

Mbi 60 nxënës të shkollës së mesme “Rifat Manjani” në Shupenzë të Dibrës u asfiksuan nga rrjedhja e gazit. Bëhet e ditur se, rreth orës 10:40 të ditës së djeshme nxënësit shfaqën probleme shëndetësore, pasi vënia në punë e kaldajës së re dhe bllokimi i oxhaqeve mbushën klasat me tym dhe gazra. 34 nxënës u dërguan në Spitalin e Peshkopisë, 27 në Spitalin e Bulqizës, ndërsa një nxënëse 16-vjeçare dhe një mësues i kësaj shkolle janë transportuar me helikopter në Tiranë. Bëhet e ditur se 10 prej nxënësve paraqiten në gjendje më të rëndë. Rreth 50 nxënës të tjerë me probleme më të lehta morën ndihmën mjekësore në spitale dhe qendrat shëndetësore dhe janë rikthyer në shtëpi.
Një mjek në Spitalin e Bulqizës tha se, nxënësit janë helmuar nga dioksidi i karbonit, nga lëndët drusore peletat. “Janë paraqitur 25 nxënës shkolle këtu në Bulqizë, pjesën tjetër si pasojë e mungesës së kapaciteteve e nisëm drejt Peshkopisë. Dyshohet se janë helmuar nga dioksidi i karbonit, nga lëndët drusore peletat”, tha mjeku Shahin Kaja.
Ekspertët, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje thanë se, gjithçka ka ardhur si pasojë e montimit gabim të sistemit ngrohës me pelet gjatë rikonstruksionit të shkollës. I nxitur nga moti i ftohtë, përgjegjësi i kaldajës e ka ndezur atë mëngjesin e së premtes, pa e testuar më parë. Tymi dhe gazi i dioksidit të karbonit i prodhuar është kthyer mbrapsht, duke helmuar nxënësit e klasave të katit të parë. Krahas ekspertëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale ka dërguar për ndihmë të specializuar edhe dy mjekë, një toksikolog dhe anestezist. Policia e Dibrës tha se nisi një hetim për shkaqet e ngjarjes, proces në të cilit u angazhuan edhe zyrtarët lokale. “Janë ndezuar kaldajat me lëndë drusore për ngrohjen e ambjentit, dhe në momentin e ndezjes oxhaku i shkollës ka qenë i bllokuar dhe për pasojë tymi është shpërndarë në ambjentet e brendshme të shkollës, duke shkaktuar ndotje të ambjentit”, informoi Policia e Dibrës.
Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Melaim Damzi, tha se merr të gjitha përgjegjësitë për helmimin e 60 nxënësve në shkollë. “Mbaj të gjitha përgjegjësitë sipër. Situata u vu nën kontroll menjëherë. Ngritëm emergjencat civile të bashkisë. Si prind, si mjek kam qenë pranë spitalit për të dhënë ndihmën e parë”, tha Damzi.

Nxënësit: Ishim në mësim kur filluam të mos ndiheshim mirë

“Ishim në mësim kur filluam të mos ndiheshim mirë. Më mirreshin mendtë dhe më vinte për të vjellë. Disa nxënës ranë pa ndjenja. Erdhën prindërit dhe na morën”, shprehet një nga nxënësit që pësoi helmim. Nxënësit u shprehën se gjatë kohës që ishin në mësim, teknikët po bënin prova për të vënë në punë kaldajën e re të ngrohjes. Në ato momente dyshohet se, diçka nuk ka funksionuar siç duhet dhe nga kaldaja është çliruar tym ose gaz, detaje këto që natyrisht do t’i zbardhë hetimi. Ndezja për herë të parë e sistemit ngrohës me pelet në shkollën e mesme të Shupenzës në Bulqizë, për pak ka rezultuar fatale për 120 nxënësit e saj.

Gjunkshi: Konçesionet klienteliste të partisë rrezikuan jetën e 60 nxënësve

Deputeti i PD për Dibrën, Xhemal Gjunkshi, në një reagim për helmimin e nxënësve në Shupenzë tha se, konçesionet klienteliste të partisë për pak sa nuk u kanë marrë jetën mbi 60 nxënësve. “Është për të ardhur keq, se nga babëzia për të fituar sa më shumë kanë kontraktuar kompani të pa specializuara dhe kanë ndezur kaldajën pa e testuar më parë atë pa nxënës”, deklaroi deputeti Gjunkshi.
“Konçesionet klienteliste të partisë për pak sa nuk u kanë marrë jetën mbi 60 nxënësve të gjimnazit ‘Rifat Manjani’ të Shupenzës. Është për të ardhur keq se nga babëzia për të fituar sa më shumë kanë kontraktuar kompani të pa specializuara dhe kanë ndezur kaldajën pa e testuar më parë atë pa nxënës.
Neglizhenca e tyre për pak sa nuk ka shkaktuar tragjedi, por fatmirësisht situata është normalizuar. Në Spitalin e Bulqizës janë 36 nxënës, ndërsa një është transportuar drejt Tiranës por jashtë rrezikut për jetën. Në Spitalin e Peshkopisë janë 24 nxënës tre në gjendje më të rënduar, por jashtë rrezikut për jetën. Partia Demokratike dhe unë personalisht i kërkojmë Policisë së Shtetit zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës. Nxënësve dhe familjarëve ju urojmë shërim të shpejtë”, u shpreh Gjunkshi.

Rexhep POLISI

Pikëpyetjet e largimit të Tahirit në Gjermani

Ish-ministri i Brendshëm njeriu më i kërkuar nga Prokuroria për t’u arrestuar si pjesë e organizatës kriminale të Habilajve është larguar dje në drejtim të Gjermanisë. Ai ka thënë se do të rikthehet gjatë ditës së sotme dhe kjo mbetet për tu parë, por disa pytej mund të ngrihen në lidhje me këtë largim. Pyetja e parë cili është motive i kësaj vizite urgjente të tahirit në Gjermani. Sipas burimeve konfidenciale, Gjermania bashkë me Italinë janë dy vendet në Europë më të nervozuara për lidhjet e mafias me qeverinë. Kë takoi Tahiri në Gjermani? A ka lidhje ky largim i Tahirit drejt Gjermanisë me hetimet që po zhvillon Prokuroria dhe Antimafia italiane? A është në dijeni të kësaj vizite në Gjermani, kreu i qeverisë, i cili dje ka heshtur? Po Prokuroria a është lajmëruar për këtë largim nga Shqipëria të njeriut nën hetim?
Bëhet e ditur se, Tahiri ka udhëtuar ditën e djeshme drejt Gjermanisë, vend anëtar i hapësirës Shengen. Burime konfidenciale konfirmuan lajmin për “Top Channel”, ndërsa avokati i tij Maks Haxhia ka deklaruar se, Tahiri ka udhëtuar në cilësinë e një njeriu të lirë. Disa burime të tjera, shtojnë se arsyet janë familjare, por kjo dalje jashtë Shqipërisë e deputetit Tahiri ngre pikëpyetje për motivet.
Pas publikimit të lajmit për ikjen jashtë shtetit, Tahiri ka deklaruar për mediast se, ka shkuar në Gjermani për të vizituar një nga prindërit i shtruar në një klinikë të këtij vendi. Tahiri u shpreh se do të kthehet ditën e shtunë sërish nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.
Udhëtimi i Tahirit jashtë Shqipërisë vjen në një kohë, kur ai është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si i implikuar në trafikun e drogës me bandën e Habilajve, si dhe ka heshtur gjatë për gjetjen e dy patentave të tij për mjete lundrimi në makinën e Orest Sotës. Tahiri një ditë më parë mungoi në Parlament, ku emri i tij ridoli në skenë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi heqjen e imunitetit për deputetin e PS, Saimir Tahiri, pasi kishin prova në përfshirjen e tij në trafikun e drogës me Habilajt dhe ai mund të largohej jashtë shtetit, por Rama urdhëroi deputetët socialistë që të votonin kundër heqjes së imunitetit. Me largimin e Tahirit jashtë shtetit, dyshimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda u faktuan.

Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit

Prokuroria e Krimeve të Rënda argumentoi në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, kërkesën e heqjes së mandatit dhe arrestimin e deputetit të PS, Saimir Tahiri. Sipas kërkesës së depozituar nga Prokuroria në Kuvend dhe vetë deklaratave të prokurorëve në mbledhjen e këtij Këshilli, ka dyshime të arsyeshme se deputeti Saimir Tahiri mund të largohet jashtë shtetit për akuzat që rëndojnë mbi të. Prokurorët e çështjes argumentuan në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka kryer veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit u bazua nga materiali i referuar nga partnerët italianë, që implikojnë ministrin Tahiri në trafik droge. Prokuroria referoi gjithashtu regjistrat e TIMS të cilat, sipas tyre, tregojnë se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ka shitur makinën tek Artan Habilaj, e ka ripërdorur këtë makinë disa herë për të udhëtuar jashtë kufijve. Madje, në njërin prej rasteve, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ishte vetë Artan Habilaj, ai që udhëtoi me makinën në fjalë drejt Greqisë, për t’u kthyer me të njëjtën makinë vetë ministri i Brendshëm, Tahiri.

Rama nuk lejoi t’i hiqej imuniteti

Megjithëse, Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti provat ndaj Tahirit për implikim në trafikun e drogës me bandën e Habilajve, Rama urdhëroi deputetët e tij që të votonin kundër heqjes së imunitetit të Tahirit. Deputetët socialistë, anëtarë të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit votuan kundër heqjes së imunitetit për deputetin Tahiri.
Rama u shpreh më pas se, Saimir Tahirit i ishte ndaluar lëvizja jashtë shtetit. Në një intervistë tek ‘Zonë e Lirë’, Rama u shpreh se, “një ndër kërkesat që PS i plotësoi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, përveç kontrollit të banesës dhe vijimit të hetimeve, ishte edhe ndalimi i lëvizjes jashtë vendit”. Por me ikjen e Tahirit jashtë shtetit ditën e djeshme, kjo kërkesë e organit të akuzës është shkelur.

