Një biznesmeni italian i janë bllokuar në Aeroportin e Rinasit një shumë e madhe të hollash cash. Bëhet fjalë M.C, 51 vjeç i lindur në Tradate të cilit iu gjetën në çantën e dorës 350 mijë euro. Biznesmeni 51-vjeçar që po udhëtonte drejt Italisë, ishte përzgjedhur për verifikim në vijën e dytë të kontrollit dhe iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasia e madhe e parave të cilën nuk e kishte deklaruar në zyrën doganore.
Policia e Rinasit ka sekuestruar vlerën monetare dhe vijon procedimin në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarim në kufi i të hollave ose sendeve me vlerë”. Burime të lapsi.al thanë se biznesmeni ka këmbëngulur se të hollat i kishte tërhequr në një bankë shqiptare nga llogaritë e tij të kursimit, por nuk kishte preferuar t’i deklaronte. Ato do të qëndrojnë të bllokuara deri në sqarimin e burimit.
Kapet në Rinas biznesmeni me 350 mijë euro në çantë
Prokuroria holandeze: Shqiptarët në majat më të larta të botës së krimit
Një numër i madh i shqiptarëve të paregjistruar në Holandë ka alarmuar autoritetet vendase për veprimtarinë e tyre të dyshimtë. Përafërsisht janë rreth 20 mijë shqiptarë që qëndrojnë për një periudhë relativisht të shkurtër në Holandë dhe vetëm 800 janë të regjistruar ligjërisht. Policia dhe drejtësia holandeze dyshojnë se shumë prej tyre kanë aktivitete kriminale.
“Ekziston dyshimi se ata shumë shpejt po ngjiten në majat më të larta të krimit. Duket se shqiptarët janë më shumë se mesatarja e krimit aktiv në Amsterdam kohët e fundit, kështu që ne do të donim të dinim se sa janë këtu”, ka thënë prokurori i Amsterdamit, Maaike van Kampen.
Për të vërtetuar numrin e shqiptarëve që qëndrojnë në Holandë, gjatë verës një agjenci e specializuar monitoroi faqet shqiptare në internet që klikohen nga territori i Holandës përmes smartphoneve dhe tabletëve.
Rezultoi se me smartphone ekzistonin 35.953 vizitorë unikë dhe 4475 vizitorë nga tabletët. Këto shifra të larta janë ndoshta për shkak se një shqiptar mund të ketë në përdorim më shumë se një smartphone. Kjo është arsyeja pse autoritetet holandeze kanë marrë për bazë shifrën 20 mijë shqiptarë dhe jo më shumë se 35 mijë.
Edhe ministrja holandeze e Drejtësisë, Justine Asbroek thotë se është shumë e dyshimtë veprimtaria e shqiptarëve në Holandë. “Nëse i krahasojmë këto shifra me 800 shqiptarët e regjistruar, ky është një numër shumë i madh. Shqiptarët që arrestohen këtu, pothuajse gjithmonë kanë një histori të paqartë rreth aktivitetit të tyre në Holandë. Dyshimi është se një pjesë e konsiderueshme është e përfshirë në botën e krimit”, u shpreh ministrja Asbroek.
“Rritja e shqiptarëve është shqetësuese. Në Mbretërinë e Bashkuar ata kontrollojnë 60% të tregut të kokainës dhe janë shumë të dhunshëm. Me anë të bashkëpunimit intensiv midis policisë, gjyqësorit, autoriteteve tatimore dhe komunës së Amsterdamit, ne duam t’i parandalojmë ata që të ndërthuren me botën e sipërme të krimit”, shtoi prokurori van Kampen. Sipas autoriteteve holandeze, ka një bashkëpunim të ngushtë me homologët italianë për të identifikuar shqiptarët e përfshirë në aktivitete kriminale në të dy shtetet.
Të pushkatuarit, Ndregjoni: Qeveria të japë fond për gjetjen e eshtrave
Unioni mbarëkombëtar i Integrimit të të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, ka denoncuar atë që e quan, “harresë të qeverisë”, caktimin e një fondi të caktuar në buxhetin e vitit 2018, për gjetjen e eshtrave të 38 intelektualëve të Tiranës, të cilët u vranë në vitin 1944.
