Petrit Vasili, kryetari i Grupit parlamentar të LSI, ka dalë dje para medias për të shprehur shqetësimin e tij të madh për projektbuxhetin 2018 që u miratua në parim nga mazhoranca. “Dje u shënua armiqësia mes qeverisë e klientëve të saj dhe familjes shqiptare, e cila mori shuplakë shumë të rëndë shoqëruar me depresionin e madh të mungesës së shpresës”. I pyetur nga media se si i konsideron zhvillimet e tjera politike, Vasili tha se, “të gjitha të tjerat janë artifica për të hequr mendjen nga trafiku i drogës; Shqipëria nyje e trafikut të heroinës.
Gjithkush duhej të përlotej kur të shihte fëmijën e Bulqizës me gurë në krah që Kryeministri pati paturpësinë ta mohonte… Ç’na duhet neve shkarkimi i kryetarit të KQZ, kur Kryeministri i thotë policëve hiqni kapelet e mblidhni votat?! Sot Ponc Pilati në krye të qeverisë po shpëlan duart nga ish-ministri….: Jo ia lashë drejtësisë, jo… Ndërkohë që ai vuri mburojë 75 vota për ta penguar drejtësinë.
Artificet e KQZ nuk i mbulojnë këto”. I pyetur në lidhje me qëndrimin e LSI për zgjatjen e mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla, Vasili tha: “Për këtë unë kam vetëm një përgjije: Çfarë përgjigje do të marr për këto tri çështje që ka ngritur LSI-ja për buxhetin. Nëse unë marr përgjigje pozitive, atëherë kësaj qeverie i dhemb sadopak për shqiptarët. Zgjedhjen e kryeprokurorit dhe të tjerat i ka ligji shumë të qarta”. Ndërkohë gjatë seancës parlamentare të zhvilluar mbrëmjen e së enjtes, Vasili u shpreh se kryeministri u përqendrua shumë pak tek buxheti dhe pjesa tjetër sipas tij, ishte i shpërlarë i radhës.
Vasili: “Prezantimi i këtij buxheti në mënyrë të natyrshme qe shumë i shkurtër nga kryeministri i vendit. Bëri mirë. Nuk kishte asgjë të re. Ishte një riciklim bajat i të njëjtit mentalitet. Fjalëshumë dhe punë pak. Natyrshëm nuk kishim çfarë të dëgjonim dhe bëri mirë që nuk humbi kohë të madhe për buxhetin dhe pjesa tjetër ishte humori i shpërlarë i radhës, të cilin u mësuam ta dëgjojmë dhe konsumojmë ne dhe qytetarët shqiptarë në dëm të halleve të tyre të përditshme. Ishte një prezantim që rikonfirmoi një mungesë të qartë të një modeli edhe ekonomiko-shoqëror për 4 vitet që vijnë.
Nuk pati asnjë dallim për të kaluar nga buxhetet arkaike dhe një shpresë e humbur për diçka të re. Ky buxhet ka pak për të diskutuar në thelbin e tij, por ka shumë për të diskutuar për mesazhin që përçon”, tha ai.
Buxheti Rama, buxheti i depresionit të madh dhe mungesës së shpresës
Të dhënat nga Credit Swisse: Shqiptarët më të varfërit në rajon
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia janë tre shtetet që kanë ndër peshën më të lartë të të rriturve të varfër në Europë që kanë një pasuri minimale nën 10 mijë dollarë. Të dhënat bëhen të ditura nga Credit Swisse, në raportin “Të dhënat për pasurinë globale 2017”, ku jepen të detajuara shifrat për pasurinë e të rriturve në vendet e të gjithë botës.
Në Shqipëri, 59.3% e të rriturve kanë një pasuri nën 10 mijë dollarë. Për Maqedoninë, kjo përqindje është edhe më e lartë, duke arritur në 77% dhe për Serbinë arrin në 79%. Si rrjedhojë e përqindjes së lartë që zënë individët me pak pasuri, shtresa e mesme në këto vende është në nivele të ulëta, përkatësisht 22.5% në Shqipëri, 40.3% në Maqedoni dhe 20% në Serbi (të rriturit që kanë një pasuri midis 10 mijë dhe 100 mijë dollarëve). Interesante është që Bosnjë Hercegovina, që ka të ardhura për frymë të krahasueshme me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ka një peshë më të ulët të të rriturve që kanë një pasuri prej më pak se 10 mijë dollarë, prej 56%.
Shqipëria është shembulli tipik i një vendi që vuan nga “mallkimi i pasurive”, teksa pasuritë e mëdha natyrore, qoftë burime minerare, bregdet, liqene apo Alpe, nuk i kanë dhënë vlerë të shtuar banorëve të vendit, që vijon edhe sot të ketë numrin më të lartë të individëve të varfër në Europë. Historia sugjeron se niveli i ulët i pasurisë i bën individët më të prirur të nënshtrohen ndaj pushtetit, teksa varfëria është kërcënimi kryesor i demokracisë. Me përjashtim të disa shteteve si Armenia, Moldavia, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia, kanë peshën më të lartë të të rriturve të varfër, me pasuri më pak se 10 mijë dollarë në Europë.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, pasuri më të madhe kanë grumbulluar malazezët, teksa individët me pasuri nën 10 mijë dollarë zënë 36% të totalit. Në vendet e Europës Perëndimore, kjo peshë varion midis 20-28%, ku në Itali është psh 21%. Në vende të tjera të Ballkanit, që janë tashmë pjesë të BE-së, si psh në Kroaci, pesha e të rriturve me pasuri më pak se 10 mijë dollarë është vetëm 28%, në Bullgari arrin në 44.2%.
Shqipëria ka dhe peshën më të ulët të të rriturve të pasur, ku vetëm 0.3% e individëve të rritur kanë një pasuri midis 100 mijë dhe 1 milion dollari. Edhe në Maqedoni, kjo peshë është më e lartë se tek ne, me 0.5%. Numri më i lartë i të pasurve në rajon (deri 1 milion USD) është në Mal të Zi (1.1%), Kroaci (1.9%), Bullgari (1.5%).
Në total, pasuria për çdo të rritur shqiptar në mesin e vitit 2017 ishte 11,061 dollarë sipas të dhënave të publikuara Credit Sëisse. Nga shuma prej 11,061 dollarë, 2,012 dollarë është pasuri financiare dhe 9,801 dollarë është pasuri jo financiare. Në krahasim me një vit më parë, kur ishte 9,997 dollarë, pasuria rezulton në rritje me 10.6%, por këtu është dhe efekti i kursit të këmbimit, teksa dollari është zhvlerësuar ndaj lekut këtë vit. Pasuria totale e shqiptarëve ishte 24 miliardë USD në mesin e vitit 2017, nga 22 miliardë USD në fund të 2016-ës.