R.POLISI

Frika nga akuzat për drogën, Rama përjashton opozitën nga Këshilli MSA-BE

Në mënyrë krejt të paprecedentë, me urdhër të Ramës opozita është përjashtuar nga punimet e Këshillit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE. Paniku dhe frika nga përballja me akuzat për përfshirjet direkte me krimin dhe trafiqet e drogës kanë bërë Ramën që të përpiqet të mbyllë gojën e opozitës përballë ndërkombëtarëve. Mbledhjet e Këshillit të Stabilizim-Asoccimit kanë qenë përherë një mundësi për të diskutuar për situatën ku ndodhet vendi përballë procesit të integrimit europian.
Që në vitin 2011, qeveria e Partisë Demokratike krijoi precedentin pozitiv të përfshirjes së Kryetarit të Komisionit parlamentar për Integrimin Europian, asokohe Ditmir Bushati, në takimet vjetore të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, Shqipëri-Bashkimi Europian.
Ky precedent pozitiv, bazuar në mbështetjen konsensuale mazhorancë-opozitë të anëtarësimit të vendit në BE, u kthye në traditë, deri më 14 nëntor 2017, kur qeveria Rama u paraqit në Bruksel vetëm me përfaqësuesit e saj, si Ditmir Bushati e të tjerë, por pa opozitën. Kryetarit të Komisionit parlamentar për Integrimin Europian, Genc Pollo, nuk iu dërgua ftesë.
Ky veprim nuk është vetëm frikë nga e vërteta e kriminalizimit të shtetit, e cila nuk fshihet dot më as në Tiranë, as në Bruksel e as gjetiu. Është edhe shenjë e degradimit politik të kësaj qeverie, e cila po rrënon çdo trashëgimi politike pozitive që ka gjetur, duke u kapur fort mbas karriges si i mbyturi pas fijes së barit.

Shqiptarët vijojnë të kryesojnë listat e azilkërkuesve

Shqiptarët në 2015 dhe 2016 me kërkesat për azilkërkim në vendet e Bashkimit Europian kanë kryesuar së bashku me sirianët, por në aprovimin e kërkesave nuk renditen as ndër 10 vendet që kanë përfituar. Kjo tregon se, pavarësisht numrit të lartë të aplikimeve, kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre janë rikthyer ose po rikthehen. Sipas një raporti të Eurostat-it, zyrës së statistikave të BE-së, si kusht i liberalizimit të vizave, pjesa më e madhe refuzohen nga zyrat e emigracionit, kurse të tjerë, në situatë të parregullt dhe pa mundësi legalizimi, kthehen vullnetarisht në atdhe. Listën e vendeve nga janë pranuar më shumë shtetas për vitin e kaluar e kryesojnë Ukraina, Siria, SHBA, Brazili, India, Kina, Maroku, Turqia, Rusia etj. Motivet, për të cilat janë dhënë lejet e qëndrimit kanë qenë të ndryshme e që dallojnë nga njëri vend i BE-së në tjetrin, nga njëri nacionalitet në tjetrin. Ukrainasit kanë fituar të drejtë qëndrimi, kryesisht në Poloni, për nevoja punësimi (82.7%). Kinezët (66.9%), qytetarët amerikanë (46.5%), kryesisht në Angli, dhe brazilianët (41.6%) janë pranuar për arsye që lidhen me arsimimin, ndërsa nga bashkimi familjar kanë përfituar më shumë marokenët (69.8%) dhe turqit (41.2%). Rreth 30% e numrit të përgjithshëm të shtetasve të huaj kanë fituar leje qëndrimi për arsye humanitare, pra të mbrojtjes ndërkombëtare për shkak të konflikteve në vendet e tyre, siç është rasti i sirianëve etj. Ndër vendet pritëse, ato që kanë pranuar më shumë shtetas të huaj për 2016-ën, sipas Eurostat-it, janë Anglia, Polonia dhe Gjermania, të ndjekura nga Franca, Italia, Spanja dhe Suedia. Dy vendet fqinje, Greqia dhe Italia, kanë dhënë numrin më të madh të lejeve të qëndrimit për shqiptarët për periudhën në fjalë. Greqia ka pranuar 30958 persona ose 70.2% të numrit të përgjithshëm të shtetasve të huaj, kurse Italia 17167 ose 7.7% të atyre që janë legalizuar në këtë vend.

Paketa 1 miliard euro e rrit borxhin me 7%

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehet se paketa e re fiskale nuk ofron asnjë stimul real për asnjë nga sektorët prioritarë. Ndërkohë që thekson se, buxheti vendos rreziqe të larta fiskale për borxhin publik, sepse nuk regjistron në borxh kontratat e paketës 1 miliard, që do ta rrisin borxhin publik me 7%. Montanelli thotë: “E majta i do shumë të varfërit, sa herë që ajo vjen në pushtet i rrit në numër. E në fakt, kjo ka qenë filozofia e qeverisë në këto katër vite e vazhdon të jetë. Paketa e re fiskale nuk ofron asnjë stimul real për asnjë nga sektorët prioritarë”.
– Paketa e turizmit ofron lehtësira për një grup biznesesh që zgjedh kryeministri. Partia Demokratike do të votojë çdo paketë që mbështet biznesin e turizmit në përgjithësi dhe garanton barazinë para ligjit.
– Rritja e taksës së pronës rëndon kryesisht mbi bizneset e vogla dhe shtresat në nevojë, duke e trefishuar pagesën mujore.
– Vendosja e TVSH 20% për bizneset e vogla do të sjellë rritje çmimi, rënie të fitimeve, e ulje të stafit të bizneseve.
– Buxheti vendos rreziqe të larta fiskale për borxhin publik, sepse nuk regjistron në borxh kontratat e paketës 1 miliard, që do ta rrisin borxhin publik me 7%.
– Buxheti ul ndjeshëm shpenzimet për shtresat sociale, nuk ka rritje pagash, nuk ka rritje pensionesh, nuk ka rritje të fondit për ndihmën ekonomike!
– Fondi për të përndjekurit është vetëm 20 milionë USD. Me këtë ritëm duhen 20 vite për t’i paguar!”, shprehet Tabaku. Edhe më parë, deputetja e Partisë Demokratike, Tabaku është shprehur se vitin e ardhshëm buxheti ka rezervuar 1 mld lekë shtesë në paga, që është 4.5 mld lekë më pak se viti sivjetshëm elektoral, ndërkohë vitin e ardhshëm, qeveria ka parashikuar 1.86 mld lekë rritje fondesh pensioni nga 2.5 mld lekë në vitin aktual, ku sipas saj nuk llogarit dështimin e skemës së pensionit në fshat. Sa i takon ndihmës ekonomike, Tabaku shprehet se qeveria nuk ka “asnjë lek” shtesë për ndihmën ekonomike, ndonëse sipas saj, shqiptarët taksa progresive i ka bërë gjithnjë e më të varfër. “1. Fakti është se për vitin e ardhshëm, buxheti ka rezervuar 1 mld lekë shtesë në paga, që është 4.5 mld lekë më pak se viti sivjetshëm elektoral. 2. Fakti është se për vitin e ardhshëm, qeveria ka parashikuar 1.8 mld lekë rritje fondesh pensioni nga 2.5 mld lekë në vitin aktual. Pa llogaritur dështimin e skemës së pensionit në fshat. 3. Fakti është se, qeveria nuk ka asnjë lek shtesë për ndihmën ekonomike, megjithëse shqiptarët taksa progresive i ka bërë gjithnjë e më të varfër. Kjo është e vërteta e buxhetit 2018, që nxjerr zbuluar propagandën e qeverisë. Ose kanë në plan të përgjysmojnë numrin e përfituesve ose kanë në plan të zbrazin Shqipërinë!”, shkruan Tabaku në rrjetin social FB.

360 mijë fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme

Deputetja e PD Albana Vokshi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku mazhoranca dhe opozita kane debatuar ne lidhje me vendimet e miratuara dite me pare ne Komisionin e Ligjeve per heqjen e kompetences se Presidentit per te propozuar kryetarin e ILDKP.

