31.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Çmimi i ujit në Tiranë 2.2 herë më shtrenjtë se sa në Berlin

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka rritur çmimin e ujit për qytetarët 2.2 herë më shtrenjtë se në Berlin. “Rritet me 45% çmimi i ujit në Tiranë! Lal Plehu, i rritur, siç pretendon, duke shitur fiq, tani duke shkelur çdo ligj u rrit qytetarëve dhe bizneseve me 45% çmimin e ujit apo 2.2 herë më shtrenjtë se në Berlin! Vetëm protesta mund t’ju mbrojë ju të dashur qytetarë nga ndëshkime të tilla banditeske!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
Një specialist i ka shkruajtur Berishës se, rritja e çmimit të ujit nga Bashkia e Tiranës me 45%, kalon çdo tolerancë të lejueshme teknike morale. “Përshëndetje Doktor, Enti Rregullator i Ujit paska miratuar pa bërë asnjë lloj oponence rritjen e çmimit të ujit të sugjeruar nga Lal Plehu, pa u konsultuar me asnjë teknicien dhe i votuar në Këshillin Bashkiak në një formë shumë misterioze që nuk u mor vesh. Si ka mundësi që çmimi i ri do të jetë 65 lekë/m3 nga 45 lekë/m3, pothuajse rritje me 45%, gjë që kalon çdo tolerancë të lejueshme teknike morale.
Në Tiranë 1 m3 ujë i papijshëm, se dhe kjo duhet marrë, parasysh do kushtojë 65 lekë, me një rrogë minimale 22.000 lekë, ndërsa në Berlin 1 m3 ujë i pijshëm kushton 240 lekë, me një rrogë minimale 175.000 lekë. Po ta llogarisni jemi 2.2 herë më të shtrenjtë se Berlini dhe për më tepër me ujë që nuk pihet dot, sepse përsëri nga një buxhet familjar harxhohen mijëra lekë shtesë në muaj për të blerë ujë të pijshëm. Ju lutem denoncojeni si skandal, se kjo gjë po kalon pa u përmendur fare, në fakt kjo është vjedhje e drejtpërdrejtë që i bëhet çdo qytetari pa asnjë dallim”, shkruan specialisti.
Enti Rregullator i Ujit miratoi para tre ditësh kërkesën e bërë nga Veliaj dhe Rama, për rritjen e çmimit të ujit me mbi 45% për qytetarët e Tiranës. Nga 1 janari, qytetarët e kryeqytetit do të paguajnë faturat e ujit të dyfishuara. E gjithë lëvizja e UKT, e orkestruar nga Veliaj u bë si qëllim për propozimin e rritjes së tarifave të planifikuar qysh kohë më parë. Çmimi i ujit në Tiranë do të rritet nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe propozohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj.
Partia Demokratike reagoi menjëherë kundër rritjes së çmimit të ujit të pijshëm nga Bashkia e Tiranës. “Bashkia e Tiranës po rrit çmimin e ujit si një dhuratë për pronarët e ardhshëm të Ujësjellësit të Tiranës, që do ta privatizojnë këtë kompani publike, me siguri për të ndarë bashkë fitimet me Erion Veliajn dhe Edi Ramën”, deklaroi Akil Kraja, anëtar i Këshillit Bashkiak të PD. Ai tha se, i vetmi qëllim i rritjes së çmimit të ujit në Tiranë i shërben planit për privatizimin apo dhënien e UKT me konçesion dhe ndarjen e miliona eurove mes Ramës, Veliaj dhe konçesionarit, klient të tyre. “Me vendimin për rritjen e çmimit të ujit me 40%, Bashkia e Tiranës po u merr edhe më shumë para familjeve dhe bizneseve të kryeqytetit pa u dhënë një shërbim më të mirë. Nëse një familje paguan mesatarisht 10 mijë lekë në muaj vetëm për ujin, tani do të paguajë, 14 mijë lekë. Nëse një biznes paguan mesatarisht 50 mijë lekë në muaj vetëm për ujin, tani do të paguajë 70 mijë lekë. Rritja me 40% e çmimit të ujit nga Bashkia e Tiranës është e pajustifikuar dhe të gjitha të dhënat tregojnë se është një rritje për një aferë të madhe korruptive, privatizimin e Ujësjellësit të Tiranës. Prej 2 vitesh, ekspertët nuk pranojnë të çertifikojnë bilancet e Ujësjellësit të Tiranës për shkak të abuzimeve dhe keqmenaxhimit. Aktualisht, Ujësjellësi i Tiranës, faturon vetëm 1 në 3 litra që prodhon, por për shkak të mungesës së investimeve, rezulton me fitim vjetor 5 milionë euro. Të gjitha të dhënat të çojnë në një konkluzion”, tha ai. Kraja tha se, Bashkia e Tiranës nuk po e rrit çmimin e ujit për të përmirësuar furnizimin me ujë. Ajo dështoi me këtë politikë, kur rriti çmimin e biletës së autobuzëve.

1 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohet në Firence

Trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë vazhdon pa ndërprerje. Policia italiane sekuestroi dje 1 ton kanabis në Firence dhe arrestoi 14 persona, mes të cilëve shqiptarë dhe italianë. Sipas hetuesve, qendra e drogës është Shqipëria prej edhe ka kaluar.
Operacioni i policisë italiane është pasqyruar gjerësisht në mediat e huaja edhe për bashkëpunimin me Policinë e Holandës. Pika e nisjes së drogës ishte Shqipëria, me destinacion Italinë, duke kaluar nga Holanda. Përfituesit i riinvestonin paratë e drogës, duke rritur edhe xhiron e prostitucionit.
Mediat lokale italiane flasin për 6 shtetas shqiptarë të arrestuar dhe një polak si pjesëtarë të këtij trafiku ndërkombëtar droge, pastrim parash. Hetimet janë koordinuar nga skuadra e Antimafias në Firence. Gjatë hetimeve nga Policia e Firences dhe e Amsterdamit janë ekzekutuar disa urdhërarreste si dhe është sekuestruar 1 ton lëndë narkotike.