Kreu i këtij unioni, Besim Ndregjoni gjatë ceremonisë së përkujtimit të tyre, tha se, qeveria ashtu siç caktoi një fond për rikonstruksionin e Varrezave të Dëshmorëve në vend, ashtu duhet të vepronte edhe për gjetjen e eshtrave të këtyre intelektualëve.
“Sot, ata nderohen kurse këta përçmohen. Kjo është demokracia e paarritur shqiptare. Sot, Parlamenti shqiptar po diskuton buxhetin, dhe e dini çfarë ndodh? Ka një buxhet për të rehabilituar varret e dëshmroëve komunistë, por nuk ka asnjë cent në buxhetin e vitit të ardhshëm për të gjetur eshtrat e këtyre burrave që nuk kanë asnjë varr në Shqipëri. A duhet ta bëjë një gjë të tillë shoqëria shqiptare, ky Parlament, kjo qeveri, por edhe kjo opozitë? Ata heshtin ndaj krimit komunist, prej 27-viteve”, u shpreh Ndregjoni.
Këtë të entje, u bënë homazhe me rastin e 73-vjetorit të vrasjes së 38 intelektualëve në periudhën 25 tetor-16 nëntor të vitit 1944, tek memoriali i martirëve përpara Parlamentit.
Kapen me drogë në Itali dy shqiptarë babë e bir
Babë e bir, shtetas shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë në Milano, Itali. Gjatë një kontrolli të jashtëzakonshëm të territorit, karabinierët e Abbiategrasso kanë arrestuar dy shqiptarë, baba e bir, të cilëve iu janë gjetur 5 gram kokainë, 27 gram hashash dhe 326 gram marijuanë. Në shtëpi janë gjetur para cash rreth 27 mijë euro të fshehura.
Gjithçka nisi nga një kontroll. I riu ishte kontrolluar mbrëmjen e 12 nëntori në brendësi të një lokali shumë të frekuentuar nga të rinjtë në Abbiategrasso, “Castle rock”. Pasi i gjetën doza droge dhe shumë kartëmonedha të prerjeve të vogla, karabinierët kanë kryer edhe kontrollin në shtëpi. Pas kontrollit babë e bir L.G., 62 vjecc (me precedent) dhe R.G., 23 vjeç u arrestuan.
Policia italiane në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë holandeze kanë ekzekutuar dje një operacion ndërkombëtar antidrogë i cili ka çuar në arrestimin në Amsterdam e Roterdam të 7 personave, 6 shtetas shqiptarë e një shtetase polake.
Akuza ndaj tyre është trafik ndërkombëtar droge, armëmbajtje pa leje armësh zjarri e lufte si dhe riciklim parash. Policia e Firences ka nisur hetimet e këtij operacioni në maj të 2015 nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme Antimafia e me urdhër të Prokurorisë së qytetit të Firences. Hetimet kanë verifikuar një organizim të rrezikshëm kriminal të përbërë nga shtetas shqiptarë që trafikonin lëndë narkotike nga Amerika e Jugut përmes Hollandës në Itali dhe Angli. Si dhe ricikli të parave të përfituara nga biznesi i drogës.
Hetimet kanë verifikuar se ky grup kriminal bashkëpunonte me dy klanet mafioze të qytetit të Barit Di Cosimo e Parisi. Përgjatë hetimeve të këtij operacioni janë sekuestruar 140 kg kokainë në vlerë 4 milionë euro, 700 kg marijaunë, 4 milionë euro para të thata, 8 armë zjarri e lufte si dhe disa banesa automjete dhe një sipërmarrje tregtare në Hollandë.
Hetimet e undit kanë vërtetuar se ky grup kriminal ishte i gatshëm të trafikonte në tregun italianë rreth 20 kg kokainë rreth 97% e pastër. Ky operacion kanë vënën nën hetim dhe 30 persona të dyshuar si bashkëpunëtor më anëtarët e këtij grupi kriminal.
107 vite burg për autorët e masakrës së Mamurrasit
Prokuroria e Kurbinit kërkon 107 vjet burgim në total për 4 personat e akuzuar për masakrën e Mamurrasit. Më 23 shtator 2015, mbeti i vrarë Naim Tafa, dhe u plagosën rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku. Të pandehurit Elton Mamli dhe Tom Mamli, vëllezër me njëri-tjetrin, në dt. 23.09.2015, kanë zhvilluar një konflikt të ashpër të armatosur me kushërinjtë Gazmir dhe Taulant Tafa, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të trenit.
Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, i cili ishte i përfshirë në përleshje. Ndërkohë që u plagosën rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin bashkë me shumë persona të tjerë, në zonën e stacionit të trenit.
Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Kurbinit kërkoi të dënohet me 33 vjet burgim Tom Mamli, Elton Mamli të dënohet me 26 vjet burgim, Gazmir Tafa të dënohet me 24 vjet burgim dhe Taulant Tafa të dënohet me 24 vjet burgim. Gjithashtu, Prokuroria e Kurbinit kërkoi dënimin me 2 vjet burgim për shtetasin Dorian Mamli, i akuzuar për “Moskallëzim krimi”.
Nga hetimet e Prokurorisë së Kurbinit, rezulton se, konflikti ndërmjet familjeve Tafa dhe Mamli ka filluar kohë më parë në Suedi, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta kushëriri i të pandehurve Tafa, Edmond Tafa me vëllezërit Mamli. Ky konflikt ka vijuar edhe në Shqipëri. Rreth një muaj para ngjarjes, i dëmtuari në Suedi, Edmond Tafa dhe i pandehuri Gazmir Tafa kanë rrahur në Mamurras, Elton Mamlin. Pas kësaj ngjarjeje, vëllezërit Mamli kanë debatuar edhe me kushëririn e tyre, Dorjan Mamli, për faktin se ky i fundit shoqërohej me Tafajt, të cilët ishin “kundërshtarët e tyre”.
Por, pavarësisht presionit, Dorjan Mamli nuk ka pranuar të shkëpusë marrëdhëniet me Tafajt dhe për këtë arsye, ditën e ngjarjes, më 23 shtator 2015, vëllezërit Elton dhe Tom Mamli kanë rrahur kushëririn e tyre, Dorjan Mamlin. Pas këtij episodi, vëllezërit Mamli janë larguar me mjetin e tyre “Range Rover”. Ndërsa Dorjan Mamli është takuar me kushërinjtë Tafaj, të cilëve u ka treguar për ngjarjen. Këta të fundit (Tafat) kanë dalë me mjetin e tyre, tip “Benz”, në kërkim të vëllezërve Mamli.
Të dy palët janë përballur me njëri-tjetrin pranë stacionit të trenit dhe fillimisht kanë përplasur mjetet e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pas përplasjes, të dy palët, të armatosur, kanë dalë nga mjetet dhe kanë qëlluar kundër njëri-tjetrit. Konflikti i armatosur ka ndodhur në një moment, kur ambjenti përreth ka qenë i populluar me shumë njerëz.
Nga goditjet me armë, ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Naim Tafa, i cili gjendej nën shoqërinë e kushërinjve Tafa. Nga ekspertiza, rezulton se ai është vrarë nga arma e përdorur nga Tom Mamli. Po ashtu, nga goditjet me armë, kanë mbetur të plagosur edhe shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin rastësisht në vendin e ngjarjes.
“Ai miku po bën llogaritë se si do të ikësh”
Në një gjuhë të koduar dhe diplomatike, Basha i ka kujtuar Ramës misionin e vërtetë të mikut, të cilin edhe Rama e përmendi dje në Parlament, por me një kuptim krejt të ndryshëm nga ai i mesazhit të Bashës. “Ai miku po bën llogaritë kur ti të ikësh”. Kjo ka qenë përgjigja e Bashës për Ramën, e cila nuk ka sjellë asnjë reagim nga Rama. Po për cilin mik flet Basha? Natyrisht, në këto kohë kur misionet e partnerëve janë shtuar në Shqipëri është e qartë se kemi të bëjmë me një platformë politike që po studiohet nga partnerët për të nxjerrë Shqipërinë nga rreziku që i kanoset me krimin e organizuar që ka kapur qeverinë. Pyetja tjetër që ka shtruar Basha ka qenë se sa do të jetë fatura e largimit të Ramës? “Ai miku po bën llogaritë se kur do të ikësh dhe sa do të jetë fatura e këtij vendi. Ty nuk të llogarit më njeri për kryeministër”, tha Basha. “Partnerët ta kanë vënë vizën dhe ti e di mirë. Thelbi i çështjes është ky: ti nuk ke dështuar me luftën kundër drogës dhe krimit. Ti je arsye pse krimi u fut në këtë sallë me mbi 20 deputetë dhe kryetar bashkish të dënuar si trafikantë në Gjermani, Holandë, Itali dhe anë e mbanë Evropës. Ti këtë nuk e fsheh dot as grupit tënd parlamentar, jo më atyre që e kanë të shkruar të zezë mbi të bardhë. Nuk e di në ç’gjendje e ke dëgjuar atë mikun që të ka thënë fjalët për mua, por ai miku po bën llogaritë se kur do të ikësh dhe sa do të jetë fatura e këtij vendi. Ty nuk të llogarit më njeri për kryeministër. Rrallë herë ka ndodhur në historinë e Evropës që të gjendet dikush në këtë pozitë ku je ti, jo dy muaj para zgjedhjeve, por pas zgjedhjeve. Unë e di më mirë se ti, ose për arsye të caktuara, Fatmiri ta fsheh ty se cila është detyra e të dërguarve perëndimorë në Tiranë. Asnjëri prej tyre nuk po harton apo ekzekuton operacione. Kanë ardhur për tjetër detyrë këtu”, tha Basha.