Albana VOKSHI

Disa ditë më parë, në reportazhin e emisionit italian “Le Iene” u tregua historia e fëmijëve të vegjël në Bulqizë, të cilët mblidhnin krom që e shisnin për 10 lekë kilogramin…?!
Dje në mediat sociale qarkulloi fotografia e një të mituri me një kovë në shpinë të mbushur me qymyr…
Afro një vit më parë Ardit Gjoklaj, 17 vjeç humbi jetën në landfillin e Sharrës në Tiranë në kushte skandaloze, për të siguruar të ardhura për të blerë librat e shkollës dhe për të ndihmuar familjen. Ashtu si Arditi i ndjerë, shfrytëzoheshin në punë të rënda edhe dhjetëra fëmijë të tjerë, disa prej tyre ende pa mbushur 10 vjeç…
Ndërkohë shumë bashkëmoshatarë të tyre detyroheshin të punonin në fushat me kanabis bashkë me prindërit…
Një foto, një histori, disa statistika,… pjesë të një mozaiku me ngjyra të trishta që duhet të na bëjë sot të gjithëve ne që jemi në këtë takim, por edhe ata politikanë që nuk gjenden këtu, të reflektojmë!
Sot, jo vetëm politika, por edhe Shoqëria Civile, akademia, sektori privat.. duhet të kthejmë kokën pas e t’i bëjmë pyetjen vetes: a kemi bërë të gjithë mjaftueshëm në aspektin personal, por më shumë në funksionin publik tonin për fëmijët shqiptarë??? A mund t’i kishim bërë detyrat tona më mirë dhe ndryshe që të rrisnim fëmijë të lumtur dhe që në Shqipëri të mos kishte më histori si e fëmijëve të landfilleve, qymyrit dhe kromit…
Dy vjet më parë, Shoqëria Civile dha alarmin që 100 mijë fëmijë nuk ushqeheshin mirë. Raporti theksonte se ata nuk arrinin të hanin 3 vakte të plota në ditë. Banka Botërore në raportin e saj të fundit deklaroi, se në Shqipëri janë 180 mijë familje në varfëri ekstreme. Mendoni pak, 180.000 familje! 2 fëmijë mesatarisht për familje…pra sot 360.000 fëmijë jetojnë në varfëri ekstreme.
Ministria e Çështjeve Sociale, para rreth një viti, në një studim të bërë me partnerë ndërkombëtarë, theksonte me shqetësim faktin se ishte rritur numri i fëmijëve viktima të dhunës në familje. Në 80 për qind të rasteve sipas anketimeve, fëmijët e dhunuar vinin nga familje me probleme ekonomike e sociale.
Sipas Eurostat, në dy vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar mbi 26 mijë fëmijë.
Referuar të njëjtave burime, fëmijët shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve në moshë të mitur.
Në disa vende të Evropës, numri më i madh i fëmijëve të trafikuar është përsëri nga Shqipëria.
Në Angli, sipas BBC World Service, numri më i madh i vajzave të trafikuara, janë po ashtu nga Shqipëria.
Qindra vajza të trafikuara nga Shqipëria në një vit, aq sa mund të ketë një qytet me dendësi të vogël popullsie. Ky është një problem që nuk është ngritur pothuajse asnjëherë në Parlament, sepse në legjislaturën e kaluar, trafikantët e qenieve njerëzore ishin deputetë.
Këto dhe histori të tjera të trishta na bindin që NE nuk kemi bërë sa duhet për fëmijët!!!
Jam e keqardhur që buxheti i 2018, të cilin në kemi diskutuar shumë gjatë në Komisionet parlamentare dhe në seancën e fundit parlamentare, nuk siguron fonde mjaftueshëm që familjet të dalin nga varfëria e fëmijët të mos detyrohen të emigrojnë… Buxheti 2018 nuk siguron mjaftueshëm fonde për mirëedukimin dhe mirërritjen e fëmijëve shqiptarë.
Shoh në sallë politikanë, përfaqësues institucionesh, aktivistë për të Drejtat e Fëmijëve, por nuk shoh të jenë thirrur prindër që të tregojnë, sesa burokraci i duhet të kapërcejnë për të siguruar jetesën dhe shkollimin e fëmijëve të tyre…
Do të sugjeroja që mësues të ftohen në takimet e këtij Grupimi, për të treguar të vërtetën e më shumë se 100 mijë fëmijëve që ndjekin shkollën të kequshqyer…dhe të 64 mijë fëmijëve që (sipas UNICEF) kanë braktisur shkollën dhe janë në situatë rruge. Mësuesit dinë edhe numrin e nxënësve që lënë shkollën për arsye emigrimi ekonomik.
Me mësuesit mund të diskutojmë për gjimnazet janë plot me të rinj që mendojnë të largohen nga vendi të pashpresë, sepse jetojnë në një realitet trishtues të një pabarazie sociale… e ne duhet t’jau kthejmë këtë shpresë!! Shkollat e dinë sesi tragjikisht është rritur numri i përdoruesve të drogës. Në këtë tregues të tmerrshëm janë futur edhe fëmijët 12 vjeç… shifrat janë alarmante!!! Sipas Raportimit të fundit të UN, Shqipëria është në vendin e parë në botë për përdorues të drogërave të forta, 2.5% pjesa më e madhe të rinj. Fëmijët sot bërtasin që ne të gjithë të ndalim këtë fenomen. Nesër fëmijët tanë mund të kenë qasje në drogëra të lehta apo të forta!!! Mendoni si po heshtim dhe lejojmë të shkatërrohet fëmijëria e tyre…, por në fakt kemi shkatërruar të ardhmen e gjithsecilit prej nesh..
Shoh me kënaqësi që prezen në këtë takim është ministrja e Drejtësisë, por do sugjeroja që të gjitha zonjat ministre, sidomos ministrja e Arsimit dhe Shëndetësisë e Çështjeve Sociale të jenë anëtare dhe pjesë e këtij grupimi. Nuk mjafton vetëm të miratojmë ligje të mira, e rëndësishme është që ato të implementohen ashtu si duhet.
Ky takim organizohet në prag të 20 nëntorit-Ditës së Deklaratës dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, të cilën Shqipëria e ratifikoi në 1999.
Por në 18 vjet nga ratifikimi i kësaj konvente nuk mundëm t’ju sigurojmë fëmijëve shqiptarë të njëjtat të drejta si bashkëmoshatarët e tyre në Evropë!
Një pjesë e fëmijëve shqiptarë nuk i njohin të drejtat e tyre, sepse janë rritur para kohe për të ndihmuar prindërit.
Sot, është dita për t’ju kërkuar falje fëmijëve që provuan emigracionin për shkak të politikave jo sociale të qeverisë.
Sot është dita, që të gjithë të shkojmë përtej retorikës politike e të punojmë së bashku për një jetë më të mirë e mirëqenie për fëmijët shqiptarë.
Sot është dita, që të reflektojmë e të iniciojmë hapa konkretë në këtë drejtim.
Unë personalisht në emër të PD kam depozituar dy nisma:
Nismën ligjorë për tekstet falas për fëmijët e arsimit të detyrueshëm fillor nga klasa e parë deri në klasën e 9-të. Fëmijët nuk duhen diskriminuar. Nuk duhet qeveria të sigurojë tekste falas vetëm për fëmijët e klasave nga 1 deri në 4, por të gjithë fëmijët në arsimin e detyrueshëm duhet të trajtohen njësoj. Ftoj mazhorancën të mbështesë nismën tonë ligjore, të plotë, jo të pjesshme në mënyrë që të mund të ndihmojmë sadopak familjet në nevojë.
E dyta, e lidhur gjithashtu me fëmijët, është një rezolutë për luftën kundër dhunës në familje. Një familje pa dhunë krijon kushte për mirërritjen e fëmijëve.
Ftoj partitë e tjera parlamentare të miratojmë këtë Pr. Ligj, të miratojmë Rezolutën ku janë propozuar shumë masa ligjore e administrative, ftoj edhe aktivistët e Shoqërisë Civile dhe institucionet arsimore të bëhen pjesë e këtyre nismave.
Le të ndërmarrim të gjithë së bashku hapa të tjerë konkretë, hapa të vegjël, por që ofrojnë siguri të madhe për më të pambrojturit prej nesh, fëmijët!!!