Nga shtetet e rajonit, pasurinë më të lartë mesatare e kanë të rriturit e Kroacisë dhe Malit të Zi. Pasuria mesatare e një të rrituri në Bosnjë Hercegovinë është 12,516 USD; në Kroaci 25,756 USD; në Maqedoni 9,044 USD; në Mal të Zi 19,607 USD; në Serbi 8,035 USD.
Gjermania dhe SHBA duan kokën e “peshqve të mëdhenj”
Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Suzanna Schütz, thotë se vetingu është një proces i paprecedent dhe shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Sipas saj, ka pasur pengesa të qëllimshme që ai të zvarritet.
“Krimi i organizuar është një problem që duhet të zgjidhet patjetër, është një prej kushteve themelore që Bashkimi Europian ka vendosur në kuadër të procesit të integrimit. Ne e përshëndesim shprehimisht faktin se procesi i vetingut tashmë ka filluar, megjithëse ka pasur përpjekje të ndryshme për ta ngadalësuar këtë proces.
Ju e dini tanimë që ne mbështesim dhe konkretisht kemi mbështetur me kontribute procesin e vetingut, përmes misionit EURALIUS. Të gjithë e dimë që procesi i vetingut është i rëndësishëm, i vështirë dhe i paprecedentë, është një proces, i cili nuk ka të ngjashëm të vetët në vend apo në rajon, prandaj bëhet më i rëndësishëm fakti që të gjithë pjesëmarrësit të mund ta realizojnë këtë proces me seriozitetin më maksimal të mundshëm.
Të vënë në dispozicion të gjitha materialet e nevojshme, në mënyrë që të krijohet një ide dhe një panoramë sa më e qartë rreth personave. Shpresa është që sistemi i drejtësisë në fund të jetë një sistem i pastruar nga radhët e të inkriminuarve. Në do të jetë 100% i tillë, kjo është diçka e diskutueshme, por ky është gjithsesi objektivi ynë”, ka thënë ambasadorja gjermane për “GSH”.
E pyetur për deklaratat e ambasadorit Donald Lu, se në janar pret arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, Schütz tha se edhe Gjermania, ashtu si SHBA, kërkon arrestimin e “peshqve të mëdhenj”.
“E thashë pak më parë, ne jemi me të njëjtin qëndrim si amerikanët se, krimi i organizuar duhet të luftohet me vendosmëri maksimale dhe se të gjithë ata persona, të cilët akuzohen për vepra kriminale, sigurisht që duhet të ndiqen dhe të dënohen. Kjo ka të bëjë sigurisht para së gjithash edhe me kokat e strukturave kriminale”, u shpreh ambasadorja.
Ndërkohë, ambasadorja Susanne Schutz tha se e rëndësishme është reduktimi i kultivimit të drogave dhe luftimi i grupeve kriminale. “E përshëndesim faktin që pranë Ministrisë së Brendshme është ndërmarrë hapi konkret lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe në veçanti ndaj kanabisit. Për këtë angazhim ne do të kemi edhe një konsulencë afatgjatë. E rëndësishme është të arrihen rezultate konkrete në reduktimin e sasisë të kultivimit të drogës, por edhe në luftën kundër strukturave të krimit të organizuar”.
Sa i përket çështjes së azilantëve, diplomatja gjermane tha se Shqipëria është një vend i sigurtë dhe nuk do të pranohet asnjë kërkesë. E vetmja mënyrë për të shkuar dhe punuar atje është si një profesionist.
Do paguani 1.5 miliardë euro taksa në 2018 për haremin kryeministror
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar mbrëmë buxhetin e shtetit për vitin 2018. Buxheti u miratua me 74 voto pro.
Por, sa janë taksat që pritet të paguajnë individët dhe bizneset për të siguruar 464 miliardë lekë, ose 3.3 miliardë lekë, sa është shuma që parashikohet të mblidhet në buxhet, sipas të dhënave zyrtare nga tabelat e projektbuxhetit 2018.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), një taksë që paguhet nga konsumatori në çmimin fundor të mallit ose shërbimit, është zëri që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me 33.5% të totalit, sipas parashikimit në projektbuxhetin 2018. Nga TVSH pritet të arkëtohen rreth 1.1 miliard euro. Shqipëria ka normën më të lartë të TVSH-së në rajon, me 20%, së bashku me Serbinë.
Zëri i dytë janë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që së bashku zënë 19.2% të totalit të të ardhurave të pritshme, ose 544 milionë euro.
Akciza është kategoria e tretë, që siguron 9% të të ardhurave, ose 364 milionë euro. Përmes akcizës dhe TVSH-së që janë të dyja taksa mbi konsumin dhe që bizneset ia ngarkojnë konsumatorit final përmes çmimit, buxheti siguron gati 45% të të ardhurave. Kjo do të thotë se nga produktet që do të blejnë, ose shërbimet që do të marrin, qytetarët do të paguajnë indirekt për shtetin rreth 1.5 miliardë euro.
Pas akcizës renditen taksa nacionale (renta etj.), tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimfitimi që sjellin përkatësisht rreth 8.5, 8.2 dhe 7.5% të totalit.
Si tatim mbi të ardhurat personale, individët pritet të paguajnë 272 milionë euro, apo rreth 8.2% më shumë sesa pritet që të paguajnë këtë vit. Shqipëria mban rekord dhe për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Edhe tatimi nga të ardhurat e tjera (qiraja etj) është 15% për gjithë individët shqiptarë. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel. Serbia, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%, ndërsa të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15%. Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%. Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%). Në Bosnjë-Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.
Përmes TVSH-së e akcizës që janë taksa indirekte mbi konsumin dhe tatimit direkt mbi të ardhurat personale, individët do paguajnë gjithsej 1.7 miliardë euro, ose gjysmën e totalit të të ardhurave që pritet të mblidhen në buxhet.
Bizneset do të paguajnë si tatim fitim në 2018-ën rreth 250 milionë euro, çka nënkupton që fitimet e sipërmarrjeve vitin e ardhshëm pritet të jenë rreth 1.8 miliardë euro.
21 milionë euro do të paguhen për taksën e pronës
Në buxhetin e vitit të ardhshëm, shqiptarët do të paguajnë të paktën 21 milionë euro më shumë si taksë prone.
