Milan Skriniar është një nga blerjet më të suksesshme të këtij sezoni, teksa me formën e tij të mirë ka ndihmuar Interin në ecurinë pozitive të fillim-sezonit. Mbrojtësi i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij, ndërsa po befason edhe me rolin si shkatërrues, ku është provuar shpesh te kombëtarja sllovake. Skriniar ka përfunduar në radarët e disa skuadrave të mëdha europiane, mes të cilave Barcelona, që po tregon një interes të fortë, për mbrojtësin zikaltër.
“Nuk di asgjë për interesin e Barcelonës dhe nuk dua t’ia di. Për momentin, në mendjen time është vetëm Interi dhe bashkë me djemtë e tjerë, duam ta rikthejmë këtë skuadër atje ku e meriton të jetë”, tha sllovaku.
Mbrojtësi zikaltër foli edhe për takimin e të dielës në mbrëmje, ku në ‘San Siro’ do të vijë Atalanta, ndërsa tifozët do të mbushin sërish shkallët e stadiumit. “Me Atalantën nuk do të jetë aspak e lehtë, por duhet të fitojmë për të ruajtur ecurinë pozitive dhe për të shpërblyer tifozët, që po tregojnë një besim tepër të madh ndaj nesh. Po përgatitemi si duhet dhe jemi të gjithë gati të kthehemi te fitorja, që të dielën në mbrëmje”, u shpreh qendërmbrojtësi i Interit.
Milan Skriniar ka shijuar shpesh edhe komplimentet publike të trajnerit të Interit, Luciano Spalletti, i cili ishte i pari që besoi te sllovaku dhe i dha një fanellë titullari. “Më vjen mirë për fjalët e Spallettit, sepse kjo do të thotë që nuk e kam zhgënjyer as atë dhe asnjë në ambientin zikaltër. Ai ishte i pari që besoi te unë dhe po na ndihmon shumë të rritemi. Duam të qëndrojmë në vendet e para të renditjes, ndonëse e dimë që do të jetë e vështirë”, deklaroi Milan Skriniar.
Ndërkohë, trajneri i Kombëtares së Meksikës, Juan Carlos Osorio, ka zbuluar si mbrojtësi i Tottenham, Davinson Sanchez, e kishte refuzuar Barcelonën, duke u bazuar në këshillën e tij. Sanchez zgjodhi të kalonte te Ajaxi dhe jo te Barcelona në bazë të këshillës së marrë nga atëherë trajneri i tij në Atletico Nacional, Osorio.
Osorio e zbuloi Sanchezin si 17-vjeçar në Kolumbi dhe i ndihmoi të zhvillohet në skuadrën Atletico Nacional. Forma e tij më pas bëri që shumë skuadra evropiane të interesoheshin për të, përfshirë edhe Barcelonën, sipas Osorios.
“Mbaj mend kur më thirri në telefon dhe më pyeti nëse duhet të shkonte në Ajax apo Barcelonë, e cila ishte e interesuar për të, po ashtu. Mendova se gjëja më e mirë për të ishte të luante futboll, dhe mbase në Barcelonë nuk do të kishte hapësirë për të luajtur, do të ishte zëvendësues. Kjo është ajo çka vendosi ai dhe shkoi në Holandë. Luajti një sezon shumë të mirë atje dhe më pas iu bashkua Tottenhamit”, ka thënë Osorio.
Largon Barcelonën
Sandro Wagner dëshiron të rikthehet tek Bayerni
Hoffenhaimi konfirmon dëshirën e Sandro Wagner për t’u rikthyer tek Bayerni i Mynihut. Sulmuesi e ka nisur karrierën e tij tek bavarezët, në ekipin e të rinjve dhe pas më shumë se një dekade, dëshiron të kthehet te klubi i tij i parë.
Duke mos pasur mundësinë të ishte pjesë e ekipit të parë të bavarezëve, në vitin 2008 ai u transferua tek Duisburg, për të vazhduar më pas karrierën e tij në disa klube të kampionatit gjerman, përpara se të firmoste me Hoffenheimin, në 2016-ën.
Dëshirën e futbollistit 29-vjeçar për t’u kthyer në qytetin e lindjes, e konfirmoi trajneri i bardhebluve, Julian Nagelsmann, i cili sezonin e kaluar e cilësoi Wagnerin si një prej lojtarëve kyç në arritjen e vendit të katërt në Bundesligë.