Katër pyetjet e Bashës që e bënë Ramën të heshtë
Gjatë replikave në seancën parlamentare, kreu i Partisë Demokratike, Basha tha se të dërguarit nga Gjermania dhe SHBA-ja në Tiranë nuk kanë ardhur për të kryer operacione, por për të çmontuar ushtarët e krimit.
Kush e fitoi sterilizimin?
Shkalla më e rëndë e degradimit të një njeriu është kur i thotë gënjeshtrat pa iu dridhur buza, jo një, dhjetë, por qindra mijëra shqiptarëve. Investimi tha ju mbetet shqiptarëve. Sterilizimi. Infrastrukturën e blen privati. Të thuash se e ka nga injoranca është një dalje e lehtë për Edi Ramën, të thuash se nuk e informonte kryehajduti i shëndetësisë do të ishte po kështu rrugëdalje. Se di unë që mbillet drogë, e ka fajin Saimiri. Investimi është bërë nga Banka e Këshillit të Evropës. Është paguar nga taksa-paguesit shqiptarë prej 15 mln euro.
Nuk e ka falas. Kush e fitoi sterilizimin? Ndërtuesi me 1 mijë euro në Itali dhe fotografi me Ilir Beqajn dhe Edi Ramën dhe ia dha vetes së tij. Paratë që dalin nga buxheti i shtetit dhe paguan ky i ndan me muratorin e Bolonjës. Kjo është e vërteta. E di ky. Prandaj vjen këtu dhe vjell mashtrime nga më të çuditshmet. Vetëm lekët në xhepin e tij justifikojnë broçkulla. Si funksionojnë koncesionet, ta thonë mjekët. Hapin 4-5 paketa. Për një operacion hapin 5-6 paketa, sepse injorantët që ka marrë muratori i Bolonjës që i keqpaguan që të vijnë para sa më shumë në xhepin tënd, nuk dinë t’i rendisin pajisjet. Sa më e madhe fatura, aq më shumë fiton ti. Nuk është as e ndërlikuar sa ajo vjedhja e famshme e Shalsit. Është vjedhje hasha.
Pse nuk e publikon kontratën e koncesionit të Vilmës?
Check-up falas? Falas? Po lekët që dalin nga buxheti? Sa i paguan Vilma Nushin? Burra me barrë, gra me prostatë, edhe me të vdekur. Sepse lekët t’i sjell ty. Çfarë infrastrukture ka Vilma? Në ambiente publike, me punonjës publik dhe paketa që i shet 10 herë më shtrenjtë se në treg. Çfarë i mbetet shtetit? Burra me barrë, gra me prostatë. Duke qenë si bëjnë analizat kot, qytetarët detyrohen t’i bëjnë prapë.
Rrisqet e koncesioneve të dhëna nga qeveria e mëparshme e ka privati. Koncesioni prodhon energji dhe shteti përfiton. Ti çfarë do t’i lësh shtetit? Pajisjen që ka përdorur muratori i Ilir Beqajt? Ke një përfitim ti nga krimi.