Buxheti i vitit 2018 sjell shkrirjen në një të qeverisë me krimin

Endri HASA

Projektbuxheti i vitit 2018 dhe paketa fiskale që e shoqëron atë nuk prodhojnë asgjë të mirë për qytetarët. Ky buxhet është thjesht kapitulli i radhës i keqqeverisjes. Qeveria e sjell buxhetin në Kuvend për miratim një herë në vit, por nga ana tjetër as nuk i bie në mend që ta zbatojë po atë buxhet që sjell po vetë. Çdo buxhet i miratuar gjatë qeverisë Rama është rishikuar me Akte Normative me urgjencat e radhës, është rishikuar me Akte Normative sipas tekave të radhës të një grushti njerëzish. Ky buxhet nuk sjell asnjë lajm të mirë për shqiptarët, ky sjell lajme të mira vetëm për trafikantët e mëdhenj për të cilët qeveria ka bërë gati lavatriçen e madhe financiare.
Kjo është një pakete fiskale, e cila i rrit taksat dhe i komplikon jetën me procedura tatimore bizneseve të vogla, takson banesat e qytetarëve dhe rrit varfërinë. Do të na thotë ministri i Financave që TVSH se paguan biznesi, por konsumatori. Aq më keq akoma.
A e dini ju zoti ministër i Financave kush janë konsumatorët e bizneseve të vogla në Shqipëri?
A e dini ju se kujt po ja rrisni shpenzimet e mbijetesës?
Këto bizneset e vogla janë ata që mbajnë mbi supe mbijetesën e mijërave familjeve në Shqipëri duke i dhënë ushqime me lista. Shko njëherë dhe shihi si jetojnë qytetarët e Elbasanit, shko një herë dhe shih si është gjendja në zonat e thella të Librazhdit Prrenjasit.
Pyeti dhe kolegët e partisë tënde, sepse me siguri dhe ata i kanë parë se si i kanë listat e gjata me detyrime këto bizneset e mbijetesës, pyeti që të kuptosh që ato biznese nuk mund të jenë lopa e radhës që duhet mjelë nga shteti.
Buxheti i vitit 2018 sjell shkrirjen në një të qeverisë me krimin me qëllim pastrimin e parave të pista!
Çfarë mundohet të kamuflohet këtu është e qartë, paratë e pista, paratë e drogës, paratë e korrupsionit që kanë kaluar në duart e një grushti njerëzish do të pastrohen me koncesione dhe projekte qeveritare.
Do pastrohen me projektin 1 miliard euro.
Do pastrohen me hotele luksoze që të investohen me faturë e pa faturë dhe që nuk do të taksohen, sepse buxheti i shtetit do të mbushet nga taksat e shqiptarëve.
Do pastrohen dhe duke u shtuar me vjedhjen e fondeve publike me projektin e 14 shkollave të Tiranës që do i kushtojnë shqiptarëve 60 milionë euro, fond me të cilin do të ndërtoheshin normalisht 30 shkolla.
Flitet për uljen e tatim fitimit për kompanitë që prodhojnë Software, por dhe kjo është ende e paqartë se si do bëhet, sepse varet se si do t’i shkruajë qeveria VKM e zbatimit dhe me siguri do na dalë dhe ndonjë shpikje e radhës.
Sepse VKM bëhen më lehtë, pa zhurmë, pa rrëmujë, me mendime dhe pa mendime.
Siç po ndodh me VKM për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ku që në pikën 1 të saj thuhet.
Përfaqëson pronarin shtet dhe administron çdo sistem dhe infrastrukturë hardware dhe software në fushën TIK, për institucionet dhe organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave.
Pra, AKSHI do të administrojë çdo sistem qeveritar në çdo nivel dhe kudo që ndodhet.
Po ta shtjelloj pak se çka qenë dhe çfarë është AKSHi për ata që nuk e dinë
AKSHI është një institucion koordinues, i cili bashkërendon punën e institucioneve për shërbimet elektonike dhe ofron shërbimet e përqendruara të Teknologjisë Informacionit për administratën publike.
Pra AKSHI aktualisht koordinon dhe kontrollon implementimin e sistemeve në institucionet publike dhe Administron vetëm ato sisteme teknologjike që janë të përbashkëta dhe nuk janë përgjegjësi specifike e ndonjë ministrie apo institucioni.
AKSHI është sot autoriteti mbikëqyrës i Bazave të të dhënave shtetërore, ku sipas ligjit përkatës janë të parashikuar rregullat e mbikëqyrjes dhe kundërvajtjet përkatëse.
Por çfarë po gatuan sot qeveria.
Akshi do bëhet vetë edhe Projektues edhe Administrues, edhe Prokurues edhe Kontrollues edhe Auditues i çdo sistemi të çdo niveli sigurie, publik apo sekret.
Unë jam i bindur që dhe vetë autorët e këtij vendimi nuk e kanë kuptuar se çfarë po bëjnë.
Politikbërja, administrimi, kontrolli dhe auditimi në fushën e IT nuk mund të jetë tagër i vetëm një institucioni, sepse çdo sektor ka specifikat e tij.
Zhvillimet e TIK në sektorë e ndryshëm, në dogana, tatime, transport, punët publike, ekonomi, financa, arsim, shëndetësi, polici, siguri kombëtare, kërkojnë ekspertizë specifike në sektorët përkatës dhe qasje sektoriale dhe nuk mund të realizohen nga dikush që thjesht mendon se i bën të gjitha.
Administrimi i të gjithë të dhënave shtetërore nga një institucion i vetëm, i cili është po vetë dhe kontrolluesi dhe audituesi i tyre, komprometon rëndë sigurinë e të dhënave dhe komprometon totalisht gjurmueshmërinë dhe ndarjen e përgjegjësisë në rast problemesh.
Cenon sigurinë e të dhënave të shqipetarëve dhe paraqet riskun e madh të kompromentimit të rregullave të sigurisë së sistemeve.
Duke përcaktuar një institucion të vetëm si në politikëbërjen e TIK ashtu edhe në prokurimet e përqendruara krijon premisat për t’i hapur rrugë praktikave monopoliste në fushën e TIK.
Nuk mund të administrohen nga një dorë dhe po njësoj si sistemet e Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kanë rëndësi të madhe për sigurinë kombëtare dhe trajtojnë informacione të rëndësishme dhe sistemet e tjera publike.
Nuk mund të varen dhe menaxhohen po nga i njëjti institucion edhe Thesari i Shtetit, por edhe të dhënat e Pastrimit të Parave edhe të dhënat e sistemit të menaxhimit të çështjeve të gjyqësorit, por edhe Byzylykët e famshëm për mbikëqyrjen e të dënuarve.
Mund t’ju listoj sisteme pafund.
Zotërinj ministra a keni kuptuar se ç’po bëni.
Çdo ndodhi kur të zhduken pronat nga regjistrat elektronikë, kush do ta ketë përgjegjësinë ministrja e Drejtësisë, drejtori i Hipotekave apo e ka ai ish-stafi tyre, i cili i kalon te AKSHI me një të rënë të lapsit.
Çdo të ndodhi po të fshihen gjobat nga Tatimet, apo të zhduken a shumëfishohen transaksionet e Thesarit të Shtetit, kush do ta marrë përgjegjësinë.
Përgjegjësia do ngelet jetime.
Do mblidhen njerëzit dhe sistemet të gjitha bashkë në një dorë dhe ju si ministra s’do merrni vesh as ça bëhet, sepse do i fusin një klasifikim shpejt e shpejt e do vazhdojnë me kontrata sekrete.
Këtu buxheti i IT ka ardhur i ndarë për çdo institucion, pavarësisht se do kalojë në një dorë, sepse juve zotërinj ministra që se keni kuptuar akoma, do ju vi vetëm fatura, që ta paguani, sepse në buxhet fondet figurojnë tek ju, siç tek ju do të raportohen nesër shkeljet dhe abuzimet me këto fonde.
Tashmë kontratat sekrete janë kthyer në modë dhe shumë shpejt do të shohim që dhe letra higjenike do të blihet me kontratë sekrete, që mos ta marrë vesh populli se sa letër po harxhohet.
Kjo ndodh, sepse ligjet janë bërë si letër higjienikë për këtë qeveri dhe për këtë kryeministër.
Ka një sërë institucionesh sistemet e tyre bazohen në ligje, të cilat nuk mund të anashkalohen shpejt e shpejt e vetëm me një VKM.
Një proces i tillë transformimi institucional minimalisht do të kërkonte ligj të pamatshëm dhe amendimin e të gjithë legjislacionit që preket nga këto ndryshime.
Stafi teknik në ministri, që sot gëzon statusin e nëpunësit civil do të trajtohen me Kod pune dhe do të jenë të kërcënuar çdo ditë me vendin e punës.
Kjo bëhet për qëllime të pastra klienteliste dhe korruptive. Që fillojnë të bëhen realitet koncesionet në fushën e IT si ai i TVSH që u bllokua për shkak të zërave kundër nëpër ministri.
Kryeministri e ka pasion të madh kontrollin mbi gjithçka dhe kërkon ta bëjë këtë përmes kontrollit të sistemeve elektronike, sepse ai e do kontrollin mbi gjithçka dhe e do të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë pa ju dashur të kalojë nëpërmjet ministrave.
Dhe meqë e ka kaq pasion edhe meqë nuk i duheni as ju, ashtu si po kërkon ta bëjë për IT, le t’i shkrijë të gjitha ministritë dhe le ta bëjë qeverinë vetëm me veten e tij se dhe noterët me kartonat jeshil i ka gati këtu për ta votuar.
Zotërinj ministra thirrini mendjes dhe ndërhyni sa s’është vonë, shkatërrimi i linjës së përgjegjësisë do t’ju bëjë përgjegjës juve të parët në çdo sektor ku jeni dhe s’do keni kujt t’i kërkoni llogari, sepse s’do jenë më vartësit tuaj.
Shumë shpejt do të vijë gjithashtu dita që do të ikin edhe specialistët e sistemeve kritike, sepse do gjenden në udhëkryq dhe do ikin të shpëtojnë.
Shumë shpejt do të shihni të shpërbëhen dhe ato gjëra që sot funksionojnë.
Ju ftoj të gjithëve që sot të bëni diçka të mirë, të jepni kontributin tuaj që ta ndalim sot këtë buxhet dhe të gjithë çudirat që vijnë bashkë me të në 2018.