Hetimet

Në ditët e fundit, në Amsterdam dhe Rotterdam janë arrestuar 7 persona, përgjegjës për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe luftës dhe pastrim parash. Hetimet kanë filluar që në maj të vitit 2015, me rezultatin e hetimit nga Prokuroria e Firences – Drejtoria e Qarkut Antimafia, kur u shpërbë një bandë kriminale e formuar nga shqiptarë, e cila i dedikohej trafikut të lëndëve narkotike që nga Amerika e Jugut arrinin në Itali nëpërmjet Holandës, përveç pastrimit të të ardhurave. Janë zbuluar dinamikat që sillnin kokainën nga Amerika e Jugut në Holandë, bazë për trafiqet në Europë. Në maj të vitit 2016 në Bari janë angazhuar gjashtë masa parandaluese kundrejt anëtarëve të shquar të klanit barez Di Cosimo e Parisi, që ishin të lidhur me bandën shqiptare për të shpërndarë drogë në Puglia.
Ekipi i përbashkët hetimor mes Italisë dhe Holandës çoi në arrestimin e 30 të dyshuarve në më pak se një vit, dhe sekuestroi: 140 kg kokainë me një vlerë tregu prej mbi 4 milionë euro, 700 kg. marijuanë; 4 milionë në para cash; 8 armë zjarri, si automatike dhe gjysmë automatike, me municione të përshtatshme dhe bombë dore; shumë makina dhe pasuri të patundshme në Holandë. Sipas rezultateve të hetimeve, çdo dy javë në Itali futeshin në treg të paktën 20 kg kokainë e pastër në 97%.
Para dy ditësh u sekuestrua 2.4 ton drogë nga Shqipëria në Ravenna. Operacioni çoi në arrestimin e tre shqiptarëve dhe një shtetasi italian. Mediat italiane shkruanin se, kapja e 2.4 tonëve drogë konsiderohet si një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në historinë e Ravennas.
Policia italiane zbuloi bandën e trafikantëve të drogws, të cilët ishin duke transportuar ngarkesën me një furgon. Policia bllokoi shoferin e furgonit, një italin 26-vjeçar, dhe brenda mjetit u gjet sasia e 2.4 ton marijuanë, 62 kilogram hashash dhe 4 kilogram vaj hashashi. Gjatë operacionit antidrogë një nga shqiptarët ka qëlluar me armë, duke plagosur një oficer policie.

R.POLISI

A paguan komandot për të emigruar në Britani?

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë me disa ushtarë të Repartit Komando, duke e përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes në një skandal ndërkombëtar.
Burime nga ky institucion bëjnë me dije për “Albeu.com” se katër ushtarë Komando të Shqipërisë që ishin për një trajnim në Londër nuk janë kthyer në vendin e shërbimit siç duhej të bënin, duke ngritur alarmin tek autoritetet lokale.
Dyshohet se ata janë arratisur, duke u fshehur në Britaninë e Madhe, ndërkohë që tani duhej të ishin kthyer në atdhe.
Ngjarja ka ndodhur në fund të tetorit, dhe sipas “Albeu”-t, është mbajtur e fshehtë nga Ministria e Mbrojtjes. Policia lokale është vënë menjëherë në kërkim të tyre, por deri më tani nuk kanë patur rezultat.
Kjo është një ngjarje e rëndë që përfshin këtë institucion dhe cenon marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e NATO-s, pasi tashmë askush nuk mund të marrë përsipër pranimin e ushtarëve nga vendi ynë për trajnim në shtete si Britania e Madhe apo SHBA-të.
Po përse janë larguar Komandot shqiptarë në Britani? Askush prej tyre nuk mund ta ketë bërë nga dëshira për të ikur nga vendi. Burimet saktësojnë se kemi të bëjmë me një arratisje për arsye ekonomike. Komandot do të kërkojnë të qëndrojnë në Britani për të punuar dhe jo për të vazhduar misionin e tyre në Forcat e Armatosura. Pyetjet që shtrohen lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes. A e kanë blerë udhëtimin si Komando në Britani katër ushtarakët? Dihet fenomeni që ka prekur prej vitesh shoqërinë, ai i emigrimit masiv të shqiptarëve, vetëm se kurrë më parë nuk kishte ndodhur që ky fenomen të përfshinte edhe Trupat Komando të Forcave të Armatosura të një vendi në NATO. Asnjë vend tjetër anëtar i Aleancës nuk ka pasur një fenomen të tillë ndaj dhe NATO ka arsye për të analizuar arsyet se përse këto komando kanë marrë arratinë nga Forcat tona të Armatosura dhe kanë zgjedhur që të punojnë në ndërtim në Britani.
Fenomeni i emigrimit drejt Britanisë ka bërë që mijëra e mijëra shqiptarë të rrezikojnë jetën e tyre, duke kaluar në mënyrë ilegale nga Franca drejt Britanisë. Pagesat që ata paguanin për një kalim të tillë arrinin deri në 7 mijë euro. Po në rastin e Komandove a kanë paguar ato shuma të tilla për të mbërritur në tokën britanike dhe më pas për t’u larguar nga misioni ushtarak? Përse Ministria e Mbrojtjes e mbajti të fshehtë këtë skandal dhe u detyrua që ta pranojë vetëm, pasi ngjarja u publikua në media? Janë shumë pikëpyetje që ngrihen vetëm se një gjë është e sigurtë, udhëtimi drejt Britanisë i komandove të kujton ditët më të zeza të Shqipërisë, kohën e diktaturës, kur shqiptarët arratiseshin nga vendi për shkak të regjimit kriminal që ishte instaluar.