Por askush nuk duhet t’i shpëtojë transparencës për asnjë koncesion apo leje ndërtimi. Projekti 1 miliard është pastrimi i parave të pista. Kjo është arsyeja pse ia çon 6% TVSH-në, hoteleve me 5 yje dhe këtë po ta them haptaz. Është krim dhe është krimi, arsyeja pse e bën ti këtë. Se nuk mundet kurrsesi që dikush që jep dhomën me qira apo një bujtinë, të paguajë 20%, ndërsa hoteli me 5 yje që ndërtohet pa transparencë të paguajë 6 apo përjashtimi dhjetë vjet nga tatimi. Pse nuk i bën publike ti këto kontrata? Pse nuk e bën publike kontratën e Vilmës dhe gjysmën e kontratave koncesionare që ke firmosur? Se këtu pastrohen para.
Cila kompani fitoi 20 milionë euro tendera dhe hetohet për trafik heroine në Elbasan?
Cila kompani në Qarkun e Elbasanit ka fituar 90 tendera, 20 mln euro nga të cilat 15 me negocim pa shpallje, dy tendera në muaj, çdo javë nga një tender. Kush e ka këtë kompani? Pyete Qazon se ta thotë. Kjo kompani është pjesë e hetimit ndërkombëtar, sepse përbën një nga nyjet e infrastrukturës së heroinës. E di? Po raportin e Këshillit të Evropës? Apo e nxori Top-Kazani dhe nuk merresh më.
Si po i pastrojnë paratë e drogës?
Po të bëhet gjithmonë më e vështirë ta mbash me llogjet e zakonshme. Kanë ardhur partnerët, sepse këtu janë prodhuar qindra milionë euro drogë. Këtë s’e them unë, e thonë të gjitha burimet zyrtare europiane dhe amerikane. Këto qindra milionë euro i prodhuan dhe zotërojnë një grusht me kriminelë. Të lidhur drejtpërdrejt me piramidën e pushtetit, siç provon rasti Tahiri, i përgjuar jo nga opozita, as nga media, por nga Antimafia italiane.
Del këtu e flet kodra pas bregut vetëm të mos i përgjigjesh kësaj pyetjeje: Ku janë këto qindra milionë euro të drogës? Përveç atyre që ndodhen në kasafortat dhe dysheqet e disa kriminelëve me pushtet dhe disa pushtetarëve dhe ministrave të lidhur me krimin, po pranë nuk mbahen dot të gjitha në dysheqe, ku janë? Dhe përgjigja që të vjen nga KE është që këto para po pastrohen në ekonomi nga një grusht njerëzish, që janë të vetmit që po përfitojnë. Asnjë shqiptar nuk po ia sheh hajrin, drogës, as pastrimit të parave të drogës me përjashtim të një grupi kriminelësh dhe pushtetarësh të lidhur me ta.
Si po i pastrojnë paratë e drogës? Kryesisht në sektorin e ndërtimit. Pse në sektorin e ndërtimit? Jo vetëm, sepse në përvojën botërore të luftës kundër pastrimit të parave është ndër sektorët kryesorë, por sepse statistikat ta thonë qartë, s’i fsheh dot as INSTAT-i yt.
Por, kërkesa për leje ndërtimi dyfishohet, ndërsa kredia për leje ndërtimi zvogëlohet. Nuk ka nevojë të jesh shkencëtar për ta kuptuar me çfarë parash po ndërtohet. Kjo është e vërteta.
Nuk i largohesh dot duke ngritur në piedestal pesë individë që deri para katër vitesh na i quaje anëtarë të oborrit të Saliut! Tani ndaje mendjen: janë anëtarë të oborrit të Saliut, janë të oborrit tënd? Thuaja Braçes dhe socialistëve tuaj. Për mua është e qartë: unë s’merrem me asnjë emër të përveçëm.
Italia: 10.6 tonë drogë u bllokuan në Tetor nga Shqipëria
Të dhënat e publikuara nga Drejtoria Qëndrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali, vijojnë të flasin për përmasa të bllokimit të lëndëve narkotike me prejardhje kryesisht nga Shqipëria.
Sipas burimeve zyrtare të Antidrogës, vetëm gjatë muajit tetor të këtij viti në Itali janë bllokuar rreth 10,6 tonë lëndë narkotike (marijuanë dhe kanabis), nga 6,2 tonë që ishin bllokuar tetorin e vitit 2016.
Sipas burimeve zyrtare italiane, rreth 8.5 tonë e lëndës narkotike, e sekuestruar në tetor të këtij viti, ishte e llojit marijuanë me prejardhje në masën dërrmuese nga Shqipëria, ndërsa rreth 2,1 tonë ishte hashash.