“Fozza Inda”: Kur kinezët bëhen padronët

Interi kinez

Era kineze e futbollit italian fillon me këto fjalë: «Interi dhe Suning ndajnë një vizion të përbashkët». Është ora 19 e 15 minuta e 29 qershorit 2016 dhe ai që po flet është pronari i ri i Interit, biznesmeni kinez Zhang Jindong, në videointervistën e tij të parë të regjistruar në Itali. Dita në të cilën Zoti Zhang vendos që t’i paraqitet publikut italian nuk është një datë e çfarëdoshme. Vetëm pak orë më parë asambleja e ortakëve të Interit, e mbledhur në një hotel me 5 yje në zemrën financiare të Milanos, ratifikon zyrtarisht kalimin e shumicës së kuotave të klubit (68.55%) grupit privat Suning, zinxhiri më i rëndësishëm kinez i shpërndarjes së elektroshtëpiakeve dhe elektronikës, me më shumë se 1600 dyqane midis Kinës, Hong Kongut dhe Japonisë, i të cilit Zoti Zhang është pronari dhe themeluesi. Lajmi pushton faqet e para të gazetave kryesore italiane: risia nuk është edhe aq në faktin që një klub historik si Interi, një ndër më të vjetrit e futbollit italian që ka marrë pjesë në të gjitha kampionatet e Serisë A nga viti 1929, po bëhet me pronësi të huaj. Në fakt, qysh nga nëntori i 2013, 70% e aksioneve të klubit zikaltër kishte kaluar në duart e një biznesmeni aziatik, indonezianit Erick Thohir. Që për më tepër, për habinë e tifozëve, i ishte bërë edhe president: i 21-ti në renditje kronologjike, por i pari jo italian, 105 vite nga themelimi i tij. Fakti vërtet i ri ka të bëjë me aktorët e kësaj ndodhie: për herë të parë aksionisti i vetëm italian, Massimo Moratti, del krejtësisht nga skena. Pas 16 vitesh presidencë dhe fitimit të po aq trofeve, midis të cilave ai i tripletës që në 2010 bëri të famshëm Interin në të gjithë botën, emri i Moratti nuk do të shfaqet më në organigramën e Interit të ardhshëm. Pastaj është aktori i dytë, Republika Popullore e Kinës, që për herë të parë në historinë e futbollit italian hyn në pronësinë e një skuadre të Serisë A.
«Sikur të na kishin thënë pak vite më parë se Interi do të ishte bërë kinez, do të qeshnim me të madhe», na tregojnë Fedele Maurano dhe Alberto Ambrosino, Presidenti dhe Zëvendëspresident i Inter Club Belli të Romës, i 7-i për nga rëndësia në klasifikimin kombëtar, dhe i 8-i në atë botëror, me 540 ortakë vetëm në kryeqytet. Na kanë lënë takim në një mbrëmje speciale, 9 mars 2017, data e përvjetorit të 109-të e formimit të Interit. Në fakt kur i takojmë në një restorant të Romës ku kanë organizuar festimet me projektime videosh, kore, balerina braziliane dhe ushqime pa fund, pjesa më e madhe e tyre mban në kokë një bombetë të zezë. Një kopje identike me atë që mbanin drejtuesit e parë të Interit, të pavdekësuar në një fotografi bardhezi që tifozët e Inter Club Belli të Romës e kanë vendosur bukur në qendër të çdo tavoline. Dhe nuk është rastësi që për të shpjeguar reagimin ndaj blerjes së skuadrës së tyre nga ana e një kolosi kinez, Maurano dhe Ambrosino të vendosin që të nisen pikërisht nga kjo fotografi. «E shikoni këtë zotërinë majtas, me bombetë dhe mustaqe? Është piktori Giorgio Mussani. Ka qenë ai në vitin 1908, që krijoi simbolin e skuadrës tonë dhe që i dha emrin: zgjodhi ta quanin Internazionale, për të treguar se do të ishte e hapur ndaj ortakëve dhe lojtarëve të huaj. Ne kemi lindur pikërisht nga kjo hapje ndaj së jashtmes, nga pozicionimi i 44 drejtuesve disidentë të Milanit që më 9 mars të mbledhur disa hapa larg nga Duomo, në restorantin “L’Orologio”, vendosën që të mos e respektonin ndalimin e klubit kuqezi për të rekrutuar në radhët e tij të huaj. Slogani që u krijua atëherë dhe në të cilin e gjejmë veten akoma sot është: “Do të quhet Internazionale, sepse ne jemi vëllezër të botës”.
Kjo për të thënë se nuk kemi asnjë paragjykim ndaj të huajve. Sigurisht, që kur kemi mësuar se skuadra jonë do të përfundonte në duar kineze jemi ngurtësuar dhe e kemi bërë, sepse deri më atëhere të thuaje Kinë në Itali nënkuptonte restorantet me abazhurët e kuq, dyqanet e vogla me plot gjëra, laboratorët fjetina në Prato, industrinë e falsit apo, siç do të thuhej në Romë, të “letrave”. Kurse tani kanë hedhur shumë para në pjatë. Kanë disbursuar 128 milionë euro për blerjen e paketave aksionere të Moratti e të Tohir, 142 milionë të tjera si shtim kapitali. Pa llogaritur që kanë marrë mbi vete borxhin me Goldman Sachs dhe se kanë investuar në lojtarë të rinj dhe të rinj të moshë. Djali i vetëm i Zotit Zhang ka blerë shtëpi në Brera dhe e ndjek personalisht hap pas hapi skuadrën, gjë që në sytë tanë është demonstrimi sesa në vëmendje e kanë pronarët e rinj kinezë Interin. Dhe nuk shpenzojnë sa për të thënë. Nuk ka ardhur pasaniku budalla i radhës, të kuptohemi. Kanë objektiva të deklaruar, një plan afatgjatë për të realizuar dhe një qëndrueshmëri ekonomike të madhe. Emrin Suning në Itali deri më tani nuk e njihte askush, por në Kinë është një perandori. Kështu që, në analizë të fundit, ka pak për të qeshur».
Cilat janë objektivat e deklaruara e grupit Suning për Interin? I ka zbërthyer vetë Zoti Zhang në videomesazhin e 29 qershorit: të veprohet në mënyrë të atillë që Interi të arrijë majën e klasifikimit të Serisë A dhe të kampionateve europiane, duke vazhduar «t’u përmbahet vlerave të menaxhimit profesional» dhe duke mbështetur investimet bazë duke filluar nga formacioni i të rinjve. Në intervistën ekskluzive për “Inter Channel”, Zoti Zhang flet kinezçe. Titrat në italisht shpalosen në një inkuadrim që e paraqet gjysmëbust përpara 3 Kupave të Kampionëve të fituar nga Interi 2 Ndërkontinentale 1 Botëror dhe 3 Kupa UEFA. Pastaj kamera bën zoom në plan të parë kur Zoti Zhang ngre grushtin lart dhe shqipton fjalët e tij të para në italisht: “Forza Inter”, por duke pasur parasysh theksin e tij kinez, bëhet «Fozza Indaaaaa». Brenda pak orësh, videoja bëhet bum në rrjetet sociale. Por, duke lënë ironinë mënjanë, thirrja luftarake «Fozza Indaaa» e Zotit Zhang zbulon një risi. Për herë të parë, opinioni publik italian vetëdijësohet për një fenomen që deri më atëhere i përkiste interesit të analistëve ekonomikë dhe financiarë: në pak vite Italia është bërë objektivi kryesor i investimeve kineze në Europë. Dhe është mirë të sqarohet menjëherë: këtu nuk po flasim për «kinezë të Italisë» të gjeneratës së dytë apo të tretë protagonistë të blerjes së restoranteve, bareve, parukerive të qendrave tona historike, por për kapitale të mëdha që vijnë nga Pekini për pushtimin e kompanive tona më të famshme. Nëse deri 15 vite më parë, bizneset e mëdha kineze në Itali numëroheshin me gishtat e dorës, duke u përqendruar për më tepër në konglomerate shtetërore me seli tregtare jashtë vendit, sot kompanitë italiane në duart e investitorëve kinezë janë 235, u japin punë 13000 punonjësve dhe prodhojnë 5.5 miliardë euro të PBB-së tonë. Bëhet fjalë për kompani fringo të reja, të krijuara ex novo nga investitori kinez, si për shembull qendra kërkimore për teknologjitë wireless e hapur në 2011 në Segrate nga gjiganti i telekomunikacioneve Huawei. Por edhe për blerje e pjesëmarrje në kuptimin e vërtetë të fjalës, që sipas fotografisë të bërë nga databaza Reprint në bashkëpunim me Politeknikun e Milanos, Universitetin e Studimeve të Breshias dhe Fondacionit Itali – Kinë, në 89% të rasteve shikon investitorin kinez të mbajë kontrollin e kompanisë italiane ku merr pjesë.
Dhe nuk po flasim për kompani të vogla, por për ajkën e ajkës të Made in Italy tonë: bizneset e para që janë bërë kineze kanë qenë Padovania Meneghetti, prodhuese frigoriferësh, dhe kompania historike e motoçikletave pezareze Benelli. Pastaj ka qenë radha e kompanisë automobilistike De Tommaso, e specializuar në prodhimin e makinave të garës, dhe i grupit toskan Salov, pronar i markave të vajit të ullirit Sagra e Berio, dhe një xhiro prej mbi 300 milionë eurosh në tregun italian, amerikan dhe anglez. Dhe nuk është e gjitha, pasi, siç do ta shohim në kapitullin e dytë, në 2012 është bërë me mazhorancë kineze grupi Ferretti, lider botëror i jahteve luksoze, dega Riva e të cilit ka projektuar dhe ndërtuar xhevahire të nautikës më të famshëm në skenën ndërkombëtare. Gjithmonë në 2014 është bërë kineze është shtëpia e modës Krizia e Mariuccia Mandelli, e shitur stilistes, biznesmenes dhe, pse jo, inxhinieres, Zhu Chongyun, një prej grave më të pasura të Kinës, pronare e kolosit të prêt-à-porter Shenzhen Marisfrolg Fashion. Por investimet që ngjallin më shumë bujë kanë qenë sidomos dy: blerja në 2014 nga ana e kolosit shtetëror kinez State Grid, kompania më e madhe elektrike në botë, e 35% të CDP Reti, kompanisë së kontrolluar nga Cassa Depositi e Prestiti, që nga ana e saj mban paketat e shumicës së kompanive Terna e Snam, domethënë rrjetin elektrik dhe furnizimin me gaz të Italisë. Gjithmonë në 2014 është edhe shitja nga ana e Fondo Strategico Italiano, dega për investimet e Cassa Depositi e Prestiti, e 40% të kompanisë Ansaldo Energia, lidere në ndërtimin e centraleve elektrike, kompanisë shtetërore kineze Shanghai Electric. Por qershia mbi tortë vjen me 23 mars të 2015, kur faqet e parë e të gjitha gazetave italiane japin lajmin e mbretëreshës së të gjitha blerjeve: domethënë të marrëveshjes për t’i kaluar kompanisë publike kimike kineze ChemChina kontrollin e grupit të 6-të italian, fytyrës par excellance të kapitalizmit tonë, kompaninë Pirelli.