 

Buka

Edison YPI

Pas kurvit, “Buka” ishte më e shpeshta fjalë.
Buka ishte lënda e parë pa të cilën nuk bëhej asgjë, nuk ndodhte asgjë, nuk bëhej asnjë spiunim, nuk arrihej asnjë fitore, nuk tejkalohej asnjë plan, nuk bëhej asnjë mbledhje, nuk funksiononte asnjë komitet. Frika se mos shqiptarët mbeteshin pa bukë, ishte e vetmja frikë e papërballueshme nga kurvi dhe nomenklatura.
“Me bukë” mund të bëhej gjithçka; Ushqeheshin masat punonjëse, korreshin fitoret, shtohej hovi revolucionar, përparonin shkencat, zhvillohej Arti, letërsia, teatri, kinematografia, çahej bllokada.
Megjithse nuk u prodhua dot kurrë aq bukë sa shqiptarët të ngopeshin, “Festa e Bukës” tundëte dheun.
Flitej papushim për të mirat e paçmuara që vinin prej ngrënies së bukës; farkëtimi i prangave, mbushja e burgjeve, puna vullnetare, format e edukimit politik.
Sihariqin për “bukën e siguruar vetë” e buçiste rregullisht në çdo kongres vetë kurvi. E megjithatë Shqipëria ishte plot me sabotatorë që rraseshin nëpër burgje sepse kapeshin, jo me grurë e misër por “me preshë në duar” duke dashur të djegin mullarë bari, vija uji, depo drithi, të cilat kurrë nuk ndodheshin ku ndodhte sabotimi dhe sabotatorët, pra në vendin e krimit, por prapa maleve për t’i siguruar nga bombardimet në rast lufte.
Le të mos kishe asgjë për të ngrënë, kocka për t’i lëpirë, dhëmbë për të kafshuar, madje as stomak për të tretur, bukë duhej të kishe patjetër.
Për ta theksuar rëndësinë e bukës, kujtohej shprehja e Napoleonit; Bindja e ushtarit kalon nga mbushja e stomakut, pra nga buka.
Aq shumë bukë në një vend aq bosh, nuk mund të “sigurohej” ndryshe veçse duke e sjellë nga “jashtë shtetit”. Mirpo ta sillje bukën nga jashtë do të thoshte se i ishe gjunjëzuar armikut. Prej këtij kurthi kurvi dhe partia nuk dolën dot kurrë.
U bënë propozime nga shpikësa pararojë për të ngritur fabrika që të prodhonin grurë. “Fabrikat nuk mund të prodhojnë ushqime, thanë agronomët. Gruri është produkt organik që ka brenda Albuminë, pra sipas Engelsit jetë, ndërsa fabrikat prodhojnë produkte inorganike, sende”. Zbulimi se problemi i prodhimit të grurit me fabrika nuk ishte teknologjik por filozofik, i tmerroi. Propozimin e shpiksave proletarë nuk e zunë në gojë.
Propaganda tregonte papushim traktora që çanin arat, kombajna që korrnin grurin, koperativistë të qeshur që grurin e fusnin nëpër depo, e megjithatë gruri s’ndalte së ardhuri nga “jashtë shtetit”.
Rrena se buka sigurohej atje ku ishin arat, fushat, koperativat, pra në fshat, të bënte të besoje se i pari që hante bukë gruri ishte fshatari. Ironi makabre. Fshatari hante vetëm bukë misri.
Llomotitej me të madhe se gruri “sigurohej në vend”, çka kurrë nuk ndodhi. Buka shpërndahej me gramaturë; Kaq gram bukë qytetari, kaq ushtari, aq marinari, aq aviatori, aq minatori. Fshatari nuk llogaritej sa gramë bukë hante.
Buka, pjekja e bukës, blerja e bukës, mplekseshin aq tepër sa “dyqani i bukës” quhej edhe “furri i bukës”.
Nëse tek kafshoje bukën mes dhëmbëve të pështillej një spango e thesit të miellit, kjo ndodhte ngaqë në furrin e bukës brumin e ngjeshin me këmbët e palara disa evgjitër.
Flitej gjërësisht jo vetëm për bukën por edhe për babain e saj të butë, brumin. Nga besnikëria për kurvin, diskutimi që do mbaje në mbledhjen e kolektivit, e deri tek karakteri i individit, edukata e tij, kultura, dhe gjithë të tjerat duhej të ishin “me brumë”. Natyrisht brumë buke, se asnjë lloj tjetër brumi nuk kishte në qarkullim.
Nëse makina punonte me karburant, hidrocentrali me ujë, mulliri me erë, shqiptari punonte me bukë.
“Buka me vete” apo hamburgeri diktatorial, ishin dy copa buke me në mes ca tmerre që s’është mirë të kujtohen.
Të kudondodhurin slogan “Vetëm buka dhe fishekët të mos na mungojnë”, tani që s’të pjerdh kush mund ta quash monstruoz apo makabër, ndërsa atëhere të hidhnin hekurat edhe mendja po të shkonte ta interpretoje sadopak.
Myzeqeja, Devolli, Zadrima, ishin hambarë imagjinarë drithi.
Pse nuk zgjodhën vezën, makaronat, orizin, mishin, por pikërisht bukën, mbeti e errët për një kohë të gjatë. Misterin e zbuloi një ishullar nutricionist autodidakt i cili tha; Veza ka lidhje me Kolombin, domethënë me Amerikën, makaronat lidhen me Italinë, orizi me Kinën, mishi me seksin, pra me gjëra të rrezikshme, ndërsa buka paqësore vetëm me krypë e zemër.