Sipas Antidrogës Italiane policia arrestoi në tetor të këtij viti rreth 2.208 persona nga të cilët 1.108 ishin të huaj, në një masë të madhe shqiptarë.
Të dhënat italiane flasin për një rritje të ndjeshme të trafikut të drogës gjatë vitit 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Shqipëria mbetet furnizuesi më i madh i tregut italian me marijuanë të kultivuar në zona të ndryshme të vendit.
Megjithë operacionet e shtuara të policisë shqiptare dhe italiane, sidomos muajt e fundit, grupet kriminale arrijnë të transporotjnë përmes detit nga Vlora në brigjet italiane sasi të mëdha marijuane.
1 i vdekur dhe tre të plagosur në dy aksidente
Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur në dy aksidentet që ndodhën ditën e djeshme në Fushë-Krujë dhe në aksin Tiranë-Elbasan. Një aksident me pasojë një të vdekur ka ndodhur dje në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë. Një automjet me targa AA 439 LL ka përplasur për vdekje këmbësorin Dodë Muça 65 vjeç nga fshati Mallkuç i Krujës.
Përplasja ka qenë e fortë dhe 65-vjeçari ka humbur jetën menjëherë. Nuk dihen ende shkaqet dhe motivet e aksidentit. Forca policie në vendngjarje kanë nisur hetimet. Policia bëri të ditur se, më datë 16.11.2017, tek Ura e Gjoles, Fushë-Krujë shtetasi A.D. 27 vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Fiat Punto” ka aksidentuar me pasojë vdekje shtetasin këmbësor D. M. 65 vjeç, banues tek Ura e Gjolës. Drejtuesi i mjetit ndodhet në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Po ashtu, tre persona kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e djeshme pas një aksidenti në kryeqytet. Bëhet e ditur se, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në aksin Tiranë-Elbasan, pranë Ibës. Nga të dhënat paraprake mësohet se 3 të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se, shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë një parakalim i gabuar i njërës prej makinave. Ndërkohë, policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton rreth shkaqeve të aksidentit.
Plagoset me armë një 30-vjeçar në Unazën e Re
Një 30-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri në rrugën “Mikel Maruli”, pranë Unazës së Re në kryeqytet. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme rreth orës 12:30, kur Gentian Rrahmani 30 vjeç nga Kukësi banues në Unazën e Re, u qëllua me pistoletë nga disa persona, të cilët u larguan me një makinë nga vendi i ngjarjes.
I plagosuri mori një plagë në trup dhe u dërgua në Spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua një operacioni. Burimet policore thanë se, aktualisht i plagosuri është jashtë rrezikut, por se po pritet konfirmimi i mjekëve. Dyshimet e policisë për ngjarjen janë drejtuar mbi konflikte të mundshme që i plagosuri ka pasur në këtë zonë. Kjo, pasi sipas policisë, Rrahamani njihet prej tyre si person problematik. Së paku një herë ai është arrestuar nga policia për rrahje të një personi pak muaj më parë, ndërsa është liruar më vonë.
Policia shoqëroi në ambientet e saj disa dëshmitarë që mendohet se kanë parë ngjarjen. Këta të fundit i thanë policisë se, konflikti kishte nisur në një studio tatuazhesh në këtë zonë dhe se më pas kishte përfunduar me të shtëna me armë. Policia ka ushtruar kontrolle në banesat e disa personave të dyshuar, por ende nuk ka persona të ndaluar.
Gjendet i vdekur një 53-vjeçar në Durrës
Një person është gjetur i vdekur ditën e djeshme në Durrës. Bëhet e ditur se, trupi i pajetë i një 53-vjeçari është gjetur nga patrulla e policisë së Durrësit, rreth orës 10:35, në vendin e quajtur “Hidrovori”. Nga këqyrja paraprake e viktimës nuk janë evidentuar shenja dhune. Gjatë kontrollit fizik i është gjetur në xhep një kokërr fotoksinë.
Hetimet paraprake dyshojnë, se shkak ka qenë gjendja e rënduar psikologjike dhe mund të jetë vetëhelmuar. Vijojnë hetimet nga grupi hetimor dhe ekspertë mjeko-ligjor në përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes me daljen e aktit të ekspertimit.