Këtë parashikim ka bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë në draftin e saj të buxhetit të vitit 2018, ku totali i të ardhurave në këtë zë është parashikuar rreth 60 milionë euro.
Sipas tabelave të reja të buxhetit, arkëtimi nga taksa e pronës në 2018-ën pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që pritet të mblidhen këtë vit.
Qeveria synonte që të reformonte taksimin e pronës për vitin e ardhshëm, por duket se e vetmja pjesë me reformim do të jetë taksa e ndërtesës, ndërsa taksa që paguhet për tokë truall dhe tokë bujqësore do të mbeten sipas modelit të vjetër.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, taksa mbi pronën do të pësojë ndryshime të dukshme. Financat kanë aktualisht një draft me ndryshime në ligjin “Për taksat vendore”, ku mes të tjerave është vendosur që taksimi mbi pronën të bëhet në bazë të vlerës së tregut. Aktualisht e njëjta taksë, llogaritet në bazë të sipërfaqes së banesës pra metër katror herë një vlerë fikse që ndryshon sipas tre zonave në vend.
Rritje qesharake për pensionet, 3.7 miliardë euro për shpenzimet e qeverisë
Qeveria shqiptare pritet që të shpenzojë gjatë vitit 2018 rreth 497 miliardë lekë (rreth 3.7 miliardë euro) për pagat e punonjësve, pensione, shpenzimet administrative të përditshme, investime në rrugë, shkolla, rikonstruksione, mbështetje për pushtetin lokal, interesa borxhi e pagesa papunësie.
Sipas tabelave paraprake të draft buxhetit 2018, shpenzimet pritet të rriten me 5.8% në krahasim me pritshmërinë e këtij viti. Në krahasim me atë që prodhon ekonomia në një vit, shpenzimet kapitale pritet të jenë 30.1% e PBB-së.
Teksa e gjithë administrata është përfshirë në një proces të ethshëm ristrukturimi, nisur dhe nga riorganizimi i ministrive, buxheti nuk duket se do të arrijë të kursejë për të paguar punonjësit. Fondi i planifikuar për pagat është 65 miliardë lekë, me një rritje me 10.5% në krahasim me 2017-ën. Kjo do të thotë që buxheti do të shpenzojë 6.1 miliardë lekë, ose rreth 45 milionë euro më shumë për punonjësit.
Në buxhetin afatmesëm, i cili është hartuar në fillim të 2017-ës, përpara se qeveria e dalë pas zgjedhjeve të qershorit të deklaronte planet e saj të riorganizimit, fondi i parashikuar për paga për 2018-ën ishte parashikuar të arrinte në 60.8 miliardë lekë, pra rreth 4.2 miliardë lekë më pak sesa u vendos aktualisht.
Në të kundërt, është ulur ndjeshëm fondi i planifikuar për politika të reja pagash, nga 5.5 miliardë lekë në 2017-ën, në vetëm 1 miliard lekë në draft buxhetin 2018. Në projektbuxhetin e mëparshëm afatmesëm, si fond për politika të reja pagash në vitin 2018 ishte parashikuar një shumë prej 7.2 miliardë lekësh.
Edhe fondi për politika të reja pensionesh është ulur në 1.8 miliardë lekë, nga 2.6 miliardë lekë në 2017-ën dhe 3.1 miliardë lekë që ishte parashikuar në buxhetin fillestar afatmesëm (për 2018-ën).
“Monitor”
Rreziku më i madh për ekonominë globale
Christopher Smart
Shumica mendojnë se krizat e nxehta në gadishullin korean apo në Lindjen e Mesme përbëjnë një kërcim të madh për ekspansionin e ekonomisë globale. Në fakt, krizat politike ndikojnë shumë pak tregun ndërkombëtar, krahasuar me ndryshimet graduale të institucionale globale, të cilat kanë treguar se mund të ndryshojnë dramatikisht sjelljen e investitorëve.
Një nga misteret më të mëdha të tregjeve globale në ditët e sotme është entuziazmi i tyre i pashoq, edhe kur bota përreth tyre duket se ndodhet në prag të kaosit dhe kolapsit. Investitorët shpesh mund të jenë më racionalë nga ç’duken kur bëhet fjalë për vlerësimin e rreziqeve politike. Nëse investimi ka të bëjë me parashikimin e reduktimit të mundshëm të likuiditetit të ardhshëm, është e rëndësishme të shqyrtohen faktorët që mund të ndikojnë ose jo në këto parashikime. Krizat potenciale që mund të duken si më dramatiket apo të dhunshmet janë, ironikisht, ato që tregu i shqyrton dhe monitoron më pak.
Situatat më të rrezikshme për ekonminë globale duket se janë ndryshimet graduale që pësojnë institucionet globale ndërkombëtare këto ndryshime ndodhin ngadalë, por mund të ndryshojnë rrënjësisht përllogaritjet për riskun dhe kthimet potenciale.
Tregu i ditëve të sotme është i lehtë për t’u shpjeguar sa i përket faktorëve thelbësorë: të ardhurat po rriten, inflacioni është mbajtur nën kontroll dhe ekonomia globale duket se po përjeton një ekspansion të madh. Në muajin tetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar përditësoi parashikimet globale dhe arriti në përfundimin që vetëm pak shtete do të vuajnë gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë që bankat qëndrorë kanë në plan ose kanë filluar tashmë të shtrëngojnë politikkën monetare, normat e interesit do të mbeten të ulëta tani për tani.
Krizat politike, sado sensacionale të jenë, nuk pritet të ndryshojnë përllogaritjet ekonomike të investitorëve. Edhe pse fatkeqësive të mëdha të shekullit të 20, tregjet arritën të ringriheshin shpejt. Pas sulmit të Japonisë në Pearl Habour, tregjet e aksioneve amerikane ranë me 10 për qind, por u ringritën pas gjashtë javësh. Po kështu, pas sulmit terrorist të 11 shtatorit, tregu i aksioneve ra me 12 për qind dhe u ringrit brenda muajit. Pas vrasjes së presidentit John F. Kennedy, çmimet ranë me vetëm 3 për qind dhe u ngritën ditën tjetër.