Sikur të donim të zgjidhnim një imazh që ta sintetizonte më së miri këtë histori nuk ka gjë më të mirë se tifozët e Inter Club Belli të Romës me fanellën zikaltër dhe emrin e sponsorit historik të saj Pirelli, tashmë të dyja me pronësi kineze. Është nga ky moment që mediat nisin të flasin për shopping kinez, pasi në këtë pikë është e qartë për të gjithë se, Republika Popullore nuk është më djepi i eksporteve low cost, por ka hyrë si protagoniste në sallonin e mirë e industrisë tonë dhe në sektorët strategjikë të vendit tonë. Dhe nëse ka durim të lexohen komentet e lëna në faqet kryesore internetore e sajteve sportive dhe të përgjithshme italiane për videon «Fozza Inda» të Zotit Zhang, ajo që del është pikërisht gjendja shpirtërore e italianëve përballë këtij ndryshimi marshi. Ka që si përdorues «dàie» shkruan tek «Gazzetta dello Sport» se «më së fundi dikush me para të vërteta vjen të investojë në një vend në prag të falimentimit», kush si «Koment Zyrtar» pyet nëse kupat prapa Zotit Zhang janë Made in China dhe kush pastaj pyet nëse futbolli mos përfaqëson gjë tjetër nga Kali i Trojës me të cilin Republika Popullore synon të kolonizojë Kontinentin e Vjetër në krizë dhe me tabelën «në shitje» të varur në qafë. Domethënë ajo që pyetet është sesa është i qëndrueshëm dhe i sinqertë zbulimi i futbollit nga ana e Perandorisë së Mesit, sa janë të pafundme resurset financiare dhe nëse qëllimi është ai që të qëndrojnë gjatë apo të arrijnë qëllimin e t’ia mbathin. Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve nuk ka asgjë më të mirë sesa të nisesh nga historia personale e Zotit Zhang: të bëhet një portret i këtij biznesmeni 53-vjeçar, një lloj self made man allakinez, na ndihmon që të tregojmë një veçanti gjithçka, domethënë historinë e ndryshimeve të Kinës bashkëkohore.
Sikur të duhej të imagjinohej kjo histori si film, skena e parë do të fillonte me një zoom in nga lart, nga territori i pafundëm kinez përreth provincës më të vogël të Perandorisë së Mesit: Anhui. Jemi në brendësi të deltës së Lumit të Kaltër as 500 kilometra larg nga Shanghai, në mes të rrugës midis qyteteve të pasura e hiper të industrializuara të bregut lindor dhe zonave të Kinës Qendrore që kanë përfituar pak nga zhvillimi i madh. Një territor i pasur në vendburime natyrore dhe që mirëpret industri të mëdha nxjerrëse dhe kimike, markat më të rëndësishme kineze të automobilave. Por kur lindi Zoti Zhang, në 1963, Anhui nuk ishte akoma asgjë nga të gjitha këto. Përkundrazi, në agimin e Republikës Popullore, konsiderohej si provinca ekonomikisht më e prapambetur e Kinës Lindore. Më pas qe radha e «Hopit të Madh Përpara», planit 5-vjeçar të reformës ekonomike e politike që në synimet e Maos do të duhej ta bënin Kinën të konkurronte me shpejtësi me botën perëndimore nëpërmjet kolektivizimit të tokës dhe kalimit në shoqërinë industriale. Qe në vitet e parullës «prodhoni çelik» dhe e ndërtimit të digave e centraleve elektrike. Por qenë edhe ato që në Kinë i quajnë «3 vitet e hidhura», vite zije buke dhe mjerimi midis 1959 dhe 1962, duke shkaktuar miliona të vdekur. Çfarë i ka mundësuar djalit të një familje jo të pasur në Provincën Anhui, i lindur midis Zisë së Madhe dhe Revolucionit Kulturor, që të bëhet në harkun e 20 viteve një prej njerëzve më të pasur në botë, me një pasuri personale të vlerësuar nga revista “Forbes” me 4.1 miliard dollarë? Padyshim nuhatja për biznes dhe përkushtimi proverbial ndaj punës që i karakterizon gjithmonë kinezët. Por mbi të gjitha merita e tij ka qenë ajo e pasjes së idesë së duhur në momentin e duhur.
Momenti i duhur janë vitet ’90, ato të bumit ekonomik të shkaktuar nga politika e liberalizimit të Reformatorit të Madh, Ten Hsiao Pinit. Për herë të parë, Kina hapej ndaj investimeve të huaja, por edhe ndaj sektorit privat brenda vetes, duke i dhënë hapësirë të re rolit të sipërmarrësve. Nuhatja e duhur qe ajo që kish parashikuar potencialin e klasës së mesme të sapolindur kineze. Perandoria biznesore e Zotit Zhang lindi në 1990 në Nankin, një nga katër kryeqytetet e lashta e Perandorisë Qiellore dhe sidomos qendër kryesore tregtare e Kinës Lindore. I quajtur edhe Furra e Madhe prej temparaturave të larta që gjatë periudhës së verës e bëjnë qytetin të padurueshëm. Zhang ishte transferuar këtu për të studiuar letërsi kineze, por duke mos qenë i pasur kishte gjetur një punë si instalues kondicionerësh. Pas 6 vitesh punë në këtë sektor, Zhang ka nuhatjen se do ta ndryshojë jetën e tij: kupton se kondicionerët, që atëherë ishin mall luksi, shpejt do të bëheshin një elektroshtëpiake gjithnjë e më e aksesueshme dhe e kërkuar nga klasa e mesme kineze që po lindte. Një mall për të gjithë njerëzit. «Kina ofron mundësitë më të mira», ka thënë Zhang për «The Telegraph» në 2009, duke shpjeguar se, suksesi biznesor i tij nuk do të kishte mundur të replikohej në asnjë vend tjetër dhe në asnjë moment tjetër. Në fakt, nga njëjra anë qeveria po i inkurajonte konsumet e brendshme nëpërmjet një plani të madh stimuluesish, midis të cilëve një ulje prej 13% për një gamë të gjerë elektroshtëpijakesh të bardha. Nga ana tjetër, duke filluar nga 2009, një masë gjithnjë e më madhe në numër personash po spostohej nga fshatrat në qytetet e mëdha, ku po hapeshin qindra kantiere. Kjo nënkuptonte perspektiva të reja pune dhe një kërkesë e madhe mallrash konsumi për shtëpitë e reja. Midis të cilëve kondicionerët.
Kështu që në 1990, bashkë me vëllain, me para të kursyera dhe një hua prej 100 000 juanësh, Zoti Zhang merr me qira një dyqan prej 200 metrash katror në zonën tregtare të Nankinit dhe nis të shesë kondicionerë. Fillimisht me shumicë dhe më pas me pakicë. Duke paraqitur fillimisht një koncept të ri: instalimin falas. Pas 12 muajve të parë nga hapja, dyqani i parë Suning ka një sukses të hatashëm: 60 milionë shitje dhe 1 milion e gjysmë fitim. Është atëhere që i pambushuri të 30-at Zhang ka një ide tjetër: atë të krjimit të një zinxhiri shpërndarës në kuptimin e vërtetë të fjalës të elektroshtëpiakeve, por edhe të produkteve elektronike. Një lloj Unieuro kineze, ku mund të blihen lavatriçe, frigoriferë, por edhe televizorë e celularë. Edhe në këtë rast, duke shfrytëzuar planet zhvillimore të qeverisë, që nuk ka dashur kurrë ta çedojë kontrollin e shpërndarjes së madhe në duar të huaja. Në 2004, grupi Suning kuotohet në Bursën e Shenzhenit dhe çdo 4 ditë hap një dyqan të ri në të gjithë Kinën, duke arritur që të ketë 1600 pika shitjeje në 60 qytete, midis të cilëve një seli qëndrore në Nankin prej 180 000 metrash katror, me shumë hotele luksoze në krah. Pastaj në 2009, lançon një platformë e-commerce që bëhet aq e rëndësishme sa tërheq vëmendjen e Alibaba, kolosit kinez të tregtisë online, që në 2015 blen 20% të Suning, duke lëvruar 4.6 miliardë dollarë. Është kështu që grupi i drejtuar nga Zoti Zhang ka kaluar nga 10 punëtorët fillestarët në 180 000 e sotëm dhe ka arritur të bëhet një prej bizneseve private më të rëndësishme të Kinës, me një faturim prej 17.6 miliardë dollarësh. Numra që të bëjnë të mendosh për një shumëkombëshe, edhe pse në realitet deri në 2011 grupi Suning ishte i përqëndruar sidomos në Kinë. Pikërisht në ato vite, Zoti Zhang ka një tjetër nuhatje të rëndësishme kur kupton se në Kinë grupi i tij nuk mund të rritet pafundësisht. Kështu që adopton dy strategji që edhe një herë akoma tregojnë shumë për Kinën e sotme: zgjerimin jashtë vendit me qëllim për t’u bërë një markë globale dhe diversifikim oferte, duke investuar në sektorin emergjent, futbollin.
Por si ka mundësi futbolli? Mund të ngrihet si objeksion. Pikërisht sporti që ka qenë gjithmonë thembra e Akilit e Kinës, e zonja të mbizotërojë në disiplinat individuale, por sigurisht jo në ato të skuadrës? Boll të mendosh se jo shumë kohë më parë, në Olimpiadën e Pekinit të 2008, Kina ka siguruar vendin e parë në medalje (me 51 ari, 21 argjendi dhe 28 bronzi), por në kompeticionet e topit kishte dalë kokëulur, duke koleksionuar 2 humbje dhe 1 barazim. Pastaj në 2010, Kina humbet edhe kualifikimin në Kupën e Botës. Me zhgënjimin e madh të tifozëve: po, sepse në Kinë futbolli luhet pak, por shikohet shumë. Të teseruarit në Vendin e Dragoit janë rreth 0.05% e popullsisë. Thërmija po të krahasohen me gjermanët (7.6%), të shtëpisë tonë (2.5%) dhe deri të Shteteve të Bashkuara, ku futbolli vuan që të ngrihet (1.31%). Kurse numrat ndryshojnë kur flitet për futbollin – spektakël: sipas të dhënave të përcjella nga «Sole24orë» në 2013 më shumë se 346 milionë spektatorë kanë ndjekur ndeshjet e Super League. Pastaj ka qenë ndeshja kundër Australisë, për gjysmëfinalet e Kupës së Azisë në 2015, që me 27 milionë spektatorët ka qenë eventi më i ndjekur në historinë e televizionit kinez. Pa numëruar pastaj tifozët kinezë që shkojnë në stadium: në sezonin 2015–2016 kanë qenë 5.33 milionë. Domethënë një goxha biznes. Dhe me potencialitete të konsiderueshme rritjeje, por të kihet parasysh se, ndërsa në të kaluarën qenë sidomos ndeshjet ndërkombëtare, ato që i mbanin fansat të ngjitur pas televizionit, qysh kur Kina është lëshuar në blerjet e merkatos së futbollit, duke u zhvatur klubeve të huaj me blerje milionëshe trainerë e lojtarë të dorës së parë, futbolli kinez nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka fituar tifozë.