Skema e grabitjes së 36 ha tokë në bregdetin e Kavajës

Elton QYNO

Rreth 2 vjet më parë, Spiro T., banor i fshatit Rreth Greth të Rrogozhinës u informua nga ish-agronomi i komunës, Ilir Kaja se do të bëhej pronar i 3 mijë metrave tokë në bregdet.
“Meqenëse je hallexhi dhe keq nga gjendja ekonomike do të të pajisim me rreth 3 mijë metra katrorë tokë”, i ka premtuar Kaja gjatë një takimi mes tyre në qendër të fshatit.
Në dëshminë e tij për Prokurorinë e Kavajës, Spiro T., ka pohuar se nuk kishte parë asnjë dokument pronësie dhe as nuk e dinte se ku ndodhej toka “e premtuar”. Por Kaja i kishte sugjeruar në një takim të dytë që bashkë me të shoqen dhe djalin të paraqiteshin te noteri për të bërë shitjen dhe ai ishte bindur.
Dokumentet e hetimit të siguruara nga BIRN tregojnë se Spiro T. firmosi aty ku i tha noteri, duke e ditur se po shiste 3 mijë metra tokë për 1.5 milionë lekë dhe mori me këste dorazi nga Kaja 1.2 milionë. Sipas Prokurorisë, ai nuk ishte në dijeni se në emër të tij ishin tjetërsuar 15 700 metra katrorë tokë në bregdetin e Spillesë-pjesë e një sipërfaqe prej 36 hektarësh që iu vodh shtetit përmes një kapice dokumentesh të falsifikuara nga disa institucione lokale, për të cilët akuzohen 11 zyrtarë.
Spiro T. ishte vetëm njëri prej 108 banorëve të zonës, emrat e së cilëve u përdorën në skemën e tjetërsimit të tokave përmes dokumenteve të falsifikuara.
“Banorët kanë përfituar tokë dhe që më pas e kanë shitur apo kryer transaksione të tjera, nuk janë njohur me asnjë lloj dokumentacioni për tokën, por vetëm kanë kryer aktin e shitblerjes së tokës, ku noteri u ka shkuar në shtëpi dhe kanë firmosur në mirëbesim”, thuhet në dokumentet e hetimit të Prokurorisë, të cilat iu dorëzuan Gjykatës për vlerësimin e masave të sigurisë.
Dokumentet e hetimit tregojnë se toka e tjetërsuar fillimisht në emër të banorëve të zonës u kaloi përmes kontratave të shitjes apo të dhurimit të afërmve të pushtetarëve lokalë të Kavajës, ku kryeson rrethi familjar i ish-kryetarit të Bashkisë, Elvis Rroshi.
Burime të Prokurorisë i thanë BIRN se, rrethi i ngushtë familjar i Rroshit përfitoi më shumë se 1 hektarë tokë në bregdet, ndërkohë që sipërfaqe të konsiderueshme toke përfituan edhe familjarë të ish-kreut të PS, Gentian Daja, ish-nënprefektit të Tiranës, Fatos Kaja, ish-kryetari i komunës Kryevidh, Behgjet Pjeci apo zyrtari i Kadastrës, Nezir Leçini.
Të pyetur nga BIRN, burime të Prokurorisë mohuan që hetimet e deritanishme të kenë përfshirë në rrethin e të akuzuarve edhe Rroshin apo Dajën, ndërsa shtuan se, “hetimet vazhdojnë”.
BIRN u përpoq të kontaktonte përmes telefonit me ish-kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Rroshi dhe ish-kreun e PS së Kavajës, Daja, por e pati të pamundur të komunikonte me ta.

Të akuzuarit për tjetërsimet

Hetimi i Prokurorisë për falsifikimin e 36 hektarëve tokë në bregdetin e Kavajës u materializua të martën në Gjykatë, ku u firmosën 11 urdhër-arreste dhe një arrest shtëpie për personat, të cilët akuzohet se qëndrojnë pas falsifikimeve.
Në pranga përfunduan Fatos Kaja, ish-zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh që deri në maj 2017 mbante postin e nënprefektit të Tiranës si dhe dy ish-zyrtarët e së njëjtës komunë, Behgjet Pjeci dhe Dashnor Çullhaj, drejtori i ALUIZNI Kavajë, Altin Çoba dhe ish-shefi i Kadastrës, Nezir Leçini, Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë, Andi Gjeçi, jurist, ZVRPP, Kavajë, Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë, Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë, Enver Duqi, ish-drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Kavajë.
Gjykata urdhëroi gjithashtu arrestimin e kryetarit të Hipotekës Kavajë, Seid Cikalleshi, por policia nuk mundi ta arrestojë atë.
Sipas dokumenteve që BIRN disponon, Prokuroria e Kavajës i ka nisur hetimet pas një pengese që kishte dalë për Inspektoriatin e Ndërtimit që shkoi të prishte një ndërtim pa leje në plazh në vitin 2016. Të zotët e ndërtimit pretenduan se kishin pronësi mbi tokën, ndërsa letrat që ata paraqitën, sipas Prokurorisë u bënë shtysë për të filluar hetimet.
Gjurmimi e çoi Prokurorinë të zbulonte se toka që është edhe sot e gjithë ditën ranishte dhe pyll me pisha, siç tregojnë edhe ekspertizat që BIRN i ka, ishte tjetërsuar në tokë arë dhe më pas ishte ndarë sipas Ligjit 7501. Prokuroria thotë se duke mos qenë tokë bujqësore, kjo e fundit nuk mund të përfitohej në bazë të këtij ligji.
Prokuroria dyshon se më shumë se 1 kilometër vijë bregdetare rreth 40 metra e gjerë kishte filluar të tjetërsohej që prej fillimit të viteve 2000. Ndërsa shitblerjet te persona të tretë kanë filluar pas vitit 2010 deri në nëntor një vit më parë, kur ZVRPP-ja e Kavajës i kërkoi Këshillit të Qarkut të Tiranës të konfirmonte kalimin e një sipërfaqeje nga “tokë pa frut” (pyll) në “tokë arë”.
Ky duket se ishte edhe gabimi tjetër i grupit të akuzuar.
Të dhënat e Prokurorisë tregojnë se kreu i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi zbuloi se në emër të tij ishin firmosur dhe vulosur dy dokumente dhe e kallëzoi rastin në Prokurori në nëntor 2016. Verifikimet dhe më pas ekspertiza e Prokurorisë, zbuluan se, vula dhe firma e përdorur ishin false, ndërkohë që nuk kishte ekzistuar asnjë korrespondencë e mëparshme mes ZVRPP-së së Kavajës dhe Këshillit të Qarkut në Tiranë për këtë çështje.
Kallëzimi i Këshillit të Qarkut e ndihmoi Prokurorinë të kuptonte se praktikisht thuajse të gjitha shkresat e përfshira në këtë tjetërsim të pronës, kishin kaluar dorazi dhe jo përmes institucioneve. Prokuroria thotë se, nuk ka gjetur shënime në protokollin e institucioneve që duhej të kishin kryer verifikimet për këto regjistrime pronash.
Dëshmia e protokollistes së ZVRPP-së thotë se, dokumentet e këtyre parcelave nuk kalonin si normalisht përmes postës, por vinin dorazi dhe pasi firmoseshin nga kryeregjistruesi Seid Cikalleshi, regjistroheshin në protokoll.
Kjo i bënte dokumentet të paplota, por Seid Cikalleshi, i shpallur në kërkim si ish-drejtues i ZVRPP-së i ka thënë Prokurorisë gjatë një marrje në pyetje se ai vetëm kishte sigluar këto dokumente, duke ua lënë përgjegjësinë specialistëve që duhej të verifikonin.
Prokuroria, megjithatë gjeti se Cikalleshi i kishte firmosur dokumentet edhe pse këto ishin të paplota dhe të pa konfirmuara nga Këshilli i Qarkut, i cili rezultoi që nuk ishte pyetur zyrtarisht për këto prona.
“Ish-kryeregjistruesi i Hipotekës së Kavajës, në bashkëpunim me disa zyrtarë të institucionit të tij si edhe me mbështetjen e ish-zyrtarëve të Komunës Kryevidh kanë ndryshuar zërin kadastral nga “ranishte” në “tokë arë”. Më pas, këtë tokë ua kanë shpërndarë familjeve të ndryshme, të cilat kanë pasur qëllim tjetërsimin e menjëhershëm të saj, nëpërmjet shitjes”, njoftoi Prokuroria.
Prokuroria bën me dije se ishte vënë në dijeni të procesit të shpejtë të tjetërsimit kohë më parë dhe në korrik 2017 kishte ndërhyrë “duke e vendosur nën sekuestro sipërfaqen e ranishtes për të penguar përkeqësimin e situatës në terren”.
Burimet i thanë BIRN se, janë duke vijuar hetimet edhe për një parcelë të 5-të në plazhin e Spillesë, në të cilën në hetim janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë Rrogozhinë.