Është e vërtetë që çdo krizë politike është e ndryshme, por pas çdo krize, thotë investitori i vjetër Jens Nystedt, pjesëmarrësit në tregjet ndërkombëtare mbrohen gjithmonë nga përgjigjet e politikanëve. Bankat qendrore dhe ministrat e Financave reagojnë pothuajse menjëherë nëpërmjet rregullimit të normave të interesit apo politikave fiskale dhe asetet e investitorëve kryesisht i rikthehen vlerës që kanë patur përpara krizës. Sot, një konflikt me Korenë e Veriut për shkak të progamit bërthamor kryeson çdo listë të rreziqeve potenciale.
Shpërthimi i hapur i luftës ose një incident i mundshëm bërthamor në gadishullin korean do të shkaktonte një katastrofë të vërtetë humanitare, do të ndërpriste tregtinë me Korenë e Jugut – ekonomin e 13 më të mëdha në botë – dhe do të shkaktonte tronditje të mëdha politike nëpër botë. Megjithatë, një katastrofë e tillë do të ishte me shumë gjasa e shkurtër dhe rezultati do të shihej pothuajse menjëherë. Fuqitë e mëdha botërore do të qëndronin përsëri të bashkuara dhe likuiditeti i shumicës së investimeve do të mbetej pothuajse i paprekur.
Po kështu, një kolaps i plotë politik apo ekonomik në Venezuelë do të kishte implikime të rënda rajonale dhe mund të shkaktonte një krizë akoma më të rëndë humanitare atje. Megjithatë, me shumë gjasa, kjo nuk do të kishte asnjë impakt sistematik në tregjet e energjisë dhe ato financiare.
Këto skenare janë shpesh në titujt kryesorë ndaj manifestimi i tyre nuk është më i papritur. Megjithatë edhe pas një krize të rëndë si një sulm kibernetik masiv apo ndonjë epidemi që shpërthen papritur, trazimi i tregjeve zakonisht zgjat shumë pak, aq kohë sa i duhet investitorëve që të rivlerësojnë normat e tyre dhe likuiditetet e ardhshme.
Në të kundërt, ndryshimet e vendimeve dhe udhëzimeve të përbashkëta ekonomike, kanë më shumë gjasa të ndikojnë, duke i shtyrë investitorët të rivlerësojnë parashikimet e tyre të biznesit. Mund të krijohet një bindje e përbashkët ndërmjet investitorëve që normat e rritjes janë duke u ngadalësuar, apo që bankat qendrore nuk e kanë vënë re rritjen e madhe të inflacionit. Ndryshimi mund të vijë edhe menjëherë me zbulimin e një shume të madhe borxhes të këqija, që kanë shumë pak gjasa të paguhen.
Siç e dinë mirë investitorët e tregjeve në zhvillim, ndryshimet politike mund të ndikojnë në vendimet ekonomike, por përsëri, rreziku është më i vogël nga tronditjet e papritura se sa nga gërryerja e ngadaltë e institucioneve që investitorët i shohin si mbrojtje për të ardhmen e likuiditetit të tyre.
Për shembull, investitorët në Turqi e dinë se vendi është distancuar disi nga Europa dhe kjo ka sjellë rreziqe për bizneset e tyre. Nga ana tjetër, Brazili, pavarësisht skandalit të vazhdueshëm të korrupsionit që ka rrëzuar një president pas tjetrit, investitorët thonë se institucionet e vendit funksionojnë, edhe pse në mënyrën e tyre të ngadaltë dhe burokratike. Rreziku më i madh politik për tregjet globale të sotme pra, është mënyra se si funksionojnë institucionet ndërkombëtare kryesore dhe aleanca e fuqive të mëdha që duhet të jenë më e fortë se kurrë për të siguruar një klimë sa më të favorshme të tregjeve ndërkombëtare, pavarësisht tronditjeve të pritura apo të papritura politike.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI
Problemet e mëdha të Europës
Harold James
Bashkimi Europian është pa dyshim në një periudhë të thellë pasigurie. Nëse liderët kërkojnë të përmirësojnë situatën, ata do të duhet të identifikojnë rrënjën nga ku buron destabilizimi, i cili nuk ka shumë lidhje me ekonominë apo emigracionin se sa me lidershipin franko-gjerman.
Zgjedhja e presidentit Emmanuel Macron në Francë dhe vazhdimi i mandatit të Angela Merkel si kancelare e Gjermanisë janë e vetmja siguri në Europën, që është kthyer në një vend të paparashikuar. Shumëkush pyet veten nëse bërthama franko-gjermane e Bashkimit Europian po bëhet tepër e fortë për pjesën tjetër të bllokut. Nëse kjo do të jetë e vërtetë, atëherë ata që ëndërrojnë integrimin europian gjithnjë e më të ngushtë do të duhet të kënaqen me një aks relativisht më të gjerë franko-gjerman.
Europa sot është duke u përçarë nga forca cetrifugale, përfshirë ngjarjet në Katalonjë dhe lëvizja më e heshtur për autonomi në rajonet e Lombardisë dhe Venetos në rajonet italiane. Populizmi i djathtë qëndron në pushtet në Hungari, Poloni dhe tani po merr forcë edhe në Austri. Populistët e majtë qeverisin Greqinë dhe populistët e qendrës po i afrohen Republikës Çeke, ku manjati Andrej Babiš pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit.
Bashkimi Europian është duke u ndëshkuar gjerësisht me votë në sektorin politik, por ajo që nuk është shumë e qartë, është rrënja e problemit. Thuhet shpesh se populizmi është një përgjigje e pashmangshme për viktimat e globalizimit. Kjo nuk shihet në performancën ekonomike në Republikën Çeke, Hunghari dhe Poloni dhe nuk shpjegon krizën e Katalonjës, pikërisht atëherë kur Spanja kishte hyrë në periudhën e ripërtëritjes ekonomike, apo arsyen përse Greqia vazhdon të jetë një shtet i dobët. Ndërkohë, një tjetër fajtor i preferuar është emigracioni dhe kriza e refugjatëve si një alibi e përkryer, kur në fakt ka shumë pak prurje azil-kërkuesish në vendet që kërkojnë të luftojnë më fuqimisht politikat e BE-së për emigracionin.
Për të identifikuar rënjën e pakënaqësisë duhet të ekzaminojnë pritshmërinë e vjetër se, lidershipi i Europës duhet të vijë nga partneriteti franko-gjerman, i cili ka qenë edhe shtytësi kryesor i integrimit europian për dekada me radhë-në periudhën pas luftës, presidenti francez Charles de Gaulle bashkëpunoi ngushtë me kancelarin gjerman Konrad Adenauer dhe kjo vazhdoi përgjatë viteve 1990, kur François Mitterrand dhe Helmut Kohl lidhën një miqësi të ngushtë mes dy vendeve.