Falë paraqitjeve me Hoffenheimin, Wagner debutoi dhe me kombëtaren e Gjermanisë, me të cilën në 7 ndeshje ka realizuar 5 gola. Gjithsesi, Nagelsman ka theksuar se përveç dëshirës së 29-vjeçarit, për t’u rikthyer te bavarezët, nuk ka asnjë lëvizje konkrete nga ana e kampionëve të Gjermanisë.
Ai shtoi se mosha e lojtarit mund të jetë një problem për realizimin e këtij transferimi, duke marrë parasysh rastin e lojtarëve të mëdhenj, si Ribery, të cilët pavarësisht kontributit të dhënë, nuk janë më të preferuar te Bayerni, pikërisht për shkak se janë në fundin e karrierës së tyre.
“Chicharito” mohon zërat për largimin nga West Ham
Javier Hernandez, i cili njihet si “Chicharito”, i shpreh besnikërinë e tij ekipit të West Hamit. Sipas mediave angleze, 29-vjeçari ka refuzuar ofertën e ardhur në drejtim të tij nga skuadra meksikane e Chivas-Guadalajara. “Chicharito” deklaroi se nuk ka aspak ndërmend të largohet nga Premier League gjatë merkatos së janarit, pasi në drejtimin e Moyes ndihet shumë mirë. Në fakt, formën e mirë që po kalon meksikani, pas rikthimit në Premier League, e konfirmojnë vetë shifrat. Ai është aktivizuar në 11 ndeshje të kampionatit, duke shënuar 4 gola.
Hatem Ben Arfa, në janar largohet nga PSG
Hatem Ben Arfa ka kohë që mendon largimin nga Paris Saint-Germain, me skuadrën franceze që mund ta lërë të lirë futbollistin që në janar, pavarësisht se kontrata e tij përfundon në qershor të 2018. 30-vjeçari nuk bën pjesë në planet e trajnerit Unai Emery dhe në rast se menaxherët e tij i sigurojnë një skuadër të re në dimër, atëherë francezet do ta linin të lirë të largohej në janar. Ben Arfa u bë pjesë e Parisit në verë të 2016-ës, për në sezonin e tij të parë me klubin kryeqytetas luajti në 23 ndeshje të kampionatit, në sezonin aktual nuk ka një minutë në këmbë, qoftë si zëvendësues.
Boateng: Gjermania, më e fortë se 4 vite më parë
Gjermania mund të bëjë “bis” në Kupën e Botës, që do të zhvillohet verën e ardhshme në Rusi. Kampioni i botës në fuqi me “Pancerat”, Jerome Boateng, ka shumë besim se skuadra e Joakim Lowe do të përsëritë suksesin e arritur në “Brazil 2014”.
“Jemi rritur në çdo repart, falë grumbullimit të lojtarëve të rinj, që janë shumë të uritur. Që kur jam në kombëtare, kemi mbrojtjen më të mirë, ndërsa në mesfushë jemi forcuar shumë me lojtarë të tillë si Goretzka e Can, ndërsa Sané ofron një alternativë më shumë. Jemi me shumë fat që në sulm është afruar Timo Werner”, u shpreh Boateng.
Përfaqësuesja e Gjermanisë ka pësuar ndryshime të shumta këto katër vitet e fundit. Joakim Lowe, nga 11-shja që triumfoi në Brazil (Neuer; Lahm, Hummels, Boateng, Howedes; Schweinsteiger, Kramer; Mueller, Kroos, Ozil; Klose) ka kaluar te formacioni që mposhti Azerbajxhanin në ndeshjen e fundit kualifikuese të “Rusi 2018” (Leno; Kimmich, Mustafi, Sule; Can; Brandt, Goretzka, Mueller, Sané; Stindl, Wagner). Me një fjalë, ndryshojnë futbollistët, por rezultatet janë po ato.
Gati rikthimi i Ibrës dhe Pogba
Zlatan Ibrahimoviç dhe Paul Pogba janë gati të rikthehen në fushë dhe të japin kontributin e tyre për skuadrën e Manchester United-it. Sulmuesi suedez dhe mesfushori francez, vijnë nga dëmtime të gjata dhe ditët e fundit i janë bashkuar grupit dhe kanë kryer të plotë ciklin stërvitor.