Përfituesit e tokës

Sipas hetimit të Prokurorisë, skema e tjetërsimit të tokave ka nisur në vitin 2000 nga Agron Xhelezi, kryeagranomi dhe kryetari i Drejtorisë së Trajtimit me Tokë në ish-komunën Kryevidh, ish-kryekomunari i kësaj komune Behgjet Pjeçi dhe më pas ka vijuar dhe me zyrtarë të tjerë. Ish-kryetari i Komunës Behexhet Pjeçi ka përfituar sipërfaqe toke vetë, duke i dhënë tokë shtetërore bashkëshortes, të birit dhe një kushërire.
Po të njëjtën gjë ka bërë dhe ish-kryetari i komunës Haki Veza, duke i dhënë familjarëve të tij tokë shtetërore.
Po ashtu, përfitues është edhe Ilir Kaja, ish-kryeagronom, i cili i del Prokurorisë edhe si ndërmjetës në shit-blerjet që janë bërë më pas si dhe Nezir Leçini, dhe ky zyrtarë lokal i dënuar njëherë në dhjetor për një falsifikim të ngjashëm në një zonë tjetër të Kavajës.
Duke ndjekur gjurmët e kontratave, prokurorët gjetën se përfitues ishin edhe prindërit e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi dhe rrethi familjar i bashkëshortes së tij. Familjarët e Rroshit që u largua nga detyra vitin që shkoi, pasi u kap nga ligji i dekriminalizimit, sipas një dokumenti që BIRN e ka lexuar, kanë përfituar rreth 1 hektar prej kësaj toke.
Në një rast një grua e identifikuar si H. I. Elmadhi, pasi ka fituar 4300 metra katror tokë në këtë zonë, ia ka dhuruar atë sipas Prokurorisë me kontratë noteriale “Azem dhe Nazije Rroshit”.
Në të njëjtën mënyrë edhe të afërm të ish-kreut të PS Kavajë, Gentian Daja, sipas Prokurorisë, kanë blerë sipërfaqe më të vogël të kësaj toke.
Në total sipas Prokurorisë janë 135 praktika që pasi kanë marrë AMTP nga ish-komuna Kryevidh, kanë filluar hipotekimin e sipërfaqeve tokësore me pyll në bregdetin e Spillesë.
“Të 135 praktikat e falsifikuara tashmë janë sekuestruar dhe bllokuar në hipotekë dhe në terren nga Prokuroria e Kavajës, ku bëhet fjalë për katër parcela mjaft të mëdha, të cilat mbulojnë të gjithë bregun ranor dhe pyll në plazhin e Spillesë”, thotë Prokuroria.
Sipas Prokurorisë, përfituesit e parë të këtyre sipërfaqeve janë kryesisht fshatarë të zonës ose të afërm të personave të përfshirë. Në shumë raste, këta fshatarë nuk kanë pasur dijeni për vendndodhjen e pronës që kishin përfituar dhe ose e kanë dhuruar ata para një noteri, ose e kanë shitur atë.
Në një rast Shkëlzen H, i tha prokurorit se në gusht-shtator të vitit të kaluar, Kaja që akuzohet se ka kryer pjesën më të madhe të transaksioneve, i kishte kërkuar të shkonte te noteri për të firmosur dokumente të shitjes së tokës dhe më pas në një llogari bankare i është hedhur shuma prej 4.4 milionë lekësh. Ky banor, ashtu si edhe të tjerët ka thënë për Prokurorinë se nuk kishte dijeni për dokumentet e pronësisë dhe as për vendndodhjen e tokës.