Në nder të kësaj historie, është krijuar bindja se nëse Franca dhe Gjermania bien dakord për diçka, pjesa tjetër e Europës do të duhet të pranojë gjithashtu, por gjatë krizës së eurozonës, që filloi në fund të vitit 2009, pushteti filloi të zhvendosej nga Franca drejt Gjermanisë dhe shumë shtete të tjera filluan t’i merrnin inat këto dy shtete, për shkak të masave ekstreme financiare që shpeshherë impononin. Sipas sondazheve, francezët dhe gjermanët tani marrin një vlerësim të dobët për besnikërinë e tyre.
Merkel ka qenë e polarizuar. Përpara shtatorit të vitit 2015, shumë europianë mendonin se ajo ishte tepër e përkushtuar ndaj regjimit të masave ekstreme që pretendohej se po e intensifikonte krizën e euros. Më pas, ajo drejtoi përgjigjen humanitare kundrejt krizës së refugjatëve, duke u lavdëruar nga ish-kritikët e saj, por u dënua nga populistët dhe nacionalistët e tjerë anti-BE, veçanërisht nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Europa Qendrore. Tani, populistët fajësojnë atë jo vetëm për refugjatët, por edhe për terrorizmin. Po kështu, Macron nuk i ka bërë vetes asnjë favor në Europën Lindore dhe Qendrore. Kriticizmi i tij ndaj Direktivës së Punonjësve – që lejon punonjësit e rajonit të shamngin taksat – ka bërë që ai të kritikohet po aq sa Merkel në disa shtete.
Gjatë krizës së eurozonës, shumë politikanë grekë, italianë dhe spanjollë e shihnin Francën si kundërpeshë ndaj Gjermanisë. Ata mendonin se, Franca mund të frenonte fushatën e masave shtrënguese dhe të shtynte investime më të mëdha në sektorin publik, por ky ishte iluzion dhe një keqinterpretim i rolit të Francës në partneritetin franko-gjerman. Sipas ndarjes tradicionale të punës, Franca ofron sigurinë dhe mjetet për Europën që të projektojë pushtetin nëpër botë, ndërsa Gjermania mbikëqyr financën dhe ekonominë.
Kur Europa u përball me një sfidë sigurie pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, motori franko-gjerman u vu në lëvizje menjëherë, por kritikët e BE-së nuk i pëlqejnë idetë e politikave të jashtme të koordinuara dhe aq më pak disiplinën fiskale dhe monetare të imponuar në mes të një recesioni.
Megjithatë, edhe pse partneriteti franko-gjerman është gjendur në mes të zjarrit, ka fituar edhe pushtet falë vendimit të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Përpara referendumit të Brexit në vitin 2016, shumë në periferi të BE-së e shihnin Britaninë si barrierë ndaj dirigjizmave të Francës dhe pushtetit gjerman. Tani, Britania e Madhe është në mëshirën e Francës dhe Gjermanisë teksa negocion strategjinë e daljes.
Fotografitë e kryeministres britanike Theresa May gjatë vizitës së saj në Bruksel më 20 tetor ishin mjaft domethënëse për shkak se të sillnin ndërmend momentin e samitit të BE-së në vitin 2011, kur Merkel dhe ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy shtrembëronin sytë përballë kryeministrit italian Silvio Berlusconi. Brenda pak javësh, Berlusconi ishte jashtë qeverisë.
Duke parë drejt të ardhmes, Franca dhe Gjermania kanë urgjentisht nevojë të zhvillojnë një vizion të përbashkët në sintoni edhe me politikat e tyre kombëtare dhe të nisin një reformë të thellë të Bashkimit Europian. Që tani kanë një dakordësi lidhur me nevojën për koordinim të mbrojtjes dhe harmonizimit të taksave, por kaq nuk është e mjaftueshme. Franca dhe Gjermania duhet të adresojnë shumë sfida të tjera në lidhje me centralizimin fiskal, ristrukturimin e borxhit sovran dhe çështjeve të tjera thelbësore.
Pavarësisht nëse Franca dhe Gjermania janë dakord apo jo në çështje të caktuara, të gjitha fushat politike do të duhet të hapen dhe të nisin procesin e negocimit me të gjitha vendet e tjera anëtare. Pjesa tjetër e Europës duhet të ndjejë se kanë edhe ata një karrige në tavolinë dhe që zëri i tyre do të dëgjohet. Bashkimi Europian mund të vazhdojë të zhvillohet, por vetëm nëse çlirohet nga perspektivat e ngushta të prioriteteve franko-gjermane. Europa tani ka nevojë për ristrukturim të thellë.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI
Mekanizmi i ri mbrojtës i BE
23 shtete anëtare të Bashkimit Europian kanë vendosur që t’i japin jetë Permanent Structured Cooperation (PESCO) në fushën e mbrojtjes. Bëhet fjalë jo vetëm për një gjest politik dhe simbolik, por për një akt që hap një proces institucional dhe ligjërisht detyrues drejt një bashkëpunimi dhe integrimi më të madh në këtë aspekt.
Të gjithë shtetet anëtare aktuale të Bashkimit Europian, përveç Britanisë së Madhe, Irlandës, Danimarkës, Portugalisë dhe Maltës kanë njoftuar synimin për të aderuar në PESCO, lançimi i të cilit do të vendoset zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm i 11 dhjetorit. Aktivizimi i këtij modaliteti me integrim të diferencuar, parashikuar nga Traktati i Lisbonës nga viti 2009, përbën parasëgjithash një përgjigje politike si ndaj kërkesës për siguri më të madhe nga ana e qytetarëve europianë, ashtu edhe ndaj tendencave centrifugale dhe shpërbërëse që kanë pasur shprehjen e tyre maksimale me referendumin e Brexit-it.
Fakti që shumica dërrmuese e shteteve anëtare ka aderuar në iniciativë e forcon këtë valencë politike. megjithatë, aderimi në PESCO i qeverive si ajo hungareze apo polake, që deri më tani kanë demonstruar skepticizëm, në mos kundërshti, ndaj një forcimi të Bashkimit Europian, mund t’i detyrohet më shumë frikës se mos mbeten jashtë bërthamës së fortë të mbrojtjes europiane sesa një aderim të bindur ndaj këtij projekti politik.