Ai që ka ndezur shkëndijën e këtij revolucioni të futbollit ka qenë Presidenti Xi Jinping personalisht, me synimin që ta spostojë qendrën gravitacionale të futbollit nga Kontinenti i Vjetër në Azi. Dhe e ka bërë me medotën kineze, domethënë me sistemin e zakonshëm e planifikimit shtetëror: një plan programatik të reformimit të futbollit që individualizon objektiva dhe etapa afatmesme e fatgjata. Domethënë: brenda 2020 të formojë 50 milionë futbollistë midis nxënësve dhe praktikuesve (10 milionë më pak se gjithë popullsia italiane), të hapë 20000 akademi shtetërore futbolli dhe të ndërtojë 70000 fusha të reja. Brenda 2030 skuadrat kombëtare duhet të arrijnë majat e Asian Cup dhe në 2050 të presë e të fitojë Kupën e Botës. Fillimisht Xi Jinping e ka futur futbollin si lëndë të detyrueshme në shkollat fillore për 5 orë në javë. Pastaj u është drejtuar biznesmenëve që dëshirojnë të investojnë në futboll, duke i favorizuar me stimuj fiskalë, por sidomos duke u mbështetur mbi ndërtimin e infrastrukturave që do të shërbejnë për të pritur Kupën e Botës. Në Kinë, ka një proverb që thotë: «Atje ku ka një vullnet, ka një rrugë». E sigurtë është se vullneti që vjen nga Presidenti, personalisht është rregull i mirë për investitorët kinezë të çdo natyre që t’i kushtojnë vëmendje. Midis atyre që i është përgjigjur këtij apeli është edhe Zoti Zhang. Në dhjetorin e 2015 blen për 73 milion euro Jiangsu Sainty Football Club, skuadrën e Nankinit, që militon në kampionatin e parë kinez të Super League. E ka ripagëzuar Jiangsu Suning dhe kërkon ta rilançojë me blerje faraonike lojtarësh të huaj si brazilianët Ramirez e Alex Teixeira. Por për të optimizuar menaxhimin e produktit dhe të shfrytëzojë tregun e madh të tifozëve kinezë, Zotit Zhang i duhen dije, traditë dhe prestigj. Është atëhere që për Zotin Zhang, Kontinenti i Vjetër bëhet më shumë se kurrë interesant. Dhe është të paktën për dy motive: Europa është mbretëresha e padiskutueshme e futbollit të nënkuptuar si industri argëtimi, që prodhon para dhe ka nevojë për para. Dhe në të njëjtën kohë duket në sytë e tij si një lëndinë në pjesën më të mirë ende e virgjër për bizneset e e-commerce, ajka e perandorisë Suning. Dhe Zoti Zhang nuk është i vetmi. Disa muaj më parë, në janarin e 2015, grupi imobiliar Dalian Wanda, numri dy i real estate botëror (në pronësi të manjatit Wang Jianlin, biznesmeni i dytë privat më i pasur i Kinës pas themeluesit të platformës të e-commerce Alibaba, Jack Ma) kishte marrë 20% e Atletico Madrid, pasi ka blerë Infront, domethënë shoqërinë më të madhe të marketingut sportiv në botë që shpërndan të drejtat televizive për botërorët e futbollit, dhe ka investuar aq shumë para sa është bërë sponsori i parë kinez i FIFA-s. Gjithmonë në Spanjë janë bërë kineze Granada dhe 45% e Espanyol. China Energy Company ka marrë në fakt 60% të klubit Slavia Praga. Por është mbi të gjitha futbolli kinez, ai që ka tërhequr vëmendjen e investitorëve kinezë: Aston Villa, Birmingham dhe Wolwerhampton kanë kaluar tërësisht nën kontrollin e grupeve kineze, ndërsa holldingu CMC (China Media Capital) ka blerë 13% të Manchester City.
Por shopingu kinez në botën e futbollit europian nuk ndalet tek klubet: për të vendosur në regjim sistemin, shërbejnë të mëdhenjtë e futbollit botëror për të shërbyer si magnetë në tërheqjen e të rinjve dhe tifozëve. Kështu, Kina është hedhur në tregun e futbollit me blerje milionëshe: midis blerjeve më të kushtueshme ato të Graziano Pellè i blerë nga Shandong Luneng Taishan, të brazilianëve Hulk e Oscar të blerë nga Shanghai SIPG dhe të argjentinasit Carlos Tevez të blerë nga Shanghai Shenhua. Pastaj është edhe një skuadër, të cilës i detyrohet suksesi i futbollit midis tifozëve kinezë: Guangzhou, klubi i parë kinez që ka fituar një edicion të Champions League aziatike në 1990. Pasi ka rënë nga kategoria për motive korrupsioni, në 2007 është blerë nga Evergrande Group, një prej kompanive imobiliare më të rëndësishme kineze që ka investuar menjëherë në lojtarë dhe sidomos në trajnerë. Në 2012 bleu Marcello Lippi, i cili solli me vete disa lojtarë të dalë fitimtarë nga Botërori: Gilardino, Cannavaro e Diamanti, të cilët e ndihmuan të fitojnë 3 kampionate radhazi në Super League dhe për herë të parë në historinë e futbollit kinez të Asian Football Confederation Champions League. Me hap të njëjtë, Evergrande ka synuar tek të rinjtë dhe ka shpenzuar 185 milionë për të ndërtuar shkollën më të madhe të futbollit në botë, pa prekur blerjet milionëshe dhe bonuset e majme për të zhvatur nga Real Madridi trainerët më të mirë spanjollë. Veç kësaj, sot 13 nga 16 trainerët e kampionatit kinez vijnë nga jashtë. Dhe të gjithë janë të nivelit të lartë po qe se mendohet për emra si Felipe Scolari, Sven Goran Eriksson e Alberto Zaccheroni. «Kur arrita në 2010, si konsulent për krijimin e një rrjeti vëzhguesish që të shkonin e të gjenin të rinjtë më të mirë midis Kinës dhe Amerikës Jugore, Federata më priti duke më thënë se puna ime do të ishte thelbësore për atë që partia e konsideronte si një prej misioneve më të rëndësishme: bërjen një fuqi futbollistike», tregon për gazetarin Battistuzzi të «Il Foglio» Jan Torek, një prej europianëve të parë të zbarkuar në Chinese Super League. «Në 6 vjet ka ndryshuar gjithçka: Presidenti i Republikës ka përshpejtuar ndryshimet dhe biznesmenët kanë investuar kapitale të konsiderueshme. Kanë ardhur trajnerë të kalibrit ndërkombëtar, lojtarë të famshëm dhe me sponsorët e tyre e vëmendje mediatike. Pse? Sepse është një do ut des, një formë mecenatizmi i interesuar. Politika po përgatit sa më mirë terrenin për Botërorin dhe do të jetë shumë për të fituar. Dhe jo vetëm në terma prestigji. Futbolli këtu hap dyert për t’u futur në kujdesin e partisë dhe kjo çon në tendera dhe kontrata të rëndësishme».
Domethënë përshtatja me vijën politike e diktuar nga partia të përkthehet në avantazhe. Por çfarë ka të bëjë futbolli me planin e rilançimit të Kinës të ndjekur nga Presidenti Xi Jinping? Për Giorgio Cuscito, analist i revistës gjeopolitike «Limes» që e takojmë në Romë pas botimit të një vëllimi me shumë faqe pikërisht për këtë argument, investimet kineze në futboll janë një biznes shtetëror dhe përfaqësojnë majën e ajsbergut të një plani më të madh: Zhongguo Meng, ëndërra e madhe kineze, ajo e spostimit të qendrës gravitacionale ekonomike dhe politike nga Perëndimi në Lindje dhe kthimi i centralitetit Kinës. «Xi Jinping është shtyrë nga arsye ekonomike dhe gjeopolitike më shumë sesa sportive. E para, investimi në futboll është një mënyrë për të konsoliduar markat e saj jashtë vendit dhe diversifikuar investimet në një moment ku ekonomia kineze po ngadalësohet dhe monedha mund t’i zhvlerësohet. Për rreth 30 vjet përqindja e rritjes së PBB-së ka qenë e barabartë me 10%, për të zbritur më pas nga 2011 e këtej. Vetëm disa ditë më parë, më 5 mars, gjatë diskutimit mbi Gjendjen e Kombit në Kongresin e Popullit (Parlamentin kinez) Kryeministri Li Keqiang ka deklaruar se ekonomia në 2017 do të rritet me rreth 6.5%, pas 6.7% në 2016 dhe 6.9% në 2015, që ishte tashmë përqindja e rritjes së PBB-së më e ulët në 25 vitet e fundit. Lokomotiva kineze po ngadalësohet, pasi sistemi i bazuar mbi eksportet po nis të thërmohet. Dhe këtu vijmë në motivin e dytë për të cilin Kina ka nisur të investojë në futboll. Eksportimi e bën vendin të prekshëm ndaj nevojës së tregjeve të huaja. Veç kësaj, ky model është mbështetur nga investime shumë të mëdha publike në mbështetje të manifakturës dhe infrastrukturash që e kanë fryrë borxhin publik. Por Kina ka 1 miliard e 400 milionë banorë, që nëse transformohen në konsumatorë mund të hapin një treg të brendshëm gjigant. Por këtij tregu i dihet çdo gjë dhe fitbolli është një sektor ku konsumatorët kinezë mund të shpenzojnë shumë para. Qysh tani numri i tifozëve që shkojnë në stadium është rritur ndjeshëm. Hapi i ardhshëm do të jetë ai i televizioneve me pagesë. Pastaj është edhe një aspekt tjetër i biznesit futboll që ofron një prizëm leximi më të gjerë mbi investimet kineze në Kontinentin e Vjetër. Por flas për investimin e skuadrave kineze për fituar dijen atletike dhe menaxheriale nga jashtë. Po ta shikosh mirë, është e njëjta logjikë që drejt investitorët e Republikës Popullore në blerjen e kompanive italiane: vënie në zotërim e teknologjisë dhe e kompetencave me nivel të lartë për të rritur statusin cilësor të ekonomisë kineze. Domethënë kalimin nga sasia tek cilësia».
Por të gjitha këto transformime nuk janë pa dhimbje: rreth ndryshimit ekonomik në Kinë po konsumohet një luftë e vërtetë për pushtet. Qysh kur është emëruar President, Xi Jinping ka nisur një fushatë obsesive kundër korrupsionit në parti, në ushtri dhe në kompanitë e mëdha shtetërore. Na shpjegon akoma Giorgio Cuscito: «Lufta kundër korrupsionit është funksionale me këtë transformim ekonomik që parashikon një liberalizim më të madhe edhe në fushën financiare dhe privatizimin e një kuote të rëndësishme të kompanive shtetërore, shpesh opake dhe gjithsesi të bërë barrë e rëndë për arkat publike. Por është një pjesë e shoqërisë kineze që i kundërvihet ndryshimit të statuskuosë, pasi ka përfituar nga kjo situatë. Të gjitha këto janë ndryshime delikate, që mund të ndikojnë mbi konsensusin ndaj partisë dhe, në analizë të fundit, mbi stabilitetin e vendit». Por paqëndrueshmëria, për një vend të madh si Kina ku veç të tjerash pabarazitë sociale mbesin të mprehta, mund të jetë fatale. Futbolli shërben edhe për këtë: të përmirësojë perceptimin e Kinës në botën e jashtme dhe të zhvillojë, ndërkohë një ndjenjë agregimi kombëtar, në një vend ku individualizmi është rritur me hap të njëjtë me aspiratat kapitaliste. Ndërkaq bashkë me futbollin, vëmendja e Kinës ndaj ekonomisë së vendit tonë është bërë gjithnjë e më evidente. Në Kinë kanë një proverb që thotë: kur një shigjetë është futur në hark, herët a vonë duhet ta gjuash. Do të ishte mirë të mbahej parasysh tani që shigjetat e para kanë qëlluar në shenjë dhe Italia mbetet në shënjestrën e harkëtarit kinez.