Pisha dhe rërë

Prokuroria ka zbuluar gjatë hetimit të saj se e gjithë toka e përvetësuar si tokë bujqësore vijon të jetë pyll dhe ranishte. “Parcelat e hetuara me nr.1, 35, 37, 178, 42, janë terrene pyll me pisha në lartësi 15-20 metra, të dendura”, thuhet në dokumentet që BIRN disponon.
Sipas Prokurorisë “vetëm këto fakte, të përcaktimit material nëpërmjet këqyrjes dhe fotografimit aktual do të përbënin dyshimet e arsyeshme për verifikimin e trajtimit gjatë procedurave të tjetërsimit që janë kryer nga institucionet dhe përfaqësuesit e tyre zyrtarë, në lidhje me ligjshmërinë apo paligjshmërinë e konstatuar tashmë gjatë hetimeve”.
Ndërkohë, Prokuroria thotë se në të paktën dy raste, persona që kishin marrë më herët me qira pyllin apo plazhin në parcelat në hetim, ishin gjendur shumë shpejt para pronarësh që pretendonin ato si prona të tyre.
Në një rast, një shqiptar që jeton në Gjermani, ka paguar deri në shtator të këtij viti qiranë për tokën e marrë me kontratë nga Bashkia Rrogozhinë, por thotë se megjithëse ai paguan qiranë dikush tjetër pretendon që pylli dhe rëra ishin tokë arë dhe pronë e tij.
Dëshmitari i ka thënë Prokurorisë se megjithëse ishte ankuar në ZVRPP, se si një tokë që ai e kishte me qira prej vitesh si tokë publike ishte tjetërsuar, nuk kishte marrë përgjigje.
Sipas Prokurorisë, 11 personat e akuzuar, duke ditur statusin e tokës si “shtet pa frut” kanë sajuar komisione fiktive për ndarjen e tokës si dhe kanë prodhuar dokumente false, duke ua shpërndarë ato fillimisht banorëve të zonës dhe më pas, përmes kontratave të shitjes apo të dhurimit ia kanë kaluar ato familjarëve të tyre.

Masakra e nëntorit ‘44 në Tiranë u urdhërua nga Enver Hoxha dhe jugosllavi Todoroviçi

Kastriot DERVISHI

Në tetor-1944 në qytetin e Tiranës komunistët shkaktuan një terror të madh në radhët e kundërshtarëve të tyre. Pikërisht në zonat e braktisura, njësitë luftarake komuniste kryen edhe masakrat mbi shtresën elitare shqiptare, kryesisht ushtarakë, profesorë, tregtarë, etj. Grupet e caktuara shkon në shtëpi të viktimave të ardhshme, i nxirrnin gjoja për një sqarim dhe i vrisnin pak metra larg shtëpive. Ndërsa disa të tjerë, u grumbulluan në hotel “Bristol”, ku u pushkatuan të gjithë. Kjo ishte dhe shenja e parë e “çlirimit” dhe ngjyra më e bukur e ditës së “lirisë”. Konkretisht, me urdhër të Enver Hoxhës dhe instruksionin e majorit jugosllav Vojo Todoroviç, krimet në Tiranë i kreu një batalion disipline i kryesuar nga Kristo Themelko. Vetë ky i fundit, në mbledhjen e plenumit të 2-të të PKSH-së në Berat, deklaronte:
“Për sa i përket terrorizmit, për veten time nga jeta e keqe që kishim kaluar gjatë dimrit, krijova bindjen se të gjithë elementët kundra nesh duheshin zhdukur që tani. Këtë bindje ma forcoi edhe një gjë që ndodhi pranë Shtabit të Përgjithshëm, kur pashë që të pushkatohej një njeri po në këtë mënyrë. Kur unë kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar se, kur të hynim nëpër qytete, do t’i spastronim elementët e rrezikshëm, prandaj kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata (e PKSH-së shënim) për këta elementë. Më vonë, nuk na është sqaruar asgjë e re lidhur me këtë gjë”.
Në shtator 1944, Enver Hoxha ka qenë në marrëveshje me forcat gjermane për një dorëzim të qetë të pushtetit. Ibrahim Biçaçkiu ka pranuar të jetë kryeministër në shtator 1944 me dëshirën se do të bënte kalimin e butë të pushtetit te komunistët, natyrisht i nxitur nga kushëriri i parë Esat Dishnica, shok i ngushtë i Enver Hoxhës. Biçakçiu është bërë ndërmjetës midis gjermanëve në ikje dhe komunistëve në ardhje. Veç Ibrahim Biçakçiu, marrëveshja u nënshkrua nga Omer Nishani, Shefqet Beja, Esat Dishnica. Marrëveshja që mban datën më 17 shtator 1944 përbëhej nga 7 pika. Në thelb, komunistët garantonin se nuk do të godisnin forcat gjermane gjatë largimit të tyre dhe Ibrahim Biçakçiu i dorëzonte pushtetin komunistëve. Gjermanët nuk do të merrnin asgjë me vete, përveç mjeteve të zakonshme e jetike. Largimi nga Tirana i gjermanëve do të bëhej më 20-21 tetor 1944.
Mirëpo kjo marrëveshje ra në duar të britanikëve e më pas të amerikanëve. Britanikët njoftuan Enver Hoxhën se qeveria e tij nuk do të njihej, nëse gjermanët nuk luftoheshin deri në fund.
Të prekur nga moszbatimi i marrëveshjes, gjermanët në Tiranë deshën të implikonin qeverinë dhe Këshillin e Naltë, duke i detyruar të vinin në Gjermani. Mirëpo, këto institucione dhanë dorëheqjen më 25 tetor 1944, duke deklaruar se ishin persona privatë e nuk mund të iknin me gjermanët në Gjermani.
Hoxha nuk iu përmbajt marrëveshjes, por Hoxha “urdhëroi” më 30 tetor 1944 “çlirimin” e Tiranës pikërisht pas datës së marrëveshjes, në kohën kur gjermanët po largoheshin.
Me anën operacionale do të merrej majori jugosllav Vojo Todoroviçi. Emri i tij gjendet në telegramin e datës në fjalë, porse në botimet e vitit 1966 me dokumente të shtabit, dy rreshtat janë hequr nga origjinali.
Terrorin e urdhëroi Enver Hoxha dhe Vojo Todoroviçi.
Në librin e tij “Titistët”, Enver Hoxha shkruan se ka qenë Sejfulla Malëshova që ka kundërshtuar masakrën e Tiranës. Ja një pjesë e debatit të tyre:
-Po bëhet shumë terror! – më thotë gjithë zemërim.
-Terror? – pyeta i habitur. – Ku?
-Në Tiranë! – përgjigjet. – Po vriten shumë oficerë të penduar.
-Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë. Luftë për jetë a vdekje. Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë ankohesh? Tani lufta po mbaron i thashë. Kur u bëmë thirrje të hidheshin në male e të luftonin bashkë me ne pushtuesit, s’lëvizën nga qoshet e ngrohta. Tani janë “penduar” tepër vonë dhe me kriminelët ne i kemi larë hesapet.
-A ja ky është sektarizmi – u hodh sektarizmi. Ka humbur zemra e vërtetë e komunistit, e atij që i dhimbset jeta e tjetrit, që mendon shumë para se të vendosë që të zhduket një njeri, i cili mund të ndreqet e t’i shërbejë vendit!
Mirëpo, po Enver Hoxha, në mbledhjen e plenumit të Beratit në 23 nëntor 1944, fjalët e Sejfullait i ka marrë, përvetësuar, sepse ka deklaruar:
“Po vriten në Tiranë me duzina njerëz e oficerë të dorës së dytë, të cilët, duke pasur besim të plotë në drejtësinë tonë e në shpalljen, dorëzohen. Një punë e tillë s’është okazoniale, por është i tëri toni që i është dhënë punës organizative të partisë, ushtrisë. Jo vetëm te ushtari i thjeshtë, por edhe te anëtari i partisë, ka humbur zemra e vërtetë e komunistit, e atij njeriu që i dhimbset jeta e tjetrit, që mendon më shumë për të zhdukur një njeri që mund të ndreqet dhe mund t’i shërbejë vendit. Jo, shokët e kanë humbur këtë gjë e në radhë të parë, udhëheqësit e përmbi ta, anëtarët e Komitetit Qendror. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të zhdukin anëtarët e partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”.