Lidhur me numrin e vendeve aderuese në PESCO, kanë ndikuar impenjimet e nevojshme për t’u marrë për hyrjen në iniciativë, për një kohë të gjatë e negociiuar midis idhtarëve kryesorë të projektit, domethënë midis Parisit, Brukselit dhe Romës. Nga njëra anë Franca donte kritere më impenjuese, një “biletë hyrjeje” më të kushtueshme për të siguruar që PESCO të ishte një iniciativë vërtet ambicioze, në gjendje që të sigurojë një autonomi strategjike në përdorimin e forcës së armatosur dhe në zhvillimin e në prodhimin e pajimeve ushtarake të nevojshme – pavarësisht nga furnitorët joeuropianë, në radhë të parë amerikanë. Nga ana tjetër, Gjermania ka këmbëngulur në fakt mbi karakterin përfshirës të PESCO-s, në bashkëpunim edhe me institucionet e Bashkimit Europian, dhe mbi mundësinë politiko–strategjike për të mos përjashtuar vendet e Europës Qendrolindore nga procesi i integrimit në mbrojtje.
Pika e ekuilibrit është dashur të gjendet midis këtyre dy vizioneve, ka mundësi më afër me Berlinin sesa me Parisin dhe jo rastësisht “ambitious and inclusive” është binomi që ndeshet në dokumentat zyrtare që krijojnë PESCO-n. Dokumenta që bashkë me njoftimin e aderimit shikojnë një aneks të parë lidhur me parimet bazë të iniciativës, një i dytë lidhur me impenjimet detyruese të marra nga shtetet aderuese dhe një i tretë lidhur me qeverisjen e vetë PESCO-s.
Pikërisht karakteri institucional e diferencon PESCO-n nga pozicionimet e mëparshme politike në favor të Europës së mbrojtjes. Faktikisht në këtë rast zbatohen dispozitat e Traktatit të Lisbonës që parashikojnë impenjime detyruese, mekanizma verifikimi të impenjimeve të marra dhe mundësinë (e largët) e përjashtimit nga klubi PESCO i shteteve që nuk respektojnë kërkesat e fiksuara.
Veç kësaj, PESCO integrohet me institucionet ekzistuese, duke ua marrë forcën dhe duke i forcuar anasjelltas në një kuadër politiko–ushtarak më të qëndrueshëm, më unitar dhe më jetëgjatë. Përfaqësuesi i Lartë dhe Zëvendëspresidenti do të jetë plotësisht i përfshirë, edhe me përgjegjësinë e vlerësimit vjetor lidhur me ecurinë e PESCO-s. European Defence Agency (EDA), Shërbimi Europian i Aksionit të Jashtëm (SEAE), EU Military Committee – ky i fundit i kryesuar nga viti 2018 prej Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes italiane Claudio Graziano – do të shërbejnë si sekretariat për PESCO-n, ndërsa Komiteti Politik dhe i Sigurisë dhe Këshilli Europian do të mblidhen edhe në “format PESCO”.
Një inkuadrim i tillë institucional shërben pozitivisht qysh atëhere, duke shmangur që iniciativa të venitet nëse do të duhej të ndryshonin disa prej rrethanave politike që e kanë favorizuar. Dhe, gjëja më e rëndësishme, shërben si motor, me një shtytje të ndërthurur politike e teknokratike drejt integrimit më të madh, siç është eksperimentuar jo vetëm në aspekte të tjera, me logjikën funksionaliste, por edhe në fushën e mbrojtjes me procesin e përpunimit dhe zbatimit të EU Global Strategy – i të cilës PESCO është një prej fryteve më të rëndësishme.
Pikërisht pse PESCO është thellësisht e futur në kuadrin institucional të Bashkimit Europian, në konceptimin e saj sanksionohet lidhja e tij me dy iniciativa të tjera të rëndësishme në zhvillim. Nga njëra anë, Coordinated Annual Revieë of Defence (CARD), domethënë mekanizmi i koordinimit midis ministrave të Mbrojtjes së Bashkimit Europian për planifikimin e kapaciteteve ushtarake kombëtare, parashikuar nga EU Global Strategy dhe që do të zbatohet në 2018 me mbështetjen e EDA-s. Nga ana tjetër, European Defence Fund (EDF) i lançuar nga Komisioni Europian në fundin e vitit 2016 për të financuar kërkimin në fushën ushtarake brenda Bashkimit Europian, për herë të parë në historinë e këtij të fundit, dhe për të bashkëfinancuar projektet bashkëpunuese të zhvillimit dhe blerjen e pajisjeve që shikojnë pjesëmarrjen e të paktën dy shteteve anëtare. Disponimi i kombinuar i fondeve të Bashkimit Europian, i koordinimit ministror në kuadër të EDA-s dhe i shtytjes institucionale e politike PESCO përfaqëson vërtet një rrugëtim të ri e të përshkueshëm drejt mbrojtjes europiane.
Por një rrugëtim që ka nevojë për hapa konkretë që të realizohet. Bashkë me lançimin zyrtar me 11 dhjetor, hapat e ardhshëm do të jenë përpunimi i planeve kombëtare të zbatimit të PESCO-s dhe nisja pasuese e projekteve të përbashkëta për zhvillimin e kapaciteteve të reja ushtarake dhe/ose vënia në sistem e atyre ekzistuese.
Këtu do të jetë vendimtare të shmanget që PESCO të kufizohet në limitet e një kontenitori të thjeshtë projektesh të shtyra nga grupe të ndryshme shtetesh anëtare të koordinuar dobët midis tyre: rezultat që nuk do ta zgjidhte nevojën e forcave të armatosura europiane dhe as kërkesën për siguri të qytetarëve apo projektin politik e një Europe të mbrojtjes. Do të shërbejë për të paraqitur projekte serioze e ambicioze dhe për t’i ndërtuar përreth konsensusin e nevojshëm me qëllim që tërësia e vendeve më të mëdha të marrë pjesë me shumicë dërrmuese të projekteve. Me fjalë të tjera, do të shërbejë si një qendër graviteti për PESCO-n – ka shumë të ngjarë midis Parisit, Berlinit, Brukselit e Romës – dhe lidershipit politik për ta formuar, menaxhuar dhe evoluar në mbrojtjen europiane.
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Rama u heq mësuesve pagën e 13-të dhe shpërblimin e fundvitit

Të gjithë mësuesit e Shqipërisë, 36 mijë mësues të arsimit parauniveristar janë prej 6 muajsh pa kontratë pune. E ndërsa vendi i punës u kërcënohet me shkarkim, qeveria ka vendosur në unison heqjen e pagës së 13-të për mësuesit, si dhe shpërblimin e fundvitit gjithashtu. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat, Luçiano Boçi denoncoi dje amullinë e krijuar në sistemin e arsimit, ndërsa dënoi mungesën e kontratës për mësuesit dhe e lidhi këtë me mohimin që qeveria kërkon t’u bëjë mësuesve duke mos u dhënë pagën e 13-të.