Inter – Milan: një derbi i paparë ndonjëherë
«Kushedi sesi i thuhet “Gëzuar Pashkën” në kinezçe? Do të ishte mirë të mësohej, duke qenë se tashmë është Kina ajo që vendos, deri edhe kur mund ta shikojmë derbin tonë». Kushdo që është gjendur në Milano më 15 prill të 2017, një ditë përpara Pashkës, sigurisht që do t’i ketë dëgjuar fjalë si këto nga ana e tifozëve dhe jo. Po, sepse kjo datë shënon një kalim epokal për Milanon: për herë të parë në historinë mbi 100-vjeçare të të dy klubeve menegine, derbi do të kalojë nga darka në orën e drekës. Motivi? Për ta parë ndeshjen në mbrëmje në tregun televiziv aziatik. Domethënë t’u bëhet një favor kinezëve, me diferencën orare, që të mund të shikonin ndeshjen të rehatuar në kolltuk përpara televizionit. Nga ana tjetër, nëse arka është plot, traditat mund edhe të ndryshojnë: po flasim për një basen që vetëm në Orient vlen 566 milionë spektatorë, kundrej 186 milionë europianëve. Së bashku e kanë bërë derbin Milan – Inter ngjarjen më të ndjekur në historinë e kampionatit. Me paqen e mirë të Matteo Salvini, lider i Lega Nord dhe tifoz kuqezi, që kishte deklaruar se nuk do ta shikonte derbin në shenjë proteste kundër globalizimit të topit: «E spostojnë ndeshjen në 12 e 30 minuta për nevoja televizive? Nuk është më derbi i Milanos. Le ta shikojnë në Pekin», kishte deklaruar në La7. Vetëm për të postuar më pas në Facebook një selfie me berretën kuqezi në kokë.
Në fund të fundit ai i 15 prillit nuk është derbi i parë i orës 12 e 30 minuta. Është edhe derbi i parë kinez: faktikisht në fushën e “San Siros” nuk është vetëm Interi i Zotit Zhang, por edhe Milani i Li Yonghong. Surpriza brenda vezës së Pashkës ka qenë pikërisht kjo: pas një traktative shumë të gjatë që kishte marrë tonet e një telenovele mes shtyrjesh, problemesh burokratike, çeqesh dhe autorizimesh, tri ditë përpara Pashkës, sanksionohet zyrtarisht kalimi i dorëzimeve të Milanit në një grup kinez. Pas 31 vitesh menaxhimi, Silvio Berlusconi e dorëzon skeptrin e klubit kuqezi. Milani kalon kështu nga një president i njohur në të gjithë botën si Silvio Berlusconi në një njeri pak të njohur bile në Kinë. Po, sepse deri në fund, përveç së panjohurës që marrëveshja të mos realizohej prej mungesës së parave kesh, ka qenë edhe misteri se kush ishte pronari i ri i Milanit. Dy janë dallimet karshi Interit të Zotit Zhang: parasëgjithash në këtë rast nuk flitet për një, por për shumë investitorë. Një grup i drejtuar pikërisht nga financieri Li Yonghong. Në ndryshim nga Zoti Zang, Presidenti i ri i Milanit i pëlqen pak dritat e medias dhe për pasurinë e tij personale dihet vërtet pak, aq sa nuk përfshihet në klasifikimet e manjatëve më të pasur të bëra nga Forbes. Ajo që arrihet të dihet për të, siç rindërtohet nga Carlo Festa tek «Sole24ore», është se është një broker i prirur të bëjë biznes nëpërmje shitblerjes së kompanive në periudhë afatshkurtër dhe se për të blerë Milanin i është drejtuar huasë nga ana e një fondi amerikan investimesh.
Është e rëndësishme të nënvizohet sesi në Kinë nuk lëviz qimja po nuk deshi qeveria. Është Xi Jinping idhtari i këtij projekti: për të arritur të përgatitur në mikëpritjen, ka mundësi duke mos dalë qysh në turin e parë, duke bërë figurë të keq, e Botërori 2030, duhet investuar. Të investosh do të thotë të blesh skuadra futbolli, sigurisht, por edhe të importosh trainerë e lojtarë të mirë, teknologji të mira indoor e outdoor etj. Ama duhet thënë se Pekini nuk është Dragoi i 10 viteve më parë, që mund të shpenzonte e të zgjerohej. Futbolli intereson që çke me atë punë, por diktati i Pekinit është: mirë të investosh në këtë sport, por pa shpërdoruar. Faktikisht në qershor të 2017 Autoriteti Kinez i Kontrollit të Kreditimit u ka kërkuar bankave që të çerifikojnë ekspozimin e tyre ndaj 5 bizneseve të mëdha kineze që kanë drejtuar fushatën e blerjeve jashtë vendit. Dhe midis këtyre do të ishte edhe Sino Europe Zhejiang Rossoneri, instrumenti financiar i përdorur për të blerë Milanin. Borxhi i kompanive është bërë një problem serioz për Kinën, në pikën që vetë qeveria, e cila fillimisht e ka lejuar dhe stimuluar, tani po fillon të frikësohet dhe të marrë masa. Nga ana tjetër, në kapitalizmin shtetëror të markës kineze edhe futbolli ka një regji qeveritare dhe emri i regjisorit është ai i Xi. Presidentit i pëlqen futbolli dhe e di se nëpërmjet këtij sporti mund të ushtrojë një soft poëer të mrekullueshëm (e kujtoni selfien e tij me Sergio Aguero e Manchester City dhe David Cameron? Ngjalli habi dhe simpati të madhe), ama jo në kurriz të paqes sociale dhe të ekonomisë të një vendi që nuk rritet më me dy shifra.
(nga libri “Fozza Cina” i autorëve Sabrina Carreras dhe Mariangela Pira)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Kryemadhi: Rama ka kërcënuar ambasadorët e huaj

Deklarata e fortë ka ardhur nga Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Ajo deklaroi në emisionin TPZ se, Rama i ka kërcënuar të gjithë ambasadorët e huaj pa dhënë shumë detjae. Ajo tha se, Rama i ka vendosur në pozitë të vështirë këtë diplomat. Kryemadhi ka rrëfyer një episod nga takimi që ka pasur me Komisionerin Hahn, ku ka qenë e pranishme edhe ambasadorja Vlahutin. Në bisedë është folur për qëndrimet e ambasadores Vlahutin dhe është thënë se në rast se Vlahutin do të dilte kundër Ramës, atëherë Rama do të telefononte Komisionerin Mogerini dhe do t’i prishte karrierën ambasadores. Pyetja që shtrohet pas këtyre deklaratave të Kryemadhit është nëse vërtet Rama është kaq i guximshëm sa të kërcënojë ambasadorët apo e vërteta qëndron diku tjetër?