Një talent i shpërdoruar

Një gjeni i çrregullt. I fortë, por jo konstant. Një talent i shpërdoruar. Osvaldo mund të ishte një sulmues shumë i mirë, por ka zgjedhur një rrugë tjetër në rrugën e tij: shpirt rebeli me pasion për rrokun. Kur muzika që të rrjedh në vena ndizet nga notat e tingullit tënd të preferuar nuk ka asgjë që të mban më. Kështu, ish-sulmuesi argjentinas nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndjekur instinktin e tij, në jetën e futbollistit, por edhe në atë të këngëtarit, liderit të grupit “Barrio Viejo”.
Në moshën 30-vjeçare ai ishte lodhur me futbollin, grumbullimet, stërvitjet dhe trajnerët që donin ta “burgosnin” në modulet e tyre. Nga Italia te Boca Juniors, ky ka qenë udhëtimi i fundit si futbollist profesionist. Në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”, ai ka rrëfyer një pjesë të jetës së ti. E ka bërë me zemër të hapur, pa frikë, në mënyrën e tij.
Te Boca Juniors kam vendosur t’i jap fund me futbollin, ka pranuar Osvaldo. Shumë thashetheme dhe nuk ndihesha i lirë as të dilja. Më akne ardhur edhe disa oferta interesante nga Kina dhe nga disa klube që luajnë në Champions, por futbolli nuk ishte më bota ime. Dhe kam pyetur veten se çfarë doja në të vërtetë: para parave zgjedh një ‘asado’ (missh të pjekur në zgarë) dhe një birrë.

Në dhjetorin e 2016-ës i ka thënë jo Jorge Sampaoli-t, trajneri i Sevilla-s në atë kohë, të cilit i duhej një sulmues që të shënonte gola. Osvlado refuzoi sepse nuk mund të hiqte dorë nga “Cosquín Rock” (festival argjentinas). Ka qenë një bisedë e sinqertë dhe diplomatike. Por me Roberto Mancini-n gjërat kanë shkuar ndryshe dhe lamtumira nga Inter ka qenë tronditëse.

“Pas një ndeshje me Juventus-in e godita me grusht, ka zbuluar Osvaldo. Ai më tha: Do të zihemi? Ok, por mos ma thuaj para të gjithëve. Nëse nuk do të më kishte larguar, autoriteti i tij do të binte. Por kishte të drejtë, kam shkuar te zyra e tij duke qarë sepse më vinte turp nga ajo që kisha bërë. Mancini është i madh”.