“Ministrja e Arsimit refuzon të nënshkruajë kontratën kolektive me sindikatat, duke shkelur ligjin. Mungesa e kontratës së punës që prej 31 majit i mban mësuesit të pasigurtë në vendet e punës. Ata janë të pambrojtur dhe Ministria e Arsimit mund të marrë në çdo kohë vendim arbitrar për largimin e tyre, siç edhe ka ndodhur. Ka edhe dy arsye të tjera, përse ministrja nuk firmos kontratën kolektive për 36 mijë mësuesit e Shqipërisë.
Sepse qeveria refuzon t’u paguajë mësuesve pagën e 13-të dhe sepse refuzon t’u japë shpërblimin e fundvitit. Refuzimi për të lidhur kontrata me mësuesit e sistemit parauniversitar, është në kontrast me vendimin e qeverisë, e cila, për shembull, paguan për një incinerator pa u ndërtuar dhe për check up-in pa u bërë fare analizat. Veprimi me dy standarde i qeverisë është i qartë: klientëve me të cilët ndajnë miliona euro, u jepet siguri me kontrata dhjetëvjeçare, ndërsa arsimtarët lihen të pasigurtë dhe të papaguar.
Ulja e buxhetit për arsimin
Arsimi vazhdon të mbetet një prioritet i ulët për qeverinë dhe i keqfinancuar në krahasim me vendet e tjera, jo vetëm vendet e zhvilluara, por edhe ato pak të zhvilluara.
Shpenzimet qeveritare, shpenzimet e buxhetit të shtetit, të parashikuara për vitin 2018 për arsimin janë rreth 38,4 miliardë lekë, afërsisht 286 milionë euro. Ky buxhet është parashikuar të jetë rreth 2,49 për qind të prodhimit të pritshëm të vendit, prodhimit të përgjithshëm bruto (PPB).
Në këtë mënyrë, Shqipëria është një nga vendet me shpenzimet më të vogla qeveritare në botë. Duke u mbështetur në të dhënat e vitit të shkuar të Bankës Botërore dhe duke vlerësuar në mënyrë të përafërt, Shqipëria renditet jo më lart se vendi i 135 në botë për nga shpenzimet qeveritare krahasuese për arsimin. Për të krijuar një ide më të qartë, duhet thënë se Organizata e Kombeve të Bashkuara ka 193 vende anëtare dhe pas Shqipërisë mbeten kryesisht vendet më të pazhvilluara të botës.
Vendet e BE-së shpenzojnë fonde publike sa afërsisht mesatarisht 4,9 për qind e PBB-së, pra pothuajse dy herë më shumë se Shqipëria.
Duhet theksuar se, Shqipëria ka bërë mbrapa në krahasim me vitin 2013, kur shpenzimet e arsimit ishin në 3,54 për qind të prodhimit të përgjithshëm të vendit, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 116 në botë. Në krahasim me vitin 2015, kur përqindja e shpenzimeve të arsimit ndaj PPB ka rënë me afërsisht 30 për qind.
Shpenzimet qeveritare të planifikuara për arsimin në krahasim me GDP-në kanë ardhur duke u ulur gjatë gjithë qeverisjes socialiste. Në vitin 2018, ato do të jenë rreth 0,9 pikë përqindje ose një e katërta më pak se sa ato në vitin 2016. Kjo vazhdë rënie pritet që të vazhdojë deri në vitin 2020, sipas parashikimeve të buxhetit afatmesëm.
Kjo situatë është dështim edhe përballë vetë programit të qeverisë. Në strategjinë e Arsimit Parauniversitar të miratuar në vitin 2016, ishte vendosur që në vitin 2018 shpenzimet buxhetore për arsimin të arrinin në 5 për qind të PBB-së.
Shpenzimet qeveritare të parashikuara për vitin 2018 për arsimin parauniversitar, për të gjitha nivelet nga kopështi deri në arsimin e mesëm, janë rreth 2,11 për qind e PPB-së, ndërkohë që objektivi i qeverisë ishte që ato të ishin rreth 2,73 për qind e PBB.
Shpenzimet e parashikuara në buxhet janë 68.5 mijë lekë për nxënës për arsimin fillor dhe 74,2 mijë lekë për nxënës për arsimin e mesëm. Ndërkohë që në strategjinë e arsimit ishte parashikuar që shpenzimet mesatare për nxënës të të gjitha niveleve duhet të kishin kaluar nivelin e 92 mijë lekëve. Ky nivel i financimit është shumë i ulur: ndërsa Shqipëria e ka mesatarisht rreth 700 dollarë shpenzimet për nxënës në vendet e OECD-së shpenzimi luhatet nga të paktën 2 500 dollarë në rreth 10 mijë dollarë për nxënës.
Mbi 85 për qind e shpenzimeve, rreth 180 milionë euro, do të shkojë për financimin e pagave dhe sigurimeve shoqërore për punonjësit e sistemit, ndërsa investimet do të zënë vetëm 8 për qind të shpenzimeve.
Pesha e shpenzimeve që vendoset në zërin “rritja e cilësisë së mësimdhënies, trajnimi i mësuesve, pajisja e shkollave me laborator shkencorë e IT, krijimi i bibliotekave dixhitale, etj., është shumë e vogël.
Totali i shpenzimeve për trajnimin e mësuesve për arsimin parauniversitar do të jetë 50 milionë lekë ose rreth 376 mijë euro. Është një financim gati i papërfillshëm, duke patur parasysh se trajnimi dhe ritrajnimi i mësuesve është një nga proceset më të rëndësishme të çdo sistemi arsimor.
Shpenzimet për laboratorë fizike, kimie, për instalimin e platformave të mësimit elektronik dhe pajisja me tabletat e informatikës janë parashikuar rreth 110 milionë lekë, rreth 827 mijë euro. Ky është një investim minimal, duke patur parasysh se për këtë zë nuk ka patur asnjë financim në vitin 2016 dhe 2017.
Të gjithë këta tregues tregojnë se arsimi jo vetëm është reduktuar në një prioritet të ulët, por është edhe në terma absolutë i keqfinancuar. Kjo politikë do të ketë ndikim të padiskutueshëm në cilësinë e mësimdhënies dhe në përgjithësi në cilësinë e arsimimit të fëmijëve.