Mediat angleze raportojnë se Mourinho po merr në konsideratë që të ulë në stol dy yjet e skuadrës, që në sfidën e të shtunës përballë Newcastle-it, ndonëse duket e vështirë që të kenë minuta në dispozicion.
Plani i trajnerit portugez është aktivizimi gradual i tyre, për të mos rrezikuar dëmtim tjetër dhe për t’i pasur plotësisht të gatshëm në ditët e para të dhjetorit. Manchester United është duke zhvilluar një sezon mjaft të mirë, si në Champions, ashtu edhe në Premier League, ndërsa rikthimi i Pogbasë dhe Ibrës, do të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën.
1 mijë pjesëtarë të forcave të armatosura kandiduan për një vend roje në ambasadën amerikane
Ish-kreu i Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla, duke folur në studion e Report TV u shpreh se dezertimi i katër ushtarëve nga misioni në Angli është një rrezik që do të pasohet nga të tjera dezertime, pasi ushtarët janë të përbuzur dhe të fyer nga trajtimi që iu bëhet.
“Kjo ndodh sepse lidershipi i ka përbuzur, mashtruar e vjedhur ushtarakët shqiptarë, prandaj dhe ndodhin dezertimet. Kjo është për faj të Mimi Kodhelit dhe ish-shefit të Shtabit për 4 vite. Ky është rrezik dhe alarm, pasi do të ketë të tjerë që do të largohen nga FA-të, mos me dezertim me dëshirë dhe kërkesë”, u shpreh Zyla.
Ylli Zyla thotë se, “për vite me radhë kanë dezertuar nga FA shumë komando të aftë për të cilët janë paguar miliona lekë për trajnimin e tyre. Nuk mundet një ushtarak që të jetojë me 300 mijë lekë në muaj dhe me një dietë ushqimore me 20 mijë lekë të vjetra në muaj. Ushtarakët duhet të denoncojnë këto raste abuzive. Buxheti i FA është 0.8% i GDP-së dhe është shumë pak, pasi 2% e GDP-së ushtrisë i duhet vetëm për rroga dhe pajisje. Më 0.8 % ose 1.2% nuk bën gjë tjetër vetëm se merr rrogën dhe shkon në shtëpi, nuk ke forcë operacionale. Me këtë buxhet ushtria mbyllet në kazermë dhe ushqehet”, shprehet Zyla.
Përsa i përket 4 komandove që dezertuan Zyla u shpreh se nuk i njeh pasi ata janë të rinj dhe janë pjesë e rekrutimeve të 2015 “që u bënë me bujë të madhe”. Sipas tij, këta ushtarë duhet të ishin kontrolluar nga Shërbimet e Inteligjencës Ushtarake para se të niseshin në mision. “Dezertimi i këtyre komandove na humb besueshmërinë para partnerëve, ka krijuar një marrdhënie mosbesimi me partnerët e NATO-s, sidomos me SHBA-në dhe Britaninë. Nuk ka më besueshmëri që ushtarakët tanë të shkojnë në misione dhe trajnime, theksoi ish-kreu i SHIU.
Sipas Zylës komandot e dezertuar do krijojnë alibi të ndryshme për të fituar azile ose dokumente: kanë qënë të denigruar, karriera jo sipas meritës, të pavlerësuar, të ofenduar, etj. “FA ka mbërritur në një pikë sa në një kërkesë të Ambasadës Amerikane për 10 vende të lira si roje, aplikuan rreth një mijë ushtarë”, vijon Zyla.
“Dezertimi i fundit zyrtar ka qenë në vitin 2008 dhe deri në 2014 nuk ka patur dezertime. Tre vitet e fundit FA ka denigruar dhe ushtri kanë ngelur njerës që kanë humbur shpresat”, thotë ish-kreu i SHIU.
“Korrupsoni megaloman që ka ndodhur për 4 vite te Ministria e Mbrojtjes, që te radarët, tenderat dhe gjithë korrupsionin e bëra nga MM më në krye Mimi Kodheli dhe gjithë zyrtarët e tjerë”, theksoi Zyla.