Derbi Roma-Lazio, gjithçka është gati

Kur kanë mbetur edhe 48 orë nga derbi i kryeqytetit italian, Roma-Lazio tifozeritë e të dy skuadrave janë ende nën humorin e hidhur që i ka shkakturar eliminimi i Italisë nga Botërori. Mbështetsit e Lazios përfaqsoheshin në kombëtare me dyshen Imobile dhe Parolo, ndërkohë ata të Romës me De Rossin dhe Florenzin. Ndërkohë që derbi vjen në një moment nga ku mund të lihet pas ky episod i hidhur sepse derbi nuk është nuk sfidë si gjithë të tjerat e aq më tepër ky mes Romës dhe Lazios që konsiderohet si një ndër përballjet me të zjarrta në Europë. Tekniku i verdhekuqve Eusebio Di Francesko për të parën herë në karrierën e tij do të përjetojë emocionet e një derbi, ndërsa për kolegun e tij Simone Inzaghi nuk është i pari. Në lojë janë pikë shumë të rëndësishme për t’u mos u humbur.
Trajneri i Romës Di Francesko do ti besojë ekëspertëve. Të gjithë futbollistët që do të zbresin në fushë për këtë ndeshje kanë luajtur të paktën një derbi. Verdhekuqtë pritet të luajnë pak a shumë me të njëjtin formacion si ndaj Chelsea-t në Champions League. Dyshimi i vetëm për Romën është mesfushori Nainggolan. Belgu po bën gjithcka për të lënë pas dëmtimin dhe të jetë i gatshëm.
Në kampin e Lazios, tekniku Inzaghi pritet ti qëndrojë besnik formacioneve me të cilët ka luajtur në pesë javët e fundit në kampionat. Felipe Anderson ende nuk është gati. Luis Alberto ka zhvilluar normalisht seancën stërvitore me pjesën tjetër të grupit dhe gëzon formë të mirë fizike. Ndërkohë Marco Parolo i cili ka shpenzuar shumë energji me kombëtaren i është nën shtruar disa seancave relaksuese.

Messi rinovon

Barcelona tashmë ka rënë dakord për një kontratë të re me Lionel Messin deri në vitin 2021 dhe ka filluar punën për ta lidhur atë me një marrëveshje të jetës, sipas njoftimeve që vijnë nga Spanja. Marrëveshja e Messit më parë skadonte në fund të sezonit, dmth ai do të ishte i lirë të bisedonte me klubet e tjera europiane në janar. Por, presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, njoftoi më parë këtë javë se Messi kishte nënshkruar një marrëveshje të re katërvjeçare, duke përfunduar spekulimet mujore rreth të ardhmes së tij. “Mundo Deportivo” raporton se vazhdimi i kontratës me Messin është nënshkruar në qershor dhe se Barcelona ka filluar përgatitjet për një marrëveshje që do ta shohë atë të mbetet në “Camp Nou” përjetë.
Messi mbeti besnik ndaj Barcelonës dhe refuzoi të argëtohet me oferta nga klube të ndryshme, sipas kësaj gazete spanjolle. Raporti i “Mundo Deportivo” bën me dije se Barcelona dëshiron që pesë herë fituesi i “Topit të Artë” të qëndrojë në klub për pjesën tjetër të jetës së tij, edhe pas mbarimit të ditëve si lojtar. Klubi katalanas është goditur nga largimi i Neymar në verë dhe dëshiron ta lidhë Messin me një marrëveshje të ngjashme me atë që Andres Iniesta ra dakord muajin e kaluar, që do ta shohë atë të qëndrojë te Barcelonë për pjesën tjetër të karrierës së tij. Ekzekutivi i Barcelonës, Oscar Grau, njoftoi në asamblenë e përgjithshme të klubit muajin e kaluar se po punohej për një kontratë të re të jetës për superstarin e tyre. Grau i tha kuvendit: “Messi nënshkroi një marrëveshje katërvjeçare në qershor, por klubi do t’i ofrojë atij një kontratë jetëgjatë.
Ideja është që Leo, i cili ka qenë këtu që kur ishte i vogël, të qëndrojë këtu përjetë, sepse është një ikonë. Pas ditëve të tij të lojës ne duam që ai të vazhdojë të jetë i lidhur me klubin tonë”. Dhe javën e kaluar Tebas konfirmoi, gjithashtu, marrëveshjen e Messit deri në vitin 2021, teksa nënvizoi: “Messi ka një kontratë, që është rinovuar. Kontratat janë zyrtare kur nënshkruhen dhe jo kur shpallen. Messi ka nënshkruar me Barcelonën, nëse nuk më kanë gënjyer”. Pasiguria rreth marrëveshjes së tij të mëparshme kishte ngrehur vëmendjen e Manchester City dhe PSG. Messi e ka filluar sezonin aktual në formë të zjarrtë, me 12 gola të realizuar në 11 ndeshje të La Liga-s, ndërkohë që Barcelona e kryeson tabelën, me katër pikë larg Valencias së vendit të dytë dhe tetë pikë përpara Real Madridit.

Madridi nën ethet e derbit, Grizman përballë Ronaldos

Madridi nën ethet e derbit. Atletico i Madridit dhe Reali i Madridit po kryejnë përgatitjet e fundit përpara se të zbresin në fushën e blertë për të zhvilluar një 90 minutësh spektakolar. Tre pikë për t’u mos u shkëputur akoma edhe më shumë nga Barcelona kryesuese. Stadiumi Ëanda Metropolitano do të jetë i tejmbushur për të ndjekur këtë super përballje. Sezonin e kaluar Los Colchoneros arkëtuan 1 milionë e 500 mijë euro nga shitja e biletave për këtë ndeshje, ndërkohë këtë herë fitimet pritet të jenë edhe më të mëdha. 65.000 të pranishëm pritet të jenë në shkallët e impiantit . Pjesëmmarrje rekord!
Në qëndër të vëmendjes në radhët e Realit do të jetë Cristiano Ronaldo. Sulmuesi mesa duket nuk po kalon një moment të mirë, këtë fakt e reflektojnë edhe statistikat që ai regjistron. Vetëm një gol në shtatë takimet e fundit. Atletico është viktima e preferuar e portugezit. Ndaj tyre ylli i Los Blancos ka arritur të shënojë 21 gola në 29 përballje në të gjitha kompeticionet. Nën drejtimin e Diego Simeones, Los Colchoneros kanë fituar 4 nga përballjet ndaj rivalit të përjetshëm. Në radhët e Atleticos pritet të japë një ndihmesë të madhe sulmuesi i Antoine Griezmann i cili në kampionat gjithashtu nuk po kalon një moment pozitiv. Goli për të mungon që prej datës 27 shtator.