Pastrimi i parave, Veliaj vijon ndarjen e llokmave në koncesionin për shkollat
Këtë të premte Bashkia e Tiranës ka çelur tenderin e tretë për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë. Godinat e reja arsimore në Zonën Tirana 3, e cila përkon me Njësitë administrative Nr.2 dhe Nr.5, do t’i kushtojnë buxhetit të kryeqytetit dhe atij të Ministrisë së Arsimit 1.6 miliardë lekë.
Kjo shumë i bashkangjitet atyre për ndërtimin e shkollave edhe në Zonën Tirana 1 dhe Tirana 2, me vlera përkatësisht 1.94 mld lekë dhe 1.57 miliardë lekë, për një shumë totale deri tani prej 5.13 miliardë lekësh.
Në shifrën e mësipërme nuk llogaritet vlera e tenderit për Zonën Tirana 4, procedurat e të cilit pritet të nisin më 24 nëntor.
Edhe për kontratën e njësive 2 dhe 5, do të aplikohet forma e koncesionit partneritet publik privat, ose PPP, ku operatori fitues do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin, pajisjen me laboratorë, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin si dhe vënien në funksion të katër objekteve mësimore.
Vetëm pas përfundimit të ndërtimit të godinave dhe kur ato të jenë në operim, Bashkia do t’i paguajë kompanisë fituese një shumë të caktuar vjetore, deri në përfundimin e plotë të shumës së investuar brenda afateve të kontratës, 7 vite e 18 muaj.
Kjo do të thotë se për 7 vite, kompania fituese do të jetë administratore e këtyre shkollave e gjimnazeve publike.
Për Zonën Tirana 3, objektet e reja mësimore janë si më poshtë:
• Shkollë 9-vjeçare pranë rrethrrotullimit të Saukut, kapaciteti 30 klasa, 900 nxënës
• Shkollë 9-vjeçare pranë Liqenit Artificial në rrugën “Hasan Alla”, kapaciteti 30 klasa, 900 nxënës
• Shkollë 9-vjeçare në NjA Farkë, kapaciteti 24 klasa, 480 nxënës
• Shkollë e mesme pranë rrethrrotullimit të Saukut, kapaciteti 21 klasa, 630 nxënës
Më poshtë mund të shihni në hartë, se ku do të ndërtohen këto godina arsimore, por edhe ato të Zonave Tirana 1 dhe Tirana 2. Këto projekte bëjnë pjesë e projektit “1 miliard dollarë” të qeverisë shqiptare për zhvillimin e infrastrukturës në Shqipëri, brenda viteve të ardhshme, ndërsa financimi do të vijë nga buxhetet e 10 viteve në vijim. Bashkia kërkon të ndërtojë 17 shkolla fillore dhe të mesme; Bashkia do të ofrojë falas tokën publike për ndërtimin e këtyre shkollave ose në disa raste tokë private të shtetëzuar prej saj; Kostoja e ndërtimit, që do t’i paguhet privatit, është vendosur në rreth 350 euro për m2 për shkollat dhe 410 euro për m2 për kopshtet; Kostoja totale e projektit të shkollave me koncesion është llogaritur 60 milionë euro, nga të cilat rreth 40 milionë euro është kostoja e ndërtimit dhe 20 milionë euro fitimi që do t’i paguhet privatit. Projekti do të zgjasë 7 vjet.
Ronaldo: Nuk mund ta kontrolloj botën
Cristiano Ronaldo thotë se dëshiron të ketë shtatë fëmijë dhe të fitojë të njëjtin numër “Topash të Artë”. Por, 32-vjeçari ende mbetet në fokusin e kritikave të fundit, pasi shënimi i një goli në shtatë ndeshje të La Liga-s për këtë sezon është shumë më poshtë rezultatit të tij të zakonshëm. Në një intervistë me “L’Equipe”, Ronaldo tha se po qëndron i qetë pas fillimit të ngadaltë të sezonit në kampionatin spanjoll, duke këmbëngulur se ai mund të kontribuojë më shumë për ekipin e tij sesa vetëm me golat.
“Unë jam i lumtur dhe ndihem mirë. Duhet të qëndroj i qetë dhe të vazhdoj të punoj, sepse mund të bëj më mirë, tha Ronaldo. Ju shikoni tek mua një makinë golash, një djalë, i cili ka për të shënuar gjatë gjithë kohës. Nëse ky nuk është rasti, të gjithë nuk kanë interes të dinë nëse kam luajtur mirë apo jo. Unë jam gjykuar vetëm për të shënuar, gjë që ndonjëherë nuk është gjithmonë më e rëndësishmja. Unë e pranoj kritikën, por nuk pajtohem. Prandaj, nuk i lexoj apo dëgjoj ato që thuhen për mua. Por, nuk kam zgjidhje tjetër, përveçse ta pranoj. Nuk mund ta kontrolloj botën”, u shpreh Ronaldo.
Ronaldo është në një situatë shumë më të mirë në Ligën e Kampionëve, ku ka shënuar gjashtë herë në katër ndeshje në grupe. Megjithatë, Real Madridi momentalisht është i dyti në Grupin H, pas humbjes 3-1 ndaj Tottenhamit, në ndeshjen e tyre të fundit, më 1 nëntor. Përfundimi si i dytë në grupin e tij do të thoshte një ndeshje kundër një fituesi të grupeve të tjera në raundin e 1/16, që do të mund të nënkuptonte një ballafaqim me PSG-në, ndoshta. Por, Ronaldo këmbëngul se si dy herë radhazi kampionët e Europës, nuk kanë frikë nga asnjë kundërshtar i mundshëm: “Unë nuk kam frikë nga PSG-ja, jemi dy herë radhazi kampionët e Europës. Duhet ta respektojmë këtë. Ne do të preferonim ta përfundonim të parët në grup, por gjëja më e rëndësishme është para së gjithash kualifikimi”.
Duke parë më përpara, ylli i Portugalisë tha se ende ka shumë më tepër, çka ai do të donte të arrinte, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj: “Unë dua shtatë fëmijë dhe të njëjtin numër “Topash të Artë”. Kjo do të thotë se nuk kam ndërmend të ndalem këtu. Sa kohë që luaj, do t’i fitoj të gjitha, që mund të fitoj. Ëndrra ime është “Topi i Artë” i pestë, ndërsa vitin e ardhshëm do të ketë edhe një tjetër”.