Berisha: Noriega mbyll dyert e integrimit për Shqipërinë. Ai përjashton nga procesi opozitën
Ish-Kryeministri Berisha e ka konsideruar një akt antikombëtar përjashtimin e opozitës nga Këshilli i Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE
“Noriega mbyll dyert e integrimit për Shqipërinë. Ai përjashton nga procesi opozitën!” shprehet Berisha
Të dashur miq, mediat bëjnë të ditur sot se neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama, me sojin tjetër të bllokmenëve kanë përjashtuar fshehtas, si kulime të vërtetë, opozitën për të marrë pjesë në punimet e Këshillit të Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE, që mblidhet në Bruksel për të diskutuar për procedimin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Me këtë akt primitiv, pinjollët e bllokmenëve mizorë dëshmojnë se, me urrejtjen e tyre për opozitën, ata janë në gjendje të marrin çdo vendim antikombëtar. Ata dëshmojnë se kanë tmerr nga veprat e tyre të zeza, lidhjet me krimin, kanabizimin e Shqipërisë dhe korrupsionin galopant, dhe se ata nuk kanë kuptuar dhe nuk kuptojnë se Bashkimi Europian pranon vetëm vende që kanë opozitë të vërtetë. Përjashtimi i opozitës nga Këshilli i Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE është një akt tjetër, me të cilin neobllokmenët zhbëjnë një standard të vendosur para 6 viteve dhe që është i domosdoshëm në procesin e integrimit europian.
Me këtë akt ata tregojnë se jo integrimi i vendit, por lufta kundër opozitës është qëllimi i tyre më parësor. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë vendim të Edvin Kristaq Ramës, të përjashtimit të opozitës nga Këshilli i Stabilizim -Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, si një akt atavist dhe antikombëtar i neobllokmenit Edivin Kristaq Rama dhe pinjollëve të tjerë të bllokut hoxhist, i bëj thirrje opozitës të japë çdo kontribut për hapjen e negociatave dhe demaskimin e Noriegës dhe narkoshtetit të tij në Europë dhe në botë! sb
Basha: Qeveria e paralizuar nga krimi dhe korrupsioni nuk i shërben integrimit europian
Kryetari i PD, Lulzim Basha informoi zv/ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart mbi situatën e rëndë që kalon Shqipëria, ku qeveria e kapur tërësisht nga krimi dhe korrupsoni është shndërruar në bllokimin kryesor të Shqipërisë në BE.
Basha i bëri zv/mimnistrit të Jashtëm austriak një rezyme të të gjithë lidhjeve të qeverisë me krimin, ndërsa e konsideroi qeverinë si tërësisht të paralizuar për shkak të situatës së krijuar në vend nga zbulimi i lidhjeve të saj me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Kreu i opozitës i tha zëvendësministrit të Jashtëm austriak se, nga kultivimi i kanabisit në Shqipëri po kalohet tek trafikimi i heroinës dhe kokainës dhe pastrimi i parave në fusha të caktuara të ekonomisë si ndërtimi dhe projektet PPP.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se emigrimi rekord i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian është pasojë e zhgënjimit nga qeverisja, e cila përfaqësohet në çdo nivel me njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar.
“Bashkimi Europian nuk mund ta injorojë këtë problematikë, pasi i rrezikohet kredibiliteti”, tha Kryetari Basha.
Shembja e lidhjeve të krimit me politikën është urgjencë kombëtare për të ndalur marshimin e krimit të organizuar në qeverisje dhe ekonominë e vendit dhe për të rikthyer legjitimitetin e qeverisjes.
Partia Demokratike beson se realizimi i Reformës Zgjedhore, duke përfshirë sistemin elektronik të votimit, është një nga mënyrat për të dalë nga kriza dhe për të kthyer besimin tek njerëzit.
Kryetari i Partisë Demokratikë, Lulzim Basha, e falenderoi zv/ministrin e Jashtëm, Linhart për mbështetjen e fuqishme të Austrisë dhe, veçanërisht të kryeministrit Kurz, për integrimin europian të Ballkanit.
Në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, Austria do të marrë Presidencën e Bashkimit Europian dhe zv/inistri i shprehu zotit Basha mbështetjen e plotë të vendit të tij për zbatimin e reformave dhe arritjes së rezultateve konkrete.